Kreu Blog Faqe 393

Isuf Bajraktari: Kabashi, zëri i ndërgjegjës shqiptare që nuk ka heshtur kurrë përballë padrejtësisë, për më shumë se katër dekada

0

Isuf Bajraktari, Suedi

Respekt dhe nderim i thellë për njerëz si Ju, z. Kabashi simbol i qëndresës, i fjalës së lirë dhe i shpirtit të pathyeshëm shqiptar!

Rrëfimi i jetës suaj është më shumë se një kujtim personal; ai është një histori e gjallë sakrifice për dinjitetin, për atdheun dhe për të vërtetën.

Të përballesh me dhunë, kërcënime e tortura, por të mos ndalësh së shkruari, është heroizëm moral që nuk ka çmim. Ju nuk zgjodhët heshtjen, por penën; nuk zgjodhët frikën, por rrugën e nderit dhe të vlerave kombëtare. Edhe pas më shumë se një çerek shekulli në mërgim, me shpirtin e pandarë nga Kosova, ju mbeteni dëshmi se idealet nuk plaken dhe se dashuria për vendin e për të vërtetën është një dritë që nuk shuhet kurrë.

Njerëz të tillë janë pasuri morale e kombit shembuj që duhen ruajtur, nderuar dhe përcjellë brez pas brezi. Me gazetën Drini jeni bërë dritë dhe gurgullimë e dijes, e së vërtetës dhe e lirisë individuale, duke ngritur zërin dhe kërkuar njëkohësisht edhe lirinë kolektive kombëtare, si një mundësi për t’i shpëtuar së keqes së ardhshme.

Për librin tuaj ju përgëzoj me gjithë zemër! Po të isha në Kosovë, do të vija kudo që do ta promovonit. Pres me padurim ta kem në bibliotekën time. Ishte një intervistë e sinqertë, e fuqishme, njerëzore dhe intelektuale në TV Arbëria, një pasqyrë e vërtetë e shpirtit tuaj të pathyeshëm. Dhe, siç e theksoni edhe vetë, për çudi, gjatë rrugëtimit tuaj ju dolën përpara “në emër të popullit shqiptar” ata që, përkundër punës suaj të madhe e cilësore, u shndërruan në shërbëtorë të shërbimeve të huaja armiqësore, duke ju përgjakur jetën dhe duke tentuar t’ju thyejnë. Kur panë se nuk dorëzoheshit, ju dënuan me varfërim, mënyra më tinëzare për të goditur një shpirt të lirë.

Bajram Kabashi është shembull i gazetarit që nuk u ndal, edhe kur u ndalua; që nuk pushoi, edhe kur deshën ta pushojnë; që nuk heshti, edhe kur iu kërkua heshtja e qetë. Ai nuk u dorëzua asnjëherë për bindje apo ideologji kombëtare, u dorëzua vetëm ekonomikisht, por jo shpirtërisht.

Sepse shpirti, mendja dhe pena e tij nuk pushuan kurrë, dhe nuk do të pushojnë deri në frymën e fundit. Në mënyrë metaforike, z. Kabashi e përmbyll me fjalët e tij të paharrueshme:

“Edhe i vdekur, do të shkruaj. Do të them të vërtetën –vetëm të vërtetën time.”

Kjo fjali është më shumë se një shprehje; është një betim etik për çdo njeri të fjalës publike. Si për veten, ashtu edhe për të tjerët, gazetari dhe politikani duhet të shkruajnë dhe të thonë të vërtetën e argumentuar.

Fjalët e pabazuara, thumbimet apo shpifjet që lëndojnë e nxisin armiqësi pa fakte, në një botë të moderuar e të civilizuar, përbëjnë një barrë të rëndë morale, etike dhe njerëzore.

Ky është zëri i një njeriu që i përket kombit; i një intelektuali që nuk ka heshtur përballë padrejtësisë dhe që me fjalën e tij ka mbajtur gjallë dritën e ndërgjegjes shqiptare për më shumë se katër dekada.

Pena e tij mbetet dëshmi se liria nuk jepet, por fitohet dhe e vërteta, sado të ndalohet, nuk vdes kurrë.

Libri: “Intervistë me vetveten” – YouTube

Akademitë që po e luftojnë gjuhën shqipe…!

0
Shkruan: Xhemil Zeqiri
____

Kur armiqtë e kombit flasin në emër të shkencës

Thank you for reading this post, don’t forget to subscribe!

Në vend që të jenë kështjella të dijes dhe mbrojtjes së identitetit kombëtar, Akademitë e Tiranës dhe Prishtinës po shndërrohen gjithnjë e më shumë në instrumente të shërbimit kundër gjuhës shqipe. Me paratë e taksapaguesve shqiptarë, atje botojnë libra që nuk mbrojnë, por cenojnë dinjitetin gjuhësor e kulturor të kombit.
Akademikë në shërbim të së huajës
Ka kohë që disa akademikë shqiptarë janë vënë në shërbim të armiqve të kombit, duke tentuar të rrënojnë nga brenda shtyllat e identitetit tonë. Kur është fjala për historinë, kulturën dhe gjuhën shqipe, këta njerëz shfaqen si “shkencëtarë”, por në fakt janë tradhëtarë të heshtur të vetë kombit që i ushqen.
Së fundmi, dy “akademikë” nga Prishtina, Nazmi Lleshi dhe Bardh Rugova, kanë botuar një libër me titull “Fjalori i turqizmave në gjuhën shqipe”, me plot 497 faqe dhe mbi 14.500 fjalë. Në pamje të parë, libri duket si një përpjekje leksikografike, por në thelb është një fyerje ndaj lashtësisë dhe pastërtisë së shqipes.
Kjo qasje, që e paraqet shqipen si gjuhë të ndotur e të varur nga ndikimet turke, është pjesë e një strategjie të vjetër për të ulur vlerën e gjuhës sonë dhe për ta paraqitur atë si një gjuhë pa rrënjë të thella në historinë evropiane.
Akademia e Tiranës – heshtje ose bashkëfajësi
Ky fenomen nuk është i izoluar. Akademia e Shkencave e Tiranës ka botuar edhe më parë vepra të ngjashme, që nën petkun e “studimeve shkencore” zbehin identitetin kombëtar dhe e mbulojnë shqipen me hije të huazimeve të rreme. Kjo nuk është shkencë, por degjenerim i qëllimshëm kulturor.
Zëri i kundërshtimit
Në këtë errësirë të fabrikuar, shfaqen zëra që nuk pranojnë të heshtin. Njëri prej tyre është studiuesi Agron Dalipaj, i cili me argumente shkencore po u hedh poshtë këtyre “akademikëve” çdo përpjekje për të rishkruar historinë dhe gjuhën shqipe. Dalipaj përfaqëson atë që duhet të ishte fryma e vërtetë e akademisë – mbrojtja e së vërtetës dhe e gjuhës amtare.
Pse shqipja është e shenjtë
Popullit shqiptar nuk i ka mbetur gjë tjetër përveç historisë, kulturës dhe gjuhës – tri shtylla që e kanë mbajtur gjallë kombin tonë për mijëra vjet. Dhe është pikërisht aty ku godasin armiqtë e sotëm: në kujtesën dhe ndërgjegjen kombëtare. Kur nuk mund të na mposhtin me armë, përpiqen të na tjetërsojnë me “fjalorë”.
Por historia flet ndryshe. Zbulimet arkeologjike, si rasti i qytetit të Linës në Shqipëri, si dhe kërkimet e studiuesve amerikanë e evropianë, po dëshmojnë për lashtësinë e gjuhës dhe qytetërimit shqiptar. Ndërsa bota po e njeh këtë të vërtetë, disa “akademikë” të paguar nga populli po përpiqen ta mohojnë.
Përmbyllje
Koha e heshtjes ka mbaruar. Gjuha shqipe nuk ka nevojë për “fjalorë turqizmash”, por për fjalorë krenarie kombëtare. Ajo nuk është gjuhë e huaj në truallin e vet, por rrënja e vetë Evropës.
Kush e lufton shqipen, e lufton kombin.
Dhe kush e mbron shqipen, mbron Shqipërinë.

Ku shtrihet Çamëria dhe historia e saj

0
Nga Bilal Xhaferi*
___
Çamëria shtrihet në pjesen veriperëndimore të Greqisë me një sipërfaqe prej 10. 000 km2. Pellasgo-Ilirët ishin banorët e hershem të Çamërisë, kurse mbret i parë ishte Therporti me prejardhje Pellazge. Fiset ILIRE ishin Molosët,Dodonët, Kasopianet, Efyrianet etj. Çameria ishte pjesë e Mbretrisë ILIRE. Heroi Pirro ishte heroi i shquar i Çamërisë, sukseset në luftëra e derguan atë dhe ushtrine e tij deri ne Itali. Besohet që Pirro të jetë i afërm i Aleksanderit. Gjatë pushtimit Bizantin, fise te reja erdhen në Çamëri, siq ishin Gothet,Ostret,Sarakenet dhe Norset. Me 1449 Çameria u pushtua nga perandoria Osmane. Ne shekujt 16 dhe 17,Cameria u kthye ne arene te revoltave te ashpra kunder sundimit osman.
Populli Çamë luftoj kundër ushtrisë Osmane në vitet 1611 dhe 1803, ku në betejen e fundit u shqua regjioni i Sulit (qendra e Sulit ishte Paramithia, më Shqiponjën dy krershe). Me 1750 regjioni i Sulit perbëhej prej 60 fshatrave dhe kishte 25000 banor. Gjatë pushtimit Osman, Çameria ishte pjesë e Janinës, njëra nga katër vilajetet Shqiptare.
Shqiptaret e njohur si luftëtar, mësues, dhe patriot ishin: Luli Çapari, Marko BoÇari, Hasan Tasini, Osman Taka, Çelo Mezani dhe të tjerë. Në shekullin 18 fillon procesi i islamizimit me force-pjese e popullsise se Sulit dhe Parges largohen per ne ishujt greke per t’i shpetuar shnderrimit. Gjate viteve 1820- 1850, krahina merr pjese perseri ne kryengritjet kunder Perandorise Osmane. Ne vitet 1854 dhe 1877, popullsia i reziston me sukses sulmeve te Andarteve Greke. Gjate luftrave Ballkanike,trupat greke hyjne ne Cameri. Per te ndihmuar popullin came qeveria e (perkohshme) e Vlores dergoi trupa ushtarake atje, por vendimi i Konferences se Ambasadoreve i dha Camerine Greqise. Mbas Luftes se Dyte Boterore, qeveria greke deboi me force mijera shqiptare myslimane ne Turqi me preteksin qe ato ishin per shkak te fese se tyre. Me fundin e Luftes se Dyte Boterore, terrori i ushtruar ndaj popullsise vendase, detyroi 25.000 Came te besimit mysliman te lene atdheun e tyre dhe tekerkojne strehim te perkohshem ne Shqiperi.
PREJ NGA RRJEDH FJALA ÇAMERI?
Fjala çam eshte nje evoluim i termit “t’chiam” dhe perkon me emrin e nje lumi te vjeter qe kalonte permes krahines se Çamerise. Fjala “T’chamis” haset ne shume harta te vjetra romake dhe helene, duke na treguar se emri “Chameria”eshte me i vjeter se Epiri dhe eshte perdorur vetem nga popullsia shqiptare nder shekuj. Ajo qe eshte me e rendesishme te thuhet ketu eshte se, popullsia çame ka nje etnitet, tradite dhezakone te mirefillta shqiptare.
KU SHTRIHET EPIRI?
Meqë në afishimin e mësipërm u përmend Epiri, ne vijim po ju sjell nje historik te shkurter lidhur me kete fis ilir. Epiri eshte krahinë dhe një nga shtetet e Ilirisë së Jugut, që shtrihej nga malet e Vetëtimës (Akrokeraunet antike) dhe rrjedhja e mesme e Vjosës në Veri, deri në gjirin e Ambrakisë në Jug, dhe nga malet e Pindit në Lindje, deri në brigjet e detit Jon në Perëndim. Emërimi Epir për këtë krahinë (në greqishte do të thotë stere, tokë), ka qenë përdorur në fillim nga autorët grekësi një emër i përgjithshëm që përcaktonte pozitën kontinentale të saj përballë Greqisë ishullore. vetëm nga fundi i shek. VI p.e. r. ai mori edhe kuptimin të përcaktuar politik.
Epiri banohej nga shumë fise, ndër të cilët më kryesorët ishin tesprotët, kaonët dhe molosët. Me gjithë disa veçori të jetës kulturore e politike, këto fise ishin etnikisht të një trungu me ilirët, me të cilët i lidhte gjatë gjithë periudhave të historisë së tyre, një fond i gjerë i përbashkët traditash, që ndryshonin nga ato të Greqisë antike. Në të tretën e fundit të shek. V p.e.r.fiset epirote kishin arritur të organizoheshin në bashkime federative të njohura me emrin koine (bashkësi) të cilat kishin sisteme të ndryshme politike. Koinoni i molosëve sundohej nga mbretër të dinastisë së Aikidëve, ndërsa kaonët dhe tesprotët qeveriseshin nga dy magistart të lartë (prostatë), të cilët zgjidheshin çdo vit nga rrethe aristokratike. Këto bashkësi dolën në skenën e historisë si forma politike më vete në kohën e luftës së Peloponezit (432-404 p.e.r.),kur ushtritë e kaonëve, të tesprotëve dhe molosëve, me sundimtarët e tyre në krye, morën pjesë më 429 p.e.r.në ekspeditën kundër qytetit Strato të Akranonisë, në anën e Spartës.
Që nga ajo kohë molosët të sunduar nga Tarypa e pasardhësit e tij filluan të fitojnë epërsi mbi fiset e tjera dhe e vunë Epirin në rrugën e bashkimit të tij ushtarak e politik. U krijua një organizim shtetërorë më i gjerë, i njohur me emrin Lidhja e Molosëve, që përfshinte popullsi tjera epirote, nën hegjemoninë e fisit që i jepte emrin bashkësisë. Kjo përbënë etapën e parë në procesin e krijimit të shtetit federativ të Epirit. Pas mesit të shek. IV. p.e.r. Lidhja e Molosëve hyri në sferën e ndikimit maqedon, megjithatë sundimatarët e saj e vazhduan politikën e bashkimit të vendit. Zgjerimi i mëtejshëm i lidhjes,sidomos pas përfshirjes në gjirin e saj të koinonit të rëndësishëm të tesprotëve, që u krye në kohën e sundimit Aleksandrit Molos (342-331 p. e. r. ), çoi në krijimin e një forme të re shtetërore me karakter gjithnjë federativ,por me përmbajtje të re kushtetuese, e quajtur Aleanca e Epirotëve, në të cilën gjithë pjesmarrësit kishin të drejta të barabarta. Ajo përbënte etapën e dytë në procesin e bashkimit politik të Epirit. Etapa e tretë u realizua në kohën e sundimit të mbretit të dëgjuar epirot, Pirros (307-272 p.e.r.). Pirroja arriti të sundonte për një kohë jo vetëm mbi Epirin, por edhe mbi një pjesë të madhe të Maqedonisë dhe të T në Lindje, si dhe mbi krahinat greke të Ambakrisë, Amfilokisë dhe Akarna-nisë në Jug etj. Gjat sundimit të Pirros, shteti i Epirit u bë një nga fuqitë e rëndësishme ushtarako-politike të kohës , që luajti rol të shënuar në zhvillimin e ngjarjeve në Maqedoni, Greqi e Itali.
Pas Pirros shteti monarkik epirot filloi të humbasë fuqinë e mëparshme derisa në kohën e përfaqsueses së fundit të dinastisë së Aikidëve, Deidamesë, në vitet 30 të shek. III p.e.r. U kthye në një bashkim shtetërorë republikan me emrin Lidhja Epirote. Gjat kësaj kohe (232-168 p.e.r.) Epiri kaloi sistuata të vështira, të shkaktuara nga pleksja e interesave të mëdha të kohës: shtetit ilir, atij maqedon dhe Romës. E gjetur në vorbullin e kontradiktave dhe lufërave midis këtyre fuqive Lidhja Epirote nuk qe në gjendje të luaj një rol të dukshëm. Në vitin 167 p. e. r. ajo ra nën sundimin romak dhe pas vitit 148 p.e.r. Epiri u bë pjesë e provincës maqedone, kurse kurse në fund të shek. II p.e.r. formonte një provincë më vete. Me reformën administrative të Dioklecianit në fund të shek. III emërtimi Epir ushtri edhe në trevat në Veri të Vjosës, të cilat formuan provincën Epirit i ri; për t’u u dalluar nga kjo, trevat tradicionale të Epirit u quajtën provinca e Epirit të vjetër.
Këto emërtime vazhduan të përdoren gjat mesjetës nga autorët eurodit, sipas traditës klasike, ndërsa administrata shtetërore bizantine njihte vetëm themat e Nikopojës dhe të Durrësit. Në trevën e Epirit të Vjetër u shtri nga fillimi i shek. XIII një formacion i ri shtetërorë feudal, i cili për këtë shkak u quajt nga shkenca Despotat i Epirit. Nën ndikimin e autorëve të vjetër dhe të paqartësisë së caqeve teritoriale gjeografike, sidomos autorët humanist të shek. XV-XVI, midis të cilëve edheMarin Barleti, e përdorën termin Epir, pa e dalluar në të Vjetër e në të Ri, për mbarë trevat shqiptare, që në të vertetë përputheshin vetëm pjesërisht me shtrirjen e Epirit. Që nga shekulli XI,lidhur me afirmimin e shqiptarëve si faktor politik,u afirmua dhe u përtgjithësua emri etnik i vjetër Albanon e Arbanon, i trashëguar nga antikiteti ilir. Ishte ky emër që pasqyronte relitetin etnik, i cili u përgjithësua duke përfshirë në shek. XIV një pjesë të trevave të banuara nga një popullsi homogjene etnike, arbëreshët.

Muharrem Salihu, Itali: Takimi me Shenjtërinë e Tij, Papa Leoni XIV

3
Një moment unik në jetën time. Një çast që do të mbetet me mua përjetë
Ndihem shumë i lumtur që ndodhem këtu sot. Ju sjell përshëndetjet e komunitetit shqiptar në Itali dhe admirimin e respektin e thellë që populli shqiptar dhe kudo ata ndodhen në botë, ushqejnë për Ju.
Unë i përkas shqiptarëve që jetojnë në Serbi, një komuniteti prej rreth 200 mijë banorësh. Aktualisht, në Jug të Serbisë po zhvillohet një spastrim etnik dixhital përmes pasivizimit të adresave. Ndërkohë që ky proçes po vazhdon, Serbia i deklaron Komunitetit Ndërkombëtar se kjo çështje do të zgjidhet me arritjen e Marrëveshjes përfundimtare me Kosovën.
Prandaj, Shënjtëria Juaj, njohja e Republikës së Kosovës nga Selia e Shenjtë do t’i jepte fund këtij deportimi modern.
Për këtë çështje, unë u kam dorëzuar bashkëpunëtorëve Tuaj një material të detajuar.
Edhe një herë, Ju shpreh mirënjohjen e thellë për pritjen e ngrohtë që më rezervuat.
Vatikan
12 nëntor 2025
Incontro con Sua Santità Papa Leone XIV
Un momento unico nella mia vita. Un momento che rimarrà con me per sempre.
Sono molto felice di essere qui oggi. Vi porto il saluto della comunità albanese in Italia e la profonda ammirazione e rispetto che il popolo albanese, ovunque nel mondo, nutre per voi. Appartengo agli albanesi che vivono in Serbia, una comunità di circa 200.000 abitanti. Attualmente, nel sud della Serbia è in atto una pulizia etnica digitale attraverso la cancellazione degli indirizzi di residenza. Mentre questo processo continua, la Serbia dichiara alla comunità internazionale che la questione sarà risolta con il raggiungimento dell’Accordo Finale con il Kosovo. Pertanto, Santità, il riconoscimento della Repubblica del Kosovo da parte della Santa Sede porrebbe fine a questa moderna deportazione. A questo proposito, ho inviato materiale dettagliato ai vostri collaboratori. Esprimo ancora una volta la mia profonda gratitudine per la calorosa accoglienza che mi avete riservato.
Vaticano
12 novembre 2025

Intelektualët në epokën e ndryshimeve: prijës apo vëzhgues? Fjala që e mbajta dje në Gjakovë me rastin e marrjes së Çmimit “Guximi intelektual”

0
Bajram Kabashi, Gjakovë, 12 nëntor 2025
___
INTELEKTUALËT NË EPOKËN E NDRYSHIMEVE: PRIJËS APO VËZHGUES ? A ËSHTË INTELEKTUALI SOT AKTOR AKTIV NË DREJTIMIN E SHOQËRISË, APO VETËM DËSHMITAR I NGJARJEVE TË MËDHA TË BOTËS MODERNE?
___
Tema rreth rolit të intelektualit në epokën e ndryshimeve dhe roli i tij në ndryshim epokash është një temë që kërkon sqarim të thellë, pasi roli i intelektualit të mirëfilltë në ndryshime epokash sfidohet nga rrethanat e reja. A mund të jetë qëndrimi i një intelektuali i njejt në kohën nën pushtim me kohën tjetër, rrethanat e lirisë?
Mendimi im është se në rrethanat e reja një intelektual duhet ta vëzhgoj situatën e re në aspektin e rrethanave tashmë të reja. Personalisht jam i mendimit se një intelektual duhet të ketë qëndrim të qartë e kritik rreth ngjarjeve, qoftë në rrafshin nacional apo internacional.
Intelektuali i formuar, me përgatitjen e duhur shkollore dhe sidomos me përvojën dhe vëzhgimin e zgjuar, nuk mund të heshtë në asnjë rrethanë ndaj së keqës që një mjedis, shoqëri apo popuj të ndryshëm i nënshtrohen dhunës apo diskriminimit të përditshëm, që e rrezikon ekzistencën e tij.
Më parë se një intelektual të jetë prijës, është me rëndësi që ai të jetë vëzhgues i drejtë, pasi të jeshë prijës nënkuptohet se personi me qasje kritike-intelektuale jeton në rrethana të tjera, pushtuese parasëgjithash.
Më herët në rrethana pushtimi ishin prijës të tillë Adem Demaçi, Metush Krasniqi me pararendësit apo pasuesit e tyre.
Të gjithë ata që e kundërshonin e flisnin hapur për pushtimin, këtë e bënin për ta zgjuar popullin që ai ta kuptonte se jemi të pushtuar dhe se duhet të  çlirohemi.
Ndërkaq, sot kërkohet mospajtim tjetër, shpesh mospajtim që ndërlidhet me padrejtësitë dhe rrugët e këqija që mund t’i imponohen një populli.
Mendimi im është që intelektualit të sotshëm i takon të jetë vëzhgues i vëmendshëm për të gjtiha ato që ndodhin në shqoërinë e Kosovës dhe atë shqiptare në përgjithësi.
Intelektuali, prandaj, nuk guxon të heshtë për asnjë rrjedhë e kahje të gabuar, siç janë shpopullimi, papunësia, keqpërdorimi i religjionit dhe shndërrimi i tij eventual në çështje të ndonjë populli tjetër.
A kemi raste të tilla?
Konsideroj se raste që e gërryjnë dhe tjetërsojnë një shoqëri, sikurse që është shoqëria e Kosovës apo ajo shqiptare përgjithësisht, kemi jo pak.
Ne duhet ta kuptojmë e kemi të qartë se tashmë jemi pjesë e shoqërisë dhe “fshatit global”, por sikurse shumë shqoqëri e kombe të tjera që po zgjohen gjithnjë e më shumë nga efektet e globalizmit dhe multikulturalizmit të porositur, duhet t’i kthehemi vetës sonë si Arbnorë e Arbnore të Arbërisë.
Nëse “nuk jemi për vete, atëhere kush mund të jetë për ne”, është një thënia të thuash proverbiale, që ne si popull në nevojë e ndoshta pa busullën udhëheqëse, duhet ta kemi parasysh.
Në këtë këndvështrim, intelektualit shqiptar i takon të mendoj shumë për vetën e vet dhe rrezikimin e bërthamës kombëtare në rrethanat e reja të kohës moderne.
Ne duhet të mendojmë për vetën tonë shumë më shumë se që jemi duke menduar. Për ketë arsye askush nuk ka të drejtë të mbetët vetëm dëshmitar i ngjarjeve që iu nënshtrohemi.
Intelektuali duhet të mendoj më shumë për vetën e vet, për Gjakovën e vet, për shembull .
Mua më kujtohet Gjakova e paraluftës, koha kur të gjithë përpiqeshim për lirinë tonë. Koha kur i rrezikonim edhe jetët tona për lirinë e munguar.
Gjakova ishte shembëlltyrë apo ndër shembelltyrat e mëdha të vendit tonë.
Në periudhën e autonomisë Gjakova ishte një qytet me shumë fabrika dhe me shumë të punësuar. Po tash…, si është gjendja e Gjakovës…?
Për këtë duhet të mendoj intelektuali i këtij qyteti dhe ai shqiptar përgjithësisht. Gjakova kishte elita të njëmendta intelektuale, që i kanë shërbyer shumë kombit, duke ia ndriçuar rrugën e ardhmërisë.
Duke e rizgjuar e rimëkëmbur Gjakovën, ne e rimëkëmbim vetën tonë, ardhmërinë tonë.
Prandaj, Dardania jonë duhet të ketë “aktor aktiv në drejtimin e shoqërisë”, ashtu qysh thuhet dhe kërkohet në temën për të cilën shkruaj.
Globalizmi andaj nuk duhet të na lë të qetë por t’i shohim , vëzhgojmë e përcjellim efektet (shpesh edhe negative) të tij.
“Fshati global” nuk guxon të na e shkatërroj fshatin dhe qytetin tonë, cilido që të jetë ai fshat apo qytet.
Prandaj, jo vetëm Kosovës por mbarë kombit i duhen elita të mirëfillta partiake e shtetërore, jo të nacionalizmit ekstrem sikurse të ndonjë fqinji të kombit shqiptar, por të ngritura dhe që e përfaqësojnë një nacionalizëm modern, çfare tashmë vazhdojnë t’i kenë shoqëritë europiane, popujt e të cilëve tashmë janë në këmbë për ta mbrojtur vetvetën prej rrënimit të brendshëm.
Shikuar nga këndvështrimi i kthimit të domosdoshëm kah vetja, më shumë se të tjerët, më shumë se cilido komb e shoqëri europiane, shqiptarët duhet të mendojnë për vetvetën dhe të mos lejojnë asnjë shoqëri paralele që e cënon apo i del përpara ndërgjegjës kombëtare shqiptare.
Shqiptarët kurrë nuk duhet ta qesin nga mendja se u duhet një bashkëbisedim i gjithnjëshëm me udhëheqësit partiak e shtetëror, në mënyrë që ata të mos kryejnë punë e obligime të huaja që na zhbëjnë si kulturë kombëtare, pa e ditur fare se çka janë duke bërë.
Sot shpërndërrimet e popullsisve të botës janë të mëdha, pothuaj të paimagjinueshme. Janë milione njerëz në kërkim të “një strehe” nën qiell, për të cilët është krejt normale të jetojnë në kushte jo aq të mira edhe në vendet e varfëra si Kosova.
Prandaj, jo që duhet të mos jemi mikpritës, por parasëgjithash duhet të mendojmë se çka jemi duke i bërë popullit tonë që nuk po mendojmë ta rehatojmë në vendin e vet?! 
Duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat që e shquajnë kohën që jetojmë, mendoj se të jesh dëshmitar pasiv i gjithë asaj që ndodhë ndër ne, nënkupton se pajtohesh me gjendjen pa e dhënë përgjogjen e duhur për te. Prandaj, secili prej nesh që e ka ndërgjegjen dhe kurreshtjen e zgjuar, duhet të jetë aktiv si dëshmitar i krejt asaj që ndodhë dhe ta jep përgjigjen e vet për te pa pritur kalimin e kohës.
Bota më nuk është ajo që ishte, pasi në çdo çast nëse duam mund të informohemi se çka është duke ndodhur në botë. Zhvillimet marramendëse teknologjike që vazhdojnë të jenë gjithnbjë e më të avancuara, nuk na lënë indiferent për shak të informatave që na vijnë aty ku e kalojmë një pjesë të jetës, në banesat a shtëpitë tona apo kur jemi përjashta në ndeja apo sheti.
Në kohën kur bota është e përafruar në shumë aspekte, ne si komb i vogël dhe me gjeografi po ashtu të vogël në hartën e botës, duhet të mendojmë më shumë për vetën tonë.
Aq më shumë pasi vazhdojmë të jemi komb i varfër dhe nuk mund t’i përballojmë trysnitë e kohës moderne, lëvizjet e pakontrolluara dhe migrimet e porositura drejt hapësirave tona jetësore. Nuk duhet ta qesim prej mendjes se ekzistojnë forca e rrethana që mund të na rrënojnë e largojnë në format më të buta dhe të padukshme prej vendit tonë.
Kjo shprehet në mënyrën kur banorit vendës nuk i krijohet mundësi jetese dhe stabilizimi të jetës në vendin e vet, fshatin dhe qytetin e tij dhe ai detyrohet ta marrë rrugën e mërgimit.
Dikush mund të thotë se ata që migrojnë kthehen e une them se ëndërra për rikthim vazhdon ta përcjell individin vetëm në vitet e para të mërgimit, e pastaj ajo zbehet gradualisht, përderisa fëmijët rriten në një vend tjetër, aty ku i kanë kujtime me të shumëta dhe të thella se sa të prindërve të tyre.
Në kohën kur bota po pëson ndryshime marramendëse, inteligjenca shqiptare ka obligime të mëdha që t’i përcjellë rrjedhat e ndryshimeve të tilla.
Nga njerëzit tonë të vëmendshëm kërkohet që t’u dëgjohet zëri, jo duke qenë prijës, por ndërgjegjësues dhe ndriçues të gjendjes në të cilën jemi, të jenë zëra kritik që na mësojnë dhe udhëzojnë.
Prandaj, intelektuali ynë duhet të jetë aktiv dhe të na i hapë sytë e mendjen për çdo gjë që është duke ndodhur rreth nesh e kombit e shteteve të Kosovës dhe Shqipërisë.
____
Falemnderit Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” të Gjakovës, që Sot, me 12 nëntor 2025, më ndau Çmimin “Guximi intelektual” për vitin 2024 .
Jam tejet mirënjohës…!
Ju falemnderit…!

Rehabilitimi i Millosheviqit

2
Nga: Lis Bukuroca, Gjermani
____
Krahasimi i Faton Pecit me kasapin e Ballkanit nuk është një rastësi retorike, por e qëllimshme. Ai nuk synon ta shpërfaqë Pecin si të tillë, por përkundrazi, shërben për të rehabilituar figurën e Millosheviqit dhe për ta paraqitur atë si të padëmshëm, njësoj si Faton Peci.
Në thelb, kemi të bëjmë me një luftë speciale psikologjike: një përpjekje e rrezikshme për të shtrembëruar të vërtetën historike dhe për të banalizuar krimet që i kanë kushtuar Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë qindra mijëra jetë.
Duke barazuar viktimën me xhelatin, synon të zhdukë përgjegjësinë e Millosheviqit dhe të relativizojë dhunën e shtetit serb ndaj popujve të ish-Jugosllavisë.
Ai krahasim synon të ndryshojnë botëkuptimin publik, të mënjanojë kufirin mes fajtorit dhe të pafajshmit, midis agresorit dhe të sulmuarit.
Është detyrë e Gjykatës të mos lejojë që krimet e Millosheviqit të relativizohen nën maskën e një “krahasimi të pafajshëm”.
Sepse aty ku mohohet gjenocidi, dhe shkaktari i tij krahasohen me njeri pa krime, përgaditet përsëritja e masakrave: njeriu normal dehumanizohet dhe masakruesi na përshkruhet si humanist!
Faton Peci

Mos-demokratizimi i Serbisë – kërcënim për vendet e rajonit 

0

 

Nga: Arif Ejupi 

Mos-demokratizimi i Serbisë është një nga rreziqet më të mëdha për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Në vend që të largohet nga trashëgimia politike e viteve ’90, Serbia po e riprodhon atë: përmes nacionalizmit, instrumentalizimit të pakicave, kontrollit të mediave dhe ndërthurjes së pushtetit me krimin e organizuar.  

Ky model autoritar nuk është vetëm problem i Serbisë, ai prek drejtpërdrejt Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe gjeopolitikën e të gjithë rajonit. 

E kaluara e patrajtuar – rrënjë e destabilitetit 

Serbia nuk ka kryer kurrë denazifikim politik. Krimet e luftës janë relativizuar, kriminelët janë heroizuar dhe propaganda mediatike vazhdon të ushqejë narrativen e “Serbisë së rrezikuar” nga të gjithë fqinjët e saj. Kjo klimë prodhon armiqësi të vazhdueshme dhe e bën të pamundur ndërtimin e një shoqërie demokratike. 

Në vend të reformave, Serbia ka kultivuar një sistem të kapur nga një elitë politike që ndërton legjitimitetin mbi frikën, kërcënimin dhe konfliktet e inskenuara. Ky është burimi i vërtetë i destabilitetit rajonal. 

Modeli i pushtetit: autoritarizëm me fasadë demokratike 

Serbia funksionon si një demokraci formale, por në thelb është një regjim i centralizuar që kontrollon: 

  1. Mediat

Mbi 80% e tregut mediatik është nën kontroll të qeverisë ose oligarkëve të lidhur me të. Dezinformomi dhe manipulimi janë mjete të përditshme. 

  1. Drejtësinë

Gjyqësori është i politizuar, prokuroria ndjek kritikët, ndërsa aleatët mbrohen; rastet e korrupsionit të nivelit të lartë rrallë trajtohen. 

  1. Pakicat serbe në rajon

Beogradi i përdor pakicat serbe si instrument presioni në Kosovë, Bosnjë dhe Mal të Zi, duke i vendosur ato në qendër të çdo krize të re. 

  1. Aleancat me Rusinë dhe Kinën

Serbia refuzon të bashkohet me politikën e sanksioneve kundër Rusisë dhe i hap dyert ndikimit rus në zemër të Evropës juglindore. Ky pozicion e dëmton stabilitetin rajonal dhe e vonon integrimin e Ballkanit në BE. 

Rasti Vukashinoviq – fotografia e vërtetë e kriminalizimit të shtetit 

Ngjarja e rëndë e 1 nëntorit 2025, ku u rrëmbye dhe u plagos rëndë Milan Vukashinoviq, qytetar i Kosovës me prejardhje serbe, e ekspozon qartë natyrën e krimit të organizuar brenda strukturave politike të Serbisë. 

Vukashinoviq ishte prej vitesh kritik i Listës Serbe dhe i bos-it të saj të padeklaruar, Milan Radoiçiq. Sipas avokatit të njohur serb Marko Niniq, rrëmbimi i tij u organizua sepse Vukashinoviqi refuzonte t’u nënshtrohej presioneve politike dhe kriminale të strukturave të lidhura me Radoiçiqin. 

Por detaji më tronditës është se, sipas dëshmisë së avokatit Niniq: Milan Vukashinoviqi u plagos me snajper pikërisht nga vet Milan Radoiçiq, gjatë tentativës për ta kidnapuar. 

Ky fakt nuk është incident. Është simptomë e një realiteti: 

  • grupet kriminale të lidhura me Listën Serbe veprojnë si kartel politik, 
  • ato godasin kritikët e tyre brenda dhe jashtë Kosovës, 
  • dhe janë të mbrojtura nga aparati shtetëror i Beogradit. 

Rasti Vukashinoviq rrëzon përfundimisht propagandën serbe se strukturat paralele janë “infrastrukturë politike”  ato janë mekanizma dhune dhe frike. Një shtet që toleron atentate të tilla jo vetëm që nuk është demokratik, por është burim kërcënimi për mbarë rajonin. 

Pasojat për Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi 

Kosova 

Serbia mban gjallë tensionet në veri përmes strukturave të saj paralele, incidenteve të inskenuara, sulmeve të armatosura dhe përpjekjeve për destabilizim. Sulmi terrorist në Banjskë në vitin 2023 ishte vetëm një nga episodet. Rasti Vukashinoviq është një tjetër tregues se kush e kontrollon këtë territor. 

Bosnja dhe Hercegovina 

Beogradi mbështet hapur narrativen separatiste të Dodikut dhe Republika Srpska është vatra më e rrezikshme e potencialit për konflikt të ri. Mos-demokratizimi i Serbisë ushqen hapur rrëfimin e shkëputjes së Bosnjës. 

Mal i Zi 

Serbia ndërhyn politikisht përmes partive filo-serbe dhe Kishës Ortodokse Serbe, duke krijuar tensione të thella brenda shoqërisë malazeze. Ndikimi rus dhe serb bashkohet për të penguar orientimin e qartë perëndimor të Malit të Zi. 

Vonesë e integrimit evropian: Sa herë që Ballkani afrohet me BE-në, Serbia krijon tensione të reja.  

Pa demokratizimin e Serbisë, integrimi rajonal është i pamundur. 

Pse Serbia reziston demokratizimin? 

  • Elita aktuale rrezikon pushtetin nëse institucionet demokratizohen. 
  • Krimi i organizuar është integruar në politikë, veçanërisht në veri të Kosovës. 
  • Nacionalizmi është mjeti më i lirë dhe më i dobishëm për të mbajtur popullin nën kontroll. 
  • Marrëdhëniet me Rusinë i japin Serbisë mundësi të manovrojë kundër Perëndimit pa pasoja të menjëhershme. 

Këto arsye e mbajnë Serbinë në një cikël të autoritarizmit të ripërtërirë. 

Serbia është vendi më i madh në rajon, me pozitë gjeopolitike kyçe. Për këtë arsye, drejtimi që ndjek ai shtet nuk është çështje e brendshme, është çështje evropiane dhe rajonale. 

  • Një Serbi demokratike do të sillte stabilitet, bashkëpunim dhe integrim euro-atlantik. 
  • Një Serbi autoritare, e kapur nga struktura kriminale dhe tërësisht e politizuar, do të vazhdojë të prodhojë tensione, frikë dhe kriza. 

Rasti i Milan Vukashinoviqit, i cili u plagos me snajper nga një figurë politike dhe kriminale si Milan Radoiçiq, është dëshmi e qartë se shteti serb nuk është më në kontroll të strukturave që vet i ka krijuar. 

Kjo është arsyeja pse mos-demokratizimi i Serbisë është dhe mbetet kërcënimi kryesor për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. 

Spektakël shqiptar: Eurogoli i Manajt lë pa frymë Serbinë 

0

Nga: Arif Ejupi

Në stadiumin e Duboçicës, Kombëtarja shqiptare në futboll zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme kundër Serbisë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026, që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe SHBA. 

Në këtë përballje historike, Shqipëria arriti një fitore madhështore falë golit spektakolar të Rey Manajt, të shënuar në minutën e 46-të, që la pa frymë miliona tifozë serbë dhe ndezi atmosferën kuqezi në çdo cep të globit. 

Skuadër me shpirt dhe disiplinë 

Futbollistët kuqezinj iu përmbajtën me përpikëri udhëzimeve të përzgjedhësit brazilian Sylvinho Mendes Campos Junior, duke treguar disiplinë, përkushtim dhe besim të plotë në filozofinë e tij të lojës. 

Në portë, Thomas Strakosha u tregua i qetë dhe i palëkundur, duke lexuar me saktësi çdo përpjekje të kundërshtarëve për të shënuar. Ndërhyrjet e tij të sakta, sidomos në topat ajrorë, u shoqëruan me gjakftohtësi dhe elegancë profesionale. 

Në mbrojtje, Arlind Ajeti dhe Mario Mitaj ishin mur i pathyeshëm, ndërsa Elseid Hysaj dhe Berat Gjimshiti, trupgjatë dhe me përvojë, mbuluan çdo hapësirë të fushës.
Me organizim të përsosur, të gjithë lojtarët e kombëtares mbyllën çdo korridor sulmues të serbëve, duke i bërë të pafuqishëm përpara portës shqiptare. 

Kujtim i artë nga e kaluara 

Veçanërisht Arlind Ajeti, me lojën e tij të përkryer, na kujtoi bashkëvendësin e tij Favzi Rama, i cili plot 43 vjet më parë, po në këtë fushë, me fanellën e Prishtinës, kishte gjunjëzuar Duboçicën e Leskovcit me rezultatin 0–3. Historia, siç duket, u përsërit në mënyrën më të bukur të mundshme. 

Rast i artë për golin e dytë 

Në minutat e fundit, Nedim Bajrami mund të kishte vulosur fitoren me një gol të dytë, pas një solo-aksioni mahnitës që tronditi mbrojtjen serbe. Por në çastin vendimtar, tentimi i tij për të kaluar edhe portierin Petroviq dështoi për pak. Megjithatë, loja e tij mbeti ndër më të mirat e mbrëmjes. 

Për t’u vlerësuar ishte edhe ndarja e drejtësisë nga treshja e gjyqtarëve rumunë: Istevan Kovacs, Mihai Mariça dhe Ferencz Tunyogi, të cilët administruan ndeshjen me drejtësi, qetësi dhe profesionalizëm të lartë. 

Në këtë përballje, Shqipëria nuk fitoi vetëm tri pikë të arta, por dha edhe një leksion loje, karakteri dhe dinjiteti, duke dëshmuar se futbolli kuqezi është tashmë pjesë e elitës evropiane.
Kjo fitore historike kundër Serbisë do të mbetet gjatë në kujtesën e çdo shqiptari si dëshmi se krenaria kuqezi nuk njeh kufij. 

Miku im, ne nuk jetojmë, ne luajmë rolet tona mjeshtërisht deri në fund…!

0
Në foto është Fjodor Dostojevski, shkrimtari rus me famë botërore
___
Pa më thuaj, a mundet një njeri të përballojë kaq shumë dhimbje pa bërtitur?
Pa u thyer?
A mund të mbajë në zemrën e vet kaq shumë vetmi, kaq shumë frikë, e megjithatë të qëndrojë në këmbë sikur s’ka ndodhur asgjë?
A nuk është e çuditshme si mund të buzëqeshim ndërsa digjemi përbrenda?
Si mund të përshëndetemi, ndërsa vdesim ngadalë?
Shiko përreth… të gjithë mbajnë maska,
të gjithë fshehin pas syve të tyre një histori që nuk kanë guxuar ta tregojnë, një plagë që nuk kanë mundur ta ndiejnë plotësisht.
Miku im, ne nuk jetojmë, ne luajmë rolet tona mjeshtërisht deri në fund dhe kur bie perdja,
askush nuk dëgjon duartrokitjet…
Askush nuk kujton.
Fëdor Dostoevskij “Idioti”
Përktheu: Ervina Toptani, Vjenë

Mërgata që “e sjell jorganin” për kryetarët që ikën

0
Nga: Sak Muji
Sylë Mujaj
___
(Fantazi publicistiko-sarkastike – për ruajtje si reflektim shoqëror dhe humor politik)
I
Po na dhimset anëtarësia, e jo kryetarët.
Sepse këta të fundit po ikin si pastrues nate pas dritës së fikur.
PDK, LDK, AAK – dorëheqje kolektive, zhgënjim individual.
Në sallat e mbetura bosh, vetëm anëtarët po pyesin njëri-tjetrin:
“Po tash, kush na mbulon?”
II
E s’vonoi shumë – u gjet përgjigjja: mërgata!
Ata që s’kanë ardhur në votime qe tri dekada, por i dinë përmendsh të gjithë “kryetarët e duhur”.
Në kafene të Cyrihut e Badenit, po zhvillohet “kongresi virtual”.
Të gjithë me kompetencë diplomatike,
pa djersë, pa mandat, pa karrige,
por me jorgan patriotik gati për t’i mbuluar udhëheqësit që u ftohën nga realiteti.
III
Në Kosovë po mbyllet dera e partive,
ndërsa në diasporë po hapen seminarët për “rikthimin e pluralizmit”.
Ah more vëllezër të mërgatës, e keni ngatërruar adresën:
këtu s’ka më pluralizëm,
ka monizëm sentimental – me 98% anëtarë të lodhur që ende presin drejtësi.
IV
Tash kemi një popull që s’ka kujt t’i bëjë opozitë,
një qeveri që s’ka me kënd të grindet,
dhe një diasporë që s’ka ç’bën veç qesh me mall.
E hajt tash, u mblodh mërgata për të zgjedhur kryetarët që ikën!
Na prunë jorganin, e harruan trupin që s’e mbulon dot më as një fjalë e madhe.
V
Në vend të drejtësisë – kemi “strategji” me filxhan kafeje.
Në vend të ndryshimit – çmim nostalgjie për dorëheqjen më të qetë.
Por mos u mërzitni… ka kush mbetet!
Ramizi s’e jep dorëheqjen nga vetvetja,
e Smuji s’e jep dorëheqjen nga sarkazma!
VI – Epilogu bardh e zi
Një jorgan bardh e zi u shtri mbi anëtarësinë e tri partive të lodhura.
Ata flenë pa kryetar, por me ëndrra për pushtet.
Mbi kokat e tyre, dora e mërgatës rregullon skajin e jorganit.
Në sfond, një diell i vogël ngjitet mbi horizont –
shenjë se humori ende ngroh më shumë se politika.
Smuji ’25 – Bardh e Zi, por me humor të kuq.
(Për ata që s’dinë nëse po qeshin prej ironisë, apo prej realitetit.)