Ekspozimi i aktiviteteve “parainformative”: Sfidë për sigurinë kombëtare!
Sikur të mund të besoja në zot
Pankartat në Zveçan e Leposaviç, instrument i strukturave paralele serbe !
Zelenskyy pret që Trump të reagoj
In this photo provided by the Ukrainian Emergency Service, smoke rises from a fire at the Cabinet of Ministers building after a Russian strike in Kyiv, Ukraine, on Sunday, Sept. 7, 2025. (Ukrainian Emergency Service via AP)
Hans Rustad / Document.no
Putin e escaloi situatën kur natën në të diel sulmoi godinën e qeverisë në Kyiv. Kjo është hera e parë që ajo është goditur. Zona ka mbrojtje ajrore të fortë, por raketat arritën të kalojnë. Tani Zelenskyj kërkon që Trump të përgjigjet.
– Ne besojmë në një reagim të fortë nga SHBA. Kjo është ajo që nevojitet, tha Zelenskyj në raportin e tij të mbrëmjes për popullin ukrainas.
Pas sulmit, presidenti amerikan Donald Trump tha se është i gatshëm për sanksione të reja ndaj Rusisë, pa qenë më konkret.Putin po luan një lojë të rrezikshme.
Ndërsa Ukraina po sulmon industrinë e naftës dhe gazit të Rusisë, rusët po sulmojnë objekte civile. Kjo sjell një PR të keqe.
Historia e urës së Haxhi Veselit në Mitrovicë
Austri: Xhamia ilegale refuzon të ndjekë ligjin. – Jobesimtarët nuk kanë të drejtë të kërkojnë diçka nga ne
Portali kryesor i Qendrës Islame në Vjenë. Xhamia ka një minaret prej 32 metrash dhe një kupolë me një diametër prej rreth 20 metrash. Ajo u ndërtua me porosi të mbretit saudit Faisal ibn Abd al-Aziz. Fotografia ilustrative: C.Stadler/Bwag CC BY-SA 4.0
/ Document.no
Një xhami ilegale në Vjenë refuzon të zbatojë urdhrat e autoriteteve për të mbyllur xhaminë. Imami i xhamisë pretendon se “jobesimtarët nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në çështjet muslimane”.
Xhamia, e cila ndodhet në distriktin e 10-të të Vjenës, u zbulua gjatë një kontrolli në gusht 2025.
Autoritetet pretendojnë se ajo operon pa lejet e nevojshme dhe se promovon islamin radikal, që shkel ligjin për islamin të vendosur në vitin 2015, i cili ndalon financimin e huaj të institucioneve muslimane.
– Autoriteti i shtetit është më i lartë se çështjet muslimane.
Megjithatë, urdhri për mbylljen është refuzuar nga lideri i xhamisë për shkak se “vetëm muslimanët kanë të drejtë të vendosin në çështjet muslimanëve”.
Qëndrimi i imamëve ka shkaktuar zemërimin e Ministrit të Brendshëm Gerhard Karner. Ai pretendon se autoriteti i shtetit është mbi çështjet muslimane dhe ka premtuar të “zbatojë ligjin pa marrë parasysh përkatësinë religjioze”.Xhamia gjithashtu është lidhur me autoritetet turke përmes Diyanet
– Drejtoria e Turqisë për çështjet religjioze, një institucion konservator islamik shtetëror që rregullon marrëdhëniet e Turqisë me islamin, një organizatë që Austria përpiqet ta mbajë sa më larg. Ajo drejtohet nga besniku i Erdoganit, Ali Erbaş.
“Një vend ku policia nuk ka autoritet të mjaftueshëm për të bërë të qartë se çfarë nuk lejohet dhe ku një imam e merr përsipër këtë detyrë sepse e njeh vetëm ligjin e Allahut, ka mbaruar. Ne po ecim me hapa të mëdhenj drejt Mesjetës. Së shpejti këtu do të ketë një kalifat islamik, shkruan Anabel Schunke.
Austria mbylli shtatë xhamitë në vitin 2018, në një përpjekje për të luftuar islamin politik. Komunitetet myslimane pretendojnë se diskriminohen dhe marrin mbështetje nga një anë e majtë që paralajmëron për islamofobinë.
Grupet e djathta përdorin refuzimin e myslimanëve ndaj ligjit të laikësisë si shembull se si lëvizjet islamike nëndërtojnë dhe refuzojnë demokracinë dhe vlerat perëndimore.
Me ADN-në për shtetin e Kosovës!

Nga: Florim Zeqa
Masa e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë, i ngjet moratoriumit politik që e lë vendin pa institucione!
Çka pas moratoriumit të Kuvendit?!
Ndërkohë partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare, më 9 shkurt 2025, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e ka zgjedhur Albin Kurtin, kryeministër aktual në detyrë, si të propozuarin e saj edhe për një mandat në krye të Qeverisë.
Kurti, i cili është aktualisht kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, u zgjodh me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, që u mbajt të dielën e 7 shtatorit 2025.
Në fjalimin e tij, Kurti i ka falënderuar anëtarët e partisë së tij për besimin e dhënë dhe e ka shpalosur programin e asaj që e ka quajtur ‘qeverisje të re’, por shihet qartë se pretendon të anashkaloj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë thirrje që të ecet përpara me formimin e Qeverisës së re, ‘Kurti 3’!
Përderisa e kemi të papërfunduar procesin e konstituimit të Kuvendit, nuk e kam as idenë më të vogël sesi mund të tubohet Kuvendi, kur Kushtetuesja e ka ndaluar çdo veprim të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë!
Veprimet e njëanshme të Albin Kurtit mund ta krijojë një situatë paradoksale dhe të palakmueshme, ku mund të merrë hov anarkia dhe padëgjeshmëria qytetare ndaj institucioneve shetërore.
Anarkia institucionale ka filluar me shkelje të përditshme të Kushtetutës në Parlamentin e Kosovës, e cila fare lehtë mund të përfundoj me trazira qytetare, prej të cilave mund të rrezikohet e arritura më e madhe e shekullit për shqiptarët-Pavarësia e Kosovës!
Një situatë të tillë e duan vetëm armiqtë e shqiptarëve, të Kosovës në veçanti, të cilët janë duke punuar ditë e natë për kthimin e Kosovës në vitet e ’90-ta, pa shtet dhe me institucione paralele! Që kjo të mos ndodhë, politikanët tanë duhet ta ndalin luftën për pushtet me njëri- tjetrin dhe të bëhen bashkë për interesin e shtetit të Kosovës.
Meqë për momentin kjo duket e pamundur, shqiptarët e Kosovës duhet të bashkohen rreth Alternativës Demokratike për Ndryshim (ADN), kësaj force politike në ngjizje e sipër, njëjtë sikurse në vitet e ’90-ta, për t’i hedhur në koshin e mbeturinave të gjitha partitë aktuale që e katandisen Republikën e Kosovës deri në këtë deregje, duke e vënë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit!
Me 7 shtator 2025
Kalendar -7 Shtator 1990: Kosova drejt Lirisë e Pavarësisë, Republikë me Kushtetutën e miratuar në Kaçanik



-Para 34 viteve, në 7 Shtator 1990, Kosova drejt Lirisë e Pavarësisë u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind, si dhe nga zgjedhjet e para pluraliste parlamentare dhe presidenciale të 24 Majit 1992/
-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në mesazhet e 7 Shtatorit -Viti 1998: Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Viti 2005: Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, Shtator 2024/ Para 34 viteve, në 7 Shtator 1990, Kosova u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, poashtu të vitit 1990, e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind dhe pjesëmarrjen masive 87,01% të 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.
Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale që pasuan, të 24 Majit 1992, atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.
Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federates. Ajo Kushtetutë ishte e para në historinë kushtetuese të Kosovës, ndërsa e dyta ishte ajo e 7 Shtatorit 1990.
“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli në një nga intervistat që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.
Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë: Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.
“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pakthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, është shprehur Ilaz Ramajli në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur të mbajtur nga 26 deri më 30 Shtator 1991.
Ndërsa në 30 vjetorin e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, Ramajli për median kosovare theksonte se ndonëse për shkak të rrethanave Kushtetuta e Kaçanikut nuk ka pasur mundësi të që të zbatohet plotësisht në territorin e Kosovës, ajo ka qenë njëra ndër aktet më të përparuara në regjion.
“Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpallur më 7 shtator 1990 u shndërruan me kohë në busullë të lëvizjes sonë paqësore politike dhe besoj se po këto akte kanë qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave. Mbështetur në Kushtetutën e Kaçanikut u organizua komplet jeta në Kosovë jashtë sistemit të Serbisë dhe mundësoi që shqiptarët e Kosovës dhe popujt e tjerë joserbë të organizojnë rezistencën e tyre jo të dhunshme e më vonë edhe luftën çlirimtare”, ka thënë Ramajli.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, prej vitit 2001 deri para 16 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.
Kosova para 16 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Ishte viti 2008 kur nga Kuvendi i Kosovës u miratua Kushtetuta – akti më i lartë juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 Qershor.
Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.
Zhvillimet më të rëndësishme brenda 16 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator që ishte ditë e përvjetorit të Kushtetutës së vitit 1990, ka miratuar amendamentimin e Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.
“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.
Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 16 viteve në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 117 shtete anëtare të OKB-së dhe njohja më e re është nga Izraeli, për të cilën delegacioni i Kosovës u njoftua derisa ishte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator 2020.
PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA: 7 SHTATORI 1990, THEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS
-Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës/
Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, vlerësonte se miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator të vitit 1990 shënonte aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Po risjellim dy mesazhe të Presidentit Rugova për 7 Shtatorin, të vitit të luftës 1998 dhe të vitit të lirisë 2005 – të fundit të Presidentit historik për ditën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:
VITI 1998: DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA ME RASTIN E 7 SHTATORIT
PRISHTINË, 7 Shtator 1998/ Me rastin e 7 Shtatorit – Ditës së miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës – Presidenti i Republikës Dr. Ibrahim Rugova dha një deklaratë në të cilën thuhet:
Pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik të vitit 1990, miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Kjo ngjarje e rëndësishme në historinë më të re të Kosovës, ka vënë themelet juridike e politike të shtetësisë së Kosovës.
Sot, tetë vjet pas miramitit të këtij akti të lartë, populli i Kosovës edhe pse në gjendje okupimi dhe i ballafaquar me ofensivat e egra të forcave serbe, me një vullnet të fortë po ndërton shoqërinë demokratike e civile në Kosovë. Dhe, përkundër vuajtjeve nëpër të cilat po kalon, ai është i përcaktuar që me mjete politike ta realizojë pavarësinë e Kosovës.
Në këto çaste të vështira që po përjeton, populli i Kosovës me përkrahjen dhe ndihmën e botës demokratike e sidomos të SHBA-ve dhe Unionit Evropian, do të dijë ta kapërcejë këtë gjendje të rëndë.
Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!
VITI 2005: PRESIDENTI RUGOVA U DREJTOI NJË MASAZH QYTETARËVE TË KOSOVËS ME RASTIN E 7 SHATORIT
PRISHTINË, 7 Shtator 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës me rastin e 7 Shtatorit, ditës kur para 15 vjetësh u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Kaçanik.
Në mesazhin e Presidentit Rugova thuhet:
Me rastin e 7 Shtatorit, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.
Dita e 7 Shtatorit e vitit 1990 është një ditë e rëndësishme në historinë tonë të re, sepse u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u bë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në korrik të po atij viti.
Kjo i vuri themelet e shtetit të Kosovës, që u vërtetua me Referendumin për pavarësi dhe hapi perspektiva për ndërtimin e jetës shtetërore demokratike.
Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës.
Presidentja Vjosa Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës

Vjosa Osmani
Më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës i dhanë jetë Kushtetutës së Kaçanikut, aktit më të lartë të guximit politik dhe besimit në lirinë dhe pavarësinë tonë.
Kjo Kushtetutë ishte shkëndija që mbajti gjallë shpresën dhe qëndresën, si dhe themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës.
Ky akt sublim ishte më shumë se një dokument juridik, ishte betim që Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur në mesin e kombeve të tjera të lira.
Sot, përulemi me nderim para atyre që guxuan atëherë kur duhej të rrezikonin gjithçka dhe me krenari vazhdojmë rrugën që ata trasuan.
Kosova nuk ka më kohë për iluzione – është koha e sovranitetit të plotë

Hill: ShBA-ja s’do të ndërhyjë më si dikur – Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin vetë problemet

(Radio Evropa e Lirë) – Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, nuk pret që SHBA-ja të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve në Ballkan, përfshirë kontestin mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka bërë në të kaluarën.
Sipas tij, ky rajon nuk është prioritet ditor për SHBA-në dhe zgjidhjet duhet të vijnë nga brenda.
“Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në Evropë, por njerëzit në Ballkan duhet të kuptojnë se në pjesë të tjera të botës, po ndodhin gjëra të tjera. Ndaj, nuk duhet të presin që njerëzit t’i lënë mënjanë problemet me të cilat po merren, qoftë në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, dhe të thonë: Në rregull, Kosovë, do të mundohemi të të ndihmojmë me këtë”, thotë Hill në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Ai thekson se Kosova duhet ta çojë përpara themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thotë se edhe Serbia ka punë për të bërë, por nënvizon se ajo është duke ndihmuar Ukrainën – prioritetin kryesor në Evropë, sipas tij.
“Fakti që po mundohemi t’i menaxhojmë disa nga interesat tona me Serbinë, nuk do të thotë që jemi kundër Kosovës. Ne kemi shumë interesa edhe në Kosovë”, thotë Hill.
BE-ja të angazhohet më shumë
Radio Evropa e Lirë: Ambasador Hill, jemi këtu në GLOBSEC 2025 në Pragë, ku tema kryesore janë siguria globale dhe përgjegjësia transatlantike. Si e shihni pozicionin e Ballkanit Perëndimor në strategjinë më të gjerë evropiane dhe çfarë roli mund të luajë Kosova në këtë kontekst?
Christopher Hill: Para së gjithash, mendoj se është shumë e qartë se Bashkimi Evropian e di se ka disa punë të papërfunduara, dhe se këto punë të papërfunduara janë në Ballkan. Mendoj se tani, ata [BE-ja] janë duke vlerësuar se si t’i përcaktojnë anëtarët e rinj. A t’i pranojnë një nga një, apo njëherazi? Ka shumë sfida dhe, sigurisht, janë duke marrë në konsideratë edhe çështjet e përafrimit.
Mendoj se Bashkimi Evropian duhet vërtet të angazhohet më shumë dhe të përfundojë disa punë të papërfunduara. Besoj se këtë po e shohim tani.
Radio Evropa e Lirë: Dje [12 qershor], këtu në GLOBSEC, thatë se është e vështirë të parashikohet politika e [presidentit amerikan, Donald] Trump, por unë prapë do të pyes: Çfarë lloj qasjeje duhet të presë Kosova nga administrata e tij e dytë?
Christopher Hill: Mendoj se do të ketë një përpjekje nga SHBA-ja për t’i nxitur vendet e Ballkanit që të fillojnë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Mendoj se koha kur vendet vinin te ne ose te ndonjë shtet perëndimor evropian për t’u ankuar për fqinjët e tyre, [ka mbaruar] dhe njerëzit janë lodhur nga kjo.
Dhe çështja kryesore, sigurisht, është se në botë po ndodhin edhe gjëra të tjera. Nuk jetojmë më në vitet 1990. Jemi në një epokë shumë ndryshe.
Sigurisht, e kuptojmë çështjen e Izraelit, problemin e madh me Iranin, që është enorm, çështjen e Gazës… dhe natyrisht për Evropën është çështja e Ukrainës dhe ajo që të gjithë po bëjmë për Ukrainën…
Ndaj, mendoj se koha kur një vend i Ballkanit vinte te ne për t’u ankuar për një vend tjetër të Ballkanit, [ka mbaruar], sepse njerëzit nuk kanë më kohë për këto gjëra. Ata duan të shohin modele bashkëpunimi brenda rajonit, dhe jo një vend që shkon te ndonjë anëtar i preferuar i komunitetit ndërkombëtar dhe i thotë: Na ndihmo!
Kosova dhe të gjitha vendet e Ballkanit t’i zgjidhin vetë problemet
Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara, historikisht, kanë qenë një nga aleatët kryesorë dhe më të fortë të Kosovës. A prisni që kjo të vazhdojë kështu, apo parashikoni ndonjë ndryshim në ton a prioritet?
Christopher Hill: Mendoj se, deri diku, kjo varet nga ajo që njerëzit në Kosovë duan të bëjnë. Mund të them se këto çështje në Ballkan janë shumë komplekse, por kompleksiteti i tyre e tejkalon interesin e njerëzve për t’i kuptuar.
Të shkosh në SHBA dhe të thuash: “I kemi të gjitha këto probleme me fqinjët tanë”, njerëzit do të përgjigjen: “Shikoni, të gjithë kanë probleme, zgjidhini vetë”.
Mendoj se pritjet janë që – pa pasur domosdoshmërisht ndërmjetës çdo ditë, pa u mbështetur gjithmonë në organizata joqeveritare apo miq – njerëzit të përpiqen vetë t’i zgjidhin problemet me fqinjët e tyre të afërt, sepse komuniteti ndërkombëtar, thjesht, është përqendruar në çështje të tjera.
Nuk po them që Ballkani nuk është i rëndësishëm. Siç e thashë, Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në Evropë, por njerëzit në Ballkan duhet të kuptojnë se në pjesë të tjera të botës, po ndodhin gjëra të tjera. Ndaj, nuk duhet të presin që njerëzit t’i lënë mënjanë problemet me të cilat po merren, qoftë në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, dhe të thonë: “Në rregull, Kosovë, do të mundohemi të të ndihmojmë me këtë”.
Kosova, ashtu si të gjitha vendet e Ballkanit, duhet vërtet të marrë përgjegjësi dhe t’i zgjidhë vetë problemet e saj.
Nuk mjaftojnë vetëm gjestet simbolike
Radio Evropa e Lirë: Së voni, Qeveria në detyrë e Kosovës ra dakord të strehojë përkohësisht deri në 50 migrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një marrëveshjeje për zhvendosje në një vend të tretë. Çfarë tregon ky veprim për afërsinë e Kosovës me interesat amerikane?
Christopher Hill: Mendoj se kjo tregon se Kosova ka interes të përafrohet me ShBA-në dhe të tregojë gatishmëri për ta ndihmuar atë në sfidat e saj.
Por, dua të theksoj se gjestet e tilla simbolike janë shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Megjithatë, duhet të shoqërohen me një qasje më të gjerë, e cila siguron se Kosova nuk është në listën e problemeve.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni në diçka konkrete?
Christopher Hill: Nuk kam diçka konkrete në mendje, përveç faktit që tashmë kanë kaluar mbi 25 vjet nga viti 1999 dhe duhet të them se e shoh si shumë zhgënjyese që është arritur kaq pak gjatë këtyre 25 vjetëve.
SHBA-ja më pak e angazhuar në Ballkan
Radio Evropa e Lirë: A prisni që Shtetet e Bashkuara të kenë një rol aktiv në lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, apo do të ishte më efektive të lihej BE-ja të udhëheqë?
Christopher Hill: Mendoj se ShBA-ja, prej vitesh, ka thënë se kjo është një çështje që, realisht, duhet ta zgjidhin evropianët. ShBA-ja ka pasur një të dërguar të posaçëm për disa vite, por, në rrethanat aktuale, do të prisja një angazhim më të kufizuar të drejtpërdrejtë, krahasuar me të kaluarën.
Prandaj, mendoj se ideja që ShBA-ja të jetë e përfshirë plotësisht çdo ditë në Ballkan, do të ndryshojë shumë. Do të shihni interesa biznesore të ShBA-së në Ballkan, do të ketë edhe aktivitete diplomatike, pa dyshim. Por, nuk do të prisja që SHBA-ja të ndërhynte dhe të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të njerëzve. Njerëzit do t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.
Radio Evropa e Lirë: Keni thënë më herët se Qeveria e Kosovës mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për mungesën e përparimit në dialog. Për cilat veprime ose vendime specifike e kishit fjalën?
Christopher Hill: Kur mendoj për përgjegjësitë për adresimin e gjërave, mendoj në Marrëveshjen drejt normalizimit – të ashtuquajturën Marrëveshje e Ohrit – e cila mendoj se është një marrëveshje shumë e drejtë, e punuar me shumë kujdes me ndihmën e zotit [Mirosllav] Lajçak [ish-i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi].
Dhe, është mjaft zhgënjyese që nuk arrijmë të kuptojmë apo nuk arrijmë në pikën ku biem dakord për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ai bllokohet me çështje që janë më shumë propagandistike sesa reale, si për shembull: kush ka nënshkruar çka, dhe ngjashëm…
Ne duhet ta shohim atë marrëveshje të realizuar plotësisht dhe pjesë e saj është edhe ideja që serbëve në veri të Mitrovicës t’u garantohet një autonomi e kufizuar. Bëhet fjalë për një asociacion që merret me çështje si arsimi dhe spitalet, pra tema të kësaj natyre.
Modele të tilla ka në gjithë botën, sidomos në Evropë. Dhe, që kur kryeministri i atëhershëm [i Kosovës, Hashim] Thaçi e ka nënshkruar atë, ajo është dashur të zbatohet.
Pra, kjo është një çështje, por nuk po them se vetëm Kosova ka probleme. Edhe vendet e tjera, përfshirë Serbinë, duhet ta bëjnë pjesën e tyre.
Por, konkretisht, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, Kosova duhet të përqendrohet tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe të vazhdojë përpara prej aty. Serbia nuk po e sfidon territorin e Kosovës. Në fakt, të gjithë njerëzit në Ballkan flasin për territor, flasin për tokë. Por, problemi i vërtetë në Ballkan, që njerëzit duhet ta kuptojnë, nuk është toka – janë njerëzit.
Është çështje e thjeshtë: A duan njerëzit në Ballkan të qëndrojnë aty, apo duan të largohen diku tjetër? Deri më tani, vazhdon të ketë një valë emigrimi. Nuk është çështje toke – tokë ka mjaft. Problemi është nëse njerëzit duan të jetojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre në Ballkan.
Flasim për normalizim, jo për njohje të ndërsjellë
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Serbia po bën mjaftueshëm [për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën]?
Christopher Hill: Mendoj se të gjithë kanë përgjegjësi. Por, koha kur të huajt thoshin ‘po bëni mjaft’ apo ‘nuk po bëni sa duhet’ [ka kaluar] – nuk do të hyj në atë debat. Besoj se secili e di mirë se çfarë duhet të bëjë.
Radio Evropa e Lirë: Në vitin 2021 keni thënë se njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë do ta zhbllokonte potencialin evropian të Serbisë…
Christopher Hill: Nuk mendoj se e kam thënë unë këtë. Mendoj se e ka thënë dikush tjetër. Ne nuk kemi folur për njohje të ndërsjellë, kemi folur për normalizim. Kjo është ajo që është në tryezë.
Radio Evropa e Lirë: Më herët ka qenë njohja e ndërsjellë…
Christopher Hill: Po flasim për normalizimin. Ky ka qenë pozicioni i BE-së dhe ne e kemi mbështetur BE-në në këtë.
Radio Evropa e Lirë: Gjatë kohës sa keni qenë ambasador në Serbi…
Christopher Hill: Sërish, dua të jem shumë i qartë për këtë. Kjo nuk ka të bëjë me slogane… Nuk është çështja se kush më pëlqen dhe kush jo. Kjo ka të bëjë me përpjekjen për t’i zgjidhur problemet. Mendoj se Bashkimi Evropian ka paraqitur një propozim shumë serioz në Ohër, dhe kjo është çështja në tryezë që duhet të trajtohet.
Radio Evropa e Lirë: Vëzhguesit në rajon, veçanërisht në Kosovë, e kanë parë qasjen tuaj si tepër të favorshme ndaj presidentit serb [Alleksandar] Vuçiq. Si do t’iu përgjigjeshit?
Christopher Hill: Qasja ime është të veproj sipas mënyrës se si Qeveria e ShBA-së dëshiron që çështjet të trajtohen. Ne kemi shumë interesa në Serbi që nuk kanë të bëjnë fare me Kosovën.
Serbia ka ndihmuar në çështjen e Ukrainës dhe ne duam që ky bashkëpunim të vazhdojë. Por, fakti që po mundohemi t’i menaxhojmë disa nga interesat tona me Serbinë, nuk do të thotë që jemi kundër Kosovës. Ne kemi shumë interesa edhe në Kosovë.
Prandaj, do të isha i kujdesshëm me idenë që fuqitë e mëdha po zgjedhin mes vendeve. Ne nuk jemi të interesuar për këtë. Duam që situata të qetësohet. Mendojmë se qasja e Bashkimit Evropian ishte e drejtë dhe do të dëshironim që kjo qasje të ndiqej.
Serbia po ndihmon Ukrainën
Radio Evropa e Lirë: Nëse nuk gaboj, në vitin 2021, ju gjithashtu keni thënë se ShBA-ja duhet t’i tregojë Serbisë se ajo ofron një alternativë më të mirë se Rusia dhe Kina. Por, a ka depërtuar ky mesazh? Sepse, ne vazhdojmë të shohim marrëdhënie të forta midis Serbisë dhe këtyre dy vendeve. Gjithashtu, së voni, Vuçiq ishte në Moskë…
Christopher Hill: Edhe më vonë, Vuçiqi ishte në Ukrainë…
Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se politika e tij e balancimit është, në fakt, e suksesshme?
Christopher Hill: Do të duhet ta pyesni vetë atë. Unë nuk jam këtu për të kritikuar politikat e tij. As nuk jam këtu për të kritikuar politikat e Kosovës.
Nga këndvështrimi i ShBA-së, ne duam që vendet të jenë ndihmuese në çështjet kryesore të kohës sonë.
Çështja kryesore në skenën evropiane në këtë moment është Ukraina. Vendet që janë të gatshme ta ndihmojnë Ukrainën dhe të bashkëpunojnë me të, janë vendet me të cilat ne dëshirojmë të punojmë.
Por, siç e dini, këto janë çështje praktike me të cilat të gjithë duhet të përballemi. Ta bësh Ukrainën një çështje dytësore në raport me problemet më të vjetra, mendoj se është gabim dhe nuk e kap thelbin e çështjes.
Jetojmë në një moment shumë të rrezikshëm në botë dhe Ukraina është një nga ato çështje që duhet të trajtohet me urgjencën më të madhe. Serbia po bën disa hapa në këtë drejtim, prandaj, natyrisht, do të punojmë me Serbinë.
Radio Evropa e Lirë: A jeni befasuar nga vizita e Vuçiqit në Moskë?
Christopher Hill: Më vjen keq, ka ndodhur pas largimit tim. Unë jam larguar nga Beogradi në janar. Mendoj se është parashikuar nga disa njerëz. Janë disa arsye për këtë.
Por, sërish, mendoj se kjo nuk është gjëja për të cilën duhet të shqetësohemi. Ajo që duhet të na shqetësojë, është se kush po e ndihmon Ukrainën dhe kush jo.
Radio Evropa e Lirë: Për t’iu kthyer Kosovës… Aktualisht, Kosova po përballet me një vakum të zgjatur institucional pas zgjedhjeve dhe është në pritje të formimit të udhëheqjes së re parlamentare. Nga këndvështrimi juaj, sa i dëmshëm është ky vakum – si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë të besueshmërisë së Kosovës si partnere ndërkombëtare?
Christopher Hill: Do të thosha që secili e ka politikën e vet. Ne kemi politikën tonë. Politikat tona kanë qenë shumë të ashpra dhe të vështira në muajt e fundit. Pra, nuk jam këtu për të kritikuar Kosovën. Do të duhet të arrijnë një marrëveshje bazuar në atë që mund të pranojnë palët. Nuk është e lehtë.
Unë nuk jam këtu për të kritikuar Kosovën në këtë drejtim. Natyrisht, Kosova duhet të formojë një qeveri. Duhet të ketë stabilitet në qeveri. Por, le ta zgjidhë vetë Kosova këtë çështje. Nuk është puna ime të merrem me këtë ose të shpreh opinionet e mia mbi këtë. /REL






