Kreu Blog Faqe 709

Faik Konica: Vajtim për robëri të shqiptarëvet (1901)

0
Faik Konica

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!
Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!
Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.
As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!
Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.
…
As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.
I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?
Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!
O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur
Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,
Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,
Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,
E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!

Faik Konica (1901)

Kush deshti ta përdhosë festën e flamurit në Kumanovë?!

0
Nuk është as në natyrën, as në traditën e shqiptarëve që festat t’i shndërrojnë në skena provokuese, e aspak cilivilizuese. Një grup i shqiptarëve në Kumanovë, dje duke dashur të tregojnë se sa e duan flamurin e tyre, e pasakn grisur flamurin maqedonas dhe paskan bë gjurulldi të panevojshme, duke blloku rrugë dhe duke shkaktu kaos në trafik….. Kjo nuk është festë… kështu nuk festohet… Më së paku, nuk e meriton famuri ynë të përdoret për të shprehur frustrime të panevoshjme që mund të shqetësojnë qytetatarët tjerë, që janë të një nacionalitetit tjetër.
Më mirë së shqiptarët, askush tjetër nuk e kupton se çka do të thotë të jesh i provokuar, i ofenduar….Dje një grup i shqiptarëve të Kumanovës treguan se, duke dashur të glorifikojnë sentimentet e tyre nacionale, nuk paskan mësuar asgjë nga historia më e hershme dhe më e re, kur vet ata ishin viktimë e sjelljeve vandale të serbëve, maqedonasve etj,. nëpër rrugë, ku nuk kanë munguar as parullat raciste në adresë të tyre.
Çka iu desht kjo sjellje e pahijshme këtyre belaxhijve, që duke e keqpërdor flamurin tonë kombëtar, goditën një flamur tjetër, ofenduan kalimtarët maqedonas dhe shkaktuan një kaos të paparë në trafik…..?!
Kush i ka mësuar këta belaxhij të paedukuar e të pakulturuar se vetëm duke pasur sjellje vandale, mund ta duash flamurin tënd? Jo. Është e kundërta. Këta belaxhij jo vetëm se nuk i bëjnë kurrfarë nderi flamurit tonë kombëtar, por ata ua hapin gojën turli shovenisti që tash e në të ardhmjen të inicojnë ide e procese kundër përdorimit të flamurit shqiptar.
Shqiptarët në Kumanovë duhet të reagojnë më fuqishëm dhe të distancohen nga këto sjellje belaxhinjsh, por edhe të dëshmojnë se flamuri është i shenjtë dhe si i tillë nuk ka vend në duart e atyre që lidhje s’kanë me kauzat kombëtare.
Shqiptarët në Kumanovë janë shumë më shumë në numër se këta belaxhij, prandaj ata nuk e meritojnë të paguajnë tagrin e sjelljeve të pahijshme të tyre, që vetëm me festën e flamurit nuk kanë të bëjnë fare…./ea

29 nëntor, kur Shqipëria u pushtua nga terrori komunist!

0

Mes “vëllezërish”: Dushan Mugosha, Enver Hoxha dhe Miladin Popoviqi

Ervina Toptani

* Mungon Lideri me ADN fisnike!
___
Për të kuptuar prej kujt e mori të gatshme ideologjinë dhe mënyrën e zhvillimit të represionit dhe terrorit, diktatori shqiptar dhe shpura e tij, për të kuptuar kështu edhe arsyen përse duheshin vrarë pa gjyq nëpër bodrume hotelesh e birucash sikurse u vranë dhe fisnikët që bënin rezistencën në malet e veriut të Shqipërisë, të gjithë djemtë që përfaqësonin me mbiemrin, shkollimin e përgatitjen e tyre antidotin e komunizmit që po instalohej, po sjell në vëmendje një paragraf të shkëputur nga libri i historianit rus, Sergej Mel’gunov, me titull “La Terreur rouge en Russie”, publikuar në Berlin në vitin 1924, i cili citonte Latsis (funksionar i lartë i policisë sekrete sovjetike e quajtur Cheka), që në datën 1 nëntor 1918 i jep këto direktiva funksionarëve të institucionit të tij:
“Ne nuk do i shpallim luftë individëve të veçantë, ne do të zhdukim fisnikërinë si klasë e tërë. Kur të kryeni hetimet mos kërkoni dokumente apo prova mbi atë çka kanë bërë apo thënë të hetuarit. Pyetini vetëm cilës klasë shoqërore i përkasin, çfarë origjine kanë, nëse kanë kryer studime e në cilat degë, dhe çfarë profesioni kryejnë. Kështu do të kuptoni menjëherë nëse personat duhen ekzekutuar pa gjyq apo nëse duhen futur në burg për dekada. Ka një ndryshim të madh ndërmjet këtyre dy gjërave. Të burgosurit na duhen si skllevër pune, ndaj ata që janë të arsimuar por nuk janë me prejardhje fisnike burgosini, të tjerët ekzekutoji në vend”.
Duheshin vrarë intelektualët në kuptimin e parë të fjalës, qysh se hynë si triumfatorë komunistët sllavo-shqiptar. Në fakt ka një arsye epistemike përse këta djem vazhdojnë të mbeten të harruar prej institucioneve zyrtare e shtetit në 32 vite post-komunizëm. Qëllimi real i të gjithë pushtetarëve me pozitë pa përjashtim deri sot ka qenë një dhe i vetëm: të mos vijnë kurrë në pushtet përfaqësuesit e fisnikërisë shqiptare, të mbeten përgjithmonë të papërfaqësuar, të pamundur ekonomikisht (arsyeja pse nuk duhet të marrin kurrë as pronën e tyre, të serdisen sa më larg Atdheut mundësisht që të mos kthehen më kurrë), të papërmendur e rrjedhimisht të paftuar e të padëshiruar nga asnjë parti politike e të mos munden të krijojnë vetë asnjë forcë të tillë.
Askush prej politikanëve të të gjitha qeverive që kemi pasur nuk i trembet protestave sado të dhunshme a revolucionare të duken, sepse nuk do të kenë asnjë impakt askund. Mungojnë liderët! Mungon gjaku fisnik që di t`i prijë shqiptarisë siç e kanë bërë në shekuj në çdo luftë e kohë vështirësish.
Frika më e madhe e “liderve” tanë politikë është zgjimi i kultit të heroit dhe çka ata përfaqësojnë me gjakun e qenësinë e tyre. Në fakt është e vetmja gjë që nuk e kemi përjetuar në 32 vite si popull, daljen në skenë të një fisniku që luftën dhe prijën e trevës, krahinës e kombit nëse është nevoja, e ka në ADN!

Pse u “lejohet” politikanëve shqiptarë me qenë “antitrumpist”, e jo edhe “antiamerikan”?

1

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

(Ose; tani pas fjalimit të Presidentes së vendit Znj. Vjosa Osmani, a mund të thuhet se po dalin sheshi se kush është më pro amerikan, e kush më antitrumpist? )

I. Tek ne në Kosovë dhe përgjithësisht në rajon (meqë konsideroj se nuk ka ndonjë perceptim edhe aq të dallues për këtë çështje), po edhe më gjerë, sa i përket diskursit mbi të ardhmen e këtyre vendeve, do mbretëroj edhe për një kohë bindja se demokracia liberale (ideologjia globaliste) është perspektiva me shpresëdhënëse dhe alternativa e zgjidhja më adekuate për rindërtimin apo ripërtëritjen e raporteve politike dhe atyre të shtetësisë.

Arsyet ndoshta duhet kërkuar në energjinë negative dhe në frustrimin kolektiv që këto vende e kishin akumuluar me dekada të tëra gjatë ndërtimit të socializmit përkatësisht – komunizmit. Ky mendim e gjykim, për dike ndoshta edhe mund te tingëllojë interesant, por, do konstatuar se vlen sidomos për vendet e shtetet që ndërtuan e kultivuan tipin e socializmit stalinist, sikurse beri Shqipëria. Mirëpo, fryma e kapitalizmit të ri oligarkik tash pas ardhjes së Donald Trump, në krye të SHBA-ve do i vë pa asnjë dilemë në siklet e pikëpyetje të madhe identitare jo vetëm ballkanasit, por, si duket nga përshtypja e parë edhe shtetet, kombet dhe vendet tjera evropiane.

Thënë me ndryshe, vendet dhe shtetet që u vonuan në “instalimin” e sistemit dhe vlerave demokratike, ende nuk po arrijnë të kuptojnë se demokracia neoliberale (me gjithë bagazhin e lirive dhe te drejtave) shpeshherë dinë të imponohet si agresive, e në ca raste edhe shumë arrogante e shumë e vështirë për t‘u implementuar në jetën e përditshme sociale, atë ekonomike e në veçanti atë politike (siç na ka rënë p.sh. neve shpesh ta “testojmë”, gjatë rrugëtimit të shtet ndërtimit). Këtë fakt na e dëshmon edhe dioptria sociologjike, ku demokracia neoliberale në shumë raste (siç konstaton Noam Chomsky) mëton qëllimisht t’i dobësoj ca tipe shtetesh e vendesh të pa afirmuara sa duhet. E në veçanti ato që përpëliten me “fushata” autentike ta konsolidojnë, zgjerojnë e afirmojnë vlerën, peshën dhe rëndësinë e sovranitetit të tyre fillestar.

Duke i detyruar ato që të bëjnë kompromise të dhimbshme e madje edhe jofunksionale . Sidomos, kur janë në pyetje detyrimet për të krijuar qeveri të brishta koalicionesh në shoqëritë e vendet ku institucionet burokratike nuk e kanë arritur as përvojën e as pjekurinë e kapaciteteve shtet ndërtuese.

Leksionet e shumta nga historia e sociologjisë, na dëshmojnë edhe një fakt tjetër. Atë, se demokracitë jo gjithherë na japin të kuptojmë se mund të formojnë e aq më pak të forcojnë shtetet e bashkëlindura me te. Tani, globalizmi si ideologji e në rastin e analizës sonë edhe si ndërvarësi e tendencë me faktin e krijimit të organizatave (KTN-ve/ Kompanive Transnacionale/) të reja mbinacionale, ka bëre që institucioni i shtetit si një mekanizëm dinamik që i shtyri përpara shumë procese e zhvillime socio-politike të kohës sonë, të zbehet (për të mos thënë edhe zëvendësohet!) me lehtësi e pompozitet të pa parë ndonjëherë.

Pra, demokracia neoliberale, me pretendimin po edhe ambicien për ta zbehur rolin e aparatit shtetëror në proceset e ardhme sidomos gjeopolitike e gjeostrategjike, ka bëre që interesimi për ta studiuar të rritet dukshëm.

Sidomos, domenin ku roli i tij premtohet edhe të përjashtohet në rastet e transaksioneve të mëdha historike politike, siç e kemi p.sh. rastin e koncesioneve politike që shteti palestinez u deshtë t’i bëjë shtetit Izraelit, apo rasti i Ukrainës në horizont. Kurse, kur janë në pyetje insistimet (që natyrisht kanë të bëjnë me interesa e KTN-ve)e globalistëve për ta zbehur, reduktuar, e pse jo edhe mënjanuar tërësisht rolin e shtetit, sidomos kur janë në pyetje negocimet dhe koncesionet e shumta politike, kemi me qindra raste në gjithë rruzullin. Dhe çfarë është më e rëndësishme, ky proces po vazhdon edhe në ditët e sotme.

Arsyeja e vetme, është se; s’ka ende asnjë përgjigje për laramanin e pushteteve që janë prezente në kohën tonë. Mendoj se me fitoren e Donald Trump, roli i shtetit si aparat “menaxhues” i proceseve dhe zhvillimeve në të ardhmen do i rikthehet “shtratit të Prokrustit” sidomos në sferën e brendshme, ndërkaq në atë të jashtme ai duhet ta ruaj edhe më tej rolin prijatar sidomos në (menaxhimin dhe ndërmjetësimin e konflikteve dhe rregullimit të raporteve ekonomike me konkurrentët) nivel global. Por, ka një dilemë këtu! Që as shumica e ekspertëve të lëmenjve të ndryshëm e as arkitektët “izolacionist”, të administratës në ardhje nuk kanë dhënë ende përgjigje të saktësuar e as të qartë për perspektivën dhe rolin që shteti (si instrument i përfaqësimit politik) duhet ta “ushtroj” në të ardhmen post globaliste.

II. Mirëpo, nëse çështjen e pozicionimit të shteteve që veç janë anëtarësuar (apo presin në paradhomë) në identitetin e ri politiko-ekonomik të quajtur BE-ane? Përgjigja, në pamje të parë na duket si një “punë Sizifi”.

Sepse, shikuar me “dioptrinë” sociologjike, shumica e këtyre shteteve të integruara de jure veç janë bërë tashmë pjesë e identitetit të demokracisë liberale, mirëpo, de facto asnjëra nga këto shtete (e mendoj edhe për një kohë të gjatë) as që do të mund ta quajë veten demokraci liberale ashtu siç i kishin paramenduar nga “baballarët” e neoliberalizmit. Megjithatë është interesant të theksohet se të gjitha këto shtete të anëtarësuara i kanë kushtetutat të cilat janë përshkruar nga vendet të cilat kanë dalë nga tradita liberale, por, nuk kanë ndërtuar sa duhet ende ndonjë kulturë e traditë të mirëfilltë demokratike si një element të rëndësishëm për të funksionuar demokracia e vërtetë neoliberale.

Demokracia e sotme neliberale, për vendet të cilat janë duke kaluar ethet e transicionit pa elementin e traditës qytetare, e ka shumë më vështirë të funksionoj si duhet. E ky fakt, jam shumë i bindur që vlen pa asnjë dyshim, sidomos për shtetet e Ballkanit Perëndimor (plus Shqipëria e minus Sllovenia e Kroacia), të cilat e kanë më të theksuar problematikën e lartcekur. Të gjitha këto vende formalisht e kanë instaluar demokracinë e tipit liberal, por asnjëra nuk mund të thuhet se me përmbajte i përket botës së njëmendët demokratike. Po ashtu, gjitha këto vende i kanë instaluar kushtetutat e ish vendeve apo shteteve demokratike, mirëpo, ende u mungon elementi kyç apo paradigma kryesore e identifikimit, si ajo e traditës apo kulturës demokratike që nuk mund të fitohet edhe aq shpejt.

Ngase, secilit nga ato u duhet një kohë më e gjatë e kultivimit të këtyre raporteve dhe përvojave që kanë të bëjnë; me sundimin e ligjit, luftimin e krimit, korrupsionit dhe zgjatimit të kontrollit mbi këto dukuri negative. Për shembull, në Shqipëri e Kosovë ende kemi institucione që figurojnë formalisht, por, që në jetën reale nuk kanë arritur ende ta dëshmojnë përvojën e një mentaliteti e kulture mobilizuese për punë, për avancim profesional në baza meritore, për sundim të ligjit dhe për një fuqizim të pa ndalur të mekanizmit të kontrollit, etj. që p.sh. në shtetet e BE-ne, kryejnë “online” punën e tyre.

Së këndejmi, hapet një dozë dyshimi se nëse ende nuk kemi arritur të ndërtojmë institucione të qëndrueshme demokratike, përse, atëherë jemi kaq properëndimor (lexo; kaq pro amerikan?!), kur me veprimet tona praktike e pragmatike në jetën e përditshme politike, “prodhojmë” vetëm vlera e sistem të ndërvarësisë populiste, në vend të atyre neoliberale?

Aq më keq e me absurde duket kjo praktikë e fah e fenomen i ri sociopolitik, kur në hapësirat tona kombëtare nuk kemi si të deklaruara as publikisht subjekte apo lëvizje të identifikuara si antiglobaliste? Për më tepër, këtë përvojë të kësaj dukurie absurde nuk jemi fare të interesuar që si shoqëri ta zbërthejmë e analizojmë në mënyrë që t’i kuptojmë si shkaqet ashtu edhe pasojat e saja eventuale. Që për mendimin tim me ardhjen e Donald Trumpit në krye të administratës amerikane, munden me dal shume shpejt në shesh, e madje edhe me u fuqizua më tej.

Por, ku qëndrojnë shkaqet, apo cili është “handikapi” mungesës sonë për një këndvështrim a artikulim të përputhshëm e dinjitar me rrjedhat dhe proceset aktuale globale. Mendoj se përgjigjën, duhet kërkuar në disa rrafshe; ·

Rrafshi i parë, kujtojë që lëvizjet antiglobaliste këtu në Kosovë publiku (ende i ngazëllyer nga çlirimi që na e bëri Amerika, nga zgjedha serbe) i percepton, i adreson e padyshim që edhe i projekton me automatizëm si antiamerikane e si antiperëndimore. Një perceptim i tillë kaq konservator, në kohën kur lëvizjet antiglobaliste janë shumë më të fuqishme dhe me të organizuara në vetë botën perëndimore, prodhon jo vetëm: frustrim te panevojshëm ë publik, po edhe: servilizëm të paparë politik (që mund ta banalizoj pluralizmin e mendimeve dhe të sundimit të ligjit): konformizëm kulturor (që na bë t’i pranojmë me aq lehtësi vlerat e sistemit të ri, në vend që t’i ruajmë vlerat tona që kane dhënë prova historike e empirike), pastaj: nepotizëm social (që rrjedhimisht na be shumë më të akomoduar me sistemin e ri vleror), e madje edhe poltronizëm të paparë (që pasqyrohet më së miri në vendimmarrjet tona politike, të para dhe të pasluftës). ·

Rrafshi i dytë, ka të bëjë me pasojat që i “prodhuan” efektet e qeverisjes së mekanizmave (UNMIK, OSBE,etj) pas luftës së ndodhur në Kosovë. Për çka nevojitet një analizë e elaborim më i thukët sociologjik. E që fatkeqësisht, ende nuk i kemi në dispozicion! · Rrafshi i tretë, që ka të bëjë me faktin e mungesës së zhvillimit të asaj që në boten perëndimore identifikohet si sens dhe intuitë e individualizëm racional (sepse, ka të bëjë me shkallen e emancipimit politik) të cilin si masë kritike e krijoj shoqëria civile. Ani pse, në “tregun” publik civil në Kosovë kemi diku mbi 600/700 OJQ-ë që i ka në evidence të vetën shteti, pak nga to që merren në mënyrë serioze me; probleme antiluftë, ato të drejtave të njeriut (KMDLJN), me te drejtat e minoriteteve, me ato ekologjike, e me barazinë gjinore.

Prezenca e gjithë këtyre organizatave dhe grupimeve socio – politike, në fakt dëshmon se Kosova, formalisht ka një „eskadron“ organizatash formale qe improvizojnë formësimin dhe “dizajnin” e promovimit të kulturës dhe traditës tolerante, por që në fakt ato nuk kanë ndonjë histori aktive veprimi. E kam fjalën këtu gjithnjë për OJQ-ët lokale „made in Kosova“ e jo për substratet ndërkombëtare që kanë selitë e tyre këtu.

III. Por, çfarë është demokracia populiste, qe de facto dhe de jure e solli Presidentin e 47 të SHBA-ve, në fronin e ish globalisteve amerikan? Kur dihet botërisht, se sintagma “populizëm” është e orientuar armiqësisht kundër sojit të kapitalizmit grabitqar dhe kërkon që pushteti sa më tepër të bartet në duart e qytetarëve. Pra të ndodh një lloj decentralizimi në mënyrë që të njëjtit qytetarë ta kuptojnë se janë të përfaqësuar dhe se i gjithë procesi i përzgjedhjes së përfaqësimit të tyre ishte transparent, legal dhe legjitim.

Do thënë se mjetet karakteristike institucionale që zakonisht i përdorë populizmi si frymë dhe si metodë për arritjen e qëllimeve të veta politike janë; referendumi, iniciativa popullore dhe revokimi. Do konstatuar po ashtu se termi, koncepti dhe fjala populist shpeshherë asocon edhe në diktatorët karizmatik që fitojnë pushtet duke i kritikuar politikat paraprake konvencionale të qeverive të korruptuara.

Është, interesant që në rastet e tilla kur ka probleme të mëdha sociale këta tipa karizmatik e shfrytëzojnë me shumë shkathtësi këtë pakënaqësi sociale dhe shumë shpesh arrijnë si thuhet: që krizat sociale dhe ato ekonomike të vendeve të tyre i shndërrojnë në të ashtuquajtura „cirkuse rrugore”! Historia e shoqërive perëndimore ka dëshmuar se ilaçi më i mirë për të ndërpre proceset e tilla devijante në vendet dhe shtetet e korruptuara e të kriminalizuara, janë pikërisht demonstrimet publike civilizuese të qytetarëve të atyre vendeve.

Ndërkaq, në literaturën sociologjike, ky termë apo koncept nënkupton edhe strategji e taktikë politike (për disa edhe primitive!), që ka për qëllim mashtrimin e turmave dhe manipulimin e tyre në saje premtimit të gjërave që shumicën e rasteve janë utopike, të pa realizuara e në shumicën e rasteve madje edhe tejet flirtuese e demagogjike me turmat! Kurse në literaturën politike bashkëkohore populizmi definohet si ideologji po edhe si doktrinë politike, që shoqërinë e sheh si të ndarë në grupe homogjene antagoniste. Në njërën anë; njerëz të ndershëm dhe elita të korruptuara (slogan, ky që i ndihmoj shumë në fushatën e Donald Trumpit), e në anën tjetër estabilishmenti që e “ushqen” këtë proces tëhuajturës. Ku konsiderohet se politika (sidomos në proceset e transicionit) duhet të “mirëmbahet” ekskluzivisht si shprehje e lirë e njerëzve (volonté générale).

Dhe se nuk do të ishte e arsyeshme të intervenohet gjithherë ndajë kërkesave të tilla të shfaqura të qytetarëve të vendeve në transicion. Arsyeja e thjeshte, është se kështu (kinse!) ngulfatet demokracia dhe ndërtimi i institucioneve demokratike. Mirëpo, forma e retorikes që dërgon mesazhe nga populistet është interesant se si artikulim arrin gjithnjë të fascinoj, pra të “prekë” në emocion marrësin e këtyre porosive.

Në Kosovë shembull më të qartë të populizmit politik kemi pasur apelet e ish opozitës (qeveritarët e sotëm) për t’i denigruar idetë dhe koncesionet politike (të identifikuara në bisedimet me Serbinë) e sidomos ato ekonomike (skandalet “Pronto” dhe rritja e krimit dhe korrupsionit) të qeverive të pasluftës. Në rrethanat e kohës sonë termi i populizmit mund të thuhet se kuptohet e identifikohet më shumë përmes ndonjë lëvizjeje apo ideologjie që priret të përdorë taktikat e metoda të mobilizimit të qytetareve për qëllime të marrjes se pushtetit.

Në rastin tonë me siguri partitë e tjera qeveritare dhe opozitare kur dëshirojnë ta stigmatizojnë p.sh. kundërshtarin e tyre politik, zakonisht përdorin sintagmën e “populizmit” në mënyrë që kundërshtarin e vetë ta fusin në një thes me lëvizjet komuniste të tipit Cegeverian (Ce Gevara) dhe atë kastrian (Fidel Kastro), që është një absurd i llojit të vet! Sepse, në një analizë pak më e thuket do të kuptonim që kjo lëvizje s’kanë asgjë psh. të përbashkët me ideologjitë e lartcekura. Ajo që e shquan zakonisht lëvizjet e tilla, në fakt edhe parti politike është një lloj popullzimi demokratik që ka të bëjë me një përfaqësim shumë më gjerë të pushtetit nga ana e njerëzve pra qytetarëve të Kosovës. Por, duhet theksuar se: ..tipi i populizmit të cilësuar si demokratik, pra një lloj rebelimi ad hoc i qytetarëve që janë para së gjithash të pakënaqur me statusin e tyre të ri social e ekonomik në demokracitë e reja të transicionit, i shfrytëzon të gjitha mjetet e (pa)lejuara për të shprehur si pakënaqësitë e natyrës sociale, ashtu edhe devijimet e theksuara ekonomike bashke me ato politike.

Arsyeja, është e thjesht: p.sh. në rastin e Kosovës rrafshi politik ishte ajo “thembra e Akilit” që mobilizoi shumicën absolute të qytetarisë. Populizmi, si aset politik për animimin e qytetarisë (jo)demokratike, s’i përjashton as mjetet paqësore si ato; të inicimit të referendumeve, pastaj ato të iniciativave në formë e përmbajtje të peticioneve që u adresohen institucioneve, po edhe ato të mekanizmave të revokimit, etj.

Pra, thënë më ndryshe populistet përdorin një spektër i gjerë mjetesh e mekanizmash institucional (si aula e Parlamentit) e jo institucional (protestat masive në rrugë) për të kontestuar si keqqeverisjen politike ashtu edhe politikat jo produktive ekonomike. Që për një vend apo shtet siç ishte Kosova ku demokracia dhe mekanizmi i “kontrollit” social e politik ende nuk kishin lëshuar shtat sa dhe si duhet, ishin mjaft atraktive e mjaft kreative! Por, me ardhjen në pushtet e me mandat të plotë katërvjeçar, fryma dhe frustrimi publik për të protestuar jashtë institucioneve ra në mënyrë rapide.

Ndodhi kështu, edhe për shkakun se ushtrimi i pushtetit në njërën anë i pezulloj përkohësisht ambiciet për t’i kontestuar dobësitë dhe të metat e sistemit, po në anën tjetër edhe i defrustroj e i zbehu synimet fillestare. S ‘këndejmi, jo rastësisht shtrohet pyetja se: përse ca politikanëve shqiptarë u “lejohet” me qenë “antitrumpist”, por, e jo edhe “antiamerikan”?

Ose, a mund të thuhet se pas fjalimit vjetor të Presidentes Vjosa Osmani, doli në shesh se kush është më pro amerikan, e kush më antitrumpist….?

Festa e Pavarësisë së Shqipërisë: Rugova President i Kosovës, uronte gjithë shqiptarët e botës

0

Ibrahim Rugova e mban në duarë gazetën Rilindja të 28 Nentorit 2002 , derisa bisedon me kryeredaktorin Behlul Jashari në Rezidencën Presidenciale

-Dr. Ibrahim Rugova në  jubileun e 80 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë e Ditën e Flamurit – 28 Nëntor 1992 uronte gjithë shqiptarët e botës, për herë të parë si President i Kosovës: Një  URIM I MADH në këtë kremtim jubilar për të gjithë shqiptarët edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në viset e tjera etnike dhe në diasporë, duke filluar nga Zelanda e Re, Australia, Evropa dhe Amerika, të cilët gjithmonë kanë qenë të lidhur me Shqipërinë dhe me trojet etnike shqiptare dhe me çështjen shqiptare/

Nga: Behlul Jashari, Prishtinë

PRISHTINË, 28 Nëntor 2024/ Në 80 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit, në 28 Nëntor 1992, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, uronte të gjithë shqiptarët në botë.

“Një  URIM I MADH në këtë kremtim jubilar për të gjithë shqiptarët edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në viset e tjera etnike dhe në diasporë, duke filluar nga Zelanda e Re, Australia, Evropa dhe Amerika, të cilët gjithmonë kanë qenë të lidhur me Shqipërinë dhe me trojet etnike shqiptare dhe me çështjen shqiptare”.

Ky ishte urimi i parë për 28 Nëntorin i Dr. Ibrahim Rugovës si President i Kosovës i zgjedhjeve të para pluraliste të 24 Majit 1992 – vitit të 80 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, që e festoi në Vlorë.

Dr. Rugova vlerësonte arritjet e shqiptarëve dhe theksonte aspiratat e idealet shqiptare:

“Në këtë moment jubilar dhe të rëndësishëm mund të them se sot shqiptarët, pa marrë parasyshë kufijtë aktualë, janë më të bashkuar se asnjëherë dhe sot, pas 50 vjet ndjekjesh dhe persekutimesh që përjetuan edhe në Shqipëri e edhe në Kosovë dhe represionit që kemi këtu, kremtojmë së bashku këtë festë kombëtare, e mund të themi edhe me rezultate të mëdha, sepse Shqipëria aktuale këtë vit ka hyrë definitivisht në proceset demokratike, gjithnjë e më shumë po bëhet një vend i hapur edhe në pikëpamje politike e edhe në pikëpamje ekonomike dhe po integrohet në proceset evropiane dhe ndërkombëtare, ndërsa Kosova, me shpalljen e pavarësisë së saj shtet i pavarur dhe neutral, po afirmohet gjithnjë e më shumë në planin ndërkombëtar, po ashtu edhe trojet e tjera etnike të shqiptarëve në Maqedoni, si grupacion i dytë nacional, pastaj në Mal të Zi dhe në Serbinë Jugore. Mund të themi se me politikën e rezistencës dhe të qëndresës paqësore, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve tjera janë afirmuar sot në botë. Në kohën kur po shkatërrohet e që u shkatërrua ish-Jugosllavia e po ashtu edhe në kohën e një organizimi të ri në Ballkan, edhe shqiptarët e Kosovës e të viseve tjera etnike kërkojnë vetëvendosje për ardhmërinë e tyre.

Në këto momente të rëndësishme, Shqipëria si shtet ndihmon mjaft çështjen e Kosovës dhe çështjen e shqiptarëve në përgjithësi në planin diplomatik dhe në planin politik dhe mbron interesat e shqiptarëve.”

Presidenti historik Rugova ka folur kështu në një deklaratë ekskluzive për gazetën e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991, pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës Rilindja – të vetmes së përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë.

Me titullin “Shqiptarët sot janë më të bashkuar se asnjëherë” deklarata ekskluzive gazetës “Bujku” botohej në numrin e 28 Nëntorit 1992 në ballinë, ku me titullin “Urojmë që përvjetorët e ardhshëm t’i festojmë bashkërisht” botohej edhe përgëzimi i Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova  Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha:

Gazeta Bujku e 28-Nentor 1992-fq-1-foto: Behlul Jashari -768×1161

“I dashuri President,

Sot, në ditën e 80-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë shqiptarët festojnë kudo. Më 28 nëntor mbushen plot 80 vjet kur në Vlorë Ismail Qemali ngriti Flamurin e Kastriotit, Flamurin  shqiptar. Ishte ditë e Pavarësisë së Shqipërisë, ditë e çlirimit dhe ditë për të hyrë në jetën e lirë shqiptare e qytetare. Por, për fat të keq, Shqipëria u nda dhe Kosova e trojet e tjera etnike ranë prapë në robëri. Të gjithë shqiptarët nuk e gëzuan pavarësinë dhe lirinë.

Shqipëria demokratike dhe e lirë sot po bëhet një faktor i integrimeve kombëtare dhe i stabilitetit në Ballkan. Ajo Kosovës po i jep ndihmë të madhe politike dhe diplomatike në rrugën e saj të Pavarësisë, po i mbronë interesat e të gjithë shqiptarëve.

Urojmë që Shqipëria të bëhet një shtet edhe më i fortë edhe më i zhvilluar ekonomikisht, Urojmë që përvjetorët e ardhshëm t’i festojmë bashkërisht.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Kryetari i Republikës së Kosovës,

Dr. Ibrahim Rugova”

Në 28 Nëntor 1992, “Në mbarë Shqipërinë manifestime madhështore” ishte kryetitull balline i raportimit nga Tirana i gazetës “Bujku”, e cila  në numrin vijues raportonte edhe se, Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova ishte në Shqipëri në kremtimin e 80 vjetorit të Pavarësisë.

“Dr. Rugova mori pjesë së bashku me presidentin e Shqipërisë dr. Sali Berisha në solemnitetin qendror të përvjetorit jubilar në Vlorë, ku 80 vjet më parë Ismail Qemali ngriti Flamurin e Pavarësisë…Në kuadër të vizitës në Shqipëri, dr. Rugova zhvilloi bisedime me presidentin Berisha dhe me udhëheqës të tjerë të Shqipërisë”, shkruante gazeta “Bujku” që dilte në Prishtinë.

Ditën e Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorin  Dr. Ibrahim Rugova e festoi në Vlorë në 80 vjetor për herë të parë si President i parë Kosovës po në atë vit kur u votua në zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992.

Në Kosovë Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Flamurit Shqiptar festohej edhe kur ishte e ndaluar, festohej edhe me demonstrata në vitin 1998 në Prishtinë e qytete tjera me kërkesa për Kosovën Republikë, për Kushtetutë, për Universitet e të tjera për të drejtat e shqiptarëve. Atëherë, marshi i  fillimtarëve të demonstrates, ndër të cilët isha edhe unë nxënës i klasës së tretë të Shkollës Normale nisi në orët e pasditës  nga Fakulteti Filozofik (tash Fakulteti Filologjik i Univerisitetit të Prishtinës), dhe më pas deri natën vonë u mbushën përplot demonstrues rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës. Për ato demonstrata në 24 vjetorin e tyre “Nata që bënte dritë” ishte titulli i shkrimit tim në gazetën “Bujku” të 28 Nëntorit të 80 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë, ku në legjendën e fotografisë theksoja: “Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare…”

“Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valonin edhe për Festën e Flamurit që ishte e ndaluar bashkë me flamurin”, përshkruaja pamjet madhështore…Tregoja edhe se si në 28 Nëntorin 1968  për  demonstrat shqiptare në Kosovë dhe për Flamurin Shqiptar në ditën e madhe historike kisha shkruar vargje – vjershën “Himni i Flamurit”, të cilën ma botoi gazeta studentore “Bota e Re”…

Nga të gjithë shqiptarët, edhe në demonstrata, përkujtohej e edhe sot e përgjithmonë historia jonë shkruan e flet edhe se Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në Nëntorin e madh 1912 nga fshati Boletin në rajonin e Mitrovicës – nga Kosova me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në Vlorë, Isa Boletini me bashkëluftëtarët nga Kosova përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë Shqiptare të kryesuar nga Kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i Shtetit Shqiptar, firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.

Edhe nga Vlora, edhe në festimet e urimet nëpër vite të 28 Nëntorit Presidenti Rugova theksonte edhe mesazhin se Pavarësia e Kosovës është plotësim i Pavarësisë Shqiptare.

“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin” dhe “Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, janë titujt e tre nga intervistat ekskluzive që kam zhvilluar nëpër vitet e rezistencës, luftës e lirisë me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, derisa isha kryeredaktor i gazetës Rilindja dhe korrespondent në Kosovë i Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.

Rugova-Berisha – Vlorë me 28ë Nëntor 1992

Këto tre intervista janë ribotuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: Kosova shpalli pavarësinë bota e njeh shtetin më të ri.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 Shkurti 2008 dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: Rilindja ju uron shpalljen dhe njohjen e Kosovës Shtet i Pavarur.

Bashkimi kombëtar, a është i mundshëm ?

0

Përshkrim: Një nga fotot për plisin në Preshevë para një viti … 

Gani I. Mehmeti

Dikush po përpiqet ta kapërcejë gardhin para se të arrijë tek ai. Kështu edhe udhëheqës të televizioneve të Kosovës, të quajtur moderatorë, secili para tjetrit po caktojnë për debat temën rreth Bashkimit Kombëtar me analistët tanë të «mirënjohur», thua se bashkimi kombëtar është në dorën e tyre. Kjo, edhe si temë për debat është tepër bajate dhe e parakohshme, nga që, nuk ma merr mendja të ketë shqiptar kundër Bashkimit, prandaj e shoh si të panevijshme vetë debatet.

Bashkimi kombëtar që të bëhet, kërkon shumë punë e kushte që nuk janë pjekur. Bashkimin kombëtar shqiptar nuk do të mund ta bëjnë pa përkrahjen e ndërkombëtarëve, sepse ne nuk duhet të harrojmë me kë kemi të bëjmë. Fqinjët tanë na kërcënojnë përditë me luftë për të na pushtuar a për të marrë ndonjë copë të territorit tonë ende, e këta shkojnë e bisedojnë për bashkim kombëtar.

Që të bashkohemi ne, fillimisht duhet të punohet në atë drejtim, që jemi shumë larg. Shumë me vend ekziston ajo thënia : Para se të bashkohen tokat, duhet të bashkohen kokat! Me koka të ndara nuk bëhet asnjë bashkim.

Duhet të armatosemi në radhë të parë më mirë se që janë të armatosur fqinjtë tanë. Duhet të kthehen shqiptarët nga mërgata për t’u aktivizuar për luftë më parë, pastaj të shhihet se kush do të fitojë. Nuk bëhet bashkimi kombëtar me duar në xhepa, pa armatim e pa përkrahje kombëtare.

Që të bëhet bashkimi kombëtar, ne duhet të jemi të gjithë në një vi, të dëgjojmë ata që do të mund ta bënin kërkesën e jo të shahemi e të rrahemi nëpër kuvendet shqiptare si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, ku janë aq shumë të përçarë, sa kanë arritur në armiqësi ndërmjetvetit.

Pushtetarë e deputetë shqiptarë inatin nuk e mbajnë me të huajt, ndërsa me të vetët e kanë inatin më të madh se sa interesin për shtetin. Kjo nuk na çon neve përpara. Kjo na çon në copëzime të tjera e jo në bashkim.

Në Rubikon-in e Klan Kosovës u rrahën edhe shumë ide e metoda të ndryshme se si do të mund të vinte deri tek bashkimi kombëtar, por sërish, shkuan nga debati pa bashkim kombëtar!

Dikush tregonte edhe kohën prej kur ekziston ideja për bashkim kombëtar, por asnjëri nuk ia qëlloi! Kush thoshte nga viti 1981 e dikush e përmendi edhe vitin 1968, që ishte një gabim, sa u përket veprimtarëve politikë edhe të burgosur, madje.

Ideja për bashkim kombëtar është prej kur Kosova e viset tjera janë ndarë nga trungu, nga Shqipëria londineze. Ajo ka qenë qysh në luftërat nën drejtimin e Hasan Prishtinës dhe ekziston edhe sot e kësaj dite, siç thash tek të gjithë shqiptarët e vërtetë që nuk e vejnë interesin e vet mbi interesin e përgjithshëm.

Pastaj, disa sekrete duhet të mbahen. Mund të bëhen përpjekjet politike nga pushtetarë shqiptarë në bashkëpunim mes tyre por pa zhurmë, pa e ditur fare fqinjtë tanë, se mund të prishin punë, qoftë drejtpëdrejtë, qoftë përmes shteve bashkëpunëtore e mike me ta. Kur ta merrë secili vesh krejt çka po bëhet, del dikush që të pengon.

Politika i ka dy kuptime: Njëri kuptim është që quhet rrenë, gënjeshtër, pra që përmes saj, ndryshe thua e ndryshe mendon dhe ndryshe krejt vepron. Prandaj, edhe populli thot: Mos më duaj me politikë, që do të thotë mos më duaj me rrenë.

Kuptimi i dytë i politikës është puna përdhe, që nuk i duken këmbët fare askund deri sa të arrijë në cak. E kur të arrijë na cak, e sheh se ku ka shkuar, por nëse nuk e ke kuptuar më heret, më përpara se të shkojë në cak, e ke vështirë ta pengosh kur ai arrinë në cakun e tij. Pra fshehtas, në mënyrë sekrete, pa diktueshëm. edhe kjo është politikë.

Politika ka vetëm interesin e vet dhe i lë anash të gjtiha të tjerat. Lë edhe drejtësinë edhe burrërinë, bën si mundet.

E, ne shqiptarët i tregjmë të gjitha para se të shkojmë në fund, para edhe se të nisemi, madje.

Për t’u bashkuar duhet të forcohemi ideologjikisht, ekonomikisht, ushtarakisht, duke u organizuar.

Nuk duhet të ngutemi që të dështojë para se të fillojë.

Debatet në këtë temë nëpër mediume janë tejet të dëmshme.

Nuk e them të ndërpritet ideja, por duhet të punohet pa zhurmë. E deri sa duhet të kemi edhe përkrahjen e miqve, gjithsesi duhet të punojmë në partneritet me ta.

Në Kishën “Shën Abrahami” të Llapushnikut, Sot iu rikthyen krishterizmit familjar, shumë individë dhe familje shqiptare

1

Në Kishën “Shën Abrahami” të Llapushnikut, Festa e Flamurit Kombëtar Shqiptar, u shënua edhe me një festë tjetër, shumë domethënëse dhe kombëtarisht dashamirëse. Sot në atë kishë iu rikthyen krishterizmit shumë individë dhe familje shqiptare nga mbarë Kosova dhe mërgata nëpër botë.

Aktivisti i njohur për rikthimin në krishterizëm, Dardan Duka, kishte shkuar nga Gjermania që të ishte i pranishëm në rikthimin në krishterizëm, këtë ngjarje të bujshme që sivjet u ndërlidh edhe me festën e Flamurit Kombëtar Shqiptar.

“Une pata sot nderin që të bëhem nun (kumbarë) i nipave të Ahmet Musës dhe i veteranit të luftës Agim Musëshabanaj, tha për portalin Drini, Dardan Duka.

Dardan Pacaj me aktivistin për rikthim në krishterizëm, Dardan Duken, sot, me 28 Nëntor 2024, në Llapushnik.

Dardan Duka, rrëfeu se ai është kumara i qikës Mores dhe djalit Agronit si dhe i vetereanit i luftës Agim Musëshabanaj.

Prania e shumë njerëzve që kishin ardhur për t’u rikthyer në krishterizëm me këtë datë të rëndësishme, ishte mjaft prekëse dhe krenare njëherit. Zanë Mali , një intelektuale e re nga Prishtina, ishte veshur në mënyrë mahnitese me një kostum kuq e zi, që simpolizonte ngjyrat e flamurit kombëtar.

Zana , qysh shihet edhe në këtë foto, e mori vëmendjen e të pranishmëve me veshjen e saj elegante dhe me ngjyrat e njohura të atdhedashurisë shqiptare.

Zanë Mali, sot, në Kishën e Llapushnikut… 

Dardan Duka me gazetarin Gani Mehmetaj

Rikthim në krishterizëm ka pasur sot edhe në Kishën e “Shën Katarinës” në Pejë. Edhe në Kishën “Shën Kryqi”, po ashtu kishte shumë pagëzime të të rikthyerve në krishterizëm.

ps!

Reportazhi me pamje nga Llapushniku do të plotësohet edhe nesër me të dhëna të tjera rreth ceremonisë së bujshme të rikthimit në krishterizëm në Kishën “Shën Abrahami” të Llapushnikut, që u zhvillua sot shumë të pranishëm që ishin pjesëmarrës ku u kremtue njëherit edhe 28 Nëntori, Dita e Flamurit Kombëtar Shqiptar.

Lufta në Ukrainë dhe pasojat për pozitën ndërkombëtare të Kosovës

0

Nga: Luan Dibrani

Lufta në Ukrainë, që ka filluar në shkurt të vitit 2022 me invazionin e Rusisë, ka pasur pasoja të mëdha për sistemin ndërkombëtar dhe ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Disa nga aspektet kyçe të këtij ndikimi janë:

  1. Pozicioni i Kosovës ndaj agresionit rus

Kosova ka qenë e qartë në mbështetje të Ukrainës. Qeveria e Kosovës ka dënuar invazionin rus dhe ka ofruar mbështetje politike dhe humanitare për Ukrainën, duke i dhënë asaj një platformë të rëndësishme në përpjekjet për të rritur presionin ndërkombëtar ndaj Rusisë. Kosova ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë të vendosura nga Bashkimi Evropian, SHBA, dhe aleatët e tjerë, edhe pse Kosova vetë nuk ka pasur mundësi të bashkëpunonte drejtpërdrejt me BE-në për shkak të statusit të saj të pazgjidhur.

  1. Tensionet me Serbinë dhe ndikimi i Rusisë

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është lidhja e ngushtë që ka Serbia me Rusinë. Serbia, e cila ka mbështetur politikën ruse në këtë konflikt, ka përdorur situatën për të rritur presionin ndaj Kosovës. Serbia e ka shfrytëzuar aleancën me Rusinë për të përmirësuar pozitat e saj diplomatikisht, duke tentuar të izolojë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Në këtë kuadër, Rusia ka shprehur kundërshtim të hapur ndaj njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe ka mbështetur Serbinë në qëndrimet e saj.

  1. Kosova dhe njohja ndërkombëtare

Lufta në Ukrainë ka sjellë një ndërlikim të ri në përpjekjet e Kosovës për të siguruar njohje ndërkombëtare. Pavarësisht mbështetjes që ka marrë nga shumë shtete, Kosova nuk është ende anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara, dhe Rusia ka luajtur një rol të rëndësishëm në bllokimin e integrimit të Kosovës në këtë organizatë. Pavarësisht kësaj, vendet perëndimore kanë vazhduar të mbështesin forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, dhe ka pasur disa zhvillime pozitive, si pranimet nga shtete të ndryshme të njohura dhe nga organizata ndërkombëtare të tjera.

  1. Ndikimi në diplomacinë e Kosovës

Kosova ka përdorur luftën në Ukrainë si një mundësi për të theksuar rëndësinë e parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial, duke u përpjekur të lidhë këtë çështje me qëndrimet perëndimore ndaj Kosovës. Përpjekjet e Kosovës për t’u integruar në strukturat ndërkombëtare janë përpjekje për të siguruar njohjen e saj dhe për të forcuar qëndrimin e saj në një rend ndërkombëtar që është në zhvillim e sipër.

  1. Kërkesa për njohje të pavarësisë

Në nivel ndërkombëtar, lufta në Ukrainë ka forcuar nevojën për respektimin e të drejtave të popujve për vetëvendosje dhe sovranitet, duke pasur parasysh se shumë shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë të shqetësuara për precedentët që mund të krijohen nga konflikti në Ukrainë. Kosova kërkon të rrisë mbështetje për njohjen e pavarësisë së saj, duke argumentuar se kjo është një çështje e drejta dhe e justifikueshme në bazë të ligjit ndërkombëtar.

  1. E ardhmja e Kosovës në raport me BE-në dhe NATO-n

Pavarësisht mbështetjes që ka marrë nga shumë shtete perëndimore dhe angazhimeve të Kosovës për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit, Kosova ende nuk është anëtare e BE-së apo NATO-s. Disa shtete të BE-së, si Spanja, Sllovakia, Greqia dhe Rumunia, janë kundër njohjes së Kosovës, dhe Rusia ka mbajtur një qëndrim të fortë në mbrojtje të Serbisë. Megjithatë, një zhvillim i mundshëm mund të jetë intensifikimi i bashkëpunimit të Kosovës me aleatët perëndimorë dhe një avancim më të madh në përpjekjet për të anëtarësuar Kosovën në organizata ndërkombëtare, duke u fokusuar në partneritetet me SHBA-në dhe vendet e tjera që e kanë njohur.

Përfundim:

Kosova, përmes politikave të saj, ka tentuar të përdorë situatën ndërkombëtare të krijuar nga lufta në Ukrainë për të promovuar interesat e saj dhe për të siguruar një pozicion më të fortë në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, ndikimi i Rusisë dhe lidhjet e saj me Serbinë kanë mbetur një sfidë e madhe për përparimin e Kosovës drejt njohjes së plotë dhe integrimit në organizatat ndërkombëtare.

Pyetje për Andrija Mandiqin, Kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi

0

Gani I. Memeti

Pas kërkesës së kryetarit të kuvendit të malit të Zi, për lirimin e tre personave të arrestuar nga policia e Kosovës, dhe u është caktuar masa e ndalimit prej 30 ditëve pasi gjatë vizitës në Manastirin e Deçanit kishin të shkruar në targa të veturave “Kosova është Serbi”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online” më 28. 11. 2024.

Malit të Zi, faleminderit për njohjen e Republikës së Kosovës!

Tani shihet se kanë ardhur forca të tjera në krye të Kuvendit të Malit të Zi, por gjithherë është mirë të jini gjakftohtë e të arsyeshëm dhe të ju punojë logjika për popujt e lirë, me çka do duhej të ndjeheni edhe ju normal. E them kështu, sepse nuk ka qenë e rastit kur Mali i Zi, shteti ynë fqinj, ka njohur Pavarësinë e Kosovës.

Mandiq, kanë ndryshuar rrethanat, faleminderit të gjithë miqve që ndikuan dhe ndihmuan në çlirimin e Kosovës e më pastaj edhe në njohjen e Pavarësisë së Kosovës, njëri shtet prej të cilëve jeni edhe ju.  Nëse ti personalisht ke diçka kundër, nuk do duhej të zgjidheshe në postin ku je, sepse ai post nuk është i parëndësishëm.

Sa u përket tre serbëve të arrestuar me rastin e vizitës së Manastirit të Deçanit në Kosovë, që ti kërkon të lirohen se nuk paskan bërë asgjë, unë të pyes ty:

Si do të veproje ti sikur unë në mes të Podgoricës të vijë me shkrimin Mali i Zi është Kosovë apo Shqipëri në veturën time !

Bëhu real, sa do mund të më duroje, a do thoje se nuk paskam bërë asgjë ? Do arrestohesha apo jo ? Do dënohesha apo jo ?

E them këtë, sepse edhe ne e njohim Republikën e Malit të Zi,.

Prandaj them, mos bini në nivelin e atyre që nuk ia duan të mirën të tjerëve. Ne jemi në tokën tonë, nuk ia kemi marrë askujt.

Ju vetë do duhej t’i gjykoni veprimet e tyre, Mandiq.

Edhe gabimi yt është i rëndë, dhe do duhej të kërkoje falje, kur i referohesh Kosovës me “administrata në Prishtinë, me çka tregon se nuk je mik i Kosovës. Është mirë t’i vësh gishtin kokës!

Tre serbët e arrestuar po shihet se për çka janë arrestuar dhe kanë bërë vepër penale dhe duhet të dënohen sipas ligjit.

Kryeministri Albin Kurti shtroi drekë për ambasadorin Hovenier dhe stafin e tij në shënim të Ditës së Falënderimeve të SHBA

0

Prishtinë, 27 nëntor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti shtroi drekë për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe stafin e tij në shënim të Ditës së Falënderimeve.

Dita e Falënderimeve në kulturën dhe traditën amerikane festohet mes familjarëve dhe miqve të afërt. Sot në Prishtinë, kryeministri Kurti këtë ditë të rëndësishme e shënoi me një drekë mes miqsh, në nderim të miqësisë ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve, popujve të të dy vendeve dhe bashkëpunimit me ambasadorin Hovenier, ambasadën amerikane dhe qeverinë amerikane.

Sipas traditës së festës, kryeministri Kurti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e tij dhe të qeverisë që drejton për rolin vendimtar, angazhimin e pandërprerë dhe mbështetjen e palëkundur të ShBA-ve për shtetin e Kosovës dhe zhvillimin e tij.