Kreu Blog Faqe 30

Artistja Donna Dafi sjell videoklipin e ri “GODDESS”, një këngë që rikujton fuqinë dhe vlerën e gruas

0

21 gusht 2026

Këngëtarja me origjinë shqiptare Donna Dafi ka publikuar sot këngën dhe videoklipin e saj të ri “GODDESS” (“Perëndeshë”), duke vazhduar kapitullin artistik që ajo e ka pagëzuar “Primadonna Era”.

Në qendër të këngës“GODDESS” qëndron një mesazh i qartë: të mos harrosh fuqinë që ke brenda vetes dhe të rikujtosh vlerën tënde edhe në momentet kur vetëbesimi lëkundet. “Jam si dielli, lind pas errësirës / Ndonjëherë harroj se jam një perëndeshë”, këndon Donna, duke e shndërruar një nga vargjet kryesore të këngës në një mesazh për vetëbesimin dhe fuqinë e brendshme.

Përmes tekstit, Donna lë pas gjithçka që nuk i shërben më: “Nuk shikoj pas drejt asaj që është thyer/ Nuk mbaj me vete atë që e kam tejkaluar”, ndërsa vargu “Ndonjëherë harroj se jam një perëndeshë” shndërrohet njëkohësisht në rrëfim dhe mesazh.

Me “GODDESS”, Donna Dafi, sjell një nga shprehjet më të qarta të universit të saj artistik, sensual, reflektues dhe plot vetëbesim, por që lë hapësirë edhe për momentet kur besimi në vetvete lëkundet. “GODDESS” është vazhdimësi e “Primadonna Era”, konceptit që përkufizon fazën aktuale artistike të Donna Dafit.

Kënga “GODDESS” i përket zhanrit pop bashkëkohor, të ndërthurur me elemente R&B.

Kënga vjen pas videoklipeve; “Primadonna”, “Touch Me Like That”, “ManGo” dhe “Trouble”, përmes të cilave artistja Donna Dafi, po ndërton identitetin e saj në skenën ndërkombëtare.

Muzika e Donna Dafit frymëzohet nga përvojat e jetës reale, duke eksploruar tema si identiteti dhe zhvillimi personal, ndërsa krijimtaria e saj ndërthur gjithnjë e më shumë muzikën, modën dhe kulturën.

Videoklipin “GODDESS” mund ta ndiqni këtu: https://www.youtube.com/watch?v=sLyD7zUneRs

https://too.fm/goddess

Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, është dhe mbetet përgjegjësi dhe prioritet i institucioneve tona

0
____
Optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it, përfshirë përshtatjen e pranisë në urën mbi Ibër, është para së gjithash reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe i rritjes së kapaciteteve të institucioneve tona të sigurisë. Ky është një proces i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Republikën e Kosovës.
Kosova ka ndërtuar ndër vite institucione profesionale dhe të besueshme të sigurisë, ndërsa bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdon të jetë i ngushtë. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, është dhe mbetet përgjegjësi dhe prioritet i institucioneve tona.
Në këtë kontekst, përpjekjet e lidershipit të Serbisë për ta paraqitur optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb apo si dëshmi të një situate të paqëndrueshme në Kosovë nuk përputhen me realitetin në terren. Përkundrazi, ato synojnë të krijojnë perceptimin e një krize atje ku vlerësimet profesionale të sigurisë tregojnë progres.
Kjo narrativë e udhëheqjes politike dhe ushtarake të Serbisë duhet parë edhe në kontekstin e zhvillimeve të tjera të rëndësishme. Ajo i shërben edhe zhvendosjes së vëmendjes nga çështje që kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi: gjetjet lidhur me varrezën masive në Kalludër, zbulimi i armëve dhe pajisjeve në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, si dhe veprimet e institucioneve tona kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve subversive kundër Republikës së Kosovës.
Në vend të narrativave që prodhojnë frikë dhe tension, rajoni ynë ka nevojë për përgjegjësi, transparencë dhe respektim të fakteve. Republika e Kosovës nuk është burim i destabilitetit. Kosova është shtet demokratik, partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe aleatëve tanë, si dhe kontribuuese në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë, në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët strategjikë, të forcojnë kapacitetet e tyre dhe të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët. Siguria dhe stabiliteti i qëndrueshëm ndërtohen mbi fakte, bashkëpunim dhe përgjegjësi institucionale – jo mbi dezinformim, narrativa të frikës dhe përpjekje për krijimin artificial të krizave.

Të kundërshtosh një ide nuk do të thotë të urresh njeriun që e mban atë ide

0
Dardan Osmanaj
____
Shiu është komunist, era kapitaliste. Një fjali e tillë, në pamje të parë absurde, fsheh brenda vetes një pyetje serioze: pse njeriu ka kaq shumë nevojë t’u japë emra, ideologji dhe kuptime absolute gjërave që thjesht ekzistojnë? Shiu bie. Era fryn. Natyra nuk kërkon leje nga bindjet tona. Vetëm njeriu përpiqet ta vendosë realitetin brenda kufijve të mendimit të vet. Ndoshta këtu fillon konflikti më i vjetër i njeriut: jo konflikti me tjetrin, por konflikti me mundësinë se mund të jetë gabim. Kur një njeri sfidon një bindje, shumë herë nuk dëgjohet si një njeri që kërkon të kuptojë, por si një kërcënim ndaj rendit të vendosur. Pyetja interpretohet si sulm. Dyshimi si dobësi. Kundërshtimi si armiqësi. Dhe kështu, pa e kuptuar, ne fillojmë të mbrojmë jo të vërtetën, por identitetin tonë të ndërtuar mbi një bindje.
Njeriu mund të falë shumë gjëra, por e ka të vështirë të falë atë që e detyron të shohë veten ndryshe. Kjo është arsyeja pse nuk quhem armik vetëm pse sfidoj një bindje. Të kundërshtosh një ide nuk do të thotë të urresh njeriun që e mban atë ide. Në një shoqëri të shëndoshë intelektuale, personi dhe mendimi i tij nuk duhet të bëhen një trup i vetëm, ku çdo kritikë ndaj mendimit përjetohet si sulm ndaj ekzistencës së individit. Kritika është pjesë e lirisë. Pyetja është pjesë e dijes. Dyshimi është shpesh fillimi i ndërgjegjes. Por ne jetojmë në një kohë ku shumë njerëz kërkojnë siguri më tepër sesa të vërtetën. Siguria u jep atyre një tokë ku mund të qëndrojnë; e vërteta, përkundrazi, mund t’ua lëkundë tokën nën këmbë.
Prandaj është më e lehtë të thuash “ai është armiku” sesa të pyesësh: “Po sikur të ketë të drejtë?” Kjo pyetje e fundit është jashtëzakonisht e rëndë për ndërgjegjen. Sepse në momentin kur pranon mundësinë se mund të gabosh, fillon të humbasësh atë krenari që të mban të lidhur me bindjen tënde. Por pikërisht aty fillon edhe pjekuria intelektuale. Të mendosh nuk do të thotë të kesh gjithmonë të drejtë. Të mendosh do të thotë të jesh i gatshëm të pranosh se e vërteta mund të jetë më e madhe se ti. Prandaj unë nuk kërkoj të bind askënd me kërcënim. Nuk dua ta fitoj një debat duke poshtëruar tjetrin. Nuk dua ta ndërtoj të vërtetën time mbi urrejtjen ndaj dikujt tjetër. Sepse nëse më duhet ta urrej tjetrin për të besuar në atë që besoj, atëherë ndoshta nuk jam duke mbrojtur të vërtetën; jam duke mbrojtur frikën time. Kjo është një ndarje e rëndësishme: ekziston një ndryshim midis të kërkuarit të së vërtetës dhe të kërkuarit të fitores.
Ai që kërkon fitoren dëshiron një kundërshtar të gjunjëzuar. Ai që kërkon të vërtetën dëshiron një pasqyrë. Dhe pasqyra është e pamëshirshme. Ajo nuk të pyet se cilës ideologji i përket, sa njerëz të duartrokasin, sa libra ke lexuar apo sa bindës dukesh përpara të tjerëve. Ajo të pyet vetëm: çfarë je kur nuk ke më nevojë t’i provosh asgjë askujt? Këtu fillon dimensioni më i thellë i lirisë. Liria nuk është vetëm të thuash atë që mendon. Liria është të kesh guximin të shqyrtosh edhe atë që mendon. Është të lejosh një ide tjetër të hyjë në mendjen tënde pa u trembur se ajo do të të shkatërrojë. Është të kuptosh se identiteti yt nuk duhet të varet nga pamundësia për të ndryshuar. Njeriu i lirë nuk është ai që nuk ndryshon kurrë mendim.
Njeriu i lirë është ai që nuk ka frikë ta ndryshojë mendimin kur përballet me një të vërtetë më të fortë. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse njerëzit e lexuar, njerëzit që kanë kaluar gjatë nëpër libra, histori, filozofi dhe përvoja njerëzore, shpesh arrijnë në një përfundim të çuditshëm: sa më shumë mëson, aq më pak i sigurt bëhesh për disa gjëra. Dituria nuk të mbush vetëm me përgjigje. Ajo të mëson të respektosh pyetjen. Të lexosh nuk do të thotë të grumbullosh citate për t’ua treguar të tjerëve. Të lexosh do të thotë të lejosh mendjet e njerëzve që nuk i ke takuar kurrë të hyjnë në ndërgjegjen tënde dhe ta trazojnë atë. Një libër i madh nuk të lë gjithmonë më të sigurt.
Ndonjëherë të lë më të shqetësuar, sepse të ka treguar se bota nuk është aq e thjeshtë sa doje të besoje. Dhe ndoshta ky shqetësim është i dobishëm. Sepse vetëm ai që është i gatshëm të shqetësohet nga pyetjet mund të afrohet me një përgjigje të sinqertë. Prandaj, kur them se shiu është komunist dhe era kapitaliste, nuk po kërkoj të ndërtoj një teori mbi shiun apo erën. Po flas për ne. Për ne, njerëzit, që gjithmonë përpiqemi t’i fusim gjërat në kategori, t’u vendosim etiketa dhe pastaj të luftojmë për to sikur vetë ekzistenca jonë të varet prej tyre. Por shiu nuk ka nevojë të jetë komunist. Era nuk ka nevojë të jetë kapitaliste. Dhe njeriu nuk ka nevojë të jetë armik vetëm sepse mendon ndryshe.
Ndoshta duhet të mësojmë të bashkëjetojmë me dallimin pa e kthyer atë në urrejtje. Sepse një shoqëri ku të gjithë mendojnë njësoj mund të duket e qetë, por ajo qetësi mund të jetë vetëm heshtje. Ndërsa një shoqëri ku njerëzit kundërshtojnë njëri-tjetrin pa u urryer, ku idetë mund të përplasen pa u shndërruar njerëzit në armiq, është shumë më afër lirisë së vërtetë. Në fund, e vërteta nuk është pronë e askujt. As e imja, as e jotja, as e një ideologjie, as e një grupi, as e një njeriu që mendon se ka të drejtë absolute mbi të tjerët. E vërteta nuk të jep pushtet mbi njerëzit.
Përkundrazi, të çliron nga nevoja për të pasur pushtet mbi ta. Ajo të kthen drejt vetes. Të detyron të shohësh frikën tënde, krenarinë tënde, kontradiktat e tua dhe gënjeshtrat e vogla që ia ke treguar vetes për vite me radhë. Dhe kjo është më e vështirë se çdo debat me një kundërshtar. Sepse kundërshtarin mund ta mundësh me fjalë. Veten nuk mund ta mashtrosh përgjithmonë. Prandaj kërkimi i së vërtetës nuk është një luftë për të sunduar të tjerët. Është një luftë e heshtur për të mos qenë rob i vetvetes.
Dhe ndoshta në fund nuk dalim prej saj më të fuqishëm, por më të vetëdijshëm. Jo me një kurorë mbi kokë, por me më pak errësirë brenda vetes. Sepse e vërteta, kur është vërtet e kërkuar dhe jo e përdorur si armë, nuk të ngre mbi të tjerët.
Të kthen në dritë përballë vetes.

Jusuf Buxhovi, intelektuali në udhëkryqet e historisë shqiptare

Nga Frank Shkreli
Në 80-vjetorin e lindjes, një vështrim mbi veprën e shkrimtarit, historianit, publicistit dhe bashkëpuntrit të Dr Ibrahim Rugovës
80-vjetori i lindjes së Jusuf Buxhovit m’u duk se është një është një rast i mirë për ta trajtuar figurën e tij jo thjesht si një përvjetor personal, por si një bilanc të një veprimtarie gjashtë-dekadëshe në letërsi, gazetari dhe historiografi. Buxhovi mbushi 80 vjeç më 4 gusht 2026 dhe këtë përvjetor e shoqëron edhe 60-vjetori i krijimtarisë së tij.
Ka përvjetorë që shkojnë e vinë, e për të gjithë ne shënojnë vetëm kalimin e viteve, por ka përvjetorë që na japin mundësinë të ndalemi përpara një vepre dhe një jete  dhe verprimtarie të madhe. 80-vjetori i Jusuf Buxhovit është një nga ata përvjetor që dua ta kujtojë (megjithse me pak vonesë) me respektin që kam për të dhe për kontributin e tij gjatë viteve.  Me Jusuf Buxhovin jam njohur fillimisht në fillim të viteve ’90, në Washington, në një periudhë vendimtare për Kosovën dhe për përpjekjet e saj për të fituar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe botës. Ai vinte në Washington si pjesë e delegacioneve të Presidentit Ibrahim Rugova, në kuadër të përpjekjeve të atëhershme për ta paraqitur çështjen e Kosovës para institucioneve qeveritare dhe qarqeve politike amerikane. Ishte koha kur diplomacia politike dhe ajo publike e Kosovës po ndërtonte themelet e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara dhe çdo vizitë në Washington kishte një rëndësi të veçantë. Në ato takime të para dhe më vonë, pata mundësinë ta njoh Jusuf Buxhovin, jo vetëm si gazetar, shkrimtar e publicist, por edhe si një intelektual të angazhuar drejtpërdrejt në çështjen kombëtare dhe si anëtar të ekipit politik e intelektual që shoqëronte Rugovën në përpjekjet e tij diplomatike të asaj kohe. Ky dimension i jetës së tij është shumë i rëndësishëm, sepse e plotëson figurën e Buxhovit si intelektual që nuk qëndroi vetëm në rolin e shkrimtarit, gazetarit dhe historianit, por u përfshi drejtpërdrejt edhe në jetën politike të Kosovës. Sidomos në periudhën e Ibrahim Rugovës, dallohej veprimtaria e tij politike dhe bashkpunimi i ngushtë me Presidentin historik të Kosovës.  Në vitet vendimtare të rezistencës politike dhe institucionale të Kosovës, Buxhovi ishte pjesë e rrethit të intelektualëve që e mbështetën vizionin politik të Rugovës dhe rrugën e tij të veçantë drejt lirisë e pavarësisë. Si një nga themeluesit dhe drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në periudhën e hershme, ai kontribuoi në artikulimin politik të çështjes së Kosovës dhe në përpjekjet për ta ndërkombëtarizuar atë. Përvoja e gjatë si gazetar dhe korrespondent në Gjermani i dha Buxhovit një njohje të drejtpërdrejtë të realiteteve politike evropiano-perëndimore nepërmjet kontakteve me qarqet politike e diplomatike të botës së lirë. Kjo përvojë e ndërthur me vizionin politik të Rugovës, e ka bërë Buxhovin një nga zërat intelektualë e politikë të rëndësishëm të asaj periudhe. Kjo njohje e hershme me të në Washington më ka mbetur si një nga kujtimet e mia që e lidh figurën e Jusuf Buxhovit me një periudhë kur fjala, argumenti dhe prania politike e intelektualëve shqiptarë në kryeqytetin amerikan, në fillim të 1990-ave, kishin një peshë të veçantë.
Më 4 gusht 1946, në Pejë, lindi një njeri që do ta ndërtonte jetën e tij intelektuale në disa fusha, njëherësh, si gazetar, shkrimtar, historian dhe publicist. Sot, në moshën 80-vjeçare, Jusuf Buxhovi shënon jo vetëm një jetë të gjatë, por edhe gjashtë dekada krijimtarie. Rruga e tij nisi në gazetarinë e kulturës në gazetën “Rilindja”, në vitin 1967. Më pas ai u bë redaktor dhe, për më shumë se dy dekada, korrespondent i kësaj gazete në Bon, në atë kohë kryeqytet i Gjermanisë Perëndimore.  Përvoja gjermane do të ishte vendimtare për formimin e tij si studiues. Nga viti 2000 deri më 2008, ai iu kushtua kërkimeve në arkivat gjermane, duke e kthyer gazetarinë dhe përvojën e drejtpërdrejtë me botën perëndimore në një tjetër instrument për të lexuar historinë shqiptare.  Frank SHKRELI/Përkatësia perëndimore e Shqiptarëve | Gazeta Telegraf
Por Buxhovi nuk mund të kuptohet vetëm si gazetar dhe as vetëm si historian. Thelbi i figurës së tij është pikërisht ndërthurja e këtyre dy dimensioneve me letërsinë.  Ai studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ndërsa më vonë kreu studimet pasuniversitare në Histori, duke mbrojtur temën mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, bazuar në dokumentet gjermane. Kështu, letërsia dhe historia u bënë dy shtylla të një pune që synonte të depërtonte në kujtesën shqiptare. Në letërsi, Buxhovi ka ndërtuar një botë të tijën, ndërsa në historiografi ka ndërmarrë një projekt shumë më të gjerë: rivështrimin e historisë së Kosovës dhe të shqiptarëve përmes dokumentit, kujtesës dhe interpretimit historik. Vepra shumëvëllimëshe “Kosova” është shprehja më e dukshme e këtij qëllimi. Vetë përmasat e këtij projekti e vendosin autorin përpara një detyre që shkon përtej një libri të zakonshëm historiografik. Ajo është një përpjekje për të ndërtuar një narrativë të gjerë mbi fatin dhe të vërtetën historike të Kosovës dhe të shqiptarëve. “Të shënohet e kaluara me qëllim që të mos harrohet dhe të përballemi me të kaluarën e ligët, si pjesë e përgjegjësisë së plotë që ka njeriu ndaj së Vërtetës dhe detyrimi që të gjithë të kemi — si individ dhe shoqëri — për të dëshmuar dhe për të mbrojtur të Vërtetën.”  Këtu qëndron edhe një nga veçoritë më të rëndësishme të Buxhovit se ai nuk e sheh historinë vetëm si të kaluar, por si një forcë që vazhdon të ndikojë në të tashmen. Frank Shkreli: Ipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi, zbuluesi i parë i librit të parë shqip “Meshari” dhe shënimet e Gjon Nikoll Kazazit të Jusuf Buxhovit | Gazeta Telegraf
Në këtë kuptim, puna e tij historiografike ka qenë dhe mbetet edhe një përpjekje për ta nxjerrë historinë shqiptare nga kornizat e vjetra ideologjike komuniste dhe nga interpretimet e ndërtuara prej historiografive të huaja, sidomos asaj serbe. Në intervista të ndryshme, Buxhovi ka insistuar në nevojën që historiografia shqiptare të përballet me dokumentin dhe të çlirohet nga paragjykimet ideologjike.
Sigurisht, si çdo autor që prek tema të mëdha dhe të ndjeshme, edhe Buxhovi ka prodhuar debate. Disa prej tezave të tij historike kanë qenë dhe mbeten të diskutueshme në disa qarqe akademike. Por pikërisht këtu duhet parë një nga vlerat e tij. Me punën dhe veprat e tij ai ka nxitur debat mbi historinë shqiptare, duke mos pranuar që disa tema të mbeten të mbyllura në formulat tradicionale.  Sepse një intelektual nuk matet vetëm me numrin e veprave që shkruan. Ai matet edhe me pyetjet që u lë pas brezave. Dhe Buxhovi ka ngritur shumë pyetje. Çfarë dimë, realisht, për historinë tonë? Sa prej saj është shkruar nën ndikimin e politikës? Sa kemi ditur ta lexojmë dokumentin? Si duhet të ndërtohet kujtesa kombëtare?  Dhe, mbi të gjitha, si mund të bashkëjetojnë letërsia, historia dhe përgjegjësia intelektuale?  Në vitet e fundit, Buxhovi ka vazhduar të jetë aktiv në debatet mediatike dhe akademike për historinë, identitetin kombëtar dhe zhvillimet politike shqiptare. Në një intervistë më heret, me rastin e 80-vjetorit dhe 60-vjetorit të krijimtarisë, ai është rikthyer, pikërisht te marrëdhënia midis letërsisë, historisë, kujtesës dhe rolit të intelektualit në një shoqëri  demokratike.
Kjo është ndoshta mënyra më e mirë për ta kuptuar figurën e tij. Jusuf Buxhovi është një intelektual që ka jetuar mes faktit historik dhe imagjinatës letrare, mes dokumentit dhe kujtesës historikee dhe mes gazetarisë e studimit. Në një kohë kur sot gazetaria shpesh është bërë e përkohshme, ndërsa letërsia shpesh e fragmentuar dhe debati historik i politizuar, një jetë e kaluar në kërkim të dokumentit dhe fakteve, në shkrim dhe në debat,  përbën një trashëgimi që meriton të vlerësohet. Tetëdhjetë vjet pas lindjes së tij, mund të thuhet se Buxhovi i përket një brezi intelektualësh që e përjetuan Kosovën në një nga periudhat më të vështira të historisë së saj moderne dhe që, në mënyrën e tyre, u përpoqën ta dokumentonin, ta shpjegonin dhe të mbronin kujtesën e saj. Prandaj 80-vjetori i Jusuf Buxhovit nuk duhet të jetë vetëm një urim. Duhet të jetë një moment për të rilexuar veprën e tij, për të vlerësuar kontributet e tij, për të diskutuar edhe tezat e debatueshme dhe për të vendosur këtë figurë në vendin që meriton në historinë e mendimit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.  80- vjet jetë dhe 60- vjet krijimtari janë një rast për të uruar dhe për të nderuar njeriun, por edhe për të gjykuar veprën, ndërsa vepra e Jusuf Buxhovit është tashmë pjesë e kujtesës historike intelektuale mbarë-shqiptare.
Në këtë përvjetor shpreh mirënjohje për kontributin e Profesor Jusuf Buxhovit në letërsi, gazetari dhe historiografi. Vepra e tij ka lënë gjurmë të rëndësishme në kujtesën kulturore dhe historike mbarë-shqiptare duke pasuruar mendimin dhe debatin intelektual. Përmes shkrimeve dhe angazhimit publik, ai ka kontribuar në në ndërtimin e vetëdijes historike dhe identitetit historik kulturor kombëtar shqiptar. Ju uroj shëndet të mirë dhe vazhdim të suksesëshëm të krijimtarisë suaj intelektuale dhe kombëtare edhe për shumë vite.
                   "Kosova" by Jusuf Bujhov in English - Telegraph
                         
Jusuf Buxhovi me Ibrahim Rugovën në fillim të 1990-ave
              Shkreli - Zemra Shqiptare
Autori me Profesor Jusuf Buxhovin ë Nju Jork, 2012
     
Me rastin e promovimit nga VATRA të tre vëllimeve mbi historinë e Kosovës, New York 1 Dhjetor 2012 —Frank SHKRELI/Përkatësia perëndimore e Shqiptarëve | Gazeta Telegraf

“Shteti Bektashi”, “Kutia e Pandorës” që rrezikon sovranitetin e shtetit shqiptar

0

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

Ditëve të fundit është duke e tunduar mjaft opinionin e gjerë shqiptar tema e planeve të “ajatullahut” shqiptar Edi Rama, për të krijuar një enklavë sovrane të stilit të Vatikanit në Tiranë, me administratë, pasaporta dhe kufij, dhe se emri i propozuar do të ishte “Sovereign State of the Bektashi Order” — Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi (shih artikullin: https://www.nytimes.com/2024/09/21/world/europe/albania-tirana-muslim-state-bektashi.html), që është një artikull i Andrew Higgins, botuar më 21 shtator 2024 në The New York Times.

Lajm ky pa asnjë dyshim ogurzi për Shqipërinë, edhe për faktin se i njëjti, pa i kaluar procedurat parlamentare e kushtetuese të vendit, po tentohet të katapultohet ad hoc në mënyrë ilegale, ashtu sikurse edhe Zvërneci, Sazani e shumë projekte të tjera që seriozisht do të mund ta shpërbënin edhe këtë pak territor të mbetur të Shqipërisë Londineze. Ajo çfarë jam i interesuar të elaboroj rreth kësaj çështjeje ka të bëjë kryesisht me rreziqet potenciale nga ky “lloj shteti”.

Fillimisht, më duhet t’ua sqaroj publikut që mund ta keqkuptojë këtë iniciativë se rreziku potencial nuk fshihet te bektashizmi si fe, i cili historikisht ka pasur një rol të rëndësishëm në kulturën, mentalitetin dhe etnopsikologjinë shqiptare dhe në modelin e koegzistencës unike fetare. Ajo çfarë më zgjon kureshtjen dhe më nxiti që, nga aspekti i një sociologjie të religjionit, ta kuptoj problematikën, është transformimi i një komuniteti fetar me një traditë relativisht të largët në një subjekt apo entitet me sovranitet territorial.

Paraprakisht, më duhet t’ua përkujtoj gjithë shqiptarëve kudo se Kushtetuta aktuale e Shqipërisë e përcakton vendin shumë qartë si republikë parlamentare dhe si shtet unitar e të pandashëm, ku sovraniteti i takon popullit, që e garanton bashkëjetesën fetare dhe neutralitetin shtetëror.

Tani, kjo nismë e “ajatullahut” shqiptar ende nuk po arrin ta kuptojë gjënë elementare: sa herë që ndonjë komunitet fetar tenton të uzurpojë territor (ashtu sikurse ka ndodhur në të kaluarën tonë jo fort të largët…) dhe kompetenca sovrane, feja si entitet, me automatizëm, pretendon të kalojë nga kategoria identitare fetare në kategori politike. Dhe ky lloj “kalimi” prej një entiteti fetar në atë politik, edhe naivët më të mëdhenj e kuptojnë se nuk mund të bëhet pa pasoja dhe reperkusione evidente.

Mirëpo, këtu, sa po kuptoj, nuk është çështja se: “A janë bektashinjtë të rrezikshëm, me këtë eksteritorialitet të fituar nga ‘ajatollahu’ në një shtet të copëtuar në të kaluarën”? Por, çfarë mund të ndodhë kur një identitet fetar institucionalizohet dhe proklamohet si sovranitet territorial?

Dorën në zemër, kjo pyetje, përveçse është një precedent i rrezikshëm, është edhe alarmuese për faktin se fut përçarje midis entiteteve fetare, minon tolerancën, kërcënon sovranitetin dhe konteston rendin kushtetues!? Ngase, nëse një entiteti fetar i lejohet ta ketë “shtetin e vet” përbrenda një shteti me traditë përtej një shekulli, pse duhet ta pengojë një entitet tjetër të kërkojë një copë “territori e sovraniteti mysliman, ortodoks apo katolik”? Pra, precedenti për njërin entitet fetar, automatikisht e hap “kutinë e Pandorës” për ta ripërsëritur të njëjtin. Dhe ajo çfarë është edhe më e rrezikshme, një precedent i tillë i pamenduar nga shteti krijon kushte për zhvendosjen e shoqërisë nga modeli aktual, ku “qytetarët ushtrojnë besime të ndryshme”, drejt modelit ku “komunitetet fetare pronësojnë ligjërisht territore dhe interesa politike të veçanta për veten e tyre”.

Thënë edhe më ndryshe, precedenti në fjalë definitivisht e rrënon çatinë e narrativës mbi tolerancën dhe dallimet ndërfetare shekullore te shqiptarët. Që në sociologjinë e religjionit njihet si “institutionalization of difference” — institucionalizim i qëllimshëm i dallimeve.

Një tjetër çështje që po ashtu mendoj se është ajo e analogjisë apo e “vatikanizimit” të enklavës së “Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi” me shtetin e Vatikanit. Kjo analogji, përveçse është e paqëndrueshme, është edhe absurde, me vetë faktin se “Shteti Sovran…” asnjëherë në historinë e qenësimit të vet nuk ka pasur të njëjtin rol, pasion e pretendim në marrëdhëniet ndërkombëtare sikurse Selia e Shenjtë. Në gjykimin tim, dilema “hamletiane” ka të bëjë shumë më shumë me temën: A po tentohet të krijohet një “Vatikan mysliman”, apo po krijohet një model krejt i ri i sovranitetit fetar në miniaturë?

Lexuesi i rëndomtë nuk e kupton këtë dallim substancial, edhe për arsye se ky projekt, i motivuar nga toleranca fetare, ekziston rrezik real që nesër të prodhojë një polarizim të padurueshëm fetar, ku secili entitet tjetër fetar mund të shtrojë të njëjtën kërkesë: “Pse ata kanë shtet e ne jo?”, duke amputuar kështu panevojshëm atë ndjenjën e “privimit relativ” (relative deprivation) në jetën publike për entitetet e tjera fetare.

Pra, duke toleruar që edhe ligjërisht të dublifikohet roli i shtetit (laik) shqiptar, nga një shtet laik në një shtet që menaxhon entitete fetare, ne, në fakt, përveç precedentit të lartcekur, po krijojmë një “centaur” hibrid të shtetit që askund s’mund ta hasësh në gjithë rruzullin tokësor. Dhe, si e tillë, narrativa për një enklavë puro fetare e synuar nga “ajatullahu” shqiptar Edi Rama nuk duhet parë vetëm me “dioptrinë e kilometrave katrorë që do të zërë në hapësirën e sovranitetit”, por parasëgjithash si një precedent unik sociologjik që mund të kërcënojë gjithë arkitekturën e shtetit shqiptar, por edhe atë të interesave gjeostrategjike të Ballkanit, ku këtu nuk duhet harruar edhe pretendimet e Kishës Ortodokse sllave (serbe) në Kosovë… që mund të jetë brumë për një analizë tjetër të radhës…

Albin Kurti me LDK-në nën sqetull as që i merr në konsideratë veprimet opozitare!

0

Florim Zeqa

Kahet e zhvillimeve politike me drejtime të kundërta, janë duke e vënë në pikëpyetje të ardhmen e vendit tonë! Partisë fituese i duhen aleatë të rinj për vazhdimin e qeverisjes, kurese vendit i duhet një opozitë e fuqishme në Kuvend si korrektor i vazhdueshëm të gabimeve të qeverisë!

Opozita e ndarë, mundësi e artë për Albin Kurtin

Partitë (aktuale) politike janë një e keqe e domosdoshme që i duhet vendit në organizimin politik dhe të funksionalizimit të institucioneve shetërore. Kosova nuk guxon të vazhdojë me këtë situatë bllokuese, e cila e ka lënë shtetin pa Ushtrues Detyre të Presidentit (pa Komandantin Suprem të FSK-së), pa Kryesi dhe pa Kryetar të Kuvendit, pa Kryeministër dhe pa Qeveri!

Pas çdo procesi zgjedhor, një parti delë fituese cila do qoftë ajo, e ka për obligim formimin e institucioneve shtetërore në afatet kushtetuese, në mënyrë që shteti të mos mbetet pa institucione!

Ndërsa partitë humbëse e kanë për obligim koordinimin e tyre si parti opozitare në Kuvend, pa asnjë detyrim kushtetues ndaj partisë fituese!

Me të filluar bisedimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti me partitë opozitare, vetëm njëra prej tyre, në këtë rast, PDK u tregua më e sinqertë në deklarimet e saj, duke ia bërë të qartë kryeministrit dhe qytetarëve të vendit se do të qëndrojë në opozitë!

Për dallim nga PDK, partia e tretë në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës shfaqi haptas ambiciet e saja politike për të bashkëqeverisur me Albin Kurtin!

Meqë Albin Kurti nu kua përmbushi ambiciet personale dy prej krerëve të LDK-së, u tërhoqën nga bisedimet për bashkëqeverisje!

Mirëpo, ky qëndrim i LDK-së nuk zgjati shumë, përseri iu afruan Albin Kurtit për t’a ndihmuar në gjetjen e një Presidenti konsensual apo të pranueshëm nga të dyja palët, pa i pyetur fare partitë tjera popzitare, në këtë rast PDK dhe AAK, të cilat tashmë kanë zgjedhur një rrugë tjetër për ta sfiduar Albin Kurtin!

LDK me pavendosmërinë e saj dhe moskonsistencën e qëndrimeve është kthyer në “as mish” dhe “as peshk”, të cilës nuk i beson më askush, e aq më pak Albin Kurti i cili është duke e bërë lojën e dyfisht para qytetarëve, kinse është i angazhuar në formimin e institucioneve, kurse në anën tjetër në koordinim me LDK-në është duke i prolonguar zgjedhjet e jashtëzakonshme, tashmë të paralajmëruara më 27 dhjetor!

Sikurse në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar, Vjosa dhe Lumiri, edhe tani janë duke e ndihmuar Albin Kurtin në qëllimin politik!

Tashmë të gjithë e kanë kuptuar lojën, Lumiri me njerën këmb në LDK, kurse tjetrën e mban në LVV.

Vjosa as në qiell as në tokë, me mendje në Presidencë!

Sikurse LVV-së që i duhet kohë, edhe LDK-së i nevojitet koha për ta rimarrë vetën si parti humbëse serike e zgjedhjeve në Kosovë që nga viti i largët 2004 nën drejtimin e liderit historik, Ibrahim Rugova!

Kur jemi në këtë analizë të shkurtër pas zgjedhore nuk mund t’i hy në hak partisë së katërt në vend, AAK-së apo siq po i thonë tani Aleanca, e cila e ka kushtëzuar Albin Kurtin me 6 pikat e famshme, duke iu bashkangjitur PDK-së në rrugën demokratike të shfaqjes së pakënaqësive përmes të protestuarit në Kuvend dhe jashtë tij!

Jam thellësisht i bindur që, sikur opozita të ishte e bashkuar në veprimet e saj, Albin Kurti do të vepronte ndryshe! Mirëpo, me LDK-në nën sqetull as që i merr në konsideratë veprimet e tyre!

Mos konstituimi i Kuvendit dhe mos zgjedhja e Qeverisë janë duke i shkaktuar dëme të pariparueshme vendit. Përveq aspekteve ekonomike, vendi rrezikon të rrëshqas në anarki totale, me ç’rast Serbia është duke i “fërkuar” duart në pritje të trazirave në Kosovë!

Nuk e deshët ‘Hutin’, pritne ‘Dautin’!

Qofsha gabim në parashikim tim!

Florim Zeqa, analist i pavarur politik.

Ata që e kanë për kryehero të pamposhturin Skënderbe janë vëllezër të një gjaku e të një kombi

0
Nga: Gjon Keka
___

Ata që zemrën e kanë kah Meka, kokën kah Konstantinopoja (Stambolli) dhe trupin në Dardani, si dhe ata që të krishterët dardanë-arbërorë nuk i konsiderojnë vëllezër të gjakut të tyre, nuk mund të jenë dardano-arbërorë.

Ata janë mbetje ose renegatë të pushtuesit otoman dhe të armiqve të kombit tonë.

Prandaj, ata nuk mund të jenë miq në faqen time të facebook-ut këtu, e as në realitet.

Me mua mund të jetë mik e vëlla gjaku vetëm ai ose ata që kanë për kryehero të pamposhturin, arbërorin e të gjitha kohërave, Gjergj Kastriotin (Skënderbeun), Pjetër Bogdanin, pastaj ata që nderojnë humanisten Nënë Tereza dhe që kanë për hero Idriz Seferin.

Unë për vete zemrën, kokën dhe trupin i kam në Dardani e Arbëri. Kudo që të jetoj, nuk i largoj kurrë nga zemra, koka dhe trupi, sepse e di se cilat janë rrënjët e mia iliro-arbërore europiane.

Marshi i Sanqo Pançëve…!

0
____
MARSHI I DON KISHOTËVE DHE SANÇO PANÇËVE !
____
Përgjigje “Zërit të Vushtrrisë” – ose “Zërit të talibanëve”
E lexova edhe një herë shkrimin e “Zërit të Vushtrrisë” dhe tashmë nuk di nëse duhet të qesh apo të shqetësohem ?
Të qesh, sepse kemi një ushtri të tërë Don Kishotësh e Sanço Pançësh që kanë dalë në luftë kundër… një guri.
Të shqetësohem, sepse kur një gur themeli për një kishë katolike shqiptare shpallet “projekt dashakeq ideologjik e politik”, atëherë problemi nuk është më guri.
Problemi është ideologjia që e sheh edhe një gur si armik.
Dhe këtu, pa dashur, autorët e këtij shkrimi na sollën ndër mend Fan Nolin.
Jo, jo “Marshin e Barabajt” si kopje, por frymën e tij satirike:
Allalla, o kalorës të mëdhenj të gurit!
Marshoni!
Thërrisni!
Protestoni!
Frikësoni gurin!
Shpalleni kishën projekt politik!
Shpalleni gurin dorë të zezë!
Dhe në fund… luftoni me mullinjtë e erës!
Sepse, me gjithë respektin për të drejtën e secilit për të protestuar paqësisht, ka diçka groteske në këtë histori:
Një gur themeli paska ardhur të rrezikojë “dinjitetin kombëtar e fetar” të disa fshatrave!
Gur, more njerëz!
Jo tank.
Jo ushtri.
Jo pushtim.
Gur themeli!
Dhe ky gur ka edhe një “defekt” tjetër që mesa duket nuk e kanë marrë parasysh kalorësit e këtij marshimi:
guri peshon më rëndë se zhurma.
Mund të bëni protesta.
Mund të bëni deklarata.
Mund të shkruani njoftime.
Mund ta mbushni internetin me tituj alarmues.
Mund ta shpallni kishën “projekt ideologjik”, “projekt politik”, “dorë të zezë” e çfarëdo emri tjetër që ju vjen ndër mend.
Por guri është në tokën e vet.
Dhe aty ku është vendosur, nuk e lëviz dot propaganda.
Sepse guri nuk ka nevojë të bërtasë për të dëshmuar se ekziston.
Ai rri aty.
I qetë.
I rëndë.
Dhe ndoshta pikërisht kjo është ajo që ju shqetëson më shumë.
E tani, që të mos mbetet asnjë pikëpyetje:
Kisha në Zogaj të Shalës së Bajgorës, në komunën e Vushtrrisë, do të ndërtohet.
Jo sepse dikush dëshiron t’ju mposhtë.
Jo sepse dikush dëshiron t’ju provokojë.
Por sepse një kishë shqiptare katolike nuk është pushtim i askujt.
Është pjesë e historisë, e identitetit dhe e së drejtës së shqiptarëve për ta jetuar besimin e tyre.
Kështu që, të nderuar Don Kishotë e Sanço Pança:
Ju mund të bëni zhurmë.
Bëjeni.
Mund të protestoni.
Protestoni.
Mund të shkruani.
Shkruani.
Madje shkruani sa të mundeni.
Por mos harroni:
Mullinjtë e erës nuk janë ushtri.
Guri nuk është pushtues.
Kisha nuk është kërcënim.
Dhe katoliku shqiptar nuk është i huaj në tokën e vet.
E për ata që ende mendojnë se me zhurmë mund të vendosin se çfarë lejohet e çfarë nuk lejohet në tokën shqiptare, një këshillë e vogël nga realiteti:
Zhurma është e lehtë.
Guri është i rëndë.
Dhe guri i themelit tashmë e ka thënë fjalën e vet.
Sa për kishën?
Kishën në Zogaj mund ta pengojë vetëm ajo që e lejon ose nuk e lejon ligji dhe, për mua si njeri besimi, në fund të fundit, vetëm Zoti.
Jo Don Kishoti.
Jo Sanço Pança.
Jo ndonjë portal.
Jo ndonjë turmë.
Dhe asnjë “zë” që mendon se liria fetare është pronë private e ideologjisë së vet.
Prandaj, marshoni, kalorës të mullinjve të erës!
Allalla!
Bëni zhurmën tuaj.
Ne do ta bëjmë punën tonë.
Sepse në fund të fundit:
Guri është në tokë të vet.
Kisha do të ngrihet.
Dhe historia do ta dijë kush luftoi për një kishë – e kush luftoi kundër saj.
Dhe pikë.

Pse heshtni ?!

0

Luan – Asllan Dibrani

Një pyetje publike për intelektualët dhe komunitetin katolik shqiptar në një kohë kur heshtja po bëhet problem kombëtar

Ka ardhur koha të shtroj një pyetje që ndoshta shumëkush e mendon, por pak njerëz guxojnë ta shqiptojnë publikisht:

Pse hesht një pjesë kaq e madhe e komunitetit katolik shqiptar?

Pse heshtin intelektualët, profesorët, studentët, shkrimtarët, artistët, gazetarët dhe qytetarët katolikë, ndërkohë që në hapësirën tonë publike dëgjohen gjithnjë e më shpesh zëra të islamizmit politik që përpiqen ta vendosin identitetin fetar mbi identitetin kombëtar?

Nuk po ua drejtoj këtë pyetje si akuzë.

Ua drejtoj si thirrje për përgjegjësi qytetare dhe kombëtare.

Sepse shqiptarët katolikë nuk janë mysafirë në historinë shqiptare.

Ata janë një nga shtyllat e saj.

Ju keni një histori për të mbrojtur

Pas jush qëndrojnë shekuj kulture, dokumentesh, kishash, varrezash, dorëshkrimesh, monumentesh, tradite dhe kujtese.

Pas jush qëndron një pjesë e jashtëzakonshme e trashëgimisë së klerit shqiptar që, në kohët më të vështira, nuk e ndau altarin nga atdheu.

Pal Engjëlli na la formulën e pagëzimit.

Pjetër Budi shkroi shqip.

Pjetër Bogdani ngriti dijen dhe kulturën në një kohë errësire.

At Gjergj Fishta i dha kombit varg, gjuhë, polemikë dhe krenari.

At Shtjefën Gjeçovi mblodhi trashëgiminë juridike e etnografike të shqiptarëve.

Dhe kjo traditë nuk është pronë vetëm e katolikëve.

Është pasuri e gjithë kombit shqiptar.

Po kështu, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu nuk i përket një kishe, një krahine apo një grupi. Ai është simbol kombëtar shqiptar.

Nënë Tereza, shqiptare dhe murgeshë katolike, e bëri emrin shqiptar të dëgjohej në botë përmes humanizmit.

Por panteoni ynë kombëtar është edhe më i gjerë: aty qëndrojnë shqiptarë myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashinj dhe laikë që punuan për të njëjtën Shqipëri.

Pikërisht kjo është madhështia jonë.

Problemi nuk është Islami – problemi është islamizmi politik

Dua të jem krejt i qartë:

Ky shkrim nuk është kundër qytetarit mysliman shqiptar.

Miliona shqiptarë të besimit islam e duan flamurin kombëtar, nderojnë Skënderbeun, respektojnë besimet e tjera dhe jetojnë në harmoni me familjet e tyre.

Ata janë pjesë e pandashme e kombit tonë.

Por tjetër gjë është besimi islam dhe tjetër gjë është islamizmi politik dhe radikalizmi fetar.

Kur një predikues e paraqet kombin si diçka të parëndësishme përballë identitetit fetar;

kur përçmohet flamuri kombëtar;

kur sulmohen figurat historike shqiptare;

kur kultura, muzika, arti apo traditat kombëtare trajtohen si mëkat;

kur kërkohet që shqiptari të mendojë më shumë me kategoritë e perandorive të dikurshme sesa me interesat e shoqërisë së vet;

atëherë nuk kemi më vetëm një debat teologjik.

Kemi një problem shoqëror dhe kombëtar.

Dhe kundër këtij fenomeni duhet të flasin të gjithë: myslimanë, katolikë, ortodoksë, bektashinj, ateistë dhe njerëz pa përkatësi fetare.

Pse, atëherë, ka kaq shumë heshtje?

Kjo është pyetja ime për miqtë e mi katolikë.

Pse të rrini duarkryq kur trashëgimia juaj historike sulmohet apo relativizohet?

Pse të heshtni kur shqiptarëve u serviren interpretime që përpiqen ta zhvendosin qendrën e identitetit të tyre nga gjuha, kultura, historia dhe atdheu drejt projekteve fetare e politike që nuk lindën nga tradita shqiptare?

Mos vallë është krijuar një ndjenjë sikur duhet të kërkoni falje pse jeni katolikë?

Jo!

Askush nuk duhet të kërkojë falje për besimin e vet.

As katoliku.

As myslimani.

As ortodoksi.

As bektashiu.

Dhe askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë tjetrit të jetë më pak shqiptar për të qenë më shumë besimtar.

Edhe gruaja shqiptare duhet mbrojtur nga çdo ekstremizëm

Shoqëria shqiptare duhet të jetë veçanërisht vigjilente kur interpretimet ekstremiste të fesë përdoren për ta kufizuar gruan.

Gruaja shqiptare nuk është pronë e burrit.

Ajo nuk është dekor i familjes.

Nuk është qytetare e kategorisë së dytë.

Ajo ka të drejtën e shkollimit, punës, pronës, zgjedhjes, dashurisë, martesës dhe vendimmarrjes për jetën e saj.

Çdo ideologji – fetare apo politike – që përpiqet t’ia zvogëlojë këto të drejta duhet të përballet me ligjin dhe me rezistencën demokratike të shoqërisë.

Sepse tradita nuk mund të përdoret si pranga dhe feja nuk duhet të përdoret si instrument pushteti mbi njeriun.

Bota ecën – ne nuk mund ta kthejmë orën prapa

Jemi në shekullin XXI.

Fëmijët tanë studiojnë shkencë, mjekësi, inteligjencë artificiale, teknologji dhe komunikojnë me të gjithë botën.

Nuk mund t’u ofrojmë si perspektivë shoqërore një betejë të pafundme se kush është “besimtari i vërtetë”, kush duhet përjashtuar, çfarë muzike duhet ndaluar apo cilën figurë historike duhet rrëzuar.

Tekstet e shenjta u përkasin besimtarëve dhe meritojnë respekt.

Por shteti modern qeveriset me Kushtetutë, ligj, shkencë, arsim dhe të drejta qytetare.

Ky dallim është themelor.

Kisha në Zogaj është edhe një provë e demokracisë sonë

Debati i ditëve të fundit rreth një kishe katolike e ka nxjerrë edhe një herë në sipërfaqe këtë problem.

Një objekt fetar, kur ndërtohet në përputhje me ligjin dhe procedurat përkatëse, nuk duhet të shihet si kërcënim ndaj një komuniteti tjetër.

Një kishë nuk e zvogëlon xhaminë.

Një xhami nuk e zvogëlon kishën.

Liria e tjetrit nuk ma merr lirinë mua.

Nëse sot heshtim kur cenohet e drejta e një pakice fetare, nesër mund të jetë një shumicë apo një grup tjetër që përballet me të njëjtën logjikë.

Prandaj çështja është shumë më e madhe se një ndërtesë.

Është pyetja: a sundon ligji apo presioni i turmës?

Katolikë shqiptarë, mos e lini historinë tuaj vetëm në muze!

Nuk ju kërkoj konflikt.

Nuk ju kërkoj urrejtje.

Nuk ju kërkoj t’i përgjigjeni ekstremizmit me ekstremizëm.

Ju kërkoj diçka shumë më të fuqishme:

Flisni.

Flisni me argumente.

Flisni me libra.

Flisni me dokumente.

Flisni me arkeologji.

Flisni me kulturë.

Flisni me art.

Flisni me historinë e paraardhësve tuaj.

Flisni për lirinë fetare jo vetëm kur rrezikohet e drejta juaj, por edhe kur rrezikohet e drejta e myslimanit, ortodoksit, bektashiut apo jobesimtarit.

Sepse kështu fitohet autoriteti moral.

Dhe të njëjtën thirrje ua drejtoj intelektualëve te besimit myslimanë shqiptarë:

Mos ua lini Islamin shqiptar ekstremistëve.

Dilni kundër atyre që fenë e shndërrojnë në instrument politik, që e përçajnë shoqërinë dhe që përpiqen ta vendosin shqiptarin kundër shqiptarit.

Kjo betejë nuk është katolikë kundër myslimanëve.

Kjo do të ishte tragjedi dhe pikërisht kurthi ku nuk duhet të biem.

Beteja e vërtetë është:

qytetaria kundër fanatizmit;
dija kundër manipulimit;
liria kundër imponimit;
bashkëjetesa kundër përçarjes;
dhe Shqipëria shpirtërore e të gjithëve kundër çdo ideologjie që dëshiron ta copëtojë atë.

HESHTJA NUK ËSHTË GJITHMONË PAQE

Ka momente kur heshtja është mençuri.

Por ka edhe momente kur heshtja krijon hapësirë që të flasin vetëm ekstremet.

Unë nuk dua një Kosovë katolike.

Nuk dua një Kosovë islamiste.

Nuk dua një Shqipëri të ndarë në kampe fetare.

Dua shqiptarë të lirë në një shtet laik e demokratik, ku secili mund t’i lutet Zotit sipas ndërgjegjes së vet dhe askush nuk mund ta përdorë Zotin për t’ia marrë lirinë tjetrit.

Kjo është arsyeja pse sot pyes publikisht:

Profesorë, akademikë, studentë, shkrimtarë, gazetarë, artistë, klerikë dhe qytetarë shqiptarë – katolikë, myslimanë, ortodoksë e bektashinj – ku është zëri juaj?

Mos prisni derisa fanatizmi të bëhet aq i zhurmshëm sa fjala e arsyes të mos dëgjohet më.

Ngriheni zërin sot.

Jo kundër një feje.

Për lirinë.
Për kulturën.
Për gruan shqiptare.
Për bashkëjetesën.
Për flamurin.
Për historinë.
Për kombin.

Sepse feja është çështje ndërgjegjeje.

Atdheu është shtëpia që duhet ta ndajmë dhe ta mbrojmë së bashku.

Luan – Asllan Dibrani, Prishtinë

Zogaj nuk vendosi vetëm një gur , por e hapi një faqe të re të kujtesës shqiptare

0

Nga Rrezart Kalaja

ZOGAJI NUK VENDOSI VETËM NJË GUR – HAPI NJË FAQE TË RE TË KUJTESËS SHQIPTARE

Nga një gurthemel në Zogaj te pagëzimet në Katedralen “Shën Nënë Tereza” – një ngjarje që duhet lexuar me histori, kulturë, liri dhe përgjegjësi kombëtare

Ka ngjarje që maten me numrin e pjesëmarrësve. Ka të tjera që maten me zhurmën mediatike. Por ka edhe ngjarje që kuptohen vetëm kur vendosen në vijën e gjatë të historisë.

Ngjarjet e 17 dhe 18 gushtit 2026, të lidhura me Kishën Katolike “Shën Flori dhe Lauri” në Zogaj të Vushtrrisë, i përkasin kësaj kategorie.

Pas javësh debatesh, kundërshtimesh, tensionesh, përpjekjesh organizative dhe angazhimit të familjes Musa e të besimtarëve të Vushtrrisë, gurthemeli u bekua më 17 gusht. Një ditë më vonë, më 18 gusht, Katedralja “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë u bë vendi i Meshës së Shenjtë dhe i pagëzimeve.

Këto dy ditë duhet të shihen së bashku.

Zogaji dha gurin. Katedralja dha pagëzimin. Historia u dha atyre kuptimin.

AMANETI I NJË BABAI U SHNDËRRUA NË VEPËR

Në qendër të kësaj historie qëndron familja Musa.

Dhurimi i tokës nuk paraqitet prej saj si një vendim i çastit. Sipas dëshmisë publike të familjes, ai lidhet me amanetin e Rrahim Musës, i cili dikur kishte ofruar tokë falas për shqiptarët që mund të ktheheshin nga Turqia.

Ajo ide nuk u realizua atëherë.

Por amaneti mbeti.

Dhe dekada më vonë, familja vendosi që një pjesë të pronës së vet ta vinte në shërbim të komunitetit.

Prandaj këtu nuk kemi vetëm një parcelë.

Kemi një filozofi të trashëguar:

toka fiton kuptim më të madh kur prej pronës private bëhet vepër për njerëzit.

Në mesin e të pagëzuarve ishte edhe Fadil Musa, i cili pas pagëzimit mori emrin Bardhyl Musa dhe e përshkroi këtë si përmbushje të një dëshire të kahmotshme të familjes së tij.

Kjo është arsyeja pse historia e familjes Musa nuk duhet reduktuar në polemikat e disa ditëve.

Ajo duhet parë si histori e një familjeje që mori një vendim dhe pati guximin ta mbrojë atë publikisht.

SHËN FLORI DHE LAURI – EMRA QË NA ÇOJNË DREJT DARDANISË

Edhe emri i kishës bart një simbolikë të jashtëzakonshme.

Shën Flori dhe Shën Lauri kujtohen në traditën e krishterë si martirë të lashtësisë, të lidhur me Ilirinë dhe Dardaninë.

Tradita kishtare i lidh ata me Ulpianën, në territorin e Kosovës së sotme.

Pra, kur shqiptohen sot emrat Flori dhe Lauri në Zogaj, ne nuk po importojmë një kujtesë të huaj.

Po prekim një shtresë shumë të hershme të historisë së këtij trualli.

Para Perandorisë Osmane.

Para ndarjeve moderne fetare.

Para kufijve të sotëm politikë.

Kjo nuk duhet përdorur për të mohuar identitetin e askujt. Përkundrazi, duhet të na mësojë se identiteti shqiptar është më i lashtë dhe më i gjerë sesa përkatësia fetare e secilit prej nesh.

PAGËZIMI ËSHTË ZGJEDHJE E LIRË – DHE LIRIA ËSHTË E SHENJTË

Pagëzimet e 18 gushtit kanë domethënie të veçantë për njerëzit që, me vullnetin e tyre, zgjodhën fenë e krishterë.

Këtë duhet ta themi pa frikë, por edhe pa urrejtje:

çdo shqiptar ka të drejtë të jetë katolik, mysliman, ortodoks, bektashi, besimtar i një feje tjetër apo të mos besojë fare.

Askush nuk duhet ta kërcënojë për këtë.

Askush nuk duhet ta turpërojë.

Askush nuk duhet t’ia numërojë shqiptarizmin sipas fesë.

Historia e sundimit osman në trojet shqiptare përmban periudha të rënda pushtimi, konflikti, diskriminimi dhe presioni, krahas proceseve shoqërore shumë më komplekse të konvertimit fetar. Historia duhet studiuar me dokumente, jo shndërruar në armë kundër shqiptarëve myslimanë të sotëm.

Sepse myslimani shqiptar nuk është armiku i katolikut shqiptar.

As katoliku shqiptar nuk është armiku i myslimanit.

Armiku i shoqërisë demokratike është ekstremizmi që kërkon ta vendosë fenë mbi kombin, mbi ligjin dhe mbi lirinë e tjetrit.

DODË GJERGJI DHE NJË MESAZH QË DUHET DËGJUAR

Në këtë atmosferë, qëndrimi i Ipeshkvit Imzot Dodë Gjergji meriton vëmendje të posaçme.

Kur tensioni mund të ushqehej lehtë, ai zgjodhi gjuhën e paqes.

Mesazhi i tij ishte se Kisha nuk dëshiron përplasje me “vëllezërit tanë”, por kërkon që besimtarët t’u përgjigjen situatave me paqe, dashuri dhe urti.

Këtu qëndron madhështia e një udhëheqësi shpirtëror:

të jesh i vendosur pa qenë urrejtës; të mbrosh të drejtën pa kërkuar hakmarrje; të mos heqësh dorë nga identiteti yt, por njëkohësisht të mos e poshtërosh identitetin e tjetrit.

Ky është mesazh që duhet ta dëgjojnë edhe shqiptarët myslimanë.

Jo si akuzë ndaj tyre, por si thirrje vëllazërore:

Mos lejoni që besimi juaj të keqpërdoret nga ideologjitë e islamizmit politik.

Mos lejoni që askush t’ju bindë se një kishë shqiptare është kërcënim për ju.

Mos lejoni që predikues, propagandistë apo interesa të huaja ta vendosin fenë përballë kombit.

Kosova nuk ka nevojë për luftë ndërfetare.

Ajo ka nevojë për bashkëjetesë ndërfetare dhe rezistencë të përbashkët kundër çdo ekstremizmi.

KOSOVA NUK ËSHTË DHE NUK DUHET TË BËHET SHTET FETAR

Duhet folur qartë edhe për një rrezik tjetër.

Çdo projekt politik që synon ta zëvendësojë Republikën laike dhe kushtetuese të Kosovës me një rend fetar – qoftë ai i frymëzuar nga sheriati apo nga çfarëdo teokracie tjetër – duhet kundërshtuar politikisht, intelektualisht dhe demokratikisht.

Kosova nuk është projekt i Al-Kaidës.

Nuk është projekt i ISIS-it.

Nuk është projekt i Moskës, Beogradit, Athinës, Ankarasë apo ndonjë kryeqyteti arab.

Kosova është projekt politik i qytetarëve të saj.

Ajo është ndërtuar mbi sakrificën e brezave shqiptarë dhe duhet të mbetet shtet demokratik, laik, europian, ku xhamia, kisha dhe çdo bashkësi tjetër fetare ekzistojnë të lira – por asnjëra nuk sundon mbi shtetin.

Pikërisht këtu duhet bërë dallimi themelor ndërmjet Islamit si besim dhe islamizmit politik si ideologji pushteti.

T’i ngatërrosh këto të dyja do të thotë t’u bësh padrejtësi edhe vetë shqiptarëve myslimanë që e duan Kosovën, flamurin, gjuhën dhe lirinë e saj.

NJË KISHË NUK E RREZIKON KOSOVËN – INTOLERANCA PO

Në një demokraci, një kishë nuk duhet ta frikësojë myslimanin.

Një xhami nuk duhet ta frikësojë katolikun.

Një kryq nuk duhet ta frikësojë gjysmëhënën dhe gjysmëhëna nuk duhet ta frikësojë kryqin.

Ajo që duhet të na frikësojë është ideologjia që i thotë qytetarit:

“Ti nuk ke të drejtë të besosh ndryshe nga unë.”

Aty fillon totalitarizmi.

Dhe pikërisht për këtë arsye çështja e Zogajt e tejkalon një objekt fetar.

Ajo është provë për Republikën.

A do ta mbrojmë pronën?

A do ta mbrojmë lirinë e besimit?

A do ta mbrojmë të drejtën e qytetarit për ta ndryshuar besimin?

A do ta mbrojmë tjetrin edhe kur nuk beson si ne?

Nëse përgjigjja është po, atëherë kemi shtet.

Nëse përgjigjja varet nga numri i protestuesve, atëherë kemi problem shumë më të madh se një kishë.

ZOGAJI DUHET TË BËHET URË, JO FRONT

Pikërisht këtu duhet të jetë mesazhi përfundimtar i 17 dhe 18 gushtit.

Mos e shndërroni Zogajn në vijë fronti ndërmjet shqiptarëve.

Bëjeni urë.

Le të ndërtohet kisha sipas ligjeve të Republikës.

Le të funksionojnë xhamitë sipas ligjeve të Republikës.

Le të predikojnë priftërinjtë dhe hoxhallarët paqen, moralin dhe dashurinë për njeriun.

Por në çastin kur dikush kërkon që feja të shndërrohet në instrument politik kundër shtetit laik, kundër identitetit kombëtar ose kundër të drejtave të qytetarit, intelektualët shqiptarë duhet të flasin.

Pa frikë.

Pa urrejtje.

Pa fanatizëm.

GURI QË MBETET

Një ditë zhurma e këtyre debateve do të shuhet.

Postimet do të harrohen.

Deklaratat do të mbulohen nga lajme të tjera.

Por guri do të mbetet.

Dhe mbi të mund të ngrihet një kishë që brezat e ardhshëm nuk duhet ta shohin si monument kundër dikujt, por si dëshmi se Republika e Kosovës ishte mjaftueshëm e fortë për t’ia garantuar secilit qytetar lirinë e ndërgjegjes.

Nëse kjo arrihet, atëherë familja Musa nuk ka dhuruar vetëm tokë.

Ka dhuruar një hapësirë ku mund të provohet pjekuria jonë kombëtare.

Shën Flori dhe Lauri na kthejnë drejt Dardanisë së lashtë.
Familja Musa na kujton fuqinë e amanetit.
Pagëzimet na kujtojnë lirinë personale.
Ndërsa Kosova na kërkon diçka edhe më të madhe: të dimë të jetojmë si vëllezër edhe kur lutemi ndryshe.

Sepse para se të jemi katolikë, myslimanë, ortodoksë apo bektashinj, kemi një atdhe të përbashkët.

Dhe mbi atë atdhe duhet të ngrihen tempujt e Zotit, por kurrë muret e urrejtjes ndërmjet shqiptarëve.