ARKIVI:
2 Maj 2024

Një rrëfim i sinqertë e objektiv për vetën e të tjerët në librin e Islam Islamit, “Unë, biri i Oshlanit heroik”

Shkrime relevante

34 vite nga tubimi madhështor i “Faljes së Gjaqeve” te Verrat e Llukës & Poezi nga Sami Shatri

Nga: Sami Shatri, Prishtinë __ Poezi __ Me pak vargje, do kujtojmë këtë ngjarje të...

Begaj, takime në komunat e Kozencës: Mirënjohje që ruani identitetin

Nga:  Juliana Prifti TIRANË, 1 maj/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj, në ditën e...

Piana degli Albanesi, Palermo Itali – Reportazh mbi Masakrën e Portellës 1 Maji 1947

Ornela Radovicka  Qëndra Albanologjike mbi kulturën dhe gjuhën arbëreshe themeluar  në 1980...

34 vjet falje dhe pajtim mes shqiptarëve

Anton Çetta - takim te Verrat e Llukes, në rreth shihet...

Kryeministri Kurti takoi nënkryetaret e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Leposaviqit

Prishtinë, 1 maj 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i...

Shpërndaj

Prof. dr. Muhamet SHATRI , historian, Suedi 

NJË RRËFIM SHUMË I SINQERTE E OBJEKTIV PËR VETEN DHE TË TJERËT   

Islam Islamit, Unë, biri i Oshlanit heroik (autobiografi), Prishtinë, 2022    

Recension  

Libri autobiografik “Unë, biri i Oshlanit heroik” ka përmbajtje interesante të bazuar në fakte të pamohueshme nga jeta dhe ndeshtrashat me të cilat është ballafaquar autori. Në të shprehet sinqeriteti, humanizmi, respekti dhe nderimi i madh ndaj të parëve, krenaria e mburrja e ligjshme, adhurimi i pakufishëm ndaj vendlindjes së tij, Oshlanin heroik  i cili është i njohur si një ndër bazat e qëndresës shqiptare. Autori ka afruar të dhëna për kryetrimin Hazir Gjaka, i cili, bashkë me trimat e tij, luftoi deri në Pazarin e Ri për mbrojtjen e kufijve etnikë nga Serbia dhe Mali i Zi. Kur forcat partizane-çetnike jugosllave bashkë me ato shqiptare të Enver Hoxhës ripushtuan Kosovën, ai, duke qenë njëri ndër komandantet e formacioneve të shenjta atdhetare , përkatësisht të Brigadës së Shaban Polluzhës, iu kundërvu me tërë forcën bashkë me Sherif Terstenën e trima të tjerë.  Autori ka përshkruar me besnikëri pjesëmarrjen  e bashkëfshatarëve të tij në Luftën Çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe më 22 shtator të vitit 1998, ku kanë rënë 18 dëshmorë. Kjo qëndresë dhe sakrificë sublime e bën krenar autorin, mirëpo shqetësimi më i madh i tij pas përfundimit të luftës është rënia e numrit të popullsisë në fshat. Kështu, derisa në vitin 1981 fshati Oshlan kishte 783 banorë, gati 30 vjet më vonë (2011) ky numër ka rënë në 488 frymë. Megjithatë, autori, duke qenë i lidhur shpirtërisht me vendlindjen e tij, Oshlanin heroik, shkruan: “Jam shumë krenar që rrënjët e mia ndodhën pikërisht këtu. Jam bir i Oshlanit heroik dhe, sa të jem gjallë, nuk e harroj, do ta ndihmoj me shpirt e me zemër!”   

Në librin “Unë, biri i Oshlanit heroik” shprehet në mënyrë të fuqishme dashuria ndaj jetës si dhe motivi i fortë i autorit për të qëndruar stoikisht karshi sfidave të rënda. Kemi mjaft raste të njohura që flasin për dramën që përjetojnë fëmijët pasi mbeten pa nënë dhe pastaj dikush tjetër të marrë rolin e saj për t’i rritur dhe edukuar. Unë për veten time asnjëherë nuk kam dëgjuar ndokund apo lexuar se si një nënë jo biologjike mund të jetë nënë aq e afërt, e dashur dhe shumë e kujdesshme për fëmijët e lindur nga një nënë tjetër. Këtë fakt e mësova nga Islami, i cili, ashtu sikur të ishte trashëgimtar biologjik i saj, gjithkund më shumë të drejtë i thërret të dyja me ashkun e shpirtit e zemrës me emrin hyjnor “NANË”.   

Nga këto kujtime shumë interesante, me bazë të fortë të traditës shqiptarie del se ai i ka dashur e respektuar plotësisht në mënyrë të barabartë, është kujdes për to sa ka qenë në vendlindje, por edhe kur është shpërngulë në  botën e jashtme.  Të dyja i ka marrë me vete në Suedi, Edhe pse nëna e parë është kthyer në Kosovë, Islami është kujdesur shumë  për të, madje në rrethana mjaft të ndërlikuara, ka bërë çmos të marrë pjesë në varrimin e saj bashkë me nusen e tij.   

Për babanë,  Murselin, autori rrëfen për historinë e tij, e cila është gjithashtu e veçantë, Ai gjatë Luftës së Dytë Botërore është inkuadruar në  Divizioni SS “Skënderbeg”, ka marrë pjesë në shumë beteja të zhvilluara  në Kroaci dhe Bosnje, prej nga ka ikur dhe është kthyer këmbë deri në vendlindje.  Këtu pastaj, si shumica e bashkëfshatarëve të tij, është inkuadruar  në Luftën e Drenicës të udhëhequr nga komandanti, Shaban Polluzha,   

Babai i Islamit, Murseli, është martuar me Hasimen, të bijën e nacionalistit Ukë Rexhepit nga Kutllovci. Uka bashkë me djemtë vazhdimisht është persekutuar nga pushteti komunist sepse kishte strehuar atdhetarët sypatrembur, Sherif Tërstenën dhe Aziz Zhilivodën, ky i fundit xhaxhai i Ahmet Krasniqit.   

Hasimja dhe Murseli, siç thekson autori, kanë pasur lidhje të fuqishme e të sinqertë bashkëshortore. Meqë nuk kishin fëmijë, Hasimja, për t’ia përmbushur dëshirën të shoqit që të ketë trashëgimtar, vendos ta martojë atë. Kështu, zgjodhi për nuse të dytë, Nurijen, vajzën e  Osman Musës nga Bajgora, që jetonte në Vushtrri. Gëzimi i familjes, kur u lindi fëmija i parë, u shndërrua në pikëllim të thellë për të gjithë, sidomos për Hasimën, që e priti me shumë gëzim këtë fëmijë pasardhës të burrit dhe ortakes së saj.   

Autori në vazhdim përshkruan për udhën e tij fillestare në jetë, për privilegjin e rrallë që kishte dy nëna që përkujdeseshin për të, prandaj i konsideronte të barabarta. Kur lindi djali i dytë, Hasimja e mori dhe e konsideronte si djalin e vet. Islami, krahas kujdesit të dy nënave, e kishte edhe atë të hallës Halime, e cila pas vdekjes së burrit jetonte bashkë me Murselin.   

Shumë interesante, por edhe e dhimbshme është pjesa e autobiografisë, ku autori rrëfen për peripecitë shëndetësore dhe ditët e para të shkollimit. Ishte moment shumë i rëndë për familjen dhe sidomos për nënë Hasimën, kur u kuptuar se katarakti i syrit po ia mbulonte të pamurit. Edhe këto situata të rënda del në pah humanizmi, zemërgjerësia, shpirtmadhësia dhe kujdesi i disa njerëzve të mirë; sidomos i mjeku specialist Dr. Xheladin Deda, i njohur në mbarë Kosovën, dashuria e pafund e nënë Hasimës që u shtri në spital bashkë me Islanin, duke u përkujdesur natë e ditë për të. Autori përshkruan me realizëm dhe emocion përkushtimin e brengat e familjes në fillim të vitit shkollor. Autorit i janë thadruar në kujtesë shumë gjëra: dita e parë e shkollës, korrieri i hareshëm, Bahriu, me zilen e tij, rreshtimi i parë, hyrja e mësuesit Hysen Shtyti në klasë me buzëqeshjen e tij ylberore, kujdesi i veçantë i mësuesit ndaj tij duke e ulur në bankën e dytë menjëherë pas vajzave etj. Ai nuk i ka harruar asnjëherë lëvdatat e mësuesit Hysen për të duke e nxitur e inkurajuar se një ditë do ta kryente shkollën me suksesin më të mirë. Pas fillimit të shkollimit të vëllait të dytë, Avniut, brengat shtohen, sepse edhe ai kishte gjithashtu të njëjtat probleme. Mësuesi Avniut  nuk ishte si mësuesi i tij, Hysen Shyti. Ai kërkoi që babai ta dërgonte në ndonjë shkollë speciale. Mësuesi Jahja mësimdhënës e ndihmoi që të regjistrohej në Shkollën Speciale në Prishtinë, por kjo nuk zgjati shumë dhe ai u kthyen në vendlindje. Islami shkruan se kishte vullnet të madh për të mësuar, se dallohej në lëndët: gjuhën shqipe të mësuesi Behram Xhaka, matematikë të Ajet Rama, mësuesi i fizikës Halim Hetemi. Kur erdhi koha për të vazhduar shkollën e mesme në vitin shkollor 1978/79, hasi sërish në vështirësi e probleme. Dajat nga Vushtrria nuk shprehën gatishmëri për ta mbajtur e strehuar gjatë kohës sa do të vazhdonte shkollën e mesme në Vushtrri. Kështu Islami u detyrua ta braktisë ëndrrën për shkollim dhe t’i kthehet bujqësisë. Nga kjo gjendje e rëndë zhgënjimi e rezignacioni shpirtëror e shpëtuan vëllai i nënës Hasime, Rexhep, me gruan e tij, Eminen, dhe me kunatën Shefkien, të cilës i kishte vdekur burri më herët. Kështu, Shefkia e mori Islamin në shtëpinë e saj e pastaj daja. Islami shkonte në shkollë bashkë me djalin e tij, Asllanin. Autori në vazhdim përshkruan shkollimin në gjimnazin “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri, duke veçuar ndër të tjerët mësimdhënësin e shqipes, Xhabir Haradinajn, pastaj Bajram Mulakun, Shaban Krasniqin etj. Nuk le pa evidentuat se gruaja e dajës, Eminja, dhe kunata e saj, Shefkija, asnjëherë nuk e linin të nisej në shkollë pa ngrenë mëngjes.   

Në popull përdoret shpesh një shprehje proverbiale: “Të mirat vijnë një nga një e shumë rrallë, kurse të këqijat zinxhir njëra pas tjetrës pa ndërprerë!” Gjatë qëndrimit në Vushtri, Islamit i erdhi lajmi i kobshëm për vdekjen e babait. Tani u shtrua edhe një çështje tjetër. Autori shkruan se momenti më i vështirë ishte kur dajallarët e kishin pyetur nënën Hasime se çka do të bënte pasi burri i kishte vdekur. Ajo ishte përgjigjur në mënyrë të prerë mu si heroinë: “Unë, bija e Ukë Kutllovcit, kam qenë dhe do bëhem kurban i këtyre fëmijëve derisa Zoti të ma merre frymën e fundit!” Në vazhdim autori përshkruan solidaritetin e farefisit, ndihmën që i kishin ofruar për vijimin e shkollimit, për pasionin e madh që kishte për lexim, për frymëzimin nga romani i Adem Demaçit “Gjarpijntë e gjakut” etj.     

Rol shumë domethënës në ngritjen shpirtërore të tij thotë se ka luajtur arsimtari i gjuhës shqipe, Bedri Tahirit, publicist dhe veprimtar i njohur.     

Në ndërkohë Islami është dënuar me vërejtje për shkak të blerjes së ve kombëtarë. dhe shpërndarjes së tyre. Një flamur ia kishte dërguar bacës Selman Berisha, i cili, sipas tij, kishte vuajtur shumë për të. Autori shkruan për qëndrimin e drejtorit Emin Fejza, më vonë drejtor i Entit Krahinor të Statistikës. Shumica e arsimtarëve e donin shumë më tepër, por pati ndonjë që e urrenin haptazi, Është me interes të përmendim përshkrimin autentik që autori i bën fillimit të demonstratës  më 26 mars 1981. Në fillim inskenuan sikur ishin ngatërruar mes veti, po rriheshin, dhe pastaj se si kishin shpërthyer brohoritjet “Kosova Republikë!” Autori rrëfen se si një shoqe e klasës e kishte përcjellë në çdo hap, por ai nuk e përmend emrin e saj. Në vazhdim ai jep emrat e atyre që ishin në krye të demonstratës në Vushtrri; Dinore Curri, Jakup Shyti, Ilmi Muzaqi dhe Bedredin Krasniqi. Disa nxënës të dobët, që ishin bërë vegël e pushtetit, u arritën sukses të shkëlqyeshëm në vitin vijues. Është gjithashtu me interes përshkrimi që i bën autori ekskursionit të organizuar në përvjetorin e demonstratës  në mars të vitit 1982, në Zllatar të Serbisë. Dikush e kishte paguar ekskursionin për të, por kurrë nuk i ishte bërë e njohur se kush e kishte bërë këtë. Duke qenë se nuk arrinte të punësohej askund, vendosi të regjistrohet në Fakultetin Ekonomik. Në këtë drejtim i ka ndihmuar Januz Mehmeti, inxhinier i xehetarisë, në kombinatin “Trepça”. Solidariteti i njerëzve të mirë në ato rrethana të vështira ekonomike e shëndetësore ia lehtësoi jetën. Emisioni i gazetari të njohur Shefki Popova  mundësoi arritjen e ndihmave nga të gjitha anët. Me anë të ndihmave të njerëzve shpirtmirë e altruistë arriti të ndërtojë shtëpinë në Oshlan sepse udhëheqja  komunale nuk lejoi t’i ndërtohej në Vushtrri, edhe pse truallin ia kishte lëshuar vëllai i nënës Nurije, Muharremi.   

Pas diplomimit në Fakultetin Ekonomik Islami ballafaqohet me vështirësi të reja, Edhe pse i diplomuar nuk pranohet askund në punë. Pushtetarët e endnin prej komune në Entin e Inkuadrimit dhe anasjelltas, duke u tallur me të. Kryetari i Komitetit Komunal, Toma, i nacionalitetit malazez,  i indinjuar për trajtimin që ia bënin,  jo vetëm Islamit, udhëheqësit e tjerë i kishte premtuar me besë se do ta pranonte në punë, por kur Islami shkon një të hënë pranë zyrës se tij, i tregojnë se Toma kishte vdekur nga sulmi në zemër gjatë vikendit.   

Në këto rrethana regjistron studimet pasuniversitare, shkallën e tretë të Fakultetit Ekonomik në Prishtinë. Autori e përshkruan me entuziazëm e vërtetësi frymën  dhe vrullin patriotik që mbretëronte gjatë regjistrimit të anëtarëve në LDK në Vushtrri, përmend emrat e më të angazhuarve nëpër fshatra, ne krye me Ramdan Pllanën nga fshati Shtitaricë etj. Ai angazhohet në shoqatën “Nënë Tereza”,  në aksionin “Familja ndihmon familjen”, merr pjesë në marshin  e minatorëve  të Trepçës deri në Prishtinë. Autori shkruan për lirimin  e Adem Demaçit, për demonstratat e 23 janarit 1990 para Komitetit Krahinor të LKJ, për demonstratën e 26 janarit në Vushtrri, për angazhimin në aksionin për pajtimin e gjaqeve etj. Në vazhdim ai demaskon “patriotët me fjalë”, duke vlerësuar lart angazhimin e veprimtarëve të njëmendët në krye me arsimtarin sypatrembur Bedri Tahirin, në përurimin e pllakës së Azem Galicës, më 25 korrik 1990 në Galicë, ku morën pjesë mbi 20 mijë qytetarë, ku ishte edhe mësuesi që i kishte nxjerrë eshtrat e Azem Galicës nga shpella “Çuku që kërcet” në Perçevë, babai i heroinës Xhevë Lladrovci, Avdyl Krasniqi dhe kryeheroi i shqiptarisë Adem Jashari. Shkruan edhe për organizimin e referendumit për pavarësinë e Kosovës, për solidaritetin pas leximit ë Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990 etj.   

Në autobiografinë e tij Islam Islami rrëfen edhe për njohjen me martesa me Fetijen më 29 nëntor 1991 dhe për martesën më 12 janar 1992. Kjo lidhje ishte bërë me pëlqimin dhe bekimin e dy nënave të tij. Familjet patriotike po u jepnin nuse veprimtarëve dhe trimave. Kështu, familja e fisme  e heroit të Kosovës, Xhevat Isufit, e pranoi për dhëndër Islamin. Xhevat Jusufin kemi pasur nderin dhe privilegjin ta takojmë dhe ta njohim këtu kur erdhi në një vizitë në Suedi. Xhevati ka qenë anëtar i Këshillit të Pajtimit në Shalë të Bajgorës, kryetar i nëndegës së LDK-së për Bare e rrethinë, mësimdhënës i devotshëm, drejtor i përkushtuar i shkollës fillore në Bare që sot mban emrin e tij, luftëtar i UÇK-së etj.   

Pas luftës  me ka rënë puna të  endem bukur shumë me dy nga luftëtarët e guxim­shëm të Kosharës, Sababate Tolaj dhe Isuf Haklaj, të cilët, duke shkuar në detyrë, i vranë disa shpirt­shitur shqiptarë. Sabahatja me pati treguar se një familje e njohur e Vushtrrisë i kishin dhënë Isufit për nuse vajzën e tyre, ngase edhe pse polic në atë qytet, e kishte bartë me makinën e tij zyrtare një djalë të tyre të plagosur si pjesëmarrës në  demonstratën e Vushtrrisë.   

E përgëzoj autorin për shpalosjen e këtyre kujtimeve, të cilat, besoj, do të jenë me interes edhe për ata që merren me historinë e vendlindjes dhe të mërgatës sonë këtu në Suedi.  Unë e zgjata paksa, sepse më dukej sikur do t’i hyja në hak autorit pa përmendur disa detaje shumë domethënëse të jetës dhe veprimtarisë së tij. Për aktivitetin e tij të mëtutjeshëm këtu në diasporë e çështje të tjera do të flasin referuesit e radhës.   

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu