Në Kosovë, shpeshherë më lehtë gjykojmë pas historisë sesa e kuptojmë atë. Etiketimi i Deklaratës së Pavarësisë si “dokument teknik” tingëllon intelektualisht i sofistikuar, por në thelb mbart një rrezik: banalizimin e një akti që ishte më shumë se tekst – ishte strategji mbijetese, sepse Kosova nuk e shpalli pavarësinë në një amfiteatër të lirë politik. E shpalli në një korridor të ngushtë diplomatik, të rrethuar nga interesa të mëdha, veto të mundshme dhe një realitet ndërkombëtar që nuk e falte asnjë fjalë të tepërt.
Prandaj, Deklarata nuk mund të ishte poemë. Duhej të ishte formulë. Kjo është ajo që shpesh keqkuptohet. Nuk ishte mungesë guximi që teksti i saj është i matur. Ishte tepricë përgjegjësie. Çdo fjali ishte e peshuar jo për të kënaqur emocionin kolektiv, por për të kaluar testin e legjitimitetit ndërkombëtar. Dhe në atë moment historik, legjitimiteti ndërkombëtar nuk ishte luks – ishte kusht ekzistence.
Është e lehtë sot të kërkosh një tekst më të fortë, më të drejtpërdrejtë, më të mbushur me histori e sakrificë. Por pyetja që duhet bërë është tjetër: a do të ishte më i fortë shteti që do të dilte nga një tekst i tillë? Sepse shtetet nuk ndërtohen me fjalë të bukura, por me pozicionim të saktë.

Në këtë kuptim, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është pikërisht ajo që duhej të ishte: një dokument i kalibruar për të kaluar në një realitet të ndërlikuar ndërkombëtar. Teknik? Po. Por teknik si një instrument kirurgjik – i ftohtë në formë, vendimtar në efekt.
Problemi nuk qëndron aty. Problemi fillon pas 17 shkurtit 2008, sepse ajo që duhej të ishte faza e dytë – ndërtimi i një narrative të fuqishme shtetformuese – nuk ndodhi me të njëjtin intensitet. Kosova fitoi legalitetin, por mbeti shpesh e varfër në artikulimin e legjitimitetit të brendshëm. Shteti u ndërtua në dokumente, por jo gjithmonë në vetëdije kolektive.
Dhe pikërisht në këtë boshllëk lind sot kritika. Por është një kritikë që shpesh gabon adresën. Nuk është Deklarata ajo që duhet gjykuar. Është mungesa e një vizioni politik që duhej të ndërtohej mbi të. Sepse asnjë deklaratë, sado e fuqishme të ishte, nuk mund ta zëvendësojë politikën. Në fund, dilema është e rreme: teknik apo politik.
Kosova në 2008 nuk kishte luksin e zgjedhjes. Ajo kishte vetëm një mundësi: të bëhej shtet që njihet. Dhe këtë e arriti. Deklarata e Kosovës nuk ishte tekst për të ndezur emocionin – ishte instrument për të siguruar shtetin; dhe në histori, shtetet nuk i mbijetojnë emocioneve, por saktësisë së vendimeve.


