Kreu Blog Faqe 745

Dritan Goxhaj: Kundërreagim ndaj reagimit të Bardhyl Mahmutit

0

Nga: Dritan Goxhaj, Tiranë 

  • Kundër reagim ndaj reagimit të shqipfolësit patronazhist druzhe (shoku) BARDHYL MAHMUTIT, i datës 11shtator 2024 me titull “ Logorreja dhe “kapslleku i ideve konstruktive!”. 

Është me të vërtetë për të ardhur keq kur sheh se si, dhe sa poshtë ka përfunduar mendja njerëzore, morali dhe etika njerëzore  e disa prej atyre që shumica i konsiderojnë si biçim intelektuali, kur sheh e lexon tituj të tillë të bërë nga tipa si Bardhyl Mahmuti. Të vjen keq, mua personalisht flas, kur e shoh që një qënie njerëzore, pamvarësisht statutit të vet në këtë shoqërinë tonë, e përdor gojën në vend të fund-shpinës. Ose, si i thonë në gjuhën popullore: “Mendon e flet me fund-shpinë”. 

Në këtë kundër-reagim timin e kam etiketuar këtë individin, shqipfolës edhe druzhe (shok) në gjuhën serbe, pasi mentaliteti që ky shfaq në këtë reagim të tijin i përngjet atyre të sllavëve të Jugut në mesin e të cilëve edhe është formuar ky individ. 

Shqipfolësi patronazhist druzhe (shoku) Bardhyl Mahmuti ka vendosur që prej fillit të reagimit të tij të merret edhe me familjen time, duke ju referuar një gjoja miku të përbashkët: “m’u kujtua një miku im, që kishte reaguar ndaj atyre, që prapa çdo gjëje shihnin fytyrën, dorën apo hijen e Edi Ramës”. 

Duke qënë se ky zotëri ka shkruar ngjashëm si sllavët e Jugut, duke e implikuar edhe familjen time në këto polemika të miat me të, jam i detyruar që ta sqaroj individin shqipfolës druzhe Bardhyl Mahmutin. 

Si fillim po i them që, nuk ka mundësi që ai “miku” të jetë mik i përbashkët i joni, pasi unë jam mëse i sigurtë se miqtë e mi nuk janë miq me druzhe Bardhyl Mahmutin, dhe se do bënte mirë që ta pyeste një herë atë “mikun” –  nëse më ka takuar ndonjëherë në jetë të vet ai “miku”, dhe pastaj t’i bëjë pyetjen tjetër nëse ndonjëherë ai e ka dëgjuar nga goja ime pretendimin ,të cilin e apostrofon  “intelektuali” Bardhyl Mahmuti. 

Unë e garantoj që jo. Por gjithsesi ia sugjeroj që edhe për siguri të vetën ta harxhojë një telefonatë. 

Ndërsa tashti po e sqaroj se është e pamundur që ajo shprehje të ketë dalë nga goja ime, pasi druzhe Bardhyl Mahmuti e konsideron Edi Ramën si persekutor të asaj çfarë më ndodhi mua. Në fFalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe persekutor konsiderohet dikush që e përndjek dhe e torturon dikë në mënyrë të vazhdueshme. Për fatin tim të mirë, por edhe të vetë Ramës, në gjithë kohën që ky ka qënë në pushtet, unë personalisht apo edhe familja ime, nuk kemi pasur ndonjë përplasje dhe as përndjekje nga vetë Edi Rama, apo dhe pushteti i tij. Në gjithë këtë kohë as jemi burgosur, as jemi ndaluar, e as jemi akuzuar penalisht, ose edhe publikisht, as nga Rama e as nga ana e pushtetit të tij, pamvarësisht retorikës sime ndaj tij që prej ditës që ka ardhur në pushtet. 

Edhe në këtë rastin në fjalë për çështje të ekstradimit tim me kërkesë të Gjykatës Specilale të Kosovës në Hagë, ashtu siç edhe e shkruan edhe kërkesa, është një vendim i asaj Gjykate, e cila nuk është nën hyqmin e Ramës. Kërkesa për ekstradim është një procedurë normale e parashikuar nga ligji, dhe ndalimi në raste të tilla, kur kërkesa shoqërohet edhe me kërkesa shtesë për arsye sigurie, është sërish ligji ai i cili i përcakton këto veprime dhe jo Rama ose dikush tjetër.  

Pra, edhe po të dua, por edhe po ta konsiderojmë një moment të tillë, siç thotë druzhe Bardhyl Mahmuti, përveç se juridikisht, por edhe logjikisht Rama është jasht këtij ekuacioni, por edhe sikur të dua, nuk kam sesi ta fus. 

Ndaj futja e familjes time në këtë ekuacionin e tij nuk është aspak mentalitet i shqiptarit, pasi shqiptari kurrë nuk është marë me familjen e kundërshtarit, por vetëm frikacakët dhe sllavët e Jugut i kanë përdorur për kërcënim familjet e kundërshtarëve të tyre. Ndaj edhe  në këtë aspekt e konsideroj këtë individ, duke iu drejtuar serbisht, me druzhe (shok). 

Për më tepër, druzhe Bardhyl Mahmuti citon një thënie të atij “mikut”, të cilën po e sjell të plotë: “Reagimet e atyre që në shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut shohin fytyrën e Edi Ramës, më kujtuan kohën kur pushtuesit serbë na kishin ndaluar të presim dru në pyjet tona, për t’u ngrohur në dimrin e acartë. Nga frika se mund të zbuloheshim, kur futeshim “ilegalisht” në pyll çdo lis na dukej si fytyra e rojtarit të pyllit”.   

E falenderoj për këtë sqarim, pasi tashti po e kuptoj arsyen e vërtetë se pse druzhe Bardhyl Mahmuti, ndoshta edhe ai “miku” i tij, nuk kanë ardhur në luftë për çlirimin e Kosovës dhe as në dy luftrat e tjera në trojet Shqiptare për të drejtat e tyre, gjatë viteve 1997-2001, pasi, mesa duket, këtyre çdo pemë e atyre trojeve u dukej si polic ose paramilitar serb, ose edhe ndoshta si ai roja serb i pyllit dhe, nga frika se mos i kapte ose i vriste, preferuan të qëndronin ngrohtë pranë grave të tyre në Perëndim, ndërkohë që bashkatdhetarët e tyre luftonin dhe familjet u masakroheshin.    

Më tej druzhe Bardhyl Mahmuti më akuzon për shpifës pasi kam konsideruar duke u bazuar mbi rrëfimin e tij në shkrimin e parë, se në atë ceremoni mund të ketë vajtur me ftesë të autorit, pasi nuk mund të ketë vajtur me ftesë të Ramës ose të ndonjë pushtetari tjetër, duke e  ditur se nuk ka asnjë njohje me ta. Në këtë rast paskish qënë gabim i imi të cilin e pranoj, po që assesi nuk e pranoj etiketimin “shpifës”, sepse nuk kam shpifur; por, edhe sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe “shpifje” do të thotë “gjëra të pa qëna që thuhen me qëllim për të përlyer nderin a emrin e dikujt, për t’i ngarkuar një faj që nuk e ka”. Në këtë rast deduktimi im, se druzhe  Bardhyli ka qënë me ftesë të autorit, nuk është as përlyerje ndaj emrit e as ngarkim faji, pasi të marrësh pjesë në një ceremoni ku nuk je autor nuk është faji i askujt. Por, me sa duket, druzhe Bardhyl Mahmuti, duke qenë se fëmininë e ka kaluar mes sllavëve, duhet të ketë probleme edhe me kuptimin e Gjuhës Shqipe. 

Dhe pastaj, si për çudi, pas gjithë asaj “trimërie” që tregon në pjesën e parë të reagimit të tij, shprehet se qënka ndjerë i kërcënuar pse unë i paskam përmnendur Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë! Dhe sërish, ashtu si edhe në shkrimin e tij të parë, ai sërish bën racionalizim, ku edhe më konsideron si nostalgjik i një sistemi të shkuar, duke iu referuar një neni të Kodit Penal të Republikës Socialiste të Shqipërisë. 

Edhe në këtë rast, po e lodh pak lexuesin, për ta sqaruar druzhe Bardhyl Mahmutin se unë i jam referuar vetëm neneve të Kodit Penal aktual, dhe përkatësisht Nenit 268 të tij, për të cilin druzhe Bardhyl Mahmuti duket që nuk ka dijeni dhe që, po ta lexoi, do e shohi që edhe ky nen është përfërsisht i njëjtë me nenin e Kodit Penal të vitit 1977, të cilit i referohet ai vetë.  

Por unë i kujtoj druzhe Bardhyl Mahmutit, i cili, me sa duket, përveç problemit me Gjuhën Shqipe ka edhe problem me arithmetikën, pasi unë jam i lindur në vitin 1976 dhe nuk kam si të kem nostalgji për një sistem në të cilin kam jetuar vetëm fëmijërinë, 15 vjet. Përkundrazi, duket qartësisht që si ish anëtar i atyre organizatave biçim Marksiste-Leniniste në të cilat ka aderuar që nga rinia e tij e deri në pleqëri, e kanë bërë nostalgjik për gjëra të tilla, aq sa edhe mban akoma në arkivat e tij Kodin Penal të atij sistemi. 

Por edhe në atë kohë, të cilës i referohet druzhe Bardhyli, si edhe në këtë, çdo ndryshim i simboleve dhe i Flamurit, i bërë me vendim të parlamenteve përkatëse dhe i mbrojtur nga Kodet Penale të kohës, nuk ka asnjë arsye për t’u kundërshtuar, siç pretendon druzhe Bardhyli, që unë do të duhej ta bëja.  

Duke i kërkuar falje lexuesit që i mora kohë për sqarimet e detyruara të mësipërme, tashti le të vimë te çështjet thelbësore e të gjithë këtij debati. 

Në reagimin ndaj shkrimit tim, druzhe Bardhyl Mahmuti ka ofruar dy vula të cilat i paraqet si vula të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. 

Duke qënë se unë nuk jamë historian, por edhe as specialist i historisë së mesjetës, kam qënë i detyruar që t’i referohem atyre që janë marrë me këtë çështje. 

Dhe i jam referuar të ndjerit Moikom Zeqo i cili, në shënimet e tija, të cilat edhe janë publikuar shkruan:  

“Flamuri i Skënderbeut është një subjekt kryesor i skënderbeologjisë. 

Dijetarët kanë shkruar mbi këtë flamur, por saktësia dhe akribia shkencore ka lënë shpesh për të dëshiruar”. 

Flamuri i Skënderbeut është përshkruar nga disa autorë. 

“Anonimi i Tivarit, në vitin 1480 (i cituar prej Biemit, fq. 23) thotë: “L’insegna di Skander begh era un’ aquila negra distinta in dua teste sopra campo rosso” (Flamuri i Skënderbeut ishte me një shqiponjë të zezë me dy krerë në një shesh të kuq). 

Marin Barleti, 1508 (fleta XV), thotë: “Rubea vexilla nigris et bicipitibus distancta aquilis gerebat Scanderbegus“. (“Flamur i kuq i Skënderbeut me një shqiponjë të zezë dykrerëshe.”) 

Të gjithë autorët, që janë bazuar te Barleti përmendin të njëjtën gjë. 

Dhe po në kujtimet e tij Moikom Zeqo thotë: “Rafigurimi i shqiponjës dykrerëshe me Yllin e Davidit në vulën e madhe nuk është autentik me flamurin. 

Fjala vjen, Barleti nuk e përmend asnjëherë faktin, se mbi shqiponjën dykrerëshe është Ylli i Davidit. 

Një fakt tjetër substancial është se shqiponja dykrerëshe e Skënderbeut nuk ka patur asnjëherë kurora mbretërore, sepse dihet, që Skënderbeu nuk e pati asnjëherë titullin e Mbretit të Shqipërisë.” 

Ndërsa Prof. Shyqyri Nimani, në librin e tij të botuar në vitin 1996 me titull “Trojet shqiptare në harta dhe stema”, shkruan: “Gjatë një udhëtimi në SHBA, në ekspozitën e madhe « ART & CARTOGRAPHY » në qytetin e Çikagos, organizuar nga The Newberry Library,  qenë ekspozuar harta unikale (manuskripte), tepër të rralla dhe absolutisht shumë të rëndësishme. 

Aty qe ekspozuar edhe «Harta Portollane e Mesdheut» e vitit 1456, një manuskript i pikturuar në pergamenë, pronë arkivore e bibliotekës dhe Newberry Library në Chikago – koleksion i Edward E.Ayer-it, nr.3. Dhe harta ka shënimin : «Petrus Roselli compossuit hanc cartam in civitate majori carum anno domini MCCCLVI».  

Dhe më tej z Nimani vazhdon: “Kjo hartë përfaqëson maksimumin e njohjes gjeografike të botës, përpara zbulimit të Amerikës nga Kristofor Kolombi më 1492. Aty janë shënuar emrat e vendeve dhe të qyteteve kryesore dhe 41 flamuj të shteteve evropiane, më 1456. E jashtëzakonshmja dhe e papritura për ne shqiptarët është se pikërisht në figurën gjeometrike, gadishullore të Shqipërisë, është vizatuar edhe flamuri i Skënderbeut.” 

Prof. Shyqyri Nimani e ka botuar të plotë hartën e vitit 1456, në faqen 55. Flamuri ka një majë të vogël mbi shtizën vertikale. Duket qartë në të, figura e shqiponjës dykrerëshe, por pa Yllin e Davidit.  

Ndaj edhe Moikom Zeqo në shënimet e tij thotë: “Dihet që edhe vetë stema e Kastriotëve është ndryshuar, është mbingarkuar me kurorat mbretërore, se trashëgimtarët e familjes së Kastriotëve, për shkak të titujve që kanë marrë më vonë, i kanë shtuar atribute të tjera stemës së thjeshtë, civile, dhe autentike të Gjergj Kastriot Skënderbeut.” 

Ndaj edhe stema e parë e paraqitur nga druzhe Bardhyl Mahmuti, ajo me yllin e Davidit sipër kokave, stemë të cilën në 17 janar të vitin 2018, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, e ka ekspozuar Edi Rama duke e paraqitur si “Vulën e akteve shtetërore” të Skënderbeut, por që në realitet nuk është vërtetuar asnjëherë që ajo është përdorur nga Skenderbeu, sikundër thotë edhe Moikom Zeqo.  

Kjo është përdorur nga autori i shtatores në mburojën e Skënderbeut. Ndërkohë që historia jonë ka vërtetuar se stema e shqiponjës me dy koka me yllin e Davidid sipër është stemë e përdorur nga familja e Balshajve.  

Prandaj këtu lind pyetja: A është e mundur që Skenderbeu të ketë përdorur si vulë të tijën një stemë të një familje tjetër fisnike shqiptare të asaj kohe?! 

Në këtë rast duket qartësisht që autori i shtatores është ndikuar nga Edi Rama. Në kësi rastesh, në këtë “nahijen” tonë, o druzhe Bardhyl Mahmuti, i thonë: “Me propozim nga lartë e me miratim nga poshtë”. Kjo, pasi paratë i kanë paguar shqiptarët nëpër botë, ndërsa për bërjen e saj ka ndikuar një narcist. 

Në të vetmin rast, në të cilin është vërtetuar përdorimi i Yllit, si stemë e familjes së Kastriotëve, ai ndodhet  në Napoli ku ndodhet Kisha monumentale Santa Maria La Nova, në të cilën është varrosur nipi i Skënderbeut, Konstandin Kastrioti,  djali i Gjonit, dhe varri  është ndërtuar nga gruaja e Skënderbuet, Donika Kastrioti (Komneni). Dhe brenda një kornize anësore të atij varri është gdhendur një mburojë ovale. Në qendër të saj shquhet shqiponja dy krenare me kurorat mbretërore mbi kokat. Në mesin e dy kokave del në relief ylli me tetë cepa. Pra këtu ylli nuk është ai i Davidid, por tjetër.  

Tashti le të vimë tek vula e dytë, në të cilën duket një shqiponjë me një ujk nën kthetrat e saj, vulë të cilën druzhe Bardhyl Mahmuti e paraqet se edhe kjo i përket Skënderbeut. 

Në realitet, bëhet fjalë për një vulë e cila ndodhet në muzeun e Kopenhagenit, në Danimarkë, e regjistruar atje si vula e Skënderbeut,  dhe që edhe këtë vulë e solli në Shqipëri për ta ekspozuar Ilir Meta kur ishte president, si kundërpeshë të eskpozesë së vulës së Skenderbeut nga ana e Edi Ramës në janar të po atij viti, 2018. 

Por më pas studiuesit e huaj, përfshi këtu edhe ata danezë, e kanë specifikuar se kjo vulë nuk është vula e Skënderbeut. Kjo, ngaqë mbishkrimi në atë vulë është në gjuhën greke dhe deshifrohet kështu: “MBRETI ALEKSANDER,(ISKANDER)) ME MËSHIRËN E ZOTIT PERANDOR I ROMANËVE, SUNDUESI I MADH I TURQVE, SHQIPTARËVE, SERBËVE DHE BULLGARËVE”  

Ndërkohë, sikundër dihet, se Skënderbue kurrë nuk e shpalli veten mbret, prandaj në të gjitha letërkëmbimet e tij me fuqitë e kohës ai nënshkruan: “Princ i Shqipërisë dhe Epirit”. 

E shoh që nga padija dhe nga nxitimi, thjesht druzhe Bardhyl Mahmuti ka hapur internetin ka shkruar në të “vula e Skënderbeut”, dhe ka marrë fotot e para që i kanë dalë, pa i hyrë një investigimi të lehtë.   

Dhe pastaj ka vazhduar në këtë rrokopujë, dhe në fund po mundohet të na paraqesi këtu, vula dhe stema të cilat nuk përfaqësojnë dhe nuk kanë qënë asnjëherë pjesë e  asaj periudhe që njihet si Skënderbeologji. Dhe, me këtë nivel “intelektual” të druzhe Bardhyl Mahmutit, eja e beso se ky filozof ka kryer studimet në universitetin e Parisit! 

Dhe kjo që kërkon të na bindi ky lloj njeriu cënon direkt historinë tonë dhe kulturën tonë, pasi t’i imponosh popullit simbole të cilat nuk kanë asnjë lidhje me të dhe historinë e tij, është manuipulim i historisë dhe kulturës, dhe kjo i shërben vetëm fqinjëve tanë, dhe interesave antishqiptare. 

Ndaj vënia e UJKUT, SIMBOLI I  FASHIZMIT, mbi supin e Heroit tonë Kombëtar është jo vetëm cënim por vepër antikombëtare. Dhe po e njëjtë është tentativa e atyre si druzhe Bardhyl Mahmuti që mundohen të mbrojnë këtë veprim antikombëtar, i cili cënon simbolet tona. 

Dhe këtu nuk po i hyj fare temës të paraqitjes së Heroit tonë Kombëtar në këmbë, e cila është një poshtërim që i bëhet vetë Skëndërbeut. Pasi në mesjetë, kohë në të cilën ka jetuar dhe vepruar Heroi ynë Kombëtar, kali ishte simbol i asaj epoke, pasi tregonte lavdi, dhe ta zbresësh kalorësin nga kali, do të thotë t’i heqësh lavdinë. 

Ndaj, bazuar në sa më sipër, e konsideroj Bardhyl Mahmutin një shqipfolës në shërbim (uroj ta ketë nga padija) të qarqeve antikombëtare shqiptare. Dhe këto qarqe, të cilat vazhdimisht tentojnë ta cënojnë figurën e Skënderbeut, i përkasin kryesisht sllavëve të Jugut, prandaj dhe i drejtohem me epitetin druzhe.  

Ps: Jam i bindur se e kam ezaurur si nga ana historike, por edhe gjithë çështjet e tjera që ngre druzhe Bardhyl Mahmuti. Edhe nëse do të ketë ndonjë kundër-reagim nga ky individ, unë nuk do të merrem më me të, por vetëm i them: Zoti të ruajt shëndetin, se mendja ka kohë që të ka lënë! 

19 shtator 2024 

“Llogjika” serbe e manipulimit me citatet e Moikom Zeqos dhe logorreja allagoxhaj

0

Nga: Bardhyl Mahmuti

Në adresën time të email-it, Dilaver Goxhaj më dërgoi “reagimin e Dritan Goxhajt” ndaj shkrimit tim “Logorreja dhe ‘kapsllëku’ i ideve konstruktive”, të publikuar në gazetën “Dita” më 19 shtator 2024.

Që në titull të reagimit shihet qartë, se për të qenë në përputhje të plotë me “llogjikën” sllave, artikullshkruesi më drejtohet me termin serb “druzhe” (shok) dhe vazhdon me jashtëqitjen nga goja të asaj që ka në bark! Meqenëse ai që ka shkruar këtë “reagim” pretendon se gjoja unë paskam “implikuar edhe familjen e Dritan Goxhajt në polemikë”, e shoh të udhës që, në fillim të këtij reagimi, t’i drejtohem publikisht kryefamiljarit të kësaj familjeje, me sa vijon:

– Përpara se të më dërgonte jashtëqitjen e fundit të të birit, Dilaver Goxhaj duhej t’i tregonte djalit të vet se sa herë më ka thirrur në telefon për të shprehur tmerrin që e kishte kapluar nga frika se mund ta ekstradonin në Hagë dhe se kë fajësonte për arrestimin e Dritanit. Unë nuk e kam fshehur përpara askujt qëndrimin tim publik kundër themelimit e gjykatës mbi bazën e sajesave të Shërbimit Sekret të Serbisë dhe, rrjedhimisht, edhe kundër arrestimit të Dritan Goxhajt. Mbetet në ndërgjegjen e Dilaverit, nëse dëshiron t’ia thotë të vërtetën djalit të vet!

– “Autori” i shkrimit pretendon se, si pasojë e asaj, që “fëmininë e ka kaluar mës sllavëve”, Bardhyl Mahmuti “duhet të ketë probleme edhe me kuptimin e gjuhës shqipe”. Dilaver Goxhaj, që shitet si mik i familjes sonë, është dashur t’i tregojë “autorit” të shkrimit se Tetova, ku kam lindur, dhe Prishtina, ku kam jetuar një pjesë të fëmijërisë dhe rinisë sime, janë qytete historikisht dhe aktualisht të banuara me shumicë dërmuese shqiptare dhe vetëm të sëmurët mendorë ose ata që funksionojnë me “llogjikë” sllave mund të shpifin se shqiptarët na paskëshin jetuar “mës sllavëve”.

Mbetet në ndërgjegjen e Dilaverit arsyeja se përse nuk e ka vënë në dijeni “autorin” e shkrimit, djalin e tij, se as fëmijëria ime “mës sllavëve” dhe as shtatë vitet e rinisë që kam kaluar në burgje, në zemër të Serbisë (në burgun “Zabela” të qytetit Požarevac, vendlindja e Sllobodan Millosheviqit, në 2 burgje të qytetit Šabac dhe në burgun e qytetit Zaječar) nuk kanë mundur të më pengojnë që ta kuptoj, ta flas dhe ta shkruaj gjuhën shqipe më mirë se Dritani, Dilaveri dhe shumë Dallaverë të tjerë.

Në rast se Dilaveri “do ta informonte rrethin e vet”, artikullshkruesi nuk do të formulonte fjali paradoksale të natyrës “shqipfolësi patronazhist druzhe (shoku) Bardhyl Mahmuti”, “ish anëtar i atyre organizatave Marksiste-Leniniste në të cilat ka aderuar që nga rinia e tij e deri në pleqëri” dhe “si nostalgjik mban akoma në arkivat e tij Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”!

Dilaveri e di fare mirë, se ndaj shqiptarëve të pushtuar nga sllavët e jugut janë zbatuar kodet penale serbe, malazeze dhe maqedonase dhe, pavarësisht regjimit politik në Shqipëri, dashuria ndaj saj ka qenë penalisht e dënueshme. Të gjithë ata që i janë kundërvënë pushtimit jugosllav të trojeve tona dhe kanë shprehur dashurinë ndaj Shqipërisë, qoftë ajo edhe marksiste-leniniste, kanë përjetuar pasoja të tmerrshme. Në Shqipëri gjërat kanë qenë ndryshe: sa më “enverist-marksist-leninist” të kesh qenë ose të jesh shitur se je, aq më shumë privilegje të panumërta dhe ngritje profesionale në rrafshin e pushtetit politik apo të ushtrisë e policisë ke pasur, në kohën kur vazhdimisht spastrohej “politika, ushtria dhe policia nga armiqtë e brendshëm, poliagjentë”! Rrjedhimisht, “nostalgjik” për kodet penale të atij regjimi mund të jenë vetëm kuadrot partiake (politike, ushtarake, policore dhe të shërbimeve sekrete), që përfituan nga tragjeditë e shumta njerëzore të fushatave spastruese ideologjike dhe anëtarët e familjeve të tyre.

Le t’i kthehemi logorresë së re kundër shkrimit tim. Jashtëqitja që mban emrin e Dritan Goxhajt nxori në pah sëmundjen e rëndë mendore që ka kapluar artikullshkruesin dhe zbatimin e “llogjikës” sllave gjatë manipulimit me të vërtetat!

Po fillojmë me pretendimin se gjoja unë, “druzhe Bardhyl Mahmuti, kam hapur internetin dhe, pasi paskësha shkruar ‘vula e Skënderbeut’, kam marrë foton e parë që ka dalë, pa i hyrë investigimit të lehtë”.

Nëse do të zbatoja “llogjikën” sllave allagoxhaj apo të kisha qenë i prekur, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, nga çrregullimi mendor i sindromit të Fregolit, që prapa çdo gjëje shohin fytyrën, dorën apo hijen e Edi Ramës, do të kisha zbuluar se “stema e parë, ajo me yllin e Davidit sipër kokave, stemë të cilën në 17 janar të vitin 2018, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, e ka ekspozuar Edi Rama duke e paraqitur si ‘Vulën e akteve shtetërore’ të Skënderbeut”, ndërkaq, vulën e dytë, “e cila ndodhet në muzeun e Kopenhagenit, në Danimarkë, e regjistruar atje si vula e Skënderbeut, dhe që edhe këtë vulë e solli në Shqipëri për ta ekspozuar Ilir Meta kur ishte president, si kundërpeshë të eskpozesë së vulës së Skenderbeut nga ana e Edi Ramës në janar të po atij viti, 2018”.

Për të manipuluar lexuesit që nuk e dinë të vërtetën, artikullshkruesi manipulon me emrin e dhe shkrimet e studiuesit të mirënjohur, Moikom Zeqo.

Fillimisht po u rikujtoj lexuesve që kanë ndjekur polemikën rreth kësaj çështjeje, se artikullshkruesi i logorresë së parë, të publikuar në emër të Dritan Goxhajt, pretendonte se “në asnjë version origjinal, mburoja e Skënderbeut nuk mbante yllin gjashtëcepësh mbi kokat e shqiponjës” dhe se prezantimi i tij në shtatoren e realizuar nga Gëzim Muriqi, “cënon jo pa qëllim flamurin tonë kombëtar, kur dihet që flamuri ynë është flamuri i Skënderbeut”.

Duke zbatuar “llogjikën” e historianëve serbë, që shkëpusin thelbin nga citate të caktuara, për ta interpretuar ndryshe realitetin, artikullshkruesi i logorresë së dytë kundër meje, shkëput nga citatet e Moikom Zeqos thelbin e asaj, për të cilën lindën divergjencat.

Kështu, në funksion të manipulimit të lexuesit, nga studimi i Moikom Zeqos që citohet nga artikullshkruesi i logorresë së dytë, janë prerë si me gërshërë pjesët që kanë të bëjnë me çështjen e vulave që ka përdorur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Në shkrimin e titulluar “Heraldika e Gjergj Kastriot Skënderbeut”, Moikom Zeqo saktëson:

“Skënderbeu ka përdorur dy vula në kancelarinë e tij. Njëra vulë, e quajtur vula e madhe (Sigilla Majus) me rafigurimin e saj u zbulua, më 1961 në dorëshkrimet e shkencëtarit sllovak, Pavel Jozef Safariku (1795-1861). Skënderbeu kish përdorur këtë vulë rreth vitit 1466. Vula është e rrumbullakët, ka në mes shqiponjën dykokëshe, mbi krahët e shqiponjës germat latine D.Al.(dominus albaniae). Rreth e qark vulës lexohen fjalët Georgius Castriotus Scendarbigo. Në mbarimin e fjalës së fundit, është një yll 8 cepësh.
Kurse midis dy kokave të shqiponjës është një tjetër yll 6-cepësh.
Në krahun e majtë të kornizës dekorative me gravura të faqes së parë të librit të Barletit për Skënderbeun është gravura e një shqiponje dykokëshe, që i atribuohet Heroit”.

Në përputhje të plotë me “llogjikën” sllave, artikullshkruesi i prekur nga çrregullimi mendor i sindromit të Fregolit fsheh faktin se vula e madhe e Skënderbeut, ku shihet ylli 6-cepësh mbi kokat e shqiponjës, ishte zbuluar disa vite përpara se të lindte Edi Rama dhe, rrjedhimisht, nuk kishte se si të sajonte një vulë të tillë përpara se të lindte. Mirëpo për të sëmurët mendorë nuk përjashtohet mundësia që, edhe këtë fakt, t’ia atribuojnë Edi Ramës, si “të mishëruar gjatë periudhave të ndryshme historike”!

Çdo njeri që ka bërë një “investigim të lehtë” rreth yllit 6-cepësh në mburojën e Skënderbeut, e di se, për hir të Kuvendit të Lezhës, mbajtur më 2 mars 1444, më 17 janar 1962 (ende pa lindur Edi Rama), në sheshin “Besëlidhja” në Lezhë u përurua vepra monumentale “Obelisku”. Mbi pllakën e mermerit të bardhë të kësaj vepre monumentale është vendosur mburoja e bronztë e Skënderbeut, me shqiponjën dykrenore dhe mbi kokat e shqiponjës, ylli 6-cepësh, ndërsa në pjesën e sipërme të mburojës është përkrenarja e Skënderbeut.

Sa i përket vulës së dytë, ku shihet figura e ujkut të strukur nën kthetrat e shqiponjës, që është në pronësi të Muzeut Kombëtar të Danimarkës, për të cilën artikullshkruesi thotë se “e solli në Shqipëri për ta ekspozuar Ilir Meta kur ishte president, si kundërpeshë të eskpozesë së vulës së Skënderbeut nga ana e Edi Ramës në janar të po atij viti, 2018”, realiteti është ndryshe. Më 30 maj të vitit 2003, pra 15 vjet përpara pretendimit të lartpërmendur, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë dhe ambasada shqiptare në Kopenhagen organizuan ekspozitën e kësaj vule në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti” në Krujë.

Videon për këtë çështje mund ta ndiqni këtu: https://www.youtube.com/watch?v=6PsQU8azVEQ

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Moikom Zeqo, në atë kohë drejtor i Muzeut Kombëtar, sepse bëhej fjalë për një vulë autentike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Le t’i kthehemi pretendimit, se gjoja “ylli gjashtëcepësh mbi kokat e shqiponjës” në shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të realizuar nga Gëzim Muriqi, “cënon jo pa qëllim flamurin tonë kombëtar, kur dihet që flamuri ynë është flamuri i Skënderbeut”, do t’i referohem intelektualit të mirënjohur Moikom Zeqo, për arsye se ishte përzgjedhja e artikullshkruesit.

Në paragrafin e parë të shkrimit të titulluar “Flamuri i Skënderbeut, kuqezi apo verdh e kuq? A e ka pasur Yllin e Davidit?”, të botuar në gazetën “Dita” më 21 tetor 2023, Moikom Zeqo sqaron:

“Flamuri i Skënderbeut është një subjekt kryesor i skënderbeologjisë. Dijetarët kanë shkruar mbi këtë flamur, por saktësia dhe akribia shkencore ka lënë shpesh për të dëshiruar. Megjithatë, ne kemi patur një përfytyrim për flamurin e Skënderbeut, bazuar tek stema e tij, që paraqet shqiponjën dykrerëshe, pa kurorë mbretërore mbi kokat, që ka sipër yllin gjashtëcepësh si dhe inicialet latine D.AL. d.m.th. ‚Dominus Albaniae‘ (Zoti i Shqipërisë)”

Në përputhje të plotë me “llogjikën” serbe të manipulimit me faktet, artikullshkruesi citon vetëm dy fjalitë e para të shkrimit në fjalë (“Flamuri i Skënderbeut është një subjekt kryesor i skënderbeologjisë. Dijetarët kanë shkruar mbi këtë flamur, por saktësia dhe akribia shkencore ka lënë shpesh për të dëshiruar”) dhe e pret me gërshërë konstatimin e Moikom Zeqos, të nënvijëzuar në citatin e mësipërm, se përfytyrimet tona kombëtare për flamurin e Skënderbeut janë bazuar te stema e tij, që paraqet shqiponjën dykrerëshe, pa kurorë mbretërore mbi kokat, që ka sipër yllin gjashtëcepësh.

Nëse një manipulim i tillë i mendimit të Moikom Zeqos do të bëhej nga ndonjë intelektual për motive të tjera, do ta quanim të pacipë. Por këtu kemi artikullshkrues me të meta mendore të sindromit të Fregolit, që kanë gjetur të përshtatshme “llogjikën” serbe të manipulimit me faktet, për t’u akomoduar në paranojën e tyre! Pikërisht këto gjëra duhet të kemi parasysh kur shohim shkëputjet e citateve të Moikom Zeqos edhe për Anonimin e Tivarit, Marin Barletin dhe Shyqyri Nimanin, lidhur me flamurin e Skënderbeut.

Në shkrimet e lartpërmendura, të publikuara në gazetën “Dita”, Moikom Zeqo vë theksin në dy zbulime lidhur me flamurin e Skënderbeut:

Zbulimi i para ka të bëjë me një hartë të vitit 1456, ndërsa zbulimi i dytë ka të bëjë me faktin se “në absidën e Kishës së Shën Andonit, në Kepin e Rodonit, ku ka qenë rezidenca dhe kështjella e Skënderbeut është zbuluar pikërisht një shqiponjë dykrerëshe e kuqe”.

Të dashur lexues,

Kërkoj ndjesë që më duhet të citoj një pjesë të madhe të shkrimit të intelektualit të mirënjohur Moikom Zeqo, sepse dëshiroj të shmang shkëputjet e tekstit, që mund të dëmtojnë tërësinë e fakteve që është munduar të fshehë artikullshkruesi i logorresë së dytë.

Moikom Zeqo e ka fjalën!

 “Para disa kohësh, në zyrën time në Muzeun Historik Kombëtar, erdhi dijetari dhe piktori i njohur nga Kosova, prof. Shyqri Nimani. Në vitin 1996, Nimani, kish botuar librin album në Prishtinë, me titull “Trojet shqiptare në harta dhe stema”. Këtë botim, unë e kam patur prej kohësh në duar, por u desh ta rilexoj tani më me vëmendje, për t’u befasuar dhe entuziazmuar nga zbulimi i jashtëzakonshëm. Autorësia e këtij zbulimi i takon padyshim mikut tim të nderuar, prof. Shyqri Nimani.

Në botimin e tij Nimani tregon se, gjatë vitit 1980, gjatë një udhëtimi në SHBA, pa ekspozitën e madhe «ART & CARTOGRAPHY» në qytetin e Çikagos, organizuar nga The Newberry Library, ku qenë ekspozuar harta unikale (manuskripte), tepër të rralla dhe absolutisht shumë të rëndësishme.

Aty qe ekspozuar edhe «Harta Portollane e Mesdheut» e vitit 1456, një manuscript i pikturuar në pergamenë, pronë arkivore e bibliotekës dhe Newberry Library në Chikago – koleksion i Edward E.Ayer-it, nr.3.

Harta ka shënimin: «Petrus Roselli compossuit hanc cartam in civitate majori carum anno domini MCCCLVI».

Kjo hartë portollane është pikturuar me dorë, sipas traditës së navigatorëve, që e kanë përdorur këtë teknikë, të paktën, që nga fillimi i shek. XIV. Siç shihet harta e Rosellit, mban vitin 1456, kur Skënderbeu ishte në kulmin e famës së tij, krejt i gjallë, sepse ai vdiq 12 vjet më vonë, më 1468.

Harta nuk është e dimensionit të madh, ajo përqendrohet në Detin e Mesdheut dhe në Detin e Zi, tregon bregdetin evropian nga Danimarka, ishujt britanikë deri tek Skotlanda Jugore, bregun veriperëndimor të Afrikës, ishujt Kanare, Medeeirën dhe ishujt Azore në Oqeanin Atlantik.

Kjo hartë përfaqëson maksimumin e njohjes gjeografike të botës, përpara zbulimit të Amerikës nga Kristofor Kolombi më 1492.

Harta në fjalë ka një saktësi të madhe të parametrave gjeografikë, sidomos të kontinentit evropian, por informacioni i hartës është shumë më i madh, aty janë shënuar emrat e vendeve dhe të qyteteve kryesore dhe 41 flamuj të shteteve evropiane, më 1456.

E jashtëzakonshmja dhe e papritura për ne shqiptarët është se pikërisht në figurën gjeometrike, gadishullore të Shqipërisë, është vizatuar edhe flamuri i Skënderbeut.

Flamuri shqiptar i Kastriotëve ka kështu një njohje ndërkombëtare, është njësoj si në OKB-në e sotme.

Gjëja e parë është vendosja figurative e të gjithë flamurëve të shteteve të njohur dhe pjesëmarrëse të OKB.

Të tillë vlerë juridike, ndërkombëtare ka dhe vendosja dhe rafigurimi i flamurit të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Prof. Shyqyri Nimani e ka botuar të plotë hartën e vitit 1456 në faqen 55, tabela 14.

Flamuri është në formë katërkëndëshe, i vendosur në një shtizë vertikale, mbi figurën qëndrore të Shqipërisë, d.m.th. mbi qytetin e Krujës.

Katërkëndëshi i fushës së flamurit është krejt i hapur në krahun e majtë për shikuesit.

Flamuri ka një majë të vogël mbi shtizën vertikale. Duket qartë në të figura e shqiponjës dykrerëshe, por pa Yllin e Davidit.

Nimani, që e ka parë me sytë e tij këtë fakt, tregon se fusha e flamurit qe e verdhë (e artë), kurse shqiponja dykrerëshe e kuqe.

Pse vallë kjo shqiponjë titullare e flamurit jepet e kuqe dhe jo e zezë?

Mos vallë dëshmia e Marin Barletit, në librin e tij për Skënderbeun, që e botoi gati 40 pas vdekjes së Skënderbeut duhet marrë me rezervë?

Ku qëndron e vërteta?

Pse në kohën kur ishte vetë gjallë Skënderbeu, flamuri i tij i njohur ndërkombëtarisht jepet në një fushë të verdhë (të artë) dhe me shqiponjë të kuqe dykrerëshe?

Për çdo shkencëtar serioz, këtu ka një pikëpyetje shqetësuese, që kërkon një përgjigje të vërtetë dhe të argumentuar.

Aq më tepër që substanca e kësaj pyetjeje bëhet më e fortë kur dimë tashmë se në absidën e Kishës së Shën Andonit, në Kepin e Rodonit, ku ka qenë rezidenca dhe kështjella e Skënderbeut është zbuluar pikërisht një shqiponjë dykrerëshe e kuqe.

Afresku i kuq i shqiponjës dykrerëshe të Rodonit është bërë përpara vdekjes së Skënderbeut më 1468.

Kjo shqiponjë nuk është bërë rastësisht e kuqe. Pra shqiponja e Skënderbeut nuk është e zezë.

Shqiponjën e kuqe të Rodonit, Skënderbeu e ka parë me sytë e tij, askush nuk do mundte dot, ta bënte ngjyrën e shqiponjës ndryshe, nga ç’ishte ngjyra e vërtetë e saj, sepse këtu kemi të bëjmë me autoritetin shtetëror të vetë Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Problemi shkencor lidhet me dy përmasa: përmasa e parë ka të bëjë me dy fakte historikisht autentike, që në të gjallë të Skënderbeut, me faktin e hartës së vitit 1456 dhe me faktin e afreskut të kuq të shqiponjës dykrenore të Rodonit, gjithashtu, autentike.

Përmasa e dytë ka të bëjë me një dokument shkrimor të përpiluar nga Barleti 40 vjet më vonë, pasi kish vdekur vetë Skënderbeu.

Të gjithë, pa përjashtim, kanë besuar dëshminë shkrimore të Marin Barletit, pra, kanë besuar se shqiponja dykrerëshe është e zezë, në një fushë të kuqe.

Faktet që paraqesim në këtë shkrim tregojnë një ndryshim të rëndësishëm, del qartë se shqiponja dykrerëshe e Skënderbeut nuk ka qenë aspak e zezë, por ka qenë e kuqe.

Ta zëmë për një moment se piktori i hartës së 1456-ës, Roselli, ka përdorur në mënyrë të lirë rafigurimin e flamurit të Skënderbeut dhe për ta bërë më të lexueshëm këtë flamur e ka bërë shqiponjën dykrerëshe të kuqe në një fushë të verdhë (e artë).

Por, nëse ky fakt, do të qe i vetmuar, mund ta përdornim si një alibi figurative.

Por, është pikërisht zbulimi në afresk i shqiponjës dykrerëshe të kuqe të Kepit të Rodonit, që nuk na lejon më, të flasim për një alibi të piktorit hartograf, apo për një rastësi vetmitare.

Për shkak të akribisë shkencore dhe të kriticizmit shkencor, jam i detyruar të shpreh publikisht tezën, se përfytyrimi i flamurit të Skënderbeut duhet të ketë qenë ndryshe në realitet, pra, shqiponja dykrerëshe për shkak të fakteve të mësipërme, do të ketë qenë e kuqe.

Dëshmia e Barletit nuk është ajo e një dëshmitari okular, por është një dëshmi e metomorfizuar, gati një shekull e gjysëm më vonë.

Mendoj, që Barleti duhet shikuar me rezervë,jo me absolutizem në këtë pikë kryesore. Pse?

Harta e Petro Rosellit e vitit 1456, është si të thuash një njohje ndërkombëtare, për paraqitjen figurative të flamurit të Skënderbeut.

Afresku i shqiponjës dykrerëshe të kuqe i Rodonit, vërteton diçka të brendshme, pikërisht brenda kështjellës rezidenciale të vetë Gjergj Kastriotit.

Është tjetër gjë të themi se për shkak të traditës mbi 5 shekullore ne tashmë kemi botërisht flamurin kombëtar me fushën e kuqe dhe shqiponjën dykrerëshe të zezë.

Askush nuk ka ndërmend që ta ndryshojë tashmë këtë gjë, sepse dhe tradita duhet respektuar, qoftë dhe si konvencionalitet. Por, askush nuk i heq të drejtën e dyshimit dhe saktësimit shkencor dijetarëve, që kanë kult vetëm të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

Dy dëshmitë autentikë, që trajtuam në këtë shkrim tregojnë pa mëdyshje se flamuri i Skënderbeut ka qenë ndryshe, pra në një fushë të verdhë (të artë) dhe me shqiponjën dykrerëshe të kuqe.

Duke thënë këtë, mendojmë se nuk bëjmë një blasfemi, por bëjmë një saktësim.

Megjithatë e drejta e debatit shkencor është një e drejtë e hapur për të gjithë dhe unë do të pranoja me dëshirë dhe me ndërgjegje çdo kundërshtim të arsyeshëm, por ama me argumente autentikë”.

Të dashur lexues,

Ju lutem, shihni deri në çfarë mase akomodimi në “llogjikën” serbe nuk i lë artikullshkruesit paranojakë të kuptojnë domethënien e vërtetë të konstatimit të Moikom Zeqos në gjuhën shqipe, duke deformuar mendimin e tij:

“Dhe po në kujtimet e tij Moikom Zeqo thotë: ‘Rafigurimi i shqiponjës dykrerëshe me Yllin e Davidit në vulën e madhe nuk është autentik me flamurin’. Fjala vjen, Barleti nuk e përmend asnjëherë faktin, se mbi shqiponjën dykrerëshe është Ylli i Davidit. Një fakt tjetër substancial është se shqiponja dykrerëshe e Skënderbeut nuk ka patur asnjëherë kurora mbretërore, sepse dihet, që Skënderbeu nuk e pati asnjëherë titullin e Mbretit të Shqipërisë.

Ndërsa Prof. Shyqyri Nimani, në librin e tij të botuar në vitin 1996 me titull “Trojet shqiptare në harta dhe stema”, shkruan: “Gjatë një udhëtimi në SHBA, në ekspozitën e madhe «ART & CARTOGRAPHY» në qytetin e Çikagos, organizuar nga The Newberry Library, qenë ekspozuar harta unikale (manuskripte), tepër të rralla dhe absolutisht shumë të rëndësishme.

Aty qe ekspozuar edhe «Harta Portollane e Mesdheut» e vitit 1456, një manuskript i pikturuar në pergamenë, pronë arkivore e bibliotekës dhe Newberry Library në Chikago – koleksion i Edward E.Ayer-it, nr.3. Dhe harta ka shënimin: «Petrus Roselli compossuit hanc cartam in civitate majori carum anno domini MCCCLVI».

Dhe më tej z Nimani vazhdon: ‘Kjo hartë përfaqëson maksimumin e njohjes gjeografike të botës, përpara zbulimit të Amerikës nga Kristofor Kolombi më 1492. Aty janë shënuar emrat e vendeve dhe të qyteteve kryesore dhe 41 flamuj të shteteve evropiane, më 1456. E jashtëzakonshmja dhe e papritura për ne shqiptarët është se pikërisht në figurën gjeometrike, gadishullore të Shqipërisë, është vizatuar edhe flamuri i Skënderbeut’.

Prof. Shyqyri Nimani e ka botuar të plotë hartën e vitit 1456, në faqen 55. Flamuri ka një majë të vogël mbi shtizën vertikale. Duket qartë në të, figura e shqiponjës dykrerëshe, por pa Yllin e Davidit.

Ndaj edhe Moikom Zeqo në shënimet e tij thotë: ‘Dihet që edhe vetë stema e Kastriotëve është ndryshuar, është mbingarkuar me kurorat mbretërore, se trashëgimtarët e familjes së Kastriotëve, për shkak të titujve që kanë marrë më vonë, i kanë shtuar atribute të tjera stemës së thjeshtë, civile, dhe autentike të Gjergj Kastriot Skënderbeut’”.

Në përfundim po rikujtoj lexuesit, se reagimi i dytë kundër meje fillon me fjalët: “Është me të vërtetë për të ardhur keq kur sheh se si, dhe sa poshtë ka përfunduar mendja njerëzore, morali dhe etika njerëzore” dhe përfundon me fjalinë: “Zoti të ruajt shëndetin, se mendja ka kohë që të ka lënë”! Mjerim i vërtetë ku janë katandisur këta njerëz të gjorë, të cilët shëndetin mendor nuk e konsiderojnë shëndet, por të qenit shëndoshë e kufizojnë në aspektin fizik: të kenë fulqinjtë e fortë për të bluar dhe për të mbushur stomakun me rezerva për logorrenë e ardhshme!

U ardhshin mendtë!

P.S.

E konsideroj të pështirë t’u jap llogari mercenarëve që na kanë thinjur leshin e kokës me kërkesat e vazhdueshme për të marrë rroga të përjetshme për kontributin e madh kombëtar që na paskëshin dhënë! Bashkëveprimtarët e mi e dinë kur kam hyrë dhe kur kam dalë nga Kosova dhe ku kam qenë në kohën kur isha shef i Grupit Diplomatik të UÇK-së.

Puerto Rico Illustrado (1935) / “Shqipëria, vendi i burrave të bukur!”— Intervista me poetin anonim shqiptar të humbur nëpër kafenetë e Havanës (Kubë)

0

Burimi : Puerto Rico Illustrado, 2 nëntor 1935, faqe n°6 dhe 18

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Shtator 2024 

“Puerto Rico Illustrado” ka botuar, me 2 nëntor 1935, në faqet n°6 dhe 18, një intervistë asokohe me një poet anonim shiptar të humbur nëpër kafenetë e Havanës (Kubë) rreth situatës së brendshme të vendit tonë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Vendi i burrave të bukur

Nga MAX

Burimi : Puerto Rico Illustrado, 2 nëntor 1935, faqe n°6 dhe 18

Burimi : Puerto Rico Illustrado, 2 nëntor 1935, faqe n°6 dhe 18

Revolucion ! Një tjetër revolucion ! Dhe, pastaj, më shumë revolucione … 

Si një ndërmjetësim në konfliktin italo-abisinian, një herë dy ditë, pastaj tre dhe në fund disa ditë të tjera, Shqipëria ka fituar nderin e faqeve të para të gazetave, përmes një revolucioni më shumë, ku pati edhe vdekjen e një gjenerali, vartës të Mbretit Zog I… Më në fund, rendi u rivendos dhe bashkë me të, edhe një herë, heshtja mbi këtë vend të komplikuar. 

Çfarë është Shqipëria për botën ? Shqipëria gjendet në rrugicën e Ballkanit. Duke iu kthyer enciklopedisë, ne e dimë se është një vend asgjë më pak se i egër. Gratë mbulojnë fytyrat e tyre, burrat kanë mustaqe të mëdha dhe pushkë që i ndezin me strall. E gjithë kjo, për llogari të enciklopedisë. Por, më interesantja është se këtë herë enciklopedia tregon të vërtetën. 

Muajin e kaluar — një lajm që tashmë na ka rrëshqitur nga duart, por që ende shërben për të folur për diçka të pazakontë — Shqipëria u zhyt plotësisht në redaksitë e gazetave, me bujë të madhe, pa arritur të gjejmë dikë që të sqaronte shtigjet misterioze që motivuan revoltën. Më në fund, në një nga ato qoshet e Havanës, gjetëm një tip, origjinën e të cilit e kishim dyshuar prej kohësh dhe që besuam se mund të ishte shqiptar. E gjetëm. 

Siç për ta përshkruar, ai mban një zinxhir të frikshëm në bark, në fund të të cilit duhet të ketë një orë të madhe, flokë të gjatë ngjyrë gështenjë, etj. Pi shpesh. Ai është një poet. Ai ka qenë mësues në Havanë, madje besojmë se është mësues i frëngjishtes. Ne dinim edhe këtë detaj : Njeriu ynë e kishte ushtruar mësimin e tij në Shqipëri dhe jo më pak se në oborr, në oborrin që ruan pushkët e tmerrshme me strall. Kur e gjetëm ai ishte përballë kafesë së tij që po avullonte : 

— Miq : jeta është mizore, — na tha — por kjo ndodh. Unë shpresoj të harroj. 

Na bëri përshtypje, sepse këto fraza janë të denja për epokën romantike. Para nesh pamjet u gjallëruan sërish dhe pseudoshqiptari tha : 

— Zbarkova në Durrës, një nga portet e Shqipërisë, në të njëjtin vend ku vite më parë mendova të zbarkoja një nga Domecq-të, — Aladro Domecq Kastriota —, prodhues të konjakut të njohur botërisht, i cili si pasardhës i një dinastie të famshme shqiptare, aspironte për fronin që gëzon sot Zogu I. Durrësi është afër Tiranës, kryeqytetit të vendit, ashtu si Pireu me Athinën, kryeqytetin e Greqisë. 

— Ne nuk e kemi idenë se çfarë është Shqipëria, ia bëjmë të ditur. 

— Epo, dëgjoni diçka për atë vend : “Zbrita me këmbët e mia dhe mora rrugën e menjëhershme për në Tiranë. Një shërbëtor i improvizuar, i veshur me një çallmë, papritur filloi të dridhej dhe iku. Shumë shpejt erdhi një tip i rrethuar nga roje. Më pas mora vesh se nuk ka hekurudhë për në kryeqytet. Nuk e besoni se ky vend i çuditshëm është në Evropë ? Epo ja ku është ! Ai gjendet në anën tjetër të Adriatikut, pikërisht përballë Italisë. Kufijtë e tij kufizohen me Jugosllavinë dhe Greqinë. Është vendi më perëndimor i kombeve të Evropës Qendrore. Ka një shtrirje dhe formë gjeografike të ngjashme me Portugalinë. 

A po më dëgjoni ? Por, pa hekurudhë. 

“Në Durrës, më këshilluan të merrja një makinë. Janë vetëm 40 kilometra”. 

— Ja ku është Tirana, — bërtiti papritmas shoferi. 

“Por, nuk pashë asgjë; vetëm disa baraka, copa hekuri, copa teli nga gardhe me tela, fusha në të cilat ushtarë të shumtë të hollë, të veshur keq dhe zbathur, bënin ushtrime… Pastaj u shfaqën disa shtëpi të bardha njëkatëshe, rrugë fshatrash modeste, ku bari ngjitej nëpër mure. Shoferi u kthye dhe tha : 

— Dhoma e Deputetëve! (Parlamenti) 

“Pak më tutje, valëvitej një banderolë prej pelhure të bardhë, brenda së cilës ishte varur një burrë”. 

— Një hajdut, — vazhdoi shoferi. Dhe shtoi : ose një ministër i shkarkuar. 

“Shoferi më ndaloi përballë të vetmit hotel të mundshëm të quajtur Internacional. Kur e pyeta për çmimin e udhëtimit, ai m’u përgjigj me shumë thjeshtësi dhe në frëngjisht : 

— Një Napoleon ! 

Njësia monetare shqiptare quhet “Lek”. Por paratë që qarkullojnë janë ato të vitit 1810, Napoleoni, pra një Luigj floriri. Dhe pashë të dilte nga duart e këtyre myslimanëve, që nuk e dinë kush është Napoleoni apo Franca, çfarë nuk gjendet më në vetë Parisin : Luigjin e shëndoshë, të ndritshëm, mrekullibërës : Napoleoni i artë.

“Në hotelin Internacional, katër anglezë të Legatës po luanin “bridge”. Tre italianë, po nga Legata, po debatonin për poezinë. Një francez nga Legata bindi një shërbëtor që donte të sulmonte një francez tjetër se ai ishte një çirak joshës. Kjo është, pak a shumë, e vërteta. Dhe kjo është Shqipëria!”

Burimi : Puerto Rico Illustrado, 2 nëntor 1935, faqe n°6 dhe 18

Burimi : Puerto Rico Illustrado, 2 nëntor 1935, faqe n°6 dhe 18

“Të nesërmen dhe ditët në vijim, nuk bëra gjë tjetër veçse shëtisja dhe dëgjoja.” 

“Mbreti i këtij vendi komik, Zogu, është 36 vjeç. Është i bukur, beqar dhe melankolik. Kanë kaluar dhjetë vjet që kur ai u ngjit në fron, si pasojë e trazirave që pasuan luftën dhe diktaturës së përmbysur të Princ Vidit. Ai ka një nënë, e cila është gjithashtu një mbretëreshë dhe jeton si një myslimane (Kur është bërë ky rrëfim, nëna e Ahmet Zogut ka pas ndërruar jetë), e tërhequr në apartamentet e saj, e cila pret vizitorë të privilegjuar të mbështetur mbi një grumbull jastëkësh dhe rrobash mëndafshi, me dorën e mbështetur në gjunjët e saj, duke pirë cigare me aromë të veçantë, tymi i të cilit fryn në fytyrat e vizitorëve të saj. Zogu gjithashtu ka gjashtë motra, nga 20 deri në 30 vjeç, të gjitha të ngjashme sikur të ishin binjake; Ato jetojnë së bashku, si të disiplinuara. Në rrugë, në ceremoni, ato vishen sipas modës myslimane, me vellon (ferexhenë) e pashmangshme. Por në privatësinë e atij pallati mbretëror që i ngjan shumë një kazinoje, ato vishen si Paquín ose Patou, duke mbërritur përmes një hyrje sekrete. Në verë, oborri zhvendoset në Durrës dhe shkojnë në pyje si një koloni pushuesish.” 

… Pikërisht këtu i erdhi fatkeqësia këtij miku, i diplomuar për letërsi, poet shqiptar “honoris causa”. Lexoni siç na e shpjegon vetë ai : 

— Unë rashë në dashuri me gjashtë motrat e mbretit në të njëjtën kohë dhe u desh të largohesha. Zogu është një mbret i mirë. Ai është i vendosur për ta bërë Shqipërinë një komb. Ai është sentimental dhe autoritar; dhe problemi politik i Shqipërisë është brenda këtyre dy fjalive. 

“Sentimental dhe beqar, aty ndodhet pylli i të gjitha aventurave. Ai ka kaluar një kohë shumë të mirë me balerinat e Folies Bergere. Autoritar, ai ka vendosur diktaturën me ndihmën dhe modelin e Italisë. Ushtria e tij ka instruktorë italianë. Pasuria e tij kontrollohet nga Italia, dhe për Romën, megjithatë, ai është një vasal që duhet vëzhguar”. 

“Dhe këtu qëndron sekreti i revoltës së kaluar, të cilën asnjë agjenci kabllore nuk e ka publikuar : është inkurajuar nga babai, i një të preferuare (vajze), të shkarkuar nga Zogu. Zogu, personazh piktoresk dhe plot ngjyra i Evropës moderne, udhëheqësi ngurrues i një kombi të ish të poshtërish, baba i një oborri operetash, ende arriti të ruante fronin e tij. 

— Më besoni : është kënaqësi të jetosh në Shqipëri. 

Miku ynë shqiptar, një poet i humbur nëpër kafenetë e Havanës, ka përfunduar me këto fjalë. Nuk mund të merrnim asgjë tjetër prej tij. Nga ana tjetër, nuk ka nevojë të dimë më shumë : lexuesit tanë kanë marrë me atë që u tha, një mësim të mirë psikopolitiko-gjeografik për Shqipërinë. 

MAX

* Aurenc Bebja, Francë. (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/puerto-rico-illustrado-1935-shqiperia-vendi-i-burrave-te-bukur-intervista-me-poetin-anonim-shiptar-te-humbur-neper-kafenete-e-havanes-kube/.

Dhuna seksuale ndaj femrave gjithmonë është mëkat i madh, dëmton parafytyrimin e Zotin në njeriun, është dekadenca e rëndë morale dhe shpirtërore

0
Nga: Don Lush Gjergji, Prishtinë
____
Një ndër mjetet më të turpshme të luftës, padyshim, është dhuna seksuale ndaj femrave, e cila si duket, është përgatitur dhe zbatuar sistematikisht nga ana e ushtrisë, policisë, paramilitarëve në luftën e shthurjes së ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Mirëpo kjo dukuri deri me sot nuk është ndriçuar gati aspak, edhe më pak është dënuar nga institucionet dhe organet kompetente juridike dhe administrative. Çka është edhe më keq, femrat fatzeza, të cilat kanë pësuar këtë dhunë, disa prej tyre edhe sistematikisht dhe vazhdimisht, kanë mbetur në vetmi dhe në vuajtje, në heshtje dhe në harresë, në luftë dhe konflikt me vetveten, me rrethin familjar dhe shoqëror. Ato tashmë “jetojnë” sepse të gjalla s’mund të “hyjnë në varr”, s’mund të dalin prej “lëkurës” dhe përvojës së tmerrshme të tyre. E ne, kush dhe ku jemi sot?
-Pse nuk flitet, shkruhet dhe bisedohet për dhunën seksuale ndaj femrave në Kosovë?
 Mosnjohja e saktë e tematikës dhe numrit të femrave të dhunuara;
·         Frika, marrja, diskrecioni, mosbesimi për ta shprehur këtë përvojë të hidhët dhe dramatike;
·         Mungesa e individëve dhe institucioneve të specializuara për hulumtimin dhe trajtimin e femrave të dhunuara, si dhe këndvështrimi i “tabu temës” për ne;
·         Frika, rreziku për rrënimin e  familjeve të goditura  dhe mungesa informimit sa më të saktë dhe krijimi i  përkrahjes së opinionit publik ndaj femrave të dhunuara;
·         “Morali i dyfishtë” shpesh edhe dhe formal, sa për sy e faqe, që e rëndon gjithnjë e më shumë gjendjen e grave të dhunuara si dhe pozitën e tyre në familje dhe në shoqëri.
-Çfarë qëllimi mund të ketë dhuna seksuale ndaj femrave?
 Thyerja morale dhe shpirtërore e kundërshtarit në pikën më të ndjeshme dhe më të dobët, siç janë femrat. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon ka thënë se dhuna seksuale ndaj femrave është “arma shkatërruese e luftës” (26 maj 2014).
·         Poshtërimi dhe turpërimi i tyre, shpesh edhe infektimi me virusin HIV, paaftësia për të lindur fëmijë pas këtij keqpërdorimi, ose edhe lindja e fëmijëve të paligjshëm – “kopilëve” nga marrëdhëniet seksuale me dhunë.
·         Rrënimi i familjes dhe krijimi i mosbesimit mes çifteve martesore. Sipas disa statistikave llogaritet që në ish-Jugosllavi janë dhunuar, gjatë viteve 1992-1994, deri në 60. 000 femra. Thuhet që në Kosovë numri i tyre mund të jenë afro 20. 000 femra.
·         Nëpërmjet këtij veprimi jonjerëzor, mos të them djallëzor, vazhdojnë pasojat dhe dhembjet e luftës edhe pas përfundimit të saj, ndoshta në shumë raste edhe gjatë tërë jetës së tyre, të familjeve dhe të afërmve të tyre.
-Çka duhet dhe mund të bëjmë ne?
 Njohja dhe trajtimi i dhunës seksuale ndaj femrave të jetë jo vetëm krim ndërkombëtar, por edhe krim kundër njerëzimit, si “skllavëri” e ditëve tona dhe e kohës sonë, si mjet për asgjësimin moral të kundërshtarit në luftë.
·         Kjo nënkupton ndëshkimin sa më të rreptë dhe shembullor ndaj shkaktarëve të dhunës seksuale ndaj femrave, mbi të gjitha ndihmën, përkrahjen dhe rikuperimin e plotë të grave në forma dhe trajta të ndryshme njerëzore, profesionale, për t’i ndihmuar dhe aftësuar ato për jetën personale, familjare, martesore dhe shoqërore.
·         Solidariteti, mirëkuptimi dhe përkrahja e plotë e mbarë shoqërisë, për ta ndihmuar shërimin dhe rehabilitimin e femrave të dhunuara, me një logjikë të shëndoshë dhe zemërhapur. Arsyet kryesore janë këto: gratë e dhunuara nuk janë fajtore që janë  femra, që kanë një moshë relativisht të re, që janë të bukura dhe tërheqëse, që i përkasin anës kundërshtare në luftë apo në konflikt. Pra, të punojmë me to për shfajësimin e tyre shpirtëror dhe moral, si parakusht për rehabilitimin sa më të plotë të tyre.
·         Femrat e dhunuara, për mendimin dhe vlerësimin tim, janë heroina dhe martire të lirisë dhe të demokracisë, të cilave ua kanë dhunuar trupin, por jo edhe shpirtin, brendinë, dinjitetin dhe lirinë njerëzore, vullnetin për ta vazhduar jetën.
·         Dhuna çdo herë shkaktar frustrim, frustrimi shpërthen në agresivitet. Përvojat e tilla kaq të errëta dhe të vështira, lypset kuptuar dhe trajtuar me shumë vëmendje, kujdes dhe dashuri, sepse atë janë plotë me plagë.
·         Bashkëndarja e përvojës së tyre, solidariteti, mirëkuptimi, kujdesi dhe përcjellja e vazhdueshme, për t’i aftësuar dhe rehabilituar sa më mirë për jetë, që mos të rrezikojnë humbjen e ndjenjave njerëzore, që mos të pësojnë nga urrejtja në vazhdimësi, që mos ta humbin vetëbesimin dhe mirëbesimin ndaj të tjerëve, me këtë edhe ndjenjën e dashurisë dhe përkatësinë e gjinisë femërore. Nga statistika dihet që 17% të femrave të dhunuara bëjnë vetëvrasje, si alternativë e vetme për t’i ikur frustrimit dhe poshtërimit të vazhdueshëm.
·         Seksualiteti është një ndër mënyrat e rëndësishme të komunikimit ndërgjinor dhe ndërnjerëzor, për tejkalimin e vetmisë, egoizmit, për shprehjen e dëshirave, nevojave, kërkesave ndaj tjetrit, për jetësimin e dashurisë.
·         Dhuna seksuale është posedimi e femrës, objeketivizimi i saj, shndërrimi në gjësend, keqpërdorimi dhe keqtrajtimi i skajshëm i seksualitetit. Dhuna seksuale thellë lëndon dhe keqpërdor nderimin, lirinë, integritetin trupor dhe shpirtëror të femrës, barazinë e plotë gjinore mashkull-femër, është robëri epshore për njeriun.
·          Në aspektin moral të krishterë dhuna seksuale ndaj femrave gjithmonë dhe gjithkund  është mëkat i madh apo i rëndë, dëmton parafytyrimin e Zotin në njeriun, është dekadenca e rëndë morale dhe shpirtërore.
·         Ne, familja, shoqëria duhet të përqendrohemi në dy drejtime: për trajtimin sa më të gjithanshëm të dukurisë së dhunës seksuale ndaj femrave, pra, për dënimin e merituar ndaj zbatuesve dhe shkaktarëve, por edhe më tepër për mirëkuptimin, shërimin dhe rehabilitimin sa më të mirë dhe të suksesshëm të femrave të dhunuara. Ato vërtet janë persona që ne duhet t’i çmojmë, t’i nderojmë, t’i përkrahim, sepse kanë dhënë shumë nga jeta e tyre për liri dhe demokraci, për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mire.
Si një lloj përfundimi:
Ne si bashkësi fetare jemi vonuar. Por, siç thotë populli më mirë vonë se kurrë. Shumë e rëndësishme pjesëmarrja jonë në këtë proces. Jemi pjesë e tyre dhe ato janë pjesë e jona. Bile kanë dhunuar trupin e tyre, janë munduar që t’i lënë për së gjalli në varr, por ne duhet t’ua kthejmë dinjitetin e personalitetin sepse kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë. Falënderoj Bashkësinë Islame për ftesën dhe këtë nismë dhe të gjitha institucionet që të vazhdojmë ta trajtojmë këtë tematikë. Ato jo vetëm se nuk janë në mëkat, por janë martire të gjalla të një dhune të planifikuar e zbatuar edhe në vazhdimësi. T’i mbledhim fuqitë shpirtërore për të përqafuar ato bija e ato mitra që e kanë pësuar këtë të keqe. Duhet të mundohemi që ato t’i bëjmë protagoniste të realitetit. Më përkrahjen e zotit, mund ta bëjmë këtë.
Personat e dhunuar, për mendimin dhe vlerësimin tim, janë heronj, heroina, martirë dhe martire të lirisë dhe demokracisë, të cilave ua kanë dhunuar trupin, por jo edhe shpirtin, brendinë, dinjitetin dhe lirinë njerëzore, vullnetin për ta vazhduar jetën. Shkaktarët e dhunës seksuale janë kriminelë, kanë bërë krim kundër njerëzimit.
Prishtinë, 1 korrik 2019

Recenson për librin Don Lush Gjergji, “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne” Në 45-vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe – Oslo, 10 dhjetor 1979, Drita&ITSHKSH, Prishtinë 2024.  

0

Nga  Atë Bernard Caruana O.P. 

Me mirënjohje dhe falënderim, kam kënaqësi të bashkëndajë me ju një reflektim që e kam konceptuar në dy momente të shkurtra. 

Sociologu Gëzim Alpion, në librin e tij “Nënë Tereza. Shenjtorja dhe Kombi i Saj”1 argumenton se vepra e humanistes së madhe u frymëzua nga virtyte shqiptare që ajo i mori në fëmijëri dhe rini të hershme nga familja. Gjatë gjithë librit, lexuesit ndjekin shqiptarët katolikë në Kosovë, Maqedoni dhe Egjipt dhe njihen me qëndrimin e tyre të qetë, jo të pakuptimtë, pragmatik ndaj fesë2. Ai tregon për shembull se si përpjekjet për të rritur ‘kredencialet patriotike’ të saj dhe të familjes së saj, filluan pasi ajo mori Çmimin Nobel për Paqen (1979) dhe kanë vazhduar që atëherë. Sipas mendimit të tij, qëllimi pas përpjekjeve ishte ‘paraqitja e Nënë Terezës si një heroinë shqiptare, që rridhte nga paraardhës që ishin flijuar vazhdimisht për besimin dhe atdheun’ (f.90). 

Janë të shumtë librat, artikujt, konferencat që fokusohen mbi këtë figurë, e konsideruar si poezia e njerëzve të varfër dhe model i veçantë i dashurisë në vepër – Nënë Tereza. Është e çuditshme, si kjo, shqiptarja e vogël fizikisht, ka qene dhe mbetet frymëzim i shumë autorëve duke filluar nga gazetarë, opinionistë, publicistë, studiuesi, teologë dhe filozofë. Shumë fjalë, në fakt, janë shprehur për këtë. Disa janë fluturakë! Disa të tjerë meritojnë një vlerësim më të lartë, qoftë mbi nivelin akademik, dhe qoftë mbi nivelin fetar. Sidoqoftë, fakti që, kudo në botë, shtëpitë botuese tregojnë një interes të jashtëzakonshëm na befason. Për më tepër, ajo vetë, nuk vinte nga bota e librave. Përveç pasionit të rinisë së saj që të bëhej mësuese, të shkruante dhe të recitonte poezi, nuk njohim ndonjë interes të veçantë të Gonxhës ndaj sferës së gjerë e botës intelektuale. Por shkruante! Shkruante letra, meditimet, fjalë të urta dhe lutjet që ajo, me spontanitet dhe kurajo, i jepte kujtdo takonte si tip “kartë vizitë”! 

Bashkëvëllezërit e mi domenikanë të Universiteti Papnor “Angelicum” në Romë, ku kam jetuar unë vetë për disa vite, tregojnë kur një ditë ngelen të shastisur kur panë këtë grua të kërrusur, të mbështjellë me një sari indian të modifikuar në ngjyrat bardhë e kaltër, duke përqafuar atë çantën tipike te saj dhe me sandalet, duket shëtitur nëpër korridoret e universitetit. Ç’do Nënë Tereza në universitet? Aty kishte vetëm librat dhe profesorë. Nënë Tereza kishte ardhur për t’i kërkuar dekanit të teologjisë një nder: seminaristët të degës mashkullore duhet të marrin formimin e tyre filozofik dhe teologjik në të njëjtin universitet ku kishte studiuar vite më parë Shën Gjon Pali II. 

Një bashkëvëlla tjetër dominikan, profesor me emër nga Irlanda,3 që jepte mësim në të njëjtin universitet, rrëfen takimin e tij të parë me Nënë Terezën. Nuk ishin rrugët e Kalkutës mes të varfërve më të varfër. As një azil për ata që ishin në prag të vdekjes apo një jetimore për fëmijët e vegjël. Nënë Tereza kishte hyrë në klasë. Profesori në katedër, qindra studentë duke ndjekur mësimin. Merr fjalën ajo dhe flet për më shumë se tridhjetë minuta. Fillon dhe mbaron me një lutje. Përqendrohet mbi temën e urisë dhe të varfërisë, duke theksuar se varfëria me e madhe nuk është mungesa e bukës se gojës, por vetmia, duke cituar Biblën dhe Shën Gjonin e Kryqit. Dëshmon profesori: “Së bashku me studentet të mi, gjatë muajve të parë, kishim dëgjuar shumë fjalë, po në atë klasën tonë, por nuk e kisha kuptuar kurrë se fjalët me kaq thjeshtësi dhe çiltërsi mund të depërtonin kaq thellë në mendje dhe në zemër”4. 

Po ashtu, dr. Vincenzo Bilotta, mjeku personal i Nënë Terezës dhe profesionist i suksesshëm që kuronte pacientë të rëndësishëm rrëfen këtë dialog me pacienten e tij: “Nënë, unë kam shkruar për shenjtërit (sepse isha mjek i Dikasterit Vatikanas për çështjen e shenjtërve) dhe kam lexuar për shenjtërit, por nuk e kisha prekur kurrë me dorë një shenjt! Dhe ajo kthen: “Edhe ti je shenjt sepse ndihmon aty ata që vuajnë. Nga atë moment relacioni ynë nga mjek-pacient u kthye në pacient-mjek. Ishte ajo që po më kuronte!”. 

Para 27 vitesh, një shtëpi botuese Italiane, po përgatiste një libër, të përkthyer në italisht, që kritikonte ashpërsisht dhe pa mëshirë dhe me kritere absurde veprimtarinë e Nënë Terezës. Ndodhi që, pikërisht ato ditë, Nënë Tereza ndërroi jetë. Libraritë u tejmbushen me vëllimet që lavdëruan figurën të spikatur duke e quajtur “Shenjtja e të varfërve” dhe flitej për një shpallje të lumturisë së saj. Botuesi i librit pohoi: “Vëllimi ynë i vogël i minuar, i hedhur poshtë nga kaq shumë shenjtëri, i bezdisshëm, u dëbua menjëherë dhe u kthye para kohe në magazinat e kompanisë”. Si të mos shohim këtu, aktualizimin e fjalëve të Këngës “Magnificat”: “Hodhi poshtë qëllimet e krenarëve, i rrëzoi princat prej froneve të tyre * i lartësoi të përvuajturit. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë e të pasurit i nisi duarthatë”. 

Data e 17 tetorit 1979, na kujton ditën, kur juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë nderoi me Çmimin Nobel për paqen Shenjtën shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza. Në motivacionin e ndarjes së Çmimit, komisioni i ngarkuar njoftoi se: 

“Çmimi Nobel i Paqes ju dha Nënë Terezës së Kalkutës për angazhimin e saj ndaj më të varfërve ndër të varfër dhe për respektin dhe vlerësimin e dinjitetit të çdo njeriu. Përveç kësaj: Për punën e bërë në luftën kundër varfërisë dhe mjerimit, që përbën gjithashtu një kërcënim për paqen”. 

Ndërsa dilte nga manifestimi solemn, pasi iu dorëzua Çmimi Nobel, në një foto portret të saj shkroi këto fjalë: 

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve”. 

Një kënaqësi plebishitare botërore, sepse ishte shpërblyer Nëna e botës së mjerimit, ajo e cila vërtet e kishte merituar këtë titull të lartë me shërbimin e bamirësisë së pakursyer plot dashuri, që bëri për më të varfrit ndër të varfër. 

Kryetari i Komisionit parlamentar për marrëdhëniet me Kishën e për Arsim, Lars Roar Langslet, mes tjerash dëshmoi: 

“Tërë bota e miratoi, kësaj here, vendimin e Institutit Nobel, që Dhurata e madhe e Nobelit për Paqe t’i jepet bamirësisë së njerëzimit… në shenjë mirënjohjeje për dashurinë e bamirësinë bërë njerëzimit mbarë, pa dallim, sepse të gjithë njihemi në të. Njerëzimi e vlerëson atë si NËNË, siç e thërrasin të gjithë; shi me këtë me të vërtetë është vlerësuar njeriu, të drejtat e nevojat e tij… Kjo është fitorja e mirësisë dhe e dashurisë… Nënë Tereza është kulmi i punës vetëmohuese, i bamirësisë dhe dashurisë shërbyese. ”. 

Në pyetjen bërë Nënë Terezës “Çka do të thotë për të, për motrat e saj dhe për të varfrit Çmimi Nobel për Paqe? Ajo tha: “Për mua e motrat tona asgjë të posaçme, asgjë s’do të ndryshojë në Bashkësinë tonë e as në shoqërinë tonë. Kjo dhuratë, si dhe të gjitha të tjerat, të cilat i ka fituar Kongregata jonë rregulltare, janë vetëm për të varfëritë tanë. Kjo është si një kontribut i madh i paqes, sepse tekembramja sot bota e ka kuptuar se veprat e dashurisë janë më të rëndësishme për paqe. Pa dashuri nuk mund të kemi kurrë paqe”. 

Nënë Tereza e pranoi këtë Shpërblim vetëm në emër të të varfërve, për t’i ndihmuar të varfrit ndër të varfër, duke vërë në qendër të vëmendjes dy shtylla, shpesh të harruara dhe të ngatërruara, ZOTIN dhe NJERIUN. Kështu, kishte dëshmuar para mbarë botës se “Dashuria” do t’i shëronte të gjitha plagët e botës, sepse do t’ia mundësonte njeriut tejkalimin e kufijve të kohës dhe të hapësirës, të kombit dhe religjionit, të kastave dhe të ngjyrave. 

Ato ditë në Oslo të Norvegjisë, Don Lush Gjergji zhvilloi një intervistë me të dhe e botoi në revistën “Drita”. Një ndër pyetjet -që ai ia ka drejtuar ishte: “Çmimi Nobel për Paqe” është shpërblimi më i lartë në mbarë botën. Nga ana tjetër, në Shqipëri, vëllezërit tanë nuk kanë kurrfarë lirie fetare. Çfarë mund të na thoni për këtë? Nënë Tereza komenton: 

“Nuk di se çfarë të them, nga që nuk di se çfarë në të vërtetë po ndodhë atje. Nganjëherë marr ndonjë letër nga nëna dhe motra ime, nga Tirana. Ato shkruajnë vetëm disa fjalë, ato kanë aq dëshirë të madhe për t’u takuar edhe një herë me mua dhe me vëllain tim, Lazrin. 

Atë që do të mund të thosha është se unë lutem shumë për Shqipërinë, që Zoti Ynë t’i ndriçojë që të mund të kuptojnë këtë: nëse duan të jetojnë në paqe duhet ta duan njëri-tjetrin. 

Mendoj se Kisha jonë shqiptare ende nuk e ka kaluar të Premten e Shenjtë, por feja jonë na mëson se jeta e Jezusit nuk mbaron aty, por vazhdon në kryq dhe bëhet e plotë me ringjalljen. Populli ynë nuk duhet dhe nuk mund ta harrojë kurrë këtë. Këtu qëndron sekreti i suksesit të krishterë. Krishti dha jetën e vet që të bëhet jeta jonë, i pranishëm tek çdo njeri, çdo familje. Ai sigurisht nuk do të na harrojë kurrë.” 

Kanë kaluar 45 vite. Atë “prift-gazetar” e kemi ende në mesin tonë. Dëshmitar i drejtpërdrejtë, biograf i Shën Nënë Terezës. Personi që njohu nga afër e më pas edhe përmblodhi në shumë libra, biografinë, jetën dhe veprën e Shën Nënë Terezës. Ai sot, me rastin e 45-vjetorit të Çmimit Nobel për Paqe na sjell librin “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, si një fryt bashkëpunimi mes Shtëpisë botuese “Drita” në Prishtinë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me redaktorë Fatmir Koliqi dhe Skënder Asani. 

Libri, i përgatitur enkas për Ditët Përkujtimore të Nënës Terezës, sjell 45 njësi të ndryshme duke përmbledhur 45 vite që kanë kaluar prej marrjes së çmimit Nobel për Paqe. Qëllimi kryesor i autorit është i qartë: që figura e Nënë Terezës të jetë vazhdimisht e pranishme në jetën tonë publike e kulturore. Synimi im këtu është një shqyrtim i tematikave që trajton. Këtë shërbim e kryen shumë mirë Prof. dr. Skender Asani, në hyrjen e librit qe mban titullin “Teologjia dhe filozofia e Shën Nënës Tereze sipas Don Lush Gjergjit”. 

Ndalemi shkurtimisht duke nënvizuar thelbin e përmbajtjes. Lexojmë në hyrjen e librit: Duke e bashkëdyzuar komponenten aktive dhe kontemplative në jetën e njeriut, Don Lush Gjergji ka arritur ta zbërthejë këtë tërësi botëkuptimore të Shën Nënë Terezës, teksa konstaton se: “Nuk ka veprim pa dërgim, ose edhe më qartë: Kurrë nuk duhet të ndahet Zoti prej njeriut dhe anasjellas, njeriu prej Zotit…” 

E veçanta e këtij libri është se autori përmes një vëzhgimi të kujdesshëm ka arritur të venerojë plagët sociale, shpirtërore e ekonomike të njeriut të sotëm, duke nxjerrë në plan të parë mungesën e gjallërisë dhe ngrohtësisë nëpër shtëpitë tona, si pasojë e largimit të njerëzve, gjegjësisht fëmijëve dhe zhvendosjes së tyre në dhera të huaja. Këtë gjendje autori e ilustron më së miri me thëniet nga gurra popullore shqiptare: “S’ka shtëpi pa pleq dhe fëmijë” ose “Mjerë ajo shtëpi që nuk ka pleq dhe fëmijë.” 

Autori, identifikon tri fazat kryesore jetësore të saj dhe i gërsheton mjeshtërisht me tri virtyte teologale: feja, shpresa dhe dashuria: 

Kërkimi (Faza e parë – Gonxhe Bojaxhiu – FEJA), veprimi (faza e dytë – Motra Tereze e Loretos – SHPRESA) dhe dhurimi (Misionare e Dashurisë – DASHURIA) ishin dhe mbesin shtyllat në të cilat ajo e mbështeti mbarë jetën dhe tërë veprimin – flijimin për ta mahnitur njerëzimin si Shën Nëna Tereze e Dashurisë”, konstaton autori. 

Historia e saj personale, rruga e mendimeve të saj, vokacioni i saj, dëshmia e jetës, “thirrja brenda thirrjes” nxjerrin në pah një zgjedhje, një përvojë gjithëpërfshirëse që shkrinte punën e përditshme, pasion dhe dashurinë për njeriun, për të tjerët, për njerëzimin e dobët e të vuajtur dhe për ata që janë në errësirë. 

Filozofia e saj e dashurisë për njeriun, imago Dei, dëshiron të nënvizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe respektin për diversitetin që, në fakt, drejton jetën e njerëzve, banon në gjërat, te njerëzit dhe brenda nesh. 

Libri nxjerr në pah mendimin e saj, thellësinë e përshpirtërisë së saj që janë aq aktuale për të gjithë ne sot: mbrojtja e të drejtave, pasioni dhe dashuria për të tjerët, sidomos kur të tjerët janë më të dobëtit, të pafavorizuar dhe më të mënjanuar. 45 porositë atëherë ose më mirë 45 fjalët e urta të shqiptares Nënë Tereza. Fjalë ose rregulla të cilat tregojnë të vërtetat në jetën e përditshme, ndonjëherë edhe me anë të kuptimeve figurative. Janë proverba, që, në fakt, pasqyrojnë një sfond, patjetër intimisht religjioz, por, pa dyshim, duke u bazuar në një kulturë dhe mendësi shqiptare. Në mënyrë tipike, këto porosi, që autori i përdor si “trampolinë” për të zbuluar identitetin e Nënë Terezës si njeri i Ungjillit, por duke propozuar haptazi krishterimin si një stil jete, duke nisur nga parimi themelor: “Kisha rritet për shkak të kësaj joshjeje e jo për prozelitizëm”, siç thoshte Benedikti XVI./

(Ligjëratë e mbajtur në Tiranë, më 4 shtator 2024, në Sallën multifunksionale “Kardinal Ernest Simoni”, pranë Argjipeshkvisë Tiranë-Durrës, në kuadër të manifestimit “Drita e Gonxhes”. Titulli është i redaksisë.) 

—————- 

Referencat: 

1 Mother Teresa. The Saint and her nation, Gëzim Alpion Bloomsbury, New Delhi, London, Oxford, New York, Sydney, 2020. 

2 “Si shumica e bashkatdhetarëve të tyre, pavarësisht nëse i përmbahen krishterimit ortodoks apo islamit, besimtarët katolikë në mesin e shqiptarëve nuk e kanë pasur kurrë prioritet identitetin e tyre fetar mbi identitetin e tyre kombëtar”, f.206. “Asnjë besim nuk ka qenë kurrë arsyeja e ekzistencës së tyre apo shënuesi kryesor i identitetit të tyre”. f. 71. 

3 Atë Paul Murray O.P. Pedagog shumë i përgatitur dhe me një kulturë shpirtërore të gjerë. I dashur jashtëzakonisht shumë nga studentët për mënyrën e tij e komunikimit dhe afrimitet me studentët. Drejtonte Institutin e Përshpirtërisë në të njëjtën Universitet. 

4 MURRAY P., I loved Jesus in the night. Teresa of Calcutta. A secret revealed, Darton Longman and Todd, London 2008, f. 15.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, 20 Shtator 2024: Serbia dëshiron urën mbi Ibër kufi të ri; Gazeta Rilindja 30 Dhjetor 2008: Mesazh atyre që duan kufirin në Mitrovicë

0
Gazeta Rilindja – ballina e 30 dhjetorit 2008 – vitit historik të Pavaresisë së Kosovës.
Foto: Behlul Jashari
Nga: Behlul Jashari, Prishtinë
___
PRISHTINË, 20 Shtator 2024/  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cituar nga media sot – 20 Shtator 2024 ka deklaruar mes tjerash: “Serbia dëshiron ta mbajë të mbyllur urën në Mitrovicë sepse dëshiron ta mbajë të gjallë ëndrrën për ndarjen e Kosovës. Ajo dëshiron ta shndërrojë urën mbi Ibër në një kufi të ri. Kjo nuk do të ndodhë”.

https://www.evropaelire.org/a/kurti-akuzon-perendimin-serbine/33128119.html

 Mesazhi për ata që duan kufirin në Mitrovicë, i Gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në botimin e 30 Dhjetorit të Vitit 2008 të Pavarësisë e ndjohjeve ndërkombëtare të Kosovës, është aktual edhe tani pas 16 viteve.

Ky ishte shkrimi im atëherë Kryeredaktor i Gazetës tradicionale të Kosovës  Rilindja: 

MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË

Behlul Jashari

 Në përfundim të Vitit Historik 2008 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe njohjes nga 53 shtete, dhe më të fuqishmet në botë, po presim gëzuar Vitin e Ri 2009 të pritjesë së anëtarësimit të shtetit tonë të ri në OKB dhe  të jubileut të 10-vjetorit të paqes e lirisë në Kosovë – të hyrjes së NATO-s, forcës më të madhe planetare.
Në Ditën e Lirisë e të Paqes, më 12 qershor 1999, kur NATO-ja hyri e nisi marshin fitimtar e çlirimtar në tokën e Kosovës për t’iu dhënë fund krimeve të tmerrshme e gjenocidit, nga kolona e tankeve të para, ku isha me ushtrinë e Aleancës Veriatlantike e gazetarë nga gjithë bota, atë mëngjes të gëzimit të madh shqiptar kemi qeshur me një grafit çmendie të shkruar nga forcat që po dëboheshin pas humbjes së luftës kundër lirisë, në një shpatull mali në Grykën e Kaçanikut: “Serbija do Tokio”.
Shkarravina, që përkthyer shqip thoshte “Serbija deri në Tokio” më rikujtoi grafitet “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna” dhe britmat “ikni përtej…” të atyre që me dhunën më të egër dëbuan më se një milion shqiptarë nga Kosova.
Ata me operacionin “patkoi” kishin dashur ta zhbënin Kosovën, që duke vrarë e dëbuar shqiptarët, duke ua djegur e rrënuar shtëpitë, qytetet e fshatrat, të zhvendosnin kufirin shqiptaro-serb edhe përtej Bjeshkëve të Nemuna, siç e kishin zhvendosur para më shumë se një shekulli përgjakshëm nga Molla e Kuqe e kujtesës sonë historike.
Ata edhe më tej duan t’ua vënë flakën kufijve të Kosovës si në 19 shkurtin e 2008-tës në veri, duan të copëtojnë hartën e vendit që deshën ta zhbëjnë me gjenocid dhe tokëdjegie.

Ata edhe më tej shohin ëndrra të pamundshme, tash më 9 dhjetor 2008, kur në ditën e shtrirjes së EULEX-it në gjithë Kosovën, në veri të urës mbi limin Ibër në Mitrovicë pashë grafitin që përkthyer shqip thoshte “këtu është Serbi”.
Por, edhe ata të gjithë do ta kuptojnë, shumë prej tyre e kanë kuptuar, se ka ikur përgjithmonë koha e pretendimeve dhe e ëndrrave të këqija kundër Kosovës, se Kosova është shtet.
Le të jetë 2009-ta edhe viti i vetëdijësimit e besimit edhe të asaj pjese të vogël të shtetasve të Kosovës që janë kundër këtij shteti, se Kosova është edhe shtëpia e atdheu i tyre, i lirisë, paqes, mirëqenies, prosperitetit e garancive për të gjithë, i demokracisë, standardeve dhe ecjes drejt integrimeve euroatlantike.
Le të jetë 2009-ta viti i vetëdijësimit përfundimtar edhe të fqinjit tonë verior që ka mbetur i vetmi fqinj kundër shtetit të Kosovës, se kufijtë e Kosovës janë të vendosur e të garantuar edhe ndërkombëtarisht dhe se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik.
Shtet që rrezaton paqe, stabilitet  e demokraci dhe që i ofron fqinjësi të mirë e bashkëpunim edhe shtetit nga i cili pret edhe kërkimfaljen për krimet e gjenocidin.

Grafitet, pretendimet e ëndrrat e këqija “Serbia deri në Tokio”, “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna”, “Kufiri në mes të Mitrovicës” e të tjera si këto e të kohëve që shkaktuan edhe tragjedi njerëzore le të mbesin përmendore të marrëzisë e të shkuarës, apo më mirë sikur të ishte e mundur le t’i fshijë përgjithmonë e bardha dëborë e dimrit që do të shkrijë derisa shkojmë drejt Vitit të Ri 2009 e pranverës së re, drejt kohëve të mira që vijnë për të gjithë.

Gëzuar!

(RILINDJA, 30 Dhjetor 2008)

Skandaloze: Kuvendi i Kosovës kopjon logon zyrtare nga një panair në Arabinë Saudite

0
Logo e panairit në Arabinë Saudite dhe logo e re e Kuvendit të Kosovës
___
20/09/2024 / Paparaci.com
___

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka miratuar sot logon e Kuvendit, e cila del të jetë e kopjuar.

Logoja e re e Kuvendit të Kosovës është pothuajse e ngjajshme me logon e një panairi në Arabinë Saudite.

Dallimi i vetëm mes logos së panairit të Arabisë Saudite dhe logos së Kuvendit të Kosovës janë yjet e vendosur mbi të.

Në mbledhjen e fundit, të mbajtur sot (e premte) Kuvendi i Kosovës konform Rregullores ka miratuar logon e Kuvendit.Pa treguar asnjë detaj lidhur me jurinë për përzgjedhjen e logos, Kuvendi ka ndarë detaje vetëm rreth konceptit të logos.

Në njoftimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës thuhet së përzgjedhja është bërë nga juria profesionale, por pa treguar se kush ishte pjesë e jurisë.

Sipas njoftimit simboli i shtëpisë në logon e Kuvendit, i cili është i njëjtë me atë të panairit në Arabinë Saudite, simbolizon ndërtesën kryesore të shtetit, Kuvendin.

“Simboli i shtëpisë në logon e Kuvendit simbolizon ndërtesën kryesore të shtetit, Kuvendin, si instutcioni më i lartë ligjvënës dhe përfaqësues i Republikës së Kosovës. Pjesa e poshtme e logos simbolizon rreshtat e ulëseve të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa vija e mesme në pjesën e sipërme të simbolit paraqet ulësen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Vijat anash, po ashtu në pjesën e sipërme, simbolizojnë ulëset e anëtarëve të qeverisë. Me bashkimin e të gjitha pjesëve, simboli pasqyron në mes hartën e Republikës së Kosovës, që, së bashku me yjet, simbolizon flamurin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Për logon e re të Kuvendit të Kosovës ka reaguar dizajneri i njohur kosovar, Agi Haxhimurati.

“Po cuditen arabet sa “autentike” logo e re e Kuvendit te Kosoves! Kosova dhe storiet qe perseriten!”, thuhet në reagimin e tij.

Për librin “Pranë pyllit” të Zhaneta Vreto Priftit

0
Këto ditë, në një nga libraritë e qytetit, gjeta librin “Pranë Pyllit” të koleges Zhaneta Vreto Prifti. E lexova me shumë kënaqesi per më tepër si kolegë por edhe sepse njoh një pjesë të jetës se saj. Libri më la shumë mbresa për guximin dhe karakterin e forte që tregon me përshkrimin e jetës. Një liber i shkruar thjesht, qartë dhe plot frymezim për ngjarje dhe kujtime të pa haruara nga jeta personale të cilat nxjerrin në pah inteligjencën, vlerat, virtytin, dhe dinjitetin.
Libri më solli ndermend edhe shumë kujtime të paharuara dhe nostalgji per periudhen e kaluar që ne kemi punuar per disa vite bashku ne Ndermarjen Pyjore Korce dhe që mbeten pjese e bukur e historise te jetës. Aty gjen te pershkruar me finesë dashurinë familjare dhe mbështetjen e saj per përballimin e situatave të vështira të jetës dhe rolin e familjes në edukimin, sjelljen, shkollimin dhe krijimin e identitetit te saj. Shumë bukur përshkruhet zhgënjimi nga ligësia, përndjekja, hakmarja nga njerëz te pamoralshëm dhe që përballimi i tyre të japin me shume force, dinjitet dhe personalitet. Aty nuk gjen vetem nje model te dinjitetit, këmbënguljes, përkushtimit për punën, aftësisë për të mposhtur dhe tejkaluar ç’do sfidë në mënyrën me te mire të një femre shumë inteligjente dhe me karakter te fortë, por gjen edhe zhgënjimin jo vetëm nga episode të jetës por edhe nga interesat partiake që vazhdojnë të dominojnë institucionet si dhe politikat e paqëndrueshme gjatë viteve të demokracisë në organizimin e institucioneve vecanërisht në fushen e pyjeve. Eksperiencat e punës, sfidat, problemet, dhe vështiresitë e hasura veçanërisht në sektorin e pyjeve dhe mjedisit hapin dritaren e një të ardhmeje më të mirë.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
E përgezoj Zhanin per guximin dhe frymëzimin qe ka pasur për shkrimin dhe botimin e ketij libri shumë interesant.

Aroma e fjalëve, Aromë lirie & poezi nga Lulzim Osmanaj

0

Lulzim Osmanaj

AROMA E FJALËVE
___
AROMË LIRIE
___
Asnjëherë s’u përkule edhe kur të fyen,
asnjëherë s’u poshtërove edhe kur të përlyen,
çdo herë ishe lis i madh
edhe kur ti thyen degët
me baltë kur ta zhyten fytyrën
ishe prapë faqe e bardhë
*
Në varrim asnjëherë nuk qave
e kurrë nuk qeshe në dasmë
se koha do të vijë the
Unë jam lis i madh Pellazg
flas gjuhën shqipe
eci nëpër male e pi ujë Valbone
degët i kam si krahët e Mujës
e duart si shpata e Gjergjit,
*
Asnjëherë nuk këndove,
por kënga kurrë nuk tu ndal,
kur të gjithë po frigoheshin
ti dole i pari
por kur të gjithë u mburrën ti u fshehe i pari
Në maje të bjeshkës te varret e vajzave shkove e qave atje
kur takove zanat në mal
more fuqi baroti e shkule barin me rrënjë
mbi të mbolle farë lirie
Ti as emër nuk ke por të gjithë të njohin,
luginë e ujit je qe sjellë me vete ortek dëbore,
Ti,je kurorë lulesh
në stanet e bjeshkëve të Nemuna
ti shkruan pa laps,lufton pa revole
e kafshon pa dhëmbë
Ti vret mw sy e luftonë me kokë
Ushqehesh me ajër,
e ty të thonë Zeus!
*
Thonë se solle dritën e vetë nuk dukesh
ka kohë që ke humbur
të tjerët sot po marrin frymë
se aromë lirie me në fund mbretëron
dikush tha se pikat e shiut kur të bien
do t’i vrasin djajtë e tokës sonë
e djajtë nuk vriten me pika shiu
ata i vret djersa e ushtarëve
mbetur duke vrapuar nëpër male
e gjaku qe rrodhi në trupin e lagët
me Aromë Lirie.
__ __ __
JASHARËVE
(Familja që nuk u shua)
___
Pranverë e hershme
akoma është ftohtë
ngricat bënin atelietë e tyre
në dritaret e Jasharëve
*
Burra që nuk dorëzohen
gra që nuk mposhten
fëmijë që nuk trembën
të gjithë bashkë një familje trime
*
Kasnecët vinin dhe shkonin
ata me vete sillnin lajme
herë të kobshme
e herë lavdie
por morali ishte i njëjtë
Ata thanë:
Jemi në tokën tonë
nuk zbrapsemi
do të luftojmë
gjersa gjaku të rrjedhë si lumë.
___
NË NATYRË I ULUR JAM
___
Në natyrë i ulur jam
I bie botes rrotull mban
ku do ndalem,-them me vete
ta kisha këtë vend dhe atë famë
*
Në natyrë ku çelë behari
hapet mendja dhe pastrohet
zogjët mua më qetsojnë
ideali realizohet
*
Dashurinë aty e gjej
sorollatem në natyrë
me të hyrë në qytet
koncert njerëzish pa fytyrë
*
Dashuria këtu në natyrë
ka edhe emër
çiltërsi e mirëkuptim
jo gënjeshtër,jo lajka,
zemërbardhë është ajo
gjer n’amshim.
___
NËNA IME
___
Kur të gjithë kanë fjetur
dhe qetësia mbretëron
dëgjohet nëna ime
duke larë dhe pastruar në ballkon.
I ftohti se ndalë
as dielli i fort se pengon
punëtore e palodhur
sa vetë hëna ajo që ndriçon
__
Boshatisen dyert e shtëpisë
kur nëna mungon
ne heshtim si fëmijë
deri sa ajo të mbërrin
Në shkollë,në punë,në treg
çdo kund është ajo
nuk thotë kurrë jam lodhur
kurrë nuk thotë jam mërzitë.
__
KUR SHKRUAJ NATËN VONË
__
I thurra disa vargje,
ylberin mbas shiut
kur e pashë
Pranverës kurora lule i thura
e vjeshta,dushkun
shkundi mbi qafë
*
Buzëqeshje shpërndava,
ngrohtësi nga shpirti dhurova
mbetëm si Migjeni
i netëve të vona
Kurbeti,rrugët e natës u ngatërruan,
S’dim a jemi në vëndlindje apo në
dhe të huaj.
*
Rri në heshtje,e plagos trurin
të ma thotë një fjalë,tymos një cigare
i vetmuar,zbërthejë jetën në
kllapen e parë.
Atje nën çati kam fshehur fletoret,
tani pluhuri fortë e fortë ka rënë përmbi,
thesare do thuash prap gjete,
koha shpaloset e strukur e trembur
si zog në kafaz,e mbyllur nën dry.

Shkencëtari thotë se vetëdija njerëzore vjen nga një dimension tjetër

0

Perktheu: Prof. Dr. Pirro Prifti, Tiranë

(Scientist says human consciousness comes from another dimension | Daily Mail Online)

Nga Ellyn Lapointe Për Dailymail.Com

Publikuar: 18:08 BST, 19 Shtator 2024 | Përditësuar: 18:31 BST, 19 shtator 2024

Një teori e re befasuese për të shpjeguar ndërgjegjen njerëzore ka sugjeruar se ajo vjen nga dimensionet e fshehura dhe nuk është vetëm aktivitet i trurit.

Një fizikan pretendoi se ne lidhemi me këto rrafshe të padukshme të universit kur bëjmë art, praktikojmë shkencë, meditojmë filozofinë ose ëndërrojmë, dhe kjo mund të shpjegojë fenomenin që i ka shmangur të kuptuarit shkencor për shekuj.

Michael Pravica, një profesor i fizikës në Universitetin e Nevadës, Las Vegas, e ka bazuar idenë e egër mbi hiperdimensionalitetin, idenë se universi përbëhet nga më shumë dimensione sesa vetëm katër dimensionet që ne perceptojmë: lartësia, gjatësia gjerësia dhe koha.

Por teoria e tij është shumë e diskutueshme, me një shkencëtar që thotë se gurthemeli i teorisë së Pravicës ‘kufizohet me fantashkencën’.

Fizikani Michael Pravica beson se vetëdija njerëzore kapërcen botën fizike dhe lëviz midis dimensioneve të fshehura

“Fakti i plotë që ne mund të konceptojmë dimensione më të larta se katër brenda mendjes sonë, brenda matematikës sonë, është një dhuratë… është diçka që e kapërcen biologjinë”, tha Pravica për Popular Mechanics.

Shkencëtarët janë përpjekur të shpjegojnë ndërgjegjen njerëzore dhe origjinën e saj për qindra vjet – dhe teoritë e bëjnë gamën.

Një teori kryesore sugjeron se vetëdija lidhet me atë se sa informacion është i integruar midis pjesëve të ndryshme të trurit. Sa më shumë informacion të jetë i lidhur dhe i integruar, aq më e ndërgjegjshme mendohet të jetë një qenie.

Një tjetër pohon se gjendjet mendore të vetëdijshme drejtohen nga sinjalizimi nga lart-poshtë në tru. Sinjalizimi nga lart-poshtë i referohet procesit me anë të të cilit rajonet e trurit të nivelit më të lartë dërgojnë informacion, pritshmëri ose kontekst në rajonet e trurit të nivelit më të ulët.

Por teoria e Pravicës del jashtë sferës së neuroshkencës dhe në fizikën teorike.

Ai sugjeroi që në momentet e rritjes së vetëdijes, si kur hyjmë në një gjendje ëndrre ose përdorim trurin tonë për detyra thellësisht krijuese ose intelektuale, vetëdija jonë mund të kapërcejë dimensionin tonë fizik dhe të hyjë në një plan më të lartë.

Në këto momente, vetëdija jonë sinkronizohet me përmasat e fshehura dhe merr një vërshim frymëzimi, tha Pravica.

Për të kuptuar më mirë teorinë e diskutueshme, merrni parasysh skenarin e mëposhtëm.

Imagjinoni se jeni një qenie dydimensionale që jeton në një botë dydimensionale, si një personazh në një libër komik. Tani, imagjinoni që një sferë kalon përmes planit tuaj të shikimit.

Sfera do të dukej si një pikë që rritet në një rreth gjithnjë e më të madh ndërsa afrohet, pastaj zvogëlohet gradualisht derisa të jetë jashtë pamjes. Nuk do të kishit asnjë mënyrë për të ditur se në fakt është një formë tredimensionale.

Pravica na sheh si një version të këtyre personazheve 2D. Edhe pse ne ekzistojmë në një botë katër-dimensionale, ne mund të perceptojmë vetëm materien dhe energjinë e atyre katër dimensioneve, ashtu si qeniet në një botë 2D nuk mund të perceptojnë një objekt 3D.

Kështu, kufizimet e botës sonë na pengojnë të zbulojmë dimensione më të larta që teorikisht mund të ekzistojnë rreth nesh.

Ky është themeli i hiperdimensionalitetit – ideja se universi përbëhet nga shumë dimensione, disa prej të cilave janë të fshehura sepse janë përtej sferës sonë fizike.

Hiperdimensionaliteti lidhet me teorinë e fijeve, e cila thotë se realiteti përbëhet nga vargje pafundësisht të vogla vibruese që janë më të vogla se atomet, elektronet ose kuarkët.

Ndërsa fijet vibrojnë, përdredhin dhe palosen, ato prodhojnë efekte në dimensione të shumta të padukshme që krijojnë të gjitha grimcat dhe forcat që ne mund të vëzhgojmë, nga fizika e grimcave te graviteti.

“Teoria e fijeve është në thelb një teori e hiperdimensionalitetit,” tha Pravica. “Po shikon se si universi është bashkuar në një shkallë nën-kuantike.”

Pravica beson se truri ynë mund të arrijë në dimensione më të larta kur jemi në një gjendje ëndrre ose kur kryejmë thellësisht detyra krijuese ose intelektuale

Pravica beson se truri ynë mund të arrijë në dimensione më të larta kur jemi në një gjendje ëndrre ose kur kryejmë thellësisht detyra krijuese ose intelektuale

Edhe pse ne mund të vëzhgojmë efektet që këto vargje vibruese kanë në fizikën e dimensionit tonë, ne nuk mund të vëzhgojmë dimensionet e fshehura në të cilat ato vibrojnë.

Kjo është – ne nuk mund t’i vëzhgojmë fizikisht.

Por vetëdija jonë mund të jetë në gjendje t’i përdorë ato, thotë Pravica.

Hiperdimensionaliteti dhe teoria e fijeve pranohen gjerësisht nga fizikanët, por ideja e Pravicës për marrëdhënien e tyre me vetëdijen është më e diskutueshme – veçanërisht sepse mjegullon linjat midis shkencës dhe spiritualitetit.

Si një i krishterë ortodoks me Ph.D. nga Harvard, Pravica ka gjetur se hiperdimensionaliteti është një mënyrë për të lidhur sfondin e tij shkencor me besimet e tij fetare.

Për shembull, ai beson se Jezusi mund të jetë një qenie hiperdimensionale.

“Sipas Biblës, Jezusi u ngjit në qiell 40 ditë pasi ishte në Tokë. Si mund të ngjitesh në qiell nëse je një krijesë katërdimensionale?’ Pyeti Pravica.

Por të qenit hiperdimensional, teorikisht, mund ta ketë lejuar Jezusin të lëvizë midis botës sonë dhe parajsës – që mund të jetë një botë me dimensione më të larta ose të pafundme, tha ai.

Teoria e Pravicës bazohet në një perspektivë ‘Zoti i boshllëqeve’, ku boshllëqet në njohuritë shkencore shpjegohen me ndërhyrjen hyjnore, tha Stephen Holler, profesor i asociuar i fizikës në Universitetin Fordham.

Ai beson se ky lloj të menduari është i pamjaftueshëm dhe pengon kërkimin shkencor të nevojshëm për të kuptuar dhe shpjeguar me të vërtetë fenomene të pashprehura si vetëdija njerëzore.

“Është një mekanizëm i dobët shpjegimi që mbyt ndoshta natyrën kureshtare që kërkohet për shkencën e mirë dhe mëson se nuk është në rregull të thuash, “Nuk e di”, tha Holler për Popular Mechanics.

Ai thekson se aftësia jonë për të manipuluar matematikisht dimensionet më të larta nuk është provë se ato ekzistojnë në të vërtetë, ose se vetëdija jonë mund të ndërveprojë me to.

Për më tepër, eksplorimi i këtyre dimensioneve më të larta është i pamundur për shkak të kufizimeve të aftësive tona aktuale teknologjike.

As përshpejtuesi më i fuqishëm i grimcave në botë – Përplasësi i Madh i Hadronit (LHC) në CERN – nuk mund të sigurojë prova reale se këto dimensione ekzistojnë.

LHC thyen grimcat së bashku me shpejtësi tepër të larta – deri në shpejtësinë e dritës.

Kjo i lejon fizikanët të studiojnë blloqet themelore të ndërtimit të materies dhe energjisë dhe të kenë qasje në dimensione pafundësisht të vogla – madje edhe më të vogla se një proton i vetëm.

Por edhe LHC nuk është në gjendje të zbulojë vargjet me dimensione të larta që parashikon fizika kuantike. Për të marrë atë të grimcuar, fizikantëve do t’u duhej një përplasës shumë më i fuqishëm.

Pa këto prova konkrete, Holler thotë se hiperdimensionaliteti ‘kufizohet me fantashkencën’.

Por Pravica është optimist se një teknologji e tillë mund të ekzistojë brenda jetës së fëmijëve të tij.

Deri atëherë, ai do të vazhdojë të mbështesë hiperdimensionalitetin dhe teorinë e tij se si ai lidhet me ndërgjegjen tonë.

“Unë nuk shoh asnjë kuptim ndryshe,” tha ai. ‘Pse të studiojmë? Pse të jetosh?’