Masakruesi i Gjuhës Shqipe, Berat Buzhala…!

Shkrime relevante

Masakruesi i Gjuhës Shqipe, Berat Buzhala…!

Lirim Gashi, Prishtinë ____ O BERAT, O BIR, E MASAKROVE GJUHËN SHQIPE, IA...

Shkrim për t’u shkundur prej antishqiptarizmit

Afrim Caka, Gjakovë ____ RROFTË GAZETARJA E KRISUR NË TRU ____ Ky shkrim është kritik,...

Poeti dhe analisti Shefqet Dibrani e kujton shokun e tij Izet Durakun

SIVËLLAI (Sipas poezisë ‘MOTRA’ nga Izet Duraku) ___ *Sot, në Ditën e Kujtimit të...

Në Republikën tonë: as patriarkat, as matriarkat – e premte, jo e xhuma!

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë Vrasja makabër e Arlinda Zekës është...

Shpërndaj

O BERAT, O BIR, E MASAKROVE GJUHËN SHQIPE, IA QIVE MAMIN!
____
Pse nuk vjen në mësimet e mia falas, o biri im?
Apo ke frikë se, pasi ta mësosh shqipen, nuk do të kesh më me çfarë ta justifikosh analfabetizmin tënd gjuhësor dhe gazetaresk ?
Shiko, o Berat, vetëm sa krime gjuhësore ke arritur të kryesh në një tekst kaq të shkurtër.
Po ta kishte lexuar këtë tekst një komision ndërkombëtar për mbrojtjen e gjuhëve të rrezikuara, do ta kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, ndërsa UNESCO-ja do ta kishte dërguar një ekip ekspertësh për identifikimin e viktimave.
Ja, për shembull, kryevepra jote letrare:
TEKSTI PËR DURIMIN
“Nesër, në ora 12, në Prishtinë, mbahet një protestë e organizume dhe e thirrun guximshem nga një djalë i ri, Durim Aliu.
Durimi është duke pushuar nga studimet e Dizajnit Grafik. Është baba. Është i papunë dhe pothuajse pa të ardhme në Kosovë.
Bashkëmoshatarët e tij nuk organizojnë protesta, por organizojnë largimin nga Kosova. Durimi ka vendosur të mos dorëzohet aq lehtë.
Këto organizime janë të rrezikshme, sepse mund të mos të dalë askush, mirëpo kjo nuk duket të jetë brenga e djaloshit nga Fushë-Kosove.
Pas tij nuk qëndron asnjë parti, asnjë biznes. Është vetëm ai. Gjithandej nëpër Evropë po proteston gjenerata e tij.
Ai, me të drejtë, kërkon dorëheqjen e Kurtit.
Nuk ka argument më të fuqishëm për kërkesën e tij sesa inflacioni mbi 7 për qind.
Nëse pajtohesh me kërkesat e tij, dil dhe mbështete. Mos e lër vetëm. Ngrije zërin.”
O Berat, biri im, ky nuk është tekst. Ky është një aksident automobilistik mes shqipes standarde, dialektit, Google Translate-it dhe një tastiere që ka kërkuar azil politik.
Nuk është fjala vetëm për mungesën e ë-së dhe ç-së. Këtu kemi një problem shumë më serioz: fjalitë e tua nuk e dinë ku kanë lindur, ku janë nisur dhe ku duhet të përfundojnë.
Ta marrim me radhë, sepse edhe gjuha shqipe ka të drejtë t’i nënshtrohet një procesi të rregullt gjyqësor.
1. „E ORGANIZUME DHE E THIRRUN GUXIMSHEM “
O bir, çfarë është kjo?
„E organizume“ dhe „e thirrun“ janë forma dialektore, ndërsa „guximshem“ është një përpjekje për ta kaluar fjalën nëpër doganën e shqipes pa dokumente.
Në shqipen standarde thuhet: „e organizuar dhe e thirrur me guxim“.
Protesta nuk është dasmë në të cilën secili vjen me veshjen e vet gjuhësore.
2. „DURIMI ËSHTË DUKE PUSHUAR NGA STUDIMET“
Kjo fjali është aq e çuditshme, saqë njeriu nuk e di nëse Durimi i ka ndërprerë studimet, ka marrë pushim vjetor apo është shtrirë në një shezlong para Fakultetit të Arteve.
Thuhet: „Durimi i ka pezulluar studimet“ ose „ka marrë një pauzë nga studimet“.
Studentët bëjnë pauzë nga studimet, o Berat. Nuk dalin në pension prej tyre.
3. „BASHKËMOSHATARËT E TIJ ORGANIZOJNË LARGIMIN NGA KOSOVA“
Kjo është njëra prej perlave më të çmuara të letërsisë sate.
Sipas kësaj fjalie, rinia kosovare qenka shndërruar në një kompani transporti, ku secili organizon largimin e vet, cakton orarin e autobusit dhe rezervon biletën për Gjermani.
Thuhet: „Bashkëmoshatarët e tij po planifikojnë të largohen nga Kosova.“
4. „MUND TË MOS TË DALË ASKUSH“
Këtu, o Berat, ke futur në një fjali aq shumë pasiguri, saqë as vetë protesta nuk e di nëse do të mbahet.
„Mund të mos vijë askush“ është më e natyrshme.
Mos i ngarko fjalët me aq shumë njerëz, sepse nuk janë autobusë të linjës Prishtinë–Fushë-Kosovë.
5. „NUK DUKET TË JETË BRENGA E DJALOSHIT NGA FUSHË-KOSOVE“
Fushë-Kosova nuk është ndonjë fshat në Siberi, o bir. Është Fushë-Kosovë.
Dhe, po të duash ta shkruash ne shqipen standarde, atëherë thuhet:
„nuk duket se kjo e shqetëson djaloshin nga Fushë-Kosova“.
6. „GJITHANDEJ NËPËR EVROPË PO PROTESTON GJENERATA E TIJ“
Kjo fjali është aq revolucionare, saqë për një çast mendova se gjenerata e Durimit kishte pushtuar Brukselin, Strasburgun dhe Parlamentin Evropian, ndërsa unë nuk kisha marrë vesh asgjë.
Thuhet: „Të rinjtë e gjeneratës së tij po protestojnë gjithandej në Evropë.“
Ose, edhe më natyrshëm: „Në shumë vende të Evropës po protestojnë të rinj të moshës së tij.“
DHE TANI, O BERAT, NJË KËSHILLË NGA MËSUESI YT I PAPAGUAR:
Unë nuk po kërkoj nga ti të bëhesh Ismail Kadare, as të shkruash si Faik Konica. Nuk po kërkoj nga ti as ta lexosh Fjalorin e Gjuhës Shqipe para se të hash mëngjes.
Po kërkoj nga ti vetëm të mos e trajtosh gjuhën shqipe si pronë të trashëguar nga ndonjë dajë që nuk e ka mbaruar as klasën e pestë.
Ti mund të jesh i papunë, mund të jesh baba, mund t’i kesh pezulluar studimet dhe mund të mos kesh asnjë perspektivë të qartë në Kosovë. Të gjitha këto janë çështje që meritojnë mirëkuptim dhe debat serioz.
Por nuk është e domosdoshme që edhe shqipen ta lësh pa perspektivë!
Prandaj, o Berat, eja në mësimet e mia falas. Nuk të kërkoj as para, as dëshmi të papunësisë, as certifikatë të lindjes së dinosaurëve. Madje, nëse vjen me kohë, ta rezervoj edhe një karrige, që të mos përfundosh duke protestuar kundër gramatikës para derës së klasës.
Dhe, nëse pas gjithë kësaj ende nuk vjen, do të detyrohem ta organizoj një protestë para shtëpisë sate, me kërkesën e vetme:
DORËHEQJE E MENJËHERSHME E BERATIT NGA PËRDORIMI I SHQIPES PA LEJE GRAMATIKORE!
Sa për ty, Durim, të uroj sukses në protestën tënde. E drejta për të protestuar është e shenjtë. Por, nëse do që të të dëgjojnë edhe ata që nuk pajtohen me ty, provo të mos i torturosh njëkohësisht edhe veshët, edhe sytë e tyre.
Sepse inflacioni mund të jetë mbi 7 për qind, por inflacioni i gabimeve drejtshkrimore në tekstin e mentorit tënd Beratit arritur shifra që as Banka Qendrore e Kosovës nuk do të guxonte t’i publikonte.
P.S. BERAT, O BIR, GJUHA SHQIPE NUK ËSHTË FAJTORE QË TI NUK KE ARDHUR NË MËSIMET E MIA FALAS!
Dhe, siç do të thoshte një profesor i dëshpëruar, pasi ta kishte lexuar tekstin tënd për herë të tretë:
Hebem ti ljubavnicu u bunarče! Pa dinarče dhe dollarče.
Autor: Lirim Gashi 😄

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu