





(Intervistë ekskluzive)
1. Pyetje: Si fillim, profesor, dy fjalë jo dhe aq “zyrtare” për lexuesit e këtij edicioni, kush është Isak Ahmeti në trinomin:shkrimtar, studiues dhe profesor?
Përgjigje:
Isak Ahmeti, biri i Marisë dhe Gjergjit, u lind më 25.03.1946 në fshatin Stubëll, Komuna e Vitisë(Kosovë). Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, Viti dhe Zhegër.Pas studimeve klasike në Kolegjin prestigjioz të Jezuitëve në Dubrovnik, përkatësisht pas maturimit në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, ndoqi studimet për filozofi dhe teologji në Kroaci. Më pas ka kryer edhe Fakultetin Filozofik, degën e Albanologjisë, ku edhe është lauruar duke marrë titullin: profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Ka realizuar qëndrime specializimi në Itali dhe Gjermani.
1. Gallatea, poezi, Rilindja, Prishtinë 1972,
2. Uratë zbulimi, poezi, Rilindja, Prishtinë 1976,
3. Kushtimebesë, poezi, Rilindja, Prishtinë 1983,
4. Njeri i kohës sime, poezi të Salvatore Quasimodos, përkthim nga italishtja, Rilindja, Prishtinë 1979,
5. Qumështi i zi i agimit, antologji e lirikës së re gjermane, Rilindja, Prishtinë 1988,
6. Kleri Katolik Shqiptar dhe Letërsia, SHB “Drita”, Ferizaj-Bergamo (Itali), 1994,
7. Kosova, monografi, Cenzor Imzot Nikë Prela, Prishtinë 1996,
8. Bibla në Letërsinë Shqiptare, G.Rilindja, 1999,
9. Letërsia Kishtare dhe Filozofia e saj, Illyricum Sacrum, Prishtinë 2000,
10. Weise Zeit (Kohë e bardhë), poezi gjermanisht-shqip, Botues “Shtjefën Gjeçovi”, Zym -Has, 2000,
11. Kur’ani në Letërsinë Shqiptare, botim elektronik, 2006 (Shkoder.net),
12. Mëvetësi e studimit dhe krijimit të letërsisë, ShB “Faik Konica”, Prishtinë 2014, dhe
13. Vepra vlerash të mëdha poetike, Qasje disa veprave të Anton Nikë Berishës, ShB “Faik Konica”, Prishtinë 2018.
Përveç këtyre veprave, autori në fjalë ka botuar, gjithashtu, nëpër revista letrare dhe shkencore (në Prishtinë, në Shkup, në Zagreb, në Sarajevë, në Shkodër, në Tiranë etj.), mbi 200 njësi bibliografike (artikuj, kritikë letrare, vështrime, recensione dhe studime nga fusha e letërsisë, filozofisë dhe kulturës).
Poet, përkthyes i afirmuar letrar nga gjuha italiane, gjermane, spanjole dhe latine dhe studiues, Isak Ahmeti është përfaqësuar në shumë publikime të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit. Është përfaqësuar edhe nëpër bibliografi të ndryshme të kritikës letrare shqipe (në Prishtinë, Tiranë etj.). Për veprën e tij kanë shkruar me dhjetëra e dhjetëra autorë, shqiptarë dhe të huaj; ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë objekt studimi dhe observimi si dhe pikë referimi për shumë.autorë shqiptarë dhe të huaj.
Isak Ahmeti është laureat i shumë mirënjohjeve dhe çmimeve, edhe i Çmimit prestigjioz “Ndre Mjeda” i Qendrës Muzeore “Nde Mjeda” në Kukël dhe Qe drës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, me motivacionin “Studiues i letërsisë shqipe, i dalluar për kërkimet shkencore rreth jetës dhe veprës së Ndre Mjedës” (Kukël, 23 nëntor 2013).
Përveç si profesor i dalluar i Gjuhës dhe letërsisë Shqipe (për tri e më tepër dekada), Isak Ahmeti ka ushtruar edhe një varg funksionesh shoqërore-politike dhe së fundmi edhe si kryetar i Komunës së Vitisë (1988-1989).
Është anëtar i LSHK që nga viti 1972 (shek. XX) dhe anëtar aktiv i Akademisë Evropiane të Arteve me seli në Paris.
2. Pyetje: Ne kemi sendërtuar një libër me intervista ku fokusohet Mirdita, në zhvillimet e veta historike, natyrisht në raport dhe me trevat e tjera shqiptare fqinje apo të ngjashme për nga zakonet e tradita?
Çfarë është ky emër dhe kjo krahinë për Ju?
Përgjigje:
Mirdita si trevë, si regjion, për mua personalisht, por, besoj, edhe për shumë autorë shqiptarë dhe të huaj, ka qenë dhe ka mbetë një Shqipëri ndër shekuj, që ka jetuar jetën në mënyrën e vet më autentike, duke e ruajtur identitetin e mëvetësishëm, qoftë atë etnik, shpirtëror, kulturor dhe kombëtar. Si trevë interesante dhe me shumë vlera të pamohueshme etno-kulturore, Mirdita, me qendër në Orosh, është një krahinë nga më qendroret e shtetit të Arbërit, ajo ka mbetur zona më aktive në gjithë vendin për kryengritjet kundër Perandorisë Osmane dhe për pavarësinë e vendit.
Mirdita dhe mirditorët zënë një vend të spikatur edhe në letërsinë kombëtare, ajo me shekuj ka qenë shtyllë edhe e katolicizmit dhe mbrojtëse e identitetit kombëtar, ka qenë qendër e qëndresës popullore shqiptare, ka qenë dhe ka mbetur minierë e pashterur vlerash kulturore. Ajo, siç e ka vlerësuar edhe Gjokë Beci, ka qenë dhe është jetë, edhe ar edhe art, madje mirditori gjatë shekujve ka kultivuar shpirtin e tij prej artisti. Vlen të thekdohet këtu, madje në mënyrë shumë të veçantë, se Mirdita ka dhënë një lagje të tërë personalitetesh të njohura, një plejadë humanistësh shqiptarë që kanë dhënë një ndihmesë të çmueshme për Rilindjen Evropiane-italiane veçmas.
Shquhen Gazullorët, Xhovani, Pauli dhe Andrea Gazulli, të cilët, siç dihet tashmë, njëri pas tjetrit, ishin ambasadorë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (1405-1468) në Republikën e Raguzës (Dubrovnikut) për vite të tëra. Mos të harrojmë këtu të përmendim edhe Papën shqiptar, Klementi XI, që ishte nga Laçi. Janë këta emra të njohur në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Për më tepër, Mirdita, si një univers, është pasqyruar në mënyrë dinjitoze në veprën enciklopedike “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën” të autorit Gjon Marku, ku përmes 61 figurave të intervistuara, përmes intervistave të tyre, parakalon historia dhe kultura e trevës së Mirditës ku kanë sunduar princë nga Dera e njohur e Gjomarkajve; aty parakalojnë figura të njohura që i kanë dhënë emër kësaj krahine nga më të njohurat në Shqipëri dhe më gjerë si Zef Mirdita, Kolë Jakova, Atë Zef Pllumi, Jup Kastrati, Ismet Elezi, Ahmet Osja, Mark Krasniqi, Mikel Prenushi, Pjetër Arbnori, Don Lush Gjergji, Aleksandër Meksi etj. deri tek më të rinjtë të cilët, siç e ka vënë re edhe studiuesi Vlash Prendi(te libri Shtigjeve të traditës dhe kulturës sonë, fq. 196), po e ngrejnë emrin, dinjitetetin dhe kulturën e kësaj treve në lartësi të reja, si Ndue Dedaj, Gjon Marku, Mark Gjoka, Frrok Çupi, Mark Marku, Gjokë Beci, Viktor Gjikolaj, Nikollë Loka etj.
3. Pyetje: Si dhe sa ka mbërritur te Ju jehona e ngjarjreve historike të kësaj krahine, e cila dy-tre shekujt e fundit udhëhiqej nga Kapidani i Mirditës, po që kishte dhe një Abaci mjaft të hershme në Orosh, që për tridhjetë vite është drejtuar nga Abati Prend Doçi “Nderi i Kombit”, poet nismëtar i Rilindjes, kryesues i Shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër, pra me një vepër me rrezatim kombëtar?
Përgjigje:
Gjatë qëndrimit tim katërvjeçar për studime klasike në Kolegjin prestigjioz të Jezuitive në Dubrovnik (vitet e 60-ta, shek. XX), më pat ra në dorë libri: Lule, i autorit austriak, Fabian Barcata, libër ky që me pat fascinuar tej mase. Që atëherë e deri më sot, me shumë interes dhe përkushtim, kam lexuar një literaturë të pasur, por të përzgjedhur, ku ishin përshkruar ngjarjet historikr të krahinës së Mirditës. Kjo krahinë, e udhëhequr dy-te shekujt e fundit nga Kapidani i Mirditës, kishte edhe një Abaci, mjaft të hershme, në Orosh, të cilën, siç.dihet, për disa dekada e drejtoi Abati Prend Doçi “Nderi i Kombit”, por edhe poet nismëtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe kryesues i Shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër.
Imzot Prend Doçi, të cilin e kam përfaqësuar mjaft denjësisht te libri im: Kleri Katolik Shqiptar dhe Letërsia, botues “Drita” Ferizaj-Bergamo, 1994, njihet edhe si organizator i një kryengritjeje, në bashkëpunim me Derën e Gjomarkajve, që të fitonte indipendencën e popullit shqiptar. Por kryengritja në fjalë, siç dihet, u shtyp dhe Imzot Prend Doçi u zu rob dhe u internua në Turqi, ku kaloi një pjesë të madhe të jetës së tij. Mirëpo edhe në arrati ai do zhvillojë një veprimtari të jashtëzakonshme.
Është ky kleriku shembullor që, në mënyrë të organizuar, sipas shembullit të Pjetër Bogdanit, luftoi me armë, me fjalë e penë për pavarësinë e Atdheut. Shembullin e Abatit të Mirditës do ta ndjekin edhe klerikë të tjerë si Dom Prend Suli, Dom Zef Skana, Dom Nikollë Kimza etj., e së voni edhe Pater Ambroz Marlaskaj, dijetar mirditas i niveleve evropiane, doktor filozofie, që, fatkeqësisht, u la gjatë në hije të plotë.
Le të theksojmë ketu edhe faktin se Imzot Doçi ishte i pari që themeloi një shkollë e një konvikt për djelmoshat mirditorë për t’i edukuar me ndjenjën e patriotizmit e të kulturës. Ai nuk hapi shkollë fetare, por një shkollë që t’ i shërbente popullit të Mirditës, dhe jo vetëm atij, për të zhvilluar kulturën e domosdoshme për atë kohë-thotë At Zef Pllumi.
4. Pyetje:
Konkretisht në Kongresin e Manastirit (1908) fitoi pikërisht Alfabeti i “Bashkimit” në Shkodër, për rrjedhim dhe i vetë Doçit? A mendoni se i është dhënë vendi i merituar në studimet shqiptare Kongresit të Alfabetit.
Përgjigje:
Shumë e saktë. Në Kongresin e Manastirit (1908), që ndryshe quhet edhe Kongresi i Alfabetit, fitoi pikërisht Alfabeti i “Bashkimit” për rrjedhim, siç thuani edhe ju, i vetë Doçit. Ekziston një literaturë e tërë, ndonëse jo e mjaftueshme, për këtë ngjarje historike, që kishte të bënte me unifikimin e një alfabeti të gjuhës shqipe.Në këtë Kongres u aprovua, fatbardhësisht, alfabeti me shkronja latine, që do provokojë, më pastaj, myslimanët injorantë e konservativë të asaj kohe.
Dihet tashmë se për këtë Kongres janë bërë mjaft shkrime, shpesh të njëanshme e me ngjyra ideologjike, janë edhe dy publikime të veçanta, njëri: Kongresi i Manastirit (Tiranë, 2004) i Shaban Demirajt &Kristaq Prifit dhe tjetri: A. Buda: Alfabeti i Gjuhës Shqipe dhe Kongesi i Manastirit, studime, materiale, dokumente (Tiranë, 1972), etj. Pavarësisht kësaj, mendoj unë, akoma nuk i është dhënë vendi i merituar në studimet shqiptare Kongresit të Manastirit.
Le të shpresojmë se studiuesit dhe historanët tanë të gjeneratave të reja, të çliruar nga paragjykimet ideologjike, do i japin një vend më të rëndësishëm dhe më meitor këtij Kongresi, ku rolin kryesor e pati At Gjergj Fishta, Homer shqiptar, që ishte i anatemuar për pesë dekada !…
5. Pyetje:
Shqiptarët janë përballur me një problem të madh në këto njëqind e ca vite, me përpjekjet sllave për asimilimin kulturor të popullsisë shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj., ku dhe sot e kësaj dite nuk ka një qarkullim kulturor të mjaftueshëm të librit, filmave, koncerteve, panaireve, ekspozitave, të turizmit etj. Jemi i vetmi popull në botë që ndahemi me kufinj të ndryshëm mes veti, që edhe më tej mbetet problemi i pazgjidhu i identitetit?Cili është opinioni Juaj?
Përgjigje:
Shqiptarët, para se të përballeshin me përpjekjet sllave për asimilimin e tyre kulturor, ishin përballur me sundimin e egër pesëshekullor osman. Pavarësisht kësaj të zeze sllave dhe osmane veçmas, shqiptarët kanë arritur të mbijetojnë si popull, si komb. Madje ata sot kanë dy shtete në Ballkan, janë këto Shqipëria dhe Kosova, por që, fatkeqësisht, nuk po arrijnë dot të integrohen mes veti as në sferën kulturore as në sferën ekonomike e lëre më në BE! As sot e kësaj dite nuk ka një qarkullim normal, mes këtyre dy shteteve, të librit, filmave, teatrove etj. Ende kemi paragjykime dhe bariera!… Fajtor kryesor jemi ne vetë, faktori shqiptar, institucionet tona edhe andej edhe këndej, që janë kapur nga njerëz të papërgjegjshëm dhe të pandërgjeshëm, dhe injorantë!…
Problemi i identitetit? Për çfarë identiteti është fjala? Ne kemi identitetin kombëtar shqiptar që është toka, gjuha, gjaku, historia, tradita. Kombi shqiptar ngrihet mbi gjakun shqiptar… Por ka zëra, kohët e fundit, që thonë se pavarësia e Kosovës, si një projekt sui generis, do mund të ndikonte në thellimin e dallimeve në mes “Shqiptarëve” dhe “Kosovarëve”. Mirëpo, mendoj unë, dhe, besoj, kam të drejtë kur themi se identiteti i shqiptarëve dhe kultura e tyre në pëgjithësi janë më të gjera se kufijtë e shtetit-shteteve shqiptare dhe kjo thjeshtë në kuptimin figurativ, pasi kultura e një populli është më e madhe se kufijtë shtetërorë.
6. Pyetje:
Ju jeni studiues i njohur i poetit mirditas Ndre Mjeda qysh heret kur për të ishin të pakta studimet dhe publikimet. A mund të risillni të përmbledhur në kuadrin e kësaj interviste?
Përgjigje:
Duke u marrë me jetën dhe veprën e N. Mjedës kisha vërejtur një nivel të ulët të studimeve, edhe ato që ishin bërë kishin ngjyrë ideologjike. Diçka më tepër, sipas mjedologut Mentor Quku, kishin bërë disa shkrimtarë dhe shkenëtarë të kategorisë së parë si Dh. S. Shuteriqi, Vehbi Bala, Jup Kastrati, Mark Gurakuqi, Rexhep Qosja, Milazim Krasniqi, Isak Ahmeti, Sabri Hamiti e ndonjë tetër.Por edhe kjo ishte pak, jo e mjaftueshme. Me dekada ishte neglizhuar dhe keqinterpretar, në mënyrë të pajustifikueshme, figura dhe vepra e N. Mjedës. Të çoroditur nga pasionet e kohës, apo nga pamja e një prifti të humbur fshati, ne shqiptatët kishim bërë shumë faje ndaj këtij kolosi të kulturës shqiptare.
Ndryshe nga ata që ishin të influencuar nga ideologjia marksiste-leniniste dhe nga soc-realizmi dhe nga ata që që e kishin neglizhuar dhe sharë Ndre Mjedën, unë shkrova dhe botova artikuj dhe studime ku, në një frymë krejtësisht të re, moderne dhe evropiane, duke rivlerësuar dhe çmuar atë si një gjeni në kulturën shqiptare. Duke u nisur nga kritere artistike dhe estetike, e kam vlerësuar atë si poetin dhe klasikun më të madh në letrat shqipe. E kam vlerësuar atë, madje unë për herë të parë, edhe si përkthyes të përkryer të poezisë së Gëtes në shqip.
Në një frymë krejtësisht ndryshe nga të tjetët e kam vlerësuar artin e Mjedës. Dhe në këtë drejtm, besoj, kam dhënë një kontribut të veçantë. Shi për këtë kontribut rreth artit të Mjedës, Qendra Muzeore “Ndre Mjeda” në Kukël dhe Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë më ka ndarë Çmimin-Diplomën “Ndre Mjeda” me motivacionin “Studiues i letërsisë shqipe, i dalluar për kërkimet shkencore rreth jetës dhe arti të Mjedës” (Kukël, me 23 nëntor 2013).
7. Pyetje:
Po për letërsinë e sotme të autorëve mirditorë, e cila është shumë më e larmishme në poezi dhe prozë, çfarë mund të na thoni, nëse keni mundur të jeni sadopak në kontakt me botimet e pas 90-tës?
Përgjigje:
Letërsia e sotme e autorëve mirditorë përditë e më shumë po pasurohet me vlera të reja , me botime të reja. Ajo, në bazë të kontakteve dhe njohurive që kam, është shumë më e pasur dhe më e larmishme në poezi dhe prozë. Kam njohuri se kohët e fundit janë bërë botime të rëndësishme dhe me vlera shumëdimensionale nga autorë mirditorë si Pal Doçi, Nikollë Toma, Gjon Marku, Mark Tirta, Pjetër Marku etj. Disa nga shkrimtarët e njohur mirditorë si Ndue Dedaj, Gjon Marku, Vlash Prendi etj. i njoh personalisht, e njoh veprimtarinë e tyre letrare, shkencore dhe publucistike si dhe angazhimin e kontributin e tyre në letrat shqipe. Për këta autorë kam një konsideratë të veçantë, madje edhe kam shkruar për ta.
8. Pyetje:
Cila ka qenë njohja dhe marrëdhënia juaj me mirditorët, me ata të rrafshit të letërsisë, studimeve në eksperiencat sidomos me ata që e lidhen aktivitetin e tyre me Kosovën si Anton Çetta, Zef Mirdita, Gjergj Rrapi, Lush Culaj etj.?
Përgjigje:
Kam pasur fatin që Anton Çettën dhe Zef Mirditën t’i kem pasur profesorë gjatë studimeve në Fakultetin Filozofik dega e Albanologjisë, ku Zefi më ka ligjëruar lëndën e latinishtës ndërsa Antoni Letërsinë e Vjetër Shqipe. Më vonë me ta kam pasur raporte shumë miqësore por edhe raporte të frytshme bashkëpunimi. Ishin shumë të përkushtuar dhe të dashur tek studentët. Kam një konsideratë të veçantë edhe për njërin edhe për tjetrin veçmas për kontributin e tyre në lëmin e shkencës e të kulturës shqiptare në Kosovë dhe më gjerë. Kam njohur edhe Gjergj Rrapin dhe Lush Culajn, me të cilët nuk kam pasur raporte bashkëpunimi. Por e njoh dhe çmoj lart kontributin e tyre në shkencë dhe për Kosovën.
9. Pyetje:
Ju keni në dorë librin “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”? Cili është opinioni juaj për këtë botim dhe sa ai i kontribuon kulturës dhe historisë së Mirditës, studiuesve në të ardhmen?
Përgjigje:
Këto vitet e fundit, në bazë të njohurive që kam, kam vërejtur se dita-ditës janë shtuar dhe po shtohen botimet për Mirditën, të shkruara nga autorë mirditorë. Po përmendi me këtë rast edhe botimet që i kam pasë në dorë si Toka e Katedraleve, të Ndue Dedajt, Ndërfana, të Gjon Markut, Krenaria, të Nikoll Tomës e të ndonjë tjetri, të cilët i çmoj lart. Por vepra, do thoja enciklopedike, për Mirditën është: Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën , Tiranë 2009, fq. 747, e autorit Gjon Marku, shkrimtar, studiues, publicist dhe gazetar i njohur.
Në këtë vepër që është vlerësuar afirmativisht nga shumë autorë dhe studiues, edhe nga unë në një shkrim të veçantë, Gjon Marku ia ka arritur të përjetësojë vlerat e Mirditës duke iu dhënë vendin e merituar si vlea kombëtare. Në hulumtimet e tij, ai i ka trajtuar shumë nga këto pasuri që i ofron krahina e Mirditës. Po ai këto i sjell, me shumë mençuri e pedantëri, nëpërmjet dëshmive të të tjerëve duke u bërë kështu dëshmitar i gjithë kësaj pasurie kulturore, prandaj në përzgjedhjen e personaluteteve, që ka intervistuar, është treguar elitar.
Krejt në fund le të theksojmë se ky libër është një kontribut shumë i çmueshëm për ndriçimin e historisë së Mirditës dhe si i tillë do t’u shërbejë tej mase studiuesve në të ardhmen.
Në Durrës, maj 2018.
UNITED STATES – Texas State Capitol building in Austin, Texas. (Photo By Bill Clark/CQ Roll Call)

Nga Frank Shkreli
Dhoma e Përfaqsuesve e shtetit Texas miratoi të mërkurën e kaluar projekt-ligjin sipas të cilit shkollat publike të atij shteti duhet të mësojnë nxënsit dhe studentët — nga fillorja deri në mbarim të shkollës së mesme — mbi krimet e komunizmit ndërkombëtar. Ky projektligj ishte aprovuar marsin që kaloi nga Senati i shtetit Teksas me 28-3 vota dhe javën që kaloi Dhoma e Përfaqsuesëve e këtij shteti miratoi projektligjin me vota dërmuese, 119 në favor, ndërsa 13 demokratë votuan kundër. Projektligji i dërgohet tani Governatorit republikan të shtetit Teksas,Greg Abbot, i cili sipas medias lokale atje, pritet ta nënshkruaj duke e bërë këtë ligj detyrues për të gjitha shkollat publike në Teksas. Detyron ndryshimin e programeve aktuale mësimore për klasët 4-12 me qëllim që të kuptohet më mirë historia kriminale e “komunizmit dhe ideologjive”, që siç u shpreh zëvëndës governatori i atij shteti, Dan Patrick, një ligj i tillë ishte i nevojshëm, “ashtuqë historia të mos përsëritet më”.
Mediat njoftojnë se Bordi Shtetëror i Arsimit të Teksasit do të këshillohet me viktimat e komunizmit për të bërë ndryshimet e nevojshme në programet e mësimit për klasët 4-12-vjeçares. Miratimi i këtij projektligji nga dy dhomat legjislative të Teksasit është në vazhdën e shumë përpjekjeve të tilla, viteve të fundit, nga disa shtete amerikane për të njohur, zyrtarisht, publikun dhe politikën amerikane mbi krimet e komunizmit dhe për të kujtuar viktimat e komunizmit anë e mbanë botës. Frank Shkreli: Florida përforcon me ligj standardet shtetërore të edukimit mbi rreziqet, krimet dhe të këqiat e komunizmit | Gazeta Telegraf. Por jo vetëm shtete individuale të Amerikës, por edhe Kongresi amerikan i është bashkuar kësaj lëvizjeje për të denoncuar komunizmin si ideologji dhe për të kujtuar viktimat e tij. Frank Shkreli: Kongresi i Shteteve të Bashkuara denoncon tmerret e socializmit | Gazeta Telegraf.
Këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është Fondacioni i Viktimave të Komunizmit (Victims of Communism Foundation), organizata kryesore që promovon, lobon dhe mbështet – në nivel shtetëror dhe federal – që zyrtarisht të dënohen krimet e komunizmit dhe të kujtohen miliona viktimat e pafajshme të atyre regjimeve, anë e mbanë botës. Për fat të mirë, komuniteti shqiptaro-amerikan dhe viktimat e komunizmit në Shqipëri kanë një zëdhënse të fortë, shumë të aftë si Këshilltare e Fondacionit, Elida Dakoli, pianiste e njohur botërisht, autore, profesoreshë, aktiviste e të drejtave të njeriut, sipërmarrëse dhe aktiviste kundër krimeve të komunizmit këtu në Shtetet e Bashkuara.
Shqiptaro-Amerikanja Elida Dakoli, D.M.A.Dr. rrjedhë nga një familje, politikikisht, e përsekutuar nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës. Ajo është stërmbesa e Avokatit Hysen Myshketa, një nga themeluesit e Parlamentit të parë Shqiptar në vitin 1921 dhe një mbështetës i flaktë i demokracisë shqiptare në kohën kur ai jetoi e veproi. Pas vrasjes së tij nga regjimi komunist, familja e Elida Dakolit u persekutua për bindjet e tyre politike anti-komuniste, pro-demokracisë. Sadik Dakoli, gjyshi i saj nga babai, është vrarë edhe ai në kampet komuniste. Elida ka deklaruar se persekutimet ndaj anëtarëve të familjes së saj kanë vazhduar me dekada dhe ndonëse kanë kaluar 35-vite të ashtuquajturit tranzicion nga regjimi komunist në “demokraci”, ende nuk dihet se ku i kanë varret familjarët e saj, të vrarë nga komunizmi. Për më shumë hollësi mbi historinë e vuajtjeve të familjes Dakoli mund të lexoni në portalin Kujto.al: Elida Dakoli: Një histori përndjekjeje, e shoqëruar në piano – kujto.al | Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri. Si aktiviste e palodhur anti-komuniste në Shtetet e Bashkuara, Elida Dakoli nuk pushon së kërkuari drejtësi për familjarët e saj të vrarë nga komunizmi enverist. Si anëtare e lidershipit të Fondacionit të Viktimave të Komunizmit, me qëndër në Washington, Elida Dakoli — Elida Dakoli, D.M.A. | Victims of Communism Memorial Foundation – është në krye të përpjekjeve për të dënuar krimet e komunizmit ndërkombëtar, përfshir viktimat e komunizmit në Shqipëri, dhe për të kujtuar ato viktima, me moton që ato krime të mos përsëriten më. Prandaj Elida Dakoli i është bashkangjitur ndoshta organizatës më të njohur anti-komumiste në Amerikë, Fondacionit të Viktimave të Komunizmit, në përpjekjet për të informuar politikën dhe publikun e gjërë në Shtetet e Bashkuara për krimet e komunizmit ndërkombëtar, anë e mbanë botës, pjesë e të cilës, natyrisht, janë edhe krimet e regjimit komunist ndaj kundërshtarëve të tij politikë në Shqipëri, por jo vetëm.

Po e ve në dukje rolin e Elida Dakolit dhe përpjekjet e saja për të edukuar publikun dhe politikën amerikane mbi krimet e komunizmit në Shqipëri dhe në botë – duke e lidhur punën e saj të palodhur disa vjeçare në këtë fushë, drejtë për drejtë, me vendimin që mori javën e kaluar legjislatura e shtetit Teksas për të detyruar shkollat publike në atë shtet që në programet mësimore të përfshihen krimet e komunizmit ndërkombëtar dhe historinë e komunizmit në, përgjithësi, si dhe të kujtohen viktimat e atyre regjimeve. Në portalin e Fondacionit të Viktimave të Komunizmit thuhet se në paraqitjet e saja para legjislaturës, me dëshmitë e saja për krimet e komunizmit në Shqipëri, Elida Dakoli ka shkundur Dhomën e Përfaqsësuesve të Teksasit me historinë tepër të dhimbëshme të përvojave tragjike të familjes së saj nën regjimin komunist të Shqipërisë.
Unë jam përpjekur ti sjellë këto shembëlla të dënimit të krimeve të komunizmit dhe miratimit të ligjeve që mandatojnë mësimin në shkolla të krimeve të komunizmit ndërkombëtar nga Kongresi Amerikan dhe nga legjislatura shtetesh të ndryshme këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës Jo për të shitur mend as për të provokuar njeri – por për të informuar me qëllim dhe me shpresë se edhe Shqipëria, por edhe Kosova mund të marrin shembëll dhe të ndërmarrin nisma të tilla legjislative për mësimin në shkollat shqiptare – mbi krimet e komunizmit – që janë ndër krimet më barbare në trojet shqiptare dhe në në botën komuniste, në përgjithsi. Për fat të keq, në rastin e Shqipërisë por edhe të Kosovës – sa u përket krimeve të komunizmit sllavo-aziatik prej gjysëm shekulli në trojet shqiptare, kemi të bëjmë me një klasë politike të pa ndërgjegjëshme dhe të papërgjegjëshme, për të mos thenë të pa moralshme, sa i përket dënimit të krimeve të komunizmit dhe kujtimit të viktimave të atij regjimi sllavo-shqiptar që ka skllavëruar shqiptarët për një gjysëm shekulli! Për 35-vjet tani, kjo klasë politike shqiptare han me dy lugë sa i përket krimeve të komunizmit dhe dënimit të krimeve të atij regjimi, siç ka bërë e gjithë bota perëndimore. Brenda vendit hanë me “lugë të ndryshkura” të komunizmit të Enver Hoxhës duke mohuar ose në minimum duke u treguar indiferent ndaj krimeve të komunizmit, por shpesh edhe nostalgjikë ndaj atij regjimi. Ndërsa me të huajt, siç ishte rasti i takimit të fundit të “European Political Community (EPC)”, Komuniteti Politik Evropian në Tiranë, politika zyrtare shqiptare paraqitej si demokratët më të mëdhej të Evropës dhe Amerikës, duke përdorur “lugë argjendi”, me të huajt – me pretendimin se “Shqipëria është Evropë”.
Po, po,shqiptarët dëshirojnë të jetojnë sin ë Evropë, në një Shqipëri të lirë e demokratike, me zgjedhje të lira, e në një Shqipëri të begatë për të gjithë dhe pa dallim. Shqipëtarët më shumë se liderët e tyre politikë, dëshirojnë të këthehen në Evropë. Por në Evropë nuk shkohet me bagazhin e krimeve të komunizmit dhe me nostalgjinë zyrtare komuniste për Enver Hoxhën, e dukshme në të gjitha nivelet zyrtare të politikës, medias dhe fushave të tjera. Si në asnjë vend tjetër ish-komunist, falë kësaj klase politike nostalgjike për një sistem barbar të vdekur, shqiptarët që kanë mbetur pa u larguar nga trojet shqiptare vazhdojnë të jetojnë, brenda gënjeshtrës komuniste gjysëm shekullore dhe jo brenda të vërtetës historike! Ndryshe nga Shqipëria dhe Kosova të cilat nuk dënojnë, zyrtarisht, krimet e komunizmit gjatë dhe pas Luftës së II Botërore – këtu në Shtetet e Bashkuara disa shtete – siç është Teksas-i, shteti i dytë më i madh pas Kalifornisë, me më shumë se 30-milionë banorë, po miratojnë ligje për të mësuar brezat për krimet e komunizmit ndërkombëtar – me qëllim që të mos përsëriten më. Po, Shqipëria, por edhe Kosova, kur do të përballen me të kaluarën barbare komuniste të dy regjimeve si motra që së bashku dhe veças kanë shkaktuar mijëra viktima shqiptare të kundërshtarëve të komunizmit, anë e mbanë trojeve shqiptare?
Fatkeqsisht, në rastin e Shqipërisë, kemi të bëjmë me atë që Vaclav Havel e ka quajtur “sistem post-totalitar”, i cili sipas tij nuk duhet të keqkuptohet se me parashtresën ‘post’, nuk do të thotë se ai sistem nuk është totalitar. Sipas Havelit, një regjim i tillë, “është rob i gënjeshtrave të veta, ai duhet të falsifikojë gjithçka. Post-totalitarizmi, falsifikon të kaluarën. Ai falsifikon të tashmen dhe falsifikon të ardhmen. Falsifikon statistikat…”, ka shkruar ndër të tjera Havel në esenë, (i978) “Fuqia e të pafuqishëmve”, në lidhje me sistemet post-totalitare. Një shkrim, që në atë kohë, ka shkundur themelet e komunizmit në Evropën Lindore e Qendrore, por jo në Shqipëri, as atëherë e siç duket as sot, 35 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit. Mos përballja me të të kaluarën kriminale të një sistemi totalitar siç ishte komunizmi i Enver Hoxhës, dhe me viktimat e pafajshme të atij sistemi, le të kuptohet, sipas Vaclav Havelit se një sistem që mund t’a quaj veten post-totalitar nuk do të thotë, domosdoshmërisht, se nuk është totalitar.
“Kjo është arsyeja pse jeta në atë sistem është kaq e përshkuar me hipokrizi dhe gënjeshtra: qeveria me burokraci, quhet qeveri popullore; klasa punëtore skllavërohet në emër të klasës punëtore; degradimi i plotë i individit paraqitet si çlirimi i tij përfundimtar; privimi i njerëzve nga informacioni thuhet se po ua ve në dispozicion informacionin; përdorimi i fuqisë për të manipuluar, quhet kontrolli publik i pushtetit dhe abuzimi arbitrar i pushtetit quhet respektim i kodit ligjor; shtypja e kulturës, quhet zhvillimi i saj; zgjërimi i ndikimit perandorak paraqitet si mbështetje për të shtypurit; mungesa e shprehjes së lirë konsiderohet si forma më e lartë e lirisë; zgjedhjet qesharake bëhen forma më e lartë e demokracisë”, ka shkruar, ndër të tjera, Vaclav Havel në esenë Fuqia e të Pafuqishëmve (the Power of the Powerless).
Dr Elida Dakoli, Shqiptaro-Amerikanja, anëtare e Këshillit të Fondacionit të Viktimave të Komunizmit në Washington (Victims of Communism Foundation) dhe banuese në shtetin Teksas i ka dhënë goditje të rënda komunizmit shqiptar në dëshmitë e saja gjatë viteve në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Teksas, ndërsa ka kujtuar përvojat tragjike të familjes së saj nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Dëshmi që i kanë paraprirë miratimit, javën që kaloi, të projektligjit në legjislaturat e Teksasit për të detyruar mësimin – në të gjitha shkollat publike të atij shteti — mbi historinë dhe krimet e komunizmit.

Përfaqsuesi demokrat i shtetit Teksas, Riçard Pena Raymond u bëri thirrje anëtarëve të Partisë së tij të votojnë në favor të projektligjit që u kërkon shkollave publike të edukojnë fëmijtë për krimet e komunizmit dhe të kujtohen viktimat e tij, ashtu që ato kirme të mos përsëriten më. ©Texas House of Representatives© The Center Square


Nga: Luan Dibrani, Gjermani
Në vitet e fundit, Kosova është përballur me një valë shqetësuese arrestimesh të personave të dyshuar për spiunim në favor të shërbimeve inteligjente serbe, kryesisht Agjencisë Serbe të Inteligjencës (BIA), pasueses së UDB-së. Rastet e arrestimeve të Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit në vitin 2024, një punonjëseje serbe të OSBE-së në vitin 2025, si dhe 16 të tjerëve me lidhje të dyshimta me inteligjencën serbe, zbulojnë ekzistencën e një rrjeti të organizuar që ka minuar në mënyrë të vazhdueshme sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë. Për fat të keq, reagimi i institucioneve tona ka qenë i dobët dhe i pasigurt, duke ngjallur dyshime të forta se qeveria dhe gjykatat po mbrojnë spiunët dhe tradhtarët që veprojnë kundër interesave kombëtare.
Në këtë kontekst të pasigurisë dhe tradhtisë, arrestimet e fundit të islamistëve politikë si Hysri Selimi dhe bashkëpunëtorëve të vjetër të UDB-së, shfaqin një situatë alarmante. Kjo tregon se institucionet kryesore të shtetit, në vend që të jenë krah i fuqishëm i lirisë dhe pavarësisë, po shndërrohen në strehë për ata që kërcënojnë ekzistencën e Kosovës.
Një shembull tragjik i kësaj kërcënimi është vrasja e rreshterit policor Muhamet Lika në Kaçanik më 1 prill 2025. Ky akt i rëndë kriminal dyshohet të jetë organizuar dhe kryer nga një grup prej gjashtë personash: Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi, të gjithë nga Komuna e Kaçanikut. Ngjarja tronditëse tregon pasojat e drejtpërdrejta të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së përgjegjësisë nga ana e institucioneve.
Në vendin tonë, ku liria dhe pavarësia u fituan me gjak dhe sakrifica, është e papranueshme që sot qeveria dhe gjykatat të tregojnë një papërgjegjësi të thellë dhe shqetësuese. Arrestimet e fundit nxjerrin në pah një rrezik të dyfishtë: në njërën anë, kërcënimi i vazhdueshëm nga spiunët dhe tradhtarët që punojnë kundër shtetit; në anën tjetër, përhapja e ideologjive radikale dhe terroriste që vijnë nga figura si Hysri Selimi. I njohur si ish-luftëtar i ISIS-it dhe bashkëpunëtor i Organizatës së Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe i organizatave terroriste në trojet shqiptare, Selimi përbën një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Ai ka luajtur një rol kyç në lidhjen e ekstremistëve islamikë dhe bashkëpunimin me UDB-në serbe, duke theksuar përfshirjen e tij në rrjetet e spiunazhit dhe terrorizmit që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.
Papërgjegjshmëria kriminale e institucioneve shtetërore
Është e pamohueshme se institucionet tona po dështojnë në mënyrë katastrofike për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Në vend që të jenë në ballë të luftës kundër tradhtisë, ato po qëndrojnë pasive, duke i lejuar spiunët islamistë dhe politikanët me lidhje të errëta me UDB-në të veprojnë lirshëm dhe pa ndëshkim.
Ky pasivitet është një turp dhe një tradhti e hapur ndaj qytetarëve të Kosovës. Mungesa e reagimeve të qarta, heshtja zyrtare dhe vonesat në ndjekjen e rasteve krijojnë dyshime të forta se në fakt ka një përfshirje të drejtpërdrejtë ose indirekte të disa segmenteve të qeverisë dhe drejtësisë në mbrojtje të këtyre elementëve.
Spiunët islamistë politikë – kërcënimi që mohohet
Rasti i Hysri Selimit nuk është vetëm një çështje e izoluar. Ai përfaqëson një rrezik të dyfishtë – një ekstremist islamik me të kaluar të lidhur me ISIS, që në vend të ndëshkohet me ashpërsi, po përballet me një sistem të shurdhër dhe të ngadaltë. Institucionet shtetërore nuk po reagojnë me forcën që duhet, duke i dhënë hapësirë të rrezikshme infiltrimit të ideologjive radikale dhe interesave serbe.
Tradhtarët e UDB-së: Nëpër zyra dhe korridore, pa frikë
Në anën tjetër, rrjetet e vjetra dhe të reja të bashkëpunëtorëve të UDB-së serbe veprojnë lirshëm brenda Kosovës. Shumë prej tyre gjejnë strehë brenda institucioneve publike, madje edhe në nivele të larta. Gjykatat dhe institucionet përgjegjëse shpesh i anashkalojnë ose i trajtojnë me lehtësi, duke krijuar përshtypjen e një marrëveshjeje të heshtur.
Dyshimet dhe faketat: Një korrupsion i heshtur
Shtrohet pyetja e rëndë: Pse nuk ka veprime të fuqishme? Përse nuk zbulohet dhe ndëshkohet i gjithë rrjeti?
Ka fakte dhe dyshime serioze për përfshirje të drejtpërdrejtë të zyrtarëve të lartë në mbrojtjen e tradhtarëve. Mosveprimi i tyre është po aq dëmtues sa vetë spiunazhi.
Nevoja për një revolucion institucional
Kosova ka nevojë urgjente për një revolucion në sistemin e drejtësisë dhe qeverisjes. Nuk mjafton më heshtja dhe pasiviteti. Është koha për:
Vendosjen e dënimeve maksimale për spiunët dhe tradhtarët, pa asnjë kompromis.Nga
Nëse këto nuk ndodhin, atëherë institucionet e Kosovës do të mbeten një barrierë për lirinë dhe sigurinë e vendit, dhe faktikisht do të jenë pjesë e problemit dhe jo zgjidhjes.
Thirrje për Veprim Qytetar dhe Ndërkombëtar
Në këtë situatë alarmante, është detyrë e çdo qytetari të ndërgjegjshëm të ngrihet dhe të kërkojë llogari nga institucionet shtetërore. Heshtja dhe indiferenca janë armiku më i madh i lirisë dhe sigurisë.
Vetëm përmes një mobilizimi të fuqishëm qytetar dhe ndërkombëtar mund të ndalet kjo rrjedhë e errët dhe të fillojë pastrimi i vërtetë i institucioneve tona.

Sipas bisedave që i pata me të së fundmi, dhe rrëfimit në këtë ditar, me të nisë bombardimet e NATO-s, oficeri i Ushtrisë Jugosllave, Dragan Mićunović, kishte detyruar udhëheqësit e Kuvendit Françeskan ta lironin ndërtesën e tyre, sepse në të do të vendoseshin forcat ushtarake jugosllave. Të gjithë klerikët dhe motrat u larguan, përveç Lorencit, i cili, pavarësisht thirrjeve e lutjeve të shumta, vendosi të mos largohej për asnjë çmim. Në ditarin e vet, ai rrëfen momentin prekës kur u ishte drejtuar besimtarëve:
“Ju jeni jeta ime. Ju po kërkoni që unë të largohem nga këtu. Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ju duhet të largoheni sepse në Kuvendin e Kishës do të vijnë ushtarë, paramilitarë, policë… Me një fjalë, do të përballemi me kriminelë, të cilët do të bëjnë kërdinë. Prandaj, ju lus të strehoheni nëpër fshatra ku të mundeni…”
Lorenci nuk shpalos vetëm momentet e vendosmërisë e të guximit, por edhe ato të frikës së thellë. Teksa qëndronte i vetëm në kishë dhe luste Zotin t’i mëshironte bashkëqytetarët e tij të pambrojtur — kur NATO-ja bombardoi kazermën e Ushtrisë Jugosllave afër kishës në Gjakovë — ai përjetoi njërin nga momentet më të rënda shpirtërore. Në ditar shkruan: “Dua të jem i sinqertë, meqenëse isha fillikat i vetëm, më kaploi një frikë e madhe të cilën nuk e kisha përjetuar kurrë më parë”.
Gjatë gjithë kohës së bombardimeve, Lorenci nuk qëndroi i mbyllur në kishë, por i vizitoi shqiptarët katolikë nëpër fshatrat e Gjakovës, duke u munduar t’i ndihmonte e t’u jepte shpresë. Përgjatë udhëtimeve të tij, shumë herë ndalohet, fyhet, kërcënohet, keqtrajtohet, e edhe torturohet rëndë nga pjesëtarët e forcave sërbe e jugosllave. Madje, në një rast, një kameraman civil sërb e inçizoi derisa e torturonin — një përpjekje kjo për ta poshtëruar.
Momenti kulmor i guximit dhe i vetëmohimit të Marjan Lorencit është ai i datës 27 prill 1999, pikërisht në ditën e masakrës në Mejë e Korenicë, kur forcat sërbe-jugosllave, sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, vranë gjithsej 368 civilë shqiptarë të paarmatosur, shumica të komunitetit katolik. Gratë, fëmijët dhe pleqtë nga Meja, Korenica dhe fshatrat përreth u dëbuan në drejtim të Gjakovës, për t’i përzënë mandej drejt Shqipërisë. Kur Lorenci mësoi se të dëbuarit qenë ndalë në Parkun e Qytetit në Gjakovës, shkoi fill t’i takonte e të përpiqej t’u gjente strehë. Aty u përball me pjesëtarë të forcave sërbe, të cilët i bërtitën, e fyen dhe e kërcënuan me pushkatim. Ai iu përgjigj prerazi: “Ja ku jam. Urdhëroni – vritmëni!”
Një moment tjetër i dhimbshëm e i rëndë, kur frati sërish zgjedh që, pavarësisht rrezikut, të qëndronte me bashkqytetarë/e, është ai teksa po u printe të dëbuarve drejt Shqipërisë — moment ky që një kameraman sërb po ashtu po e inçizonte, si material që do ta “dëshmonte” se shqiptarët po iknin prej bombardimeve të NATO-s. Rrugës, në fshatin Bishtazhin, forcat sërbe e ndalën kolonën dhe ndanë prej saj 17 të rinj, me pretendimin se ishin “terroristë”. Kolona përbëhej nga gra, fëmijë e pleq — njerëz të rraskapitur e të tmerruar. Lorenci u doli përpara pjesëtarëve të forcave sërbe e u tha prerazi: “Nëse këta janë terroristë, atëherë unë jam kryeterrorist!”
U vetëofrua që t’i zëvendësonte të rinjtë, por pjesëtarët e forcave sërbe e kërcënuan se, nëse kolona nuk largohej menjëherë pa të rinjtë e ndarë, do të shkrepnin zjarr mbi të gjithë. Për ta parandaluar masakrën e madhe, prifti u nis me kolonën, me sytë drejt qiellit, duke kërkuar ndihmën e Zotit, dhe i përcolli të dëbuarit deri në Prizren — për t’u kthyer më pas prapë në Gjakovë, pranë popullit të vet.
Në memoare, prifti rrëfen edhe raste kur nënat i ofronin para me lutjet që t’ua shpëtonte bijtë. Megjithëse nuk ua merrte kurrë, sipas tij, këto përpjekje dëshmojnë gatishmërinë e nënave për të bërë çmos për të shpëtuar fëmijët e tyre.
Këto që u thanë nuk janë vetëm kujtime të Lorencit. Janë edhe rrëfime të atyre që mbijetuan dhe i përjetuan këto tmerre: të agronomit Marjan Marku, të cilit, në Mejë forcat sërbe ia masakruan dy vëllezërit, Milanin dhe Gjovalinin; të poetit Engjëll Berisha, të cilit, në Korenicë ia ekzekutuan vëllëzërit, Danielin e Kolën, bashkë me disa anëtarë të tjerë të familjes; të juristit Arben Kqira, të cilit, forcat sërbe ia vranë babain në Mejë. Ka edhe shumë të tjerë, të cilë, jo vetëm dëshmojnë për guximin e fratit, por edhe e ruajnë atë në kujtesë si dritë në errësirën e asaj kohe. Frati nuk ishte thjesht dëshmitar i tragjedisë — ishte i vetmi që i doli ballë asaj.
Vetë Atë Marjani jep tri arsye pse mendon se shpëtoi pa u vrarë nga forcat sërbe: “e para, më kujtonin të çmendur, ndonëse ngado lëvizja me zhgunin e fratit; e dyta, më mbanin gjallë lotët e nënave që pikonin si shi nga qielli; dhe, e treta, më e madhja — lumnija e të madhit Zot, që ua vërbonte dritën e syve e nuk më shihnin”.
Përfundimisht Marjan Lorenci pasqyron figurën e jashtëzakonshme të guximit, përkushtimit dhe humanizmit gjatë luftës në Kosovë. Ai është heroi më unik i kësaj lufte.
Në fillim, kur po i lexoja dhe dëgjoja rrëfimet e të mbijetuarve/ave në Mejë e Korenicë për Marjan Lorencin, po mendoja se institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës — Komuna e Gjakovës dhe Presidenca e Kosovës — do të duhej ta nderonin me një medalje për guxim e jashtëzakonshëm në shërbim të banorëve të kësaj ane. Por, ndoshta as nuk ka nevojë. Lorenci e ka marrë shpërblimin më të jashtëzakonshëm që mund të marrë një klerik në jetën e vet – titullin Frati i Popullit. Dhe, këtë çmim ia dhanë vetë qytetarët e komunitetit katolik të komunës së Gjakovës, të cilët, në biseda e kujtime për të, flasin me admirim për të e e krahasojnë me atë që ndiejnë për Jezu Krishtin.

20-a; të Mbretërisë Shqiptare, të cilët edhe sot mbahen mend, për të mirë, nga brezat shqiptarë, për integritetin dhe autoritetin që kishin në Shqiptari. Burra të ndershëm dhe trima ishin edhe Deputetët Demokratë, të dalë nga zgjedhjet e para, pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri. Prej tyre kishte edhe firmtarë të Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë; demokratë nga Familje të Mëdha nacionaliste, kombëtare. Ata patën guximin të përballen me juntën fashizoide të filosllavit Enver Hoxha, me byroistët e tij kriminelë, të cilët luftën çlirimtare, e konvertuan në luftë civile, qytetare! Asnjë përballje luftarake nuk bënë me pushtuesin, ndërkohë që, nën diktatin e emisarëve jugosllavë, vranë si derrat e egër, kombëtarët, të organizuar në partinë e "Ballit Kombëtar", të kryesuar nga djali i Abdyl Frashërit, Mit`hati, si dhe partia Mretërore "Lagaliteti". Për atë periudhë kohore, historiani kanadez, Rober Austin, ka botuar një libër-studimi, bollshëm të argumentuar. Gjyqi farsë, i bërë kundër 24 Deputetëve Demokratë, përfundoi me ekzekutimin e një pjese të tyre; të tjerët me dënimet e rënda; pas burgut me internime të përjetshme, me familje e farefis; me konfiskimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme. Vërtet, jemi në demokraci, por janë dërdëllitjet e disa deputetëve të opozitës, kur mohojnë votimin e fshehtë, kinse, me pavarësinë që kanë deputetët, për të votuar sipas bindjeve personale. Kujt ia shesin këto përrallisje, duke e ditur se ata nuk kanë nevojë të mendojnë të pavarur, sepse për ata mendon partia. Në politikë, për zgjidhjen e ngërçeve, siç është rasti i tanishëm apo raste të tjera, është i nevojshëm kompromisi, marrëveshja ndërmjet subjekteve politike. Por, në rastin konkret, partisë fituese të zgjedhjeve, i takon propozimi dhe posti i kryetarit të Kuvendit. Prandaj, nuk ka arsye të krijohet precedencë. kReagimi i Albulenë Haxhiut, ka qenë i përligjur, sepse PDK-ja ka provokuar, duke e vënë në krye të Kuvendit kryetarin e Organizatës ilegale kriminale SHIK, Kadri Veselin. Ndërsa Albulena është kristal e pastër, në të gjithë veprimtarinë e saj, qoftë si opozitare, qoftë si pushtetare. Votimi i fshehtë ose koalicioni LVV-LDK, përndryshe rizgjedhje