ARKIVI:
18 Korrik 2026

Nga Prizreni në Hagë, një histori e proceseve gjyqësore ndaj elitës shqiptare

Shkrime relevante

“Rroftë Serbia e Madhe!” është ulërima që e zvogëlon Serbinë më së shumëti

Lirim Gashi, Prizren ___ (në shqip dhe serbisht) ___ Të dashur serbë të Vuçiqit, Millosheviqit,...

Nga Prizreni në Hagë, një histori e proceseve gjyqësore ndaj elitës shqiptare

Mr.sc. Naim J. Krasniqi, historian Hyrje Historia e popullit shqiptar është studiuar kryesisht...

Visari i Kosovës

Visari i Kosovës (Këto vargje i kushtohen dëshmorit Visar Sabit Thaqi, i...

SHBA e nisë Dialogun Strategjik me Serbinë, pa vënë asnjë kusht ndaj saj për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve

Nga: Gani Mehmeti RRETH DIALOGUT STRATEGJIK TE SHBA ME SERBINË Ndërrimi i njerëzve...

Kërkesa për Kuvend shkarkues, pa zgjedhje, është mafioze dhe puçiste!

Idriz Zeqiraj, Gjermani Thirrja e klanorëve të Isa Mustafës, për mbajtjen e...

Shpërndaj

Mr.sc. Naim J. Krasniqi, historian

Hyrje

Historia e popullit shqiptar është studiuar kryesisht përmes luftërave, kryengritjeve,
lëvizjeve kombëtare dhe proceseve të shtetformimit. Më pak vëmendje i është kushtuar një dukurie që shfaqet pothuajse në çdo periudhë historike: ndjekjes sistematike të elitës politike, ushtarake, fetare dhe intelektuale shqiptare nga pushtetet që kanë administruar ose kontrolluar trojet shqiptare.
Nga fundi i shekullit XV e deri në ditët tona, pothuajse çdo lëvizje politike shqiptare është
shoqëruar me arrestime, internime, procese gjyqësore, dënime ose ekzekutime të drejtuesve të saj.
Ndryshojnë regjimet, ndryshojnë sistemet juridike dhe ndryshojnë arsyetimet ligjore, por modeli duket se përsëritet: pas përfundimit të konfliktit ushtarak ose politik, në bankën e të akuzuarve përfundojnë drejtuesit shqiptarë.
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të mohojë përgjegjësinë individuale të askujt dhe as të vërë në dyshim legjitimitetin e çdo procesi gjyqësor. Përkundrazi, synimi është të analizojë, në një këndvështrim historik, vazhdimësinë e një fenomeni që shfaqet në periudha të ndryshme dhe nën pushtete të ndryshme: përdorimin e drejtësisë si instrument politik pas konflikteve që kanë përfshirë shqiptarët.

I. Perandoria Osmane: ndëshkimi i rezistencës

Pas rënies së shtetit të Skënderbeut, shqiptarët hynë në një periudhë të gjatë sundimi osman. Përveç ndryshimeve administrative dhe shoqërore, kjo periudhë u karakterizua nga ndëshkimi i vazhdueshëm i çdo forme rezistence politike ose ushtarake.
Shpërnguljet drejt Italisë, Dalmacisë dhe viseve të tjera evropiane nuk ishin vetëm pasojë e luftës, por edhe e represionit ndaj familjeve fisnike dhe luftëtarëve shqiptarë. Edhe më vonë, gjatëluftërave austro-osmane të shekujve XVII dhe XVIII, shqiptarët që mbështetën ushtrinë austriake u përballën me hakmarrje të ashpër pas rikthimit të administratës osmane.
Në të njëjtën kohë, ndëshkimi nuk u kufizua vetëm te prijësit ushtarakë. Ai u shtri edhe ndaj elitës kishtare dhe intelektuale. Në këtë kontekst duhet përmenden si Pjetër Budin (1622), vdekja e të cilit mbetet edhe sot e rrethuar me paqartësi historike, si dhe Pjetër Bogdani (1689), varri i të cilit u dhunua dhe eshtrat iu nxorën jashtë varrit pas rimarrjes së Prishtinës nga ushtria osmane. Figura si Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Theodor Anastasi Kavalioti, Theodhor Haxhifilipi dhe Grigor Voskopojari dëshmojnë se përpjekjet për zhvillimin e arsimit, kulturës dhe gjuhës shqipe hasën pengesa të shumta. Vrasja makabre e Ali Pash Tepelenes, ku koka i dergohet ne Stamboll si trofe, tregon egersin ndaj luftetareve shqiptare kunder pushtuesve. Vrasja e Ali Pashë Tepelenës nuk shënoi fundin e përndjekjes së elitës shqiptare nga Perandoria Osmane. Vetëm tetë vjet më vonë, në
vitin 1830, ndodhi Masakra ne Manastirit, ku me urdhër të Vezirit të Madh Mehmed Reşid Pasha, qindra bejlerë shqiptarë u ftuan me premtimin e pajtimit dhe të shpërblimit për besnikërinë ndaj Portës së Lartë. Gjatë një parade ushtarake, ata u rrethuan dhe u vranë nga ushtria osmane. Kjo
ngjarje shënoi një nga goditjet më të rënda ndaj elitës politike dhe ushtarake shqiptare në shekullin XIX, duke dëshmuar se, krahas proceseve gjyqësore, edhe eliminimi fizik ishte përdorur si mjet për shuarjen e çdo autonomie dhe rezistence shqiptare.
Kulmi i kësaj periudhe ishte shtypja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për herë të parë, udhëheqësit politikë shqiptarë u përballën me procese të organizuara gjyqësore për veprimtarinë e tyre
kombëtare. Abdyl Frashëri dhe bashkëpunëtorët e tij u dënuan jo për krime të zakonshme, por për sfidimin politik të autoritetit perandorak.
Kjo krijoi një precedent që do të përsëritej edhe në shekujt vijues.

II. Nga Perandoria Osmane te shtetet kombëtare ballkanike

Në fund të shekullit XIX ndryshoi jo vetëm harta politike e Ballkanit, por edhe natyra e presionit mbi shqiptarët.
Nëse deri atëherë kundërshtari kryesor kishte qenë Perandoria Osmane, pas vitit 1878 shqiptarët u gjendën përballë politikave territoriale të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.
Këto shtete e shihnin zgjerimin territorial si pjesë të projektit të tyre kombëtar, ndërsa trojet shqiptare konsideroheshin objekt i këtyre pretendimeve. Si pasojë, një pjesë e elitës shqiptare ugjend nën ndjekje nga disa pushtete njëkohësisht.
Vrasja e Haxhi Zekës, ndjekja e organizatorëve të kryengritjeve të viteve 1910–1912 dhe më pas procesi kundër Themistokli Gërmenjit gjatë Luftës së Parë Botërore tregojnë se edhe në këtë periudhë drejtuesit shqiptarë vazhduan të përballeshin me gjykime dhe ndëshkime politike.
Ndryshonin shtetet, por jo modeli.

III. Mbretëria Shqiptare: konsolidimi i shtetit dhe kufizimet e pluralizmit
politik

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 nuk solli menjëherë stabilitet politik. Lufta e Parë Botërore, ndërhyrjet e fuqive të huaja dhe rivalitetet ndërmjet elitave shqiptare e lanë vendin për vite me radhë pa institucione të konsoliduara. Vetëm në mesin e viteve njëzet filloi procesi i ndërtimit të një administrate shtetërore më funksionale.
Me ardhjen në pushtet të Ahmet Zogut, fillimisht si president (1925) dhe më pas si mbret (1928),
Shqipëria hyri në një fazë të re të organizimit shtetëror. U krijuan institucione të përhershme administrative, u miratuan kode moderne ligjore dhe u ndërmorën reforma në administratë, financa dhe drejtësi. Megjithatë, ky proces u shoqërua edhe me një përqendrim të madh të pushtetit politik në duart e monarkut.
Në këtë periudhë, konflikti politik nuk u zhvillua vetëm përmes debatit parlamentar, por edhe përmes kryengritjeve, atentateve dhe proceseve gjyqësore kundër kundërshtarëve të regjimit. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit në vitin 1924 dhe rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet, shumë nga mbështetësit e qeverisë së Fan Nolit u detyruan të largoheshin nga vendi, ndërsa të tjerë u arrestuan ose u ndoqën penalishtsi dhe u ekzekutuan permes antetateve.
Nga ana tjetër, duhet theksuar se Shqipëria e viteve 1925–1939 nuk ishte një përjashtim në Ballkan.
Në të njëjtën periudhë, shumë shtete të rajonit karakterizoheshin nga sisteme autoritare, kufizime të pluralizmit politik dhe ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv në funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Për këtë arsye, zhvillimet në Shqipëri duhen parë edhe në kontekstin më të gjerë të historisë politike evropiane ndërmjet dy luftërave botërore.

IV Perndjekjet e shqiptareve nga Serbia- Mreteria SKS- Jugosllavise

Në fillim të shekullit XX, kryengritjet shqiptare të viteve 1910–1912 dëshmuan se rezistenca shqiptare jo vetëm që nuk ishte shuar, por kishte hyrë në një fazë të re organizimi. Udhëheqës si Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri, Riza bej Gjakova, Nexhip Draga dhe shumë prijës të tjerë organizuan një nga lëvizjet më të mëdha politike dhe ushtarake të shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane. Pas shtypjes së kryengritjeve, shumë prej tyre u vunë nën ndjekje nga autoritetet osmane, u detyruan të fshiheshin ose të largoheshin nga trojet e tyre, ndërsa shumë bashkëluftëtarë u arrestuan, u internuan ose u ekzekutuan. Edhe pse Perandoria Osmane nuk arriti ta shuante frymën e rezistencës shqiptare, këto masa represive dëshmojnë vazhdimësinë e përndjekjes
së elitës politike dhe ushtarake shqiptare.
Ndërkohë, ndikimi i shteteve fqinje në çështjen shqiptare po bëhej gjithnjë e më i dukshëm. Faktori serb, krahas politikës së Perandorisë Osmane, luajti një rol gjithnjë e më aktiv në ndjekjen dhe eliminimin e figurave të rëndësishme të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Përfundimi i Luftës së Parë Botërore dhe vendimet e Konferencës së Paqes në Paris (1919) nuk sollën zgjidhjen e çështjes shqiptare. Përkundrazi, një pjesë e madhe e trojeve shqiptare mbeti jashtë kufijve të shtetit shqiptar, ndërsa Shqipëria e vitit 1913, e quajtur shpesh “Shqipëria londineze”, përballej me paqëndrueshmëri të vazhdueshme politike, institucionale dhe juridike. Në anën tjetër të kufirit, shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë Perëndimore dhe të viseve të tjera të mbetura në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene u përballën me një politikë të organizuar represioni. Lëvizja Kaçake, e udhëhequr nga figura si Azem Bejta dhe Shote Galica, u ndoq me operacione të gjera ushtarake, ndërsa veprimtarët politikë e kombëtarë u arrestuan, u burgosën, u internuan ose u
detyruan të jetonin në mërgim. Krahas represionit politik e ushtarak, autoritetet shtetërore zbatuan politika kolonizimi, shpronësimi dhe ndryshimi të strukturës etnike në viset shqiptare.

V. Lufta e Dytë Botërore: fitimtarët, humbësit dhe drejtësia politike

Pushtimi italian i Shqipërisë më 7 prill 1939 dhe, më pas, pushtimi i Jugosllavisë nga fuqitë e Boshtit në vitin 1941 ndryshuan rrënjësisht realitetin politik të shqiptarëve. Për herë të parë pas vitit 1913, pjesa më e madhe e Kosovës dhe disa vise të tjera shqiptare u administruan së bashku me Shqipërinë, ndonëse nën pushtimin italian dhe më pas gjerman.
Ky realitet krijoi ndarje të thella politike ndërmjet shqiptarëve. Një pjesë iu bashkua lëvizjes nacionaliste, një pjesë lëvizjes komuniste, ndërsa të tjerë zgjodhën bashkëpunimin me administratat pushtuese, duke besuar se në këtë mënyrë do të mbronin interesat kombëtare shqiptare.
Ashtu si në shumë vende evropiane, përfundimi i luftës nuk solli vetëm çlirimin, por edhe
vendosjen e një rendi të ri politik. Fitimtarët morën kontrollin e institucioneve shtetërore, ndërsa humbësit u përballën me procese gjyqësore, burgime, internime dhe ekzekutime.
Në Shqipëri, regjimi komunist i sapovendosur organizoi një sërë procesesh kundër figurave politike, ushtarake dhe intelektuale që konsideroheshin bashkëpunëtore të pushtuesve ose kundërshtare të pushtetit të ri. Gjyqi Special i vitit 1945 u bë simboli më i njohur i kësaj periudhe. Në bankën e të akuzuarve u ulën ish-ministra, deputetë, ushtarakë, gazetarë dhe intelektualë. Shumë prej tyre u dënuan me vdekje, ndërsa të tjerë me burgime të gjata.
Historianët vazhdojnë të debatojnë mbi karakterin e këtyre proceseve. Një pjesë i konsideron si pjesë të spastrimit politik që shoqëroi vendosjen e regjimit komunist, ndërsa të tjerë theksojnë se një pjesë e të akuzuarve kishin bashkëpunuar realisht me administratat pushtuese. Kjo e bën të domosdoshme analizimin e secilit rast në bazë të dokumentacionit historik.
Në Kosovë, situata mori një drejtim tjetër. Ndërsa pushteti komunist po konsolidohej në Jugosllavi, shumë shqiptarë kundërshtuan rikthimin e Kosovës në përbërje të federatës jugosllave. Kryengritja e Drenicës, e udhëhequr nga Shaban Polluzha, u shtyp me forcë, ndërsa mijëra shqiptarë u arrestuan ose u vranë gjatë operacioneve ushtarake.
Në të njëjtën periudhë ndodhi edhe Masakra e Tivarit, një nga ngjarjet më të rënda të historisë së shqiptarëve gjatë shekullit XX. Edhe pse numri i viktimave dhe përgjegjësitë konkrete vazhdojnë të jenë objekt studimesh dhe debatesh, kjo ngjarje mbetet një simbol i traumës kolektive të shqiptarëve të Kosovës.
Në këtë mënyrë, fundi i Luftës së Dytë Botërore shënoi fillimin e një faze të re: elita shqiptare nuk ndiqej më nga perandoritë tradicionale, por nga regjimet komuniste që po konsolidoheshin në Shqipëri dhe Jugosllavi.

VI. Shqipëria komuniste: drejtësia si instrument i revolucionit

Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri solli një transformim të plotë të sistemit politik dhe juridik. Partia e Punës e Shqipërisë e konsideronte luftën e klasave një parim themelor të organizimit të shtetit. Si rrjedhojë, drejtësia nuk konceptohej vetëm si mekanizëm për zbatimin e ligjit, por edhe si instrument për mbrojtjen e pushtetit revolucionar.
Gjatë dekadave të para të regjimit, mijëra persona u arrestuan ose u dënuan për veprimtari të cilësuara si armiqësore ndaj shtetit. Midis tyre kishte ish-politikanë, ushtarakë, klerikë, pronarë, intelektualë, profesorë, shkrimtarë dhe artistë.
Proceset gjyqësore të kësaj periudhe kishin shpesh një karakter publik dhe propagandistik.
Vendimet gjyqësore shoqëroheshin me fushata politike, ndërsa media shtetërore i paraqiste të akuzuarit si armiq të popullit ose agjentë të fuqive të huaja.
Veçanërisht e goditur ishte elita intelektuale. Figura të njohura të kulturës, arsimit dhe shkencës u përballën me burgime, internime ose pushkatime. Në shumë raste, akuzat mbështeteshin në veprimtari politike të zhvilluara shumë vite më parë ose në dyshime për qëndrime ideologjike.
Në këtë kuptim, historia e Shqipërisë komuniste paraqet një shembull të qartë të ndërthurjes së drejtësisë me pushtetin politik.

VII. Shqiptarët në Jugosllavinë socialiste

Ndryshe nga Shqipëria, ku regjimi komunist ishte i centralizuar, shqiptarët në Jugosllavi jetonin në një federatë shumëkombëshe. Kushtetuta jugosllave u garantonte të drejta të caktuara kombësive, por në praktikë marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve federale dhe shqiptarëve të Kosovës mbetën shpesh të tensionuara.
Pas vitit 1945 filloi një periudhë e gjatë arrestimesh ndaj atyre që kundërshtonin rendin e ri ose kërkonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Organizata të ndryshme ilegale shqiptare u zbuluan dhe u shpërndanë, ndërsa drejtuesit e tyre u dënuan me burgime të gjata. Konsolidimi i pushtetitkomunist në Jugosllavi u shoqërua me fillimin e proceseve të organizuara gjyqësore kundër elitës politike, ushtarake dhe intelektuale shqiptare. Një nga rastet më të njohura është Procesi i Prizrenit i viteve 1945–1946, i zhvilluar kundër një grupi veprimtarësh shqiptarë të akuzuar për veprimtari kundër rendit të ri shtetëror. Në bankën e të akuzuarve u ulën personalitete të njohura të jetës politike dhe kombëtare shqiptare, ndër ta edhe Gjon Sereçi, i cili u dënua me vdekje dhe u ekzekutua. Krahas tij, shumë të pandehur të tjerë u dënuan me burgime të gjata dhe humbje të të
drejtave civile. Pas Procesit të Prizrenit (1945–1946), pushteti i ri komunist në Jugosllavi nuk u kufizua vetëm në ndjekjen politike dhe gjyqësore të elitës shqiptare. Paralelisht me represionin politik u ndërmorën edhe masa ekonomike, shoqërore dhe demografike, të cilat prekën pothuajse çdo familje shqiptare në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare. Reforma agrare e vitit 1946, e ndjekur nga kolektivizimi dhe sistemi i grumbullimit të detyrueshëm të prodhimeve bujqësore, i njohur në popull si “Otkupi”, rëndoi veçanërisht mbi fshatarësinë shqiptare. Në të njëjtën kohë, autoritetet jugosllave ndërmorën edhe aksionin e njohur për mbledhjen e armëve (1955–1956), i cili u shoqërua me arrestime masive, dhunë fizike, tortura dhe procese gjyqësore ndaj shqiptarëve.
Një nga figurat më të njohura të kësaj periudhe ishte Adem Demaçi. Burgosja e tij, që zgjati pothuajse tri dekada, e shndërroi në simbol të rezistencës politike te shqiptareve në Jugosllavi.
Ndër figurat më të njohura ishte Fazli Grajçevci, i cili u arrestua për veprimtarinë e tij politike dhe ndërroi jetë në burg në rrethana te pasqaruara dhe që mbetën simbol i përndjekjes së veprimtarëve shqiptarë nga regjimi jugosllav. Vdekja e tij u bë frymëzim për brezin që do të organizonte demonstratat e vitit 1968, duke dëshmuar se, pavarësisht dekadave të represionit, kërkesa e shqiptarëve për barazi kombëtare dhe politike nuk ishte shuar.
Demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981 përfaqësojnë dy momentet më të rëndësishme të rezistencës politike shqiptare në Jugosllavinë socialiste. Në të dyja rastet, reagimi i autoriteteve ishte i ashpër. Mijëra studentë, profesorë, gazetarë dhe aktivistë u arrestuan ose u dënuan për veprimtari armiqësore, propagandë kundër shtetit ose cenim të rendit kushtetues.
Në historiografinë shqiptare këto procese konsiderohen kryesisht procese politike. Ndërkohë, dokumentet zyrtare jugosllave i paraqisnin ato si masa për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të integritetit territorial të federatës. Pikërisht ky dallim në interpretim vazhdon të jetë objekt debatesh edhe sot.

VIII. Nga shpërbërja e Jugosllavisë te drejtësia ndërkombëtare

Fundi i viteve tetëdhjetë dhe fillimi i viteve nëntëdhjetë shënuan një periudhë të re në historinë e Ballkanit. Kriza politike dhe ekonomike e Jugosllavisë, rritja e nacionalizmave dhe dobësimi i institucioneve federale çuan në shpërbërjen e shtetit jugosllav dhe në një sërë konfliktesh të armatosura.
Për shqiptarët e Kosovës, heqja e autonomisë kushtetuese në vitin 1989 përbënte një kthesë vendimtare. Ndryshimet kushtetuese u shoqëruan me largime masive nga administrata publike, arsimi, drejtësia, policia dhe ndërmarrjet shoqërore. Në të njëjtën kohë, u shtuan vrasjet, arrestimet dhe proceset penale kundër aktivistëve politikë shqiptarë.
Përgjatë viteve nëntëdhjetë, rezistenca paqësore e udhëhequr nga Ibrahim Rugova synoi
ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe shmangien e një konflikti të armatosur. Megjithatë, me përkeqësimin e situatës së sigurisë dhe mungesën e një zgjidhjeje politike, në mesin e dekadës u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila organizoi rezistencën e armatosur kundër forcave serbe.
Lufta e viteve 1998–1999 solli pasoja të rënda humanitare. Gjatë luftës u vranë mijëra njerëz, qindra mijëra civilë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u dokumentuan shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare ne baza etnike pra kunder shqiptareve. Pas përfundimit të luftës, një numër i madh shqiptarësh që ishin arrestuar gjatë konfliktit u mbajtën në burgje në Serbi. Shumë prej tyre u liruan në vitet pasuese pas proceseve gjyqësore, amnistive ose ndërhyrjeve të organizatave ndërkombëtare.
Ky zhvillim krijoi një debat të gjerë në opinionin publik shqiptar. Shumë familje dhe organizata të të drejtave të njeriut ngritën pyetje mbi bazueshmërinë e një pjese të këtyre proceseve, ndërsa autoritetet serbe i paraqisnin ato si procedura të zakonshme penale kundër personave të dyshuar për pjesëmarrje në lufte.

IX. Drejtësia ndërkombëtare dhe rasti i Kosovës

Pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi, bashkësia ndërkombëtare krijoi mekanizma të posaçëm për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish- Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, kishte mandat të hetonte dhe të gjykonte individë të dyshuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
Në këtë kuadër u ngritën aktakuza edhe ndaj disa drejtuesve të UÇK-së. Ne fund u shpallën të pafajshëm pas përfundimit të proceseve gjyqësore ose pas shqyrtimit të provave nga gjykata.
Nga këndvështrimi juridik, këto procese mbështeteshin në parimin e përgjegjësisë individuale, sipas të cilit përgjegjësia penale nuk i atribuohet një populli ose një organizate në tërësi, por individëve që dyshohet se kanë kryer vepra penale.
Megjithatë, në opinionin publik shqiptar u zhvillua një debat i gjerë mbi mënyrën se si u hetuan dhe u ndoqën penalisht krimet e luftës. Një pjesë e studiuesve dhe e opinionit publik argumentuan se drejtësia ndërkombëtare nuk arriti gjithmonë të krijonte perceptimin e një trajtimi të barabartë për të gjitha palët në konflikt. Nga ana tjetër, mbështetësit e këtyre mekanizmave theksuan se hetimet dhe aktakuzat bazoheshin në prova individuale dhe jo në përkatësinë etnike të të pandehurve, ndersa aktakuza shihet se eshte e perpiluar nga sherbimet sekrete serbe dhe disa deshmitareve te dyshimet
jo kredibil.
Ky debat vazhdon edhe sot dhe përbën një nga temat më të ndjeshme në analizën e drejtësisë tranzicionale në Ballkan.

X. Dhomat e Specializuara: vazhdimësi apo kapitull i ri?

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese që mundësuan krijimin e
Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë. Këto
institucione u krijuan për të hetuar pretendimet e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, të hartuar nga Dick Marty, si dhe pretendime të tjera që lidhen me krime të supozuara të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.
Në vitet pasuese u ngritën aktakuza ndaj disa prej drejtuesve më të lartë politikë dhe ushtarakë të ish-UÇK-së. Ndër ta ishin edhe figura që kishin luajtur rol të rëndësishëm në jetën institucionale të Kosovës pas luftës.
Këto procese kanë nxitur interpretime të ndryshme. Një pjesë e opinionit publik në Kosovë i sheh ato si vazhdimësi të një tradite historike, ku udhëheqësit shqiptarë janë përballur vazhdimisht me procese gjyqësore pas konflikteve politike ose ushtarake. Sipas këtij këndvështrimi, ekziston një vijimësi historike që lidh gjykimet e elitës shqiptare nga periudha osmane deri te mekanizmat bashkëkohorë të drejtësisë ndërkombëtare.
Një këndvështrim tjetër e kundërshton këtë interpretim. Sipas tij, Dhomat e Specializuara janë institucione gjyqësore të krijuara mbi baza kushtetuese dhe ndërkombëtare, me mandat të kufizuar për të hetuar përgjegjësinë penale individuale. Por aktakuza ( sa jemi te informuar ) ka pretendime per ndryshimin e narrtives mbi Luften e UCK-se.
Pikërisht këtu qëndron edhe sfida kryesore për historianin. Historia nuk mund të zëvendësojë
drejtësinë dhe as drejtësia nuk mund të zëvendësojë historinë. Gjykatat vendosin mbi përgjegjësinë penale individuale; historianët analizojnë shkaqet, kontekstin dhe pasojat e ngjarjeve.
Historia nuk ka për detyrë të shpallë fitues ose fajtorë. Ajo ka detyrimin të kujtojë. Dhe kujtesa historike shqiptare dëshmon se, për më shumë se katër shekuj, breza të tërë të elitës shqiptare upërballën me internime, burgime, vrasje, procese gjyqësore dhe forma të tjera represioni.
Megjithatë, ajo dëshmon edhe diçka tjetër: se çdo brez la pas një brez tjetër, duke bërë që historia shqiptare të mos jetë vetëm histori e përndjekjes, por edhe histori e vazhdimësisë së saj kombëtare.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu