ARKIVI:
19 Maj 2024

“Mafia ne familjen time”, libri që më detyroi të largohem nga Shqipëria!

Shkrime relevante

Gjenerali Bislim Zyrapi, ai që luftoj për ne, është i sëmurë rëndë andaj tash ne duhet ta ndihmojmë atë

Nga: Lirim Gashi, Prishtinë ___ Gjeneral Bislim Zyrapi mbante detyrën më të përgjegjshme...

Kryeministri Kurti mirëpriti nënsekretaren amerikane të Shtetit për Çështje dhe Diplomaci Publike, Elizabeth Allen

Prishtinë, 19 maj 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,...

Formimi i “asociacionit serb” , mes kudhrës dhe çekanit

Gani I. Mehmeti Duke shikuar edhe vetëm titujt  për formimin a mosformimin...

Plisi e Shajkaqa, nën hijen e mollës së Popit…!

Nga: Agim Vuniqi ___ Demokracia e re shqiptare në Kosovë është në evolim,...

Shpërndaj

Ervina Toptani, shkrimtare
___
Libri “Mafia ne familjen time” është historia që më detyroi të largohem nga Shqipëria disa vite më parë, mbi të gjitha për sigurinë e fëmijëve të mi. Është historia e kalvarit të vuajtjes në “demokraci” prej grupeve të krimit të organizuar të vjedhjes së pronave, ata të cilët në bashkëpunim dhe bashkëveprim të ngushtë me pushtetarë, politikanë, gjyqtarë, prokurorë, noterë, avokatë, kryebashkiakë, punonjës civilë të zyrave të shtetit deri dhe gazetarë vjedhin, kërcënojnë me jetë, santazhojnë, vrasin e zhdukin çdo gjurmë tjetër për të përfituar prona të vjedhura e të mira materiale në këmbim të fshehjes së krimeve të kryera. Të gjitha këto ndodhin ditën me diell në Shqipëri dhe fajtori kryesor, ose më mirë kontribuesi kryesor i nxitjes, përfitimit, ushtrimit të krimit me jakë të bardhë e vulë në dorë janë ata që duhet të mbronin të drejtën, ligjin, pronën dhe jetën. E thënë në një fjalë ata janë: pjesa më e madhe e kastës së politikanëve dhe zyrtarët e zinxhirit të sistemit të drejtësisë. Këta janë kriminelët e vërtetë në Shqipëri, të vetmit të interesuar që Shqipëria të mbetet një parajsë fiskale, një lavatriçe gjigande e pastrimit të parave të pista dhe anarshisë ligjore.
Ky libër nuk është një libër i zakonshëm sa kohë unë e kam thyer frikën që erdhi si pasojë e kësaj historie. Unë jam dëshmitare reale e një liste të gjatë krimesh duke i njohur të gjithë kriminelët që i kanë kryer ato. E kam vuajtuar tmerrsisht të shkruarin e këtij libri duke ripërjetuar me orë e ditë ndodhitë e tmerrshme që kisha jetuar më parë. Jam munduar ta kursej mjaft lexuesin tek makabritetet e ndodhura, duke ravijëzuar në një sfond që derdhet si valë deti në përshkrimin e gjithë historisë, duke ndalur tek analiza filozofike e psikosociale e të gjitha fenomeneve të ndodhura aty. Çfarë është shteti e si ndërtohet ai, çfarë është e drejta, prona, ligji? Çfarë është morali e nga na vjen ne e keqja si komb, çfarë shoqërie kemi ndërtuar e si pritet e ardhmja e saj, etj, etj.
Po sjell në faqen time, për ata që kanë dëshirë e kërshëri për të lexuar, pjesën e fillimit të librit e me kohë, nëse leximi i këtyre pjesëve në dritaren e vogël virtuale të fb nuk ua lodh shikimin, mund të sjell pjesë të tjera deri në përfundim të tij, kurdo që ta shoh të arsyeshme.
Mafia në familjen time
Ishte një ditë si gjithë të tjerat që nisi me rutinën e zakonshme. Ishte dita ime e pushimit pas dy operacioneve radhazi, të vështira, tek dy pacientë të ndryshëm të cilët i kisha përzemër. Miqësohem me pacientët e mi jo vetëm sepse kjo gjë i shërben mirqënies së mbarëvajtjes së punës që të dy sëbashku, mjeku dhe pacienti, duhet të çojnë përpara për të mposhtur sëmundjen, por edhe sepse kjo është ndër veçoritë e bukura të të qenit njeri, me zemër, me ndjenja. Në qendër të universit tim si mjeke dhe si njeri është pikërisht kjo parrulla: të jetosh me njerëzit, për njerëzit. Miqësohem me pacientët e mi dhe ndërsa ata më tregojnë për jetën e tyre, familjen, profesionet dhe momentet e vështira në jetë edhe unë bëj të njëjtën gjë. Filozofia e shkëmbimit të kulturave dhe mendimeve, njohja e botës së brendshme të gjithsecilit prej tyre është një pasuri e madhe. Njerëzit shpesh tentojnë të jenë më të vërtetë dhe të tregojnë gjithçka ndjenjë më shumë tek mjeku sesa tek prifti në rrëfim. Kjo ndoshta sepse mendojnë që nëse nuk tregojnë të gjithë të vërtetën, mjeku, i cili në rastin konkret është njeri i thjeshtë dhe pa fuqi mbinatyrore, nuk do të mundet të ndihmojë siç duhet pacientin. Dhe unë të vërtetën e tyre e vlerësoj, e quaj si gjënë më të rëndësishme që dikush mund të më besojë e që rrëfen tek unë. Kjo lloj marrëdhënie që krijoj me pacientët e mi nuk ka për qëllim të krijojë vetëm një njohje sa për t’i qetësuar ata moralisht, por t’u ofroj një ndihmesë reale për problemin praktik i cili i shqetëson ata, unë dua t’u ofroj një ndihmesë për jetën, për t’ua bërë më të vogël frikën që i pengon për të qenë më të sigurtë perballë sëmundjes. Ka raste kur trupi nuk mund të kurohet, pa kuruar më parë shpirtin. Asnjë shërim nuk do të ishte i plotë nëse kjo nuk vjen njëkohësisht nga mendja e shpirti. Qëllimi filozofik në këtë rast është i thjeshtë dhe i kuptueshëm, shërimi sjell lumturi, lumturinë e përbashkët të pacientit dhe mjekut, e lumturia para së gjithash gjendet tek qetësia e shpirtit. Kam ndjerë se për të arritur në këtë fazë nuk mjafton të jesh mjek i mirë, duhet të jesh NJERI që të mund të bëhesh dhe mjek i mirë.
Momentet e mia shlodhëse janë përgjithësisht me një kafe të mirë përpara dhe një libër që më shton dëshirën për të rendur tek një i dytë e kështu me radhë. Kafeja më e mirë bëhet në barin tim të preferuar, tek bari i vogël në lagjen e këndshme ku jetoj, shumë pranë spitalit ku punoj. Shumicën e rasteve qëndroj jashtë, pranë saksive me lule shumëngjyrëshe që e zonja e barit, Mariela, i ka aq të shenjta dhe kujdeset për to sikur të ishin foshnje. Këtë përkushtim për gjërat e bukura në jetë që falin gëzim e dashuri e kam parë gjithë jetën ndërsa rritesha, tek gjyshja dhe mamaja ime. Saksitë me lule më rikthejnë kujtimet e fëmijërisë tek ballkoni i gjyshes me po të njëjtat lule shumëngjyrëshe. Sa herë i kemi ujitur bashkë me gjyshen lulet e mia të preferuara, sa shumë më ka përkëdhelur në shpirt ajo grua me sytë e mallëngjyer e me dashurinë më të madhe që një qenie njerëzore mund të falë. O Zot, sa me fat kam qenë që u rrita me të dhe përfitova, shpesh edhe në mënyrë egoistike, dashurinë më të madhe në botë, atë të gjyshes së dashur.
Pjesë e pandashme e mëngjesit tim është telefonata e mamasë time e cila nuk mungon për asnjë arsye në botë. E rëndësishme për të është të më dëgjojë zërin dhe të dijë që jam mirë. Qëllon shpesh që kur nuk përgjigjem në telefon prej pamundësisë fizike për të qenë e lirë prej profesionit, e gjej mamanë time poshtë spitalit ku unë punoj që bën ecejake nëpër lulishten përpara godinës derisa unë të mbaroj operacionin apo vizitat urgjente dhe justifikimi më i ëmbël që dëgjoj prej saj ndërsa i them: “Mami, çfarë bën këtu në këtë orë?” – ajo përgjigjet si në faj: “Asgjë e dashur, më ra rruga këtej e thashë të të përshendes. Ti nuk iu përgjigje telefonatës së mëngjesit. Kisha dëshirë të të ofroja një kafe por nëse je e zënë nuk ka rëndësi, unë kaloj përsëri më vonë.” Kjo është mami, për të mos u zgjatur shumë me fjalë të tjera. Për të unë kam mbetur vajza e vogël 5 vjeçare e cila qëndronte gjithnjë përdore me të, nuk jam rritur asnjë ditë më shumë. Shpesh habitem sa mirë kuptohen me babain tim duke qenë kaq të ndryshëm. Ai të jep lirinë e pakufishme të fluturosh i sigurtë dhe i qetë në qiellin që ai ka pastruar më parë për ty nga të gjitha retë e shtrëngatat e mundshme, ndërsa ajo edhe kur qielli është i qartë dhe i shkëlqyer si kristal përsëri nuk është e qetë nëse nuk është aty të të mbajë për dore. Unë jam rritur me shumë dashuri e përkushtim nga dy njerëz që përpara se të mendonin për lumturinë e tyre, kanë menduar për lumturinë e fëmijëve dhe lumturia më e madhe për mua dhe tim vëlla ka qenë gjithnjë të shohim, ndjejmë e kuptojmë sa shumë janë dashur dhe duhen prindërit tanë. Dashuria e tyre e madhe për njëri-tjetrin dhe për familjen na bëri ne, fëmijëve, të kuptojmë çdo të thotë respekt, mirënjohje dhe paqe shpirtërore. Unë dhe im vëlla jetuam këtë lumturi që sjell paqja shpirtërore duke pasur ide të qarta të natyrës në gjirin e së cilës u rritëm dhe “ligjeve” që na udhëhoqën atëherë e sot për të qenë njerëz me shpirt në radhë të parë.
Meditoj shpesh kur jam vetëm, sepse nuk më qëllon shumë shpesh të kem kohë të qëndroj me veten. Përpiqem ta gëzoj këtë moment, të flas me unin tim, të kuptoj grimcat më të vogla që shkëputen prej meje herë herë pa u dhënë përgjigje ose duke i lënë pak pas dore me dwshirw për t’u rikthyer një moment të dytë. Përpiqem gjithmonë të jem sa më e hapur me vetveten, shumë e sinqertë, t’i analizoj gjërat në tre plane të ndryshme, mendërisht, shpirtërisht dhe realisht për të kapërcyer të gjitha pengesat dhe frikërat që nuk do të më lejonin të jem e lumtur dhe të jetoj në qetësi. Jam bindur që frikërat më të mëdha të cilat nuk na lejojnë të jetojmë të qetë janë dy sipas meje: frika nga vetja, nga mosnjohja e saj, më saktë frika për ta njohur veten dhe frika nga vdekja. Për këdo që nuk do të jetë dakort me mua më lejoni t’ju kujtoj që pikësëpari ky është përfundimi i një mjeku që me vdjekjen lufton çdo ditë dhe që çdo ditë përpiqet të njohë sa më shumë nga vetja shpirtërore universale. Së dyti ju ftoj të “bisedoni” qetësisht me veten e tuaj dhe të dilni në një përfundim tuajin se kush është frika më e madhe në jetë, përfundim si refleksion njerëzor e filozofik.
Pikërisht në një moment refleksioni të tillë bie zilja e telefonit që më shumë sesa më shkëputi nga realiteti shpirtëror 100% i vërtetë, më trembi me befasinë e saj. Është e kuptueshme që nuk mund ta kem gjatë luksin e refleksioneve me vetveten duke qenë mjeke kirurge. Në telefon ishte asistentja ime.
– Doktoreshë Eilin, të lutem eja menjëherë, kemi një rast urgjent operacioni. Aksident në autostradë, personi është rëndë, ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. Profesor Conte do të jetë me ty në sallë.
– Po vij menjëherë.
Nisem, shpesh e veshur me ç’të më ndodhet në trup, diçka e zakonshme për mua këto 10 vitet e fundit. Kuptohet arsyeja përse një mjek shpesh jeton vetëm 5 minuta larg spitalit ku dhe kalon pjesën më të madhe të kohës së tij. Në momente të tilla njeriu nuk mendon dot asgjë përveç të panjohurës drejt së cilës rend. Do të luftoj me vdekjen për të shkëputur nga kthetrat e saj mizore një shpirt, një njeri të cilin nuk e njoh, nuk ia di hallet e brengat që mbart, nuk ia njoh buzëqeshjen e as të mirat apo të këqijat që ka bërë në jetë, por unë do të luftoj për të dhe kjo është hyjnorja që ka zbritur në tokë nëpërmjet misticizmit të shpirtit njerëzor, ëngjëllit me bluzën e bardhë.
Për dikë që nuk e njeh këtë profesion është e vështirë t’i lidhësh këto dy gjëra bashkë, hyjnoren tek njerëzorja. Sa e zakonshme bëhet ajo për mjekun, njeriun e thjeshtë i cili ka frikë nga e përditshmja që e vë gjithnjë përpara përgjegjësisë më të lartë, të rikthejë jetën, akti i kulluar i të mirës supreme të cilën Zoti ua dhuron njerëzve për një arsye të caktuar, ndaj lutem sa herë shkel pragun e sallës “së luftës” me jetën, Zoti të më drejtojë kah arsyeja e kulluar, kah vetja e Tij.
….Pamja që gjeta kur mbërrita ishte tronditëse. Ndërkohë salla ishte bërë gati. Profesori Conte më informoi mbi gjendjen e pacientit. Ishte rreth të 60-ve, vuante nga ç’rregullime në zemër, diabetik, probleme me frymëmarrjen dhe mesa duket edhe i alkoolizuar. Ishte një nga ato rastet kur vërtet nuk mund të zgjidhësh pa ndihmën e Zotit. Operacioni zgjati 8 orë pa ndërprerje, i lodhshëm por mund të them se rezultati ishte pozitiv, megjithatë vetëm pas 24 orëve do të mund të kuptonim realisht nëse ndërhyrja kishte dalë plotësisht me sukses sepse në raste të tilla komplikacionet ndodhin edhe më pas.
Dola nga salla e operacionit e lodhur dhe me dëshirën e madhe për 10 minuta qetësi me sytë mbyllur, mbështetur pas murit pa pasur fuqi të lëviz asnjë muskul, as qepallat e syve….Jashtë derës së sallës së operacionit priste një grua e cila me gjasë, po të nisem nga mosha duhet të ishte bashkëshortja e pacientit. U afrua ngadalë, gati përtueshëm dhe menjëherë lexoi emrin tim mbi targetën metalike në krahun e majtë të bluzës sime të bardhë. Turbullt më dukej sikur atë grua e kisha parë edhe diku tjetër, ose ndoshta ngatërrohesha në memorien vizive të trurit tim. Takoj kaq shumë njerëz çdo ditë, pacientë, familjarë të tyre, studentë në katedrën time të fakultetit të mjeksisë, sa konfuzione të tilla pamore ndodhin fare lehtësisht.
Ajo ishte e ftohtë, e heshtur, aspak e shqetësuar për personin e dashur i cili mrekullisht ende merrte frymë. Më foli shqip, gjuhën time të dashur, qëndroi e ftohtw dhe e largët sikur kishte takuar armikun. Nuk më pyeti si shkoi operacioni, nëse ka shpresa positive, nëse njeriu i saj i dashur do të jetojë apo dhe mbi problemet që mund të lindin më pas duke ditur gjendjen e rëndë në të cilën pacienti erdhi në spital. Ajo nuk donte të dinte…..
Gruaja: Sa e çuditshme është jeta, kush do ta kishte menduar se një ditë pikërisht ti do t’i shpëtoje jetën atij që dëshironte kaq shumë të ta merrte jetën ty…..Unë jam gruaja e Adir D., burrit që luftove kaq orë për t’i shpëtuar jetën.
Menjëherë ndjeva një mpirje që më ftohu gjysmën e kokës dhe më bëri të mbetem pa fjalë, sekuencë që zgjati vetëm pak sekonda por që m’u desh shumë më gjatë për ta kapërcyer si ndjenjë. E njihja zonjën, por njihja më mirë bashkëshortin e saj. Nuk kisha mundësi as të flisja por detyra ime është t’i gjendem pranë familjarëve njësoj si pacientit. E gjeta forcën t’i tregoja zonjës se operacioni doli me sukses por e ftova të bëjë durim edhe për 24 orët e ardhshme të cilat zakonisht janë vendimtaret për jetën. Janë orët më të vështira në fakt për familjarët dhe të dashurit e pacientëve, sepse janë orët e pritjes dhe luftës së brendshme për të mos u dorëzuar dhe të qëndrosh fort në këmbë kur duket sikur gjithë shpirtin ta kanë shkulur dhunshëm nga trupi dhe nuk ke më forcë as për të marrë frymë. Por zonja nuk dukej aspak e shqetësuar, përkundrazi ajo priste nga unë një tjetër pëgjigje, priste të hiqte një ankth që dukej se e mundonte dhe kërkonte ta dëgjonte nga unë, aty, në atë korridor spitali e të mos kthehej kurrë më…..
Unë: Uroj për bashkëshortin tuaj shërim të shpejtë dhe për ju shumë qetësi. Situata të cilat njerëzit nuk i zgjidhin dot gjatë jetës, jam e bindur që i zgjidh Zoti gjatë rrugës së gjithsecilit nga ne. Unë ju uroj të dyve sëbashku paqe dhe Zoti ju ndihmoftë.
Nuk kisha ç’të bisedoja më gjatë me zonjën e ftohtë. Doja të largohesha menjëherë nga aty, ajri po më zinte frymën, këmbët nuk po më mbanin, ndoshta nga lodhja por ndjenja se nga çasti në çast mund të rrëzohesha në tokë. Renda drejt dhomës time të mjekut, mbylla derën dhe u ula mbi dysheme. Nuk doja të mendoja por ishte e pamundur. Gjithçka vërshoi si një film i dhimbshëm përpara syve të mi, edhe pse vazhdoja t’i mbaja mbyllur me forcë. Djalli ishte rikthyer por këtë herë në sallën time të operacionit.
Diktatura
Do t’ju tregoj historinë që shënjoi jetën time dhe të prindërve të mi. Do t’ju tregoj atë çka nuk e kam treguar kurrë më parë me të tjerë njerëz, as me miqtë e mi, për të mos vuajtur, për të mos e rijetuar por edhe për të mos treguar të vërtetën e shëmtuar që njerëzit do të gjykonin pasi ta njihnin. Nuk doja të isha as heroina e as viktima në atë çka do ta vlerësojë gjithscili nga ju kur ta ketë lexuar këtë histori.
Gjithçka nis në epokën e diktaturës komuniste në Shqipëri, atdheut tim dhe të prindërve të mi. Aty u linda unë, im vëlla dhe aty kalova fëmijërinë time. Aty kishin jetuar katragjyshët, stërgjyshët e gjyshërit e mi. Aty lindën, jetuan e ngritën familjen e tyre prindërit e mi të dashur. Aty njoha dashurinë e pamatë që rrethonte folenë e ngrohtë të familjes tonë të bukur.
Babai im për fatin e tij të mirë dhe të keq (kushdo që njeh realitetin shqiptar e kupton përse them fati i keq) është pasardhës, nga të dy prindërit e tij, i disa prej familjeve kryesore që kanë kontribuar fuqishëm për ndërtimin e shtetit shqiptar, që kanë shkruar historinë e Shqipërisë dhe kanë gdhenduar emrat e tyre me shkronja të arta në memorien e pavdekshme të popullit tonë. Duke qenë i ndërgjegjshëm për vështirësinë dhe peshën e madhe që sillte mbiemri që babai im kishte si trashëgimi gjaku e shpirti, është munduar të japë gjithnjë më të mirën e mundshme në të gjitha fushat e jetës. Po kështu është përpjekur të na rrisë ne, fëmijët e tij, me po të njëjtin respekt e angazhim që dhe ne të vazhdojmë në gjurmët e paraardhësve tanë. Unë isha tepër e vogël kur arrita të kuptoj se asnjëherë nuk do të quhej mjaftueshëm nëse nuk do të vazhdoja me përkushtim rrugën drejt suksesit për të lartësuar jo vetëm emrin e familjes time por atë të vendit tim, Shqipërisë, si amanet i të parëve të mi. Tek unë ishte krijuar dhe rritej si një bërthamë e vogël gjithnjë në zhvillim filozofia e ekzistencës së pavdekshme të shpirtit të trashëguar. Shpirti i trashëguar brenda meje ishte i sigurtë për vetveten, për ekzistencën e tij, si një substancë që dallohet nga materia dhe nga i gjithë realiteti material sëbashku. Isha bindur se ky shpirt që jeton brenda meje është i një natyre tjetër nga realiteti dhe madje i një natyre tjetër edhe nga mendimi. Ai është diçka më e fortë se kaq, është feja e gjakut, “aparati” im i njohjes dhe i të kuptuarit të vetes time, sepse unë nis nga aty, nga paraardhësit e mi dhe jam vazhdim i tyre i pandarë. Gjyshërit dhe babai im kishin vuajtuar shumë gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, si pasojë e të qenit vazhdimi i zinxhirit të ADN-së së gjakut fisnik, të cilët u shpallën armiqtë kryesorë të komunizmit.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri u instalua diktatura komuniste. Ky ishte fillimi i një kalvari të gjatë e të stërmundimshëm për popullin e vogël shqiptar por i tmerrshëm e vrastar për familjet e aristokracisë tradicionale dhe intelektualizmit shqiptar. Menjëherë sapo erdhën në pushtet, komunistët eleminuan të gjithë intelektualët më të njohur të Shqipërisë, të gjithë mendjet e ndritura, të shkolluar në perëndim, të gjithë ata që nuk do të pajtoheshin me realitetin e zi që do të qëndronte mbi qiellin e Shqipërisë për dekada të gjata. U shpallën armiq, u ekzekutuan pa gjyqe, u pushkatuan e varën në litar, e të tjerë u burgosën për aq vite të gjata sa shumë prej tyre nuk dolën më kurrë nga burgjet e tmerrit. Familjet e tyre do ta pësonin edhe më keq sepse ka raste kur vdekja, siç thoshte gjyshja ime e dashur, është kapak floriri. Familjarët e tyre, gratë, fëmijët, prindërit, kushërinjtë deri dhe miqtë u burgosën dhe internuan në skajet më të largëta e më të vështira të Shqipërisë. Këta njerëz të pafajshëm u plaçkitën, u vodhën nga gjithçka, u keqtrajtuan dhe u dërguan si skllevër në kampet e përqëndrimit komunist.
Stërgjyshërit e mi u burgosën, familjarë të tjerë të tyre u pushkatuan si armiq të komunizmit, familjet e tyre u internuan. Në internim lindi dhe gjyshja ime. Nënën e saj, stërgjyshen time, e internuan shtatzanë në moshën 22 vjeç dhe me një bebe në krahë, vajzën e madhe 2 vjeç. E nxorrën jashtë me forcw nga shtëpia në mes të natës, që të mos kishte mundësi as të përgatiste një çantë të vogël për vajzën. E vetmja gjë që mundi “të rrëmbejë” nga shtëpia e saj e dashur ishte arushi i vogël i vajzës 2-vjeçare, asgjë më shumë. Shtëpinë e saj e uzurpoi diktatori vetë dhe jetoi aty së bashku me familjen e tij pwr rreth 50 vite.
Stërgjyshin tim, babain e gjyshes e dënuan fillimisht me vdekje por më pas, meqë nuk gjetën prova të mjaftueshme e dënuan me 20 vite burg, në moshën 23 vjeçare, me akuzën se ai dëshironte një Shqipëri demokratike, jo sovjetike, si mijëra shqiptarë të tjerë, se ishte kundër luftës dhe kundër copëtimit të trojeve tona. Nënën e tij të gjorë, e internuan të vetme sepse ajo nuk kishte fëmijë tjetër përveç stërgjyshit tim, ishte i vetmi dritë syri pas humbjes së 10 fëmijëve që kjo grua kishte përjetuar. I vetmi që mundi të jetojë ishte ai, djali i saj i dashur që ajo nuk do të shihte më kurrë.
Gjyshja ime, së bashku me nënën dhe motrwn e saj, jetuan për vite me rradhë në një haur të vogël ku më parë fshatarët mbanin bagëtinë. Një dhomë e ngushtë, nën tokë, pa dritare, e mbuluar nga sipër me kallamë që nuk ngjasonin aspak me tavanin dhe e shtruar me dhé. Aty nisi jetën me një fëmijë 2 vjeç dhe një bebe që lindi në ato kushte, stërgjyshja ime, vajza e një prej kryeministrave të Shqipërisë, bashkëshortja e një burri fisnik, të diplomuar në Itali për ekonomi. Faji i saj, si dhe shumë të tjerëve si ajo në Shqipëri ishte prejardhja e saj, historia që kjo prejardhje kishte në faqet e memories së kombit tonë, e vërteta që komunizmi kërkoi dëshpërimisht ta groposë e manipulojë nëpërmjet vrasjeve e zhdukjes së atyre që e ndërtuan historinë.
Vitet kaluan dhe jeta ishte një rutinë e vazhdueshme vuajtjesh për stërgjyshen time dhe 2 vajzat e saj. Rriteshin duke e ditur që ishin armike sepse këtë e dëgjonin çdo moment të ditës nga të gjithë ata që ishin “të pastër”, komunistët. Varfëria ishte ekstreme, mungonte dhe ajri. Nuk kishin të drejtë të kishin as dritare në dhomën e vjetër prej balte. Ditët e pushimit të tyre ishin rrugë të gjata me trasta buke në kurriz në burgun e rradhës ku ishte transferuar babai i dashur, të cilin gjyshja ime vetëm e kishte parë ndonjëherë shkarazi tek hekurat e burgut sepse në takimet që u lejoheshin me raste, vetëm një person kishte të drejtë të qëndronte jo më shumë se dhjetë minuta me të dënuarin.
Sa herë i kam kërkuar gjyshes time të më tregojë historitë e saj, kam përfunduar duke qarë me ngashërim e duke iu lutur të mos më tregonte më. Por ajo kurrë nuk qau, ajo gjithnjë më buzwqeshi, më përkëdheli me dashuri e më mësoi se jeta pavarësisht të gjithave është e bukur dhe se ajo ishte e lumtur që Zoti e la të jetonte për të më përkëdhelur mua, dhuratën e saj më të çmuar. Gjyshja ime e dashur, ëngjëlli im që nuk mësoi kurrë të urrejë…..
Vitet e gjata të burgut mbaruan dhe babai (i gjyshes time) u kthye në shtëpi, por nuk ishte më djali i ri, i fuqishëm, babai që nëna iu kishte treguar në historitë e saj. Ai ishte vetëm kujtimi që kish mbetur nga djali i ri që gjyshja ime kish dëgjuar në historitë e nënës së saj. I dukej e çuditshme që papritur shihte një prezencë mashkullore në shtëpi që e shihte me dashuri e që kishte dëshirë ta përqafonte e t’i kërkonte falje që ai nuk ishte ndërsa ajo rritej e vuante për faje që as nuk i njihte e as që ekzistonin. Por ishte i pafuqishëm të shpjegonte absurdin.
Pas një periudhe të shkurtër, nga koha kur babai doli nga burgu, do të vinte një dhuratë e mrekullueshme për të gjithë në famijen e mjerë. Një fëmijë, motra e vogël e gjyshes time e cila erdhi për të sjellë gëzim edhe njëherë në kasollen e vogël e të varfër. Erdhi për të harruar vdekjet që kësaj familjeje nuk i ishin ndarë prej vitesh në rrethin e tyre më të gjerë. Erdhi për të kuptuar se jeta vazhdon e se mjerimi sado i tmerrshëm është, nuk e mposht dot dëshirën për të dashur jetën e për të gjetur të bukurën tek ajo edhe kur e bukura është e padukshme.
Motra e vogël ishte bebja e të gjithëve, madje edhe e fqinjëve që sikurse ata, vuanin të njëjtin absurd. Jeta kishte trokitur përsëri.
Motra e madhe do të martohej së shpejti dhe martesa ishte një mblesëri e sajuar në kushte të vështira. Askush nuk dëshironte të martohej me vajza të tilla, me biografi të keqe, sepse do të futeshin në telashe të mëdha me partinë dhe zakonisht këto blesëri bëheshin po në rrethin e të internuarve apo të familjeve të tjera me të njëjtat probleme biografie. Motra e madhe do të fillonte një jetë të re, por me të njëjtin kalvar vuajtjesh, ndoshta dhe më shumë se më parë. Vuajtja ishte e vetmja gjë që nuk ndryshonte.
Gjyshja ime ishte tashmë vajza e vetme në shtëpi që kujdesej për motrën e vogël, që punonte për të ndihmuar prindërit që sado të stërmundoheshin nuk kishin mjaftueshëm për të shtruar sofrën për të katërt në familje. Së shpejti erdhi dhe nipi, djali i motrës së madhe, që do të rritej së bashku me tezen e tij të vogël, me shumë pak diferencë ndërmjet, prej gjyshes time. Motra e madhe kishte një martesë shumë të palumtur. Ajo shpesh nuk mundej t’i siguronte djalit të vogël asgjë për të ngrënë e për ta shpëtuar e dërgoi tek prindërit e saj, nën kujdesin e gjyshes time. U bë nënë edhe njëherë tjetër, kësaj radhe me vajzë e të dy fëmijët u rritën më së shumti tek gjyshërit për t’i shpëtuar vuajtjes që përpos kohës iu shkaktonte dhe babai i tyre, bashkëshorti i motrës së madhe. Të dy fëmijëve të saj, nuk u mungoi kurrë dashuria e gjyshërve, as përkujdesja e tyre dhe e gjyshes time e cila i donte njësoj me motrën e saj të vogël.
Kështu kaloi koha derisa një ditë do të martohej dhe gjyshja ime. Fati e deshi që ajo të ishte gruaja e një djali fisnikësh që njësoj si ajo kishte pasur një jetë të vështirë. Familjet ishin mike me njëra tjetrën dhe baballarët e të dyve kishin vuajtur dënimet në të njëjtat burgje të komunizmit e kishin ndarë brengat së bashku për vite me rradhë. Gjyshi im, historia e të cilit mbart shumë dhimbje, ishte nga të dy prindërit nga familje aristokrate e me ndikim të madh kombëtar. Filloi jeta e re edhe për gjyshin e gjyshen time, në një barakë të vogël, me halle e mundime të shumta, por brenda së cilës kishte shumë dashuri e shumë mirëkuptim. Fati nuk ishte i njëjtë për të dyja motrat. Ndodhte shpesh që gjyshërit e mi edhe pse në vështirësi të mëdha për vete, të ndihmonin motrën e madhe të gjyshes time (e cila ishte bërë si motër edhe për gjyshin tim) që sado mundohej nuk ia doli dot të bindte bashkëshortin të ndërronte rrugë e të bëhej më njerëzor. Ndërkohë kishte lindur dhe im atë.
Sa ishin të vegjël, fëmijët, të gjithë së bashku, motra e vogël e gjyshes, dy fëmijët e motrës së madhe dhe babai im ishin shumë të dashur për njëri tjetrin. Ishin gëzimi i shtëpisë së gjyshërve, kështu jeta kishte një kuptim për të gjithë së bashku. Shtëpiza e vogël mbushej me gëzim nga zërat e katër fëmijëve, luanin me gjyshërit në oborrin e vogël e tregonin historitë që u pëlqenin. Rendnin si zogj të vegjël kush do të mblidhte lulet më të bukura për të zbukuruar tryezën e varfër, ndonjëherë për t’i thurur kurorë mbi flokët e gjyshet. Shpesh mbrëmjeve gjyshi u këndonte këngë të gëzuara e vajzat kërcenin të lumtura. Gjyshja merrte djemtë për dore, duke qenë se ata ishin pak më të ndrojtur, e u mësonte të kërcenin vals apo dhe kërcimet tradicionale. Në shpirtin plot dashuri varfëria nuk ekzistonte.
Kishin kaluar pak vite dhe babai im ishte tepër i vogël kur u shfaq sëmundja e babait të tij, gjyshit tim. Filluan kalvare të gjata netësh pa gjumë për të gjithë familjen, dhimbje fizike e shpirtërore e shpresa që shuhej dita ditës se gjyshi im, fare i ri në moshë, me një djalë 4 vjeçar, do të mund të shpëtonte nga kthetrat e vdekjes. Fati i tij i keq u vulos përfundimisht kur mjekët i mohuan trajtimin mjeksor në spital për arsye se ai ishte bir i një familjeje e shpallur armike nga partia komuniste nw pushtet. Gjyshin tim e dënuan mjekët me vdekje dhe unë vetë, mjeke sot, sado e kam menduar këtë histori nuk arrij dot të gjej e të kuptoj si mundet një mjek e jo më disa, të bëjnë diçka të tillë? A kishte e keqja një kufi? A kishte mbetur ndonjë gjë njerëzore tek ata që duhet t’i shërbënin jetës?
Pas pak vitesh, vetëm tre, gjyshi im, vdiq në barakën e tij të varfër pranë gruas së tij të re dhe djalit të vogël 7 vjeçar. Bota u shemb, fati nuk pati mëshirë, siç thonë të vjetrit tek ne: të mirët ikin të parët. Mbetën të vetëm, pa mbështetje, në varfëri të madhe por mbi të gjitha pa përkëdheljen e ngrohtë e fjalën e mirë. Engjëlli i tyre mbrojtës u bë ëngjëll në qiell….Ikjen e tij e vuajtën shumë edhe stërgjyshërit e mi të cilët e donin gjyshin tim si djalë. Nuk do të tregoj episode të shpeshta të dhimbshme se çfarë i duhej të kalonte gjyshes time, e shpallur armike nga partia, që rriste e vetme një djalë në kohën mizore kur varfëria ishte e keqja më e vogël. Ajo mësoi të bëjw edhe atë që bëjnë baballarët e të ishte më shumë burrë sesa grua. Nuk mund të përkulej e as të shëmtohej përpara armikut të vërtetë, diktaturës.
Bashkëshorti i motrës së madhe tani kishte terren të gjerë për të vepruar me të keqen që kishte në shpirt, jo vetëm me gruan e tij por edhe me gjyshen time. Ai ishte njeri i pa skrupullt. Argëtohej kur i bënte të tjerët të vuanin. E kalonte kohën duke marrë pjesë nëper gjyqe civile, kryesisht të romëve për të mësuar sa më shumë rrengje që t’i përdorte tek të tjerët. Duhet të bëhej i dashur për partinë, të rregullonte biografinë dhe u vu në dispozicion të plotë për të spiunuar kë të mundej e të nxirrte “rrogën” nëpërmjet spiunimit, 80 cent-shi që partia ia jepte kujdo që spiunonte shokun, fqinjin apo dhe familjarin. Nuk do të kursente as gjyshen time e as babain tim të mitur në spiunimet e tij të rëndomta. Kudo që i shihte, në rrugë, nëpër rradhat e zakonshme që fillonin në orën 1 ose 2 të mëngjesit për të siguruar një litër qumësht të holluar me ujë ose disa kokrra vezë, shpesh të thyera, do t’i quante armiq e epitete të rënda në sy të të tjerëve. Motrat takoheshin fshehurazi me njëra tjetrën sepse bashkëshorti i motrës së madhe ishte bërë “me partinë” dhe nuk do ta lejonte gruan të takonte “armikun”.
Ervina Toptani

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu