




Eshref Ymeri
Në emisionin “Breaking” të kanalit televiziv “Top Channel” të datës 28 shkurt, moderatorja, zonja Fiori Dardha, kishte ftuar për intervistë avokatin e njohur Spartak Ngjela. Intervistën moderatorja e hapi me konfliktin Rusi-Ukrainë, duke shtruar pyetjen se si mund të zgjidhej. Për habinë e atyre teleshikuesve që e njohin historinë e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve, avokati deklaroi:
“Duhet të kemi parasysh një gjë që Rusia nuk shkëputet nga pushtimi i Ukrainës. E ka ëndrrën e vet shekullore. Kanë një lidhje të veçantë me njëra-tjetrën, historike. Janë pothuajse një popull. Mund të ndryshojnë pak dialektet…”.
Pra, sipas avokatit Ngjela, rusët dhe ukrainasit na qenkan pothuajse një popull! Por për ta vërtetuar një gjë të tillë me fakte historike, ai nuk vazhdoi më tej. Edhe moderatorja duhej ta kishte pyetur se si e argumentonte ai një pohim të tillë. Në dialekte ndryshojnë me rusishten edhe serbishtja, edhe bullgarishtja, si gjuhë të familjes sllaviane, por as serbët, as bullgarët nuk janë pothuajse një popull me rusët.
Në respekt të teleshikuesve, duhet bërë një “shtegtim” drejt historisë së marrëdhënieve ruso-ukrainase, në mënyrë që të dalë në dritë e vërteta dhe që avokati Spartak Ngjela të ketë kujdes herë tjetër për të mos folur qesim, se nuk është hera e parë që ka folur kësisoj.
[Rastet, kur avokati Spartak Ngjela ka folur qesim nëpër studiot televizive, janë të shumta, por këtu do të mjaftohemi vetëm me tre prej tyre:
“Kur, pas pesëdhjetë vjetësh, mësuesi do të pyesë nxënësit në klasë se kush ka qenë Donald Lu, nxënësit do t’i përgjigjen se ai ka qenë ambasadori amerikan i vitit 2016 që na ka shpëtuar nga abuzimi i gjatë çnjerëzor i pushtetarëve të korruptuar” (Citohet sipas: “Ngjela: Ja si do të përgjigjen nxënësit se kush është Donald Lu”. Gazeta “Mapo”. 04 maj 2016).
“Ngjela zbërthen mesazhin e Kim: Berisha do ekstradohet në SHBA, vendimin e ka marrë FBI”. Intervistë në News 24. 02 gusht 2021.
I ftuar në TV “Të pashoq” më 10 prill 2024, Spartak Ngjela ka thënë: Blinkeni ka deklaruar: “Ne do t’jua heqim korrupsionin shqiptarëve”.
Do të ishte mirë që moderatoret dhe moderatorët e kanaleve televizive, që e ftojnë në studio këtë avokat të lajthitur nga trutë, të mos e lejojnë të flasë mbroçkulla, të cilat ksehasin edhe fëmijët e kopshteve, ose të mos e ftojnë më për intervista se është bërë si gjellë e thartuar].
Marrëdhëniet mes Kievit dhe Moskës janë shoqëruar me mjaft ngjarje të rënda që kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen kombëtare të popullit ukrainas. Ne kemi një informacion të pasur për natyrën e këtyre marrëdhënieve, të cilat kanë kaluar nëpër një spirale tragjike. Por në këto shënime nuk dëshirojmë të shfletojmë informacionet personale nga burime të mirfillta ukrainase, në mënyrë që të mos i lëmë shteg vetes të bëjmë vlerësime që ndokujt mund t’i tingëllojnë si subjektive, aq më tepër që ushqejmë shumë urrejtje ndaj politikës ruse, e cila tradicionalisht, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Londrës (1913), Traktati i fshehtë i Londrës (1915), ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë një qëndrim tejet armiqësor ndaj kombit shqiptar në tërësi dhe ndaj Republikës së Dardanisë në veçanti, deri edhe në ditët tona.
Prandaj e quajtëm me vend t’i drejtohemi një materiali mjaft interesant të një analisti ukrainas, i cili, duke u mbështetur mbi fakte historike, hedh mjaft dritë mbi arsyet e vërteta se pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët. Analisti i nderuar quhet Vadim Gontarenko, i cili u është drejtuar rusëve me një letër të hapur që në vitin 2014. Ja përmbajtja e letrës:
“Marrëdhëniet e tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë qenë të përhershme. Ato nuk janë krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë zanafillën që nga kohët e Rusisë Kieviane, kur princët rusë që gjoja i përkisnin së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në dorë fronin e Kievit.
Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani (komandant i trupave kozake, – E.Y.) ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat.
Mandej pasoi beteja në afërsi të Konotopit (qytet i krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës – E.Y.), kur një tjetër hetman i shquar, Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë ia kishte mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të hedhur në dorë shpirtin e tij mëkatar.
Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët kundër rusëve. Prandaj nuk pijnë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për “miqësinë shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pasë ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi, nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu kanë bërë të liga.
Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe t’i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek, ukrainasit dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit, nuk jemi të këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë me careshat tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin vetvetësinë (identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit “Ukraina” (që do të thotë krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët filluan ta quanin “Rusia e Vogël” – E.Y.) dhe “ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe “rus i vogël”; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të lirë në shtetin e tyre të pavarur.
Çdo ukrainas normal e di dhe e mban mend një gjë të tillë. Kurse ata që i mohojnë të gjitha këto fakte, ata vetëm ukrainas nuk janë.
Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit të mos ju urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pasë ekzistuar kurrë, ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë Vovoçka Putin le të vijë në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë Maidan, fjalë kjo me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të hapur, parku apo sheshi në tërësi – E.Y.), të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t’i kërkojë ndjesë popullit ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë në tokën e Ukrainës!
Dhe po të ndodhë me të vërtetë një gjë e tillë (për çka unë dyshoj shumë), ne, ashtu qoftë, do të fillojmë të miqësohemi me ju dhe do t’i harrojmë fyerjet e vjetra. Atëherë mund të flitet për ndofarë lidhjesh ekonomike (dhe për asgjë më tepër). Por kjo nuk përbën fakt se ne do të japim pëlqimin për gjësend tjetër. Sepse ne kështu jemi si popull: të keqen nuk e kujtojmë, por na duhet ta regjistrojmë. Prandaj mos u sillni shumë ashpër me ne: vlerat evropiane ne i kemi shumë më për zemër sesa ato euroaziatke…” (Citohet sipas: Vadim Gontarenko. “Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”. Faqja e internetit “UAINFO”. 22 shkurt 2014).
Kur mbaruam së lexuari këtë letër të analistit Vadim Gontarenko, menjëherë na erdhi ndër mend një strofë mjaft kuptimplote nga një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas Taras Shevçenko (1814-1861), të cilin perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës “Ëndrra”, e pati ndëshkuar rëndë, duke e degdisur në stepat e humbura të Kazakistanit dhe të Kirkizisë për kryerjen e shërbimit ushtarak:
Brune, bëni qejfin tuaj,
Por jo me moskalë*,
Se moskalët janë të huaj,
Janë duke ju tallë.
Pra, zanafilla e konflikteve politike mes këtyre dy shteteve është shumë e hershme. Shovinizmin rusomadh, gjatë shekujveб e ka pasë brejtur gjithmonë një smirë dhe një xhelozi e tmerrshme ndaj Ukrainës, e cila ka qenë dhe mbetet kryevtra e kulturës sllavianolindore. Kjo për arye se Kievi është themeluar në vitin 482, kurse Moska është themeluar 665 vjetë më vonë, në vitin 1147. Madje edhe Moskën e pati themeluar princi ukrainas, Juri Dollgoruki (1090-1157). Heroi kombëtar i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 18 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t’i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë. Aq e vërtetë është kjo, saqë në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, në Ukrainë shpërtheu një lëvizje e fuqishme me prirje nacionaliste, që kishte si qëllim kryesor arritjen e pavarësisë me çdo mjet. Kriminelët bolshevikë u hakmorën egërisht kundër popullit ukrainas nëpërmjet kolektivizimit të detyrueshëm dhe grumbullimit të dridhit po në mënyrë të detyrueshme gjatë viteve 1929-1932, çka solli si pasojë vdekjen nga uria të 3,2 milionë njerëzve.
Kaliforni, 03 mars 2025
—————————–
*Fjala moskal është nofkë përbuzëse që u qe ngjitur rusëve shekuj më parë në Ukrainë dhe në Bjellorusi.





Dr. Anna Hida, Romë
(Nushe Zhuba)
Shumë pyetje ia drejtoj vetës, por nuk marr përgjigje. Nuk është puna për tu dukur nacionaliste, por dikush ka gjetur një mënyrë krejt të veçantë për të na zhdukur… Kjo sidomos ndodh me shqiptarët e Maqedonisë…!
E ftuar në një shkollë, thirrem nga sekretarja e shkollës e cila më thotë: Kemi dy fëmijë vëlla e motër shqiptarë që vijnë nga Maqedonia. Të dytë kanë mbiemra të ndryshëm nga njëri-tjetri. Shtrohet pyetja se , a janë fëmijë të të njëjtit baba? Shpesh ndodh që nëna të jetë martuar dy herë – vazhdon sekretarja, por mbiemri është i ngjashëm, mirëpo mbaresa në fund është e ndryshme. Po, iu përgjigja, janë fëmijë të të njëjtit baba e të së njëjtës nënë, të dy prindërit e këtyre fëmijëve janë shqiptarë.
Po , jo, thotë se mbiemri i djalit mbaron ndryshe e i motrës ndryshe? I thashë se në Maqedoni, fatkeqesisht, komandojnë sllavët-maqedonas që i kanë të gjitha, ndërsa ata që emigrojnë janë vetëm shqiptarët, sepse sllavët e Maqedonisë janë të paktë ata që emigrojnë , dua të them se nuk janë sllav këta fëmijë. Në të gjithë botën emrat e personave, shteteve, deteve, lumenjve shkruhen jo ashtu siç shqiptohen, por ashtu siç janë të shkruara…
Përse shqiptarët duhet të ndjekin traditat bullgare, ku femra merr emër mbiemër femëror e mashkulli emër mbiemër mashkullor?
Tek shqiptarët, ashtu si tek italianët – francezët, mbiemri është i njëjtë për të gjithë fëmijët e një babai…Përse shqiptarëve duhet t’u ndryshohet mbiemri?!
E njëjta gjë për emrat me dh, th, gj, zh. Psh. emri Xhemal në shqip është Xhemal i shkruar e duke qenëse se personi është shqiptar, duhet të shkruhet Xhemal me shkronja latine, ndërsa në pasaportat e shqiptarëve ky emër shkruhet DZEMAL me shkronjat sllave.
Mbiemri Hasallari, përse njëherë e shkruajnë Asallari e njëherë Hasalari, biles dhe kur u thuhet se është shkruar gabim, përgjigjja është:
“E do kështu apo se do pasaportën apo dokumentin që kërkon”. Një farë kërcënimi ndaj atyre që me të drejtë ndjehen të ofenduar, sepse emri nuk u shkruhet siç duhet. Nuk është vështirë për t’u kuptuar. Kur të kalojnë shumë vite dhe brezat që vijnë , do kërkojnë nëpër Arkiva , do u thuhet, nëse kërkoni sllav ok, po nëse kërkoni shqiptarë s’ka më shqiptarë sepse këta emra janë të gjithë sllav, dhe janë vetë personat (shqiptarët) që i kanë pranuar ashtu…
Vëllezër të Maqedonisë, ai që ndihet shqiptarë, t’i shkruaj emrat mirë, të mos ndodhë, siç ndodhi në Manastir, ku shumë familje u tretën e u humbën dhe pse ishin familje të para ndër shqiptarë, sot nuk egzistojnë më. E di që ndodheni mes zjarreve, por të parët tanë na lanë një pasuri që nuk blihet as nuk shitet; tokën dhe gjuhën, na e lanë amanet dhe amanetin nuk e tret as dheu.
Në respekt të ligjeve të vendeve ku jetojmë, por pa humbur asnjëherë , dinjitetin, gjuhën e kulturën që na dallon….
Të veprojmë e t’i korrigjojmë gabimet, sa nuk është vonë…!
Nga: Gjergj Kabashi


Me tren udhëtohej nga Shqipëria në Kosovë para mese 27 vitesh në reportazhin futuristik “Kufiri i ëndrrës” që kam shkruar në fundvitin 1997, botuar në 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Kështu fillonte reportazhi:
Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.
“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”…
Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.
I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.
Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.
Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra, që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008.
Ky ishte reportazh i para mëse 27 viteve:
KUFIRI I ËNDRRËS
(Reportazhi i Ardhmërisë – III)

Behlul Jashari, Prishtinë
Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.
“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”
Tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: “Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova”.
Zbriti vetëm për pak sa t’i shkelin këmbët në tokën e Kosovës, që nga Çamëria e parafytyronte si një takim me legjendën… “Rekord i arit në Trepçë”, ishte titulli me shkronja të mëdha në ballë të faqes së parë të botimit të mëngjesit të njërës nga gazetat që i mori t’i lexojë në vazhdimin e rrugës për në Prishtinë, ku kishte paralajmëruar arritjen për atë ditë…
Nga qendra hekurudhore në Fushë-Kosovë nëpër metronë që çon në Prishtinë arriti në Qytetin Studenti. E gjeti lehtë Zyrën e Shërbimeve Studentore, që i kishin thënë se ndodhet pranë Fakultetit Filozofik, para të cilit nga larg shihet një përmendore e lartë e Naimit.
“O, po, ju kemi pritur, e kemi marrë telegramin tuaj, ku keni paralajmëruar një qëndrim studimor. Ju kemi siguruar vend në konviktin e studentëve nr. 9”, i tha plot përzemërsi sekretarja e Zyrës Studentore.
Zyra, që e priste plot mirëpritje, po i bënte një përshtypje të veçantë me fotografitë e pikturat e varura nëpër mure, si në një ekspozitë.
“Është një pjesë e historisë”, i tha nikoqirja, duke i treguar në veçanti pamjet nga demonstratat studentore të viteve 1968, ‘81… ’97…
Pikturën, që ishte aty e kishte parë origjinalin në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Është “Molla e Kuqe”, një shenjë e paharrueshme e gjeografisë e historisë shqiptare.
“A do të hyjë edhe Molla e Kuqe në punimin tënd të diplomës, ajo ishte shenjë e kufirit me serbët?” – pyeti nikoqirja.
“Pikërisht edhe për Mollën e Kuqe jam nisur këndej”, tha studentja që kishte marrë udhën e largët, deri te “kufiri i ëndrrës”. Shprehja “Kufiri i ëndrrës” i erdhi nga titulli i një libri me motive të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-78…
Gjumi e kishte zënë derisa po shfletonte një atlas të gjeografisë shqiptare, dhe ishte zgjuar herët për të shkuar në Bibliotekën Kombëtare e Universitare. Rrugës u ndal në një klub studentësh, që me kafenë e mëngjesit të shfletojë gazetat e ditës. Më shumë u ndal në shkrimet që lidheshin me interesimet e saj. Gazeta “Rilindja” paralajmëronte se “së shpejti do të fillojnë bisedime shqiptaro-serbe për rirregullimin e kufirit”, ndërsa gazeta “Bota shqiptare” shkruante se “rritet përditë e më shumë numri i shqiptarëve në Turqi që kërkojnë të kthehen në tokat prej nga janë shpërngulur të parët e tyre”…
Gjithçka kërkoi në Bibliotekë ia sollën nga arkivat në tavolinë. Kishte kaluar shumë orë shfletimi e kërkimi të përgjigjes në pyetjen se kah do të ketë qenë vija e kufirit të natyrshëm shqiptar në veri para vitit 1877, para dëbimeve masive të mbi një milon a më shumë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit?
Kronikat thoshin: “Elementi shqiptar më së shumti jetonte në Qarkun e Toplicës. Toplica shtrihej në mes të Jastrebovcit të Vogël, në veri të Kopaonikut, në perëndim të Sikobicës, maleve të Arbanasit, i afrohej Moravës Jugore”… Kronikat përmendnin Jabllanicën, Qarkun e Toplicës e të Nishit, të Pirotit… “Elementi shqiptar shtrihej edhe përtej Sanxhakut të Nishit”, thoshin disa kronika, e disa të tjera se “kalonte edhe lumin Moravë”…
Gjithë ato vende që përmendnin kronikat i kishte vijëzuar në një hartë, dhe po kërkonte vendin për të vënë shenjën e Mollës së Kuqe.
Si nga një shetitje në histori po dilte nga Biblioteka, ku do të kthente edhe disa herë ditëve të ardhme. Kishin mbetur edhe vetëm pak minuta deri në orën e takimit me shoqen e shokët që sapo i kishte njohur në Prishtinë.
E pritnin në kafiterinë “Orëjeta”, ballë hotelit “Evropa”, prej nga do të shkonin në Teatrin e Operës e Baletit, për të parë një shfaqje të trupës së artistëve nga Shkodra…
Qielli i akullt sikur po shkrihej bardh në errësirën mbi dritat e neonit shesheve e rrugëve të qytetit. Po reshte një borë e butë. Mbi bredhin e madh plot ditëza në rrugën “Nëna Tereze” nga bora që e kishte mbuluar nuk mund të shiheshin më të gjithë numrat e fundit të urimit. Mund të lexohej vetëm: Gëzuar Vitin e Ri dymijë e…”
Mbishkrimi mbi bredh ia përkujtoi të shkojë në telekom t’ia urojë në telefon Krishtlindjet familjes në Luras, dhe t’u paralajmërojë mikpritësve në Prizren shkuarjen në festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut. Sa shumë vjet kishin kaluar…
(Botuar në Gazeta “Bujku” Prishtinë – e shtunë, 3 Janar 1998, faqe 6)
https://ata.gov.al/2025/03/01/hekurudha-durres-prishtine-balluku-perfundon-studimi-i-fizibilitetit-i-hapet-rruga-realizimit/

Nga: Aurel Dasareti
I gjithë rreziku vjen nga brenda. Ka pak gjëra në botë aq të rrezikshme sa një somnambul. Dashuria vëllazërore, bashkimi i fortë dhe i pandashëm që mbështetet në qëllime dhe interesa të përbashkëta kur vendi kërcënohet nga pushtuesit terroristë, është e vetmja urë lidhëse mes jetës dhe vdekjes, e brishtë si një fije kokrrizë, e fortë si një litar shpëtimi.
***
Ka vetëm një mënyrë për të qenë të sigurt: Siguria absolute është e pamundur. Duhet të pranojmë se mund të ndodhin gjëra të tmerrshme. Nëse presim zero rrezik dhe mbrojtje totale, do të kemi frikë përjetësisht.
Kur lufta kërcënon vendin ose është në rrezik pavarësia ose siguria e vendit dhe për shkak të këtyre kushteve ekziston rreziku për ekzistencën e vendit dhe shfarosjen e popullit, qeveria mund të marrë dispozita me përmbajtje legjislative për të siguruar sigurinë e vendit, rendin publik, shëndetin publik dhe furnizimet e vendit, të nxisë dhe të sigurojë masat ushtarake dhe masat për të mbrojtur popullsinë civile dhe pronën, si dhe të përdorë burimet e ndihmës së vendit për të promovuar këto qëllime. Më tej mund të jepen dispozita (rregulla të caktuara të sjelljes) për shkarkimin e forcave të punës (largimin e punëtorëve nga puna e rëndomtë) dhe punësimin e tyre për qëllime ushtarake dhe civile. Nëse është e nevojshme, në dispozita mund të bëhen edhe shmangie nga ligji aktual.
***
Kosova është e kërcënuar nga LUFTA, na duhet stabilitet politik dhe unitet gjithëkombëtar .
Njëkohësisht, paralajmëroj të gjitha subjektet politike në vendin tonë se në këto momente të vështira kemi nevojë të dëshpëruar për stabilitet dhe unitet politik.
Në çdo rast theksoj se në Kosovë (për shkak të opozitës hajdute, mercenare antikombëtare) nuk ka stabilitet politik, që është parakusht themelor për tërheqjen e investitorëve të huaj, se ata janë të përkushtuar për ruajtjen e stabilitetit politik, se nuk ka përparim ekonomik pa stabilitet politik, se stabiliteti politik është prioritet i të gjitha prioriteteve.
Duke gjykuar nga qindra e mijëra deklarata të ngjashme me të cilat bombardohemi nga të gjitha anët, do të thuhej se shqiptarët e trojeve jetojnë në botët më të paqëndrueshme nga të gjitha. Jemi me fat që kryeministri i qeverisë aktuale së Dardanisë dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, edhe pse mund të kenë dobësitë e tyre, janë të përkushtuar për ruajtjen e stabilitetit politik në Kosovë deri në pikën e fundit të forcës. Është e frikshme të imagjinohet se si do të dukej ky vend nëse qeveria e Kosovës nuk do të kishte stabilitet në zemër, ose të „drejtohej“ sërish nga hajnat e korruptuar të opozitës. Argëtimi i tyre i preferuar është fillimi i ndezjes së zjarrit dhe më pas i shuarjes me benzinë.
***
Pavarësisht se është gjithmonë duke ecur në skajin e rrezikshëm të një konflikti lufte, përderisa nuk e kapërcen atë kufi, Serbia (brekët e Rusisë) për ndërkombëtarët që shtiren si të verbët, mbetet një „faktor i stabilitetit” politik në Ballkan. Dhe, bota perëndimore, edhe pse e mësuar nga përvojat nga agresioni serbomadh, akoma e përkëdhelë dhe ledhaton, strategji perverse…
Në mënyrë të pashmangshme lind pyetja: nëse ky është stabilitet, atëherë si do të dukej paqëndrueshmëria politike? Shpresoj të mos e zbulojmë kurrë. Dhe ndoshta ndërmjetësuesit e njëanshëm, miqtë e kryekriminelëve serb, kanë një kuptim të ndryshëm, origjinal të stabilitetit politik?!
***
Veteran është një term që lidhet me një person që ka një përvojë të gjatë shërbimi ushtarak, ose që ka mbaruar shërbimin e tij ushtarak.
Shqiptari i vërtetë duhet të logjikoj kësisoj: Faleminderit veteranëve të luftës dhe dëshmitarëve të kohës për përpjekjet dhe sakrificat që bënë gjatë luftës së viteve 1998-99. Faleminderit për gjithçka që keni dhënë, për gjithçka që keni sakrifikuar – që të jetojmë në një vend të lirë. E dyta është t’ju japim juve, dhe vetes, një premtim se ne, që nuk kemi qenë pjesëmarrës në front apo nuk e kemi përjetuar vetë luftën, do të vazhdojmë t’i tregojmë historitë për të. Jo thjesht si njohuri për të kaluarën, por si një diskutim me vlera të gjalla për atë që këto histori do të thonë për ne sot – në mënyrë që të mos harrojmë kurrë atë për çfarë kanë vuajtur dhe sakrifikuar jetën mijëra njerëz në vendin tonë.
***
Kjo letër lidhet me Luftën Çlirimtare kundër fashistëve-nazistëve-terroristëve serb dhe ka të bëjë me ushtarët që luftuan – dhe për familjet dhe të dashurit e tyre.
Tema gjithëpërfshirëse, “takohemi përsëri”, do të ishte e përshtatshme për të krijuar besim në të ardhmen në një situatë kur shumë ushtarë nuk do të ktheheshin të gjallë nga lufta dhe për këtë arsye nuk do të shihnin më të dashurit e tyre. Ka ende histori të veteranëve të plagosur (lënduar) që luftojnë në betejën kundër fondit të pensioneve të shtetit dhe administratës. Edhe pse ne, nuk do të prodhojmë domosdoshmërisht aq shumë veteranë lufte në vitet e ardhshme, është e rëndësishme që kjo kompetencë të mos zhduket, ose që investimi të mos dështon. Përkundrazi. Nëse në të ardhmen shoqëria harron njohuritë dhe përvojën që kemi sot, mund të jetë e vështirë t’i kthejmë ato përsëri. Shpresoj që të mos harrojmë përvoja të tilla, por t’i përdorim ato për të siguruar kujdes më të mirë për veteranët tanë.
Kujdesi i mirë ndaj veteranëve të vërtetë të luftës do të forcojë aftësinë për t`u mbrojtur dhe vullnetin për t`u mbrojtur në Kosovë (Shqipëri) dhe trojet nën pushtim. Nëse Kosova goditet sërish nga një pushtim, do të na duhen të gjithë në llogore. Këtu përfshihen edhe veteranët e luftës.
Nëse duam të sigurojmë që ata që janë dëmtuar gjatë luftës çlirimtare 1998-99 të marrin kujdesin shëndetësor që u nevojitet, të hyjnë në punë ose masa të lidhura me punën dhe në të njëjtën kohë të zëvendësojnë humbjen financiare ose kompensimin, duhet bërë më shumë.
Dhe, duhet menjëherë të ndërpriten rrogat që u jepen atyre 60.000 “veteranëve” të rrejshëm të luftës, thënë më mirë, kriminelëve të pamoralshëm, sepse plaçkitin thesarin e shtetit, ofendojnë dhe poshtërojnë gjithë kombin, tallen me luftëtarët e vërtetë, me invalidët e luftës. Keqpërdorin (shfrytëzojnë) gjakun e dëshmorëve që sakrifikuan jetën për atdheun dhe kombin. Kriminelët tallen me të gjithë shqiptarët e diasporës që mbështetën luftën në mënyra të ndryshme…
***
“Dialogu”!!!
Ishte një bisedë e gjatë, zgjati gati tridhjetë vjet.
Të përballesh, veçanërisht me dy ndërmjetësit e këqij të BE-së, vendet e të cilëve nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe që simpatizojnë sulmuesin nazist, është e vështirë. Ju duhet të zgjidhni njerëzit e duhur nëse doni të bëni një bisedë, sepse “ndërmjetësit” fals kërcënojnë viktimën në favor të fashistëve-terroristëve duke kërkuar me këmbëngulësi një Republikë Serbe në mes të Kosovës, të kamufluar në “asociacion”. Është e pamundur dhe e pakuptimtë të vazhdohet “dialogu” (shpërbërja e Kosovës si shtet). Dhe sa më shumë të zgjasë kjo bisedë e ndyrë, aq më shumë tokë dhe kompromise kërkojnë nga ne.
Një bisedë e mirë është një kërcim me ritëm. Shumica e bisedave të tyre përbëhen nga një seri monologësh të vogla.
Unë u them atyre: Nëse doni të bëni një bisedë serioze, mos e poziciononi veten si të pazëvendësueshëm. Ju jeni bërë vetëm një pjesë e bërllokut që ju shërben agresori fashist terrorist pansllavist.
Njerëzit i urrejnë ata që i bëjnë të ndihen inferiorë!

Nga: Luan Dibrani, Gjermani
Në këtë moment të turbullt të historisë, kur tensionet ndërkombëtare janë rritur në mënyrë drastike dhe marrëdhëniet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës janë në një pikë të ndjeshme, është e qartë se situata për shqiptarët që jetojnë në Ukrainë po bëhet gjithnjë e më e pasigurt. Pasojat e mundshme të një ndarje të mundshme të territorit ukrainas nën okupimin rus janë shumë të rënda dhe do të shfaqin një periudhë të re të persekutimit për komunitetin shqiptar atje. Kjo është një histori që rrezikon të përsëritet, një histori që ka parë shumë herë shqiptarët të jenë viktima të pushtuesve të huaj.
Në mes të një bote që po shkrin dhe një lufte që ka marrë përmasa tragjike, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, një simbol i qëndresës dhe fuqisë në këtë periudhë të vështirë, është duke udhëhequr një komb të tërë që përpiqet të mbrojë sovranitetin e tij. Por tani, pas tensioneve të fundit që përfshijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidentin ukrainas, një erë e re ndarje po fryn në rajon. Sinjalet e diplomacisë ndërkombëtare, përveç se po shfaqin një krizë të brendshme, gjithashtu po hedhin dyshime për mundësinë e një ndarjeje të mundshme të Ukrainës, që do të përfshijë territore që aktualisht janë shtëpi për shqiptarët.
Shqiptarët në Ukrainë: Një Komunitet i Paaftë për të Mbijetuar në Një Territor të Pushtuar nga Rusia
Shqiptarët që jetojnë në Ukrainë janë një komunitet i vogël, por i njohur për historinë e tij të emigrimit dhe për përpjekjet e vazhdueshme për të ndihmuar dhe kontribuar në zhvillimin e shtetit ukrainas. Ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetje të luftës për pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Mirëpo, në këtë moment, kur kërcënimi i pushtimit rus është më i madh se kurrë, shqiptarët në Ukrainë janë të rrezikuar të bien nën një okupim të rreptë dhe të barbarizuar, siç kanë ndodhur edhe me popuj të tjerë të pushtuar nga Rusia.
Nëse territori ku jetojnë shqiptarët do të ndahet dhe këto zona bien nën kontrollin e forcave ruse, mund të jemi dëshmitarë të një tjetër periudhe të pasigurisë dhe represionit. Duke pasur parasysh se rusët shpesh kanë përdorur retorikën e ndjekjes dhe shënjestrimit të atyre që janë të lidhur me përpjekjet për mbrojtjen e shtetit ukrainas, shqiptarët mund të përballen me një dëm kolosal. Historia e Ballkanit ka dëshmuar se regjimet autoritare dhe pushtuesit shfrytëzojnë çdo mundësi për të shkatërruar dhe ndalur çdo formë të identitetit kombëtar dhe etnik.
Në një territor të pushtuar nga Rusia, mund të shohim përsëritjen e një modeli të njohur të shtypjes së grupeve etnike dhe ndjekjes së atyre që janë të lidhur me shtetin ukrainas. Pushtimi rus ka një histori të shëmtuar në vendet e pushtuara, ku minoritetet dhe ata që mbështesin opozitën janë shpesh shënjestra të dhunës dhe përndjekjes.
Zelenskyy dhe Qëndresa në Ballë të Luftës: Mbrojtja e Komunitetit Shqiptar
Në këtë moment të tmerrshëm, është e nevojshme të mbështesim Zelenskyyn dhe të mbrojmë demokracinë që ai është duke e udhëhequr. Ai është një lider që po lufton jo vetëm për popullin e tij, por për të drejtat e çdo njeriu në Ukrainë, përfshirë shqiptarët që janë pjesë e këtij kombi. Po ashtu, është e domosdoshme që komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të japin mbështetje të fuqishme dhe të pa rezerva për Ukrainën dhe për çdo minoritet etnik që rrezikohet nga ky pushtim.
Zelenskyy, si lider që ka treguar një qëndresë të jashtëzakonshme, duhet të mbetet një mbështetje për shqiptarët dhe të gjithë ata që janë në rrezik nga ndikimi rus. Kjo është një luftë jo vetëm për mbrojtjen e një kombi, por edhe për mbrojtjen e identitetit dhe të ardhmes së grupeve të margjinalizuara. Shqiptarët që jetojnë në Ukrainë janë të detyruar të mbijetojnë në kushte të jashtëzakonshme dhe, nëse ndodhin ndryshime të mëdha, duhet të kenë mbështetje të fuqishme nga qeveria ukrainase dhe ndërkombëtarët që kanë shpallur se nuk mund të ketë një “ndarje të territorit” si një formë e arsyeshme për të përfunduar luftën.
Pasojat e Ndarjes: Persekutimi i Mundshëm për Shqiptarët dhe Komunitetet e Tjera
Nëse Ukraina ndahet dhe territoret ku jetojnë shqiptarët bie nën kontrollin rus, ky komunitet mund të përballet me një periudhë të rrezikshme dhe të errët. Pasojat mund të jenë shkatërruese: mund të ndodhin pasiguri të mëdha për ekzistencën e tyre, dhunë dhe përndjekje nga regjimi rus, dhe një formë e re e shënjestrimit të atyre që kanë mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Shënjestrimi i shqiptarëve mund të shndërrohet në një periudhë të përndjekjes, siç ka ndodhur me shumë grupe të tjera në historinë e okupimeve të tjera. Dhe këto ndodhi janë një paralajmërim i qartë se pasojat e një ndarjeje të mundshme janë të frikshme për të gjithë ata që kanë mbështetur pavarësinë dhe lirinë e Ukrainës.
Përfundimisht, pasojat për shqiptarët do të jenë të mëdha. Pas ndarjes, ata mund të shndërrohen në një viktimë të re të sistemit pushtues, duke përjetuar represione, shkelje të të drejtave të njeriut, dhe përpjekje për të zhdukur identitetin e tyre etnik dhe kulturor. Kjo është një ftesë për të qëndruar vigjilentë dhe të mbështesim çdo veprim të mundshëm për të ndihmuar ukrainasit dhe shqiptarët që jetojnë aty të mbijetojnë dhe të mbrojnë të drejtat e tyre.
Në këtë periudhë të pasigurt, përpjekjet për mbrojtjen e Ukrainës dhe të shqiptarëve duhet të mbeten një prioritete i qartë për të gjithë ata që e duan paqen dhe të drejtat e njeriut në rajon.