Kreu Blog Faqe 894

Komisioni Qenror i Zgjedhjeve të Kosovës, duhet të merret me ligjin për partitë politik

0

Gani I. Mehmeti

Me shkas…

Pas nënshkrimit të peticionit për largimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës, do të ishte mirë që të merret me ligjin zgjedhor për ata që duan të kandidohen, se ata do të zbatojnë ligjin dhe do të vendosin simbolet e Ksovës nëpër të gjitha qendrat dhe objektet publike komunale.
Nëse nuk ka një ligj që ndalon politikën armiqësore brenda shtetit – kundër shtetit, le ta bëjnë ligjin më pare e pastaj të shpallen zgjedhjet.
Unë nuk di si është e përcaktuatr me ligj se çfarë obiligimesh kërkohen nga partitë politike në Kosovë, për të qenë ato të regjistruara dhe për të vepruar brenda Kosovës.
Megjithatë, me sa më merr mendja, duhet të ketë rregulla e ligje. Nuk mundet të funksionojë një parti politike në Kosovë dhe të jetë kundër Kosovës. Kjo do duhej të përcaktohej me ligj. Kur përcaktohet kështu, secila parti që shkel ligjin mund të largohet dhe të çregjistrohet si parti politike brenda Republikës së Kosovës. Kjo, besoj është edhe në çdo shtet tjetër. Parti armiqësore dhe të funksionojë brenda sistemit republikan haptas, nuk duhet të lejohet. Ato ilegale, dihet se ndiqen nga prokuroria, por edhe këto do duhej të kishin të njëjtin fat.
Prandaj, unë nuk shoh të drejtën e një partie politike, siç është Lista Serbe, që të funksionojë brenda Kosovës dhe të këshillohet e të marrë detyra nga Vuçiqi drejtpërdrejt për defunksionalizimin e Republikës së Kosovës! Kjo është për mua e pakuptueshme dhe duhet të jetë e kundërligjshme. Do të ishte diçka krejt tjetër kur ata bisedojnë, trajtojnë e shqyrtojnë vetëm për të drejtat e serbëve në Kosovë, por pa e cënuar integritetitin e Republikës së Kosovës. Dhe, edhe të paguhen nga Qeveria e Kosovës, kjo është përtej normales.
Secila parti do duhej të ketë statutin e saj ku përmes saj nuk guxon të sulmohet e as të rrezikohet sistemi ligjor brenda Kosovës. Në statutin e secilës parti do duhej të cekej se ato duhet të kenë edhe simbolet e Kosovës, pra stemën e flamurin e Kosovës. Këto simbole duhet të jenë të pranishme edhe brenda e jashtë të çdo objekti publik nëpër të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, si në shkolla, gjykata, komuna, çerdhe, entet parashkollore e çdo objekt tjetër publike.
Ne me sa pamë, këto asnjëra nuk kanë qenë të pranishme e të vendosura në komunat veriore, sepse pamë që tek me vendosjen e kryetarëve shqiptarë, u vendosën edhe simbolet e Republikës së Kosovës në to. Nuk guxon të bëhet një lëshim i tillë më.
Duhet të jetë dikush kompetent që do të përcjellë këto të gjitha, dhe po nuk u zbatuan së vendosuri simbolet e Kosovës, do duhej të merren masa, sipas ligjit. Nëse asgjë tjetër, të mbyllet ai objekt publik I çfarë do natyre të jetë.
E di se në të kaluarën nuk janë zbatuar këto, pse kanë ndërhyrë ndërkombëtarët, duke menduar se serbët gradualisht do të integrohen, por që ata tek sa shkonin duke u ç’integruar. Kjo tani është parë se ata ishin kundër Republikës së Kosovës dhe asgjë askush nuk ndërmirrte. Tani duhet të mos lejohet më asnjë veprim kundër shtetit. Secili që pranon shtetin e Kosovës, mundet edhe të zgjedhet edhe të punojë edhe të jetjë në të i lire, por jo edhe ata që janë kundër shtetit.
Me këtë, po e ceku edhe një here, duhet të merren organet kompetente, të cilat nuk e shoh të arsyeshme t’i numërojë, pse besoj se dihet cilat janë ato.
Për këtë do duhej të informohen edhe ndërkombëtarët dhe të binden se, atë çka ata vetë nuk e lejojnë në shtet e tyre prej nga vijnë, nuk mund ta kërkojnë as për Kosovën që të tolerohet më. Mjaft ishte.
Për këtë do duhet të infoirmohen edhe të gjithë kandidatët për kryetar të komunave në veri të Kosovës. Është mirë t’u përkujtohet se më nuk do të tolerohet e keqja kundëlr shtetit.

Lezha e kujtoi me nderime të larta Gjergj Kastriotin, kryeheroin e kombit, në 556 vjetorin e vdekjes

0
Lezhë, më 17 janar 2024
* Momente gjatë zhvillimit të aktivitetit përkujtimor me rastin e 556 vjetorit të kalimit në amshim të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut🇦🇱
👉
Mund të jetë një imazh i 3 persona, Muri Perëndimor dhe teksti
Një falenderim i përzemërt për kolegët e mi të nderuar të Bashkisë Lezhë, që ndihmuan në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti me të vërtetë dinjitoz.
Mund të jetë një imazh i 11 persona, Muri Perëndimor dhe teksti
Po ashtu, për përfaqësuesit e Medias dhe të gjithë pjesëmarrësit, që na nderuan me praninë e tyre.
Lavdi Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në jetë të jetëve!
Mund të jetë një imazh i 4 persona dhe teksti
Mund të jetë një imazh i 9 persona

17 Janari i dhembjës dhe i krenarisë kombëtare !

Nga: Fatmir Bajraj

Sot 22 vite nga atentati ndaj heroit Smajl Hajdaraj, i cili u vra në Pejë në 17 janarin e vitit 2002, nga argatë të BIA-së serbe, nga ata të cilët, 42 vite më parë, si argatë të UDB-së jugosllave, pikërisht në 17 janarin e vitit 1982, tradhëtuan dhe i nxorën n’pritë, Jusufin, Bardhin e Kadriun në Shtutgart të Gjermanisë.

Data e 17 Janarit, është data e ngritjës dhe ngjitjës n’panteon të Kryeheroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, njëherit mbrojtës i qytetërimit euro-perëndimor nga hordhitë e sulltanëve osmanlinj.

Ushtarit të atdheut, Jusuf Gërvalla dhe bashkudhëtarëve të tij, dëshmorëve të kauzës sonë nacionale për liri dhe të drejta, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka.

Si dhe dita e atenatit ndaj atdhetarit & luftetarit të lirisë, intelektualit dhe deputetit të Republikës së Kosovës, heroit të Kosovës, z. Smajl Hajdaraj ! Kastrioti dhe sindromi “Hamzai” nder shekuj tek shqiptarët : Kastrioti vdiq natyrshëm, edhe pse ishte përballur fort & fuqishëm me shpatë & penë, me armikun osmanlinj, si dhe tradhëtinë e Hamza Kastriotit. Jusufi, Bardhi e Kadriu, e luftuan armikun shekullor serbosllav me penë, pa e prek ëndrrën që t’luftojnë edhe me pushkë për lirinë e atdheut, ngase këtë ëndërr u’a ndaloj armiku, por me ndihmën e “Hamzait”, pra të shqipfolëse plot gojën patriotizëm e punët për armiqët tanë shekullor, duke i’a bërë argatin, njëherë përmes UDB-së, e më pastaj përmes BIA-së !

Smajli e luftoj armikun serbosllav, me pushkë dhe me penë, preku edhe ëndrrën e çlirimit dhe t’lirisë së Dardanisë Antike-Kosovës, por nuk e mbërriti pavarësinë e saj, ngase kësaj radhe, për dallim prej tjerëve, Smajli u vra nga “shqiptarët” të cilët ishin dhe janë n’sherbim të armikut shekullor, serbo-sllav! Data e rënjës së Jusufit, Bardhoshit, Kadriut dhe Smajlit, është datë e Janarit të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, Presidentit historik Rugovës, deshmorëve të lirisë ; Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahit, Kolonel Tahir Zemaj dhe Komandantit & Deputetit Smajl Hjadaraj !

Kjo datë e shqiptarëve t’mëdhënj : Kastrioti, Gërvalla dhe Hajdaraj është datë në Janarin mynxyrë të shqiptarëve, në janarin e përflakur e t’përgjakur nga armiqët tanë, t’përgjakur e t’përflakur nga rezistenca, sikurse edhe dhe t’gjakuar deri n’sublime nga rënjët heroike n’alltarin e lirisë, për t’mos vdekur kurrë. Bashkë me humbjet & dhembjët krenare, janari i kobshëm për ne, mbarsë në vete ; ideale dhe vepra për lirinë e kombit dhe t’atdheut të përcjellë nder vite e breza deri n’thellësinë shekujve.

17 Janari është ditë & datë devotshmerie, kushtrimi dhe heroizmi për t’mos u dorëzuar dhe nënshtruar kurr si komb & atdhe në luftë me pushtuesit shekullor, për kauzën e shënjtë dhe aspiratën nacionale për liri e dinjitet.

Ata që me 17 janar atentatuan Jusufin, Bardhin, Kadriun dhe Smajlin, nuk i’a dolen dot t’ua vrasin namin dhe lavdinë, përkundrazi, heronjët jetojnë dhe mbijetojnë shekujt, derisa vrasësit janë dhe mbesin vdekatar n’sherbim të të armikut.

Lavdi Kastriotit, vëllëzërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, Lavdi Heroit të pushkes & penës, Deputetit Smajl Hajdaraj, Lavdi e përmotshme, përbotshme dhe e përjetëshme për t’gjithë të rënët e kombit n’alltarin e lirisë ndër shekuj ! Zoti e bekoftë Kosovën dhe shqiptarët.

Poezi të Jusuf Gërvallës në kujtim të 42 vjetorit nga atentati i 17 Janarit 1982

Cikël i zgjedhur poezish të veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare, dekoruar edhe me Urdhrin Hero i Kosovës, poetit, Jusuf Gërvalla:

U MËSOVA TË DUA

Në duart e mia të ftohta me duart e mia
Trupin tënd e preka të ftohtë në argjilë
Largimin tënd akull dhe gazi m’u bë helm
Dimrin tonë të ftohtë e ngurosa në qepallë
E mapësuar dora ime e hapi kuvelinë
E dimrit
Dhe erdhi pranvera e dashurisë ndaj njeriut.
Gazi i tij pa kripë kripa e tij pa det e argjilë
Portofoli imë rëre gërshetat e tij kallam
Duart e mia të ftohta
Trupi i tij ujë
Dhe letër e verdhë.

Recitonte në sallën e madhe të zbrazët të ftohtë
Rendi i katërt ishte plot
Dyshemeja me lëvore gështenjash
Këndet e larta rrjetë merimangash
E dikush tha. Po çirresh kot!
Duart e tij të ftohta e sytë e tij të ngrohtë!

Pikëllimi s’ia kishte frikën
Ai dukej si kuvertë anijeve në detin Marmara
(nuk e di nga m’erdhi ky përfytyrim)
Ashtu dukej. Si kanjushë.
I verdhë. I ftohtë e i dashur
Mbi të gjithë që dashurojnë.

Në duart e mia të ftohta
E kam ndjerë shtrëngimin e dorës si prush
Në largimin e tij nuk kishte dhera të huaja
As shtigje që përsëri e sjellin aq të përhitur
Të dashur
Si fjalët e para si deti i ri si qyteti
Në kartëpostale.

ASAJ

Ma fal zanin e bylbylit, natyrë,
që të këndoj për të;
Prej kangëve ma të bukura që di, sirenë
Ma mëso nji që t’ia këndoj asaj!
…E kanga që do t’i këndoj asaj,
ka me qenë mâ e mbrama, po, pa dyshim…
mâ e kandshmja…

TASH PO NISEMI

Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
E të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura
Nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë?
Tash po nisemi? U bë vonë. Edhe ylli i fundit
Ra përmbi tryezë.

Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë
Si palaço të punojë
Në cirkun e verdhë.

Unë hënë e zbehtë ai diell i zjarrtë
-që të dy prej letrës së verdhë-
Që me nesër na pret takim’ i ri, bisedat për shëndetin
Dashurinë, poezinë.
E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig
-të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë
Vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë
Prej fjalësh të pathëna
Dhe prej mëlçisë së zezë.

Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet
Në pritjen e vet
Rrugicat e përgjumura ritmin e mugën dritareve
Të fikura derdhin kot
Si një pikë në det
Jemi si yje
Në qiell.
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
Dashuria s’është ilaç as helm.
Me kokën time e krijoj
Me duart e mia dhe eci nëpër planet.
Natën e mirë:
Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej.

DO TË KTHEHEM NËNË

Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votër braktisa një ditë
N’vendlindje ishte vjeshtë
Tani vonë
Të presin të korrat e brengat

N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikim imi kah dera, kah dera më përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.

Ktheu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin shokët në varr nën bli
Porositë e babit tënd

Kaluan pranvera dhe vjeshta o nanë
Që kur të ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se një ditë dikush do të trokllojë
Në atë votër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat do të ngrej shtëpinë.

BEKIMI I NËNËS

le të piqen pemët kur të kesh ardhur sërish
bari i zverdhur fare le të jetë
nën çatitë e kullës le të pikojë shi
le të vërë trashë cipa e tëmblit në kusi

le t’i marrë lumi urat e trerët le të thyhen
në cung le të ketë një shtëpi për dru
lulet e verës le t’i ketë prerë me barë kostari le të ftohet
ka stinë kur veç parzma e nënës do të ngrohet.

LUFTA DHE ARTI

Tutje gjithnjë akull
Këndej gjithnjë zjarr
Unë jam syri i Aladinit
E shoh veten si digjem
në betejën e tmerrshme
të fjalës
e të mendimit
Me shenjtëri të mallkuar
me përfytyrimin e qartë
e krijoj
Në mua shushurijnë dete
të qena
në ëndërr
S’po flas kotnasikot
Mund t’i merrni fjalët e mia
e të niseni nëpër botë
Unë s’kam guxim
Kuptoj se pa dritën e tyre
Nuk do ta di rrugën nëpër dritë
Janë krijuar prej frenimesh
prej kthesash theqafjesh
dhiaresh të shenjta
zigzage
Unë nuk i shoh yjet
pështjellë në terr
Gjithësia e ftohtë
nuk e ka gji diellin
Sikur të mos e ftohte
ana e errët e planetit

FLETË TESTAMENTI

Në zgjimin tim të heshtur të më ngurosin
në flijimin tim të begatshëm të verës
në nisjen time në fillimin tim të ri
në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë
le të më puthë rrezja e qartë ngazëllyese
e druvarit të fjetur në rudinë
myshku le të jetë gjithmonë i blertë mbi gurë
emër të mos ketë e shkronja le të flasë
në gjuhën e vjetër të kafshës së zezë
guaca e kërminj le të vijnë për dasmë
mbi rrasën time
le të shtrihen edhe ata si dy yje
ftohtë le të bëjë dimrit e verës verë
e me një pikë ujë verdhësisë së barit tim
le t’i mëshirohen
vërmeni atje tek do të tregojë guri për udhën
deri te shtëpia ime bërë me dru e kashtë
le të thyhet çdo pasqyrë që ka ballsamosur
ballin tim e mërrolën e çastit plot mllef
se ja tek po zgjohet er’ e re e dashurisë
së tokës
se jam i parrezikshëm kaq i pafuqishëm
mumje përfytyrim që krahasohet me rrahun
tek do të më vini përsëri ju pas
le të më lënë të fle qetë si pranë stufe dimrit
të madh të dashurisë sime
nuk do të përpëlitem s’do të rrotullohem
s’do të shplohem natën nuk do të kollitem
me fjalët e mia le të më mallkojnë
në rrasën time atë rrasë të zezë të ftohtë
në duart që i kam prekur le të më lëshojnë
rrjedhës të qetë të fatit që pret
shigjet e mërisë le të bjerë mbi dhe
në shkretëtirën e moskuptimit le të fiket
kurrë të mos vijnë kur unë nuk i pres
ata që tërë jetën i prita, të dashurit
ç’po flas kështu pash zotin?

LIBRI I SHENJTË

Shpuzë e errët matanë qelqeve që avullojnë
mesnatës së ngjyer me tëmbëlin e detit
në oborr po fshihej një hije dhe qerrja e drunjtë
kuajt sonte askund s’do të marrin udhë
në mur ndrit dhe pipërrin kandili
e në letër mes dy vijash të zeza si përherë
druri i vetmuar më tutje ca hithër
ia djegin këmbët fëmijës që ëndërron
drita e praruar gjerdan me guaca
hën’ e verdhë atje lart në tavan – dhe teja
tok me djepin e vjetër që s’përkundet – e ha
nuk shihet atje rrëzë gardhi një vogëlush
që shiu i tetorit e qull ngadalë
në vatër u dogjën urët – s’ka mbetur më prush
frika nga trupi im në shtrat po më ftonmbi tryezë ora e vogël rrah e s’pushon

QENIE, VARR AS FRYMË

Një shishe hermetike
grykëngushtë
lëfytgjatë
në murin prej argjile
në detin e ëmbël
në lëkurën me pore drite
në ballsam të largët egjipti
një një të miliontin yll
në çdo kristal
në çdo gur të çmuar.Bima mugullon në terrin e tokës
në qullin e baltës
qenie, varr as frymë
sy i zbrazët
nga gjithë bukuria mbeti vetëm kjo
e prekshme e flakët dhe e pakuptueshme.

Seç po lebetitem po më dridhet buza
zëri im i djeshëm se ku u bë
amshim i zbrazët
si syri që më sodit me plotëninë e trilluar
i ndritshëm e i thatë si mermer i zi
dashuria e të çmendurit nga frika
mes të gjithëfuqishëmve
një gogol druri mbuluar me të tharat e vjeshtës
një leckë e një enë e ndryshkur
ca pulla sedefi.

Në shesh i nxora gjithë rekuizitat e parajsës
e syri i zbrazët në roje sodiste
dhe përgjonte pamundësinë time të mundshme.

SKENA NGA JETA E FSHATIT

Dritarja e avulluar samovari i çajit edhe vjeshtë
i tillë i lirë rrethuar me sendet që vjetërohen
përmbi rafte ftonj një plakë si pikturë
a nuk qenka vallë krejt zjarri një trillim
bien gjethet e në kopsht femra kotet në luhajë
me goditje të rënda imagjinate me një botë prej letre
tek gjej ngushëllim mes sendesh që s’janë më
atje diku në botën time atje diku larg
eja përsëri netve të vona si hije që sajon
pak frymë njeriu e pak dritë qiriri.

SHTËPIA NË KORNIZË

në vitrinat e verdha nga drita një natë e kam parë
mes do gjësendesh prej kashte dhe pëlhurash
rrinte pak si e shtrmbëruar mbi përfytyrimin
dhe erë luleshqerrash shpërndante nëpër trotuar
njerëzit ktheheshin nga turnet e natës të lodhur
aty kishte drunj të vjetër dhe trungje rrëzuar
një shteg i ngusht barin e kishte tharë me shkelje
aty e pash t’ime amë me govatë në dorë e vetmuar
shkonte e gëmuqur shtegut drejt derës së saj
s’di a do të ketë qenë ditë apo në rreze hëne larë
tym nga oxhaku i kërrusur dhe në kusi diçka që zien
do stiva drunjsh të nxira shiu rrinë te shkallët.

SHTËPIA QË RRËZOHET

tash shtrati rri në oborr dhe do rraqe
t’zënë këmbët e merr në thua
gjësendet që shkëlqenin para një çasti tani prapë
si në kohëra të praptisura me pluhur mbuluar
hamenjtë e nxjerrin me kujdes një arkë korridorit
ora e madhe në mur ka pushuar
vetëm fëmijët tani lodrojnë e shkelin barin
këtë ditë do ta kalojnë si zogjtë nën qiellin blu

Përgatiti: Redaksia e Drinit

____________

POEZIA E JUSUF GËRVALLËS ËSHTË SI DASHURIA…

(Me rastin e botimit të vëllimit me poezi të zgjedhura të Jusuf Gërvallës “DHEMBJE TË NDRYDHURA”. Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2022)

Nga Timo Mërkuri

I- Takimi im me poezinë e Jusuf Gërvallës ngjan me rënien e një gjethi peme mbi supe, me një ecje nëpër pyll vjeshtës së vonë. Veçse ajo ditë nuk ishte vjeshtë, por një ditë fundmaji e vitit 1982, në kafen e Hotel Turizmit në Kukës, kur bashkëbiseduesi im (poeti B. C.) para se të ngrihej nga tavolina për të ikur, nxori nga çanta një fletore të trashë me kapak kafe dhe pasi e hapi diku, grisi prej saj një fletë të shkruar dhe ma zgjati duke më thënë: lexoje kur të kesh kohë, është e Jusuf Gërvallës.

U pamë sy ndër sy dhe lehtë tunda kokën në shenjë miratimi. Pas pak, ula sytë mbi fletën e shkruar dhe nisa të lexoj. Ishte një poezi e stilit absurd, me një veshje metaforike, nëpërmjet vargjeve të së cilës bartej tek unë një ngrohtësi. Nuk e di pse copa e letrës më ngjau si një gjeth i përzhitur lisi të ri, të vetmuar, goditur nga rrufeja, diku te trungu, pranë tokës.

Ndoshta ky përfytyrim m’u krijua nga forma e copës së fletës, që grisja e shpejtë i kishte dhënë një formë të parregullt, por që përafronte me formën e një gjethi lisi, ndoshta nga ngjyra e saj që luhatej mes një kafe të thellë përzier me një të verdhë të lehtë, tipike e gjetheve që i prek për një pjesë sekonde vala e një zjarri të madh, apo nga ndjesia e një dridhjeje që më shkaktoi leximi i shpejtë i poezisë.

Këtë ndjesi e riprovova pas dy ditësh në Sarandë kur një tjetër poet (A. M.) më dha dy-tri poezi të tij. Për hir të së vërtetës duhet t’ju them se leximi i këtyre poezive më ngjalli një ndjenjë të trazuar, pikërisht nga forma moderne e tyre, ndaj “i arkivova” diku në kujtesë “për t’i lexuar më vonë”.

II- Në kujtesën time kjo ngjarje kishte zënë një shtresë të trashë pluhuri harrese, ndërkohë që rënia në dorë e përmbledhjes me poezi të zgjedhura “Dhimbje të ndrydhura” të Jusuf Gërvallës, këto ditë në dyzet vjetorin e vrasjes së tij më tërhoqi vëmendjen. Fakti i botimit të librit si dhe fakti që këtë përmbledhje e përgatiti dhe parathënien e hartoi Prof. Anton Nikë Berisha më shtyu ta lexoj me vëmendje.

Qysh në poezitë e para ndjeva përsëri atë ngrohtësi dhe dridhje të mëparshme, por këtë herë e “pashë me sy” burimin e saj. Madje qysh në vargjet e para të poezisë së parë “Fletë testamenti” të krijohet përshtypja se je në një hije lisi pranë një burimi dhe një dridhje si nga mornicat të përshkon trupin tek lexon vargjet:

në zgjimin tim më të heshtur të më ngurosin
në flijimin tim më të begatshëm të verës
në nisjen time në fillimin tim të ri
në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë
le të më lënë të fle qetë si pranë stufe
dimrit të madh të dashurisë sime […]
kurrë të mos më vijnë kur unë nuk i pres
ata që tërë jetën i prita, të dashurit. f. 19-20.

Poezia e Jusuf Gërvallës është si dashuria, ndjehet edhe kur nuk kuptohet. Është e vështirë të kuptosh menjëherë poezinë e tij nën atë veshje dhe kuptim metaforik, me një stil poetik absurd dhe surreal. Megjithatë e ndjen menjëherë poezinë në vargjet e tij, ashtu siç ndjen aromën e mimozave në bulevard.

Ndjen këtë aromë dhe kthen kokën të shohësh lulet, ndjen poezinë në vargjet e shkruara dhe nis e “kërkon” atë mes metaforave. Jo vetëm kaq, por te poezia e Jusuf Gërvallës ngrohtësinë e vargjeve e ndjen si një ngrohtësi të brendshme të vetë poezisë, dhe jo një ngrohje e jashtme.

Duhet të ndjesh dhe të kuptosh vargjet e tij poetike që të ndjesh ngrohtësinë që ato përcjellin në vetëdijen tënde gjatë leximit. Duhet të ndjesh ngrohtësinë e vargjeve që të kuptosh poezinë dhe më pas të njohësh poetin sepse: “Poezitë përcaktojnë poetin, jo opinionet për të”. Të duket se nëse heq një varg nga një poezi e tij absurde dhe hyn vetë shpirtërisht në të, do ndjehesh komod mes vargjeve. Në fakt, ky është qëllimi i poetit, shprehur në këtë stil modern, ta bëjë lexuesin pjesë të poezisë së tij.

Jusuf Gërvalla është poeti i imazheve dhe përjetimeve, i mallit dhe dashurisë, i dhimbjes dhe i vdekjes, sa vetjake aq edhe universale. Vargu i tij është i çiltër dhe i sinqertë, buruar nga një shpirt i ndjeshëm lirik, madje edhe kur përmban një stres të grumbulluar nëpër “vjeshtëra” padrejtësish e synon të dalë, del siç del një lumë nga shtrati kur rritet niveli i ujërave, qetësisht kapërcen argjinaturat e ngritura.

Në tonalitet, poezia e tij është si një ligjërim bisede me tone të ulëta, me një urtësi të shquar, të moçme, pa nivele të larta revolte a proteste, pavarësisht se në thelb ato kanë forcë revolte të mbrujtur brenda fjalëve dhe metaforave nëpër vargje, madje një revoltë me një dendësi të jashtëzakonshme. Një revoltë poeti, që gjëmon në heshtje dhe tutje kohë-jetës së tij. Natyra e qetë e poezisë së tij, në kundërshti me jetën dhe aktivitetin e tij politik të vrullshëm dhe pasionant dëshmon për një kulturë të poetit dhe vlerësim për estetikën e vargut. Poezia e Jusuf Gërvallës ka butësinë dhe melodicitetin e jetës së tij si gazetar dhe këngëtar, jetë e cila i mbante “fshehur” vrullet dhe pasionet.

III- Kur vështrohet poezia e Jusuf Gërvallës lind pyetja: pse poeti përdori vargun absurd, që dhe pa ato, ishte poezi moderne?

Duke gjykuar kohën e krijimit të poezisë të Jusuf Gërvallës (vitet ’70 gjer në fund të vitit ’81) dhe sidomos kushtet në të cilat e krijoi këtë poezi, kohë dhe kushte që përkojnë me periudhën e akumulimit të madh të pakënaqësisë popullore ndaj shtetit serb dhe të ravijëzimit të protestave popullore (viti ’81), përfundojmë se poezia e absurdit u zhvillua në Kosovë në kushte specifike ekstreme social-politike, kohë që kërkonte detyrimisht që dhe poetët duhej ta thoshin fjalën e tyre të vetme, “fjalën poetike” … “Mund t’i merrni fjalët e mia/ e të niseni nëpër botë/ Unë s’kam guxim/ Kuptoj se pa dritën e tyre/ Nuk do ta di rrugën nëpër dritë” f. 60.

Sigurisht që në kushtet e kohës ata duhej ta “mbulonin” idenë e poezisë, por këtë mbulim e realizonin më së miri nëpërmjet metaforizimit të vargjeve. Tjetër kund ishte synimi i poetëve kosovarë në përdorimin e poezisë së absurdit. Ishte koha kur në Evropë kjo lloj poezie ishte arritja më e madhe e atëhershme poetike, ishte “çlirimi i poezisë nga vargonjtë racionalë i imagjinatës njerëzore[1]”.

E parë në këtë këndvështrim dhe Jusuf Gërvalla e poetët bashkëkohës të tij e shihnin dhe e trajtonin poezinë absurde si arritjen më të lartë të poezisë moderne, ndaj dhe lëvrimi i saj prej tyre ishte synim i ngritjes së nivelit të poezisë shqipe në Kosovë në nivelet evropiane, ishte synimi i prezantimit në Evropë të poezisë shqipe në nivele “të barabarta” me poezinë evropiane dhe për pasojë, prezantimin e kulturës së popullit shqiptar si një kulturë e natyrës dhe niveleve evropiane, në kundërshtim me propagandën serbe.

Leximi me vëmendje i poezisë absurde të Jusuf Gërvallës (por dhe të poetëve bashkëkohësve të tij), na paraqet së pari nivelin e lartë artistik të tyre, që parë në kohën kur janë shkruar, është shumë lart e larg nga poezia që lëvrohej në Shqipëri.

Së dyti stili absurd i poezive të Jusuf Gërvallës s’ka mënjanuar asnjë nga objektivat e tij poetike si: shpalosja e gjendjes shpirtërore dhe revoltës etj., sepse në poezi ato qëndrojnë si “shkëmbinjtë brenda një mali”, të paraqitura nën metafora dhe simbolika që të hutojnë me dritën e tyre befasuese … “Të ëndërrova./ Shkëmbin tënd e ka futur në gji mali” f. 32, “në zgjimin tim më të heshtur të më ngurosin” f. 19, “ka gëlltitur llavë ky durimi im/ e di do t’ më vish kur të vijnë stinë lulesh” f. 21,..”

Një si dhembje, një ankth që më kujtoi/ Hapësirë të paanë të atdheut në zinxhirë/ Që shpërlahet në liqenin e lotëve”, “E prangat në këmbë, me krikllimin shekullor/ E trazojnë gjithë letargjinë e liqenit” f. 22, “ka njerëz të çuditshëm sot kudo në botë/ ka varre për këta njerëz në tokën e shkelur të Kilit” f. 28. ; “atje e di një diell sërish do të jetë kokë/ e koka përsëri do të varet në valën e parë/ pikëllimi na paska qenë këtu i vetmi margaritar” f. 67, “Eja të mbyllemi në kupën e zezë hermetike/ U lodhëm më duke u puthur me gjarprin” f. 54 etj.

Madje edhe me këtë veshje metaforike autori ka arritur të japë poezi të fuqishme si “Besa” që të rrëqeth shtatin me idenë dhe vargjet:

Duert më janë vrazhdësue tue u zvarë
N’për muret e jetës – si thnegël.
Zani m’âsht marrë – si magjupes
që darsmavet përsëriti.
Mushkënitë baltë më janë mbushë
tue notue nëpër brraka – si bretkosë –
Po, ani se, udhërrëfim t’ardhmënisë
në zemër kam ndry një fjalë të nderit f. 87

Sigurisht që kjo ishte dëshmi e talentit të poetit, e kulturës së tij dhe këmbënguljes për të krijuar poezi të rrafshit të epërm.

IV- Në parathënien e tij Prof. Anton Nikë Berisha konstaton se Jusuf Gërvalla përdorë me sukses atë që e quan “pamje poetike [2]” dhe këtë ne mund ta ilustrojmë me shumë poezi të librit si: “E largëta” f. 115, “Dashuria” f. 112, “Buzëqeshja” f. 100, “Kulla” f. 99, “Pamje nga jeta e fshatit” f. 88, “Paradreke kambanarësh” f. 91 etj. Ne duhet të themi se “pamja poetike” nuk është e re në poezinë shqipe, ndonëse shumë rrallë është folur për të.

“Pamje poetike” është përdorur me sukses në letërsinë e Rilindjes dhe sidomos nga Naim Frashëri, qoftë te poema “Bagëti e Bujqësi” në të cilën jep në pamje poetike të idealizuara për natyrën, jetën dhe shoqërinë shqiptare me synim të caktuar që të rriste dashurinë për Shqipërinë, qoftë dhe te poema “Histori e Skënderbeut” në këngë të ndryshme. Po kështu dhe te Andon Zako Çajupi e gjejmë “pamjen poetike” te “Fshati im” ku paraqet pamje poetike e jetës sociale të kohës apo te poezia “Misiri” dhe më pas “pamjen…) e gjejmë te Poradeci. Bukurinë, ngrohtësinë dhe natyrshmërinë e “pamjes poetike” të Naim Frashërit i gjejmë te Jusuf Gërvalla, por me një mbizotërim metaforash moderne.

V- Duke qenë se te krijimtaria e Jusuf Gërvallës, paraqitur te kjo përmbledhje gjejmë poezi me shtrat te këngët popullore si “Trëndelinë erëmirë moj”, kënga ”O kjo anë e lumit”, me motive myzeqare[3], vargje të veçanta apo shtresë baladash te disa poezi të tij, shohim se poeti temat dhe motivet i ka nga burimi etnik dhe tradita jonë letrare, duke dëshmuar se e ka nisur krijimtarinë e tij artistike nga arti i popullit, si gjithë poetët e mëdhenj.

Sigurisht që nga një poet me një nisje të tillë, me kulturë dhe talent në rritje si kultura dhe talenti i Jusuf Gërvallës është e natyrshme që ne të kërkojmë “majën” e tij poetike, arritjen e tij më të lartë. Çuditërisht këtë “majë” poetike nuk po e shohim as te ky libër përmbledhës, ku sigurisht ka shumë poezi të realizuara mjeshtërisht, por pa u ngjitur mbi një nivel dominues ndaj të tjerave. Madje ka një dukuri specifike edhe te poezitë e tij tipike si “Shtatë net në Dubrovnik” ku shtatë poezitë mund të shihen edhe si një poezi me shtatë “strofa”, por mund të shihen edhe si shtatë poezi me një temë. Kjo ndjenjë të përftohet edhe te poezia “Ka akoma poetë” f. 27-28, “Dita” f. 29-30, “Baladë për shevarin” f. 44-49 etj.

Për të gjetur shkakun e moskonkludimit mbi një “majë” poetike të arritur nga poeti, le të shohim jetën e tij. Lind në 1 tetor 1943 dhe vritet në Shtutgart, 18 janar 1982 në moshën 38 vjeç e disa muaj. Pra jeta e tij ndërpritet pikërisht në moshën kur talenti i tij poetik ishte në një ngjitje, ndërkohë që poezitë e gjeratëhershme ishin krijuar në një moshë në rritje. Ishin krijime të moshës dhe talentit që “përsosej” dhe jo të moshës dhe talentit që “jepte”. Figurativisht mund të themi se Jusuf Gërvalla ishte një fidan lisi në rritje, por “rrufeja” e goditi pikërisht në moshën e fidanit kur po bëhej lis dhe jo në moshën e lisit.

Pra, atentati i 17 Janarit 1982 ndërsa ishte një atentat vrastar ndaj jetës së një njeriu, një veprimtari, një luftëtari, një idealisti ai ishte edhe një atentat ndaj një poeti dhe poezisë së tij. Në qoftë se flasim për poezinë e tij të botuar si për një poezi shqipe moderne dhe meditojmë mbi faktin se atë poezi e ka krijuar një poet që ishte në moshën e të eksperimentuarit dhe të përfeksionuarit të krijimit poezi (cilësore të rrafshit të epërm), mendoni dhe imagjinoni se çfarë poezie, si nivel dhe sasi do kishte krijuar po t’i kishte shpëtuar atij atentati.

Po të kishte ndodhur kjo mrekulli, ne sot nuk do kishim vetëm një idhull poetik, por mbi të gjitha do kishim një poet që do na përfaqësonte denjësisht në botën letrare, do na nderonte kombin dhe kulturën tonë në botë dhe do ishte një pikë referimi e letërsisë botërore.

Sarandë, më 22.01.2022

1- Shih Anton Nikë Berisha, Parathënie, f. 13.
2- Anton Nikë Berisha, Parathënia, f. 13.
3- Prej nga e mori motivin fillimisht I. Kadare, tekstin e të cilit Jusuf Gërvalla e bëri këngë.

Rrin n’kujtime sot kitara, poezi e Maki Maqedoncit në kujtim të Jusuf Gërvallës

0
RRIN N KUJTIME SOT KITARA
___
Kush atdheut i këndoi këngë
plot me mall e dashuri?
Përmbi telat e kitarës,
me at shpirtë të djalërisë.
*
Pse po qan sot kitara?
Telat në heshtje pse po rrinë?
Eja thot o Jusuf Gërvalla
i këndojm prap Arbërisë!
*
I këndojm fushave dhe maleve,
krojeve e detit pa mbarim,
anë e këndë le t’jehon
zëri yt sikur bilbil.
*
Eja vëlla të pret kitara
thuaja këngës përsëri,
me at zë sikur bilbili
për Kosovë e për Shqipëri!
*
Herë me vepra herë me fjalë
herë me pend, herë me kitarë,
anë e kënd kudo që shkoje
shqiptarinë e lartësoje.
*
Ajo dorë qe ta ndali këngën
dhe ta vrau edhe ëndrrën,
kurrë mos paftë ditë të bardhë
mos i lind’t kurrë n’votër djalë!
*
Rrin n’kujtime sot kitara
kujton këngët plot me mall,
ato ditë kur e shoqëronte
ai zëri Yt i rrallë.
*
Lavdi Heronjēve Gērvalla dhe Heroit Kadri Zeka!
Maki M Canolli
Mund të jetë një imazh i 1 person, kitarë dhe teksti

Fajësi kombëtare: Të shanazhuarëve nuk duhet dhënë pushtet!

0
Idriz Zeqiraj, Gjermani
___
Viti 2023 ka lëvizur shumëçka në drejtim të një marrëveshje të mundshme. Kryeministri Albin Kurti, me VV-në e tij, ka kundërshtuar me kohë pazaret e pista të qeverive paraprake halabake. Ai vazhdon të rezistojë edhe sot. Andaj, Vuçiq e Bernabiq nuk e preferojnë si partner në bisedime atë. Përkundër, i kërkojnë ata që kanë nënshkruar marrëveshjet, respektivisht, Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën!
Presidenti Rugova ishte në dijeni të rekrutimit të Hashimit në agjenturat e huaja, andaj dha porosinë e qartë: “Hashimi të mos lejohet të ngritet në pushtet, sepse është i rrezikshëm për Kosovën!” Megjithatë, SHIK-u kriminal i PAN-it, në koordinim me Shërbimin e DGSE franceze dhe BIA serbe, e katapultuan në krye të pushtetit dhe të shtetit. Rrjedhojat vazhdon t`i vuajë populli i Kosovës.
Shpresa se Qeveria Kurti do të arrijë të korrigjojë diçka nga “Zajednica” e binomit Hashimi-Isa, së fundi, është vënë në dyshim? Kurti ka befasuar me deklaratën shokuese se “një draft-statut, i paraqitur, së fundi, nga BE-ja, është më i mirë se sa marrëveshja Hashimi-Isa më 2013!” Vetjaksia e tij në vendime, është bërë shqetësuese.
Mendoj se draft-statuti, i proklamuar si i BE-së, por, në fakt, nga përmbajtja bizare, rezulton të jetë “çorbë”, e gatuar në kuzhinën serbo-franceze. Ai nuk përmbanë asgjë të një Asociacioni normal, klasik. Përkundrazi, me elementet dhe emërtesat e frikshme, madje, tmerruese si: president, asamble, kuvend, ministrira, qeveri, tejkalon çdo përmasë të natyrës që ka një Asociacion normal.
Për çudë, Franca e Quintit, duhet t´i kërkonte ndjesë, shqiptarëve, në përgjithësi, dhe të Kosovës, në veçanti, për rekrutimin e Hashim Thaçit, me shantazhimin me dosje faktike kriminale, nga Arnaud Danjean, shef i DGSE,  duke e bërë agjent të saj dhe të Serbisë – njëherësh. Ndërkohë, Franca vazhdon ta thellojë krimin, ndaj Kosovës, duke favorizuar ndarjen e saj, përmes një draft-statuti skandaloz, për llogari të Serbisë!
Këtë draft nuk e paragjykoj vetëm unë, por, pothuaj se, e tërë bota akademike, juristët specialistë, e demantojnë dhe e fajësojnë rëndë Kurtin, për një vlerësim paushall të draft-statutit, duke e konsideruar “më i mirë se sa draftët paraprakë”!? Ai mbrohet se nuk ka nënshkruar dhe çështja mbetet e hapur, me mundësinë e korrigjimeve, pa cënuar kushtetutshmërinë. Zoti Kurti shpreson në vlerësimin korrekt të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse në vitin 2016, kjo Gjykatë bëri krimin e madh, me imponimin e Hashim Thaçit, aprovuan dhënien e 27 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit. Tani, rrethana ndryshon, Hashimi mungon.
Zëvendës-kryeministri, Besnik Bislimi, në një intervistë dhënë një televizioni të huaj, duke u gjegjur në pyetjen, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me 27 hektarët tokë-park, dhuruar Manastirit të Daçanit, akuzon se vendimi është marrë në kushte imponuese e korruptive. Këlyshi i Baton Haxhiut, i dërguar dhe punësuar enkas ke TV “Dukagjini”, Lirim Mehmeti, reagon, tërbueshëm, ndaj zotit Bislimi, se, kinse, “nuk ka besim në vendimet e Gjykatës Kushtetuese”!
Realisht, përgjigja e zyrtarit të VV-së ishte e saktë, por, jo edhe e plotë. E vërteta është se Hashim Thaçi ishte i shantazhuar nga Serbia, me dosjet e krimit, kryesisht, ekzekutimin e kundërshtarëve politikë shqiptarë. Ujdinë konspirative të Hashimit me Serbinë, e bëri agjenti francez, Arnaud Danjean. I tmerruar nga dosjet faktike të krimit, Hashimi vendosi të plotësojë të gjitha kërkesat e Serbisë, për t`i shpetuar drejtësisë. Një karakter skandaloz, që turpëron Kosovën, shqiptarët!
Dhe, këtë, së fundi, e denoncoi edhe emisari special, Richard Grenell: “Unë me Thaçin, Ramën dhe presidentin Vuçiq, po e realizonim marrëveshjen:
  1. Ndarjen e Kosovës; 
  2. mbylljen e Gjykatës Speciale; 
  3. largimin e NATO-s nga Kosova.”
     Sa larg kishte shkuar Hashim Thaçi, me partitë-banda: PDK, AAK, NISMA, të koalicionuara, natyrshëm në PAN-in kriminal!!! Tashmë, kjo është -një e fshehtë publike-, por, zëvendës-kryeministri Bislimi e thotë shkarazi, tërthorazi.
Ndërkohë, pala serbe nuk ka pranuar nënshkrimin dhe gojarisht ka përsëritur se nuk do ta njohë Kosovën shtet. Dhe, pa këtë njohje reciproke, nuk ka as marrëveshje. Paradoksalisht, Kosova është nën sanksione! Pavarësisht refuzimit të palës serbe, për të filluar nga zbatimi radhazi të pikave, sipas renditjes në marrëveshje, ndërkombëtarët, “nuk hanë arsye” dhe ngulmojnë që Kosova ta jetësojë  Asociacionin, domosdo dhe menjëherë! Dhe, njëherësh, ta bëjë edhe kadastrimin e hektarëve të pretenduar, në llogari të Manastirit të Deçanit!
Mujëshia çmendurake e BE-së  dhe e ndërkombëtarëve, është padrejtësi e madhe, sepse si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, rrjeshtohen në anën e Serbisë agresore, në favorizimin e saj dhe në dëm të Kosovës, tashmë, e dëshmuar si viktimë, dje dhe sot!
Pa trysninë ndërkombëtare, sidomos të SHBA, Serbia nuk bashkëpunon në drejtim të normalizimit fqinjësor, si dy shtete të barabarta. Ajo në vijimësi përsëritë slloganin bajat se “nuk e njohim kurrë Kosovën”. Asnjë presion serioz nuk është ushtruar ndaj Serbisë agresore, as nga BE-ja dhe as nga SHBA. Kritika, sa të pamatura, aq edhe të padrejta, janë bërë ndaj Kosovës, deri në sanksionimin absurd, për të mos thënë të turpshëm! Pas agresionit të Serbisë, më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit, vrasjes të rreshterit policor, Afrim Bunjaku, shkelje e sovranitetit të Kosovës, e gjithë bota priste ndëshkimin e Serbisë persekutore. Por, për çudë, ndodhi e kundërta, u ndëshkua, arbitrarisht, Kosova viktimë!
 
Partitë-banda të PAN-it, duke mbrojtur kriminelët, përligjin ndarjen e Kosovës!
Opozita PAN-iste, destruktive dhe kundra-kombëtare, në nismë e mbarim, ka sabotuar çdo gjë, që mund të arrihet në dobi të Kosovës. Njëjtë ka vepruar edhe me dialogun Kosovë-Serbi, duke pritur që SHBA ta sanksionojë, personalisht kryeministrin Kurti, dhe të përfitojë ajo, nga kjo goditje.
Dëgjohet të thonë shpesh se edhe Vetëvendosje nuk është pajtuar me asgjë të qeverive të shkuara. Por, kundërshtia e dhunshme e VV-së, ka qenë e motivuar, sepse pushtetarët, duke qenë të shantazhuar, qoftë për krime vrastare apo hajni zyrtare, kanë aprovuar marrëveshje të dëmshme dhe vendime fatale për Kosovën, me të cilat po përballet qeveria e sotme, me rrezikun që të bartët edhe për qeveritë e nesërme. Ndërkohë, kundërshtia dhe bojkoti i opozitës të sotme, nuk ka motiv real, në dobi të Kosovës.
“E thërrasim popullin në protestë, kundër Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë dhe lirimin e çlirimtarëve nga burgu, sepse ata po mbrojnë atje UÇK-në, Kosovën, por populli nuk përgjigjet, dalin 100 apo 200 veta”, – thotë inatshëm e dëshpërueshëm, potërxhiu i pacipshëm, Faton Klinaku! “Mos e vet, se tregon vet”,- thotë populli.
Pra, këto janë protesta të pamotivuara, koti, që populli i injoron me bojkot. Sikur asnjë dëshmitarë të mos dëshmojë, shumë qindra varre të të vrarëve politikë, anekënd Kosovës, akuzojnë vrasësit e tyre. Së pari, asnjëri nga ata që kanë shkuar më parë dhe më vonë në Hagë, nuk kanë qenë çlirimtarë, por vrastarë. UÇK dhe Kosova nuk kanë nevojë për mbrojtjen e tyre. Ata akuzohen për vrasjen e shqiptarëve, kundërshtarë politikë, ushtarakë e veprimtarë, pjesë aktive e luftës.
Kjo opozitë e marrëzishme, ka angazhuar të gjithë aparatin propagandistik, analistë e banalistë të mediave qendrore e lokale, në Kosovë dhe Shqipëri; partiakët e saj dhe specialistët e fushave të ndryshme, pedagogë, juristë, avoketër, të paguar majmë; ka mbledhur mbeturinat e sistemit monist, nga të dy anët e kufirit. Dhe, në stilin hoxhist-stalinist, në dukje e pabesueshme, por është katërcipërisht e vërtetë, se Shqipëria ka qenë supërfuqi  propagandistike botërore, ose “leha-qene”, për disa dekada radhazi!
Dikur në mbrojtje të Jugosllavisë së Titos, pastaj të Rusisë të Stalinit e deri te Kina e Mao Ce Dunit,- kundër imperializmit amerikan. Sot i janë turrur kryeministrit Albin Kurti, partisë së tij, Vetëvendosje. Kjo -lehje në hënë- vazhdon çdo ditë e natë, “sabah e aksham-, me shpifje, denigrime dhe sharje, pa doganë fare!
Zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Spastrimi i skenës politike nga kriminelët, imperativ i kohës!
Me gjithë kërkesën korale të opozitës aktuale, për zgjedhje të parakohshme, siç duken “bathët e priftit”, nuk e besoj që do të kemi zgjedhje së afërmi. Opozita e dobët, e çakorduar, që bartin fajësinë e madhe të rrënimit të gjithçkaje në Kosovën tonë, deri në tjetërsimin e pjesëve të territorit tokësor, që, pamëdyshje, është konsumuar elementi i tradhtisë.
Pikërisht, për këtë arsye ata janë kërkues të mëfshtë, dyshues në fitore, dhe, edhe pse zhurmojnë, nuk duket se e kanë me gjithë mend kërkesën për zgjedhje, sepse nuk besojnë në fitore. Pra, opozita, në këtë çështje është realiste, “ia dinë hallin vetës”, sepse nuk ka bërë asgjë të mirë për Kosovën dhe popullin e saj. PAN-in e përcjellë, madje deri në varr, barra e rëndë e krimeve vrastare politike. Dihet, jo të gjithë janë vrasës, por militimi në një parti të krimit, gjithësesi, të bënë pjesë të krimit.
Partitë-banda, PDK, AAK, NISMA, pjesë e koalicionit PAN, të cilat për një çerek-shekulli, krerët, kryesitë e tyre dhe kuadrot militantë partiakë, vazhdojnë të zvarritën, me dozën bazike të bërjes së krimeve apo të aprovimit të tyre. Një shtet i mirëfilltë ligjor, do të kërkonte ose reformimin e thellë, duke i larguar nga partia të inkriminuarit e saj të bollshëm, ose do ta shpallte subjektin partiak të paligjshëm, duke ia ndaluar, përjetësisht, aktivitetin politik.
Partitë e PAN-it, të cilat “nuk kanë lëvizur nga “istikami”, llumpen-komunist, nuk kanë bërë asnjë reformë dhe asnjë ndryshim kuadrosh drejtues. Kurse “djathtizmin” e kanë reklamë. Por, “idol” e kanë neokomunistin e rreshkur, pinjollin e “Bllokut të Zi” të Tiranës, Edvin Ramën. Ndërsa LDK ka filluar reformat dhe ka bërë ndryshime domëthënëse në strukturë, duke i “pensionuar” disa nga argatët e Isa Mustafës, të cilët u bënë patericë e Hashim Thaçit dhe të PAN-it të tij.
Pavarësisht se dominoi aklamacioni në Kuvendin e 10-të, si kancer i demokracisë, vrojtuesit e vëmendshëm, me disa rezerva, kanë pasur mirëkuptim për kryetarin Lumir Abdixhiku, ngaqë stërkeqja e LDK-së ka qenë bizare, madje e qëllimshme. SHIK-u ishte infiltruar në strukturat vendimmarrëse të partisë. Dhe, kuadri partiak, në qendër dhe bazë, ishte stazhionuar dhe burokratizuar, sepse “peshku qëlbët në kokë”. Megjithatë, reforma konsiderohet gjysmake, sepse pesha e fajësisë, nuk lejon tolerancën pakufi. Përjashtimet nuk janë të shëndetshme, por, spostimet dinamizojnë, sidomos bazën e partisë.
Paraqitja në Kuvend, në Konventë, por edhe prezenca në intervistimet televizive, të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, kanë qenë mbushamendëse, mbresëlënëse, jo vetëm për partinë, por edhe për opinionin e  pavendosur. Realisht, nga opozita aktuale, rreth PAN-it, përfshi edhe zhurmaxhiun, ose “teneqen e shpuar”, Dardan Molliqaj, argat i PAN-it dhe i SHIK-ut – njëherësh, Kosova nuk mund të presë asgjë të mirë.
E vetmja forcë politike, që mund të bëhet një konkurrente dinjitoze, për zgjedhjet e ardhshme, mund të jetë LDK-ja. Por, ajo që vazhdon ta penalizojë LDK-në, është pjesëmarrja e klanit Mustafa, në shumë procese të dëmshme për Kosovën, që nga “Zajednica”, Demarkacioni dhe duke kulmuar me bërjen -president- të një agjenti të dyfishtë, Hashim Thaçin! Vërtet, vendimet janë marrë në emër të partisë, pa përfillur asnjë nga strukturat e saj, por mos reagimi i kuadrove, karshi aventurizmit të kryetarit Isa Mustafa, i cili dyshohet të jetë katapultuar nga SHIK-u kriminal, nuk i amneston nga fajësia, qoftë edhe me heshtjen e tyre. Thonë se “e kaluara nuk mund të blihet”.
Kryetar Lumiri duhet ta gëzojë mbështetjen e anëtarësisë dhe e meriton këtë. Por, edhe duhet t`i zgjidhë disa dilema të anëtarësisë. T`i rishikojë disa ngritje artificiale dhe t`i afrojë disa kuadro të anash kaluar, “të harruar”, të cilët ende mund të kontribuajnë dhe ndihmojnë LDK-në. Reforma e nismuar në LDK, duhet të bëjë hapa para dhe jo prapa, ose të stagnojë, të konsideruar si proces i përfunduar?
Sidoqoftë, vazhdimi i mandatit, deri në përmbylljen të tij, i partisë në pushtet, LVV, është shumë më i shëndetshëm, se sa çfarëdo zgjedhjesh të parakohshme, sepse LDK-së i duhet kohë, për t`u konsoliduar. Klani Mustafa, i cili humbi pjesërisht pushtetin, nuk po pajtohet me pozicionin aktual dhe duan rikthimin e sërishëm, qoftë edhe vazhdim i shërbimit si patericë e PDK-së, PAN-it!
Konspiracionet rreth figurës së Kurtit, të stisura dhe të shpifura, nga kriminelë -me patentë-, nuk duhet besuar. Përkundrazi, duhet injoruar dhe numëruar të bëmat kriminale, individuale e grupore, me banda. Nuk mund ta bëjnë më mirë dhe më të sigurtë dialogun me Serbinë, ato subjekte kriminale politike, që ishin në një linjë me Hashimin, Edvin Ramën, Vuçiqin dhe aleatët e tij, qëllimi bazë i të cilëve ishte ndarja e Kosovës.
Vetjakësia në bërjen të Dialogut me Serbinë ka ngjallur dyshime, për mungesë pervoje dhe profesionalizmi. Edhe qasja e mëparshme, me përfaqësues të subjekteve partiake, ishte e gabuar, për të mos thënë idioteske. Dialogun Kosovë-Serbi, duhet ta bëjnë ekspertët-specialistë përkatës, nga bota akademike, pavarësisht anëtarësimeve apo simpative, për subjektet politike të veçanta. Çobanëria e politikanëve të pashkolluar, me diploma fiktive, të blera, të cilët me dajak e plunmb morën pushtetin, e rrënuan Kosovën, e përdhosën edhe gjithë Shqiptarinë.
Drejtësia e kapur në Kosovë, me pronarë PAN-in kriminal. Vettingu i penguar, Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor, i koracuar, me mburojë politikanët kriminelë, thirrën, mashtrueshëm, në pavarësinë e gjyqësorit! Por, në fakt, janë mbrojtës të krimit dhe të shefave të tyre kriminelë.
Koha për reflektim të thellë! Populli duhet të ndergjegjësohet dhe kumandarët mujëshorë duhet t`i diciplinojë, t`i bojkotojë, duke kërkuar edhe llogari për krimet e tyre numerike, serike.

Klerikët dhe politikanët që rinisë ia kanë bërë jetën bajat!

0
Ing. Ahmet Asani, Zvicër-Kumanovë
___
▪︎ Po jetojmë në një kohë e vend ku sistemi arsimor ne fund te pusit ka ra, në një kohë e vend ku diplomat e fakultetit po blihen me para, në një kohë të inkuizicionit sektar fetar, ku klerikët vendosin se kush do ta ketë pushtetin që ta vjedh miletin!
▪︎ Po jetojmê në një kohë kur shumë njerëz sillen sikur të droguar dhe mendojnë që janë profetë dhe nga Zoti të dërguar!
▪︎ Po jetojmë në një kohë kur ish rakixhitë, dilinxhitë, komarxhitë e hafitë, nëpër faltore janê në radhë të parë dhe shesin moral në popull e në rrjetet sociale!
▪︎ Po jetojmë në një kohë kur dija e shkenca nuk çmohen, në një kohë kur vendin e Frymës Kombëtare Shqiptare duan ta zanë duhmat e sekteve fetare, kurse vendin e demokracisë qytetare duhmat e internacionales proletare!?
▪︎ Këto dhe shumë fakte tjera janë arsyet pse rinia po e lëshon vendin!
Rinia shqiptare nuk po e lëshon vendin se është e paaftë dhe e ngratë, por pse klerikët dhe politikanët ia kanë ba jetën bajat!

Kryeministri Kurti u takua me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq

0

Davos, 17 janar 2024

Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, takimi i radhës i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte së bashku me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq. 

Zhvillimi ekonomik dhe stabiliteti institucional që ka njohur Kosova në tre vitet e fundit u diskutua në këtë takim e ku Kryeministri Kurti potencoi politikat e ndërmarra dhe rezultatet e arritura. Palët vijuan bisedën rreth fuqizimit të bashkëpunimit mes shteteve tona, të fokusuar në fusha të ndryshme e me rëndësi madhore për ne siç është edhe ajo e arsimit. 

Forhåndsvisning av bilde

Kryeministri Kurti e falënderoi Kryeministrin Plenkoviq për mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të Kroacisë ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e ku Kroacia edhe ka kontribuar përmes rritjes së prezencës së saj brenda trupave të KFOR-it. U vlerësua lartësisht dhe përkrahja e vazhdueshme e Kroacisë për Kosovën sa i përket dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti u takua me Zëvendës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien

0

Davos, 16 janar 2024

Pas pjesëmarrjes në panairin “Swissbau 2024”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vijoi me agjendën e tij në Davos të Zvicrës, ku u takua me Zëvendës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien.

U theksua angazhimi e përkushtimi për fuqizimin e bashkëpunimit e thellimin e marrëdhënieve tona.

Biseda më tej u fokusua në aktualitetin në vend e rajon. Si partnerë dhe aleatë, jemi gjithmonë të bashkërenduar dhe në komunikim të vazhdueshëm. Zëvendës sekretari O’Brien vlerësoi përparimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës dhe vetëpërmbajtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës pavarësisht provokimeve dhe sulmeve në veri të vendit.

Kryeministri Kurti e falënderoi zëvendës sekretarin O’Brien për bisedën e mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përshëndetje dhe urime Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Shenjtërisë së tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj për këtë veprimtari përkujtimore me rëndësi

0

Nga Frank Shkreli

/Telegraf.al/ Ju falënderoj për ftesën që më keni dërguar nëpërmjet mikut dhe bashkpuntorit tim të ngushtë, Drejtorit të gazetës “Telegraf”, Engjëll Musai, për të marrë pjesë në atë tubim përkujtimor. Është mjaft domethënës fakti se përkujtimin e 556-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbe e keni lidhur me përvjetorë të tjerë me rëndësi, jo vetëm për Bektashinjtë shqiptarë, por edhe për historinë e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve pa dallim.

Kujtimi në këtë datë të vdekjes së Kryetrimit të Kombit lidhur me data të rëndësishme për Bektashinjtë shqiptarë siç është 103-vjetori i Kongresit të Parë Bektashian në Teqenë e Prishtës-Skrapar, përkujtimi i Baba Ali Tomorrit dhe Baba Shefqet Gllavës; martirë të demokracisë, 1948 si dhe promovimi i veprave të Baba Ali Tomorrit, janë mjaft domethënës.

Kjo ceremoni sot, tregon, se respekti për Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti -Skënderbe dhe kujtesa juaj për Skënderbeun nëpërmjet kësaj ceremonie për martirët bektashinjë të Atdheut, të fesë, të lirisë dhe demokracisë vazhdon të jetë e fortë dhe e gjallë në zemrat dhe mendjet e bektashinjve shqiptarë, madje edhe pas pothuaj gjysëm shekulli të regjimit komunist.

Baba Ali Tomorrin e ekzekutuan komunistët me 14 janar, 1948 si “spiun” i anglezëve. Fjalët e tij të fundit ishin: “Ruani dorëshkrimet e mia. Rroftë Shqipëria!” Amanetin s’e luan toka!

Promovimi i kolanës së veprave të Baba Ali Tomorrit, përgatitur nga Mehmet Gëzhilli, është një shenjë nderimi e respekti, por edhe shenjë bamirësie, mirënjohjeje dhe falënderimi. Të njëjtin fat të keq pësoi edhe Baba Shefqet Gllava, i akuzuar për agjitacion e propagandë dhe i pushkatuar nga regjimi komunist.

Por herët ose vonë, e mira mund të keqen! Duke iu falënderuar për ftesën, uroj që kjo ceremoni përkujtimore sot në Tiranë në përvjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbe dhe martirëve të besimit bektashian të demokracisë të frymëzojë breznitë e reja të shqiptarëve drejt veprave të mira e të mbara, për të mirën e përbashkët për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe për një të ardhme më të ndritur për Kombin shqiptar! Tiranët harrohen – heronjtë kujtohen! Këtë po bëni ju sot.

Uroj që arsyeja, dashuria për fe e atdhe dhe idealet e vëllazërimit njerëzor ndër shqiptarët;vlera për të cilat dhanë jetën këta martirë të fesë e të Atdheut eventualisht të gjejnë rrugën e vet drejt një të ardhme më të mirë për shqiptarët pa dallim dhe për mbarë Kombin shqiptar.

Me përshëndetje miqësore,

Frank Shkreli