Kreu Blog Faqe 787

Estetikë e bukur dhe bukuri e rrallë

0

(Korniza e një portreti -Dussi Sadriji, piktor akademik)

(Spreitenbach (AG), 21 qershor 2024. Me rastin e hapjes së ekspozitës kolektive të Dussi Sadrijit, Thomas Velti dhe Yvonne Wilken)

 I.

Dussi Sadriji, s’bashku me Thomas Velti, skulptor nga Badeni (AG) dhe piktorja Yvonne Wilken nga Dortmundi i Gjermanisë, në objektin e ri të komunës, “Gemeidegalerie në Spreitenbach – Galeria Komunale” të këtij qyteti, kanë hapur ekspozitën e tyre të radhës.

Me këtë rast kishin ardhur artdashës të shumtë, kryesisht zviceran, në mesin e tyre edhe miq dhe dashamirë të artit pamor, ku bashk me familjen e piktorit, shijonin vlerat më të arrira të Dussi Sadrijit, me rastin e hapjes së kësaj ekspozite të përbashkët me këta artistë të njohur. Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 02 gusht 2024, dhe vlenë të potencohet se si janë kthyer korridoret, shkallët dhe kthinat e Kuvendit Komunal në Spreitenbach, në Galeri Arti, traditë e kamotshme e kësaj komune.

Pikturat e Dussi Sadrijit, (mbi dyzet sish), përbënin një mozaik të kompletuar, qoftë si cikle e më tepër për ngjyrat dhe vijat sa tërëheqëse, aq mahnitëse dhe po aq unikate, vlera këto artistike që e bëjnë të dalluar profilin artistik të njeriut, i cili çdo gjë e vë dhe e bënë mbi bazën e njohjeve të thella profesionale, në anën tjetër kjo punë kaq e madhe flet për përkushtimin që ka artisti Dussi Sadriji, për artin pamor. Edhe kompozcioni artistik i këtyre pikturave, pavarësisht nga cikli dhe mënyra, paraqesin gjithënjo kordinata shumë të veçanta dhe tejet dalluese, të cilat pasqyrojnë një shkollë ndryshe, e mirë dhe dalluese e cila është arritje e veçantë dhe e papërseritshme, të cilën me pasion dhe përkushtim e krijon Dussi Sadriji i cili tashmë ka bërë emër, jo vetëm te komuniteti artistik i bashkatdhetarëve të vet, por kudo që prezantohet arti i tij, nëpër galeri e rrethe artistike, (jo vetëm në Zvicër), zgjon kureshtje dhe interesim.

Pa dyshim, Dussi Sadriji, piktor akademik, është bërë akademi për koloninë e artistëve shqiptarë, sepse mënyra e krijimit dhe përdorimi i thellë në hijezime figurative, përfaqësojnë teknika dalluese ashtu siç janë më dalluese edhe pikturat e tij të cilat e bëjnë atë jo vetëm piktor i realizuar, por më të veçantë, mjaft i kërkuar në qarqe artistike, i pranuar, gjithandej, qoftë për stilin dhe mënyren e krijimit, por edhe për vlerat njerëzore dhe sjelljen e vet prej Artisti-Njeri, po veçanërisht për mënyrën se si i qaset dhe prezanton krijimin e vet artistik!…

  1. IMAZHT (SU)REALE

Dussi Sadriji, ka krijuar shkollën e vet artistike. Ngjyrat në pamje të rëndomta, të vështira për tu realizuar. Vijëzimet harkore dhe rrathët eliptikë mjaftë unikat, tejet interesant, paraqesin kordinim dhe rregullësi të cilën nuk e shohim tek piktorët e tjerë.

Për piktorin vizatimi-piktura është shprehje artistike e reales, kurse realiteti i jep frymëzimin diagonal përmes të të cilit krijon abstraksione të suksesshme artistike. Kjo estetikë krijimi është e veçantë, kjo mënyrë e vizatimit artistik e bënë pikturën e Dussit art të njohur edhe pa e shënuar autorsinë.

Karakteristikë tjetër e këtyre pikturave janë harqet dhe vijat diagonale të cilat ruajnë strukturën për të finalizuar qëllimin e synuar, për të realizuar iden e paramenduar. Jo vetëm këto elemente, pikturat e Dussit zbukurohen nga ngjyrat karakteristike, kryesisht të hapura por me dritëzime ndezëse që japin shpresë dhe njëkohësisht shprehin jetë.

Saktësi e vijës ndarëse në mes dy botërave ekzistuese, që me mënyrën e kubizmit dhe të figurave gjometrike, shtrirja e lakoreve të cilat në mënyrë konstante ruajn çartësinë e figurës që ai dëshiron të ndërtoj, qoftë kjo figurë e femrës nudo, vallëzimi i saj me fustanin e gjatë, ritmi i lëvizjes mbi take të larta, jo vetëm se shprehin elegancë, por krijojnë edhe harmoni të veçantë. Ngjyrat dhe hijezimet duken të magjishme, ato shprehin dashuri dhe bukuri të rrallë, prandaj artisti ka mundësi e fantazi krijuese për të realizuar një cikël të gjerë me piktura kushtuar gruas – femrës, qoftë edhe asaj nudo, soji njerëzor më e ndjeshme, më e brisht dhe si natyrë njerëzore sensuale dhe melankolike.

Edhe cikli me lule e bënë këtë art dhe artistin të veçantë, ndërsa në ekspozitë (kur lulet qëndrojnë afër ose pranë njëra-tjetrës), duken kopsht ku shndërisin e shkëlqejnë ngjyrat e flakëruara që krijojnë përshtypje se Dussi Sadriji, është kopshtari më mgjik e artistik për të pikturuar lulet e vëna brenda në kornizë. Estetikë e bukur dhe bukuri e rrallë. Ngjashmëri magjike, format gjeometrike duken gati identike sa shpesh herë punimet e tija na bëhen të jenë formati “3-D”, e parë nga shumë anë, me prerje të tërthorta a hiperbolike, duke dhënë pamjen e pikturës – prerjen e saj, sikur të ishin realizime të formatit tredimensional. Kjo pamje shumëdimensionale, është prerje magjike nga disa kendvështrime, e bëjnë pikturën sikur shohim të njëjtin subjekt i fotografuar nga shumë pamje e preje të mundshme. Finesat që shihen në këto prerje ia rrisin vlerën artistit i cili duket se ka afinitet të çuditshëm, sa i japin epitet unikat pikturës së Dussi Sadrijit, veçantinë e pamjes, sado në dukje e thjeshtë, në esencën e saj, shpreh thellësi figurative që i jep jetë e gjallëri edhe pamjes së subjektit që ai pikturon.

Me pak fjalë: Bukuri e rrallë. Art i suksesshëm. Estetikë e realizuar me finesa artistike. Dinamikë jetësore. Imazh (su)real. Realizim i përsosur!

III. ARTI DHE SENTIMENTI ARTISTIK

Dussi Sadriji, ka krijuar universin artistik. Viteve të fundit ai është bërë i njohur, jo vetëm për sasi por edhe për cilësi. Në ekspozitat kolektive, kryesisht dominojnë punimet e tij. Harmonia e vizatimeve artistike, veçmas cikli “Femra nudo” dhe ai “Lulet”, janë dy tematika të ndryshme që përmbushin njëra tjetrën. Parë në aspektin motivor e tematik: “Sensualiteti dhe ngjashmëria e bukurisë që ka gruaja dhe lulja”, “Ndjeshmërinë që kanë gratë dhe lulet”, dhe “Prekshmërinë fizike lulet dhe atë shpirtërore gratë”!…

Kjo shumëllojshmëri stilesh e teknikash e bëjnë artin e Dussi Sadrijit tërheqës dhe të pëlqyer. Vijëzimet artistike shpesh herë janë si valët e deti me ngritjet dhe rëniet harmonike kurse ngjyrat të cilat ngjizën njëra në tjetrën formojnë pamje mahnitëse. Ajo që bie në sy në artin e Dussi Sadrijit është sistemi i punës dhe i motiveve mbi të cilat ndërtohet një koncept i tërë i piktuarve të cilat formojnë ciklin e caktuar. Edhe vizatimet e tij e kanë bërë artistin më të famshëm sepse përmes vijave të shumta arrinë me krijuar tabllo serike që japin mesazhin e caktuar. Se ku e ka frymëzimin në disa sish është e qartë, flora dhe fauna janë inspirueset kryesore për piktorin, pamje të bëra e ribëra nëpër artin e tij që i përket pamjeve të natyrës ashtu siç janë pjesë e natyrës edhe “Demat” e Dussi Sadrijit, te realizuar me përsosmëri të mundshme. Kafshët dhe shpezët janë pasion për të. Veçojmë edhe ciklin “Shqiponjat”, si dy simbolika të tjera, Demat, Shqiponjat, Lulet dhe Gratë, përbëjnë një kuartet vizual që zënë vend qëndror në artin e këtij krijuesi.

Duke ndjekur me pasion ekspozitën e tij, të krijohet përshtypja se piktor jetën e ka pasur të mirë, ka jetuar gjëra të bukura dhe ka shijuar me elegancë jetën, prandaj vetëm ato përjetime i ka kthyer në art, në letër për t’i shijuar edhe të tjerët, mbase mision i artit është zgjatja e jetës së artistit që e ka krijuar, sepse sa të rrojnë pikturat, bashkë me to rron edhe emri dhe shpirti i piktorit, gjë që Dussi këtë sintagmë metaforike e ka realizuar me shumë pasion dhe përkushtim, madje ai i ka shndërruar përshtypjet e veta në art, prandaj duke pikturuar tabllot nga jeta ai ka shpalosur edhe diçka të padukshme nga brendsia shpirtërore që ka. Ky stil mjaftë atipik dhe i veçantë e bënë pamjen e pikturës më dinamike, si dukje e dalluar dhe si art tejet elegant, bukuri që mbush e frymëzon shpirtin e vizitorëve dhe që mbahet mend për një kohë te gjatë.

  1. ARTI DHE KOMUNIKIMI NDËRKULTUROR

Vetëm pikturat kanë mundësinë e komunikimit me publikun dhe artdashësit pa ndërmjetësues, pa përkthim dhe gjithnjë ruajn origjinalitetin e tyre. Kjo është arsyeja pse pjesëmarrja e artistit në ekspozita kolektive por edhe në aso individuale është ndërtimi i urave të kuminikimit ndërkulturor, ndërartistik. Arti iu përballon stuhive dhe tundjeve sociale, armiqësive dhe konflikteve raciste, sepse vetëm pikturat kanë kuptim jetësor, ato janë të gjithëhershme dhe kurdohershme.

Edhe artistët (sikur të tjerët), një ditë do të lënë frymën e fundit dhe shpirti i tyre do të ngjitet në qiell. Janë pikturat dhe arti i tyre që do të vazhdoj komunikimin me publikun dhe shoqërinë, sidomos atë kulturore, shoqërinë artistike. Punimet artistike kurdoherë komunikojnë me vizitorët e tyre dhe shprehin mesazhin e tejjetës që ka ndërtuar artisti. Vetëm arti vazhdon tejjetën dhe komunikimin nga përtejjeta me miqtë me kulturat, me popujt dhe me njerëzimin…

  1. SHËNIM BIOGRAFIK

(Dussi Sadriji, piktor akademik)

Dussi Sadriji, piktor akademik, u lind në vitin 1967 në Gjilan të Kosovës. Shkollën Fillore dhe atë të mesme i kreu në Gjilan. Akademinë e Artit, drejtimi i artit figurativ, Degën e Pikturës e ka përfunduar në Prishtinë, (1987- 1991), në klasën e profesorit të njohur Muslim Mulliqi.

Qysh si student ka qenë pjesëmarrës i rregullt i ekspozitave tradicionale të studentëve, “Salloni i të rinjëve” dhe “Salloni pranveror“. Vlenë të theksohet se qysh atëherë ai ishte në mesin e pesë artistëve të shpërblyer. Po ashtu në Zvicër ka marrë pjesë në disa ekspozita të përbashkëta si dhe disa të tjera individuale. Vlenë të theksohet se në ekspozitën kolektive të 30 artistëve zviceran, mbajtur në Hinwillersee në Galerinë “Zum blauen Pfaun“, Dussi Sadriji ishte i vetmi i huaj.

Në Spreitenbach, (qyteti ku jeton e krijon), përpos katër ekspozitave personale, sivjet është i përzgjedhur për tu prezantuar me pikturat e tij, në mesin e piktorëve më të suksesshëm, për Jubileun e 25 Vjetorit të Galerisë së Komunës në Spreitenbach.

Dussi Sadriji është fitues i Çmimit “Agim Ramadani” në vitin 2003, nga Shoqta e Artistëve Shqiptarë në Zvicër. Fitues i Çmimit “Ibrahim Kodra” në vitin 2022 nga Shoqata e Krijuesve Shqiptar në Zvicër, kurse në vitin 2024, Dussi Sadriji ishte ideator i ekspozitës së 17 artistëve shqiptarë në Galerinë e Komunës në Spreitenbach, e cila bëri jehonë të madhe. Dussi Sadriji, që nga viti 1992 jeton dhe krijon në Zvicër!

St. Gallen, 29 qershor 2024.

Shefqet Dibrani, Zvivër

Një kujtim dhe një ngushëllim nga Amerika: Pushofsh në paqe i madhi Agim Doçi

0

Ditë e shtunë, më 2 Nëntor, 2019 në Qendrën “Nënë Tereza” në mjediset e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” NY, është mbajtur simpoziumi shkencor për At Gjergj Fishtën, ku mori pjesë edhe poeti Agim Doçi, në përvjetorin e 148 të lindjes së Poetit Kombëtar. 

Nga Frank Shkreli  

“I paharrueshëm ashtë At Gjergj Fishta për atë që i thotë vetes shqiptar!”

Poeti i mirënjohur shqiptar Agim Doçi u varros sot pasi u nda nga kjo jetë në moshën 76-vjeçare. Ai pësoi të shtunën e kaluar hemorragji celebrale pas disa ditësh që ndodhej në reanimacion. Lajmin për humbjen e poetit dhe shkrimtarit e kanë dhënë familjarët e tij me anë të rrjeteve sociale. Reagimet plot trishtim e hidhërim për kalimin e tij në amshim u regjistruan nga mbarë trojet shqiptare dhe përtej – por për fat të keq, siç duket deri tani, jo edhe nga autoritetet zyrtare në Tiranë e në Prishtinë. Nuk munguan ngushëllimet nga njerëz të thjesht dhe nga kolegë e bashkpuntorë të Agim Doçit gjatë dekadave, dërguar familjes për ndarjen e tij të parakohëshme nga kjo jetë.  Me këtë rast po hedh në letër disa kujtime, me mall e respekt, për vizitën e paharrueshme të Agim Doçit në Amerikë, dhe mesazhet e tij me atë rast, pesë vjet më parë.

Ishte Nentori i vitit 2019, kur Agim Doçi erdhi në Amerikë për herë të parë. Siç qe shprehur ai atëherë, “Në Amerikë më pruri At Gjergj Fishta”.  Rasti ka qenë mbajtja e një simpoziumi shkencor, organizuar me 2 Nëntor, 2019, nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” në bashkëpunim me Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”.  Simpoziumi ka zhvilluar punimet në Qendrën Kulturore, “Nënë Tereza” pranë kishës “Zoja e Shkodrës”, në Scarsdale të Nju Jorkut. I ftuar për të marrë pjesë në atë simpozium ishte edhe poeti e “Mjeshtëri i Madh” — Agim Doçi me bashkëshorten Yllka.

Duke thenë se tanimë ai ka marrë titullin, “Zani i Fishtës”, për interpretimet e tija të At Gjergj Fishtës — autori i mbi 3000 teksteve dhe këngëve ndër më të njohurat, anë e mbanë trojeve shqiptare, sidomos ato kushtuar Kosovës, lirisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Agim Doçi tha se, megjithkëtë, “nuk është kollaj me recitue At Gjergj Fishtën”.

Nga sa mbaj mend, ndonëse kanë kaluar 5 vjetë nga ai organizim, por më kujtohet se poeti Agim Doçi – admirues i madh i lahutës dhe i Fishtës — me atë rast është treguar shumë kritik dhe i zemëruar ndaj Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, që nuk kishte kundështuar në atë kohë — duke lejuar që lahuta të shpallej instrument i Serbisë, i mbrojtur nga UNESCO.  “Më vjen shumë keq”, ka thënë ai se, “nuk mund të rrij pa folë: Një ambasadore shqiptare që nuk ka ditur kurrë shqip, as ajo as babai, as gjyshi i saj — në UNESCO ia shiti lahutën e shqiptarëve dhe ia dhanë dhuratë “gusles”.  “Gusla” është një vegël qorre e shkive”, u shpreh poeti Agim Doçi, duke pasqyruar, atëherë dhe sot, zemërimin dhe zhgënjimin e vazhdueshëm të shumë shqiptarëve ndaj vendimit të autoriteteve shqiptare – që me atë rast heshten ndaj vjedhjes së një prej instrumenteve më identifikuese të shqiptarëve – lahutës së vjetër.

Më kujtohet se Agim Doçi, shprehu gjithashtu, me atë rast, krenarinë e tij për prejardhjen e tij nga Mirdita, duke thënë, pak me humor, ndoshta, por seriozisht, se nuk kërkonte nga askush të shpallej qytetar nderi – “jo vetëm Shkodra po edhe Nju Jorku të më bejnë qytetar nderi, unë jam mirditas, diku atje, ku foshnja plaket nga hallet, atje ku plaku bën si fëmia, atje ku shteti me njerzit tallet…”, shtoi ai. Kështu foli poeti i mbi 50-çmimeve dhe mijëra teksteve e këngëve, si dhe adhuruesi i dashuruar me Kosovën dhe me veprën e At Gjergj Fishtës.

Si pjesë e përshëndetjes dhe interpretimit të veprave të Fishtës – frymëzimi i tij jetësor — poeti Agim Doçi në vizitën e parë të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ftuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej”, në bashkëpunim me Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës” – ndër të tjera recitoi edhe këtë vjershë të Poetit të Madh Kombëtar, At Gjergj Fishtës:

SE SHQYPNIA U RRUDH E VOGEL

 Poezi Për Atdheun

Kishin Hyp Nji Rreze Dielli
Ai Shën Pjetri e Ai Shën Mhilli
E Po Flisnin Për i Hall Të Vjetër
Ai Shën Mhill Me Njat Shën Pjetër
Se Shqypnia U Rrudh e Vogël
Për Shqyptartë Sa Nji Gogël
Lene T`shëjt e Mos Ta Zgjasim
Zbresin N`tokë Shqypninë e Masin

Morën T`shëjt Nji Lamsh T`mashit
Nisën Matjen N`Prevezë T`tashin
Mirpo Lamshi u Ka Mej
Porsa Mbrin T`shejtnit Në Qafë Pejë

Edhe Nejse Mos Me u Zgjat
Si Me Mat Shqypninë e Ngrat

Peni i Mashit Asht Mbaru
Vrik Kalon Dreqi Mallku

I kanë Pre Kryet, Lëkurën i Kanë Rru
E Me Ate Lesh Kan Ba Nji Dredhë T`Djallit
Qysh Se u Mat Me Dredhë T`Djallit
Asnji Punë S`na Shkon Për S`marit

Sesa Nisim Nji Punë T`re
T`parët Që e Prishim Jemi Ne

Troç Dy Fjalë Kombit Mbarë
Sy Më Sy Me Ja Thanë Deshta
Ma Zor Mblidhen Dy Shqiptarë
Sesa Mblidhet Nji Thes Me Pleshta

(At Gjergj Fishta)

Simpoziumi ishte në nderim të At Gjergj Fishtës në 148-vjetorin e lindjes së tij, organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” Inc. në bashkpunim me Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”  

Është e vështirë të merret me mend pse-ja e heshtjes zyrtare në Tiranë për kalimin në amshim të këtij kolosi të artit e të kulturës kombëtare. Më habit, sidomos, heshtja zyrtare — të pakën për aq sa kam lexuar deri tani, edhe në Prishtinë. Sa shpejt u harrua veprimtaria e tij.  Kontributi i Agim Doçit, në bashkëpunim me kompozitorin e njohur Edmond Zhulali në thurjen dhe kompozimin e shumë këngëve të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë për luftën e Kosovës do mbeteen përgjithmonë trashëgimi e tij. Si mund të harrohen këngët aq shumë të njohura si “Marrshi i UÇK-së”, “A vritet pafajësia”, e shumë e shumë të tjera si këto?!  Bashkshortja e Agim Doçit, Zonja Yllka citohet në media të ketë thenë se shoqi i saj i jetës, jo vetëm që nuk vlerësohej sa duhej nga entet zyrtare, por atij, nuk i është dhenë as pensioni që i takonte që prej 11-vitesh.  Është e vërtetë se Agim Doçi nuk i preferonte shumë institucionet zyrtare, prandaj ndoshta nuk është për tu habitur heshtja zyrtare me rastin e kalimit të tij në amshim. Një zë kritik më pak! Nga ana tjetër, si mund të nderojnë e të respektojnë – madje edhe në vdekje — institucionet zyrtare në Tiranë e Prishtinë, një adhurues të At Gjergj Fishtës siç ishte Agim Doçi – ndërkohë që ata për më shumë se tre dekada vazhdojnë politikat komuniste të përjashtimit zrytar të veprave dhe kontributit të Fishtës.

Përshëndetje dhe interpretim nga Agim Doçi: “Mjeshtër i Madh”, dhe Qytetar Nderi i Qarkut Shkodër, shkrimtar dhe poet i shquar i kombit – I njohur edhe si, “Zani i Fishtës”.

“I paharrueshëm ashtë At Gjergj Fishta për atë që i thotë vetes shqiptar!”, ishin fjalët përmbyllse të përshëndetjes së Agim Doçit në simpoziumin kushtuar At Gjergj Fishtës në Nju Jork, në nëntor, të vitit 2019.  Pa asnjë dyshim, kalimi në amshim i poetit Agim Doçi le një zbrazti të madhe në fushën e kulturës shqiptare në përgjithsi — një mungesë që do të ndjehet për një kohë të gjatë, anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe këtu në Amerikë, ku 5-vjet më parë patëm fatin ta kishim atë në mesin tonë. Vdekja e tij varfëron tmersisht leterësinë shqipe dhe le një zbrasti të thellë në mesin e miqëve e kolegëve të tij — e sidomos në rrethin e tij të ngusht familjar. Ngushëllimet më të sinqerta familjes për këtë humbje të rëndë me ndjenjat më të thella përdhimtimi dhe me lutjen që Zoti t’u japë forcë.

Programi ishte me kumtesa plot vlerë studimore ku nderonin me ligjërimin e tyre të ftuarit nga Shqipëria, poeti i mirënjohur Z. Agim Doçi, Dr. Rovena Vata dhe Z. Paulin Zefi, si dhe autori i këtij kujtimi modest me kumtesën: “At Gjergj Fishta në Amerikë”.

Me nderim e respekt përulemi përpara kujtimit të këtij patrioti të ndershëm, poetit të madh, Agim Doçi. Sado që të duan kundërshtarët e At Gjergj Fishtës dhe të adhuruesit të tij Agim Doçit, të mundohen të vrasin pafajësinë e Fishtës dhe të Agim Doçit me harresë– ata nuk do ia dalin.  I Përjetshëm dhe i paharrueshëm qoftë kujtimi i tyre në radhët e brezave të shqiptarëve, ndër shekuj.

Salla Nënë Tereza ishte plot-e-për-plot në pritje të fjalës së poetit të shquar dhe adhuruesit të At Gjergj Fishtës, Agim Doçi me bashkshorten Yllka, të ardhur nga Shqipëria — të ftuar veçanërisht, për atë organizim, kushtuar Poetit Kombëtar At Gjergj Fishtës në 148-vjetorin e lindjes.

Një kujtim i mrekullueshëm i para 5-viteve në Nju Jork — një vëllim me poezi, dhuratë nga i madhi poet Agim Doçi. Duke bërë   dedikimin e librit, “Hajde dru me pre”, më tha: Fran këto janë vjersha që besoj se do të pëlqejnë ty, sidomos ajo e titulluar, “Të Akuzoj!!!! — poemë për Enver Hoxhën, një ndër vjershat e vëllimit të poemave: “Hajde dru me pre”, me 24 strofa, shkruar në gusht, 1989:

Ti arrestove Lirinë e Kombit!

Prishe faltoret e Perëndisë!

Nuk e marr vesh nga ç’anë e globit

I re mallkim ti Shqipërisë?!….

 

Ti ia more nderin shqiptarit

Ti që ia zhduke vlerat që kish

Ti që mban emrin e kryetradhtarit

Ti që Sërbia të pat kulish….

Ibrahim Kelmendi: Letër Presidentes Vjosa Osmani

1
Nga: Ibrahim Kelmendi, Gjermani
___
[Para se ndonjë portal ta publikon këtë lutje timen, dërguar në fillim të qershorit Presidentes Vjosa Osmani përmes postimit elektronik, po e publikoj unë, me shpresë se do të zhvillohet debat konstruktiv për qëllimin fisnik e racional të lutjes time, dhe kritik pse Presidentja nuk më ka kthye asfarë pëegjegjje.]
E respektuara Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës !
***
Po guxoj me ju lut t’i ftoni presidentët e Shqipërisë, Serbisë, Makedonisë, Bosnjes, Turqisë, Gjermanisë, Francës që të jenë mysafirë Tuaj më 28 qershor 2024, kur serbët e manifestojnë Betejen e mitizuar të Kosovës. Kësaj radhe të bëheni Ju nikoçire e këtij manifestimi. T’i ftoni serbët e shqiptarët ta shënojnë bashkarisht Betejen në Fushë-Kosovë / Vidovdanin, siç duhet të kenë liftuar bashkërisht në vitin 1389, kundër agresivitetit pushtues osman. Presidentët francez e gjerman të rrëfejnë për pajtimin francezo-gjerman më 22.1.1963. Ju ta prezantoni lufitmin e përbashkët mbrojtës të shqiptarëve, serbëve, bosniakëve dhe popujve tjerë të rajonit dhe të shfaqni gatishëmirë për të praktikuar shëmbullin francezo-gjerman për pajtim të popullit tonë edhe me popullin serb.
Uroj presidentët e këtyre shteteve, edhe Presidenti Vuçiq, të pranojnë ftesën për pjesmërrje në shënim të manifestimit të sivjetëm, duke qenë Ju nikoçire.
Shëndet, mbarësi, respekt!
Ibrahim Kelmendi
[i lindur në Llabjan të Pejës më 23.06.1954, për momentin duke u mjekuar në Gjermani.]
PS.:
Shpresoj të marrë përgjigje nga Ju.

Il Popolo Romano (1920) / “Përforcimi i marrëdhënieve shqiptaro-italiane” — Deklarata e Mehmet Bej Konicës, ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në Romë

0

Mehmet Bej Konica (1881 – 1948)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 29 Qershor 2024 

“Il Popolo Romano” ka botuar, të mërkurën e 10 nëntorit 1920, në ballinë, deklaratën e Mehmet Bej Konicës, ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe kreut të delegacionit shqiptar në Romë, në lidhje me përforcimin e marrëdhënieve shqiptaro-italiane, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Deklarata e kreut të delegacionit shqiptar në Romë

Burimi : Il Popolo Romano, e mërkurë, 10 nëntor 1920, ballinë

Burimi : Il Popolo Romano, e mërkurë, 10 nëntor 1920, ballinë

Shkëlqesia e Tij Mehmet bej Konica, ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe kryetar i delegacionit shqiptar që mbërriti në Romë për të lidhur një marrëveshje përfundimtare me Italinë, pati mirësinë të më priste dhe të më bënte fjalë për fjalë deklaratën e mëposhtme : 

“Delegacioni shqiptar ka kënaqësinë të sjellë përshëndetjet e përzemërta të popullit shqiptar për popullin e madh të Italisë. Shqipëria i është mirënjohëse Italisë për dashamirësinë e treguar ndaj saj për veprën e burrit të shquar të shtetit, Kryeministrit z. Giolitti, kreu i denjë i qeverisë së një vendi të madh, pohimi i lartë i të cilit për integritetin dhe pavarësinë e Shqipërisë ka fituar shpirtin e popullit tonë. Lidhjet historike dhe tradicionale mes Italisë dhe Shqipërisë, të cilat keqkuptimet e fundit as nuk mund të na bëjnë t’i harrojmë dhe as t’i dobësojnë, janë të destinuara të bëhen më të ngushta ndërsa simpatitë e trashëguara forcohen me shqyrtimin praktik të interesave të përbashkëta. Italia, djepi i rilindjes së qytetërimit modern, do të jetë një fener ndriçues për kombin shqiptar drejt përparimit dhe kulturës. 

Pushtimi turk i Shqipërisë në shekullin e pesëmbëdhjetë fatkeqësisht e pengoi vendin tonë të merrte pjesë në zgjimin e përgjithshëm të botës perëndimore. Ky përfitim i vonuar na u rezervua në shekullin e njëzetë dhe do ta marrim nga të njëjtat duar që në kohë të tjera ia dhanë pjesës tjetër të Evropës. 

Delegacioni shqiptar, i cili sapo kishte ardhur, kishte vetëm kohë për të shkëmbyer disa vizita kortezie. Ne do të fillojmë menjëherë bisedat dhe, nisur nga dispozitat e të dyja palëve, jemi të bindur se së shpejti do të arrijmë në rezultate të kënaqshme për të gjithë dhe të destinuara për të qenë pikënisja e një epoke të re në marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjin e saj të madh.” 

Këto deklarata të rëndësishme do të priten shumë mirë nga publiku italian, i cili ka qenë në pritje të tyre. 

Ato vendosin vijën e natyrshme të politikës së re shqiptare, të vetmen nga e cila përfiton realisht Shqipëria. 

Prandaj, ne presim me besim rezultatin e këtyre negociatave, të cilat përkojnë gjithashtu me ato të Santa Margherita Ligure. 

  1. Argondizza

Mitsotakis: Beleri do të marrë zyrtarisht detyrën si eurodeputet!

0

Gani  I. Mehmeti

ÇMENDURIA GREKE DHE  EUROPIANE

 Europë: Pse çmendet një, nuk do të thotë të çmenden të gjithë!

Vallë, a deri këtu paska ardhur drejtësia europiane? A nuk ka njrëz të padënuar për eurodeputetë, apo atje do të shkojë ta vuajë dënimin!? Paska mbetur Europa në deputetë të dënuar me burg për vepër penale! Kjo është çmenduria vetë! Me sa di, çdo shtet i pranuar në Bashkimin Europian nuk duhet të ketë probleme me shtete tjera, në veçanti me ato që kufizohet, me shtetet fqinje.

Europa, nëse nuk e paska parë gabimin me Greqinë, pse e ka pranuar në BE, le ta shohi tani ! Dhe, nëse vërtet një i burgosur, që është në vuajtje të dënimit, kandidohet dhe votohet nga zgjedhësit për eurodeputet, do duhej anuluar zgjedhjet e atij shteti, sepse ai shtet nuk është për Bashkim Europian. Atij shteti nuk i besohet sepse ka ndërhyrë në punët e brendshme të një shteti tjetër, dhe se, absolutisht, nuk duhet të ketë të drejtë një shtet të kandidojë kandidat për eurodeputet nga shteti tjetër. Shqpëria nuk është Greqi, që ajo të marrë njerëz prej saj për eurodeputet. Fredi Beleri dihet për çka është dënuar, për manipulime, me sa e di. Atë do duhej ta dënonte edhe vetë Greqia si shtet « demokratik »! Në  deputetë të tillë të varet Bashkimi Europian !? Mjerë Europa !

O Bashkim Europian, të keni kujdes, se nga njerëz të tillë, nuk shkon larg dhe nuk do të ketë më Bashkim Europian ! Hapni sytë katër sa nuk është vonë ! Ju, që thirreni në demokraci, ju të mos jeni të drejtë, kush do mund të mbetet pastaj ?

Kujdes, mos pranoni eurodeputetë të merrni nga burgu, nga cili do shtet qoftë ai. Dënoni shtetin që ua sjellë një deputet të tillë.

Dhe, deri nesër, pranimi i Shqipërisë në BE të varet nga Greqia, kjo do të thotë që Shqipëria të mbetet nën vartësinë e Greqisë ! Këso fare Shqipëria nuk do të pranohet asnjëherë në BE, sepse Greqia ka kërkesa territoriale ndaj Shqipërisë, ndërsa mban toka shqipatre të pushtuara prej kohësh, siç është Çamëria e vise tjera shqipatre. Këtë e shpreh Micotakis me proverbin grek, siç thot ai : “Ashtu si do shtrosh (shtratin, v. j.), ashtu do flesh”, ka thënë ai në mënyrë karakteristike. Që do të thotë se, po u bë e dëgjueshme ndaj Greqisë, do të bëhet mirë për Shqipërinë ! Kjo është e paparanueshme.

Nëse, Greqia  bëhet pengesë për pranim në BE të Shqipërisë, atëherë ju duhet më parë ta largoni nga BE Greqinë, ndryshe ajo nuk do të pranojë që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

Për këto që po ju shkruaj, mbani mend, do të dalin me kohën.  E sa i përket rastit Beleri për « eruodeputet » kjo qenka e votuar, për çka ju vetë si Europë është dashur të intervenoni me kohë e as të mos mendohej kandidimi i tij për eurodeputet. Këtu keni gabuar shumë, por edhe më shumë do të gaboni, nëse ai vie si eurodeputet.

Ja çfarë thotë vetë Micotakis për Belerin në një intervistë te (Kosova Sot Online) më 28 qershor 2024: “Shikoni, e marr si të mirëqenë, që Fredi Beleri do të jetë në Strasburg për të marrë zyrtarisht detyrën e tij si eurodeputet dhe padyshim do të marrë pjesë edhe në votimin jashtëzakonisht vendimtar për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Komisionit Evropian”.

Të menduarit shqip, pa asnjë dyshim, në atë adresë të dërgonte

0
Avdi Gegë Drini
___
Kur disa shqiptarë, para shumë vitesh për vite me rradhë, thonin se ekstremizmi fetar islam, me xhamitë dhe hoxhollaret e tyre, veçmas ky i pas luftës, kryesisht është produkt i Serbisë, për t’a pasonin fyerjet, sharjet, etiketimet nga me të ndryshmet me fjalët më të ulëta, më banale!
Bile në një rast edhe vetë Presidenti i BIK-ut pati shkuar deri aty sa ju tha shqiptarëve “…nëse nuk ju pëlqejn këto xhami le të ja mësyjnë Beogradit..”.
Tani që gjërat po qartësohen edhe nga institucionet e shtetit, me vonesë të madhe, çfarë kanë për të thënë këta njerëz!
Do i kërkojnë falje, apo do i dhanë përgjegjësi ndokujt!
Unë besoj se kërkim falja më e madhe ndaj shqiptarëve do të ishte, heqja dorë, nga kjo organizatë nga këta njerëz, nga projekti antikombëtar, i shëndrrimit të Kosovës në një shtet islamik të stilit medio-oriental.
Gjë që tani më, fatkeqësisht, po shihet edhe nga aeroplani.
Si do që të jetë unë jam i bindur se shqiptarët, kanë paguar një çmim të lartë për të, nuk do të heqin dorë nga synimi i tyre për një Kosovë shqiptare evropiane.
P.S miq desha të ju them edhe këtë, fyerja nuk përbën në asnjë mënyrë argument.

Mjegulla e dialogut dhe “Mirëdita-Dobar Dan”!

0

Florim Zeqa 

“Mirëdita-Dobar Dan” njihet si një festival kulturor që promovon solidaritetin, tolerancën, dialogun ndëretnik, dialogun ndërshtetëror. “Mirëdita-Dobar Dan” mbahet një herë në vit, në mënyrë alternative në Prishtinë dhe Beograd, me qëllim që ta afrojë skenën kulturore serbe me Kosovën dhe anasjelltas, për të prezantuar skenën bashkëkohore kulturore dhe artistike të Kosovës dhe Serbisë.

Kosova e vogël në përballjen me botën e madhe demokratike

Për dallim nga festivali “Mirëdita-Dobar Dan”, dialogu i Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë për qëllim ka normalizimin e marrëdhënjve mes dy shteteve dhe popujve.

Sjellja e kryeministrit Albin Kurti është aq e ngurtë sikur Kosova të ishte superfuqi botërore!

Aq të mëdha dhe të fuqishme janë reagimet e kryeministrit Albin Kurti ndaj bashkësisë ndërkombëtare saqë përmasat gjeografike të shtetit më të vogël dhe më të dobët në aspektin ushtarak dhe ekonomik nuk e durojnë dot “gjigantin” e politikës kosovare!

Për ata që nuk e kuptojnë përkufizimin e mësipërm politik, po ua sjellë ndërmend që nuk po flas nga asnjë lloj ndikimi politik dhe as preference partiake, pasi jam apartiak dhe i pavarur në analizat e mia politike, por po reagoj si qytetar i lirë i shtetit të Kosovës që i përcjellë më vemëndje zhvillimet politike, i nxitur nga dashuria e pafundme për vendin e jo për politikanët.

Vërtetë është situatë paradoksale kur një OJQ apo një organizatë qytetare siq është INTEGRA po bën punë më të mira për vendin sesa liderët shtetëror!

Dallimi mes artit dhe politikës, i madh dhe substancial

Festivali “Mirëdita-Dobardan” është një ngjarje kulturore që daton nga viti 2014 dhe mbahet një herë në vit, e cila i jepë hapësirë artit, kulturës, debatit publik dhe pikërisht kjo e bën festivalin unikat në hapësirat ballkanike.

Festivali “Mirëdita-Dobardan” bashkon artistë, aktivist të të drejtave të njeriut, aktivistë të fushës së artit dhe kulturës, veprimtar dhe figura publike nga Kosova dhe Serbia. Festivali kontribuon në perspektivën rajonale dhe nxitë bashkëpunimin dhe ndërtimin e paqes në rajonin e Ballkanit.

Për dallim nga festivali apolitik që promovon paqen dhe bashkëpunimin kulturor mes dy popujve, politika nacionaliste në Serbi dhe Kosovë po nxitë përçarje dhe konflikte ndëretnike në këtë pjesë të rajonit të Ballkanit!

Kësaj politike përçarëse dhe luftënxitëse në Ballkan është duke i kontribuar edhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti e BE-ja e cila është duke ndikuar për të keq nga politika dualliste dhe e njëanshme, e cila nuk po arrinë të ndërtojë strategji unike për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, gjegjësisht për detyrimin dypalësh në përafrimin e qëndrimeve dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare ligjërsiht të obligueshme për të dyja palët.

Festivali i sivjetshëm, i 11-ti më radhë “Mirëdita-Dobar Dan” organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Iniciativat Qytetare (Serbi) dhe organizata Integra (Kosovë), kishte për qëllim të përfaqësojë një kombinim të artit dhe skenës kulturore mes dy popujve, por edhe të komunikimit ndëretnik për të kaluarën dhe të ardhmen u ndërpre për shkak të protestave të grupeve ekstremiste serbe.

Duket ashiqare se dështimi i fundit i dialogut të 26 qershorit në Bruksel, respektivisht fakti i mos takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, për më tepër se paaftësi e ndërmjetësve të dialogut Borrel dhe Lajçak, është mjegull artificiale e cila i shkon për shtati vetëm Serbisë në avancimin e saj politik kundrejt Kosovës.

Sikurse që nuk ka zgjidhje të problemeve me fqinjin verior pa dialog, nuk ka as përspektivë evro-atlantike të Kosovës pa miq dhe pa koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e cila e na ndihmoj në çlirimin dhe pavarësimin e vendit.

Serbia duhet t’ia dorëzojë Kosovës grupin paramilitar që kreu sulmin terrorist

2

Prishtinë, 28 qershor 2024

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 211-të të Qeverisë

Të nderuar zëvendëskryeministra Bislimi e Rexhepi,

Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,

Të nderuar punonjës të kryeministrisë dhe të mediave,

Të dashur qytetarë,

Të mërkurën u mbajt takimi i radhës i nivelit të lartë në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, të lehtësuar nga Përfaqësuesi i Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell, si dhe emisarit të tij special evropian, Miroslav Lajçak.

Ky ishte takimi i parë i nivelit të lartë në EEAS pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit nga një grup paramilitar serb, me organizimin, mbështetjen dhe financimin e shtetit të Serbisë. Pas nëntë muajve nga sulmi, kryeterroristi Millan Radoiçiq është ende i lirë në Serbi dhe mbrohet nga Serbia. 

Ne nuk mund ta ngjallim heroin tonë, rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, por Serbia duhet t’ia dorëzojë Kosovës grupin paramilitar që kreu sulmin terrorist me në Millan Radoiçiq që të të gjithë ata të përballen me drejtësinë në Kosovë.

Është arritur që grupi i terroristëve të identifikuar në sulmin në Banjskë të hyjë në sistemin e urdhërarrestit ndërkombëtar. 39 persona të atij grupi nga 47 të identifikuar qartë, ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtar nga Interpoli. Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim.

Në shkurt të vitit të kaluar u dakorduam për Marrëveshjen Bazike në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u shpall si ligjërisht e obligueshme nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell. Mbi modelin e asaj ndërmjet dy Gjermanive, njohjes de facto reciproke, siguruam marrëveshje ndërmjet palëve kontraktuese, pra Kosovës dhe Serbisë, që njeh integritetin territorial të shtetit të Kosovës dhe garanton, që palët nuk do sulmojnë njëra-tjetrën. Krejt kjo bazë për fqinjësi të mirë evropiane. Ne e kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar disa herë që e njëjta të formalizohet me nënshkrim dhe deponim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Mirëbesimi në dialog dhe në zbatim të marrëveshjes, është humbur edhe me letrën që ish-kryeministrja Ana Bërnabiq ka deponuar në 13 dhjetorin e vitit të kaluar te Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian, pasi e lexoi në prani të të gjithë liderëve të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. E ajo letër thotë, që Serbinë Marrëveshja Bazike nuk e konsideron të pranueshme as në tërësinë e saj e as ligjërisht të obligueshme. Andaj, ajo letër duhet të tërhiqet. Letra e 13 dhjetorit nga ish-kryeministrja Bërnabiq në Bruksel dhe Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit, gjithnjë të vitit të kaluar në Bruksel, janë në kundërthënie themeltare me njëra-tjetrën.

Për të garantuar respektimin e Marrëveshjes në të ardhmen, duhet që ajo të nënshkruhet, sepse vetëm nënshkrimi garanton zbatimin e saj. Edhe të ketë tërheqje të letrës së znj. Bërnabiq edhe nënshkrim të Marrëveshjes nga z.Vuçiq. 

Në tri takime bilaterale sa u zhvilluan të mërkurën, ne paraqitëm këto tri kërkesa të garancisë, që në fakt janë mburojë për vetë Marrëveshjes Bazike, e cila është nën sulm të vazhdueshëm nga Serbisë. 

Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm ta respektojë asnjërën. Pra, as të nënshkruaj Marrëveshjen, as të tërheq letrën për refuzimin e saj, por as të dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq.  

Ne jemi për dialog për normalizim dhe duam normalizim të marrëdhënieve për fqinjësi të mirë. Kjo bëhet me pranim në tërësi të marrëveshjes të cilën e kemi arritur dhe me zbatim të tërësishëm të saj. Me zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe jo vetëm të disa neneve të saj. Nënshkrimi i marrëveshjes do nënkuptojë formalizimin, tërheqja letrës së ish-kryeministres Bërnabiq do të nënkuptojë seriozitet për fillim të zbatimit, kurse dorëzimi i kriminelit Radojçiq dhe grupit të tij paramilitar, do të nënkuptojë vendosje të drejtësisë dhe bashkëpunim të mirë fqinjësor. 

Hera e parafundit kur u takuam ishte 14 shtatori i vitit të kaluar. Vetëm 10 ditë pas atij takimi ndodhi sulmi në Banjskë. Kësaj here, një ditë pas takimit, Serbia ndaloi mbajtjen e festivalit tradicional, kulturor, “Mirëdita, Dobar Dan”, një festival ky me një histori 10-vjeçare të festimit të diversitetit dhe bashkimit e bashkëpunimit të artistëve nga Kosova dhe Serbia. Në mesin e shfaqjeve në këtë festival, ishte paraparë të jetë edhe shfaqja “Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj dhe me regji të Kushtrim Koliqit. Kjo shfaqje, përveçse e jashtëzakonshme për nga skenari dhe performanca e aktorëve, Ilire Vinca, Bujar Ahmeti e Kosovare Krasniqi, është e jashtëzakonshme, sidomos për audiencën në Beograd, edhe për faktin se trajton çështjen e personave të pagjetur dhe të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Një plagë, e cila ende kullon në shoqërinë tonë. E kush do ta besonte, që 35 vjet pas fjalimit famëkeq të Sllobodan Millosheviqit në përvjetorin e të ashtuquajturës “Beteja e Kosovës” në vitin 1989, zëdhënësi i tij, tash ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq do ta nderonte edhe më tej trashëgiminë e mosdurimit dhe armiqësisë së regjimit të tij ndaj Kosovës. Sot, kur Serbia do të duhej të distancohej nga ai fjalim makabër, pikërisht në 35-vjetorin e mbajtjes së tij, e që ishte edhe dëshmi në Tribunalin e Hagës kundër Millosheviqit, ajo po i bënë vepër ato fjalë të tij. 

Edhe një herë, edhe në një rast tjetër edhe një formë më shumë, në të cilën Serbia po e shfaqë shovinizmin e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me normalizim, paqe, drejtësi dhe pajtim. 

Të dashur qytetarë, 

Besimin tuaj e kemi fituar me vendosmëri të treguar për të luftuar krimin dhe korrupsionin, e për t’ia kthyer qytetarëve dinjitetin për të vendosur drejtësi. Andaj, më lejoni që të adresoj edhe një çështje tjetër me shumë interes. 

Në këtë qëllim kemi hartuar dhe miratuar Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme, ashtu siç kemi hartuar e miratuar edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili ne seancën e radhës do të votohet në lexim të dytë. Për më shumë prokurorë efikas e të pavarur nga politika, e për një institucion të pavarur që do kthente pasurinë e vjedhur. Të dy këto ligje, si reforma thelbësore për sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit, u konsultuan edhe me Komisionin e Venedikut. Komisioni i Venedikut i aprovoi të dy këto, jo vetëm për shkak të qëllimit që kishin, pra luftimin e korrupsionit, por edhe pse siguronin pavarësi në vend të korporatizimit në Këshillin Prokurorial, e dobi publike karshi pasurimit të pabazë, kriminal e individual. 

Megjithëkëto, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës rrëzoi që të dy ligjet, duke zgjedhur kësisoj të vonojë ndjekjen e krimit, ta vonojë reformën tonë. Me 5 vota për, në raport me 4 vota kundër, Gjykata Kushtetuese ka gjetur që Kushtetuta është shkelur me Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, duke treguar kështu që Kushtetuta ndryshe shihet nga gjysma e gjyqtarëve të Kushtetueses, në raport me gjysmën tjetër të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. 

Njëkohësisht, kjo Gjykatë gjen që manipulimi në blerjen e insulinave dhe kësisoj rrezikim të shëndetit publik, nuk është faj i anëtares së OShP-së të shkarkuar nga Kuvendi me propozim të Qeverisë, sepse nuk ishte dëshmuar shkelja e etikës së punës si bazë për shkarkim. E rrezikimi i shëndetit publik dhe manipulimi me tendera milionësh, për Gjykatën Kushtetuese, nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe vlerat e saj. 

Të dashur qytetarë,

Të nderuar kolegë të qeverisë sonë,

1 vjet e 4 muaj i janë dashur Gjykatës Kushtetuese të sjellë vendimin për Byronë, ende të pa publikuar e të paqartë. Uroj që nuk do i duhen edhe katër muaj të tjerë që ta publikojë Aktgjykimin. Ndërkohë, kërkoj nga Ministria e Drejtësisë, që menjëherë të fillojë me ndryshimet dhe të procedojë me urgjencë në Qeveri. Drejtësia duhet të bëhet. Drejtësi duhet të ketë. Drejtësi do të ketë.

Nesër, me 29 qershor 2024, në orën 10, para Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përkujtohet ditëlindja e martirit arvanitas, Aristidh P. Kola

0
ARISTIDH P. KOLA
In Memoriam
Më 29 qershor 2024, ditën e shtunë, në ora 10 para dite tek Akademia e Shkencave zhvillohet takimi përkujtimor i 80 vjetorit të lindjes së Martirit Arvanitas, Aristidh P. Kola, Nderi i Kombit.
Me ardhjen tuaj na nderoni!

Policia e Kosovës menaxhon situatën e sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për ‘vidovdan”

0

Prishtinë, 27 Qershor 2024

Ju njoftojmë se lidhur me manifestimet e “vidovdan-it” mbajtur sot me datë 28.06.2024, Policia e Kosovës, me kohë ka ndërmarr masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar.

Nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë të zhvillohen qetë dhe pa incidente.

Referuar informacioneve nga njësitet e angazhuar policore në teren nuk është raportuar asnjë rast i cili ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të një personi në stacion policor për intervistim sipas procedurave ligjore.

Pas përfundimit të aktiviteteve në orët e pasdites të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.