Hitleri do të mrekullohej nga antisemitizmi i Cakoc dhe Sovranizmi i Rizarta Hoxhës
Alarmi i Madh Demokratik rreth rezultatit të zgjedhjeve : Kur Qytetarët i Kthejnë Shpinën Politikës

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan
Vetëm 36 për qind e qytetarëve dolën në zgjedhjet e fundit. Kjo nuk është thjesht një statistikë zgjedhore. Kjo është një aktakuzë e heshtur ndaj klasës politike të Kosovës.
Përderisa partitë politike vazhdojnë të shpallin fitore, të numërojnë mandate dhe të bëjnë kalkulime për koalicione, një fakt i pamohueshëm mbetet para syve të të gjithëve: gati dy të tretat e qytetarëve refuzuan të bëhen pjesë e procesit. Ky është mesazhi më i fuqishëm që ka dalë nga këto zgjedhje.
Asnjë propagandë partiake nuk mund ta fshehë këtë realitet. Asnjë interpretim politik nuk mund ta zbusë domethënien e tij. Kur shumica e qytetarëve zgjedhin të mos votojnë, problemi nuk është te populli. Problemi është te politika.
Për vite me radhë, qytetarëve u janë premtuar reforma, zhvillim ekonomik, vende pune, arsim cilësor, shëndetësi moderne dhe sundim i ligjit. Për vite me radhë kanë dëgjuar të njëjtat premtime, të njëjtat akuza dhe kundërakuza, të njëjtat konflikte dhe të njëjtat arsyetime. Ndërkohë, rezultatet kanë mbetur larg pritjeve, ndërsa zhgënjimi është rritur.
Edhe më shqetësues është fakti se politika kosovare vazhdon të funksionojë si një klub i mbyllur ku riciklohen vazhdimisht të njëjtët individë. Në listat zgjedhore shfaqen prej dekadash emra që kanë konsumuar mandate të shumta si deputetë dhe funksionarë publikë, pa lënë pas rezultate që do të arsyetonin vazhdimin e pranisë së tyre në jetën politike.
Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve nuk arrijnë më të shohin dallimin ndërmjet premtimeve dhe realitetit. Ata shohin të njëjtët njerëz që premtojnë ndryshim, ndërkohë që vetë janë bërë simbol i stagnimit politik. Ata shohin figura që ndërrojnë pozita, por jo mentalitet. Ndërrojnë ulëse, por jo mënyrën e qeverisjes.
Kjo është arsyeja pse pjesëmarrja e ulët nuk duhet interpretuar si apati qytetare. Përkundrazi, ajo është formë proteste. Është vota e heshtur e atyre që kanë humbur besimin se politika aktuale mund t’i përfaqësojë interesat e tyre.
Por kjo situatë përbën edhe një rrezik serioz për demokracinë. Një shtet nuk mund të ndërtojë institucione të forta mbi indiferencën e shumicës së qytetarëve. Demokracia jeton nga pjesëmarrja, nga besimi dhe nga ndjenja se secili qytetar ka ndikim në drejtimin e vendit. Kur këto elemente dobësohen, dobësohet edhe vetë themeli i shtetit demokratik.
Prandaj, klasa politike duhet ta lexojë drejt këtë mesazh. Nuk mjafton të sigurohen votat e nevojshme për një mandat tjetër. Nuk mjafton të festohen fitoret partiake. Pyetja që duhet t’i shqetësojë të gjithë është shumë më e madhe: pse shumica e qytetarëve nuk besuan se ia vlente të dilnin në votime?
Kosova ka nevojë për një rifreskim të thellë politik. Ka nevojë për hapjen e partive ndaj profesionistëve, akademikëve, sipërmarrësve, të rinjve dhe grave që kanë dëshmuar integritet dhe sukses në jetën e tyre publike. Ka nevojë për përzgjedhje kandidatësh mbi bazën e meritës dhe rezultateve, jo mbi bazën e besnikërisë ndaj strukturave partiake.
Po aq e rëndësishme është vendosja e një kulture të llogaridhënies. Deputetët dhe zyrtarët publikë nuk duhet të konsiderojnë mandatet si privilegj të përhershëm. Ata duhet të japin llogari për premtimet, për punën dhe për rezultatet e tyre. Demokracia nuk mund të funksionojë si sistem privilegjesh të trashëguara politikisht.
Nëse politika vazhdon të injorojë këtë alarm, pjesëmarrja mund të bjerë edhe më tej në të ardhmen. Nëse vazhdon riciklimi i figurave të konsumuara dhe mungesa e rezultateve konkrete, hendeku ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve do të bëhet edhe më i madh.
Por ende nuk është vonë. Kjo dalje e ulët mund të shndërrohet në pikë kthese. Mund të jetë momenti kur partitë politike kuptojnë se qytetarët nuk kërkojnë më fjalë të mëdha, por rezultate konkrete; nuk kërkojnë më heronj partiakë, por shërbyes publikë; nuk kërkojnë më konflikte të pafundme, por vizion dhe përgjegjësi.
Mesazhi i qytetarëve është i qartë dhe i pamëshirshëm: ndryshoni mënyrën e të bërit politikë ose përballuni me humbjen graduale të besimit publik.
Historia ka treguar se asnjë demokraci nuk rrezikohet nga qytetarët që kërkojnë më shumë përgjegjësi. Ajo rrezikohet nga politikanët që refuzojnë ta dëgjojnë zërin e tyre. Dhe këtë herë, zëri më i fuqishëm nuk erdhi nga kutitë e votimit, por nga miliona hapa që nuk u drejtuan fare drejt tyre.
Më 8. Qershor 2026
Harry Bajraktari: Shqiptarët të bëjnë çmos që të kenë investime amerikane, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e kudo tjetër në Shqiptari
Reflektim se si politikanët kanë arritur që mbështetësit e tyre të brengosen më shumë për partitë se sa për Atdheun
Zgjedhjet nuk sollën ndryshim!

Florim Zeqa
Rezultati zgjedhor, edhe pse nuk ndikoj në renditjen e subjekteve politike, e imponon nevojën e një bashkëpunimi mes forcave politike në Kuvend.
Bojkoti qytetar ndaj zgjedhjeve të 7 qershorit duhet të jetë alarm për të gjitha partitë parlamentare.
Qytetarët me mosdalje në votim i ndëshkuan të gjitha partitë
Rënia e madhe e numrit të daljes së qytetarëve në zgjedhje dhe përqindjes së votuesve në të gjitha komunat e Kosovës për 200 mijë votues apo 25.7% më pak në krejt Kosovën është tregues i lodhjes së qytetarëve me zgjedhje të shpeshta dhe i humbjes së besimit në partitë ekzistuese.
Rënja në 36 % e daljes së popullatës në zgjedhje, ndikon në legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.
Kur 64 % e qytetarëve i bojkotojnë zgjedhjet, dëshmon rënjen e besimit të qytetarëve në partitë ekzistuese!
200 mije votues më pak nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar duhet të jenë shqetësim për të gjitha partitë politike.
Këta 200 mijë votues me bojkotin zgjedhor e shprehën revoltën tyre ndaj të gjitha partive pa dallim, liderëve partiakë dhe politikanëve në veçanti, të cilët për egot e tyre personale e sollën pa nevojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Krahasimet e përqindjeve të partive politike me 36 %-in e daljes së votuesve në zgjedhje përveqse qesharake, janë tendencioze në krahasim me fitoren e bojkotit qytetar!
Bojkoti i zgjedhjeve është ngritje e vetëdijes qytetare, e cila thërret si kushtrim për ngjizjen e një alternative të re politike.
ADN e vetmja shpresë për shpëtim
Të dashur qytetarë dhe bashkatdhetarë, 7 qershori nuk ishte fillimi dhe as fundi i një epoke!
Ndryshimi i vërtetë pritet të ndodhë pas këtyre zgjedhjeve me daljen në skenë të Alternativës Demokratike për Ndryshim apo ADN-së politike shqiptare siq e pëlqej ta quaj, të këtij projekti madhor për vendin, i hartuar më kujdes të veçantë nga ana ime!
Në ADN secili qytetarë dhe mërgimtarë kudo që ndodhet do ta ketë mundësinë e pjesëmarrjes në vendimarrje dhe të krijojë mirëqenje për familjen e tij dhe të tjerët në shtetin e Kosovës, e jo si deri më tani, që ne, më votën tonë t’i ngrisim në karrierë politikanët e papërgjegjshëm, të cilët më pas, jo vetëm që po na harrojnë, krijojnë pasuri të paligjshme për vetën, familjet e tyre dhe farefisin e gjërë!
Përmes ADN-së do t’i jepim goditjen përfundimtare të keqës që e ka pllakosur vendin tonë në këto vitet e paspavarëisë!
Mbase, është momenti i fundit që qytetarët dhe mërgimtarët të vetëdijësohen dhe ndërgjegjësohen për t’ua kthyer shpinën këtyre partive të dështuara në qeverisje dhe shtetndërtim!
Këto parti dhe këta politikan e demaskuan vetën e tyre me politikat hileqare dhe inatçore duke e përçarë një popullatë të tërë!
Familja është e shënjtë, shteti është i shënjtë, kombi është i shënjtë dhe i patjetërsueshëm.
Andaj, që t’i shpëtojmë këto tri gjëra kaq të çmuara duhet të bashkohemi rreth Alternativës Demokratike për Ndryshim (ADN), pasi kjo është e vetmja shpresë reale për ndryshim dhe shpëtim nga katandisja e mëtutjeshme e çdo vlere kombëtare dhe njerëzore në Republikën e Kosovës.
Ju mirëpres në rrugëtimin e përbashkët!
Me respekt dhe dashamirësi: Florim Zeqa-nismëtar i Alternativës Demokratike për Ndryshim (ADN).
Mendime e citate nga Prof Dr. Shefkiu i ndjerë, përkujtime në 90-vjetorin e lindjes

Gani I. Mehmeti
- PROF. DR. SHEFKI SEJDIU, ME RASTIN E 90-VJETORIT TË LINDJES
Citate të thëna nga ai dhe për të:
GJUHA, GJAKU, KOMBI, KULTURA, FEJA.
Feja e shqiptarit është Shqiptaria – manifest!
- Me urdhërin e Papës sa krimet janë bërë, poërfshirë djegien e Xhordano Bronos!
- Muhamedi a. s. Ka pasur haremin me 13 gra!
- Kurani mbështetet edhe në Bibël edhe te jahuditë, Salomoni – Sylejmani, Mojsiu – Musa, etj.
- Muhaxhedinët nuk kanë pasur të drejtë të falen rrugëve!
Prof. Dr. Shefki Sejdiu ka lindur më 8 qershor 1936 në fshatin Pakashticë e Poshtme, komuna e Podujevës.
Vdiq më 23 korrik 2023, mbasi kishte mbushuer 87 vite.
Prof. Dr. Shefki Sejdiu ishte tejet parimor si njeri.
Ai ishte për gjuhën letrare:
“Çdo popull duhet të ketë edhe një gjuhë standarde”! – ka thënë dhe gjithsesi ishte për gjuhën letrare që e kemi, por që edhe duhej zbatuar atë në çdo nivel arsimimi e çdo vend publik e shtetëror.
Ishte për arsimimin e të rinjve.

Prof. Dr. Shefki Sejdiu dhe Salih Ramadani, ish deputet në Kuvendin e Maqedonisë
Që në vitet e 60-dhjeta të shkeullit 20, kur po jipte mësim në Gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës, pati thënë:
Edhe në Kaçanuell këmbë do dilja për arsimimin e të rinjve! – një rrugë e vështirë malore dhe bukur larg nga Podujeva, që kufizohet me Llapin.
Bashkë me Xhyltekin Shehun e të tjerë, ishte themelues i Gjimnazit në Drenas, ku edhe kishte dhënë mësim..
Kur njëri kishte thënë që të intervenonte tek kolegu i tij për notë një studenti, Shefki Sejdiu i drejtohet: “Ma bjen dy ditë në javë djalin në shtëpi, që unë ta përgatis për provim”! se ai nuk lejonte veten të intrvenonte diku tjetër për notë, deri sa edhe vet nuk pranonte intervenime.
- Në vit, mjaftojnë gjashtë faqe shkencë! –
Në shkencë Ishte i thellë
Në shkencë ishte i vaçantë se si ai shpjegonte etimologjinë e gjuhës shqipe, duke e sjellë nga pararomanishtja.
Ishte i saktë në politikë
Ishte vetëm 30-vjeçar kur kishte rënë Rankoviqi nga skena politike si një ideolog i shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi përmes shtypjes e presioneve politike. Në Kosovë po përpiqeshin të ndreqeshin deformimet me ata njerëz që i kishin shkaktuar ato.
Në një takim në sallën e filmit, ku ishte edhe vetë Fadil Hoxha në vitin 1966, prof. Shefki Sejdiu, kishte marrë fjalën pas Fadil Hoxhës, dhe e thot troç:
Me njerëzit që kanë shkaktuar deformimet në Kosovë ndaj popullit shqiptar, nuk ndreqen deformimet. Sepse po përpiqeshin të mos e largonin askë, që kuptohej se askush nuk do të jipte përgjegjësi.
Këtë e pranon edhe Fadil hoxha, dhe tek më pas bijnë nga politika ata që kishin bërë këto deformime ndaj shqiptarëve.
Dhe, pas fjalës së Prof. Dr. Shefki Sejdiu, Fadil Hoxha thot: Llapi e paska vetëm një njeri!
Ishim tre veta në kabinetin e tij në Fakultetin Filologjik, dega e frengjishtes, unë, Salih Ramadani nga Maqedonia, ish deputet në Kuvendin e Maqedonisë dhe ishte vetë Prof. Dr. Shefki sejdiu.
Në bisedë e sipër, Salih Ramadani tha: “Rugova është tradhtar”!
Prof. Shefki Sejduiu ka qenë i rreptë, dhe pa e lejuar të fliste më gjatë, ia vuri dorën përpara që të ndalonte dhe i tha: “Ndal, ndal! Nëse gjithçka mund t’i thuhet Rugovës, tradhtar nuk ka qenë”!
Ka marrë pjesë në shumnë simpoziume shkencore kombëtare e ndërkombëtare.
Prof. Dr. Shefki Sejdiu – human:
Kisha përgattiur një libër me sentenca nga gjuha latine, – thoshte. Mirëpo, pak para se ta dorëzoja në shtyp, më solli një tjetër një libër të njejtë për ta recensionuaer! Nuk munda ta kundlrshtojë ose t’i them se një të tillë jam duke e përfunduar vetë. E lash libirn tim dhe e kreva të atij tjetrit. – thoshte profesori. Dhe nuk e pati botuar. Me siguri diku e ka në dorëshkrimet e veta dhe do të dali më vonë nga dikush që do të merret me dorëshkrimet e prof. Dr. Shefki sejdiut.
Nga ideja e Shefki Sejdiut është formuar Shoqata “NËNA TEREZË”. Ai i pari u ka thënë të tjerëve që ta shfrytëzojnë emrin e saj si nobeliste.
Nga ideja e tij, Adem Demaçit i është dhënë shoferi, vetura dhe një mijë euro në muaj si veoprimntar i çështjes kombëtare që nga rinia e tij.
- Më 1985 në Slobodna Dalamacia boton Qosja. Në Novi Sad dolëm bashkë me qëndrime, u bashkuam, u bë mirë.
- Rugova në Parisin 8 që e kanë lauruar. Europa e ka çmuar shumë Rugovën.
- Gjithë këto polemika nuk na vyejnë!
- Unë i kam dashur njësoj të gjithë shqiptarët pa dallim krahinash.
- Më 1981 Hasan Mekulin e bëmë dekan. Ai kish qenë i mirë, diti ta mbajë kuadrin. Dha sakrificën dhe kontributin.
- Rexhep Hoxha nuk mundet t’i durojë rrencat e spiunët. Ai ua thotë parasysh. Ai e refuzon çmimin, nuk dua çmim në çdo emër, – ua thotë.
- Nana që ka qitur flija, e ka vendin e aprë në UÇK!
- Mësuesi që ka edukuar, e ka vendin e dytë te UÇK!
- Të burgosurit politikë dhe UÇK-ja e kanë vendin e tretë në UÇK! – thotë prof. Shefki Sejdiu.
- Po bëhej përgatitja për regjistrim. I mblodhën të gjithë mësuesit e i përgatitën. Nexhmi Sejdiu ishte procesmbajtës. Një Akil Zeneli, nga Shkodra, historian, i thotë se në Llap nuk ka turq. Ndërpritet mbledhja. Prej tyre formohet NDSH-ja.
- Sherif Voca ka kandiduar për deputet. Ka dalë në xhami të Pakashticës te Mulla Ademi për të dhënë votën. Për këtë do të duhej vetë Mulla Ademi të bisedonte me Mulla Hamitin (Babai i Prof. Dr. Shefki Sejdiut). Kundërkandidat ishte një Millorad Dabinoci. Ai kish një çikë. Ajo do të martohej me serbin në filan datë. Milloradi humb në votime. Çika, kur i humb babai në votime, bjen në litar e nuk don të martohet!
- Mbas një javë dite, Mulla Hamiti niset për tek miku në Repë. Mirku i Zakutit i del përpara përtej Urës mbi lumin e Pakashticës që shkon për në Metehi.
- Pse ti propagandon për Sherif Vocën e vajza e tij ka bërë vetëvrasje? – i thot dhe i bjen shuplakë Mulla Hamitit, Mirku i Zakutit. I bjen kapela në tokë e trongolong i bjen në lumin Llap! I çohet Mulla Hamiti e i bjen shkelm në vehte sa Mirku bjen e rrëzohet në llogor, buzë të cilit ishin duke biseduar.
Edhe një ditë tjetër, diku mbas një jave, i del përpara Mirku, Mulla Hamitit:
- Hoxho, dajmi ruku (Hoxhë, më jep dorën!)! – ky mbetet! – Daj ruku (Më jep dorën)! – Ky ia jep. – Ja sam bio kriv, evo ti ruka (Unë kam qenlë fajtor, qe dora)! – i thotë dhe e pajtojnë.
- Mulla Hamitin e gjejnë në “Cërna knjiga”, Mulla Ademin e Zejnun Dobratinin e udhëheqës tjerë të kësaj ane (12 veta gjithsej). Por, e kanë shqyer listën ”Cërna knjiga”?
- Në Universitetin e Shkupit Shefki Sejdiu ishte ndër dhjetë më të mirët në studime. Dhe e çojnë jashtë. “Ne kemi punuar sa më shumë për të qenë në mesin e dhjetë më të mirëve, ku ishim 4 shqiptarë”! – rrëfente prof. Shefki Sejdiu.
- Ramush Rama kish qenë për arsim në Podujevë. Duhej hapur shkolla e mesme. Ai po pyeste për Shefkiun se duhej të ishte kujdestar klase. Gjimnazi hapet dhe fillon me 54 nxënës. Në vitin 1990 kishte 4000 nxënës në shkolla të mesme në Podujevë. Pra, është edhe një meritë e prof. Dr. Shefki Sejdiut hapja e Gjimnazit në Podujevë. Shefkiu kishte qenë bërë shkaktar e zgjedhet kryetar komune Ramush Rama.
Serbët kishin thënë: Më mirë do të kishte qenë të vinte Enver Hoxha për kryetar se sa Ramush Rama!
- Jahja Fushën me grua e kanë pushkatuar. Në tokë të tij është Shkolla, i pari me shkollë të mesme në Llapa dhe nuk ia japin emrin e Jahja Fushës!
- Nuk na duhen gjithë këto polemika!
- Viti 2004 shumë na ka dëmtuar!
Marrë më 12 gusht 2012, nga Prof. Dr. Shefki Sejdiu, Prishtinë.
Historia e Sotiris Bletsas, që kërkoj të drejtën e gjuhës arvanitase
15 muaj burg për një të vërtetë: Historia e Sotiris Bletsas! Që kërkoj të drejtën e gjuhës arvanitase![]()
që më pas u ndryshua nga propagandë si gjuha vllehtë Inatin dhe panikun që shteti grek ka nga historia jonë e treguan hapur në shkurt të vitit 2001.
Në zemër të Evropës, një gjykatë në Athinë mori një vendim skandaloz: dënoi arkitektin Sotiris Bletsas me 15 muaj burg dhe një gjobë të egër prej 500.000 dhrami! Mëkati i tij? Nuk vodhi, nuk vrau, nuk dëmtoi askënd.
Ai thjesht shpërndau një broshurë zyrtare të Bashkimit Evropian ku listoheshin gjuhët e pakicave. Në atë dokument shkruhej e vërteta e thjeshtë që ata duan ta varrosin me çdo kusht: që Gjuha Arvanitase është e gjallë dhe flitet në këto dhera!
Një deputet nacionalist (Evgenios Haitidis) e spiunoi dhe shteti e hodhi në gjyq në bazë të Nenit 191 për “përhapje të gënjeshtrave”. Donin ta mbyllnin në burg dhe ta rëndonin me gjoba që të frikësonin çdo arvanitas që guxon të flasë.
Por skandali ishte aq i madh sa u ngritën në këmbë organizatat ndërkombëtare. Ishte Shoqata e të Drejtave të Njeriut (Greek Helsinki Monitor) ajo që doli publikisht në mbrojtje të tij, duke e denoncuar këtë gjyq si një sulm të turpshëm ndaj lirisë së shprehjes dhe duke vënë në lëvizje Parlamentin Evropian dhe Amnesty International.
Frika e tyre ishte e qartë: nëse pranohet që gjuha arvanitase (shqipja e vjetër) ekziston, atëherë shembet i gjithë miti i tyre zyrtar. Atëherë u duhet të pranojnë përpara botës që heronjtë më të mëdhenj të historisë së tyre, suliotët e pamposhtur dhe luftëtarët e vitit 1821, urdhrat e luftës i jepnin në gjuhën shqipe!
Nën presionin e tmerrshëm ndërkombëtar dhe falë luftës së shoqatave të të drejtave të njeriut, Gjykata e Apelit u detyrua të tërhiqej dhe ta shpallte plotësisht të pafajshëm në tetor të po atij viti.
Sotiris Bletsas u bë simboli se si një njeri i vetëm mund të tronditë një propagandë të tërë shtetërore vetëm me një fletë letre ku shkruhej e vërteta.
Ata mund të shpikin ligje e gjoba, por gjuha, rrënjët dhe gjaku ynë nuk burgosen kurrë! ![]()
#albania #kosova #çamëri #Greece #shqiptaretneperbote
Ekskluzive: SPAK mbyllë të gjitha procedurat hetimore për Sazanin, investimi konsiderohet interes strategjik kombëtar
Në një zhvillim të rëndësishëm që konfirmon legjitimitetin dhe prioritetin kombëtar të projektit, SPAK ka mbyllur të gjitha procedurat hetimore lidhur me investimin në ishullin e Sazanit dhe Zvernecit. Pas hetimeve, SPAK konfirmoi se nuk ka çështje korruptive – investimi është plotësisht legjitim dhe në interes të zhvillimit të vendit thonë burimet e Gazetës Journal.
Ky vendim zyrtar e klasifikon projektin si interes strategjik kombëtar, duke i hapur rrugën pa pengesa zhvillimit të një nga investimet më të mëdha në historinë e turizmit shqiptar. Investimi historik i Ivanka Trump dhe Jared Kushner Revista Journal Business e ka bërë temë qendrore të numrit të ri që del më 17 Qershor pikërisht këtë investim. Me një vlerë prej 1.4 miliardë dollarësh, projekti i udhëhequr nga Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner nëpërmjet Affinity Partners synon të transformojë ishullin e Sazanit – një bazë ushtarake e braktisur e epokës komuniste – në një resort ultra-luksoz eco-friendly të nivelit botëror.
Qeveria shqiptare i ka akorduar statusin e Investitorit Strategjik që në fund të 2024 / fillim 2025, duke njohur rëndësinë e tij për ekonominë kombëtare. Ky status siguron lehtësira administrative dhe konfirmon se projekti sjell vlerë të lartë për vendin. Pse është interes strategjik kombëtar?
• Zhvillim ekonomik: Investimi më i madh privat në turizëm, që pritet të gjenerojë mijëra vende pune direkte dhe indirekte gjatë ndërtimit dhe operimit.
• Infrastrukturë: Do të përmirësojë lidhjet detare ferry rrugët dhe shërbimet në zonën e Vlorës dhe Rivierës Shqiptare, duke përfituar jo vetëm Sazanin por edhe komunitetet përreth.
• Siguri kombëtare dhe imazh ndërkombëtar: Projekti e çon Shqipërinë nga turizmi sezonal masiv në destinacion premium luksoz, duke e vendosur në hartën globale krahas Maldivëve Dubait ose ishujve grekë ekskluzivë.
• Miratimi institucional: Pas hetimeve, SPAK konfirmoi se nuk ka çështje korruptive – investimi është plotësisht legjitim dhe në interes të zhvillimit të vendit. Si e zhvillon Shqipërinë dhe turizmin? Sipas analizës së Journal Business, ky projekt shënon një kthesë historike:
• Turizëm i nivelit të lartë: Vila private, hotele luksoze, plazhe ekskluzive dhe arkitekturë që respekton mjedisin – duke tërhequr turistë me fuqi të lartë blerëse nga e gjithë bota.
• Rritje ekonomike: Rritje e të ardhurave nga turizmi, zhvillim i bizneseve lokale (gastronomi, shërbime, artizanat) dhe krijim i mundësive për të rinjtë shqiptarë.
• Pozicionimi global: Shqipëria radhitet tashmë në mesin e 15 vendeve më të kërkuara për turizëm luksoz.
Ky investim po e rikthen vendin në qendër të vëmendjes pozitive ndërkombëtare. Journal Business e paraqet këtë si një sukses të madh vizionar, ku partneriteti me figura si Ivanka Trump sjell jo vetëm kapital, por edhe ekspertizë globale në zhvillimin e destinacioneve ekskluzive. Ky është momenti për të mbështetur zhvillimin e Shqipërisë. Propaganda negative nuk ndalon progresin – investimet strategjike si ky po ndërtojnë të ardhmen e vendit tonë.
Numri i ri i Journal Business del më 17 Qershor – mos e humbni kopertinën dhe analizën e plotë ekskluzive/Gazzetta Journal/
Abstenimi im në votimin e sotëm në zgjedhjet parlamentare është ndërgjegje qytetare dhe kërkesë për reformë zgjedhore në Republikën e Kosovës

Lekë Mrijaj, Klinë
Para disa ditësh kam dalë me një opinion timin publik, në të cilin kam shprehur qartë qëndrimin tim se, derisa në Republikën e Kosovës të mos ndryshohet ligji zgjedhor në drejtim të krijimit të zonave zgjedhore proporcionale, unë do të abstenoj nga votimi në zgjedhjet lokale e parlamentare. Ky qëndrim nuk ka qenë i rastësishëm, as emocional dhe as i nxitur nga ndonjë pakënaqësi e përkohshme politike. Përkundrazi, ai është fryt i një reflektimi qytetar, demokratik, moral dhe institucional mbi mënyrën se si funksionon sot përfaqësimi politik në vendin tonë.
Edhe abstenimi im në votimin e sotëm në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës duhet kuptuar pikërisht në këtë frymë. Pra, jo si indiferencë ndaj shtetit, jo si një ikje nga përgjegjësia ime qytetare dhe jo si mohim i demokracisë, por si një formë e ndërgjegjshme e reagimit publik ndaj një sistemi zgjedhor që, sipas mendimit tim, nuk e afron sa duhet deputetin me qytetarin dhe nuk krijon përgjegjësi të qartë territoriale, politike dhe institucionale.
Në çdo shoqëri demokratike euroatlantike, vota është një nga aktet më të rëndësishme të qytetarit. Ajo nuk është vetëm një shenjë në fletëvotim, as vetëm një pjesëmarrje formale në një proces elektoral. Vota është zëri i ndërgjegjes, fjala e qytetarit përballë pushtetit dhe besimi që i jepet një vizioni, një programi dhe një përgjegjësie publike. Pikërisht për këtë arsye, vota nuk mund të trajtohet si akt automatik, si zakon elektoral apo si detyrim formal pa bindje të brendshme.
E kam theksuar edhe më parë se Republika e Kosovës, në sistemin aktual zgjedhor, e trajton tërë vendin si një zonë të vetme zgjedhore shumëmandatëshe. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka 120 deputetë, prej të cilëve 100 ndahen proporcionalisht ndërmjet subjekteve politike, ndërsa 20 vende janë të garantuara për komunitetet joshumicë. Po ashtu, po e shpreh edhe mendimin tjetër se edhe Presidenti i Republikës së Kosovës duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, në mënyrë që të shmangen krizat institucionale që vendi ynë po i përjeton dhe i ka përjetuar ndër vite.
Modeli aktual zgjedhor ka pasur rëndësinë e vet në fazat e para të ndërtimit institucional të vendit, sepse ka siguruar përfaqësim proporcional dhe përfshirje politike. Mirëpo, pas më shumë se dy dekadash të jetës institucionale, është koha të shtrohet pyetja nëse ky sistem vazhdon t’u përgjigjet në mënyrë të plotë nevojave të qytetarëve dhe standardeve të një demokracie më të pjekur përfaqësuese.
Unë, me të vërtetë, nuk e mohoj rëndësinë e përfaqësimit proporcional. Përkundrazi, proporcionaliteti është një vlerë demokratike, sepse ndihmon që vota e qytetarit të shndërrohet sa më drejt në përfaqësim parlamentar. Por proporcionaliteti nuk duhet ta dobësojë lidhjen ndërmjet të zgjedhurit dhe zgjedhësit. Një sistem zgjedhor nuk duhet të prodhojë vetëm përfaqësim partiak, por edhe përgjegjësi qytetare, territoriale dhe institucionale. Deputeti nuk duhet të jetë vetëm emër në listën e subjektit politik, por përfaqësues i një bashkësie konkrete qytetarësh, me të cilët ka lidhje të qartë politike, publike dhe morale.
Pikërisht këtu qëndron nevoja për reformë. Kosova duhet të hapë një debat serioz, institucional, akademik dhe gjithëpërfshirës për ndryshimin e ligjit zgjedhor. Ky debat nuk duhet të mbetet vetëm çështje e partive politike dhe as të reduktohet në interesa të ngushta elektorale. Ai duhet të përfshijë ekspertë të së drejtës kushtetuese dhe zgjedhore, përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë, gazetarë, qytetarë, mërgatën dhe komunitetet joshumicë. Reforma zgjedhore nuk është vetëm çështje teknike e administrimit të votës; ajo është çështje e arkitekturës demokratike të shtetit.
Një nga drejtimet më të arsyeshme të kësaj reforme do të ishte krijimi i zonave zgjedhore proporcionale. Kosova do të mund të ndahej në disa njësi zgjedhore, të ndërtuara mirë mbi bazën e numrit të popullsisë, baraspeshës territoriale, koherencës rajonale dhe drejtësisë përfaqësuese. Në këtë mënyrë, qytetarët e rajoneve të ndryshme të Kosovës do ta kishin më të qartë se cilët deputetë i përfaqësojnë dhe nga kush mund të kërkojnë përgjegjësi politike.
Në një sistem me zona zgjedhore proporcionale, qytetari i Dukagjinit, i Anamoravës, i Llapit, i Drenicës, i Prizrenit, i Mitrovicës, i Prishtinës apo i viseve të tjera të Kosovës do ta dinte më qartë se kush është zëri i tij në Kuvend. Deputeti, nga ana tjetër, nuk do të mund të fshihej vetëm pas logos së partisë, pas autoritetit të liderit apo pas retorikës së përgjithshme elektorale. Ai do të duhej të përballej më drejtpërdrejt me qytetarët e zonës së vet, t’i dëgjonte hallet e tyre, t’i njihte nevojat e tyre dhe të raportonte për punën e tij publike.
Një model i tillë fare nuk do ta dobësonte demokracinë Kosovare, por do ta bënte më konkrete. Demokracia nuk jeton vetëm në studio televizive, në debate të zhurmshme, në fushata elektorale apo në seli partiake. Demokracia jeton në terren: në lagje, në fshat, në qytet, në shkollë, në spital, në rrugë, në familje, në tokën e bujkut, në punën e punëtorit, në ëndrrën e të riut, në brengën e pensionistit dhe në sakrificën e mërgimtarit. Prandaj, përfaqësimi politik duhet të zbresë nga abstraksioni i listave partiake në realitetin konkret të jetës qytetare.
Në këtë kuadër, rëndësi të veçantë ka edhe përfaqësimi i mërgatës. Diaspora shqiptare dhe qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit nuk mund të shihen vetëm si burim remitencash, si mbështetje ekonomike apo si trup elektoral që kujtohet vetëm gjatë fushatave. Mërgata është pjesë e pandashme e jetës kombëtare, shoqërore, ekonomike dhe politike të Kosovës. Ajo ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbijetesën, çlirimin, rindërtimin dhe zhvillimin e vendit. Për këtë arsye, çdo reformë zgjedhore duhet të shqyrtojë seriozisht mënyrat e përfaqësimit më të qartë dhe më dinjitoz të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Po ashtu, reforma zgjedhore duhet ta ruajë dhe ta garantojë përfaqësimin e komuniteteve joshumicë. Ky përfaqësim nuk duhet parë si barrë politike, por si një nga themelet e rendit kushtetues dhe demokratik të Republikës së Kosovës. Një shtet demokratik nuk matet vetëm me mënyrën se si e përfaqëson shumicën, por edhe me mënyrën se si i mbron pakicat, si e garanton pjesëmarrjen e tyre dhe si ndërton kulturë të bashkëjetesës institucionale.
Megjithatë, reforma zgjedhore nuk mjafton nëse nuk shoqërohet edhe me reformë të kulturës politike. Ndryshimi i ligjit është i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Një sistem më i mirë mund të krijojë kushte më të mira për përfaqësim, por ai nuk mund ta zëvendësojë ndershmërinë, vizionin, përgjegjësinë dhe etikën publike. Kosova nuk ka nevojë vetëm për zgjedhje të shpeshta; ka nevojë për politikë të pjekur. Nuk ka nevojë vetëm për fushata; ka nevojë për vizion. Nuk ka nevojë vetëm për liderë që flasin bukur; ka nevojë për njerëz që shërbejnë me përulësi, me dije, me karakter dhe me ndershmëri.
Pra, këtu qëndron edhe dimensioni moral i abstenimit tim. Kur një numër i madh qytetarësh nuk gjejnë vizion të qartë, kur nuk shohin sinqeritet politik, kur partitë duken më shumë të zëna me interesin e vet sesa me hallet e popullit, atëherë lind një formë tjetër e qëndrimit qytetar: abstenimi. Në këtë rast, abstenimi nuk është refuzim i demokracisë, por thirrje që demokracia të mos mbetet vetëm procedurë, por të bëhet kulturë, përgjegjësi dhe shërbim.
Nga këndvështrimi biblik dhe moral, abstenimi nuk është gjithmonë ikje. Ka raste kur abstenimi është vetëpërmbajtje, pastrim i ndërgjegjes dhe refuzim për t’u bërë pjesë e një gjendjeje që nuk e bind shpirtin. Ashtu si njeriu abstenon nga diçka për të ruajtur pastërtinë e brendshme, ashtu edhe qytetari mund të abstenojë nga një proces kur vlerëson se oferta politike dhe sistemi përfaqësues nuk u përgjigjen pritjeve të tij demokratike dhe morale.
Megjithatë, abstenimi nuk duhet të jetë i lehtë, i verbër apo i papërgjegjshëm. Ai duhet të jetë akt i menduar, i peshuar dhe i ndërgjegjshëm. Nuk duhet të burojë nga përtacia, nga zemërimi i çastit apo nga indiferenca ndaj fatit të vendit. Abstenimi ka kuptim vetëm kur buron nga analiza, nga kërkesa për reformë dhe nga refuzimi për ta legjitimuar një model që qytetari e konsideron të pamjaftueshëm.
Partitë politike në Kosovë duhet ta lexojnë me seriozitet këtë lloj abstenimi. Pra, me fjalë nuk duhet ta shohin qytetarin që abstenon vetëm si të painteresuar apo si të larguar nga procesi demokratik. Përkundrazi, shpesh qytetari që abstenon me vetëdije është qytetar që kërkon më shumë nga demokracia. Ai nuk e refuzon shtetin; ai kërkon shtet më të përgjegjshëm. Ai nuk e mohon votën; ai kërkon që vota të ketë më shumë kuptim. Ai nuk e përbuz politikën; ai kërkon politikë më të ndershme, më përfaqësuese dhe më të lidhur me jetën reale të qytetarëve.
Abstenimi im, pra, nuk është mohim i Kosovës. Kosova është më e madhe se partitë, më e shenjtë se interesat e ngushta dhe më e thellë se fjalimet elektorale. Kosova është gjaku, mundi, ëndrra dhe sakrifica e shumë brezave. Pikërisht për këtë arsye, vota nuk mund të jepet pa ndërgjegje. Ajo nuk mund të shitet për premtime, nuk mund të dorëzohet nga frika, nuk mund të përdoret si zakon familjar apo partiak. Vota duhet të jetë akt i lirë, i pastër dhe i përgjegjshëm.
Edhe në traditën biblike thuhet: “Po-ja juaj le të jetë po, dhe jo-ja juaj le të jetë jo.” Kjo fjalë mund të lexohet edhe si parim moral për jetën publike. Qytetari ka të drejtë të thotë “po” kur sheh drejtësi, vizion, sinqeritet dhe përfaqësim të denjë. Por ai ka të drejtë të thotë edhe “jo” kur sheh mungesë reforme, mungesë përgjegjësie dhe politikë të shkëputur nga qytetari. Ndonjëherë kjo “jo” shprehet me votë kundër; ndonjëherë shprehet me abstenim. Prandaj, qëndrimi im mbetet i qartë: derisa të mos hapet seriozisht çështja e reformës zgjedhore dhe derisa të mos ndryshohet ligji zgjedhor në drejtim të krijimit të zonave zgjedhore proporcionale, dhe zgjedhja e Presidentit nga vota e popullit, unë do të abstenoj nga votimi në zgjedhjet e përhershme parlamentare në Republikën e Kosovës.
Ky qëndrim nuk është kundër Kosovës, por në të mirë të saj. Nuk është kundër demokracisë, por në kërkim të një demokracie më të thellë. Nuk është kundër votës, por në mbrojtje të kuptimit të saj. Unë dua të votoj në një sistem ku vota ime ka lidhje më të qartë me vendin tim, me zonën time, me bashkësinë time dhe me përgjegjësinë konkrete të deputetit. Dua të votoj në një sistem ku qytetari nuk është vetëm pjesë e listave partiake, por pjesëmarrës real në ndërtimin e përfaqësimit demokratik.
Në fund e përmbyll me këtë këndvështrim timin, se abstenimi im është një qëndrim i kthjellët qytetar, moral dhe demokratik, i cili nuk është refuzim i atdheut, por kërkesë për një shtet më të drejtë. Nuk është kundërshtim ndaj demokracisë, por thirrje për ta hapur atë më shumë ndaj qytetarit. Nuk është heshtje e zhgënjyer, por heshtje e ndërgjegjshme. Është një kambanë e heshtur që nuk bërtet, por tingëllon në ndërgjegjen e politikës. Dhe kush ka veshë për të dëgjuar, le ta dëgjojë.
Më 7 qershor 2026
Manifestim madhështor i LAPSH-it në Argau – Festë e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar

Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë
Argau, Zvicër, 6 qershor 2026 – Në një atmosferë festive, të mbushur me emocione, krenari kombëtare dhe dashuri për gjuhën shqipe, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) në kantonin Argau organizoi manifestimin e saj tradicional kulturor-arsimor, duke mbledhur qindra nxënës, prindër, mësues dhe mysafirë nga komuniteti shqiptar në Zvicër.
Salla e manifestimit u shndërrua në një skenë të bukur të kulturës shqiptare, ku flamujt kuqezi, këngët patriotike dhe paraqitjet artistike të nxënësve krijuan një atmosferë të veçantë. Programi i pasur artistik dëshmoi edhe një herë punën e palodhur të mësuesve të shkollës shqipe dhe përkushtimin e familjeve shqiptare për ruajtjen e gjuhës amtare te brezat e rinj.
Në skenë u ngjitën dhjetëra nxënës të moshave të ndryshme, të cilët interpretuan recitime, këngë, valle dhe pjesë artistike kushtuar gjuhës shqipe, historisë dhe figurave të shquara kombëtare. Interpretimet e tyre u pritën me duartrokitje të gjata nga publiku, i cili mbushi sallën dhe ndoqi me emocion çdo paraqitje.
Manifestimi ishte një dëshmi e gjallë se shkolla shqipe në diasporë vazhdon të jetë një urë e rëndësishme lidhëse mes brezave, duke ruajtur identitetin kombëtar dhe duke kultivuar dashurinë për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Përmes punës së mësuesve dhe mbështetjes së prindërve, fëmijët shqiptarë në Zvicër po rriten me vetëdije për origjinën dhe trashëgiminë e tyre kulturore.
Në fjalët përshëndetëse të dr Frashër Demaj u vlerësua roli i LAPSH-it në promovimin e arsimit plotësues në gjuhën shqipe dhe në forcimin e lidhjeve kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër. U theksua se mësimi i gjuhës amtare mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të ruajtjes së identitetit kombëtar në diasporë.
Kulmi i manifestimit u shënua me interpretimin e përbashkët të nxënësve në skenë, të cilët përcollën mesazhe uniteti, paqeje dhe dashurie për atdheun. Pamja e qindra pjesëmarrësve të bashkuar nën simbolin e flamurit kombëtar krijoi një moment mbresëlënës që do të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve.
Manifestimi i LAPSH-it në Argau konfirmoi edhe një herë se komuniteti shqiptar në Zvicër vazhdon të investojë në edukimin e brezave të rinj dhe në ruajtjen e vlerave kombëtare, duke e bërë gjuhën shqipe një trashëgimi të gjallë për të ardhmen.
Një kontribut të veçantë në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij manifestimi dha kryetari i LAPSH-it në Argau, veprimtari i palodhur Riza Demaj, i cili prej vitesh është i angazhuar në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar te brezat e rinj shqiptarë në Zvicër. Nën drejtimin e tij dhe me përkushtimin e mësuesve, prindërve dhe bashkëpunëtorëve, LAPSH-i në Argau vazhdon të jetë një nga shembujt më të mirë të organizimit dhe zhvillimit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.
Nga manifestimi u përcoll një mesazh i qartë: gjuha shqipe, kultura dhe identiteti kombëtar ruhen dhe forcohen përmes arsimit, përkushtimit dhe bashkimit të komunitetit shqiptar kudo që jeton.
Gjenevë, 07.06. 2026




