Kreu Blog Faqe 237

Mbrojtja e identitetit nuk është urrejtje, është instinkt normal i çdo kombi që respekton veten

0
Ta quash “banalitet” mbrojtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar është një deklaratë që bie si grusht në fytyrën tënde prej tradhëtari. Për çdo popull normal në botë identiteti është i shenjtë. Vetëm këtu dalin disa që kur dikush mbron gjuhën, traditën dhe kulturën e vet, menjëherë e etiketojnë si “urrejtje”.
Ky është një truk i vjetër: kur nuk ke argumente, përpiqesh ta mbyllësh debatin duke akuzuar tjetrin për intolerancë. Por mbrojtja e identitetit nuk është urrejtje. Është instinkt normal i çdo kombi që respekton veten.
Pastaj thua se gjithçka është “zgjedhje e lirë”. Kjo është një thjeshtim i madh i realitetit. Kur për vite të tëra politika, media dhe hapësira publike shtyjnë vazhdimisht një model të caktuar kulturor, është e pamundur të pretendosh se shoqëria nuk ndikohet.
Historia e Kosovës e rrëzon drejtpërdrejt pretendimin tënd. Brezi i gjyshërve tanë kishte kryesisht emra orientalë sepse ashtu ishte realiteti historik i kohës. Por pikërisht ata gjyshër, me kalimin e viteve, filluan t’u vendosin fëmijëve emra shqiptarë, ilirë apo europianë. Pra shoqëria ndryshon dhe orientimet kulturore ndryshojnë.
Prandaj, kur thua se këto gjëra nuk ndryshohen, po injoron vetë historinë tonë. Ajo e ka treguar tashmë se ndryshimi ndodh dhe ndodh fuqishëm.

“6 Marsi – Dita e Dëshmorëve” – të zyrtarizohet sa më parë…!

0
Sot është Dita e Dëshmorëve në Kosovë një ditë e cila buron nga rënia e Komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij në luftën për Liri.
Prandaj, kjo ditë ka një rëndësi të jashtëzakonshme, ku ashtu si feniksi, popoulli ynë në krye me UÇK-në, u ngritëm nga zjarri e hiri për të vazhduar atë që nisi Komandanti.
Llogaritjet e Serbisë dolën krejtësisht të gabuara, pasi ata menduan se duke zhdukur fizikisht nga kjo botë Komandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, shqiptarët do të nënshtroheshin të gjithë dhe më s’do të çonin krye.
Porse, siç e kam shkruar edhe kohë më parë (tek Propozimi për aeroport…), rënia e Komandantit Adem Jashari, u shndërrua në klithmën më të madhe të shqiponjës që kishte përjetuar historia e këtij populli, duke mos pasë fuqi më që të ndalte rritjen e asaj që kishte krijuar Komandanti – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ajo rritje e shpejtë e jashtëzakonshme me vullnetarët anembanë, siç kam thënë, u pa se e gjeti edhe të papërgatitur edhe vetë atë strukturë fillestare të UÇK-së (në të ardhmen e afërt do të shkruaj dhe flas edhe për përjetimet e mia të asaj kohe).
Prandaj, kur kujtojmë ditët e Epopesë së UÇK-së, kur kujtojmë 5-6-7 Marsin, dhe në veçanti kur kujtojmë “6 – MARS”-in, ne kujtojmë jo vetëm rënien e një trimi dhe familjes së tij, por kujtojmë edhe RILINDJEN, kujtojmë edhe RINGJALLJEN E POPULLIT TONË për t’mos u ndalur me asnjë çmim për të vazhduar luftën tonë për çlirim, luftën për Liri.
Kësisoi, pos 6-MARS-it, në historinë tonë kombëtare shqiptare, jo vetëm në Kosovë, nuk ka datë tjetër më të fuqishme dhe më frymëzuese për të kujtuar të gjithë Dëshmorët e rënë për breza me rradhë për Liri dhe Pavarësi Kombëtare.
Dhe çdo tendencë për ta hequr këtë ditë, duke zëvendësuar me 5majin e komunistit, është tradhëti ndaj historisë dhe brezave që vijnë, siç e kam bërë reagimin tim vitin e kaluar me video në Prekaz (11.05.2025) kundër kësaj tendence anti-kombëtare!
Personalisht do të vazhdoj me gjithë forcën time të logoja fuqishëm që 6 – MARSI i ADEM JASHARIT, të ZYRTARIZOHET SI DITA E DËSHMORËVE NË KOSOVË, e pse jo, të jetë DITA E DËSHMORËVE EDHE NË RANG KOMBËTAR, pasi 6 MARSI I RINGJALLJES përherë do të jetë frymëzimi për t’mos u dorëzuar kurrë, frymëzimi që kemi marrë ne dje, frymëzimi që marrim sot dhe frymëzimi që do të marrin nesër, sa herë të lindë nevoja me i dalë zot vendit e popullit tonë!
LAVDI KOMANDANTIT ADEM JASHARI!
LAVDI GJITHË DËSHMORËVE TË RËNË PËR BREZA ME RRADHË PËR LIRI DHE PAVARËAI KOMBËTARE!
Me përulje para Lavdisë,
Veteran, Luftëtar i Lirisë
6 mars 2026

Lufta e Jasharajve dhe ndikimi i saj

Kolonel Dilaver Goxhaj, Tiranë, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

28 vite më parë, më 5-7 mars 1998, në trojet shqiptare, në Drenicën kryengritëse të Kosovës, ndodhi një ngjarje e madhe, e cila njihet me emrin Lufta e Prekazit. Ajo luftë u zhvillua nga familja e madhe e Jasharjave, e udhëhequr prej Adem Jasharit.

Ajo luftë u zhvillua në rrethim të plotë dhe zgjati 36 orë pandërprerje. Luftuan në rrethim 60 burra, gra e fëmijë të Jasharajve, të ngujuar në tri godina, të rrethuara të trija ato me një mur avllie dy metra të lartë.

Ajo luftë në rrethim është një rast unik, jo vetëm në historinë shqiptare por edhe në historinë botërore, ku një familje edhe pse shumë e madhe, por në një unitet mendimi dhe veprimi të jashtëzakonshëm, luftoi si një trup i vetëm dhe e gjithë ajo ushtri e atij fisi, 56 pjestarë të saj – luftëtarë të të gjitha moshave – ranë theror për çlirimin dhe kijimin e një shteti të ri: për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin amë, Shqipërinë.

Ajo luftë heroike mori me të drejtë përmasat e një legjende. ngaqë populli shqiptar në Kosovë, përveç të qenit për 85 vite koloni e Serbisë, në dekadën e fundit të atij kolonizimi (1989-1998) jetonte edhe jetën e robit, të “zbutur” prej një pluralizmi politik pacifist shqiptar. Ajo politikë,në vend që të organizonte dhe ta bindte atë popull që të çlirohej nga ai kolonizim shekullor, edhe pse ishte kombi i tretë më i madh i ish-Federatës Jugosllave, por bënte të kundërtën, u bënte thirrje dhe propagandë shqiptarëve të bashkëjetonin në paqe “demokratike” me vrasësit dhe shfrytëzuesit të tyre të urryer, me të cilët kishin 14 shekuj resht që ndesheshin, ndërkohë që ajo politikë pacifiste vendase e dinte se marrëdhëniet e këtij populli me Serbinë kanë qenë një konflikt midis kokës dhe zemrës.

Kjo gjendje psikologjike ishte rezultat i mashtrimit prej propagandës: “Po të vazhdojmë të rimë urtë e pa u ndjerë, lirinë do të na e dhurojnë të tjerë, se Serbia është e fortë dhe nuk mund ta mundim me forcat tona”.

Mirëpo, ndryshe është ta fitosh vetë lirinë, e tjetër është të ta bëjnë dhuratë të tjerë; dhe aq më keq kur duan të të bindin se është penduar vrasësi yt.

Është e rrallë, për mos të thënë e pamundur, që një popull i pushtuar e i shtypur me shekuj nga një diktaturë e huaj, siç ishte piopulli shqiptar në Kosovë dhe në trevat e tjera të ish-Jugosllavisë, të mund të çlirohet pa luftë me armë.

Dhe më në fund, erdhi një çast padurimi. Ai çast ishin ditët e para të muajit Marsit 1998. Ato ditë ndodhi ajo që ishte kërkuar gati një shekull prej vitit 1913, ku u takuan individi i duhur, me situatën kritike të duhur. Ai moment takimi i këtyre dy faktorëve, (njëri aktiv dhe tjetrim pasiv), bëri të mundur që të çohej brof, (në mënyrë të papritur), mekanizmi, nga i cili historia në Kosovë mori një drejtim 180 gradë në të kundert me politikën pacifiste 10-vjeçare shqiptare.

Ai takim i individit të duhur me momentin e duhur ishte qëndresa heroike e Jasharajve kundër Ushtrisë Shtetërore serbe; ishte lufta e fisit Jasharaj, e udhëhequr nga njeri prej djemve të atij fisi: Adem Jashari, të cilët shfrytëzuan momentin e duhur.

Ajo luftë, sado e shkurtër, u shndrua në një NËNË që e çliroi atë popull prej kompleksit të inferioritetit; lindi ai çlirim psikologjik nga i cili lindi ushtria çlirimtare e popullit shqiptar në Kosovë; lindi ajo ushtri e cila çliroi atë popull.

Këtu qëndron madhështia më e madhe e Luftës së Prekazit, e personifikuar kjo me emrin Adem Jasharit.

Ajo luftë 36 orëshe ishte pikërisht ajo çfarë populli shqiptar në Kosovë e pandehte të pamundur: shqiptarët u zgjuan nga gjumi pacifist që u kishte mjegulluar zgjuarsinë dhe u kishte topitur arsyen.

Kjo është arsyeja kryesore pse Lufta e Prekazit për atë popull u shndërrua në Legjenda më e Re Shqiptare.

Ai heroizëm ishte një përmbysje historike e madhe ngaqë populli shqiptar në Kosovë, më në fund e gjeti të fshehtën e rrugës së vërtetë drejt lirisë së tij: lufta me armë.

Askush nuk e zgjon ndërgjegjen e popullit si ai heroi që hyn vetë në betejë. Në rastin e Luftës së Prekazit është vërtetuar thënia realiste e Gjeneralit Norman Shvarckof: “Nuk duhet një hero për të udhëhequr njerëzit të hyjnë në betejë, por duhet një hero që të hyjë në betejë.”

Dhe ky hero që hyri në betejë ishte i gjithë fisi i Jasharajve në Prekaz të Drenicës.

Për fatin tonë, Lufta e Prekazit nuk mori fund me sakrificën e madhe të Jasharajve me në krye Adem Jasharin, heroizëm që ju bë i njohur gjithë botës. Ajo ishte embrioni i qëndresës luftarake, është sakrifica që mori përmasat e një legjende, ishte fillimi i një pikënisjeje të madhe, ishte mision me rëndësi kombëtare.

Prandaj, me të drejtë, Përfaqësuesi i parë Special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Guvernatori i parë i saj ndërkombëtar, Bernard Kushner, deklaroi: “Nëse do të kishte çmim Nobel për një lloj të tillë sakrifice, kjo familje do të ishte e para në historinë botërore që do ta gëzonte atë”.

Deri atë ditë i gjithë kombi shqiptar dhe i gjithë kontinenti Europian e më gjerë kishin njohuri për vetëshpalljen e Kosovës republikë në kuadrin e Jugosllavisë së mbetur (Serbi, Mal i Zi, dhe krahinat Vojvodinë dhe Kosovë, edhe pse Millosheviçi ia kishte hequr Kosovës edhe statusin e krahinës autonome). Kishin njohuri që Ibrahim Rugova ishte zgjedhur President i kësaj republike; madje, Ibrahim Rugova ishte zgjedhur me referendum popullor, (edhe pse nën pushtim dragonian të Serbisë!), ndërkohë që edhe përfaqësuesit e këtij populli e kishin zgjedhur Rugovën me kushtetutë Komandan i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës (FARK).

Mirëpo, ato ditë kur ndodhi lufta, ose më saktë, Beteja e Prekazit në 5-7 Marsin e vitit 1998, çdo shqiptar i bëri këto pyetje vetes:

Ku janë Forcat e Armatosura të Kosovës?

Ku është Komandanti i Përgjithshëm i FARK-ut?

Pse nuk u bënë të gjallë as FARK-u dhe as Komandanti i FARK-ut?

Natyrisht që çdo shqitar ua dha vetë përgjigjen atyre pyetjeve: FARK-u ishte një lloj valiumi dhe asgjë tjetër. Derisa nuk ekzistonte FARK-u, çfarë forcash do të komandonte Komandanti i Përgjithshëm i asaj ushtrie in-ekzistente? Pra, FARK-u nuk u ndie, se nuk ekzistonte. Që do të thotë se FARK-u nuk ishte ushtri për çlirimin e Kosovës, por një mashtrim që të mos ngrihej populli në luftë. Faktet treguan se ajo do të jetë ushtri e Kosovës kur Kosova të njihet nga OKB-ja. Dhe, çudia është se këtë lloj ushtrie inekzistente e kishin shpallur përfaqësuesit (deputetët) e zgjedhur nga populli i Kosovës.

Edhe pse kjo ushtri inekzistente (FARK-u) nuk u pa në ato ditët e Betejës së Prekazit, Presidenti i Kosovës, ai dhe Komandanti i FARK-ut, tri javë pas asaj Beteje organizuan përsëritjen e zgjedhjes së tyre nga vetë populli dhe përsëri i thoshnin popullit se kemi FARK. Çfarë iroini e fat! Dhe populli duartrokiste Rugovën dhe fyente UÇK-në. Nuk besoj se ka ndodhur me ndonje popull tjeter në këtë mënyrë dhe kaq masivisht si ne rastin tone.

Me një fjalë, FARK-u nuk ishte Ushtri për Çlirimin e Kosovës, se nuk ekzistonte. Kemi, pra, dy emërtime ushtrish krejt të ndryshme, emërtime që tregojnë dy përmbajtje krejt të ndryshme, dy funksione krejt të ndryshme. Kemi FARK që mbron Republikën kur republikë nuk kemi; por kemi edhe Ushtri Çlirimtare për të çliruar vendin nga pushtyuesi që të krijohet republika e pavarur.

Thuhej se kishim FARK, po si mund të kishim FARK kur nuk kishim Republikë të Kosovës?! Madje, FARK-un Kosova nuk e ka ende as sot e 25 vite pas çlirimit të saj nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e themeluar nga Komandanti Legjedë i saj, Adem JASHARI; Republika e Kosovës nuk e ka FARK-un edhe sot që Kosova ka pavarësi të mbikqyrur nga OKB-ja. Duhej të ndodhte “lindja” e përjetshme e Adem Jasharit dhe 56 heronjve të tjerë të asaj beteje, që bërnë korrigjimin edhe të emërtimit të ushtrisë, duke e quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila e çliroi Kosovën dhe i tha popullit të saj: Tashti kini mundësinë të shpallni Republikën e Kosovës.

Pra, për të pasur Republikë të Kosovës; duhej të lindëte ushtria për krijimin e saj; duhej të flijoheshin 56 heronj të Jasharajve që të themelohej Ushtria për Çlirimin e Kosovës (UÇK-ja); duhej të kishim, së pari, Ushtri Çlirimtare që të çlirohej trualli shqiptar me emërtimin e lashtë Dardani, (që sot thirret Kosovë), të cilës vetëm tashti i janë krijuar kushtet për të themeluar ushtrinë e saj të emërtuar FARK.

Por edhe ata që e emërtuan FARK as nuk e kanë pas të qartë dhe as nuk e kanë edhe sot, se me termin Forca të Armatosura kuptohet që t’i kesh të gjitha llojet e forcave të armatosura:

(1)Forcat Tokësore në përbërje të të cilave janë të gjitha llojet e armëve (këmbsoria, artileria tokësore, artileria kundërajrore, arma e tankeve, arma e xjenjos, arma e kimissë si dhe të gjitha llojet e sherbimeve etj.), si dhe

(2)Forcat Ajrore dhe, nëse do të kesh edhe kufi detar duhet të kesh edhe Forcat Detare.

Pas asaj ngjarjeje të madhe e përmasave të një legjende në Prekazin e muajit Mars 1998, do të vinte periudha e provave të mëdha. Prej 7 marsit 1998 deri në 10 Qershorin e vitit 1998 patëm një periudhë përgatitore për themelimin e Ushtrisë së vërtetë Çlirimtare të Kosovës, e cila bindi popullin se deri atë ditë nuk kishim ushtri në Kosovë; gjithça kishte qenë një rrenë e madhe.

Krijimi i Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës pas Luftës në Prekaz ishte sfida e dytë që i bëhej jo vetëm Serbisë por edhe politikës pacifiste të Kosovës; ishte sfida që bashkoi kombin shqiptar me UÇK-në. Dhe kjo sfida e dytë lindi nga Beteja e Prekazit e udhëhequr nga Adem Jashari; ishte kjo sfida e dytë që bëri të mundur të vihen në vend padrejtësitë që popullit tonë i ka bërë historia; ishte Beteja e Prekazit që lindi rastin që kombi shqiptar të arrinte të kryente këtë sfidën e dytë, duke i shtyrë tej të gjitha komplotet që i ishin zhvilluar prej fqinjëve të tij të ndihmuar nga Evropa; ishte kjo sfida e dytë që i tha Evropës: jam gjallë dhe nuk kam për të vdekur kurrë.

Por asgjë nuk do të ishte më e keqe nëse nuk do të realizohej nga UÇK-ja kjo sfidë e dytë. Nëse kombi ynë nuk do të qëndronte i bashkuar, nëse do të dorëzoheshim, sikundër u tentua në Konferencën e Rambujesë, atëhere ajo sakrificë e madhe e Jasharajve, e cila e bëri të njohur atë popull në mbarë botën, do të zhvlerësohej dhe misioni i nisur më 5 mars 1998 do të falimentonte e do të harrohej shumë shpejt.

Ajo luftë-ferr vuri në provë të gjithë burrat e vërtetë të kombit shqiptar; vuri në provë të gjithë politikanët që i kishin rënë gjoksit të atdhetarit deri atëherë. Ata që iu bashkuan UÇK-së treguan se nuk ia kishin me hile popullit; ata politikanë që nuk u reshtuan në radhët e UÇK-së si dhe ata që e anatemuan dhe po e anatemojnë edhe sot UÇK-në janë armiqtë e Kosovës, pavarësisht se vijojnë t’i bien gjoksit se gjoja ata e ia sollën lirinë popullit që jëton në Kosovë. Këtë ndriçim të mendjeve të popullit e bëri Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.

Organizatori dhe drejtuesi i Betejës së Prekazit, Adem Jashari, u bë edhe sinonim i UÇK -së, për vet faktin që Ai, edhe pse i rrethuar nga një ushtri prej 6.000 policë e ushtarë të armatosur edhe me artileri dhe tanke, i përballoi derisa u vra edhe fëmija e fundit e asaj familjeje heroinë.

Si i tillë, Adem Jashari u shndërrua në simbol të krenarisë sonë kombëtare, si rrallë kush, jo me dekrete presidentësh, as me vendime parlamenti, apo kongrese partishë, por me veprimtarinë e tij personale.

Ushtria Çlimtare e Kosovës, duke e pasur Adem Jasharin simbol të Komandantit të saj, bëri të mundur që, edhe pse një ushtri gati 10 – 15 herë më e vogël se ushtria armike e saj, arriti ta përballonte atë Ushtri Shtetërore Klasike serbe, njësoj siç e përballoi atë rrethim Komandanti simbol i saj, me sukses, që rrallë herë është arritur në historinë e luftrave botërore.

Atë sukses UÇK-ja e arriti përmes luftës guerile të saj, lloj lufte që ua kalon gjithmonë edhe ushtrive më moderne. Është ajo fitore që, edhe pse u çarmatos me pëlqimin e drejtuesve politikë të saj e të Kosovës, edhe pse e burgosën, edhe pse e çuan në Gjyq racist Ndërkombëtar armiqtë e saj të brendshëm e të jashtëm për ta pushkatuar, duke e quajtur atë ushtri çirimtare “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, megjithatë shumica e popullit të thjeshtë shqiptar e ka dhe do ta ketë UÇK-në kurorë lavdie.

Sa e vështirë është të jesh hero mes shqiptarëve! Por dhe, sa mizore është kjo gjë në thelb për shqiptarët: edhe e kotë edhe e pakuptimtë! Tipar ky që nuk e ka asnjë popull tjetër në këto prmasa që e kemi ne shqiptarët! Të jetë vallë ndonjë mallkim hyjnor?

Ata që mbushën radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk I rrëmbyen armët me mendimin se dikush do t’i falënderonte apo do t’i shpërblente, pasi nuk e dinin se do ktheheshin të gjallë, por sepse të tilla ishin dhe janë parimet e atyre pjestarëve të saj, sepse kështu ishin gatuar ata, ngaqë ishin dhe janë njerëz me dinjitet, si komandanti i tyre i shndërruar në legjendë. Të gjithë pjestarët e UÇK-së, edhe pse pacifistët, indiferentët dhe ata që u arratisën nga Kosova kur ata djem, vajza, burra dhe gra flijoheshin për lirinë edhe të atyre që u arratisën dhe që shumë prej tyre vijojnë t’i etiketojnë ata çlirimtarë se “Janë enveristë, janë të marrë!”, i quanin dhe i quajnë edhe sot indiferentët dhe pacifistët shqiptarë. Por ja që “të marrët”, Adem Jashari dhe UÇK-ja, janë ata që bënë historinë, dhe jo logjika e politikanëve anti UÇK. Jo më kot shkencëtari i njerëzimit, Ajnashtajni, ka thënë: “Ne idealistëve na quajnë të marrë; por po të mos ishim ne të “marrët”, shoqëria nuk do të kishte ecur kurrë përpara”.

Por historia shqiptare jo rrallë ka treguar se më të mirët, domethënë idealistët e saj, “të marrët”, pasi kanë bërë historinë, ose janë flakur në rrugë, ose kanë përfunduar burgjeve. Kurse indiferentët dhe ata që përshtaten, që bëjnë kompromise, që janë pa shtyllë kurizore dhe ata që heshtin, që binden apo tradhëtojnë dhe pranojnë të jenë skllevër, këta, jo vetëm që nuk përfundojnë kurrë në rrugë apo nëpër burgje, por bëhen edhe politikanë, edhe deputetë, edhe ministra, edhe kryeministra, edhe presidentë, si dhe u ngrihen pas vdekjes por edhe përsëgjalli buste dhe monumente nëpër sheshet kryesorë të qyteteve e kryqyteteve shqiptare.

Presidenti si peng i kalkulimeve

0
Agim Vuniqi, Vashington
______
Në prag të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, skena politike po përballet me një paradoks që nuk mund të kalojë pa u vënë re nga opinioni publik. Opozita e sotme – e cila deri dje ishte në pushtet – sillet sikur procesi i ndërtimit të institucioneve është një barrë ekskluzive e shumicës parlamentare, duke harruar se në të kaluarën ajo vetë nuk hezitonte të kërkonte kompromis edhe në rrethana shumë më të ndërlikuara politike.
Historia e afërt politike e Kosovës është e mbushur me shembuj të tillë. Në disa raste kyçe të krijimit të institucioneve – përfshirë zgjedhjen e presidentit dhe formimin e qeverive – janë bërë marrëveshje politike që kanë kaluar përtej rivalitetit partiak. Madje, në periudha të caktuara, partitë që sot janë në opozitë kanë pranuar të hyjnë në formula qeverisëse të ndërmjetësuara edhe nga faktorë të jashtëm, përfshirë ndikimin e Listës Serbe, e cila dihet se politikisht është e lidhur me Beogradin dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Në praktikë kjo nënkuptonte situata paradoksale ku vendimet për ndërtimin e institucioneve të Kosovës shpesh prisnin sinjale politike nga jashtë, ndërsa përfaqësuesit politikë në Prishtinë negocionin me orë të tëra për të arritur një kompromis që do ta bënte të mundur konstituimin e institucioneve. Këto episode janë të dokumentuara në kronikat politike të viteve të fundit dhe përbëjnë një kapitull të debatueshëm të demokracisë kosovare.
Sot, kur vendi ndodhet përsëri përpara një momenti të rëndësishëm institucional – zgjedhjes së presidentit – pritet që partitë politike të tregojnë të paktën të njëjtin nivel përgjegjësie institucionale. Kushtetuta e Kosovës është e qartë: presidenti zgjidhet nga Kuvendi dhe në raundet e para kërkohet shumicë e cilësuar, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica e deputetëve të pranishëm. Ky mekanizëm është ndërtuar pikërisht për të siguruar që institucionet të mos mbeten peng i bllokadave politike.
Demokracitë parlamentare në botë funksionojnë mbi një parim të thjeshtë: shumica e deputetëve ka përgjegjësinë të ndërtojë institucionet. Opozita mund të japë kontribut nëse dëshiron, mund të propozojë kandidatë alternativë, ose mund të refuzojë të marrë pjesë në proces – por nuk mund të pretendojë se legjitimiteti institucional duhet të mbetet pezull për shkak të kalkulimeve politike.
Në këtë kontekst, paradoksi i sotëm bëhet edhe më i dukshëm. Ata që dikur kërkonin kompromis për të siguruar votat e nevojshme për formimin e institucioneve, sot hezitojnë edhe të artikulojnë një kandidat të tyre për postin e presidentit. Një sjellje e tillë nuk kontribuon në forcimin e demokracisë parlamentare, përkundrazi e varfëron debatin politik dhe e redukton atë në një lojë bllokadash taktike.
Kosova, si një demokraci e re që ende konsolidon institucionet e saj, ka nevojë për një kulturë politike më të përgjegjshme. Zgjedhja e presidentit nuk është vetëm një procedurë kushtetuese; është një moment që teston pjekurinë e klasës politike dhe respektin e saj për institucionet e shtetit.
Në fund të fundit, demokracia nuk funksionon mbi logjikën e sabotimit të institucioneve, por mbi parimin e konkurrencës politike brenda rregullave të sistemit. Nëse shumica parlamentare arrin të sigurojë votat për presidentin, ajo vetëm po ushtron të drejtën që ia jep Kushtetuta. Nëse opozita nuk pajtohet me këtë zgjedhje, përgjigjja e saj duhet të jetë politike dhe programore – jo bllokuese.
Sepse një shtet nuk mund të ndërtohet mbi paradokse politike, por mbi institucione funksionale dhe mbi respektimin e rregullave demokratike që vetë politika i ka miratuar.

Radikalizmi islamik si luftë hibride !

0
Shumë njerëz nuk e kuptojnë që fenomeni i radikalizmit islamik në Kosovë nuk është rastësor, nuk lind nga vetë feja apo identiteti kulturor. Ai është produkt i një strategjie të qëllimshme, e quajtur luftë hibride, një metodë moderne destabilizimi që kombinon mjete ushtarake, mediatike, ekonomike dhe ideologjike për të ndikuar në shoqëri pa një luftë të hapur tradicionale.
Pas luftës së viteve 1998–1999, Kosova mbeti e shkatërruar ekonomikisht, socialisht dhe institucionalisht. Ky boshllëk u shfrytëzua nga aktorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, për të shpërndarë ideologji radikale, për të ndikuar në politikë dhe për të polarizuar shoqërinë.
Si funksionoi kjo luftë hibride:
U përdorën kanale mediatike dhe rrjete fetare për të përhapur mesazhe që nxisin ndarje dhe ideologji të jashtme.
U ofruan financime dhe mbështetje për individë dhe grupe të caktuara, që i angazhuan në aktivitete radikale.
U krijua një ambient ku boshllëqet ekonomike dhe sociale e bënin shoqërinë më të prekshme ndaj ndikimeve të huaja.
Rezultati është i dukshëm: ideologjitë radikale u përhapën dhe u konsoliduan në disa komunitete, duke krijuar një fenomen që sot shfaqet në forma të ndryshme, nga predikimet ekstremiste te pjesëmarrja e disa individëve në konflikte jashtë vendit.
– Pika kryesore: Ky nuk është një problem “vendës”, nuk është një fenomen natyror i fejes apo kulturës shqiptare. Është pasojë e një procesi strategjik të ndikuar nga faktorë të jashtëm, një luftë hibride që ka përdorur boshllëqet pasluftës për të krijuar efektin që sot shohim si radikalizëm.
Në këtë kuptim, çdo përpjekje për të kuptuar radikalizmin pa marrë parasysh këtë kontekst është e paplotë. Çdo analizë serioze duhet të nisë nga kjo strategji e qëllimshme ndikimi, që përdori krizën post-luftë si terren për të vepruar.

Zgjedhja e Presidentit nga populli, shmang pazaret e deputetëve

0
Ilustrim: Vjosa Osmani, me Mark Rutten, sekretarin gjenral të NATO -s.
 
Idriz Zeqiraj, Gjermani
_______
      Nga zgjedhja në zgjedhje është thënë dhe përsëritur, se zgjedhjet e presidentit/es, nuk duhet lejuar të bëhen praktikë pazaresh të pista kuvendore. Dhe, ka mundur të zgjidhet pa pritur edhe këto ditë të fundme. Republikë parlamentare apo presidenciale, zgjedhja e presidentit/es drejtpërdrejtë nga populli nuk ndryshon asgjë, kur këtë e kanë provuar edhe disa shtete tjera, përfshi edhe Maqedoninë e Veriut. Vetëm zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit/es nga populli, shmang pazaret e partive politike, përmes deputetëve të tyre.
     Normalisht, kur një mandat presidencial është përmbyllur, në mënyrën më të mirë të mundshme, pse nuk duhet dhënë shansi dhe mundësia për një mandat të dytë protagonistes të këtij suksesi?!
     Presidentja aktuale i plotëson të gjitha kërkesat, kriteret e vazhdimit të mandatit të dytë. Ndërkohë, opozita humbëse me votë, kërkon fitoren në tavolinë, edhe pse nuk kanë vota as për ta plotësuar kuotën prej 30 firmave të deputetëve, sa kërkohen për konkurrim, për postin e presidentit.
     Kërkesa për një president konsensual, asnjëra nga subjektet politike nuk kanë ofruar zgjidhje, sepse pretendojnë të gjithë të kenë kandidatin e tyre president. Nëse edhe nesër nuk ka zgjidhje, pasnesër ka vendim për zgjedhje të serishme, të jashtëzakonshme.
       Populli ka një shprehje: “Zëri i popullit, zëri i Zotit”. Nëse, vërtet, dëgjohet, përfillet ky disponim i popullit, për Vjosë Osmanin presidente, zgjidhja është e gatshme. Kjo preferencë nga shumësia e shqiptarëve, vjen nga suksesi domethënës, që Presidentja ka arritur përgjatë mandatit të saj të parë.
     Dhe, pa mëdyshje vazhdimi i Vjosë Osmanit do të ishte zgjidhje e duhur. Sepse, duke qenë se për 5 vjet me radhë nuk i përkiste asnjë subjekti politik, përmbush njërin nga  kushtet bazë, kandidati të jetë jashtë angazhimit partiak. Megjithatë, këtë nuk e kushtëzon Kushtetuta, andaj, ta “nxjerrësh nga xhepi”, pikërisht, tani, është bajate, jo serioze dhe hiç relevante. Sepse, përjashto një rast unik, të porositur nga ndërkombëtarët, rastet tjera kanë qenë presidentë krye politikë, meqë vinin nga të qenit në kreun e subjekteve të tyre politike.
     Rrjedhimisht, nuk ka asnjë bazë ligjore apo morale, që pengon zgjedhjen e serishme të Vjosë Osmanit në krye të Presidencës të Kosovës. E gjithë kjo zhurmë është e stisur dhe e shpikur, thjeshtë, për interesa të pista të grupeve të inkriminuara.
     Angazhimi idiotesk i Shoqatës të OVL të UÇK-së, përkatësisht, nga subjektet politike PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN, për t`u përzier në punët e Drejtësisë të Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, duke e sakrifikuar dhe viktimizuar UÇK-në, për ta konvertuar dhe inkorporuar brenda saj Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale (NPK). A e kupton turma masive e shqiptarëve, që mbushin sheshet në protesta, se kjo turpëron shqiptarët. Eurodeputetja gjermane, Doris Pack, mike e madhe e shqiptarëve, deklaroi: “Më armiq janë ata që protestojnë, se sa ata që janë në burgun e Hagës!”
     Është kjo opozitë e çoroditur, të cilës nuk i intereson as shteti dhe as nuk merakoset për dëmtimin e Atdheut, nga qëllime të tilla të errëta, por vetëm pushteti. Sipas mendjes së tyre të mykur, duan një president kukullë, për ta përdorur në forume ndërkombëtare, ashtu siç bënë karaxhozi Edwin Rama. Protesta paralajmërohet për “gjykim të drejtë”, por në sheshin e Prishtinës dhe të Tiranës, i bëhet ultimatum Gjykatës të Hagë, për lirimin e menjëhershëm të “çlirimtarëve”! Dhe, kjo nuk u ndihmon as atyre në Hagë.
     Rreshtimi i presidentes Vjosë Osmani në protestën, me moton fallco “Drejtësi, jo politikë”, në Prishtinë, nuk ishte në standardin e presidentes. Sepse burgu ka një derë, kurse varri jo! Kjo prani e të parës të shtetit, ishte lëndim i rëndë për mijëra familje të viktimave të Ndërmarrjes të Përbashkët Kriminale (NPK). Prindër, motra, nuse, dhe fëmijë jetimër, të mbetur në zinë e përjetshme, për ekzekutimin e njerëzve të tyre.
     Me Shqipërinë tonë londineze, me popullin shqiptar, duhet ta ruajmë dashurinë e dëlirë dhe vëllazërore. Por, me Edvin Ramën  dhe “byroistët” e tij, duhet të mbajmë atë qëndrim që mbanë opozita shqiptare, e kryesuar nga Dr. Berisha, e përjashtuar dhe e përçmuar poshtërsisht nga kryeministri aktual mostër.
     Kryeministri Rama në të gjitha nismat e tij ogurzeza për Kosovën, ka qenë palë me Serbinë dhe vëllain e tij më shumë se ideologjik, Vuçiq. Përçarësi i përhershëm i shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë; bashkëthemelues i “Open Ballkan”, me primat Serbinë; projektues i ndarjes të Kosovës, së bashku me Thaçin dhe Vuçiqin; përbuzës dhe përjashtues i Vjosës dhe Kurtit në Shqipëri; presion ndërkombëtar të Kosovës, për ta bërë “Zajednicën”, pavarësisht nëse Serbia i kryen obligimet reciproke” dhe pisllëqe të tjera.
     Kosova dhe drejtuesit e saj, sot dhe nesër, duhet të bëjnë shumë kujdes nga intrigimet e krye “hoshtaplerit”, mashtruesit Edvin Rama !

Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global

0
Prend Ndoja, New York
______
Shtetet e Bashkuara mbeten një nga garantët kryesorë të sigurisë ndërkombëtare!
Sot është dita e pestë që kur forcat amerikano‑izraelite ndërmorën një ofensivë të gjerë kundër regjimit të Republikës Islamike të Iranit, Ato forca goditën një strukturë që prej dekadash është perceptuar si burim de stabilizimi, represioni dhe kërcënimi global. Në këtë çast vendimtar për fatin e rendit botëror, bota duhet të qëndrojë e bashkuar përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, në çdo përpjekje që mbron të mirën, progresin dhe dinjiteti njerëzor. Historia na mëson se e mira nuk mbijeton vetë; ajo kërkon vullnet, sakrificë dhe aleanca që besojnë te liria dhe të vlerat që e ngrenë njeriun mbi frikën dhe tiraninë. Në një kohë kur rendi ndërkombëtar përballet me sfida të mëdha dhe kërcënime që prekin sigurinë e çdo kombi, Shtetet e Bashkuara dhe bota e qytetëruar u gjendën përballë një zgjedhje të vështirë: të veprojnë sot për të shmangur një rrezik në rritje, ose të përballen nesër me pasojat shkatërrimtare të një regjimi që synon armatim bërthamor. Ambiciet bërthamore të Republikës Islamike të Iranit ka shum kohë që kanë tronditur komunitetin ndërkombëtar dhe kanë ngritur shqetësime të thella për stabilitetin global. Përballe këtij realiteti, ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara është parë nga shumë vende si një veprim i kryer në momentin e fundit të mundshëm, Ndërhyrja ishte një përpjekje për të parandaluar një katastrofë që do të prekte jo vetëm Lindjen e Mesme, por gjithë njerëzimin. Falë vendosmërisë së aleancës dhe falë Zotit, ky hap u ndërmor përpara se rreziku të merrte përmasa të pakontrollueshme. Qëllimi i Aleancës Amerikane-Izraelite nuk është lufta, por parandalimi i një kërcënimi që ka shqetësuar prej kohësh komunitetin ndërkombëtar.
Në këtë kuadër, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se synimi i tyre është të godasin strukturat e një diktature, të hapin rrugën për lirinë e popullit iranian, të çmontojnë kapacitetet bërthamore që paraqesin rrezik global dhe, pasi të jetë garantuar siguria, të largohen nga territori Iranian. Ky është një vizion që lidhet me parimin se ndërhyrja nuk është synim pushtimi.
Thotë populli ynë; ”Ujku mbetet Ujk ai don…” Sipas vlerësimeve të shumë analistëve ndërkombëtarë dhe deklaratave të tyre, qeveria e mbetur e Republikës Islamike të Iranit po ndjek një strategji të rrezikshme për të zgjeruar krizën përtej kufijve të saj. Këto synime lidhen me përpjekjen për të krijuar presion ekonomik dhe gjeopolitik ndaj vendeve të Gjirit Persik dhe komunitetit ndërkombëtar. Si, dëmtimin e infrastrukturës së naftës dhe gazit në vendet fqinje, me qëllim goditjen e ekonomive të tyre dhe krijimin e pasigurisë energjetike në rajon, mbylljen ose bllokimin e ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit detar në botë, nga i cili kalon një pjesë e madhe e furnizimit global me naftë, ndërprerjen e trafikut ajror rajonal, për të krijuar kaos logjistik dhe ekonomik në vendet e Gjirit, rritjen e çmimeve globale të energjisë dhe nxitjen e inflacionit ndërkombëtar, duke përdorur krizën si mjet presioni ndaj ekonomive të mëdha botërore. ”Ali Vaez; Ai vëren se strategjia e Teheranit nuk synon vetëm mbrojtjen e regjimit, por edhe shtrirjen e dhimbjes dhe destabilitetit në rajon, pa marrë parasysh koston e rëndë për popullin iranian apo dëmtimin e marrëdhënieve me fqinijët.” Nga kjo strategji e dalur nga mbeturinat e një shteti diktatorial, Presidenti,Donald Trump, ka deklaruar se operacionet ushtarake kundër Iranit pritet të zgjasin 4 deri në 5 javë, por se SHBA ka “kapacitetin të vazhdojë shumë më gjatë” nëse është e nevojshme. Këtë e tha gjatë një ceremonie të Medaljes së Nderit, duke nënvizuar se fushata nuk ka kufizime të paracaktuara nëse situata kërkon zgjerim.”
Për ne shqiptarët në diasporë dhe të mbarë botë e kemi obligim moral, të jemi lidhur ngushtë me vlerat e lirisë, demokracisë dhe aleancës historike me Shtetet e Bashkuara, kjo çështje nuk është vetëm si një një debat gjeopolitik për ne. Është një kujtesë nga e kaluara e jonë se paqja dhe siguria nuk janë të dhuruara, por kërkojnë vigjilencë, përgjegjësi dhe veprim të përbashkët. Historia jonë na ka mësuar se kur tirania avancon, heshtja është bashkëfajësi, kur rreziku rritet, veprimi i drejtë është detyrim moral.

Pas Vjosa Osmanit qëndron një burrë që zhgënjeu, zhgënjeu kombin që e zgjodhi atë

0

Aurel Desarioti

Gra si Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla kanë një rol më të spikatur dhe me ndikim sesa Alben Kurti në politikën ndërkombëtare të Kosovës. Përveç kësaj, fuqitë e mëdha (disa vende të NATO-s) nuk mund të thonë më se burrat (shoqëria patriarkale shqiptare) në Dardaninë pellazgo-ilire-arbërore-shqiptare diskriminojnë gratë; pavarësisht realitetit…

Vjosa dhe Donika janë specialiste të anglisht-gjermanishtes (nuk kanë nevojë për përkthyes për të komunikuar me udhëheqës-institucione-qeveri në vende të tjera; dhe jo si Presidenti i Përgjithshëm antishqiptar i Atdheut (Shqipërisë) Bajram Begaj i cili kishte nevojë për një përkthyes shqipfolës në një komunikim me një shqiptar nga IRJM që fliste shqip shumë më mirë se pleshti-psikopati Bajram Begaj)…

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

O Albin, mos luaj me fatin e Dardanisë, ti po shkon drejt tradhtisë. Lëri zonjat e mëdha Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla të qeta. Ato po luftojnë për të mirën e shqiptarëve, dhe jo për asgjë tjetër. Deri tani të kam mbrojtur (me shkrimet e mia), por tani jam i dëshpëruar për gabimet e qëllimshme që po bën (për karrierën tënde) dhe për të keqen e Kosovës (Dardanisë) shqiptare, kombit shqiptar.

***

Aurel Dasareti, USA, është ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

Kosova drejt zgjedhjeve me dilema të mëdha!

0

Florim Zeqa

Kjo çfarë po ndodhë rreth zgjedhjes së Presidentit është e pafalshme për skenën parlamentare të Kosovës, në veçanti për ata që i kanë fituar zgjedhjet! Mirëpo, kjo nuk i liron nga përgjegjësia as partitë opozitare pavarësisht numrave në Kuvend. Ngase secila parti parlamentare e ka për obligim ndërtimin dhe mbarëvajtjen e institucioneve shtetërore. Të gjitha partitë pa dallim fuqie elektorale duhet të kontribuojnë njëjtë për interesin e shtetit.

Zgjedhje për prolongim të marrjes së përgjegjësive shtetërore

Zgjedhja e presidentit nuk ka ardhur si befasi dhe as surprizë politike, por kjo ka qenë e ditur që një kohë të gjatë, dhe ka qenë e pritshme se do të vijmë në këtë ditë. Prandaj, është dashur që të bëhen disa parapërgatitje politike për gjetjen e një emri konsensual për President të ri të shtetit.

Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme si pasojë e mos zgjedhjes së presidentit është dëm i madh për vendin.

Përveq kostos financiare, vendi do të humbë kohën e artë të konsolidimit dhe rekuperimit të dëmëve paraprake shkaku i zgjedhjeve të shpeshta dhe të panevojshme!

Papërgjegjësia e liderëve partiakë, të cilët për inate personale dhe ego të sëmuara për pushtet po e dërgojnë vendin drejt zgjedhjeve e jo drejt zgjidhjes nuk guxon të kalojë pa ndëshkim nga elektorati kosovar!

Edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të kthehemi sërish në të njëjtën pikë siq u kthyem pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit 2025, përkatësisht pas bllokadës së gjatë 9 mujore të mos krijimit të institucioneve shtetërore, të cilat kanë mundur të themelohen menjëherë pas çertifikimit nga KQZ-ja vitin e kaluar!

Andaj, kam dronë se e njëjta gjë do të ndodhë edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme shkaku i mos zgjedhjes së presidentit, ku do të kemi prolongim dhe stërzgjatje të procesit në formimin e institucioneve të reja, ndoshta deri në vjeshtën e këtij viti!

Mos zgjedhja e presidentes Osmani edhe për një mandat nuk është e rastësishme. Edhe pse në dukje të parë, mendohej se ishin në një linjë me kryeministrin Kurti, ishte e kundërta e saj.

Mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ishte krijuar një hendek i thellë, ku secili prej tyre zhvillonin aktivitete ndaras në politikën e jashtme. Politikat e jashtme nuk bëhen ndaras nga institucionet shtetërore, por bëhen në unitet të plotë mes krerëve shtetëror, që i bie se, në politikën e jashtme duhet të flitet me një zë të vetëm dhe të prerë, e jo me dy e tre siq ka ndodhur në qeversjet e deritanishme, në veçanti tek kjo e fundit!

Kosova pa President në mjegullën e madhe ndërkombëtare

Situata në të cilën ndodhet Kosova në mjegullën e madhe nga pluhuri i luftërave ndërkombëtare, gjegjësisht të luftës së gjatë Rusi-Ukrainë dhe fillimit të luftës së përmasave globale në Lindjen e Mesme, Kosovës nuk ia jepë komoditetin e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme!

Të gjithë liderët pa dallim, pushtet dhe opozitë duhet t’i thërrasin mendjes për vetëdijësim, që sa më parë të ulën dhe të merren vesh mes tyre si vëllezër të një gjaku, për ta gjetur një zgjidhje optimale për të evituar zgjedhjet dhe jo vetëm.

Ngase, kështu të ndarë, Kosova si shtet në embrion dhe në përgjithësi si komb i shprishur do ta kemi të vështirë t’iu bëjmë ballë kërcënimeve dhe rrezikut permanent që na kanoset nga fqinji ynë verior, për shkak se zhvillimet e gjithmbarshme ndërkombëtare dita-ditës po bëhen më të paqarta dhe më të pasigurta për të ardhmen tonë si shtet i pavarur dhe sovran.

Mos arritja e marrëveshjes ndërpartiake për zgjedhjen e presidentit konsensual ka hapur dilema të mëdha për stabilitetin politik ne vend. Kur kësaj t’i shtohet fakti se asnjëra nga partitë parlamentare, perfshirë edhe partinë fituese nuk mund ta siguroj kuorumin e nevojshëm në Kuvend, atëherë zgjedhjet e jashtëzakonshme mbeten alternativa më e keqe e labirinthit politik kosov(r)ar.

Identiteti shqiptar në Evropë – mes historisë, lirisë dhe sfidave të reja

0

Gjergj Kastrioti, kryeheroi i kombit shqiptar dhe europiani i madh

Luan Dibrani, Gjermani 

Evropa është një kontinent i shumë kulturave, gjuhëve dhe identiteteve. Në këtë hapësirë të larmishme jeton edhe populli shqiptar, një nga popujt më të lashtë të Ballkanit, me një histori të gjatë rezistence, ruajtjeje të kulturës dhe përpjekjeje të vazhdueshme për liri.
Për shumë shqiptarë në Evropë – veçanërisht për ata që jetojnë në diasporë – sot shtrohet një pyetje themelore: si mund të ruhet identiteti i tyre kombëtar, duke qenë njëkohësisht pjesë aktive e një shoqërie të hapur evropiane?
Historia shqiptare është e lidhur ngushtë me luftën për liri. Për shekuj me radhë, populli shqiptar është detyruar të mbrojë gjuhën, kulturën dhe traditat e tij në kushte të vështira historike. Megjithatë, pavarësisht shtypjes politike dhe ndryshimeve të mëdha historike, vetëdija për identitetin dhe përkatësinë kombëtare ka mbetur e fortë.
Sot, qindra mijëra shqiptarë jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, ndër to edhe në Gjermani. Ata punojnë, krijojnë familje, kontribuojnë në shoqëri dhe janë pjesë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik dhe kulturor të Evropës. Megjithatë, përballë tyre qëndron një sfidë e rëndësishme: gjetja e ekuilibrit mes integrimit dhe ruajtjes së identitetit.
Integrimi nuk do të thotë të harrosh prejardhjen tënde. Përkundrazi, një shoqëri e shëndetshme evropiane ndërtohet mbi respektin për diversitetin kulturor. Njerëzit që e njohin dhe e vlerësojnë identitetin e tyre kulturor, janë në gjendje të respektojnë më mirë edhe kulturat e tjera.
Në komunitetin shqiptar, gjuha, familja dhe tradita zënë një vend qendror. Përcjellja e gjuhës shqipe tek brezat e rinj nuk është vetëm një detyrë kulturore, por edhe një çështje vetëdijeje dhe dinjiteti kombëtar. Pa gjuhën, një popull humb një pjesë të kujtesës së tij historike.
Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që diaspora shqiptare të marrë pjesë aktive në kulturën demokratike të Evropës. Evropa ka nevojë për qytetarë që marrin përgjegjësi, që marrin pjesë në debatet shoqërore dhe që mbrojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë.
Historia e shqiptarëve dëshmon se liria dhe dinjiteti nuk janë kurrë të dhëna njëherë e përgjithmonë. Ato duhet të mbrohen vazhdimisht përmes arsimit, përgjegjësisë kulturore dhe angazhimit shoqëror.
Në këtë kuptim, diaspora shqiptare mund të shërbejë si një urë lidhëse mes kulturave: mes Ballkanit dhe Evropës, mes historisë dhe së ardhmes.
Ruajtja e identitetit shqiptar nuk bie ndesh me integrimin evropian. Përkundrazi, ajo mund të jetë një kontribut i vlefshëm për një Evropë që e sheh shumëllojshmërinë kulturore si një pasuri dhe forcë.
Evropa nuk ka nevojë për më pak identitet, por për më shumë respekt të ndërsjellë midis identiteteve të popujve të saj.
* Autor dhe publicist i pavarur në Gjermani