Kreu Blog Faqe 429

Fatos Klosi dhe keqleximi i historisë së Kosovës

0

Nga: Ibish Neziri

Reagim ndaj deklaratës së Fatos Klosit për UÇK-në  dhënë gazetares Marsela Karapanço për emisionin Frontline në TV Report.

https://www.report-tv.al  (https://youtu.be/RkVRE7b6wXA?si=8xjwsXYL8DagsDxj )

Deklarata e fundit e Fatos Klosit, ish-kryetar i Shërbimit Informativ të Shtetit shqiptar, sipas të cilit “nuk e kishte askush në plan çlirimin e Kosovës, por kërkonte vetëm kthimin e autonomisë që kishte në kohën e Titos”, meritojnë një reagim të qartë, dhe të argumentuar.
Një pohim i tillë është më shumë se mosdije — është shprehje e një injorance historike, për të mos thënë një qëndrim dashakeq ndaj një prej lëvizjeve më të pastra çlirimtare në historinë moderne shqiptare.

Injorim i fakteve të dokumentuara

Zoti Klosi, si ish-drejtues i një institucioni të rëndësishëm shtetëror, duhej të kishte njohur dokumentet themelore të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), e cila ishte ideatore, organizatore dhe themeluese politike e UÇK-së.
Që nga themelimi i saj në fillim të viteve ’80, LPK-ja kishte si qëllim të shpallur çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve, jo rikthimin e ndonjë autonomie të cunguar brenda strukturave jugosllave.
Këtë e dëshmojnë qartë programet, statutet dhe dokumentet tjera politike të LPK-së, të miratuara në mbledhjet e saj të përgjithshme në Kosovë dhe në mërgatë, shumë kohë para se të shfaqej publikisht UÇK-ja në fushëbetejë, prandaj jo vetëm zotit Klosi por askujt dhe për asnjë arësye nuk duhet lejuar injorimi i fatketeve të argumentuara.

UÇK-ja si vazhdimësi e lëvizjes çlirimtare

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk lindi rastësisht dhe as nga aspirata për autonomi.
Ajo doli nga gjiri i atyre që kishin përjetuar represionin, burgjet, dhe dëbimet, dhe që kishin ruajtur frymën e rezistencës së armatosur që nga vitet ’80, por edhe shumë më heret.
Çdo dokument i UÇK-së, që nga shpalljet e para publike, përcaktonte synimin për çlirimin e plotë të Kosovës dhe largimin e forcave pushtuese serbe.
Ky objektiv u realizua me sakrifica të mëdha, me më shumë se 2900 dëshmorë, mbi 13. 000, persona të vrarë dhe me mbështetjen e popullit e të aleatëve ndërkombëtarë.

Përgjegjësia morale dhe publike e Fatos Klosit

Një njeri që ka qenë në krye të shërbimit informativ të shtetit shqiptar, në kohë të luftës dhe menjëherë pas saj, nuk ka të drejtë morale të flasë me një lehtësi të tillë për luftën në Kosovë, pa u mbështetur në dokumente dhe fakte, të cilat janë të bollshme.
Kjo mënyrë e të folurit zotin Klosi e ngarkon me përgjegjësi si për këtë dhe për disa thënie të tjera kundërthënëse që ai ka dhënë brenda kësaj interviste. Prandaj, ai duhet ta sqaroj pse e tha këtë dhe të këkoj falje për këtë gabim të rëndë. Ai duhet ta dij se mohimi i luftës nuk mund të jetë mbrojtje për askënd. Lufta e UÇK-së ishte njëra ndër luftërat çlirimtare më të pastra dhe më të drejta jo vetëm në Evropë, por edhe në botë, në të cilën edhe ai vetë ishte kontribues, prandaj kujtesa historike nuk duhet përdhosur, për asgjë.

Fjalët e pavend ndaj UÇK-së janë fyerje për mijëra familjarë të dëshmorëve, për invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së si dhe për çdo shqiptar që besoi në idealin e lirisë dhe në luftën e UÇK-së.
Nëse ndokush dëshiron të rishkruajë historinë, le ta bëjë me fakte, me dokumente, dhe jo me paragjykime apo kujtime të cungura.
Historia e UÇK-së është pjesë e kujtesës sonë kombëtare dhe e themelit të shtetësisë së Kosovës.
Kushdo që tenton ta minimizojë, në fakt cënon dinjitetin e një kombi.

Dhe fare në fund, z. Klosi do të bënte mirë t’u rikthehet dokumenteve programore të LPK-së dhe akteve themeluese të UÇK-së përpara se të japë gjykime që lëndojnë ndjenjat e një populli të tërë.
E vërteta historike nuk mund të zbehet nga fjalët e askujt.
Kosova u çlirua jo për t’u kthyer në autonomi, por për të qenë e lirë dhe e pavarur.

Jo përçarjes…, reagim ndaj një pllakate përçarëse dhe të pavërtetë rreth marrëdhënjeve të Metush Krasniqit e Hydajet Hysenit

9

Nga: Sak Muji – “Smuji’25”

JO PËRÇARJES! Reagim ndaj një pllakatë përçarëse dhe të pavërtetë mbi Metush Krasniqin e Hydajet Hysenin

Një shkrim i shpërndarë në formë pllakatë, kinse në emër të Bacës Metush Krasniqi, është një përpjekje e ulët për përçarje kombëtare dhe shpifje ndaj njërit prej bijve më të ndritur të Kosovës – Hydajet Hysenit. Kushdo që e ka stolisur e shpërndarë këtë material me qëllim për të hedhur baltë mbi figura të shenjta të kombit, nuk ia do të mirën as familjes së vet, as trojeve shqiptare, as brezave që po rriten në etje për të vërtetën.

E vërteta që unë e jetova vetë Unë, Sak Muji, kam qenë mbi gjashtë vite në izolim të ashtuquajtur “grupah pojaqsnih nadzora” me Hydajet Hysenin. Në gjithë atë kohë të gjatë, të rëndë, të dhimbshme, nuk kam dëgjuar kurrë prej tij asnjë fjalë fyese, as përgojim, as nënvleftësim ndaj ndokujt – veç respekt, mirënjohje e nderim. Ai përmendte me dashuri e respekt emrat e burrave që janë vetë themeli i shqiptarisë: Metush Krasniqi, Adem Demaçi, Isa Demaj, Smajl Haradinaj, Kadri Kusari, Xhafer Shatri, Ramadan Pllana, Martin Çuni e shumë të tjerë. Hydajeti ishte poet, mendimtar, i urtë, tolerant e i drejtë. Një atdhetar i shpirtit e i fjalës, që i donte të gjithë bashkëvuajtësit pa dallim bindjesh a grupesh. Ai ishte një urë midis njerëzve – jo mur. Edhe pse vinte nga fryma marksiste e Shqipërisë së asaj kohe, Hydajeti nuk ishte kurrë pjesë e grupeve titiste, leniniste apo jugosllave. Ai s’kishte kurrë lidhje me rrogëtarët e UDB-së, që në emër të patriotizmit të rremë punonin për ndarjen e shqiptarëve. Hydajeti ishte kombëtar, jo ideolog. Ishte njeri i bashkimit, jo i përçarjes.

***

Kush e ushqen përçarjen edhe sot E keqja e djeshme nuk ka vdekur, veç është veshur me kostum të ri. Ata që dikur shërbenin për ndarjen e shqiptarëve, sot ringjallen me emra të rinj e fjalë të bukura, por me të njëjtin helm në gjuhë. Prapa këtyre përpjekjeve përçarëse fshihet klani marksist-leninist i shqiptarëve në ish-Jugosllavi, i udhëhequr dikur nga Abdullah Prapashtica, me bekimin e strukturave të Mahmut Bakallit – njerëz që morën rroga nga UDB-ja për të përçarë kombin tonë. Edhe sot, hijet e tyre nuk pushojnë. Ata janë bërë “djathtistë” me fjalë, por mbeten titistë në shpirt. Ata që dje shënjestronin “nacionalistët e rrezikshëm”, sot përpiqen të përlyejnë figurat e Metushit e Hydajetit – sepse ende u dhemb drita e tyre. Prandaj, nëse kërkoni burimin e kësaj pllakatë kundër dy kolosëve të kombit – shikoni aty, në hijen e atyre që për 50 vjet kanë jetuar duke e shitur shpirtin e shqiptarizmit për poste, frikë, e rrogë.

***

Hydajet Hyseni dhe Metush Krasniqi – bashkë në pavdekësi Ata nuk ishin armiq. Ata ishin dy rrugë që çonin në të njëjtin qëllim – Lirinë e Kombit. Njëri poet i shpirtit, tjetri flamur i veprimit. Të dy u përballën me UDB-në, me burgjet, me torturat. Të dy mbetën të pastër, sepse besuan në idealin e njëjtë: Shqipërinë dhe dinjitetin kombëtar. Sot, ata rrinë në kujtesën tonë si dy yje që ndriçojnë një qiell të përbashkët: Të vërtetën, unitetin, dhe dashurinë për këtë tokë shqiptare që ende e lagin lotët e të ndershmëve.

Epilog poetik – “METUSH KRASNIQI E HYDAJET HYSENI”

Akrostik sarkastik

Mos përtypni baltë, se

shijen s’e keni,

E njollosni gjakun e

burrave të denjë.

Turpi ju ndjek, si hije pa

emër,

Uji i shpifjes s’lan plagë

të ndershme.

Si gojë e rreme s’e

mban as varri,

Hidhet përçarja – por

s’e do as zjarri!

Ka shqiptarë me zemër,

jo me pagesë,

Rrugën e ndritur s’e

shuani dot me shpresë.

Ata që rrinin në rrogë

të Bakallit,

Sot flasin për Metushin,

por shërbejnë te hallit.

Në emër të flamurit

përgjojnë e ndajnë,

I poshtri prap del

“kombëtar” në fjalë.

Që tani e njohim

– maskën, jo burrin,

Ish-titistët – sot

“djathtistë”, me turpin!

E kush s’e njeh

Hydajetin, as Metushin,

Harron se gjaku

s’ndalet me pushim.

Ylber i kombit janë,

jo ndarje,

Deri në dhe flasin për

bashkim, jo ndarje.

Ata janë rrënjë e një lisi

të vetëm,

Jo dy degë që bien

në erën e plehrave!

E ju që shpifni, kujdes,

se historia

T’i ruan emrat në faqe

turpi.

Hyra e dritës nuk i

duron hijet,

Eshtë koha të kuptoni:

shqiptaria s’ka “palë”!

Sa herë përçani, aq

herë humbni,

E Metushi e Hydajeti ju

përçojnë me shpirt.

Ndër vargje e kujtesë,

I bashkon i përjetshmi

atdhe.

Fjala e fundit Shqiptarët duhet të mësojnë nga këta burra: Të bashkohen, jo të përçahen. Të kuptojnë se dashuria për atdheun nuk matet me fjalë të mëdha, por me veprën dhe nderin. As UDB-ja, as shpifjet, as klanet nuk i mposhtën dot Hydajetin e Metushin — nuk do t’i mposhtin as bijtë e tyre ideologjikë.

  • Sak Muji (Sylë Mujaj) është pjesëtar i NDSH-së Kombëtare, dëshmitar i kohës dhe i bashkimit që vjen nga vuajtja, jo nga urrejtja.

Poeti, piktori dhe i burgosuri i njohur politik e falënderon portalin “DRINI” dhe drejtuesin e tij Gjergj Kabashin

0

Nga Sak Muji – “Smuji’25”

(Sylë Mujaj)

Falënderim për Portalin “DRINI” dhe drejtuesin Bajram Gjergj Kabashi

Falënderim të thellë e mirënjohje të sinqertë për Portalin “DRINI”, në krye me zotin Gjergj – Bajram Kabashi, që me dinjitet e ndjeshmëri kombëtare i hapi hapësirën e merituar Heroit të Kombit – Xhafer Shatri.

Në një kohë kur historia shpesh harrohet, “DRINI” po bëhet urë e kujtesës kombëtare, duke ndriçuar figurat që e mbajtën të gjallë shpirtin shqiptar përmes burgjeve, përndjekjeve dhe përpjekjeve titanike për liri.

Xhafer Shatri ishte, është dhe do të mbetet shtylla e qëndresës shqiptare, njeriu që sfidoi çdo epokë – nga ferri i burgjeve të Jugosllavisë deri te liria e Kosovës – me dinjitet, guxim dhe përkushtim të pathyeshëm.

Kontributi i tij i madh nuk i përket vetëm së kaluarës; ai është thirrje për të tashmen dhe të ardhmen, për ta përbashkuar kombin tonë në një horizont të ri: Ribashkimin e dy shteteve dhe gjashtë trojeve shqiptare në një Shqipëri Evropiane e Atlantike.

Ky është drejtimi i shpresës sonë, rruga e gjakut tonë dhe ideali që buron nga sakrifica e njerëzve si Xhafer Shatri.

Falënderim për “DRINI”-n që e ruan këtë dritë të së vërtetës, që e mbart me dinjitet emrin e kombit dhe që i jep brezave shembuj të gjallë për ta dashur Atdheun me vepër, jo me fjalë.

Lavdi kujtesës, nderim heroit, respekt për ata që shkruajnë dhe publikojnë me zemër. Smuji’25

_____

PS!

I dashur Sak Muji, në faqet e Drinit i botojmë shkrimet tuaja me dëshirë të madhe, se e dijmë që ti flet me zemër dhe jeton për të vërtetën. Ti je një poet, piktor dhe mendimtar i siqertë që nderohesh dhe respektohesh për veprën tënde tejet njerëzore.

Redaksia e Drinit

Xhafer Shatri nga Ferri i Burgjeve tek Liria – Një jetë, një epokë, një hero

Sak Muji, Rugovë – Zvicër

Nga Ferri i Burgjeve tek Liria – Një jetë, një epokë, një hero
(Nga Sak Muji – “Smuji’25”)
Kur pashë Xhafer Shatrin te Veton Surroi, në “Në Pikë”, m’u kthye para syve jo vetëm një njeri, por një epokë e tërë.
M’u kthye përplasje prangash, fyerje hetuesish, rënkim i qelive ku heshtja ishte më e rëndë se betoni.
M’u kthye 1981-shi, kur Kosova u mbush me studentë që thirrën liri e iu përgjigjën me plumba, me tortura, me burgje.
Unë, i dënuar me dhjetë vjet në grupin e studentëve, më 9 nëntor më transferuan, të lidhur, në burgun famëkeq të Nishit – një ferr që e dinë vetëm ata që e kanë shkelur me këmbë.
Ndërsa Xhaferi, shok i idealit, kishte mbushur tetë vjet burg, në Organizaten Revolucionare Kombëtare – aty ku fjala “liri” nuk ishte slogan, por ishte dënim me burgim të përjetshëm.
Dhe ndodhi mrekullia që e dinë vetëm ata që kanë shpirtin e stuhisë: ikja e tij nga burgu i Prishtinës.
Një ikje që nuk ishte arratisje ordinere – ishte sfidë ndaj UDB-së, ndaj frikës, ndaj vdekjes vetë.
Shkeli në hije, u mbështet tek njerëz të botës së errët, tek hajdutë që e njihnin besën më mirë se shumë “patriotë” me kollare.
Nga burgu deri në Trieste të Italisë, çdo hap i tij ishte me revolver në brez dhe zemrën në fyt.
Çdo hap – një jetë. Çdo hap – një vdekje.
Një rrugë që nuk e di dot asnjë persekutor, sepse ata, mizorisht të sigurtë në sistem, kurrë nuk guxuan ta çanin errësirën.
Kur e dëgjova te Veton Surroi, më duket sikur Vetonin e kisha përballë, me atë dinakërinë që s’e ndan kurrë.
Pyetjet e tij më kujtonin hetuesit tanë: Bashkim Kursanin, Asllan Sllamniku, Misha Saviç, Selim Brosha, Bajram Dreshaj, Rexhe Pasho Nikçi me t’birin Osman Rexhep Pasho Nikçi …..
E butë në tingull, therëse në brendësi.
“Tregoje krejt ngjarjen e shko në shtëpi – po qajnë familjarët, po të presin…” – të njëjtat fraza, të njëjtat gracka.
Vetoni, i mençur, i rritur nëpër ambasada, i zhdervjellët në çdo sistem, dinte si ta rrotullojë pyetjen.
Por Xhaferi nuk u rrotullua. Ishte shkëmb. Ishte kthyer nga 1981 në 2025, por s’u thye.
Ky emision nuk ishte thjesht intervistë – ishte faqja e një libri të gjallë ku lexohen ëndrrat, përpjekjet, zhgënjimet e një brezi.
Brezi im.
Brezi ynë.
Brezi që e pa Kosovën e lirë, por e pagoi shtrenjtë.
Brezi që sot jeton me dhimbjen dhe pikëllimin për ata që nuk e patën fatin ta shohin këtë ditë.
E vizatova Xhafer Shatrin në mozaik gurësh dhe nënshkrova: “Smuji’25”.
Sepse ai është i gdhendur në gur, jo në letër.
Ai është kujtesë, jo nostalgji.
Në fytyrën e tij mozaik është përndjekja dhe pathyeshmëria.
Në heshtjen e tij është shkulma e së vërtetës që nuk e thyen dot as tortura, as koha.
Dhe ndërsa e shoh sot këtë mozaik dhe dëgjoj zërin e tij “Në Pikë”, më kujtohen të gjithë – të gjallët dhe të rënët.
Më kujtohet se burgjet janë për trupin, por liria është për shpirtin.
Më kujtohet se sarkazma dhe ironia janë armët tona ndaj tradhtarëve dhe persekutorëve, që edhe sot mendojnë se kungulli i tyre do të notojë mbi ujë përgjithmonë.
Jo!
Kungulli i tyre do të sharron në ujë, sepse kujtesa jonë është më e rëndë se privilegjet e tyre të përkohshme.
Ndërsa kungulli ynë, i mbytur në gjak dhe lot, do të ngrihet si flamur.
Ky është mallkimi dhe bekimi ynë.
Xhafer Shatri nuk është thjesht një njeri që iku nga burgu.
Ai është dëshmi se edhe kur jemi të prangosur, mund të jemi të lirë.
Dëshmi se kur ata na torturuan, nuk na mundën – na forcuan.
Dëshmi se një epokë e tërë mund të mbytet në heshtje, por e vërteta del në sipërfaqe si gur.
Ky është rrëfimi im.
Ky është heroi im.
Ky është mozaiku im me nënshkrim:
Smuji’25.
Epilog – “Smuji’25”
Në fund të kësaj rrëfenje që përshkon dekada burgjesh, shpresa e mbytur në qeli, e rindezur në zemra, del në dritë me një emër – Xhafer Shatri.
Në këtë fytyrë, që tani e kam gdhendur në mozaik, nuk shoh thjesht njeriun që iku nga burgu – shoh ikonën e njeriut që nuk iku kurrë nga betimi i vet për liri.
Në çdo gur të vogël që përbën portretin e tij, kam lënë një grimcë të kujtimeve tona, një thërrime të rrugës sonë të përgjakur drejt dritës.
Ky mozaik nuk është dekor, por dëshmi:
Dëshmi se arti mund ta përjetësojë të vërtetën, se kujtesa mund të kthehet në gur, dhe se emrat që u përpoqën t’i fshijnë me torturë – ne i kthejmë në përjetësi.
E quajta “Smuji’25”, sepse viti 2025 nuk është fundi, por fillimi i një kujtese që nuk do të shuhet më.
Aty ku koha lodhet, gurët flasin.
Aty ku zëri shteron, arti dëshmon.
Aty ku përsekutori mendoi se fitoi, njeriu i lirë ngrihet si monument i vetvetes.
Kështu mbyllet kjo faqe e jetës sonë – me dhimbje që bëhet dritë, me heshtje që bëhet zë, dhe me një emër që qëndron si mal:
Xhafer Shatri – i përndjekur, por i pathyeshëm.
I heshtur, por shkulmë e së vërtetës.
T’paqim si dëshmi e gjallë e historisë kombetare!

Jo përçarje…, por bashkim kombëtar !

0

Prof. Sabri Tahiri, Gjilan

___

TË NDALOJMË PËRÇARJEN – TË RINGJALLIM BASHKIMIN KOMBËTAR

Në emër të patriotizmit dhe shtetndërtimit, kampet politike po e ushqejnë urrejtjen e njeriut ndaj tjetrit. Kjo përçarje po e rrezikon unitetin kombëtar dhe të ardhmen e shtetit shqiptar në Kosovë dhe më gjerë.

Në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare, po shfaqet me shqetësim të madh një dukuri që rrezikon jo vetëm unitetin tonë shoqëror, por edhe vetë qenien e shtetit – përçarja e brendshme e ushqyer në emër të patriotizmit dhe shtetndërtimit.

Kampet politike, grupimet ideologjike e mediat e lidhura me to po e thellojnë ndarjen mes shqiptarëve, duke e shndërruar debatin publik në arenë armiqësie, e jo në hapësirë mendimi. Kjo klimë e urrejtjes, që po normalizohet përditë, është një plagë që po i dëmton vetë themelet mbi të cilat me aq shumë mund e sakrifica është ngritur shteti ynë.

Kjo nuk është thjesht pasojë e rivaliteteve të sotme politike. Rrënjët e saj janë të thella dhe të dhimbshme. Shekuj robërie, ndarjeje e nënshtrimi kanë lënë gjurmë në mendësinë tonë kolektive, duke ngjallur te ne një dyshim të përhershëm ndaj njëri-tjetrit. Në vend të besimit, kemi trashëguar mosbesim e në vend të bashkëpunimit, rivalitet të vazhdueshëm.

Por sot, kur më në fund kemi liri e shtet, nuk mund të lejojmë që mendësia e robit të vazhdojë të udhëheqë të ardhmen tonë.

Ne duhet ta kuptojmë njëherë e mirë se patriotizmi i vërtetë nuk matet me fjalë të mëdha goditëse e linçimi kundër vëllezërve tanë politikë, por me përkushtimin për të ndërtuar institucione të forta, drejtësi të barabartë dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët. Patriotizmi nuk është urrejtje; është dashuri – dashuri për vendin, për gjuhën, për kulturën dhe mbi të gjitha, për njeriun shqiptar.

Në një kohë kur fqinjët tanë – sidomos Serbia me pretendimet e saj të hapura ndaj sovranitetit të Kosovës, dhe Greqia me qasjet e saj nënçmuese ndaj çështjeve kombëtare shqiptare – vazhdojnë të shfaqin qëndrime agresive, uniteti ynë kombëtar bëhet kusht i mbijetesës.

Por ky unitet nuk mund të ndërtohet mbi urrejtje, mbi propagandë dashakeqe apo përjashtim. Ai ndërtohet mbi mirëkuptim, solidaritet dhe bashkëpunim. Shqiptarët, më shumë se kurrë, kanë nevojë të shohin tek njëri-tjetri aleatin, jo kundërshtarin. Të rikthejnë besimin në idenë se bashkimi është forcë, ndërsa përçarja është humbje.

Historia jonë e afërt na ka treguar se kemi mundur t’i bëjmë ballë çdo rreziku vetëm kur kemi qenë të bashkuar – nga Lidhja e Prizrenit e deri te luftërat për liri në Kosovë. Në të kundërt, çdo ndarje, çdo grindje, çdo armiqësi brenda kombit tonë ka sjellë vetëm dobësi, zhgënjim e stagnim. Armiqët tanë shekullor, armën më të fuqishme kundër nesh e kanë pasur dhe sot e kanë, përçarjen dhe ndarjet tona.

Prandaj, është koha të ndalojmë këtë çmenduri që po na dëmton shpirtërisht e kombëtarisht. Pra, ne duhet që: Të kthejmë gjuhën e përbaltjes në gjuhë bashkëpunimi. Të kultivojmë dashurinë për njeriun shqiptar, kudo që jeton. Të ndërtojmë një kulturë politike dhe shoqërore ku mendimi ndryshe nuk është arsye për armiqësi, por shenjë e pjekurisë demokratike.

Rreziku nga jashtë do të jetë gjithmonë prezent, por rreziku nga përçarja e brendshme është më i madh dhe më shkatërrues.

Përçarja ndër nesh dhe mosbashkpunimi ndërshqiptarë po e bllokon potencialin tonë të madh natyrorë dhe njerëzorë që kemi, dhe në vend që më shpejt të zhvillohemi si komb e të faktorizohemi në rajon e më gjërë, ne po vazhdojmë të mbetemi ndër vendet më të varfëra dhe më të pazhvilluara.

Vetëm të bashkuar, të urtë dhe të mençur mund të mbrojmë lirinë tonë, shtetin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Koha e urrejtjes, përçarjes dhe e bllokadave duhet të marrë fund. Koha e bashkimit dhe bashpunimit ndërshiptarë duhet të fillojë tani.

Kosova shtet me (vet) qeverisje lokale!

1

Florim Zeqa

Kosova tetë muaj nga zgjedhjet parlamentare ende është pa Parlament të konstituar, pa Qeveri dhe pa institucione qendrore funksionale! Mbajtja e zgjedhjeve lokale pa institucione shtetërore funksionale dhe fuqiplote më shumë i gjason një shteti autonom me vetëqeverisje lokale sesa një shteti të pavarur dhe sovran!

Gjysëm shtet është vendi në të cilin nuk respektohen vendimet e institucioneve të pavarura shtetërore

Deri në këtë deregje shtetin e solli kjo klasë e papërgjegjshme politike, pa dallim pushtet dhe opozitë, që nuk po mund merren vesh për ndarjen e tallit të pushtetit në gjysëm shtet!

Pse gjysëm shtet?!

Sepse, nuk ka si të quhet ndryshe një vend, politikanët e të cilit nuk arrijnë të themelojnë institucionet e shtetit në përputhje me vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti!

Gjysëm shtet është ai vend, liderët e të cilit nuk kanë koordinim mes tyre as në planin e brendshëm dhe as në atë të jashtëm!

Gjysëm shtet është ai vend i cili mbetet peng i egove dhe inateve personale të liderëve partiakë!

Gjysëm shtet është vendi në të cilin nuk respektohen vendimet e institucioneve të pavarura shtetërore, duke filluar nga ato të gjykatave themelore e deri tek kushtetuesja si organi më i lartë juridik!

Edhe pak më pak se gjysëm shtet është ai vendi i cili mbetet mbi tetë muaj pa Parlament dhe pa Qeveri funksionale!

Këtë boshllëk instituaiconal është duke e shfrytëzuar presidenca, përkatësisht Presidentja e shtetit me kompetenca më shumë ceromoniale sesa vendimarrëse në vendin tonë shkaku i sistemit qeverisës (parlamentar) që e kemi.

Si pasojë e këtij boshllëku politik në shtetin që e përfaqëson, Presidentja në vend që të luaj rolin unifikues për bashkimin e subjekteve politike për formimin e institucioneve shtetërore, e ka zgjedhur rrugën e luksit dhe të kënaqësisë shpirtërore me vizitat e shpeshta dhe të stërgjatura në SHBA dhe gjithandej shteteve evro-perëndimore pa asnjë lloj dobie për shtetin!

Nëse i llogarisim vizitat e shumta të Presidentes së gjysëm shtetit më të vogël në botë brenda një mandati politik, atëherë Ajo ua kalon të gjithë homologëve botëror, anipse kompetencat dhe niveli i saj është dukshëm më inferior sesa i të gjithë liderëve të shteteve të rajonit!

Vizitat e shpeshta të Presidentes së shtetit pa institucione të kujtojnë atë thënjen e moçme popullore: “Fshati digjej, plaka krihej”! Thënë ndryshe, Presidentja nuk e ka hallin e shtetit dhe as të qytetarëve të varfër pa sigurime shëndetësore dhe pa përspektivë jetësore, por të egos së saj, se si të kënaqet me paratë e shtetit, të shtetit i cili dita-ditës po fundoset drejt greminës së pakthim!

Këtë e dëshmojnë vizitat ndaras të dy liderëve shtetëror në SHBA dhe aktivitetet diplomatike dhe private po ashtu ndaras janë pasqyrë e moskoordinimit të tyre. Vjosa në margjinat e tryezave ndërkombëtare, kurse Albini në “Vatra” me bashkatdhetarë paraqesin kontrastin më të keq të diplomacisë (inekzistenete) shtetërore të Kosovës!

Të paktën, pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit do të bëhemi me institucione të reja komunale apo me (vet) qeverisje lokale në shtetin më pak sovran dhe më shumë autonom të Kosovës! Fundja ka kohë që Kosovës i është vendosur fusnota* në vend të Republikës në takimet ndërkombëtare, gjë të cilën e kanë përfillur edhe liderët aktualë të shtetit tonë, Kosovo* pa Republikë!

Bedri Muçolli – futbollist me shumë adhurues, mësues i përkushtuar dhe arbitër i paanshëm

0

Ai u rrit me dashurinë për sportin dhe dijen. Qysh i ri u dallua si lojtar i talentuar, duke veshur me krenari fanellën e KF “Llapit”, e më 1966 edhe atë të KF “Prishtina”, anëtare e Ligës së Dytë Federative të Jugosllavisë, grupi i Lindjes.

Edhe pse qëndroi shkurt në këtë skuadër, Bedriu fitoi respektin dhe adhurimin e bashkëlojtarëve, tifozëve dhe kundërshtarëve për shpirtin luftarak dhe lojën e pastër.
Duhet theksuar se Bedriu, së bashku me vëllezërit Hashim e Bislim Aliu dhe Avni Hoxha, janë ndër të parët që veshën fanellën e klubit futbollistik “Llapi” të Podujevës.

Me këtë katërshe talentesh luajti edhe Nezir Halili, minoritar ashkali, i njohur për lojën vetëmohuese dhe angazhimin në fushë.

Gjatë asaj periudhe skuadra e Llapit dominohej nga serbë e malazezë të ardhur në Podujevë si kolonë gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.
Si mesfushor ofensiv, Muçolli shquhej për organizimin e rasteve për shënim dhe shërbimin e saktë të bashkëlojtarëve me top. Ai shpeshherë shënonte edhe gola jashtëzakonisht të bukur.
Loja e tij u ngrit në cilësi sidomos me aktivizimin e lojtarëve të talentuar në Llap, si: Fazli Llugaliu, Shaban Hajrullahu, Rifat Raçi, Shaban Hajdari, Idriz Mehmeti, Selatin Vokrri etj.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai iu përkushtua arbitrimit, duke u bërë një nga arbritrat më të njohur e më të paanshëm të futbollit kosovar. Me drejtësinë dhe profesionalizmin e tij, Bedri Muçolli kontribuoi që futbolli të zhvillohej në frymë sportiviteti e korrektësie.

Bedriu nuk u shqua vetëm në sport. Ai ishte edhe një mësues i përkushtuar, që për dekada u shërbeu gjeneratave të reja me dashuri dhe edukatë në shkollën fillore të qytetit të Podujevës, “Vëllazërim- Bashkim” ,tani “Shaban Shala.”

Sot, shumë ish-nxënës e kujtojnë si një mësues të drejtë, të dashur dhe inspirues. Z. Bashkim Idiz Shala, ish-nxënës i Bedriut , para 55 vjetëve thotë:” Bedriu ishte i hareshëm dhe gjithnjë i buzëqeshur, ai vazhdimisht na motivonte për përvetësim të dijes dhe angazhim në aktivitete të lira brenda dhe jashtë shkollës.”

Edhe në jetën private, Bedriu ishte një bashkëshort, baba, gjysh dhe vëlla i respektuar, që gëzonte respektin e të gjithëve. Ai mbeti shembull i njeriut fisnik, i cili gjithnjë diti të ndajë kohën mes familjes, profesionit dhe pasionit për sportin.
Ndarja e tij e parakohshme nga jeta ka lënë një zbrazëti të madhe në familje, te shokët dhe posaçërisht në komunitetin e sportit. Kujtimi për Bedriun – futbollist i dalluar, mësues i përkushtuar dhe arbitër i paanshëm  do të jetojë gjatë.

Jakup Gashi, Zyrtar i Lartë në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Podujevës, i ndau Bedri Muçollit mirënjohje për kontributin e tij në futbollin kosovar.

Familja Muçolli ishte shembull  i angazhimit aktiv në sport. Përveç Bedriut, që la gjurmë në futboll, vëllezërit e tij Hakiu dhe Besniku u dalluan në hendboll.

  • Hakiu ishte shtylla e Klubit Hendbollistik të Llapit, i cili garonte në Ligën e Parë të Kosovës.
  • Kurse, Besniku luajti me shumë sukses jo vetëm për Llapin, por edhe për Prishtinën, duke arritur të jetë pjesë e reprezentacionit hendbollistik të Kosovës. Ai duke treguar formë të shkëlqyer dhe nivel të lartë të lojës u bë një ndër figurat më të spikatura të këtij sporti.

Po ashtu, në KF “Llapi” kontribuuan edhe futbollistët Remzi dhe Basri Muçolli, kurse në hendboll Arsim Ali Muçolli. Ky fakt dëshmon se familja Muçolli ishte një çerdhe e vërtetë sportistësh dhe mësuesish elitarë.

Bedri Muçolli, i cili vdiq papritmas më 27 korrik 2024, do të mbetet shembull i njeriut fisnik, të përkushtuar dhe me vlera të qëndrueshme.

Lavdi jetës dhe veprës së sportistit, mësuesit dhe njeriut fisnik – Bedri Muçolli!

Gjenevë, 5 tetor 2025

Policia në Angli paralajmëron kundër “islamizmit ekstrem” – cili është varianti jo-ekstrem?

0

Sipas policisë në Angli dhe NTB-së, ky terrorist mund të jetë ekspozuar ndaj “islamizmit ekstrem”. Mendojeni pak!

John Martin Johansen / Document.no

Mund të falënderosh dhe të përkulesh. Në një kohë të karakterizuar nga pasiguria dhe frika, është qetësuese kur autoritetet, të përfaqësuara këtu nga policia britanike antiterroriste dhe lajmëtari i tyre besnik NTB, dalin me analiza të sakta dhe sqaruese.

Pas sulmit të tmerrshëm terrorist në sinagogën në Mançester, tani e dimë se autori i krimit mund të jetë ndikuar nga “ideologjia ekstreme islamiste”.

Uf. U lehtësova, sepse për një moment pata frikë se ai ishte i ndikuar nga një islamizëm thjesht i mërzitshëm.

Duhet të pranoj se, në naivitetin tim, kam menduar se islamizmi – ideologjia politike që synon ta nënshtrojë shoqërinë ndaj ligjit të Sheriatit – ishte mjaft ekstrem në vetvete.

I imagjinova prerjet e kokave, shtypjen e grave, urrejtjen ndaj të pafeve dhe një mungesë të përgjithshme gatishmërie për liri si mjaft ekstreme. Por tani e kuptoj se ekziston një variant tjetër, me sa duket më i butë.

Kjo hap një botë krejt të re me pyetje emocionuese. Çfarë është saktësisht “islamizmi i moderuar”? A është një variant ku i gjuan me gurë homoseksualët vetëm gjatë fundjavave? A është një islamizëm i lehtë ku u pret duart vetëm hajdutëve që vjedhin më shumë se dhjetë mijë krona? Apo ndoshta një lloj “islamizmi fleksibil” ku kalifati futet vetëm me kohë të pjesshme?

Oslo 20120921.
Islamistët radikalë demonstrojnë jashtë ambasadës amerikane të premten në lidhje me publikimin e videos “Pafajësia e myslimanëve”. Foto: Kyrre Lien / NTB

Këta njerëz të mirë që demonstrojnë jashtë ambasadës amerikane në Oslo, ndoshta përfaqësojnë një formë më të mirë të islamizmit, apo jo? Foto: Kyrre Lien / NTB

Po kërkoj një mik.

Kjo është sigurisht e pakuptimtë, por është e pakuptimtë me një qëllim. Kjo ndarje e përjetshme fjalësh është një strategji e vetëdijshme nga një establishment politik dhe mediatik që ka frikë ta quajë çdo gjë me një fjalë.

Duke futur një term si “islamizëm ekstrem”, ata krijojnë një kontrast artificial dhe të rremë me një “islamizëm të zakonshëm” të imagjinuar dhe të padëmshëm.

Qëllimi është të ruhet trillimi i lodhur se terrorizmi nuk ka të bëjë fare me një ideologji specifike, por është një lloj akti i pashpjegueshëm dhune i kryer nga disa “ekstremistë” që kanë “keqkuptuar gjithçka”.

Është një mohim intelektual që pengon çdo diskutim të vërtetë rreth forcës shtytëse ideologjike pas terrorit.

Dikush duhet të pyesë veten se ku mbaron kjo logjikë. A duhet të fillojmë tani të paralajmërojmë kundër “nazizmit ekstrem”? Cili është atëherë varianti i moderuar – ai që donte vetëm të merrte Sudetenlandin? A duhet të flasim për rrezikun e “komunizmit ekstrem”, në krahasim me variantin komod që ishte përgjegjës vetëm për disa dhjetëra miliona vdekje?

Pra, faleminderit, policisë britanike dhe NTB. Faleminderit për këtë nuancë të rëndësishme. Ndërsa ne njerëzit e zakonshëm po shkonim përreth duke u shqetësuar për islamizmin, është qetësuese të dish se vetëm varianti ekstrem është i rrezikshëm. Tani mund të fle shumë më i sigurtë.

Mendoj se po.

Politiet i England advarer mot «ekstrem islamisme» – hva er den ikke-ekstreme varianten?

Peticioni i Diasporës Britanike, një shenjë alarmi për Kosovën dhe Ballkanin

0

____

1. Shikuar nga një perspektivë e sociologjisë së njohjes, roli i diasporës në gjithë historinë e ambicies, synimit dhe interesimit për krijimin e një shteti të vetëm shqiptar në Ballkan ka qenë i jashtëzakonshëm. Pa hyrë në përmendjen e emrave të njohur për publikun, është e qartë se ky rol, me përkushtim dhe vizion kombëtar, daton që nga koha e Rilindjes Kombëtare. Rilindasit, të pamundur për të vepruar brenda trojeve shqipfolëse, u detyruan të organizoheshin jashtë, nga metropole si Bukureshti, Stambolli, Sofja, Italia dhe SHBA-të.

Klubet dhe gazetat që themeluan në këto qendra u bënë vatër e vetëdijes kombëtare dhe njëkohësisht sirena alarmi, sa herë që kombi shqiptar përballej me rreziqe të copëtimit. Këtu, nuk  duhet harruar kontributin e diasporës shqiptaro-amerikane në Boston, Detroit dhe New York jo vetëm në aspektin financiar për Lëvizjen Kombëtare, por edhe në mbajtjen gjallë të idesë së bashkimit kombëtar. Roli historik i Fan S. Nolit në lobimin e tij në Lidhjen e Kombeve ishte një prej kulmeve të këtij angazhimi për kombin dhe shtetin shqiptar që i ishte ekspozuar copëtimi nga fqinjët. Pas Luftës së Dytë Botërore, në një kohë kur Shqipëria ishte izoluar skajshëm, poashtu diaspora shqiptare anipse ishte fragmentuar në grupe monarkiste dhe klube komuniste, arriti ta ruajë koherencën e patriotizmit dhe frymën kombëtares në hapësirat e Ballkanit.

Kjo frymë u ripërtërit fuqishëm në vitet ’90 dhe u bë një katalizator i fuqishëm për mobilizimin historik të radhës, ate  të çlirimit të Kosovës nga sundimi i prangave të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Ku ndihma në formën e remitancave, veçanërisht përmes Fondit të 3%-shit, arriti ta mbijetojë sistemin shëndetësor dhe arsimin paralel në Kosovë gjatë viteve të rezistencës paqësore.

2. Më vonë, gjatë luftës së viteve 1998–1999, sërish ishte diaspora ajo që u vetëflijua, duke ndarë “bukën nga goja” për të financuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës përmes Fondit “Vendlindja Thërret” dhe për të lobuar fuqishëm edhe në Zyrën Ovale të ish Presidentit amerikan Bill Klinton që pasojë me intervenimin e NATO-s gjatë vitit 1999. Madje edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo diasporë, me gjithë luhatjet e saj, ka arritur të mbajë gjallë vëmendjen amerikane ndaj Kosovës. Duke shikuar e analizuar ad hoc gjithë këte angazhim  e përkushtim të diasporës në gjitha këto periudha kritike për kombin, duhet pranuar se ajo shprehur me gjuhën e sociologjisë së njohjes de facto dhe de jure përfaqëson një kapital të çmuar dhe të pa zëvendësuar politik për gjitha arritjet e shqiptarëve.

3. Sot, përballë rrezikut të rikthimit të tensioneve dhe kërcënimeve nga Serbia, një pjesë e kësaj diaspore në Angli e ka nisur një nismë të re lobimi në formë peticioni që është online dhe i është drejtuar Mbretërisë për të kërkuar mbrojtje për Kosovën nga rreziku i prekshëm që po vjen pas kërcënimeve që po vijnë nga regjimi autoritar i Aleksandër Vuçiqit, përmes demonstrimit të forcës ushtarake dhe luftës hibride. Nga këndvështrimi i sociologjisë së zhvillimit, iniciativa e diasporës së Britanisë së Madhe për të rritur presionin ndaj Serbisë, pas agresionit të armatosur në Banjskë dhe aktit tjetër terrorist ndaj Kosovës mund të analizohet në disa aspekte. Qasja jonë synon të sjellë argumente të pathëna publikisht, por që mund të “lexohen” përmes gjuhës së eufemizmave diplomatike dhe diskursit të elaboruar sociologjik.

Së pari, Britania, si ish-perandori dhe fuqi globale pro-demokratike, është pozicionuar historikisht si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, dhe rrjedhimisht, mund të luajë një rol thelbësor në tensionet Kosovë–Serbi për arsye të shumta.

Së dyti, ajo nuk e bart barrën morale të dështimit të dialogut dypalësh pothuajse dydekadësh, i cili është konsumuar kryesisht nën ombrellën e Bashkimit Evropian.

Së treti, Britania ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë të drejtën e saj morale, të fituar si kapital simbolik që prej ndërhyrjes së NATO-s më 1999 kundër regjimit të Millosheviçit, për të ndaluar spastrimin etnik në Kosovë.

Së katërti, në perceptimin ndërkombëtar, Britania vazhdon të shihet si aktor kyç në çështjet e sigurisë globale, për shkak të përvojës së saj koloniale, pjesëmarrjes në forume ndërkombëtare si Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dhe sidomos përmes rrjeteve të fuqishme diplomatike dhe të inteligjencës.

Së pesti, pas daljes nga BE-ja, Britania është duke ndërtuar identitetin e saj të ri si “Global Britain”, një fuqi ndërkombëtare që vepron në mënyrë autonome. Përfshirja në çështjet e Ballkanit dhe qëndrimi i qartë ndaj Serbisë përbëjnë pjesë të këtij rikonstruktimi simbolik, që synon riafirmimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare.

Së gjashti, angazhimi britanik është edhe pjesë e një strategjie më të gjerë për kundërbalancimin e ndikimit rus dhe kinez në Ballkan, ku Serbia shfaqet si një pikë e fortë e këtij ndikimi, veçanërisht në aspektin ushtarak dhe diplomatik.

Së shtati, nuk duhet përjashtuar as motivi për të forcuar marrëdhëniet “speciale” me Shtetet e Bashkuara, pasi historikisht, Britania nuk ka vepruar në mënyrë të pavarur në çështjet gjeopolitike të rëndësishme pa koordinim me Uashingtonin, sidomos kur janë në lojë çështje të sigurisë globale.

Në fund duhet cekur se roli i Peticionit që gjendet në fund të këtij shkrimi, për gjykimin tim përveç “kujdestarisë” dhe përkushtimit ndaj kombit, ka për qëllim edhe shtimin e vigjilencës, shqetësimit dhe përkujdesjes për ndryshimet që po ndodhin në nivelet globale, ato kontinentale e sidomos ato rajonale e lokale…