Dobitë shëndetësore konsumit të farave të kungullit janë të shumta, kjo falë përbërjes me vitamina si A, B1, B2, B6, C, D, E dhe K. Përmban acide yndyrore të pangopur, acidet yndyrore omega-3 dhe omega-6, magnez, hekur, kalcium, zink, fosfor dhe mangan.
Farat e kungullit jane gjithashtu një burim i mirë proteinash. Vaji i farave të kungullit është preparat 100% natyral i cili nxirret nga farat e kungullit, në gjendje të ftohtë për të ruajtur strukturën kimike dhe për të pasur efektshmëri maksimale në përdorimin e tij mjekësor. Vaji i farave të kungullitpërdoret për shërimin e prostatës së rritur. Vaji përmban fitokimikate dhe antioksidues, të cilat reduktojnë nivelin e radikaleve të lira në organizëm dhe parandalojnë krijimin e qelizave kancerogjene. Vetëm një gjysmë luge çaji vaj kungulli ju jep 5 gram fibra.
Fibrat ndihmojnë në promovimin e tretjes të mirë dhe shëndetin gastrointestinal… Konsumi i vajit të farave për një periudhë 2 mujore përmirëson deri në 86% simptomat në problemet me urinimin. Ndërkaq, vaji i farave të kungullit arrin të zvogëlojë madhësinë e prostates me 33% tek pacientët që vuajnë nga problemi i zmadhimit të saj. Ky vaj është burim i shkëlqyer i acidit yndyror Omega 6 (acidi linoleik). Omega 6 është zbuluar se lehtëson simptomat e prostatës së zmadhuar, si dhe i jep mundësi organizmit të arrijë ekuilibrin hormonal. Këshillohet që burrat që kanë këtë problem të marrin një lugë çaji i vajit të farave të kungullit çdo ditë dhe do të shohin lehtësim të simptomave brenda një muaji.
Anila Kalleshi tregon se si mund t’i largojmë problemet me urinimin
Xhavit, lëri shpifjet, ndihmoje drejtësinë !

Rrëfime nga lufta të Blerim Metajt

Kurdët, me ndihmën e aleatëve, do ta çlirojnë e bashkojnë Kurdistanin e tyre!
Afrikë e Jugut, 1982 / “Lindja e Princ Leka II, Mbretëresha Geraldinë, dashuria për Shqipërinë…”
Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Dhjetor 2024
Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 30 qershorit 1982, në faqen n°16, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II) në Afrikë të Jugut, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Një ish-australiane, tani një mbretëreshë që jeton në ekzil…
Susan Cullen-Ward, 41 vjeç, tashmë mbretëresha e Shqipërisë në mërgim, flet për shpresat e saj për Princin e Kurorës Leka në një intervistë ekskluzive.

Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16
Pavarësisht se çfarë thonë, mbretëria ka magjinë e vet, edhe nëse je i internuar, duke jetuar në një pronë të vogël modeste në periferi të Johanesburgut, Afrikën e Jugut, me një suitë të vogël dhe pak para. Që nga takimi im i parë me Mbretin Leka të Shqipërisë dhe gruan e tij me origjinë australiane, Mbretëreshën Suzani (ish Susan Cullen Ward të Uellsit të Ri Jugor), ndjeva një atmosferë madhështie që kapërcente këto rrethana të reduktuara.
Kohët kanë qenë vërtet të vështira, duke filluar kur Leka u nxor nga atdheu i tij kur ishte vetëm dy ditësh, pasi Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë të Musolinit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por nga të gjitha vështirësitë me të cilat ballafaqoheshin, kishte një problem dërrmues. Nuk kishte asnjë trashëgimtar mbretëror dhe Mbretëresha kishte pasur tashmë katër aborte. Pastaj, marsin e kaluar, ndodhi mrekullia. Pas një shtatzënie të gjatë dhe të vështirë, Princi i Kurorës Leka II lindi në një klinikë të vogël të Johanesburgut. Linja mbretërore mundi të vazhdojë.
Gjëra marramendëse, por realiteti është më pak idilik. Familja mbretërore shqiptare në ekzil jeton në një shtëpi me qira, të mobiluar në stilin e fermës, në fund të një rruge të gjatë dhe me pluhur, e mbuluar me shkurre dhe gjemba. Dy hektarët e tokës janë të çrregullta; pulat, lopët dhe palloi i çuditshëm vërshojnë lirshëm rreth lëndinave të thata, shkurreve të shpërndara dhe shtëpive të shkatërruara.
Teksa po luftoj me copën e telit që mban derën të mbyllur, shfaqet një truprojë me një armë në këllëf. Ai vjen për të më ndihmuar, i gjithi i buzëqeshur dhe me mirësjelljen e dikurshme. Ai është 60 vjeç dhe ende e kujton Shqipërinë e monarkisë.
Na çojnë në një tarracë të shtruar ku një shërbëtore shërben limonë, duke na bërë nderimet mbretërore. Mbreti hyn. Me një gjatësi prej 206 cm, ai është një burrë shtatlartë dhe i thinjur, i cili duket më i vjetër se 43 vjeç. Mbretëresha është e veshur thjesht : fustan leshi ngjyrë blu të kaltër, këpucë blu të kaltër, shall pambuku indian. Flokët e saj janë të gjatë, të krehur mbrapa dhe me vija bionde; grimi i saj është i patëmetë. Ajo nuk mban asnjë bizhuteri përveç unazave të bukura prej diamanti të fejesës dhe martesës së saj.
Fytyra e saj është klasike, silueta e saj e hollë, prania e saj e qetë dhe serioze. Nuk ka asgjë për të thënë në lidhje me vajzën e një fermeri të shndërruar në Mbretëreshë. Ajo thjesht i tregon gjërat ashtu siç i duken, duke i artikuluar mendimet me lehtësi, pa u shqetësuar qartë për të lënë ndonjë përshtypje.
Motra Adelaide, dadoja e tyre lokale afrikane, sjell foshnjën mbretërore të mbështjellë me një shall të bardhë me grep dhe ia dorëzon me kujdes nënës së tij. Mbretëresha Suzani pranon se është në një gjendje të lumtur për djalin e saj të porsalindur, duke fjetur i qetë në krahët e saj. “A nuk mendoni se ai i ngjan babait të tij? Ai është kaq i ëmbël, kaq gazmor nganjëherë,” thotë ajo.
Mbretëresha Suzani është e vendosur që Princi i Kurorës të mos relegohet (rritet), sipas stilit viktorian, në çerdhe dhe nga dadot. “Ai nuk është i ndryshëm nga çdo fëmijë tjetër, dhe unë jam thjesht një nënë e zakonshme”, thotë ajo. “Edhe pse ai do të stërvitet për të zënë vendin e tij mbretëror kur të jetë më i madh, unë thjesht dua të shijoj kohën me të ndërsa është i vogël.”
Ajo ka besim të madh në vlerën e shtëpisë dhe familjes. “Unë jam një person shumë familjar. Plus, çdo mbretëror që unë njoh është kujdesur për fëmijët e tij. Kjo është shumë e rëndësishme. Sigurisht që kemi dado që të na ndihmojnë, sepse edhe ne kemi angazhime, por ne jemi vetëm nëna punëtore, si gjithë të tjerët.”
Kishte një pritje të gjatë dhe të mundimshme për këtë fëmijë. Dy muajt e fundit të shtatzënisë mbretëresha 41-vjeçare i kaloi duke pushuar në një klinikë, në prani të nënës së saj. Fëmija Princ i Kurorës, i lindur para kohe me prerje cezariane, peshonte vetëm 2.5 kg dhe u fut në një inkubator. Ai duhej të qëndronte në klinikë, pesha e tij vazhdoi të binte.
“Isha plotësisht e dërrmuar. Kisha aq frikë se mos i ndodhte diçka kësaj krijese të kuqe e me rrudha, saqë do të thyhej ose do të binte nga djepi. Por mësova ta laj. Kjo është diçka që ju mësojnë në spital : si të mbani një fëmijë që përpëlitet. Është pak si të mësosh karate për një fëmijë ! — qeshi ajo, duke lënë të kuptohej se sa e shqetësuar ishte kur foshnja u kthye në shtëpi.
Tani, ai pi biberon, kështu që unë mund të fle për disa orë midis mesnatës dhe orës 6 të mëngjesit kur e sjell motra Adelaide. Ai ka pasur dhimbje barku dhe ndonjëherë është tmerrësisht nervoz dhe i plogësht. Nuk di si do të bëja pa motrën Adelaide dhe gjyshen e tij.”
Gjyshja është Madhëria e saj Mbretëresha Geraldinë, e veja e mbretit të ndjerë Zog. “Ajo është një person shumë, shumë i bukur dhe i qetë dhe një nënë gjyshe vërtet e përkushtuar,” thotë Mbretëresha Suzani. Foshnja i ndjen këto gjëra. Ai mund të jetë absolutisht një bishë me mua ndonjëherë, por është gjithmonë i qetë me të.”
Prindërit e Mbretëreshës, zoti dhe zonja Alan Cullen-Ward, jetojnë në Drummope, Sydney, që nga shitja e pronës së tyre, pranë Parkes, Uellsin e Ri Jugor. “Ata nuk e kanë parë ende foshnjën, por janë tmerrësisht të emocionuar”, thotë Mbretëresha Suzani.
“Dua ta dërgoj në një grup lojërash apo në një çerdhe. Të mësosh të shoqërohesh me të tjerët është shumë e rëndësishme. Ai do të rritet në besimin mysliman në pritje të ditës që do të ngjitet në fronin e Shqipërisë. Kur të mbushë 18 vjeç, do t’i prezantohet popullit të tij.”
Kush janë njerëzit e tij ? — e pyes me ndrojtje.
“Të gjithë shqiptarët në botën e lirë, sigurisht”, përgjigjet ajo.
Mbretëresha është edukuar (shkolluar) në traditat më të mira : ajo studioi në një shkollë në Orange, Uellsin e Ri Jugor, ndoqi një kurs për dizajnin e brendshëm dhe industrial në Sydney, më pas një jetë profesionale pa presion, e ndërthurur me kalërim dhe ski të shumtë (sporti i saj i preferuar), më pas u nis për në Spanjë për të studiuar pikturën. “Isha e dëshpëruar, vërtet e dëshpëruar,” tha ajo e trishtuar.
Si mbretëreshë, ajo kishte shumë për të mësuar që kur u takua me mbretin Leka në një darkë të dhënë nga një mik i përbashkët në Sydney 13 vjet më parë. Miqësia e tyre ishte e gjatë dhe në vitin 1975 ata u martuan me gjithë shkëlqimin e një dasme mbretërore. Mbretëresha Geraldinë e njohu atë me rregullat e protokollit dhe njohuritë mbretërore (të ngjashme me Nënën Mbretëreshë dhe Princeshën e Uellsit). “Mësova se nuk mund të them atë që dua, të shkoj ku të dua. Dhe më mungon privatësia ime,” — thotë ajo.
Në vitin 1979, mbreti dhe familja e tij u dëbuan nga Spanja pas akuzave për stokim të paligjshëm të armëve. Pas një qëndrimi të shkurtër në një fermë me qira në Rodezi, atyre iu dha strehim i përkohshëm në Afrikën e Jugut.
Pra, lindja e këtij Princi të Kurorës pa fron, për ta ka një domethënie të madhe. Ai përfaqëson një traditë, shpresën e tyre për të ardhmen.
Unë e pyes se cilin vend e konsideron Mbretëresha si shtëpinë e saj. “Shtëpia ime është Shqipëria”, thotë ajo. “Kjo është një nga gjërat shumë të vështira që duhej të vendosja kur u martova me Mbretin. Ndoshta ishte vendimi më i vështirë i jetës sime. Australia është diçka që e dua, më mungon dhe e ndjej thellë. Rrënjët e mia janë atje, familja ime gjithashtu. Lidhjet janë të forta, por ne nuk mund të jetonim kurrë atje : është shumë e shkëputur për punën politike që bëjmë.”
Ajo flet me zë të ulët, me shumë pasion, për një vend që nuk e ka parë kurrë. “Unë jam angazhuar që një ditë të kthehemi në shtëpi, në shtëpinë tonë në Shqipëri.”
MARGARET GAGANAKIS
- Aurenc Bebja, Francë. (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/afrike-e-jugut-1982-lindja-e-princ-leka-ii-mbreteresha-geraldine-dashuria-per-shqiperine-intervista-ekskluzive-e-mbretereshes-suzane-me-rastin-e-lindjes-se-princ-leka-ii/.

“Porosia e Kullës” e Dr. Pashko Camaj

Nga: Frank Shkreli
(Fjala me rastin e promovimit të librit “Porosia e Kullës” të autorit shqiptaro-amerikan nga Malësia e Madhe, Dr. Pashko Camaj, në Qendrën Nenë Tereza të Kishës Katolike shqitaro-amerikane, Zoja e Shkodrës në Nju Jork)
Përshëndetjet e mia të gjithë të pranishëmve aty të mbledhur sot në Sallën e të Madhes tonë Shën Nenë Terezës, pranë Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”. Përshëndes dhe përgëzoj, përzemërsisht, bashk-malësorin tem, mikun, kolegun dhe autorin e librit “Porosia e Kullës”, Dr Pashko Camaj – të cilit, njëkohsisht, i kërkoi ndjesë, që në pamundësi të jem aty sot, detyrohem t’a përshëndes me këtë rast, prej së largu nga Washingtoni. Pa dashur të dukem si krahinor, më duhet të pranoj se suksesi Dr Pashkos…
“Porosia e Kullës” është titulli i librit. Dy fjalë të mëdha, dy fjalë të shenjëta – fjala: Kullë dhe fjala: Porosi, ose siç përdoret në fjalorin popullor: amaneti. Është një rrëfim autobiografik, por edhe një përvojë reale dhe aktuale shpirtërore dhe shoqërore. Është një rrugëtim, që secili prej nesh e ka berë, në rrethana tjera dhe në kohë të ndryshme. Është një tregim i cili po të heqim emrin e autorit, Dr Camaj, mund të vendoset emri i secilit prej nesh, mërgimtarë malësorë, por jo vetëm, të ardhur në Amerikë gjatë 50 e sa viteve më parë. Është një histori dhe një pasqyrë ku secili prej nesh të ardhur nga ato anë, shohim vetveten tonë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë dhe të familjeve tona, por edhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi. Si bashkvendas, me të njëjtën përvojë si Dr. Pashko Camaj, ky libër na ben të shikojmë thellë brenda vetes, ndoshta me mundësinë dhe dëshirën për të gjetur veten në një botë të huaj dhe për t’ju përgjigjur pyetjeve se ku ishim, ku jemi dhe ku po shkojmë – brezi ynë dhe ata që vinë pas nesh. A është një bekim, apo një mallkim, ndoshta, braktisja e Kullës dhe e trojeve tona? Ato kulla që ndër shekuj kanë ruajtur brez pas brezi identitetin shqiptar, traditat, vlerat dhe zakonet e mira të malësorëve, të cilët shpesh e kanë ndier veten si të huaj në kullat dhe në trojet e veta shekullore.
Atyre kullave të Malësisë tonë të cilat, historikisht, kanë shërbyer një rol të dyfisht, si banesa por edhe për mbrojtje nga armiqët. Këto janë pyetje që vetëm secili prej nesh, bazuar në përvojën tonë, mund t’i përgjigjemi, bazuar në përvojën dhe në rrethanat tona specifike. Nëse braktisja e kullave tona gjatë dekadave ishte një bekim apo mallkim, kjo u mbetet historianëve të ardhëshëm të vendosin. Megjithëse autori mund të ndjehet fajtor për “ mospërfilljen” e amanetit të Kullës, duke u largua nga vendlindja – ai përpiqet të justifikoj largimin nga trojet shekullore tona për një jetë më të mirë në Amerikën e largët duke cituar që në fillim një paragraf nga Testamenti i Vjetër i Biblës – që përcakton emigrimin si një fenomen botëror i shekullit të kaluar por aktual edhe sot, ndonëse aq i vjetër sa vet Bibla:
“Zoti i tha Abrahamit: Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të tregoj. Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim.” Zanafilla 12:1-20
Titulli i librit, “Porosia e Kullës” e autorit Dr Pashko Camaj është në të njëjtën kohë edhe një betim dhe mund të shikohet si thirrje brezit të tanishëm dhe të ardhëshëm të malësorëve e të shqiptarëve, anë e mbanë trojeve tona në Ballkanin Perëndimor, në përgjithësi, që ata të mos barktisin “Kullat”. Por, nga ana tjetër, është edhe një betim solemn për t’i qëndruar besnik deri në fund, “Mbrojtjes së Kullës” si një gjë të shenjtë, një porosi e Kullës së të parëve!
Ky është edhe pikëqëllimi i këtij libri, sipas vet autorit: një mesazh e porosi për brezat e ardhëshëm të malësorëve dhe shqiptarëve nga të gjitha trojet, në Amerikë – ku ndonëse ëndërrat bëhen realitet – siç është edhe vet rasti i autorit, në këtë vend të ri. Ndërsa bëhen amerikanë, ata mund të ruajnë gjithnjë rrënjët e veta dhe të mos harrojnë origjinën nga vijnë. Ashtuqë nepërmjet porosisë së Kullës, malësorët dhe shqiptaro-amerikanët, në përgjithësi të mund të ruajnë trashëgiminë dhe amanetin shekullor të brezave arbërorë edhe këtu në Amerikën e largët. Në këtë
“komb të madh, do të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim”, janë fjalët e Perendisë, drejtuar Abrahamit. “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd…”
Dr. Pashko: ti ke bërë zgjidhjen e duhur, prandaj mos e ndjejë veten fajtor ndaj të parëve tu por të jesh krenar për këtë vepër, me të cilën ti përshkruan historinë tënde, por që, në të vërtetë, përmban edhe historinë e secilit prej nesh, që në kohë tjera, ashtu si ti para 40-viteve, kemi ardhur në këtë “komb të madh” nga trevat shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Ky “komb i madh”, që është Amerika jonë e dashur, të gjithë neve me origjinë të përbashkët nga vjen edhe autori Dr Pashko Camaj, na e ka bërë të mundur që “Porosia e Kullës” të jetë një bekim për secilin prej nesh si individ dhe për ne si komunitet që aktualisht luan një rol me rëndësi në jetën dhe veprimtarinë e këtij kombi të madh, të përcaktuar, si i tillë nga Perendia – si vendi që ai na “tregojë”.
Më në fund, si rjedhim, kuptohet, vetvetiu, se sa rëndësi e vlerë ka kjo vepër për historinë tonë këtu në Shtetet e Bashkuara por edhe për amangtet dhe “Porosinë e Kullave” të Malësisë tonë të Madhe e të dashtun, për trojet shqiptare në Ballkanin Perendimor. Për të kaluarën, për të tashmen dhe për të ardhmen. “Porosia e Kullës” përkon plotësisht me botëkuptimin e shqiptarëve të cilët dikur u lidhshin dhe mbetshin aty ku kishin dhanë fjalën, d.m.th: Besën. Besa e dhenë është porosia e ruajtur e Kullës!
Duke qenë i bindur se ashtu si Arbëreshët e Italisë të cilët ruajtën për më shumë se 500-vjet porositë dhe identitetin kastriotian në dhe të huaj – ashtu edhe shqiptarët e sotëm në “tokën e premtuar” të Amerikës — me kohë dhe me kujdes e sipas rrethanave — do të mund të ruajnë “Porositë e Kullave”, duke ruajtur vlerat dhe traditat fisnike të kullave tona, jo vetëm në Malësi të Madhe dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe këtu në botën e re — Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot për sot, askund si këtu në Amerikë nuk mund të zhvillohen me sukses përpjekjet për të ruajtur vlerat dhe traditat kombëtare.
Shpresonim se me shembjen e Murit të Berlinit dhe të diktaturës së egër komuniste në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, “çeshtja shqiptare” do të merrte, më në fund, dinamika të reja përparimi e zhvillimi, në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Kjo nuk ka ndodhur as pas 35-vjet të ashtuquajtur, tranzicion “post-komunist”. Mjerisht, kullat tona që u qëndruan me shekuj luftërave për liri e identitet kombëtar po mbeten bosh, ndërkohë që vazhdon zbrazja biblike e trojeve shekullore e shqiptarëve.
Për fat të keq, si në mërgim ashtu edhe në dy shtetet shqiptare – në Shqipëri dhe Kosovë – mungojnë udhëheqsit atdhetarë, të betuar që të bashkojnë në “një mendim e një qëllim”, mundësitë e përbashkëta kolektive në mbështetje dhe mbrojtje të interesave kombëtare, mbi ato private, partiake, ideologjike dhe krahinore. Jo, se kombi nuk ka njerëz me vlera të larta kombëtare!? Vaj medet për ne nëqoftse humbasim edhe këtë rast e mundësi historike për të cilën Kombi shqiptar ka pritur me shekuj. Mendonim se ky do të ishte shekulli i shqiptarëve! Gjithnjë shpresojmë!
Pa dashur të dukem si krahinor, më duhet të pranoj se suksesi i Dr Pashkos është edhe sukses për çdo malësor kullash në trojet tona të Malësisë së Madhe pore dhe këtu në mërgim.
Prandaj e mbyll me urimet e mia më të përzemërta, mikut, kolegut dhe bashkvendasit malësor, Dr Pashko Camajt për këtë botim duke pritur prej tij, edhe botime të tjera në të ardhmen.
Vëllazërisht,
Frank Shkreli
MËRGIMI – nga Ernest Koliqi
“Në mërgim, për arsyena të ndryshme që këtu s’e kanë vendin të rrjeshtohen, asnji popull tjetër, besoj, nuk u dënue si i yni nga fati me marrë rrugat e «gerbetit ». Ndonse e vogël, Shqipnija i ka bijt e vet të shpërndâmë në katër kandet e dheut. Të gjithë i shporon në zêmër malli i vendlindjes. Sado i vobektë, shpesh i mbështjellun nga nji grumbull kujtimesh të zymta, çerdhe e pazoja me u dhânë rritje e gjallesë t’arsyeshme zogjve të vet, prap se prap, gurt e sokakut të vendlindjes, thepi i malit, zàni i prronit, zhurma e çekerkut të pusit, ngjallin në shpirtin ma harraq nji dëshir të ndezun këthimi. Por edhe mërgimi dallohet në lloje të ndryshme. Kush del jashë visit të të Parvet për nji përmirsim gjallese por, sado larg t’a két hjedhë nevoja, nuk ia pengon gjâ udhën e këthimit, ai e ndien mâ pak mallin sepse e din që mjafton ti hypi nji vaporri ase nji avullqerrje për tu këthye në gjï të qytetit a të katundit ku u lind. Trishtim kapërthyes ndrydhë, përkundrazi,
zêmrën e atij që nuk mund të marrë udhën e këthimit n’atdhé, sepse aty e prêt nji përndjekje mizore. Ky lloj mërgimi dërmon shpirtin, tue pre çdo mundësi shmallimi”. (Shëjzat, 11-12, 1962 – faqe 362).
***
Kush është Dr Pashko R. Camaj: Ai ka lindur në vitin 1964 në Mal të Zi, ku përfundoi arsimin e mesëm dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak para se të emigronte, nëpërmjet Meksikës, në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1985. Disa vite më vonë, në moshën 28-vjeçare, ai u pranua në City University of New York, ku përfundoi studimet bachelor dhe master për shkencat e mjedisit dhe të shëndetit në punë. Në vitin 2013, në moshën 49-vjeçare, ai mbrojti tezën e doktoraturës dhe mori gradën Doktor i Shëndetit Publik në Universitetin e Kolumbias në Nju-Jork. Pashku ka botuar disa studime akademike të vlerësuara në fushën e shëndetit publik dhe kjo është vepra e tij e parë e këtij lloji. Aktualisht, ai shërben si anëtar i udhëheqjes së lartë për “MTA-Bridges&Tunnels”, një agjenci shtetërore transporti në Nju-Jork dhe është gjithashtu një ndihmës-profesor në Universitetin “William Paterson” në Nju Xhersi. Përveç kësaj, Pashku aktualisht shërben si sekretar i Federatës Panshqiptare të Amerikës, “Vatra”, organizata më e vjetër amerikano-shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Zbythja taktike e Serbisë !?
Ali Sh Mehmeti
Sado që duket i rëndë sulmi terrorist mbi kanalin ujësjellës Ibër-Lepenc, ai shpërfaq pafuqinë e Serbisë të realizoj planin që kishte në momentin e largimit të policisë dhe administratës tjetër nga detyra, në komunat veriore të Kosovës, në nëntor të vitin 2022.
Tanimë, me gjasë shumë të madhe, dihet se llogaritë e Serbisë ishin që pas këtij largimi detyrat e sigurisë do i marrë KFOR-i dhe kështu të krijohet një tampon zonë për territorin e të cilës pastaj do mund të negociohet. Nuk e kanë llogaritur se organet ligj zbatuese të Kosovës do janë aq efikase dhe me shpejtësi do të vendosin rendin dhe ligjin, kurse KFOR-i nuk do tregohet aq i interesuar për të ndërhyrë.
Kur kjo dështoi, nuk kaluan shumë muaj dhe në pranverë të vitit 2023, me urdhër nga Beogradi, filluan të bllokoheshin rrugët me vendosjen e barrikadave, protesta nëpër rrugë deri të konfrontimi fizik me ushtarët e KFOR-it që u vendosën mes protestuesve dhe policisë së Kosovës, me ç’rast u rrahën dhe plagosën me armë zjarri me dhjetëra ushtarë, disa edhe me pasoja të përjetshme. Kërkesat e protestuesve ishin, tërheqja e policisë speciale nga veriu i Kosovës dhe lirimi i objekteve komunale. Policia, jo që nuk u tërhoq, por vendosi 9 baza të përhershme gjithandej.
Pasi iu dështuan dy tentativat për të nxjerr KFOR-in nga kazerma dhe për të krijuar tampon zonë, kaluan në variantin ekstrem. Me simulim të një kryengritjeje “popullore” të armatosur, që në fakt do ishte një aksion subversiv-diversant-terrorist, ekzekutuar nga shteti serb me njësi paramilitare, deshën ta detyrojnë KFOR-in të intervenoj për të shmangur një konfrontim mes policisë dhe këtyre njësive paramilitare, që patjetër se do të shkaktonte shumë viktima. Një skenar të tillë tashmë e kemi parë në Kroaci dhe Bosnje në fillim të viteve 90-ta. Vendosja e KFOR-it në lumin Ibër, defakto do ta mundësonte aneksimin e veriut të Kosovë, ku tashmë do ishte vendosur “populli” i armatosur për t’u “mbrojtur nga ekstremistët shqiptar të Albin Kurtit”. Si përfundoi rasti Banjska, tashmë e dimë. Sipas të gjitha gjasave, intervenimi i Policisë së Kosovës e ka ndërprerë finalizimin e aksionit të paramilitarëve serb. A ka ndodh ky intervenim rastësisht, sepse thonë se rastësia është mbret i botës, apo në bazë të informacioneve paraprake, nuk do ta dimë për një kohë të gjatë.
Dhe së fundi, hidhet në erë kanali ujësjellës Ibër – Lepenc, që furnizon me ujë të pijshëm disa qytete të Kosovës duke përfshirë edhe Prishtinën, furnizon termocentralet dhe shërben për ujitje të tokave bujqësore. Cili ishte qëllimi kryesor i këtij sulmi terrorist nuk mund ta dimë me saktësi, sepse efektet janë të shumëfishta.
Që ky akt ta ngrit tensionin e shqiptarëve që do mund të shndërrohet në ndonjë akt hakmarrës apo mësymje ndaj serbëve ne veri, që eventualisht do mund të shkaktonte intervenimin e KFOR-it?!
Të shkakton frikë dhe panik, duke lënë një pjesë të mirë të Kosovës pa ujë të pijshëm dhe pa energji elektrike?! Megjithatë, jo për kohë të gjatë, sepse do goditeshin edhe qytetarët serb. Këtë e them sepse vendi i vendosjes së eksplozivit ka mundur të jetë i zhvendosur disa metra dhe të hidhen në erë disa shtylla që mbanin kanalin në ajër. Në këtë rast nuk do mund të rivendoset rrjedha e ujit brenda 24 orëve, duke improvizuar një urëkalim me gypa apo kontejner të pjesës së dëmtuar, siç edhe u bë, por do shkaktohej ndërprerje e rrjedhës së ujti për s’paku një javë, sa zgjati ndërtimi i kanalit devijues.
Por sipas meje, arsyeja kryesore është që shqiptarët të bëhen të besojnë, e që nuk qëndron, se serbet/Serbia e ka në dorë ujin që e pinë dhe energjinë elektrike që e shfrytëzojnë, prandaj janë të detyruar të merren vesh me serbet, ose do të përballen me akte edhe më të dhimbshme, kurse ky i tashëm është vetëm vërejtje. Domethënëse është koha kur ndodhi ky akt, mu në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Në mënyrë indirekte dërgohet porosia tjetër, që në fakt është porosia kryesore: Ju e dini se me Albin Kurtin ne nuk mund të merremi vesh dhe ai është burim i të gjitha problemeve, prandaj mos e votoni Albinin prapë, por ata, në kohën e të cilëve nuk kishit probleme as me ujë as me energji elektrike. Tek e fundit, kështu po thotë edhe opozita me shumicën e mediumeve. Pra, nga tentativa për aneksimin e veriut të Kosovës me një aksion paramilitar, tani do të kënaqeshin edhe vetëm me ndryshimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasi u bindën se asnjë metodë tjetër nuk ju eci me këtë qeveri. Për ta arritur këtë dhe nga dëshpërimi i thellë i tyre, ndërmorën një akt terrorist, qyqar pa precedent, që nuk i ka hije as organizatave klandestine, lere më një shteti, edhe pse të vetëdijshëm se do gjykohen nga shtetet demokratike. Diçka të tillë qeveria aktuale e Serbisë nuk do ta përsërit, që nuk përjashton ndonjë “gjetje” tjetër. Aq më parë kur në Serbi po fillon një lëvizje studentore dhe e bujqve, që mund ta rrëzon qeverinë aktuale dhe kur përkrahja e perëndimit do i duhet shumë Vuçiqit.
Sigurisht se kjo zbythje dhe pajtimi me faktin se me këtë qeveri nuk mund ti realizojnë qëllimet e veta është vetëm taktike, kurse objektivat strategjike të Serbisë ndaj Kosovës nuk ndryshojnë.
Megjithatë, ky akt terrorist na solli edhe diçka të mirë.
U tregua se Shqipëria është gjithnjë aty për të ndihmuar në rast nevoje – kësaj radhe me energji elektrike.
Disa qytetarë, politikanët sidomos, që menduan se ne veri ndodhet vetëm Trepça sikur pasuri, mësuan se ka edhe diçka më jetike, që është uji dhe do ta mendojnë këtë para se të flasin për “shkëmbim territoresh”.
Qytetarët duhet ta dinë se qysh tani ka filluar shqyrtimi i mundësive që termocentralet të furnizohen me ujë nga lumenjtë përreth, me ç’rast do të ndërtohet një liqe/basen. Sigurisht se kjo nuk e ul rëndësinë e Ujmanit, sepse nga aty e marrim edhe ujin e pijes dhe për vaditje të tokave bujqësore.
Familja Asad ka ikur nga vendi – kështu ishte regjimi
Foto: GERARD CERLES / AFP
Piloti luftarak dhe oftalmologu që sundoi Sirinë me një grusht të hekurt.
- Ole Løkkevik, VG
Statuja Hafez al-Assad në Damask u shemb dhe u shkel me këmbë në brohoritjet dhe këngët e rebelëve sirianë.
Pas 50 vjetësh në pushtet, regjimit brutal të dinastisë Asad i ka ardhur fundi.
Presidenti sirian ka ikur në Moskën e mbuluar me dëborë, ku tani i është dhënë azil politik.
Kush ishte kjo familje që mbajti brutalisht pushtetin në Siri për kaq shumë kohë?
Bashar al-Asad nuk ishte me të vërtetë i destinuar për rolin e presidentit.
Në fillim të viteve 90, ai studioi mjekësi në Londër për t’u bërë oftalmolog.
Por një ditë janari të vitit 1994, vëllai i tij më i madh Basil al-Assad po shkonte për pushime skish në Alpe, kur ai udhëtoi me makinë në mbi 200 km/h në një Mercedes luksoz rrugës për në Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut. Ai u largua nga rruga dhe vdiq në zbritje.
Me vdekjen e vëllait të tij, 28-vjeçari Bashar duhej të thirrej në shtëpi për të marrë përsipër rolin e trashëgimtarit.

FUNERALI: Bashar al-Assad ecën pas arkivolit të babait të tij gjatë funeralit në Damask më 13 qershor 2000. Foto: RABIH MOGHRABI / AFP / NTB
Kur mori pushtetin në vitin 2000, parlamenti sirian kishte ndryshuar kushtetutën dhe kishte ulur kufirin e moshës për kandidatët presidencialë nga 40 në 34 vjeç, që ishte mosha e Basharit në atë kohë.
Presidenti i ri fillimisht ngjalli shpresa për reforma dhe rritje ekonomike.
Por Bashar kryesisht vazhdoi metodat autoritare të babait të tij.

PILOTI LUFTARAK: Hafez al-Assad (duke qëndruar prapa) në vitin 1953, pak më shumë se 20 vjet para se të merrte pushtetin në Siri. Foto: NTB
Babai i tij, Hafez al-Asad, ishte i njohur për të goditur kundërshtimin.
Piloti luftarak dhe oficeri morën pushtetin nëpërmjet një grushti shteti në vitin 1970 dhe sunduan vendin me një grusht të hekurt.
Masakra në Hama është një kapitull i përgjakshëm në historinë e tij.
Në shkurt të vitit 1982, presidenti urdhëroi shkatërrimin e një rebelimi në rritje të Vëllazërisë Myslimane në qytetin Hama.
Për disa javë, qyteti u bombardua në copa, para se forcat qeveritare të shkonin derë më derë për të zhdukur të mbijetuarit e fundit.
Rreth dy të tretat e qytetit u shkatërruan. Amnesty International ka vlerësuar se nga 10.000 deri në 25.000 njerëz janë vrarë.
20 vjet në të ardhmen: marrja e Basharit dha shpresë për relaksim politik.
Organizatave civile iu dha më shumë hapësirë për manovra, duke përfshirë grupet e të drejtave të njeriut dhe të burgosurit politikë u liruan.
Gruaja e tij Asma al-Asad, një financiere me prejardhje siriane që u rrit në Londër, u portretizua në revistën e famshme të modës Vogue nën titullin “Një trëndafil në shkretëtirë”.

FAMILJA: Hafez al-Assad dhe gruaja e tij të ulur në front, me fëmijët e tyre prapa – duke përfshirë Bashar al-Assad nga e majta. Fotografia: SANA / Reuters
Yjet e Hollivudit si Brad Pitt dhe Angelina Jolie vizituan çiftin Assad për punën e tyre me refugjatët irakianë dhe palestinezë.
Pranvera e Damaskut u bë emri i periudhës – një pararendëse e Pranverës Arabe në vitin 2011, një kryengritje popullore që do të përballej me forcë brutale nga Bashari i ri shpresëdhënës.

Brad Pitt dhe Angelina Jolie ecën përmes pazarit al-Bzouria në pjesën e vjetër të Damaskut në vitin 2009. Foto: KHALED AL-HARIRI / REUTERS
Demonstratat në Siri në vitin 2011 u zhvilluan me zell pasi forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj demonstruesve në qytetin e vogël Deraa.
Dhuna e regjimit u prit me rezistencë të armatosur dhe e gjitha u zhvillua në një luftë civile, e cila që atëherë u ka kushtuar jetën mbi 600,000 njerëzve.
Qytetet dhe lagjet siriane, të kontrolluara nga rebelët, u bombarduan në rrënoja.
Regjimi i Asadit akuzohet për krime të rënda lufte. Nga këto, janë renditur vrasjet masive, torturat, uria dhe, jo më e pakta, përdorimi i armëve kimike.
Që nga viti 2013, disa raste të agjentëve nervorë si sarin janë zbuluar kundër popullsisë civile.
Asadi i ka mohuar këto akuza, por organizata ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara kanë gjetur prova.
Asadi ka marrë mbështetje nga aleatët e fuqishëm si Rusia dhe Irani, si dhe grupi milici libanez Hezbollah. Këto ndihmuan regjimin me mbështetje ushtarake dhe politike, gjë që e lejoi Asadin të mbante pushtetin për një kohë të gjatë.
Në dy javët e fundit, rebelët e HTS kanë tronditur të gjithë botën dhe kanë nisur një ofensivë të fuqishme kundër sundimit autoritar të Basharit.
Natën e së dielës, erdhi grushti i shtetit de grace:
Rebelët u zhvendosën në Damask dhe morën kontrollin e qendrës së pushtetit të vendit.
“Një numër i madh sirianësh janë tani të lumtur që Asadi, i cili ka sunduar me grusht të hekurt dhe që ka qenë kryesisht përgjegjës për faktin se ka patur një luftë civile për pothuajse 14 vjet me mbi gjysmë milioni njerëz të vrarë në Siri, tani është zhdukur,” tha ministri i jashtëm Espen Barth Eide (Labor) të dielën.
“Ne do të kemi një Lindje të Mesme të ndryshme,” beson ai.
Botuar: 09.12.24 në 21:38
Rifreskuar: 09.12.24 në 21:38
Në Lëbushë të Deçanit me nderime të larta varroset Mr.Sc. Rexhë Sadriaj, edukator i shumë brezave në shkollat e Kosovës

Nga: Arif Ejupi
Sot, në varrezat e fshatit Lëbushë të komunës së Deçanit, me nderime të larta është varrosur Mr.Sc.Rexhë Sadriraj, edukator i shumë brezave në shkollat e Prishtinës, Pejës dhe Deçanit.
Në nderim të jetës dhe veprës së tij në Amfiteatrin e Kuvendit Komunal të Deçanit, është organizuar mbledhje komemorative.
Me këtë rast familjarëve, kolegeve, nxënësve dhe miqve të shumtë të tij, me pikëllim e dhembje u është drejtuar z. Bashkim Ramosaj, kryetar i komunës së Deçanit.
Ai ka dhënë se Mr.Sc. Rexhë Sadriaj, profesor shumëvjeçar i lëndës së biologjisë dhe ish-drejtor në vitet më të vështira i Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit, do të kujtohet si njëri nga mësimdhënësit më të përgatitur dhe më të përkushtuar, jo vetëm në Dukagjin, por edhe më gjerë.
Rexhë Sadriaj, pas përfundimit të studimeve me sukses të shkëlqyeshëm në FSHMN, dega Biologji të Universitetit të Kosovës, regjistrohet në shkallën e tretë të studimeve në Zagreb të Kroacisë.
Ai në këtë Universitet specializohet në afatin e paraparë dhe merr gradën shkencore Magjistër i mikrobiologjisë.

Rexha punën prej edukatori dhe pedagogu e kreu me shumë dashuri. Andaj, lajmin mbi vdekjen e tij, të papritur përveç familjarëve dhe farefisit e kanë pritur me dhembje e lot, ish- kolegë e nxënës të shkollave në Deçan, Prishtinë e Pejë.
Familja Sadrijaj gjatë ditës së sotme ka pranuar qindra telegrami ngushëllimi nga mbarë Kosova dhe Diaspora.
Telegrami ngushëllimi familjes Rexhaj, i kanë ardhur edhe nga Berati e Tirana, ku Rexha ka pasur miq të shumtë të të vëllait Ymer Sadriaj, i cili pas zullumit të madh serbë herët pati ikur në Shqipëri.



