Ajo që po ndodh në Kuvendin e Republikës së Kosovës duhet të na shqetësojë të gjithëve. Kuvendi është institucioni më i lartë përfaqësues i qytetarëve dhe jo tribunë për rituale, thirrje apo demonstrime fetare.
Respekti për besimin është e drejtë individuale dhe duhet garantuar për secilin qytetar. Por institucionet shtetërore duhet të funksionojnë mbi parimin e neutralitetit fetar dhe karakterit laik të shtetit.
Kosova nuk është shtet fetar, nuk është republikë teokratike dhe as nuk duhet të shndërrohet në arenë ku feja përdoret për të ndërprerë diskutimet parlamentare apo për të imponuar simbolikë fetare në institucionet publike.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton qartë karakterin laik të shtetit dhe ndarjen e shtetit nga bashkësitë fetare.
Çfarë po ndodh me Kuvendin e Kosovës? A mos vallë po harrojmë se jemi Republikë demokratike, evropiane dhe kushtetuese, apo kemi filluar të sillemi sikur jemi në Kandahar?
Besimi është çështje personale. Shteti është i të gjithë qytetarëve, pa dallim feje dhe bindjeje.
Kosovës i duhet më shumë shtetësi, më shumë Kushtetutë dhe më pak instrumentalizim të fesë në institucionet publike!



