Mendime që gjithnjë bëjnë dritë
Organizim dinjitoz i “Festivalit poetik” kushtuar krijuesve mërgimtarë nga Art-Klub “Rifat Kukaj”

Xhavit Çitaku, Suedi
Historia e popollit shqiptar është e mbushur me plot fatkeqësi të pameritura që ia vështirësuan jetën shqiptarëve. Dhe shi për këtë, për një arsye apo për një tjetër qindra mijëra shqiptarë ishin të shtrënguar që ta braktisin vendlindjen dhe ta njohin ngurtësinë e udhëve të vendeve të huaja. Ata fort mirë u integruan në shoqërinë ku mërgimtarët janë të vendosur. Rezultetet që po i arrinë komuniteti shqiptar në të gjitha fushat e jetës dhe të punës të bëjnë krenar dhe të bëjnë të ndihesh mirë që je shqiptar.
Kujtimet e dashuria mërgimtare të mbledhura me kujdes e përmallshëm në vargje
Mërgimtarët tanë punë të shkëlqyer po bëjnë edhe në krijimtarin letrare në zhanre të ndryshme, por, megjithatë, dominon krijimtaria poetike, në të cilën të bie në sy dhe që është shumë e çmueshme është vlimi i një palci të kulluar shqiptar në të. Zëri i këtyre krijuesve grumbullon vrullshëm ndiesinë që dojnë dhe gjejnë shprehje të menjëhershme dhe kështu qartësohet e forcohet shtjellimi i temave duke arritur sigurinë artistike. Këta autorë librash të shumtë për vite me radhë jetojnë në mërgim ndërsa në krijimtarin letrare, disa sish, si yje po shndërrisin. Pena e tyre po del sheshi që në vetmin e madhe muza e poezisë po krijon vjersha të bukura dhe të teholluara artistikisht. Këta krijues po e bëjnë punën e tyre me përkushtim dhe për dashamirët e fjalës së shkruar kanë arritur të përmbyllin një opus të lakmueshëm poetik, por edhe në prozë e zhanre tjera, dhe kësisoj duke dëshmuar aftësinë e tyre krijuese, por edhe duke befasuar me çeljen e luleve të mëdha të verës në hapësirën tonë të pasur letrare. Dhe tash këto lule kanë hapur petalet erakëndshme, dhe, natyrisht që bletët dhe fluturat po sjellin puhizat e prehjes poetike dhe në këtë mënyrë lexuesit po përjetjonë këto befasi: Lexuesit do të njihen me disa poet të njëmendtë që tërë kohën shkruajnë vargje të përjetuara thellë, me përkushtim të madh pa u nxituar. Duke u nisur nga fakti se shumica e këtyre krijuesve kurrë më parë nuk e kishin shkruar një rrjesht të vetëm në fushën e krijimtarisë letrare, ata pritën derisa u poçën mirë e mirë idetë dhe me pas si bleta punëtore iu qasën me entuziazëm të madh kësaj fushe magjike në letrat shqipe. Nga mijëra vjersha të botuara në këta libra dominojnë vargjet për vendlindjen, atdhedashurinë, për mallengjimin, për mërgimin, dashurinë ndaj prindërve, shokëve e miqëve, bukuritë natyrore në trungun shqiptar, dëshmorët, lirinë e fituar me gjak. Shihet qartazi nga vargjet se këta autorë vërtetë janë shkëputur me fërshkëllimë rrëqethëse nga harku i kohës, por meqë janë krijues të mirëfilltë i përballojnë me dinjitet të gjitha stuhitë e errëta të kohës. Po nga ana tjetër e thotë me urti i madhi ynë Lasgushi se: “poezia nuk duhet të flas, duhet të jetë”. Laryshia e temave është e gjerë dhe tërëheqëse. Janë poezitë për vendlindjen, për fatin e tërë një kombi, për jetën që është një tortur e madhe në mërgim, por edhe vargje për të bukurën dhe të shëmtuarën. Lexuesi në këta libra sa do të has në vargje epike, befasisht do ta ngazëllejnë lirikat e bardha si ato rrezet e këndshme, ato rriskat magjepse mes nesh. Autorët e këtyre veprave nga kujtimet e rinisë bartin me vete dashurinë që më vonë me nder e kthejnë borxhin, duke i mbledhur me kujdes e përmallshëm në vargje. Këta autor krijojnë libra edhe të zhanreve të tjera në shtete të ndryshme evropiane në mes kristaleve të deborës, sa i kemi duke medituar para valëve të liqenit të huaj, krahët e kujtimit i kthejnë në vendet e tyre të preferuara në vendlindje dhe na i dhurojnë fizionomitë e njerëzve tanë, na i dhurojnë edhe tingujt e lahutës e të çiftelisë, tinguj këta që i mbajnë gjallë poetët, prozatorët e artistët. Nuk është vështirë të shihet e të kuptohet se disa shprehje si bilbili, zëri dhe gjumi bartin ndjenja skofiare të buta, të përvajtshme që i veçojnë autorët me një lidhje të tyre emocionale. Dhe kësisoj, në të vërtetë, poezisë i japin një ndieshmëri artistike. Gjithsesi përmes përvojes poetike dhe në përgjithësi në mjedisin ku ata jetojnë, e zgjerojnë, e pasurojnë dhe i përgjithsojnë prurjet e krijimtarisë së tyre.
Në fushën romanteske, dramë, ese, historiografi, tregime, dokumentar etj ka pak krijues, por edhe pse të paktë ata me përkushtim po punojnë në këtë drejtim dhe ato pak vepra të botura tregojnë qartazi për një nivel të lartë artistik të tyre.
Festival i poezisë kushtuar krijuesve mërgimtarë
Në nderim të këtyre krijuesve mërgimtarë, Asosacioni i letrarëve dhe artistëve Art-klub “Rifat Kukaj” i Drenasit, në restorantin “Guri i Plakës” organizoi edicionin e tij të dhjetë “Festivali i poezisë”.
Pjesëmarrësit e shumtë të këtij aktiviteti kulturor u kënaqen me vargjet e bukura të recituara nga krijuesit entuziastë të diasporës shqiptare, por edhe krijues të tjerë që kishin ardhur enkas për të garuar me vjershat e tyre në këtë orë letrare të organizuar e përgatitur mirë.
Në këtë event, që kishte karakter garues, u paraqitën 41 krijues nga diaspora dhe nga të gjitha pjesët etnike shqiptare, mysafirë dhe numër e konsiderueshëm i dashamirëve të fjalës së bukur shqipe. Juria profesionale vendin i parë ia ndau Ramë Oracës : “Gjashtë lisat e Likoshanit”, të dytin Zymer Kodrës : “Më lër një dritare hapur”, ndërsa vendi i tretë iu ndaa Idriz Berishës- Xhixhi: “Paletë me ngjyra dielli”. Do theksuar se nismetarë të këtij aktiviteti të rëndësishëm kulturor, tash e dhjetë vite më parë ishin krijuesit e mirënjohur të letrave shqipe: Izet Abdyli, Bedri Tahiri dhe Halil Xani.
Po ashtu, për çdo vit ky asosacion krijues ndanë një mirënjohje speciale për veprimtari jetësore për shkrimtarin mërgimtar të vitit dhe kontributin e tij të dhënë ndër vite për çështje kombëtare, humanitare, ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës amtare, historisë e traditës shqiptare. Kësaj radhe ky çmim i rëndësishëm iu dha Xhavit Çitakut, gazetar, shkrimtar, publicist, humanist, i cili punon e vepron në Suedinë e largët. Arsyetimin për ndarjen e kësaj mirënjohjeje e bëri anëtari i Jurisë Prof. Bedri Tahiri, krijues, publicisht, studiues dhe atdhetar i dëshmuar:
Gazetari e romansieri i mishëruar me fatin e popullit të vet
(Fjalë e mbajtur në Festivalin e poezisë ,,Guri i Plakës” me krijues nga Mërgata dhe të gjitha viset shqiptare, me rastin e dhënies së Çmimit special për krijuesin mërgimtar)
Të nderuar të pranishëm, krijues, mysafirë e dashamirë të artit e të fjalës së bukur shqipe!
Të respektuar mërgimtarë!
Klubi ynë “Rifat Kukaj”, tashmë e ka bërë traditë që në kuadër të Orës letrare, me karakter garues, të jap edhe Çmimin special për vepër jetësore në krijimtari e art, për krijuesin mërgimtar. Mërgata shqiptare, gjithmonë, dje dhe sot, pati rol të madh në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar në dhe të huaj.
Dhe, kësaj radhe, kemi përzgjedhur një gazetar e veprimtar të palodhshëm, një krijues që kryesisht lëron formën më të gjatë e më të vështirë të prozës- romanin.
Është një penë, që tashmë ka ber emër në fushën e romanit (ka botuar romanet: “Pëshpëritje e jetës në mërgim”, “Ëndrrat e thyera”, “Lotët e pendimit”, “Dëshmitar brenda në ferr” dhe “Çekani i vdekjes”).
Ky është Xhavit Çitaku, i lindur në Çitak të Drenicës (1955), i shkolluar në Skënderaj e Prishtinë (u diplomua në Gazetari në Universitetin e Prishtinës), deri në vitin 1992 punoi gazetar në “Rilindja” e në Radio Televizionin e Prishtinës. Profesionin e vazhdoi edhe në Suedi, duke dhënë kontribut të çmuar në borën e informimit si dhe në Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi.
Si veprimtar i mërgatës, është një nga personalitetet e spikatura në Suedi. Për shumë vite ka marrë pjesë aktivisht në organizimin e protestave për sensibilizimin e gjendjes së rëndë që mbretëronte në Kosovë, nën pushtimin serb dhe aktiviteteve kulturore, kombëtare dhe humanitare, duke kontribuuar në ruajtjen e identitetit shqiptar, të gjuhës amtare dhe të traditave kombëtare ndër brezat e shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet skandinav. Angazhimi i tij ka qenë gjithmonë i lidhur me interesat kombëtare dhe me afirmimin e imazhit të shqiptarëve në shoqërinë suedeze. Ai mbetet një shembull i intelektualit që, me veprën dhe aktivitetin e tij, ka shërbyer me përkushtim ndaj kombit, kulturës dhe fjalës së shkruar.
Si romansier, kryesisht merret me fatin e individit që përballet me jetën e pamëshirshme, që vërtet ishte ferr e shkuar ferrit!
Romani i tij më të ri “Çekani i vdekjes”, botuar sivjet, me ArtCubin “Rifat Kukaj” është një dëshmi e një kohe zezonë. Ai, që në faqet e para të mbërthen fuqishëm dhe nuk të lëshon pa i rënë në fund, duke të ngjallur emocione të veçanta e që gjumin ta tret në pafundësi.
Vetë titulli, është simbolik e mjaft domethënës, i cili, për ne që jemi të moshës së autorit dhe vijmë nga rrethi i Skënderajt, flet shumë! Një Çekan i gjakosur, nën peshën e të cilit kanë përfunduar shumë jetë të pafajshme. Një mbytje e dhunshme, brenda një ferri të paimagjinueshëm, në një bodrum të errët, ku gjëmën tmerruese e mbyste muzika që vinte nga kati i sipërm…
Ngjarjet e romanit kapërcejnë kufijtë kohorë e hapësinorë të një ngjarjeje me përmasa biblike. Në fakt, aty na del e gjithë Drenica (1944-1999), mbi të cilën, përherë, plasi damllaja e madhe. Golgotë e saj është dramë me shumë akte.
Kësaj radhe, pena e autorit, është përqendruar në ngjarjet e fundit të Luftës së Dytë Botërore, duke kulmuar me vrasjet makabre, përmes Çekanit të OZNA-s dhe dy zbatuesve të tyre, farkëtarëve romë, Meta dhe Elezi, mbi të cilët do të bie mallkimi i pafajësisë (njërit i pëlcet syri!). Ai dimër i acartë (1945) për Drenicën qe dimër tmerri! Ku të errte nata, nuk të çelte dita! Kudo vrasje, mbytje, varje, djegie, përdhunime, shkatërrime…
As zërat kryengritës nuk mungonin! Por, mjerisht, ata ngufateshin pamëshirshëm nga përbindëshi shumëkrerësh e i etur për gjak. Megjithatë, fijet e pakëputura liridashëse nuk shuheshin dot. Luftëtarët e UÇK-së (tipizuar përmes Arif Krasniqit), pas sakrificash të shumta, ia dalin mban dhe e sollën Ditën e Bardhë- LIRINË.

Romani “Çekani i vdekjes” i Xhavit Çitakut është një realizim i arrirë, që përmes një gjuhe të thjeshtë e të kapshme, përmes rrëfimeve me porosi të qarta e sidomos dialogëve, që i japin gjallëri përmbajtjes dhe ngjarjeve të shtruar në këtë sofër të madhe, duke na dhënë një shpërfaqje e një pasqyrim të shkëlqyer të atyre kohëve zezonë, të cilat kanë lënë vragë të pashlyera në kujtesën e brezave…
Këto pak të dhëna, nga një veprimtari e begatë e këtij gazetari, veprimtari e e romansieri mërgimtar, na japin një pasqyrë të një shëmbëlltyre, që me të vërtetë e meriton Çmimin special që jep Klubi ynë!
Urime e suksese të reja, i palodhuri Xhavit Çitaku!
PDK–AAK protestojnë “koti” para Qeverisë, sepse janë shumë larg zemrës së qytetarit!

Prof.dr. Fadil Maloku, sociolog, Prishtinë
Ka ca ditë që, para “dyerve” të Qeverisë, dy parti opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, që i bashkon, ndër të tjera, edhe background-i i luftës, ai i bashkëqeverisjes, por edhe statusi i të qenit opozitare që nga shfaqja e LVV-së në skenën politike, po zhvillojnë protesta interesante e “atraktive” për traditën dhe kulturën e deritanishme demokratike të Kosovës. Shikuar nga “skalpeli” im sociologjik, ky veprim, përveçse duket simpatik, është edhe një risi specifike e sjelljes sonë politike në Kosovë.
E them kështu, ngase, në shikim të parë, ajo perceptohet si një reagim legjitim opozitar ndaj krizës së zgjatur institucionale dhe bllokimit të funksionimit të institucioneve. Mirëpo, po qe se këtë reagim…bëjmë përpjekje ta interpretojmë jo nga prizmi politik, por nga lenta sociologjike, do të mund të shtronim një pyetje shumë më interesante sesa ajo që kanë identifikuar mediet dhe qeveritarët. E ajo pyetje ka të bëjë me çëahtjen: Cilat janë shanset që kjo protestë e dy subjekteve opozitare të prodhojë një kauzë të aftë për të gjeneruar mobilizim të zgjëruar shoqëror dhe një kapital të ri politik, apo këtu kemi të bëjmë thjeshtë vetëm me një aksion simbolik klasik partiak kundër pushtetit?
Në gjykimin tim, kjo protestë ka shumë pak gjasa, për të mos thënë aspak, që të shndërrohet automatikisht në një kauzë shoqërore vetëm pse zhvillohet në hapësirën publike. Ngase, për t’u bërë një kauzë e re mobilizuese, ajo duhet ta arrijë stadin që ta bindë qytetarin e stërlodhur të Kosovës se problemi aktual rreth ngërçit apo “kaosit” të kontrolluar politik (nga LVV-ja), për të cilin protestohet, nuk është vetëm problem i partive politike, por problem i vetë shoqërisë dhe i jetës së tij të përditshme.
Pra, protesta e PDK-së dhe AAK-së, duke mbetur vetëm në suazat e skemës institucionale dhe duke u cilësuar vetëm si një situatë ku Kuvendi nuk po konstituohet, institucionet nuk po funksionojnë, Kushtetuta po shkelet dhe vendi po mbahet peng, nuk mund ta ndërtojë atë “çadrën” e një mobilizimi më të zgjeruar.
Një tjetër dobësi evidente që so të mund t’i adresohej kësaj mënyre të protestimit qëndron te fakti se këto argumentet e protestimit janë shumë abstrakte për të prodhuar një emocion kolektiv te qytetaria e sotme kosovare. Qytetari i kohës sonë nuk mund të mobilizohet aq lehtë vetëm për një defekt sado i madh të jetë ai në procedurat parlamentare. Ai mund të mobilizohet vetëm atëherë kur ideatori i protestës arrin ta lidhë atë procedurë me një shqetësim konkret dhe personal, sikurse shqetësimi që ka të bëjë me vendin e punës, mirëqenien familjare, sigurinë dhe stabilitetin emocional, të ardhmen e fëmijëve, marrëdhëniet me aleatët apo zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e shtetit.
Pra, një mobilizim i efektshëm kolektiv nuk mund të prodhohet vetëm nga ekzistenca e një defekti që mund të detektohet në procedurat tona parlamentare, por vetëm nga një lloj eferveshence kolektive, pra nga një ndjenjë sublime ku individët apo qytetarët ndjejnë dhe përjetojnë një energji të fortë emocionale, përmes së cilës e ndiejnë veten pjesë të një vlere apo kauze të përbashkët që krijon atë “Ne”-në e madhe mobilizuese.
Kurse protestës së këtyre dy subjekteve opozitare i mungon pikërisht ky element kyç!
Mesazhi i protestës vazhdon të tingëllojë më shumë si një mesazh opozitar, i drejtuar kundër qeverisë, sesa si një mesazh i qytetarëve që janë kundër bllokimit të shtetit. Dhe këtu dallimi është thelbësor, sepse në mesazhin e tyre kemi tendencën e mobilizimit partiak e ideologjik kundër bllokimit, pa ofruar asnjë opsion e asnjë zgjidhje praktike për një narrativë të re që do ta tejkalonte vetë problemin e bllokimit.
Thënë edhe më ndryshe, këto dy subjekte opozitare po protestojnë kundër bllokimit, duke ripërsëritur se procedurat e sistemit do të rikthehen në funksion, ama as PDK e as AAK, as de facto e as de jure, nuk po japin përgjigjen e duhur rreth pyetjes se çfarë lloj funksionimi duhet të ndërtohet pas ngërçit!?
Në gjykimin weberian, legjitimiteti i një subjekti apo institucioni nuk ndërtohet vetëm nga pozicioni formal që një aktor e ka në sistem, por edhe nga aftësia për ta bindur shoqërinë se autoriteti i tij është i arsyeshëm dhe i pranueshëm. Dhe për këtë shkak, PDK-ja dhe AAK-ja nuk do të mund ta rifitojnë legjitimitetin e dikurshëm vetëm duke kontestuar e protestuar para dyerve të Qeverisë, por duhet ta bindin shoqërinë se ato janë “adresa” e vërtetë dhe e vetme që përfaqëson një alternativë më bindëse të rendit politik sesa LVV-ja.
Në këtë sfond, PDK-ja dhe AAK-ja duket se po përpiqen ta sfidojnë një pushtet që është ndërtuar politikisht mbi narrativën e konfliktit ndërmjet “qytetarit” dhe “establishmentit”. Por, kur ish-opozita del në rrugë me struktura partiake, deputetë dhe drejtues politikë, ajo, në fakt, rrezikon të rikrijojë pikërisht ndarjen që e favorizon pushtetin e LVV-së…
Kisha “Shën Nënë Tereza” në Dugajevë të Klinës, histori, organizim kishtar, kujtesë tereziane dhe vazhdimësi meshtarake në dëshmitë doukumentare
(Kumtesë hulumtuese shkencore)

Lekë Mrijaj, Klinë
Kisha “Shën Nënë Tereza” në Dugajevë të Klinës, filial i Famullisë “Lartësimi i Kryqit” në Gllaviqicë, përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të historisë së re të katolicizmit shqiptar në Kosovë. E lindur në rrethanat e menjëhershme të pasluftës, historia e saj ndërthur rindërtimin material dhe shpirtëror të një bashkësie lokale, veprimtarinë e meshtarëve, kontributin e diasporës, kujtesën e Shën Nënë Terezës dhe zhvillimin e një projekti të ri kishtar gjatë viteve 2024–2026. Kumtesa mbështetet në dokumentacionin e publikuar të kishës, procesverbalet e projektit, burimet zyrtare dioqezane dhe kishtare, periodikë katolikë dhe dokumente të Selisë së Shenjtë. Vëmendje e posaçme i kushtohet dy fazave të historisë së objektit: periudhës themeluese, të lidhur me Dr. Dom Gjergj Gjergjin, dhe periudhës së konsolidimit e rindërtimit, në të cilën rol qendror baritor ka Dom Ambroz Demaj, famullitar i Gllaviqicës dhe përgjegjës për filialin e Dugajevës. Qasja kritike dallon ndërmjet të dhënave të dokumentuara dhe pohimeve të traditës lokale që kërkojnë verifikim të mëtejshëm arkivor.

Historia e Kishës Katolike në Kosovë nuk përbëhet vetëm prej monumenteve të periudhave të hershme, relacioneve ipeshkvore, dokumenteve të Kongregatës de Propaganda Fide, raporteve diplomatike austro-hungareze dhe burimeve të tjera arkivore që dëshmojnë vazhdimësinë shumë-shekullore të katolicizmit në këto troje. Historiografia kishtare duhet të përfshijë gjithashtu institucionet dhe objektet e krijuara në periudhën bashkëkohore, sepse edhe ato janë produkte të rrethanave të caktuara historike, demografike, shoqërore dhe pastorale. Në këtë kuadër duhet vendosur Kisha “Shën Nënë Tereza” në Dugajevë të Klinës, e cila, në planin kanonik dhe baritor, funksionon si filial i Famullisë “Lartësimi i Kryqit” në Gllaviqicë dhe përbën një nga shprehjet karakteristike të rindërtimit të jetës katolike në Kosovën e pasluftës. Burimi zyrtar i Kishës Katolike në Kosovë e regjistron Famullinë “Lartësimi i Kryqit” në Gllaviqicë në Dekanatin e Pejës dhe Dom Ambroz Demajn si famullitar të saj.¹
Ky saktësim institucional është thelbësor për trajtimin shkencor të temës. Dugajeva nuk duhet paraqitur si famulli autonome, por si bashkësi filiale brenda strukturës së Gllaviqicës. Në këtë mënyrë mund të kuptohet drejt edhe përgjegjësia e meshtarëve që kanë vepruar aty: ata nuk përfaqësojnë një institucion të shkëputur, por ushtrojnë kujdesin baritor ndaj një pjese të bashkësisë famullitare. Pikërisht kjo lidhje midis qendrës famullitare dhe filialit përbën një nga vijat e vazhdimësisë institucionale të historisë së Dugajevës.

Dugajeva bën pjesë në hapësirën historike dhe gjeografike të Klinës dhe të Lugut të Drinit, trevë ku bashkësitë katolike shqiptare kanë ruajtur një prani të dallueshme përmes familjes, organizimit kishtar, varrezave, festave fetare dhe kujtesës së transmetuar ndër breza. Historia moderne e objektit kishtar të Dugajevës lidhet drejtpërdrejt me periudhën pas Luftës së Kosovës 1998–1999. Historiku i publikuar nga projekti i kishës pohon se, pas përfundimit të konfliktit, banorët shprehën dëshirën për ngritjen e një tempulli si shenjë falënderimi dhe ripërtëritjeje shpirtërore.²
Ky burim duhet lexuar njëkohësisht si dëshmi komunitare dhe si tekst institucional i prodhuar nga vetë projekti. Për rrjedhojë, ai ka vlerë të rëndësishme dokumentare për mënyrën se si bashkësia e interpreton historinë e vet, por disa formulime të tij kërkojnë ballafaqim me dokumente të pavarura: kronikën famullitare, aktet e Ordinariatit, dokumentet e ndërtimit dhe dëshmitë e personave të përfshirë drejtpërdrejt. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur burimi përmban pohime mbi përparësi botërore, prejardhje gjenealogjike ose autenticitet relikesh.
Në fazën themeluese të kishës një rol qendror pati Dr. Dom Gjergj Gjergji, meshtar dhe studiues i historisë kishtare shqiptare. Historiku i projektit e lidh ardhjen e tij si famullitar në Gllaviqicë me konkretizimin e dëshirës së banorëve për ngritjen e objektit. Sipas këtij burimi, kisha filloi të ndërtohej pranë varrezave të fshatit me ndihmën e popullatës vendore dhe të bashkatdhetarëve në diasporë.³

Përfshirja e diasporës dhe e famullisë që në fazën e parë është një element me rëndësi të veçantë historike. Në shumë bashkësi katolike shqiptare të Kosovës, fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI karakterizohen nga një ndryshim i rëndësishëm në strukturën e financimit dhe të organizimit komunitar. Mërgata nuk ishte më vetëm burim mbështetjeje familjare; ajo u bë faktor aktiv në ndërtimin e kishave, renovimin e objekteve, ngritjen e qendrave kulturore dhe financimin e veprimtarive të përbashkëta. Dugajeva është një shembull i qartë i kësaj ndërthurjeje ndërmjet bashkësisë rezidente dhe asaj transnacionale. Një nga pikat themelore të kronologjisë është 2 shkurti 2001, kur historiku i kishës regjistron kremtimin e Meshës së parë.⁴ Në historinë institucionale të një objekti katolik kjo datë ka rëndësi të veçantë, sepse shënon fillimin e përdorimit liturgjik të hapësirës. Ndërtimi material mund të ketë faza të ndryshme, por kremtimi i Eukaristisë dëshmon se objekti kishte hyrë në jetën konkrete të bashkësisë së besimtarëve.
Më 1 shkurt 2002 u shuguruan kambanat e kishës, të cilat, sipas të njëjtit dokumentacion, kishin ardhur si dhuratë nga Italia. Burimi i projektit pohon gjithashtu se kumbimin e parë ceremonial e bëri Isabella Kastrioti, e paraqitur aty si pasardhëse e familjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.⁵ Për arsye metodologjike, elementi ceremonial mund të përdoret si pjesë e historikut të kishës, ndërsa pohimi gjenealogjik duhet cilësuar si informacion i burimit dhe jo si fakt i vërtetuar përfundimisht, derisa të mbështetet në dokumentacion të pavarur familjar e gjenealogjik.
Viti 2003 shënon fazën e përcaktimit të identitetit terezian të objektit. Më 19 tetor 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli të Lumtur Nënë Terezën. Historiku i Dugajevës e lidh këtë ngjarje drejtpërdrejt me emërtimin e kishës dhe regjistron se më 13 nëntor 2003 aty u kremtua një Meshë falënderimi për lumturimin, me pjesëmarrje meshtarësh dhe mysafirësh.⁶ Kështu, kronologjia 2001–2003 paraqet një proces gradual: fillimin e jetës liturgjike, pajisjen e objektit, konsolidimin komunitar dhe lidhjen e tij me figurën e Nënë Terezës.
Në materialet bashkëkohore të projektit përdoret formulimi se objekti i Dugajevës është “kisha e parë në botë e dedikuar Shën Nënë Terezës”.⁷ Në një kumtesë shkencore ky pohim nuk duhet përsëritur si përfundim absolut pa një verifikim krahasues ndërkombëtar. Për të përcaktuar përparësinë kronologjike të një objekti në shkallë botërore do të duhej të shqyrtoheshin regjistrat e Selisë së Shenjtë, dokumentet e dioqezave të ndryshme dhe aktet e emërtimit të kishave të tjera. Prandaj formulimi historiografikisht i mbrojtshëm është: sipas dokumentacionit të vetë projektit dhe traditës së ruajtur nga komuniteti, kisha e Dugajevës paraqitet si kisha e parë në botë kushtuar Nënë Terezës; ky status mbetet për t’u konfirmuar me hulumtim krahasues ndërkombëtar.
Një kujdes i njëjtë metodologjik kërkohet për objektet devocionale që historiku i kishës i paraqet si relike të lidhura me Nënë Terezën dhe Shën Gjon Palin II. Burimi përmend një qiri të lidhur me vizitën papnore në Shqipëri dhe një copë pëlhure të lidhur me ditët e fundit të Nënë Terezës.⁸ Në studimin shkencor duhet dalluar midis ekzistencës fizike të një objekti, traditës së prejardhjes së tij dhe autenticitetit kanonik. Ky i fundit kërkon authentica, dokument dhurimi, inventar kishtar ose dëshmi tjetër institucionale. Pa këto dokumente, termi “relike” duhet përdorur duke iu referuar burimit që e quan të tillë dhe jo si vërtetim i pavarur i autorit.
Kanonizimi i Nënë Terezës më 4 shtator 2016 i dha identitetit të kishës një dimension të ri. Formula zyrtare e kanonizimit e regjistroi të Lumturën Tereza të Kalkutës në katalogun e shenjtorëve të Kishës universale.⁹ Prej këtij çasti, përkushtimi lokal i Dugajevës lidhej me një shenjtore të njohur zyrtarisht në të gjithë Kishën Katolike. Festa e 5 shtatorit u bë një pikë e rëndësishme e kalendarit shpirtëror të bashkësisë dhe, sipas historikut lokal, mori edhe karakterin e një dite të bashkimit familjar.¹⁰
Kjo lidhje ndërmjet liturgjisë, familjes dhe diasporës ka një rëndësi që tejkalon historinë e një ndërtese. Në kushtet e emigrimit të vazhdueshëm, një festë kishtare mund të shërbejë si instrument i ruajtjes së kujtesës së prejardhjes. Kisha, varrezat dhe festa e pajtores bëhen pika ku bashkësia lokale dhe ajo e shpërndarë jashtë vendit riformojnë lidhjen me vendlindjen. Kështu, objekti sakral merr edhe funksion social, antropologjik dhe identitar.
Një dëshmi e rëndësishme e vazhdimësisë së kësaj historie vjen nga viti 2021. Revista kishtare Kumbona, në materialin kushtuar njëzetvjetorit të themelimit të kishës, pesëvjetorit të kanonizimit të Nënë Terezës dhe përkujtimit të Dom Gjergj Gjergjit, e vendos shprehimisht Dugojevën/Dugajevën (e Klinës) në Famullinë e Gllaviqicës. Në të njëjtin material, Dom Ambroz Demaj paraqitet si famullitari aktual dhe si ai që, në emër të komunitetit, evokoi historikun e kishës dhe figurën e Dom Gjergj Gjergjit.¹¹
Kjo dëshmi është e rëndësishme në dy rrafshe. Së pari, ajo ndihmon në përcaktimin e statusit baritor të Dugajevës si pjesë e Famullisë së Gllaviqicës. Së dyti, dokumenton kalimin e kujtesës nga brezi themelues te brezi i ri i udhëheqjes baritore. Në këtë pikë fillon të dallojë qartë roli i Dom Ambroz Demajt, jo si themelues i objektit të parë, por si bartës i vazhdimësisë së tij institucionale, shpirtërore dhe komunitare.
Dom Ambroz Demaj është famullitar i Famullisë “Lartësimi i Kryqit” në Gllaviqicë, sipas regjistrimit zyrtar të Kishës Katolike në Kosovë.¹² Në kuadër të kësaj përgjegjësie ai ushtron kujdesin baritor edhe ndaj filialit “Shën Nënë Tereza” në Dugajevë. Ky formulim është më i saktë sesa përcaktimi “famullitar i Dugajevës”, sepse ruan dallimin ndërmjet famullisë si njësi kanonike dhe filialit si bashkësi e varur prej saj.
Të dhënat zyrtare të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë japin edhe një dimension tjetër të profilit të tij kishtar. Vjetari 2025 i Kishës Katolike në Shqipëri e rendit Dom Ambroz Demajn ndër meshtarët dioqezanë të Dioqezës së Rrëshenit dhe shënon shprehimisht: “Fidei Donum në Kosovë”.¹³ Kjo e vendos shërbimin e tij në Gllaviqicë dhe Dugajevë (të Klinës) brenda një forme të njohur të bashkëpunimit misionar ndërmjet Kishave lokale. Termi Fidei Donum ka rëndësi teologjike dhe ekleziologjike. Ai lidhet me traditën e dërgimit të meshtarëve dioqezanë për të shërbyer, me pëlqimin e autoriteteve kishtare përkatëse, në një Kishë tjetër lokale. Në rastin e Dom Ambroz Demajt, ky status krijon një lidhje konkrete ndërmjet Dioqezës së Rrëshenit dhe Kishës Katolike në Kosovë, pasi qe Dom Ambrozi, që nga maji i këtij vitit (2026), është inkardinuar në Dioqezën Prizren–Prishtinë.
Për historinë bashkëkohore të katolicizmit shqiptar kjo përfaqëson një formë bashkëpunimi që tejkalon kufijtë shtetërorë dhe dëshmon unitetin e misionit pastoral në hapësirën shqipfolëse.
Vlera e shërbimit të Dom Ambroz Demajt në Dugajevë duhet kërkuar para së gjithash te vazhdimësia meshtarake. Institucionet kishtare nuk jetojnë vetëm përmes themeluesve të tyre, por përmes aftësisë për t’ua përcjellë brezave pasardhës përgjegjësinë, kujtesën dhe misionin. Nëse Dr. Dom Gjergj Gjergji përfaqëson fazën e themelimit të objektit të parë, Dom Ambroz Demaj përfaqëson një periudhë të konsolidimit, ruajtjes së kujtesës dhe përgatitjes së një faze të re ndërtimore. Këto etapa nuk duhen kundërvënë, sepse janë pjesë të së njëjtës histori institucionale.
Kisha “Shën Nënë Tereza” nuk është vetëm objekt arkitekturor. Ajo është hapësirë e Eukaristisë, e sakramenteve, e lutjes, e ceremonive mortore, e përkujtimit të të vdekurve dhe e takimit familjar. Kjo bën që kujdesi i famullitarit ndaj filialit të përfshijë më shumë se administrimin e një godine. Ai kërkon ruajtjen e lidhjes së besimtarëve të Dugajevës me famullinë amë, organizimin e jetës liturgjike, orientimin pastoral dhe ndërmjetësimin institucional me strukturat dioqezane.
Në këtë kuadër duhet vlerësuar edhe marrëdhënia e Dom Ambroz Demajt me trashëgiminë e Dom Gjergj Gjergjit. Në përkujtimin e vitit 2021 ai e riktheu figurën e paraardhësit brenda kujtesës së bashkësisë.¹⁴ Ky veprim ka peshë historiografike: ruajtja e kujtesës së një institucioni nuk bëhet vetëm nëpërmjet dokumenteve, por edhe nëpërmjet ceremonive përkujtimore, fjalës publike, fotografive dhe transmetimit të rrëfimit prej një brezi te tjetri.
Një dimension tjetër i rëndësishëm i shërbimit të Dom Ambroz Demajt lidhet me trashëgiminë tereziane. Në Dugajevë figura e Shën Nënë Terezës përbën boshtin identitar të objektit kishtar. Prandaj kujdesi ndaj filialit nënkupton edhe kultivimin e një tradite të lidhur me spiritualitetin e saj: dinjitetin e njeriut, shërbimin ndaj të pambrojturit, dashurinë konkrete dhe paqen. Në këtë prizëm duhet parë edhe organizimi i veprimtarive fetare dhe kulturore që e kanë bërë Dugajevën vend të takimit të klerit, studiuesve, besimtarëve dhe përfaqësuesve të jetës publike.
Një kthesë vendimtare në historinë më të re të objektit lidhet me përkeqësimin e gjendjes së ndërtesës së parë. Dokumentacioni i projektit pohon se kushtet ekonomike në të cilat ishte ngritur objekti dhe cilësia e materialeve kishin ndikuar në degradimin e tij, duke e shtyrë komunitetin drejt planifikimit të një kishe të re.¹⁵ Kjo fazë e re e zhvendosi përgjegjësinë baritore edhe në një fushë komplekse organizative: vlerësimin teknik, projektimin, financimin, koordinimin me diasporën dhe transparencën e administrimit të mjeteve.
Procesverbali i takimit të 13 tetorit 2024 dokumenton një diskutim të strukturuar mbi gjendjen e objektit, mundësinë e renovimit dhe projektin e ri. Ndër pjesëmarrësit figuron edhe Dom Ambroz Demaj. Sipas dokumentit, vlerësimi i tre inxhinierëve kishte çuar në përfundimin se renovimi i objektit ekzistues nuk ishte zgjidhja më e përshtatshme në raport me koston dhe qëllimin e projektit.¹⁶ Kjo është një dëshmi me rëndësi, sepse tregon se vendimmarrja për objektin e ri nuk u paraqit thjesht si dëshirë estetike, por u parapri nga vlerësime teknike dhe diskutim komunitar.
Roli i Dom Ambroz Demajt në këtë fazë mund të përcaktohet më saktë përmes dokumentit të 23 marsit 2025. Procesverbali e rendit “Raportimin nga Dom Ambroz Demaj” ndër pikat kryesore të rendit të ditës dhe regjistron njoftimin e tij se fillimi i ndërtimit ishte parashikuar për 7 prill 2025. Në të njëjtën kohë ai raportoi mbi ecurinë e projektit dhe mbi fondet e grumbulluara.¹⁷
Për historiografinë e objektit, ky dokument është shumë më tepër se një shënim administrativ. Ai dokumenton kalimin nga faza e konceptimit në atë të zbatimit dhe tregon se famullitari kishte rol të drejtpërdrejtë në informimin e bashkësisë rreth progresit. Në të njëjtën kohë, procesverbali dëshmon se komuniteti diskutonte hapur edhe çështjet e administrimit të donacioneve dhe të transparencës financiare.¹⁸
Ky aspekt duhet trajtuar me maturi shkencore. Dokumenti nuk duhet përdorur për të idealizuar marrëdhëniet brenda grupit organizativ; përkundrazi, ai dëshmon se ka pasur pikëpamje të ndryshme dhe debat të fortë rreth mënyrës së depozitimit të fondeve dhe anonimitetit të një donatori. Procesverbali shënon se takimi përfundoi pa një vendim të plotë, por në mënyrë paqësore e konstruktive.¹⁹ Pikërisht ky element e shton vlerën dokumentare të burimit: ai nuk paraqet vetëm sukseset e projektit, por ruan edhe gjurmën e debatit dhe të nevojës për mekanizma të qartë llogaridhënieje.
Në këtë kontekst, roli i Dom Ambroz Demajt shfaqet në një rrafsh më kompleks sesa ai i një administratori. Si famullitar ai gjendet në pikën ku takohen autoriteti baritor, pritjet e besimtarëve, kërkesat teknike të ndërtimit, interesimi i diasporës dhe nevoja për koordinim institucional. Menaxhimi i këtyre raporteve është pjesë e historisë së objektit dhe duhet dokumentuar pa ekzagjerim, por edhe pa e minimizuar rëndësinë e tij.
Dokumentacioni publik i projektit e paraqet ndërtimin e kishës së re si një ndërmarrje që synon të ruajë trashëgiminë e Nënë Terezës dhe të forcojë bashkësinë. Në materialin programor të projektit transparenca në mbledhjen, përdorimin dhe raportimin e donacioneve paraqitet si element themelor i financimit.²⁰ Ky formulim është relevant për vlerësimin e fazës së drejtuar nga Dom Ambroz Demaj, sepse tregon se dimensioni administrativ është bërë pjesë e vetëidentifikimit institucional të projektit.
Diaspora vazhdon të jetë një komponent qendror. Dokumentet e takimeve tregojnë për pjesëmarrje, donacione dhe struktura mbështetëse jashtë Kosovës.²¹ Në këtë kontekst, famullitari kryen edhe funksionin e urës ndërmjet bashkësisë së fshatit dhe anëtarëve të saj të shpërndarë në vende të ndryshme. Në historiografinë sociale të kishave shqiptare ky është një fenomen me interes të madh: territori i famullisë nuk përkon më plotësisht me territorin real të komunitetit, sepse një pjesë e tij jeton në diasporë, por vazhdon të marrë pjesë materialisht, simbolikisht dhe emocionalisht në jetën e vendlindjes.
Pikërisht këtu një filial i vogël fiton një dimension transnacional. Kisha e Dugajevës mbetet fizikisht në një fshat të Klinës, por rrjeti i njerëzve që e mbështesin mund të shtrihet në disa shtete. Famullitari bëhet kështu jo vetëm bari i besimtarëve që banojnë në territorin e tij, por edhe një pikë referimi për ata që vazhdojnë të identifikohen me bashkësinë edhe pse jetojnë jashtë saj.
Një tjetër element me rëndësi është ndërthurja e kishës me kujtesën e varrezave. Objekti i parë u ngrit pranë varrezave të fshatit.²² Në traditën katolike shqiptare kjo afërsi ka kuptim të thellë kulturor e teologjik. Varrezat mbajnë kujtesën e brezave, ndërsa liturgjia e kishës lidh bashkësinë e të gjallëve me kujtimin dhe lutjen për të vdekurit. Për familjet e emigrimit, kthimi te varret e të parëve është shpesh një nga format më të fuqishme të ruajtjes së lidhjes me vendin e origjinës.
Për këtë arsye, kujdesi baritor i Dom Ambroz Demajt nuk mund të reduktohet në projektin e ri ndërtimor. Vlera e tij duhet kërkuar edhe në ruajtjen e jetës së zakonshme kishtare: Meshën, sakramentet, përkujtimet, shërbesat mortore, festat dhe marrëdhëniet familjare. Këto veprime janë më pak të dukshme në dokumentet publike sesa një projekt ndërtimi, por në historinë e një bashkësie janë po aq të rëndësishme.
Në aspektin e historisë institucionale, shërbimi i Dom Ambroz Demajt mund të përkufizohet si fazë e konsolidimit dhe ripërtëritjes. Ai trashëgon një kishë të ngritur me sakrificë në periudhën e pasluftës, një traditë të lidhur me Dom Gjergj Gjergjin, një identitet të formësuar rreth Nënë Terezës dhe një komunitet që përballet me emigrimin dhe me nevojën e rindërtimit fizik të objektit. Përgjegjësia e tij konsiston në ruajtjen e këtyre shtresave dhe në orientimin e tyre drejt një faze të re.
Nga ky këndvështrim, krahasimi ndërmjet Dom Gjergj Gjergjit dhe Dom Ambroz Demajt duhet bërë në formë kronologjike, jo konkurruese. I pari lidhet me realizimin e nismës themeluese dhe me fillesat e jetës liturgjike; i dyti me ruajtjen e trashëgimisë, kujtesën e themeluesit, organizimin e bashkësisë dhe projektin e rindërtimit. Historia institucionale fiton kuptim vetëm kur këto faza shihen si vazhdimësi.
Dom Ambroz Demaj përfaqëson gjithashtu një shembull të bashkëpunimit ndërdioqezan. Statusi i tij Fidei Donum në Kosovë, i dokumentuar nga Vjetari 2025, tregon se shërbimi në Gllaviqicë nuk është vetëm një fakt biografik personal, por pjesë e një marrëdhënieje kishtare më të gjerë.²³ Në këtë aspekt, prania e tij lidh Dioqezën e Rrëshenit me jetën baritore të Dioqezës Prizren–Prishtinë dhe dëshmon një dimension të solidaritetit mes Kishave lokale shqiptare.
Nga pikëpamja akademike, vlerat e tij nuk duhet të shprehen me epitete të pambështetura, por të nxirren nga faktet e dokumentuara. Burimet aktualisht lejojnë të pohohet se ai ka qenë i pranishëm në ruajtjen e kujtesës së kishës, në përkujtimin e Dom Gjergj Gjergjit, në organizimin e ngjarjeve tereziane, në koordinimin e projektit të ri, në raportimin para komunitetit dhe në marrëdhënien me grupet e diasporës.²⁴ Pikërisht ky është standardi i një vlerësimi shkencor: cilësitë e personit nxirren nga veprimet dhe dokumentet, jo nga superlativët.
Në vitet 2024–2026 Kisha “Shën Nënë Tereza” hyn kështu në një fazë të dytë të historisë së saj. Objekti i parë, me gjithë vlerën simbolike të lidhur me vitet e pasluftës, po i lë vend një projekti që synon të sigurojë vazhdimësinë e bashkësisë për të ardhmen. Projekti i ri nuk duhet kuptuar si anulim i kishës së parë. Përkundrazi, nga pikëpamja e trashëgimisë historike do të ishte e rëndësishme që kujtesa e objektit të parë të dokumentohej sistematikisht përpara çdo transformimi: matje arkitektonike, fotografi, dokumentacion teknik, lista objektesh, regjistrim i kambanave, dëshmi të ndërtuesve dhe intervista me banorët.
Në të njëjtën mënyrë duhet trajtuar edhe arkivi i Dom Gjergj Gjergjit. Letërkëmbimi, fotografitë, shënimet personale, dokumentet e famullisë dhe çdo material mbi ndërtimin e viteve 2000–2003 do të mundësonin një rindërtim shumë më preciz të fazës themeluese. Pa këto dokumente, historiku aktual mbështetet në masë të konsiderueshme në materialet retrospektive të publikuara nga projekti.
Me rëndësi parësore është konsultimi i Liber Chronicus të Famullisë së Gllaviqicës për vitet 1999–2004 dhe për periudhën e Dom Ambroz Demajt. Kronika famullitare, nëse është ruajtur rregullisht, mund të japë data mbi Meshët, bekimet, vizitat ipeshkvore, ndërtimin, emrat e kontribuuesve dhe vendimet baritore. Krahas saj duhen kërkuar aktet e Ordinariatit të atëhershëm, dokumentet kadastrale, lejet e ndërtimit, projektet arkitektonike, faturat dhe procesverbalet.
Në mënyrë të veçantë duhet kërkuar dokumenti që përcakton statusin kanonik të filialit të Dugajevës. Fakti që burimet kishtare e vendosin Dugajevën brenda Famullisë së Gllaviqicës është i qartë, por një studim monografik do të fitonte saktësi më të madhe nëse do të kishte edhe aktin ose regjistrimin dioqezan përkatës. Kjo do të lejonte dallimin juridik ndërmjet emërtimit të përdorur në komunikimin publik dhe terminologjisë zyrtare të Kishës.
Po aq i nevojshëm është hulumtimi mbi emërtimin e objektit më 2003. Historiku lokal e lidh marrjen e emrit me lumturimin e Nënë Terezës dhe Meshën e 13 nëntorit.²⁵ Për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një emërtim liturgjik, një bekim, një dekret të autoritetit kishtar ose një vendim të bashkësisë, duhet gjetur dokumentacioni origjinal i asaj kohe.
Kjo do të ndihmonte edhe në verifikimin e pretendimit mbi statusin e “kishës së parë në botë”. Derisa ky verifikim të kryhet, kumtesa duhet të ruajë rezervën kritike. Shkenca historike nuk e zvogëlon vlerën e traditës lokale kur e verifikon; përkundrazi, e mbron atë nga pretendimet që mund të jenë të pambështetura dhe i jep forcë atyre të dhënave që përballojnë kritikën dokumentare.
Në perspektivën e historisë së re katolike të Kosovës, Dugajeva ka rëndësi pikërisht sepse përmbledh disa procese të mëdha në një histori lokale: përvojën e luftës dhe rindërtimit, organizimin rreth kishës, rolin e meshtarit, forcën e diasporës, kujtesën e të vdekurve, përhapjen e devocionit ndaj Shën Nënë Terezës dhe përpjekjen për vazhdimësi demografike e kulturore.
Kjo histori tregon gjithashtu se institucionet e vogla nuk janë periferike për historiografinë. Një filial rural mund të jetë laborator i proceseve më të gjera shoqërore: migrimit, ndryshimit të strukturës së familjes, komunikimit transnacional, bashkëpunimit klerik-laik dhe transformimit të kujtesës fetare në trashëgimi kulturore.
Në këtë kuptim, Dom Ambroz Demaj zë një vend të dokumentueshëm në fazën bashkëkohore të historisë së Dugajevës. Kontributi i tij qëndron në lidhjen e filialit me famullinë amë, në ruajtjen e vazhdimësisë me brezin e Dom Gjergj Gjergjit, në kultivimin e kujtesës së Shën Nënë Terezës, në përfshirjen në organizimin e projektit të ri dhe në bashkëpunimin me një komunitet që shtrihet përtej kufijve të fshatit.
Për rrjedhojë, figura e tij mund të vlerësohet jo thjesht si administrator i një periudhe, por si përfaqësues i një etape të caktuar të zhvillimit institucional të filialit. Ai vepron në momentin kur bashkësia duhet të kalojë nga ruajtja e një objekti të pasluftës drejt ndërtimit të një strukture të re, pa humbur kujtesën e asaj që e parapriu. Ky kalim kërkon njëkohësisht ndjeshmëri baritore, organizim praktik dhe aftësi për të mbajtur të lidhur aktorë të ndryshëm.
Në përfundim, Kisha “Shën Nënë Tereza” në Dugajevë të Klinës, filial i Famullisë “Lartësimi i Kryqit” në Gllaviqicë, përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të historisë së re kishtare të Kosovës. Historia e saj nuk mund të reduktohet në kronikën e një ndërtese. Në të bashkohen paslufta, besimi, familja, diaspora, kujtesa e të vdekurve, veprimtaria meshtarake, përkushtimi ndaj Shën Nënë Terezës dhe përpjekja për të ndërtuar një institucion që t’u shërbejë brezave të ardhshëm.
Në fazën e parë, Dr. Dom Gjergj Gjergji del si figura kryesore e realizimit të nismës themeluese. Në fazën e dytë, Dom Ambroz Demaj përfaqëson vazhdimësinë baritore dhe përpjekjen për konsolidim e rindërtim. Midis këtyre dy etapave qëndron një bashkësi besimtarësh që e ka mbajtur gjallë kishën nëpërmjet lutjes, kujtesës dhe kontributit, si në vendlindje ashtu edhe në diasporë.

Kjo vijimësi është ndoshta vlera më e rëndësishme historike e Dugajevës. Ajo dëshmon se trashëgimia kishtare nuk është vetëm ajo që merret nga e kaluara; ajo është edhe ajo që një brez vendos t’ia dorëzojë brezit tjetër. Në këtë proces, Kisha “Shën Nënë Tereza” bëhet një pikë ku historia lokale takohet me historinë e Kishës universale, ndërsa shërbimi i Dom Ambroz Demajt vendoset në vazhdën e një misioni që bashkon sakramentin, kujtesën, komunitetin dhe përgjegjësinë për të ardhmen.
Fusnotat
¹ Dioqeza Prizren–Prishtinë, “Famullia ‘Lartësimi i Kryqit’ – Gllaviqicë”, Dekanati i Pejës; Dom Ambroz Demaj figuron si famullitar.
² Historia e Ndërtimit të Kishës në Dugajevë, dokumentacioni i projektit “Kisha Shën Nënë Tereza”, Dugajevë.
³ Po aty, pjesa mbi ardhjen e Dr. Dom Gjergj Gjergjit në Famullinë e Gllaviqicës dhe fillimin e ndërtimit.
⁴ Po aty, njoftimi për Meshën e parë më 2 shkurt 2001.
⁵ Po aty, të dhënat mbi kambanat dhe ceremoninë e 1 shkurtit 2002.
⁶ Po aty, të dhënat mbi lumturimin dhe Meshën e 13 nëntorit 2003.
⁷ The World’s First Church Dedicated to Saint Mother Teresa, dokument programor i projektit të Dugajevës; shih edhe faqen institucionale të projektit.
⁸ Historia e Ndërtimit të Kishës në Dugajevë, pjesa mbi objektet e paraqitura si relike.
⁹ Selia e Shenjtë, Formula of Canonization, 4 shtator 2016; Holy See Press Office, njoftimi mbi kanonizimin e Nënë Terezës.
¹⁰ Historia e Ndërtimit të Kishës në Dugajevë, pjesa mbi 5 shtatorin dhe Ditën e Familjes.
¹¹ Kumbona, gusht 2021, “Në fshatin Dugojevë, Famullia e Gllaviqicës kishte festë të trefishtë”; materiali regjistron Dom Ambroz Demajn si famullitarin aktual.
¹² Dioqeza Prizren–Prishtinë, “Famullia ‘Lartësimi i Kryqit’ – Gllaviqicë”.
¹³ Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Vjetari 2025 i Kishës Katolike në Shqipëri, Dioqeza e Rrëshenit, f. 111: “Dom Ambroz Demaj (Fidei Donum në Kosovë)”.
¹⁴ Kumbona, gusht 2021, materiali për njëzetvjetorin e kishës dhe përkujtimin e Dom Gjergj Gjergjit.
¹⁵ Historia e Ndërtimit të Kishës në Dugajevë; The World’s First Church Dedicated to Saint Mother Teresa, dokumentacioni i projektit të ri.
¹⁶ Proces-verbal / Takimprotokoll: Ndërtimi i Kishës Shën Nënë Tereza – Dugajevë, takim online, 13 tetor 2024.
¹⁷ Proces-verbal / Takimprotokoll: Ndërtimi i Kishës Shën Nënë Tereza – Dugajevë, 23 mars 2025, f. 1.
¹⁸ Po aty, ff. 1–2.
¹⁹ Po aty, f. 2; procesverbali evidenton debatin mbi transparencën dhe përfundimin e takimit pa konkluzione të plota.
²⁰ The World’s First Church Dedicated to Saint Mother Teresa, pjesa “Financing Methods and Resource Sources”, f. 25.
²¹ Proces-verbal / Takimprotokoll, 23 mars 2025, të dhënat mbi kontributet e mbledhura në Kosovë dhe Zvicër.
²² Historia e Ndërtimit të Kishës në Dugajevë.
²³ Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Vjetari 2025, f. 111.
²⁴ Kumbona, gusht 2021; Proces-verbal / Takimprotokoll, 23 mars 2025.
²⁵ Historia e Ndërtimit të Kishës në Dugajevë, të dhënat mbi emërtimin dhe Meshën e falënderimit të vitit 2003.
Burime primare dhe institucionale
Dioqeza Prizren–Prishtinë, “Famullia ‘Lartësimi i Kryqit’ – Gllaviqicë”, regjistri zyrtar i famullive të Dekanatit të Pejës.
Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Vjetari 2025 i Kishës Katolike në Shqipëri, Dioqeza e Rrëshenit, Tiranë, 2025, f. 111.
Selia e Shenjtë, dokumentacioni liturgjik i kanonizimit të Nënë Terezës, 4 shtator 2016.
Historia e Ndërtimit të Kishës në Dugajevë, dokumentacioni institucional i projektit “Kisha Shën Nënë Tereza”, Dugajevë.
The World’s First Church Dedicated to Saint Mother Teresa, dokumenti programor i projektit të Kishës “Shën Nënë Tereza”, Dugajevë.
Proces-verbal / Takimprotokoll: Ndërtimi i Kishës Shën Nënë Tereza – Dugajevë, 13 tetor 2024.
Proces-verbal / Takimprotokoll: Ndërtimi i Kishës Shën Nënë Tereza – Dugajevë, 23 mars 2025.
Dokumentacioni financiar dhe materialet e projektit “Kisha Shën Nënë Tereza”, Dugajevë, 2024–2026.
Veprime periodike dhe literaturë plotësuese
Kumbona, gusht 2021, materiali kushtuar njëzetvjetorit të Kishës së Dugajevës, kanonizimit të Nënë Terezës dhe përkujtimit të Dr. Dom Gjergj Gjergjit.
Dielli Demokristian, nr. 27, Vjenë, dhjetor 2016, materiale mbi Nënë Terezën dhe Kishën e Dugajevës.
President me ‘rotacion’ për zgjidhjen e ‘Nyjes Gordiane’!
Florim Zeqa
Sikurse në të kaluarën e shekullit 19-të, edhe tani Kosova është në rrezik që të kthehet në figurë shahu dhe monedhë për kusuritje në tavolinën e fuqive të mëdha për ndaljen e luftërave shkatërrimtare!
Të ndalen abuzimet me mërgimtarët
Kombi shqiptarë akoma po vuan nga plaga e vjetër e ndarjeve të trojeve etnike, ku më tepër se gjysma tyre ende janë nën sundimin e shteteve fqinjë!
Bashkësia ndërkombëtare e di mirë faktin se Kosova është një vend i vogël me shumë plagë nga lufta e fundit çlirimtare.
E di mirë se Kosova dhe shqiptarët kanë kaluar nëpër të gjithë rrathët e ferrit për të ardhur deri tek liria. Kanë përjetuar maltretime dhe dhunë sistematike, burgje, dëbime, masakra, varreza masive, shtëpi të djegura e familje të shpërndara gjithandej botës në kërkim të shpresës për një jetë më të mirë!
E di mirë se dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova nuk po bëjnë asgjë për riatdhesimin e bashkombasve të tyre!
E di mirë edhe si i trajtojnë bashkatdhetarët me përbuzje, “erdhën këta të jashtit”, por jo edhe në fushata zgjedhore, të cilët i përdorin si “mish për topa” (numra për vota) të partive politike!
E di mirë se ështu bëjnë dhe veprojnë politikanët e papërgjegjshëm të dy shteteve shqiptare!
Shtetet shqiptare në prag të pushimeve verore bëjnë lojë me mërgimtarët duke organizuar maskarada mashtruese siq është i ashtuquajturi “Samiti i Diasporës” në Tiranë apo “Mirë se vini bashkatdhetarë” në Kosovë!
Qeveritarët në Prishtinë për çdo vjet për tre ditë rresht po i hapin dyert e Parlamentit për mërgimtarët, por kësaj radhe më mirë të mos i kishin hapur fare, çfarë përjetuan dhe panë bashkatdhetarët!
Një shtet i fituar me luftë rrezikon të humbet në paqe
Kur sakrifica dhe gjaku i derdhur për liri përdoret për interesa personale, atëherë ndodhë vrasja e dytë nga politikanët e atyre që ranë në altarin e lirisë!
Dëshmorët dhe martirët po përdorën nga politikanët vetëm gjatë fushatave zgjedhore, kurse familjarët e tyre i kanë lënë në harresë të plotë!
Kjo për më tepër se padrejtësi, paraqet abuzim me ata që ranë në altarin e lirisë.
Asnjëherë nuk duhet harruar se liria është amanet i dëshmorëve, kurse invalidët që lanë gjymtyrët e trupit në fushat e betajave janë testament i lirisë dhe pavarësisë së fituar me gjak dhe sakrifica të panumërta!
Një pjesë e politikanëve të sotëm shtetin e trajtojnë si pronë të partisë, Kuvendin arenë gladiatorësh për hakmarrje politike, kurse qeverinë si trofe të fitores së pamerituar, duke e trajtuar shtetin si plaçkë lufte e jo si atdhe të tyre!
Diskriminimi shoqëror e dëshmon se shtetarët nuk janë të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit!
Si pasojë e kësaj, shteti për dikë është bërë nënë e për dikë tjetër njerkë!
Nënë për të pamerituarit që nuk kanë dhënë asgjë nga vetja e tyre për lirinë e vendit, kurse njerkë për ata që kanë lënë pjesët e trupit në fushat e betejave të lavdishme çlirimtare!
Të marrin fund barrikadimet në Kuvend
Ngërçi politik është është kthyer lak në fyt për shtetin e Kosovës, ku pas çdo procesi zgjedhor, pavarësisht rezultatit, partitë në vend të formimit të institucioneve, po barrikadohet kundrejt njëra-tjetrës, duke e kthyer rivalitetin politik në armiqësi që po i ndan dhe përqan qytetarët.
Marrëveshja politike për zgjedhjen e Presidentit është kthyer në ‘Nyje Gordiane’ mes liderëve të partive politike!
Sa më shumë kohë e humbur aq më i mundimshëm po bëhet pazari politik për postin e Presidentit!
Meqë në karrigën e Presidentit nuk ka vend për të gjithë në të njëjtën kohë, do të ishte mirë të gjendet një zgjidhje përmes ‘rotacionit’, që në çdo gjashtë muaj të ndërrohen Presidentët për kënaqjen e egove personale, e cila mbase do t’na çonte në paqe sociale edhe mes komuniteteve tjera jo shqiptare!
Ndryshe nuk po shihet fundi i zgjidhjes së ‘Nyjes Gordiane’!
Qytetarët e lodhur dhe të frustruar nga zgjedhjet e shpeshta, gjithnjë e më shumë janë duke i bojkotuar proceset zgjedhore!
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, rezultati ishte 64:36 në favor të bojkototit!
Kush e di, sa do të ngritet kjo distancë në zgjedhjet e 27 dhjetorit!
Të shtrihet dora e pajtimit
Përderisa partitë politike që kanë marrë besimin e qytetarëve për përfaqësimin e tyre në Parlament, nuk po arrijnë dot të ulen në tavolinën e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes optimale, qoftë edhe përmes ‘rotacionit’!
Në të kundërtën, distanca mes bojkotit qytetar dhe militantëve partiakë do të ngritet akoma më lartë, saqë zgjedhjet përfundimisht do ta humbin kuptimin!
Përderisa partitë politike nuk binden se rivaliteti politik është vlerë e demokracisë e jo armiqësi, shteti i Kosovës rrezikon të rrëshqas në anarki!
Zgjidhjen e ngërçit politik duhet kuptuar si fitore për Kosovën, e jo kush do të fiton më shumë e kush tjetër më pak nga marrëveshja politike!
Kompromisi mes forcave politike për Presidentin duhet të bëhet për shtetin e jo për intersa partiake, klanore apo personale!
Zgjatja e dorës së pajtimit mes forcave politike nuk e poshtëron partinë fituese dhe as nuk i ulë më poshtë partitë humbëse, por e forcon shtetin dhe rritë besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.
Një gjë duhet ta kuptojmë të gjithë, liria e Kosovës është produkt i një rezistence të gjatë paqesore dhe e një lufte të lavdishme çlirimtare, por edhe meritë e ndihmës së madhe dhe të pakursyer të bashkësisë ndërkombëtare, të cilën jemi duke e zhgënjyer me veprimet tona!
Florim Zeqa, analist i pavarur politik.
Skaj një mali
(Në kujtim të Ngadhnjim Fetah Shehollit, në gjashtëmujorin e ndarjes së tij nga jeta, si pasojë e një aksidenti komunikacioni në Austri.)
Poezi elegjiake
Skaj një mali,
varre burrash, grash, vashash
e fëmijësh.
Portrete burrash seriozë,
të gdhendura në mermer të bardhë,
me shikim të mprehtë,
sikur kur ishin gjallë.
Disa me plisa e marama,
disa me kapela franceze,
disa me frizura
e të buzëqeshur.
Skaj këtij mali
ka varre pa gurë e pa emër,
si pasojë e çmendurisë sonë.
Fytyra grash
të stampuara në gurë,
me flokë të shprishura
nga erërat dhe stuhitë
e kohërave të pamëshirshme.
Varre vashash,
me fytyra të ndritura si hëna,
që s’arritën të bëhen nuse.
Varre djemsh të rinj,
që pabesisht u vranë
në ushtri të huaja,
në ushtri të dreqit.
Varre fëmijësh,
me shikimin kah nënat,
sikur atyre u thonë:
“Na merrni në gji!”
Në varrezat pranë malit,
edhe një varr i njomë
i një djali të ri,
mërgimtar,
që vdiq aksidentalisht
në një mision humanitar.
Djali shpirtmirë e solidar,
rritur e burrëruar në Zvicër,
edhe gjumin e bënte
me Llapin dhe Herticën.
Me këmishën e bardhë
dhe qëndrimin gatitu,
porsi ushtar,
i bën roje Atdheut,
të cilin e deshi
me shpirt e zemër.
Zogj e njerëz kalimtarë
luten për shpirtin
e djalit mërgimtar,
i cili prehet pranë gjyshit dhe gjyshes,
në varrezat e Herticës,
skaj një mali.

Arif Ejupi
Gjenevë, 22 gusht 2026
Rezultati i emisarëve të Islamit Politik po shihet sheshazi!

Protesta e së dieles në Zogaj të Vushtrrisë dhe pasojat për protestuesit
Vushtrria në dëshmitë e historisë sonë kishtare, kombëtare dhe ndërkombëtare

Dom Fran Sopi – Binçë, më 21 gusht 2026
Duke e parë gjendjen e përgjithshme që, jo rrallë, e ka mjegulluar para opinionit njohjen e historisë së popullit të Kosovës dhe, në veçanti, të shqiptarëve autoktonë të Republikës së Kosovës, si dhe duke marrë shkas nga debatet e kohëve të fundit rreth pranisë dhe ndërtimit të një Kishe Katolike në territorin e Vushtrrisë, po paraqes disa të dhëna studimore, kishtare dhe historike, me qëllim që kjo çështje të vështrohet mbi bazën e dokumentit, kritikës së burimit dhe kujtesës së verifikueshme.
Historia nuk ndërtohet mbi përshtypjen e çastit dhe as mbi interpretime të kushtëzuara nga rrethanat politike, shoqërore apo konfesionale. Ajo kërkon krahasim kritik të dëshmive, përcaktim të prejardhjes së burimit, analizë të kontekstit, verifikim të terminologjisë dhe, mbi të gjitha, dallim të qartë ndërmjet kufijve administrativë të periudhave historike dhe atyre bashkëkohorë. Në këtë kuadër duhet lexuar edhe historia e Vushtrrisë, e cila nuk mund të reduktohet në strukturën e sotme fetare të qytetit apo të komunës, por duhet vendosur në vazhdimësinë e saj shumëshekullore.
Një nga problemet themelore metodologjike është dallimi ndërmjet Vushtrrisë si qendër urbane dhe Sanxhakut historik të Vushtrrisë, i cili në burime të ndryshme paraqitet me trajta si Vučitrn, Vucitrn, Vuciterna dhe forma të tjera të afërta. Në periudha të caktuara, sanxhaku përfshinte një territor dukshëm më të gjerë se kufijtë e qytetit të sotëm. Për këtë arsye, përmendja e Sanxhakut të Vushtrrisë në një dokument nuk mund të identifikohet automatikisht me qendrën urbane. Në të njëjtën kohë, mungesa e deritanishme e një kishe katolike të identifikuar me emër, datë dhe vendndodhje të sigurt brenda qytetit nuk përbën argument të mjaftueshëm për mohimin e pranisë katolike në hapësirën historike më të gjerë.
Kosova mesjetare dhe territoret që më vonë hynë në administrimin osman përfaqësonin një mjedis me struktura të ndërlikuara kishtare, ekonomike dhe shoqërore. Në qendrat minerare dhe tregtare dokumentohen bashkësi katolike të përbëra nga popullsi vendëse, shqiptarë katolikë, tregtarë raguzanë dhe minatorë me prejardhje nga vise të ndryshme evropiane. Novobërda, Janjeva dhe Trepça janë ndër qendrat me rëndësi të veçantë për rindërtimin e kësaj harte kishtare. Në Novobërdë përmendet, ndër të tjera, edhe tradita e kishës së njohur si Santa Maria de Nuovomonte, dëshmi me rëndësi për organizimin latin në një nga qendrat kryesore minerare të Mesjetës.¹
Në këtë pikë, vepra e Don Gaspër Gjinit, Ipeshkvia Shkup–Prizren nëpër shekuj, ka rëndësi të posaçme si sintezë e historisë institucionale, dioqezane dhe pastorale të Kishës Katolike në Kosovë dhe në territoret historikisht të lidhura me Ipeshkvinë Shkup–Prizren. Ajo ndihmon që Novobërda, Janjeva, Trepça dhe qendrat e tjera të mos shihen si raste të izoluara, por si pjesë të një hapësire ku ndërthureshin jeta kishtare, ekonomia minerare, rrugët tregtare, lëvizja e klerit dhe marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë.
Novobërda zë një vend të posaçëm në këtë kontekst. Rëndësia e saj si qendër minerare krijoi një mjedis ku u ndërthurën popullsi të ndryshme, tregtarë, zejtarë, minatorë dhe bashkësi fetare. Prania katolike aty duhet studiuar jo vetëm përmes objekteve të kultit, por edhe nëpërmjet dokumenteve mbi klerin, tregtarët, familjet, varrezat, toponiminë dhe lidhjet me qendrat e tjera.
Janjeva, nga ana tjetër, dëshmon një vazhdimësi më të dukshme të organizimit katolik. Rëndësia e saj lidhet me praninë e bashkësisë së besimtarëve, veprimtarinë e meshtarëve, marrëdhëniet me Arqipeshkvinë e Shkupit dhe formimin e klerit vendor. Trepça, po ashtu, duhet parë në të njëjtin horizont historik, veçanërisht për shkak të rolit të saj minerar dhe të qarkullimit të njerëzve ndërmjet qendrave ekonomike të Kosovës.
Këto të dhëna nuk lejojnë të pretendohet se çdo vendbanim i Sanxhakut të Vushtrrisë kishte të njëjtën strukturë fetare. Ato tregojnë, megjithatë, se hapësira historike në të cilën gjendej Vushtrria ishte e lidhur me një rrjet të hershëm të krishterimit latin.
Një çështje tjetër me rëndësi të veçantë është islamizimi. Nuk ekziston një vit i vetëm në të cilin mund të thuhet shkencërisht se shqiptarët e Vushtrrisë u islamizuan në mënyrë kolektive. Historiografia bashkëkohore e trajton kalimin drejt Islamit në viset shqiptare si një proces gradual, shumëbrezësh dhe të pabarabartë, i cili zhvillohej me ritme të ndryshme sipas vendit, periudhës dhe shtresës shoqërore.²
Në këtë proces ndërthureshin faktorë juridikë, fiskalë, ekonomikë, shoqërorë, administrativë dhe politikë. Në rrethana të ndryshme mund të kenë ndikuar bindja fetare, mobiliteti shoqëror, marrëdhëniet pronësore, integrimi në strukturat osmane, siguria familjare dhe faktorë të tjerë. Për këtë arsye, as formula e një islamizimi të menjëhershëm dhe as një interpretim me një shkak të vetëm nuk janë të mjaftueshme për një analizë shkencore.
Defterët osmanë të shekujve XV–XVI janë burime me rëndësi të madhe për rindërtimin e strukturës së popullsisë, por përdorimi i tyre kërkon rigorozitet metodologjik. Ata ishin kryesisht regjistra fiskalë dhe administrativë, jo regjistrime të kombësisë në kuptimin bashkëkohor. Për këtë arsye, antroponimia, statusi fiskal dhe përkatësia fetare duhet të analizohen veçmas dhe të krahasohen me burime të tjera.³
Në fillim të shekullit XVII, historia e katolicizmit në Kosovë fiton një bazë dokumentare edhe më të pasur. Krijimi i Sacra Congregatio de Propaganda Fide në Romë, më 1622, institucionalizoi mbikëqyrjen dhe përkrahjen e bashkësive katolike në territore ku ato jetonin në kushte të veçanta politike dhe konfesionale. Relacionet e ipeshkvijve, misionarëve dhe vizitatorëve apostolikë përbëjnë burime të dorës së parë për historinë kishtare të kësaj periudhe.
Në këtë kontekst shfaqet figura e Pjetër Mazrekut, prelat katolik shqiptar dhe vizitator apostolik. Një akt osman i vitit 1632 lidhet me ushtrimin e veprimtarisë pastorale të një ipeshkvi latin dhe me mbrojtjen e shërbimit ndaj të krishterëve të ritit latin; në horizontin administrativ të dokumentit paraqitet edhe Vučitrn-i.⁴ Për dokumentacionin sulltanor të viteve 1627–1647, një burim i rëndësishëm i botuar është korpusi i Dušanka Bojanić-it.⁵
Rëndësia e këtij dokumenti duhet vlerësuar me maturi. Përmendja e Vučitrn-it dëshmon lidhjen e kësaj hapësire administrative me horizontin ku vepronte kleri latin. Ajo nuk provon vetvetiu se në vitin 1632, brenda qendrës së sotme urbane të Vushtrrisë, ekzistonte një kishë me emër, titullar dhe strukturë famullitare të identifikuar. Në historiografinë profesionale, ky dallim ndërmjet asaj që dokumenti dëshmon dhe asaj që mbetet hipotezë kërkimore është themelor.
Në aparatin arkivor të Archivio Storico de Propaganda Fide është transmetuar edhe referenca S.C. Servia, vol. 3, pp. 87–88, e lidhur me dokumentacionin e kësaj periudhe.⁶ Për një botim shkencor përfundimtar, kjo signaturë duhet kontrolluar drejtpërdrejt në dokumentin origjinal. Ky verifikim është i domosdoshëm, sepse kritika moderne e burimit kërkon që një referencë e marrë nga literatura sekondare të mos paraqitet sikur autori ta kishte konsultuar personalisht origjinalin.
Në shekullin XVIII, rrjeti katolik i Arqipeshkvisë së Shkupit vazhdonte të përfshinte qendra të ndryshme të Kosovës. Janjeva mbeti një prej vatrave më të rëndësishme të kësaj vazhdimësie. Dokumentacioni kishtar përmban materiale mbi meshtarët, famullitë, udhëtimet baritore, jetën sakramentale, problemet ekonomike dhe marrëdhëniet me autoritetet.⁷
Në të njëjtën hapësirë dokumentohen edhe mbiemra shqiptarë, ndër ta Gashi, Krasniqi dhe Berisha, çka e bën të nevojshme një analizë të posaçme prosopografike të klerit vendor.⁸ Megjithatë, mbiemri nuk duhet përdorur si kriter i vetëm për përcaktimin etnik. Një analizë profesionale duhet të shqyrtojë njëkohësisht vendlindjen, gjuhën, lidhjet familjare, shkollimin, vendin e shërbimit dhe mënyrën se si individi paraqitet në dokumentet bashkëkohore.
Një signaturë tjetër e transmetuar për këtë korpus është S.C. Servia, vol. 3, p. 83.⁹ Edhe në këtë rast, para përdorimit përfundimtar, duhet kontrolluar dokumenti origjinal për datën, autorin, adresatin, përmbajtjen dhe kontekstin. Ky parim nuk është vetëm çështje teknike; ai përbën themelin e përgjegjësisë shkencore.
Dokumentacioni i kësaj periudhe dëshmon gjithashtu formimin e klerit vendor, i cili studionte në kolegje kishtare dhe më pas kthehej për t’u shërbyer bashkësive të origjinës.¹⁰ Kjo përbën një fushë me rëndësi të veçantë për historinë shqiptare të Kishës, sepse studimi i biografive të këtyre meshtarëve mund të ndihmojë në rindërtimin e rrjeteve familjare, vendbanimeve dhe vazhdimësisë së katolicizmit.
Një problem tjetër historiografik është fenomeni i katolikëve të fshehtë. Relacionet e shekujve XVII–XVIII përmendin raste individësh ose familjesh që, nën ndikimin e rrethanave juridike, fiskale apo shoqërore, mund të paraqiteshin publikisht me një identitet fetar tjetër, ndërsa në jetën familjare ruanin elemente të traditës katolike.¹¹ Ky fenomen kërkon kujdes të posaçëm, sepse dëshmon se regjistrimi administrativ nuk pasqyronte domosdoshmërisht të gjithë kompleksitetin e identitetit fetar.
Për këtë arsye, historia e islamizimit të shqiptarëve të Kosovës nuk mund të reduktohet në dy skaje interpretative. Nuk është e saktë të konsiderohet çdo konvertim vetëm rezultat i dhunës; po aq problematike është të injorohen pabarazitë juridike, fiskale dhe shoqërore që karakterizonin rendin para-modern.¹² Historiografia bashkëkohore e trajton këtë proces në kuadër të transformimeve më të gjera politike, shoqërore dhe kulturore të shoqërisë shqiptare nën sundimin osman.
Nga tërësia e burimeve të shqyrtuara mund të nxirren disa përfundime metodologjikisht të qëndrueshme. Hapësira historike e Vushtrrisë nuk mund të shkëputet nga historia më e gjerë e krishterimit dhe katolicizmit në Kosovën qendrore dhe verilindore. Përmendja e Vučitrn-it në dokumentacionin e shekullit XVII përbën një dëshmi që meriton studim të mëtejshëm, ndërsa Janjeva, Novobërda dhe Trepça dëshmojnë se në këtë hapësirë më të gjerë ekzistonte një rrjet katolik me objekte kulti, kler, bashkësi dhe komunikim me hierarkinë kishtare.¹³
Megjithatë, pikërisht këtu kërkohet kujdesi më i madh: historia e këtyre qendrave nuk duhet transferuar mekanikisht te Vushtrria. Një studim i ardhshëm duhet të kërkojë dëshmi që lidhen drejtpërdrejt me qytetin, kazanë dhe fshatrat e Vushtrrisë, duke dalluar çdo herë nivelin administrativ të përmendur në burim.
Për këtë qëllim duhet të ndërthuren disa metoda: kritika e burimit, prosopografia, onomastika, topografia historike, historia kishtare dhe arkeologjia. Vetëm krahasimi i dokumenteve të Propaganda Fide me aktet osmane, defterët, regjistrat e xhizjes, materialin epigrafik dhe të dhënat arkeologjike mund të çojë në një rindërtim të besueshëm të hartës së katolicizmit në Vushtrri dhe rrethinë.
Në këtë kuptim, vepra e Don Gaspër Gjinit mbetet një pikënisje e rëndësishme, por jo përfundimi i kërkimit. Studimi sekondar jep kornizën; dokumenti parësor jep provën. Ky duhet të jetë parimi udhëheqës i çdo punimi që synon standard akademik.
Nga këndvështrimi i një meshtari katolik, këto dëshmi kanë edhe një dimension njerëzor dhe shpirtëror. Pas një emri në dokument qëndron një njeri; pas një famullie, një bashkësi; pas një kishe të rrënuar, kujtesa e lutjes; pas një varri, jeta e një brezi. Por respekti për këtë trashëgimi nuk na jep të drejtë ta zbukurojmë historinë. Përkundrazi, na detyron ta kërkojmë me më shumë saktësi.
Nëse një dokument përdor termin Vučitrn, duhet të përcaktojmë nëse bëhet fjalë për qytetin, kazanë apo sanxhakun. Nëse përmenden të krishterë latinë, nuk duhet t’u caktojmë përkatësi etnike pa dëshmi plotësuese. Nëse nuk kemi ende një dokument që identifikon me siguri një kishë katolike në qytetin e Vushtrrisë, atëherë përgjigjja shkencore duhet të jetë se kërkimi mbetet i hapur.
Kjo maturi nuk e dobëson tezën. Përkundrazi, e forcon.
Trashëgimia islame e Vushtrrisë përbën një pjesë të rëndësishme dhe të pamohueshme të historisë së qytetit. Njëkohësisht, trashëgimia e krishterë dhe lidhjet historike me katolicizmin duhet të studiohen dhe të ruhen aty ku dëshmohen. Njohja e njërës nuk kërkon mohimin e tjetrës. Historia e Kosovës është më e pasur se çdo narrativë që përpiqet ta reduktojë atë në një shtresë të vetme.
Prandaj, historia shqiptare katolike e Vushtrrisë nuk duhet të shndërrohet në instrument polemik, por në objekt kërkimi shkencor. Detyra e ardhshme është të identifikohen familjet, vendbanimet, meshtarët, varrezat, objektet e mundshme të kultit dhe rrugët pastorale që mund të lidhen drejtpërdrejt me Vushtrrinë.
Vetëm atëherë do të mund të ndërtojmë një hartë më të plotë: fshat më fshat, familje më familje, meshtar më meshtar dhe dokument më dokument.
Historia nuk ka nevojë për teprim.
Ajo ka nevojë për dëshmi.
Nga këndvështrimi im si meshtar, kjo është edhe pika ku shkenca dhe përgjegjësia shpirtërore takohen. Historia e këtyre trojeve nuk është vetëm një varg datash, emrash dhe rrënojash; ajo është kujtesa e njerëzve që kanë lindur këtu, kanë punuar, janë lutur, kanë rritur familjet e tyre dhe janë prehur në këtë tokë shumë kohë para nesh.
Kur flasim për Vushtrrinë, Novobërdën, Janjevën apo Trepçën, pyetja nuk duhet të jetë se cila fe ka të drejtë ta përjashtojë tjetrën nga historia. Pyetja e studiuesit dhe e njeriut të ndërgjegjshëm duhet të jetë: Çfarë dëshmon dokumenti? Çfarë ruan guri i katedraleve në tokat Dardane ? Çfarë na thotë varri? Çfarë na mëson kujtesa?
Si meshtar, këtë histori nuk e shoh si një mur apo ndarje që duhet ngritur ndërmjet njerëzve, por si një urë që duhet ndërtuar mbi të vërtetën. Kisha nuk ka nevojë ta shpikë të kaluarën e saj. Detyra e saj është ta kërkojë me ndershmëri, ta dokumentojë me përgjegjësi, ta ruajë me përulësi dhe ta dëshmojë pa urrejtje.
Guri i një katedrale të vjetër siq thuhet nga studiues me renome botërore pra, gur në tokën e katedraleve nuk është akuzë ndaj askujt; është dëshmi se dikush është lutur aty. Një varr nuk është pretendim politik; është shenjë e një jete njerëzore. Një dorëshkrim nuk është armë; është kujtesë. Një dokument nuk kërkon hakmarrje; kërkon vetëm të lexohet me ndershmëri.
Prandaj edhe mesazhi im emblematik që del nga ky hulumtim është i qartë:
Të mos i frikësohemi historisë. E vërteta historike nuk ia zvogëlon askujt identitetin dhe nuk ia merr askujt besimin. Ajo na mëson të respektojmë gjurmën e tjetrit. Një popull që di ta ruajë identitetin dhe kujtesën e vet, por njëkohësisht respekton dorëshkrimin, varrin, objektin e kultit dhe kujtimin e tjetrit, nuk mbron vetëm trashëgiminë e së kaluarës — ai mbron ndërgjegjen, dinjitetin dhe shpirtin e vet.
FUSNOTAT DHE REFERENCAT SHKENCORE
¹ Gaspër Gjini, Ipeshkvia Shkup–Prizren nëpër shekuj, Zagreb, 1986. Vepra përdoret këtu si sintezë themelore për historinë kishtare, dioqezane dhe pastorale të Ipeshkvisë Shkup–Prizren, me rëndësi të posaçme për Novobërdën, Janjevën, Trepçën dhe qendrat e hershme të katolicizmit. Për çdo pohim konkret mbi një kishë, datë, numër familjesh ose klerik të veçantë kërkohet krahasimi me burimin parësor përkatës.
² Bernd J. Fischer – Oliver Jens Schmitt, A Concise History of Albania, Cambridge University Press, Cambridge, 2022, veçanërisht pjesët mbi shqiptarët nën sundimin osman dhe transformimet konfesionale.
³ Defterët osmanë të Sanxhakut të Vushtrrisë, shek. XV–XVI; të përdoren duke dalluar kategoritë fiskale, juridike, fetare dhe etnike.
⁴ Akt osman i vitit 1632 mbi veprimtarinë e Pjetër Mazrekut dhe shërbimin ndaj të krishterëve latinë; për interpretimin përfundimtar kërkohet kontrolli i botimit kritik dhe i traditës arkivore.
⁵ Dušanka Bojanić, “Sultanska akta izdata na zahtev Dubrovačke Republike od 1627. do 1647. godine”, Mešovita građa/Miscellanea, knj. X, Istorijski institut, Beograd, 1982.
⁶ Archivio Storico de Propaganda Fide, S.C. Servia, vol. 3, pp. 87–88; signatura duhet kontrolluar në origjinal përpara një botimi kritik.
⁷ Archivio Storico de Propaganda Fide, fondet S.C. Servia dhe SOCG, dokumentacion mbi Arqipeshkvinë e Shkupit, shek. XVII–XVIII.
⁸ Gaspër Gjini, Ipeshkvia Shkup–Prizren nëpër shekuj; të krahasohet, kur është e mundur, me dokumentacionin prosopografik të Propaganda Fide.
⁹ Archivio Storico de Propaganda Fide, S.C. Servia, vol. 3, p. 83; signaturë për verifikim të drejtpërdrejtë.
¹⁰ Archivio Storico de Propaganda Fide, Collegi Vari dhe S.C. Servia, dokumentacion mbi formimin e klerit vendor.
¹¹ Archivio Storico de Propaganda Fide, relacionet e Arqipeshkvisë së Shkupit, shek. XVII–XVIII; për çështjen e katolikëve të fshehtë kërkohet krahasim me dokumentacionin osman.
¹² Fischer – Schmitt, A Concise History of Albania, Cambridge University Press, 2022.
¹³ Bojanić, “Sultanska akta…”, 1982; Archivio Storico de Propaganda Fide, S.C. Servia, vol. 3, pp. 87–88; për përdorim përfundimtar kërkohet kontrolli i origjinalit.
BURIMET ARKIVORE
Archivio Storico de Propaganda Fide, Romë
- C. Servia, vol. 3, pp. 87–88.
- C. Servia, vol. 3, p. 83.
- C. Servia, vol. 1–3.
- SOCG – relacionet dhe korrespondenca mbi Arqipeshkvinë e Shkupit.
- Collegi Vari – materiale mbi formimin e klerit.
Burime osmane
- Defterët e Sanxhakut të Vushtrrisë, shek. XV–XVI.
- Akte sulltanore të shekullit XVII.
- Regjistra fiskalë dhe regjistra të xhizjes.
LITERATURA
Bojanić, Dušanka, “Sultanska akta izdata na zahtev Dubrovačke Republike od 1627. do 1647. godine”, Mešovita građa/Miscellanea, knj. X, Istorijski institut, Beograd, 1982.
Fischer, Bernd J. – Schmitt, Oliver Jens, A Concise History of Albania, Cambridge University Press, Cambridge, 2022.
Gjini, Gaspër, Ipeshkvia Shkup–Prizren nëpër shekuj, Zagreb, 1986.
Archivio Storico de Propaganda Fide, dokumentacion mbi Arqipeshkvinë e Shkupit, shek. XVII–XVIII.
Defterët dhe aktet osmane të Sanxhakut të Vushtrrisë, shek. XV–XVII.
Beteja për Zhuçin: fitorja që mbrojti Sarajevën dhe fati tragjik i heroit Haxho Asllani – Shoku

Ismet Azizi, Gjilan
Nga fitorja strategjike e 8 qershorit 1992 te porosia shoqërore që la pas njëri prej diversantëve më të guximshëm të Brigadës së Dytë të Motorizuar “Viteška” të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës.
Beteja për kodrën e Zhuçit (Žuč), më 8 qershor 1992, ishte njëra ndër fitoret e para të mëdha të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës. Ajo pengoi ndarjen e Sarajevës, forcoi lidhjen e mbrojtësve të qytetit me zonën e Vogoshqës dhe hapi rrugën për çlirimin e pozicioneve të tjera strategjike. Krahas kujtimit të kësaj fitoreje qëndron edhe historia e Haxho Asllanit – Shokut, heroit me prejardhje shqiptare, të cilin lufta e bëri të njohur, ndërsa paqja pothuajse e harroi.
Zhuçi – pikë kthese në mbrojtjen e Sarajevës
Në pranverën e vitit 1992, Sarajeva po përballej me rrethimin, sulmet e artilerisë dhe përpjekjen e forcave agresore për ta ndarë qytetin dhe vijat e tij mbrojtëse. Kodra e Zhuçit kishte rëndësi të jashtëzakonshme strategjike: nga kuotat e saj kontrolloheshin pjesë të mëdha të Sarajevës, ndërsa pozicionet në Orliq, Vis, Kuotën 850 dhe Golo Brdo përbënin kërcënim të vazhdueshëm për popullsinë dhe mbrojtësit.
Më 8 qershor 1992, njësitë e Mbrojtjes Territoriale nga komunat e Sarajevës – Novi Grad, Novo Sarajevo dhe Vogoshqa – filluan sulmin kundër një kundërshtari shumë më të armatosur. Mbrojtësit çliruan majën Orliq dhe hapësirën më të gjerë drejt Volujakut e Krstacit, si dhe zonën drejt vendbanimeve Smiljeviqi e Zabrgje. Në luftime u zunë sasi të konsiderueshme armësh, municioni, pajisjesh ushtarake dhe materiali sanitar.
Kjo fitore vërtetoi rezultatet e Betejës së mëparshme të Pofalićit dhe siguroi një lidhje më të qëndrueshme me mbrojtësit e zonës së Vogoshqës, veçanërisht drejt Ugorskos, Bushqes dhe Kobilja Glavës. Pas marrjes së Orliqit u krijuan parakushtet për çlirimin e Kuotës 850, Visit dhe Golo Brdos. Duke i shtyrë pozicionet agresore më larg bërthamës së ngushtë urbane, u zbut trysnia mbi popullsinë e rrethuar dhe përpjekja për ta ndarë mbrojtjen e Sarajevës mori një goditje të rëndë.
“Shpirti fitoi”
Në tubimin e madh popullor të mbajtur në Zhuç më 8 qershor 1996, me rastin e përvjetorit të betejës, presidenti i Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, Alija Izetbegović, foli për mrekullinë e rezistencës boshnjake, e cila vështirë shpjegohej vetëm me logjikë ushtarake. Fjalët e tij mbetën një prej interpretimeve më të fuqishme të dimensionit moral të mbrojtjes së Sarajevës:
“Bosnjën gjithmonë e kemi përfytyruar si vend të njerëzve të mirë, të drejtë dhe me dinjitet; kemi besuar se pikërisht aty qëndron fuqia e Bosnjës, por edhe pafuqia e sulmuesve që vazhdimisht janë vërsulur për ta nënshtruar. Kur një ditë të bëhen analizat dhe, nga një largësi historike, të kërkohet shpjegimi i asaj mrekullie të rezistencës boshnjake, jam i sigurt se fshehtësia do të gjendet diku në shpirtin ose karakterin e njerëzve. Kujtojeni pranverën dhe verën e vitit 1992. Ne pothuajse duarthatë, ata të armatosur deri në dhëmbë; e pastaj ne, bashkë me përbindëshat e tyre prej çeliku, i shtynim gradualisht nga qyteti drejt pyjeve, ku edhe e kishin vendin. Ishte një përplasje e vërtetë ndërmjet së mirës dhe së keqes, ndërmjet njeriut dhe jonjeriut. Shpirti fitoi. Sipas asnjë logjike apo llogarie ushtarake, ata atëherë nuk duhej të largoheshin nga Sarajeva. Të gjitha epërsitë ushtarake ishin në anën e tyre, asnjë në anën tonë.”
— Fjalimi i Alija Izetbegovićit në Zhuç, 8 qershor 1996
Prandaj, Beteja për Zhuçin nuk mbeti vetëm një operacion ushtarak. Ajo u shndërrua në simbol të rezistencës së një qyteti që, pavarësisht epërsisë materiale dhe teknike të agresorit, arriti t’i ruante pozicionet kyçe mbrojtëse dhe idenë politike të një Bosnjë-Hercegovine të tërësishme.
“Krahët e lirisë” – monument i fitores dhe kujtesës
Në Golo Brdo, në kuadër të Kompleksit Memorial Zhuç, më 8 qershor 2024 u përurua solemnisht monumenti “Krahët e lirisë”. Gurthemeli ishte vendosur në vitin 2022, ndërsa zogu monumental i stilizuar, si simbol i lirisë, ka një hapje krahësh rreth 25 metra dhe lartësi rreth 16 metra. Monumenti i ndriçuar shihet nga shumë pika të Sarajevës, si edhe nga drejtimi i aeroportit, Bjellashnicës dhe Trebevićit.
Monumenti e ruan kujtimin për luftëtarët që e mbrojtën Sarajevën, por porosia e tij e plotë nuk gjendet vetëm në gur. Ajo gjendet edhe në jetën e luftëtarëve të mbijetuar – në plagët, traumat e pasluftës dhe kujdesin shpesh të pamjaftueshëm të shoqërisë. Pikërisht këtu kujtesa për Zhuçin takohet me historinë e jetës së Haxho Asllanit, të njohur si Shok.
Haxho Asllani – Shok, shqiptari ndër mbrojtësit e Sarajevës
Haxho Asllani, i njohur si Shoku i Zhuçit, ishte diversant i Brigadës së Dytë të Motorizuar “Viteška” të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës dhe njëri prej luftëtarëve që bashkëluftëtarët e kujtonin për trimëri të jashtëzakonshme. Ishte shqiptar me prejardhje, i lindur në Shkup; një pjesë të jetës e kishte kaluar në Kumanovë, ndërsa disa vjet para luftës ishte shpërngulur në Sarajevë. Nofka e tij lidhej me fjalën shqipe shok – mik e bashkëluftëtar.
Ishte trupvogël, i tërhequr dhe fjalëpakë, por në fushëbetejë, sipas dëshmive të bashkëluftëtarëve, shndërrohej në një forcë që ua hapte rrugën njësive të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës. Nuk i pëlqente të fliste për bëmat e veta. Thoshte se gjithçka kishte qenë vullnet i Zotit dhe se, po të ishte përsëri e nevojshme, do ta merrte sërish pushkën për ta mbrojtur Bosnjë-Hercegovinën.
Sulmi në Vis dhe thirrja: “Mos qëlloni, është Shoku ynë!”
Në një aksion në Vis, gjatë dimrit të vitit 1992, Shoku u plagos, por vazhdoi përpara dhe mori llogoret kundërshtare. Përjetimin e tij e përshkroi më vonë pa zbukurime, me gjuhën e një njeriu që kishte mbijetuar një përleshje trup më trup:
“Kur arritëm te llogoret, dikush duhej të ngrihej i pari dhe të sulmonte. U ngrita, fillova të hidhja bomba në llogoren e parë dhe të qëlloja me automatik. Kishin mbetur edhe dy ushtarë kundërshtarë. Njërin e godita, pastaj më mbaruan plumbat. Tjetri ishte trupmadh; më ngriti nga toka dhe filloi të më mbyste. Desha ta nxirrja thikën, por nuk munda. Disi mblodha forcën dhe e godita. Pastaj pashë ‘mbjellësin e vdekjes’, e kapa dhe fillova të qëlloja. Kur dola nga llogorja, arritën bashkëluftëtarët e mi dhe menduan se isha ushtar armik. Dikush bërtiti: ‘Mos qëlloni, është Shoku!’ Ua dhashë armën dhe shkova te mjeku, sepse më kishin goditur tre plumba. Atëherë Zoti ma shpëtoi jetën. Një herë kam lindur dhe një herë do të vdes; për Bosnjën nuk më dhimbset as të bie.”
— Haxho Asllani – Shok, sipas një dëshmie të botuar më herët
Pamja e luftëtarit të plagosur që dilte nga llogorja me mitraloz të rëndë në duar, ndërsa bashkëluftëtarët bërtisnin të mos qëllonin, hyri në kujtesën gojore të luftëtarëve të Zhuçit. Megjithatë, heroizmi në fushëbetejë nuk e mbrojti nga jeta e rëndë në paqe.
Paqja i solli traumë, varfëri dhe harresë
Pas luftës, Haxho Asllani u përball me çrregullim të rëndë të stresit post-traumatik. Për vite jetoi pa një strehë të sigurt, duke u larguar nga njerëzit dhe duke pasur turp nga varfëria e vet. Ngrohej në tramvaje, flinte në shtëpi të braktisura e të rrënuara në Zhuç dhe jetonte me atë që ia jepnin njerëzit. Nuk kërkonte shumë dhe përpiqej ta ruante dinjitetin.
Gjatë viteve të fundit, qytetarët e Sarajevës e shihnin në udhëkryqin e Boljakov Potokut, ku shiste aromatizues për vetura, madje edhe pasi kishte pësuar goditje në tru. Tregonte se ndonjëherë, kur e njihnin, njerëzit i linin edhe nga njëqind marka të konvertueshme për një aromatizues.
Vetëm në vitet e fundit të jetës mori mbështetje më serioze nga bashkëluftëtarët e Brigadës së Dytë të Motorizuar “Viteška” dhe nga organizatat humanitare. Organizata Pomozi.ba bëri të ditur se, që nga viti 2022, ishte përpjekur t’i qëndronte pranë: ishte hapur një apel për rinovimin e hapësirës ku jetonte dhe i siguroheshin nga 1.000 marka të konvertueshme në muaj për nevojat themelore. Mesazhi i tyre i lamtumirës e përmblodhi fatin e tij: dikur hero e luftëtar, më vonë i pastrehë që flinte pa çati mbi kokë, në të ftohtë e në shi.
Haxho Asllani – Shok ndërroi jetë më 3 dhjetor 2025. Namazi i xhenazes iu fal më 4 dhjetor në Varrezat e Qytetit Vlakovo, në Alejën e Veteranëve. Në njoftimin mortor, ndër të pikëlluarit u radhitën veteranët e Brigadës së Dytë të Motorizuar “Viteška” të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, bashkëluftëtarët, vëllezërit e luftës, diversantët, fqinjët dhe miqtë – njerëzit që e dinin se kush kishte qenë ai në të vërtetë.
Nuk është Shoku turpi ynë – turp është që u la në harresë
Haxho Asllani nuk është turpi i shoqërisë. Përkundrazi, ai ishte njeriu që, në çastin më të rëndë, u rreshtua në mbrojtje të Sarajevës dhe të Bosnjë-Hercegovinës. Turp është mënyra se si u detyrua të jetonte pas luftës: pa siguri, pa trajtim të mjaftueshëm dhe pa kujdes institucional të denjë për një veteran lufte.
“Krahët e lirisë” në Zhuç sot e ngrenë simbolin prej guri mbi Sarajevë. Por asnjë monument nuk mund ta përmbushë qëllimin e vet moral nëse shoqëria, ndërsa u ngre monumente të rënëve dhe heronjve, nuk ua zgjat dorën luftëtarëve të gjallë që i bartin pasojat e luftës. Prandaj, historia e Shokut nuk është vetëm një in memoriam për një njeri trim. Ajo është porosi se liria nuk ruhet vetëm duke i kujtuar fitoret, por edhe duke u kujdesur për ata që i bënë të mundura ato fitore.
Shënim redaksional
Teksti është redaktuar nga transkripti i dërguar. Përcaktimet relative të kohës janë zëvendësuar me data të sakta, ndërsa emrat e vendeve dhe njësive janë harmonizuar me burimet e renditura në fund të versionit boshnjak të këtij dokumenti.
Shënim dhe burime verifikimi
Muzej „Alija Izetbegović“: „8. juni – Bitka za Žuč“
Općina Novi Grad Sarajevo: „Završena izgradnja spomenika ‘Krila slobode’ na brdu Žuč“
Klix.ba: „Preminuo Hadžo Aslani zvani Šok“
Radiosarajevo.ba: „Preminuo Hadžo Aslani zvani Šok“
Burimi ne YouTube : „HADŽO ASLANI zvani ŠOK: Diverzant koji je golim rukama rješavao neprijatelje“



