
Lirim Gashi, Prishtinë
____
Ky pushtet ka nevojë urgjente për një opozitë të vërtetë. Sepse, nëse vazhdon të qeverisë pa kundërshtarë seriozë politikë, shumë shpejt do të shndërrohet në një gjyshe politike, e cila do të përfundojë duke i vizituar ordinancat e mjekëve, më shpesh sesa që i vizitojnë ministrat zyrat e tyre.
Jo se ka punuar aq shumë sa t’i ketë konsumuar organet nga lodhja, por sepse, nga mungesa e çdo kundërshtimi të mençur, edhe ato kanë filluar të kërkojnë pensionim të parakohshëm. Disa madje janë plakur pa qenë ndonjëherë të prekura nga dora e njeriut. Një fenomen aq i rrallë mjekësor, saqë edhe Fakulteti i Mjekësisë ka filluar të dyshojë nëse bëhet fjalë për atrofi organesh apo për një formë të avancuar të papunësisë qeveritare.
Në fund të fundit, një pushtet pa opozitë është si një gjyshe pa pasqyrë:
Nuk e kupton se është plakur, derisa një ditë e thërret ambulancën për t’ia bërë një kontroll rutinor vetëkënaqësisë së saj.
Por këtu fillon komedia e vërtetë.
Kjo gjyshe politike, për fatin e saj të keq, e ka opozitë një stërgjyshe. Dhe jo çfarëdo stërgjysheje, por një të tillë që, gjatë kohës sa ishte në pushtet, kishte gënjyer aq shumë, kishte mashtruar aq gjatë dhe kishte vjedhur aq paturpësisht, saqë kishte arritur t’ia zhvlerësonte kuptimin edhe vetë së vërtetës.
Ajo kishte gënjyer aq shpesh, saqë edhe gënjeshtrat e saj kishin filluar të kërkonin azil politik, nga frika se mos po identifikoheshin me ndonjërën prej deklaratave të saj të mëparshme.
Kishte mashtruar aq gjatë, saqë edhe Pinokio, po ta kishte pasur përballë, do ta kishte këshilluar të mos e tepronte. Fundja, hundën mund ta zgjatësh sa të duash, por nuk mund ta kthesh në hundë të gjithë inventarin e gënjeshtrave.
Ndërsa me vjedhjet e kishte arritur një nivel aq të lartë profesionalizmi, saqë, po të ekzistonte një fakultet për këtë disiplinë, do të ishte shpallur profesoreshë emerite, me të drejtë ligjërimi edhe pas pensionimit.
Tani, kjo stërgjyshe del çdo ditë në oborrin politik, mbështetet në bastun, e rregullon shaminë, e merr një pamje tragjike dhe bërtet:
“O njerëz, po na shkatërrohet shteti! Po na rrjedh kulmi! Po na zbrazet kuzhina! Po na i vjedhin lugët! Kush do të japë llogari për këtë katastrofë kombëtare?!”
Por askush nuk e dëgjon më.
Jo domosdoshmërisht pse nuk thotë asgjë të vërtetë, por sepse gjatë gjithë karrierës së saj politike ka shpërdoruar aq shumë besueshmëri, saqë edhe kur e thotë të vërtetën, njerëzit fillimisht i kontrollojnë xhepat, pastaj kuletat dhe, në fund, ia hedhin një sy çdo cepi të shtëpisë për t’u siguruar që nuk u mungon ndonjë pjesë e mobilieve.
Madje, po të dilte stërgjyshja një mëngjes dhe të njoftonte se dielli do të lindte nga lindja, qytetarët nuk do të nxitonin të dilnin në ballkone. Fillimisht do ta kërkonin konfirmim nga meteorologjia, nga NASA, nga Observatori i Greenwichit dhe, për siguri të shtuar, edhe një deklaratë nga ambasadori amerikan.
Sepse, pas gjithë atyre viteve, askush nuk mund ta përjashtonte mundësinë që stërgjyshja ta kishte lidhur ndonjë marrëveshje të fshehtë me diellin, sipas së cilës ai do të lindte nga perëndimi, ndërsa faturën për ndryshimin e drejtimit do ta paguanin qytetarët.
Kështu, gjyshja në pushtet ka mbetur pa një opozitë që t’ia kontrollojë tensionin politik, ndërsa stërgjyshja në opozitë ka humbur aq shumë autoritet moral, saqë njerëzit nuk i besojnë më as termometrit të saj.
E para rrezikon të plaket para kohe nga mungesa e kritikës së mençur, kurse e dyta është plakur aq shumë politikisht, saqë edhe gabimet e saj të dikurshme kanë filluar të dalin në pension me më shumë dinjitet sesa ajo vetë.
Dhe pikërisht këtu qëndron tragjikomedia e demokracisë sonë:
Një gjyshe të cilen nuk ka kush ta kritikojë dhe një stërgjyshe të cilës nuk ka kush t’i besojë!
Njëra ka nevojë për opozitë që të mos i atrofizohen muskujt e pushtetit, ndërsa tjetra ka nevojë për një institut të posaçëm rehabilitimi të besueshmërisë, ku do t’i nënshtrohej një programi intensiv të detoksikimit nga gënjeshtrat, nga mashtrimet dhe nga nostalgjia për arkën e shtetit.
Ndërkohë, populli është ulur në korridorin e kësaj shtëpie geriatrike politike, me numrin e radhës në dorë, duke pritur që dikush, më në fund, t’ia kontrollojë shëndetin shtetit.
Por mjekët nuk po vijnë, sepse gjyshja dhe stërgjyshja janë zënë se kujt i takon stetoskopi, kush e ka vjedhur termometrin dhe kush duhet ta paguajë faturën e ambulancës.
Madje, nëse vazhdojnë kështu, një ditë do të na duhet ta thërrasim jo vetëm mjekun, por edhe arkeologun politik, që ta përcaktojë se cila prej tyre është më e vjetër: pushteti pa opozitë apo opozita pa ndërgjegje!
Sepse demokracia nuk ka nevojë as për një gjyshe që mendon se është e pavdekshme, as për një stërgjyshe që beson se qytetarët tashmë kanë harruar se çfarë ka bërë gjatë gjithë karrierës së saj politike.
Ajo ka nevojë për një opozitë të re, të besueshme dhe të aftë, e cila nuk e kundërshton pushtetin thjesht për t’u ulur vetë në kolltukun e tij, por për ta detyruar atë të punojë dhe të japë llogari.
Përndryshe, do të vazhdojmë të jetojmë në një shtëpi politike ku gjyshja e ka humbur pasqyrën, ku stërgjyshja e ka humbur besueshmërinë dhe ku popullit i kanë humbur nervat.
Dhe më e keqja është se të dyja pretendojnë të bëhen kujdestare të shtetit, ndonëse asnjëra nuk është më në gjendje të kujdeset as për arkivin e recetave të veta mjekësore!


