Kreu Blog Faqe 1116

Vasenka Rangu, shqiptarja kandidate në zgjedhjet për Parlamentin Rajonal të Lombardisë 

0

Qytetarët e Lombardisë, rajoni më i madh dhe ekonomikisht më i zhvilluar i Italisë, do të votojnë në datat 12 dhe 13 Shkurt 2023 për të zgjedhur Parlamentin dhe Presidentin e ri të Rajonit të tyre. Mes kandidatëve për Këshillin (parlamentin) Rajonal të Lombardisë spikat emri i Vasenka Rangu Lekës, eksperte e njohur ligjore në vendin fqinj. 

E lindur në Shkodër në një familje me tradita, mbesë e kardinalit të parë shqiptar Mikel Koliqi, znj. Rangu është transferuar në moshë të re në Itali ku ka kryer studimet për drejtësi në Universitetin e Bergamos, duke u specializuar në fushën e të drejtës së emigracionit. 

Aktualisht drejtuese e një studjoje ligjore mjaft të njohur e të afirmuar në Milano, ajo ka bashkëpunuar ndër vite me institucione të rëndësishme publike e private në Itali si organizata e madhe ACLI, Bashkia e Milanos, Fondazione Verga, Banka Europjane për Zhvillim, etj.  

Forhåndsvisning av bilde

Vasenka Rangu Leka është gjithashtu themeluese dhe drejtuese e Qendrës Shqiptare në Itali (www.centroalbanese.it), një prej organizatave më aktive të diasporës shqiptare në nivel europjan. Ajo ka marrë pjesë ndër vite në organizimin e qindra veprimtarive dhe projekteve në fushën e diplomacisë publike, me qëllim promovimin e Shqipërisë dhe përhapjen e kulturës shqiptare në Itali. Nisma që janë realizuar shpesh në bashkëpunim me intelektualë e artistë të spikatur bashkëkohorë shqiptarë, si shkrimtaret Anilda Ibrahimi, Elvira Dones e Ornela Vorpsi, autorët Fatos Kongoli, Ylljet Aliçka e Ben Blushi, por edhe Visar Zhiti, Arben Dedja e Gazmend Kapllani, kineastët Dhimitër Anagnosti, Bujar Alimani e Gjergj Xhuvani, artistet e ekranit Roza Anagnosti, Elvira Diamanti e Rajmonda Bulku, e mjaft personalitete të tjera nga shumë fusha të artit e të kulturës.  

Aktiviste e angazhuar e bashkësisë së madhe shqiptare në Itali, gjatë vitit 2022 ajo ka koordinuar bashkëpunimet e Qendrës Shqiptare me shtëpitë botuese Einaudi (grupi Mondadori), Feltrinelli dhe DelVecchio Editore për promovimin në Itali të veprave të reja letrare të Anilda Ibrahimit, Lea Ypit dhe Gazmend Kapllanit, si edhe ka organizuar pjesëmarrjen në tre panaire të mëdha si “Panairi Ndërkombëtar i Librit”, panairi i ushqimit “Slow Food – Terra Madre” dhe “Fa La Cosa Giusta”, panairi më i madh italian i zhvillimit të qëndrueshëm.   

Forhåndsvisning av bilde

E parreshtuar më parë politikisht, znj. Rangu është zgjedhur si përfaqësuese e shoqërisë civile të Milanos nga kandidatja për presidencën e Rajonit të Lombardisë Letizia Moratti, një prej figurave publike më të njohura e më të spikatura të Italisë, ish-ministre e arsimit në qeverinë Berluskoni, ish-kryetare e Bashkisë së Milanos dhe pjesëtare e familjes së njohur milaneze, që për shumë vite ka patur në pronësi, ndër të tjera edhe klubin e futbollit Inter.

Qendra Shqiptare ne Itali

Porta e Evropës dhe mburoja e Perëndimit

0
Afrim Musliu, Suedi
____

Gadishulli Ilirik çdoherë ishte vija mbrojtëse e Evropës Perëndimore nga rreziku që i kanosej nga Mesdheu. Sidomos pas pushtimit të Kostandinopojës nga Perandoria Osmane dhe depërtimi i tyre përtej Bosforit

Ashtu funksionoi edhe Shqipëria e Gjergj Kastriotit e cila me ndihmën e financave dhe armëve nga vendet në perëndim, pengoi ekspansionin e osmanlinjve drejt perëndimit plotë 25 vite. Kjo i kushtoi shumë shtrenjtë shqiptarëve, por Evropa i shpëtoi pushtimit otoman dhe islamizimit të Evropës në përmasa më të gjëra.

Pas Luftës së Parë Botërore, Britania dhe Franca insistuan në formimin e një mburoje të re e me popuj tjerë, sepse konfliktet e brendshme në Shqipëri si dhe rrymat e fuqishme të xhonturqve tek shqiptarët, bënë që perëndimorët të kërkojnë aleatë më të besueshëm që do ta mbanin vijën e parë të frontit nga sulmet eventuale nga Mesdheu. Prandaj, në Konferencën e Londrës u formua Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, duke anashkaluar shqiptarët e dobët të cilët atëbotë as tokat e veta nuk ishin të zotët që t’i mbrojnë për shkak të përçarjeve të brendshme që mbizotëronin tek shqiptarët, ku një pjesë ishin të orientuar kah vlerat perëndimore, gjersa një pjesë jo e vogël ishin ende me mendje e kokë të orientuar kah Anadolli dhe traditat lindore.

Pas Luftës së Dytë Botërore, një Jugosllavi neutrale, e fortë dhe stabile ishte opsioni më i mirë për mbrojtjen e portës së Evropës dhe me atë të bëhet edhe polic i Ballkanit.

Kështu që, në fillim të viteve të 70-ta, Presidenti amerikan, Richard Nixon, ia dha Jugosllavisë së Titos pesë miliardë US Dollar pa kthim që Jugosllavia të forcojë mbrojtjen e saj ushtarake ajrore dhe kundër-ajrore. Kjo ndodhi pasi që Bashkimi Sovjetik zgjeruan ndikimin e tyre në Lindjen e Mesme, sidomos në Siri, Irak, Libi dhe Egjipt, gjersa ShBA-ve dhe Evropës iu nevojitej një mburojë e fortë për mbrojtje nga sulmet eventuale që do vinin përmes Detit Mesdhe.

Në atë projekt, ndër tjerash, në kuadër të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, u ndërtua baza më e madhe e mbrojtjes kundër-ajrore në ujdhesën Vis në Kroaci dhe baza gjigante ajrore nëntokësore e sekrete në Željava afër Bihaçit në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila ishte e pajisur edhe me bartëse të armatimeve jo-konvencionale.

Të gjitha këto u ndërtuan në të njëjtën vijë gjeografike me bazën ajrore të NATO-s të Ancona të Italisë, të cilat të koordinuara ndërmjet veti do të pengonin sulmet eventuale, të shpejta e të papritura që do të vinin nga drejtimi i Detit Mesdhe, derisa, mbas shpinës së tyre, forcat ushtarake të Evropës Perëndimore të arrijnë që të mobilizohen në mbrojtje të territorit të Evropës perëndimore.

Rritja e nacionalizmit serb pas vdekjes së Titos, përafrimi i tyre me Rusinë, si dhe shpartallimi i Jugosllavisë së Titos dhe lufta në Ballkan viteve të 90-ta, bëri që ShBA-të dhe Evropa Perëndimore të kërkojnë aleatë të rinj në Ballkan që do ta mbanin në funksion mburojën nga Mesdheu. Bosnja ishte lidhur me vendet pan-islamike, ndërsa Serbia me Rusinë dhe vendet tjera kundërshtare të Amerikës. Kështu që, i vetmi opsion i Perëndimit mbetën shqiptarët.

Këtë formulë e zbërtheu për mrekulli Presidenti Ibrahim Rugova, i cili, duke e bindur perëndimin se shqiptarët edhe me kokë edhe me trup i takojnë Evropës, ua ofroi amerikanëve dhe Evropës perëndimore lojalitetin dhe miqësinë e përhershme të popullit të Kosovës në këmbim të ndihmës për ta çliruar dhe pavarësuar Kosovën.

Në këtë mënyrë, Kosova dhe shqiptarët prapë u vendosën në hartat gjeo-strategjike të SHBA-ve dhe Evropës perëndimore, duke i futë në bashkëpunim edhe Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, e sot anëtare të NATO-s, e duke e ndërtuar në Kosovë bazën më të madhe ushtarake amerikane në botë, Bondsteel-in. Dhe, ky ishte fati ynë më i madh pas disa shekujve, që më në fund prapë të hyjmë në hartat gjeo-strategjike të Perëndimit, gjegjësisht, të ShBA-ve.

Mirëpo, ndikimi i Erdoganit në politikën shtetërore të Kosovës si dhe në kurrizin ekonomik të Kosovës këto 15 vitet e fundit, riosmanizimi sistematik i shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre, si dhe lejimi i indoktrinimit të ekstremizmit islamik nga vende të ndryshme nga Lindja e Mesme e ende të zotëruara nga Rusia, me ç’rast përsëritet gabimi i para tri dekadave i Bosnjës dhe Hercegovinës duke u orientuar kah Lindja, duket se detyruan Perëndimin që të kërkojnë aleatë të rinj në Ballkan e më fleksibilë sesa shqiptarët. Që të kërkojnë një “polic” të ri të Ballkanit.

Pra, ata që erdhën pas Rugovës në krye të Kosovës, nuk ditën ta ruajnë Kosovën dhe popullin e saj nga devijimi nga orientimi perëndimorë. Nuk ditën t’i mbajnë të ndara nga njëra-tjetra politikën dhe religjionin.

Politikanët e Kosovës filluan me të madhe të flirtojnë me ekstremizmin islamik duke lejuar ndërtimin e 900 xhamive të reja në çdo cep të Kosovës. Filluan të faktorizojnë BIK-un dhe imamë të ndryshëm anti-perëndimorë. Madje, lejuan rite fetare edhe nëpër institucione shtetërore, si në ato civile, ashtu edhe në ato të sigurisë, e po ashtu edhe nëpër universitete publike. Lejuan ndikimin e islamit politik në trojet tona.

Ndërsa, këta që erdhën së fundmi në pushtet në emër të një shprese për Kosovën, nuk ditën ta ruajnë miqësinë me aleatin tonë kryesorë, Amerikën. Filluan ta shajnë, ofendojnë e besa edhe t’ia sulmojnë, shantazhojnë e bullizojnë të dërguarit diplomatik të SHBA-ve në Kosovë. Ia hapën Turqisë dyert e Ballkanit edhe më shumë. Ia hapën Mesdheut portën e Evropës, gjersa aleatit tonë kryesorë, Amerikës, filluan t’i kundërvihen hapur. E me atë, porta e Evropës automatikisht iu hap Rusisë, të cilët edhe zotërojnë Mesdheun dhe sot bëjnë luftë me Ukrainën dhe mbarë Perëndimin për ta kontrolluar Detin e Zi, e me atë edhe daljen e tyre të lirshëm në Detin Mesdhe.

Bismarck thoshte: “Nuk ka miqësi të përhershme, por ka vetëm interesa të përhershëm”. Andaj, nuk duhet të mbesim të habitur po që se ShBA-të dhe Evropa e zhvendosin Kosovën nga harta e tyre gjeo-strategjike dhe në vend të saj e vendosin Serbinë si polic të Ballkanit. Me atë do ta largonin ndikimin e Rusisë nga Serbia, njëjtë siç e larguan edhe nga Jugosllavia komuniste e Titos pas LDB-së. Që të ndodhë një rokadë e tillë, kontribut të madh kanë dhënë edhe figurat kryesore të kësaj qeverie aktuale, të cilët janë të njohur për gjuhë dhe veprime armiqësore ndaj perëndimit, e sidomos ndaj SHBA-ve, pa menduar më racionalisht se interesat janë të dyanshme, andaj edhe duhej të mbeteshin ashtu për të ruajtur miqësinë e përhershme me ShBA-të.

Pra, e sollën Kosovën dhe shqiptarët prapë në kohën e xhonturqve, kur Evropa na sakrifikoi e na copëtoi pikërisht për shkak se nuk kishin besim në lojalitetin tonë ndaj Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi. Për të njëjtën arsye copëtuan edhe Bosnjën dhe Hercegovinën në Konferencën e Dejtonit në vitin 1995, sepse perëndimi i frikësohej instalimit të një shteti islamik në zemër të Evropës. Të njëjtën frikë e kanë edhe për Kosovën.

Në anën tjetër, votimi në masë të madhe për një qeveri me qëndrime shumë armiqësore ndaj Amerikës dhe Perëndimit, i dhanë një kahe tjetër politikës amerikane për rajonin e Ballkanit. Po që se formohet Asociacioni i komunave serbe në Kosovë, (zajednica), atëherë me shëndet e bajshin shqiptarët, sepse goxha gjatë kanë kontribuua në humbjen e mbështetjes nga Perëndimi e në humbjen e aleatëve tanë më të fuqishëm.

“Ata që vënë bast kundër Amerikës po e mësojnë se sa gabim janë. Asnjëherë nuk ia vlen të vihet bast kundër Amerikës”, tha ndër tjerash Presidenti Biden para ca ditëve në fjalimin e Tij para Kongresit të Amerikan. Albin Kurti qe 15 vite ka vë bast kundër Amerikës. Qëndrimet e tij anti-amerikane morën mbështetje në zgjedhjet e fundit nga mbi gjysma e votuesve kosovarë. Nxitja e armiqësisë ndaj Amerikës nga Kurti dhe ndjekësit e tij vetëm sa po rritet. Lere që po mundohet që ta injorojë Amerikën duke iu drejtua Evropës, por shkon dhe konsultohet edhe me Erdoganin e Turqisë për çështjet dhe problemet më vitale të Kosovës dhe shtetësisë së saj.

Prandaj, sot për shkak të kësaj qeverie anti-amerikane, ndëshkohet e tërë Kosova. Pra, njëjtë sikurse ata që e votuan, ashtu edhe ata që nuk e votuan.

Nuk ditën ta mbajnë Kosovën në hartat gjeo-strategjike të Perëndimit. Shqiptarët nuk ditën ta marrin rolin e “policit të Ballkanit”, gjersa Perëndimi çdoherë ishte dhe është në kërkim të një populli stabil të Ballkanit që t’ua japin atë rol. Kuptohet, me interesa të dyanshëm, prej të cilës shqiptarët kishin fituar një progres të madh në të gjitha fushat dhe segmentet e jetës.

Këtë humbje të kësaj mundësie të madhe historike, kurrë nuk do t’ua falin historia dhe gjeneratat e ardhshme! As Kosovës, e besa, as Shqipërisë!

“Akraba” – Naim Tërnava në varrimin e nënës së Erdoganit …

Lindja e perëndimi, dy antagonizma!

0

Gani I. Mehmeti 

 MUSA JUPOLLI, poeti, miku e kolegu im që u deshtëm prej së largu, nga distanca 

Dhe 

HASHIM DULGER, kushëriri im, shpërngulur në Turqi në moshën 9-vjeçare! U njohëm kur ishte në moshën 74-vjeçare, më 1985! 

Nuk e di se pse dhe si më shkuan syt drejt vitrinës në librin  

NË UDHËTIM ME DARDANINË, të autorit MUSA JUPOLLI! 

Ashtu kalimthi e mora dhe nisa ta shfletojë.  

Me Musën ne njihemi moti! Po, moti, se tani edhe ne kemi bërë një moshë. Më interesoj ta reishikojë, ani pse e kam lexuar më herët. Po i bie shkurt: Mbasi lexova biografinë e autorit, u ndala e po numëroj veprat e tij të botuara deri më 2017, vit kur është botuar ky libër që e kam në dorë. Përveç shkrimeve tjera, më dolën 13 tituj LIBRASH të tij. 

Më pastaj, duke lexuar përmbajtjen, ashtu rastësisht u ndala tek shkrimi i tij: 

LETËR MËRGATE NJË MIKU NË DARDANI ZËRI I TË CILIT DUHET TË DËGJOHET 

Dhe, pas leximit, mendja më iku në Turqi! Bukur interesant me mendjen! Ajo nuk rri, të paktën tek unë jo, nuk ndalet për asnjë çast, vetëm shëtit, bredh poshtë e lart, majtas e djathtas, edhe drejt…Hë, po ku ka drejt?! Por, nejse! Mirë që nuk rri, nga që thonë se ai/ajo që rri, nuk vyen asgjë. Me këtë, më hyri pakashumë vetja në qejf, pse asnjëherë mendja nuk më pushon – madje edhe kur jam fjetur… 

Më vajti mendja në Turqi, pikërisht në Yzynqypri të Edrenesë, Turqiu. Ku isha atje tek kushëriri im, Hashim Dulger. Hashim Dulger kishte lënë vendin e tij në moshën 9-vjeçare, por kurrë nuk i kishte fjetur zemra në të sikur në vendlindjen e tij – në Pakashticë! Hashimin si 9-vjeçar e kishte ndjekur serbi nga vendlindja e tij në vitin 1915, njësoj sikur edhe Musa Jupollin më 1984, i njëjti armik, me emrin serb, i kishte ndjekur nga Atdheu i tyre të dy!  

Ndryshimi:  

Hashimi kishte shkuar në Turqi, në lindje, ndërsa Musa në Paris, në perëndim!  

Hashimi ishte analfabet e fëmijë kur iku, Musa ishte i rritur dhe intelektual – dallimi ashtu si drejtimet e tyre! 

E përbashkëta e të dyve: Djegia e mallit për Atdheun! 

Njeriun që e hëngër kurbeti, malli për Atdheun dhe çështja Kombëtare. 

“Brenda përbrenda partitë mund të mos kenë pajtime, por, për përjashta duhet të jenë në një vend”, thoshte Hashim Dulger.  

Dulger nga turqishtja e përkthej dhe më jep emrin MARANGOZ. Por, Marangoz, tani edhe nga italishtja edhe nga turqishtja më japin profesionin ZDRUKTHËTAR, që në realitet, ishte profesioni i Hashimit. Këtë mbiemër e kishte marrë që në kufi, kur e kishte lëshuar vendin e tij dhe kishte hyrë në Turqi, për të humbur çdo lidhje me Atdheun nga kishin shkuar, Turqia dhe Serbia, ua ndërrojnë mbiemrin të gjithëve që hynin në të për të jetuar për lehtësim asimilimi. 

Përndryshe, Hashimi do duhej të mbante mbiemrin JAHA, prona e kësaj familjeje kishte kaluar në mere, JAHOVCI i sotëm në trekufirin me fshatrat Pakashticë, Repë e Metehi. 

Hashimi tërë ëndrrat e tij, çfarëdo qofshin ato, i shihte vetëm dhe vetëm në Pakashticën e tij të lindjes. Ai kurrë nuk mendonte në gjuhën turke, por vetëm në shqip. 

Nga viti 1966, kur për herë të parë pas 50 vitesh i jepet rasti ta vizitojë Kosovën, ai kishte vazhduar me vizita gati-gati për çdo vit. Deri atëherë në Turqi kishin ditur shumë pak për të mbeturit në Kosovë. 

Kur në vitin 1978, i ishte dhënë rasti të prezantonte në një orë mësimi në njërën nga paralelet serbe të Gjimnazit “8 Nëntori” në Podujevë, tek profesori Nexhmi Sejdiu, sheh se nxënësit serbë detyroheshin të mësonin gjuhën shqipe e edhe të flasin! Aty në klasë, i rrjedhin lotët, duke thënë: “Ne që e lëshuam vendin tonë qenkemi treguar të ligj dhe të papërgjegjshëm ndaj jush dhe ndaj Atdheut! Ne kemi menduar se ju keni mbaruar, kemi menduar se ju jeni asimiluar, kemi menduar se ju jeni vrarë, prerë, masakruar të gjithë nga qeveria serbe, derisa mendonim se ne kemi shpëtuar! Tani shoh të kundërtën, se: ju paskit shpëtuar dhe ne paskemi mbaruar! Por, ju lumtë në qëndresën Tuaj për Gjuhën, Kombin, Dardaninë dhe gjithë Atdheun e shqiptarëve kahdo e kudo që janë. Jo vetëm unë, por të gjithë ne ua kemi lakminë!”  

Musa Jupollin shkruan vetë nga mërgimi: 

Musa Jupolli 

21 qershor 2017 ·  

Letër mërgate një miku në Dardani, 

Zëri i të cilit duhet të dëgjohet, 

Mik i dashur, një puhi ngrohtësie më shtyri ti shkruaj dy a tri rrjeshta brenge, po mbi të gjitha një ftesë që të dëgjohet zëri yt… çka unë nuk kam mundësi ta bëj . 

Në ritmin e ndodhive, në ritmin e jetës dardane, e vërteta (nëse ajo ekziston, dhe duhet të ekzistojë…mendoj unë) është kohë e korrigjimeve, ku mirësia duhet të rreshtohet siç e kërkon filozofi e jonë kombëtare, ku të ligjtë dhe dëmtuesit e kësaj shoqërie do të ikin njeri pas tjetrit! 

Jam me ty, me filozofinë e refuzimit, përkundër pengesave, aty ku në rrugën tënde të kahmotshme e me shumë vështërsira (me erëra të nxehta mu si kalimtari në shkretirë) i etur e i uritur që të mbrohet Drejtësia, atëherë do të thuash: Sa bukur ecë njeriu ynë në drejtim të diellit me lirinë e Atdheut… dhe ti e di se aty janë zërat e arsyes, aty është e ardhmja e RINISË, nota më e bukur e Arbërisë, ku dhimbjet i shndërrojnë në shpresa . 

Ndarje-përçarjet mes atdhetarëve tanë n’emër të një partie, të një ideologjie tjetër e besimi fetar më këputë shpirt dhe nuk më lënë të qetë: Fjalosje, ofendime deri edhe më të skajmet më vërbojnë sy e mëndje dhe them kjo s’është e kulturës sonë. 

Tregom miku im, për mërgatën a u folë ndonjëherë, a e keni menduar ndonjëherë përgjigjien, ti e di se vetëm zëri yt mund ta bashkojë atë, vetëm zëri yt ka mirësinë që të ndihemi të frytshëm si dikur për ta ndihmuar Dardaninë e vujatjeve t’sotme, ajo nuk ka ndërruar, veç dëshprimit me gjithë ato padrejtësi politike, përndryshe të mirat e saj janë ato që ishin kohë më parë për njohje dhe LIRI të Dardanisë, pra zëri yt mungon dhe kjo ndihet dhimbje e madhe në ne. 

Miku im, mërgata e ka të varur në qafë vetminë, kur i shtohën plagët e Atdheut asaj i zihet edhe frymë. 

Dashuria dhe fjala e urtë janë kryqëzim shpirti për gëzim lirie, fjalë të mira me punë të mira janë ujitje për lule, janë loti i gëzimit për sy… ndarjet, përçarjet, fjalët e rënda janë venitim shpirti! 

Miku im i urtë, politika e sotme bie në kundërshtim me dialektikën dhe gjithë gramatikën shqiptare, kjo vetëm sa ushqen të korruptuarit dhe dëmtuesit e Atdheut… ndaj ti je ai që duhet të dëgjohet zëri yt! 

Sa shekuj ecem deri në lirinë e Dardanisë, ku Dhé-At-Dhé ynë ishte në qendër te qytetërimit, por që na e mohuan të tjerët dhe vazalët e tyre, kjo përkon edhe me ca zëra t’errtë sot që veç ofendimeve dhe «garave» të ashtuquajtur «analist» përçajnë edhe më zërin tënd, ku i shtojnë plagë dhe e zbehin Dardaninë, këtë mbretërshë diellore, zatën Dardania shikimin dhe besimin i kishte në Diell. 

Miku im, Republika është me plagë të mëdha, ndaj se zëri yt nuk dëgjohet, nga kjo heshtje «ata», në rend të parë Kryetar partie cingërrojnë gotat me djallin. 

Zëri yt, mik i dashur le të jetë zë i urtë qetësie, refleksion n’dashuri me njeri tjetrin, që mos të jemi brengë e vetmisë siç ne mërgata jemi sot! 

Zëri yt miku im, jam i bindur se në këtë gjendje politike e gjeopolitke e Dardanisë kërkon ide të reja, me njerëz të pakorruptuar, e kundër rebelobyrokracizmit që i ka zënë frymë Atdheut . 

…me dashuri mërgate 

21 i qershorit, 2017  

Të veçantat:  

Hashimi nuk kishte asnjë të drejtë as të rrëfente Dashurinë e tij ndaj Atdheut dhe të afërmëve të vetë që kishin mbetur në Dardani. Hashimi, nuk e di si kishte shkuar atje, ishte ndjekur si shqiptar apo kishte shkuar si turk me ndihmën e vetë Turqisë në marrëveshje me Serbinë për të populluar shkretëtirat e Turqisë dhe me ndjekjen e Serbisë për t’ia liruar Dardaninë asaj. Hashimit i kishin ndërruar edhe mbiemrin për të humbur gjurmët nga Dardania, të mos mund të bijnë kurrë në kontakt më me ta. Nuk kishte guxuar as mundur kurrë të ngrijë zërin për të drejtat dhe liritë e popullit të tij as në Turqi e as në Dardani. I kishin ndaluar të flisnin Shqip, të mos flitet për shkollimin në gjuhën amtare.  

Musa ishte me Universitet. Ai kishte nisur punën në arsim. Mirëpo, pse po ua mësonte nxënësve Gjuhën, letërsinë e përmes këtyre edhe historinë, i vërsulen lugetërit, me ndihmën e vazalëve (siç shkruan vetë Musa) që ta kapin, ta zënë për ta mbyllur zërin e së vërtetës. Njeriu i dron së vërtetës kur është vërtet e vërtetë, jo kur nuk është e vërtetë! E, Musa shpërndante të vëretën që armikut po i dhimbte. Por, Musa edhe kur flinte, njërin sy e mbante hapur, nuk e mbyllte kurrë për të parë, deri sa mendja ishte e zgjuar gjihherë, gjithku e në çdo kohë! Kur armiku zgjati dorën tinëzisht ta zinte, ta kapte Musanë dhe po donte ta shtinte në grushtë, sa pa i mbledhur gishtrinjtë, ky iu ik, sikur iu del nga dora, duke marrë rrugën e ikësit drejt për në Paris… 

Më mirë në Paris dhe ku mund të zhvillojë e të programojë veprimtarinë e tij se sa në burgjet jugosllave, i rrahur, i maltrtuar, i sharë e i nëpërkëmbur. Nga këtu, ai ka dhënë kontributin e tij të madh para vitit 1999 dhe tani pas vitit 1999 e deri sot. 

Musa, nga këtu zhvillon aktivitetin e tij kundër armikut: Takohet me Dr. Rugovën, ende para se të vijë në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve, vetëm si intelektual e Atdhetar, takohet me Zhak Shirakun dhe informon për gjendjen e popullit shqiptar në Kosovën e Jugosllavisë. Njihet me personalitete të tjera franceze dhe me Ismail Kadarenë dhe lobon vazhdimisht për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë. Ishte shumë i gjallë, malli po e digjte edhe këtë për vendlindjen, sa nuk lë gur pa lëvizur për Pavarësinë e Kosovës nga Serbia.  

Si për koinçidencë, njihet edhe me Dr. Kushnerin vite më parë se sa ai të vinte kryeadministrator i OKB në Kosovë. Musaja nuk rri e shkruan, brengoset për Atdheun. 

Musaja është në shtetin me demokraci dhe nuk e ka të ndaluar të flasë Shqip, të mendojë Shqip, të interesohet për Dardaninë, madje është i përkrahur e jo i rrezikuar këtu pse mendon në gjuhën dhe për gjuhën Shqip e për Dardaninë. 

Hashim Dulger, që gjithçka me popullin, vendin e gjuhën e tij – i kishte të ndaluara. 

Kjo është Lindja dhe ky është Perëndimi!  

Zgjidh e merr – në lindje është terr, ndërsa në perëndim – është dritë.  

Nga lindja morëm vetëm dënim,  

nga perëndimi – përparim! 

Turqia, si në Perandorinë Osmane, na do të asimiluar 

Perëndimi na do kombëtar e të zgjuar! 

Dhe krejt kjo, për mua ishte një PËRPUTHJE (koinçidencë) e këtyre dy personazheve, të lindur pesëdhjetë vite më parë a më pas mes tyre e me vuajtje e ndjekje nga i njëjti armik – nga serbi. 

Dallimi në jetë:  

– I Pari nuk arriti ta shoh Dardaninë të Lirë, por gjithsesi e mbante shpresa, 

– I Dyti përjetoi Lirinë nga sunduesit e huaj, por ra në zhgënjim nga mohimi i Lirisë prej liderëve partiakë pas 1999-tës, sa ia shtojnë brengat e ndjehet tejet i zhgënjyer për fatin në të ardhmen e Dardanisë me humbjen e shpresës!  

  1. s. Që të mos i lodh lexuesit, ata që janë kurreshtar për lexim, desha të heq diçka nga shkrimi i Musa Jupollit, por nuk munda. Më dukej sikur po e gjymtoja një njeri, sikur po e leja pa sy, pa duar, pa këmbë, pa vesh… dhe nuk hoq asgjë…

Më 22 qershor 2020 

Studentët shqiptarë në shumë fusha në shërbim të atdheut  

0

Nga Xhafer LECI, Gjermani 

Shoqata-Studentët Shqiptarë Stuttgart-, në Liederhalle me 03.02.2023  

Organizuan një mbrëmje madhështore me moton:” Gala e donacioneve”.
Një ardhmëri për fëmijët – Spendengala 2023 

Pamje nga kryesia e punës 

Pjesëmarrja ishte shumë e madhe, disa qindra pjesëmarrës, në mesin e tyre edhe gjermanë/e, kryesisht, rini djem e vajza, hyrja e pranueshme mbi moshën 18 vjeçe. 

Flitej shqip e gjermanisht dhe përkthehej… 

Muarën pjesë personalitete të shumta, kryesisht, shqiptarë/e, por edhe gjermanë/e si:  

Konsullja e Përgjithshme, në Stuttgart, Lumturie Lipoveci,e cila foli për kontributet e mëdha të Mërgatës shqiptare, në përkrahje të përhershme në shumë fusha të popullit dhe vendit tonë. 

Zonja Isabel Fezer , kryetare e Bashkisë së kryeqytetit Stuttgart, e cila foli për mundësitë e jetës, punës, shkollimit të shqiptarëve. 

Pjesëmarrës ishin edhe konsujt Benik Miftaraj, Gramos Berisha dhe zyrtari Fehmi Koci; prifti Don Albert Krista, imami Hazbi Sylejmani. Përfaqësues të Shoqatave, Xhevdet Syla, Shoqata “Pavarësia” Stuttgart; Baki Mustafi, Ansambli “Pavarësia”Stuttgart, Gjylije Lecaj, sekretare „Qëndra Kulturore Shqiptare“ Stuttgar; Xhafer Leci Kryetar Nderit dhe Taxhidin Bakija, kryetar, Shoqata,”Kadri Zeka “në Nürtingen. 

     Ne nga shoqata “Studentë dhe Akademikë Shqiptarë Stuttgart e.V.” ju ftojmë, përzemërsisht, në galën e mbledhjes së fondeve të organizuar nga ne nën moton “Një ardhmëri për fëmijë” – “Një e ardhme për fëmijët” 

     Me gala, ne dëshirojmë të mbështesim organizatat që promovojnë mundësitë dhe kushtet arsimore për fëmijët dhe të rinjtë në vendet shqipfolëse – në frymën e Shoqatës sonë. 

Programi i mbrëmjes ka në fokus kulturën shqiptare.
– Muzika tradicionale Çifteli
– Film i shkurtër i shoqatës ASAS e.V.
– Shfaqje me poezi
– Duke kënduar
– performancë kërcimi
– Ekspozitë arti…
Wendlingen,05.02.2023 

Presidentja Osmani takoi Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi është pritur në takim nga Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në takim me Kryeministrin Abazoviq, Presidentja Osmani vlerësoi lart fqinjësinë me Malin e Zi, për të cilën kontribuojnë komuniteti shqiptar në këtë shtet dhe ai malazez në Kosovë.

Forhåndsvisning av bilde

Presidentja Osmani tha se për Kosovën, Mali i Zi është një partner, te i cili ka gjetur mbështetje në vazhdimësi dhe shfaqi shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se forcimi i vazhdueshëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për mbështetjen e shteteve mike si Mali i Zi.

Presidentja Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është me rëndësi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, ndaj ritheksoi rëndësinë e mbështetjes nga Mali i Zi.

Forhåndsvisning av bilde

Me Kryeministrin Abazoviq, Presidentja Osmani diskutoi edhe për zhvillimet aktuale në rajon me ç`rast vuri theks të veçantë në tendencat e Rusisë dhe Serbisë për destabilizim të Kosovës, Malit të Zi dhe rajonit. Presidentja Osmani ka kërkuar qëndrim të unifikuar kundrejt tendencave për destabilizim dhe ka theksuar se synim i përhershëm i Kosovës është paqja dhe stabiliteti i vendit dhe rajonit.

Forhåndsvisning av bilde

Në takim u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Forhåndsvisning av bilde

Kryeministri Kurti takoi Ambasadorin Michael Carpenter, Përfaqësues i Përhershëm i ShBA-ve në OSBE

0

Prishtinë, 7 shkurt 2023 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka takuar Përfaqësuesin e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Ambasadorin Michael Carpenter.

Gjatë takimit u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe OSBE-së.

Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, u diskutua edhe për zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon.

Duke folur për proceset dhe çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe temat e tjera të ndërlidhura, Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.

Forhåndsvisning av bilde

Kryeministri Kurti tha se propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara. 

Presidentja Osmani në vizitë zyrtare në Mal të Zi, pritet me nderime të larta shtetërore nga presidenti Milo Đukanović

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidenti Milo  Đukanović.  

Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme, teksa të dy presidentët shprehën gatishmërinë për thellimin e tyre. 

Forhåndsvisning av bilde

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosovën dhe Malin e Zi i lidhë përkushtimi i dyanshëm për të ardhmen euroatlantike. Ajo theksoi se integrimi i plotë i Kosovës dhe Malit të Zi në strukturat euroatlantike nuk është vetëm opsion, por është një domosdoshmëri. “Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar në arritjen e këtij qëllimi ekzistencial, duke luftuar çdo përpjekje të atyre që kërkojnë të na pengojnë në këtë rrugëtim dhe tentojnë të minojnë progresin tonë” – tha Presidentja Osmani. 

Forhåndsvisning av bilde

Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se tendencave të Rusisë dhe aleatit të saj, Serbisë për destabilizim të rajonit, duhet t`i kundërvihen të dy shtetet. 

Në takim, Presidentja Osmani ka marrë mbështetjen e Presidentit  Đukanović për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare. 

Forhåndsvisning av bilde

Duke vlerësuar mbështetjen e Malit të Zi, Presidentja Osmani ka falënderuar homologun  Đukanović për kontributin e shtetit të tij gjatë vitit 1999, kur shkaku i luftës në këtë shtet u strehuan refugjatë nga Kosova.  

Presidentja Osmani tha se kjo histori dhe e tashmja janë në funksion të forcimit të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve dhe se Mali i Zi është jo vetëm shtet fqinj, por edhe aleat i rëndësishëm për Kosovën. Sipas Presidentes Osmani, Mali i Zi dhe Kosova janë partner në bashkëpunimin rajonal dhe se stabiliteti i të dy vendeve është në funksion edhe të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor. 

Forhåndsvisning av bilde

Të dy presidentët, kanë diskutuar edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Presidentja theksoi se komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka shërbyer si urë lidhëse ndërmjet dy vendeve dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në pavarësimin e Malit të Zi, ndërkaq komuniteti malazez në Kosovë poashtu është pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe shtetit tonë, duke vazhduar kontributin e tyre për Kosovën sovrane me të ardhme të qartë euro-atlantike.  

Forhåndsvisning av bilde

Në takim u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit jo vetëm në politikën e jashtme, por edhe në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. 

Një diskë, që nuk është vetëm pllakë gramafoni!

Në foto: Nexhmije Pagarusha 

Nga Bajram SEFAJ

– Pas kushedi sa vjetësh pune të suksesshme estrade, kësaj interpretueseje të mirënjohur, më në fund, iu botua e para disk i madh – long play! – Botuesit – Radiotelevizioni i Beogradit dhe Lidhja turistike e Kosovës bashkë, ia kthejnë borxhin artistes 

 (Enkas për lëxonjësit e “Flakës”, botuar më  27 nëntor 1974). Riprodhohet me rastin e përvjetorit të shkuarjes në amshueshmëri të artistes. 

Në kohën tonë, të sotmen tonë, të lumtur e të gëzuar gjithsesi, kur kënga, kur arti muzikor na ka pushtuar të gjithëve, duket pak e çuditshme, jo e zakonshme, të thuret një shënim, një raport i angazhuar, pri nga mbi titulli i lartshënuar. Lexuesit më të ri (e të nderuar) të gazetës sonë, ndoshta do të më thonë  buzagaz, derisa nga raftet e tyre i nxjerrin albumet, long e singël, stereo e ku ta di unë fare së çfarë disqesh të reja të  Roling-stonesve,  Xhimi Hendriksëve (i Grupit “Mi” “YU” e kështu me radhë.  Prindërit e këtyre fëmijëve të shkapërderdhur pas tërë atij deti disqesh që vijnë e kah vijnë, duke ngritur, në këtë mënyrë, disko grafinë në piedestal të një branshe të rëndësishme industriale, besoj se në anën time janë… 

Nuk është kjo pllakë e zakonshme gramafoni…! 

Djem e vasha të reja (më lejoni t’ju drejtohem kështu) tërë ata këngëtarë e këngëtare, që i përmenda e që nuk i përmenda, kush djallin ua di emrin të gjithëve – tëra ato grupe e ato AVI – ansamble të shumta që botën muzikore në këmbë e ngritën sa herë ashtu si erdhën, furishëm e brenda ditës. Lënë pas vetes ndonjë skandal e, lamtumirë. 

Ejani, prandaj, të bimë në ujdi – unë nuk kam kah të iku nga Terry Xheksi e, lutja ime, në raftet tuaja të gjendet edhe disku i madh, edhe e të madhes – Nexhmije Pagarusha. Jo, nuk është kjo as reklamë, as propagandë. Sepse, nuk është këtu fjala për disk të zakonshëm gramafoni. Nuk është fjala për mall të zakonshëm.  Nexhmije Pagarushës, artit të saj, nuk i duhet kurrfarë reklame! Diskun nuk ka asgjë që mund ta zhdukë, as koha, as kohërat. Ai nuk vjetërsohet, as nuk pluhuroset, as nuk harrohet… Nexhija jeton në ne, me ne, ajo pret gjenerata të reja e të reja, me këngë i pret, me këngë i përcjell.  

Të shohim se ç’ thotë, ç’ shënon letrari ynë,  Esat Mekuli, në  mbështjellësen e këtij disku, të këtij disku që nuk është vetëm disk gramafoni: 

Rrafshi – rrethuar malesh vigane: me Sharrin njomak dhe të vrazhdët 

Bjeshkë të Nemuna, me Kopaonikun shpatullgjerë… 

Rrafshi – që s’kapet me sy! Në katër anë:  

Verës, i praruar nga grunajat e pjekura valëvitëse, dimrit, në argjend i shkrirë nga bora, që hije i ka si bukuroshes rrobat e nusërisë, në pranverë, si rrallë ku, ngjyrë ngjyrësh nga lulëkuqet dhe lulet e tjera, nga behari i kopshteve dhe plantacioneve, nga blerimi i ngjyrosur kudo. Në vjeshtë, i ngjirur nga këngët, i skuqur – buçitëse i rënduar nga dasmat dhe bereqeti… 

Rrafshi – që, bashkë me bukuritë e tjera, e lindi dhe e rriti edhe Nexhmijen.  

Rrafshi – ku shekujt që ndërrojnë dhe e reja shpërthen pa u ndalur.   

Kubet e kishave, xhamive dhe hamameve - të lashta sarajet dhe kullat – fortesa të sundimtarëve pranë kasolleve varfanjake, por edhe – soliterët e lartë dhe siloset, tymtarët e hedhur të fabrikave, fshatrat e reja dhe qytetet,  

Autostradat që maten me lumenj: Drinin dhe Sitnicën,  Bistricat dhe Ibrin… Pra, në këtë laramani bukurish dhe kohësh, kur ja thotë këngës Nexhmija – disi të pahit edhe pikëllimi i kurbetçinjve, edhe shkrumbi i të provuarve të të drejtave, dhimbja dhe rebelimi i dikurshëm, mospajtimi me padrejtësi dhe robëri, dhe – hareja e ditëve të sotme dhe hovi, i paparë i punës në liri të njerëzve të vëllazëruar që janë më të bukur e ndërtojnë për të gjithë… 

Kosovën – të cilën duhet ta shohësh e ta përjetosh, e ta ndjesh me tërë qenien… Pse ai  që njëherë e sheh, do t’i mbetet në zemër përherë – dhe natyra e saj, edhe njerëzi bujarë të saj, edhe vallet e këngët e saj, që mahnitin gjithkënd i cili i sheh dhe i dëgjon. 

Në këto bukuri, në atë vrer dhe këtë gazmend, mbiu dhe u rrit në artiste vërtet 

interpretuese – Nexhmije Pagarusha… Ajo që, gjuhën e shpirtin tonë për fshat  

pjellore dhe male  flladitëse tona.  

Pikëllimin e thellë për kurbetçinjtë që s’kthehen më, për të shpërngulurit,  

Dashurinë që, askund si këtu, në këngën e Nexhmijës, nuk të çon peshë, nuk të 

larton… 

Sepse – Nexhmije Pagarusha është, kjo thuhet moti: Bilbili i Kosovës, bilbil i këngës sonë në këtë truall! 

                                                                                                              (Esad Mekuli) 

Citat jo ky, por tekst i përshkruar tërësisht, prapë do të më akuzojë një pjesë e lexuesve. Ashtu është – më mungon fuqia të ndërpres atë rrjedhë 

të qetë e të fuqishme, atë fjalë të matur  që digjet në ngrohtësi. Të këpusësh këtë varg të kulluar poetik e të sakatosh me tri pika në fillim e po aq në mbarim, do të thotë të këpusësh këngën e Nexhmijes në akordin më të bukur, në frazën më të gjallë… 

Sepse – Nexhmije Pagarusha, nuk është vetë “bilbil i këngës sonë në këtë truall” – sikurse thotë poeti.  

Nexhmije Pagarusha, për të cilën njohësit e artit muzikor, thonë se ka zë të kristaltë, të kulluar – zë bilbili, me sukses shumë të madh  – eci e eci. Në shumë podiume të njohura të vendase e të botës mbarë – me shpërblimin më të dashur, me shpërblim ndër shpërblimet – më të dashur, me shpërblim ndër shpërblime – me duartrokitje entuziaste u shpërblye. Kështu eci Nexhmije Pagarusha prej Tunizisë në Itali, prej Italisë në Çekosllovaki, prej Çekosllovakisë në Shqipëri e kudo andej shtegtoi bilbili i këngës popullore – Ambasadore kënge!  

Dhe – çdo kund, ama bash çdo kund, kudo qoftë, Nexhmia gjeti miq të vërtetë të muzikës, këngës… i gostiti ata, për t’i lënë me gishtërinjtë në gojë kritikët që me skepticizëm se atje në tribunë – mbretëreshë e këngës është duke u rritur.   

Dhe – ngado që u kthye Nexhmija, u kthye ballëhapët e krenare. Sepse – në mënyrë të denjë e prezentoi këngën tonë popullore, koloritin e begatshëm të folklorit tonë në thesar… 

Kush është sot cikërrimtar e të bëj hesap se që kur në skenë u ngjit Nexhmija, e kur para mikrofonit doli…  

Dihet  – që nga dita kur në gji na vloi kënga – që nga ditët e para, pra, të çlirimit, të prirë nga Nexhmije  Pagarusha -  ia them këngës.  

Një jetë, pra, le të quhet këngë, le të quhet Nexhmije… 

Në muhabet, në kuvendim, më tepër spontan, gjersa në bufenë e Teatrit Popullor Krahinor në Prishtinë, bisedonim mbi “Akordet muzikore 74, që ja po vijnë me zë të qetë. Nexhmija më në fund, ka botuar long – play – disku i madh.  

Me gjersa marr kafenë e promocionit, ne fytyrën e Nexhmijes tonë madhe, vërej një zymti. E kuptoj atë dhe e ndjej atë zymti – në duet bashkë me të, veç që nuk filloj të akuzoj: A thua vallë, pikërisht tri decenie u desh të presim që punën e një artisteje të merituar, artisteje të popullit, ta kurorëzojmë me një disk? 

E “arnon” Nexhmija rrëfimin lidhur me botimin e këtij disku, të cilin tani, për fat të mirë, e kemi në duar, njashtu sikurse e kanë “arnuar”  botuesit (Produksioni i disqeve i RTV të  Beogradit  bashkë me Lidhjen Turistike të Kosovës, janë mbledhur copa gati të vjetruara dhe të grisura, të shiritave të magnetofonit, në të cilët, para shumë vjetësh, janë incizua dhe – kështu ia kanë dalë në krye të kompletojnë një disk, na thotë Nexhmija. Çudë, vërtet çudë, themi na, pse Radio Prishtina, ku pothuaj se lindi e u rrit Nexhmija, vërtet është e pavdekshme si artiste  por, mjerisht jo edhe si krijesë njerëzore. Si u bë, pra, që më azhure, më e kujdesshme të jetë Lidhja Turistike (çdo respekt asaj) e Kosovës, ndaj Nexhmijes se sa njerëzit e kulturës, njerëzit e muzikës çfarëdo qofshin ata, në të vërtetë çfarë duhej të ishin ata të Radio-Prishtinës. Veprat e vlershme çfarë janë këto të Nexhmijes, duhet të incizohen dhe të ruhen për mot e jetë. Por, gëzon e dhëna se, hiç vuajtjet e botuesit, në dritë ka dalë një vepër e madhe, bukur, solemne, një vepër e denjë emrit dhe reputacionit të kësaj artistje të nivelit më të lartë…  

Në këtë disk (premierën e të cilit e shënojmë edhe me këtë tekst modest) të përgatitur për mrekulli, nuk janë të botuara 12 melodi, por 12 vepra të spikatura të artistes sonë të madhe,  të pavdekshme… 

Deklarata e tretë është mbi Lirinë fetare “DIGNITATIS HUMANAE” – Për Dinjitetin Njerëzor    

0

Nga: Dom Lush Gjergji, Prishtinë

Koncili i Dytë i Vatikanit (1962 – 1965)  

Kjo Deklaratë e KDV mbi dinjitetin njerëzor është shumë e rëndësishme dhe ka parime dhe përmbajtje gjithënjerëzore.  

Dokumenti ka këtë strukturë:  

Para thënie nr. 1. 

Aspektet e përgjithshme të lirisë fetare nr.  – 7. 

Liria fetare në dritën e zbulimit nr. 8 – 14. 

Përfundim nr. 15.  

Dokumenti Dignitatis Humanae për parim bazë ka këtë: çdo njeri si qenie njerëzore është i krijuar i lirë prej vetë Zotit, pra, ka të drejtë në liri, mbi të gjitha në lirinë fetare. Kështu janë shprehur etërit e Koncilit të Dytë të Vaikanit me 7 dhjetor 1965, duke votuar dhe aprovuar  këtë Deklaratë. 

Kjo e drejtë vjen prej vetë Zotit, por ajo duhet të sanksionohet edhe nga ligjet pozitive civile. Ky Dokument ishte përpunuar gjatë dhe në hollësi në 5 versione para se të sprovohej.  

E drejta e lirisë fetare si imunitet ishte propozuar nga Papa i atëhershëm Pali VI. Ai në audiencën gjeneralë më 28 qershor 1965 ndër të tjera kishte thënë: “Ju do të shihni në pjesë të madhe këtë doktrinë themelore të përmbledhur në dy propozime të famshme: në çështje fetare askush mos të jetë i penguar! Askush mos të jetë i detyruar!” (nemo cogatur, nemo impediatur).  

Dinjiteti i personit apo “qeniet njerëzore po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshme në kohën tonë bashkëkohore dhe po rritet numri i atyre që kërkojnë të veprojnë me nismë të tyre, duke ushtruar lirinë e tyre të përgjithshme, të shtyrë prej ndërgjegjes së detyrës…” (DH 1)  

Liria fetare nuk është vetëm personale, por edhe për bashkësitë. “Liria fetare i përket çdo personi, u përket sigurisht atyre edhe kur veprojnë në formë bashkësinore… Po ashtu grupeve fetare u përket e drejta që të mos pengohen me ligje apo me akte administrative të pushtetit civil për të zgjedhur, edukuar, emëruar dhe transferuar mbarështuesit e vet…, si dhe të drejtën për të mësuar dhe për të dëshmuar publikisht fenë e tyre, me zë dhe me shkrim…”  (DH 4)  

Liria fetare i përket familjes (Khs. DH 5), dhe shteti, pushteti nuk ka të drejtë “me dhunë apo me frikë apo me ndonjë mjet tjetër dëshmimin e një feje çfarëdo apo mohimin e saj, pengimin për të bërë pjesë në një grup fetar apo largimin prej tij…” (DH 6)  

Mirëpo edhe liria, prandaj edhe liria fetare ka kufijtë e vet sipas rregulloreve apo ligjeve  morale dhe pozitive civile: si e mira e përbashkët, kërcënimi apo rrezikimi i rendit publik. “Qenieve njerëzore u njihet liria më e gjerë e mundshme, si dhe liria e tyre nuk duhet të kufizohet, përveç atyre rasteve kur dhe sa është e nevojshme.” (DH 7)  

S’ka liri pa edukim të mirëfilltë, “që të dinë t’i binden autoritetit  të ligjshëm dhe ta duan lirinë e vërtetë, domethënë qenie njerëzore që të jenë të aftë për të bërë gjykime personale në dritën e së vërtetës…, për të ndjekur gjithçka është e vërtetë dhe e mirë, bujarisht të gatshëm për të bashkëpunuar për këtë qëllim me të tjerët.” (DH 8)  

Zoti është burimi dhe zbulimi i lirisë fetare, “në dinjitetin e personit… Madje, një doktrinë e tillë mbi lirinë i ka rrënjët e veta në Zbulimin hyjnor… Dhe mbi të gjitha, liria fetare në shoqëri është në përkim të plotë me lirinë tipike të aktit të fesë së krishterë.” (DH 9)  

Modeli i përsosur i lirisë fetare është Jezusi dhe apostujt, që thotë se erdhi “të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë” (Mt 10, 45), duke ndarë pushtetin civil prej atij fetar: Jepni Cesarit çka i përket Cesarit e Hyjit çka i përket Hyjit” (Mt 22, 21)…, por edhe më parim të qartë të përparësisë së Zotit, “pasi nuk ka pushtet që nuk vjen prej Hyjit… dhe “duhet që më tepër të dëgjohet Hyji se sa njerëzit.” (Vap 5, 29) (DH 11)  

Numri 13 i kushtohet lirisë së Kishës me këto fjalë: “Pra, ka harmoni mes lirisë së Kishës dhe lirisë fetare, që duhet të njihet si një e drejtë për të gjitha qeniet njerëzore dhe për të gjitha bashkësitë dhe që duhet të sanksionohet në rendin juridik të shoqërisë civile.” (DH 13)  

Papa Gjon Pali II ndër të tjera thotë: “Koncili i Dytë i Vatikanit paraqet një liri të jashtëzakonshme për Kishën dhe një fazë vendimtare të historisë  së saj të re. Dinjiteti Njerëzor është pa dyshim një ndër dokumentet  më revolucionare… duke hapur rrugët për dialogun e frytshëm të Kishës dhe të botës...” (Vatikan, 30 vjetori i Dokumentit DH, 1995)  

Papa Benedikti XVI thotë: “KDV pranon apo njeh të drejtën themelore të lirisë fetare… Martirët e Kishës së parë dhe të çdo kohe, kanë vdekur për fenë e tyre, për Zotin që ishte zbuluar në Jezu Krishtin dhe kështu kanë realizuar edhe për lirinë e ndërgjegjes dhe për lirinë e shprehjes apo dëshmisë së fesë së tyre…” (Vatikan, 22 dhjetor 2005)  

Pa Françesku thotë: “Arsyeja pranon në lirinë fetare të drejtën themelore të njeriut që reflekton për dinjitetin e lartë…Ajo është një sfidë në botën e globalizuar… Liria fetare është një e mirë dhe begati për mbarë njerëzimin.”  

DH ia mundëson njeriut takimin me të Vërtetën dhe Dashurinë, me ndërgjegje, Njeriu – arsyeja, ndërgjegjja, liria fetare, kërkimi i të vërtetës, janë disa  pika themelore të këtij Dokumenti.  

Prishtinë, 7 shkurt 2023 – Radio Maria – Kosovë

Mjeshtri i shpifografisë, Profesor Pirro Prifti

0

Prof.dr.Eshref Ymeri

Shpifja godit zakonisht njerëzit me dinjitet, ashtu si puna e krimbave që parapëlqejnë t’u turren frutave më të mira.

Xhonatan Suift 

Gjatë shtegtimit nëpër faqet e internetit, për herë të parë hasa fare rastësisht në Portalin “Zemër Shqiptare” të datës 21 shtator 2022, ku lexova reagimin e Profesor Pirro Priftit, me titull “Një kujtesë për ateistin komunist Eshref Ymeri”, ndaj artikullit tim “Shakaja serioze e Pirro Priftit”, të botuar po në këtë Portal më 16 shtator 2022.  

Reagimi i Profesor Pirro Priftit përbën një arsenal të tërë shpifjesh në adresën time, të cilat nuk e nderojnë si intelektual, si mjek e aq më tepër edhe me titullin profesor. Nuk e di nëse këtë arsenal shpifjesh ia ka bërë të ditur ose jo bashkëshortes së nderuar dhe fëmijëve të tij të dashur, ashtu sikurse nuk jam i sigurt nëse do t’ua japë për të lexuar edhe këtë Esenë time antishpifografike apo jo. Nuk e besoj se do t’ua japë. Sepse Profesori Pirro Prifti nuk është burrë me rr të fortë, ai është thjesht bur. Për arsye se ata që janë burra me rr të fortë nuk e njohin absolutisht zejen e shpifografisë.

Ai shkruan:

  1. “Eshrefi ka harruar se nga ka ardhur”.

Jo, ore Profesor i shpifografisë, nuk kam harruar absolutisht se nga kam ardhur. E kam shumë për nder që, siç ia kam bërë të ditur edhe n\ëntë vjet më parë, prejardhjen e kam nga Smokthina e Vlorës, nga fshati Mesaplik, një zonë me tradita atdhetarie. Jam i biri i Hasan Ymerit (1890-1970), veteran i Luftës së Vlorës, i dekoruar në vitin 1965 me Medaljen “Për veprimtari patriotike”. Gjyshja e tij, Kale Hodja, ka qenë e bija e Hodo Ali Nivicës, bashkëluftëtar i Zenel Gjolekës dhe i Tafil Buzit në kryengritjen antiosmane të mesit të shek. XIX. Stërgjyshërit e Babait tim, vëllezërit Lulo dhe Mukë Bajrami, kanë qenë bashkëluftëtar të Bilbilenjve të famshëm të Progonatit të Kurveleshit dhe, bashkë me ta, me urdhër të valiut të Janinës, janë varur në Rrapin e Janinës. Rapsodi smokthinjot, Xhevit Zeneli, ka botuar një libër, kushtuar trimave smokthinjotë. Në atë libër janë edhe vargjet:

Lulua me Mukë Bajramë

Gji në gji e dhanë xhanë.

Unë vij, gjithashtu, edhe nga koha e diktaturës së egër komuniste, që vendosi në vendin tonë kryekrimineli Enver Hoxha, njeriu askush, pa kulturë universitare. Pikërisht një nofkë të tillë i pati vënë Mustafa Kaçaçi në Konferencën e Labinotit të marsit 1943, ku i qe drejtuar publikisht me shprehjen:

“Ti Enver ke qenë askushi”. 

Kurse Mustafa Gjinishi, po në atë konferencë, duke iu drejtuar me gishtin tregues, i tha:

“Ti Enver je një tradhtar”.

Duke qenë askushi, kryetradhtari i vendit tonë Enver Hoxha, si kryeargat i serbosllavizmit, pasi hodhi në dorë të gjitha pushtetet me patericën e Beogradit pas 28 nëntorit të vitit 1944, për shkak të kompleksit të tmerrshëm të inferioritetit, shfarosi tërë elitën intelektuale që kishte studiuar në universitetet perëndimore. Po përmend si shembull  njërin nga përfaqësuesit e asaj elite të shquar – Ibrahim Biçaku. Ai i kishte përfunduar studimet në dy fakultete në Vjenë, por kryekrimineli Enver Hoxha e shndërroi në pastrues të banjave të Elbasanit​.

  1. Duke m’u drejtuar mua, Profesor Pirro Prifti deklaron se unë paskam luajtur“me dy porta njëherësh, duke bërë gola në kohën e diktaturës, dhe në demokraci…”.

Kjo është një shpifje e kulluar. Të nxjerrësh nga pena kësisoj fjalësh, duhet të nisesh nga fakte konkrete. Se vetëm faktet, vetëm e vërteta janë dhe duhet të jenë yll karvani për një intelektual me dinjitet dhe me personalitet shembullor. Gjatë diktaturës unë s’kam botuar në shtyp as edhe një rresht të vetëm për t’iu servilosur diktaturës apo kryediktatorit. Me këto fjalë, Profesori Pirro Prifti mua nuk më rëndon, vetëm më revolton.

Po ashtu, pas diktaturës, në të ashtuquajturën demokraci, së cilës, unë, i vetmi, në disa analiza të mia, i kam vënë nofkën “demoshëmti”, nuk i jam drejtuar askujt me elozhe ose lëvdata. Jam shprehur mirë për Prof.dr. Berishën, sepse është i vetmi nga politikanët që ka mbrojtur dhe vazhdon të mbrojë Kosovën dhe ka denoncuar marrëveshjen e fshehtë të Ramës me Vuçiçin në Nish për copëtimin e Kosovës. Për atë marrëveshje Profesori Pirro Prifti është patjetër në dijeni, se e ka denoncuar edhe Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

III. Profesor Pirro Prifti shpif kundër meje, kur më përfshin në atë listën prej 120 mijë bashkëpunëtorësh të sigurimit, të larguar “nga sytë këmbët nga Shqipëria, që të mos i zërë mallkimi i popullit për zullumet që kishin bërë”. Ky Profesori Pirro Prifti pse nuk flet me fakte konkrete se kur “qenkam larguar nga sytë këmbët për të mos më zënë mallkimi i popullit”, pse nuk shprehet hapur, po me fakte konkrete, se çfarë “zullumesh i paskam bërë” popullit tim, cili popull “më paskej mallkuar” dhe për cilat “zullume”?.

Unë nuk kam bërë kurrfarë zullumesh kundër popullit tim, sepse jam bir, nip dhe stërnip patriotësh, siç e përmenda më lart. Po ashtu, daja im, Selim Tahiri, dhe xhaxhai im, Baxhul Ymeri, janë dëshmorë të luftës dhe eshtrat e tyre prehen në varrezën e dëshmorëve në Vlorë. Unë nuk jam larguar nga atdheu im nga sytë këmbët, siç shpif Profesor Pirro Prifti. Në fillim të viteve ’90, kur u pa që “veprat” e përkthyera të kryediktatorit, si edhe ato që qenë botuar në gjuhën shqipe në 71 vëllime, do të përfundonin në karton apo në pirgun e mbeturinave, Rektori i Universitetit të Tiranës, Akademik Prof.dr. Et’hem Lika, më 01 janar 1992, më riktheu në detyrën e pedagogut në fakultet, për çka i kam qenë dhe i jam shumë mirënjohës sa të jem gjallë. Aty vazhdova punën,  derisa dola në pension më 01 shtator 2003. Edhe pas daljes në pension, nuk u largova nga atdheu “nga sytë këmbët”, siç shpif Profesor Pirro Prifti. Këtu në Amerikë kam ardhur te fëmijët pasi dola në pension, pra, në vitin 2003. Që asokohe kam ardhur disa herë këtu në Amerikë dhe përsëri jam kthyer në atdhe. Herën e fundit kam qenë në Tiranë në periudhën maj-qershor 2021.

  1. Profesor Pirro Prifti përsëri shpif kur shkruan;

“… edhe z. Eshref  e ktheu shpejt timonin dhe me ndihmën po të atyre njerzve, doli si bukinist i madh, përkthyes i madh nga rusishtja, dhe filloi të shajë Rusinë  (Serbinë e gjithë lindjen) pikërisht aty ku dhe studjoi në Rusi”.

Unë nuk kam kthyer kurrfarë timoni. Se nuk e kam pasur kurrë në edukatën prindërore dhe në karakterin tim ta kthej gunën nga fryn era. Profesori Pirro Prifti shpif pa iu skuqur faqja se nuk i vjen aspak turp nga vetja për gënjeshtrat me bisht që hedh në qarkullim. Sigurisht që shpif, sepse fakte konkrete nuk ka për të përmendur ata njerëzit që “më paskan ndihmuar” të bëhem “bukinist i madh, përkthyes i madh nga rusishtja…”.

Unë rrugën e jetës e kam çarë vetëm me aftësitë e mia, se prindërit e mi nuk kanë pasur kurrë ndonjë mik me pozitë të lartë. Dhe po të kishin pasur, ata kurrë nuk do t’ia lejonin vetes të ndërhynin, se më patën edukuar që rrugët e jetës t’i çajë vetëm me shpatullat dhe me aftësitë e mia.

Timonin e ka kther vetë Profesori Pirro Prifti, i cili, si ortodoks, bashkë me grigjën e tij ortodokse, braktisi Kishën e Nderuar Ortodokse Shqiptare Fanoliane dhe përqafoi filialin e kishës ortodokse greke, me në krye Janullatosin. Pra, Profesor Pirro Prifti ka shkelur mbi Amanetin e Nolit të Madh për mbrojtjen e Kishës Sonë Ordodokse nga kisha greke, tradicionalisht armiqësore ndaj kombit shqiptar, nga kisha e djall Kozmait, i cili, me fermanin e sulltanit të errësirës otomane në xhep, bridhte nëpër trojet tona etnike, duke mallkuar gjuhën tonë, Shqipen tonë Hyjnore. Profesor Pirro Prifti ka fyer rëndë veprën e pasardhësve të Nolit, si Visarion Xhuvani dhe Kristofor Kisi, ka shkelur mbi gjakun e martirëve të Ortodoksisë Sonë, si Atë Stath Melani, Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi dhe të tjerë.

Ky Profesor Pirro Prifti a e di kuptimin  e fjalës bukinist, të cilën e ka futur këtu fare kuturu? Meqenëse ai nuk i paska dijet e duhura në kulturën gjuhësore, po e sqaroj se ç’do të thotë kjo fjalë.

Kjo fjalë ka dy kuptime. Në kuptimin e parë përdoret si term historik dhe do të thotë: tregtar që merret me blerjen dhe me shitjen e librave të përdorur, të rrallë dhe të vjetër.

Në kuptimin e dytë përdoret si term në tregti dhe do të thotë: shitës librash.

Atëherë ç’lidhje ka kjo fjalë me mua, sipas mendjes së Profesor Pirro Priftit?

Profesorit Pirro Prifti i dhembka shpirti që unë kam demaskuar politikën shoviniste të Rusisë dhe të Serbisë kundër kombit tonë.

Pra, ja ku fleka lepuri: Profesor Pirro Prifti qenka simpatizant i Rusisë dhe i Serbisë dhe prandaj shprehet me kaq qejfmbetje ndaj meje. Këtu lindin dy pyetje:

            E para: Profesor Pirro Prifti nuk e paska ditur dhe nuk e ditka ende që Rusia dhe Serbia kanë qenë dhe mbeten armiq tradicionalë të kombit shqiptar? Kam parasysh politikën e këtyre dy shteteve në raport me kombin shqiptar.

            E dyta: Ku e paska burimin dhe si shpjegohet kjo simpatia e tij për Rusinë dhe për Serbinë? Se simpatia për Rusinë dhe për Serbinë s’është gjë tjetër, veçse tradhti. E kam ditur me kohë që Profesor Pirro Prifti ka rënë në batakun e servilizmit dhe të shpifografisë, por tani, me simpatinë e tij për Rusinë dhe për Serbinë, e vërtetuaka vetë që qenka rrokullisur edhe në batakun e tradhtisë.

            Prandaj Profesori Pirro Prifti s’ka reaguar kurrë ndonjëherë ndaj thirrjeve fashiste të tifozëve të tërbuar serbë nëpër shkallët e stadiumeve: “Vrite, digje, there shqiptarin, shqiptari i mirë është shqiptar i vdekur”! 

            Profesori Pirro Prifti nuk pati reaguar absolutisht edhe ndaj thirrjve të ushtarëve fashistë grekë në paradën festive të Greqisë, të cilët ulërinin me zë të lartë:

            “Me zorrët e shqiptarëve do të bëjmë lidhëse këpucësh!”.

            Asokohe patën reaguar intelektualë me vetëdije të lartë kombëtare, midis tyre edhe unë. Reagoi asokohe edhe i ndjeri poet i talentuar Arben Duka, me poemën Grek o grek…!”, nga e cila më janë ngulitu në kujtesë vargjet:

            “… dhe i donin zorrët tona / për oshkure per nallona / pse kështu, o cipeplasur, / shume urrejtje paski pasur”.           

Unë kam dërguar për botim një libër me më shumë se 400 faqe, me titull “Shqiptarët përballë politikës rusomadhe”. Atje kam përfshirë analiza, në të cilat, mbështetur në fakte konkrete, kam nxjerrë në pah politikën e hershme të Rusisë kundër kombit shqiptar, që prej Kongresit të Berlinit (1878) deri në ditët tona. Një pjesë të analizave ua kam kushtuar edhe ngjarjeve pas sulmit të ushtrisë fashiste ruse kundër Ukrainës.

            Për Serbinë kam botuar disa analiza për politikën e saj antishqiptare. Por  Profesorit Pirro Prifti nuk i paska lënë kurrfarë mbresash fakti që historiani i njohur, Profesor Hakif Bajrami, citon priftin serb Nikollaj Velmiroviç, i cili, në vitin 1942, ka deklaruar:

“Atë që po bën sot Hitleri kundër hebrenjve, atë e ka bërë Shën Sava  (1169–1236) në mesjetë kundër arbanasëve, që nuk donin të konvertohen në sllavë” (Citohet sipas: “Pse Serbia sot është në ofensivë defaktorizuese ndaj Republikës së Kosovës”. Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 11 dhjetor 2020).

Profesorit Pirro Prifti nuk i paskan bërë kurrfarë përshtypjesh faktet tronditëse që renditen në materialin me titull “Vrasja e 500 mijë shqiptarëve nga serbët, si u gjet libri i austriakut, botuar më 1913”. Faqja e internetit “alpenews”. 19 mars 2018.

Profesorit Pirro Prifti nuk i ka ngjallur asnjë emocion masakra e Tivarit, ashtu si nuk i paskan bërë përshtypje fare krimet e bishës fashiste serbe gjatë viteve 1990-1999.

Pra, me simpatinë e vet të ndezuar për Rusinë dhe për Serbinë, Profesor Pirro Prifti ndjek traditën e majtizmit shqiptar, të përfaqësuar nga partia komuniste, e cila, si puna e asaj femrës së përdalë që kalon nga njëri dashnor te tjetri, e ndërroi emrin nga komuniste, në të pu(dhu)nës dhe mandej në socialiste. Prandaj me simpatinë për Serbinë, Profesor Pirro Prifti ndjek me zell porosinë e “themeluesit” të asaj partie, kryeargatit të Beogradit Enver Hoxha, i cili ka deklaruar:

“…Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshalit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugosllavia. Po të studjojmë historinë e vërtetë të popullit tone.., do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë.” (Citohet sipas: “Pjesë të fjalës së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin e IV të rinisë popullore”. Gazeta “Bashkimi”, 22 gusht 1947).

            Enver Hoxhës, të verbuar nga tradhtia, si kryeargat dhe kryeservil i Beogradit, nuk i ngjallnin kurrfarë emocionesh tronditëse krimet barbare të serbosllavëve në mesjetë dhe në vitet 1912-1913. Ai anashkalonte paturpësisht masakrën e Tivarit, sepse vetë, si kryekriminel i lindur, ka bashkëpunuar me serbosllavizmin e Titos për kryerjen e asaj masakre të përbindshme

  1. Profesor Pirro Prifti thotë se kam shkruar tre libra. Pra. sipas këtij Profesori të shpifografisë, unë “vetëm këto tre libra paskam” në iventarin e punës sime mbi 50-vjeçare!!!
  2. Profesori Pirro Prifti, duke vazhduar serinë, e shpifografisë, shkruan:

“…ajo që e dëmtoi më shumë pensionistin Eshref ishte ndrrimi i sistemeve, sepse i u çorientua  busulla  që i tregonte drejtësinë e fjalës së partisë dhe të shokut Enver që e deshte dhe aq shumë…”.

Me këto fjalë shpifëse, intelektuali Profesor Pirro Prifti a është vallë i vetëdijshëm që ka zbritur në nivelin e bërllokut, e vulgut të shoqërisë? Me çfarë e vërteton ai “dashurinë” time për krykriminelin Enver Hoxha dhe për partinë e tij kriminale, e cila e përçau dhe e varfëroi rëndë popullin tonë përmes përbindëshit të luftës së klasave?

Për dijeninë e lexuesve të nderuar me vetëdije të lartë kombëtare, urrejtjen në heshtje kundër partisë dhe kryekriminelit të saj Enver Hoxha, mua ma pati futur në gjak Babai im i nderuar që në vitin 1948, kur isha 10 vjeç. Ja se si:

Vëllai im i madh, Sefua, atë vit kishte mbushur 21 vjeç dhe, ashtu si të rinj të tjerë, iu përgjigj thirrjes për të shkuar vullnetar për gjashtë muaj në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë dhe Peqin-Elbasan. Kur u kthye pas gjashtë muajsh, prindërit u gëzuan shumë dhe nëna na shtroi një darkë të mirë. Kur ishim duke ngrënë, Babai dhe Selfua pinë edhe nga një gotë raki. Kur Babai ngriti gotën për t’i uruar mirëseardhjen, Selfua i tha:

“Baba! Në hekurudhë unë hyra në parti”.

Babai uli gotën, nënqeshi me ironi dhe, paksa fytyrëvrenjtur, iu drejtua vëllait:

“Po ç’t’u desh, more bir, që paske hedhur një litar në fyt?”.

Që gjatë viteve të luftës, Babai, në heshje, kish filluar t’i urrente komunistët në Smokthinë, sepse kishte krijuar bindjen që ata ishin kriminelë, se vrisnin njerëz të pafajshëm, siç kishin vrarë babain e shokut tim Agron Deliaj, me të cilin kemi qenë shok në një klasë gjatë viteve të gjimnazit (1955-1959). Komunistët kishin vrarë baxhanakun e Babait tim, Murat Hasimin, i cili nuk kishte shkelur as mizën me këmbë. E vranë nga smira, nga zilia, se Murati kishte një dyqan fare të vogël në Vlorë, ku kishte punësuar një varfanjak. Meqenëse Murati vishej me kostum dhe këmishën e mbante me kravatë, meqenëse kishte sjellë nga Vlora një gramafon dhe në familjen e tij ushtonte muzika, një komunist që banote në një kodër, përballë shtëpisë  së Muratit, sa herë dëgjonte tingujt e muzikës, shpërthente nga inati: në shtëpinë e Muratit filloi kuja. Një ditë të bukur, njësiti gueril e arrestoi, e çoi diku lart, në rrëzë të malit të Çipinit, dhe e pushkatoi, kur ai të shoqen, tezen time, e kishte shtatzanë, ishte fëmija i parë. E shkreta teze, e tronditur rëndë nga vrasja e të shoqit, lindi vajzë para kohe, por ndërroi jetë në lindje e sipër. Vajzën jetime ia rritën prindërit dhe dajat

Në vitin 1956 kishte filluar fushata për kolektivizimin e Bujqësisë. Një ditë, në verë, kur po hanim drekë, Babai tha:

“Këta komunistët qenkan të bijtë e djallit, duan të na marrin tokat dhe bagëtitë dhe të na kthejnë në argatë të shtetit”.

Pra, Eshrefi nuk është nga ata, të cilit, siç shpif Profesori Pirro Prifti, “iu  çorientua  busulla  që i tregonte drejtësinë e fjalës së partisë dhe të shokut Enver që e deshte dhe aq shumë…”.

Ata që kishin për busull “drejtësinë e fjalës së partisë dhe të shokut Enver, që e deshën aq shumë”, Profesori Pirro Prifti të mos i kërkojë tek unë, se s’ka ç’gjen, por le t’i kërkojë mes atyre që i kanë bërë hosana publike kryekriminelit Enver Hoxha, si Ismail Kadare, sipas të cilit, “kur flet Enveri, retë shmangen me nderim”, ose si i ndjeri Dritëro, që shkroi vargjet “Nexhmije Hoxha, dibrania guximtare, / Erdhi si Shqiponjë në Konferencën e Partisë, / Do të luftonte tërë jetën krenare, / Përkrah “Shpatit”, viganit të Shqipërisë!”, apo poemën”Elegji për Enver Hoxhën”, ndërkohë që populli i varfër i qyteteve tona dergjej në radhë para shitoreve të bulmetit që në orën 12:00 të natës për një pako gjalpë apo për një shishe qumësht.  

VII. Profesor Pirro Prifti lëshon kundër meje shpifjen më monstruoze, nga ato më të përbindshmet që mund të shpikë mendja e një të lajthituri, çka nuk duhej ta shpikte mendja e një intelektuali me titullin Profesor.

“… pensionisti Eshref ishte  një anëtar i denjë i PPSH”.

Po unë s’kam qenë ndonjëherë komunist! Këtë shpifje të ulët, Profesori Pirro Prifti e pati bërë publike edhe 11 vjet më parë, në Portalin “Tribuna Shqiptare” të datës 12 gusht 2012, ku më quante “komunist”.

Më 08 gusht 2012, në Portalin  “Tribuna Shqiptare” të moderatorit të nderuar, zotërisë Ajet Nuro, ishte botuar analiza ime me titull “Historiani grek Nikolas Stavros:“Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX””. Këtë deklaratë e ka bërë në librin e vet, me titull “Grekët dhe ballkanasit e rinj”.

Katër ditë më vonë, më 12 gusht, vjen reagimi i profesorit të shpifografisë Pirro Prifti, i cili më sulmonte egërsisht dhe më vinte nofkën “komunist”. Dhe unë ia dhashë përgjigjen që meritonte, duke demaskuar shpifjen e tij.

Pra, ndërkohë që historiani grek Nikolas Stavros ka deklaruar publikisht se kisha ortodokse shqiptare ka kaluar në pronësi të shtetit grek, Profesori Pirro Prifti, në shpifografinë e vet kundër meje, e mbështeste historianin grek dhe më sulej mua me fjalët: Eshrefi “derdh lot krokodili për KOASH-in tonë”, duke u tallur edhe me lexuesit, kur dihej që kisha ortodokse nuk mund të quhej më KOASH, se ajo tashmë ishte në pronësi të shtetit grek dhe të kryekomisares së tij, kishës ortodokse greke. Me deklaratën e vet, historiani grek nënvizonte një fakt konkret, që buronte jo nga mendja e tij, por nga qeveria greke dhe kisha greke. Aq më tepër që shqiptaro-amerikani, Gary Kokalari, shumë vite më parë, pati deklaruar: “Janullatosi është kolonel i shërbimit sekret grek (Gazeta “Shekulli”, 06 qershor 2006). Dhe nënkuptohet që një kolonel grek, i fshehur pas veladonit të priftit, nuk mund të jetë kurrësesi kryepeshkop i kishës ortodokse fanoliane.

Pas sulmit që Profesori Pirro Prifti kishte ndërmarrë kundër meje asokohe, unë pata menduar gabimisht se ai qenkej thjesht një simpatizant i Janullatosit. Por në njërën prej faqeve të internetit, të cilën nuk e kisha pikasur më parë, lexova informacionin në vijim, të botuar nëntë vjet më parë. Aty thuhej:

“Kam përcjellë qe disa vite shkrimet e Pirro Priftit dhe kam arritë me kuptue se ky  njeri asht sherbëtorë i qarqeve antishqiptare të politikave greke…” (Citohet sipas: Selim Nëngurra. “Pirro Prifti, krahu i djathtë i Janullatosit të Greqisë”. Faqja e internetit “Zemra Shqiptare”. 31 tetor 2014).

Pra, Profesor Pirro Prifti nuk qenka thjesht simpatizant i Janullatosit, ai qenka kryekomisar i tij, domethënë, atij duhet t’i jetë ngarkuar një detyrë me rëndësi në rrjetin agjenturor grek, kundër interesave kombëtare të vendit tonë. E falënderoj zotin Selim që më zbuloi të vërtetën.

Kështu, është e dyta herë që Profesori i shpifografisë Pirro Prifti më prezanton publikisht sikur kam qenë komunist.

Dikur m’u bë presion të bëhesha komunist, por nuk pranova dhe e pagova shtrenjtë me një vit e gjysmë pa punë.  

Kur mbarova Fakultetin në vitin 1966, si studenti më i mirë në mësime, shefja e katedrës, e ndjera Vitore Ballvora, docente, Profesoresha ime shumë e nderuar, meqenëse ushqente respekt për mua, i  kërkoi dekanatit të fakultetit dhe rektoratit të universitetit që të më emëronin pedagog. Ata pranuan. Fillova punë më 01 shtator 1966. Në katedër kisha kolege një komuniste, e cila vëllain e kishte me pozitë në parti. Gjatë një viti të tërë, ajo më kërkoi të bëja dokumentet për të hyrë në parti. Kërkesa e saj nuk kishte të bënte me simpatinë për mua, ajo thjesht donte të më kishte në organizatën e partisë në anën e klanit të saj, se ajo biçim organizate ishte e ndarë në klane. Unë nuk pranova, për arsyet që  shpjegova më lart. Kërkesa e saj e vazhdueshme erdhi e u kthye në presion. U vura në pozitë të vështirë dhe, duke iu druajtur ndonjë pasoje të paparashikuar, vendosa të plotësoja anketën e pranimit, e cila kishte përmasat e katër faqeve të  gazetës “Zëri i popullit”. Pasi e plotësova, ia dorëzova sekretarit të organizatës. Ai e futi në kasafortë. Sipas rregullit të brendshëm të asaj partie, anketa nuk mund të më jepej më. Pas dy ditësh, u pendova, se kujtova fjalët e Babait. Shkova te sekretari i organizatës dhe iu luta të ma kthente se doja t’ia jepja edhe motrës për ta pasur si model për plotësimin e anketës së saj (sigurisht që e mashtrova). Ai u zu shumë  ngushtë, megjithatë ma dha. E mora dhe kur shkova në shtëpi, e dogja në sobë. Kolegia komuniste u bë bishë. Një mbrëmje ajo shkon tek i vëllai dhe i thotë:

“Në universitet kemi pedagogë që nuk duan të hyjnë në parti”.

Ishte shtatori i vitit 1976. Kishte filluar fushata për zgjedhjet në organizatat dhe komitetet e partisë. I vëllai i koleges vjen i deleguar në komitetin e partisë të universitetit. Pas përfundimit të zgjedhjeve, ai merr fjalën dhe, ndër të tjera, thotë:

“Kemi të dhëna se në universitet paska pedagogë që s’duan të hyjnë në parti. A e meritojnë këta pedagogë të punojnë si edukatorë në universitet?”.

Gjatë vitit akademik 1976-1977, u përgatit në heshtje hakmarrja kundër meje.

Në një mbledhje kolektivi, pasi u fol për probleme të ndryshme të fakultetit, më sulmuan egërsisht. Në mbledhje kishin ftuar dhe një studentin tim, i cili shpifi, sikur sillesha shumë ashpër me studentët dhe i ngarkoja me shumë detyra. Sigurisht që e kishin yshtur paraprakisht kundër meje. Në diskutimin tim thashë:

“Nuk është e vërtetë që me studentët sillem ashpër, e vërteta është se me studentët jam i rreptë dhe u jap mjaft detyra mësimore, sepse dua që ata t’i ngre në nivelin tim. Se po të jem i butë, liberal, atëherë do të zbres unë në nivelin e tyre”.

Madje më sulmoi edhe një tjetër kolege e katedrës, e yshtur edhe ajo, me të cilën nuk kisha pasur kurrë fërkime. Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi se kolegia komuniste, në bashkëpunim me dekanatin, organizatën e partisë dhe zëvendësrektoren e universitetit, e kishin kopsitur mirë hakmarrjen ndaj meje.

Më 20 gusht të vitit 1977, më thërret shefja e kuadrit të universitetit, e cila më dorëzoi vendimin, sipas të cilit isha transferuar në Kukës, me “justifikimin” se isha emëruar pedagog direkt nga bankat e fakultetit, pa punuar fillimisht në bazë. Unë shkova në Kukës, takova zëvendëskryetarin e komitetit ekzekutiv, zotërinë Jorgo Çollaku, i cili mbulonte sektorin e arsimit. Ai më priti shumë mirë, me mjaft edukatë intelektuale, prandaj e kujtoj me shumë respekt. I thashë se erdha për korrektesë, por në Kukës nuk mund të punoj se dimri është shumë i ftohtë, prandaj i theksova se do të kthehem në Tiranë për të ndërhyrë në institucionin përkatës për të më ritransferuar në ndonjë rreth në jug të vendit. Dhe u ktheva në Tiranë. Kërkova takim me sekretarin e parë të komitetit të partisë të Tiranës, Simon Stefanin. Më priti shumë vetullngrysur, pa lëvizur absolutisht nga kolltuku. Ndoshta e kishte zor të çohej, sepse tryeza i vinte deri në nivelin e mjekrës. Ai as që ia vuri  veshin fare shqetësimit tim. U largova shumë i dëshpëruar, dhe, si kokëfortë që isha për qëndrimin e padrejtë që ishte mbajtur ndaj meje, vendosa të rri pa punë.

Një vit më vonë, në shtator të vitit 1978, në Redaksinë e përkthimeve në gjuhë të huaja në Shtëpinë botuese “8 Nëntori” filloi puna intensive për përkthimin e disa “veprave” të Enver Hoxhës. Në sektorin e rusishtes të asaj Redaksie nuk mjaftonin përkthyesit. Përkthyesi dhe redaktori i atij sektori, i ndjeri Myfit Mushi, dikur përkthyes gojor mjaft i talentuar i Enver Hoxhës në Konferencën e partive komuniste në nëntor të vitit 1960 në Moskë, nguli këmbë deri te SevoTarifa në Institutin e Nexhmijes në komitetin qendror, që të më emëronin mua përkthyes në atë sektor. U kërkua dosja ime nga Kukësi. Por ngeci puna. Sepse hakmarrësit e fakultetit dhe të universitetit, në dosjen time paskeshin vënë një shënim, në të cilin qe shkruar që dosja të mos lëvizte kurrë nga Kukësi. U desh ndërhyrja e instruktorit të kuadrit në komitetin qendror, zotërisë Xhevdet Pata, për dërgimin e dosjes, e cila erdhi në zyrën  e kuadrit të shtëpisë botuese. Por hakmarrësit ndaj meje në fakultet dhe në universitet s’lanë gur pa lëvizur. Ata nxitën dikë që drejtoria e shtëpisë botuese të mos më pranonte në punë.  Megjithatë, edhe kjo hallkë hakmarrjeje u kapërcye me ndërhyrjen e Sevo Tarifës dhe unë fillova punë si përkthyes më 26 mars 1979, pas një viti e gjysmë pa punë.

            VIII. Kur më bëri “komunist”, Profesori Pirro Prifti e përsosi edhe më tej mjeshtërinë e shpifografisë, duke thënë, se unë, si “komunist” i shpikur prej tij, “detyrat që më kishte vënë” partia, i paskam zbatuar “deri në një sidomos prishjen e kishave dhe xhamive në 1967”. Mirë do të ishte që Profesori Pirro Prifti të citonte ndonjë “thirrje” apo “ndonjë shkrim timin”  për ato prishje, të përmendte ndonjë kishë apo ndonjë xhami, në themelet e të cilave unë “paskam vënë kazmën për t’i shkatërruar”. Sepse me “fakte konkrete” do ta pasuronte së tepërmi arsenalin e shpifografisë, në mënyrë që për lexuesin të bëhej “shumë më tepër i besueshëm”.

  1. Në vazhdim të epopesë’ së shpifografisë, Profesori Pirro Prifti del atje ku i dhemb më shumë:

“… z. Eshref nga ateist i përbetuar, filloi të besojë tek Zoti dhe për këtë goditjen e parë ja dha KOASH-it”.

            Unë nuk kam qenë kurrë ateist, se prindërit i kam pasur mjaft besimtarë, të cilët, sa herë që uleshin të hanin, të shkonin të flinin apo sa herë që çoheshin nga gjumi, gjithmonë i faleshin Zotit. Të  njëjtin ritual kam ndjekur dhe vazhdoj ta ndjek edhe unë.

Unë e kam theksuar me kohë, siç e përmenda edhe më lart, se ajo kishë, të cilën Profesori Pirro Prifti e quan KOASH (kisha ortodokse autoqefale shqiptare), nuk është kishë shqiptare, ajo kishë është FKOG (filial i kishës ortodokse greke), sepse kishë e pavarur shqiptare nuk ekziston më, përderisa në krye të saj është një kryepeshkop grek. Kishë shqiptare quhet vetëm KOPSHF (kisha ortodokse e pavarur shqiptare fanoliane). Por kjo kishë, po e përsëris,, nuk ekziston. I vetmi Nikoll Marku Elbasani dhe disa ortodoksë të tjerë të nderuar, mbrojnë kishën ortodokse fanoliane, mes të cilëve dallohet miku im, Petro Luarasi, i biri i Profesorit të Madh dhe Nacionalistit të Shquar Skënder Luarasi, nip i njërit nga Kryeheronjtë e Ortdoksisë Shqiptare, Petro Nini Lauarasi, të cilin, ashtu si Papa Kristo Negovanin dhe të tjerë Korifenj të Ortodoksisë Sonë të  Nderuar, na e vranë paraardhësit e Janullatosit. Por Atë Nikoll Marku dhe përkrahësit e tij janë të braktisur krejtësisht nga shteti, i cili nuk e gëzon konkretisht statusin e shtetit të pavarur lidhur me kishën ortodokse, sepse ligjin e bën Janullatosi, guvernatori faktik grek në Shqipëri, prandaj edhe kryeministrin Rama, për fatkeqësinë tonë të rëndë kombëtare, e kemi të dekoruar me medaljen e lartë të kalorësit të helenizmit.

  1. Profesori Pirro Prifti, deklaron:

“Ky Prof. Eshrefi… gjeti armikun që ka penguar Shqipërinë dhe në çdo rast sa herë që sheh shkrimet e mia nuk përton ti shajë (jo ti kritikojë, se kështu e kanë andej nga fshati)”.

Së pari, shkrimet e Profesorit Pirro prifti unë nuk i kam sharë, vetëm i kam demaskuar, sepse andej nga fshati dinë vetëm ta demaskojnë atë që gënjen, mashtron dhe shpif. Sigurisht, sepse andej nga fshati nuk ia kanë haberin mjeshtërisë së shpifografisë së atyre intelektualëve nga qyteti, të cilët i përkasin kallëpit të Profesorit shpifograf Pirro Prifti.

Së dyti, Profesori Pirro Prifti e ka fjalën  për kryeagain e tij Rama, servilin e Vuçiçit, kriminelin e Kosovës, sepse Ramën e vlerëson lart, si kalorësin e helenizmit.

Unë për Ramën kam folur vetëm me gjuhën e fakteve, prandaj e kam quajtur kryetradhtar të kombit shqiptar, për çka mjafton vetëm takimi i tij i fshehtë me Vuçiçin në Nish për copëtimin e Kosovës.

Interesante! Po si është e mundur që këtij Profesorit Pirro Prifti nuk i paskan ngjallur asnjë shqetësim seritë e analizave të shkëlqyera të Profesorit mjaft të mirënjohur Enver Bytyçi, i cili i ka qarë ato “rezonancat magnetike” që i ka bërë Ramës? S’i kanë bërë përshtypje, sigurisht, se, për servilin, kryeagai i tij “nuk ka asnjë të metë, është qelibar”. Prandaj edhe ka shpalosur tërë arsenalin e shpifografisë kundër meje, se servilizmin e tij ndaj kryegait të tij Rama ia kam  shprehur publikisht. Duke iu servilosur Ramës, kryetradhtarit të Kosovës, Profesori Pirro Prifti bën kauzë me të në tradhti.

Profesori Pirro Prifti është plotësisht solidar me  Ramën, i cili ka hyrë në vitin e dhjetë që po i bën  gjëmën  shumicës dërrmuese të popullit tonë nëpërmjet diktaturës së varfërisë, mjeti më i përshtatshëm për shpopullimin e vendit, që është në përputhje të plotë me strategjinë serbogreke të vitit 1844. Dhe Rama, si argat i serbogrekëve, jo më kot është duke e vënë në zbatim këtë strategji të gjëmshme. Prandaj Profesorit Pirro Prifti i vjen shumë në osh strategjia e shpopullimit që po zbaton kryetradhtari Rama dhe domosdo që nuk mund t’i bëjnë kurrfarë përshtypjeje të vërtetat tragjike që shpalosen në analizën e Profesorit të nderuar Lush Susaj, i cili shkruan:

“Në Shqipëri, sistemi i korruptuar është ndërtuar dhe ushqyer për vite me radhë me anë të dhunës dhe imoralitetit shtetëror e politik. Tashmë grabitja është shfaqur në trajtën e korrupsionit elektoral, legjislativ dhe ekonomik, ku pjesa më e madhe e shoqërisë varfërohet, degradohet dhe dëbohet nga Shqipëria” (Citohet sipas: “Dëbora që ‘ngriu’ fasadën e rrugëve dhe përmbytjeve nga korrupsioni”. Faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 23 janar 2023).

Profesor Pirro Prifti nuk e njeh këtë realitet tragjik në vendin tone.. Sigurisht që s’mund ta njohë, se e ka verbuar servilizmi që ushqen ndaj kryeagait të tij Rama.

Në bindjen e patundur të çdo qytetari, varfërimi i shumicës dërrmuese të popullit, është akti më i lartë i tradhtisë që kreu i qeverisë kryen ndaj tij.

  1. Në shpifografinë e vet, Profesori Pirro Prifti, jo pa nota ironie, përmend pleqërinë time. Unë dëshiroj që Profesor Pirro Prifti të mos ketë kurrë pleqëri, të rrojë sa Mathusaili i legjendës biblike, që ka jetuar deri në moshën 969 vjeç, në mënyrë që të jetë përherë, ashtu si deri tani, i fortë, plot shëndet, energjik, me aftësi krijuese shpifografike. Sepse shpifografia përbën një gjini të veçantë në letërsinë politike. Kjo lloj letërsie zë fill që nga kryekrimineli Enver Hoxha, i cili hodhi themelet e saj pas nëntorit të vitit 1944 dhe, në vazhdën e krimeve kundër elitave intelektuale, erdhi duke e pasuruar gjithnjë e më shumë gjatë një periudhe gjysmëshekullore, duke ia lënë në trashëgimi partisë së Ramës, për të cilin Profesori Pirro Prifti përgjërohet aq shumë.

Dëshiroj që Profesori Pirro Prifti të mos pësojë gjë në jetë, pas shpifografisë që ka bërë publike kundër meje. Por ka diçka që e vlen të theksohet: Hynia, me sa dihet nga përvoja jetësore, sikur i ndëshkon ata që bëjnë mëkate, sidomos ata që gënjejnë, mashtrojnë dhe shpifin. Ja, fjala vjen, ata katër veta që përmenda më lart, të cilët gjatë një viti menduan se si të më bënin gjëmën, Hyjnia i dënoi rëndë: dikush e mbylli jetën me një këmbë të prerë nga diabeti, një tjetër u largua për në atë botë me dy këmbë të prera nga diabeti, personi i tretë, një ditë të bukur, pati rrëshqitur në trotuar dhe qe rrëzuar në asfalt. Aty kaloi një veturë me shpejtësi dhe i shtypi pëllëmbën e dorës së djathtë, e cila i mbeti e paralizuar dhe nuk shkruante dot. Atij pesonit të katërt ia shkurtoi jetën kanceri. Dikë tjetër, jashtë fakultetit, që deshi të më groposte, Hyjnia e ndëshkoi shumë rëndë, çka nuk do t’ia dëshiroja as armikut më të rrezikshëm.

Profesori Pirro Prifti, si mjek me karrierë të gjatë, si njëri nga anëtarët me peshë të kopesë së servilëve, të cilët jargosen për Ramën nëpër studiot televizive, të ketë kujdes për kryeagain e tij, se mos i shpifet ndonjë shqetësim shëndetësor pas atij  Skandalit McGonigal. Të ketë parasysh një gjë: Syrit të Hyjnisë nuk i shpëton asgjë, sepse Ajo e ka ndjekur me shumë vëmendje epopenë e bëmave të fshehta të Ramës për shpalljen “i padëshirueshën” në Amerikë të Prof.dr. Sali Berishës. Prandaj në Shqipen tonë Hyjnore, që së lashti, përdoret ajo fjala e urtë me kuptim të thellë filozofik: “Nuk mbetet hak pa larë!”.

Paskëtaj, në analizat e mia, Profesorit Pirro Prifti, sa herë të shpifë dhe të mashtrojë për shkak të servilizmit të tij ndaj kujtdo që mendon dhe punon kundër vendit tonë, si puna e kryetradhtarit Rama, do t’i drejtohem vetëm me shprehjen “Profesori i shpifografisë, Pirro Prifti”.

Mendoj se është grumbulluar mjaft material për veprimtarinë e Profesorit Pirro Prifti, si krahu i djathtë i Janullatosit, material që do të ishte mirë të përmblidhej në një libër për botim, me titullin “Profesori i shpifografisë”, sepse, sipas të gjitha gjasave, shpifografinë ai e ka në gjak. Si një intelektual me paha të madhe dhe me kulturë të gjerë në shumë fusha të dijes, Profesori Pirro Prifti, me sa duket, që kryeherazi, e paska bërë të vetën shprehjen e famshme “Shpif, shpif, se diçka do të mbetet”. Domosdo, se  kur shpifjet vazhdojnë për një kohë të gjatë, diçka do të arrijë të lërë gjurmë, të merret si e vërtetë. Këtë shprehje, Profesori Pirro Prifti e  ka skeduar nga latinishtja “calumniare fortiter, aliquid adhaerebit”.  Aq më tepër, ajo i është ngulitur edhe më mirë në kokë kur ka lexuar monologun e don  Bazilios në komedinë “Le Barbier de Séville” (Berberi i  Seviljes) (1775) të dramaturgut francez Bomarshe (Pierre-Augustin Caron de Beaumarchais – 1732 – 1799):  “calomniez, calomniez, il en restera toujours quelque chose!”.

Pikërisht kjo shprehje do të ishte mirë ta përshkojë si një fill i kuq përmbajtjen e librit të lartpërmendur, kushtuar Profesorit të shpifografisë Pirro Prifti.

Kaliforni, 01 shkurt 2023