Muhamet Muhjiu shkruan rreth vitit 1478 për pushtimin e Krujës: “Ah botë plot vuajtje dhe rënkime! Vaj! Thirrjet që nga krahërorët e tyre të dërrmuar arritën deri tek tavani i Saturnit. Gjithsejtë rreth pesëmijë të pafe, që ishte secili një djall nafthëdhës dhe vetëtimlëshues, u bënë kështu pre e shpatës së mprehtë dhe qoke e shigjetës goditëse.
Kafkat e këtyre do të jenë për shumë vjet ushqim për shpezët e këtyre viseve. Në këtë mënyrë u arrit fitorja; thyerja e të pafeve dhe shfarosja e armiqve. Turma e luftëtarëve u kënaq dhe u gëzua me plaçkë të shumëllojshme dhe të panumërt.
Ata që mbetën nga armiku, gratë dhe fëmijët, i vunë në pranga poshtëruese të robërimit dhe i lidhen me zinxhirët e mjerimit. Pastaj do të fillojë shkatërrimi i kishave, ndërtimi i medreseve, ndalimi i kambanave dhe prishja e ligjeve…”
Tërë këto travaje i ka hequr populli ynë. Ishim trashëgimtarët e Ilirëve, me troje që nga Danubi e deri pranë brigjeve të Peloponezit, historia u tregua e ashpër, kaluan shumë pushtues njeri me i egër se tjetri në këto troje. Aq shumë e mizorisht na vranë për të na shfarosur, sa popullsia erdhi gjithnjë duke u rrudhur e duke u zhdukur deri sa mbetëm në një pëllëmbë tokë në brigjet e Adriatikut.
Këto janë të vërteta që nuk mund ti harrojmë. Konjukturat e sotme, marrëdhëniet e mira dhe paqësore, dëshira për mirëkuptim me të tjerët, qofshin dhe partnerë strategjikë, nuk duhet të na pengojë apo ndalojë që ta shkruajmë historinë ashtu siç ka ndodhur, se në fund të fundit është histori, është dinjitet dhe identitet, është mësim për të mbijetuar si komb dhe për të fituar atë çfarë e kemi humbur në histori, bashkimin kombëtar. Në librin “Kronikat e Tursun Beut”, vijnë dëshmi të panjohura nga kronikani i Sulltan Mehmetit II, pushtuesit të Kostandinopojës, Ballkanit dhe Shqipërisë. Këtu më poshtë janë të plotë kapitujt për Shqipërinë, si shfaqet areali shqiptar në sytë e shkrimtarit turk, shërbëtorit dhe udhëpërshkruesit besnik të Sulltanit, Tursun Beu, ku përveç luftës, erotika dhe simbolizmi seksual është nënteksti pas çdo pushtimi dhe nënshtrimi të vendeve, popujve, mbretërve, kështjellave dhe qyteteve.
“Fushata e sundimtarit Baba i Pushtimit në rojet etnike të Shqipërisë, nënshtrimi i rebelëve vendës dhe ndërtimi i fortesës së Elbasanit. Në pranverën e vitit tetëqind e shtatëdhjetë (1466), kur në mes të kuvendit të lëndinës lauresha psalter me zë melodioz vargun: “E vështro në gjurmët e mëshirës së Zotit, si Ai i jep jetë tokës së vdekur (Kurani 30:50)”, pas shpalljes së nisjes së luftës kundër Shqipërisë, çdo gazi ngjeshi me dëshirë shpatën. Flamujt-emblema të pushtimit – u vunë në lëvizje nga Edreneja.
Kur tendat e fushimit të Sulltanit shtrinë hijen e tyre mbi fushën e qytetit të Manastirit, aty rendën nga të gjitha anët luftëtarët – të prirë prej fitores – për t’iu bashkuar ushtrisë perandorake, si ca lumenj të mëdhenj që lëshohen në det dhe, si dallgët e detit që venë e përplasen, u derdhën mbi Shqipëri. Aradhe të tilla secila me një mijë luftëtarë. Ku secili nga këta guximtarë, sa një mijë heronj vlen. Kasneci i gjendjes bëri të mbërrijë në veshët e mëkatarëve të pafe jehona e kërcënimit: “O milingona! Futuni nëpër shtëpi që të mos ju shkelë Solomoni me trupat e tij!”
Të pafetë e mallkuar mbetën të hutuar e të çoroditur nga njoftimi i llahtarshëm i këtij sulmi të afërt dhe vajtën u strehuan nëpër malet e rrëpira e luginat e thella, duke bllokuar shtigjet. Bënë gjithë ç ‘munden për t’u mbrojtur dhe kështu dëshmuan tërë kryeneçësinë e tyre për të rezistuar, duke këmbëngulur në prapësinë e tyre më të skajshme. Por luftëtarët e Sulltanit, të nxitur prej mendimit të shpërblesës hyjnore të luftës së shenjtë, si dhe të shpresës për të bërë plaçkë të madhe, përparuan në të atillë mënyrë sa që çdo mal i pakapërcyeshëm dhe çdo luginë e thellë u dukej rrafshinë e lehtë “ku nuk do të mund të shihje as ultësirë, as lartësi (Kurani20:107)”.
Me ndihmën e Zotit, më të Lartit pushtuan çdo strehë që mësynë dhe grabitën e plaçkitën kaq shumë pasuri të frymore e jofrymore, saqë djelmosha me tipare engjëllore dhe vasha me pamje hyrish, që vlenin tre a katër mijë aspra, krijesa të këndshme me tipare të tilla që mjaft që t’i shihje në fytyrë që të të ikte mendja, shiteshin veç për vetëm tre apo katërqind aspra. Të tilla hyri që kushdo që i sheh në tendë kujton se është përnjëmend në Parajsë. T’i shihje kur mbi gjoksin tim dergjej, do besoje se në një trup dy shpirtra qenë. Te tillë djelmosha që, për atë Zot, në thonë Se ka dhe më të bukur, gënjeshtra thonë.
Veç kësaj, buaj me lëkurë “në ngjyrë të verdhë të ndezur që kënaq shikimin (Kurani 2:69)” mund t’i blije për tri a katër aspra, ndërsa edhe për më pak se dy aspra shitej një dash përçor i kopesë që është bërë gati për t’iu flijuar Zotit. Çdo çadër ishte e mbushur përplot me plaçkë të rrëmbyer. Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, – fap-fap – i ekzekutonin.
I bënë kështu ata njerëz që aq të etur e të dëshiruar qenë pas vdekjes, të shijonin verën e rrënimit që derdhej prej shpatës së shndritshme. Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë nga të pafetë. Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasoni si të ishin kodra. Prej gjakut të derdhur, rrafshina të gjera tani ngjasonin si Amudarja (Xhejhun: Oksusi i lashtë, që bashkë me Sirdarjen formonin Transoksianën, territor që sot përkon pjesërisht me Uzebkistanin.Aludohet për ujërat e bollshme të këtij lumi) që rridhte.
Pas tërë këtij shkatërrimi, u mor vendimi i mëposhtëm: në fushën e Jundit që është kërthiza e atij vendi, do të ndërtohej një fortesë e pathyeshme. Sakaq mëkëmbësit fisnikë, hodhën themelet e një fortese të qëndrueshme katërkëndëshe, siç qenë urdhëruar, dhe brenda një kohe të shkurtër e kryen ndërtimin. Katërkëndëshi në është thënë të jetë me ogurzeza formë, s’ka dyshim se do të ketë qene e tillë për të pafetë. Në pastë diçka që të përqaset me yllin e Shahut te gjithësisë, s’ ka dyshim se kjo është më e mbara e formave. Një kështjellë që s’mund te dallohet prej reve, kullë e saj është mur a re e zezë? Ai vend ishte i rrethuar nga të gjitha anët me male të pakalueshme e gryka, por të pafetë që jetonin në ato lartësi s’bënin dot pa fushën ku rrjedh uji i bollshëm dhe ku tokat e bukës janë pjellore e të pasura.
Meqë mes njerëzve u përhap fjala dhe zuri vend bindja se ishte një tokë pjellore, aty u dynd nga të katër anët ku ndodhej popullsia islame. Emrin ia vunë Elbasan, që i përshtatej natyrës së tij (Është fjala për një lojë të mundshme fjalësh mes emrit të fortesës dhe shprehjes “el basan”, që mund të përkthehet me shprehjen “të vësh dorën në zjarr”. Ende sot ai vendi është kaq i lulëzuar saqë të kujton gjurmë e një udhëtimi në Shtëpinë e Parajsës dhe vazhdon akoma të rritet. U dyfishoftë rritja e tij!
Pasi u krye ndërtimi i fortesës, Sulltani emëroi një komandant me nam dhe la aty roja të përkushtuar gjer në vdekje. Ajo iu bashkëngjit sanxhakut të Ohrit dhe iu besua sanxhakbeut të tij. Atëherë sulltan Mehmeti u kthye fitimtar e triumfues në Edrene, kryeqytet i Sulltanatit.” Në shtypin shqiptar gjejmë fakte historike që tregojnë masakrat e gjenocidin e hordhive turko-osmane mbi shqiptarët: Pinjolli i fisit të Kelmendit, Gjergj Pjetri, udhëhoqi kryengritjen e të krishterëve kundër Perandorisë Osmane në territorin e sotëm të Serbisë. Për ta ndëshkuar kryeneçësinë e tij, pushtuesit turq bënë hakmarrje të tmerrshme kundër shqiptarëve ortodoks vranë mijëra shqiptarë të ritit bizantin, me 952 kafka të tyre ndërtuan Çele-Kullën, në Nish. Ndërsa prijësi serb, Millosh Obrenoviqi, një fshatar i pagdhendur, që u pasurua në kohën e Turqisë, u lidh me turqit dhe ua ofroi kokën e Gjergj Pjetrit, për ta qetësuar zemërimin e Perandorisë Osmane. Millosh Obrenoviqi vrau në pabesi pinjollin e fisit të Kelmendit, kokën e të cilit ua dorëzoi turqve. Shqiptarët sot do të ishin popullsia e kombi me rreth 50 milion banorë, sa kombet më të mëdha të Europës.
Por në pesë shekuj histori të tilla vrastare, llogaritën miliona shqiptare të masakruar, popullsia arbërore që ishte më e madhja në Ballkan prej këtij gjenocidit shfarosës u katandis që të zvogëlohej tragjikisht, edhe popullsi edhe si troje, e të dilte e fundit nga zgjedha e egër e turko-osmanëve.
Më poshtë po sjellim një kronologji ngjarjesh gjatë viteve 1385-1912 të rezistencës shqiptare kundër pushtuesve turq nga libri “Studime dhe tekste historike” i albanologut të shquar italian Prof. At Zef Valentini, Plejad, Tiranë 2010, f.129-136:
1423, Shqiptarët e Moresë çohen në kryengritje kundër turqëve.
1432, kryengritja antiturke e udhëhequr nga Topi Golemi.
1434, kryengritja antiturke e udhehëqur nga Gjergj Arianiti.
1443-1468, epopeja e Gjergj Kastriotit në luftërat antiturke.
1481, pas vdekjes së Sulltan Mehmetit II mbarë Arbëria ngrihet në kryengritje.
1488, kryengritja e udhëhequr nga Gjon Kastrioti, djali i Gjergj Kastrioti. 1497, kryengritje antuturke me ndihmën e Venedikut.
1536, shqiptarët çohen në kryengritje të ndihmuar nga Papa, Venediku e Perandori.
1570-1571, kryengritja shqiptare kundër turqve në prag të shpërthimit të betejës së Lepantos. Ibrahim Begolli, sundimtari i Pejës çohet peshë kundra turqve.
1580, kryengritje antiturke. Shqiptarët shkojnë edhe në ndihmë të Princit Mihail të Rumanisë.
1593-1596, kryengritje të mëdha antiturke në Shqipëri. 1596, kryengritja antiturke e himariotëve.
1611-1624, Kelmendasit ngrihen në kryengritje antiturke. 1668, kryengritje e madhe antiturke në Kosovë. 1
699, Ulqini, Tivari e Kelmendi çohen në luftë kundra turqve. Shekulli XVIII, Shqipëria është një vatër kryengritjesh të pandërprera
1737, ushtria austriake hyn në Kosovë, popullsia shqiptare çohet në luftë kundra turqve.
1740-1830, kryengritje të pandërprera antiturke nga shqiptarët.
1786, Mahmut Bushatlliu thyen ushtrinë turke të nisur kundër tij.
1833, kryengritje në Shqipërinë e Jugut dhe të Veriut kundra reformave të Tanzimatit.
1835-1836, kryengritja e shkodranëve dhe malësorëve kundër sundimtarit turk, Osman Pasha.
1837, kryengritje antiturke në Shqipërinë e Jugut e udhëhequr nga Ali Bej Frakulla.
1839, kryengritje shqiptarëve në Prizren që e detyrojnë sundimtarin turk, Ismet Pashën të largohet.
1843, kryengritje shqiptare në Shkup, Prishtinë e Tetovë.
1845, kryengritje shqiptare në Gjakovë.
1846, kryengritje në Shqipërinë e Jugut, sidomos në Berat e Gjirokastër.
1849, kryengritja antiturke e malësorëve.
1852, Malësorët çohen përsëri në kryengritje.
1864, Banorët e Gjakovës çohen peshë kundër reformave të shpalluna nga Sulltani.
1870, Një Batalion elite me shqiptarë në krah të Caresësh Ruse, kundër Perandorisë Osmane.
1874, kryengritja e Kurveleshit, Labërisë dhe Çamërisë.
1875, Dibra çohet peshë e rrënon kalanë turke të vendit. 1893, kryengritje e shqiptarëve kundër turqve.
1903, Gjakova çohet peshë kundra turqve. Vrasja e konsullit rus në Mitrovicë.
1904, lëvizje për pavarësi në Shqipërinë e Jugut.
1909, kryengritja kundër turqve të rinj.
1911, kryengritja e malësorëve në Shqipërinë e Veriut.
1912, kryengritja e Përgjithshme në Kosovë. Kryengritës shqiptarë të varur prej pushtuesve turko-osmanë