Kreu Blog Faqe 1451

Revue commerciale du Levant (1908) / Tregu i pajisjeve dhe artikujve të fotografisë në Shkodër

0

Burimi : Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Dhjetor 2021

“Revue commerciale du Levant” ka botuar, me 31 janar 1908, në faqen n°148, një shkrim në lidhje me tregun (qarkullimin) e pajisvjeve dhe artikujve të fotografisë në Shkodër, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 Letër nga Shkodra e Shqipërisë

 Shkodër (Shqipëri), 31 janar 1908.

 Pajisjet dhe artikujt e fotografisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ish-studioja e fotografisë “Marubbi”, e themeluar në vitin 1856 dhe aktualisht e drejtuar nga Michel Codelli, pronari i saj i ri, është i vetmi vend (dyqan) i rekomandueshëm që ekziston në Shkodër. Porositë e tij për pllaka, filma, letra, zhvillues, kartolina dhe pajisje të tjera fotografike arrijnë në rreth 3.000 franga. Gjysma e këtyre aksesorëve furnizohen nga A. Lumière dhe djemtë e tij nga Lioni, të përfaqësuar nga z. Codelli.

Konsumi i filmave nga Franca deri më tani ka qenë i parëndësishëm për shkak të konkurrencës nga shtëpia “Kodak” në Vjenë.

 Një sasi e caktuar kutish dhe artikujsh të tjerë fotografikë që arrijnë shifrën e përafërt prej 700 frangash vijnë nga ndërmarrja e Bernard Wachtl (Vjenë). Ato janë të destinuara për “Marubbin” dhe për amatorë. Ka pasur edhe porosi për kamera dhe pajisje fotografike për një shumë prej rreth 2000 frangash të bëra në ndërmarrjen “Kodak” nga z. Codelli; ato do të përdoren nga një duzinë fotografësh modestë amatorë.

Gjatë vitit 1900, porositë e bëra në ndërmarrjen “A. Lumière dhe djemtë e tij” ishin 300 franga krahasuar me 1500 franga në 1907.

Nga të dhënat e mësipërme, qarkullimi i artikujve të fotografisë, megjithëse modest, është në rritje dhe është me fat të theksohet se një pjesë e mirë e kësaj tregtie është në duart e ndërrmarjeve franceze.

  1. Mida,

Drogman i Konsullatës së Francës.

Aurenc Bebja, Francë. (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania).                            Burimi : https://www.darsiani.com/la-gazette/revue-commerciale-du-levant-1908-tregu-i-pajisjeve-dhe-artikujve-te-fotografise-ne-shkoder/.

Për të mos shqetësuar Vuçiçin është mbuluar shtatorja e Adem Jasharit, e cila gjendet në resortin e pronarit të “Fish City” në Elbasan!

6

Përmendorja e Adem Jasharit, pamje nga restoranti “Fish City” në Elbasan, ku darkuan Rama dhe Vuçiq. Edi Rama e mbuloj përmendoren e Adem Jasharit që të mos shqetësohej Vuçiq! Po për këso motivesh antishqiptare, u largue edhe memoriali në Kukës i mbi 2 mijë viktimave shqiptare të ushtrisë pushtuese të Serbisë në krahinën e Lumës, mirëpo “udhëheqësit” e Shqipërisë nuk shqetësohen për shqetësimet e popullit shqiptar me përmendoren kushtuar ushtrisë mizore serbe në Varrezat e Sharrës, në Tiranë?! …

Kastriot Myftaraj, Tiranë

“Mbulohet Adem Jasharit në Elbasan, me rastin e vajtjes së Vuçiç”

Mbulohet shtatorja e Adem Jasharit në “Fish City” në Elbasan, me rastin e vajtjes së Vuçiç
Me rastin e vajtjes së Presidentit të Serbisë Vuçiç në “Fish City” në Elbasan, sipas agjendës së përcaktuar nga mikpritësi i tij Kryeministri Rama për vizitën e tij është marrë cdo masë që mikut të shquar nga Beogradi të mos i ngecë në fyt ndonjë “halë” dhe ta shijojë plotësisht peshkun e zgjedhur të oligarkut Gjergj Luca, pronarit të “Fish City”.
Për të mos shqetësuar Vuçiçin është mbuluar shtatorja e Adem Jasharit, e cila gjendet në këtë resort.
Është fjala për atë shtatoren për të cilën oligarku Luca me shumë emocion i kërkoi Albin Kurtit kur këtë e shpuri Edi Rama në resortin e Lucës, që të shkonin dhe ta shikonin.
Por meqënëse oligarku Luca e ka ngritur këtë shtatore për të joshur klientë nga Kosova në resortin e tij, ai pa ngurim e mbuloi atë kur ia kërkoi miku i tij Edi Rama.
Meqënëse është parashikuar që Vuçiç të bëjë edhe një shëtitje nëpër resort për të parë këtë “mrekulli” kuptohet se shtatorja e Adem Jasharit do të ishte një e papritur e pakëndshme për të.
Meqënëse Vuçiç ka qenë Ministër i Informacionit në 1998 kur u vranë Adem Jasharit dhe njerëzit e tij në Masakrën e Prekazit, atij me siguri do t’ i shijojë më shumë darka sepse mendon që kështu ka mposhtur për herë të dytë Adem Jasharin.
I vetëshpalluri nipi i Drenicës, Lulzim Basha, i cili nuk po organizon protestë me rastin e ardhjes së Vuçiç, a nuk duhet të kishte thënë së paku diçka për mbulimin e shtatores së Adem Jasharit nga Edi Rama?
_______

Denoncimi i Boçit: Statuja e Adem Jasharit në Elbasan u mbulua për të mos e parë Vuçiç

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi deklaroi se shtatorja e Adem Jasharit në restorantin në Elbasan ku po mbahet darka zyrtare me udhëheqësit e nismës së Ballkanit të Hapur është mbuluar për të mos e parë Aleksandër Vuçiç.

“Tani sa po më njoftojnë se shtatorja e Adem Jasharit në Elbasan është mbuluar për të mos e parë Aleksandër Vuçiç”, tha Boçi në emisionin Politiko në Top News.

Boçi tha se informacioni duhet verifikuar, ndërsa deputeti tjetër, Arbi Agalliu tha se nëse kjo është e vërtetë është skandal.

Në Fish City ndodhen për darkën zyrtare Kryeministri Edi Rama, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Në këtë darkë merr pjesë edhe Alex Soros.

Darka zyrtare i paraprin samitit për Ballkanin e Hapur, ku ditën e martë priten të nënshkruhen pesë marrëveshje.

Mbaje fjalën, Ramush komandanti!

4
Idriz Zeqiraj, Gjermani
Disa komandantë, madje, më të zëshmit, të veshur me parti dhe pushtet, janë dëshmuar nga më të babëziturit, në zhvatjen e shtetit, duke u zhveshur nga çfarëdo atdhedashurie e morali njerëzor. Në ​këtë kategori prijnë Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, duke qenë se ishin në majat e shtetit dhe të pushtetit, përkatësisht, president, kryeministër!
     Ramushi, përtej dy dekadave, jeton në Prishtinë, me gjithë vëllazëni. Trojet e vilave-pallate, dihet si i ka zënë! Njërën nga vilat-pallat, e ka dhënë me qera, siç e ka deklaruar në Parlament dhe vjelë 6.700 euro në muaj! Të gjithë familjarët, të moshës madhore, janë të punësuar, vëllezër e kunata, madje, në poste të përzgjedhura.
     Pa e hapur letrën-akuzë, të mikut të tij, Adem Grabovcit, për depozitat dhe pasuritë marramendëse të Ramush Haradinaj, këto që thamë më sipër, janë të mjaftueshme, për të qenë i tejpasur, në raport me qytetarët e Kosovës, të cilët, së bashku me Palin e tij të Infrastrukturës, u shet moral e drejtësi hyjnore, duke vjelur votat e tyre “blanko”! Atëherë, pse duhej të zgjerohej përtej tokave të babait dhe Kullës gjigande, të ndërtuar me para, absolutisht, të dyshimta?!
     Kërkesës të ligjshme të kryeministrit aktual, Albin Kurti, të bërë Ramush Haradinaj, për kthimin e tokës, prej 200 hektarëve, të blerë korruptueshëm e hajnishëm, me vetëm 3.50 euro arin, ai përgjigjet mashtrueshëm, falsifikueshëm e rrejshëm:
     “… e kam shfrytëzuar një të drejtë ligjore, e kam rible tokën e babës dhe është në katundin tim, është në Gllogjan”!?
           Pak histori nga Istogu im:
     Mbaj mend, kur në vitin 1954, pushteti komunist jugosllav nxori një ligj: Konfiskimin e tokave private, të konsideruara si tepricë, të llogaritur me numrin e kurorave të meshkujve të martuar të familjes. Qëllimi ishte goditja e familjeve të mëdha nacinaliste. Për shembull: Babai im Sadri Smajl Zeqiraj, kishte sherbyer në Policinë e Skënderajt, në kohën e Shqipërisë së Bashkuar. Prej andej, ishte caktuar roje, shoqërues i përhershëm i komandantit nacionalist, Mehmet Gradica, deri në vetëvrasjen e tij. Pastaj, babai im u bashkohet çetave nacionaliste, në mbrojtje të kufirit verior të Kosovës dhe të Sanxhakut, nga ushtria çetnike, nën uniformëm partizane.
     Pushteti konfiskoi 4 hektarë tokë të familjes tonë – ndër vade -, me ujitje dhe ia dha në pronësi kooperativës bujqësore të Vrellës, të bashkuar me ekonominë e Banjës. Familja jonë, për ta shpëtuar tokën, martoi një 17-vjeçarë, duke shtuar një kurorë, por, u konsiderua si “martesë e qëllimshme” dhe konsfiskimi i tokës ndodhi. Fshati Studenicë ka pasur 30 çetanikë, nën komandën e Bajram Gashit, të vrarë, në luftim e sipër, në bjeshkët e Istogut. Por, pushteti goditi vetëm tri familje të fshatit, veç konfiskimit të tokës, edhe “leçitjen”, përjashtimin, deklasimin, izolimin, pa të drejtë vote e komunikimi me bashkëvendorët. Një xhaxha i imi, çetanik, u vra në moshën 17-vjeçare, në mbrojtje të Rozhajës. Dhe, familja jonë, – barku i gjyshit -, filloi burgjet politike në vitin 1945, për t`u liruar i fundit i familjes, në vitin 1992!
Në “Qarshi” flitet se 300 hektarë të kësaj ekonomie, janë privatizuar nga deputeti Xhavit Haliti dhe ortakut të tij, Dreshaj. Ky i fundit, vazhdon ta punojë pjesën e tij, ka ngritur një fermë lopësh, ka bërë një sallë sportive dhe shquhet për humanitet, në ndihmë të komunitetit. Ndërsa Xhaviti, pjesën e tij, ia ka faturuar një nipit nga bijat, praktikë kjo e mirënjohur e komandantëve zhvatës e hileqarë! Pjesën e tretë, të kësaj ekonomie bujqësore, e ka privatizuar një drenicar, por, flitet se pronar real është kreu i SHIK-ut!
     Bëra këtë parantezë, për të dëshmuar se Ramushi ia huqi, kur tha se “kam rible tokën e babës”! Në fakt, babai i tij nuk njihet për pasuri dhe as për kundërshti ndaj pushtetit. Kam pasur shok rinie Smajl Haradinaj, i cili ka qenë pjesë e ilegalës së hershme. Në ato 200 hektarët e kontrabanduara nga Ramushi, nuk ka asgjë ligjore, sepse nuk është tokë dushkajë e bokërrinë gurore, por, pemishte e Fermës Bujqësore. Pjesë e asaj toke mund të jenë edhe ndoca hektarë të tokave të shtetëzuara me konfiskime. Por, bazë janë tokat “pashnjak”, “me ra”, “utrinë”, pra, tokë e shtetit, e përpunuar me investime domëthënëse dhe assesi toka të privatëve. Dhe, hiç se hiç e babës të Ramushit!
           Ilustrojmë:
    Kur Familja Rugova u vendos në Cerrcë të Istogut, paria e fshatit provoi të mos e lejonin ta shfrytëzojë bjeshkën-kullotë! Një duzinë kushërijësh, nga fshati Malaj i Rugovës, zbritën në Cërrcë, me mesazhin e qartë, se vëllezërit tanë, këtu, nuk janë të vetëm, jemi edhe ne përkrah tyre. Kundërshtia u zvetnua, deri në shuarje.
    Të nisur nga ky rast, Januzajt e Lubozhdës, të ardhur nga Isniqi i Deçanit, i mësoi një serb, për ta blerë bjeshkën dhe bërë tapinë. Dhe, ashtu ndodhi. Blenë 300 hektarë hapësirë bjeshkore, kullota dhe pyje, e shfrytëzojnë si kullotë, por, edhe për lëndën drusore, sipas rregullave që përcakton ligji. Dhe, e gjithë pjesa tjetër, është tokë shtetërore, është pasuri e brezave shqiptarë, të cilën, në mënyrën më të poshtër dhe më kriminale, përtej 20 vjetë radhazi, po e zhvatin bastardët, hajnat zyrtarë, kryesisht, bosat politikë e pushtetarë.
          Mendësia e mykur e deputetit Xhavit Haliti
     Opinioni shqiptar, madje, i përbotshëm, u neverit nga “zemërgjerësia” e deputetit Xhavit Halitit, për t`i falur Ramushit jo 200, por edhe 500 hektarë tokë janë pak, sepse ai ka luftuar pa u pague”! Në Kosovë kanë ndodhur 440 masakra. Janë qindra familje që kanë humbur nga disa anëtarë. Nëse u dhurohen nga disa qindra hektarë tokë këtyre familjeve, atëherë, çka m…. me hangër populli i Kosovës?!?
     Cinizmi dhe paturpësia e deputetit Haliti, është me tepëri. Ai bredhë nga televizioni në televizion dhe vjellë vrerë, për ata që bënë luftën faktike, pra, për oficerët profesionalë dhe heroikë të FARK-ut të Ibahim Rugovës. Është Beteja e rrufeshme dhe fitimtare e Loxhës, me komandant Kolonel Tahir Zemaj, me shokë, si dhe betejat seriale, që përbëjnë Luftën e Kosharës, legjitimuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa këto beteja, çfarë krenarie do të kishte deputeti Haliti dhe shqiptarët, për ta përmendur UÇK-në?!
     Eksponenti i organizatës ilegale SHIK, Xhavit Haliti, e ka fjalën për disa oficerë të FARK-ut, të larguar nga Armata Jugosllave, të bërë pjesë e luftës të armatosur në Kosovë. Ata, gjatë luftës, për vetëm tre muaj, janë trajtuar me nga 1.000 marka gjermane, meqë nuset, me kalamajtë e tyre, duhej të paguanin qeranë e banesave në Perëndim. Këtë temë e kam trajtuar në shkrimin e publikuar në gjysmën e tetorit të sivjem: “Mercenari” Anton Quni dhe komandantët milionerë”, andaj, po mjaftohem me kaq.
       Premtimi ende i papërmbushur i Ramushit
     Javën e shkuar, Ramush Haradinaj tha, përafërsisht, – ani, po ia kthej tokën e bleme shtetit -, pa përmendur as kthimin e pagesës. Dhe, ky ishte premtim publik. Shqiptarët frymuan lirshëm: “Po fillon këndellja e  komansdantëve, heqja dorë nga zhvatjet enorme, babëzitja me tepëri, sepse nuk duan t`ua lënë mërinë e shqiptarëve, trashëgimtarëve të tyre!” Por, pse tani pretendon se “është tokë e babës”, pa e dëshmuar me asnjë dokument pronësie, tapi! Pse ky pishmanllëk?! Njeriu, burri lidhet për fjale. Pasurinë duhet gëzuar pa stresime dhe frikën e së nesërmes, ngaqë mund të “ikën Lumezi dhe të vijë Elezi”, ligji. Edhe trashëgimtarët duhet të ndjehen krenarë për babain komandant. Dhe, assesi nuk ndjehen komod, me pasurinë e kontestuar dhe pa fije mbulese.
     Si mbulesë të Kullës në Gllogjan, të vilave-pallate në Prishtinë e gjetkë, Ramushi ka përmendur shitjen e një apartamenti në Tiranë, i cili, atëbotë, nuk kalonte vlerën e 30 mijë dollarëve. Ka kriminelë vrastarë, por, ka edhe kriminelë ekonomikë. Ruaju nga kjo emërtesë e fundit, mos u bëjë pjesë e krimit ekonomik. Në bërjen e reformës agrare, shtetet e Ballkanit kanë qenë të vonuara. Kanë filluar në vitin 1918 dhe deri në gjysmë të viteve `30-a ka përfunduar reforma.
     Në qytetin e Pejës janë disa famile, të cilat mbajnë emrin e fshatit tim, Studenica. Me një dekret të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, në vitin 1918, i shpronësonte nga tokat në posedim në fshat, madje, pa shpërblim, të shpërngulurit në qytet. Dhe, tokat mbetën në pronësi të atyre që i punonin në fshat. Dhe, megjithatë, miqësitë u ruajtën, përjashto ndoca bukëshkalë.
     Kosova po shënon anakronizmin neveritës. Pas një shekulli, nga reformat ballkanike, po i pjellë çifligarët modern. Paradoksale dhe skajmërisht e turpshme! Keni premtuar, qoftë edhe nëpër dhëmbë, për ta kthyer “tokën e bleme”, me 3.50 euro arin! Prandaj, mbaje fjalën, Ramush komandanti! 
     Komandanti Ramush Haradinaj,  sonte bëri thirrje për themelimin e një fondacioni për ushtrinë. E ka shansin të bëhet kontribuesi, donatori i parë, kthimin e 200 hektarëve “tokë të bleme”, të destinuar për ushtrinë. E kushtueshme është ushtria, policia, burgaxhinjtë. Tashmë, Kosova nuk ka të burgosur politikë, fatmirësisht! Skrimtari freng, Balzak, në njërin nga romanët e tij numerike, thoshte se “Burgu është sintezë e të gjitha poshtërsive”! 
     Dhe, është poshtërsi e krim, ta shpërdorosh paranë e popullit, për ushqimin gratisë të kësaj shtrese keqbërëse e kriminale. Ndërkohë që, riedukimi i tyre më efikas, mund të bëhet, pikërisht, nëpërmjet angazhimit të tyre në punë. Llogaritën tej 900 mijë hektarëve tokë të privatizuar, më saktë, të abuzuar. Rishtetëzimi, qoftë edhe 1/4-ës së tyre, do të mjaftonin për mbajtjen e kategorive të përmendura dhe të tjera. Përvoja amerikane, e paqyruar në dokumentarët televizivë të botës, zakonisht, të transmetuar pasmesnatës, është një mësim praktik, se si bëhet organizimi në punë i të burgosurëve në Amerikë. Dhe, lehtësisht, i aplikueshëm, i zbatueshëm edhe në Kosovën tonë hallemadhe!

Pse kemi dështuar në shtetndërtim?

0
Lirim Gashi, Prishtinë
Sikur ta kuptonin politikanët kosovarë dhe shqiptarë sa pika të dobëta ka politika serbe dhe sa jo kompakt është korpusi nacional serb, do të kapeshin si të çmendur për koke dhe do ta pyesnin vetveten dhe njëri tjetrin:
Pse ne si përfaqësues të një populli viktimë, të pafajshëm dhe liridashës, jemi kaq inferior, respektivisht kaq të kompleksuar ndaj një populli kaq hibrid si serbët dhe ndaj shtetit të tyre klerofashist dhe gjenocidal?
Ndaj shtetit që i ka humbur tri luftëra brenda dhjetë vitesh, që i ka ushtruar për 150 vjet rresht disa gjenocide të tmerrshme ndaj shqiptarëve të pafajshëm të Kosovës dhe Luginës dhe që në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar i ka ushtruar tre gjenocide ndaj shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve.
Sikur politikanët kosovarë dhe shqiptarë ta kishin kuptuar këtë të vërtetë të pakontestueshme në kohën e duhur dhe sikur të kishin bashkëpunuar ngushtë me njëri tjetrin, pavarësisht përkatësisë partiake, për ta ndërtuar një platformë të përbashkët me korniza dhe koordinata të qarta të veprimit në politikën e brendshme dhe të jashtme, sot Kosova me siguri nuk do të ishte në defensivë dhe ngecje të paparë diplomatike ndaj Serbisë klerofashiste edhe pse të gjitha faktet dhe argumentet janë në anën e saj.
Sikur përfaqësuesit tanë politik në pushtet dhe opozitë në vend se t’ia hanin kokën njëri tjetrit dhe popullit të tyre, ta kishin ndërtuar një platformë të përbashkët të veprimit me përfaqësuesit e popujve dhe shteteve fqinje, që gjithashtu ishin viktima të gjenocidit serb, sot Serbia do të ishte e rrethuar me shtete të forta armike dhe do të ishe e detyruar jo vetëm që të përballej me të kaluarën e saj mëkatare, por edhe të kërkonte falje, të paguante dëmshpërblim, ta zbardhte fatin e të pagjeturve, t’i kthente kufomat nga varrezat kolektive dhe ta pranonte realitetin e ri politik, juridik dhe faktik në Ballkanin Përendimor.
Politikanëve kosovarë do të duhej t’ju mjaftonte fakti se të gjitha argumentet janë në anën e tyre gjatë përballjes me kryeneçësinë e paparë të politikës klerofashiste serbe, për të vazhduar më avazin e vjetër.
Atyre do të duhej t’u mjaftonte kjo epërsi e paparë faktike, kulturo-historike, juridike, morale, politike dhe diplomatike, për ta fituar garën në çdo segment, fushë dhe lëmi të veprimit politik.
Sepse Serbia duke mos hequr dorë nga të qenit burim i të gjitha trazirave dhe të këqijave në Ballkanin Perëndimor, në fakt do t’ua mundësonte atyre njërën penallti pas tjetrës për të shënuar gola.
Mirëpo çka bënë politikanët tanë injorantë, gjysmë analfabetë, grykës, lakmitarë, kriminel dhe tradhtarë?
Ata e shënuan njërin autogol pas tjetrit, në të gjitha fushat e veprimit politik dhe diplomatik.
Prandaj për mua personalisht është një apsurd dhe paradoks i padëgjuar dhe paparë fakti që Serbisë t’i mjaftojë vazhdimi i avazit të vjetër në një nivel më të lartë perfid dhe djallëzor, për t’i mbështetur sërish për muri të gjithë popujt dhe shtetet fqinje, e sidomos shqiptarët e Kosovës dhe shtetin e tyre të brishtë, ende pa kaluar dy dekada nga gjenocidi i saj i fundit ndaj tyre.
Ju betohem në gjithçka të shenjtë :
Sikur të m’i kishin hapur dyert në politikën shtetërore ata që m’i kanë mbyllur nga kompleksi i vlerës së ulët, nga padituria alarmante dhe nga mungesa e pandërprerë e guximit, unë Lirim Gashi kurrë nuk do të lejoja që Kosova ta humbë luftën diplomatike kundër një Serbie kaq të dobët.
Sepse dija dhe guximi në kombinim me vendosmërinë për të mos u dorëzuar dhe nënshtruar kurrë para armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, janë të vetmet parakushte që e garantojnë suksesin.
Gjithçka tjetër është fërgim i petullave me ujë dhe mbyllje e syve para dështimit të turpshëm dhe qyqarë të pushteteve të pasluftës.
Ata popuj dhe ato shtete që e kanë marrë seriozisht ecjen përpara, janë me meritë larg para nesh.
Tek ne mentalitetin e robit e kanë mbjellë, përhapur, kultivuar dhe përsosur fillimisht ish pushtuesit.
Pastaj Ldk mentalitetin e robit e ka shndërruar në shkollë politike.
Prandaj të gjitha partitë politike që janë krijuar prej kuadrove të saj, e kanë kultivuar dhe perfeksionuar deri në çmenduri këtë doktrinë dështake.
Dhe jo vetëm kaq, por e kanë shndërruar në trashëgimi kulturore.
Qasja e Ldk-së ndaj armikut të brendshëm dhe të jashtëm fillimisht ka qenë e arsyeshme sepse i është përshtatur mentalitetit impotent dhe pafuqisë ushtarake të popullit.
Por me kalimin e kohës është dëshmuar si fatale, sepse ka prodhuar pasoja fatale politike, edukative dhe kulturore që po na ndjekin pas si një hije e keqe deri në ditën e sotme.
Mos harroni kurrë se popujt e shteteve që kanë përparuar larg më shumë se ne, nuk janë të përbërë nga mbinjerëzit !
Prandaj ju lutem mos filloni prapë me arsyetime të paqëndrueshme.
Izraelitët kanë pozitë shumë më të pavolitshme gjeo-politike dhe gjeo-strategjike se sa ne shqiptarët.
Mirëpo me dije dhe guxim kanë arritur të shndërrohen në superfuqi botërore.
Thjesht po më shkojnë në nerva këto arsyetime që burojnë nga mentaliteti i robit.
Nëse nuk dini pyetni, se nuk bëhet nami, por mos vazhdoni me arsyetime qyqare që s’kanë bazë logjike, sepse duke e vazhduar arsyetimin e dështimit të kriminelëve dhe tradhtarëve në pushtet dhe opozitë, po ia krijoni popullit padashur përshtypjen dhe ndjenjën se është totalisht i pafajshëm dhe se fajin e kane të tjerët që po e trajtojnë padrejtësisht.
Të tjerët na trajtojnë pikërisht ashtu siç e trajtojmë ne vetveten.

Jeta po largohet përgjithmonë nga vendlindja ime

0

Dy “shoqet” e vetme të pandara në shkollën e Fraskanjelit. Foto: Gjekë Gjonaj


Nga Frank Shkreli

Unë vij, siç e dinë shumë kolegë, miqë e dashamirë të mi – nga një fshat i quajtur Amull-Fraskanjel të rrethit të Ulqinit, ndonëse me origjinë familja ime rrjedhë nga Shkreli i mbi-Shkodrës, në Malësinë e Madhe. Unë, si dhe shumë bashkvendas të mi jemi larguar nga vendlindja jonë, dikush më heret dikush më vonë, por kryesisht, duke filluar aty nga viti 1970, ndonjë edhe pak më heret, ndoshta. Por, viti 1970, në përgjithësi, konsiderohet si viti kur fshtatrat e rrethit të Ulqinit, të banuara pothuaj 100% me shqiptarë, filluan të zbrazeshin, gradualisht, nga emigrimi për në Perëndimin demokratik, shumica në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo zbrazje e trojeve shekullore shqiptare nën Mal të Zi ka vazhduar për dekada, duke mos pasur të ndalur as në ditët e sotëme. Kjo fatkeqësi mbarëkombëtare – pothuaj e karakterit biblik – të largimit të shqiptarëve nga tokat arbërore në Ballkan – pasqyrohet ndoshta më së miri, me çfarë ka ndodhur gjatë 50-viteve të fundit e që vazhdon deri në ditët tona, në Ulqinin shqiptar mija vjeçar iliro-arbëror. Mos harroni qytetin e 365 kishave të Shasit — Frank SHKRELI/ Vidhet historia e qytetit ilir të Shasit | Gazeta Telegraf.

Dikur fajësohet diktatura komuniste për largimin e shumë shqiptarëve liridashës nga zgjedha sllavo-komuniste, për në Perendim. Po sot, me dy shtete “demokratike” në Ballkan — Shqipëri e Kosovë — kush e ka fajin, kush duhet të jetë përgjegjës për largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova dhe trojet e tjera shekullore shqiptare, siç është Ulqini dhe fshatrat për rreth!?

Një pasqyrim të kësaj gjëndjeje tragjike të zbrasjes së tokave shqiptare sot në fshatrat e rrethit të Ulqinit nën Mal të Zi, siç është fshati i vendlindjes time Amull/Fraskanjel, e përshkruan dhimshëm kolegu im, autori, gazetari dhe analisti i njohur nga Ulqini, Z. Gjekë Gjonaj, shkrimin e të cilit po e ndaj me ju të nderuar kolegë, lexues të dashur dhe me të gjithë ata që zbrasjen e trojeve shqiptare duhet ta shikojnë si një dukuri emergjente kombëtare. Pothuaj për çdo ditë lexojmë në median shqiptare, se si anë e mbanë trojeve tona, po zvogëlohet numri i nxënsve në shkollat fillore, të mesme e të tjera, pikërisht për arsye të largimit masiv të familjeve shqiptare. Por tregimi – ditët e fundit i botuar në portalin Ulqinionline –Dy “shoqet” e vetme të pandara në shkollën e Fraskanjelit – Ulqini Online (ulqini-online.com) — i kolegut tim Gjekë Gjonaj nënvijon shumë dhimshëm një rast të pashembullt në fshatin ku kam lindur unë Amull/Fraskanjel: një shkollë funksionale, me një mësuese dhe me një nxënëse — ndoshta e paraqet problemin e zbrasjes së trojeve tona, në një mënyrën dramatike për vëmendjen që meriton ky problem mbarëkombëtar – me qëllim për të sensibilizuar sado pak publikun e gjërë shqiptarë se ç’po ndodh anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan – me mbylljen e shkollave për mungesë nxënsish, si pasojë e largimit të familjeve shqiptare nga trojet e stërgjyshërve të tyre.

Falënderoj Z. Gjekë Gjonaj që na solli këtë tregim shumë të dhimbshëm, me të cilin duhet të njihet publiku i gjërë shqiptar dhe sidomos liderët shqiptarë kudo. Është një tregim që më solli – solli lotët në sy, një rast që vërtetë dramatizon këtë, emeergjencë kombëtare në këtë periudhë historike të kombit shqiptar. Të lumtë dora, i dashtun Gjekë! Bravo edhe mësueses që e bën gjithë atë rrugë për një nxënëse të vetme. Është një tregim i dhimmshëm për faktin se ku kanë arritur gjërat në ato troje dhe njëkohësisht është edhe një shënjë vendosmërie nga mësuesja Ardita Cekaj dhe nxënsja Elidona Shkreli dhe familja e saj për t’iu përshtatur situatave të paparashikueshme, për të mësuar dhe për të mbijetuar.

JU FTOJ TË LEXONI MË POSHT SHKRIMIN E PLOTË TË Z. GJEKË GJONAJ PËR KËTË RAST UNIK NË TROJET SHQIPTARE, E NDOSHTA EDHE MË GJERË — një shkollë, një mësuese dhe një nxënëse e vetme! Ky tregim i autorit Gjekë Gjonaj më kujtoi vargjet e At Gjergj Fishtës, që mund ti lexoni në fund të artikullit që pason, në këtë 150-vjetor të lindjes së tij – por edhe realizimin e hidhët personal se me boshatisjen e fshatit tim nga shqiptarët – JETA – SIÇ E KISHIM NJOHUR DIKUR — PO LARGOHET PËRGJITHMONË NGA VENDLINDJA IME.

______________

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin

DY “SHOQET” E VETME TË PANDARA NË SHKOLLËN E FRASKANJELIT

Paralelja e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” në fshatin Fraskanjel – Anë të Malit, falë mirëkuptimit të Ministrisë së Arsimit, edhe këtë vit shkollor vazhdon të funksionojë me vetëm një nxënës.  Në një klasë shumë të rrënuar, që nxjerr frymën e disa kohëve të shkuara, mësuesja Ardita Ceka mësimin e zhvillon me   vetëm një nxënëse. Ajo quhet Elidona Shkreli, nxënëse e klasës së dytë, të cilën  mësuesja e saj e sjell dhe e merr çdo mëngjes nga fshati i afërt Amull, rreth tre kilometra larg shkollës.

Në këtë shkollë katërklasëshe të lënë pas dore me vite, në të cilën në vitin shkollor 1972/73 kanë qenë 20 nxënës, nuk bie zilja e shkollës, sepse nuk ka fëmijë për të thirrur. Në këtë vatër edukative – arsimore mësuesja e re e arsimuar Ardita është edhe mësimdhënëse, edhe edukatore edhe “shoqe” e bankës dhe “partnere” për edukatën fizike,  muzikore …

Që nga viti i kaluar shkollor, mësuesja Ardita udhëton nga fshati i saj  Brajshë në Fraskanjel dhe rregullisht vjen në shkollë në kohë,  së bashku me nxënësen e saj, për të mos humbur procesin  mësimor. Ajo me mjaft emocion flet për fillimet e saj në këtë vatër të dijes.

“Mbaj mend si sot ditën e parë, në tetor të vitit 2020, kur fillova punën në këtë  shkollë dhe kur në derë trokiti nxënësja ime e parë dhe e vetme -Elidona Shkreli, të cilën  e shoqëronte babai i saj, Tomë Shkreli nga fshati Amull.  Elidona ishte e gëzuar dhe e emocionuar sepse po vinte për herë të parë në shkollë. Ishte një nxënëse shumë e sjellshme dhe e dashur dhe shkollën e kishte shumë dëshirë. Mirëpo, ajo ishte shumë e lidhur me prindërit të cilët nuk kishin arritur ta çonin në kopsht. Kjo ndikoi që Elidona e kishte shumë problem të qëndronte vetëm me mësuesen në shkollë, dhe duhej gjithsesi prania në shkollë  e njërit prindër  ose e motrës. Ishte e mbyllur në vetvete dhe e kishte të vështirë të shoqërohej me njerëz të tjerë jashtë familjes.  Vetë fakti që ajo ishte nxënësja e vetme në këtë shkollë dhe nuk kishte shokë apo shoqe, ndikoi edhe më keq që ajo të ambientohej dhe të mësohej që të qëndronte në shkollë pa praninë e njërit nga familjarët. Kështu në fillim u desh të kalonin 2-3 javë derisa ajo arriti të ambientohej dhe të bëheshim “shoqe”. Pra nga dita kur filluam të bëheshim ’’shoqe’’e në vazhdim ne kemi krijuar një marrëdhënie jo vetëm mësuese-nxënëse por edhe shoqe-shoqe, pasi ajo më tregon gjithçka rreth vetes, është e lirshme dhe ju përgjigjet çdo pyetjeje që unë i bëj”, thotë Ceka.

Ajo s tutje shprehet se të punosh me një nxënës është e pazakontë, dhe se   nuk ndjehet mirë për shkak se   nxënësja e saj nuk ka shokë e shoqe të shkollës që të luajnë bashkë gjatë gjithë vitit shkollor.  Mirëpo, mësuesja Ardita   ka krijuar me të raporte të veçanta afërsie saqë e konsideron atë jo vetëm si nxënëse por si “ shoqe”, apo “ motër” të vogël  . Siç tregon mësuesja Ardita para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të Elidonës bashkë me prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një tortë  në shkollë dhe u gëzuan së bashku.

Para se të vijnë në shkollë, gjatë udhëtimit së bashku, fillimisht bisedojnë për shumëçka. Elidona i tregon mësueses se çfarë ka bërë një ditë më parë, me kë ka luajtur dhe të ngjashme. Dhe vetëm kur klasa fillon të ngrohet, ato fillojnë mësimin.

“Ne të dyja e bëjmë bashkë rrugën nga shtëpia në shkollë dhe nga shkolla në shtëpi Mua pasi nisem në mëngjes në shkollë Elidona më pret tek rruga e shtëpisë së saj dhe nga aty shkojmë dhe kthehemi nga shkolla së bashku. Mësimdhënia me një nxënëse është e pazakontë, por jo e vështirë. Secilin   mësim në çdo lëndë ia shpjegoj disa herë vetëm derisa ajo ta kuptojë, duke përdorur metoda e mënyra të ndryshme. Megjithatë mësimi me një nxënëse ka dhe anët e veta negative.  Kur në klasë ke vetëm një nxënëse ajo natyrshëm ndjehet e vetmuar dhe jo aq e motivuar për të mësuar më shumë apo për të parë se si   mësojnë e përgjigjen nxënësit e tjerë. Mësimi me vetëm një nxënës, për dallim nga mësimi me shumë nxënës, komunikimi   zhvillohet vetëm mes mësueses dhe nxënësit”, pohon Ceka.
Pavarësisht vështirësive që kanë pasur mësuesja Ardita me nxënësen e saj të vetme Elidonën ato  kanë  kaluar kohë të këndshme në praninë e njëra-tjetrës. Përveç mësimit  janë shoqëruar, kanë  luajtur   dhe janë zbavitur aq sa kanë  pasur mundësi. Kështu para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të Elidonës bashkë me prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një tortë  në shkollë dhe u gëzuan së bashku.

Gjendja e krijuar e gjithmbarshme në botë, pra edhe në vendin tonë, si rezultat i shfaqjes së pandemisë Covid-19, vendosi një rregullim të ri të gjallimit në pothuajse në çdo lëmi të frymimit shoqëror, duke përfshirë edhe atë në sferën e arsimimit në të gjitha nivelet. Mësimi në distancë, respektivisht përmes platformave online që erdhi papritur për shkak të përhapjes së koronavirusit, paraqiti  sfida të mëdha edhe  për mësuesen Ardita Ceka dhe nxënësen e saj Elidona Shkreli.  “Nxënësja ime ishte në klasën e parë. Ajo kishte nevoja e pyetje të ndryshme të cilat ishte shumë vështirë t’ia sqaroj në këtë mënyrë.  Por, u përpoqa që në kushte të jashtëzakonshme të bëj me pasion më të mirën e mundshme, duke ruajtur mbi të gjithë atë më shenjtoren- shëndetin  tim dhe të nxënëses e pastaj edhe  të realizoj   planprogramin  mësimor. Ishte kjo një përvojë shumë interesante për mua e cila do të mbetet gjithmonë në kujtesën time si diçka e pazakontë por e bukur”, thekson Ceka.
Si e vetmja, Elidona modeste është edhe nxënësja më e mirë e kësaj shkolle, edhe pse nuk mund të mburret me nota të shkëlqyera. Pyetja e madhe është nëse shkolla në Fraskanjel do të funksionojë vitin e ardhshëm shkollor dhe, siç theksojnë vendasit, nëse shkolla mbyllet kjo do të thotë se jeta është larguar përgjithmonë nga ky fshat.

Gjekë Gjonaj
Dy Heroina shqiptare të rrethit të Ulqinit
Mësuesja Ardita Ceka me nxënsën e saj të vetme Elidona Shkreli/Shkolla në Fraskanjel, rrethi i Ulqinit
* BOTUAR NË ULQINIONLINE, ME 17 DHJETOR, 2021

Ky tregim i autorit Gjekë Gjonaj më kujtoi vargjet e At Gjergj Fishtës, si më posht, në këtë 150-vjetor të lindjes së tij – por edhe realizimin e hidhët perosnal se me boshatisjen e fshatit tim nga shqiptarët – JETA – SIÇ E KISHIM NJOHUR DIKUR – PO LARGOHET PËRGJITHMONË NGA VENDLINDJA IME.

At Gjergj Fishta: LAMTUMIRE VËNDET E MIJA

Lamtumire vëndet e mija,
Që po m’zhdukeni dalngadalë
Gjëmon Deti ushton duhija
Lkundet varka valë mbi valë.

Kah njaj Diell që asht tuj flakrue
Andej fill unë tash do t’veta
Lamtumirë atdhe i bekue
Lamtumirë për sa të jetë jeta!

Neser nadja kur mbi ne,
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e di sa Ujë e Dhe,
Mue prej teje ka me më nda?

Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
Ska me më fol kush ma mue t’shkretit

Kam me shkel në të tjera zalle
Në të tjera brigje e të tjera Dete
Kam me ndije të tjera gjuhë
Në të tjera vënde e të tjera qytete…

Vëndin tëm ma skam me pa…

Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e shqiptarisë,
Ku ndër ju s’dijmë, çka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrënisë!

Lamtumirë ju mriza e stane!
Lamtumirë ju “shkurre e mreta”!
Lamtumirë ju o armt e t’parve
Lamtumirë për sa t’jetë jeta.

Letrat e miqëve të moçëm

0

Sadri Ahmeti, unë (Sinan Kastrati) dhe Nexha, gruaja ime. Halmstad, shtator 1998

Sinan Kastrati, Suedi

Vazhdon nga numri i kaluar ”Kujtime të trishtuara: një letër e vitit 1998 dhe një fotografi e viteve 1970-ta”, Drini.us, 19 Dhjetor 2021 në rubrikën ”Dossier, Kujtime”

Nuk ishte se nuk kisha se çka të bëjë por më pëlqente ti lexoja letrat dhe dhuratat që i gjeja në arkivën e bibliotekës sime dhe në të njëjtën kohë edhe pushoja.
Ishte viti 1999. Dimri dhe pranvera i gjeti shqiptarët e Kosovës (fjalën ”popull” nuk e përdora se mu duk se edhe unë po tallem me popullin) i gjeti qysh është më së keqi. Ata shpërnguleshin nga nga një katund e krahinë, në tjetrën duke u munduar që të ikin e të mëshifën në ndonjë vend më të sigurtë, të ikin nga dhunuesit që çdo gjë digjnin, vidhnin e vajzat gratë i dhunonin, para fëmijëve e burravet ë tyre. Masakra shihnim çdo mbrëmje në televizionet e shumta të botës e në gjuhë të ndryshme. Edhe televizioni suedez,në lajmet kryesore raportonte për Kosovën.
Në orën 19:00, 19:30, 20:00 në lajmet qendrore, fëmijët i largoja nga dhoma e pritjes, ku rrija, aty ku e kisha edhe TV-enë.
Kur k`thehej sofra, bukën e hanim dhe e lagnim me lot, mërzi, idhnim e inat
Një tjetër shqetësim për kohën, vitin 1999 ishte se faktori politik ishte më i përqarë se kurrë e ai ushtarak, i thençin “ushtarak”, nuk dihej nga kush udhëhiqej. Në televizionin shqiptar (RTSH), dëgjoheshin kërcnimet e ish “shtabit” të Rognerit kundër Ibrahim Rugovës e ish oficerëve të ish APJ-së, në FARK.
Faktori ndërkombëtar nuk mund ti kënaqte të dy ”krahët e luftës” por edhe ai, mori kahje të gabuar kur pranoi disa nga ish udhëheqësit e LPK-së, gjoja se po udhëheqin “luftën” drejtë çlirimit. Kjo u pa edhe në Konferencën e Rambujesë dhe më vonë të Parisit.
Shqipëria “nënë” që për fat tonin të keq, udhëhiqej nga “fatosat”, “mejdanat”, “brokat” e “pas-kalat”
Historia po përsëritej për të keq sepse “kur udhëheq i keqi, popullin e ha dreqi”.
Ishin disa nga ata që “kishin organizua dhe I prinin luftës” që më vonë dyshoheshin nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime lufte. Disa ende janë në paraburgim në Hagë dhe pritet që vitin tjetër të dalin para gjykatës, Hashim Th. Kadri V. Jakup Kr. Rexhep Sel. etj.

Letra e fundit e Sadri Ahmetit, Tiranë, 31. 05. 1999

Dhe në fund të muajit maj 1999, mora një letër nga ish miku im, tash i ndejerë, Sadri Ahmeti.
Ai letrën ma kishte dërgua, jo me postë por me anë të dy postierëve që kishin shkua në Tiranë për me u fotografua me rroba “ushtarake” e uniformë të “uçk-së”. Atje ishin takua me Sadri Ahmetin. Ai më kishte dërgua dy libra dhe një letër:

Për Z. Sinan Kastrati,
Halmstad, Suedi
“Zotit Sinan Kastrati
Jam jo vetëm I tronditur nga ajo pritje aq e ngrohte nga I gjithë gjiri jot familjar por më njoftojnë disa miq nga Danimarka se kishit buruar fjalë aq të dashura në adresën time sa s`po më pritej sa të më jepet rasti të ju falenderoj përzemërsisht.
Më ka marrë malli për ate atmosferë aq poetike që kaluam ate natë.
Unë kam punuar shumë.
Kam gati për botim 5 vepra poetike dhe 2 në prozë, nga të cilat njëra në gjuhën angleze.
Sapo të dalin nga botimi, do të keni nderin të gëzoni nga një kopje.
Ju lutem më shkruani gjerësisht në këte adrsë:
Sadri Ahmeti
Lagja V. Shante
Rr. I. Tomini, pallati komercial 4
Ju përqafojmë familjarisht
Sadri Ahmeti”
Tiranë, 31. 05. 1999

Letrën e Ullmar Kvick të 6 mars-it 1993 dhe një përshëndetje e falenderi nga Gjenerali Rrahim Ademi, nëpërmes Dr. Shukri Gërgjaliut, do ti publikoj në numrin tjetër.

Vazhdon

Malmö, 20 dhjetor 2021

Nata e Buzmit apo  Diellndalimi (solstika)

0

Shkruan Fahri Xharra, Gjakovë

– Po vjen buzmi bujar me dushk e me bar, me gjâ e me mall e me gjith të mirat e Zotit!
– Mirë se u bjen Zoti ! Pastu prù ora me nafakë !
–pergjegjë i zoti i shtepís mbrendë “ Hë në fund vdiç Zoti dhe u varros në Dodonë nën dushkun më të madh dhe varri i tij u bë vend pelegrinazhi i tërë botë. Rreth dushkut dhe varrit të Zotit u ndërtua Orakulli, të cilin e ruanin Donetinët (fis mollos) (Dhimitri Pilika)
-Pellazgët- origjina e jonë e mohuar ) Gjatë gërmimeve në Dodonë më 1875-1877 dolën në dritë : një fletë dushku e shkëputur, një degëz e tërë lisi ( me 17 fletë) dhe një lendë dushku , të gjitha riprodhime artistike prej metali , si dhurata Zotit pellazg .
Pra nata e Buzmit si tek katolikët ashtu edhe tek ortodokset është një festë e vjetër pellazge,ku sipas Frrok Kristajt : Te festat e ciklit dimëror përfshihen Kolendrat dhe Buzmi, të cilat bahen me rituale, që janë të një prejardhjeje të lashtë; kryesisht lidhen me fuqinë e diellit, përkatësisht shënojnë solisticin dimëror të diellit, që mposht errësirën dhe bën të ngadhënjejë drita “

Duhet ta dijmë! Solstiku apo solstici (lat solstitium) njohur ndryshe si Diellndalimi, është çasti kohor i vitit në të cilin boshti tokësor arrin pjerrësinë më të madhe dhe më të vogël ndaj diellit. Solstiku/ Diellndalimi, ndodh dy herë në vit, 21 qershor, që quhet diellndalimi veror (solstici i verës), dhe më 21 dhjetor, i cili quhet diellndalimi dimëror (solstici i dimrit). Diellndalimi veror ndodh më 21 qershor, në gjysmëlëmshin verior dhe gjysmëlëmshin jugor të tokës. Diellndalimi i verës është dita më e gjatë e vitit, dhe për pasojë nata më e shkurtër. Në çastin e diellndalimit, Dielli arrin pjerrësinë më të madhe të lëvizjes së tij në krahasim me eklipsin (errësimin), dhe është në zenit të tropikut të Gaforres. Diellndalimi veror përfaqson fillimin e verës dhe ka qenë në histori shkak festimesh. Diellndalimi dimëror ndodh në gjysmëlëmshin jugor, më 21 dhjetor, apo 22 (21 apo 22 qershor) në gjysmëlëmshin verior të Tokës.

Data e diellndalimit dimëror shënon edhe ditën më të shkurtër dhe natën më të gjatë të vitit. Dielli mbërrin pjerrësinë më të vogël dhe ndodhet në zenit në tropikun e Bricjapit. Edhe diellndalimi i dimrit ka qenë me qindra vjet me radhë shenjë festimesh të ndryshme dimërore, p.sh. Saturnalia në Romën e lashtë, Kvanza për disa popuj afrikanë, si edhe Krishtlindja ndër të krishterët. Diellndalimi sëbashku me baraznatën lidhen me përcaktimin e stinëve të vitit. ( via Brunilda Ternova )
Buzmi është një festë e vjetër pagane, që me kalimin e shekujve ka ardhur duke u zbehur, madje në disa popuj të tjerë indoevropianë është harruar. Mbeturina të riteve që përbënin ceremonialin e kësaj feste, në trevën e Pukës psh . kanë arritur deri në shekullin tonë. Si shumica e festave, edhe ajo e buzmit lidhej ngushtë me dëshirën për prodhim të mbarë e të bollshëm.
Të gjitha ritet e kësaj feste pagane kanë pasur karakter të theksuar bujqësor e blegtoral, çka tregon edhe për drejtimet kryesore ekonomike të popullit tonë në të kaluarën. Ato janë karakteristike për atë shkallë të zhvillimit të shoqërisë, kur natyra dhe dukuritë e saj kishin pushtet të fortë mbi të gjitha veprimtaritë e njeriut. Si të tilla, ato kanë rëndësi për studimin e psikologjisë dhe botëkuptimit të kësaj shoqërie.

Mbeturinat e kësaj feste tani nuk praktikohen më tek ne, por ruhen në treva të tjera, të banuara nga shqiptarë. (M. Tirta. «Kulte të bujqësisë e të blegtorisë», «Etnografia shqiptare») Etnografi Mark Tirta në lidhje me buzmin thekson: «Fjala “buzm”, në kuptimin e këtij druri ritual ose edhe jashtë këtij kuptimi, E. Çabej e shpjegon si një fjalë autoktone të shqipes të trashëguar nga rrënja e një fjale të lashtë indoevropiane» Nata e buzmit pritej me gëzim të madh dhe me një parapërgatitje të veçantë. Kjo festë popullore ishte më e rëndësishmja dhe kishte një ceremonial të caktuar, të ngurtësuar në shekuj. Festave qe iu është dhën karakter fetar e që u përmendën më lartë janë pra me prejardhje pellazge , dhe çdo përvehtësim tjetër është vetëm se një maipulim jo i drejtë i të vërtetës sonë , shqiptare.

Dhimitri Pilika ne librin e tij për pellazget shkruan se etruskët sipas një studjusi francez e quanin dushkun pikërisht si sot në shqip.,si dhe që anë e kënd Etrurisë pellazge hasen gjurmë të shpeshta të këtij simbili ballësor pellazg. Se Dushku dhe Buzmi lindën nga ne janë dëshmitare edhe vendet tona që me toponomastikën pellazge lidhen me dushkun. Dendësia e këtij emblemi të qenësishëm pellazg e cila përdorët kudo në trevat shqiptare edhe sot e kësaj dite dëshmon shkoqur për një lidhje organike të pa shoqe midis Dodonës dhe të sotmes shqiptare.
Ja provat : DUSHK ( fshtrat në Gramsh, Lushnje , Shijak. Lezhë, Peqin) . Bregu i dushkut ,( zonë malore Lushnje):; Liqeni i Dushakut ( Gramsh) ;Kodra e Dushkut në Krujë e Lushnje ; Qafa e dushkut në Vlorë Dushkajë fshat në Lezhe, Gjakovë; Dushkan (Elbasan); Dushkarak (Vlorë) , Dushkia ( fshat arbëresh , Atikë)  Deshtëm apo jo provat historike jane ne duar tona.

Perendimi  i Diellit, përcillet nga mijëra qytetar te Anglisë në guret e varur (  Stonehenge ) që sipas studimeve të fundit janë të ndërtuara nga njerëzit e Mesdheut ( Pellazgët )

Një vend tjetër në Anli, përsëri  nëpër Stonehenge , perëndimi i ditës më të shkurtë të vitit
Në regjionin Kumanovë-Kratovë janë gjetur mbi 10 tempuj , që i takojnë kulturës Kokino, duke shkuar prapa 60 shekuj. Janë gjetur vizatime mbi shkëmbinj e posaçërisht vizatimet e  shqiponjave. . Janë gjetë gjithashtu edhe figurina të njeriut dhe kafshëve. Kokino kultura është një kulturë shumë e vjetër në tokat ilire.
Observatori Megalitik i Kokinos  Kumanovë është në veri-lindje të MV afër kufirit me Serbinë ; afër fshatit Kokino në vijë – kufitare me fshatin Arbanasko. Në të tërë rajonin janë regjistruar vendet arkeologjike që datojnë nga koha e Neolitit duke mbajtur në vete vendbanime të rëndësishme , vende të shenjta  dhe ngjarje deri  në 6000 vjet të vjetra.
Vendi ku është vrojtuar  pozita verore e diellit është e ruajtur mirë, vendi i vjeshtës dhe pranverës ka dëmtime të vogla  ,kurse aty ku është vërejtur pozita më e lartë në qiell gjatë dimrit ka dëmtime të mëdha.


Të gjitha këto dëmtime janë të mundura nga tërmetet që kanë dridhur tokën gjatë historisë. Edhe pozita qendrore e Observatorit është e ruajtur  dhe e shënuar mirë

Observatori ilir-pellazgjik ne Kokino të Kumanovës i vjetër mbi 6 mijë vjet

Më 21.12.2021

Kryeministri Kurti: Pjesëmarrja e grave në polici krijon besim më të madh ndaj policisë

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Policia e Kosovës gjatë të cilës u prezantua “Agjenda për Barazi Gjinore në Policinë e Kosovës dhe Plani i Veprimit 2021-2023″. Agjenda dhe Plani i Veprimit janë nisma të parapara dhe pjesë integrale të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, miratuar në muajin maj të vitit 2020 që si dokument strategjik synim ka avancimin e agjendës së barazisë gjinore në vend.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se arritja e barazisë gjinore brenda dhe përmes policisë nuk ka të bëjë thjeshtë me rritjen e numrit të grave në forcat policore, por ka të bëjë edhe me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ndërsa rritja e pjesëmarrjes së grave në sektorin e sigurisë, përveçse synim ka edhe për rezultat rritjen e cilësisë, shpejtësisë dhe sigurisë së shërbimit për qytetarët, sikurse edhe besimin ndaj institucionit të Policisë. Çdo rast i raportimit të dhunës në baza gjinore është besim i shprehur në Policinë e Kosovës, andaj kur gratë raportojnë dhunën ato duhet të gjejnë jo vetëm një Polici që e merr deklaratën e tyre, por një që mbështetë, mbron dhe përkrah ato, tha kryeministri.

E për të angazhuar më tepër vajza dhe gra në këtë sektor duhet të përkujdesemi të gjithë, duke ofruar një ambient të sigurt e pa paragjykime që nëpërmjet instrumenteve efektive parandalon dhe dënon çfarëdo ballafaqimi me raste të ngacmimit seksual në vendin e punës, u shpreh kryeministri Kurti. Në të njëjtën kohë, përfshirja sa më e madhe e grave në polici duhet të përcjellët edhe me pjesëmarrje të tyre në vendimmarrje. Pra nuk mjafton thjesht përfshirje formale, por duhet të pjesëmarrje aktive, deklaroi kryeministri Kurti. Andaj, ky dokument duhet të inkurajojë gratë dhe vajzat që të bëhen pjesë e policisë dhe të qëndrojnë në këtë sektor, duke synuar karrierë dhe vendimmarrje, sepse vendi ka nevojë për kontributin dhe rolin e tyre, u shpreh në fund të fjalës së tij kryeministri Kurti

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti.

 

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

 E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuari Ministër i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla,

I nderuari Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Samedin Mehmeti,

I nderuari Shef i Misionit të OSBE në Kosovë, z. Davenport,

I nderuari Komandant i Përgjithshëm i KFOR-it, z. Gjeneralmajor Kajari,

I nderuari shef i EULEX-it, z.Wigemark,

I nderuari përfaqësues i Ambasadës Amerikane z. Waddoups,

E nderuara Kolonele znj.Taibe Canolli,

Të nderuar përfaqësuese të Shoqatës Ndërkombëtare të Grave në Polici,              

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

 Agjenda e barazisë gjinore në Kosovë ndër vite është ballafaquar, e vazhdon edhe të ballafaqohet sot e kësaj dite, me sfida të shumta në zbatimin e saj në frymën e legjislacionit që e garanton barazinë gjinore. Mirëpo kemi filluar të shohim edhe rezultate, si ky i sotmi, për të cilin jemi mbledhur këtu.

Policia e Kosovës prezanton “Agjendën për Barazi Gjinore dhe Planin e Veprimit 2021-2023”, si një nga nismat e parapara në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, të cilin e aprovuam në maj të vitit të kaluar, si dokument strategjik ombrellë për ta avancuar agjencinë e barazisë gjinore në vend.

Kështu Policia e Kosovës na dëshmon përkushtimin dhe qasjen proaktive, për ta përshpejtuar integrimin gjinor, duke përfshirë më shumë gra në radhët e veta, dhe duke e rritur cilësinë e shërbimit. Rritja e pjesëmarrjes së grave në sektorin e sigurisë ka pikërisht këtë synim, shërbime të shpejta e të sigurta për qytetarët, përmes qasjes cilësore gjithëpërfshirëse.

Arritja e barazisë gjinore brenda dhe përmes policisë nuk ka të bëjë thjesht me rritjen e numrit të grave në forcat policore. Ka të bëj me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të gjithsecilit. Integrimi i perspektivës gjinore në shërbimet policore është detyrim ligjor ndërkombëtar dhe vendor, meqë është i domosdoshëm për të arritur policinë më efikase, sundim më të fortë të ligjit dhe shoqëri më të sigurt.

Policia ka obligim madhor ligjor, por duhet të ketë edhe ndjeshmëri të lartë etike e njerëzore, ndaj vuajtjeve që i kalojnë shumë prej qytetareve të Republikës sonë. Çdo rast i raportimit të dhunës në baza gjinore është besim në Policinë e Kosovës. Kur gratë e raportojnë dhunën ato duhet ta gjejnë jo vetëm një Polici që e merr deklaratën e tyre, por Polici mbështetëse që mbron dhe përkrahë. Është e rëndësishme që ato viktima të mos ndihen vetëm sepse ato janë qytetare të Republikës, një Republike që e synon drejtësinë.

Pjesëmarrja e grave në polici krijon besim më të madh ndaj institucionit të policisë, ka rezultat dhe qasje të balancuar kur trajton, ofron ndihmë dhe mbrojtje për rastet, dhe jo vetëm ato të dhunës ndaj grave dhe vajzave, por pa dallim gjinie, për të gjithë qytetarët të cilët kërkojnë mbrojtje.

 Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Përfshirja e grave në sektorin e policisë në Republikën e Kosovës tani më ka krijuar një histori, një traditë në realitetin e vendit tonë, mirëpo është ende larg kërkesave të përfaqësimit në frymën e Ligjit për barazi gjinore dhe kapaciteteve që kanë gratë dhe vajzat, pa dallim etnie, për t’u përfshirë në këtë sektor. 

Janë një varg faktorësh që e vështirësojnë pjesëmarrjen e grave ne këtë sektor, duke filluar nga zakonet kulturore, që ende i mbajnë gratë larg uniformës.

Për të angazhuar më tepër vajza dhe gra në këtë sektor duhet të përkujdesemi të gjithë. Së bashku duhet të krijojmë ambient të sigurt e pa paragjykime, me politika dhe instrumente efektive që parandalojnë dhe dënojnë çfarëdo mënyre të ballafaqimit me raste të ngacmimit seksual në vendin e punës. Këto janë premisa elementare për t’i bërë miqësore të gjitha ato profesione që tradicionalisht i njohim si sektorë të burrave, e ku domosdoshmërisht duhet të ketë më tepër gra, në mënyrë që siguria publike të jetë efikase, e paqja e qëndrueshme.

Jemi të vetëdijshëm se mungojnë shërbimet për përkujdesjen ndaj fëmijëve, gjë që vazhdon t’i bëjë gratë edhe më hezituese ndaj këtij profesioni. Një nga investimet tona më serioze si Qeveri planifikohet të jetë investimi në kopshte në çerdhe për fëmijë. Ne po synojmë që të sigurojmë gjithpërfshirjen e fëmijëve që nga mosha të vogla, duke i edukuar në frymën e parimeve të respektimit të barazisë gjinore dhe kurrikulave pa stereotipe gjinore, për profesione të ndara në ato për gra dhe në ato për burra. Njëkohësisht, në këtë mënyrë jemi të sigurt që edhe qasja e grave në tregun e punës në përgjithësi, por edhe posaçërisht në polici do të rritet.

Mbi të gjitha, pjesëmarrja e grave në vendimmarrje në polici është domosdoshmëri e kohës. Nuk mjafton pra thjeshtë përfshirje formale, por duhet pjesëmarrje aktive. Përfshirja do të thotë kontribut i grave, por pjesëmarrja do të thotë se edhe të fitojnë ato. Ato japin kontribut, andaj duhet edhe të fitojnë. Nëse nuk ka zë gruaje në përgjigjen institucionale ndaj të gjitha kërcënimeve të sigurisë njerëzore, edhe reagimi do të jetë gjysmak, i pa balancuar dhe do të humbim nuancat e domosdoshme për përgjigje efikase, për të shpëtuar jetën, dinjitetin dhe vlerat qytetare. 

Agjenda për Barazi Gjinore në Policinë e Kosovës dhe Plani i Veprimit 2021-2023, synon që këto rreziqe t’i tejkalojmë me angazhim, bashkërendim, mjete adekuate buxhetore, dhe profesionalizëm në zbatimin e çdo aktiviteti.

Ky dokument duhet të përmbajë këtë vizion, të inkurajojë gratë dhe vajzat të bëhen pjesë e policisë. Por mbi të gjitha, që të qëndrojnë në këtë sektor, të synojnë karrierë dhe vendimmarrje, sepse vendi ka nevojë për kontributin dhe rolin e tyre.

Jo më pak të rëndësishëm e shoh aktivizimin e Shoqatës së Grave Police, të cilat duhet të na korrigjojnë, inkurajojnë dhe kritikojnë, nëse shohin se nuk ka angazhim dhe përkushtim të duhur për të zbatuar agjendën e barazisë gjinore, si vizionin adekuat për ta bërë Policinë e Kosovës institucion model, ashtu siç e ndjejnë gratë dhe burrat e Kosovës, si një nga institucionet më të besueshme në Republikën tonë. E besimi i jetës është obligim madhor, i cili nuk e toleron dështimin.

U dëshiroj diskutim të frytshëm sot dhe uroj që brenda afateve kohore reale të shohim rezultatet e para nga zbatimi i kësaj agjende.

Ju faleminderit.

Dibra dhe 33 monumentet e saj natyrore

0
Marjana Bulku, Nju Jork
E vendosur në pjesën Veri- Lindore  të Shqipërisë nën hijen madhështore të majës më të lartë të saj ,Malit të Korabit , Dibra zotëron në hartën e saj gjeofizike  rreth 33 Monumente Natyrore të cilat duan sytë , mendjet , dashurinë dhe setin shumëplanësh të investimeve  për t’ja  trashëguar brezave atë çka Zoti bujarisht fali.
Që nga drunjtë (Lisi i Madh) e rrallë e të mëdhenj, tek shpellat , bjeshkët, burimet , liqenet dhe ujrat termale Dibra duket se përbën një pasuri atraktive për rajonin përreth dhe jo vetëm .
Është një hartë e larmishme monumentesh natyrore nga qyteti në periferi që nuk e di se sa vemendje ka nga hartuesit e politikave lokale të cilët jo vetëm kanë detyrë ti zbulojnë por edhe ti ruajnë, të investojnë e ti kthejnë në qendra studimi, turizmi , eksplorimi për banoret aty dhe madje edhe  më gjerë .Shumë pranë qytetit ndodhet Shpella e Qytezës një shpellë karstike shumë pranë fshatit Bellovë në lartësinë 1.400 metra mbi nivelin e detit ku sipas të dhënave aty ka gjurmë të njeriut parahistorik ndaj vlerat shkencore, didaktike , ekologjike dhe kulturore i mbivendosen këtij monumenti që duhet të mbrohet nga shteti.
Le të mbetemi edhe për pak rrotull qytetit aty ku ndodhet një tjetër monument natyre i quajtur  Boroviku i Begjunecit i cili konsiderohet si një pyll në një lartësi 1,300 metra mbi nivelin e detit i veshur me pisha, lajthi e plot drurë të rrallë dhe ku jetojnë mjaft kafshë që pêr zonën janë të rralla si drerët ( roe deer).
Ujrat janë një tjetër pasuri e veçantë që ia shtojnë monumentet natyrore Dibrës , e përshkruar nga Drini i Zi , e rrethuar nga male të lartë , burimet ujore duket se nuk kanë të sosur, kujtojmë këtu Ujrat Termale( Llixhat) atë mrekulli jo shteruese e kurative ujore që vërteton se Zoti ishte bujar me njerzimin duke i falur  gjithçka i duhej, vijojmë me Liqenet e Kacnisë, Burimi dhe Shpella e Sopanikës,Liqeni i Zi,Sryka e Setës,Uji i Ftohtë në Vleshë,Liqenet e Famshme të Lurës, Burimet e Bellovës, etj por le të bëjmë një ndalesë tek Ujvarra e Pocestit e cila përshkon Malin e Deshatit shumë pranë Maqellarës dhe me një lartësi 1.500 metra mbi nivelin e detit .Ujrat burojnë prej guvash të thella masivesh shkēmbore gati 14 metra thellësi  dhe zbresin bri faqes së malit duke dhuruar pamje mahnitëse, vlera turistike  për zonën e ku zhurma e ujrave që rrjedhin pandalshëm dëgjohet edhe teksa i largohesh ujvarrës.
Nuk dihet se cili është dhe do të jetë fati i kësaj harte monumentesh, pasi edhe pse Lura konsiderohet park kombëtar , vemendja për të vlen për të dëshiruar, edhe pse njihet nga të gjithë magjia e liqeneve të saj.
Vendosja e ketyre monumenteve në Hartën e Monumenteve që mbrohen nga Shteti dhe nuk rrezikohen nga projekte dritshkurtra interesash ekonomike të momentit , partive apo aleancave fatkeqe mes tyre është detyrim patriotik dhe intelektual që vendin amë ta trashëgojmë ne dhe brezat duke ia ruajtur e zbukuruar bukuritë që ngjiten e zbresin në Rrafshin e Korabit, Grykën e Madhe të Lurës, Cirku i Kurorës së Lurës,Kodra e Parave ( Blliçe) , Gryka e Setës , Bjeshka e Zonjave ( Zimur) , Pasqyrat e Gramës , Shpella e Gurit të Kuq, , Gropa e Panairit, etj.
Janë një varg monumentesh dibrane  që presin për tu vizituar, mbrojtur dhe studjuar.
Infrastruktura në zhvillim  duhet të na afrojë me ta e jo ti varrosë përgjithnjë .
Lënia në harresē e këtyre pasurive për rreth një shekull është e pafalshme , uroj të ketë qenë e paqëllimshme , apo thjesht  varfëri mendore pushtetarêsh , edhe pse dyshoj për këtë të fundit.
Peshkopia është ndër të paktat apo të vetmet qytete në Shqipëri që nuk e ka një park të gjelbërt ( dobësi vendimarrësish lokalë) por asaj nuk i mungon magjia e madhështisë së natyrës e cila gdhendi monumentet e saj pa lindur jeta dhe ne , e natyra duhet lexuar “ germë për germë”.

“Jugosllavia pa Titon” dhe “habia” e Bakariçit për Kosovën Republikë! (2)

0
Nga Jusuf BUXHOVI, shkrimtar dhe historian nga Prishtina
Në vigjilje të 32 vjetorit të themelimit të LDK-së (2)
Rëndësia e “Lidhjes Demokratike të Kosovës” si partia e parë politike shqiptare në ish Jugosllavi në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, nuk mund të shihet jashtë rrethanave që sollën krizën e Jugosllavisë pas vdekjes së Titos si dhe proceset e tranzicionit që përfshiu vendet ish komuniste pas rënies së Murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989, bashkimit të Gjermanisë, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe rënies së detantit ku Jugosllavia për dyzet vjet qëndroi në zonën midis Perëndimit dhe Lindjes. Në këtë proces të kthesave të mëdha historike, duhet kuptuar drejt evolucionin e kërkesave politike të “Lidhjes Demokratike të Kosovës” për barazi të plotë në kuadër të federatës jugosllave, siç kërkohej në fillim me programin e aprovuar në Kuvendin Themelues më 23 dhjetor 1989 deri te kërkesa për shtet të pavarur, pas vendimit të Konferencës së Hagës të 20 gushtit 1991 kur Jugosllavia, në përputhje me Komisionin e Badinterit, u shpall në shpërbërje.
Por, evolucioni i kërkesave politike të LDK-së nga ato për barazi deri te shteti i pavarur, pikënisjen e ka të kërkesa për Republikën e Kosovës, që për herë të parë u manifestua në diskutimet për ndryshimet kushtetuese të vitit 1968 të organizuara nga kalasa e atëhershme politike dhe në demonstratat e studentëve që shpërthyen gjatë nëntorit të atij viti në shumë qytete të Kosovës për t’u përmbyllur më ato madhështore të 27 nëntorit në Prishtinë mbi të cilat pastaj do të ngriten thuajse të gjitha shqetësimet nga ato politike e deri te ato gjeostrategjike rreth fatit të Jugosllavisë pas Titos, si një barometër të raporteve të reja edhe në kuadër të sferave të interesit të përmasave botërore.
Në Gjermaninë kjo çështje zinte vend të rëndësishëm në debatet politike dhe ato mediale, meqë dyshohej se pas Titos do të kishte Jugosllavi të Titos, gjë që kjo mund të ndikonte që fryma e ndryshimeve që kishte filluar me Perestrojkën dhe Solidarnoscin në Lindje, në Jugosllavi, mund të merrte kah të kundërt, pra të një konflikti midis forcave reformuese dhe atyre unitariste të drejtuara nga serbët, të cilët jo vetëm që nuk do ta lejojnë avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë, në nivel të republikës, por do ta rrënojnë atë, siç edhe ndodhi në marsin e vitit 1989.
Kështu, nga fillimi i vitit 1979 e deri në maj të vitit vijues, sëmundja e Titos do të bëhej çështje publike dhe, me të, në opinion legjitimitet do të fitojë edhe shqetësimi se çfarë do të bëhet me trashëgiminë e tij.
Televizioni, radioja dhe mbi të gjitha gazetat qendrore dhe revistat me autoritet si “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Die Zeit”, “Die Welt” dhe magazina “Der Spiegel”, secila rrihte telin në mënyrën e vet. E përbashkët e të gjithave megjithatë ishte se me vdekjen e Titos Jugosllavia nuk do të ishte më ajo që kishte qenë deri atëherë.
E përditshmja konzervative “Die Welt”, shihte të vetmen mundësi që Kosova të ngrihej në shkallën e republikës së barabartë me të tjerat dhe kjo të ndodhte para se Tito të vdiste. Nga faktori ndërkombëtar kërkohej që në këtë drejtim të ushtrojë ndikim ndaj Beogradit para se të bëhet vonë. Gazeta “Frankfurter Allgemeine”, me ndikim të madh te elita intelektuale e vendit, por edhe në hapësirën tjetër gjermanofolëse, përkrahte kursin e Kosovës republikë të barabartë me njësitë e tjera të federatës, por këtë e shihte të realizueshme jo më nga Tito, që ishte në shtratin e vdekjes, po nga faktori ndërkombëtar, i cili elitës jugosllave do t’ia shtronte dy kushte: ruajtjen e kursit të vetëqeverisjes socialiste dhe të marrjes së obligimit që menjëherë të iniciojë ndryshimet kushtetuese me anën e të cilave Kosovës duhet t’i jepet statusi i republikës së barabartë me të tjerët. Kërkohej po ashtu që konsensusi i udhëheqjes në federatë të precizohej ashtu që të përjashtojë çfarëdo përpjekjesh unitariste apo hegjemoniste.
Në këtë përvijim, megjithatë, Kosova dhe roli i saj i paraprogramuar për krizën jugosllave tashmë shihej qartë. Këtë, madje, do ta pranojë edhe bashkëpunëtori i vetëm besnik i Titos nga ditët e hershme të luftës për Jugosllavinë e tretë, Vladimir Bakariçi, anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve nga Kroacia, ende me ndikim të madh, që po mos të ishte i moshuar dhe i sëmurë prej kohësh, sigurisht do të merrej si i vetmi që do të mund të merrte frerët e drejtimit të vendit për të ecur binarëve të Titos.
Shkas, që të flasë me një gjuhë fare të drejtpërdrejtë rreth kësaj çështjeje, do të paraqesë botimi i librit të analistit të njohur gjerman Karl Gustav Shtrëm “Jugosllawien one Tito” (Jugosllavia pa Titon), që doli nga shtypi nga mesi i vitit 1979, pra kur edhe botërisht nga ana e kreut politik dhe shtetëror të Jugosllavisë u pranua se Tito ishte i sëmurë dhe ishte çështje se kur do të shkonte. Shtrëm, publicist, i cili gjatë gjithë karrierës së tij si gazetar ishte marrë me Ballkanin dhe në fokus kishte pasur Jugosllavinë e pasluftës si dhe zhvillimet në të, kishte bërë një studim të gjatë, ndryshe nga ato të shumtat që ishin botuar për Titon dhe Jugosllavinë për vite të tëra në Gjermani, ku rëndom ishte përkrahur kursi i tij, duke u parë si një mundësi që socializmi megjithatë të mos jetë vetëm koncept ideologjik, por edhe zhvillimor i një modeli të ekonomisë liberale.
Meqë libri kishte zgjuar shumë kërshëri në Gjermani dhe përreth, po edhe në Jugosllavi prej nga reagimet gjermane përcilleshin me vëmendje, e majta gjermane në pushtet, e vetëdijshme se gjithnjë e më shumë po i zbeheshin atutë për vetëqeverisjen jugosllave si model të socializmit demokratik në botë dhe të ngjashme, sigurisht se kishte qenë e interesuar që librin e Shtrëmit ta çojë në nivelin e një debati të gjerë, ku do të përfshihej edhe ana jugosllave, veçmas ndonjëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Titos, që mund të thoshte diçka me peshë. Andaj, ishte shfrytëzuar rasti që promovimi të bëhej pikërisht kur njeriu më i besueshëm i Titos të gjendej mysafir i Fondacionit “Fridrih Erbert” në Bon, që paraqiste qendrën ideologjike të të majtës gjermane.
Se kjo ishte bërë me qëllim, nuk do mend. Por, që edhe Vladimir Bakariçi aty nuk do të ishte rastësisht, e dhe kjo nuk duhej hequr nga mendja.
Por, çfarë do të thoshte Bakariçi?…
Kjo tashmë preokuponte mediat. Preokuponte edhe elitën nga spektrit i gjerë politik gjerman. Spekulohej se ishte aty për të sjellë një mesazh të Titos Perëndimit?…
Dhe, çfarë do të ishte mesazhi?… Qetësues?… Shqetësues?… Ose pak nga të gjitha?…
Fakti që në promovim nuk do të merrnin pjesë dy nga personalitet kryesore të të majtës gjermane Vil Brant dhe Helmut Shmit, të cilët një ditë më parë kishin pritur Bakariçin dhe sipas një kumtese thuhej se “kishin pasur shkëmbim të dobishëm mendimesh”, ishte përcjellë me thashethemet se porosia e Bakariçit mund të mos ishte sipas shijes së të majtës gjermane?…
Vetë rrjedha e promovimit të librit dhe ato që do të thuhen në të do ta vërtetojnë këtë dyshim.
Por, çfarë ishte thënë në të vërtet në atë promovim, që ai të cilësohej si rrënim i iluzionit për Jugosllavinë e qëndrueshme edhe pas Titos, edhe pse nga Beogradi tashmë vinin “betime” se edhe pas Titos mbetej Tito?…
Asgjë më shumë seç sillte libri. Pra, që e nesërmja e Jugosllavisë ishte e paqartë dhe e pasigurt. Do të thuhej se ajo do t’u nënshtrohej sfidave të ndryshme, që do të jenë të mëdha, ndër të cilat më shqetësuesja shfaqej Kosova për të vetmen arsye pse nuk ishte ngritur në nivelin e republikës së barabartë me të tjerat, dhe se me statusin gjysmak, ofronte mundësi të mira që të gjithë kundërshtarëve dhe armiqve të Jugosllavisë të viheshin në veprim secili për hesapet e veta, kjo tashmë dihej. Por, po ashtu nga ana tjetër, nuk dihej se betimi i asaj “pas Titos mbetej Tito”, ishte përnjëmend farsë, apo diçka që kishte përmbajtje, po që ajo duhej të dëshmohej në përputhje me sfidat me të cilat do të ballafaqohej?
Gjatë gjithë kohës sa ishin paraqitur referuesit kryesorë, pa marrë parasysh ato që thuheshin prej tyre, ku librit i bëheshin edhe vërejtje dhe quhej tendencioz madje pse shihte vetëm zi dhe jo edhe bardh dhe të ngjashme, vëmendja e të pranishmëve ishte drejtuar kah Vladimir Bakariçi dhe ato që do të thoshte në fund.
Dhe më në fund, fjala do t’i jepej edhe Bakariçit. I rrudhur nga vitet por edhe sëmundja, i bërë kruspull, nuk do të thotë tjetër pos që autorin e përshëndeti me atë që tha: “kundrimet interesante”.
Salla ngriu. Ishte vallë e mundur që ai të sillej aq me mospërfillje me audotiriumin tejet reprezentativ që e ishte aty për të pritur “kundërpërgjigjen” ndaj një libri që Jugosllavinë e shihte me dioptri tejet pesimiste?…
Mëdyshjet ishin ndër më të ndryshme. Dhe, do të shtoheshin edhe më tej po mos të ishte një gazetar, i cili Bakariçit ia drejtoi pyetjen “pse Kosova nuk mund të bëhej republikë”, me çka pyetja e shtruar më shumë ishte një si kundërpërgjigje rreth asaj që para tij ishte kundërshtuar ashpër nga zëvendës ambasadori jugosllav në Bon, Predrag Kostiq, i cili kishte derdhur shumë mllef ndaj autorit pse të ardhmen e Jugosllavisë e kishte lidhur me një problem që ishte i shpifur, kur si tha, kombësitë nuk mund të kenë shtet në shtet, meqë shqiptarët shtet amë kishin Shqipërinë!
Pa një pa dy, Bakariçi, me një buzëqeshje ironike tha se “ nuk e dinte as vetë pse Kosova nuk ishte republikë…”
Ironia e Bakariçit kishte qenë e mjaftueshme të kuptohej sa të drejta kishin qenë vlerësimet e autorit dhe njëherësh sa i madh shfaqej dëshpërimi i atyre që tek Jugosllavia dhe rruga e socializmit vetëqeverisës ishin munduar t’ i varnin shpresat si për një model të ardhmërisë.
Megjithatë, fjalët e Bakariçit, siç i kishin dhënë të drejtë shqetësimit për të ardhmen e pasigurt të Jugosllavisë, njëherësh kishin hapur dilemën si dhe sa ato mund të ishin përnjëmend pjesë e mesazhit që Tito ia jepte botës në atë mënyrë?…
Po atë mbrëmje Ambasada e Jugosllavisë në Bon, për nder të Bakariçit do të organizojë një pritje në kështjellën e Bad Godesbegut, vend i dashur i kancelarit të parë gjerman Bizmakut, por edhe i një takimi pak të njohur të Çemberlenit me Hitlerin në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së njohur të Munihut, të vitit 1939 kur Europa do të nënshkruajë kapitullimin para Hitlerit.
Në pritje ishte i pranishëm thuajse i gjithë kori diplomatik. Nga kreu i elitës politike gjermane merrte pjesë Vili Brant, Franc Jozef Shtraus, Hans Ditrih Gensher dhe personalitete të tjera të rëndësishme kulturore të vendit, përfshirë këtu edhe shkrimtarin e njohur Hanjrih Bëll, regjisorin Reiner Fasbinder dhe të tjerë.
Bakariçi, me shikimin e lëshuar, rrinte i ulur midis Brantit dhe Shtrausit. Dukej i lodhur. Dhe kjo bëri që të mos rrijë deri në fund në pritje. Bashkë me të do të largohen edhe Branti dhe Shtrausi, por do të mbetej Gensheri dhe të tjerët. Të pranishmit i përshëndeti vetëm me ngritjen e gotës së shampanjës, që e preku vetëm me buzë.
(Shkëputje nga libri “Kthesa historike 1 – Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LKD-së”, botues “Faik Konica”, Prishtinë, 2008.)