
Pavarësia e Shqipërisë, Shqiptarët i ktheu në familjen europiane

Golgota Shqiptare në kronikat e shtypit të huaj (1912 – 1913)




“Grupet terroriste vazhdojnë të komplotojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën”, e njoftojnë stafin e brendshëm ambasadat e huaja
Disa ambasada të huaja në Kosovë u kanë dërguar një e-mail të brendshëm stafit të tyre, që të evitojnë turmat dhe qendrat e mëdha tregtare nëpër qytetet e Kosovës, pasi ka rrezik për një sulm.
Në këtë e-mail që e ka parë AP, thuhet se bëhet fjalë për “një sulmues të vetëm”.
Koha e mundshme për sulmin eventual është përcaktuar fundi i këtij muaji, saktësisht 30 nëntori.
Në këtë e-mail gjithashtu thuhet se policia lokale është duke monitoruar të dyshuarin.
Për të qenë të sigurt, të gjithë anëtarët e stafit janë këshilluar të mos vizitojnë zonat e mëdha tregtare, veçanërisht qendrat tregtare.
Burime brenda policisë gjithashtu kanë konfirmuar se u është kërkuar një shtim i forcave rreth këtyre qendrave, ku eventualisht është planifikuar sulm, porse një operacion operativ i organizuar nuk është dhënë.
Policët më të shumtë në numër aktualisht po bëjnë monitorime dhe vëzhgime për të siguruar perimetrin përreth këtyre qendrave.
Sulmi, siç mësohet është kategorizuar si “sulm i mundshëm terrorist”.
Zyrtarisht megjithatë, Policia e Kosovës asgjë nuk ka konfirmuar.

Për shkak të rrezikut nga një sulm i mundshëm, përfaqësues të diplomacive të huaja në Kosovë kanë paralajmëruar punonjësit e tyre që t’i shmangin turmat dhe qendrat e mëdha tregtare.
Ky paralajmërim ka arritur të sjellë reagime në vend për shkak të rrezikut që Kosova mund të përballet.
Në lidhje me këtë së fundmi ka reaguar Ambasada Amerikane në Kosovë, e cila ka publikuar një njoftim për shtetasit e saj, siç bën zakonisht në faqen travel.state.gov.
Të dhënat e publikuara për Kosovë, bëjnë të ditur që qytetarët duhet të kenë kujdes në lëvizjen e tyre pasi mund të ketë sulme potenciale nga grupe terroriste, përcjell “Bota sot”.
“Grupet terroriste vazhdojnë të komplotojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën. Terroristët mund të sulmojnë me pak ose aspak paralajmërim, duke synuar vendndodhje turistike, qendra transporti, tregje/qendër tregtare, objekte të qeverisjes vendore, hotele, klube, restorante, vende kulti, parqe, ngjarje të mëdha sportive dhe kulturore, institucione arsimore, aeroporte dhe të tjera hapësira publike”, thuhet në udhëzimet e publikuara.
Në të dhënat e publikuara më 22 nëntor nga kjo faqe, thuhet se shtetasit amerikanë duhet të kenë kujdes dhe t’i rishqyrtojnë udhëtimet për në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç për shkak të tensioneve dhe potencialit për trazira civile në atë pjesë.
Treshja Rama – Grenell – Vuçiq, tenton ta kthej Kongresin “Pan Shqiptaro – Amerikan (PAAC) në vegël të Open Ballkan-it!
Lirim Gashi, Prishtinë
Në vitin 2020 me iniciativën dhe përkrahjen e Hashim Thaçit dhe Vlora Çitakut këtij dyshi tregtues pjellor politik dhe përtejpolitik, që është i lidhur me njëri tjetrin si Viva me Fresh dhe që çuditërisht akoma nuk ka arritur të shndërrohet fizikisht në tresh, është themeluar Kongresi “Pan Shqiptaro-Amerikan” , në anglisht PAAC, i cili Edi Ramen dhe Richard Grenelin i ka kthyer në Bypass.
Dhe pasi që Hashim Thaçi është një tenxhere që e gjënë gjithmonë kapakun, ai punëve të tija të pista gjithmonë ia vë sipër Vlora Çitakun.
Dhe pasi që kjo e fundit po ashtu është një tenxhere që e gjënë gjithmonë kapakun, me preferencën e saj si Kryetar (Chairmen) i përkohshëm i PAAC është emëruar Harun( Bruno) Ceka, ndërsa si drejtor ekzekutiv Martin Vulaj, i paraparë njëkohësisht edhe si lobues në Washington DC.
Mirëpo sipas informatave që i kam, ky i fundit është një person që nuk gëzon aq shumë autoritet në komunitetin shqiptaro-amerikan në USA, sepse aferat e tij të para korruptive datojnë qysh nga koha e Fatos Nanos, prandaj edhe quhet ish advokat, sepse i është marrë pakthyeshëm leja e punës, që domethënë se ky njeri në USA jo vetëm që nuk guxon ta ushtrojë kurrë më profesionin e tij, por as të garojë në garë për ansambleist të komunës.
Deri në muajin shtator pjesë e PAAC ishte edhe Ilir Rusi, vëllai i biznismenit të njohur dhe shumë të pasur Selim Rusit (Sall Rusit), i cili dha dorëheqje pasi që doli në pah se ishte në vizitë pune në Moskë në gushtin e ketij viti.
Të lartpërmendurit të udhëhequr nga Edi Rama dhe të përfaqësuar nga lobiisti i Aleksandër Vuçiqit Richard Grenell, perkrahjen më të madhe financiare dhe logjistike e gëzojnë nga Devollet dhe nga shumë biznismenë të tjerë oligark dhe udbash nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe natyrisht nga pjesa e opozites kosovare që vdesë nga dëshira për ta bërë Kosovën Eldorado të Ballkan Open-it !
Për ta bërë këtë buqkurush funksional në fillim të muajit dhjetor në USA apo edhe më konkretisht në shtetin Michigan, do t’i organizohet Edi Rames një pritje madhështore treditore.
Dhe pikërisht kjo ishte arsyeja pse organizatorët e kësaj pritjeje treditore Ekrem Bardha, Sall Rusi, Martin Vulaj dhe Vehbi Bajrami fluturuan kohëve të fundit kaq shpesh me aeroplanin e tyre privat nga NewYork në Tiranë e Shkup dhe anasjelltas, ku qëndruan nga disa ditë rresht.
Devollet që selinë e tyre kryesore të “Princ Kafe” e kanë në Bronx NY, për ta rritur ndikimin e tyre në PAAC kontribuuan fillimisht me 25.000 dollarë !
PAAC, tashmë është ndarë në dy grupe, apo edhe më saktësisht në kryesi (board of directors) që udhëhiqet nga Bruno( Harun) Ceka si Chairman i përkohshëm dhe që është në shërbim të dyshes Rama-Grenell dhe në grupin tjetër që udhëhiqet nga Sekretari, Bleron Baraliu, që është po ashtu njëri nga themeluesit !
Prandaj një delegacioni i përbashkët i PAAC, do të pritet në Tiranë nga data 14 deri në 17 dhjetor personalisht nga Edi Rama, i cili do të përpiqet që t’i bashkoi këto dy grupe të ndara kinse për të mirën e tyre, e në fakt për të mirën e tij personale dhe për të mirën personale të vëllait të tij Vuçiqit.
Në fakt PAAC, është themeluar nga treshja Thaçi-Rama-Grenell për t’ia dhënë në mënyrë indirekte dhe tepër djallëzore legjitimitetin e Shqiptaro-Amerikanëve Aleksandër Vuçiqit.
Me 8 Janar është i thirrur Kongresi, pra Kuvendi Zgjedhor i PAAC, ku pritet të shkarkohen të lartëpermendurit dhe të ju mirret e drejta e veprimit anti kombëtar në emer të Shqiptaro-Amerikanëve, gjë që është njëherësh përgjigje në pyetjen pse Edi Rama po i intensifikon përpjekjet e tij për ta bërë të panevojshëm mbajtjen e këtij kongresi.
Vlenë të theksohet fakti se këta politikanë mafioz dhe anti kombëtar kanë deshtuar ta kenë partner të tyre të besueshëm Milo Gjukanoviqin, edhe përkundër përpjekjeve mbi-njerëzore , gjë që flet shumë për vlerat e larta patriotike të këtij të fundit.
Detyra ime si gazetar dhe analist është që ta informoi saktësisht opinionin dhe njerëzit vendimmarrës në politikën tonë se çka po ndodh.
Asgjë më pak dhe asgjë më shumë.
Pra t’i informojë të dyjat palët në mënyrë që tradhtia të mos i zë në gjumë.
Lutem për vigjilencën e të gjitha atyre që besojnë në vlera sublime, sepse asnjë veprim tjetër parandalues nuk është në dorën time.
Vrasja e Mustafës, deklarata e Sabahate Tolajt dhe “porosia e Hashimit”

Idriz Zeqiraj, Gjermani
I. Gazetarët janë minitoruesit, përgjuesit të përhershëm, qoftë të qeverisë, partive politike, por, edhe të shoqërisë të një vendi, në përgjithësi. Zakonisht, gazetarët edhe për qeverinë më të mirë, duhet të jenë oponentët e saj, për ta mbajtur në tension, të mobilizuar qeverisjen e mirë, larg korrupsionit, nepotizmit dhe të shkeljeve të tjera. Gazetarët, përgjatë profesionit të tyre, hulumtojnë gjithçka që bie ndesh me ligjet shtetërore e njerëzore dhe denoncojnë para opinionit publik. Shkeljet mund të jenë edhe penale, ligji duhet të veprojë. Pikërisht, këtu fillon shenjëstrimi i gazetarëve, nga bandat dhe kriminelët, që janë në mbrojtje të shefave korruptivë dhe vese tjera kriminale.
“Komandantët” humbës, donin pushtetin me dhunë
Vrasja e një gazetari përçon mesazhin e qartë të kërcënimit, përkatësisht, frikësimit, jo vetëm të kolegëve të tij, por, edhe të kujtdo tjetër, që merr guximin, për të denoncuar krimin dhe kriminelët. Gazetari i parë viktimë, ishte Ali Ukaj, njëherësh, edhe zëdhënës i parë i UÇK-së, i cili u vra në prag-lufte, në Shqipëri, për të vazhduar gjatë luftës, me vrasjen e gazetarit Shefki Popova.
Zgjedhjet e para të pas luftës, ishin zhgënjim i madh, për të majtën ekstreme enveriste-staliniste, LPK-në e djeshme, PAN-in e sotëm të Kosovës. Ata, me propagandën e tyre lehaqene, kishin agjituar rrejshëm e mashtrushëm, se, gjoja, ata dhe vetëm ata “e bënë luftën, çliruan Kosovën, e sollën lirinë!” Prandaj, sipas tyre, ata duhet ta zotëronin pushtetin, qeverisjen.
Ndërkohë, ndodhi e kundërta. Populli nuk u besoi gënjeshtrave, shpifjeve për kundërshtarët politikë dhe votat ia dhënë partisë rivale, LDK-së. Kjo parti e themeluar dhe e udhëhequr, mençurisht dhe dinjitetshëm, nga Dr. Ibrahim Rugova, ishte përballur, përtej një dekade, me pushtuesin, duke krijuar edhe institucionet paralele, deri edhe resorët ministrorë. Qeverisja e LDK-së, në kushtet e një pushtimi të egër, kishte siguruar mbijetesën e popullit të Kosovës; funksionimin e shkollave, qoftë edhe jashtë objkteve shkollore, duke përdorur shtëpitë private; shërbimin shëndetësor; ndihmën modeste sociale për popullin, tashmë, kolektivisht, i larguar nga puna.
Mbështetja popullore për partinë e Presidentit Rugova, i tërboi anarshistët komunistë, të cilët vinin nga organizata e LPK-së, e instruktuar nga Sigurimsat e diktatorit Enver Hoxha, por, edhe me shumë agjentë të UDB, të infiltëruar, shumë vite më parë, në radhët e saj. Janë këta, pikërisht, krerët e LPK-së, të cilët përçanë shqiptarët para luftës, ndërsa i vranë gjatë dhe pas luftës, duke ua ngrirë shqiptarëve buzqeshjen e lirisë.
Qëllimi i kësaj dhune, deri në plumbosje, ishte mospajtimi me të qenurit në opozitë. Donin patjetër pushtetin, e pa fituar me votën e lirë, ta kompensonin me grabitjen e përdhunshme, të përgjakshme.
Ekzekutime listore: gazetarë, ushtarakë, veprimtarë të LDK-së…
Në pasditën e 11 janarit 1999, ishte ekzekutuar, në oborrin e pallatit, në Breg të Diellit, para syve të familjes, Enver Maloku, shefi i Qendres Informative të Kosovës (QIK); në maj 2000, u ekzekutua Ekrem Rexha, alias – Komandant Drini, pranë shtëpisë së tij; në korrik 2000 ndodhi tentim-vrasja e kuadrit të LDK-së, Fetah Rudi, në kthim nga takimi me kryetarin Rugova, në Arllat të Drenasit, pikërisht, ke Ura e Bytyçëve, duke e plagosur rëndë dhe të lënë, përjetësisht, në karrikën invalidore.
Xhemail Mustafa ishte intelektual i kompletuar, njeri i letrave, gazetar, publicist, shkrimtar, këshilltar politik i Presidentit Rugova dhe zëdhënës në media. Më parë ishte gazetar në “Rilindja” dhe redaktor i kulturës. Ishte i survejuar nga UDB-a, më vonë edhe nga BIA.
Krijuesi Xhemail Mustafa, shpirt i ndjeshëm e njerëzor, duke i parë vrasjet e shokëve, pjesë e luftës për liri, madje, duke e ditur autorësinë e tyre, në faqen e tij të së martës, në “Bota sot”, -Të mallkuarit e Zotit -, do t`i anatemonte për krimet e tyre makabre, të cilët vazhdonin krimet e Millosheviçit, duke ia shtuar jetimët Kosovës, edhe pas përzënies të soldateskës serbo-sllave, nga Nato-pakti!
Reagimi i “komandantëve”, të cilët kishin mallkuar popullin e Kosovës, “haram lirinë”, pse nuk ua dha votën, tani, “ia bënë benë” Xhemës tonë artist dhe urtak i pa shoq. Dhe, në pritën e zënë, në hyrje të banesës, në lagjën “Dardania”, u qëllua për vdekje, nga dy atentatorë.
A vritet engjëlli – Xhemail Mustafa?!
A vritet engjëlli?! Kjo ishte pyetja ofshamë e shqiptarëve, si sot, 21 vjetë më parë, për t`u përsëritur, përjetësisht, në mënyrën habitore! Vrasja e njeriut të mirë, Xhemail Mustafa, i bindi edhe skëptikët më fanatikë, se, – krimi ka emër -. Vrasjet politike janë faktike dhe nuk janë as 100 dhe as 200, por, disa qindra. Vetëm horrakët e maskarenjtë, të tipit Behxhet Pacolli e Nait Hasani, me shokë, ende shtirën sikur nuk ka ndodhur asgjë, në këto troje të përgjakura, nga shqip-folësit bastardë. I pari, e ka hallin ke bizneset e pista me shefin Hashim; i dyti, pjesë e krimit, që, dashur apo pa dashur, i shpuri në plumb, në Pestovë të Vushtërisë, guerilën heroike: Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në natën e kobshme, errëtake të 31 janarit 1997.
Ekzekutimi zyrtar i Xhemail Mustafës, ishte tronditje enorme e opinionit shqiptar, të kudondodhur në botë. Ai këshillonte, pazëshëm e urtësisht, Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova. Dhe, kemi mësuar nga njerëzit e Dr. Rugovës se Ai e dëgjonte vëmendshëm dhe kishte besim të plotë ke Xhema i Tij. Nga mbamendja e kuadrove të LDK-së, mësojmë se këshilltari Xhemail Mustafa, këshlloi, madje, prerazi, shefin e tij Rugovë: “Në asnjë rrethanë, LDK-ja të mos hyjë në Qeverinë e Përkohshme të Hashimit, të kompozuar nga “komandantët e “Rogner-it” dhe zyrtarët banditër social-komunistë të Tiranës”.
Krejt ndryshe, nga disa përkthyes, të cilët e kanë shoqëruar në disa udhëtime, flasin në vetën e parë, “unë e bëra këtë apo ate”, “ne merrshim vendime, jo Rugova”!? Dhe, disa, në gjallje të Dr. Rugovës, u hodhën në prehrin e Hashimit, përlavdëronin për “vizionin” e tij dhe ndoca të tjerë, pas shuarjes të Presidentit Rugova, bënë nëshkrime fatale në dëm të Kosovës, duke e ndotur edhe LDK-në, sipas skenarit të shefit Hashim!
Xhemail Mustafa dhe Sali Çekaj, ngjasonin më urtësinë e tyre, sikur të ishin vëllezër lindakë më Presidentin Rugova. Shoqëruesit e Tij, lajmëtarë të vrasjes së Enver Malokut, më parë, dhe të Xhemës, më vonë, se në të vetmet raste, kemi parë lotët në sytë e Dr. Rugovës. Nga Monte Karlo, në Konferencën në Krans Montana, Ai do të shkonte për homazhe, ke varri i mikut dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Xhemës, në Gllamnik të Llapit.
Xhemail Mustafa ishte trim i urtë, njësoj si shefi i Tij Rugovë, përgjatë luftës qendroi në Prishtinë. Dëshmi e këtij qendrimi është libri-ditar unik, “Një lutje për Prishtinën”, si një kujtesë i një kohe zezonë, vlerë e veçantë e publicistikës shqiptare kombëtare.
Vrasja e trishtë e Xhemail Mustafës, homazhi familjar pranë ark-mortit, shënon dhimbjen skajore e kulmore, sidomos të vajzës së tij të shumëdashur, Beriane. Shpërthim vaji e gjëmë, të fiksuara në foto-kamerë të zëshme, të papërmbajtëshme, bëri xhiron e botës, në mediet e shkruara dhe vizive, anekënd botës. Motër e vëlla, Beriana dhe Basiani, që janë “na bëjë baba të të ngjajmë”, janë ngushëllim i madh për shqiptarët. Dhe, ky është mallkimi më domëthënës, për SHTAB-istët banditër e rrugaçë.
UNMIK-u “sihirxhi” – pjesë e krimit!
Ekzekutimi i Xhemail Mustafës është bërë, në kohën kur UNMIK-u kishte përgjegjësinë kryesore për sigurinë. Dosjet i ka të gatshme, edhe për shumë vrasje tjera. Shefja ime, për Logjistikën Emergjente të Luftës, Sabahate Tolaj, në Hetuesinë Speciale të Pejës, në prillin e 2003, në Koshare, më ka thënë: “Gadi në përfundim të një dosje, e bollshme me fakte për arrestim të kriminelëve, UNMIK-u na e merr nga dora, duke thënë vazhdoni me dosjen tjetër të re. Dhe, megjithatë, akush nuk arrestohet!?”
Porositësit, jo vetëm që nuk janë prangosur, por vazhdojnë të jenë të fortë, në shtet e pushtet dhe parti politike. Në këto krime janë përfshirë komandantë të UÇK-së, të cilët me bërrylime u bënë personalitete shtetërore e pushtetare. Dhe, kjo përbën atë “Thembrën e Akilit”, që kriminelët livadhisin të lirë, “me krime nëpër këmbë!”
Megjithatë, Gjykata Speciale është një shpresë, për një hetim e zbulim të vrasjes zyrtare të Xhemail Mustafës dhe të viktimave të tjera politike. Sepse ajo do të ishte zgjidhje zinxhirore, edhe për serinë e vrasjeve tjera, përfshirë edhe gazetarët brilantë dhe të guximshëm, të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti, me shokë. Dihet, koka e krimit janë krerët politikë të LPK-së, të futur në ingranazhin e Sigurimit Shqiptar, përmes tij, të lidhur me Sherbimet Informative, të shteteve armike të Kosovës.
Porosia e Hashimit për heshtje,
i pranon dhe zyrtarizon vrasjet poltike!
Në mesin e spekulimeve, për vrasjen e Xhemajl Mustafës, ka edhe të vërteta të mjaftueshme, që do të shërbënin për hetim, deri në zbulim të krimit në fjalë dhe të krimeve tjera numerike. Asnjë krim, qoftë vrastar politik, ordinier apo ekonomik, nuk është bërë, pa qenë pjesë e krimit edhe pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe të Policisë të Kosovës (PK). Kjo është dëshmuar në të gjitha gjyqet, përgjatë këtyre dy dekadave të pas luftës. Disa “komandantë” banditër, të zhytur në krime, nxituan për t`i punësuar bandat e tyre në TMK dhe PK, për t`i përdorur, edhe zyrtarisht, në krimet e ndryshme!
Edhe “vdekja” e befasishme, në Badovc, vitin e shkuar, të një eksponenti të policisë, i cili ndihmoi në logjistikën përgjuese, deri sa u realizua ekzekutimi i Xhemail Mustafës, është tejet domëthënëse! Edhe ish-kuadri i dikurshëm qeveritar, më vonë deputet, është përfolje e hershme, madje, e përsëritur, nga më shumë se një burim. Porosia e Hashimit, e dhënë shokëve që “të mbrohen në heshtje”, është një pranim faktik dhe zyrtar i fajësisë. Rumunët kanë një urtësi: “Ai që gënjen, duhet të këtë memorje të fortë, përndryshe gënjeshtra të tradhton, të zbulon!”
Vërtet, kanë kaluar tej dy dekadave dhe krimi, edhe nëse është hetuar e zbuluar, ende nuk është ndëshkuar! Vëllezërit tanë jugorë, e kanë një shprehje: “Ku ka zë, nuk është pa gjë!” Realisht, janë përfolur njerëz e armë të njëjta, të përdorura edhe në vrasjet e plagosjet tjera, si: Enver Malokun, Ekrem Rexhën, Fetah Rudin, që vërteton konstatimin e Prokurorit amerikan, të Gjykatës Speciale, Jack Smith, se prapa vrasjeve politike, qëndron detashmenti i kuq, me brthamë LPK-në, të organizuar në një – Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët -, tipike e modelit të diktatorit terrorist shqiptar, Enver Hoxha, i cili, duke shkelur mbi kufomat e atdhetarëve nacionalistë shqiptarë, grabiti pushtetin dhe sundoi Shqipërinë, me dajak e plumb, për afro pesë dekada radhazi.
Krimet politike, instruktim i Sigurimsave të Enverit
Sigurimsat e Enverit, të instaluar në hotelet e Kosovës, instruktonin bandat e SHIK-ut, sipas listave të zeza emërore të SHTAB-it, për atentatimin e ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut; bashkëpunëtorët e Presidentit Rugova; aktivistët e LDK-së; si dhe kuadrot e hershme të LPK-së, që i konsideronin si rivalë potencialë, në të ardhmen e afërt!
Vrasjet zinxhir, tipike mafioze, për të humbur gjurmët e krimit, ata që i porosisnin vrasjet politike, i kanë vrarë edhe ekzekutorët. Rasti ekstrem është vrasja e trefishtë, e atyre që e plagosën kuadrin e LDK-së, mikun e Dr. Rugovës, Fetah Rudin. Dhe, ndonëse u fiksua makina e kuqe e atentatorëve, në ikje e sipër, shefi i tyre porositës, kishte menduar edhe vdekjen e tyre. Dhe, në itenerarin ikës, i priste një makinë vetë-shkarkuese, “kiper”, e cila i aksidentoi për vdekje. Për çudë, jo vetëm që u zhdukë shoferi, por as kamioni mbytës, i treshës kriminale, nuk është gjendur më! Krejt, si në filmat horror!
Kapja e shtetit nga “komandantët” dhe SHIK, pamundëson luftimin e krimit
Çuditërisht, edhe pse çështja e Xhemail Mustafës, është hetuar nga UNMIK-u, disa të dhëna kanë rrjedhur, qëllimshëm, apo pa dashje, megjithatë ende nuk ka arrestime! Padyshim, vrasjet politike, në Kosovë, janë “një e fshehtë publike”, sepse ato janë masive, me pjesëmarrjen e shumë atentatorëve, por, kanë pasur një komandë, me një qëllim të caktuar. Sa herë që është rrezikuar zbulimi, porositësit, i kanë eliminuar fizikisht ekzekutorët, madje, me lidhje zinxhirore të dytë dhe të tretë.
Mendoj se janë 4 (katër) arsye, që kanë zvarritur hetimin dhe zbulimin e vrasjeve politike:
1) Guximi i Prokurorisë dhe i Gjykatave ka munguar, sepse drejtësia është kapur me kohë nga komandantët dhe SHIK-u i tyre. Prokurorët dhe gjykatësit drejtues i ka emëruar pushteti, i cili i mbronte me anë të SHIK-ut të tij. Kjo dëshmohet edhe sot, kur Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, refuzojnë të bashkëpunojnë me Qeverinë Kurti, për Vettingun, me justifikimin se “institucionet e drejtësisë janë të pavarura dhe ndërhyrja e qeverisë, përben shkelje të Kushtetutës”. Atëherë, kush ta bëjë Vettingun? Kush t`i largojë kapësit e drejtësisë, për t`i zëvendësuar me prokurorë dhe gjyqëtarë të pa kapur, të pavarur, të pa shantazhuar, me guximin e duhur dhe me integritet profesional?!
2) Administrata e UNMIK-ut dhe EULEX-it, edhe pse posedojnë fakte të mjaftueshme, për t`i zinxhirosur kriminnelët, nuk provuan ta bëjnë këtë. Disa janë frikësuar për destabilizimin e rendit, duke e njohur forcën ekonomike, nga grabitja e pasurive të Kosovës; haraçit masiv dhe bandat aktive, të ashtuquajtura “krahu i luftës!”
3) Disa kuadro kyç ndërkombëtarë, janë kërcënuar me jetë. Dhe, këtë e kanë dëshmuar vetë ata, kur janë larguar nga Kosova. Njëri syrësh rrëfen: “Isha duke pirë kafe, në një lokal. Një i ri kërkoi të ulej në tavolinën time dhe unë aprovova. Ai filloi bisedën në gjuhën time:
“- Ju keni lëndën time penale në trajtim. Unë jam X.Y. Ose mbylle, ose…”, dhe nxori revolën e mbështjellë me faculetë!
“- Kjo revole është e pazëshme, unë të vras dhe iku pa asnjë problem!”
4) Disa prokurorë dhe gjykatës, SHIK-u i ka korruptuar, natyrisht, me shuma të majmë. Edhe ndonjë dënim që bënë, për shembull, për disa vrasje faktike, banda është dënuar me 2 deri 5 vjetë burg dhe janë liruar në gjysmë të vuajtjes të dënimit!?! Në pritjen ceremoniale të lirimit, ka marrë pjesë e gjithë shpura kriminale qeveritare, të prirë nga kryeministri i Kosovës! Një banana-shtet!
Populli në hall, ikën nga krimi dhe hajnia e komandantëve!
Rrjedhimisht, Kosova, populli i saj janë në hall nga kriminelët. Ata vrasin, vjedhin, grabisin në shtëpira, markete, dyqane, banka, në rrugë, gjatë transportimit të parave … dhe, “hetimet vazhdojnë!” Kriminelët dhe hajnat nuk janë vetëm, ata ndihmohen nga zyrtarë e pushtetarë, informohen edhe kur paratë bartën nga një vend, në tjetrin. Edhe kur kapen, ose dënohen simbolikisht, ose zvarritën hetimet dhe gjyqet, deri në parashkrimin e lëndëve penale!!!
Edhe kryeministri Kurti zhgënjeu: “Do t`i gjykoja për korrupsion, komandantët e Hagës”, pa përmendur krimet vrastare. Ndoca tutorë të tij, kanë aprovuar vrasjet politike. Dhe, kjo përbën problem të madh, nëse kryeministri i sotëm apo ai i nesërmë, i heshtin krimet. Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, qysh në vitin 2015, i kanë shpallur të përmbushura të gjitha kushtet e BE-së, për liberalizimin e vizave! Qoftë edhe krimin e organizuar vrastar, siç janë vrasjet politike dhe korrupsionin, thënë më qartë, hajninë zyrtare. Ndërkohë që mijëra dosje penale janë të stivosura, brenda të cilave gjumon krimi dhe kriminelët të pa shqetësuar, të amnistuar!
Ndryshe mendon Profesor Mazllum Baraliu: “Kriminelë janë edhe ata që heshtin për krimet”. Ndërsa ata që mbrojnë krimin, janë kontigjent i gatshëm, për krimet e radhës!
Kryeministri Kurti vizitoi stacionet me demonstrime të pajisjeve dhe armatimit të FSK-së
Kosovë-Dita e Forcës me aktivitete të shumta

Nga Behlul Jashari, Prishtinë
-Presidentja Osmani-Sadriu: FSK po vazhdon rrugën e saj të tranzicionit si partner i besueshëm dhe i rëndësishëm i ushtrisë më të fuqishme në botë, asaj të Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe partnerëve të tjerë të aleancës më të fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, atë të NATO-s/
PRISHTINË, 27 Nëntor 2021/ Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) me aktivitete të shumta shënuan sot Ditën e Forcës. Pas homazheve në Kompleksin Memorial të Jasharajve në Prekaz, të delegacionit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, u mbajt manifestimi qendror.
Në këtë manifestim, morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, njëherazi Komandantja Supreme e FSK-së, Kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Pjesëmarrës të tjerë në këtë ceremoni gjithashtu ishin Kabineti Qeveritar, kori diplomatik dhe ushtarak i akredituar me mision në Kosovë, si dhe përfaqësues dhe personalitete të institucioneve tjera dhe të jetës publike në vend.
Duke ua uruar Ditën e Forcës, të gjithë ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së, Presidentja Osmani-Sadriu u shpreh e lumtur për zhvillimin e hovshëm të FSK-së, duke u shndërruar nga ruajtëse e paqes së brendshme, në faktor të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë globale.

Më tej, Presidentja Osmani-Sadriu, theksoi se FSK po vazhdon rrugën e saj të tranzicionit si partner i besueshëm dhe i rëndësishëm i ushtrisë më të fuqishme në botë, asaj të Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe partnerëve të tjerë të aleancës më të fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, atë të NATO-s.
Kryeministri Albin Kurti, para të pranishmëve theksoi se sot ka shumë arsye për të festuar pasi që tashmë FSK ka dëshmuar që është Forcë profesionale, e përkushtuar të marr detyra të reja në shërbim të vendit dhe të paqes kudo në botë. Më tej, ai shtoi se Kosova prapë ka dëshmuar që është partner dhe aleat i besueshëm i shteteve partnere, duke i falënderuar ata për përkrahjen në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së.

“Ju jeni ushtria që lidh historinë e Kosovës me shtetin e Kosovës. Pra, bashkë me të qenit ushtri, ju jeni një prej themeleve më të thellë të Republikës”, theksoi Kryeministri Kurti para të pranishmëve.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përveç të arriturave të FSK-së theksoi se do të vazhdohet me angazhim dhe përkushtim edhe më të madh sepse jemi në drejtimin e duhur.
“E kemi mision të shenjtë sepse ia kemi borxh paraardhësve tanë dhe gjithë të rënëve për liri. Ia kemi borxh fëmijëve të Kosovës dhe gjeneratave që do vijnë më pas. Ia kemi borxh miqve tanë që ndihmuan dhe na ndihmojnë në përpjekjet tona për të ardhmen tonë të sigurt”, theksoi ministri Mehaj gjatë fjalimit të tij.

Manifestimi vazhdoi me ndarjen e medaljeve nga Presidentja Osmani-Sadriu, për ushtarakët me performancën më të lartë në shkollime dhe trajnime jashtë vendit.
Gjithashtu, ministri Mehaj dhe gjeneral Rama ndanë medalje për arritje të jashtëzakonshme, shërbim të shquar dhe shërbim vetëmohues për ushtarakët dhe njësitë më të dalluara të FSK-së dhe zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në të njëjtën ditë, në të gjitha kazermat e FSK-së si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin, para qytetarëve të pranishëm u ekspozuan dhe demonstruan aftësitë dhe kapacitetet ushtarake e FSK-së të shoqëruara edhe me aktivitete tjera.
Dita e Forcës na ofron mundësinë të falënderojmë dhe shprehim mirënjohjen më të lartë për qytetarët, të cilët janë mbështetësit më të fuqishëm të FSK-së.


Ministri Mehaj dhe Komandanti i FSK, gjeneral Rama, bënë homazhe tek Kompleksi Memorial Adem Jashari
Në kuadër të manifestimit të shënimit të Ditës së Forcës, 27 Nëntorin, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga zëvendësministrat Shemsi Syla dhe Adnan Rexheplar, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, u.d. Sekretarja e Përgjithshme, Fahrije Sadiku, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneralë dhe oficerë të FSK-së, bënë homazhe pranë varrit të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes Jashari, në Memorialin përkujtimor në Prekaz.

Me këtë rast, ministri Mehaj u shpreh se duke respektuar të kaluarën tonë të lavdishme, gjakun e derdhur të familjes Jashari, dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë dëshmorëve të rënë për liri, garantojmë të ardhme të sigurt të vendit dhe do të jetë burim frymëzimi të atdhedashurisë për brezat e ardhshëm.


Mbresa të fuqishme nga një ekspozitë befasuese
Prof.dr. Eshref Ymeri
Para pak ditësh, në rrethojën e Presidencës së Republikës së Shqipërisë qe hapur një ekspozitë origjinale në llojin e vet. Në atë rrethojë qenë vendosur fotografi, harta dhe piktura, në të cilat pasqyrohet historia jonë kombëtare që nga periudha e lashtësisë dhe sidomos historia e Çamërisë. Punën e gjatë përgatitore për organizimin e asaj ekspozite madhështore e ka përballuar Akademia “Rrënjët tona”, me kryetar Prof.dr. Stefan Pinguli, Drejtor organizativ Prof.dr. av. Sazan Guri, Sekretar organizativ Fred Balaj. Komitetin shkencor të kësaj Akademie e drejton Zonja Luljeta Dano.
Gjithë materiali i pasur faktik, i pasqyruar në ato fotografi, harta dhe piktura, është vjelë me shumë durim dhe vendosmëri nga Enciklopedi të vendeve perëndimore dhe botime të tjera akademike, përfshirë edhe Enciklopedinë greke.
Për ekspozimin e atyre fotografive, hartave dhe pikturave në rrethojën e Presidencës, drejtuesit e Akademisë “Rrënjët tona” patën marrë paraprakisht miratimin e Presidentit Ilir Meta.
Do të kishte qenë ngjarje e shënuar, e gdhendur me shkronja të arta në analet e historisë sonë kombëtare, sikur atë ekspozitë ta kishte përgatitur Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Por, fatkeqësisht, kjo është e pamundur. Sepse Akademia në fjalë është shërbëtore besnike e politikës zyrtare antikombëtare që ndjek me vendosmëri kasta sunduese e partisë neokomuniste në pushtet, me në krye shegertin e serbosllavizmit Rama. Me një qëllim të paracaktuar, Rama vendosi në krye të asaj Akademie Skënder Gjinushin, njeriun që nuk njihet absolutisht për ndofarë veprash të botuara, por që njihet shumë mirë si komunist i thekur, i cili, ditën e përmbylljes së rebelimit neokomunist me zgjedhjet e 29 qershorit 1997 e krahasoi me ditën e çlirimit më 29 nëntor 1944. Gjinushi është matematicien. Shqipëria nuk ka çfarë t’i thotë botës akademike perëndimore me gjuhën e matematicienit. Por Shqipëria ka shumë së çfarë t’i rrëfejë asaj bote vetëm me autoritetin e historianit, e gjuhëtarit, e albanologut, e arkeologut. Kurse Skënder Gjinushi merr vesh nga historia, nga gjuhësia, nga albanologjia dhe nga arkeologjia aq sa merr vesh dhia nga tagjia.
Jam plotësisht i bindur se drejtuesit e nderuar të Akademisë “Rrënjët tona” kanë përballuar një punë mjaft të mundimshme për përgatitjen e asaj ekspozite, e cila ka kërkuar shpenzimin e mjeteve të fuqishme financiare. Unë, si qytetar i thjeshtë i Republikës së Shqipërisë, u shpreh mirënjohjen më të thellë dretuesve të asaj Akademie, me në krye Profesorin e nderuar Stefan Pinguli dhe kam bindjen e patundur se atyre u janë thellësisht mirënjohës të gjithë bashkëkombasit tanë me vetëdije të lartë kombëtare, kudo që ndodhen, në mbarë trojet etnike apo në diasporë.
Me këtë rast, dëshiroj t’u përcjell dy propozime drejtuesve të nderuar të Akademisë “Rrënjët tona”.
Së pari, t’i drejtohen Presidentit të Republikës me një kërkesë, në të cilën të theksohet që Ekspozita në rrethojën e Presidencës të vazhdojë të mbetet aty me një afat të pacaktuar, derisa drejtuesit e Akademisë të kenë siguruar një mjedis të mbyllur dhe të përshtatshëm për ta mbajtur atë ekspozitë të hapur përgjithmonë.
Kjo për arsye se ajo ekspozitë shërben dhe do të shërbejë si shkollë e hapur e përhershme me vlera të jashtëzakonshme edukuese për brezin e tanishëm dhe të brezave pasardhës, për të njohur nga afër të vërtetat historike për Shqipërinë Etnike dhe për shqiptarët, sepse qytetarët e thjeshtë nuk dinë se çfarë është shkruar në enciklopeditë e huaja dhe në botime të tjera akademike perëndimore për historinë e kombit shqiptar që nga lashtësia.
Së dyti, është me rëndësi të jashtëzakonshme jetësore për kombin tonë që kjo Ekspozitë të prezantohet në kryeqendrat kryesore të Evropës, si në Berlin, në Bruksel – para parlamentit evropian -, në Londër, në Romë, në Paris dhe në Vjenë. Ajo, gjithashtu, duhet të prezantohet domosdoshmërisht në Vashington, si edhe në Kongresin dhe në Senatin amerikan.
Për organizimin e prezantimit të Ekspozitës në kryeqendrat e lartpërmendura, sigurisht që duhet siguruar leja në vendet përkatëse, për çka kërkohet një shumë mjaft e konsiderueshme mjetesh financiare. Këto mjete financiare do të mund të sigurohen vetëm në rast se Akdemia “Rrënjët tona” do të gëzojë mbështetjen e atyre milionerëve shqiptarë që kanë vetëdije të lartë kombëtare dhe që për ta është shumë e shtrenjtë Çështja Kombëtare Shqiptare. Le të shpresojmë që milionerë të tillë, me brumosje shembullore atdhetarizmi duhet të ketë në Shqipëri.
Kombi ynë do të ishtë shumë fatum sikur Shqipëria të ishte vend me zot, duke pasur në krye të qeverisë një kryeministër me karakter të fortë, të guximshëm, me vetëdije të lartë kombëtare dhe të dalluar për vendosmërinë e tij karakteristike, në mënyrë që këtë Ekspozitë ta prezantonte në Parlamentin Evropian në Bruksel, ku të deklaronte pa iu dridhur qerpiku:
“Zotërinj të nderuar:
Paraardhësit tuaj, në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Londrës, patën kryer një krim të përbindshëm kundër kombit shqiptar, duke i copëtuar në mënyrën më mizore trojet e tij etnike, me të cilat trefishuan sipërfaqen e Greqisë dhe të Serbisë. Ka kaluar më shumë se një shekull që kur u krye ai copëtim kriminal dhe që asokohe Evropa i ka një borxh të madh mbarë kombit shqiptar, të cilin duhet t’ia shlyejë me domosdo. Sepse tingëllon paradoksale që Republika e Shqipërisë, si askund në botë, të rrethohet nga troje etnike shqiptare. Vetë kjo Ekspozitë, përmes botimeve të botës suaj akademike, dëshmon më së miri me dokumente faktike se cili është kombi shqiptar dhe cilat janë trojet e tij etnike. Prandaj, si përfaqësues i kombit shqiptar, kërkoj me këmbëngulje, që ju, si pasardhës të gjyshërve tuaj, të cilët patën kryer një krim të rëndë kundër trojeve tona etnike, të vini në vend drejtësinë, në mënyrë që ato troje t’i ribashkohen atdheut amë, Republikës së Shqipërisë, për të pasur një komb, një shtet, me një stemë dhe me një flamur”.
Sigurisht që ky fjalim i shkurtër është një përfytyrim imi që tingëllon si një ëndërr në diell, se Shqipëria, fatkeqësisht, nuk e ka fatin për të pasur një klasë politike me një kryeministër të formatit të tillë, burrëror, sypatrembur, që të ngrinte padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe të Konferencës së Londrës, vendime që u shoqëruan me masakrime të përbindshme të shqiptarëve nga ana e shovinizmit kriminal serbogrek, të ngrinte padi kundër Greqisë dhe kundër Serbisë për masakrimin e kryer kundër Çamërisë dhe për masakrën e Tivarit dhe të kërkonte dëmshpërblimin përkatës. Ato masakra ishin krime kundër njerëzimit dhe nuk parashkruhen asnjëherë. Por ne s’e kemi fatin të kemi një klasë politike dhe një kryeministër të shquar për të ndërmarrë hapa të tillë. Sepse shqiptarët, për fatkeqësinë tonë të rëndë kombëtare, pas epokës së Skënderbeut, i kanë humbur krejtësisht aftësitë vetorganizuese për të nxjerrë nga radhët e veta udhëheqës me dinjitet të lartë kombëtar.
Njëri nga mjetet e informimit masiv pamor (Fox news) transmetoi para ca ditësh nje intervistë me Profesor Sazan Gurin, i cili u ndal shkurtimisht në çdo objekt të asaj Ekspozite. Profesor Sazani shoqërohej nga inxhinieri i njohur Frederik Ruço, anëtar i Akademisë “Rrënjët tona”. Sapo e mbaroi fjalën Profesor Sazani, e mori fjalën inxhinier Frederiku, i cili u ndal te Greqia dhe Serbia, si dy shtete fetare, të cilat, veç politikës tradicionale armiqësore që kanë ndjekur kundër kombit tonë, kanë vënë në shërbim edhe institucionet e tyre fetare. Çuditërisht, fjalën e inxhinierit Frederik Ruço, televizioni Fox news e kishte censuruar, nuk e transmetoi, çka dëshmon se ky kanal televiziv është nën ndikimin e Ramës për fshehjen e të vërtetave rreth qëndrimit shovinist serbogrek ndaj kombit shqiptar.
Përmes mjeteve të informimit masiv, u njoha me reagimin e paturpshëm të ambasadës greke në Tiranë kundër Presidentit Ilir Meta, për prezantimin e Ekspozitës në rrethojën e Presidencës, kur dihet shumë mirë që në objektet e asaj ekspozite flitet vetëm me gjuhën e së vërtetës. Ambasada greke dhe mbarë politika zyrtare greke le të lexojnë Enciklopedinë e tyre për ta çliruar sadopak trurin nga myku i gënjeshtrave dhe i mashtrimeve shumëshekullore. Në atë Enciklopedi thuhet:
“Stërgjyshët e shqiptarëve të sotëm, pellazgët, në periudhat parahistorike, kanë jetuar në pjesën më të madhe të botës që njihej atëherë, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm e duke ngritur vepra me vlerë të tejzakontë” (Citohet sipas: “Enciklopedia e Madhe Greke”. vëll. 19, f. 873).
Ambasada greke dhe mbarë politika zyrtare greke, në qëndrimin ndaj Çështjes sonë Kombtare të Çamërisë, le të mundohen, qoftë edhe një herë të vetme në jetën e tyre, të dalin nga tuneli i errët i mendësisë mesjetare që i mundon jetë e mot dhe ta shikojnë të vërtetën në sy. Por Greqia e mendësive mesjetare në shek. XXI i trembet së vërtetës si djalli vetëtimës. Se Greqia, në jetë të jetëve, e ka përkundur veten në detin e gënjeshtrës, e hipokrizisë, e mashtrimit, e mitologjisë dhe të pabesisë. Prandaj të vërtetën ajo e konsideron si armikun e saj më të betuar. Greqia, megjithëse është pjellë e djallëzisë, nuk kupton një gjë fare elementare që e vërteta është si puna e luleve pranverore: sa më shumë të mundohesh ta ndalosh çeljen e tyre, ato aq më shumë shpërthejnë me furi.
Dostojevski ka thënë:
“Kushdo që ka kërkuar të vërtetën, ai tashmë është tmerrësisht i fuqishëm”.
Shteti grek do të bënte mirë të kryente analizën e ADN-së, për të verifikuar se sa përqind të popullsisë përbëjnë grekët dhe sa përqind përbëjnë shqiptarët. Nuk e besoj se përfundimet e asaj analize do të jenë ngushëlluese për grekët, se ka mundësi të vimë te pyetja e Prof.dr. Elena Kocaqit: “Ku ka grekë?”. Një analizë e ADN-së në Serbi nxori këto përfundime.
“Shqiptarët shumicë në Serbi. Shqiptarët e besimit ortodoks dhe shqiptarët e besimit katolik përbëjnë 35% të popullatës në Serbi. Shqiptarët e besimit musliman 5%, gjithsej 40% shqiptarë me prejardhje ilire” (Citohet sipas: Prof. Fahri Mahalla. “Sipas ADN-së, serbët përbëjnë vetëm 25 për qind të popullsisë në Serbi”. Faqja e internetit “Lajm.co”. 31 gusht 2020).
Sado të mundohet shovinizmi i rreckosur grek për t’i vënë një kapak të ndryshkur të vërtetës çame, aq më shumë ky kapak ka për t’iu përplasur në fytyrë.
E kam thënë edhe herë të tjera në faqet e internetit dhe po e them përsëri e përsëri: Athina trumykur po bëhet vetë sebep për zgjidhjen e çështjes çame dhe Zoti ia shtoftë inatin!
Kaliforni, 26 nëntor 2021
The New York Times (1911) / Apeli i Faik Bej Konicës në SHBA për të mbledhur fonde dhe për të kërkuar ndihmë mjekësore për bashkëkombasit e tij
Faik Konica (1875 – 1942)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Nëntor 2021
“The New York Times” ka botuar, të hënën e 26 qershorit 1911, në faqen n°5, apelin e shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit të shquar, z. Faik Konica, për të mbledhur fonde në SHBA për bashkëkombasit tanë dhe për të kërkuar ndihmë mjekësore për të sëmurët dhe të plagosurit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Apeli i shqiptarëve
Vazhdojnë të luftojnë deri në lirinë e sundimit turk — por të sëmurët e tyre kanë nevojë për ndihmë.

Burimi : The New York Times, e hënë, 26 qershor 1911, f.5
Faik Bej Konica, përfaqësues i Partisë Revolucionare Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, është këtu për të mbledhur fonde për “bashkatdhetarët e tij dhe për të kërkuar ndihmë mjekësore për të sëmurët dhe të plagosurit që aktualisht janë në varësi të Malit të Zi, i vetmi vend në Evropë që ka ndihmuar të sëmurë dhe të varfër me furnizime. Në një intervistë me një gazetar të Times në Hotel Navarre mbrëmë Faik Beu tha :
“Ne duhet ta mbajmë revolucionin me çdo kusht derisa të jemi të pafuqishëm ose Shqipëria të çlirohet nga zgjedha turke. Kam marrë një kabllogram nga komiteti shqiptar ku shkruhej “Rebelimi vazhdon”.”
Uroj të kuptohet se Mali i Zi na ka ndihmuar nga pikëpamja bamirëse si qenie njerëzore në vështirësi dhe jo si kryengritës kundër sundimit turk. Sapo kam ardhur nga Bostoni, ku u mblodhën 4.000 dollarë mes shqiptarëve dhe simpatizantëve të tyre. Gazeta greke Atlantis në këtë qytet ka publikuar një apel për abonime nga lexuesit e saj në kauzën e lirisë.
Humbja e Shqipërisë nga Turqia do të thotë fundi i asaj perandorie, pasi ajo varej gjithmonë nga shqiptarët në orën e nevojës, kur të gjithë kombet e tjera ishin kundër Turqisë. Kjo është arsyeja pse lufta kokëfortë ka zgjatur për tre vjet.”
I pyetur nëse kushtet ishin përmirësuar nën regjimin e ri në Kostandinopojë, Faik Beu u përgjigj :
“Jo. Ata janë më keq. Abdul Hamid ishte një despot, por ai kishte një ndjenjë përgjegjësie. Në vend të tij tani janë njëqind Abdul Hamid që nuk e kanë idenë për përgjegjësitë e qeverisjes. Turqit kanë humbur prestigjin në sytë e vartësisë së tjetrit përmes disfatës që kanë pësuar nga shqiptarët. Në shenjë hakmarrjeje ushtarët kanë plaçkitur fshatrat në Shqipëri dhe kanë vrarë mijëra gra, fëmijë dhe pleq.”
Ai tha se disa gra të pasura angleze ishin tani në Shqipëri për të ushqyer të plagosurit dhe duke u siguruar furnizime nga çantat e tyre. Po merren masa për një takim masiv këtu javën e ardhshme në ndihmë të kauzës.
* Aurenc Bebja, Francë. (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/the-new-york-times-1911-apeli-i-faik-bej-konices-ne-shba-per-te-mbledhur-fonde-dhe-per-te-kerkuar-ndihme-mjekesore-per-bashkekombasit-e-tij/.


