Kreu Blog Faqe 1460

Vitet e dhunës ndaj popullit e familjes sime, 69 vite qyshkur çetnikët e Rankoviqit ma morën babain, kur une isha në moshën 3 vjeçare!

0

Në foto: Smail Ali Bicaj

Nga: Prof. Dr. Xhavit Bicaj, onkolog, Prishtinë  

Me 8 dhjetor 2021, u mbushën plot 69 vite nga dita qyshkur u burgos babai im Smail Ali Bicaj. Kur hordhitë çetnike të Rankoviqit, ma morën babain, unë isha vetëm 3 vjeç. E morën për të vetmin faj, se e ndiente veten shqiptar, mendonte dhe punonte shqip (vitet e para LDB, ishte i kyçur në LNDSH, ku së bashku me Selman Kadrinë dhe Brahim Kabashin, që të dy këngëtar të njohur të folklorit, bënin shpërndarjen e librit shqip, Abetares, në rajonin e Podgurit. Gjatë luftës, kishte kontakt me Emin Durakun, Xheladin Hanën, dhe shumë patriotë të tjerë, ku u bind të bëhej pjesë e LNÇ-së, si shans për bashkimin e trojeve shqiptare (pas përfundimit të luftës).

Babai im Smail Ali Bicaj, u burgos në maj të vitit 1953. Pas kater muajsh, burgosen edhe xhaxhallarët:Tahiri dhe Mustafa, të cilët u dënuan së bashku: në maj te vitit 1953: Smaili (babai im), me 8 vite burg, axha Tahiri (baba Hil), 7 vite dhe axha Mustafë (mixha), 3 vite, si “armiq të popullit”, si nacionalistë dhe irredentistë, siç i quante A. Gashi, në shkrimin e tij në Rilindje, në qershor të vitit 1953. I njëjti (A. Gashi), ishte porotë e gjykatës, në dënimin e vëllezërve Bicaj, në muajin maj te vitit 1953.

Baba, Smaili dhe axha Tahiri, dënimin e vuajtën në burgun famëkeq te Goli Otokut, ku kanë përjetuar torturat me ç’njerëzore. Ne ketë drejtim, do të ndaj dy kujtime, që lidhen me dhunën që u ushtrua ndaj babës Hil (axha Tahir), njëri, i thënë nga Prof. Sami Peja, dhe tjetri, nga baba Smail.

Si i burgosur i Goli Otokut, baca Sami, thoshte: ”Mixhën Tahir e kishim forcë morale, në perballimin e torturave çnjerëzore. Kur e dënonin mixhën Tahir që të thejë gurë me gur, në pikë të verës, djersët i rridhnin curril trupit, nga duart i rridhte gjaku, e mixha Tahir këndonte këngën e Mujës e Halilit, që të na e ngriste moralin”.

Baba im Smaili, më thoshte: ”Unë nuk e ndieja dhunën në trupin trupin tim, sa më dhimbte shpirti për bacin tim, kur e shihja dhunën ndaj tij, sepse baci ishte i burgosur i vjeter, kishte rreth 67 vjet”!

Mixha Mustafë, vuajti burgun në Sremska Mitrovicë.

Përkujtimin tim do ta përcjell, me faktet në vijim:

Image

Image

Pjesë nga raporti i gjyqit serboçetnik të Pejës

Image

Foto, marrë nga gazeta Rilindja, shkruar nga A. Gashi, qershor i vitit 1953

Image

Lista e të burgosurve, në Goli Otok, ku veç babës Smail dhe axhës Tahir, pas tyre në listë është edhe baca Isuf Bicaj, njëri nga të burgosurit më të rinj

Image

Kjo është foto e imja me Babën (fotoja është e autorit të këtij shkrimi përkujtues, Xhavit Bicajt) , që aq shumë e doja e me jetën e shembullin e të cilit krenohem gjithmonë. Në atë kohë kur është bërë fotoja ime me Babën,  isha më pak se tre vjeç, diku pak para burgosjes së babait në vitin 1952.

Vazhdojnë skandalet e Nexhmedin Spahiut: “Boshnjakët janë më europianë se Shqiptarët!”

1
Në foto: Vehabistët e Bosnjës në një protestë panislamike

Nga: Nexhmedin Spahiu

Shqiptarët nuk duhet të kenë ndrojtje se po futen në ndonjë orbitë myslimane. Kjo ndrojtje tregon naivitet e jo pjekuri politike. Në fakt, dallimi mes boshnjakëve e shqiptarëve është se boshnjakët janë më europianë se shqiptarët, ngase shqiptarët e kanë kompleksin e të qenit myslimanë kurse boshnjakët nuk e kanë këtë kompleks. Shqiptarët, duke u munduar të tregohen evropianë, e tregojnë jo-europianitetin e tyre. Kompleksi i identitetit fetar nuk është cilësi europiane.

Në kujtimet e tija te shkruara me një stil brilant, babai i kombit boshnjak, Alija Izetbegoviq, paraqet si peng të tij faktin se nuk e ka kuptuar përse e kanë futur në burg më 1983. Izetbegoviq arsyeton në kujtimet e tij se nuk kishte bërë asnjë faj as kundër shtetit jugosllav e as kundër komunistëve. Përse pra e kishin dënuar me 14 vite burg?!

Izetbegoviqi nuk kishte synuar të bëhet lider politik e as babë i kombit. Por, ata që e kishin pushtetin në Beograd mendonin ndryshe. Ata e planifikonin një dominim serb më të fuqishëm në ish-Jugosllavi dhe pengesë për këtë do të bëheshin elitat boshnjake, kosovare etj. Ata që u panë si elitë potenciale boshnjake u futën në burgje. Njëri prej tyre do të qëllonte lideri i ardhshëm i kombit. Me këtë burgosje, Beogradi thjesht dëshironte të vononte disa procese që do të vinin pashmangshëm. Duke e pasur pushtetin qëprej një shekulli, Beogradi e kishte privilegjin të ishte disa hapa para të tjerëve.

Natyrisht, para se ta bënte me boshnjakët, Beogradi e kishte bërë këtë në raport me shqiptarët në Kosovë. Pas vdekjes së Titos, Beogradi u kujdes që aspirata e natyrshme e shqiptarëve të Kosovës për forcim të autonomisë që çonte drejt Republikës, të futet në rrugë qorre. Këtu, Tirana zyrtare i erdhi në ndihmë. Thjesht, Tirana organizonte grupe marksiste-leniniste në Kosovë. Kjo i mundësoi Beogradit që, përmes tyre, të tmerronte aleatët potencialë të Kosovës: boshnjakët, kroatët, sllovenët dhe vendet e Perëndimit. Duke i pasur në krah sllovenët, kroatët e boshnjakët e tmerruar nga mustaqet e Stalinit, Beogradi ia arrinte t’i mënjanojë përfaqësuesit më të zotë të klasës politike kosovare. Fillimisht, Mahmut Bakallin dhe shokët e tij e, më pas, AzemVllasin dhe shokët e tij, derisa më në fund ia arriti qëllimit: e shkatërroi autonominë e Kosovës.

Krahas kësaj, Beogradi e burgoste pjesën më energjike të shqiptarëve. “Me një të rame – dy të vrame” është një shprehje popullore. Në rastin konkret “tri të vrame”, sepse marksisto-leninisto-stalinistët kosovarë nuk mund të merreshin vesh me boshnjakët e lidhur me fe. Të dyja palët ishin viktima të së njëjtës adresë, por dallimet e tjera nuk i linin të lidhnin aleancë si viktima.

Por, në mes të këtyre dy viktimave të Beogradit është edhe një viktimë e tretë dhe më e madhja. Është Sanxhaku i Novi Pazarit. Sanxhaku i lidh shqiptarët dhe boshnjakët në kuptim të shumëfishtë. Territori i Sanxhakut e lidh Kosovën e Shqipërinë me Bosnjën. Në kuptimin etnik, shumica e sanxhaklinjve janë shqiptarë të boshnjakizuar ose në gjysmë të këtij procesi. Sanxhaku është aktualisht rajoni më i diskriminuar në Europë. Ekzistencën e vet aktuale e gëzon falë politikës largpamëse të Turqisë. Presidenti Erdogan e ka vizituar dy herë Novi Pazarin dhe ka hapur zyrë konsullore në Novi Pazar. Këtë do të duhej ta bënin edhe Shqipëria e Bosnja, por nuk po e bëjnë akoma. As Shqipëria, as Bosnja, e as Kosova, nuk po e ndihmojnë as në mënyrë diplomatike e as me financa Sanxhakun e Novi Pazarit. Thjesht, siç kam shkruar edhe para disa vitesh, në Sanxhak mëkatojnë Kosova, Shqipëria e Bosnja. Duke ndihmuar Sanxhakun, secili nga këto vende do ta ndihmonte veten e vet.

Në vend se Bosnja, Kosova e Shqipëria ta sulmojnë Beogradin në Sanxhak, ajo po i sulmon këto dy të parat, kurse e treta (Shqipëria) po i del në ndihmë përmes projektit “Ballkani i Hapur”.

Vehabistët “arnaut”  …

Pas një çerek shekulli nga Marrëveshja e Dejtonit, Bosnja e bllokuar si shtet me këtë marrëveshje ka filluar të rikuperohet. Ky gjysmë-shtet u mundësoi boshnjakëve ta rigjenerojnë elitën e tyre intelektuale. Njerëz të shkolluar në Amerikë, Britani të Madhe, Gjermani, Itali, Skandinavi, Iran, Malajzi e Turqi janë në proces të konsolidimit të tyre në shoqërinë boshnjake. Në anën tjetër, Republika Srpska, e zhytur në varfëri, për shkak të mendësisë së saj primitive, ku njerëzit më të zgjuar ikin o në Beograd o tutje në Perëndim, po acarohet gjithnjë e më tepër nga ringritja boshnjake.

Lëvizjet e fundit politike të Millorad Dodikut, liderit të Republika Srpskas, e reflektojnë këtë nervozë. Radikalizimi i situatës në Bosnje është i pritshëm. Lufta?! Ndoshta, por vështirë e besueshme, pasi nga lufta e fundit nuk është krijuar distancë e mjaftueshme historike. Ka kaluar vetëm një çerekshekulli. Njerëzit që e kanë përjetuar luftën në të dyja anët janë akoma të gjallë dhe mendësia e tyre i dominon shoqëritë përkatëse. Ata që e kanë përjetuar luftën janë të prirë të mos ketë luftë sërish.

Ajo çfarë pritet të ndodhë në Bosnjë, në rastin më të vrazhdë, është një situatë e nderë, ku Republika Srpska do të provojë që taksat e doganat e shtetit t’i ndalë për vete dhe ta bllokojë funksionimin e institucioneve të Sarajevës në territorin e saj. Kjo do të ishte një situatë e nderë dhe fati i Bosnjës do të varej shumë nga Perëndimi, por në radhë të parë nga Kroacia dhe vendet fqinje.

Gjëja më e keqe që do të mund të bënin shqiptarët për vetën e tyre është të bënin sehir dhe të prisnin se çfarë po ndodhë me Bosnjën. Diplomacia e Kosovës dhe Shqipërisë do të duhej të ishte në unison me boshnjakët, jo për faktin se boshnjakët janë myslimanë, po për faktin se janë viktima të të njëjtit agresor. Do të duhet ta kenë aleat strategjik Turqinë, jo për faktin se Turqia është një vend mysliman, por për shkak se është fuqia më e madhe në rajon, kjo për t’u mbrojtur nga Serbia, që është fuqia më e madhe pas Turqisë.

Shqiptarët nuk duhet të kenë ndrojtje se po futen në ndonjë orbitë myslimane. Kjo ndrojtje tregon naivitet e jo pjekuri politike. Në fakt, dallimi mes boshnjakëve e shqiptarëve është se boshnjakët janë më europianë se shqiptarët, ngase shqiptarët e kanë kompleksin e të qenit myslimanë, kurse boshnjakët nuk e kanë këtë kompleks. Shqiptarët, duke u munduar të tregohen europianë e tregojnë jo-europianitetin e tyre. Kompleksi i identitetit fetar nuk është cilësi europiane. Tekefundit, europianizimi i boshnjakëve filloi më 1878, kurse i shqiptarëve tek më 1915. Kjo diferencë prej 37 vitesh flet shumë. Edhe pse NATO e shpëtoi Bosnjën nga fshirja prej faqes së dheut, nuk kemi parë që ministri i Jashtëm boshnjak të paraqitet me flamur tjetër, pos atij të vendit të vet në mbledhje te Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar, siç bëri ministrja e Jashtme e Kosovës. Boshnjakët, në radhë të parë, kanë respekt për veten e tyre. Në institucionet e tyre nuk mund të gjesh flamuj të tjerë, pos flamujve që janë të përcaktuar me ligj. Kosova dhe Shqipëria janë larg këtij europianizimi. Europianizim do të thotë të krijosh fatin tënd e jo të presësh se çfarë të sjellë fati. Europianizim do të thotë të ndihmosh bashkëvuajtësin në fatkeqësi, e jo të përpiqesh të përfitosh nga fatkeqësia e tjetrit. Të bashkërendosh me boshnjakët dhe të tjerët në betejë kundër të njëjtit agresor është europianizim i shqiptarëve.

Video: Ta mbrojmë kombin shqiptar nga sulmet e agjenturave të huaja, që na i manipulojnë politikanët duke na paraqitur islamik!

0

Shqiptarët para Shenjave të Krismave

Ligjëratë me video nga Tim Shkupi – teolog

Disa mendime për librin e historianës Elena Kocaqi, ”Lufta e Trojës – Luftë Pellazgo -Ilire”

0
Ilir Canhasi, Suedi
Librat e shkruar nga koha e antikitetit në përgjithësi janë shumë të vështirë për tu lexuar dhe marrin shumë kohë në lexim por ky libër i quajtur ”Lufta e Trojës – Luftë Pellazgo -Ilire” e autores tashmë së njohur për gjitha trojet shqiptare historianes Elena Kocaqi është shumë i lehtë dhe i qartë për lexuesin.
Autorja me vendosmëri pohon se Trojanët ishin Dardanë (Frigas) ku shumë fise Dardane kishin emigruar nga Shqipria në Trojë ndërsa në anën tjetër kemi Akejtë që ishin Pellazgë ku mbretërit e tyre ishin Ilirë.
Pra, të njejtët që jetonin në Gadishullin Ilirik banonin edhe në Trojë, ku këto dy dinasti bisedonin mes veti me të njëjtën gjuhë.
Lidhshmërinë e këtyre dy dinastive me shqiptarët e sotit autorja e librit mbështetet më së shumti te zakonet shqiptare që u përdoren gjatë luftës së Trojës ku ne edhe sot i gjejmë këto tradita te Kanuni Zakonor Shqiptar, ku autorja thekson se Shqipëria është i vetmi vend në botë që vazhdon ta aplikoj traditën Homerike edhe sot, e ato janë; mikpritja, gjakmarrja, besa dhe betimi, mos heqja e armës, mos dëmtimi i kufomës, imoraliteti dhe përdhunimi i gruas.
Por a nuk kishin këto zakone edhe fiset/ dinastitë e tjera përreth nesh? Kisha pas dëshirë të dëgjoja se çfarë thonë kritikët historianë botëror rreth kësaj teme.
Me siguri që është përfolur për këtë temë e që unë nuk kam dijeni.
Një gjë që më gëzoi pa masë ishte kur kuptova nga autorja se libri është i përkthyer edhe në anglisht.
Ohhh sa shumë kemi nevojë që bota të lexon historinë e shqiptarëve të shkruar nga vetë ne e jo si deri më dje kur të huajt shkruanin historinë për ne.
Unë nuk po zbuloi më tepër rreth librit por ju këshilloi që ta lexoni këtë libër juve që ende se keni bëre.
Të lumtë pena dhe mendja z. Elena Kocaqi.

Është koha e kthimit n’Atdhe

0

Nga Shefqet DIBRANI

Musa Jupolli, “DASHURITË E NDALUARA”, poezi, botoi “LENA”, Prishtinë 2021. Faqe 116. ISBN 978-9951-27-565-1

 “Kur mbrëmjet afrohen në Paris ato janë filozofi jete”, (faqe 57), e tërë poezia e poetit Musa Jupolli, është në funksion të filozofisë mbi jetën. Autori është i njohur si poetit, prozatorit dhe veprimtarit i çëshjes kombëtare, kudo dhe kahëdo që shkon Atdheun e bart më vete, pikërisht kjo sintagmë lirike, më shumë se cilido motiv, është i shprehur saktë, çartë dhe bindshëm, në librin me poezi të zgjedhura “DASHURITË E NDALUARA”.

 ***

Deti dhe dashuria djep e dallgë

Deti dhe dashuria krip dhe mjaltë

Po unë e zgjodha të ndaluarën,

detin dhe dashurinë për shkrime!

 Faqe 5.

Poezitë e këtij libri, janë mirë të realizuara, ato shëmbëllejnë mirësi, humanizëm dhe posedojnë nota të këndshme lirike. Pra, nga poezia në poezi kanë përmbushur mozaikun e vlerës letrar. Por gjithsesi për t’i veçuar janë dy proza poetike të cilat janë strukturuar si letra të cilat i “…shkruan Afrodita“: I. “Do të nisem për në Malësi,/ ku më së shumti do të dëshiroja të të takoja ty// në vend të përgjigjeve tuaja më vijnë lotët që nuk ndalen dot// Lotët nuk kanë fuqinë e ndryshimeve,/ ata kanë ngjyrën e mallit/ dhe unë mallin e dhimbjen i përpij pareshtur,/ dhimbja u bë një me lotin,/ u bënë një me mua”, (faqe 9)e pastaj poeti shkruan: “Unë flokët i kam prerë,/ jam po ajo që isha,/ po më harrove ti, unë vdes”, (faqe 10), të cilat kanë një simbiozüe, vlerë ideoemocinale mjaftë specifike. Ndërsa në pjesën e II. shkruan: “I dashuri im,/ a e di se me letra mund të themi shumë fjalë,/ nga ato që nga druajtja s’kemi mund/ të themi njëri-tjetrit në takimet tona,/ vet druajtja na ka penguar…/ ngushëllimi është shpresë, është jetë! sepse një urti popullore ka thënë: “Larg syve, larg zemre”, ndërsa sipas poetit “largësia trupore është shndërruar në afërsi shpirtërore“, (faqe 11).

Këto dy fragmente poetike, të cilat janë dhe po aq lirike, manifestohen si përjetime sentimentale, nga një poet i mërguar që pret të Afrohet Dita (Afrodita), sigurisht, e atij kthimit imagjinar të tij në atdhe, ndonëse poezia është kthyer dhe është bërë pjesë e Atdheut, që prej sa vitesh, të paktën neve këshu na u duke para se të lexonim shënimin se këto dy proza qenkan fragmentit nga romani. Sigurisht motivet e të të cilit lidhen me poezitë e këtij libri, pasi vargjet e theksuara më parë, duken më shumë si poezi edhe pse nuk janë strukturaur në nivelin e poezisë brenda këtij libri.

Poeti vazhdimisht udhëhiqet nga pozita unversale të cilat vetvetiu ushtrojnë ndikim human, por për tu pranuar si vlerë nacionale me ndijim human, arrihet vetëm atëherë kur poezia dhe arti është e përshtatshme dhe e zakonshme njëkohësisht.

PARASEGJITHASH NË KOSOVË

Në mëngjes, në drekë, në mbrëmje dhe tërë natën

mendoj vetëm pr ty e bukura ime

 

Dita do të vijë kur ty do të rikujtohet

takimi ynë i parë «Voyelles Pérdus»

 

Të rikthehesh prapa nuk ka më kuptim

të shkosh përpara nuk ka më shpresë

Qëndro aty ku je, dëgjoje zërin tim

 

Zëri i udhëtarit bën që të ëndërrosh

Vargjet e mia mërgimtare, dëgjoje zemra ime e thyer

 

Ndoshta në Irlandë

Diku në Paris

Parasegjithash në Kosovë

Ti ishe më e bukura ndër të bukurat vajza

 

Në skaj të botës kam shkuar

nga atje të dua përgjithmonë

 

Faqe 21.

 

Ky dualitet motivesh e përbën vlerën thelbësore që ky autor në mënyrë konstante e ka ndjekur. Kjo psikologji e veprimit paraqet aftësinë krijuese, kjo poetikë idilike ka simbolikën e vet, prandaj, vargu i poezisë ndërtohet si reflektim i qëllimshëm, shërbyes dhe i akceptueshëm për të gjithë ata që e lexojnë. Poezi kjo, që zhvillon idenë e stërholluar në mendim artistik dhe nxit imagjinatën për tu përjetuar mesazhi i saj më mirë, krejt kjo në funksion të zhvillimit mendor e psikik të individit, përkatësisht të lexuesit. Këtë mendim të shfaqur në poezinë paraprake e gjejmë të zhvilluar nëpër poezitë: “O Afroditë e Malësisë time!“, “E fshehën Afroditën në Romë“, “Afroditë“, “Afroditë, shiu perlë, loti me kristale“, “E hej Albulenë, Afroditë e jetës sime“, që kanë krijuar një “Pemë të dashurisë“, (fqe 20), njëkohësisht është ndërtuar simboli në poezi me te cilën poeti shprehet: “Kur Dielli në Lindje Afro-Dita Hijeshon Atdheun tim“, (faqe 14). Prandaj në mënyrë imagjinative poeti është: “N’udhëtim të trojeve t’Arbrit/Diell që lind e perëndon n’Atdheun tim,/Besimin në ty e kam nga kohë pellazge// N’emër të flamurit Arbëria pa ty nuk feston!”, (faqe 17), se si duket “është kohë e kthimit n’Atdhe“, (faqe 18).

Këto reflektime janë perceptuar si formë e krijimit artistik që ndërton dialogun e saktë dhe të pranueshëm me lexuesin, që do t’i mundësojnë poetit për t’iu qasur dukurive nga aspekti psikologjik, përkatësisht dukurinë e sjelljes së individit në shoqëri dhe me reflektimet e sjelljeve shoqërore në raport me individin, në mënyrë metaforike e shpjegon edhe ky varg poetik: Një pikë t’gjumit falma Shqipëri, ëndërra ime të jetë për Ty“, (faqe 106). Dhe ky realitet i përjetuar poetik mbase është dhunti e realizuar suksesshëm, gjë që poezia dhe krijimtaria tjetër e Musa Jupollit gjithnjë kthehet në atdhe, në vendlindjen e tij , nga e cila është shkëputur që moti, por vendlindjen ai e bart gjithnjë me vete, pastaj asaj i kthehet me përkushtime të serishme.

 

BARDHOKJA VERËS NË SHAJKOC

 

E mirë, seç je, e bukur që më je

E quajta Galane, Bardhokën time

E pjekur nga diell në grunajat e Shajkocit

Kli dhe Galanja diskografi e dyfisht

Pamje e pastër si loti i yrit

Eh Galane moj Brdhoke

Sy e shpirt seç m’i verbove

Janë lulet e Shajkocit, katua’s sime

Llapi i sofrës bujare, Mesiana ime

Në Shajkoc jeta është Ode nga kohë pellazge!

 

Faqe 28-29.

 

Bardhoka simbol poetik sëndërtohet në trajta të ndryshme edhe në poezitë: “Flet bardhokja”; “Dardane, moj Bardhoke”; “Bardhokja në Rugovë”; “Bardhokja me libër në dritaren time” dhe në poezinë “Bardhokja Bareshë”. Këto vlera sublimojnë angazhimin e poetit në përvijim kohërash, kurse poezia shpjegon arsyen për të qenë poet?! “Pse të thonë Poet, notat i krijon vetë//*Poet// Mos harro se FOLJA është asht i vargut/Prandaj je Poet!”, (faqe 22).

Kjo poetikë estetike është sistem vlerash i cili rregullon mënyrën e komunikimit të autorit me lexuesin e veprës, andaj qasjet individuale të problemit duke theksuar detaje të ndryshme e ngrit nivelin artistik i cili si varg i realizuar merr dimensione universale sepse trajton çështje të ndryshme. Nga kjo që u përpoqëm të themi shihet se kjo prurje është thelbësore për t’i kuptuar rregullat poetike, frymëzimin pasionant, dhe ngrohtësinë përjetuese. Kjo harmoni artistike, është ritmikë e përsosur, hiperbolë e mendimit që përshkohet me elokuencë pasi është realizuar me përkushtim, “As Nobeli nuk gjeti çmim për dashuri“, kurse “Besa në gjuhën time quhet dashuri“, (faqe 23). Poezia si motiv i procesit krijues, larmi e bollshme e konceptit të poetikës estetike i përqendruar kryesisht në metrikë të vargut dhe teoritë e përgjithshme për të prezantuar vlera me shije: “Butësi artistike, ideal n’vllëzimE ruajtur me kujdes në shpirtin tim“, (faqe 27).

 

N’BREG T’BUNËS

 

N’Breg t’Bunës loti m’pikonte

për të bukurën m’atë anë lumi

veshje n’elegancë

sikur Dielli kur rrezitë

sytë e saj bënin dritë

Ikonë e Arbërisë

Hyjnesha

                     e pemës ime

 

Faqe 37.

 

Ose:

 

Pikë loti në shërim

Çka më bukur se Dashuria

N’Enciklopedinë e Atdheut tim!

Ideal një dritë Afro-Ditë

Mëkatet e mia më tha

Janë vetëm shpërblim

 

Faqe 38-39

 

Gjithsesi vetëm “Me Afroditësim me një duhan e një kafe” dhe më pas shkruan: “Ëndrra ime, pse më zgjove aty ku vdekjen e prita me aq mall/ Jo se nuk dua të jetoj, po pse ëndërr dhe vdekje kanë një kuptim”, (faqe 45-46).E gjitha është një proces liriko-dramatik, janë vargje përtej mundësive reale, prandaj poeti porositë: “Lexoma dramën e Dardanisë/ Unë ti lexova vargjet Shqipërisë”.

Në tërë opusin lirik të Musa Jupollit, është ndërtuar një simbiozë ku tragjedia njëjtësoht me dramën nacionale, kurse paqja me lirikat-vagjet, kurse drejtësia qenka normë juridike e cila respektohet vetëm në drejtshkrim: “Pse gënjehet populli shqiptarDrejtësia është vetëm në drejtshkim“, (faqe 48).

Kudo elementin lirik e gjejm të sforcuar, në secilën poezi, në secilin varg, pasi “vitet nuk kanë rëndësiveçse të mbushura me dashuri//Të quajta EMNESË/N’vargun tim t’hershëm!”, (faqe 50), kurse “lotët e lapsit“, (faqe 54), duket një gjetje tjetër figurative shumë lirike, ashtu sikurse vargje të tjera nxjerrin në pahë aftësinë për ndërtimin e vargut novator: “Cila ishte ideja e diellit në mashkullore/Apo e hënës në femërore që netët të jenë bashkëdyzim“, (faqe 63).

Lirika poetike e Musa Jupollit, nuk mbetet vetëm brenda lirizmit poetik, ajo është shtrirë e degëzuar duke u strukturuar në atë mënyrë për t’u përshtatur gjithnjë elementit patriotik që është qasje obsesive e kësaj lirike: “Sonte jam i vetmuar në teatrin tënd Drdani//Dardanët e lërë në breg të një lumi pa ujë”, dhe më tej ai paska sqaruar se “Këto dy Teuta dardane veç këngës së moçme nuk di ç’farë do lënë amanet nëse ky popull nuk i rikthehet kulturës dhe dinjitetit tonë arbëror“, (faqe 56). Atdheu real i Musa Jupollit “Ka vetëm një bukuri shpiri në jetëgjatësi/Një Nënë Terezë e shenjtë që i fali botës dashuri//Ju duhet të ndiheni i mrekulluar më thonë në Parisin e kulturës“, (faqe 57).

Pa dyshim, lirika me tëban nacional kemi shumë, vargje të kësaj natyre edhe më tepër, por për vargun karakteristik ne po sjellim këtu poezinë “02.02. E SA VITE?”, edhe për natyrën e saj më specifike:

 

Nal!

E tha Thoti në gjuhën e lindjes:

Dituria është ardhmëria jote!

Ndal!

E tha Eqrem Çabej:

Dituria është palca e komit!

Poet!

E tha Lasgush Poradeci:

Dituria është poezia e “venit tem”

Arbërie!

E them unë,

Me gjuhën e shpirtit,

Gjuha e Atdheut tim!

Nal O Thot

Ndal O Çabej

Ndal O Lasgush

Toskë e gegë dje e sot!

Gëzuar Arbërie,

Me mlodinë e zërit tënd,

Atë ditë…

… 02 Shkurt n’atë Vit…

 

Faqe 58.

 

Poezi tjetër, po aq e veçantë dhe mjaftë karakteristike është edhe ajo “NË UNESCO”, me nëntitull “Fjala nuk vritet“, në të cilen poeti ngërthen një çështje delikate dhe diskutabile në atributin që i jepet një doke a zakoni nga ky institucion me renome botërore: “Kthema fjalën, fjalën e kombit tim”, për të cilën poeti, me të drejtë ka drojen se i nëpërkëmbët, tjetërsohet, i përvetësohet nga të tjerët, prandaj kjo metaforë e kthyer në protestë fuqizohet edhe më tej:

 

Dheu ynë nuk falet, se ne vetë jmi të atij dheu

Kthema fjalën e shpirtit, lëshomëni udhë dallëndysheve

Pranvera s’shpejti do të vjen t’i këndojmë me nota

Bukurive t’Atdeut tim, lumit, fushave e malit

Fjala ime është fjala e kombit, fjalë që nuk falet…

 

Faqe 59.

 

Kryqëzatat historike, luftërat shekullore, konfliktet e përhershme, ngatërresat e përditshme nuk kanë pushuar mbi Atdheun e poetit. Luftëra, ngadhnjime, heroizma dhe përsëri copëza e copëzime të Atdheu tashmë janë kallapitur.

 

… E NJËJTA ZHURMË QË SA SHEKUJ

 

n’ato kryqëzata, apo lajthitje

libra hyjnore apo libra sundimi

nuk thyejnë dot mendjen time

veç venit tem ku linda dua t’i falem

me gjuhën e lashtë ilire

n’udhëtim shekujsh poezi

det që ushqen filozofë e dijetarë

me tymnaje të ngjyrave

me zjarre që të ecim mbi to

e t’i lajmë mëkatet e një besimi me shpatë

…e njëjta zhurmë që sa shekuj

 

Faqe 62.

 

Poezia “TË DUA”, shqiptohet sikur të ishte pasthirrmë e thënë nga po aq shpirtëra sa i ka pas, i ka, dhe do t’i ketë planeti ynë! Në këtë mozaik dallon refreni “TË DUA”, i poetit Musa Jupolli, sidomos atëherë kur shprehet: “Sa më ka marrë malli ta shndërroj pritjen në copëza jete/ E ta dëgjojë zërin me fjalën më të bukur që ka falë gjuha ime/ TË DUA“, dhe “t’më thuash krela e sy kanë lindur për mua, me fjalën e zemrës/ TË DUA“, (faqe 65)…. për ta materializuar me botëkuptimin patriotik, veçmas tani kur nocioni për Atdheun është zvenitur dhe dashuria për të është katandisur. Në këtë pllajë janë vargjet e poetit që rikthejnë fuqinë e dashrisë, siç shprehet vet ai: “Sa më ka marrë malli për një puthje Atdheu im/ Një puthje të gjatë sa jeta. Ku do të pikonte mjaltë/ Aromë e qershive degë më degë në fluturim/ Si bletë që nuk pushon…/ Me fjalën TË DUA“, (faqe 66).

Poezia tjetër, “Lotin në dysh dhe gjysmën e shpirtit për ty Atdhe kësaj vere“, ka një shpjegim intrigues dhe mjaftë interesant, në të cilën shtrohet një pyetje: “A ju ka ndodhur pasi t’i shkruani vargjet,/ më pas t’i hyni korrigjimit nga fundi i vargut dhe/ poezia të botohet pra jo nga fillimi/ siç e keni shkruar po nga fundi“, (faqe 67). Kjo poezi më shumë dallon për karakteristiken teknike se sa për atë estetike, megjithatë ka dalë poezi që lexohet rrjedhshëm dhe ka një kuptim metaforik mirë të realizuar, veçmas kur shohim se në dy rreshtat e fillimit të cilët kanë rënë në fund të poezisë thuhet: “Kësaj vere, lotin do ta ndajmë në dysh me gjysmën e syrit” dhe vargu i fundit përkatsisht i pari “Siç shiu për natyrën, si syri për gjysmë lotin ndarë në shpirtin tonë“, (faqe 68). Edhe poezitë pasuese janë një strukturë teknike e realizuar mirë, veçmas poezia: “Nëse je ende në këtë jetë përgjigju me zë/ Nëse ke shkuar në botën e amshuar, më shkruaj një letër të gjatë”, shkruan poeti i cili ndanë poezinë në dy fragmente, e para “Unë” dhe e dyta “Për Ty“, (faqe 70). Te poezia “Ftografi që flet“, po veçojmë vargun “Jam burrë Llapi// Këmisha më ishte bërë qull, fotografia e njëjta kishte mbetur“, (faqe 71).

Në ciklin “DASHURITË E NDALUARA”, poeti ka derdhur tërë elanin lirik dhe erotik për të ndërtuar poezinë lirike me nuanca erotike, sa më mirë dhe më artistike. Edhe në këtë cikël “Afrodita“, na vjen si figurë mitologjike e kohës ilire e pellazgjike, madje “Poetike me njëmijë e ca gabime“, e luajtur në “Parisin e mëkateve”, shprehet vet poeti, (faqe 75-76).

Se, Parisi ka luajtur rol në konceptet poetike, kjo s’ka dyshim dhe këtë na thotë njëra nga poezitë me kuptimin më universal, “Jevg’ja ime“, e cila për poetin qenka “egërsisht e bukur që shoqe nuk ka!“, ka ndërtuar botkuptimin më univerzal si vlerë humane, prandaj poezia është ndër më të realizuarat brenda këtij libri që po e diskutojmë, veçmas për motivin që ka. Një të tillë përkushtimi artistik nuk mund ta bëjë tjetri, pos atij që ka jetuar në Parisin e vlerave kulturore apo siç e theksuam diku më lartë “Në Parisin e mëkateve?!

 

JEVG’JA IME

 

E zeshkme si bukë pogaçe, pjekur n’dru bjeshke,

E zjarrshme e shpirtit tim, Ode pellazge gotë për dehje,

N’emërim të lisave n’sy tu qiell i hapur me yje,

Balli yt për shkrime t’mia ku lexohet e tërë Arbëria,

Rrjedhë mjalti n’lirinë e vargjeve Poemë me nota shpirti,

Shkruar me pulpë shqiponje n’egërsinë tënde t’bukur,

Mollëza për pikturë, vetulla e qerpik vijësore,

N’gushën tënde gazmore mesianase e lumit tim!

 

Jevg’ja ime,

Me gishtërinjë të gjatë n’tela t’kitarës sonatë më thure,

Kur të pyeta sa më do, këmisha n’gjoks t’gufoi,

N’buzë t’mia loti t’pikoi, asnjë fjalë nuk ma the!

 

Gabimin e kuptova atë ditë kur në jevge u dashurova,

Murgeshë e shpirtit tim, Të Dua edhe sot si atë ditë,

E hyjnishme bukuri,

Mos harro atë takim kur më dogje shpirtin tim!

 

Faqe 77.

 

Kjo poezi është perlë poetike, njëra nga poezitë që avancon kulturën shqiptare përtej paragjykimeve në realitetin ekzistues, që sugjeron për tolerancë të ndërsjelltë, për vlera humane estetike dhe artistike që ka. Kjo pozi do të duhej të ishte ballore e pankartave dhe portaleve, sidomos të Organizatave që kanë synim barazinë dhe janë kundër diskriminimit racor, gjinor a konfensional. Shoqëria jonë do të duhej të kishte antologji humane me vlera të tilla siç i ndeshim në këtë poezi e cila ta ndal frymën për humanizëm e njerëzoren që ka përbrenda saj. Poeti, Musa Jupolli, e ka sublimuar me sukses qëllimin e tij, sidomos kur “Jevgen“, e ka barazvlerësuar me të gjitha vlerat etnokulturore më pozitive që ka me bollëk kombi i vet. Sipas timbrit estetik dhe mesazhit artistik, personaliteti i Jevges është për tu admiruar, ajo është ngritur në piedestalin e vlerës humane dhe asaj njerëzore, dhe si duket kjo ka të bëjë me kulturën e thithur në Kryeqytetin e Kulturës Botërore – në PARISIN e të gjitha vlerave më pozitive që i posedon shoqëria Evropiane.

Kjo frymë kaq humane mund të lexohet edhe në poezinë “U dashurova me një vajzë serbe“, në të cilën poeti ka nxjerr një motiv interesant, kurse poezia do të ishte realizuar me më shumë sukses sikur t’i mungonin vargjet e fundit, të cilat janë deklerative a ku ta di unë… Pa dyshim edhe kjo poezi është një realizim i mirë, është perlë më vete, pasi siç shkruan vet poeti “Sa jam i lumtur që poezia ka LIRI/ Poezia dhe liria në burgje nuk mbahet!”, (faqe 79). Nga kjo konstatojmë se poeti dhe poezia janë misionar të paqes së ndërsjelltë, i afrimit të vlerave dhe kulturave, i humanizmit dhe afrisë në mes popujve!

Ky motiv është zgjeruar edhe në poezinë “Për një vashë <me ngjyrë>, i themi ne në Paris“, nga e cila po i shkëpusim vetëm disa nga motivet më artistike që ka mundur t’i kultivaj ky poet yni: “Zot si t’erdhi ky mendim ta pjekësh aq bukur këtë hyjneshë“, dhe ne, sipas poetit, duhet të mësojmë se ngjyra e grave vjen nga pjekja e tepruar që kësaj race ua paska bërë dikur Zoti! Interesante, madhështore dhe tejet emancipuese. Sekuenca, përkatësisht në vargje të tilla mund të ndeshim edhe tek poezitë tjera me këtë motiv: “U dashurova në një turko-otomane” dhe në poezinë “U dashurova në një vajzë arabe“, që përbëjnë një vlerë estetike që duhet klasifikuar si arritje e lartë e këtij poeti.

Edhe cikli “Ti dhe Atdheu më rikthyet shpresën“, janë poezi të realizuara mirë, por që kanë motive të ndikuara nga udhëtimet e poetit nëpër vende e kultura botërore s’ka dyshim. Ky ndikim shfaqet në pytjen “pse” që shihet në vargun poetik: “Pse loti dhe gjaku nuk kanë ngjyrë tjetër“, kjo vlerë universale, ky konstatim mund të ndodh, ku tjetër pos në librin e poetit Musa Jupolli, te i cili paska ndikuar Parisi, i këtyre vlerave ndërnjerëzore.

Si duket asnjë vlerë tjetër më e shenjtë më e përzemërt nuk mbetet për të, veç asaj dashurisë për atdheun të cilën e ndeshim në shumë trajta dhe formash më të realizuara poetike: “Letrat shqipe thërrasin: DASHURI, se Eneu i dha fjalën Afroditës, na e solli deri këtu të shkruar në poezi! Dhe Eni, ti themelues i qytetit Alban, paraardhës i Romës!“, (faqe 96). Pastaj në një poezi tjetër ndeshim një hamendje të poetit, por siç duket Afrodita dhe Atdheu, atë do ta vetëdisjojnë, botëkuptim i materializuar që e gjejm në vargjet: “Ti dhe Atdheu më rikthyet shpresën/ Që mos t’u hidhem në përqafim dallgëve të oqeanit“, / “Kujdes nga dallgët që kanë kapluar/ Atdheun dhe fjalën e shpirtit tënd“, (faqe 97). Dhe në vijim ka ndërtuar një metaforë për nënat dhe bijt e tyre të mërguar: “Nënat shqiptare kanë shpirtin e universit/ Kur përcjellin bijtë e tyre u derdhet loti/ Kur u vinë nga kurbeti më lot nuk u ka mbetur“, (faqe 102).

E Loti si simbol, bukur është gdhendur estetikisht në vargun e Musa Jupollit:

 

ETJE LOTI

 

Fshima lotin me dashuri

Shuama etjen me ujë deti

Frymëzimin me vargje fishtiane

Atdhedashurinë me Gjergjin

Për n’dritësim të Arbërisë sime…

 

Faqe 105.

 

***

Epilogu: “Emrin e more me vete, atë ditë e sot Arbëreshë të thërrasim, me vete more Flamurin me dy shqiponja, pagëzuar n’emër të Gjergjit, për dashurinë e Atdheut le trashëgim të folmen e Arbërit që edhe sot ta kem zili, më e bukura pjesë e zemrës shqiptare je ti!“, (faqe 101). Poezia e Musa Jupollit, si tërësi tematike (jo vetëm brenda këtij libri), përçon frymën e këtij mesazhi që cituam, andaj poeti na sugjeron të “Keni kujdes, kur të verboheni mos u dilni bukurive para/ Ruani vetëm aromën e tyre, mos i lëndoni“, (faqe 108). Më duket se është mesazhi më përkufizues, më emblematik, i shprehur në rreshtat përmbyllës të këtij libri, i realizuar nga poeti Mesianas i ramë në Paris!

St. Gallen,11.12.2021.Shefqet Dibrani

Pseudo intelektualët tanë …!

0
Lirim Gashi, Prishtinë
Kur në një shoqëri njerëzore mbretëron injoranca, pandjesia, paftytyrësia, inferioriteti, grykësia, dinakëria, lakmia, primitivizmi dhe edukata e dhunshme, atëherë nuk mund të ketë as elitë të mirëfilltë intelektuale në politikë, arsim, shkencë edukatë dhe kulturë, respektivisht nuk mund të ketë elitë të vërtetë, por vetëm individë narcisë, psikopatik, sadistë dhe gjysmë analfabet që shtiren dhe shiten si intelektualë.
Sepse pikërisht këto fytyra (surrate) publike e përfaqësojnë dhe pasqyrojnë vlerën tonë të përgjithshme si shoqëri dhe popull.
Sepse pikërisht kjo vlerë na atestohet neve individualisht dhe kolektivisht nga popujt e civilizuar dhe shtetet e përparuara, pavarësisht se a e meritojmë a jo.
Sepse ne jemi ata që ua atestojmë pseudo intelektualëve në politikë, shkencë, arsim dhe kulturë dijen e paqenë duke u dhënë diploma dhe tituj të pamerituar akademik dhe shkencor.
Sepse ne jemi ata që i delegojmë dhe që u japim legjitimitet përmes votës dhe legalitet përmes legjislativit.
Ose edhe më saktë këta individë që shfaqen rregullisht në media për të plasuar idiotizëm me tonelata janë maskota jonë e shëmtuar olimpike.
Në anën tjetër punimet e tyre të kopjuara dhe falsifikuara shkencore dhe diplomat e tyre të trafikuara, në këtë rast janë vula të budallakies në vend se vula të dijes.
Dhe jo vetëm kaq, por janë vula të budallakies që i kthejnë shkollat dhe univerzitet prej tempujve të dijes, edukatës dhe kulturës, në tempuj të injorancës paedukatës dhe pakulturës.
Në fakt diplomat e trafikuara janë çelësat që ua hapin këtyre njerëzve të pavlefshëm dyert e zullumit.
Që ua hapin dyert e zullumit këtyre gjallesave të kompleksuara, injorante, hipokrite, parazitare, lakmitare, grykëse, gllabëruese dhe dashakeqe.
Dhe jo vetëm kaq, por janë çelësat që ua hapin këtyre gjallesave pa kurriz jo vetëm dyert e zullumit, dhunes, krimit, plaçkës, eksploatimit dhe mashtrimit, por edhe dyert e celebrimit të atdhedashurisë së rreme.
Sepse këta njerëz individin e rëndomtë e trajtojnë si dele, ndërsa shoqërinë dhe popullin si tufat e tyre.
Në fakt realiteti është edhe më i keq se kaq ; këta (pa) njerëz s’mund të krahasohen as me barinjtë më të këqij.
Dhe a dini pse s’mund të krahasohen?
Sepse edhe barinjtë më të këqij nuk i lënë delet e tyre pa ushqim, ani pse disa ekzemplarë i humbin rrugës për në kullosa, nga pakujdesia dhe dembelia.
Mirëpo së paku i dërgojnë deri te kullosat dhe ato pastaj vetë e gjejnë ushqimin, duke mos ia varur fort veshin barinjve të hutuar me lojen pipidak dhe pilifunc, sepse uria i detyron delet të bëhen të gjindshme dhe të pavarura.
Në anën tjetër barinjtë që po na përfaqësojnë dhe udhëheqin neve në politikë, arsim, shkencë dhe kulturë jo vetëm që s’po na dërgojnë deri te kullosat, por po na mbajnë të burgosur në karantinën e spitalit më të madh të Evropës, që është njëkohësisht edhe laboratori i saj më i madh politik.
Sepse politikanët dhe pseudo intelektualet tanë na kanë shndërruar në pacova, prandaj po eksperimenton me neve kush po do, kur po do, si po do dhe sa po do.
Në fakt akoma më keq se kaq ; ata na kanë mbyllur 20 vjet rresht në zorrën e trashë të Evropës.
Sepse shtetin e tyre privat që do të duhej të ishte edhe i yni, e kanë shndërruar në zorrë të trashë të Evropës.
Sepse pseudo elita jonë intelektuale është një tufë e përbërë prej parazitëve gllabërues që ushqehen nga bythet e politikajve kriminal dhe tradhtar.
Ndërkaq parazitët që s’kanë identitet, kredibilitet, personalitet, dinjitet, moral, edukatë dhe kulturë jo vetëm që nuk e monitorojnë si duhet punën e politikanëve në pushtet dhe opozitë, por bëhen zëdhënëse dhe përkrahës të krimeve të tyre shumëdimensionale.
Prandaj politikën tonë e dominojnë të pa penguar prej askujt, kriminelët, udbashët, ekstremistët fetarë, komplotistët dhe tradhtarët gjysmë analfabet, të cilëve pseudo intelektualet e lartpërshkruar ua shesin shpirtin për pak lekë.
Dhe meqenëse është kështu atëherë është detyrë e shenjtë e secilit prej nesh që t’ia kthejmë shpinën jo vetëm politikanëve kriminel e tradhtar dhe mediave të tyre gebellsiane, por sidomos pseudo elitës intelektuale dhe shoqërisë shterpe civile.
Sepse bëhet fjalë për shoqata (tufa) dhe banda parazitare të cilat gllabërojnë shuma të paimagjinueshme lekësh nga fondet e ndryshme, jo vetëm pa e bërë asnjë punë të mbarë, por duke bere shumë punë të pista, të këqija dhe të dëmshme.
Sepse këto institucione nuk kanë sot vlerë as sa një prezervativ, prandaj duhet të pastrohen nga llumi ose të zëvendësohen me institucione të vërteta dhe të menaxhuara prej njerëzve kredibil.

Presidentja Vjosa Osmani ta shpallë të pavlefshëm vendimin e Hashim Thaçit – Faqeziut, për abolimin e krimeve serbe në veriun e Kosovës

2
Lirim Gashi, Prishtinë
Dhe jo vetëm kaq por duhet ta ndaloj me ligj edhe “Listen Serbe”, të cilën e kanë themeluar pikërisht këta kriminele më direktivën e kriminelit Vuçiq.
Sepse bëhet fjalë për një Organizatë Terroriste të përfshirë në krime shumëdimensionale ndaj shqiptarëve të pafajshëm, si në kohën e luftës ashtu edhe në atë të paqës.
Dhe jo vetëm kaq por bëhet fjalë për një Organizatë Terroriste që ka kryer dhjetëra atentate politike ndaj serbëve të pafajshëm.
Varfnjaku Zvonko Veselinoviç paska qenë së bashku me të vëllanë dhe gruan e tij në listen e pagave të RTK-së, kurrë pa konkurruar dhe punuar ?
Bashkëpunëtorët shqipfolës i paska pasur aq të fuqishëm, të ,,mëdhenjë” dhe patriota me rrota nga karrota, saqë të gjitha fjalët për ta përshkruar ,,madhështinë” e tyre më duken të kota.
Ehhh çka paska duruar ky popull dhe vend.
A thu edhe sa kohë do të vuajmë për mend?
Imagjinone Zvonko Veselinoviç është krimineli qe e ka kryesuar listën e kriminelëve më të kërkuar të Veriut të Kosovës.
Pra listën e kriminelve më të kërkuar për krime, masakra dhe dhunime ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare të Kosovës.
Ndaj popullsisë së të gjitha moshave, gjinive dhe profesioneve.
Dhe ky njeri nuk i ka masakruar vetëm shqiptarët e gjallë, por edhe kufomat e tyre.
Dhe sikur kjo të mos mjaftonte i ka transportuar në Serbi me kamionë frigoriferikë të thertoreve të kafshëve, ku i ka hedhur pjesërisht në lumin Danub dhe pjesërisht në gropa të hapura që ne i quajmë varreza kolektive.
Pra bëhet fjalë për kriminelin të cilin Hashim Faqeziu e ka (falur) aboluar, ndërsa Ramush Haradinaj e ka nderuar.
Turpi i mbuloftë!
Apeloj të Presidentja Vjosa Osmani që ta shpallë të pavlefshëm vendimin e Hashim Faqeziut për t’i falur, gjegjësisht
aboluar kriminelët serbë të luftës nga veriu i Kosovës.

Porosia e fundit e senatorit Robert Dole: Kompromisi si parim politik

0

Frank Shkreli

Nga: Frank Shkreli

Ish-Senatori republikan, Hero i Luftës së Dytë Botërore, ish-Kongresist, ish-Senator, ish-Kryetar i Partisë Republikane, ish-kandidat për president i kësaj partie dhe ish-udhëheqës i Senatit Amerikan – por mbi të gjitha, njëri prej miqëve më të mëdhej i shqiptarëve në Amerikë, ish-Senatori Bob Dole ndërroi jetë javën që kaloi në moshën 98-vjeçare. Ai njihej për dekada si kampion i vërtetë i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut për popujt e shtypur, përfshir shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, por jo vetëm. I ndjeri Senator Robert (Bob) Dole njihej, përveç tjerash, edhe si një politikan praktikues dhe promovues i artit të kompromisit parimor në diskursin politik, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Në artikullin e fundit botuar në gazetën, USA Today, i cilësuar tani si “mesazhi i fundit publik” para se të ndërronte jetë me 5 Dhjetor, 2021, ish-Senatori Dole thekson rëndësinë e atij që ai e ka quajtur si “kompromis parimor”, në diskursin politik në Washington, por edhe më gjërë.

Në diskursin politik, këtu në Shtetet e Bashkuara, kompromisi politik është praktikuar dhe respektuar si parim, duke filluar nga baballarët e këtij kombi që në fillim të themelimit të Amerikës — që nga Xhejms Madisoni e deri tek Presidenti Ronald Reagan. Gjatë periudhave të ndryshme të historisë amerikane, mund të gjënden shumë raste, kur në politikë është përdorur parimi i kompromisit për të arritur fitore ndërtuese me rëndësi historike dhe jo si një shenjë dobësie ose dorëzimi para një kundërshtari politik. Por, me largimin nga skena politike, të personaliteteve të njohura të politikës amerikane, si senatorët Robert Dole dhe Xhon Mëkejn, kompromisi parimor në politikë, përdoret pak ose aspak, midis dy partive kryesore në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, madje përdoret shumë pak edhe brenda partive, sikur “ka dalur mode”. I vetdijshëm për këtë realitet politik këtu në Amerikë dhe në botë, para se të kalonte në atë jetë, Senatori Dole la pas, porosinë e fundit për politikën amerikane në një artikull të botuar në gazetën kombëtare USA Today duke bërë thirrje që të mos hiqet dorë nga kompromisi parimor në debatet politike, sidomos në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

“Bashkpunimi është sot më i nevojshëm se kurrë në Washington”, ka shkruar Dole, disa ditë para se të ndërronte jetë. “Gjatë viteve që kam shërbyer në Kongresin amerikan në Washington, republikanët dhe demokratët ishin kundërshtarë politikë, por ishin gjithashtu edhe miq e kolegë, me njëri tjetrin. Mësova heret” — në karrierën time politike, vazhdon Senatori i ndjerë — “se ishte pothuaj e pamundur të arrije gjë ose të realizoja ndonjë fitore politike, nëse nuk bëja kompromis – jo kompromis me parimet e mia, por ishte e nevojshme të bëja kompromis me gatishmërinë time, për të parë anën tjetër të argumentit, argumentit të kundërshtarit. Ata që sugjerojnë se kompromisi është një shënjë dobësie, keqkuptojnë krejtësisht forcën themelore të demokracisë tonë”, ka shkruar Senatori Robert Dole në artikullin e fundit, botuar në gazetën USA Today, pak ditë para se të ndërronte jetë, javën që kaloi.

“Të mbështesim meritat dhe vlerat e demokracisë amerikane, duke provuar se nuk është e nevojshme që të jemi dakort për çdo gjë, për të arritur marrëveshje për disa gjëra”, ka porositur Dole, duke shtuar se, “Historia jonë është plot me debate politike dhe përçarje të thella, por, kolektivisht, ne ndajmë objektivin e përbashkët, për një Amerikë më të mirë” për të gjithë dhe pa dallim, ka nënvijuar ai në kryeartikullin e fundit të jetës së tij. “Ne nuk duhet të lejojmë që ndryshimet politike të pengojnë realizimin dhe sigurimin e të mirës së përbashkët” si objektiv arritjeje, ka theksuar Robert Dole në artikullin për gazëtën USA Today, sikur t’a dinte se ishte amaneti i fundit lënë bashkombasëve të tij.

Image

Dy burra të mëdhej të Amerikës — nga dy parti me parime dhe politika të ndryshme – me kompromis midis tyre dhe me të tjerët — siguruan mbështetjen e Washingtonit zyrtar dhe të aleatëve përendimdorë, që tragjedia e Bosnjës të mos përsëritej në Kosovë, duke autorizuar më në fund bombardimin e Serbisë nga NATO, (1999) për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga forcat policoro-ushtarake terrroriste serbe.(Foto- Presidential debate, 1966)

Sot, më shumë se kurrë më parë, jo vetëm Amerika por e mbarë bota e sidomos, shqiptarët, kanë nevojë për burra, por edhe për gra, si Bob Dole — burra të njohur për nder, heroizëm dhe karakter, por edhe të gatëshëm për kompromis në politikë, si një parim i rëndësishëm politik. Presidenti Joe Biden, i cili ka shërbyer në Senat me Senatorin Dole për 25 vjetë, e cilësoi ish-Senatorin Diole, një patriot të madh, si “në fushtë të betejës ashtu dhe në sallën e Kongresit amerikan. Bob Dole, tha Presidenti Biden, jetoi tërë jetën e tij, bazuar në një kod nderi. Senatori Dole, shtoi ai, ishte “burrë i fjalës, i cili donte atdheun e tij e të cilit i shërbeu me përkushtim të plotë, terë jetën e tij.” Z. Biden e cilësoi Senatorin Dole, si një “gjigant të historisë tonë”.

Gjatë gjithë jetës së tij, Senatori Bob Dole ndërtonte ura komunikimi e kompromisi në politikë dhe për të mirën e Amerikës, të cilën e donte aq shumë dhe për të cilën sakrifikoi edhe më shumë, ndërkohë që si individ dhe si politikan shembte muret që ndanin dhe përçanin politikanët amerikanë nga njëri tjetri. Për Senatorin Ribert Dole, fjala kompromis nuk ishte një fjalë e ndyrë në diskursin politik amerikan, por është diçka që përveç gatishmërisë për të bërë kompromis nevojit edhe cilësitë e Senatorit Dole, si:sinqeriteti, besueshmëria nderi, burrëria dhe karakteri. Por, që kompromisi të përfundojë në marrëveshje ose sukses, duhet që interlokutorët kundërshtarë, të kenë cilësitë dhe vlerat që posedonte i ndjeri Robert Dole – cilësi dhe vlera që, fatkeqsisht, vështirë të gjënden më, kudo qoftë. Prandaj, bota është në gjëndjen që është sot.

Falënderojmë të Madhin Zot për nderin dhe privilegjin që në jetën tonë kemi njohur miq të shqiptarëve, burra të fjalës të këtij vendi të madh e të bekuar – Amerikës tonë të dashur. Shqiptarët do të thonin burra të besës, të nderit e burrërisë, por edhe trima e guximtar si Senatori Bob Dole, që na ka dhënë mundësinë, privilegjin dhe nderin ta njihnim. Uroj që mikut tonë të dashur e të nderuar, mos t’i ketë shkuar mundi bosh për të shpëtuar shqiptarët në ditët më të vështira të tyre! Si përfundim i punës dhe kontributit të Senatorit Dole dhe rolit të politikanëve të tjerë të dalluar amerikanë në mbrojtjen e shqiptarëve nga të huajt, pyetja më e rëndësishme sot është se kush do i shpëtojë shqiptarët nga vet-vetja. Pushofsh në paqën e merituar miku i ynë Bob Dole, promovues i frymës së parimit të artit të kompromisit në politikë, si një mjet për arritje të mëdha. Përgjithmonë në kujtesën tonë!

Image

Sipas patriotit dhe aktivistit të dalluar të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti, shqiptaro-amerikani, Z. Jim Xhema (i pari majtas), Senatori Dole kundërshtonte fuqimisht ndarjen e Kosovës LETTER OF APPRECIATION FOR SENATOR BOB DOLE – Dielli | The Sun (gazetadielli.com), duke ndryshuar kufijt dhe duke çkëmbyer territore me Serbinë.

Image

Presidenti demokrat, Joe Biden e cilësoi Senatorin republikan Bob Dole, një “gjigant të historisë tonë”

Image

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Z. Joe Biden me bashkshorten Jill Biden para arkivolit të ish-Udhëheqsit të shumicës republikane në Senatin Amerikan, ish-Senatorit të shtetit Kansas dhe mikut të madh të shqiptarëve, Robert DOLE –

PAS ÇIFTIT PRESIDENCIAL BIDEN, DALLOHET AKTIVISTI I ÇËSHTJES SHQIPTARE NË AMERIKË PREJ DEKADASH — SIDOMOS TË ÇESHTJES SË KOSOVËS — SHQIPTARO-AMERIKANI I MADH, (KRENAR TA QUAJ MIK E DASHAMIR), Z. JIM XHEMA, MIKU I NGUSHT I SENATORIT ROBERT DOLE DHE I FAMILJES SË TIJ –PËRFAQSUES I DENJË I KOMUNITETIT SHQITARO-AMERIKAN PËR T’I DHENË LAMTUMIRËN E FUNDIT SENATORIT DOLE, NË EMËR TË GJITHË SHQIPTARËVE KUDO QË JANË

Image

Foto pas debatit me rastin e zgjedhjeve për president të Shteteve të Bashkuara midis kandidatit të Partisë Republikane, Z. Robert Dole dhe kandidatit të Partisë Demokrate, Z. Bill Clinton, 1966 – garë që e fitoi Bill Clinton. Megjithë ndryshimet e tyre parimore politike mbi shumë çeshtje, ata mbetën miqë të përjetëshëm — një miqësi kjo — midis dy personaliteteve të mëdha të politikës amerikane të shekullit të kaluar – nga e cila përfitojë shumë, jo vetëm politika amerikane, por edhe fati i shqiptarëve mori një drejtim tjetër historik, duke ndryshuar, për më mirë, epokën e shqiptarëve! Kosova, shtet i lirë dhe i pavrur, si përfundim i gatishmërisë së dy politikanëve amerikanë, me pikëpamje të forta dhe shpesh të kundërta, për të bërë kompromis mbi çështje me rëndësi të paqës dhe sigurisë në botë!

FOTO GALERI

Image

Image

Ish-Presidenti republikan, Z. Ronald Reagan me ish-Kryetarin e Dhomës së Përfaqsuesve, demokratin Z. Tip O’Neill – praktikuesë të artit të kompromisit në politikën amerikane për të mirën e përbashkët të atdheut – siç duket në një moment marrëveshje kompromisi midis tyre. Ish-Presidenti Ronald Reagan dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit, Z. Tip O’Neill – dy amerikano-irlandezë, njëri siç cilësohej si, “ekstremist i djathtë” dhe tjetri “ekstremist i majtë”, sidomos sa u përkiste çeshtjeve të brendshme të Amerikës, njihen si dy politikanë amerikanë – që bënin kompromis për të arritur ndonjë sukses për vendin. Megjithë pikëpamjet e tyre politike, shpesh krejtësisht të kundërta me njëri tjetrin, ata njiheshin si, “miqë pas orës 6 në mbrëmje”, kur takoheshin për ndonjë gotë “scotch”.

Mos u çuditni, po ndodh historia, nga sot Shqipëria del nga tranzicioni !

0
Miqëve të mi nga Shqipëria londineze, të gjeneratës së dhjetorit 1990, duke i konsideruar pjesëmarrës në ndryshimet demokratike dhe historike, ju uroj atyre të djeshit, të sotit dhe të ardhmes si brezit të ndryshimit, që ditën e sotit ta shenojmë në kalendar si fillim i përfundimit të procesit të stërzgjatur të tranzicionit!
Nga sot Shqipëria del nga tranzicioni.
Mos u çuditni, po ndodh historia!
E vonuar gjithësesi!
Këta sot vetëm po prishin një ndërtesë që me anekset dhe mbindërtimet që iu shtuan gjatë tridhjetë viteve u bë si një han i pazot.
Kur të kryhet nuk do të jetë as kjo që u nis sot sepse tash çdo gjë ka hyrë në rrotat dhëmbëzore të asaj që e pret Shqipërinë në të ardhmen.
11 dhjetor 2021,
Padova.

Asociacioni – një kuiz gjeopolitik serb

0


Nga: Dr Sadri RAMABAJA, Prishtinë

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka hy në një fazë të re, ku shihet se Serbia pretendon ta shndërroj atë në një kuiz gjeopolitik. Serbisë, por edhe aleatëve, mund t’i ofrojmë shumëçka, por jo substancën gangrenizuese të trupit të Atdheut me emrin Asociacion i komunave serbe me ingirenca ekzekutive, që nesër do ta cenojë rëndë sovranitetin territorial të Atdheut.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE), me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), sipas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të shtatorit 2010, kishte për qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal, avancimin në agjendën evropiane dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Në fillim të shtatorit 2010, në një takim të orëve të vona të natës me Boris Tadiqin, ish presidentin serb atbotë, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Catherine Ashton, arrin që përfundimisht të krijojë mundësitë e para që Serbia të mos dal tërësisht e humbur nga procesi i GjND-së. Ashtoni e bind Tadiqin që të ndryshojë tekstin e propozimit serb për OKB-në, duke e bërë nga një kërkesë për sfidimin e pavarësisë në një draft rezolutë që nxiste nisjen e dialogut Prishtinë – Beograd. Tashmë ajo ishte shndërruar në një propozim-rezolutë e përbashkët e BE-së dhe Serbisë. Modifikimi i rezolutës, siç kanë raportuar mediat atë kohë, kishte edhe pikën që thoshte se BE do ndërmjetësojë mes dy palëve, por nuk e saktësonte nëse palët ishin dy shtete të ndryshme.
Rrjedha e tutjeshme e kësaj historie tashmë është e njohur.

Opinioni i qartë dhe pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, në vend se të përdorej për mbylljen e çfardo mundësie që përmbajtja dhe vet subjekti i Republikës sonë të shëndëroej në objekt diskutimi, ajo prë faktin se kishim lejuar të na instaloheshin në krye të Republikës marionetat e shërbimeve të huaja, de fakto, i hapi rrugë Serbisë për defunksionalizimin e Republikës sonë dhe gjatë kësaj dekade hapërimin solid në rrugën për integrime në strukturat europiane, që u shoqërua me presion ndaj palës kosovare.
Axhenda jonë për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe zhvillimin ekonomik e prosperim në rafshin e realizimit të demokracisë pësoj goditje tronditëse, që u kurorëzua edhe me imponimin e Gjykatës Speciale dhe vënien në pikëpyetje edhe të integritetit territorial e sovranitetit të vendit.
Fillimisht nga politika jonë negociatat ishin promovuar si dialog teknik. Rrjedha pastaj dihet. Ndodhi ajo që pritej nga shumë njohës të establishmentit politik të angazhuar në këtë proces.
Sidoqoftë, marrëveshjet që ndërlidhen me Asociacionin e komunave serbe, si ajo e prillit 2013 edhe ajo e gushtit 2015, ishin kulmi i së keqes që prodhoi dyshja marionetë: Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.

Gjatë gjithë kohës sa në krye të Republikës ishin këto dy figura, dialogu qe udhëhequr de fakto nga Hashim Thaçi, edhe nëse marrëveshjen e gushtit 2015 de fakto e pati nënshkruar Isa Mustafa. Kjo ndodhte meqë LDK-ja ishte shndërruar tashmë në patericë të PDK-së. Rrjedhimisht dialogu u zhvillua pa konsultime të mirëfillta kualitative të brendshme, larg vëmendjes e syrit të ekspertëve, qofshin ata vendor a ndërkombëtar, e me mungesë të transparencës dhe konsensusit.
Brukseli e shfrytëzoi dialogun edhe si mjet trysnie e shantazhi, sidomos për palën kosovare.
Që të sigurohet që palët vazhdojnë të marrin pjesë në dialog dhe i zbatojnë marrëveshjet, BE integron vlerësimin e zbatimit të marrëveshjeve tek Raporti i Progresit vjetor, nëdrkaq me kohë e transferoi atë, pra dialogun, respektivisht realizimin e pritshëm të marrëveshjeve, në kushte për anëtarësim, ngjashëm me Kriteret e Kopenhagës apo ato të Procesit për Stabilizim Asociim. Madje për palën kosovare, duket të inspiruar e nxitur nga vetë kreu i delegacionit tonë, natyrisht për qëllimet e tij personale, e shndërroi në kusht për liberalizimin e vizave edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Tashmë është e qartë se, Brukseli dialogun, sidomos marrëveshjen mbi Asociacionin si produktin qensor të tij për palën serbe, e kishte shndërruar në letër lakmuesi për mbajtjen e Serbisë në proces, respektivisht për t’ia përmbushur ca kërkesat prsidentit serb që i ndihmonin atij të mbetej tutje në pushtet ose për ta shantazhuar presidentin kosovar, siç edhe bëri de fakto duke ia imponuar nënshkrimin e marrëveshjes së 19 prillit 2013.

Çështjen e ASOCIACIONIT, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e gjenë në plot 23 nene në kundërshtim me Kushtetutn dhe frymën e saj, Serbia dje ia arriti, përmes diplomatit spanjoll, aktualisht kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ta shndërroi në INTRIGË DIPLOMTIKE.

Ky fakt dëshmon se përgjatë gjithë kësaj dekade sa ka vazhduar dialogu me Serbinë i ndërmjetësuar nga Brukseli, jo vetëm marrëdhëniet, por edhe dialogu me Serbinë janë zhvilluar mbi bazën e asimetrisë. Tragjikja në këtë mes është se, vet delegacioni kosovar (treshja: Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Edita Tahiri), pranuan që të transformohet objekti i dialogut, duke ju nënshtruar kërkesave serbe.
Ky fakt mund të cilësohet si intrigë diplomatike e këtij delegacioni, rrjedhimisht jo vetëm intrigë diplomatike e palës serbe.
Duke e cilësuar tutje si fuqi rajonale, si faktor pa të cilin nuk mund të mbahet paqja e stabiliteti në rajon, Serbia ka imponuar pozicionin e saj, duke imponuar tashmë edhe axhendën e dialogut.
Ka ardhë koha që kjo asimetri të prishet dhe Serbia të paraqitet e tillë si është: si trampolinë të interesave ruse në këtë pjesë të Europës.

Diplomatët si rregull nuk tregohen të sinqertë në dialogjet që zhvillojnë mes kolegësh qoftë në vendin e tyre, qoftë jashtë. Por, diplomatët e vendeve të fuqishme në raport me politikanët e vendeve të vogla, duke u shtrënguar të jenë të sinqertë, shndërrohen në arogant. Një arrogancë e veshur me petkun e diplomatit, ishte mënyra si reagoi Boorreli në takimin me delegacionin kosovar më 8 dhjetor në Bruksel, në konferencën për media, pas një debati duket jo edhe aq të lehtë.
Kjo gjuhë e diplomacisë në stilin “merreni ose lëreni” nuk i përket ndërmjetësuesit, lehtësuesit të dialogut. Kjo gjuhë ka mesazhin shtrëngues brenda: ose pranojeni Asociacionin, pra hiqni dorë nga mbrojtja e interesave tuaja nacionale, ose theni qafën! Kjo sjellje është truk diplomatik për të përligjur pretendimet e Serbisë për veriun e Kosovës.
Zoti Borell si përfaqësues i lartë diplomatik i BE-së e ka të qartë se pozita e minoritetit serb në Kosovë është rregulluar përmes Pakos së Ahtisarit si askund në ndonjë vend tjetër në Eropë, e mos të flasim për Spanjën e tij. Ajo mund të rishikohet dhe përshtatet tutje, por gjithmonë në përputhje e konform me Kartën Evropiane për Qeverisje Lokale. Në këtë dokument me peshë të Bashkimit Europian, në nenin 10, precizohet edhe “e drejta për asociacion të bashkësive vendore”, ndërkaq në paragrafin 1, 2 dhe 3 të po këtij neni, taksativisht janë përcaktuar qëllimet dhe mundësitë e një asociacioni, krijimin e të cilit e sugjeron e Gjykata jonë Kushtetuese.

Por, që tragjikja të jetë edhe më e madhe, ndërkohë, pikërisht opozita aktuale që do të duhej për efekte morali, të heshtëte si mumje, duke reflektuar për përgjegjësinë historike që ka, ajo ka hedhur në veprim eshalonin medial të saj, duke mos i kursyer edhe ca prej “ekspertëve” që ia kanë mbajtur ison dhe po ia mbajnë edhe sot. Kjo lagje “ekspertësh” aktualisht po shfrytëzohen nga establishmenti i vjetër politik si “gjethe fiku” për ta mbuluar tradhëtinë e liderëve nënshkrues të marrëveshjes dhe inferioritetin e injorancën e mbështetësve të tyre dje e sot.
Insistimi për ta trajtuar marrëveshjen mbi Asociacionin si një marrëveshje ndërkombëtare është non sens. Një marrëveshje ndërkommbëtare nuk mund të trajtohet kur nuk ratifikohet nga parlamentet e dy shteteve. Serbia edhe sot e kësaj dite, Kosovën e trajton si krahinë të saj dhe dialogun si proces , respektivisht si veprim politik mes qendërs dhe provincës, ndërkaq vendimi i Gjykatës sonë Kushtetuese, si të tillë, marrëveshjen e hedhë poshtë, duke sugjeruar që nga akti i marrëveshjes, respektivisht që në procesin e krijimit të Asociacionit, të kihen parasysh sugjerimet e dhëna dhe germa e Kushtetutës. Me këtë vendim, de fakto, Asociacioni si ishte konceptuar në marrëveshjet në fjalë (2013 e 2015), kishte rënë në ujë, meqë Serbia u dëshmua se nuk ishte e gatshme të dialogohet për një OJQ-ë siç është edhe asociacioni ekzistues i komunave në Kosovë.
Në përpjekjen për të korrektuar qëndrimin jodinjitoz të kryeministrave paraprak, në raport me marrëveshjen e 2013-ës, por edhe të legjslaturës që vulosi atë tradhëti, duke e votuar në Parlament, ne do të përballemi edhe me presion të byrokratëve të Brukselit, si puna e këtij Borellit… Por kjo nuk do të thotë se duhet të tumirim atë tip marrëveshje që i hap rrugë shkërmoçjes së Republikës.

Tashmë dialogu ky hy në një fazë të re, ku shihet se Serbia pretendon ta shndërroj në një kuiz gjeopolitik. Asaj, pra Serbisë, por mbi të gjitha aleatëve, mund t’i ofrojmë shumëçka, por jo substancën gangrenizuese të trupit të Atdheut me emrin Asociacion i komunave serbe me ingirenca ekzekutive, që nesër do ta cenojë rëndë sovranitetin territorial të Atdheut.