Beteja e Kosovës, midis mitit dhe realitetit | Konfront

Halil Geci, Skenderaj
Kur demokracia shpallet “diktaturë” vetëm sepse pushtetin e fitojnë të tjerët dhe jo opozita. Shkrimet e Lirim Gashit gjithmonë më shtyjnë të mendoj dhe të reflektoj se si t’u përgjigjem. Lirimi e di mirë se unë e çmoj dhe i lexoj me interes të madh analizat dhe shkrimet e tij politike.
Shkrimi i tij me titull “Kur fitorja shndërrohet në diktaturë vetëm pse nuk fiton opozita” më bëri jo vetëm ta lexoj me vëmendje, por edhe ta mbështes mesazhin që ai ka dashur të përcjellë.
Thelbi i argumentit të Lirim Gashit është i thjeshtë: nuk ka diktaturë kur një parti politike, e cila fiton zgjedhjet në mënyrë demokratike dhe siguron shumicën parlamentare, merr përgjegjësinë për të qeverisur dhe për të ushtruar kompetencat që ia jep Kushtetuta dhe vota e qytetarëve.
Në çdo demokraci parlamentare është normale që shumica fituese të marrë: — postin e Kryeministrit, — postin e Kryetarit të Kuvendit, — dhe të ketë rol vendimtar edhe në zgjedhjen e Presidentit sipas procedurave kushtetuese.
Por në Kosovë ndodh e kundërta: opozita e paraqet këtë realitet demokratik si “kapje të shtetit” ose si “diktaturë”, jo sepse janë shkelur rregullat demokratike, por sepse nuk janë vetë në pushtet. Problemi nuk qëndron tek demokracia thot Lirimi por tek vështirësia për ta pranuar rezultatin zgjedhor. Ai sjell edhe shembuj nga demokracitë e konsoliduara parlamentare, ku poste të rëndësishme shtetërore janë mbajtur nga e njëjta familje politike pa u konsideruar kjo si diktaturë apo rrezik për demokracinë.
Rasti i Angela Merkelit, Horst Köhlerit dhe Norbert Lammertit është një prej këtyre shembujve. Pyetja që Lirim Gashi ia drejton opozitës është e drejtpërdrejtë: “Nëse fituesit nuk lejohen të qeverisin me kompetencat që ua jep shumica parlamentare, atëherë cili është kuptimi i zgjedhjeve?” Për ta përforcuar këtë ide, ai sjell edhe frymën satirike të humoristit dhe shkrimtarit Ephraim Kishon, i cili me shumë gjasë do ta përshkruante këtë situatë me fjalët: “Ky nuk është sistem politik, por një teatër ku fituesi duhet të kërkojë falje që fitoi.”
Në fund mbetet një pyetje e thjeshtë: a është problem demokracia, apo pamundësia për ta pranuar verdiktin e qytetarëve? Ai me një fjalë i drejtohet opozites në demokraci fituesi qeveris o loparë,ndërsa opozita kontrollon dhe kritikon pushtetin.
Kjo është logjika e sistemit parlamentar. Të gjitha të tjerat janë debat politik, por jo domosdoshmërisht krizë e demokracisë.

Lirim Gashi, Prizren
Nëse e dëgjon opozitën kosovare me një vesh pak më të relaksuar dhe me një humor të tipit “HAJ KUKU MEDET”, të krijohet përshtypja se demokracia është një sistem shumë delikat: mjafton që fituesi i zgjedhjeve të marrë edhe një post shtesë, dhe papritur republika kthehet në një film horror me titullin “Diktatura që erdhi nga kutitë e votimit”.
Pra, skenari është ky: qytetari voton, numrat dalin, partia fituese del e para… dhe pastaj fillon alarmi kombëtar: “Rrezik! Po i marrin tri pozitat kryesore të shtetit! Demokracia është në rrezik!” Si të thuash, fituesi qenka i rrezikshëm pikërisht sepse… fitoi.
Tani le ta shohim këtë “katastrofën tonë institucionale” pak më afër. Kryetari i Kuvendit? Nuk është ndonjë shpikje e improvizuar në WhatsApp-in e partisë fituese. Rregullat dhe interpretimet kushtetuese e thonë qartë: i takon shumicës parlamentare. Në çdo vend normal kjo quhet procedurë. Në versionin opozitar kosovar quhet “grusht shteti”. Pse ? Vetëm pse presidenti i shtetit nuk vjen si Atifetja, i mbështjellë me zarfin A4 të Kristofer Dellit”. Kryeministri? Ky post zakonisht nuk bie nga qielli si meteor politik. Ai del nga vota.
Dhe kur një subjekt politik del i pari dhe lideri i tij është më i votuari në vend, kjo në sistemet demokratike quhet “rezultat zgjedhor”, e jo “komplot i errët oriental”. Presidenti? Këtu fillon pjesa më interesante e dramës. Sipas propozimeve të vetë kryeministrit, flitet për një figurë konsensuale, mbi-partiake, me integritet. Por në versionin opozitar, kjo lexohet si: “po përgatitet diktatura… por me diplomë europiane”.
Dhe pastaj vjen refreni i madh: “Nëse i marrin të tria postet kryesore, do e kapin shtetin!” Ndërkohë, askush përveç meje nuk e shpjegon me qetësi matematikën elementare: nëse partitë fituese i marrin të tria postet kryesore përmes shumicës parlamentare dhe marrëveshjeve institucionale, kjo nuk është kapje shteti — është arkitekturë politike e dalë nga vota. Por le ta bëjmë një eksperiment mendor, ashtu siç e kërkon debati i panevojshëm dramatik. Në Gjermani, për shembull, nuk u shemb Republika kur tri institucionet më të rëndësishme të shtetit u udhëhoqën nga e njëjta familje politike në të njëjtën kohë. Kur Horst Köhler u bë President federal (me mbështetje të CDU/CSU), Angela Merkel (CDU) ishte Kancelare, dhe kryetari i Bundestagut ishte Norbert Lammert (po ashtu CDU). Askush nuk doli në Berlin me pankarta: “Republika po bie sepse fituesit po fitojnë”. Përkundrazi, u quajt sistem parlamentar.
Por në versionin tonë kosovar të interpretimit amator politik, e njëjta situatë do përkthehej: “Alarm! Demokracia u përqendrua në duar të gabuara!” (dmth: në duart e atyre që dolën të parët në zgjedhje) Dhe këtu vjen pyetja që e bën gjithë këtë dramë paksa komike: Nëse opozitarët tanë të dashur jabë të bindur se çdo përqendrim institucional i shumicës është diktaturë, atëherë çfarë është demokracia sipas tyre? Një sistem ku fituesi del i pari… por qeveris vetëm nëse humbësit e lejojnë?
Sepse në atë logjikë, zgjedhjet nuk prodhojnë fitues — prodhojnë vetëm administratorë të përkohshëm që duhet të kalojnë fillimisht “testin e miratimit nga pakica e përhershme”. Dhe këtu Kishoni do ndalej, do e shikonte skenën, do e tundte kokën dhe do thoshte diçka të thjeshtë: “Ky nuk është sistem politik. Ky është teatër ku fituesi duhet të kërkojë falje që fitoi.” Në fund, frika se “një parti po i merr të gjitha” shpesh nuk është analizë kushtetuese — është nostalgji për një realitet ku humbja ka më shumë të drejta se fitorja. Dhe kjo, sado dramatike të tingëllojë, nuk është krizë demokracie.
Është krizë e pranimit të rezultatit. Opozitarë të dashur : A e keni të qartë, apo duhet t’jua vizatoj në gjuhën tuaj të dashur serbe, edhe pse e kuptoni vetëm pak, si Dullo Kotinski?
Poezi
Ndërtues urash
(Kushtuar Bajrush Behramit, të burgosurit politik të ndërgjegjes sonë kombëtare, bashkëpunëtorit më të ngushtë të Ukshin Hotit dhe ushtarit të radhëve të para të UÇK-së)
Shtatmesëm, flokëgështenjë,
sy ulliri, qëndrim burri.
Kur thoshte “po”,
fjalën e tij mund ta thyente vetëm vdekja.
Po t’i shtroje bukë e kripë,
ishte mirënjohës.
Atë që e konsideronte shok e mik,
dhe që luftonte pa hile për Atdhe,
jepte kokën për të.
Ata që heshtnin
edhe kur vendi ishte në robëri,
haptas i mallkonte.
E kishte pasion artin.
Portretizonte Gjergj Kastriotin,
Norën e Hotit,
Idriz Seferin
e Mic Sokolin.
Kur dikush e pyeste
pse vetëm ata,
përgjigjej:
“Po të mos ishin ata,
nuk do të ishim ne.”
Për këngën, thirrje lirie,
dhe përpjekjet për ribërjen e Shqipërisë,
e burgosën dhe e dënuan —
por kurrë nuk e thyen,
as nuk e nënshtruan.
Iu gëzua çlirimit të Kosovës
më tepër
se lindjes së katër fëmijëve të tij.
Iku më 30 qershor 2018
me amanetin:
Ruajeni si sytë
vendin
dhe njëri-tjetrin.
I gjithë Llapi e njohu
si burrin që ndërtonte ura
dhe bashkonte njerëz,
rrënonte mure
dhe shuante hasmëritë.
Kushdo që kalon
pranë varrit të tij,
lotët e tradhtojnë.
Vërtet ishte burrë,
shpirtbardhë
dhe engjëllor.

Arif Ejupi
Crans-Montana, 10 korrik 2018
Xhami në Rovsingsgade, Danimarkë
Ministri i Imigracionit dhe Integrimit Morten Bødskov (S) po merr pishtarin nga paraardhësi i tij Rasmus Stoklund (S) dhe do të rifillojë një hetim nëse thirrjet për lutje në hapësirat publike mund të ndalohen ose kufizohen.
Hetimi ka qenë i pezulluar që nga shpallja e zgjedhjeve të përgjithshme.
“Pozicioni im është i qartë: Thirrjet për lutje nuk duhet të dëgjohen nëpër çatitë daneze”, thotë Morten Bødskov në një koment me shkrim për Ritzau.
“Nuk ka vend në Danimarkë dhe nuk duhet të keni dyshime nëse keni përfunduar në një periferi të Islamabadit kur ecni nëpër Danimarkë.”
Morten Bødskov është tani Ministri i tretë Social Demokrat i Imigracionit që nis një hetim mbi legjislacionin kundër thirrjeve për lutje.
Hera e parë ishte në vitin 2020, kur Mattias Tesfaye (S) filloi hetimin në qeverinë njëpartiake Social Demokrate.
Hetimi nuk u përfundua para se qeveria SVM të vinte në pushtet dhe në dhjetor të vitit të kaluar Rasmus Stoklund rifilloi hetimin. Por zgjedhjet e përgjithshme u penguan përsëri.
Ministri aktual i Imigracionit, Morten Bødskov, e quan ‘kujdes në kohë’ hetimin nëse thirrjet për lutje mund të ndalohen.
“Sepse duhet ta mbrojmë Danimarkën nga islamizimi që tashmë zë shumë hapësirë publike.”
Ka pak shembuj të thirrjeve për lutje në hapësirën publike.
Në nëntor, Rasmus Stoklund u dërgoi një letër të gjitha 98 komunave në vend për të dëgjuar për përvojat e tyre me thirrjet për lutje.
78 komuna e kthyen letrën dhe 3 prej tyre ishin në gjendje të raportonin ankesa “në lidhje me thirrjet për lutje ose lutjet me zë të lartë”.
Këto ishin Bashkia e Kopenhagenit, Bashkia e Brøndby dhe Bashkia e Odense.
Rasmus Stoklund i pranoi Ritzau-t se problemi është i papërfillshëm, por pohoi se ishte ‘kujdes i duhur’ për të hetuar një ndalim.
“Problemi nuk ka nevojë të jetë i madh nga perspektiva ime përpara se të shqyrtojmë nëse është një mundësi.”
“Nuk kam nevojë që papritur të kemi një xhami që fillon të bëjë thirrje për lutje jashtë një rrethi diku në Danimarkë, dhe vetëm atëherë të fillojmë të vendosim se si ta trajtojmë këtë çështje. Do të doja të dija tani se mbi çfarë baze ligjore mbështetemi”, tha Stoklund në dhjetor.



