Kreu Blog Faqe 1172

Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë shtetërore të ngritjes së Flamurit për 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

0

Vlorë, 28 Nëntor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë shtetërore të ngritjes së Flamurit me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga Republika e Shqipërisë në qytetin historik të Vlorës.

Forhåndsvisning av bilde

Pas ceremonisë, së bashku me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe krerët institucionalë të Republikës së Shqipërisë, Presidentin Bajram Begaj, Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe Kryeministrin Edi Rama, vendosën kurore lulesh dhe bënë nderime pranë varrit të Ismail Qemalit.

Forhåndsvisning av bilde

Gëzuar Dita e Flamurit dhe 110 Vjetori i Pavarësisë!  

0

Nga: Gani Qarri

Sot edhe për pjesëmarrje në festën e mëvetësisë kombëtare, shqiptarët e Kosovës duhet t`ia paguajnë tagrin Edi Ramës!  

Kryepeshkopi i Shkupit Lazër Mjeda dhe gazetari vjenez Leo Freundlich e quanin gjeneralin gjakatar serb Bozhidar Jankoviq, i cili në vjeshtën e vitit 1912, komandonte Armatën e Tretë serbe për pushtimin e tokave shqiptare dhe daljen në detin e Shqipërisë, si përgjegjës për krimet më ç ‘njerëzore që janë kryer nga okupatorët serb kundër popullsisë civile në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa gazeta angleze “Daily Telegraph” shkruante se mizoritë e kryera ndaj shqiptarëve, nga trupat okupuese serbe të gjeneralit Jankoviç”, kanë tejkaluar të gjitha tmerret e historisë!  

Megjithatë, përkundër krejt veprimeve krimo-gjenocidiale, që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve në trojet e veta autoktone, për shkak të vëllazërisë me nxënësin e kasapit Millosheviq, kriminelin Aleksandër Vuçiq, Edvin Kristaq Rama kërkon nga Kosova që ti harrojë edhe krimet e gjenocidin, si dhe të vrarit e të kidnapuarit shqiptar, mbi 1600 trupa të të cilëve edhe mbi 23 vite pas lufte Vuçiqi vazhdon ti mbaj peng në Serbi, duke lënë në pritje me varre të hapura, për afro një çerek shekulli familjet e tyre, që të kenë një vend të dinjitetëshëm amshimi,ku mund ti kujtojnë bijtë e vet, përjetësisht në Kosovë.  

Madje si për koincidencë, pikërisht në vendin ku në nëntor të vitit 1912, Isa Buletini dhe Mehmet Derralla ndaluan avancimin e armatës së tretë okupuese serbe të gjeneralit gjakatar Bozhidar Jankoviq, që Ismail Qemali të mund të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë në Durrës, ashtu siç ishte marrë vesh me austriakët, sot sivëllai i Vuçiqit, siç vazhdon ta quaj veten me “krenari”, Edvin Kristaq Rama, ka vendosur “postblloqet” taksimi, dhe pasardhësit e Isës, udhëheqës qeverie, kryetar partish e deputet të Kuvendit të Kosovës, duhet ta paguajnë tagrin, edhe kur nisen për të marrë pjesë në festën kombëtare të Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë!  

Duke qenë se, sot është ditë gëzimi për të gjithë ne, urojë nga zemra Gëzuar dhe për shumë mot 28 Nëntori-Dita e Flamurit dhe festa jonë më e madhe kombëtare, që bënë bashkë të gjithë shqiptarët në atdhe dhe kudo në botë, ku ata jetojnë e qëndrojnë me punë, shkollim e vendbanime.

Dita e Flamurit Kuq e Zi, i cili në të gjitha kohët, ishte dhe do të mbetet përjetësisht, frymëzimi më shkëlqyes shpirtëror e kombëtar, për të gjithë shqiptarët atdhedashës dhe patriot.  

Datë e shenjtë, që para së gjithash na kujton heroin mbarëkombëtar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun i cili gjithmonë mbeti vetëm Mbret i Shqiptarëve dhe Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae) duke mos pranuar asnjëherë emërtime të huaja as tituj të huazuar nga armiqtë.  

Kryeheroi që u bë shembulli më pietik, për shqiptarët kudo, se si duhet dashur atdheu, të cilin veçanërisht Rilindësit tanë e ndoqën me shumë besnikëri, si dhe mbarë patriotët e luftëtarët e kombit që luftuan e ranë, për çlirim nga okupimet e huaja, për krijimin e Shqipërisë Etnike, si shteti i vetëm dhe atdheu i përbashkët natyral në trojet autoktone të shqiptarëve!  

Flamuri autentik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, simbol i identifikimit dhe bashkimit mbarëkombëtar, i cili që nga fillimi i përpjekjeve për liri e deri te shpallja e pavarësisë kombëtare me 1912, gjithmonë dhe kurdo edhe në momentet më të vështira, qëndroi kurdoherë në ballë të luftërave për liri dhe përpjekjeve të pareshtura për çlirimin e atdheut tonë të përbashkët!  

Prandaj me këtë datë të shenjtë, ne kujtojmë me pietet dhe respektin më të lartë 578 vjetorin e ngritjes së po këtij Flamuri nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujën heroike, 110 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe të gjitha personalitetet më të shquara të kombit dhe aktet e tyre më të larta atdhetare, vepra e të cilëve mbetet shembulli më hyjnor dhe trashëgimia më e çmuar e dukshme dhe e prekshme në të gjitha trojet shqiptare.  

Heronjtë e paharruar që me punën, luftën dhe trimëritë e tyre, në periudhat më tragjike të së kaluarës tonë të vështirë, arritën që ta mbrojnë me nder, krenari e dinjitet vendin dhe kombin tonë duke na bërë të mbetemi shqiptar, një popull i bashkuar me një gjuhë, traditë e një flamur edhe pse të ndarë e të copëtuar padrejtësisht në disa shtetet në rajon, ta ruajmë edhe sot historinë e vlershme, traditën dhe identitetin tonë të pacenuar kombëtar e territorial, në të gjitha tokat tona etnike, ku jetojnë shqiptarët.  

Prandaj 28 Nëntori, ashtu siç është një festë gëzimi për ne, është edhe një datë e shënuar, kujtimi e falënderimi me plot respekt dhe pietet të pafund, për të gjithë të rënët, që nga viti 1878 e këtej, të cilët u përpoqën e luftuan pareshtur për lirinë e atdheut, bashkimin kombëtar dhe jetën me dinjitet të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, në atdhe dhe botën mbarë.  

Kështu që edhe me rastin e këtij 28 Nëntori, si në çdo përvjetorë të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë Etnike, me kënaqësi dhe gëzim të veçantë, shpreh urimet e mia më të mira dhe më të përzemërta, kombit tim, për Datën historike të ngritjes së Flamurit të Skënderbeut dhe Ditën e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, duke uruar nga zemra, që sa më parë të realizohet ëndrra e kamotshme e popullit tonë për bashkimin e të gjitha trojeve tona etnike dhe jetësimin e Shqipërisë Natyrale, ku përjetësisht do të festonin të lirë dhe të bashkuar të gjithë shqiptarët!

Një histori nga Drama e Madhe e Nëntorit 1912

0
Në foto: Heroi i kombit Shaban Polluzha
Nga: Blerim Latifi, filozof nga Prishtina
______
Pasi nuk ia kishte dalë të ndalonte serbët për të marrë Prishtinën, Isa Boletini me një pjesë të luftëtarëve të tij ishte tërhequr në drejtim të Vushtrrisë. Aty e kaluan lumin Sitnica dhe u nisën në drejtim të Prekazit për të kaluar natën në konakun e mikut të tij të vjetër, Ahmet Delisë. Luftëtarët e tjerë u shpërndanë nëpër katund, ndërsa Isa qëndroi me plakun e Prekazit.
Tanë natën e kaluan duke folur për gjamën e madhe që kishte ra n’Kosovë, pushtimin serb.
– Kam marrë habere se n’Shqypni asht t’ue u ba nji kuvend i madh e une duhna me kanë aty, – i tha Isa, Ahmet Delisë. – Po du qe ti me ardh shoq me mue!
Kur zbardhi dita e re të dy burrat u vunë në krye të luftëtarëve dhe nisën udhëtimin e gjatë. Kur kaluan Përroin e Keq dhe u ngjitën në rrafshlartën e Qubrelit, u ndalën për të pushuar. Midis dy burrave nisi një bisedë e vështirë.
– Duhet të kthehemi, Isa Beg! – i tha Ahmet Delia. – Qysh po shkojmë n’ Shqypni e gratë e thmitë po i lamë n’ dur t’shkaut.
– Nuk mujm me qëndru ma shumë ktu ; atje kena me u bashku e kur t’vjen Pranvera kemi me liru tanë Kosovën, – ia ktheu Isa.
Por Ahmet Delia nuk u bind.
– Ty udha e mbarë e unë po kthehna; nuk m’bajnë kambët me shku manej! – ishin fjalët e fundit të tij para se të ndahej nga Isa Boletini.
Në fillim të dhjetorit Isa Boletini u shfaq në Vlorë, ku tanimë ishte shpallur Pavarësia e Shqipërisë, ndërsa pak ditë më vonë Ahmet Delia u vra në një betejë epike me një njësi paramilitare serbe, e cila e kishte sulmuar Prekazin për ta plaçkitur e dhunuar.
Isa Boletini
Shaban Polluzha

Do të marr vaporin, do të shkoj në Shqipëri

0
FLURUDHA Daily News: Ilir Ikonomi, mes Amerikës dhe Shqipërisë
Ilir Ikonomi, Tiranë
____
Ky shkrim është botuar 110 vjet më parë në gazetën e Parisit “Le Matin” dhe flet për aktin e jashtëzakonshëm të Ismail Qemalit, shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Autor është Stéphane Lauzanne, kryeredaktori i gazetës, i cili e kishte njohur Ismail bej Vlorën në Stamboll.
〜 〜
STÉPHANE LAUZANE
Pasi luftoi pesë shekuj, Shqipëria do ta fitojë pavarësinë pa luftuar ( Paris, 4 dhjetor 1912 )
Në Stamboll, gjatë dy javëve të para të luftës, ishte një njeri i cili thuajse nuk largohej për asnjë çast nga holli i hotelit ku rrinte. Ishte trupmadh, i fuqishëm, me flokë dhe mjekër të bardhë që ngërthenin brenda tyre dy sy në ngjyrë blu të thellë dhe mjaft shprehës. Rrethohej nga një grup i vogël njerëzish që diskutonin dhe komentonin pa pushim, ndërsa ai vetë qëndronte gjithnjë në heshtje.
– Shikojeni mirë këtë njeri, – më tha një ditë një diplomat që kaloi aty pranë. Një ditë ai do të jetë kryeministër e madje kryetari i një shteti që ende nuk ekziston. Në luftën ku është përfshirë Europa, ai do të jetë fitimtar pa e shkrepur njëherë…
Kështu e njoha Ismail Qemal Beun, ose më mirë e rinjoha, sepse kisha pasur nderin ta intervistoja 12 vjet më parë në Londër. Të dielën e kaluar mësuam nga një lajm se ai sapo ishte zgjedhur Kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë.
Gjatë atyre dy javëve, kur nuk kishte ditë pa një betejë, Ismail Qemali vinte mbrëmjeve dhe më pyeste shkurt:
– Ndonjë të re?
I tregova një ditë se turqit i kishin mundur serbët (këtë e njoftuan nja dhjetë herë në Stamboll) dhe ai duket se u kënaq e më tha vetëm kaq:
– Sa mirë!
Por të nesërmen, rrota e lajmit ishte rrotulluar paksa, ashtu si ajo e fatit dhe unë i tregova se bullgarët kishin mundur turqit. Ai nuk shfaqi kurrfarë emocioni dhe më tha përsëri:
– Sa mirë!
I thashë: Si ka mundësi që, si atëherë kur turqit fitojnë, ashtu edhe kur munden qenka njëlloj mirë?
Ai vuri buzën në gaz, e vetmja buzëqeshje që i kisha parë ndonjëherë, dhe, me fjalë të qarta, serioze dhe të matura më shpjegoi mendimin e tij që ishte edhe opinioni i një populli të tërë.
– Shumë mirë, tha, sepse cilido qoftë fitimtari ose i munduri, ka ardhur ora që kam pritur gjithë jetën dhe që populli im ka pritur me shekuj – ora kur Shqipëria më në fund do të heqë zgjedhën dhe do të bëhet shtet i pavarur.
Provoni të prisni në Gadishullin Ballkanik, përgjatë Adriatikut, një rrip toke 400 kilometra të gjatë dhe 120 të gjerë, përfytyrojeni atë plot shkëmbinj, pa rrugë dhe pa ura, sa që në stinën e shirave, as karvanët nuk ecin dot nëpër shtigjet e mushkave. Përfytyroni pastaj një racë njerëzish që nuk kanë të bëjnë fare me racat sllave, greke, turke, romane, pra me askënd tjetër në Perandorinë Osmane, por që ka ruajtur pastërtinë primitive të atletit. Këtu duhet të keni parasysh se flasim për malësorët më të ashpër të botës, në luftë të vazhdueshme, por që zbatojnë megjithatë doket më të çuditshme të mesjetës, si zakoni që lejon një grua të udhëtojë e vetme nga një cep i krahinës në tjetrin pa u sulmuar apo pa u ngacmuar nga askush. Përfytyroni të gjitha këto dhe do të keni një ide për Shqipërinë.
Por e veçanta është se në këtë vend të egër, të pakultivuar dhe të ashpër, ku besimet fetare kryqëzohen në shumë sekte, ideja e kombit i ka rrënjët fort në Europë.
E pyesja shpesh Ismail Qemalin:
– Si do t’i bashkoni katolikët e veriut, myslimanët e qendrës dhe ortodoksët e jugut?
– Ata janë të bashkuar, – më përgjigjej, – nga kulti i përbashkët i atdheut, të cilin e mbajnë brenda tyre prej 600 vjetësh!
Dhe Ismail Qemali nuk ekzagjeronte aspak.
Kur dallga turke gllabëroi Azinë, në fillim të shekullit XV, dhe, pasi theu digën e Kostandinopojës dhe u përhap në Gadishull, raca që i bëri qëndresën më të fuqishme ishte ajo e Shqipërisë së lashtë, raca shqiptare. Taborreve osmane iu deshën 15 muaj për të marrë Shkodrën dhe, kur jeniçerët hynë në qytet gjetën kufoma grash mbi gërmadha. Këto ishin gra që kishin hedhur shtiza njëlloj si burrat. Por u desh shumë më tepër se kaq, u deshën 50 vjet për ta nënshtruar të gjithë vendin dhe asnjë sulltan nuk mund të mburret se e mposhti këtë vend të papërkulur.
Pesë shekuj më pas, më 1878, kur Europa, që e ka zakon të tregohet bujare me plaçkën e popujve, por dhe nuk ka frikë se këta popuj mund t’i zemërohen, i bëri dhuratë Serbisë territoret e Kurshumlisë dhe të Vranjës, ndërsa Malit të Zi i dha Gucinë dhe Plavën, një kryengritje e madhe tronditi malësinë shqiptare. U desh që Serbia të mbështetej tek armët për ta marrë dhuratën që iu bë dhe që Europa të dërgonte një flotë ndërkombëtare përpara Ulqinit, që Mali i Zi të merrte të tijën…
Shqipëria e zemëruar u kthye atëherë kundër sovranes së saj, kundër Turqisë, e cila kishte lejuar të sakatohej toka e Shqipërisë së vjetër. Shpërtheu një kryengritje e tmerrshme. Portës iu desh të dërgojë një ushtri prej 30 mijë njerëzish për të shtypur revoltën patriotike në rritje.
Më në fund, përsëri dje, kur me vullnetin e qeverisë së Turqve të Rinj, Shqipëria, e lidhur këmbë e duar, u vu përpara skuadrës së pushkatimit të Turgut dhe Shefqet Pashës, nuk munguan ofertat për ndihmë nga të dërguarit serbë dhe bullgarë për shqiptarët nën trysni. Dukej sikur shqiptarët nuk kishin rrugë tjetër veçse të hynin në aleancën ballkanike.
Por ata nuk e kuptonin kështu. Ata nuk donin të shkëmbenin një nënshtrim me një tjetër, qoftë edhe dhjetë herë më të butë. Ajo që ata donin ishte pavarësia, të cilën ndoshta më në fund do ta marrin…
Por shihni sa i çuditshëm dhe paradoksal është fati në jetën e popujve; kjo racë që ka luftuar prej gjashtë shekujsh për të fituar lirinë, do ta marrë atë pas një lufte ku ajo vetë nuk do të luftojë aspak!
Një mëngjes, (më 2 nëntor) takova Ismail Qemalin i cili po nisej me një torbë në dorë.
– Ku po shkoni kështu? – e pyeta.
– Do të marr vaporin. Do të shkoj në Shqipëri.
Para pak ditësh, siç e përmenda, dëgjuam lajmin se ai jo vetëm që kishte arritur, por që një kuvend burrash të njohur shqiptarë, i mbledhur në Vlorë, e kishte zgjedhur kryetar të qeverisë së përkohshme, ndërsa flamuri kombëtar shqiptar ishte ngritur mbi ndërtesat publike.
Me të njëjtën anije që u nis Ismail Qemali, u nisën edhe Nabi Beu, ambasadori i Turqisë në Itali dhe Hilmi Pasha, ambasadori në Austri. I pari shkonte për të vulosur paqen përfundimtare në Romë. Tjetri do të përpiqej në Vjenë të bënte të mundur shpërthimin e luftës së përgjithshme.
Ata kishin me vete valixhe të mëdha. Por bagazhi më i rëndë për nga shpresat dhe nga vendosmëria ishte ai brenda torbës së vogël të Ismail Qemalit…
Mund të jetë një imazh i teksti

Gostivari, Kuq e Zi …!

0
Fotoreportazh.
Edhe Gostivari Sot më 28 Nëntor 2022 është veshur kuqezi. Në foto Hasimi i vogël dhe simpatik me veshje kombëtare për festat e Nëntorit në këtë qytet!
May be an image of 3 people, child and people standing
E përgatiti: Emira Selimi

Diskriminim edhe në përdorimin e simboleve kombëtare në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë

0

Shkruan: Refik HASANI

Shqiptarët në Republikën e Serbisë që jetojn në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, vazhdojn të përballen duke u diskriminuar, pasi mungon rregullimi me ligjë për përdorimin e simboleve Kombëtare. Shumë qytetarë të kësaj Krahine shqiptare vazhdojn të përballen nëpër Gjykata Serbe, pse kan përdorur Flamurin Kombëtarë Shqiptarë.

Përdorimi i simboleve Kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, Kombëtare dhe ekzistenciale, por ende nuk është rregulluar përdorim me dispozita ligjore, e kështu vazhdon diskriminimi edhe në përdorimin e simboleve. Mos lejimi i përdorimit të simboleve Kombëtare, është shkelje, cenim, mohim i së drejtës elementare individuale dhe kolektive të neve shqiptarëve në këtë Krahinë, përkundër që më datën 1 e 2 marsit të vitit 1992, është organizuar dhe mbajtur Referendumi dhe ka ndodhur lufta e armatosur në mesë të UÇPMB-ës dhe forcave të qeverisë së Republikës së Serbisë.

Krahina shqiptare e mbetur padrejtësisht nënë administrimin e Serbisë, është e diskriminuar edhe në pasivizimin e adresave-një pastrim entik i heshtur,është e diskriminuar në parfaqësim në institucione Lokale dhe Qendrore të Republikës së Serbisë, është diskriminuar në zingjirin Komandues të Policisë, në Gjykata, Prokurori, Shëndetësi, Administratë Tatimore, është e diskriminuar edhe në kulturë, në informim, në investime të zhvillimin ekonomik.

Kjo Krahinë shqiptare, është e diskriminuar nuk lejohet vendosja e Shtatores së Skënderbeut në qendër të Bujanocit,dhe Lapidari i UÇPMB-ës në Preshevë i hequr nga forca policore ende nuk është kthyer në vendin e vetë. Në këtë Krahinë mungon një Institut për ruajtje të trashigimisë kulturo-historike, mungon një Universitet publik në Gjuhën Shqipe e në anën tjetër ende nuk pranohen diplomat e Republikës së Kosovës. Medvegja, Bujanoci dhe Presheva, është e diskriminuar, pasi kjo Krahinë është Rajoni më i prapambetur dhe më i diskriminuar në gjithë Evropën.

Mbi të gjitha,ky Rajon nuk e ka zgjidhur çështjen e statusit politik të shqiptarëve të kësaj krahine, prandaj vazhdon diskriminimi edhe në përdorimin e simboleve Kombëtare e jo vetëm.

Më 28.11.2022

Dy Heronjt e Flamurit, përmes Myzeqesë …

0
Nga: Naun Kule
***
DY HERONJTE E FLAMURIT PERMES MYZEQESE…
(Plaku i “zymte” ne udhen e fatit…)
-Dy nentori i vitit 1912-te ishte dite e shtune- shkruante nje gazete e Stambollit. Ishte dita kur diplomati dhe deputeti, Ismail beu, me nje “torbe” enderrash dhe projektesh, po nisej per ne Shqiperi.
-2 nentor, 1912, I.Qemali udheton Stamboll-Bukuresht
Ketu e pret ambasadori i Austrise.
-5 nentor, 1912, udheton Bukuresht-Vjene.
-10 nentor, I.Qemali flet me ambasadorin e Anglise ne Vjene
-12 nentor, udheton Vjene-Budapest
-19 nentor, 1912; udheton Budapest-Trieste-Durres.
(…Ne Trieste bleme ca thase me xhephane dhe fisheke… )
-21 nentor, 1912, I.Qemali zbriti ne Durres
-22 nentor, I.Qemali foli para popullit te Durresit
(…Ta shpallim Pavaresine pa hyre serbet ne Durres, as greket ne Vlore. Dhespoti grek i Durresit Jakovi, nuk lejoi ngritjen e Flamurit)
-23 nentor, e shtune; para hotelit ku bujti I.Qemali ne Durres, ishin shume njerez, mbi 20 kuaj,nje qerre me buaj mbuluar me rrogaz
Tek hyrja, sollen nje kal gri, lare e krehur per bukuri. Hipi I.Qemali
-Udhetuan Durres-Gose. Ketu Nebi Sefa i solli Urdherarrestin. Redifet osmane e prisnin I.beun ne Lushnje……
Kthyen per ne Çerme dhe bujten tek bejleret Biçaku.
-24 nentor, 1912, e diel, udhetuan Çerme-Libofshe.
Fjeten ne konaket e Nedin bej Leskovikut, ne Libofshe.
-25 nentor, e hene, udhetuan Libofshe-Petove. Ketu kaluan lunin Seman me lundren e Petoves. Drekuan tek Vrionet ne Fier.
-25 nentor, 1912, udhetuan Fier-Vlore, mberriten rreth ores 21oo.
-26,27 nentor, 1912, priten delegatet dhe pergatiten ditefesten.
-28 nentor, 1912, Ismail bej Qemali, shpalli Pavaresine e Shqiperise.
Isa Boletini, po ashtu:
-21 nentor 1912, niset nga Dibra drejt Elbasanit me 104 kalores.
-22 nentor, Boletini me shoke udheton Elbasan-Belsh.
-25 nentor, udheton Belsh-Lushnje. (…Populli i Lushnjes se vogel, na priti me nderime te medha…Shtruan dreke per te gjithe ne dhe ushqim per kuajt. Na i kembyen kuajt e drobolisur deri edhe kepucet e grisura me te reja… Lushnja lajmoi telegrafisht Vloren dhe Elbasanin per mberritjen tone…Keshilli vendor kishte vendosur qe te bujtim nw fshatin Imesht (prane Bubullimes). Rreth 20 myzeqare te armatosur, prin karvanin e malesoreve nga Lushnja ne Imshte.
-26 nentor 1912, Isa Boletini dhe trimat e tij udhetuan per Fier.
Drekuan tek Vrionet dhe njoftuan I.Qemalin qe ta shpallte Pavaresine edhe ne emer te tyre qe po mberrinin.
…Nga kujtimet e vet heroit, I.Qemalit, per myzeqaret:
“…Udherrefenjesit kembeholle me opinga prej lekure bualli, ishin njerez qe leviznin plot shkathtesi, sikur te vallezonin…Keta i njihnin mire shtigjet, ngecjet, baltovinat dhe kalimet e sigurta. Keta dinin mire ta udhehiqnin udhetarin ne kohe duke llogaritur sakt vonesat qe sillte moti i lig dhe kurthet e tjera te udhes…”
Kujton shoqeruesi i I.Qemalit, Dhimiter Zografi:
“…Tere ato dite binte shiu rrebesh. Qendruam nje nate ne Çerme, ne Çifligun e Dervish bej Biçakut, dhe naten tjater ne Libofshe, ne konaket e Nedin bej Leskovikut…Kur duallme ne Durres ishin 40-50 shpirt. Tuke shkuar neper fushe te Muzeqese, u beme qindra, te gjithe te armatosur me malihere…”
Pikerisht keta “kembeholle me opinga lekur bualli” e mbrojten I.Qemalin, e siguruan, e priten dhe e percollen duke e udhehequr ne shtegun e sigurte,(siç shkruan vet I.Qemali), permes fshatrave te anes perendimore te kodrave te Ardenices, ne Çerme-Shen e Premte-Kryekuq-Kamenice-Mizw-Zharrnec–Gur-Babunje-Gungas-Gogolas-Vanar-Libofshe; te gjithe fshatra rreze kodrave perendimore te Ardenices.
…..Pikwrisht ne kete dimer te eger dhe fatbardhe, Myzeqeja dhe myzeqaret behen jo vetem Udhekalimi drejt Pavaresise kombetare por edhe nje Urelidhjjeje mes Kosoves dhe viseve te tjera te Shqiperise, perfaqesuar trimerisht nga dy burrat e Flamurit, I.Qemli dhe I.Boletini…
…Mirepo, ne pesedhjete vjetet e pasluftes se Dyte, asnje fjale nuk u shkrua per keto akte trimerore te myzeqareve. Asnje fjale per mikprites e atdhetare kontribues ne kesi prgkthesash te historise shqiptare….Asnje fjale nuk u shkrua per “hotelet luksoze” te dy qyteteve dhe tri fshatrave te Myzeqese (Lushnje-Fier-Libofshe-Imesht), ku heronjte tane te Flamurit, qe e bene Shqiperine, te mezimberritur e mbledhur nder to, bujten, drekun e darkuan te mirepritur dhe te mbrojtur me trimeri nga qindra banore te kesaj krahine te cilet, e shumuan dhe e siguruan karvanin e Pavaresise, nga…(40-50 shpirt qe duallme ne Durres… Tuke shkuar neper fushe Muzeqese, u beme disa qindra, te gjithe te armatosur me malihere..”

Kreshniku kombëtar Dedë Gjo’ Luli – “Malësori që mujti”

0
Në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Ded Gjo’Luli

Përshëndetje të gjithëve…

Si zakonisht, është kënaqësi dhe privilegj për mua që gjëndem përsëri këtu në kryeqendrën e Vatrës historike të shqiptaro-amerikanëve dhe të Kombit mbarë. Ju falënderoj për ftesën për të folur, shkurtimisht, për Kreshnikun e Kombit Ded Gjo’ Lulin me malësorët, në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ded Gjo’Luli

E vërtetë se- Flamuri i Gjergj Kastriotit Skënderbeut u ngrit në Vlorë me 28 Nëntor, 1912 – dita kur edhe u shpall Shqipëria shtet më vete. Ky zhvillim i përmasave historike të Kombit shqiptar nuk ndodhi në një boshllëk kohor as nuk ia dhuroi kush shqiptarëve pavarësinë. Shumë sakrifica, luftëra dhe zhvillime ushtarake, politike dhe diplomatike i kanë paraprirë kësaj date historike të 28 Nëntorit.

Ndër këto zhvillime ishin dhe luftërat dhe kryengritjet e fiseve të Malësisë së Madhe kundër pushtimit 500-vjeçar të Perandorisë Osmane dhe ngritja e flamurit kombëtar në Deçiq – me 6 prill, 1911 -ku në vend të flamurit turk, u vendos flamuri i Kombit shqiptar – Flamuri i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut – për herë të parë në trojet shqiptare ç’prej kohës së të Përgjithëmonshmit të Kombit Shqiptar – Kryetrimit Skënderbe.

Po, kush ishte protagonisti kryesor i atyre lëvizjeve dhe cilët ishin ata trima rreth tij, që me veprat e tyre, në fillim të shekullit të kaluar, ndoshta për herë të parë në 500-vjet robëri shkaktuan përhapjen e një entuziazmi anë e mbanë trojeve të pushtuara arbërore, se shqiptarët mund të ia delnin kundër një perandorie të madhe, siç ishte ajo e pushtuesve otomanë!

Kujt ia merrte mendja se kjo histori pushtimi prej 5 shekujsh, mund të ndryshonte njëherë e mirë. Se më në fund Kombi Shqiptar po shkruante një kapitull të ri në historinë e tij: drejt një fillimi të lirisë dhe pavarësisë së tij në fillim të shekullit XX.

Kryeredakrori i Diellit Sokol Paja

Kush ishte prijsi dhe cilët ishin këta burra pashkollë, por të zgjuar e të urtë, trima dhe patriotë qëndresa kundër pushtuesve otomanë e të cilëve bëri bujë anë e mbanë Evropës së asaj kohe?

Fjala është për Ded Gjo’ Lulin, të cilin At Gjergj Fishta e kishte cilësuar si “Malësorin që mujti” dhe për “petritat malësorë” të fiseve të Veriut të Shqipërisë. Veprat e tij dhe të malësorëve, mbeten sot e kësaj dite, një akt i madh historik e patriotik që do të kujtohen gjithmonë, (të paktën në sytë e popullit të atyre anëve).

Muharrem Dezhgiu

Ata kujtohen me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale të malësorëve dhe të Kombit shqiptar kundër pushtuesve të huaj dhe armiqve të Kombit, atëherë dhe sot.

Në momentin e duhur historik, malësorët i erdhën në ndihmë Kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptaro-arbërore po jepte shpirt, e ndarë dhe e harruar nga bota perëndimore, nga ajo botë ku shqiptarët e kishin vendin aty ku e kishte para-përcaktuar, historikisht, Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu.

Elmi Berisha, Kryetari i Vatres

Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që, para Evropës, u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare për liri e pavarësi të shqiptarëve, por ata ishin edhe zëdhënësit e parë të Kombit që paralajmëruan pavarësinë, që erdhi një vit më vonë. Në të vërtetë, Ded Gjon Luli dhe malësorët e tij, ishin përfaqësuesit e Kombit ata që njoftuan botën se toka e Gjergj Kastriotit, më në fund, kishte zot.

Ismail Qemali e ka quajtur Ded Gjon Lulin, “Pushkë të ngrehur të Shqipërisë.”  Lufta serioze e malësorëve kishte gjetur menjëherë ndihmën dhe përkrahjen e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit dhe patriotëve të tjerë shqiptarë nga mbarë trojet shqiptare. Të inkurajuar nga lufta e malësorëve kundër otomanëve, më mendje-ndriturit e Kombit, në atë kohë, shkuan për t’u takuar me Dedë Gjonin dhe bashkëpunëtorët e tij në (Podgoricë) për të përpiluar Memorandumin historik që, përmbante, ndër të tjera: kërkesat për të drejtat bazë për atë kohë të Malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve.

Marjana Bulku
Marjana Bulku

Sot, një peticion të tillë, dërguar fuqive të mëdha të kohës, do ta quanim fillimi i “ndërkombtarizimit të çështjes shqiptare”.

Ishin, pra, malësorët ata të cilët në emër të Kombit shqiptar, i parashtruan botës së atëhershme të qytetëruar, kërkesat e tyre për liri dhe pavarësi, aspak ndryshe nga rasti i Kosovës, dekada më vonë – ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës e kemi quajtur, dëshmitarë e pjesëmarrës të cilës jemi. Një lëvizje e prirë me urtësi dhe diplomaci nga Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Po kush ishin malësorët, bashkëpunëtorë të Ded Gjo’ Lulit, të cilët nënshkruan Memorandumin e famshëm me kërkesat e tyre dhe të gjithë shqiptarëve, drejtuar perandorisë osmane dhe fuqive të mëdha të asaj kohe?

Mund të jetë hera e parë që, publikisht, lexohen emërat e këtyre përfaqësuesve të fiseve të Malësisë së Madhe në aë kohë, të cilët në emër – jo vetëm të krahinës a fisit të vet – por edhe në emër të mbarë Kombit shqiptar kanë nënshkruar atë që historia e njeh si, “Memorandumin e Grecës”, drejtuar fuqive të mëdha të asaj kohe. Në qershor, 1911 u mbajt Kuvendi ku u nënshkrua “Memorandumi i Greçës” me 12 pika nga të parët e Malësisë së Madhe. Emrat, as roli i tyre nuk janë aq të njohur për shumë veta, por unë do i kujtoj sot pasi e meritojnë të kujtohen, duke lexuar emrat e tyre – ndoshta për herë të parë në publik – megjithëse emrat e tyre janë shënuar në artikuj të botuar në atë kohë (siç ishte revista e njohur ‘Leka’, ‘Hylli i Dritës’ e të tjera, para Luftës së II Botërore), por edhe në ndonjë publikim të mëvonshëm.

NËNSHKRUESIT ishin: Ded Gjon Luli i Hotit, Sokol Baci i Grudës, Ded Nik Bajraktari-Vukël, Dod Preçi-Kastrat, Tom Nika-Shkrel, Cal Dedi-Selcë, Mehmet Shpendi Shalës, Gjeto Mark Ujka-Hot, Hil Mosi, Risto Siliqi, Luigj Gurakuqi- përfaqësues të Shkodrës, Lul Rapuka – Vukël, Llesh Gjergji-Nikç, Nik Mhilli-Shllak, Binak Lulashi -Toplanas, Bash Bajrami-Nikaj Mertur, Bec Delia-Dukagjin. Nënshkrues të Memorandumit ishin dhe disa prej meshtarëve të atyre krahinave, në atë kohë, si Pater Karl Prenushi, Pater Mati Prenushi, dënuar me vdekje nga komunizmi enverist, Pater Lorenc Mitroviqi, Pater Sebastian Hila, Pater Bonaventura Gjeçaj dhe Pater Luigj Bushati. (Revista Leka- Vjeti IX- 1937, Memorials des Malisores, Sir Edward Grey).

Siç thashë më lart, për brezat e rinj të shqiptarëve sot këta emra janë të panjohur. Mund të jenë edhe të mërzitshëm, të një periudhe të kaluar, por sipas At Gjergj Fishtës këta ishin, “Ded Gjo Luli, që vu sy me vdekë, a shqiptar i lirë me mbetë: me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mëdhaja – burra si motit veç që i bante lokja shqipëtarë – bjen në mal, e mbi kaki të Deçiqit ngulë Flamurin e Shqipënisë kuq e zi: zjarm e dekë, nji be ai rreh, nji be të madhe po, rreh ai në sy të qiellës e të dheut, se rob shqiptari për nën themer mizore të turkut ma kurrë, jo, kurrë nuk do të gjimonte, e as nën themër, t’atij sllavi të mënijshëm. Me atë be të shugurueshme ngeli në habi Evropa. Cetina u trand, e u dynd tanë pem’ e mëni Stambolla…dhe Malësori mujti”,- ka shkruar At Gjergj Fishta.  Malësorët – paraprijës të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – ia dolën, në krye me Ded Gjo’ Lulin!

Falë rolit dhe sakrificave të këtyre burrave të Malësisë së Madhe dhe të Kombit shqiptar, në krye me Ded Gjo’ Lulin, Shqipëria feston sot 110-vjet pavarësi. Por, megjithë arritjet e deritanishme, ëndërra e shqiptarit për të jetuar në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet, të bashkuar në demokraci të vërtetë, liri dhe në paqë e siguri me fqinjtë si pjesë e familjes së madhe evropiane, “I lirë dhe i lumtur”, siç është shprehur Luigj Gurakuqi dikur– mbetet ende një ëndërr e pa realizuar për shqiptarët, 110-vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptari i shekullit XXI, e kërkon realizimin e kësaj ëndërre – për fat të keq të tijin – në dhena të huaja dhe jo në trojet e të parëve të vet. Të parët tanë, si Ded Gjo’Luli me malësorë na dhanë 110-vjetë më parë, atë që prisnin shqiptarët për pothuaj 500-vjet: një Shqipëri të lirë e të pavarur. Prej kësaj klase politike, që udhëheq sot shqiptarët, anë e mbanë trojeve të tyre iliro-arbëroro, Kombi dhe shqiptarët kudo që janë, këmbëngulin të kenë diçka më tepër, kërkojnë:

“Një Shqipëni të lumtun”, do të thoshte At Pjetër Mëshkalla, një prift katolik jezuit shqiptar, i persekutuar, si shumë të tjerë, nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës. Shqiptarët duan një Shqipëri të lumtur, që të ndalohet zbrazja epike e trojeve shqiptare, për arsye të politikave aktuale korruptive anti-kombëtare të politikave shqiptare 30-vjeçare: regjimesh autokratike majtiste, pseudo-komuniste.

Ka ardhur koha për një ndryshim të madh! Ka ardhë koha që shqiptarët, e sidomos klasa politike aktuale shqiptare, “Të lidhin besa-besën, të lëftojmë për të drejtat e për nderin e Shqipërisë dhe t’u rrefejmë të huajve se rrojmë e duam të rrojmë me nder në vendin tonë”, ka porositur dikur ky burri këtu i Vatrës, Faik Konica.

Ka ardhur koha që, më në fund, Kombi shqiptar, Shqipëria dhe Kosova, të distancohen njëherë e mirë nga politikat majtiste sllavo-komuniste dhe nga trashëgimia e tyre shkatërruese që shihet kudo edhe sot – madje edhe në nivelet më të larta politike, shkencore, kulturore dhe historike. Kombi shqiptar ka nevojë për riafirmimin e figurave të tija të ndritura, emrat e disave i përmenda këtu, por edhe shumë e shumë të tjerëve, të cilët historiografia komuniste i ka zhdukur ose anashkaluar nga kujtesa kombëtare.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Ded Gjo’ Lulit dhe i kryengritësve të Malësisë së Madhe. Gëzuar Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. I Madhi Zot e bekoftë Kombin Shqiptar në këtë 110-vjetor: një kohë e trazuar për fatin e tij, por me besimin dhe shpresën se drita e agimeve të reja do të shëndritë mbi fatin e shqiptarëve dhe bashkë me të edhe rrezja e bekimit të Madhit Zot.

Pavarësia e Shqipërisë, Shqiptarët i ktheu në familjen europiane

0
Jusuf Buxhovi, shkrimtar e historian nga Prishtina
***
– Hasan Prishtina: “Lufta ballkanike u bo shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në vend të nji Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.
Në Kuvendin e Vlorës, para delegatëve të mbledhur, Ismail Qemali tha:
“Shqipëria me sot të bëhet më vete, e lirë e mosvarme”.
Para pesëqind vitesh, thuajse të njëjtat fjalë, që ishin thënë në Vlorë, në vendin që njihej Arbëri, do t’i thotë edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu pasi që të ketë mbajtur Kuvendin e besëlidhjes së Lezhës në vitin 1444.
Atëbotë, ajo e “lirë dhe e mosvarme” do të thoshte t’i takojë krishterimit perëndimor. Pra një bote ku ata, si pellazgo-ilirë qëndronin në themelet e qytetërimit të tij që nga antika, ndërkohë që pjesa tjetër ishte një botë tjetër, një qytetërim tjetër, që vinte nga lindja me flamurin e islamit.
Ndonëse mbas më shumë se një çereku shekulli, Arbëria serish do të pushtohet nga bota së cilës ndër të parët dhe e vetmja ia kishte kthyer armën, kur të tjerët luteshin që Arbrit të vazhdonin të vdisnin në mbrojte të Perëndimit, pra që Osmanët të mbeteshin sa më shumë kohë të ngujuar rreth Krujës dhe kështjellave të tjera të Arbrit, ata megjithatë, qenë të fundit që u liruan nga pushtimi pesëshekullor osman.
Ndodhi kjo kur Perandoria Osmane tashmë ishte në grahmën e fundit dhe fqinjët e Shqiptarëve (Serbët, Malazezët, Grekët dhe Bullgarët) tashmë kishin pushtuar tokat shqiptare dhe ishin në rrugë e sipër që ta zhbënin njëherë e përgjithmonë atë që ditë më parë, në marrëveshje e Hasan Prishtinës me Osmanët në Shkup, paraqiste bërthamën për një autonomi shqiptare në përbërje të Perandorisë Osmane, që nuk ishte tjetër pos bërthamë e një shteti të ardhshëm shqiptar në përmasat e tij të natyrshme etnike.
Megjithatë, që të krijojnë shtetin e tyre, Shqiptarët e patën më se vështir. Jo pse atë nuk e donin. As pse pranimi në masë të madhe i islamit dhe akomodimi në strukturat shoqërore dhe udhëheqëse perandorake deri në nivelet më të larta të hierarkisë i kishte bërë të tjerë sa të ndjeheshin pjesë e Perandorisë, amallgam i miletit-osman. Por, pse ata edhe në rrethanat osmane, përkundër këtyre realiteteve, kishin ruajtur etninë, gjuhën dhe kujtesën historike, që i lidhte me përkatësinë e botës perëndimore dhe të qytetërimit të saj.
Kjo, pra u pengonte, Osmanëve, që mendonin se me Shqiptarët si myslimanë kishin krijuar “alibi” për mbetje të përhershme në pjesën europiane. Dhe, kjo u pengonte edhe fqinjëve sllavo-ortodoks, të cilët kishin luftuar aq shumë kundër Arbërve edhe gjatë kohës së Bizantit pse ata ishin themelues të ngrehinës dhe të qytetërimit të saj.
Natyrisht, se kur në shekullin XIX Reformat e Tanzimatit dhe më vonë Kriza Lindore, kishin nxjerrë nga shishja frymën e nacionalizmit pansllav, që nuk kishte kthim prapa, e do të pasqyrohet me shfaqjen e shteteve të para sllavo-orotodokse në pjesën europiane të Perandorisë Osmane, edhe Shqiptarët, ndonëse me vonesë, detyrimisht do t’i kthehen identitetit kombëtar për ta siguruar të ardhmen e tyre midis popujve europianë, që për kusht kishte shtetin e pavarur nacional.
Kjo paraqiste sfidë të dyfishtë për Shqiptarët: në njërën anë pse rrënonte konceptin osman që me Shqiptarët si mileti-osman të mbeteshin në pjesën evropiane, dhe në tjetrën anë pse fqinjëve të tyre (Serbëve, Malaziasve, Grekëve dhe Bullgarëve) ua pengonte planet hegjemoniste për t’i grabitur tokat shqiptare.
Në këto rrethana vendimtare, do të jetë mendësia intelektuale e tyre, e cila do ta kuptojë drejt çastin historik për lëvizje, ku gjuha, kultura dhe emancipimi kombëtar ishin të vetmet atu me anën e të cilave mund të gjendej rruga e duhur, ta mbijetonin shembjen e Perandorisë Osmane si etni e pavarur, por edhe të mbrohen nga gllabërimi i fqinjëve, që e luftonte këtë realitet.
Rilindja Kombëtare Shqiptare thuajse gjeti formulën magjike kur shpalli gjuhën dhe kulturën identitet kombëtar, ndërsa religjionin e vlerësoi një “pluralizëm të përbashkët shpirtëror”, një pasuri, që ndihmon identitetin kombëtar dhe assesi që e mohon.
Kështu, motoja “feja e shqiptarit është shqiptaria”, u bë formula më domethënëse dhe e vetmja e botës shqiptare, që mund t’ua siguronte ardhmërinë, ndonëse me vështirësi tepër të mëdha.
Mbi këtë formulë, do të konceptohet edhe programi politik i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i cili do të promovohet për herë të parë gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku u manifestua përcaktimi shqiptar për ta mbrojtur etninë dhe mbi të për ta ndërtuar shkallë-shkallë identitetin autonom shtetëror gjithnjë në përputhje me rrethanat dhe zhvillimet, të cilat kërkonin balancim të jashtëzakonshëm raportesh me Perandorinë Osmane dhe me Fuqitë e Mëdha Europiane, veçmas, kur bëhej gjithnjë e më e qartë, se faktori shqiptar me identitet shtetëror, ishte i vetmi që mund të shfrytëzohej si digë kundër pansllavizmit dhe të zgjerimit të ndikimit rus në Ballkan.
Por, ardhja e Shqiptarëve deri te pika që të kthehen në një digë të vetme kundër pansllavizmit, paraqet një zhvillim historik thuajse ndër më kundërthënësit nëpër të cilin do të kalojë Perandoria Osmane, nga Reformat e Tanzimatit e këndej, kur nga Fuqitë e Mëdha, asaj do “t’i garantohet” mbrojtja nga copëtimet e jashtme, ndërsa në të njëjtën kohë, nga lëvizjet nacionale të popujve sllavo-ortodoksë, nxiteshin shthurjet e brendshme, me të cilat asaj gjithnjë e më shumë i ngushtohej hapësira në kontinentin e vjetër, me çka fillon edhe koha e largimit të pashmangshëm prej tij,si fundin i saj.
Shfaqja e lëvizjeve nacionale te fqinjët sllavo-ortodoksë si dhe programet e tyre për shtete nacionale, të cilat do të përkrahen nga Rusia dhe, nga fillimet e shekullit nëntëmbëdhjetë e tutje, një nga një do të shkëputën (fillimisht me anën e autonomive, siç ishte rasti i Serbisë, Malit të Zi dhe më vonë Bullgarisë, apo i njohjes së Greqisë shtet i pavarur) si dhe pretendimet e tyre të hapura që të zgjerohen edhe më tutje me anën e tokave shqiptare, do t’i detyrojnë Shqiptarët që në njërën anë të pranojnë sfidën e nacionalizmit për të dëshmuar se janë popull i vjetër europian dhe si të tillë zotë të asaj që as gjatë sundimit shumëshekullor osman është ruajtur dhe nuk u është mohuar (identitetit etnik që është pasqyruar me shtrirjen në katër vilajete: të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës), dhe në tjetrën anë, të paraqesin edhe programet politike rreth ardhmërisë së tyre, me të cilat duhej të ruhej baraspesha midis interesave të tyre me Perandorisë Osmane dhe me Fuqitë e Mëdha.
Sfida e identitetit kombëtar dhe e përcaktimit politik mbi të, për Shqiptarët shfaqeshin me vështirësi të shumëfishta, meqë ato binin ndesh me realitetet e brendshme perandorake të natyrës shoqërore, kulturore dhe politike, ndër të cilat më papërballueshmja lidhej me tretmanin e milletit-osman, ngaqë një pjesë e mirë e Shqiptarëve kishin pranuar islamin. Ndërkohë që për këtë arsye, edhe Shqipëria (së paku nga koha e Sulltan Hamiti e këndej) paraqitej si “kështjellë myslimane në Europë”, me të cilën lidhej edhe fati dhe e ardhmja e Perandorisë Osmane.
Andaj, nuk është e rastit, se nga fillimi i zbatimit të reformave të Tanzimatit, Shqiptarëve dhe trojeve të tyre etnike, kjo hipotekë do të kthehet në moto të politikes hamitiane, me të cilën ai, për tridhjetë e dy vjet të qeverisjes absolutiste, do të luftojë zgjimin kombëtar shqiptar dhe programet politike të Shqiptarëve në përputhje me të, ku do të manifestohen kërkesën për autonomi kulturore dhe politike, që do të përfshinte katër vilajetet shqiptare duke i bashkuar në një.
Natyrisht se për të arritur që Shqiptarët të luftojnë hamitizmin dhe politikën e tij të trajtimit të tyre si “kala myslimane” në pjesën europiane, u duhej një përpjekje e gjatë dhe e mundimshme. Së pari drejt emancipimit të brendshëm kulturor, që fillonte me gjuhën dhe arsimimin shqip, për t’u kthyer pastaj në një zgjim kombëtar të përmasave të gjera, i cili bashkonte identitetet nga ai fetar, krahinor, dhe shoqëror. Kjo nuk ishte aspak e lehtë, kur dihej se ato fillimisht binin ndesh me islamizmin si një amalgam që bashkonte fenë me doktrinën perandorake të vatanit e pastaj edhe me osmanizmin si patriotizëm shtetëror, i cili gjatë kohës së Xhonturqve, me centralizmin dhe unitarizmin nacionalist, refuzonte çfarëdo autonomie administrative dhe politike.
Në këtë rrugë të mundimshme rol të madh luante fryma e reformave të Tanzimatit, që Perandoria Osmane i kishte pranuar dhe ato tashmë u shkonin për shtati popujve të krishterë, fryma e të cilave nuk mund të anashkalonte edhe Shqiptarët, po qe se ata do të jenë në gjendje që të dëshmonin se krahas identitetit etnik, me ruajtjen e gjuhës shqipe si pjesë e identitetit kulturor, përkundër pranimit të islamit nga një pjesë e mirë e popullatës, kishin ruajtur substancën me të cilën ata duhej të trajtoheshin si komb i barabartë me të tjerët që pranonte Perandoria Osmane.
Dhe, për ta dëshmuar këtë, elita politike dhe intelektuale shqiptare në Stamboll, që nga fillimet e Krizës Lindore, e prirë nga vëllezërit Frashëri (Abdyli, Samiu dhe Naimi), si dhe sfidat që do të sjellë ajo, do të veprojnë në planin kulturor, në atë shpirtëror dhe në atë politik, mbi të cilat pastaj do të ngrihet doktrina e platformës së Rilindjes Kombëtare, që do t’i shërbejë si udhërrëfyes që të gjitha zhvillimeve me të cilat do të shkohet deri te pavarësia e shtetit shqiptar në nëntor të vitit 1912.
Këtij veprimi gjithsesi se do t’i vijë në ndihmë konstitucionalizmi i vitit 1876, kur do të fillojë koha e shkurtër e parlamentarizmit osman, me ç’rast deputet Shqiptarë në Parlamentin Osman Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, në kuadër të debateve për organizimin e ri administrativ në përputhje me reformat që kërkoheshin nga Perandoria Osmane, hapën çështjen e bashkimit të katër vilajeteve shqiptare në një njësi vetëqeverisëse autonome.
Dy vjet më vonë, kjo kërkesë fitoi legjitimitet gjithëkombëtar kur u paraqit si kërkesë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe si e tillë, në forma të ndryshme, gjithnjë duke u mbështetur mbi platformën e barazisë së Shqiptarëve me të tjerët përbrenda Perandorisë Osmane, do të kthehet në moto të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Por, edhe pa ardhur deri te ky përcaktim historik ndër më të rëndësishmit, intelektualët shqiptarë në Stamboll, të cilët do të vihen në krye të këtyre zhvillimeve, një shtysë të madhe do të marrin nga veprimtaria e atdhetarëve shqiptarë në diasporë (Itali, Rumuni, Egjipt dhe gjetiu) si dhe nga shoqatat dhe klubet shqiptare në mërgim, ku tashmë fryma e nacionalizmit të popujve sllavo-ortodoks të Ballkanit dhe kryengritjet e tyre për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, kishte vënë në lëvizje fillet e nacionalizmit shqiptar.
Kështu, në vitet e dyzeta, kur Italo-Arbëreshët në Itali me anën e shkrimeve letrare dhe publicistike të Jeronim De Radës dhe të hulumtimeve shkencore të Dhimitër Kamardës, kishin filluar të nxirrnin në pah lashtësinë antike të popullit shqiptar, në mënyrë që ajo t’i shërbejë trajtimit të tyre si popull europian, Naum Veqilharxhi, një migrant me prejardhje nga rrethi i Korçës, në Bukuresht nxori një qarkore me të cilën do t’u drejtohet bashkëkombësve Shqiptarë të besimit ortodoks, që t’i bashkohen një lëvizjeje kulturore për përhapjen e gjuhës dhe të arsimit shqip, në mënyrë që me anën e arsimimit të pasqyrojnë identitetin kombëtar.
I ndikuar nga idetë e lëvizjes nacionale rumune për pavarësi, në të cilat do të marrë pjesë bashkë me shumë Shqiptarë të diasporës në Rumani, Veqilharxhi hartoi edhe një abetare (Evetar) me një alfabet të pavarur që do ta sajojë, të cilën, pas botimit në Bukuresht, e shpërndau në Shqipëri.
Qarkorja e Veqilharxhit drejtuar Shqiptarëve dhe abetarja (Evetari) me të drejtë merren si kohë e fillimit të Rilindjes Kombëtare, bërthamën e së cilës pastaj do ta marrë përsipër Komiteti i Stambollit në krye me Sami Frashërin, e ku do të gjenden edhe Vaso Pasha, Hoxha Tahsini dhe shumë e shumë atdhetarë të tjerë, veprimtaria e të cilëve do të marrë hov me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit të shkronjave shqip”, ku do të hartohen jo vetëm idetë për gjuhën dhe arsimin shqip, por edhe shkrimet dhe tekstet e ndryshme nga ato letrare, publicistike, e shkollore për të shkuar pastaj edhe te veprimtaria e gjerë patriotike mbi të cilat do të mbështeten edhe projektet politike të Rilindjes Kombëtare.
Në këtë veprimtari të gjerë kulturore dhe politike, Shqiptarët do t’ia dalin që të kenë qëndrim të përbashkët në saje të unitetit që do ta ndërtojnë mbi gjuhën dhe arsimin si pjesë të identitetit të përbashkët kombëtar, ndërkohë që besimin do trajtojnë si çështje shpirtërore, që nuk bie ndesh me përcaktimin kombëtar. Sepse, siç thoshte Samiu, shqiptari edhe si mysliman edhe si i krishterë, së pari është shqiptar dhe mbetët shqiptar, gjë që nga kjo sentencë duhet kërkuar edhe metaforën “feja e shqiptarit është shqiptaria”, që me të drejtë do të kthehet në manifest të Rilindjes Kombëtare.
Kjo formulë patriotike, bashkë me kërkesat politike për autonominë shqiptare brenda Perandorisë Osmane, përfshiu thuajse të gjitha shtresat shoqërore shqiptare, të cilat gjithnjë e më shumë po vetëdijesoheshin për domosdonë e veprimit mbi baza kombëtare. Sepse ashtu arriheshin dy qëllime njëherësh: mbrojtja e etnisë nga gllabërimet e fqinjëve si dhe shkalla e barazisë me të tjerët, që po ashtu, kthehej në një faktor mbrojtës.
Edhe pse regjimi absolutist hamitian do ta kundërshtojë këtë përcaktim dhe në forma të ndryshme do të mundohet që shtresat e caktuara shoqërore shqiptare nga radhët e feudalëve dhe ato konservative të drejtuara nga fanatikët islamistë, t’i mbajë në taborin e vet dhe t’i inkurajojë se ishte vetëm “mburoja islamiste dhe ajo osmane”, që Shqiptarët mund t’i shpëtonte nga hegjemonizmi sllavo-ortodoks, megjithatë, Rilindja Kombëtare Shqiptare, nga koha kur do të mbyllën shkollat shqipe dhe do të ndalohet veprimtaria e “Shoqërisë së Shkronjave shqipe” në Stamboll, do të përcaktohet që luftën për interesat kombëtare ta ndërlidhë edhe me lëvizjet opozitare në vend kundër absolutizmit hamitian. Kjo do të shihet më së miri me shfaqjen e Turqve të Rinj (Xhonturqve), kur në bërthamën organizative si themelues do të gjenden edhe disa Shqiptarë (Ibrahim Temo, të cilëve do t’u bashkë-ngjiten edhe Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Hoxha Tahsini e të tjerë). Ata ndikuanë që osmanizmi i Xhonturqve të shfaqet si një patriotizëm i ri shtetëror, i cili do të mbështetej mbi bazën e unitetit dhe të barazisë së të gjithë shtetasve osmanë pa dallim feje, gjuhe dhe etnie. Kjo platformë Shqiptarët i nxirrte nga trajtimi shumë-shekullor i mileti-osman, me çka doktrina islamiste zëvendësohej me atë osmane të qytetarëve të barabartë, me çka realisht i hapej udha shprehjes së identitetit kulturor dhe atij kombëtar mbi parimet e lirisë dhe të barazisë, që në pjesën europiane ishin lansuar pas revolucionit francez e këndej.
Ndonëse, si do të shihet, Shqiptarët do të bien ndesh edhe me Xhonturqit sapo ata të vinë në pushtet, megjithatë, përcaktimi për ta dhe kundër absolutizmit të Sulltan Hamtit, që më së miri do të pasqyrohet me vendimet e Tubimit të Ferizajt të korrikut të vitit 1908, kur prej andej Shqiptarët do t’i dërgojnë ultimatum Sulltan Hamitit që ta kthejë kushtetutën dhe ai do ta pranojë këtë, historikisht ishte i drejtë ndërsa politikisht i dobishëm. Sepse, me të mbyllej kapitulli i islamizmit, i cili nga ana e Perandorisë Osmane gjatë qeverisjes despotike të Sulltan Hamitit, më së shumti kishte manipuluar Shqiptarët dhe strukturat shoqërore feudale dhe konservative brenda tyre, veçmas në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës, duke i trajtuar “si bastion” në pjesën europiane, ndërkohë që Porta e Lartë, duke pranuar reformat e shumta dhe të ndryshme, të cilat shkonin në dobi të popujve sllavo-ortodoks (pranimi i ekzarkatit bullgar, lejimi i kthimit të administrimit të kishës ortodokse serbe në Kosovë, pastaj hapja e shkollave serbe dhe hapja e konsullatave serbe dhe ruse në Kosovë dhe së fundi edhe pranimi i statusit të kombit serbëve të Kosovës), kishte rrezikuar qenien etnike dhe kombëtare të Shqiptarëve, duke i bërë pre të hapur të shteteve fqinje.
Kjo do të pasqyrohet më së miri nga vitit 1903, kur pas kulmimit të krizës së Maqedonisë, me marrëveshjen e Mynstergut, të lidhur midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, praktikisht do të pranohet sovraniteti ndërkombëtar mbi pjesën europiane, që do t’ia hapë rrugën krizës së ardhshme, që do të çojë te Luftërat Ballkanike dhe shembja e Perandorisë Osmane.
Në këto rrethana, pra të daljes në pah të krizës së Maqedonisë, e cila ishte e kurdisur nga shtetet sllavo-ortodokse (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria), që me anën përhapjes së kaosit në këto pjesë, veçmas në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit me futjen e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, të pengohej çfarëdo autonomie shqiptare, Lëvizja Kombëtare Shqiptare apo një pjesë e saj e pambikëqyrur, për pak do të shkasë nga binarët e përcaktimeve të saj, siç ishte lufta për autonomi përbrenda Perandorisë Osmane, për t’iu bashkuar luftës “çlirimtare” nga Perandoria Osmane me anën e çetave “çlirimtare” dhe komitëve, e cila drejtohej nga Beogradi, Cetina, Athina dhe Sofja dhe në përputhje me interesat e tyre që lidheshin me copëtimin e trojeve shqiptare midis veti. Me këtë njëherë e përgjithmonë duhej të pushonte së ekzistuari çështja shqiptare në Ballkan.
Uverturë e këtij koncepti, ishte Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903 dhe pjesëmarrja e një pjese të Shqiptarëve në të me ç’rast do të dalë në pah se Lëvizja Kombëtare Shqiptare, sipas shembullit të Ilindenit, mund të shkapërderdhej tek çështjet e tjera (ajo sllavo-maqedonase, bullgare, greke po edhe serbe madje) prej nga mund të hiqet nga rendi i ditës tërësi e saj.
Këtë zhvillim do ta pengojë Revolucioni Xhonturk dhe pjesëmarrja e Shqiptarëve në të, kur me Kuvendin e Ferizajt të vitit 1908, ata do të luajnë rolin kryesor në suksesin e tij. Kjo do të paraqesë një kthesë të rëndësishme për zhvillimet e ardhshme, që si do të shihet, Kosova dhe ngjarjet në të si promotor kryesor i tyre, do t’ua hapin rrugën proceseve që do të çojnë te shpallja e pavarësisë kombëtare.
Revolucioni Xhonturk i korrikut të vitit 1908, suksesi i të cilit lidhet ngushtë me Shqiptarët dhe rolin e tyre në Lëvizjen Opozitare të Turqve të Rinj që nga themelimi e deri te akti i fundit, siç ishte Kuvendi i Ferizajt, prej nga Sulltanit do t’i drejtohej ultimatumi që të kthejë kushtetutën, përmbyll kapitullin e gjatë tridhjetë e dy vjeçar të përputhjeve fillestare dhe të shpërputhjeve në vazhdimësi me islamizmin, që do të zhvillohet nën ombrellën e absolutizmit të Sulltan Hamitit.
Nëse fundi i hamitizmit, Shqiptarët do t’i lirojë nga ndeshja e mëtutjeshme me islamizmin dhe kurthin e tij të njohur, megjithatë do t’i ngërthejë me sfidën e osmanizmit, jo më, siç qe menduar, si një patriotizëm i ri shtetëror, që shfaqej nën moton e barazisë, të lirisë dhe të vëllazërimit të të gjithë shtetasve pa dallime besimi, gjuhe dhe etnie, por të centralizmit dhe të nacionalizmit tejet fanatik osman, në emër të të cilit zuri të mohohej pluralizmi kulturor dhe shumësia e identiteteve që ishin njohur deri më atëherë dhe të refuzohet çfarëdo forme e vetëqeverisjes autonome, qoftë që do t’i shkonte përshtati mbetjes së mëtutjeshme të Perandorisë Osmane në pjesën europiane.
Siç do të ndodhë dikur me islamizmin, kur shqiptarizmi do të përfitojë nga përputhjet fillestare me të, ndërsa në saje të asaj që merrej si “shumësi kulturore” do të fillojë lëvrimi i gjuhës dhe kultivimi i traditës pa u konfrontuar me islamin, ngjashëm do të ndodhë edhe me osmanizmin. Me këtë rast, liritë e shpallura prej Xhonturqve rreth barazisë dhe lirisë të të gjithë shtetas-ve osmanë të natyrës politike, shoqërore dhe emancipuese do të mundësojnë që në zgjedhjet e lira parlamentare 26 deputetë shqiptarë të futen në Parlamentin Osman. Ndërkohë që klima e përshtatshme politike gjatë kohës së parlamentarizmit të dytë, do të shfrytëzohet për thellimin e kulturës kombëtare (veçmas gjuhës dhe arsimit). Themelimi i klubeve kulturore, shoqatave si dhe botimi i gazetave shqipe bashkë me botimin e librave, që do t’i dedikohen shkollës shqipe, do t’i japë shtysë të rëndësishme këtij zhvillimi historik.
Kështu mund të thuhet se periudha nga ngadhënjimi i Revolucionit Xhonturk në korrik të vitit 1908 e deri te mesi i viti të ardhshëm, kur do të shuhet përpjekja e dështuar për rrëzimin e Xhonturqve nga pushteti, që do të quhet “kundërrevolucion”, Shqiptarët kaluan nëpër një periudhë të lulëzimit nacional dhe politik ndër më të fuqishmet dhe ndër më të frytshmet gjatë kohës së Perandorisë Osmane.
Gjatë kësaj kohë, përkundër rolit të rëndësishëm në jetën parlamentare, ku deputetet Shqiptarë, krahas mbrojtjes së programit të njohur kombëtar do të marrin edhe rolin e opozitës, në planin emancipues po ashtu, me hapjen e shkollave shqipe dhe të futjes së gjuhës shqipe si lëndë e detyrueshme mësimi edhe në shkollat shtetërore në gjuhën turke si dhe në ato kishtare në gjuhën greke, do të bëhen hapa të mëdhenj të një rëndësie historike, që i shkuan përshtati zgjimit të përgjithshëm kombëtar.
Dhe, padyshim se njëri ndër sukseset më të mëdha në këtë lulëzim nacional, do të jetë mbajtja e Kongresit të Drejtshkrimit në Manastir, në nëntor të vitit 1908. I organizuar nga Klubi i qytetit, mblodhi përfaqësuesit e të gjitha klubeve shqiptare nga brenda dhe jashtë vendit, e ku ishin edhe ato të mërgatës nga Bukureshti, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kongresi i Drejtshkrimit në Manastir mbetet historik jo vetëm për vendimet që mori në planin gjuhësor, duke u përcaktuar për një alfabet të gjuhës shqipe mbi bazat e shkronjave latine, por edhe për unitetin kombëtar që aty u pasqyrua në një plan të gjerë intelektual dhe shoqëror ndër më të fuqishmit, që bëri të ditur qartë drejtimin historik të Shqiptarëve kah kultura dhe civilizimi perëndimor, duke i dhënë njëherësh mbështetje programit politik të Rilindjes Kombëtare rreth krijimit të një autonomie shqiptare brenda Perandorisë Osmane, që nuk do të ishte tjetër pos një shtet shqiptar i cili do të mëvetësohej çastin që ajo do të largohej nga pjesa europiane.
Këtu në të vërtetë do të fillojnë ato që do të quhen shpërputhje dhe kundërshtime të papajtueshme midis Shqiptarëve dhe Xhonturqve, të cilat do të marrin aso përmasash sa qeveria osmane e drejtuar nga Xhonturqit, kur do të humbë luftën për alfabetin shqiptar me shkronja arabe, që do të zhvillohet me një ashpërsi të madhe nga fanatikët e klerit islamist dhe shtresat konservative shqiptare, do t’i kthehet represionit të gjuhës shqipe dhe të arsimit kombëtar, me ç’rast, me dekret shtetëror të majit të vitit 1910 nuk do të mbyllen vetëm gazetat shqipe, klubet shqiptare, por do të mbyllen edhe shkollat shqipe dhe po ashtu gjuha shqipe, si gjuhë mësimi do të nxirret nga shkollat zyrtare turke dhe ato greke.
Në planin politik dhe atë shoqëror, nën devizën e kthimit të rendit dhe të ligjit, Xhonturqit do të fillojnë një fushatë të ashpër kundër vilajeteve shqiptare dhe të drejtës së tyre për vetëqeverisje vendore, që e kishin gëzuar për shekuj. Taksat e reja të rënda, ligji për luftimin e bandave dhe ai i rekrutimit pa dallim feje si dhe çarmatosja e popullatës, do të hapin hendekun e madh të Shqiptarëve me Turqit e Rinj, që do t’u japë shkas protestave dhe kryengritjeve, të cilat do të marrin përmasa të mëdha.
Xhonturqit, të cilët Shqiptarëve, si dhe të tjerëve, u kishin premtuar liri qytetare dhe barazi dhe qytetërim, jo vetëm nuk do të tregojnë kurrfarë mirëkuptimi për kërkesat e tyre të drejta, por do t’u kthehen ekspeditave ushtarake për “të vu rregull”në vilajetet e tyre. Në këtë rrugë ata do të përkrahen nga forcat nacionaliste dhe fanatike në vend, por njëherësh do të përkrahen edhe nga Rusia, e cila do të trimërojë qeverinë osmane që “të çarmatosë Shqiptarët e pabindur” dhe për këtë Petërburgu do të derdhë shuma të caktuara parash, ndërkohë që shtete fqinje të Shqiptarëve (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria,të cilat për pakicat e tyre në vilajetet shqiptare kishin siguruar pozitën e kombeve dhe ato i instrumentalizonin që, vazhdimisht të ankoheshin gjoja për “zullumin arnaut”) kërkonin nga Porta e Lartë masa të rrepta kundër “Shqiptarëve të egjër”, që të çarmatoseshin me dhunë dhe kështu Serbëve dhe të tjerëve t’u mundësohej liria.
Nga ana tjetër, po këto vende, nga ardhja e Xhonturqve në pushtet, do të përpiqen që t’i fusin në lojë disa nga feudalët shqiptarë në Kosovë dhe parinë fanatike, që të luftojnë për kthimin e Sulltan Hamitit. Madje, janë të njohura edhe lidhjet dhe marrëveshjet e Serbisë dhe të Malit të Zi me disa nga krerët Shqiptarë të Kosovës dhe të Malësisë së veriut në Mbishkodër, që t’u fusin armë dhe para për të hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Kjo luftë, si do të shihet nga kryengritjet e vitit 1910 dhe 1911, në masë të madhe do të instrumentalizohet nga Beogradi dhe Cetina për qëllimet e veta.
Natyrisht, se “fryma” luftarake e Shqiptarëve në Kosovë dhe Veri si dhe kryengritjet e tyre lokale, që do të nxiten nga Serbia dhe Mali i Zi, do t’i konvenojë edhe Kabinetit të ri Xhonturk, i cili pas shtypje së rebelimit ndaj forcave konservative dhe shfronësimit përfundimtar të Sulltan Hamitit, nga pranvera e vitit 1909 e këndej në Kosovë do të drejtojë repartet ushtarake të komanduara nga gjeneral Shefqet Turgut Pasha që “ta paqësojë” atë.
Konfliktet e armatosura me Shqiptarët, që do të vazhdojnë edhe në vitin 1910 në mënyrë që në vitin 1911 të përhapen edhe në Veri (në Malësinë e Mbishkodës dhe Mirditë),pa marrë parasysh sa dhe si kishin qenë shprehje e kundërvënies masave represive-ushtarake të Xhonturqve dhe sa dhe si kishin qenë edhe shprehje e nxitjes nga Serbia dhe Mali i Zi për qëllimet e tyre të njohura, që do të dalin në pah së shpejti, pas një viti serish do të kthehen në Kosovë, kur edhe do të fillojë kryengritja përfundimtare kundër qeverisjes Xhonturke, por këtë herë ajo do të jetë fryt i përcaktimit të krerëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të cilët në Stamboll, në shkurt të vitit 1912, në Taksin do të merren vesh për të, që me anën e saj të imponojnë arritjen e dy qëllimeve: përmbysjen e regjimit centralist-nacionalist Xhonturk dhe pranimit të autonomisë shqiptare.
Qëllimin e parë Shqiptarët do ta arrijnë në fillim të gushtit, kur do të detyrojnë rrëzimin e qeverisë xhonturke dhe tri ditë më vonë edhe shpërndarjen e parlamentit të sapozgjedhur të dominuar nga Turqit e Rinj. Ndërsa më 18 gusht, me pranimin e Memorandumit prej 14 pikave, të quaj-tur Programi i Hasan Prishtinës, detyruan qeverinë e përkohshme të Gazi Ahmet Myhtar Pashës të pranojë kërkesat e tyre, me anën e të cilave ata fitonin statusin e kombit dhe njëherësh ia hapnin rrugën qeverisjes autonome, apo të asaj që nga jashtë do të shihet si Shqipëri Osmane.
Arritja e madhe shqiptare në Kosovë e gushtit të vitit 1912 shënon ndërlidhjen e parë të suksesshme të bashkëveprimit politik me atë të rezistencës së armatosur si dhe të drejtimit të saj nga një qendër e caktuar kombëtare e udhëhequr nga elita e patriotëve intelektualë, të përfshirë në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Edhe pse nënshkruesit e Marrëveshjes së Taksimit të shkurtit të atij viti, të drejtuar nga Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina, kur do të merret vendimi për kryengritjen e përgjithshme shqiptare – pos Hasan Prishtinës – nuk do t’i kryejnë shumë nga detyrimet e marra sipas marrëveshjes që ajo të ketë përmasat gjithëkombëtare. Veçmas ato që kishin të bënin me ndezjen e kryengritjes edhe në Shqipërinë e Mesme dhe atë të jugut. Megjithatë, vilajetet tjera shqiptare, do të solidarizohen me kryengritjen e Kosovës, qoftë duke u lidhur me të me anën e kryengritjeve vendore, qoftë duke përkrahur platformën e bisedimeve të krerëve të kryengritjes shqiptare të Kosovës në Prishtinë e pastaj në Ferizaj me përfaqësuesin e qeverisë osmane Ibrahim pashën. Madje, edhe Ismail Qemali, i cili fillimisht do të gjendet jashtë vendit me detyrë për të mbledhur armë dhe të holla për kryengritjen dhe për të agjituar politikisht për të, me t’u kthyer në Vlorë, duke u deklaruar në mbështetje të programit politik të Kryengritjes dhe platformës së saj, do të lërë prapa disa deklarata kundërthënëse rreth kërkesave politike, të cilat do t’ia vështirësojnë punën ideatorit të saj kryesor Hasan Prishtinës, që edhe ashtu kishte telashe me rrymën e konservativëve dhe të feudalëve, të cilët në masë të madhe të ndikuar nga prapaskenat e agjentëve serbë që u rrinin pranë, edhe më tutje kërkonin që përmbysjen e qeverisë xhonturke ta kushtëzonin me kthimin në pushtet të Sulltan Hamitit, për të cilin ishin në gjendje që të vazhdonin edhe më tutje kryengritjen pa hezituar që të marshojnë edhe për në Selanik për ta liruar nga internimi me çka rrezikoheshin në tërësi qëllimet dhe kërkesat politike të kryengritjes.
Përballimi i vështirësive të brendshme kur tri rrymat me pikëpamje të ndryshme (feudalët shqiptarë bashkë me fanatikët fetarë – që kërkonin rrënimin e parlamentarizmit dhe kthimin e absolutizmit; opozitarët që kërkonin vetëm rrëzimin e qeverisë “se keqe” dhe zëvendësimin me një “të mirë”, si dhe autonomistët – që kërkonin pranimin e autonomisë shqiptare përbrenda Perandorisë Osmane), do t’ia dalin që të gjejnë gjuhë të përbashkët, siç ishte ajo që do të pasqyrohet në Memorandumin prej katërmbëdhjetë pikash, si dhe suksesi historik i tyre në raport me qeverinë osmane, Shqiptarëve nuk do t’ua lehtësojë punën dhe as që do t’u mundësojë që të gëzojnë frytet e saj. Sepse, krahas me arritjen e marrëveshjes me qeverinë osmane, do të ecin edhe zhillimet për fillimin e luftës së Aleancës Ballkanike me Perandorinë Osmane, e cila shfaqej si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj marrëveshjes së Shqiptarëve me qeverinë osmane. Ndonëse aty autonomia shqiptare nuk theksohej në mënyrë të veçantë, siç ishte paraparë në pesë pikat e “Kuvendit të Junikut”, por ajo dilte nga përmbajtja e saj, kjo ishte e papranueshme për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat pa u shpërndarë mirë kryengritësit shqiptarë nëpër shtëpitë e tyre, siç pritej, do të futen në luftë me Perandorinë Osmane, luftë këtë që Aleatët Ballkanikë do ta fitojnë pa ndonjë mund të madh, me ç’rast për cak kishin pushtimin dhe copëtimin mes tyre të trojeve shqiptare, siç do të ndodhë në të vërtetë.
Këto zhvillime të paralajmëruara që më parë, të cilat do të tregojnë qëllimet e tyre të vërteta me anën e arritjes së aleancave të ndërsjella ballkanike (fillimisht të Serbisë me Bullgarinë, pastaj të Serbisë me Greqinë dhe së fundi të Greqisë me Bullgarinë) të cilat do të lidhen në periudhën kohore shkurt – maj 1912 dhe do të korrespondojnë me fillimet e kryengritjes shqiptare të Kosovës të pranverës dhe verës së atij viti, do të ndikojnë jo vetëm përmbajtjen e kërkesave të Shqiptarëve (kur do të anashkalohet ajo që theksonte autonominë politike), por ato do të ndikojnë edhe qëndrimin politik të Shqiptarëve ndaj vetë Luftës Ballkanike, e cila për moto do të ketë çlirimin përfundimtar nga pushtimi osman.
Kundruall këtyre rrethanave Shqiptarët do të përcaktohen që të mbrojnë trojet e tyre nga pushtimet e ushtrive fqinje, edhe pse kjo të ndodhur në një front bashkë me ushtritë osmane, i fuste në luftë me fqinjët dhe, në rast humbjeje, i përballonte me rrezikun e ndëshkimit, që ishte paraparë.
Si do të shihet, besimi se përkrah ushtrive osmane, Shqiptarët do të mbrojnë trojet e tyre, do të humbet shpejt, pasi që armata osmane, jo vetëm që nuk do të rezistojë në përputhje me fuqinë që kishte, por me “manovrat” gjoja për t’u rigrupuar në veri kah Shkodra dhe në jug kah Janina, në të vërtetë do t’ua lëshojë frontet ushtrive serbe, malaziase,bullgar dhe greke që me të shpejtë të pushtojnë tokat shqiptare. Historianët e ndryshëm edhe sot kanë dilema çfarë qëndronte në të vërtetë përballë kësaj sjellje të armatës osmane dhe cilat ishin motivet e tërheqjes së saj, kur dihej se ajo ushtarakisht ishte e përgatitur për luftë, ndërkohë që mbajtja e hapur e fronteve të luftës për një kohë pak më të gjatë, jo vetëm që do ta ndryshonte gjendjen në të mirë të saj, por ajo do të pengonte edhe realitetet e reja të krijuara me dhunë, të cilat do t’u shkojnë për shtati planeve hegjemoniste të vendeve sllavo-ortodokse dhe forcimit të Rusisë në rajon?
Rezistenca e njësive shqiptare, si rezervistë apo si vullnetarë, nuk do të mjaftojë që trojet shqiptare të shpëtojnë nga pushtimet. Përkundrazi, tërheqja “taktike” e armatës osmane dhe lënia e forcave shqiptare në vijat e frontit, do të sjellë një tragjedi të paparë. Ushtritë pushtuese (serbe, malaziase, greke dhe bullgare) nga të gjitha drejtimet do t’u vërsulen tokave shqiptare duke masakruar jo vetëm mbrojtësit e pafuqishëm, por që si “hakmarrje” ndaj “rezistencës armike”, do “të gjejnë shkase” për t’iu sulur ushtarakisht popullatës së pambrojtur të Kosovës nga pika e Merdarit e deri në bregdet.
Do të jetë ky gjenocidi i dytë serbo-malazias brenda katër dekadave (i pari gjatë dimrit të vitit 1877/78 me rastin e luftës ruso-osmane kur ushtria serbe do të shfrytëzojë humbjen e forcave osmane për t’u futur në pjesët e Toplicës, të Kurshumlisë e të Prokupës ), që për pasojë do të ketë vrasjen e mbi tridhjetë mijë Shqiptarëve si dhe shpërnguljen e mbi 150 mijë vetash që do të kërkojnë shpëtim në drejtim të Turqisë dhe të zhvendosjes në pjesët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut.
Sidoqoftë, në këto rrethana, kur përkundër rezistencës së Kosovës në luftë me ushtritë pushtuese serbe dhe malaziase, thuajse e gjithë Shqipëria do të pushtohet nga fuqitë e vendeve të Aleancës Ballkanike, ndërkohë që pjesa më e madhe e patriotëve shqiptarë që kishin udhëhequr rezistencën në frontet me Serbinë, Malin e Zi ishin zënë rob nga fuqitë pushtuese (Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi dhe shumë të tjerë, të cilët do të dërgohen në burgun e Beogradit), atyre që kishin mbetur jashtë kësaj tragjedie (Ismail Qemalit dhe të tjerëve që gjatë Kryengritjes së Kosovës, por edhe luftës kundër pushtimeve me forcat serbe dhe malaziase ndodheshin në Stamboll), domosodshmërisht u binte barra që ta merrnin përsipër luftën politike dhe diplomatike për shpëtimin e Shqipërisë.
Kështu, Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin dhe disa të tjerë, në rrugë e sipër për në Vjenë, do t’i drejtohen Bukureshtit, ku do të mbajnë një tubim në të cilin do të bisedohet për fatin e Shqipërisë. Pa u përcaktuar për formën politike të saj, në Bukuresht do të vendoset që Ismail Qemali t’u drejtohet Fuqive të Mëdha, dhe më konkretisht Austro-Hungarisë si mbrojtëse të vetme për përkrahjen dhe shpëtimin e Shqipërisë. Gjatë takimit që do të ketë me ministrin e jashtëm të Austro-Hungarisë, Berhtoldin në Budapest, më 17 nëntor, Ismail Qemali do të marrë garancitë e Vjenës për një Shqipëri të pavarur, e cila duhej shpallur sa më parë, para se çështjet të vendoseshin në tryezën e konferencës ndërkombëtare, e cila parashihej të thirrej në fillim të dhjetorit.
Ajo që do të ndodhë nga 17 nëntori deri më 28 nëntor kur në Vlorë do të shpallet pavarësia e Shqipërisë shënon luftë me kohën për të përballuar rrethanat ndër më të pavolitshme që duhej të parandalonin shpalljen e aktit madhor historik.
Në Vlorë, megjithatë, përkundër shumë përpjekjeve kundër saj, më 28 nëntor 1912, do të shpallet pavarësia e Shqipërisë dhe kështu do të përmbyllet një proces i gjatë i përpjekjeve shumëshekullore të Shqiptarëve për pavarësi dhe liri.
Me këtë rast gjithsesi se ka rëndësi të theksohet ajo që tha Hasan Prishtina:
“Lufta ballkanike u bo shkak që kjo nder e famë t’i mbetet Vlonës e jo Kosovës e në vend të nji Shqypnisë së madhe të bohet nji Shqyni e vogël”.
(Shkëputje nga “Kosova” IV, 2017).

Franz Kafka, ikona në letërsinë botërore

0


Nga Flori Bruqi, Prishtinë
 
(3 Korrik, 1883-3 Qershor, 1924 )
Franz Kafka (i lindur më 3 Korrik, 1883 në Pragë të Austro-Hungarisë, sot Republika Çeke; vdiq më 3 Qershor, 1924 në Vjenë të Austrisë) ishte një nga shkrimtarët e historive të shkurtra, dhe modernistët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit XX, trupi i shkrimit i të cilit ishte i vetëm në llojin e tij. 


Disa nga shkrimet e tij mbetën të pambaruara dhe u botuan pas vdekjes së tij, megjithëse dëshira e tij ishte që ato të asgjësoheshin – të cilat janë bërë ikona në letërsinë e Perëndimit. 

 
 Pjesa e tij më e njohur përfshin një tregim të shkurtër me emërtimin “Die Verwandlung” (Metamorfoza, Shëndërrimi) dhe romani i tij i pambaruar “Der Prozess” (Procesi) dhe “Das Schloß” (Kështjella).
 
 Mbiemri “kafkor” ka hyrë në përdorim të shënojë rrethanat e rëndomta të llojit absurd dhe surreal zakonisht të gjetura në veprat e Kafkës. 
 
 Kafka u lind në një familje hebre gjermano-folëse të klasës së mesme në Pragë, kryeqyteti i Bohemisë, një mbretëri që në ato kohë ishte pjesë e monarkisë së dyfishtë të Austro-Hungarisë. 
Disa nga veprat që mund të shtjellohen dhe të përkthyera në shqip janë: “Procesi”, “Metamorfoza”, “Kështjella” në formën e romanit por dhe nga proza e tij e shkurtër në formën e tregimit.
 
 Disa nga tregimet e tij janë “Një Leksion Akademik”, “Populli i Minjve”, “Barbarët”, etj. 
 
Fatkeqësisht veprat e tij janë në shumicën e tyre të humbura dhe për më tepër nga vetë dëshira e autorit për t’i asgjësuar ato.
 
Kryesorja ç’ka mund të fillojë një analizë për këtë shkrimtar, është vënia re e një ndryshimi rrënjësor të formës në veprën e tij dhe në përmbajtje. 
 
Ai shpesh përdorë një formë të veçantë dhe të thatë simbolike ku majmunët flasin, njerëzit transformohen, portretizohen në mostra etj, pra një realitet jashtëtokësor për të analizuar bujtinën tokësore në formën e saj më reale.
 
 Ky konstatim mund të duket kontradiktor në vetvete por nis nga një simbolikë surreale që kërkon vëmendje për problemet e mëdha universale që prezanton Kafka. 
 
Në analizën e “Procesi”-it vihet re një e vërtetë tronditëse e realitetit me njeriun e thjeshtë brenda, dhe sistemet që ndryshojnë dhe e shikojnë ketë të fundit si një pengesë apo një të mirë për to.
 
 Kafka parapëlqen një të vërtetë të skajshme ku sheqerosjet artistike nuk janë më vlerë në veprën e tij. 
 
Personazhi përgjithësisht është njeriu i rëndomë, jo heroi që bën diferencën. Kafka injoron pa e marrë fare parasysh esencën romantike të letërsisë dhe hidhet i tëri në kërkim të shpëtimit universal të cilin e shpreh: “Vetëm kur shkrimtari rastësinë mund ta kthej në ligj dhe ta bëj njeriun të pavdekshëm, vetëm atëherë ai ka një rol në art dhe vetëm atëherë roli i tij është profetik”.
 

Kafka nuk qëndron te ekzagjerimi dhe optimizmi emotiv, ai është ulur këmbëkryq dhe na shikon të gjithëve. 
 
Në personazhin e “Proces”-it zotit “K.”, sistemi gjigant i pushtetit i bën grafikun e jetës pa e shpjeguar se për se e trajton ashtu deri në vendimin për ta vrarë pa i dhënë shpjegim.
 
Nga ana tjetër kjo mund të analizohet dhe në të kundërt; vetë zoti “K.” nuk ka aftësinë për të kuptuar sistemin, megjithëse përpiqet që të kuptojë diçka, përsëri është i mbytur në paqartësi. 
 
Në secilin kah vlerësimi, rezultati i kësaj marrëdhënie është një absurditet fatal ku qenia, ambienti, logjika, hapësira, ekzistenca në vetvete është tejet e pakuptueshme dhe pa mundësi për të pasur një debat ndërmjet tyre, gjithashtu e tmerrshme në efektin e saj. 
Zoti “K.” mund të shikohet në disa drejtime të tjera, ai nuk është vetëm njeri por dhe ligjësi skolastike, e cila në një periudhe të caktuar humbet ekzistencën e saj pasi një ligj tjetër e nxjerr atë të pavlerë.
 
Kjo është një e vërtetë jo e dëmshme në dukje por si do të justifikohen gjithfarë energjish dhe përpjekjesh njerëzore që qenë frymëzuar nga ajo që tashmë është e pavlerë dhe për tu fshirë.
 
 Një kuptim tjetër i përfolur për “Procesi”-in është dhe pyetja teologjike që ai përmban. 
 
Përgjithësisht dogma fetare është një përhapje e arsyes se jeta është një përpjekje për të merituar një perfeksion pas vdekjes. 
 
Feja përmban shumë rregulla që duhen ndjekur dhe pasojat që vijnë nga mosndjekja e tyre, por Kafka i bërtet këtyre arsyeve me faktin se jo të gjithë i njohin dhe i kuptojnë këto ligje. 
 
Pse do të duhet të kenë të njëjtin fat si mos-zbatuesit vullnetar e të vuajnë dënimin kapital. 

Kafka kërkon shtojcën “biblike” që duhet të përmbajë logjikën për fatin e këtij grupi. Ka dhe shume tematika të tjera më sekondare nga ato që u përmendën më sipër.

 
 Zoti “K” në disa rrethana që i krijohen kryen marrëdhënie intime me një vajzë pa modalitet klasik të njohjes, bisedës ose ndjesisë emocionale dhe kurse çfarë veprimesh paraprijëse për të kaluar në marrëdhënie seksuale, por e realizon atë në një forme apriori sikur të mos ketë vend për kushtëzime dhe justifikime. J. P. Sarter citon në një paragraf se: “Shpirti ka me shumë të drejtë se arsyeja” pasi kjo e fundit është e asgjesuesshme nga vet ajo kurse shpirti është një forme e qenësishme apriori. 
 
Por veprimi i zotit “K.” mund të shihet dhe si një protestë e Kafkës me dy elementë. 
 
I pari sistemi (qoftë teologjik, politik, tradicional, etj.) që vepron në mënyre injoruese ndaj individit dhe ky i fundit i përgjigjet atij me të njëjtën monedhë duke krijuar kështu plotësimin instiktiv ndaj dëshirave rastësore. 
 
Në ketë logjikë Kafka është disi në atmosferën e Niche-s por me ndryshimin se nuk e ka qëllim në vetvete por një përgjigje e natyrshme dhe e rrjedhur nga kushtet. 
 
Kjo vepër dhe po ashtu vepra në tërësi e Kafkës me të drejtë është një ortek që sa me shumë thellohesh aq më i madh bëhet, deri sa orteku është vetë globi që banojmë. 
 
Letërsia e Kafkës është një ambient i ankthshëm; është një situatë e një zgjimi e njëkohësisht i një fataliteti. 
 
Kafka nuk është dekadent, ai bën një portret të gjërave por nuk mundohet të rrënojë, të mohojë apo të zgjedhë mjete për të asgjësuar, ai thjesht paraqet ftohtësisht acarin e absurditetit. 
 
 Shtëpia në Vjenë ku vdiq Franz Kafka më 1924 
 
Një kryevepër mund të cilësohet padyshim vepra “Metamorfoza”.
 
 Si zakonisht tek Kafka dhe këtu ambienti është një natyre simbolike. Kafka e fillon veprën e tij me mëngjesin në të cilin një person ndjen që po shndërrohet në kandër.
 
 Mëngjesi është i zakonshëm në shkrimet e tij, zgjimi që personifikon shpresën e re, emocionet e reja, të gjitha këto turbullohen menjëherë sapo personi fillon kontaktin me botën, ai rrënqethet nga atdheu zhgënjyes. 
 
Grigori i transformuar tashmë krijon fillimisht një shqetësim të thellë në familje. Të gjithë ata në ketë moment janë të përkushtuar rreth tij. Gjenialiteti i Kafkës është se ai e paraqet Grigorin në ndryshimin fizik apo mekanik por jo shpirtëror dhe të ndërgjegjes. 
 
Grigori e kupton të gjithë situatën rreth tij dhe ka një pikëllim të madh që tanimë as mund ta shprehi nën petkun e kandrës.
 
Por ç’është në të vërtetë “Kandra”? 
 
S’është gjë tjetër veçse krijesë e një natyre anti-njeri, e një natyre të tmerrshme dhe pa kthim. Ajo është më tepër, nuk është krijim i individit, por e një trysnie fati të cilin askush prej nesh nuk e zgjedh me vetëdije.
Grigorit gjithë kjo gjëmë i vjen pasi ai është shumë i përkushtuar në punë, e cila e ka bërë efektin e saj të çuditshëm, jo duke i dhënë të mirat që çdo njeri pret por duke e shndërruar në një qenie të çuditshme dhe të trishtueshme që e pengon të realizojë natyrshëm dëshirat njerëzore qoftë dhe më minimalet. 
 
Në fund familjarët e lodhur dhe përfundimisht të bindur se krijesa që kanë përballë nuk është me djali apo vëllai i tyre por një “kandër”, e trajtojnë si të tillë dhe Grigori vdes në ngashërimin e pashprehur dhe disi në pritje të “zgjidhjes” që do ti sjelli vdekja. 
 
Megjithëse përshkrimi i mësipërm i këtij romani është mjaft i shkurtër kemi mundësinë të analizojmë disa ide përmbajtëse në të. Shkrimet e Kafkës, në ndryshim nga tregimet e stërzgjatura, përgjithësisht zgjaten me përtesë vetëm për të thënë atë që duhet dhe pa ceremonira formale. 
 
Nëse do ta nisim nga fundi Grigorit i ka ardhur në maje të hundës por siç kemi thënë me lart Kafka nuk është dekadent (të gjejë mjete për të asgjësuar apo zhdukur situata) Grigori ndihet thellësisht i pa shpresë për momentin por ai nuk tenton vetëvrasjen.
 
 Ai zgjidhjen e merr si pasojë e një veprimi pasiv mbi situatën dhe e lë veten tërësisht të shkrihet në fatin që i racionoi Jeta.
 
 Vdekja është një zgjedhje e natyrshme e tij por jo me ekzaltim e për mundësinë e ndreqjes por duke çliruar pamundësinë përballë natyrës absurde që e rrethon. 
 
Kafka në vetvete është një protestues i madh; është vetë protesta.
 
 Ai nuk krijon arsyetime fatale por paraqet botën dhe në ketë drejtim protesta e tij nuk ka hierarki drejtuese, ajo lind apriori për të gjithë që nga momenti i zgjimit në absurd gjithashtu ajo nuk ka mjete lufte përveç reflektimit mbi situatën.
 
 Grigori jemi të gjithë ne të mekanizuar me elementë që fati arbitrar na etiketon çdo kohë dhe që janë të pa evitueshëm. 
 
Jo vetëm kandra por dhe vdekja është e njëjta gjë ashtu si Grigori nuk i bënte ballë dhe s’e kuptonte transformimin ashtu dhe vdekja e kaplon njeriun në vite e ndihmuar nga plagosjet e përpjekjes për lumturi dhe qetësi që i lakmojmë për ditë të gjithë ne.
 
 Kandra është i alkoolizuari që nëpërmjet alkoolit donte të prekte gëzimin por që endet i shkatërruar rrugëve, kandra është “At Sergei” (Tolstoi ) që duke u drejtuar vetëm nga shpirti i amshuar u kthye në një përdhunues.
Ajo është gjithçka që prodhon absurdi dhe jeta pa pika referimi dhe që prezanton fytyrën e saj nëpërmjet këtyre fenomeneve. 
 
Nëse kemi hyre pak në esencën e fundit të veprës dhe në mesin e saj fillimi është ndryshe. Njerëzit tronditen nga transformimi, mortaja, burgosja, etj.
Ata mbajnë një qëndrim ndaj halleve që u bien nga qielli. 
 
Mos vallë Kafka e merr njeriun si një qenie me manual të paracaktuar përdorimi të cilin e ka të stamposur në ndërgjegje dhe orientohet midis të mirës dhe të keqes? 
 
Vetë Kafka është një njeri që i dorëzohet trasendentes? Ai e lë hapur apo pa zgjidhur vetë ketë dilemë me dëshirën për të asgjësuar krijimtarinë e tij apo me saktë pyetjet e tij dhe si Grigori shikon nga ylli i mëngjesit, pas vdekjes. 
 
Në vazhdën e krijimeve pikante të Kafkës me interes është tregimi “Një Leksion Akademik”. 
 
 Këtu paraqitet një personazh shumë i përfolur, të transformimit majmun në njeri. Kafka nuk e shikon zhvillimin nga ana estetike por kuptimore. 
Majmuni tashmë njeri ndihet përballë lirisë së zgjedhjes. 
 
Ai nuk i referohet vetes në anën e cilësisë organike por të ndërgjegjes. Pikërisht, për shkrimtarin, njeriu ka koordinata arsyetive dhe jo të një problemi vizual dhe të lëvizjes. 
 
Për kuptimin tradicional të lirisë ajo çka deklaron Kafka për të është të paktën e çuditshme. Majmuni, tashmë njeri është i pikëlluar për lirinë e zgjedhjes pasi është përgjegjës për rrjedhën e gjërave ndërkohe që nuk është i sigurt për pasojat e zgjedhjes së tij. 
 
Bota tashmë ka formën që ai zgjedh por e tmerrshme pasi ai të vetmin vend ankimi dhe ndëshkimi ka veten. 
 
Kjo tek “Zarathuastra” (F. Niche) është një çlirim i qenies për tu perfeksionuar, tek Kafka është një fatalitet.
 
 Ai është thellësisht në kërkim të fesë, të para-projektit rruga e të cilit nuk do ta zhgënjente njeriun. J. P. Sarter mendonte se njeriu nuk është prodhim fizik dhe ndërgjegjësor i vetvetes, Kafka megjithëse më i hershëm pasi e kalon koshiencën e këtij postulati mendon se gjithashtu njeriu s’mund të projektojë veprimin e vetvetes. 
 
Ai është një qenie e trishtuar për pozicionin që ka. E gjithë kjo të bën ta mendosh mbase të pezmatuar ndaj zotit, natyrës por mbase si një nxitje drejt kërkimit të zotit të humbur ose të një depresioni të pashmangshëm nga kotësia dhe boshllëku që nuk japin shpjegim. Forma e tregimit është krijuar afërsisht si monolog e cila fatkeqësisht mund të interpretohet si një shprese e venitur për përgjigje, kurse fakti që ai e hedh në letër është një veprim i vetvetishëm siç është mendimi. 
 
 Kafka është një qenie gjeniu dhe pikëllues njëkohësisht, sikur të qe i pashmangshëm dëshpërimi i një shpirti të lartë në realitetin tokësor. Veprat na duhen.
 
Shkrime dhe përkthime (përzgjedhje) 1909: Një libër lutjesh grash (Ein Damenbrevier) 1909: Një bisedë me të luturin (Gespräch mit dem Beter) 1909:Një bisedë me të dehurin (Gespräch mit dem Betrunkenen) 1909:Aeroplani në Brescia (Die Aeroplane in Brescia) 1911: Rihardi dhe Samueli (Richard und Samuel) 1912: Zhurmë e madhe (Großer Lärm) 1913:Soditje (Betrachtung; me 18 tekste prozë) 1913: Gjykimi (Das Urteil) 1913: Fokisti (Der Heizer) 1915:
Metamorfoza (Die Verwandlung) 1915: Para ligjit (Vor dem Gesetz; pjesë i romanit “Procesi”) 1918: Vrasja (Der Mord) 1918: Një doktor vendi (Der Landarzt) 1919: Në koloninë ndëshkuese (In der Strafkolonie) 1921: Kalorësi i kovave (Der Kübelreiter) 1924: 
Një artist i urisë (Ein Hungerkünstler)
 
Etj.