Kreu Blog Faqe 139

Kontributi i Gjergj Kastriotit Skendërbeut në formimin e shtetit shqiptar

KONTRIBUTI I SKENDËRBEUT PËR FORMIMIN E SHTETIT SHQIPTAR
Abstract:
The Albanian people have fought for centuries to defend their homeland. The most glorious period of the resistance of the Albanian people in the Middle Ages is the period of the resistance of Gjergj Kastrioti. He tried to strengthen alliances with the states of Western Europe. He had the closest ties with the Kingdom of Naples and the Papal State of the Vatican. During the 25 years of resistance against the Ottoman hordes, he did not lose a single battle but won all of them. Albania still uses the flag of Skanderbeg today and he is our national hero.
Shkurtesë
Fjalët kyçe:
Gjergj Kastrioti Skendërbeu, Lek Dukagjini, Gjergj Pelini, Martin Muzaka, Venediku, Arbëria, Perandoria Osmane.
Të nderuar zonja dhe zotërinj!
Kam kënaqësinë të jem i pranishëm për të ju përshëndetur për pjesëmarrjen tuaj dhe për të falenderuar organizatorët e këtij takimi në shërbim të njohjes dhe kujtimit të kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti i njohur në botë si Skendërbeu.
Shqipëria është një vend i vogël, por me një histori të lashtë dhe të lavdishme.
Populli shqiptar ka luftuar gjatë njëzet shekujve kundër pushtuesve të ndryshëm të cilët në shumë raste kanë ushtruar edhe genocid ndaj popullsisë paqësore të kombit tonë.
Në historinë e dy mijë viteve të fundit nuk është regjistruar asnjë rast që populli shqiptar të ketë sulmuar ose pushtuar shtetet fqinje ose kudo në botë.
Nga kjo tribunë e fjalës së lirë ju tërheq vemendjen studjuesve dhe institucineve më të larta të shkencës së historisë shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë që në asnjë rast nuk e kanë ngritur zërin për njohjen e genocidit të ushtruar nga pushtuesi turk ndaj popullit shqiptar megjithse janë të njohura dhe të dokumentuara masakrat mizore të ushtruara nga ky pushtues gjatë gjith kohës së pushtimit.
Sot, populli shqiptar përveç një popullsie që quhet diasporë që banon në shtete të tjera ku janë asimilue pothuajse plotësisht, pjesa e mbetur së bashku me territoret, janë në ndara në pesë shtete duke e bërë Shqipërinë vendin e vetëm në botë që gjatë gjith kufirit të sajë rreth e qark, të jetë e kufizuar me popullsi dhe terrene nga trojet e veta.
Kjo i dedikohet pushtuesit turk i cili në vitet e fundit të pushtimit, i përdori trojet shqiptare si plaçkë tregu për të përmbushur orekset e shteteve ballkanike të mbështetura nga Perandoria Ruse dhe e braktisur nga aleatët tanë natyral, shtetet europiane. Këta të fundit gjatë copëtimit të trojeve kombëtare shqiptare, në mënyrë mjaft të padrejtë, miratuan me vendime zyrtare copëtimin e trojeve shqiptare.
Periudha më e lavdishme e popullit tonë mbetet qendresa antiosmane gjatë njëzet e pesë viteve të udhëhequra nga Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skendërbeu.
Gjergj Kastrioti, heroi ynë kombëtar, ka të vendosur qindra buste në më shumë se njëzet shtete të botës duke ja kaluar të gjithë udhëheqësve politikë dhe ushtarakë nga e gjith bota për numrin e busteve dhe vendeve ku janë vendosur.
Ky fakt i njohur ndërkombëtarisht e ka spjegimin e vet krejtësisht të qartë. Skendërbeu, udhëheqës i Arbërisë dhe gjeneral ushtarak i njohur nga e gjithë Europa si “Kalorësi i Krishtërimit”, gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake luftoi për mbrojtjen e vendit të tij dhe të vendeve të tjera europiane nga invazorët osmanë që donin të pushtonin Shqipërinë dhe Europën.
Ai zhvilloi vetëm beteja mbrojtëse dhe asnjëherë nuk sulmoi ndonjë vend tjetër. Kjo është arsyeja që ai është kampion i ushtarakut që ka luftuar për liri dhe pavarësi.
Kombi shqiptar ka patur në shekuj sjellje korrekte dhe paqësore me fqinjët e tij në lindje dhe në perëndim, në jug dhe në veri të vet.
Kanë qenë popujt e tjerë që e kanë sulmuar dhe djegur e shkatërruar ekonominë dhe kulturën e popullsisë arbërore në trojet e veta.
Në zonat e Arbërisë dhe Dardanisë, pushtuesi turk, sipas dokumenteve të publikuara dhe të pakundërshtueshme organizoi një terror dhe genocid të pa parë më parë në këto troje.
Për ti shpëtuar kësaj dhune dhe këtij genocidi, popullsia e këtyre zonave u largue në masë në vende të tjera si Italia e Veriut dhe e Jugut por edhe drejt vendeve të tjera si Kroacia, Austrohungaria dhe deri në Transilvani.
Popullsia e këtyre trojeve, u zvogëlue shumë dhe vendi pësoi një shkretim të pa njohur më parë.
Sipas statistikave të popullsisë të publikuara në botimet e fundit, vetëm mbas dyqind vitesh Arbëria dhe Dardania e arritën numrin e popullsië që kishin para pushtimit turk.
Popullsitë e larguara nga trojet tona u asimiluan në vendet pritëse duke humbur gjuhën dhe kombësinë.
Vetëm popullsitë që u vendosën në viset jugore të Italisë që sot quhen arbëresh, arritën të ruanin gjuhën, kulturën, veshjet, fenë dhe kombësinë e tyre të pa dhunuar nga mikpritësit e tyre.
Janë këta arbëresh që kanë hapur shkollat e para shqipe, që kanë shkruar shkrimet e para dhe librat shqip duke kontribuar në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.
Në këtë pritje vëllazërore të bashkëkombasve të tij ka hisen e vet edhe vepra dhe lidhjet që krijoi në të gjallë të tij heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti.
Në qytetet italiane ka mbi njëzet sheshe me emrin e Skendërbeut dhe më shumë se 50 buste të vendosura në sheshe publike dhe institucione në shtetin Italian.
Për Skendërbeun buste dhe shtatore janë vendosur në sheshe dhe vende publike edhe në Argjentinë, SHBA, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Francë, Portugali, Spanjë, Zvicër, Austri, Kroaci, Poloni, Rumani, Bullgari, Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe në shumë vende të tjera duke e bërë heroin tonë kombëtar figurën më të njohur të luftës çlirimtare për një pjesë të rëndësishme të popullsive të të gjithë globit tokësor.
Ne, por edhe të gjithë bashkëkombasit tanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në të gjitha vendet ku punojnë dhe jetojnë shqiptar festojmë dhe nderojmë kujtimin e heroit tonë kombëtar me një krenari të ligjëshme që populli shqiptar i ka dhënë botës një gjeneral ushtarak që nga gjithë bota njifet si “Atleti i Krishtit” për kauzën e drejtë dhe për betejat që udhëhoqi njëzet e pesë vjet si prijës i popullit shqiptar.
Ajo që dua të vë në dukje në këtë shkrim është se sa ka qenë i rëndësishëm kontributi i Gjergj Kastriotit për formimin e identitetit dhe shtetit shqiptar.
Në shekullin e pesëmbëdhjetë kur jetoi Gjergj Kastrioti, në shumicën e vendeve në kontinentin europian, shtetet ishin të ndara në principata. Edhe popullsia shqipfolëse e asaj kohe e cila shtrihej në dyqindmijë kilometra katrore në gadishullin e Ballkanit, ishte e ndarë në principata dhe udhëhiqeshin nga princërit e tyre.
Me datë 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti i cili ishte në moshën rreth 38 vjeçare, me anë të një veprimi më shumë politik se sa ushtarak, merr në zotërim principatën e trashëguar nga babai i tij Gjon Kastrioti e cila ishte e pushtuar nga pushtuesit Osmanë. Qendra e principatës në zotërim të tij ishte qyteti i Krujës i quajtur nga shqiptarët Krua për shkak të burimeve të ujit që buronin në afërsi dhe në gjuhën e shqiptarëve këto burime quheshin kroje.
Mbas tre muaj dhe katër ditëve nga marrja në pronësi të principatës së tij, me datë 2 mars 1444, Gjergj Kastrioti organizon në qytetin e Lezhës një mbledhje që në histori njifet si “Beslidhja e Lezhës”.
Në këtë mbledhje, Gjergj Kastrioti ftoi të gjithë princërit e principatave me popullsi shqiptare. Aty ai ftoi edhe përfaqësues nga vende të tjera si Venediku, Vatikani, Napoli etj.
Është i njohur dhe i konfirmuar mirë fakti që jo të gjithë princërit e principatave erdhën në këtë takim.
Sipas dokumenteve të ruajtura në arkivat Veneciane dhe arkivave të tjera italiane dhe sipas librit të Marin Barletit “Historia e Skendërbeut” botuar në vitin 1510, në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues nga katrëmbëdhjetë krahina dhe principata të popullsive shqipfolëse.
Në këtë mbledhje të organizuar nga vetë ai, Gjergj Kastrioti ju bëri thirrje të gjith princave që të bashkoheshin në një njësi dhe nën një komandë për të luftuar kundra pushtuesve osmanë për lirimin e krejt trojeve shqiptare, madje edhe të popujve të tjerë të gadishullit ballkanik.
Kjo konsiderohet veprimi i parë i njohur për të realizuar bashkimin e principatave në një njësi të vetme. Ky veprim i tij, nëse do të ishte realizuar, do të ishte themelimi shtetit nacional të shqiptarëve
Princërit, siç ndodhë pothuajse gjithmonë me shqiptarët, jo të gjithë ishin dakort me të gjitha propozimet që bëri Gjergj Kastrioti.
Ata në parim ranë dakort për luftë kundër pushtuesve por kur erdhi fjala për pozicionin që do të kishte Gjergj Kastrioti në këtë luftë, nuk ishin dakort që ai të ishte prijësi absolut i kësaj nisme por Gjergjin e emëruan sipas dokumenteve të dërguara në Venedik nga përfaqësuesit e këtij shteti “Primus Interpare”. Përkthimi saktësisht i këtij titulli nga gjuha latine në gjuhën e sotme është i diskutueshëm por nga të gjithë studiuesit pranohet se ky titull ka kuptimin “I barabartë midis të barabartëve”. Nëse e spjegojmë me fjalë të tjera, kjo kishte kuptimin që pjesëmarrësit nuk pranonin të hynin nën komandën e Gjergj Kastriotit por, ishin dakort të gjithë të ishin aleatë në luftën për çlirim.
Nëse e analizojmë këtë qëndrim të princërve shqiptarë në këtë takim pa paragjykime, pa qëllime të këqia në favor të kundërshtarëve tanë, por në mënyrë llogjike, atëherë ky qëndrim ka një farë të drejte dhe kuptimi llogjik se përse u mbajt.
Kur u bë kjo lidhje, me 2 mars 1444, Gjergj Kastrioti ishte rreth 38 vjeç, beqar, i shkolluar në Perandorinë Osmane, nuk kishte zhvilluar asnjë betejë kundra turqve.
Llogjika të çon në mendimin se pjesëmarrësit nuk kishin arsye ti jepnin besimin absolut këtij pinjolli të familjes së Kastriotëve për të qenë udhëheqës absolut i të gjithëve.
Është e vërtetë se Gjergj Kastrioti e vazhdoi luftën për njëzet e pesë vjet dhe nuk humbi asnjë betejë në përballjen me fuqinë ushtarake të perandorisë Osmane që në atë kohë ishte perandoria më e fuqishme në botë.
Gjergj Kastrioti ka humbur vetëm betejën e Beratit ku pati kundërshtar jo turqit por një ushtri turke të përbërë me ushtar qind për qind shqiptar.
Për kontributin e tij në luftë kundër invazorëve të perandorisë otomane dhe për fitoret e korrura, Papa Kalisti i tretë i dha Gjergj Kastriotit titullin “Atleti i Krishtit”.
Për faktin se Gjergj Kastrioti formoi një shtet të formësuar si i tillë dhe nuk ishte thjeshtë një kaçak rebel në krye të një çete rebelësh siç shkruajnë në shkrimet e tyre dashakeqe dhe pa asnjë bazë disa kundërshtar të çdo vlere shqiptare, duke u munduar t’i përvehtësojnë këto vlera në dobi të kombeve të tjera, tregojnë dokumenta dhe shkrimet e ruajtura në arkivat perëndimore në Itali, Francë, Spanjë, Austri dhe vende të tjera.
Deri tani, letërkëmbimet e Gjergj Kastriotit me principatat dhe shtetet europiane, kanë të konfirmuara më shumë se 400 letra të dërguara nga Gjergj Kastrioti ose që i janë dërguar atij nga të tjerë ose që flasin për rolin e tij në teatrin e luftës antiosmane.
Ne kemi publikuar disa nga këto letra të përkthyera në gjuhën shqipe por shumica absolute e tyre ose është publikuar nga studiuesit e huaj në gjuhë latine dhe gjuhë të tjera ose ruhen akoma në dorëshkrim dhe nuk janë publikuar asnjëherë.
Institucionet zyrtare në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të marrin masat e nevojshme dhe ti botojnë këto letra në mënyrë kronologjike sipas datave kur janë shkruar dhe të përkthyera në gjuhën shqipe.
Letra e Gjergj Kastriotit e shkruar me datën 29 mars 1463 nga kepi i Rodonit për Papa Piu II, ku bëhet fjalë për caktimin e Martin Muzakës si ambasador të shtetit të administruar nga Gjergj Kastrioti në Vatikan, tregon për një shtet të organizuar me përfaqësi edhe diplomatike në shtete të tjera.
Dokumenta e ruajtura në arkivat e Dubrovnikut dhe të Venecias, që bëjnë fjalë për veprimtarinë diplomatike të ambasadorit të Gjergj Kastriotit në Republikën e Venedikut, Gjergj Pelini nga Artana (Novobërda) e Kosovës, flasin për një aktivitet të zgjeruar të këtij diplomati në ndihmë të Gjergj Kastriotit.
Një dokument i ruajtur që flet për jetën dhe veprën e Gjergj Pelinit.
Dokumentat e ruajtura flasin për një aktivitet të zgjeruar diplomatik të Gjergj Kastriotit me kanceleritë europiane në shërbim të qëndresës antiosmane.
Kjo është prova më e mirë se ai kishte organizuar një shtet, natyrisht jo me konfigurimin që ka sot një shtet modern por të ngjajshëm me shtetet e kohës së tij.
Edhe aleancat me vende të tjera europiane tregojnë për fuqinë e tij ushtarake dhe identifikimin e tij dhe të vendit që përfaqësonte si një shtet potencial në luftën antiosmane.
Shkuarja e Gjergj Kastriotit për afër një vit në ndihmë të mbretit të Napolit me ushtrinë e tij në ndihmë për ruajtur të pandarë këtë mbretëri tregon se sa i rëndësishëm ishte kjo ndihmë për mbijetesën e asajë mbretërie.
Marin Barleti në librin e tij për Gjergj Kastriotin thotë qartas se ai ka kërkuar dokumente autentike për historikun e këtyre zhvillimeve dhe betejave të zhvilluara nga Gjergj Kastrioti në gadishullin Apenin dhe nuk ka gjetur asgjë. Mundësitë teknike dhe transporti për të lëvizur nga një krahinë apo shtet në një tjetër në atë kohë kanë qenë të kufizuara. Për këtë shkak, Barleti mund të mos ketë arritur të kryej kërkimet e duhura por në shekullin tonë janë gjetur dhe publikuar shumë dokumente që hedhin dritë mbi ato ngjarje.
Ekzistenca e stemës së dinastisë Kastrioti dhe e flamurit me shqiponjën dykrenare që përdoret edhe sot nga kombi shqiptar, janë një provë e fortë për një organizim të një shteti serioz dhe të pavarur.
Gjatë qeverisjes së tij Gjergj Kastrioti disa herë u tradhëtue nga bashkëpunëtorët e tij si nipi i tij Hamzai dhe disa gjeneralë të tij.
Edhe disa nga principatat shqiptare patën mosmarrëveshje me shtetin e Arbrit dhe disa herë u përdorën edhe armët kundër njëri tjetrit. Kjo ka ndodhur me Danjën, me principatën e Dukagjinit dhe të Spanëve. Në vitet e fundit të jetës së tij, princët e Dukagjinit dhe të Spanëve u pajtuan me Gjergj Kastriotin dhe luftuan së bashku kundë turqve pushtues.
Madje princi Lek Dukagjini, u mërzit shumë nga vdekja e parakohëshme e Gjergj Kastriotit dhe e qajti në mënyrë legjendare vdekjen e tij. Ai mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit e vazhdoi edhe dhjetë vjet luftën kundra pushtuesve turq.
Edhe ky fakt tregon për një shtet të konsoliduar të Gjergj Kastriotit. Në vitin 1482, djali i tij Gjon Kastrioti, u kthye në tokat arbërore për ta vazhduar luftën e të jatit por nuk pati sukses.
Mbas shpalljes së pavarësisë nga Perandoria Otomane më 28 nëntor 1912 që nga shqiptarët u quajt nëntori i dytë në kujtim të hyrjes në Krujë me 28 nëntor 1443 të Gjergj Kastriotit dhe stema dhe flamuri u soll nga diaspora dhe u rivendos ai që kishte qenë 450 vjet më parë.
Qeveritë tona në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të nxjerrin ligje që ndalojnë sharjet dhe shpifjet kundra Gjergj Kastriotit Skendërbue dhe kundra historisë së kombit tonë. Sa më vonë të ndalohet kjo masakër historike aq më të mëdha do të jenë dëmet që i shkaktohen historisë dhe kombit tonë.
Ju faleminderit
Tiranë më 7 qershor 2025.

Betimi i një guerili, kushtuar Ali Ajetit

0

Betimi i një guerili

(Kushtuar Ali A. Ajetit,
vrarë më 30 maj 1989 në Shtedim të Podujevës,
në dyluftim me forcat pushtuese të Serbisë.)

Betohem se do të lëshoj rrënjë,
si rrapi shekullor i Dyzit.

Nuk do ta marr malin,
as s’do ta lëkund qerpikun.

Nuk do ta turpëroj familjen,
as farefisin.

Do të qëndroj,
edhe po u bëra pluhur e hi,
këtu ku lindën e jetuan
të parët e mi.

Nuk do t’i kënaq
shovinistët serbo-sllavë
me frikë e nënshtrim.

Do të luftoj për Llapin
dhe Gallapin tim.

Krisma e armës sime do të jehojë
në Shalë të Bajgorës,
në Drenicë,
në Karadak,
në Kaçanik,
në Dukagjin
e në Podguri.

Vdekjen dua ta bëj si burri,
ashtu siç e bënë:

Isa Boletini,
Oso Kuka
dhe Bajram Curri.

Nga gjaku im
do të mugullojnë malet
e do të lulëzojnë fushat.

Do të kujtohem
si Hasan Prishtina
e si Shaban Polluzha.

Derisa të ekzistojë
toka dhe qielli,
do të më këndohet kënga;

krenar me mua do të ndihen
Prishtina,
Shkupi,
Ulqini
e Tirana.

Arif Ejupi
Gjenevë, 9 qershor 1997

Moisi Golemi… dhe masakra e Konstantinopojës

0
MOISI GOLEMI… DHE MASAKRA E KOSTANDINOPOJES
Në kujtim të Moisiut të Dibrës.
Moisi Golemi (Moisi Aranit Golem Komneni)… ishte princ i Dibres dhe nip i princit legjendar Gjergj Aranit Komneni… Me rikthimin e Skenderbeut në Krujë, ai bâhet komandanti i forcave kufitare të Lidhjes së Lezhës. Njêni nga oficert e tij mâ të guximshem e të suksesshem, i cili merrte shumë kritika nga Skenderbeu për guximin e tepruem. Ishte njêni nga themeluesit e taktikes së kalorsis së lehtë, taktikë e cila u përcoll ma vonë në Itali, dhe ndryshoi rranjsisht artin luftarak të kohes në të gjithë Europen.
Në korrik të 1455 zhvillohet Beteja e Beratit, betejë në të cilen Lidhja e Lezhes humbet thellë në sajë të kapjes në befasi. Moisi Golemi largohet menjiherë për në Stamboll ku u ofron shërbimin e tij osmanëve. Nisun nga fakti që Moisiu ishte komandanti i forcave kufitare, doli edhe perfundimi që humbja e Beratit ishte nji tradhti e tij. Osmant paten financue shumë në përçamjet dhe zilitë ndërmjet krênve të Lidhjes. Por Moisiu e tradhtoi për nga krenìa (1). Moisiu kthehet në luftë kunder Skenderbeut, por humbet thelle. Ma vonë largohet për n’Anadoll ku i sillen ftohte. Tue e kuptue gabimin, kthehet prapë e kërkon falje te Skenderbeu.
Ai e pranon, por kushti ishte që kushdo që të fliste për tradhëtinë e maparshme të Moisiut, të dënohej me vdekje. Moisiu vazhdoi luftnat e tij perkrah Skenderbeut, me nji guxim akoma ma të madh nper beteja. Guxim të cilin do e paguente me rrashtë.
MASAKRA E KONSTANDINOPOJES
Me 1464, Ballaban Pasha vjen në krye t’ushtrisë osmane, dhe zhvillohet beteja e pergjakshme e Vajkalit. Ballabani humbet kundër Skenderbeut dhe terhjeket me shpejtsi. Ne kyt moment, Moisi Golemi shkëputet me nji pjesë të kalorësis së tij të lehtë, në nji përpjekje për me kapë Ballabanin. Futen në mes s’ushtrisë otomane dhe kapen të gjallë. Bashkë me Moisi Golemin kapen të gjallë oficert kryesor të tij: Moisi Gjurica, Muzaka i Angelines, Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Kuka, Gjin Maneshi.
Kta dërgohen në Konstandinopojë. Skanderbegu ofroi shumë dhurata në flori e mall, për lirimin e tyne, por Sulltani nuk pranoi gja.
Pas thirrjes së Sulltanit për me tradhtue Gjergj Kastriotin e për me kthye në muhamedanë ata mohojnë njizani. At’herë Sulltani urdhnon rrjepjen e tyne të gjallë në publik. Rrjepja duhej të vazhdonte për 15 ditë, dhe naten duhet të mjekoheshin, për mos me dekë. N.q.s. dikush do vdiste përpara 15 ditve, i gjithe ekipi mjeksor do ekzekutohej. Kjo ceremoni u zhvillue në sytë e mijëra banorëve të Stambollit, përgjatë 15 ditëve. Në fund të ditës së 15°, Sulltani urdhnoi që t’u pritej kryet, dhe kokat e tyne u perdoren si mjet loje nga fmijët, e ma vonë u shiten nga arixhinjte. Trupi i tyne iu hodh qejve. Ky ishte mesazhi që Sulltani i dërgoi Skanderbeut.
Masakra e Konstandinopojes soll edhe prishjen e rregullave të luftes midis Skenderbeut dhe Sulltanit. Në betejen që vijoi… Lekë Dukagjini… pas nji votimi në kshillin e luftes fitoi me shumicë votash mbi Skenderbeun, dhe qysh at’herë u vendos që mos me u lanë asnji i gjallë nper beteja.
Kushtrimi i L. Dukagjinit «Embetha” u ba thirrja e ushtarve arbër, të cilet në betêjën e matejme masakruen tanë robnit e luftes.
________________________________________
1. Atë Marin Sirdani “Për shka fajiset Skanderbegu”.

Pas 1123 vjet, me 29 maj 1453, Konstandinopoja ra nën pushtimin islamik

Pas një shkëlqimi marramendës për 1123 vjet, me 29 maj 1453, Konstandinopoja nuk është më. Qytetërimi perëndimor humbi qendrën e vet të rëndesës; humbën gjurmët ilire të atij qyteti madhështor, të simbolizuara në trashëgiminë konstandiniane dhe justiniane.
29 MAJ 1453- KONSTANDINOPOJA NUK ISHTE ME
573 vite më parë, pikërisht më 29 maj 1453, pushoi së ekzistuari Perandoria Bizantine dhe filloi ngritja e Perandorisë Osmane. Proceset historike ne Europe u frenuan dhe pjesa lindore e kontinentit kaloi per 300-500 vjet ne periudhen e “kohës zero”.
Perandoria Romake e Lindjes vazhduese e universalitetit romak
Perandoria Romake e Lindjes ishte Perandoria universale Romake e ndarë përgjysmë dhe për mbi njëmijë e njëqind vjet u përpoq të mbetej e tillë. Gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së saj, ajo ruajti madhështinë, universalitetin dhe romanitetin, madje në epokën justiniane rifitoi shumicën e territoreve në Perëndim dhe shkonte nga lumi Eufrat deri në Spanjë dhe në tërë hapësirën që shtrihej prej lumit Nil e deri në Danub. Perandoria Romake e Lindjes në Evropë përfshinte gadishullin Ilirik, në Azi Anatolinë, Sirinë dhe territore të tjera në shkretëtirën arabike, pranë Detit të Kuq, në Afrikë zotëronte Egjyptin, Kartagjenën deri në qytetin e Sirtës në Algjeri. Mjafton t’i hedhim një sy hartës për të konstatuar se këto territore bashkoheshin prej ujërave që i lagin, të cilat sa i ndanin, aq dhe i bashkonin dhe e bënë Bizantin një fuqi detare të jashtëzakonëshme.
Banorët e këtyre territoreve, nënshtetasit e kësaj Perandorie, ndër shekuj e quanin veten romakë, ku binte në sy struktura bazë e kulturës politike romake, shteti multietnik dhe i krishterë, i bazuar në tërësinë e qendrave urbane dhe i mbrojtur prej forcave ushtarake të specializuara.
Nëse historia botërore do të ndalet ndonjëherë hollësisht në triumfin evropian mbi pjesën tjetër të botës, patjetër që duhet të vlerësojë rolin e romakëve të Lindjes. Është e padrejtë që njëmijë e njëqind vjet histori e Bizantit të shihet si periudhë e rënjes. Asnjë shtet nuk ka një histori të tillë të famëshme dhe tronditëse. Gjatë njëmijë vjetëve Perandoria Romake e Lindjes ndërtoi kështjella dhe ngriti armët kundër barbarëve dhe ndonëse nganjëherë goditej rëndë gjente energji të pashterëshme për t’u ringjallur. Në momentet më të rrezikëshe, kur dukej se gjithçka kishte marrë fund, dilte një burrë, apo një dinasti, që zbrapste pushtuesit, qetësonte trazirat, gjallëronte ekonominë dhe zhvillonte artet. Por, megjithëse ky qytetërim evoloi, bizantinët janë quajtur vazhdimisht “romakë” dhe latinishtja mbeti për shumë shekuj gjuha zyrtare e Perandorisë. Bizanti ruajti çfarë kishte mbetur prej Romës së Vjetër për një kohë shumë të gjatë. Një tjetër meritë e tij ishte pengimi i ekspansionit persian dhe më vonë arab drejt Perëndimit. Shqetësimi i Perandorëve të parë të Bizantit ishte ruajtja e shtetit në Lindje, pastaj edhe rifitimi i territoreve në Perëndim.
Gjatë njëmbëdhjetë shekujve Perandoria Romake e Lindjes mbeti vatra e një qytetërimi, madhështinë dhe shkëlqimin e të cilit nuk e arriti asnjë shtet tjetër. Qytetarët e Bizantit e quanin veten qendra e botës së qytetëruar. Dhe mbeti e tillë për njëmijë e njëqind vjet, deri në vitin 1453, kur Konstandinopoja bëhet qytet osman.
Roma e re në buzë të Bosforit
Kur perandori ilir i Romës, Konstandini, e pa për herë të parë Bizantin, qyteti kishte thuajse njëmijë vjet jetë. Që në shekullin VII para Krishtit ekzistonte këtu një qytet i vogël, me akropolin në kodër, aty ku sot shtrihet Shën Sofia dhe Pallati i Sulltanëve. Në të vërtetë fillimisht Konstandini kishte në plan thjeshtë të ndërtonte një qytet, ku të përjetësonte emrin e tij, por pas vizitës së dytë në Romë, e pa se qyteti i vjetër, me tërë atë traditë republikane dhe pagane s’kishte se si të shndërrohet në zemrën e Perandorisë së re të krishterë. Prandaj në vitin 330 të erës sonë, në atmosferën e festimeve, që zgjatën katër ditë, Konstandi i Madh e transferoi rezidencën e tij perandorake në brigjet e Bosforit. Sipas legjendës ishte vetë zoti, që iu shfaq Augustit në ëndërr dhe i tregoi vendin e kryeqytetit të ardhshëm. Me pretendimin e frymëzimit hyjnor, Konstandini i vendosi vetë kufijtë e qytetit të ri, duke i lënë pa mend bashkëkohësit, që shihnin atë hapësirë të pafund, e cila një shekull më vonë do të dukej tepër e ngushtë.
Dyzet mijë gotë morën pjesë në ndërtimin e Kryeqytetit të ri, për zbukurimin e të cilit nuk u kursyen thesaret e Romës, Aleksandrisë, Efesit, Antiokes dhe Athinës. Vëmendje i’u kushtua mbrojtjes së qytetit. Muri, që shtrihej prej bregut të Marmarasë në Bririn e Artë, e mbronte prej sulmeve tokësore. Në qendër të qytetit u ndërtua Milioni, vendi ku gjendej guri i parë miliar (gur miljesh në rrugët romake). Ai vend konsiderohej si qendra e botës. Dhe prej aty fillonte llogaritja e hapësirës së territoreve deri atëherë të njohura të Planetit. Katër harqe triumfi formonin një shesh katëror, me një kupolë përsipër, mbi të cilën qe vendosur Kryqi i vërtetë i Kryqëzimit të Krishtit, që Nëna Perandoreshë, Helena e kishte sjellë nga Jeruzalemi. Pak më në lindje, aty ku më parë ishte Tempulli i Afërditës, u ndërtua kisha e parë e madhe, Shën Irena, që nuk i kushtohej ndonjë shejtorje, por paqes së shejtë të Zotit. Disa vjet më vonë u ndërtua edhe Shën Sofia, kisha e mençurisë hyjnore. Qindra metra më larg, në drejtim të Detit Marmara u ngrit Hipodromi i Konstandinit, në qendër të cilit ngrihej “Kolona e Gjarpërit”, që Perandori e kishte marrë nga tempulli i Apollonit në Delf. Në anën perëndimore të Hipodromit ishte Lozha Perandorake, që lidhej me shkallare spirale me kompleksin e gjërë të salloneve, zyrave qeveritare, apartamenteve, banjove, e tjerë. Nga Milioni drejt perëndimit u ndërtua një Forum i mrekullueshëm oval me dysheme mermeri. Në qendër ngrihej një kolonë porfidi tridhjetë metra e lartë, e sjellë nga Helipoli i Egjyptit, që u vendos mbi një bazament mermeri gjashtë metra të lartë. Brenda kolonës kishte relike shumë të çmuara, që do t’i kishin lakmi të gjitha qytetet e botës të marra së bashku, ndër të cilat sopata me të cilën Noea kishte ndërtuar arkën; copat e bukës, me të cilat Krishti pati shuar urinë e njerëzve; shishja e pomadës e Maria Magdalenës dhe statuja e perëndeshës Athina, që Enea e pati marrë me vete, kur iku nga Troja. Ndërsa në majë ishte një statujë me trupin e Apollonit dhe kokën e Perandorit Konstandin, të rrethuar me një brerore rrezesh. Perandori me dorën e djathtë mbante skeptrin, ndërsa me të majtën një glob që kishte brenda një copë të Kryqit të Vërtetë.
Atëherë çfarë i mungonte Konstandinopojës për të qenë e barabartë me Romën? Atje kumbonte gjuha e romakëve dhe banorët e saj vazhdonin të quheshin romakë. Ja si e përshkruante Konstandinopojën një kryqtar, që mori pjesë në pushtimin e saj: “Që nga krijimi i botës nuk ka pasur aq shumë thesare, fisnikë, njerëz të pasur, as në Kohën e Aleksandrit dhe as në kohën e Karlit të Madh, as përpara dhe as prapa, dhe unë mendoj se në dyzet qytetet më të pasura të botës nuk kishte aq pasuri sa në Konstandinopojë. Grekët thonin se dy të tretat e pasurisë së botës ishin në Konstandinopojë dhe një e treta ishin shpërndarë nëpër botë”.
Konstandinopoja ishte e rrethuar me mure në pjesën e saj detare dhe një mur trefish në pjesën perëndimore. Për më shumë se njëmijë vjet, muret e Konstandinopojës e shpëtuan Perandorinë prej humbjeve, madje edhe prej zhdukjes së plotë prej armiqëve të saj të shumtë. Në fakt, muret e Konstandinopojës mbronin më shumë se Perandorinë; ato mbronin qytetërimin romako-bizantin. Qyteti ishte bërë prej kohësh shprehje e dëshirës konstandiniane për ndërtimin e Perandorisë së Krishterë Romake, e cila duhet të ishte shteti i të gjithë të krishterëve të botës, në kufijtë e mëparshëm të Perandorisë. Kisha dhe Shteti ishin bashkuar në një partneritet të pandashëm, që reflektonin rregullin hyjnor. Administrues i këtij rregulli ishte Perandori Romak, zevendës i zotit në tokë dhe “Apostull i Trembëdhjetë i Krishtit”, që sundonte si një autokrat i krishterë prej selisë së tij në Konstandinopojë. Konstandini e pati lënë punën e nisur në mes dhe ndër pasardhësit, Justiniani siguroi madhështinë konstandiane. Ai shpenzoi gjithë periudhën e vet të sundimit për bashkimin e Perandorisë dhe rikthimin e madhështisë së saj.

Historia e kullës së ngujimit, shembulli nga Thethi

0
Në Theth, “Kulla e Ngujimit” është një nga simbolët më të njohur të historisë dhe traditës së Malësisë së Veriut. Ajo lidhet ngushtë me Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe periudhën kur gjakmarrja ishte pjesë e jetës shoqërore në trevat shqiptare. Kjo kullë shërbente si vend strehimi për burrat që ishin në hasmëri ose rrezik nga gjakmarrja. Sipas Kanunit, personi i “ngujuar” nuk mund të lëvizte lirshëm jashtë kullës, sepse mund të vritej nga pala kundërshtare. Për këtë arsye, kullat ndërtoheshin prej guri, me mure shumë të trasha dhe me dritare të vogla, që të ofronin mbrojtje.

Historia e kullës në Theth lidhet edhe me traditën e “besës”. Edhe pse kishte hasmëri, në raste të caktuara jepej besa — një periudhë sigurie ku personi mund të dilte pa u prekur. Kjo tregon se, krahas ashpërsisë së jetës malësore, ekzistonte edhe një kod nderi e respekti mes familjeve.

Sot, Kulla e Ngujimit në Theth është kthyer në një pikë turistike dhe muze etnografik që tërheq vizitorë nga e gjithë bota. Ajo dëshmon mënyrën e jetesës, drejtësinë zakonore dhe historinë e vështirë të shqiptarëve të veriut ndër shekuj.
Shih videon: 

Urosh D. Miketiq: Stamboliqi mbi Kosovën dhe Stamboliqi në Kosovë

0

Autor : Urosh D. Miketiq

MBI KOSOVËN, NË KOSOVË, NGA KOSOVA-SHTESË NJOHJES TË BIOGRAFISË POLITIKE TË PETAR STAMBOLIQIT

“A na duhet një ideologji Miti i Kosovës gjatë shekullit XX. Kjo ka mundur të na ndodhë deri më vitin 1878, por jo edhe sot. Për shënimin e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës u shkruan romane, drama, filma dhe shumë publikime, do të thotë në bisedë me biografin historik Vençesllav Glishiqin të Petar Stamboliqit, duke e pranuar se si i ri ka shfaqur refuzim për ato që i ka ndëgjuar si “mburrje gjoksi” nga farefisi, shokë dhe fqinjë, të cilët kanë marrë pjesë në Luftën çlirimtare(Glishiq 2010:12).

Petar Stamboliqi gjatë karijerës së tij shumë të gjatë politike ka qenë i lidhur shumë me ngjarjet në Kosovë. Në radhë të pare, duhet seriozisht të hulumtohet përgjegjësia e tij në zgjërimin territorial të  AKMO më 1959(Rajoni i Autonomisë Kosovë-Metohisë). Gjatë regjimit të Millosheviqit, shtypi e kritikonte se në këtë Rajon(ashtu quhet atëherë) ka llogaritur në kombinatorikën zgjedhore.

Sidomos i mvishet dëshmia për bashkangjitje të LESHAKUT(Serbia e Ngushtë) Rajonit Autonom të Kosovë Metohisë, më 1959.

Dhe se kjo ngjitje ka ndodhur me kërkesë të Petar Stamboliqit, për ta siguruar fitoren zgjedhore për deputet në Parlamentin e Serbisë , sepse shumica e votuesve të rinjë ishin Serbë(TV Novosti 1990).

Qytetarëve që me ndërryshimin administrativ i takonin Rajonit Autonom, iu është thënë se do të gravitojnë kah Mitrovica e Kosovës dhe se atyre iu premtua se ky ndryshim do të inicojë pasurim dhe të mira ekonomike, pa marrë parasysh se territorialisht kujt do t’i takojnë ata. Petar Stamboliqi, kuptohet se asnjëherë nuk e pranoi këtë rol dhe këtë punë të ndryshimit ia mveshi Slobodan Peneziqit- Kërcun

LESHAKU

Vendbanimi Leshak(Leposaviq) i takon komunës së Leposaviqit në Kosovë. Përmendet më vitin 1.395. Gjendet në anën e djathtë të lumit Ibër, 10 km në veri prej Leposaviqit. Poashtu gjendet në hekurudhën Beograd-Kralevë-Shkup.

Në kohën kur Leshaku ishte qendër e komunës, prej 1955-1959 mori rolin administrativo-juridik, shëndetësor, ekonomik, tregtar, kulturor-arsimor dhe qendër shkollore.

Në fshatin Leshat më 2004 jetonin 2.180 banorë.

/Këto ditë, në formë elektronike më erdhit libri i Urosh D.Miketiqit, për Petar Stamboliqin dhe Kosovën, në kohën, në realitet më vitin 1959, kur Republikës së Kosovës/atëherë e quanin Rajon Autonom i Kosovë Metohisë/ iu bashkangjit komuna e Leposaviqit dhe disa fshatra të rrethit të Rashkës në Serbi.

Sipas Fletoreve zyrtare të Serbisë në at vit ishin dy arsye:

Arsyeja e parë është kjo që u tha në këtë pjesë që e shkrova më lartë për Petar Stamboliqin dhe Kosovën, ndërsa arsyeja e dytë, Sllobodan Peneziqit-Kërcun ia bashkangjiti komunën e Leposaviqit dhe disa fshatra të rrethit të Rashkës Krahinë së Kosovës, sepse at vit, më 1959 këto vendbanime i takonin Republikës së Serbisë. Kjo ndodhi për ta shtuar numrin e banorëve serbë në Kosovë. Pra ishte e pastër nacionaliste dhe sipas meje për ta vuar në baraspeshë me ndryshimet që ndodhën në Serbinë Jugore, kur Lugina e Preshevës që deri me vitin 1947 i takonte, së pari Vilajetit të Kosovës, nga viti 1878, pastaj Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene dhe deri me vitin 1947 Banovinës së Vardarit me qendër Shkupi dhe qarku Kumanovë.

E përgatiti: Xhemaledin Salihu, Preshevë

Fiset “boshnjake” në Plavë e Guci

0

Dom Nikë Ukëgjini

Plava dhe Gucia gjatë shekujve kanë qenë qendra të njohura tregtare dhe, njëherazi kryqëzimi kryesor i rrugëve të atëhershme të cilat “Serbinë kontinentale e lidhnin me Zetën dhe Bregdetin, gjegjësisht me qytetet me të cilat bëhej tregti, siç ishin, Dubrovniku dhe Kotori” – thotë Konstantin Jeriçek. Kështu, që nga fillimi i shekullit XIX në territorin Plavë – Guci u vendosën 285 vëllazëri prej 19 fisesh shqiptare dhe malazeze. Më së shumti kishte nga fisi i Kuçit (50 vëllazëri) disa shqiptare e disa malazeze, pastaj kelmendas (27 vëllazëri), kurse vëllazëritë e tjera ishin nga fiset e Triepshit, Grudës, Kojës së Kuçit ( rrethi i Podgoricës), Hotit, Kastratit, Shkrelit dhe Shalës (rrethi i Shkodrës).

Mirëpo, pas një kohe të shkurtër, 90% të vëllazërive katolike të emigruara, pranuan islamin, për arsye të presioneve të ndryshme turke dhe interesave ekonomike e sociale të caktuar të vazhdueshme nga pushtuesit.

Pas Kongresit të Berlinit (1878), kur viset e Plavës dhe të Gucisë dhe viset e tjera të Shqipërisë veriore iu dorëzuan Malit të Zi, këto vëllazëri pranuan edhe gjuhën serbe dhe veten e konsideronin me kombësi myslimane apo dhe boshnjake.

Etnografi serb, Jovan Cvijiq, i quan këta “myslimanë” “Serbë me fe islame”. Në bazë të këtij parimi ai jep përfundimin se në vitin 1905, në Plavë dhe Guci (pa llogaritur aty Vermoshin, që gjendet në Shqipëri), në 29 fshatrat përreth ka pasur 912 shtëpi serbe, prej tyre 207 sllavo-ortodokse dhe 706 të islamizuara; 878 shtëpi shqiptare, prej të cilave 69 katolike, çka do të thotë, se 11,6% kishte serbë, 39,9% serbë të fesë islame dhe 49% shqiptarë. Shihet qartë se etnografi serb, Cvijiq nuk do të pranojë që pas Kongresit të Berlinit shqiptarëve të fesë islame, iu ishte diktuar me dhunë gjuha serbe. Këtë e vërtetojnë statistikat turke të vitit 1908 – 1909, ku është shënuar, se në rrethin e Gucisë në ato vite kishte 9.905 shqiptarë, gjegjësisht myslimanë dhe katolikë, ose 82,6%; kurse, serbë kishte 1.812 ose 15,5% dhe 356 të tjerë.

Shqiptarët katolikë dhe ata të islamizuar të cilët ruajtën gjuhën e vet, u grumbulluan në fshatrat e afërta përreth Plavës dhe Gucisë, si: Nokshiqi, Rzhanica, Pepaj, Hoti, Hakaj, Martinaj, Vishnjevë, Doli, Vuthaj dhe Gerqar. Shqiptarët me fe katolike në këto fshatra ishin pakicë. Deri në vitin 1925,  ata i vizituan kohë pas kohe misionarët nga famullitë kufitare të Shqipërisë, Vuklit dhe Selcës. Është me interes të përmendim se nuk është shënuar ndonjë konflikt i rëndësishëm në mes të shqiptarëve katolikë dhe atyre të islamizuar. Nuk përbënte ndonjë problem se prijësi – bajraktari i fisit të ishte njeri i cili kishte kaluar në fenë islame, pa marrë parasysh se shumica e fisit edhe më tej, kishte mbetur besnik fesë së vet katolike. Mirëpo, kundër interesave të shumicës së bashkëfisnorëve të vet as prijësi mysliman nuk e udhëhiqte fisin. Në fakt më shumë i jepnin rëndësi lidhjeve fisnore të gjakut, sesa dallimit në fe.

Loris Castriota, Arbëreshi që vazhdimisht kthehet për ta mbrojtur kombin

0
Foto e imja me Loris Kastriotin, me 6 maj 2026, pranë përmendores së Gjergj Kastriotit në Prishtinë. Foton e bëri Agim Morina, shkrimtar, piktor dhe studjues i Gegnishtes nga Prizreni. 
____
Loris Castriota Skanderbegh II  është një Arbëresh i shquar dhe gazetar profesionist, që ka punuar për gazeta, revista, radio dhe televizione dhe drejton periodikë me shtyp dhe portale informacioni në internet, duke u marrë sidomos me kulturë, sport dhe kronikë. Lorisi për çdo 6 maj është duke ardhur në Prishtinë, ku me aktivistin Basri Beka e të tjerë nga organizata “Shqiptaria”, merr pjesë në shënimin tashmë tradicional të ditëlindjes së Gjergj Kastriotit, kryeheroit të kombit, duk u mbledhur tek përmendorja e tij në kryeqytet. 
 
Ai është përgjegjës i komunikimit për shoqata dhe institucione kulturore dhe sportive tek Arbëreshët në Itali. Lorisi përkujdeset për zyrën e shtypit të përfaqësuesve politikë, përfshirë dy Kryetarë Bashkish të Foggias.
 
Hulumtues i apasionuar i historisë lokale, ka tre publikime në lidhje me historinë e territorit dhe familjeve fisnike të Mbretërisë së Napolit. Prej vitesh është i angazhuar në përhapjen e njohurive mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Itali dhe në botë. Ai promovon me shumë iniciativa forcimin e lidhjeve midis popullit shqiptar dhe atij italian dhe midis shqiptarëve dhe Arbëreshëve, komunitetit historik shqiptar në Itali.
 
Ai bashkëpunon me shoqata dhe institucione të ndryshme – italiane, shqiptare, kosovare dhe të kombeve të tjera – për realizimin e ngjarjeve të përhapjes kulturore.
Aktivitetet e tij të gjithanshme dhe cilësore, zelli dhe përkushtimi i tij kulturor dhe atdhetar, ishin shtytës vendimtar që ta kontakotoja dhe intervistoja për librin “Shqiptarët në luftë me Islamin Globak”, duke qenë i vetëdijshëm se kush me mirë se një Arbëresh nuk mund të flas për të kaluarën dhe të ardhmen pasi pikërisht dëbimi “matan detit” në Itali para shumë shekujsh bartë vulën e dhunës së egër shfarosëse islamizuese-kalifatiste të Perendorisë Osmane.
__
Është me të vërtetë një kënaqësi e madhe të kem mundësinë t’ju intervistoj, zoti Loris Castriota, për librin “Shqiptarët në luftë me Islamin Global”. Ju jeni pasardhës të heroit të madh kombëtar Gjergj Kastrioti, kryeheroit të kombit, i cili në kohën e vet luftoi dhe mbrojti vendin nga Perandoria Osmane – xhihadiste, një luftë që vazhdoi edhe shekujt pasues deri në vitin 1912, kur Perandoria u detyrua të tërhiqej nga Gadishulli Illirik dhe nga të gjitha territoret shqiptare. Ju jeni një dëshmi e gjallë, edhe përmes mbiemrit tuaj, që nuk keni harruar kurrë Atdheun e të parëve, për këtë arsye ndërgjegjja juaj shqiptare flet me gjuhën e zemrës dhe ju vazhdoni interesoheni për të gjitha ngjarjet që ndikojnë në forcimin e identitetit kombëtar “nga kjo anë e detit”…?
 __
Loris Castriota: Të jesh trashëgimtar i drejtpërdrejt nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu është burim i një krenarie të madhe, sepse bëhet fjalë për një njeri që ka shkruar faqe të rëndësishme të historisë botërore, por është gjithashtu një përgjegjësi e madhe: duhet të tregosh se je në lartësinë e një familjeje kaq të shquar, duhet të sillen në mënyrë dinjitoze, duke respektuar historinë e madhe të Shqipërisë dhe të popullit të saj. Dhe duhesh, mbi të gjitha, të kuptosh nëse toka jonë e origjinës respektohet ashtu siç do të ishte e drejtë, duke qenë se bëhet fjalë për një popull të jashtëzakonshëm me një histori dhe kulturë shumë të lashtë. Nëse dikush, nga jashtë, po përpiqet të fitojë kontrollin politik ose edhe vetëm kulturor mbi Atdheun tonë, unë kam detyrën morale të bëj atë që paraardhësi im bëri për tokën e tij: të mbrojë autonominë e saj, të afirmojë pavarësinë e saj dhe të drejtën e saj për të jetuar në liri të plotë fatin e vet.
__
Ju jeni dëshmia e asaj se si një pushtues i madh dhe i pamëshirshëm shkatërroi gjithë elitën ushtarake, kishtare, kulturore, universitare (Universitetin e Durrësit dhe të Shkodrës i shkatërroi në themel) dhe dëboi nga vendi stafin e tij, gjatë periudhës së luftës për lirin të Gjergj Kastriotit dhe pas tij, dhe në vendin tuaj solli si kolonë familje nga të gjitha rajonet e Perandorisë Osmane. Por njerëz si ju, edhe nëse kanë harruar gjuhën e të parëve të tyre, nuk kanë harruar mbiemrin origjinal Kastrioti. A mund të rrëfeni për lexuesit e librit “Shqiptarët në luftë me Islamin Global” nëse e mbani mend se si arritët në përfundimin dhe të jeni aq të vendosur se duhej të ruhej mbiemri i të madhit të parëve tonë…?
__ 
Loris Castriota: Dua të saktësoj se familja ime nuk e ka “harruar gjuhën e të parëve të saj”. E shpjegoj këtë prej 20 vjetësh dhe e përsëris këtu: familja Castriota, si edhe familje të tjera të rëndësishme që erdhën nga Shqipëria në Jug por edhe në Veri të Italisë (Musacchi, Vrana Konti, Dukagjini, Arianiti, Durazzo dhe shumë të tjera) u pritën në fisnikëri italiane dhe nuk iu lejua të jetonin me komunitetet arbëreshe që banonin në fshatra të vegjël, mjaft të izoluar, ku ishte e mundur të ruhej gjuha e tyre, traditat, zakonet, këngët dhe vallëzimet dhe kështu me radhë. Në ato fshatra, edhe sot, pas pothuajse 560 vjetësh, flitet shqipja e vjetër. Familjet e shquara shqiptare që erdhën në Itali ishin shoqërisht “të detyruara” të jetonin në qytete më të mëdha, të frekuentonin familjet e shquara italiane (duke krijuar me to martesa), të flisnin italisht, të ndjekin ritualet katolike, pa mundur të flisnin gjuhën amtare. Në fund, pas disa brezash, familjet filluan të flisnin italisht! Nga ana tjetër, kjo është ajo që po ndodh aktualisht me familjet shqiptare që mbërritën në vitin 1991: nipërit e tyre (nëse jo tashmë fëmijët e tyre) nuk flasin më shqip!
Sa i përket pyetjes “a kujtoni se si arritët në përfundimin se duhej të ruhej mbiemri i të parit të madh…?”: ne nuk arritëm në këtë përfundim! Ne gjithmonë kemi ruajtur krenarinë për mbiemrin tonë dhe origjinën tonë shqiptare dhe, mbi të gjitha, për prejardhjen nga i madhi Gjergj! Nuk ka pasur kurrë një brez – unë i përkas brezit të 15-të nga Gjergji – që të mos ketë deklaruar se rrjedh nga i madhi hero shqiptar Gjergj Kastrioti.
Kremtimi i ditëlindjes së Gjergj Kastriotit në Prishtinë…
___

Kur vitin e kaluar, më 6 maj, u gjenda në Prishtinë përpara monumentit të Gjergj Kastriotit dhe të pash ty e arbëresh e arbëreshe të tjera aty, më erdhi në mend poezia Vrull e Zef Serembes, poetit Arbëresh, kur thoshte se:

Arbria matanë detit, na kujton
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron
Që ne turku na la pa Mëmëdhe…

Ndërsa poeti i madh Zef Serembe shprehte nostalgji për vendin që dikur ishte braktisur dhunshëm “Që ne turku na la pa Mëmëdhe”, ti rikthehesh pas shumë shekujsh tek Arbnorët e Dardanisë dhe të tjera rajone që festojnë ditëlindjen e Gjergj Kastriotit. Pjesë e kësaj lufte të madhe për identitet je edhe ti, Loris Kastriota, ashtu si të gjithë ne që kemi probleme me “turkun e ri”, apo jo?

___

Loris Castriota: Është e rëndësishme të dëshmohet se ndërgjegjja, fuqia e vullnetit, vendosmëria për të mbrojtur Shqipërinë etnike dhe shqiptarët jetojnë ende të paprekura në shpirtin dhe mendjen e atyre që mbajnë me krenari dhe përgjegjësi këtë mbiemër! Unë ndjej se është detyra ime të jap shembull për ata që nuk e ndiejnë rëndësinë e mbrojtjes së kombit të tyre, të pavarësisë së popullit të tyre. Shqiptarët e kanë bërë këtë për shekuj, duke dhënë dhjetëra heronj që sakrifikuan jetën e tyre për të çliruar tokën e tyre. Nuk mund të zhgënjehet ai që, pas gjysmë mijëvjeçari, mban ende një respekt të shenjtë për familjen e Gjergj Kastriotit dhe nuk mund të ndalet së luftuari për tokën e tij, për popullin e tij!
__
Si e sheh Loris Castriota gjithë përpjekjen e kombit për mbrojtjen e identitetit në rrezik, sidomos tani pas çlirimit të Kosovës nga NATO dhe UÇK? Pse ndodh kjo, sipas teje…?
 __
Loris Castriota: Shqiptarët, dhe më parë Pellasgët dhe Illirët, kanë luftuar – si shumë popuj të tjerë – për pavarësinë e tyre. Por, ndërsa popujt e tjerë patën mundësinë të organizoheshin në një shtet të tyre kombëtar, Illirët dhe Shqiptarët duhej të duronin së pari dëshirat për zgjërime territoriale të romakëve të lashtë, pastaj ato të familjeve mbretërore si Angiò, më pas ambiciet personale të familjeve që kërkonin lavdi në zonën e ndikimit të Bizantit, pastaj kundër aspiratave për mbizotërim të Republikës së Venedikut dhe, përfundimisht, etjen për pushtim dhe shtypje të Perandorisë Osmane. Edhe në vitin e pavarësisë, 1912, Shqipëria nuk pati asnjë zë në kongresin që përcaktoi kufijtë e saj zyrtarë: populli shqiptar u “shkëput” dhe shumë u gjenden duke jetuar, nga një ditë në tjetrën, në një vend të huaj. Kjo është arsyeja pse, përveç se janë të gatshëm të vdesin për pavarësinë e Atdheut – ashtu siç ka ndodhur më së fundit për popullin e Dardanisë (ose Kosovës, siç është thirrur zyrtarisht shteti i ri në Kushtetutën e tij). Dhe kështu do të jetë gjithmonë, derisa të drejtat e shqiptarëve të respektohen nga të gjitha kombet e tjera.
__
Më ka befasuar reagimi yt ndaj një tregimi rreth përndjekjes ndaj Gëzim Gjin Hajrullahu, kur pasi lexove tregimin e tij, i the se kur të shkosh në Kosovë do të shkosh “të flasësh me drejtorin e shkollës” ku punon Gëzimi. Mund të tregosh për librin se çfarë do t’i thoshe drejtorit të asaj shkolle?
__ 
Loris Castriota: Drejtorit do t’i thoja se është një tradhëtar i detyrave të tij si edukator. Folja “edukare” rrjedh nga latinishtja “ex” dhe “ducere”, domethënë, “të nxjerrësh jashtë”, pra të nxjerrësh nga fëmijët dhe të vlerësosh atë që ata kanë brenda: aftësitë, pasionet, talentet dhe potencialet natyrore të individit, duke respektuar veçantinë e tij.
Nëse, përkundrazi, ai duhet të bëjë punën e “futjes së detyruar” të temave në kokat e nxënësve, duke kushtëzuar mendjen e tyre me orientime politike dhe fetare, po e ndotin punën fisnike të mësuesit, i cili i bën mendjet njerëzore të formohen e piqen, jo t’i përkulë ndaj vullnetit dhe shijeve personale!
Për më tepër, nëse krijohen probleme për një mësues që tenton të ruajë laicizmin e shkollës dhe sidomos mbron identitetin historik të kombit të tij, siç bën Gëzim Gjin Hajrullahu, shkilen edhe detyrat njerëzore të atij mësuesi dhe të drejtat e mësimit të nxënësve. Nëse drejtoria e shkollës dëshiron të lejoj mësimdhënien e përmbajtjeve islame, duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe me mësimet kristiane dhe me ato të feve të tjera. Por, mbi të gjitha, nuk duhet kurrë t’i japë hapësirë të veçantë një besimi që është imponuar në tokat tona me gjak, me forcë dhe me dhunë. Për këtë arsye, do t’i thoja atij drejtori se, në vend që të pengojë punën e Gëzimit, duhet të kthehet të jetë një person me dinjitet dhe të japë dorëheqjen nga roli i tij, për t’i kërkuar falje mësuesit që e ka trajtuar padrejtësisht dhe nxënësve që nuk i ka mbrojtur nga ndikimet e profesorëve të tjerë më pak të ndershëm.
__
Si e sheh festimin e ditëlindjes së Gjergj Kastriotit afër monumentin e tij në Prishtinë, që do të bëhet një festë tradicionale kombëtare, ku vitin e kaluar dhe këtë vit, ke marrë pjesë në festim. Vitin e kaluar kishte edhe shumë të rinj arbëreshë që u paraqitën me ansamblet e tyre, duke na sjellë kënaqësi dhe emocion historik. Kishte edhe me 6 majin e sivjetshëm. Fotografitë e shumta që njerëzit donin t’i bënin me ty, treguan gjithashtu për këtë takim – emocion historik..? Si ndihesh?
__ 
Loris Castriota: Jam i gëzuar që një shoqatë kulturore private si “Organizata Shqiptaria”, e miqve të mi Qëndrim Kryeziu dhe Barsi Beka, ka dy vjet që po organizon një ngjarje kulturore dhe historike kaq të rëndësishme!
Loris Castriota me Basri Bekën
___
Kujtimi i figurës së madhe të paraardhësit tim, i cili ka shënuar historinë jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë Evropës dhe botës, do të thotë të ruash të fortë identitetin e kombit shqiptar dhe të ofrosh një shembull për të rinjtë për të rilindur Shqipërinë etnike dhe për të tërhequr vëmendjen e të gjitha shteteve mbi nevojën për të respektuar një komb që ka qenë protagonist i Historisë dhe duhet të kthehet të jetë, më në fund si Komb i lirë, pa u mbështetur te ndikimi politik ose fetar i vendeve të tjera.
Shpresoj që megjithatë të jetë shteti kosovar, Qeveria e tij, që të angazhohet për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të tij. Vetëm kështu mund të tregojë se është i denjë për besimin që i është dhënë nga zgjedhësit.
Sa i përket festës së 6 majit, duhet të bëhet patjetër një festë shtetërore. Unë ndihem shumë mirë, sepse dua entuziazmin e të gjithë atdhetarëve që vijnë në numër të madh nga e gjithë Dardania, Shqipëria, por edhe nga Maqedonia e Veriut, Çameria, Mali i Zi dhe vende të tjera ku ka prani të fortë të shqiptarëve. Më pëlqen të jem me njerëzit e mi. Jam i lumtur dhe i emocionuar. Shpresoj që do të bëhet një ditë Festë Kombëtare!
__
Arbëreshët, qoftë ata të riteve lindore apo perëndimore, për shumë shekuj kanë ruajtur nostalgjinë dhe ëndrrën për Atdheun e tyre të lënë me forcë. Duhej të kalonit detin e trazuar për të shpëtuar, por sot, pushtuesi i vjetër, në vend të deveve dhe kuajve , si dikur, kthehet me “xhami pas xhamia”. Si e sheh një arbëresh i zgjuar gjithë këtë valë asimilimi?
__ 
Loris Castriota: Nuk jam i sigurt që të gjithë Arbëreshët janë të vetëdijshëm për përpjekjet që Turqia dhe disa vende arabe po bëjnë – që prej kohësh – për të fituar ndikim më të madh politik, ekonomik dhe edhe kulturor mbi Shqipërinë dhe Dardaninë.
Arbëreshët po përpiqen të intensifikojnë kontaktet me tokën e tyre të origjinës: përpiqen të udhëtojnë në Shqipëri dhe Kosovë, të krahasojnë gjuhën, këngët, vallëzimet, kostumet, traditat me njerëzit nga të cilët dinë se rrjedhin. Vetëm hap pas hapi po e kuptojnë edhe situatën gjeopolitike të vendeve shqiptare të sotme.
Unë, që përpiqem të jem i informuar për historinë dhe kulturën, por edhe për kushtet shoqërore dhe politike të Shqipërisë etnike, e njoh mirë situatën dhe jam i shqetësuar, sepse politika ndërkombëtare nuk i ka vënë re këto përpjekje të reja për pushtim, shumë më të rrezikshme se të mëhershmet, sepse kryhen me mjetet e fshehta të ndërtimit të xhamive të reja (dhe restaurimit të atyre të vjetra), themelimin e universiteteve me frymëzim islam që ofrojnë shumë përfitime për studentët shqiptarë, investimet masive të kapitalit turk dhe të vendeve të tjera që aplikojnë kushtetuta teologjike për të kontrolluar ekonominë shqiptare dhe kosovare, prodhimin e librave, filmave, programeve televizive që përpiqen të fitojnë simpatinë e popullsisë shqiptare ndaj Turqisë dhe botës arabe…
Qartësojmë: Islami ka të drejtën e plotë të ekzistojë dhe do të ketë respektin tim deri në momentin kur të përpiqet të konvertojë shqiptarë të tjerë në fenë myslimane – sidomos në shprehjet e tij më ekstremiste – ashtu siç kam respekt të madh për popullin turk që, megjithatë, duhet të kuptojë se nuk mund të kthehet kurrë për të sunduar mbi tokën shqiptare! Na kanë hequr lirinë për 5 shekuj, duke u përpjekur të fshijnë identitetin tonë kombëtar dhe historinë tonë, por nuk ia dolën: dhe tani përballë tyre ndodhet një popull që ka një ndërgjegje më të madhe për madhështinë e vet! Shpresoj vetëm që politikanët shqiptarë – të cilët e kuptojnë shumë mirë këtë situatë – të mos heqin dorë, për interesa personale, nga mbrojtja e dinjitetit të kombit të tyre!
__
Shumë islamistë, dhe veçanërisht imamët, theksojnë vazhdimisht se «islami është një fe paqësore», se «nuk erdhi me forcë te shqiptarët», por njerëzit e pranuan paqësisht? Kërkohet shpjegimi i një Arbëreshi, siç je ti?
__ 
Loris Castriota: Të përsërisësh vazhdimisht një gënjeshtër nuk e bën atë të vërtetë. Në pothuajse të gjitha vendet ku sundon një regjim teokratik, të drejtat e njeriut shkelën, gratë trajtohen më keq se kafshët ose objektet, opozitarët politikë shtypen dhe ata që e kanë një religjion tjetër përndiqen nëse jo torturohen dhe vriten. Thjeshtë, ne duhet të respektojmë lirinë fetare (dhe civile) të secilit, por nuk do të lejojmë askënd t’ua imponojë shqiptarëve një besim fetar që është i pranishëm në tokat tona vetëm sepse paraardhësit tanë u konvertuan me forcë. Nëse imamët e mohojnë këtë, do të thotë se ata nuk e njohin historinë ose dinë shumë mirë që është e vërtetë, por për të promovuar besimin e tyre thonë gënjeshtra të mëdha pa turp.
Më 6 maj 2026, duke e kremtuar ditëlindjen e Gjergj Kastriotit në Prishtinë 
___
Muftiu i Shkodrës Muhamet Sytari vazhdon të festojë figurën Jakobine të Sultan Mehmet II Fatih, njeriu që ka kryer shumë gjenocide kundër shqiptarëve dhe edhe kundër Shkodrës dhe një sërë qytetesh shqiptare. Po kështu vepron edhe BIK-u i Kosovës, ku i pari shpreh admirim për faktin se Sultan Murati, në atë që quhet Beteja e Kosovës, e cila u udhëhoq nga Koalicioni Ballkanik, kryesisht nga shqiptarët, na ka “çliruar nga serbët dhe ruajtur gjuhën shqiptare”? Si shpjegohet “kjo dashuri e madhe për pushtuesin” e atyre që janë islamizuar, e imamëve dhe disa të tjerëve?
__ 
Loris Castriota: Duket e qartë se këto persona janë mposhtur nga fanatizmi fetar. Nga njëra anë, ata deklarojnë se i përkasin një “feje paqeje”, pastaj lavdërojnë figura që kanë kryer masakra kundër njerëzve që praktikonin besime të ndryshme. Shqiptarët që besojnë në fjalët mashtruese të këtyre autoriteteve fetare janë qartë të ndikuar nga motive të tjera: ndoshta, nga përfitimet ekonomike që mund të rrjedhin nga miqësia me ata që predikojnë një besim duke shpërndarë para ose përfitime personale. Ata që mbështesin këto persona po tradhtojnë gjakun e tyre dhe po njollosin shumë heronj që janë sakrifikuar ndër shekuj për të mbrojtur pavarësinë e Shqipërisë dhe të drejtat e shqiptarëve. Duhet të turpërohen: nuk mund të mohosh historinë tënde vetëm për interesa personale!
Po na krijohet një “shoqëri paralele” përmes xhamive dhe imamëve me të tjerë islamistë… Deri tani ata janë mbështetur nga injoranca e shtetit dhe tani ndoshta gjërat janë në duart e një kombi të tërë që nuk do të lejojë asimilimin kulturor për interesa të huaja gjeostrategjike-antishqiptare? Çfarë duhet të bëjë një komb, sipas një Arbëreshi, për të mundur këtë, le ta quajmë kështu, pushtim të brendshëm…?
__ 
Loris Castriota: Shpresoj shumë që kjo të jetë thjesht për shkak të injorancës ose për naivitet nga ana e disa politikanëve që nuk kuptojnë të autorizojnë shumë ofendime ndaj dinjitetit të vendit tonë. Të frikësohem, përkundrazi, që pikërisht për ato interesa personale që përmenda më parë, ata që kanë përgjegjësinë për të mbrojtur historinë dhe kulturën e Shqipërisë u kanë dhënë shumë hapësirë atyre që nuk duan të na respektojnë dhe duan të ndryshojnë identitetin tonë, mënyrën tonë të jetesës, besimet tona fetare.
Mënyra për të reaguar është të vazhdojmë të kujtojmë sa e madhe ka qenë historia e Shqipërisë, dhe sa më e lavdishme do të kishte qenë, nëse nuk do të kishte pasur shtypje dhe padrejtësi që ky komb ka përjetuar gjatë shekujve. Vetëm kështu shqiptarët injorantë dhe ata me qëllime të liga do të kuptojnë që nuk duhet të lihet asnjë hapësirë për ata që duan të na e pushtojnë sërish Atdheun tonë.
__
Keni ndonjë informacion mbi Lëvizjen e Deçanit që u formua disa vite më parë dhe mbi faktin e trishtë se partitë politike e kanë futur “mbrojtjen e Islamit” në agjendat e tyre elektorale…?
__
Loris Castriota: Ndjek me shumë vëmendje nismat e “Lëvizjes së Deçanit” dhe e vlerësoj shumë punën e tyre. Duhet të jetë Shteti ai që mbron identitetin kombëtar dhe sidomos që pengon veprimtarinë e islamizimit dhe arabizimit që vende të huaja po kryejnë prej kohësh në Kosovë. Nëse shqiptarët e Dardanisë vendosin të ndryshojnë angazhimin e tyre fetar, duhet ta bëjnë lirshëm dhe jo nën ndikimin politik, ekonomik dhe kulturor të fuqive të huaja. Unë vazhdoj të mendoj se nëse duhet të mbrojmë një besim, duhet të jetë ai që ndiqnin banorët e vendit para konvertimeve të detyrueshme që ndodhën mbi 5 shekuj më parë pas pushtimit otoman! 
Gjithashtu, propagandimi i lëvizjeve islamiste që synon të bindë botën se Kosova është një shtet me shumicë myslimane dhe se numri i besimtarëve po rritet vazhdimisht, e vë shtetin në vështirësi të mëdha ndaj komunitetit ndërkombëtar, i cili shtyhet të ngadalësojë procesin e njohjes zyrtare të pavarësisë së tij. Shpresoj vetëm që kjo ngathtësi e Shtetit të jetë për shkak të paaftësisë për të lexuar këto intriga dhe jo për shkak të ndonjë marrëveshjeje të politikanëve tanë me ata që duan të imponojnë islamin radikal në Dardani!
Intervistoi: Gjergj – Bajram Kabashi . Intervista u bë për librin “Shqiptarët në luftë me Islamin Global”

Naim Frashëri, Gjergj Fishta dhe kriza e kujtesës kombëtare shqiptare

Nga Frank Shkreli

KUR NJË KOMB HARRON GJIGANTËT E VET

Në të vërtetë, ky është një subjekt që e kam trajtuar sa herë gjatë viteve, si për shëmbëll dhe sa për ilustrim:  Frank Shkreli: A është trashëgimia kulturore dhe historike shqiptare në zhdukje e sipër? | Gazeta Telegraf .  Sot, shkak për këtë shënim u bë 180-vjetori i lindjes së Naim Frashërit (25 maj të vitit 1846) sepse, për fat të keq, historia e trajtimit/mos trajtimit të kujtesës së figurave kombëtare,  vazhdon.

Ka popuj që ndërtojnë shtete me forcën e armëve.  Por ka edhe kombe që mbijetojnë falë forcës së mendjes, gjuhës dhe kulturës.  Shqiptarët janë një prej tyre.  Në kohët më të errëta të historisë, kur Shqipëria ende nuk ekzistonte si shtet, kur gjuha shqipe ndalohej, kur shqiptarët ishin të përçarë në fe, krahina e vilajete, dolën disa burra të mëdhenj që ndërtuan me penë atë që nuk ekzistonte ende në hartë: ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Mes tyre qëndrojnë si dy maja të pashlyeshme Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta — dy figura që i dhanë kombit shpirt, gjuhë, krenari dhe ideal.

Naim Frashëri i mësoi shqiptarët ta duan Shqipërinë si atdhe shpirtëror. Ai ngriti gjuhën shqipe në nivelin e një gjuhe kulture dhe i dha shqiptarëve ndjenjën se ishin një komb i vetëm. Në një kohë robërie dhe padijeje, ai mbolli shpresë, vetëdije dhe dritë.  Fishta, nga ana tjetër, u dha shqiptarëve epikën kombëtare, forcën morale dhe krenarinë e qëndresës. Me “Lahutën e Malcis”, ai ngriti në art shpirtin heroik të  shqiptarëve malësorë, dhe e bëri gjuhën shqipe të jehojë me madhështinë europiane.

Pa këta njerëz — dhe pa rilindas të tjerë si Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Mid’hat Frashëri, Ndre Mjeda apo Ernest Koliqi e Martin Camaj — kombit shqiptar do t’i mungonte vetë themeli i identitetit të tij. Do t’i mungonte gjuha shqipe e kultivuar, vetëdija kombëtare, ndjenja patriotike, arsimi kombëtar, kultura europiane dhe rezistenca shpirtërore ndaj asimilimit.  Sepse Shqipëria nuk u krijua as nga komunistët e sbhkullit të kaluar as nga klasa politike pseudo-komuniste 35-viteve trannzicion, as nga lufta. Ajo u krijua, fillimisht, në mendje, në libra, në poezi dhe në sakrificat e këtyre gjigantëve.

Prandaj, ka diçka thellësisht të dhimbshme në heshtjen që po shoqëron figurat më të mëdha të kulturës dhe identitetit shqiptar. Në vitin e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, mungesa e një përkujtimi dinjitoz mbarëkombëtar nuk është thjesht neglizhencë institucionale, por ajo është simptomë e një krize më të thellë: krizës së kujtesës, kulturës dhe atdhedashurisë shqiptare.  Sepse kur flitet për Naim Frashërin, nuk kujtojmë vetëm një poet të zakonshëm.  Po flasim për njeriun që i dha shpirt gjuhës shqipe, që mbolli idenë e Shqipërisë moderne në zemrat e shqiptarëve shumë kohë përpara se shteti shqiptar të ekzistonte. Naim Frashëri ishte zëri i ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Ai nuk kishte pushtet, ushtri apo shtet. Kishte vetëm penën, idealin dhe dashurinë për kombin.  Dhe megjithatë, 180 vjet pas lindjes së tij, Shqipëria zyrtare, por edhe shqiptarët kudo, ky përvjetor duket i ftohtë, rutinor dhe pothuaj të painteresuar për të nderuar siç meriton, Naim Frashëri. Në vende të tjera europiane, por edhe në çdo shtet normal të botës, figura të përmasave të tilla do të shoqëroheshin me akademi kombëtare, botime speciale, konferenca shkencore, aktivitete në shkolla, emisione televizive, ekspozita, ribotime të veprave, dhe homazhe shtetërore. Ndërsa në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovën e pavarur, deri tani, përkujtimet publike në 180-vjetorin e Naim Frashërit, duken të kufizuara, kryesisht, me ndonjë lajm të shkurtër në media individuale apo iniciativa private. Ashtu si zakonisht në të kaluar[n me raste të tilla,nuk pati jehonën që meriton poeti i cili u bë vetë ndërgjegjja e kombit.

Por Naim Frashëri nuk është i vetmi në këtë mungesë kujtese.  Një ndër ta edhe At Gjergj Fishta — kolosi i letërsisë shqipe, autori i “Lahutës së Malcis”, poeti që i dha kombit epikën, krenarinë dhe dinjitetin e fjalës shqipe — vazhdon të mbetet figurë e nderuar, më shumë nga populli, por jo edhe nga institucionet zyrtare të shtetit shqiptar.  Për dekada, diktatura komuniste e përjashtoi Fishtën nga kultura zyrtare shqiptare. Veprat e tij u ndaluan, emri iu fshi nga tekstet, ndërsa kujtesa kombëtare u deformua me vetëdije ideologjike. Tragjikisht, edhe sot duket sikur Shqipëria ende nuk është çliruar plotësisht nga ajo frymë harrese zyrtare. Frank Shkreli: Vazhdon krimi shtetëror ndaj At Gjergj Fishtës, i përjashtuar nga shteti që ai mbrojti | Gazeta Telegraf  –

Por ç’të themi për Naimin e Fishtën, kur kjo harresë institucionale nuk ka kursyer as figurën më të madhe të historisë shqiptare: Gjergj Kastriotin Skënderbeu. Dhe ky është paradoksi më i madh i Shqipërisë “modern”. Kombi që, ndonjëherë, mburret me Skënderbeun në çdo fjalim patriotik, shpesh nuk arrin ta trajtojë atë me dinjitetin kulturor dhe shtetëror që meriton figura e tij. Përvjetorët historikë kalojnë shpesh me aktivitete të fragmentuara, pa një vizion serioz kombëtar për ta kthyer figurën e Skënderbeut në pjesë të gjallë të edukimit, kulturës dhe vetëdijes qytetare të mbarë Kombit. Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, i harruari i Kombit në ditëlindjen e tij | Gazeta Telegraf

Ndërkohë, që në Europë dhe në botë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu njihet si një nga figurat më të rëndësishme botërore dhe rezistencën kundër Perandorisë Osmane. Emri i tij gjendet në historiografinë europiane si simbol i qëndresës dhe identitetit perëndimor të shqiptarëve, por edhe si shpëtimtari i Evropës. Ndërsa në vetë Shqipërinë, shpesh duket sikur ai përmendet më shumë si dekor ceremonial sesa si themel moral e historik i Kombit shqiptar.

Kjo krijon një pyetje të rëndë, por të domosdoshme: Duke mos-kujtuar figura të tilla kombëtare, ashtu siç u ka hije,  apo humbet Shqipëria  dhe shqiptarët, lidhjen me vetveten?  Sepse atdhedashuria nuk matet me retorikë politike, me flamuj në festa apo me deklarata patriotike në rrjete sociale. Atdhedashuria matet me respektin ndaj njerëzve që ndërtuan shpirtin e kombit. Duhet theksuar edhe një here se një komb që harron poetët, mendimtarët dhe rilindasit e vet, domosdoshmërisht, mfillon të humbasë busullën e vet morale. Sepse kombet e shtetet nuk jetojnë vetëm me ekonomi, pallate të larta, pushtet apo propagandë. Kombet jetojnë me kujtesë, kulturë dhe identitet.  Sot, për fat të keq, shumë të rinj shqiptarë njohin më mirë personazhe virtuale të rrjeteve sociale sesa veprën e Naimit apo madhështinë e Fishtës, e lere më figurën e madhe të shqiptarëve, kudo që janë.  Shkollat shpesh i trajtojnë si kapituj formalë provimesh, jo si shtylla të ndërgjegjes kombëtare. Ndërkohë që hapësira publike dominohet nga konfliktet politike e partiake, nga banaliteti, spektakli dhe kultura e harresës.

Dhe kjo është drama modern e shqiptarëve. Ndonëse shqiptarëve nuk u mungojnë gjigantët gjatë gjithë historisë, Kombi shqiptar që prodhoi gjigantë kulturorë si Naim Frashëri e Gjergj Fishta, po rrezikon të mbetet pa kujtesë kombëtare.  Por ende nuk është vonë. Sepse rikthimi te Naimi, te Fishta, te Faik Konica, te Luigj Gurakuqi, te Mid’hat Frashëri dhe te rilindasit e tjerë nuk është nostalgji për të kaluarën, por është një nevojë  e madhe për identitetin e shqiptarëve në të ardhmen . Sepse pa ta, Shqipëria ndoshta do të ishte vetëm një emër në hartën e Evropës dhe asgjë tjetër.

Kur një një komb që nuk kujton me respekt gjigantët e vet të kulturës e të historisë, rrezikon që një ditë të mbetet, jo vetëm, pa gjigantët e historisë së vet – por edhe pa shpirt!

Presidenti Bajram Begaj në Haxh, është gjunjëzimi i shtetit laik shqiptar

2

Luan Dibrani, Gjermani

Jo ta ringjallim diktaturën, por ta ringjallim dinjitetin e shtetit

Kur besimi privat bëhet çështje shtetërore

Kur Presidenti i një shteti laik shfaqet publikisht në një ritual fetar ndërkombëtar, nuk kemi më të bëjmë vetëm me një akt personal besimi. Kemi të bëjmë me një çështje shtetërore, me një mesazh politik dhe me një plagë të rëndë në trupin e Republikës.

Shqipëria është shtet laik. Kjo nuk është fjali zbukurimi në Kushtetutë. Është themel i shtetit modern shqiptar. Është garanci se shteti nuk i përket as xhamisë, as kishës, as teqesë, as asnjë qendre fetare brenda apo jashtë vendit. Shteti i përket qytetarit. Shteti i përket kombit. Shteti i përket të gjithëve.

Prandaj pyetja është e rëndë, por e domosdoshme: çfarë kërkon Presidenti i Republikës së Shqipërisë në Haxh, i shfaqur para botës me simbolikë fetare, ndërkohë që detyra e tij është të përfaqësojë unitetin e të gjithë qytetarëve shqiptarë?

Kjo nuk është pyetje kundër fesë. Kjo nuk është pyetje kundër besimtarit. Kjo nuk është pyetje kundër askujt që lutet, beson apo ndjek rrugën e vet shpirtërore. Besimi është çështje personale, e brendshme dhe e respektueshme. Por posti i Presidentit nuk është pronë private. Ai është institucion. Dhe institucioni nuk ka fe.

Presidenti nuk përfaqëson një fe, por të gjithë qytetarët

Presidenti i Shqipërisë nuk është president vetëm i myslimanëve. Ai është president edhe i katolikëve, ortodoksëve, bektashinjve, protestantëve, ateistëve, agnostikëve dhe i çdo qytetari që e sheh shtetin si çati të përbashkët, jo si zgjatim të një identiteti fetar.

Një qytetar i thjeshtë mund të shkojë në Haxh, në kishë, në manastir, në teqe apo në çdo vend të shenjtë sipas bindjes së vet. Por kur atje shkon Presidenti, i identifikuar me titullin e kreut të shtetit, i shoqëruar nga vëmendja publike dhe nga protokolli, ai nuk përfaqëson më vetëm veten. Ai merr me vete flamurin, stemën, Republikën dhe emrin e Shqipërisë.

Këtu fillon problemi.

Shqipëria nuk është shtet fetar

Sepse Shqipëria nuk është shtet fetar. Shqipëria nuk është degë shpirtërore e asnjë qendre të huaj. Shqipëria nuk është as Arabi, as Turqi, as Iran, as Vatikan. Shqipëria është Shqipëri: vend i një kombi të lashtë, me gjuhë, histori, kulturë dhe identitet të vetin.

Rilindësit tanë nuk e ndërtuan kombin mbi ndarje fetare. Ata e ndërtuan mbi gjuhën shqipe, mbi flamurin, mbi kujtesën historike dhe mbi idealin se shqiptarët, pavarësisht besimit, janë një trup kombëtar. “Feja e shqiptarit është shqiptaria” nuk ishte thirrje kundër Zotit. Ishte kushtrim kundër copëtimit të kombit.

Sot, fatkeqësisht, duket se disa politikanë tanë e kanë harruar këtë amanet. Ata e përdorin flamurin në festa, por e lënë në hije kur vjen puna te vendimet e mëdha. Ata flasin për kombin në podiume, por përkulen para çdo simbolike të huaj kur u duhet imazh, lidhje, protokoll apo interes politik.

Ku është zëri i shtetit për plagët shqiptare?

A ka më dhimbje sesa të shohësh Presidentin e Shqipërisë në një ritual fetar jashtë vendit, ndërkohë që shqiptarët në trojet e tyre përballen me probleme reale?

Ku ishte zëri presidencial kur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kërkonin dinjitet, gjuhë dhe përfaqësim të barabartë?

Ku ishte shteti shqiptar kur çështjet kombëtare mbeteshin pa mbrojtje të fuqishme diplomatike?

Ku është zëri i Tiranës zyrtare për Luginën e Preshevës, për shqiptarët në Mal të Zi, për Çamërinë, për diasporën, për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe për brezat që po rriten larg atdheut?

Pse udhëheqësit tanë gjejnë kohë për ceremoni fetare ndërkombëtare, por jo guxim të mjaftueshëm për beteja kombëtare?

Këto janë pyetje që nuk mund të mbulohen me fraza protokollare. Nuk mjafton të thuhet se “Presidenti ka të drejtë personale”. Po, si njeri privat ai ka të drejtë të besojë. Por si President ai ka detyrim të ruajë neutralitetin institucional. Dhe neutraliteti nuk është fjalë e bukur në letër. Neutraliteti është sjellje, vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi publike.

Nëse Presidenti do të shfaqej me petk prifti në një meshë madhështore ndërkombëtare, a nuk do të ngrihej e njëjta pyetje? Nëse do të përfaqësohej shteti në një ceremoni fetare ortodokse, katolike, budiste apo ndonjë tjetër, a nuk do të hapej debati për karakterin laik të Republikës?

Pra, çështja nuk është feja islame. Çështja është parimi. Çështja është shteti. Çështja është kufiri i qartë mes besimit privat dhe funksionit publik.

Një President që nuk e kupton këtë kufi, e dobëson institucionin që përfaqëson.

Jo Enverin e diktaturës, por ndjenjën e shtetit

Dhe këtu lind ironia e hidhur: si ta ringjallim Enver Hoxhën?

Jo Enverin e burgjeve. Jo Enverin e dhunës politike. Jo Enverin e persekutimeve. Jo Enverin që e ndaloi fenë me forcë dhe ia shkeli njeriut të drejtën e ndërgjegjes. Ajo kohë është dënuar nga historia dhe nuk duhet të kthehet kurrë.

Por, në mënyrë simbolike, sot na duhet të ringjallim diçka që mungon: ndjenjën e shtetit. Vendosmërinë se shteti shqiptar nuk duhet të përkulet para asnjë qendre fetare, ideologjike apo politike të huaj. Bindjen se flamuri kombëtar nuk duhet të mbulohet nga asnjë simbol tjetër. Vetëdijen se Shqipëria duhet të mbetet shtet laik, kombëtar, modern dhe europian.

Në kohën e diktaturës, shteti e shtypi fenë me dhunë. Sot rreziku është i kundërt: politika po përkulet para fesë, ndërsa institucioni po humb dinjitetin laik. As njëra rrugë, as tjetra nuk janë shpëtim.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për diktaturë ateiste.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për shtet fetar.

Shqiptarët kanë nevojë për shtet kombëtar, laik, të drejtë, dinjitoz dhe të pakapur nga ndikimet e huaja.

Prandaj, kur themi “ta ringjallim Enverin”, nuk flasim për njeriun e diktaturës. Flasim për ta ringjallur shtetin e fortë në kuptimin institucional. Flasim për ta ringjallur seriozitetin e Republikës. Flasim për ta ringjallur bindjen se shteti nuk bëhet pelegrin, nuk bëhet predikues, nuk bëhet instrument i propagandës fetare dhe nuk bëhet fotografi për interesa të çastit.

Në një shtet serioz, Presidenti përfaqëson të gjithë qytetarët. Ai mund të ketë besimin e vet në zemër, por jo ta kthejë atë në imazh publik të institucionit. Ai mund të lutet privatisht, por nuk duhet ta veshë Republikën me petk ritual.

Sepse Republika nuk falet në emër të një feje. Republika u shërben të gjithëve.

Dhe këtu qëndron thelbi i gjykimit politik: Presidenti ka gabuar rëndë jo pse beson, por pse nuk e ndau qartë besimin e vet personal nga posti shtetëror. Ai ka gabuar jo pse shkoi si individ, por pse u pa si President. Ai ka gabuar jo ndaj një feje tjetër, por ndaj parimit laik të Republikës.

Ky gabim nuk është i vogël. Është simbolik. Dhe gabimet simbolike në politikë shpesh janë më të rrezikshme se gabimet administrative, sepse ato prekin vetëdijen e kombit.

Shqiptari nuk duhet ta humbasë veten me harresë

Sot shqiptarët përballen me një proces të heshtur tjetërsimi. Jo gjithmonë me dhunë. Jo gjithmonë me pushtim. Por me modele të importuara, me ndikime të jashtme, me para, me propagandë, me dobësim të shkollës shqipe, me zbehje të kujtesës historike, me tallje ndaj heronjve kombëtarë dhe me ngritje të figurave të huaja mbi figurat tona.

Ky është rreziku i madh: që shqiptari të mos e humbasë atdheun me luftë, por ta humbasë me harresë. Ta humbasë gjuhën në shtëpi. Ta humbasë flamurin në ndërgjegje. Ta humbasë Skënderbeun në histori. Ta humbasë Naimin, Fishtën, De Radën, Pashko Vasën, Hasan Prishtinën e gjithë korifenjtë tanë në pluhurin e indiferencës.

Një komb që harron vetveten, nuk ka nevojë ta pushtojë askush. Ai dorëzohet vetë.

Pikërisht për këtë arsye, sjellja e Presidentit nuk është çështje luksi mediatik. Është çështje e karakterit të shtetit. Është çështje e drejtimit që po merr Shqipëria. Është çështje e mesazhit që u jepet shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve.

Çfarë mesazhi u jepet shqiptarëve në diasporë, që luftojnë çdo ditë për t’u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe?

Çfarë mesazhi u jepet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, që kërkojnë barazi dhe respekt?

Çfarë mesazhi u jepet atyre që duan një Shqipëri europiane, laike dhe moderne?

Çfarë mesazhi u jepet të rinjve, kur shohin se shteti më shumë kujdeset për imazhe fetare sesa për mision kombëtar?

Presidenti duhej të ishte mbi ndarjet. Duhej të ishte zëri i përbashkët. Duhej të ishte figura që na kujton se para çdo bindjeje fetare, partiake apo krahinore, ne jemi shqiptarë.

Por në vend të kësaj, pamja publike na dha një mesazh të turbullt: Presidenti i një shteti laik në një ritual fetar, ndërkohë që kombi pret që ai të jetë në krye të betejave shqiptare.

Kur politika përkulet, shteti humb dinjitetin

Satira këtu shkruhet vetë.

Populli kërkon shtet, politika i jep spektakël.

Populli kërkon dinjitet, politika i jep fotografi.

Populli kërkon përfaqësim kombëtar, politika i jep ceremoni të huaja.

Populli kërkon zë, politika i jep heshtje.

Shqipëria nuk ka nevojë për President pelegrin. Shqipëria ka nevojë për President shtetar.

Shqipëria nuk ka nevojë për udhëheqës që shfaqen para simboleve të huaja. Ka nevojë për udhëheqës që ngrihen para plagëve të veta.

Shqipëria nuk ka nevojë për përkulje. Ka nevojë për shtyllë kurrizore.

Nuk është trimëri të shfaqesh në vende të largëta me simbolikë fetare. Trimëri është të dalësh hapur për gjuhën shqipe. Trimëri është të mbrosh shqiptarët kudo që janë. Trimëri është të mos e përdorësh fenë për imazh publik. Trimëri është ta mbash shtetin të pastër nga çdo përvetësim fetar, ideologjik apo partiak.

Në këtë pikë duhet të jemi të qartë: askush nuk kërkon luftë kundër fesë. Askush nuk kërkon ndalim besimi. Askush nuk kërkon kthim në errësirën e persekutimeve. Besimi le të jetojë i lirë në zemrën e njeriut, në familje, në bashkësi dhe në ndërgjegje.

Por shteti duhet të mbetet shtet.

Institucioni duhet të mbetet neutral.

Presidenti duhet të mbetet President i të gjithëve.

Kjo është vija e kuqe.

Nëse sot e kalojmë në heshtje këtë vijë, nesër do të kemi politikanë që garojnë kush shfaqet më fetar, kush fotografohet më shumë në ceremoni, kush merr më shumë pëlqime nga turmat e organizuara dhe kush e përdor besimin si dekor politik.

Kjo do të ishte vrasje e ngadaltë e laicitetit shqiptar.

Dhe pa laicitet, Shqipëria rrezikon unitetin e saj. Sepse shqiptarët nuk i bashkoi feja. Shqiptarët i bashkoi gjuha, gjaku, historia, flamuri dhe ideali kombëtar.

Feja në zemër, shteti në duart e kombit

Kjo është arsyeja pse Presidenti duhet të gjykohet politikisht dhe publikisht. Jo me urrejtje. Jo me fyerje. Jo me fanatizëm të kundërt. Por me forcën e argumentit, me dinjitetin e qytetarit dhe me ndërgjegjen kombëtare.

Sepse Presidenti nuk është mbi kritikën.

Presidenti nuk është mbi Kushtetutën.

Presidenti nuk është mbi parimin laik të shtetit.

Ai që pranon të jetë President, pranon edhe barrën e përfaqësimit të të gjithëve. Ai nuk ka luksin të sillet si individ i zakonshëm kur mban mbi supe Republikën.

Shqipëria nuk është pronë personale e askujt. Nuk është pronë e partive. Nuk është pronë e klerikëve. Nuk është pronë e ambasadave. Nuk është pronë e protokolleve të huaja.

Shqipëria është amanet.

Amanet i atyre që ranë për gjuhën shqipe.

Amanet i atyre që u burgosën për flamurin.

Amanet i atyre që u dogjën, u vranë, u dëbuan dhe u përndoqën për të mos u shuar emri shqiptar.

Dhe ky amanet nuk mund të shëtitet nëpër ceremoni fetare si dekor politik.

Prandaj sot nuk kërkojmë të ringjallet diktatura. Kërkojmë të ringjallet ndërgjegjja shtetërore.

Nuk kërkojmë të ndalohet feja. Kërkojmë të ndalohet përdorimi politik i fesë.

Nuk kërkojmë të fyhet besimtari. Kërkojmë të mbrohet qytetari.

Nuk kërkojmë shtet pa shpirt. Kërkojmë shtet me dinjitet.

Nuk kërkojmë President kundër fesë. Kërkojmë President mbi fetë.

Sepse Presidenti i Shqipërisë duhet të jetë si flamuri: i të gjithëve, mbi të gjithë, dhe jo i veshur me ngjyrën e asnjë riti të veçantë.

Feja le të mbetet në zemrën e njeriut.

Shteti le të mbetet në duart e kombit.

Dhe Presidenti, nëse e harron këtë dallim, duhet ta dëgjojë gjykimin e opinionit publik, sepse një Republikë që hesht kur cenohet laiciteti i saj, nesër mund të zgjohet pa dinjitet, pa busull dhe pa vetvete.