Kreu Blog Faqe 1477

Një komb, një festë dhe një urim për të gjithë shqiptarët!

0

Nga: Gani Qarri

Gëzuar 28 Nëntori! 

Flamuri Kuq e Zi, në të gjitha kohët ishte dhe do të mbetet përjetësisht, frymëzim shpirtëror dhe patriotik i të gjithë shqiptarëve atdhetar, kudo ndodhen e jetojnë ata, në trojet e tyre etnike dhe diasporë.

Simbol i shenjtë i bashkimit kombëtar, i cili gjithmonë ishte në shërbim të lirisë dhe çlirimit të atdheut tonë të ndarë padrejtësisht.  

Frymëzim dhe identifikim për të gjithë shqiptarët i cili edhe në momentet më të vështira, qëndroi kurdoherë në ballë të çdo nisme patriotike, që nga fillimi i luftës për liri e deri te shpallja e Shqipërisë të lirë, Pavarësinë e së cilës e vulosi po ky Flamuri i shenjtë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut!  

Por me gjithë përpjekjet e pareshtura shekullore dhe gjakun e derdhur për çlirimin e trojeve tona edhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe çlirimit të Kosovës, duhet ditur dhe pasur parasysh secili prej nesh, se nuk u arrit të përmbushën të gjitha aspiratat e popullit të shumëvuajtur shqiptar për të cilat ai u sakrifikua dhe bëri luftë e përpjekje çlirimtare ndër shekuj,deri në vitet që po jetojmë.  

Kështu që edhe ëndrra e tij e shenjtë, për unifikim të tokave tona etnike dhe bashkim kombëtar, deri më sot ende nuk u bë realitet, ndaj duhen përpjekje të reja për të mos lejuar asimilimin e shqiptarëve të robëruar dhe për të shpëtuar përfundimisht, shpërfytyrimin e vazhdueshëm kombëtar të pjesëve të pa çliruara të trojeve tona.  

Siç dihet tanimë nga të gjithë ne, megjithëse më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria do të shpallte Pavarësinë kombëtare të të gjitha trojeve tona etnike dhe kërkonte njohjen e shtetit të sapo-shpallur shqiptar si dhe tërheqjen e ushtrive pushtuese të shteteve fqinje, të cilat kishin zaptuar pothuajse të gjitha trojet tona kombëtare nga të katër anët e Shqipërisë, nuk ndodhi ajo që do duhej dhe do të ishte e drejtë për shqiptarët.

Madje të përballura me luftërat e brendshme dhe mos unitetin tipik të faktorit shqiptar, Fuqitë e Mëdha, për rreth një vit, përkundër të gjithave sa ndodhnin me tokat tona, gati sa heshtën fare.  

Për aq më keq, vazhdimi i një gjendje të tillë kaotike dhe kulmimit të zënkave ndërshqiptare edhe brenda Shqipërisë së cunguar, bëri që pas një viti, po ato fuqi, të mos i shpërblenin shqiptarët, por agresorët me më tepër se gjysmën e trojeve tona etnike, të cilat ishin pushtuar që më parë, duke pranuar më pak se gjysmën e tyre, për një shtet (të gjymtuar) shqiptar, sipas vizatimit famoz, nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha vendimmarrëse më 1913, në Konferencën e Londrës. 

Ndaj ne edhe sot, të gjithë jemi dëshmitar se edhe shpallja e Pavarësisë nga shqiptarët, pa ndihmën e miqve të mëdhenj e besnik nga jashtë, siç u dëshmua disa herë gjatë luftërave tona për liri, deri te pavarësimi i Kosovës, për ne si popull do të mbetej vetëm histori.  

Kështu që Hasan Prishtina,prijësi dhe organizatori i kryengritjes së përgjithshme kombëtare, për çlirimin e Shqipërisë etnike i shqetësuar pa masë me rrezikun që i kanosej edhe vet ekzistencës së Shqipërisë londineze, vetëm pak vite pas shpalljes së pavarësisë, në qershor të vitit 1919, në prag të mbajtjes së Konferencës së Versajës, në emër të shqiptarëve, do ti dërgonte një letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Woodrow Winston, për mbrojtjen e Shtetit të ri Shqiptar, i cili rrezikohej më shumë se kurrë, me shuarje të plotë nga Serbia, Greqia dhe Italia e cila tanimë edhe kishte pushtuar Vlorën.         

I entuziazmuar nga kontributi i pareshtur kombëtar i Hasan Prishtinës në mbrojtjen e Shqipërisë, atdhetari i mirënjohur Sotir Kolea në gazetën dyjavore shqiptare,”L`Albanie”, e cila atëbotë dilte në gjuhën frënge në Lozanë të Zvicrës, do të shkruante: “Populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik se sa grupi i atdhetarëve të mëdhenj të udhëhequr nga Hasan Bej Prishtina”.    

Ndaj presidentit amerikan Winston Woodrow, pas përsëritjes së thirrjeve nga patriotët shqiptar, drejtuar ati si president dhe Qeverisë Amerikane, në konferencën e Versajës më 1919, parandaloi copëtimin e tërësishëm dhe fshirjen nga faqja e dheut, të shtetit shqiptar, kohë kur tentohej shuarja edhe e asaj pak Shqipërie që vetëm juridikisht, ende ekzistonte në kufijtë e vizatuar sipas versionit të Konferencës së Londrës.  

Fan Noli i madh, i frymëzuar nga përpjekjet e paepura të mërgimtarëve atdhetar në SHBA, për mbrojtjen e Shqipërisë, do të shkruante vargjet famoze të mbetura testament në histori, të cilat edhe sot e kësaj dite këndohen me shumë ëndje nga shqiptarët:  

             “Mbahu Nëno mos ke frikë  

            Se ke djemtë në Amerikë!”.    

SHBA më 1999, ndihmoi edhe Dardaninë dhe shpëtoi popullin e saj shqiptar nga asgjësimi që i kishte përgatitur regjimi okupator e gjenocidial serb dhe në krye të NATO-s, me sulmet 78 ditëshe-ajrore nga 24 marsi i atij viti, gjunjëzoi Serbinë shoviniste dhe detyroj tërheqjen përgjithmonë të saj si okupatore klasike nga Kosova. 

Të gjitha këto fakte dhe shumë argumente tjera, nga kronologjia e trishtë e kohëve të kaluara, na bindin se festa jonë kombëtare, 28 Nëntori, përveç si festë gjithëshqiptare, është edhe një ditë krenarie dhe rast i përzgjedhur historik, për nderim e mirënjohjeje të veçanta ndaj mikes tonë më të madhe që kemi në botë- SHBA-ve, duke filluar me falënderimet më të mira për Presidentin Winston Woodrow, i cili shpëtoi Shqipërinë nga shuarja e planifikuar, më 1919 në Konferencën e Versajës, për të vijuar me Presidentët Bill Klinton që çliroi Kosovën nga okupimi serb, si dhe Gjorgj Bush-in e “ri”, i cili nga vizita në Shqipëri, garantoi kurorëzimin e pavarësisë së Kosovës. 

Pra ashtu siç u shpëtua Shqipëria, edhe Kosova vet, mëvetësinë do ta arrinte vetëm falë SHBA-ve, pak kohë pas deklarimit të Presidentit George W. Bush, me rastin e vizitës së tij më 10 qershor të vitit 2007,në Shqipëri, i cili para shqiptarëve dhe mbarë opinionit ndërkombëtar tha publikisht, se mjaft është mjaft dhe Kosova do të jetë shtet i pavarur! 

Prandaj 28 Nëntori, ashtu siç është një festë gëzimi për ne, është edhe një ditë e shënuar falënderimi me respekt dhe pietet të pafund, për miken më të madhe të popullit shqiptar SHBA-të, si dhe një datë kujtimi për të gjithë të rënët dhe ata që nga viti 1878 e këtej, u përpoqën e luftuan pareshtur për lirinë e atdheut, bashkimin kombëtar dhe jetën me dinjitet të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, në atdhe dhe botën mbarë. 

Edhe me rastin e këtij 28 Nëntori, ashtu si në çdo përvjetorë të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë Etnike, me kënaqësi dhe gëzim të veçantë, shpreh urimet e mia më të mira dhe më të përzemërta, për të gjithë shqiptarët në atdhe, në diasporë dhe kudo gjenden e jetojnë ata. 

Gëzuar kombi im, Datën historike të ngritjes së Flamurit të Skënderbeut dhe Ditën e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, duke uruar nga zemra, që sa më parë të realizohet liria e bashkimi i të gjitha trojeve tona etnike dhe përfundimisht të jetësohet Shqipëria Natyrale, ku përjetësisht do të festonin shqiptarët e bashkuar! 

Ndërsa për të gjitha ato që as ne, si pjesëtarët e këtij brezi, të konsideruar me fat, nuk kemi mundur ti arrijmë, mbetet borxh i brezave të tashëm dhe atyre që do vinë, se rruga e nisur atëherë, duhet quar deri në fund, duke mos ndaluar përpjekjet deri në realizimin e plotë të idealit të rilindësve tanë, për bashkimin e të gjithë trojeve tona etnike në një shtet të përbashkët kombëtar, ashtu siç ëndërronin dikur ata dhe dëshirojnë sot e gjithmonë bashkëkombësit tanë kudo, shumë prej të cilëve dhanë jetën dhe sakrifikuan çdo gjë nga vetja- që një ditë-edhe shqiptarët të jetojnë të lirë e të pavarur si dhe të unisuar në një shtet të përbashkët kombëtar.  

GËZUAR 28 Nëntori të gjithë shqiptarëve kudo që gjenden dhe jetojnë ata në trojet e veta etnike dhe diasporën tonë!  

Blendi Fevziu, Albin Kurtit: Nuk besoj që dikush ka mandatin të negociojë për shpirtrat e 1133 fëmijëve të pafajshëm, të vrarë nga serbët!

0

I nderuar Kryeministër i Kosovës,

I dashur Albin,

Së pari ju uroj 28 nëntorin, festën e flamurit dhe ditën, kur gjithë shqiptarët me mandat përfaqësimi, nga Mitrovica në Prevezë, nga Shkupi në Durrës, u mblodhën në Vlorë dhe shpallën pavarësinë e vendit të tyre. Pavarësisht se si fuqitë e mëdha i dizenjuan kufijtë e shtetit të mëvonshëm shqiptar, dhe pavarësisht faktit se më shumë se gjysma e banorëve ngelën tragjikisht jashtë kufijve zyrtarë të shtetit të tyre, ata kurrë nuk rreshtën së festuari këtë ditë. Duke e konsideruar ditën e vendimmarrjes së tyre të madhe.

Sot po ju drejtohem për një problem që më ka prekur thellë së fundi.

U ktheva prapë dje në Prishtinë për atë ekspozitë. Eshtë e vështirë të dalësh prej saj i papërlotur. Takova babain e familjes Muqolli. Ka humbur katër fëmijë në 17 Prill të vitit 1999. Shehiden 14 vjeç, Naserin 13, Ylberin 10 dhe Egzonin 4. Bashkë me fëmijët edhe bashkëshorten, nënën dhe babain, katër motra dhe familjen e vëllait.

I ka gjetur të masakruar dhe të djegur në dhomën e shtëpisë. Të vetmen sende që ruan prej tyre janë disa fletore shkolle, që i ka gjetur të shprëndarë në oborr në baltë. I ka sjellë në ekspozitë. Përpara tyre, me zërin e dridhur, më rrëfeu motivin për të cilin vendosi të jetojë. Që fëmijet e tij dhe sakrifica e tyre, si e gjithë fëmijëve të Kosovës, të mos harrohet kurrë.

Takova familjen Klinaku, që 22 Shtatorin e vitit 1998, humbi vajzën 6 muajshe. Cili mund të jetë faji i një fëmije 6 muajësh, veçse që erdhi në jëtë në një moment tragjik dhe iku nga kjo jetë po kaq tragjikisht? Nuk kanë asnjë fotografi të vajzës. Janë djegur bashkë me shtëpinë. E vetmja gjë që mbetet është një fustan, sendi më me vlerë që trashëgojnë dhe që e kanë vendosur në atë ekspozitë.

Në udhëtimet e mia nëpër botë më ka qëlluar të shoh muzeume dhe ekspozita të ngjashme. Në Ruanda kam vizituar Muzeun e Genocidit. Në një pavion të tij flitet edhe për Kosovën; në Jeruzalem Vad Jashemin; në Berlin atë të Murit famëkeq dhe të viktimave të tij; në Adis Abeba muzeun e krimeve të Komunizmit; në Poloni Aushvitzin, Në Kamboxhia muzeun e masakrave të Khmerëve të Kuq. Të gjithë këta janë institucione tejet të rëndësishme në këtë vende, për të mos thënë me kryesorët. Janë dëshmi e historisë, por shpesh edhe të absurdit dhe egërsisë të këtyre vendeve vetë.

Për fatin e keq, Kosova jo vetëm që nuk e ka një Muze të tillë, por edhe kjo ekspozitë e ngritur përkohësisht qëndron ende në një bodrum. Thuajse këta fëmijë, skanë më nevojë të shohin përmes sendeve të tyre të dikurshme dritën e diellit. Si të gjithë të rënët pafaj kudo në botë. Kosova se ka ende nje Muze të genocidit, as një Muze të krimeve të luftës; madje, spo guxon të shndrroje në Muze permanent as këtë ekspozitë të fëmijëve që humbën jetën tragjikisht në vitet e luftës.

Dëgjova që një Muze i tillë nuk para pëlqehet nga ndërkombëtarët. Sepse sipas tyre, një shtet multietnik nuk ndërtohet duke kujtuar krimet që njëra palë ka bërë ndaj palës tjetër. Shpresoj që kjo të jetë e pavërtetë ose keqkuptim. Sepse nuk besoj se ka ndonjë “ndërkombëtar”, të çfarëdo kombësie, që guxon të mendoje se shteti multietnik ngrihet duke i fshehur krimet dhe jo duke i ndëshkuar ato; duke fshehur kriminelet dhe duke mos lejuar prindërit që t’i tregojnë brezave që vijnë sakrificën e tyre. Unë besoj se shteti multietnik ngrihet duke e njohur e përballur dhe jo duke e injoruar historinë. Sepse i i tille s’do ishte kurrë një shtet multietnik; do ishte një shtet i ngritur mbi mosbesimin.

Së fundit unë nuk besoj që dikush në Kosovë, ka mandatin të negociojë për shpirtrat e 1133 fëmijëve të pafajshëm, qoftë kjo e justifikuar me ardhmërinë apo çdo premtim tjetër. I çfarëdo lloji qoftë.

I nderuar zoti Kryeministër. Nxirrini kujtimet e atyre 1133 fëmijëve të rënë në luftë nga ai bodrum. Vendosini sendet e tyre të fundit aty ku ju takojnë. Në vendin më të dukshëm të shtetit tuaj të ri; në vendin prej nga nis historia e tyre. Histori që ka në thelb të saj sakrificën e tyre të paçmueshme.

Unë e kuptoj që lufta dhe protagonistët e saj trazojnë edhe zhvillimet politike të sotme. Por këta fëmijë nuk kanë lidhje me asgjë. Ata nuk lënduan askend e sot nuk po kërkojnë asgjë. Veç pak dritë dielli që ju takon edhe pse s’janë më në këtë botë.Unë e kuptoj që të rënët skanë gojë e as votë. E kuptoj që prioriteti është gjithnjë i atyre që klithin më shumë; që bërtasin, që ngrenë zërin. E di që ka gjëra të përditshmërisë që duhen zgjidhur e kërkojnë ngut. Por është në dinjitetin e një kombi dhe në detyrën e një qeverie, të dëgjojë edhe ata që s’flasin dot. Që jua prenë fjalën përgjithnjë, përdhunësisht, krejtësisht pa faj.

Vizitojeni edhe vetë atë ekspozitë zoti Kryeministër. Si një dëshmitar i asaj kohe dhe si qytetar, që sot jeton normalisht, në Republikën e Kosovës e ngritur edhe nga sakrifica e tyre. Si një prind, që mund ta kuptojë dhimbjen e atyre prindërve që fëmijët e tyre si puthën e si përkedhelën më kurrë. E madje që sot, s’mund t’ju shohin as tiparet në një fotografi. Dhe që ende 22 vjet pas luftës, askush s’ka kurajon ti vendosë në Muzen që meritojnë.

Miqesisht

Blendi Fevziu

May be an image of text that says 'Ardiana Klinaku Familja FustaniiArdianes Ardianes Klinaku nẽ mengjesin 22 shtatorit tê vitit 1998 braktin fshatin Bivolak dhe, asaj Zhilivodes. Tề nesern endasit tjere, kanê shkuar nô zone. Ciflat marra, ajo a nder kane flluar nga granatimin me nga halla. Ardianễ»n tan Ardiana dhe, kishte plagêt dhurate Porodica Ardianina haljina krenula prema Kljinaku planini ujut granate Sutradan su povreda. srpske pogodili snage Ardiana dno napustila sa anatiraju preminula ostalim to selo mestanima. Bivoljak od tetke na od područje poklon. zadobijenih Delovi the ether rdiana, forces Serbian Klinaku with family other from her and she began dieg locals, had aunt'
May be an image of 1 person
May be an image of 3 people, people standing and indoor
May be an image of 3 people and people standing
May be an image of 2 people and shorts
May be an image of 4 people and indoor
May be an image of indoor
May be an image of 2 people

Kryeministri Kurti takohet me kadetë të FSK-së, studentë të Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtes, Armend Mehaj, koloneli i FSK-së, Hamdi Pollomi dhe asistentja ekzekutive e Kryeministrit, Valë Gjonbalaj, priti në takimi katër kadetët e Forcës së Sigurisë Kosovës, Alma Kololli, Blend Spahiu, Diogjena Rrudhani dhe Endi Sherifi, që janë duke ndjekur studimet në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në takimin që u mbajt pikërisht në Ditën e Flamurit, kryeministri Kurti ua uroi këtë festë të rëndësishme për kombin tonë katër kadetëve të pranishëm. Ai i inkurajoi që të përfitojnë sa më shumë prej Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe nga ndërveprimet me ushtarakët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Krahas dijes dhe përvojave, lidhjet personale që krijohen me ushtarakët e Shqipërisë janë po aq të rëndësishme. Ura që ndërtohet përmes juve është tejet e vlefshme, u shpreh Kryeministrit Kurti.

Ky është brezi i parë i kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që për 3 vjet do të ndjekë studimet në këtë akademi. Kadetët u shprehën se për ta është krenari që të përfaqësojnë Kosovën në këtë institucion të rëndësishëm, kurse nder që të takohen me kryeministrin Kurti në këtë datë të sotme.

Kryeministri Kurti në Prekaz: Përkulemi dhe nderojmë ata që sakrifikuan e u flijuan për liri, pavarësi e bashkim

0
Për nder të 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me kabinetin qeveritar, bënë homazhe dhe vendosen lule te varrezat e dëshmorëve dhe te shtatoret e personaliteteve historike.
 
Mëngjesin e ditës së sotme kryeministri Kurti e nisi me vizitë tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, derisa tha së 28 Nëntori është një datë themelore e identitetit kombëtar shqiptar.
 
“28 Nëntori është një datë themelore e identitetit kombëtar shqiptar, e që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike tonat, prej Skënderbeut në Krujë, të Ismail Qemali në Vlorë, të Adem Jasharit në Prekaz”, u shpreh kryeministri Kurti. Ai veçoi se padyshim që kjo është një ditë e cila na mbush edhe me gëzim edhe me krenari, por edhe me përgjegjësi, për shkak se detyrat para nesh për të ngritur mirëqenien e shqiptarëve dhe qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendin tonë, për të shtuar demokracinë në Republikën tonë janë më të rëndësishme se sa kurrë më parë.
Dhe ne, shtoi me tej kryeministri Kurti, bëjmë gjithçka që dimë e mundemi të jemi në nivel të kësaj detyre që e vazhdon me paqe, punën dhe luftën e madhe të atyre që e bënë në kohëra shumë më të vështira se sa kjo e jona.
“Me këtë rast përkulemi dhe nderojmë ata që sakrifikuan e u flijuan për liri, për pavarësi e për bashkim”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij para gazetarëve.
 
Pas homazheve në Prekaz, Kryeministri i Republikës, Albin Kurti bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, bëri homazhe edhe te shtatoret e Ismail Qemalit e Zahir Pajazitit, dhe varret e Presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi, në Prishtinë
 
Deklarimi i plotë para medieve i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
 
Unë i bashkangjitem urimit të Presidentës së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu për 28 Nëntorin që është një datë themelore e identitetin kombëtar shqipëtar e që lidhet me ngjarjet tona më të rendësishme historike. Prej Skenderbeut në Krujë, te Ismail Qemajli në Vlorë te Adem Jashari në Prekaz. 
Padyshim kjo është një ditë që na mbush edhe me gëzim edhe me krenari por edhe me përgjegjësi për shkak se detyrat para nesh për të ngritur mireqenien e shqiptarëve dhe qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendin tonë, për të shtuar demokracinë në Republikën tonë janë më të rëndësishme se sa kurrë më parë dhe ne bejmë gjithçka që dimë dhe mundemi të jemi në nivel të kësaj detyre që e vazhdon në paqe punën dhe luftën e madh të atyre që e bënë në kohëra shumë të vështira se sa kjo e jona. Me këtë rast përkulemi dhe nderojmë ata që sakrifikuan e u flijuan për liri, pavarësi e për bashkim.

Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit Kombëtar Shqiptar dhe Festën e Pavarësisë

0

Nga: Nexhmije Mehmetaj

28 Nëntori – Dita e Pavarësisë së Shqipërisë e kombit tonë shqiptar, ka lindur dhe lulëzon një kulturë të re me një brendi të thellë tradicionale dhe fizionomi të qartë kombëtare. Kudo në familje shqiptare, shkolla shqipe, klube shqiptare, shoqëri kulturore, mësues, nxënës e prindër festojnë e gëzojnë, atmosferë pune përgatitore, serioze dhe mjaft për kushtuese.

Tiparet e sajë të veçanta, përparimtare me të vërtetë arsimore, zënë Shkollat shqipe pranë LAPSH-it “Naim Frashërit “në Zvicër. Kështu përveç orës mësimore kushtuar Pavarësisë ato kanë organizuar veprimtari të ndryshme artistike me rastin e 28 Nëntorit – festa jonë më të madhe kombëtare.

Sa luftë edhe sa sakrifica populli ynë ka dhënë që të fitonte lirinë edhe pavarësinë. Fëmijët tanë duhet ta dinë historinë e Shqipërisë! Mësimi i drejt i historisë sonë kombëtare do t’i ndihmojë ata të duan e të respektojnë veten dhe kulturën e vet shqiptare. Të gjithë fëmijët tanë kanë nevojë të njohin që populli shqiptar ka luftuar po me aq heroizëm dhe vetëmohim sa edhe popujt e tjerë. Gjithashtu populli shqiptar ka ruajtur dhe ruan vlera të çmuara në gjirin e tij siç është figura e ndritur e Gjergj – Kastriotit – Skënderbeut që na bënë krenar me emrin dhe veprën e tij madhështore.

Më poshtë shihni disa veprimtari nga shkollat shqipe në: Monthey-Chablais, Bernë, Cyrih, Baselnad, Argau etje. Falënderojmë mësueset e palodhura: Ganimete Demri -Jakupi, Ida Jashari, për punimet e dërguara.

Delemon, Zvicër, më 28. 11. 2021 

Folë, o flamur kuq e zi, ç’është ky shqetësim?

0
NË VEND TË URIMIT
Sot në mëngjes, e pash tek sa u zgjova flamurin kuq e zi që kishte ardhur te dera e shtëpisë, ishte ndalur para dere dhe qante.
Po, po qante.
Harrova të ju tregoj se dënesjet e tij ma nxoren gjumin.
Më trazoj dhe shqetësimin ma futi deri në palcë.
Disi mu muar goja, nuk mund të flisja.
Këmbët më dridhëshin.
Shenja të fajtorit, janë këto.
Dola me vrap, ashtu pa i pastruar as sytë, dhe po e pyeti se çka u bë, pse më trazon.
Folë, o flamur kuq e zi, ç’është ky shqetësim?
Mos vall donë edhe vajtimit me ia marr?
Po për vajtim jam bë, e erdha që të vajtojmë bashkë.
Po donë me më përzën nga këtu, mi kanë mbyllur të gjitha shtigjet që pata valëvit e shetit që prej Gjergjit e këtej në këto anë, më tha.
Asnjëherë nuk qesh dorzuar, edhe atëherë kur notoja në gjak, në gjakë të freskët dhe haja dhe të ngjizur në gjak.
Po, po në gjakun tim, në gjakun e lirisë.
Më njihte me gjasë, nuk më kishte harruar sepse e kisha bashkudhëtar timin shumë kohë.
Ndoshta për atë më kishte ardhur te dera sot.
E sot, sot mezi erdha, më tha tejet me shqetësim.
Kishin dalë do cuba e hajna të malit e ma kishin zënë rrugën. Nuk duan të më shohin më këtu në Dardani.
Ju paska thënë dikush se kendej nuk është më toka ime.
Keta e pranuan këtë të zezë të atdheut dhe po duan me më përzën nga këtu.
Paskanë harruan të mjerët se unë këtu kam lindur, mu në zemrën e Ilirisë, e Dardanisë, e unë në jetë e në luftë deri sot u kam pri.
Sa keq, vazhdoi të zbras mllefin flamuri kuq e zi, në mua në këtë mëngjes të ftohët.
Eja të hyjmë mbrenda i thashë, tani si në faj mbahesha unë.
Po vij më tha.
Po të njoh, për atë erdha te ti të qaj, se vetëm ti dhe shokët e tu po e shihni dhe po e kuptonin vdekjen time në Dardani.
Ty me shokë të besoj dhe të kuptoj.
Tani kur po ju shkruaj, ende jemi duke kuvenduar me flamurin kuq e zi.
Ka shtruar drejt të gjitha vuajtjet e tij në tavolinë në këtë nëntor të zymtë, më të zymtë se dje. Qiti në letër këto që pa ti thamë, më tha, flamuri kuq e zi.
U mundova të përgjigjësha duke belbëzuar se si unë nuk jam fajtor, se si unë dhe ti duhemi dhe nuk do të ndahemi kurrë, por, e pash me sytë e mi se nuk më besonte.
Kush ma zuri vendin ketu?, më pyeti.
Nga erdhi, kush e solli, dhe kush po i ndërton shtëpi këtij harrëni të përshkllirë në tokën time.
A i keni treguar këtij harrëni se unë isha Zot i kësaj toke, se këtu unë linda, e tregoni se unë nuk shuhem dotë nga ky dhe e kjo tokë.
Kjo është shtëpia ime, vazhdonte duke mos më lënë asnjëherë as të tentoj të i përgjgjëm.
Po çka kisha me i thënë, kur e dija më mirë se ai, se ai nuk ishte fajtor, se kishte të drejt edhe të më përzinte nga toka e tij.
Shkoni në dreq të mallkuar, në Anadoll e përtej dreqit të mallkuar, ju me atë far harrëni të përshkëllirë.
U përqafuam pa u pajtuar, sepse flamuri kuq e zi tha, kurrë nuk do ua fali, këtë që më larguat nga shtëpia ime, dhe nuk po doni më me më parë.
Tregoni tha atij far harrëni të kupës e shumë harrënave tjerë të përkshillërë që të ikun sa më parë nga toka ime.
Unë jam i vërteti dhe sundimtari i tokave të mija.
Nëse doni ta shihëni flamurin kuq e zi që më qortoi sot, ai ende është me mua dhe tërë jeten do të jetë te unë.
Nga gjaku kam lindur, e në gjak për tokën time kthehem, po thotë flamuri kuq e zi.
Datë 28 nëntor … 2018/19/20/21/….., Prishtinë

Flamuri im, i shenjti im, urime ditëlindjen!

0
Dritë Ruhani, Prishtinë
Flamuri
Tregim
Nënë Vera, kishte blerë për secilin fëmijë nga një flamur të vogël. Hektori, i pari, me ta marrë në dorë e shtrëngoi fort për gjoksi e pastaj e puthi në një kënd. E puthën edhe fëmijët e tjerë. Prindërit u kënaqën. Skena ku Isë Boletini, puthi flamurin në Vlorë, dukej se iu kishte lënë të gjithëve mbresa të thella.
– Tezja Verë e xhaxhi Lekë, flamurin, njëjtë si Gjergj Kastrioti e si populli që me fanatizëm e ruajtën gjatë shekujve, edhe ne do ta ruajmë me krenari, – iu tha atyre Hektori dhe pastaj u kthye nga fëmijët: – A po, të dashur?
– Pooo! – klithën të gjithë njëzëri.
– Kështjella dhe Skënderbeu janë motivues për secilin. Të dërgojnë në epokën e tyre dhe me historinë e lavdishme të kalisin ndjenjën më të bukur, krenarinë që je shqiptar, – ua bëri nënë Vera fëmijëve dhe duke e lëmuar në kokë Hektorin recitoi:
E ne, o fëmijët e mi
valët okupuese i shuam
retë e zeza i larguam
Po për armikun e zi
plagët kurrë s’u shëruan
Krujën, kurrë s’e harruan!
– Nënë, këtë flamur që na dhurove, a e kishte edhe Skënderbeu?! – e pyeti Rroni me zërin e tij prej fëmije.
– Pooo, – u përgjigjën të gjithë.
– Rron, historia e flamurit tonë filloi me 28 nëntor 1443. Atë ditë të madhe Gjergj Kastrioti, me duar të veta e ngriti atë mu në këtë kështjellë, – tregoi Morea.
– Një vit më vonë, në Lezhë, u mblodhën gjithë princat arbërorë, pa dallim feje: si katolik, latin apo ortodoks, dhe formuan Besëlidhjen kombëtare… – vazhdoi Hektori.
– E mysliman? – e ndërpreu Rroni.
– Atë kohë nuk ekzistonte feja myslimane tek shqiptarët. Të gjithë ishin të krishterë, – i tha Hektori dhe shtoi: – Ata atë ditë, zgjodhën Skënderbeun për prijës. Dhe, pavarësisht që secili prej tyre e kishte flamurin e vet, ata u rreshtuan pas flamurit të Skënderbeut. Atë ditë flamuri i Skënderbeut u bë simbol i unitetit kombëtar dhe me atë flamur hynë në çdo betejë kundër Perandorisë Osmane dhe betejave tjera ndër shekuj. Kurrë nuk mundi askush ta përulë flamurin tonë i cili njihet si më i vjetri në kontinentin tonë.
– Edhe rilindësit me krenari e ngritën atë përsëri më 28 nëntor 1912 në Vlorë, dhe me të shpallën pavarësinë e trojeve shqiptare, – plotësoi zotëri Leka.
– Ky flamur priu, po ashtu, para Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftë për liri nga shovinistët serbë si dhe në Maqedoni e Çamëri, për të drejtat e barabarta, – shtoi nënë Vera.
– Edhe pse flamuri i rezistoi shumë shekujve dy elementet e tij, fusha e kuqe dhe shqiponja e zezë me dy krerë, nuk ndryshuan asnjëherë, – vazhdoi Hektori me një ndjenjë krenarie.
– Ku po e di këtë Hektor? – e pyeti Rroni kureshtar.
– Nga historiani Marin Barleti, që ishte bashkëkohës i Skënderbeut, – iu përgjigj ai bindshëm duke e shikuar në sy.
– A vetëm në Krujë ka luftuar Skënderbeu? – vazhdoi Rroni me pyetje për këtë trim të dalluar.
– Ai e ka pasur një strategji shumë të mirë lufte, shpirt. Meqë ushtria turke ishte shumë e madhe, thuhet se ai diku dy mijë ushtarë i linte ta mbronin qytetin, e vet me pjesën dërrmuese të ushtrisë fshihej nëpër pyje dhe i sulmonte në befasi osmanët. Kështu, i mundte pushtuesit, – iu përgjigj i ati.
– Si Robin Hudi, – klithi Albana gjersa po e përkëdhelte Agenën.
– Po shpirt, mu si ai, – qeshi i ati dhe vazhdoi: – Po kush e di se çka simbolizojnë ngjyra e kuqe dhe shqiponja?
– Ngjyra e kuqe, që nga koha e ilirëve, ka simbolizuar luftërat për liri, – tha Morea.
– Para ilirëve, Morea, i kemi pellazgët që në kohën e tyre, kanë besuar në fuqitë e mbinatyrshme dhe kanë menduar se nga hyjnitë varej jeta e tyre, sëmundjet dhe moti, – shpjegoi Hektori. – Për këtë, ata luteshin para tyre, për fat e mbarësi. E një nga këto fenomene mbinatyrore ishte edhe Dielli. Ishte kult për ta. Ishte hyjni, para së cilës gjunjëzoheshin. Dielli, sipas besimeve të lashta, lëvizte në qiell, i drejtuar nga shqiponja dykrenore dhe atë gjatë ditës ndriçonte botën tokësore e në perëndim ndriçonte botën e përtejme. Shqiponja e flamurit e ka zanafillën pikërisht tek këto besime të vjetra të popullit që këtë shpend e hyjnizonin. Kaq shumë është paraqitur shqiponja te arbërit në flamuj dhe emblema të ndryshme, saqë ky simbol, përcaktoi dhe emrin shqiptar.
– Eh, sikur të kishim edhe ne dikë si Skënderbeu me siguri nuk do të kishte asnjë qen nëpër rrugë, po do të jetonim me njerëz nëpër pallate, – klithi Koko e mahnitur nga veprat e këtij trimi legjendar.
– Eh! – ia kthyen qentë e tjerë.
*Marrë nga profili në fb i shkrimtares tashmë të njohur për fëmijë.

Princ Leka ua uron Shqiptarëve festën e Flamurit tonë kuq e zi!

0

Tiranë, 28 nëntor 2021

Të dashur motra dhe vëllezër shqiptarë kudo që jetoni,

Ju uroj nga zemra gëzuar festën e Flamurit tonë kuq e zi!
Ai flamur i shenjtë është aroma e bjeshkëve, kreshta e maleve, flladi i rivierës, shkëlqimi i diellit mbi fushat e gjera me lule, dallgët e detit Adriatik dhe kthjelltësia e ujrave të detit Jon, vërshimi i Vjosës, freskia e Drinit, thellësia e kanioneve, kalatë mesjetare, legjendat e lashtësisë, larmia e folklorit, betejat në breza për liri, gjuha e vjetër dhe më e ëmbla!
Të puth në zemër flamur i përgjakur, flamur që i strehon të gjithë në gji…
Lum ata që të duan dhe të nderojnë, e mjerë ata të babëzitur që ta zbehin shkëlqimin, mjerë ata, se të pangopur e të palumtur do i kthehen tokës tënde…
Një urim të veçantë kam për shqiptarët në Kosovë, luginë të Preshevës, Medvegjë e Bujanocë, Mal të zi, Maqedoni të veriut, dhe Çamëri. Faleminderit që e mbani gjallë atdhedashurinë duke u bërë frymëzim patriotizmi edhe për ne që atdheun dhe lirinë i marrim të mirëqënë…
Ne foto: teksti është në faqen e fundit të Pasaportës së Mbretërisë Shqiptare, 1928-2002.

Postime festive: Kjo është Stema e Mbretërisë së Kastriotëve, sipas hulumtimeve dhe zbulimeve historike të Prof. Dr. Jahja Drançollit!

0
Prof. Dr. Jahja Drançolli, historian, Prishtinë
Postime festive: Stema e Mbretërisë së Arbërit dhe e Mbretërisë së Kastriotëve!
Brimi: Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut!
_______
Ndodhë ndonjëhere që fjalët janë të tepërta, pasi mjafton vetëm dokumenti me pak fjalë, kështu siç ia bënë të ditur opinionit publik Profesori i njohur i historisë së mesjetës, Jahja Drançolli.
Kryeheroi i kombit, Gjergj Kastrioti

Flamuri dhe stema e Arbërit sipas burimeve historike të shek. XIII-të, konsiderohen si më të vjetrit në Europën Juglindore

0
Prof. Dr. Jahja Drançolli, historian, Prishtinë
Një urim dhe përkujtim nga historiani i njohur.
Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, simbolin më të çmuar të historisë sonë mijëravjeçare, që përkujtohet sipas kalendarit historik në çdo vit e deri më sot shumë më tepër me gjak se sa me lot në sy!
Flamuri dhe stema e Arbërit sipas burimeve historike të shek. XIII konsiderohen si më të vjetrit në Europën Juglindore. Pas themelimit të Perandorisë Latine (1204) nga Republika e Venedikut, mbretëria e Francës dhe ndonjë vendi tjetër europian, shteti i Arbërit, Epirit dhe Moresë (siç kishte bërë mbretëria e Kroacisë në vitin 1102 me mbretërinë e Hungarisë), do të kërkojnë mbrojtje nga bujaria e shteteve në fjalë, shtete këto që kishin sjellë në Arbëri traditën europiane të heraldikës. Derisa, sipas traktatit në Viterbo të Italisë (1267), Epiri dhe Morea do të përfshiheshin nën mbrojtjen e Karlit I të Anzhuit, ky veprim do të preferohej nga zotërit arbër në vitin 1272, vit që përkon me themelimin e Mbretërisë së Arbërit (De Regnum Albaniae) me në krye Karlin I (Rex Albaniae), me qendër në Durrës. Në këtë kontekst, heraldika arbërore, e cila ruajti simbolikën, që nga kohërat më të hershme të qytetërimeve mesdhetare, do të përfshihet fuqishëm në rrjedhat e mëtejshme të Europës Perëndimore, në veçanti të shteteve italiane të kohës. Kjo traditë e pasur europiane do të shfaqet veçanërisht në heraldikën e familjeve të njohura arbërore, si Kastriotët, Dukagjinët, të cilët së bashku me qytetin e Prizrenit zotëronin edhe rajonin e Rrafshit të Dukagjinit.
Vendosja e sundimit Osman (gjysma e dytë e shek. XV) do ta ndalë këtë proces të trashëgimisë sonë të pasur, i cili do të vazhdojë sërish vetëm nga 28 Nëntori 1912!
Burimi: Arkivi Historik i Dubrovnikut.