Kreu Blog Faqe 430

Për këto fakte duhet ta përkujtojmë dhe nderojmë përgjithmonë Amerikën

0
Nga: Zeqir Bekolli
___
KJO ËSHTË AMERIKA!
___
Lajmi i fundit që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një dëshmi tjetër e qartë: “Amerika nuk pranon asnjë marrëveshje me Serbinë pa njohje reciproke dhe nuk mbështet ndarjen e Republikës së Kosovës”. Kjo është më shumë se një deklaratë politike, është një sinjal i fuqishëm që tregon edhe një herë se kush ka qenë dhe mbetet aleati më i madh i Kosovës, ShBA-ja.
Është koha të përkujtojmë gjithçka që Amerika ka bërë për ne.Ta kujtojmë Vijën e Kuqe të Presidentit Bush (plakut) shumë përpara se të përfundonte shpërbërja e ish-Jugosllavisë, një vijë që i dha drejtim të qartë procesit të shtetformimit të Kosovës. Ta kujtojmë deklaratën historike të Presidentit George W. Bush në Shqipëri, kur tha publikisht se “Kosova do të jetë e pavarur”, ende pa u shpallur zyrtarisht pavarësia. Ishte një premtim i dhënë dhe i mbajtur.
Ta përkujtojmë rolin vendimtar të Presidentit Bill Clinton, të Hillary Clinton, të Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, të senatorëve si Bob Dole, Richard Lugar, Douglas Feith, dhe shumë diplomatësh e ambasadorësh të tjerë amerikanë, që punuan natë e ditë për ta ndalur një gjenocid dhe për ta sjellë lirinë në Kosovë.
Të mos harrojmë bombardimet e NATO-s, ku Armatës Amerikane i takon pjesa më e madhe e meritës për ndalimin e makinerisë së dhunës së regjimit serb. Të kujtojmë Zyrën Amerikane që u vendos në Prishtinë kur liria sapo kishte hyrë në pragun tonë dhe Ambasadën Amerikane, që sot është simbol i partneritetit të përhershëm.
Ta kujtojmë gjithashtu ndihmën e jashtëzakonshme në çdo fushë: në ndërtimin e institucioneve, në zhvillimin ekonomik, në drejtësi, arsim, siguri e kulturë.
Një mbështetje që ka ardhur jo vetëm nga qeveria amerikane, por edhe nga vetë populli amerikan, që na ka trajtuar gjithmonë si mik të vërtetë.
A line of Serbian military veichles, left, leave Pozaranje, southern Kosovo, while U.S. Marines tanks wait to enter in the town to take part in the Nato peace mission, Monday, June 14, 1999. Nato troops entered Kosovo Saturday, June 12, 1999. (AP Photo/Luca Bruno)
Të jemi mirënjohës, por edhe të vetëdijshëm se sot kemi përkrah nesh një superfuqi, një mik të përhershëm, një aleat që e ka dëshmuar veten në ditët më të vështira dhe më të rëndësishme për popullin tonë.
Bombardues i NATO-s ndaj caqeve të Serbisë në pranverën 1999
___
Kjo është Amerika (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) të cilën duhet ta nderojmë, ta respektojmë dhe ta ruajmë si sytë e ballit. Sepse pa Amerikën, Kosova nuk do të ishte ajo që është sot.

Lis Bukroca iu shkruan qytetarëve, katunarëve, laperëve, vëllezërve dhe motrave

Lis Bukuroca, Gjermani
___
Të dashura qytetarë dhe katundarë
ju, malësorë, fushorë e laperë, vëllezër e motra,
ju e dini se kam hyrë në politikë si njeri i thjeshtë e i varfër, pa pretendime të mëdha. E doja dhe e dua vetëm atdheun tim. Kombin tim. Me një fjalë, jo vetëm tokën, por më shumë juve.
Besimi juaj në aftësitë e mia të jashtëzakonshme më dha krahë për të fluturuar, për t’u angazhuar dhe për t’u ngjitur përpjetë.
Në fakt, unë nuk e dija se kisha kaq shumë inteligjencë natyrore, por besimi juaj tek unë më bëri të vetëdijshëm. Prandaj mora edhe diplomën — për t’u shkëputur nga padituria dhe varfëria, sepse unë dhe partia ime ju duhemi juve.
Kur më votuat për katër vjet, nuk isha i sigurt nëse do të më votonit edhe një herë. Kjo pasiguri më shtyu të grumbulloj pak kapital, që sot të mos qëndroj para jush si një politikan i mjerë e i varfër. Është më mirë për ju. Të ndiheni krenarë.
Mundësia për pasurim ishte aty, dhe oferta gjithashtu: nga tenderët apo privatizimet. Njerëzit m’i jepnin, unë i merrja. Nuk i vidhja.
Paratë dhe investimet që kam bërë i kam fituar ligjërisht: kam blerë prona dhe i kam regjistruar. Edhe me çmim shumë më të lirë, por ajo tokë nuk më takon mua, por atdheut tonë dhe shihet se është brenda hartës së vendi tonë.
Në rast nevoje, do t’ia shes vetëm pjesëtarëve të kombit tonë të përvuajtur, por heroik. Ndonjërit nga ju për shembull!
Unë, në fakt, jam vetëm pronar i përkohshëm, sepse ajo pronë i përket Kosovës sonë të dashur, për të cilën kam rrezikuar edhe jetën. Dhe, meqë isha i gatshëm të flijoj gjithçka për për ju, për mëmëdheun, — në shenjë mirënjohjeje — mëmëdheu më ofroi mundësinë të fitoj një pasuri modeste: vetëm disa milionë euro. Në krahasim me miliardat e buxhetit, kjo është vetëm një pikë uji në Ujman.
Ai kapital, të dashur qytetarë dhe katundarë, nuk është vetëm për mua. E kam përdorur edhe për të mirën e të tjerëve; domethënë, ia kam shpërndarë disa pjesëtarëve të popullit tonë. Nga dhembshuria për ta.
E kam bërë edhe për të siguruar një rrjet mbështetjeje mediatike e institucionale dhe për të krijuar vende pune. Për shembull, duhej ndihmuar disa portale, duhej motivuar disa analistë, disa televizione — sepse ata janë të domosdoshëm në politikë për mirëmbajtjen e personalitetit tim, në të mirën tuaj.
Unë, për të vazhduar me projektin tim, kam ndihmuar disa miq të bëhen oligarkë. Ata janë shtyllat tona kryesore. Pastaj, aty-këtu, është dashur të investoj edhe në punësimin e ndonjë prokurori apo gjykatësi, që të mos cenohet kontributi im i sinqertë. Që të mos mbeteni ju pa mua, e unë pa ju.
Për t’ju bërë juve të ndiheni edhe më të sigurt me praninë time në politikë, më lejoni t’ju kujtoj një fakt: meqenëse unë i kam zgjidhur të gjitha problemet e mia ekonomike, tani jam i gatshëm, kam kohë, dije të madhe dhe mundësi — deri në frymën time të fundit — të merrem vetëm me zgjidhjen e problemeve tuaja.
Dhe, në fund, të dashur qytetarë e katundarë: nëse nuk më votoni, humbni dyfish. Më përjashtoni mua, njeriun e ngopur me lekë, dhe zgjidhni dikë tjetër — një të varfër që do të nisë vjedhjen e shtetit nga e para.
Ai nuk do të marrë si ne, sepse nuk e do atdheun, nuk ka kontribuar në të kaluarën, nuk ndien dhembjen e këtij kombi, dhe kështu nuk do të ngopet kurrë.
Ju falënderoj që erdhët në numër kaq të madh sot për të dëgjuar projektin tonë. Dhe, mos votoni kurrë ata që nuk kanë pasuri të madhe, sepse ata nuk e duan vetveten. Kush nuk e do vetveten, nuk e do as atdheun. As popullin. As juve këtu.
Unë, të dashur qytetarë e katundarë — malësorë, fushorë e laperë, motra e vëllezër — do të tërhiqem tani në vilën time jashtë vendit, sepse aty do të meditoj se si t’ju ndihmoj juve edhe më shumë.
E kam ndërtuar jashtë vendit, që të mos zaptohet toka e vogël e Kosovës me një vilë të madhe.
Faleminderit për besimin dhe për mundësinë që t’ju shërbej juve. Ju jeni heronjtë e këtij vendi — jo unë. Dhe, mos votoni kurrë një njeri jomilioner, sepse ai është mashtrues i madh.� Zoti ju bekoftë ju dhe atdheun tonë të shenjtë!

Preshevë: Nisi realizimi i prejektit “Edukimi i nxënësve të klasës së gjashtë fillore përmes trashëgimisë kulturore dhe ruajtja e vlerave të kësaj trashëgimie”

0

Prof. Xhemaledin SALIHU, Preshevë

PËRFUNDOI ME SUKSES PROJEKTI: ”NXËNIA E DITURIVE, EDUKIMI I NXËNËSVE TË KLASËS SË GJASHTË I SHKOLLËS FILLORE, NËPËRMJET TRASHËGIMISË KULTURORE TË PALUAJTSHME DHE PREZANTIMI I VLERAVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE” NË PRESHEVË 

Më 28 gusht 2025, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore në Preshevë filloi realizimin e projektit: “Nxënia e diturive, edukimi i nxënësve të klasës së gjashtë të shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, nëpërmjet trashëgimisë kulturore të paluajtshme dhe prezantimi i vlerave të trashëgimisë kulturore” në Preshevë.

Kështu më 1 e 3 shtator 2025 në Preshevë organizuam dy takime të Ekipit të Pedagogëve të projektit, në të cilët biseduam mbi projektin dhe realizimin e tij sipas planifikimit tonë. Në takim morën pjesë koordinatori i projektit Xhemaledin Salihu, Frashnjit Duraku, asistent, ligjëruesit Sami Agushi, profesor i gjeografisë, e Ylber Hajdari, profesor i gjeografisë, Agim Arifi, menaxher i Punëtorisë së Vizatimit dhe i Ekspozitës dhe Teuta Mehmeti, profesoreshë e gjuhës frenge.    

Të dielën, më 21 shtator 2025, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore për Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë organizoi vizitë objekteve të trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës, me nxënësit e klasës së gjashtë të shkollës fillore “Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, në kuadër të projektit: “Nxënia e diturive dhe edukimi I nxënësve të klasës së gjashtë nëpërmjet trashëgimisë kulturore të pa luajtshme dhe prezantimi I të mirave të trashëgimisë kulturore” në komunën e Preshevës.

Vizita ishte e qëlluar që nxënësit ta njohin vendlindjen e tyre, t’i njohin disa nga pasuritë e trashëgimisë kulturore të komunës së Preshevës, të nxiten që t’i dashurojnë pasuritë e trashëgimisë kulturore shqiptare që nga fëmijëria e hershme, të marrin njohuri e dituri nga trashëgimia kulturore dhe të edukohen për dashuri ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore si dhe të mbushen me ndjenja, me perceptime, me fotografi, me përfytyrime mbi objektet e vizituar që në punëtorin që do të organizohet t’i vizatojnë këto objekte të trashëgimisë kulturore ashtu siç i ka pa dhe ndje syri dhe shpirti i tyre.

Bartjen e nxënësve e kontraktuam  me “Graniti-trans” Norçë e Preshevës.

Në këtë vizitë ishim në UJËNDARËSEN E ÇUKARKËS, në lokalitetin CËRKVISHTA NË ZHUNICË, te VARREZAT E KRUSHQËVE në BUKUROVC, te MULLIRI I ISA RASHËS dhe te TEQJA E PRESHEVËS, ku spjegime mbi disa koncepte, kuptime të trashëgimisë kulturore, ndarjen e saj dhe për objektet e vizituara nxënësve u foli Z. Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore, menaxher i projektit,

Poashtu, Sami Agushi, profesor i gjeografisë  nxënësve u foli dhe i mbajti ligjëratë për të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore që i vizituam, duke filluar prej Ujëndarëses deri te Teqja e Preshevës.

Me kaq mbaroi vizita objekteve të trashëgimisë kulturore në Preshevë.

Më nxënësit në vizitë ishin edhe Z. Agim Arifi, mësimdhënës i Artit, anëtar i Këshillit Drejtues i Shoqatës dhe menaxher i Punëtorisë së Vizatimit dhe Ekspozitës që do të organizohet më 30 shtator 2025, me fotografi dhe punimet e nxënësve nga Punëtoria, Teuta  Mehmeti, profesoreshë e gjuhës frenge dhe Ylber Hajdari, profesor i gjeografisë, të angazhuar nga shkolla fillore e Preshevës, të cilët  mjaft na ndihmuan në realizimin e projektit.

Më 25 shtator 2025, në ora 14, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore me nxënësit e klasës së gjashëe të shkollës fillore “Prof.Ibrahim Kelmendi” organizoi Punëtorinë e Vizatimit, në kuadër të projektit: “Nxënia e diturive dhe edukimi i nxënësve të klasës së gjashtë nëpërmjet trashëgimisë kulturore dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore të Preshevës”, të cilin e financon Ministria e Kulturës në Beograd.

Punëtorinë e udhëhoqi Agim Arifi, mësimdhënës i artit, ndërsa e ndihmuan dhe dhanë kontribut, Ylber Hajdari, profesor i gjeografisë dhe Teuta Mehmeti, profesoreshë e gjuhës frenge, mësimdhënës në shkollën fillore të Preshevës.

Në këtë Punëtori të Vizatimit pos nxënësve të klasës së gjashtë morën pjesë edhe 5 nxënës të klasës së IV-1 të kësaj shkolle, të cilët me mësuesen Besa Ferati shprehën dëshirën dhe vullnetin e tyre që të marrin pjesë në Punëtorinë e Vizatimit. Shoqata i falënderon të gjithë për pjesëmarrje, sidomos klasën e IV-1.

Në fund të mbarimit të Punëtorisë së Vizatimit, mësimdhënësi Agim Arifi i shpalli 3 punime të vizatimit më të mirë:

1.Abatrit Muhadini, nxënës i kl.VI-5

2.Zara Nasufi, nxënëse e kl.VI-3 dhe

3.Art Ademi, nxënës i kl. IV-1

Punimet e Vizatimit të nxënësve dhe disa fotografi të objekteve të trashëgimisë kulturore do shfaqen në Ekspoziten e organizuar qëllimisht për këtë dedikim, me 30.09.2025, me rastin e Ditës Kombëtare të trashëgimisë kulturore shqiptare, më 29 shtator 2025.

Të martën, më 30 shtator 2025, në orën 13, në shkollën fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, për nder të 29 shtatorit, Ditës së Trashëgimisë Kombëtare Kulturore u hap Ekspozita e Fotografive të Trashëgimisë kulturore të komunës së Preshevës dhe e Punimeve të nxënësve të klasës së gjashte e të pestë të shkolles fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” Preshevë, të cilën e hapën sëbashku Z. Bardhyl Bajrami, u.d.drejtor I kësaj shkolle dhe Xhemaledin Salihu, kryetar i SHTKK-së. Drejtori I përshëndeti të pranishmitë dhe lavdëeroi punën e kësaj shoqate, ndërsa kryetari I shoqatës e falënderoi drejtorin e shkollës për bashkëpunimin e sukseshëm me këtë shkollë dhe të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e suksesshëm të këtij projekti..

Ekspozitën e menaxhuan Agim Arifi, mësimdhënës i artit, Teuta Mehmeti, profesoreshë e gjuhës frenge, Ylber Hajdari, profesor i gjeografisë dhe Fitim A. Nuhiu, profesor i gj. angleze. 

Agim Arifi shpalli punimet më të mira të nxënësve: Abatrit Muhadini-VI-5, Zara Nasufi-VI-3 dhe Art Ademi-IV-1.

Një falënderim i dedikohet  edhe për mësuesen Besa Ferati, nga klasa 4-1, që vullnetarisht angazhoi  5 nxënës të saj në Punëtorinë e Vizatimeve. Në hapjen e Ekspozitës morën pjesë disa mësimdhënës dhe nxënësit e kësaj shkolle. 

PROJEKTIN E FINANCOI MINISTRIA E KULTURËS E REPUBLIKËS SË SERBISË

Gjërat që duhet t’i ketë burri e ato që duhet t’i ketë gruaja

0
Ervina Toptani, shkrimtare, Vjenë
___
Nga eksperienca e të jetuarit mes njerëzve kam kuptuar se ka dy gjëra të rëndësishme që i përcaktojnë vlerën njeriut. Një që duhet ta ketë burri dhe një tjetër që duhet ta ketë gruaja:
Tek burri është kontrolli i vetes.
Tek gruaja është kontrolli i gojës (i të folurit).
Një burrë që ka në dorë frerët e emocioneve,, pulsioneve, veprimeve të tij, që nuk kontrollohet prej tyre, që di të veprojë duke peshuar mendimet, që nuk e lë veten të jetë nën kontrollin e të tjerëve e aq më pak të ndjesive, është një burrë që bën dallimin mes shumë të tjerëve.
Një grua që di të kontrollojë gojën e saj, që di të heshtë e të peshojë situatat e që di të flasë atëherë kur arsyeja e ka kulluar mendimin, është një grua që bën dallimin mes shumë të tjerave. Kur flet një grua e tillë të tjerët heshtin.
Ne e njohim njëri tjetrin prej veprimeve tona e prej fjalëve që flasim. Askush s’do të të njohë për çfarë mban shpirti brenda por prej çfarë nxjerr prej tij me fjalët që flet e veprimet që bën.

Kosova në rrezik, thirrje për veprim qytetar

1
Agim Vuniqi, SHBA
___
Kosova: Republika qytetare në rrezik – thirrje për veprim qytetar
___
Republika e Kosovës është ndërtuar mbi parimin e barazisë qytetare dhe funksionimit të parlamentit si institucioni kryesor i përfaqësimit demokratik. Çdo qytetar ka të drejtë të barabartë në votë, dhe çdo deputet duhet të jetë zëri i elektoratit të vet. Mirëpo, mekanizmi i ulëseve të rezervuara për komunitetet pakicë, veçanërisht për komunitetin serb, po deformon këtë parim themelor.
Në praktikë, një komunitet i vogël po merr një rol të paparë: ai mund të vendosë mbi formimin e shumicës parlamentare, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe funksionimin normal të institucioneve. Kjo e vendos Republikën e Kosovës në një situatë ku interesat e një pakice, shpesh të lidhur me politika të jashtme, mund të kenë më shumë peshë se shumica qytetare. Ky fenomen, i përshkruar ndryshe si “king-maker”, rrezikon shtetin dhe legjitimitetin e tij.
Sipas nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës, të paktën dhjetë deputetë kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim të çështjeve kushtetuese. Qytetarët nuk mund ta bëjnë këtë hap drejtpërdrejt, por kanë të drejtë të kërkojnë nga përfaqësuesit e tyre që ta bëjnë këtë përmes një peticioni publik. Presioni qytetar është mënyra më e drejtpërdrejtë për t’i rikthyer institucionet tek fryma e republikës qytetare dhe për të mbrojtur barazinë e votës.
Kërkesa është e qartë: të paktën 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës, së bashku me Avokatin e Popullit, duhet të ndërmarrin iniciativën dhe ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Qytetarët i bëjnë thirrje institucioneve të rikthejnë barazinë qytetare dhe të shmangin ndikimet që deformojnë legjitimitetin e institucioneve.
Ky peticion nuk është thjesht një apel politik, por një thirrje për demokraci reale. Republika e Kosovës nuk mund të mbetet peng e privilegjeve të një pakice. Demokracia funksionon vetëm kur qytetarët e kanë zërin të barabartë dhe institucionet reflektojnë këtë barazi.
Qytetarë të Kosovës, nënshkruani, shkruani letra, bëhuni pjesë e këtij procesi: fjala juaj është Kushtetutë.
PETICION QYTETAR
Për mbrojtjen e barazisë qytetare dhe funksionimit demokratik të Republikës së Kosovës
Ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, të shqetësuar për deformimin e parimeve kushtetuese të përfaqësimit dhe për pasojat e ndarjes së imponuar politike mbi baza etnike, i drejtohemi përfaqësuesve tanë dhe institucioneve kushtetuese me këtë kërkesë publike.
1. Arsyeja e peticionit
Kosova është themeluar si një Republikë qytetare dhe demokratike, ku çdo qytetar ka të drejtë të barabartë në votë dhe çdo deputet duhet të jetë zëri i shumicës qytetare.
Mekanizmi i ulëseve të rezervuara për komunitetet pakicë, veçanërisht për komunitetin serb, po deformon këtë parim. Në praktikë, një komunitet i vogël po merr rolin e “king-maker”, duke vendosur mbi formimin e shumicës parlamentare dhe funksionimin normal të institucioneve, çka cenon legjitimitetin e shtetit dhe parimin e barazisë qytetare.
2. Baza juridike
Sipas nenit 113 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:
“Të paktën dhjetë (10) deputetë të Kuvendit kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim ose vlerësim të kushtetutshmërisë.”
Qytetarët nuk mund ta bëjnë këtë hap drejtpërdrejt, por kanë të drejtë të kërkojnë nga përfaqësuesit e tyre që ta bëjnë këtë përmes një peticioni publik. Presioni qytetar është mënyra më e drejtpërdrejtë për t’i rikthyer institucionet tek fryma e republikës qytetare dhe për të mbrojtur barazinë e votës.
3. Kërkesa jonë
Të paktën 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës, së bashku me Avokatin e Popullit, të ndërmarrin iniciativën dhe ta parashtrojnë kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për interpretim të praktikës së ulëseve të rezervuara.
Kuvendi dhe institucionet përkatëse të rishqyrtojnë këtë mekanizëm, duke garantuar mbrojtjen e pakicave, por pa cenuar barazinë dhe legjitimitetin e shumicës qytetare.
4. Thirrje për përgjegjësi
Ky peticion është thirrje për demokraci reale. Republika e Kosovës nuk mund të mbetet peng i privilegjeve të një pakice. Demokracia funksionon vetëm kur qytetarët kanë zërin e barabartë dhe institucionet reflektojnë këtë barazi
Emri dhe mbiemri qyteti Vendi
@followers; Highlights

Media dhe vota e lirë , arma më e fortë kundër hajnave, kriminelëve e mashtruesve

0
Halil Geci, Skenderaj
___
MEDIA E LIRË, VOTA E LIRË DHE QYTETARI AKTIV JANË ARMA MË E FORTË KUNDËR HAJNAVE, KRIMINELËVE DHE MASHTRUESVE
___
Manifest,për përmbysjen e hajnave me votë
Ndershmëria është nder — korrupsioni është tradhti
Sot, Kosova dhe Shqipëria po kalojnë nëpër një periudhë të errët: njerëzit e ndershëm margjinalizohen, ndërsa hileqarët, të korruptuarit dhe profiterët ngrihen në piedestal.
— Shitet nderi për një post. Shitet ndërgjegjja për një tender.
— Shitet atdheu për pak para.
Por populli ende ka forcë. Ende ka djem e vajza që besojnë në drejtësi, në punë dhe në dinjitet. Ata janë shpresa jonë për të nxjerrë vendet tona nga ky moçal — jo me dhunë, por me ndërgjegje, dije dhe guxim qytetar.
Rruga e daljes është e qartë: humbja e pushtetit të hajnisë dhe profiterëve përmes votës është nder dhe atdhetari.
Çdo qytetar duhet të dijë se vota për korrupsionin të bën bashkëfajtor.
Çdo votues i ndershëm duhet ta dijë se dijenia dhe arsimi çlirojnë mendjen nga varësia dhe frika — prandaj, refuzoni me votë ata që shesin interesin publik.
Vetëm me ndershmëri dhe drejtësi mund të mbrojmë shtetin dhe institucionet e tij. Pa drejtësi, nuk ka as shtet, as liri.
Në një shoqëri pluraliste, vota është mjeti më i fuqishëm kundër mashtruesve dhe hajnave që po përpiqen ta kapin shtetin. Përdoreni atë me përgjegjësi.
Mbështetja ndaj medias së lirë dhe gazetarëve që denoncojnë korrupsionin tregon se sa e do atdheun.
Angazhohuni qytetarisht: informohuni, debatoni dhe votoni të ndershmit nëse e doni atdheun.
Mos pranoni pazare; mos shisni besimin e së ardhmes për interesa të përkohshme.
Ndërtoni komunitete të forta dhe të informuara, që nuk lejojnë biznesin e servilizmit dhe klientelizmit.
Shoqëria që shpërblen korrupsionin dhe ndëshkon ndershmërinë është e dënuar.
Shoqëria që guxon të zgjohet, të flasë dhe të mos shitet, do të ringjallë Kosovën dhe Shqipërinë e drejtësisë, dinjitetit dhe lirisë.
Mos u besoni liderëve të partive, por besojuni njerëzve të rretheve tuaja, atyre që i njihni dhe që kanë qëndruar larg hajnisë, krimit dhe të pabesës.
Nëse doni ta nderoni Kosovën, refuzoni me votë hajnat 20-vjeçarë që kurrë nuk dinë të ngopen me para.

Kalvari i harruar i Zeqir Gërvallës dhe Hanës: Atdhetarë të flijuar, të lënë pa dinjitet nga shteti

Ky shkrim për poetin Zeqir Gërvalla nga Lupçi i Poshtëm i Llapit, që prej luftës së Kosovës së vitit 1999 jeton në SHBA, është shkruar kah fundi i shtatorit 2025. Jo vetëm që është tragjedi që zor të ketë shpjegim, por është turp kombëtar që një poet kaq i natyrshëm i kombit, njeri me butësi që zor t’ia gjeje krahasimin; kaq i sinqertë dhe aq i pa sherr në mbarë jetën e tij, të harrohet nga mbarë një komb të cilit ia ka kushtuar jetën e vet tokësore.
___
Historia e Kosovës është e mbushur me dhimbje, por edhe me figura të qëndresës që i dhanë shpirt e frymë rezistencës kombëtare. Një ndër ta është poeti nacional Zeqir Gërvalla, bashkëpunëtori më i afërt i Adem Demaçit, i cili u përball me të gjitha format e represionit jugosllav. Sot, në moshë të thyer, ai dhe bashkëshortja e tij, arsimtarja Hana Gërvalla, ndodhen përballë një tjetër padrejtësie: ndërprerja e pensionit nga shteti i Kosovës – shteti për të cilin ata sakrifikuan gjithçka.
Poeti i anatemuar gjatë komunizmit
Zeqir Gërvalla nuk ishte thjesht poet. Ai ishte simbol i rezistencës intelektuale ndaj ideologjisë komuniste dhe kolonializmit serb. Për vargjet e tij, për qëndrimin e tij, ai u dënua me burgime të gjata politike. Në qelitë e errëta, në mungesë të lapsit, shkruante poezi me gjakun e tij, për të mos lejuar që fjala të shuhet.
Me qindra herë ai sfidoi censurën duke përdorur dhjetëra pseudonime. Shpesh fitonte konkurse letrare pa u ditur se pas vargjeve fshihej një emër i ndaluar nga regjimi. Ai ishte poeti i padukshëm, i cili jetonte mes fjalës së lirë dhe frikës së persekutimit, i anatemuar madje edhe nga një pjesë e intelektualëve shqiptarë të kohës që ishin nën ndikimin e ideologjisë komuniste.
Veprat e tij – “Prania e sfinksit”, “Det e moçal ballëpërballë”, “Daullet e pranverimit”, “Në rrugën e dritës”, “Ekspozita e mëmëdheut”, “Lulëzimi i rrënjës” – mbeten dëshmi e një krijimtarie që e sfidoi kohën dhe diktaturën.
Kalvari i Hanës – shtylla e familjes
Ndërsa Zeqa vuante burgjet politike, bashkëshortja e tij, Hana, mbante mbi supe gjithë peshën e jetës: arsimtare e përkushtuar, ajo rriti katër fëmijë në kushte të rënda, duke përballuar varfërinë, izolimin dhe stigmën që shoqëria ia veshte familjeve të të burgosurve politikë.
Në të njëjtën kohë, ajo nuk u thye kurrë. Me dinjitetin e saj, ajo mishëroi figurën e nënës shqiptare që e mban gjallë familjen dhe kombin në kohë të errëta.
Nga burgu i komunizmit tek poshtërimi i burokracisë
Sot, pas dekadash sakrifice, Zeqir dhe Hana Gërvalla nuk përballen më me hetuesit e UDB-së, por me sportelet e ftohta të Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Prej muajsh atyre u është ndërprerë pensioni, duke i detyruar të “riaplikojnë personalisht” – një kërkesë absurde për një burrë që pas një sulmi në tru nuk ka mundësi as të lëvizë vetë.
Është ironike dhe tragjike që ndërkohë që qytetarët serbë në Kosovë përfitojnë dy pensione – një nga Serbia e një nga Kosova – atdhetarë si Zeqir Gërvalla, të cilët i dhanë kombit gjithçka, mbeten pa të drejtën e tyre elementare njerëzore. Ky është vazhdim i padrejtësisë historike, ku gjenerata e baby boomers, që ngriti themelin e arsimit, kulturës dhe ekonomisë së Kosovës, trajtohet si rend i dytë qytetarësh.
Një thirrje për dinjitet
Shteti i Kosovës nuk mund të krenohet me flamurin e pavarësisë ndërkohë që harron ata që sakrifikuan për të. Rastet si ai i Zeqir dhe Hana Gërvallës janë turpi ynë kolektiv. Ata nuk kanë nevojë për mëshirë – ata kanë të drejtë për respekt, për pension, për status të posaçëm, për nderim publik.
Nderi i kombit matet me mënyrën si trajton heronjtë e gjallë, pa ata pushkatohet historia.

Marrëveshja e munguar – ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit

0
Agim Vuniqi, Washington
___
Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është kthyer në një spirale pa përfundim të qartë. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare, raundet e pafundme të takimeve në Bruksel dhe Ohër nuk prodhuan rezultatin e pritur: një marrëveshje të nënshkruar që do të mbyllte kapitullin e konfliktit ballkanik dhe do të hapte rrugën drejt njohjes reciproke.
Në fakt, Serbia, megjithëse në mënyrë formale pranoi planin franko-gjerman të mbështetur nga BE dhe SHBA, në fund refuzoi ta nënshkruajë. Presidenti Aleksandar Vuçiq, me një gjuhë të dyfishtë politike, pranoi përmbajtjen por mohoi aktin e nënshkrimit – një manovër tipike diplomatike që ruan imazhin e “bashkëpunimit” përballë Brukselit, por shmang çdo detyrim juridik përballë opinionit nacionalist në Beograd. Kjo strategji e kujdesshme, në thelb, është ajo që ka mbajtur të ngrirë procesin që nga 2011 e deri më sot.
Kjo situatë rikujton skenarin e njohur nga Lindja e Mesme – marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Yitzhak Rabin dhe Yasser Arafatit. Edhe aty, një mungesë nënshkrimi në momentet vendimtare çoi drejt fragmentimit të procesit të paqes dhe, për pasojë, në izolimin e Gazës. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, rreziku është i njëjtë: mungesa e vullnetit për të kurorëzuar me nënshkrim një marrëveshje mund ta çojë rajonin drejt një realiteti paralel, ku tensioni dhe mosbesimi mbeten norma e përditshme politike.
Në thelb të këtij debati juridiko-politik qëndron Neni 11 i Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve (1969). Ky nen përcakton qartë se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve që nuk e kanë njohur njëri-tjetrin mund të ketë karakterin e një traktati ndërkombëtar. Me fjalë të tjera, mungesa e njohjes reciproke nuk e bën të pavlefshme marrëveshjen. Parimi universal “pacta sunt servanda” – marrëveshjet duhen respektuar – garanton që çdo marrëveshje e arritur në mirëbesim, edhe mes palëve pa marrëdhënie diplomatike, mbetet ligjërisht e detyrueshme.
Ky parim është themeli mbi të cilin qëndron e drejta ndërkombëtare moderne. Ai e shndërron fjalën e dhënë në një obligim juridik dhe politik, duke ruajtur stabilitetin në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në kontekstin e Kosovës dhe Serbisë, kjo do të thotë se marrëveshja e Ohrit, edhe pa nënshkrim formal, në parim krijon detyrime për palët – aq më tepër kur është pranuar publikisht dhe mbështetur nga aktorë ndërkombëtarë.
Por problemi nuk qëndron vetëm në aspektin juridik – ai është politik dhe moral. Serbia kërkon përfitimet e një procesi paqësor pa marrë përsipër përgjegjësitë e tij. Kosova, nga ana tjetër, mbetet e kufizuar nga mungesa e njohjes dhe nga presioni për kompromis. Në këtë ekuilibër të brishtë, BE-ja shfaqet si ndërmjetës që s’ka instrumente detyruese, ndërsa SHBA ruan rolin e arbitrit moral, pa imponuar zgjidhje konkrete.
Në fund, mosnënshkrimi i marrëveshjes është simptomë e mungesës së guximit politik. Sikurse Arafati dikur hezitoi përballë realitetit të Gazës, Vuçiq sot heziton përballë nacionalizmit serb. Por historia dëshmon se refuzimi për të firmosur paqen, në fund, nënshkruan konfliktin.
Nëse Ballkani Perëndimor dëshiron të shmangë “Gazën e vet politike”, atëherë BE dhe SHBA duhet të tejkalojnë diplomacinë e fjalëve dhe të imponojnë respektimin e marrëveshjeve të arritura — sepse, sipas Konventës së Vjenës, fjala e dhënë është po aq e vlefshme sa nënshkrimi.

Rubineti bosh dhe klasa e mbipopulluar – pasqyra e komunave kosovare

0

Nga: Isuf Bajraktari

Në mesin e dekadës së tretë të shekullit XXI, shoqëria kosovare përballet ende me sfida bazike që duhej të ishin tejkaluar shumë më herët. Mungesa e ujit të pijshëm dhe infrastruktura e pamjaftueshme arsimore për fëmijët nuk janë vetëm probleme teknike komunale; ato janë pasqyrë e një dështimi më të gjerë politik e institucional.

Politika lokale shpesh shpërndan shifra dhe premtime që ngjajnë si të dhëna, por mungojnë si zgjidhje. Nga informacioni deri te thellëkuptimi, pra nga fjala e thënë deri te ndryshimi real, ekziston një hendek i thellë. Në këtë boshllëk, qytetari sheh se rubineti i tij mbetet bosh dhe klasa e fëmijës së tij e mbipopulluar.

Analiza e çdo komune tregon se ekzistojnë dy faktorë determinues të cilësisë së jetës: mungesa e ujit të pijshëm të pastër, si nevojë jetike dhe themel i shëndetit publik; dhe mungesa e hapësirave e infrastrukturës për fëmijët në kopshte e shkolla, si themel i formimit të gjeneratës së ardhshme.

Në mungesë të tyre, asnjë investim tjetër nuk mund ta mbulojë krizën reale. Ky është paradoksi i politikës sonë: migrimi ka zvogëluar popullsinë, por edhe me numrin aktual të banorëve, institucionet nuk kanë arritur të ofrojnë zgjidhje funksionale.

Çdo katër vite, partitë heshtin gjatë pushtetit dhe më pas, në një muaj zgjedhor, shpërndajnë programe e slogane. Këto, në vend që të sjellin besim, shtojnë frustrimin dhe mosbesimin. Informacioni është kthyer në armë fasade, ku retorika nuk përputhet me realitetin dhe premtimi shndërrohet në zhgënjim.

Shkrimi “Rubineti bosh dhe klasa e mbipopulluar” është më shumë sesa një kritikë lokale: është një thirrje që politika komunale të përballet me realitetin e qytetarit. Rruga nga informacioni te dritëkuptimi, nga premtimi te besimi, është ende e paqartë. Pa zgjidhjen e dy plagëve kryesore – ujit dhe arsimit – çdo tjetër retorikë politike mbetet e zbrazët.

Shoqëria kosovare nuk ka luksin të mbetet peng i një rrethi vicioz ku uji mungon, shkollat janë të mbipopulluara, e fjalët politike derdhen si lumi që nuk pihet.

“Rreth vicioz”: gjendje ose cikël i mbyllur problematik, ku problemet ushqejnë njëra-tjetrën dhe përsëriten pa fund, duke mos lejuar zgjidhje reale.

Fanatizmi islamik s’do ta mposhtë kurrë identitetin shqiptar – solidaritet me Luljeta Pulën

1
Basri Beka, politolog, Prishtinë
____
Kërcënimet, shantazhi dhe frikësimi që po i bëhen profesoreshës Luljeta Pula nga ekstremistët islamik dhe nga ideologjia e islamit politik janë të papranueshme, të turpshme dhe të rrezikshme për shoqërinë tonë. Askush, as individ, as grup, as ideologji, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në ndërgjegjen, lirinë dhe besimin e tjetrit.
Zgjedhja e saj për t’u rikthyer në fenë e të parëve – fenë katolike – është e drejtë njerëzore dhe kushtetuese, akt i lirë dhe i ndërgjegjshëm, që nuk i përket askujt tjetër përveç saj. Ky është një hap që shpreh guxim, vetëdije dhe refuzim të imponimit kulturor e fetar, që për dekada është përdorur për të tjetërsuar identitetin shqiptar.
Çdo kërcënim ndaj saj është kërcënim ndaj lirisë fetare, ndaj të drejtave themelore të njeriut dhe ndaj identitetit tonë kombëtar. Nuk është vetëm çështje personale e saj – është çështje e çdo shqiptari që beson në lirinë dhe dinjitetin e njeriut. Nëse sot heshtim para linçimit të saj, nesër kushdo prej nesh mund të jetë viktimë e të njëjtit fanatizëm.
Ekstremizmi islamik dhe islami politik nuk kanë dhe nuk do të kenë vend në trojet shqiptare. Ata që sot shajnë, frikësojnë dhe shantazhojnë një grua të lirë, janë armiq të lirisë, armiq të kombit dhe armiq të së ardhmes sonë.
Solidaritet i plotë me prof. Luljeta Pulën.
Liria fetare është e drejtë e patjetërsueshme.
Identiteti shqiptar nuk negociohet, nuk kërcënohet dhe nuk shantazhohet.