Kreu Blog Faqe 394

Miku im, ne nuk jetojmë, ne luajmë rolet tona mjeshtërisht deri në fund…!

0
Në foto është Fjodor Dostojevski, shkrimtari rus me famë botërore
___
Pa më thuaj, a mundet një njeri të përballojë kaq shumë dhimbje pa bërtitur?
Pa u thyer?
A mund të mbajë në zemrën e vet kaq shumë vetmi, kaq shumë frikë, e megjithatë të qëndrojë në këmbë sikur s’ka ndodhur asgjë?
A nuk është e çuditshme si mund të buzëqeshim ndërsa digjemi përbrenda?
Si mund të përshëndetemi, ndërsa vdesim ngadalë?
Shiko përreth… të gjithë mbajnë maska,
të gjithë fshehin pas syve të tyre një histori që nuk kanë guxuar ta tregojnë, një plagë që nuk kanë mundur ta ndiejnë plotësisht.
Miku im, ne nuk jetojmë, ne luajmë rolet tona mjeshtërisht deri në fund dhe kur bie perdja,
askush nuk dëgjon duartrokitjet…
Askush nuk kujton.
Fëdor Dostoevskij “Idioti”
Përktheu: Ervina Toptani, Vjenë

Mërgata që “e sjell jorganin” për kryetarët që ikën

0
Nga: Sak Muji
Sylë Mujaj
___
(Fantazi publicistiko-sarkastike – për ruajtje si reflektim shoqëror dhe humor politik)
I
Po na dhimset anëtarësia, e jo kryetarët.
Sepse këta të fundit po ikin si pastrues nate pas dritës së fikur.
PDK, LDK, AAK – dorëheqje kolektive, zhgënjim individual.
Në sallat e mbetura bosh, vetëm anëtarët po pyesin njëri-tjetrin:
“Po tash, kush na mbulon?”
II
E s’vonoi shumë – u gjet përgjigjja: mërgata!
Ata që s’kanë ardhur në votime qe tri dekada, por i dinë përmendsh të gjithë “kryetarët e duhur”.
Në kafene të Cyrihut e Badenit, po zhvillohet “kongresi virtual”.
Të gjithë me kompetencë diplomatike,
pa djersë, pa mandat, pa karrige,
por me jorgan patriotik gati për t’i mbuluar udhëheqësit që u ftohën nga realiteti.
III
Në Kosovë po mbyllet dera e partive,
ndërsa në diasporë po hapen seminarët për “rikthimin e pluralizmit”.
Ah more vëllezër të mërgatës, e keni ngatërruar adresën:
këtu s’ka më pluralizëm,
ka monizëm sentimental – me 98% anëtarë të lodhur që ende presin drejtësi.
IV
Tash kemi një popull që s’ka kujt t’i bëjë opozitë,
një qeveri që s’ka me kënd të grindet,
dhe një diasporë që s’ka ç’bën veç qesh me mall.
E hajt tash, u mblodh mërgata për të zgjedhur kryetarët që ikën!
Na prunë jorganin, e harruan trupin që s’e mbulon dot më as një fjalë e madhe.
V
Në vend të drejtësisë – kemi “strategji” me filxhan kafeje.
Në vend të ndryshimit – çmim nostalgjie për dorëheqjen më të qetë.
Por mos u mërzitni… ka kush mbetet!
Ramizi s’e jep dorëheqjen nga vetvetja,
e Smuji s’e jep dorëheqjen nga sarkazma!
VI – Epilogu bardh e zi
Një jorgan bardh e zi u shtri mbi anëtarësinë e tri partive të lodhura.
Ata flenë pa kryetar, por me ëndrra për pushtet.
Mbi kokat e tyre, dora e mërgatës rregullon skajin e jorganit.
Në sfond, një diell i vogël ngjitet mbi horizont –
shenjë se humori ende ngroh më shumë se politika.
Smuji ’25 – Bardh e Zi, por me humor të kuq.
(Për ata që s’dinë nëse po qeshin prej ironisë, apo prej realitetit.)

Vlerat e luftës ndërmjet idealit dhe zhgënjimit

0
Zeqir Bekolli, Drenas
___
Shpesh dëgjohet të thuhet se vlerat e luftës nuk kanë nevojë të mbrohen, sepse ato janë vetvetiu të shenjta e të paprekshme. Dhe në thelb kjo është e vërtetë. Vlerat e një lufte çlirimtare lindin nga sakrifica, nga gjaku i derdhur për liri, nga qëndresa e popullit për dinjitet e shtet. Por përderisa këto vlera janë të përjetshme në kujtesën historike, ato mund të dëmtohen nga sjellja jonë e përditshme, nga shkelja e parimeve që i lindën.
Fatkeqësisht, realiteti i pasluftës ka treguar se rreziku për vlerat e luftës nuk vjen nga jashtë, por shpesh nga brenda, nga vetë ata që dikur ishin pjesë e saj.
Zhytja në korrupsion, në krim të organizuar, në nepotizëm e padrejtësi, janë plagë që përbaltin idealin për të cilin u flijua brezi më i mirë i rinisë shqiptare. Kur luftëtari i djeshëm sot shkel mbi ligjin e moralin, ai shkel mbi amanetin e bashkëluftëtarëve që nuk u kthyen gjallë.
Një shoqëri që harron familjet e dëshmorëve, që lë pas dore fëmijët e tyre, invalidët dhe luftëtarët e vërtetë të UÇK-së, nuk mund të quhet ruajtëse e vlerave të luftës. Madje, një padrejtësi tjetër e rëndë është fryrja e numrit të veteranëve, një mashtrim që ul peshën e kontributit të atyre që me të vërtetë sakrifikuan.
Mbrojtja e vlerave të luftës nuk është çështje slogani apo dekorate. Është përgjegjësi morale dhe qytetare. Është detyrë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të ndershme dhe demokratike, ashtu siç ëndërruan ata që dhanë jetën për liri. Vetëm atëherë vlerat e luftës nuk do të jenë fjalë të zbrazëta, por themel i një shteti që e meriton emrin Republikë e Kosovës.

Gazeta «SonntagsZeitung»: Te vajzat shihet sa i rreptë po bëhet “Islami shqiptar”

0

Në xhamitë shqiptare në Zvicër po vërehet një ndryshim drejt konservatorizmit. Edhe vajzat e vogla po mbajnë shami. Në disa xhami shqiptare në Zvicër po shfaqen prirje gjithnjë e më konservatore – madje edhe vajzat e vogla po mbajnë shami. 🕌 Xhamia në Wil SG, e cila u bë e njohur në vitin 2009 për shkak të iniciativës për ndalimin e minareve, ka ndryshuar ndjeshëm. 🗣️ Imami Bekim Alimi nga Wil ka marrë pjesë në një aktivitet në Emsdetten të Gjermanisë, ku ishin të pranishëm edhe predikues të diskutueshëm si Shefqet Krasniqi, i njohur për qëndrimet e tij të rrepta ndaj grave.

Për çfarë bëhet fjalë?

• Xhamitë shqiptare në Zvicër po shfaqin një kthesë konservatore.

• Edhe vajzat e vogla po mbajnë shami.

• Imamë zviceranë po paraqiten me predikues që mbajnë qëndrime misogjene. Islami shqiptar, që më parë konsiderohej liberal në Zvicër, po bëhet dukshëm më konservator. Në disa xhami, vajzat në moshë shkollore tashmë mbajnë shami. Sipas raportimeve, imamë zviceranë po bashkëpunojnë me predikues që përfaqësojnë ideologji islamiste dhe qëndrime kundër grave.

Vëzhguesit e shohin këtë si një zhvendosje drejt një interpretimi më të rreptë të Islamit, e ngjashme me atë që po ndodh edhe në Ballkan.

Gratë dhe vajzat pothuajse të gjitha të mbuluara Gazeta «SonntagsZeitung» raporton se në fotografitë nga xhamitë në Wil SG, Winterthur, Dietikon ZH dhe Reinach AG, shihen pothuajse vetëm gra dhe vajza të mbuluara. Xhamia në Wil, dikur e cilësuar si model, ka ndryshuar dukshëm. Në vitin 2017, gjatë inaugurimit, shumë gra ishin pa shami. Por fotografitë e fundit tregojnë vizitore pothuajse të gjitha të mbuluara – përfshirë edhe vajza të vogla.

Imamë dhe predikues të diskutueshëm Imami Bekim Alimi mori pjesë në një aktivitet ku ishte i pranishëm edhe Shefqet Krasniqi nga Kosova, i akuzuar më parë për gjuhë urrejtjeje dhe mbështetje të terrorizmit. Ai e konsideron homoseksualitetin si rrezik moral dhe mbulimin e grave si detyrim fetar.

Në aktivitet ishin edhe imami Fadil Musliu dhe këngëtari Adem Ramadani nga Bazeli, i cili publikon këngë që u kërkojnë grave të binden burrave. Ramadani mbështet predikuesen Zelije Sulejmani-Bunjaku, e cila jep mësim të Kuranit për gra dhe fëmijë. Shoqata DAIGS e ka lavdëruar punën e saj, por ka theksuar se mbështet barazinë dhe shtetin ligjor.

Sipas tyre, fotografitë me vajza të mbuluara janë momentale dhe nuk ka detyrim për shamia.

Debati për ndalimin e shamive në Evropë Rreth dy të tretat e 445,000 myslimanëve në Zvicër vijnë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova. Në këto vende, feja po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi.

Në Kosovë, numri i xhamive është më shumë se dyfishuar që nga viti 1998.

Në Prishtinë po ndërtohet një nga xhamitë më të mëdha në Evropë me mbështetje turke. Organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë për islamizim në rritje.

Austria ka ndaluar shamite për vajzat nën 14 vjeç në shkolla, dhe Këshilli Federal zviceran po shqyrton një ndalim të ngjashëm për vajzat nën 15 vjeç.

Albanische Moscheen in der Schweiz zeigen konservativen Wandel – 20 Minuten

Çmitizues, mallkuar qofsh brez pas brezi…!

4
Afrim Caka, Gjakovë
___
Lirim Mehmetaj: “Ne Millosheviqin nuk mund ta shpallim kriminel LUFTE, sepse nuk ka vendim Gjykate SE KA VDEKUR DUKE E GJYKUAR!”
* * * 
Jo. Ky lloj shqipfolësi nuk i duhet askujt.
Në djall shkoftë!
Arrogant, megalloman, dezertor, radikal fanatikë e prepotent… njeri të kulisave e shpifjeve… i dobët moralisht e shpirtërishtë… të hanë pas shpine e shfrytezon sa të mundet postin e “analistitë” që ka. Ҫmitizuesi e ka tër lehtë në “Debat Plus”. Ka pasur përherë paturpësi, arkiva e lajme të pafundëme për antiKurti. Paturpësisht vepronin në krahë të Zajednicës në konfliktet me VV-në. Do të mjaftonte vetëm zbarkimi në “Debat Plus”. Të gjithë ata që janë kundërshtar të politikës qeveritare, janë “përçarës dhe kuislingë”, ne i konsiderojmë armiqë që përpiqen t’a zhduknin nga faqja e dheut “ Mitrovicën dhe kombin shqiptarë. Por ky përçarës deshironë që fajin etryre t’ia lë në derë Albint, me vëllavrasje, përplasje e shkretim vetëm e vetëm që ta garantojnë mundësinë që analistët dhe pjella e tyre të jenë të domosdoshëm dhe të mbijetojnë të sigurt në këtë fazë të frikëshme debatesh politike opozitare.
Pjella analistëve e opozitare me histori të varfër, në mungesë modelesh e heronjsh e të etur për ta, përdorin si surrugat tipa të tillë, si Hashimi, Lushtaku, Lirim Mehmetaj, Hykmute Bajrami, Memli Krasniqa, Halil Matosha, Dardan Rashiqi, Mulliqi e Krasniqi. Lihet të kuptohet se diçka e ngjashme ka ndodhur pak a shumë me shqipfolësit dhe me Buzhalën e Baton Stanishiqin e tyre. Ashtu si emri sllav, zavendëson kinse rastësisht, por me këmbëngulje emrin Rashiq e Stanishiq, po topikët plaçkë luftë në “Debat Plus”, grabitje identiteti, si hordhi fshatarësh sllave të ardhur nga Serbia, katrahurë e të tjera si këta të Muhaxherrëve, që nuk zavëndësojnë fjalët e Vuçiqit: Zbarkim tankësh, arkiva e lajme të pafundëme kriminelësh serbë, shpallje lufte ose coptimi territoresh, pra, midis kësaj toke dardane si e rëndotë midis bëmave të tyre, për të kuptuar se mund të bëhet fjalë për hordhi “fshatarësh serbë të “Kosta Peçancit”.

Çmimi “Guximi Intelektual” 2024 i ndahet gazetarit Bajram Kabashi

0

Nga: Shqipe Bytyçi, poete, Zvicër

Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, nën drejtimin e Dr. Ruzhdi Sefës, një intelektual i guximshëm dhe i palëkundur, aktivist i orëve të para të demokracisë në Kosovë, më 6 nëntor 2025 ka vendosur të ndanë Çmimin “Guximi Intelektual” 2024 për gazetarin dhe publicistin Bajram Kabashi.

Ky çmim vlerëson individë qe tregojnë guxim intelektual, mbrojnë identitetin dhe kulturën shqiptare dhe angazhohen me integritet për vlerat morale, pa u ndikuar nga presionet ose rrethanat e vështira.

Çmimi, më parë është ndarë për figura të njohura të intelektualizmit shqiptar.

Për shembull, historianit dhe shkrimtarit Jusuf Buxhovi, si dhe aktivistes Dr. Luljeta Pula-Beqiri, u eshte njohur guximi, integriteti dhe kontributi i tyre në shoqëri.

Bajram Kabashi është një gazetar dhe publicist me nje përvojë të pasur në median shqiptare dhe në mergatë. Ai ka dokumentuar periudha të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë shqiptare: nga regjimi serb, përndjekjet politike të shqiptarëve, fillimet e demokracisë, lufta dhe shoqëria kosovare e pasluftës.

Po ashtu, ka trajtuar përvojat e shqiptarëve në mërgatë dhe rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe kulturës kombëtare. Përveç kësaj, Kabashi ka botuar 8 libra, që përfshijnë studime, rrëfime nga mërgata dhe reflektime mbi çështjet kulturore dhe shoqërore, duke dhënë një kontribut të vazhdueshëm dhe të shumëfishtë në gazetari dhe publicistikë.

Kabashi ka kontribuar në revistën kulturore “Drini”, ku ka trajtuar çështje të identitetit dhe kulturës shqiptare, ka luftuar kundër ekstremizmit dhe ka promovuar një vizion të hapur dhe tolerant të shoqërisë.

Artikujt dhe shkrimet e tij janë dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për të mbrojtur vlerat kombëtare dhe për të nxitur ndërgjegjësimin qytetar. Ai njihet gjithashtu për rolin e guximshëm në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të medias së pavarur.

Dallimi i këtij çmimi qëndron tek mesazhi që jep, ndarja e tij per një intelektual nga mërgata tregon se integriteti, guximi dhe përkushtimi për kulturën dhe identitetin nuk njohin kufij gjeografikë.

Shoqata “Jakova” më herët kishte dhënë po të njëjtin çmim për Prof. Nezir Kraki poashtu nga mergata, dhe me këtë akt ajo jep një shembull të mirë. Edhe kur veprat dhe mendimi zhvillohen jashtë vendit, ato mund dhe duhet të vlerësohen dhe te motivojnë.

Organizata të tjera vendore dhe ndërkombëtare gjithashtu do duhej të ndjekin këtë shembull, duke njohur arritjet e trurit dhe mendimit jashtë vendit dhe duke krijuar kështu lidhje të forta mes intelektualëve në atdhe dhe në mërgatë.

Ky çmim është një konfirmim i rëndësishëm se çdo veprim i mirefilltë dhe i ndërgjegjshëm intelektual meriton vlerësim dhe njohje, dhe se mërgata kompakte dhe e organizuar ka po aq rëndësi për kulturën dhe identitetin sa komunitetet vendore.

Pasha tokë e qiell, hënë e diell – Zoti që flet shqip

0

Sak Muji, Rugovë – Zvicër

Zoti shqiptar më trokiti një mëngjes në derë. Nuk erdhi me ndonjë ungjill të ri, as me libra të huaj; erdhi me fjalën tonë, të pastër, të qartë, të folur në gjuhën e nënës.
Më tha: “Shkruaj, burrë, për besën, për alfabetin, për atë që na bën të jemi njerëz të kësaj toke.”
Dhe unë e mora lapsin, si dikur Iliri heshtën, dhe shkrova.
Historia e jonë nis nga drita e maleve, nga fiset që nuk njihnin as kishë, as xhami, por njihnin nderin, besën dhe mikun.
Aty ku guri kishte zë dhe fjala ishte ligj, njeriu nuk kishte nevojë për përkthim që të kuptonte Zotin.
Ai i fliste shqip. Ilirët e dinin se Zoti nuk jeton në mure, por në ndërgjegje, në tokën që e shkelim dhe në fjalën që e mbajmë.
Pastaj erdhën shekujt e rëndë, perandoritë e huaja, fetë e importuara, librat që na mësonin si të lutemi në gjuhë të tjera.
Por gjuha jonë i mbijetoi çdo pushteti, si dritë që s’shuhet dot.
Nga Meshari i Gjon Buzukut, te gjuha e Bogdanit, Naimit e Çajupit, fjala shqipe u bë arma dhe strehimi ynë.
Në alfabetin tonë nuk ka urrejtje – ka kujtesë. Çdo shkronjë është një gur varri për gjuhët që na deshën të heshtur dhe një dritare për brezat që duan të flasin.
Sot, në spitalin e Pejës, lindi një fëmijë që e quajtën Arbër. Nuk është thjesht një emër. Është dëshmi se rrënja ilire jeton, se gjuha e Zotit në këtë vend nuk është latinisht, as arabisht, por shqip.
E lindur në këtë tokë, e folur në çdo gur, në çdo varg, në çdo lutje që niset drejt qiellit pa përkthyes.
Edhe unë, dikur Sylë Mujaj, sot jam Sak Muji. Jo rastësisht.
Më kthyen toka e Rugovës dhe koha e shpirtit shqiptar.
E ndjeva Zotin në fjalën time, ashtu si Zojë e Deçanit e gjeti Krishtin në gjuhën e vet.
Në fund të çdo udhëtimi, në çdo mal, në çdo lutje, e njëjta e vërtetë qëndron: të lutesh shqip nuk është mëkat, është bekim. Të lindësh shqiptar është fat.
Të mbetesh shqiptar, është betim.
Zoti që flet shqip nuk kërkon as fron, as kler.
Ai ecën nëpër rrugët tona, ndalet në pragun e shtëpive tona dhe buzëqesh kur dëgjon një fëmijë të thotë: “Faleminderit, Zot.”
Sepse aty, në atë fjalë të vogël, është gjithë madhështia e kombit tonë.

Pluralizëm, një parti e tri dorëheqje

0
Në politikën tonë ka hyrë një frymë e re — dorëheqja me gëzim.
Njëra palë jep dorëheqje, tjetra e uron, ndërsa e treta bën “like”.
Ramiz Lladrovci, me humorin e vet të njohur, gati u gëzua më shumë se vetë Memli – ish-reperi që u kthye në kryetar partie me refren: “Shkoj, se kështu e do muzika politike.”
Po as LDK-ja nuk mbeti mbrapa. Isa Mustafës i organizuan “after party” me heshtje akademike.
E Rambo, gjenerali i dorëheqjeve të befasishme, iku pa thënë as “Atdheut i qoftë lehtë”.
Nëse vazhdon kështu, s’do na duhen më zgjedhje – mjafton t’u japim dorëheqjet me orar.
Në një vend normal, opozita përpiqet ta rrëzojë pushtetin.
Në Kosovë, opozita rrëzon vetveten.
Kjo është “opozita jonë e re”, që grindet më shumë me vetveten se me qeverinë,
e që në vend të programit politik ka “statusin ditor”.
Sot kemi pluralizëm me një parti dhe tri dorëheqje.
Tribuni udhëheq i vetëm, jo se s’ka kundërshtarë, por sepse kundërshtarët janë në pushime morale.
Mbeti vetëm një “komandant bojleri” me 3%, që rri në opozitë për inat të zakonit.
Ndërkohë, imami-reper, Memli, bashkë me të atin profesor, po shndërrojnë xhaminë në talk-show politik.
Ky brez i “Plazma keksave” e quan diskutim ajo që dikur quhej predikim.
Kur feja përzihet me fjalimet e partive, e kur babai e biri flasin si analistë të kundërt, s’është më debat — është serial humoristik.
Dhe ndoshta Ramiz Lladrovci ka pasur të drejtë kur i quajti “filifinca e langarecë”.
Në këtë realitet ku të gjithë japin dorëheqje, vetëm arti s’mund ta bëjë.
Unë e Ramizi s’japim dorëheqje –sepse sarkazma s’mund të heshtë.
Në vend të konferencës, unë bëj ekspozitë.
Në vend të “sekreteve shtetërore”, unë nxjerr të vërtetat publike me laps e ironi.
Në një Kosovë ku politika lodhet, arti zgjohet.
Sepse arti është opozita që nuk shitet, nuk emërohet, dhe nuk dorëhiqet.
Shkruar me lapsin e sarkazmës dhe humorin e Rugovës,
nga Smuji ’25 – që s’e jep dorëheqjen nga fjala.

Leka mes nesh

1
Pal Shtufi, Prishtinë
___
Më 2 nëntor të këtij viti, në vendlindjen time, në Shpenadi, djemtë e shpendëve e sollën bustin e Lekë Dukagjinit dhe e vendosën në sheshin që mban emrin e tij. E sollën nga Shqipëria. Bashkë me bustin erdhën edhe shumë shqiptarë nga Tirana, Shkodra, Mirdita, Tropoja e Puka. Kishte po ashtu edhe shumë të tjerë që erdhën nga Prishtina dhe nga vise të ndryshme të Kosovës.
Në shesh u lexuan disa referate e studime të shkurtra, ndërsa zbulimi i bustit u përjetua thellë nga rreth treqind të pranishmit. Edhe koha u tregua bujare — ishte një ditë me diell, sikur edhe qielli deshi ta nderonte Lekën në ditën e Tij.
KANUNI I LEKËS
Më duhet ta pranoj, që prej asaj dite më lindi dëshira të lexoj e të hulumtoj pak më shumë për Kanunin e shqiptarëve – me theks të veçantë mbi Kanunin e Lekës. Leximet i përqendrova kryesisht tek studiuesit e huaj me bindjen se një ditë do të mundohem të sjell një studim më të plotë, më praktik dhe më të kuptueshëm për çdo kategori lexuesish.
Deri atëherë, mendoj se duhet të kemi parasysh disa të vërteta themelore.
– Së pari, Kanuni shqiptar – qoftë ai i Lekë Dukagjinit, i Skënderbeut, i Labërisë apo i Mirditës – bashkë me gjuhën shqipe, përbën identitetin dhe zinxhirin më të fortë të trashëgimisë sonë shekullore. Edhe pse u shkrua vonë, në fillim të shekullit XX, nga Shtjefën Gjeçovi, ai ka rrënjë shumë më të lashta. Që në periudhën pararomake, Kanuni ka qenë një kod normash juridike, shoqërore dhe morale që rregullonte çdo aspekt të jetës iliro-arbërore. Si i tillë, kanuni është kurrizi i etnisë i ruajtur si gojëdhënë dhe i praktikuar rreptësishtë edhe nën pushtuesit romakë, otomanë dhe sllavë.
Ndoshta pikërisht pushtimet e njëpasnjëshme e bënë shqiptarin të lidhet fort me Kanunin dhe ta shohë atë si mburojë dhe shpëtimtar nga asimilimi i huaj.
– Së dyti, Kanuni është ligj i jetës, i cili mbështetet në nderin, besën dhe përgjegjësinë kolektive. Në këtë kuptim, Kanuni është kushtetutë morale e popullit, që garantonte rendin e brendshëm në mungesë të shtetit.
– Së treti, vjetërsia e Kanunit mund të vihet përkrah dy të drejtave zakonore më të lashta të Europës:
• Ligjeve Brehon të Irlandës,
• dhe Ligjeve Grágás të Islandës.
Në gjuhë akademike mund të thuhet: nëse e Drejta Romake është nëna e ligjit të shkruar evropian, atëherë Brehon Law, Grágás dhe Kanuni shqiptar janë trinomi i pavarur i drejtësisë zakonore evropiane – të lindura në periferi të perandorive, por të përbashkëta në frymën e lirisë dhe barazisë njerëzore.
Së fundi, duhet ta kujtojmë se Kanuni nuk është zëvendësim i Kushtetutave moderne, por kujtesë e mençurisë dhe e dinjitetit të një populli që ruajti rendin pa shtet.
Kështu pra, djemtë e shpendëve, duke e sjellë historinë në bronz, në mes të fshatit, më nxitën ta hulumtoj Kanunin ashtu siç nuk e kam hulumtuar më parë. Natyrisht, Leka dhe Kanuni i tij u sollën për mos-harresë e jo për tu praktikuar zakonet e vjetra, të cilat i kemi zëvendësuar me kushtetutë moderne evropiane.
Popujt që ruajnë historinë, dinë të ndërtojnë të tanishmen!

Martesa dhe ndalimi i gjakut: nga Kanuni te ligji modern shqiptar

1
Viktoria Fitore Malo
___
Në historinë shqiptare, rregullat që përcaktonin se kush mund të martohej me kënd kanë qenë shumë më tepër se thjesht çështje dashurie apo zakoni. Ato lidhen drejtpërdrejt me nderin, gjakun dhe rendin shoqëror që kanë mbajtur gjallë strukturën e fiseve për shekuj me radhë. Nga Kanuni i Lekë Dukagjinit e deri te Kodi Civil i shtetit modern shqiptar, koncepti i martesës është transformuar thellësisht, duke pasqyruar evolucionin e vetë shoqërisë sonë, nga zakonorja te ligjshmja, nga gjaku te shteti.
Kanuni – martesa si çështje nderi dhe gjaku
Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, martesa nuk ishte një akt romantik, por një institucion që ruante ekuilibrin dhe pastërtinë e gjakut. Rregulli themelor ishte i qartë:
“Martesa ndërmjet gjakut të fisit ndalohet deri në brezin e shtatë.”
Kjo ndalesë ishte një shtyllë e shoqërisë fisnore shqiptare. Të gjithë anëtarët e një fisi konsideroheshin “një gjak”, dhe për këtë arsye, çdo martesë brenda gjakut shihej si turp, madje si “krim mbi krimet”. Martesa e tillë shkatërronte rendin e gjakut dhe nderin e fisit, dhe në disa raste çifti përjashtohej nga bashkësia.
Në Kanun, martesa kishte funksionin e ruajtjes së unitetit dhe kufijve të fisit. Ajo nuk mund të ndodhte pa pëlqimin e familjeve, dhe ndalimet nuk kishin të bënin me fenë, por me gjakun dhe nderin. Kjo është arsyeja pse Kanuni mbeti i pandryshuar, pavarësisht ndryshimeve të besimeve fetare në trojet shqiptare.
Përplasja me Islamin – feja dhe zakoni në të njëjtën shtëpi
Pas përhapjes së Islamit në shekujt XV–XVI, shumë shqiptarë u bënë myslimanë, por zakonet e Kanunit nuk u zhdukën. Në të vërtetë, në shumë zona malore, ligji zakonor qëndroi më i fortë se Sheriati. Sipas Islamit, martesa ndërmjet kushërinjve të parë është e lejuar, për sa kohë që nuk bëhet fjalë për të afërm të ndaluar nga Kurani (si vëlla e motër, prind e fëmijë, hallë e nip, etj.). Por për shqiptarin malësor, ky interpretim nuk mjaftonte: për të, martesa brenda fisit ishte turp, edhe nëse feja e lejonte.
Në këtë mënyrë, myslimanët shqiptarë e ruajtën Kanunin jo si ligj fetar, por si kod nderi. Ata e dallonin qartë:
“Feja është për shpirtin, Kanuni për nderin.”
Kështu, dy sisteme ligjore – Sheriati dhe Kanuni – bashkëjetuan për shekuj me radhë, shpesh në mënyrë të heshtur dhe të paqshme.
Nga zakoni në ligj – shteti përball Kanunit dhe Sheriatit
Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1912, Shqipëria u gjend me tri lloje ligjesh që vepronin paralelisht: Kanunin në veri, Sheriatin në qendër e lindje, dhe ligjet kishtare në jug. Çdo krahinë kishte “të vetin ligj”.
Vetëm me ardhjen në pushtet të Ahmet Zogut filloi unifikimi juridik i vendit. Me Kodet Civile të viteve 1928-1929, shteti për herë të parë zëvendësoi gjykatat fetare dhe kodet zakonore me një ligj civil të frymëzuar nga modeli italian dhe francez.
Kodi Civil i Zogut ndalonte martesat deri në brezin e katërt, një kompromis mes rregullit të rreptë kanunar dhe atij më të gjerë islamik. Ky ishte hapi i parë drejt modernizimit ligjor të Shqipërisë.
Epoka komuniste – ndalimi i Kanunit dhe fesë
Pas vitit 1945, regjimi komunist e shfuqizoi plotësisht si Sheriatin, ashtu edhe Kanunin. Martesa u bë akt vetëm civil, pa vlerë fetare apo zakonore. Në vitin 1967, me shpalljen e Shqipërisë “shtet ateist”, u ndalua çdo ndikim fetar.
Ligji u shkëput plotësisht nga feja dhe zakoni.
Megjithatë, në zonat e thella malore, sidomos në veri, Kanuni vazhdoi të vepronte në heshtje – një formë e fshehtë rezistence kulturore ndaj pushtetit.
Pas vitit 1990 – rikthimi i fesë dhe kujtesës zakonore
Rënia e komunizmit solli rikthimin e lirive fetare dhe të kujtesës tradicionale. Xhamitë dhe kishat u rindërtuan, dhe në shumë zona u rikthyen diskutimet mbi vlerat e Kanunit, jo si ligj praktik, por si trashëgimi morale. Ligji modern shqiptar ruajti rregullin europian:
Martesa ndalohet vetëm deri në brezin e katërt.
Por në shumë fshatra të veriut ende dëgjohet thënia e vjetër:
“Gjaku s’martohet, se është mallkim.”
Ky kujtim tregon se, pavarësisht ligjeve dhe ndryshimeve shoqërore, koncepti i “gjakut të pastër” mbetet një pjesë e gjallë e ndërgjegjes shqiptare.
Pra, historia e martesës ndër shqiptarë është një histori e ndërthurur mes fesë, zakonit dhe shtetit. Kanuni e bëri martesën çështje nderi dhe gjaku; Sheriati e pa si akt fetar e ligjor; ndërsa shteti modern e shndërroi në kontratë civile.
Por, përtej këtyre ndryshimeve, një gjë mbeti e pandryshuar:
respekti i thellë për gjakun dhe nderin – dy shtylla që ende përcaktojnë mënyrën si shqiptarët e kuptojnë familjen dhe martesën, edhe në shekullin XXI.
Referencat:
– Shtjefën Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Botimi i parë, Shkodër, 1933; ribotuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 1989.
Pjesa “Martesa ndërmjet gjakut të fisit” dhe ndalimi deri në brezin e shtatë.
– Eqrem Çabej, Studime etnolinguistike shqiptare, vëll. II, Tiranë: Universiteti i Tiranës, 1976.
Analizë mbi konceptin e “fisnisë” dhe lidhjen e gjakut në kulturën shqiptare.
– Robert Elsie, The Tribes of Albania: History, Society and Culture, I.B. Tauris, London–New York, 2015.
Përshkrim i strukturës fisnore dhe funksionimit të Kanunit në veri të Shqipërisë.
– Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë, Ligji nr. 9062, datë 8.5.2003.
Neni 32: ndalimi i martesës deri në brezin e katërt sipas ligjit bashkëkohor.