Kreu Blog Faqe 94

Inskenimi i lojës demokratike, thikë me dy teha në LDK!

0

Florim Zeqa

E kam thënë që nga fillimi i kërkesave për dorëheqjen e Abdixhikut, se prapa tyre qëndron Vjosa Osmani! Këtë që e themë e bazoj në disa aspekte të cilat janë të pakontestuara nga askush.

‘Gazi pejan’ produkt i Vjosa Osmanit

E para, Vjosa Osmani nuk e do LDK-në më shumë dhe as më pak sesa Abdixhiku, pasi të dytë janë figura sorrosiane të instaluara në LDK!

E dyta, Vjosa Osmani nuk është mësuar të renditet e dyta apo e treta në hierarki!

E treta, Vjosa Osmani nuk ka shkuar për ta ndihmuar LDK-në por vetën e saj!

Kur i dështoj ‘falli’ për zgjedhje presidente nga partia humbëse e zgjedhjeve, e fillojë lojën e shtrigave në LDK!

Njeri më të përshtatshëm sesa Gazmend Muhaxheri nuk ka dhe nuk mund ta gjejë LDK-antirugovist i përbetuar!

Duke e ditur mirë se ishte njeriu më i besueshëm i kryetarit aktualë, ajo e futi të parin në lojë “Gazin” pejan, për t’i futur flakën LDK-së përmes Imri Ahmetit të Lipjanit!

Këta janë vetëm prijetarët, pasi pas tyre qëndrojnë edhe figura tjera të mëdha brenda LDK-së që e mbështesin misionin shkatërrimtar të Vjosa Osmanit në LDK!

Inskenimi i lojës demokratike, është thikë me dy teha në LDK!

Nismë e vjetër për ndryshime në LDK

Nuk e kam thënë rastësisht, se vetëm një figurë jashtë klaneve mund ta shpëtojë LDK-në nga zhbërja totale!

Për këtë arsye, e kam vënë vetën time në radhë të parë, jo për poste e privilegje por për ta shpëtuar LDK-në.

Kjo është sfida më e madhe jetësore, por jo e pamundur!
Ka vite e dekada, që i kam lutur eksponent të caktuar të mërgatës sonë që të vihen në ballë të nismës për ndryshime në LDK, gjegjësisht që të kandidojnë për kryetar të LDK-së pas katandisjes së LDK-së në Kuvendin e VIII-të zgjedhor, kur klani i Riinvestit përmes puçit politik e solli Isa Mustafën në krye të LDK-së!

Kësaj radhe nuk do t’i nxjerri me emra dy veprimtarët dhe publicistët e mërgatës, njëri në Gjermani e tjetri në Zvicër të cilëve u kërkova të vihen në ballë të nismës për ndryshim!

Së fundmi, vendosa që ta sfidoj vetën në përballje me klanet dhe grupet e interesit në LDK. Në këtë rrugëtim nuk jam i vetëm, pas vetës i kam me qindramijëra elektorat pasiv të LDK-së në Kosovë dhe mërgatën tonë, të cilët shkaku i kapjes së LDK-së nga klanet dhe grupet e interesit, e kanë zgjedhur abstenimin nga proceset zgjedhore si ndëshkim për klanorët, servilët dhe matrapazët e vullnetit të qytetarëve!

Vështrim i veprës “L’Albania”, Vëllimi II, të P. Fulvio Cordignano S.I.

1

Lekë Mrijaj, Klinë

Vështrim analitik, hulumtues, studimor dhe shkencor mbi veprën “L’Albania”, Vëllimi II, të P. Fulvio Cordignano S.I.

Prej kohësh e kam siguruar këtë libër dhe, me ëndje të veçantë, kam filluar ta lexoj në versionin e tij të printuar. Fjala është për veprën “L’Albania”, Vëllimi II, të autorit P. Fulvio Cordignano S.I., një libër me peshë të veçantë për historinë kishtare, misionare, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve në periudhën e fundit të sundimit osman. Duke u nisur nga përmbajtja e kësaj vepre dhe nga rëndësia e saj për historinë e katolicizmit shqiptar në Kosovë, kam vendosur ta veçoj për shqyrtim të posaçëm Kapitullin VIII, i cili në origjinal titullohet: “L’opera missionaria del P. Pasi nell’Archidiocesi di Scopia (dal 1890 al 1901)”, apo në shqip: “Vepra misionare e P. Pasikësaj Arqipeshkvinë e Shkupit, nga viti 1890 deri në vitin 1901.”

Ky kapitull, që shtrihet nga faqja 106 deri në faqen 228, nuk përbën vetëm një kronikë misionare të jetës dhe veprimtarisë së P. Domenico Pasit S.I., por një pasqyrë të gjerë të gjendjes së katolikëve shqiptarë në hapësirën Shkup–Prizren–Gjakovë–Pejë–Klinë–Drini i Bardhë, me gjithë fshatrat, familjet, vuajtjet, qëndresat, apostazitë, pajtimet dhe shenjat e një besimi që përpiqej të mbijetonte në kushte jashtëzakonisht të vështira.

Vetë përmbajtja e kapitullit në fjalë e ndan këtë rrëfim në disa etapa: vështrimin historik mbi Arqipeshkvinë e Shkupit; pesë muajt e misionit në Gjakovë e Pejë më 1890–1891; trajtimin e të fshehurve ose laramanëve; misionet në Prizren, Pejë e Gjakovë më 1893; kthimin përsëri në Gjakovë, Pejë dhe Shkup më 1894; misionet e viteve 1897–1898 dhe, në fund, misionet “në mes të stuhive” gjatë viteve 1900–1901.

Duke e lexuar me vëmendje Kapitullin VIII, shihet se Cordignano nuk synon të japë vetëm historinë e një misionari, por historinë e një terreni të tërë shpirtëror. Arkidioqeza e Shkupit paraqitet si një hapësirë e lashtë kishtare, e lidhur me Justinianën e Parë, Ohrin, Prizrenin, Dardaninë, Scupin dhe me përplasjet e gjata ndërmjet katolicizmit latin, bizantinizmit, ndikimit sllav dhe sundimit osman. Në këtë kuptim, fshatrat që përmenden më vonë, si Zllakuqani, Gllogjani, Nepolja, Dobërdoli, Ceroviku, Prekorupa, Dugojeva, Poterqi, Klina, Gjurakoci, Potoqani, Budisalci, Krusheva, Rakoçi, Bardhaniqi, Zhabeli, Novosella, Palabardhi, Gramaqeli, Dujaka, Beci, Smaqi, Vogova dhe shumë fshatra të tjera, nuk janë thjesht emra gjeografikë, por nyje të një historie të gjallë, ku mund të shihet se si ruhej ose dobësohej katolicizmi shqiptar në fund të shekullit XIX.

Në faqen 119, Cordignano jep një të dhënë themelore për gjendjen kishtare të Arkidioqezës: një hapësirë të madhe, me vetëm trembëdhjetë meshtarë, shtatë famulli shumë të gjera dhe katër shkolla fillore. Kjo statistikë e thjeshtë e shpjegon pothuajse gjithë dramën e kapitullit. Në një territor të tillë, ku meshtari duhej të mbulonte dhjetëra fshatra, ku shkolla ishte e rrallë, ku rrugët ishin të vështira dhe ku pushteti osman nuk garantonte liri të plotë fetare, katolicizmi jetonte më shumë në shtëpi sesa në institucion, më shumë në kujtesë sesa në praktikë të rregullt, më shumë në qëndresën e grave, pleqve dhe fëmijëve sesa në praninë e përditshme të klerit. Kjo është edhe arsyeja pse misioni i P. Pasit merr një rëndësi të jashtëzakonshme: ai nuk është thjesht predikim, por përpjekje për të mbledhur copëzat e një trupi shpirtëror të shpërndarë.

Në misionin e parë të P. Pasit në famullitë e Gjakovës dhe Pejës, nga 16 gushti 1890 deri më 6 janar 1891, rrëfimi zbret nga historia e madhe në jetën konkrete të fshatrave. Në faqet 132–134, Cordignano përmend Lugun e Baranit, Lugun e Leshanit dhe Lugun e Drinit, ku dalin Gllogjani, Nepolja, Zllakuqani, Krusheva, Budisalca, Dobërdoli, Ceroviku dhe Prekorupa. Autori vëren se në këto vise kishte pak shtëpi të krishtera të bashkuara, ndërsa shumica e katolikëve jetonin të shpërndarë mes popullsisë myslimane. Ai thekson se apostazitë përsëriteshin pothuajse çdo vit dhe se shpesh brenda një familjeje gjendeshin pjesëtarë të dy besimeve fetare. Kjo dëshmi është shumë e rëndësishme, sepse e paraqet realitetin fetar të Kosovës jo si një ndarje të thjeshtë ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve, por si një gjendje të përzier, të dhimbshme dhe shpesh tragjike.

Në këtë kapitull, rëndësi të veçantë merr edhe zona e Gjakovës dhe fshatrat përreth saj. Cordignano tregon se misionarët, me këshillën e Don Nikollë Mazrekut, filluan punën ndër të krishterët e fisit të Hasit, në jug dhe jugperëndim të Gjakovës, deri në Vau-Spas dhe rreth Pashtrikut. Fshati i parë që vizitoi P. Pasi ishte Vogova, rreth një orë larg Gjakovës. Aty kishte njëmbëdhjetë familje të fisit Bytyç, ndoshta të vetmet katolike që kishin mbetur nga rreth dyqind familje të tërë fisit. Edhe këto familje, sipas Cordignanos, ishin shumë pranë tjetërsimit fetar, sepse nuk dinin lutje, nuk njihnin praktika të rregullta fetare dhe në fillim i pritën ftohtë misionarët. Por P. Pasi nuk u tërhoq. Ai filloi me fëmijët, duke u mësuar shenjën e kryqit dhe lutjet e zakonshme, dhe përmes fëmijëve arriti t’i afronte edhe të rriturit. Ky detaj është shumë domethënës: në shumë fshatra, kthimi i jetës fetare nuk fillon nga burrat e kuvendit, por nga fëmijët që mësojnë të bëjnë shenjën e kryqit.
Më pas, rrëfimi kalon në fushën e Rekës, në veri të Gjakovës, ku katolikët e shpërndarë nëpër fshatra ishin kryesisht fandas dhe nga Mërturi/Berisha. Për shkak se nuk ishte e mundur të jepej mision i rregullt në çdo katund, misionarët vendosën t’i vizitonin fshatrat veç e veç, të shihnin të sëmurët, të fillonin mësimin e fëmijëve dhe pastaj t’i mblidhnin të gjithë në një qendër të përbashkët. Për këtë u zgjodh Novosella e Epërme. P. Sereqi mori përsipër Janoshin, Firajën, Dobrigjen dhe Novosellën e Poshtme, ndërsa P. Pasi zgjodhi Palabardhin, Gramaqelin dhe Dujakën. Këtu kemi një hartë të qartë të fshatrave katolike dhe të përziera të asaj kohe: Janosh, Firajë, Dobrigje, Novosellë e Poshtme, Palabardh, Gramaqel, Dujakë dhe Novosellë e Epërme.

Në Palabardh kishte pesë familje të krishtera: katër me prejardhje nga Mërturi dhe një nga Fandi. Njëra prej këtyre familjeve ishte deklaruar myslimane disa vite më parë, por më vonë ishte kthyer në pendim pas fatkeqësive që e kishin goditur. Familjet e bajrakut të Mërturit paraqiten si të ftohta ndaj praktikave katolike, ndërsa familja e fandasit të mirë, Ginit, del si shembull i veçantë. Gini, sipas Cordignanos, e priste gjithmonë meshtarin, e ndihmonte me fjalë e me shembull dhe përpiqej t’i tërhiqte edhe familjet e tjera drejt së mirës. Nga Palabardhi, P. Pasi kaloi në Gramaqel, ku kishte gjashtëmbëdhjetë familje myslimane dhe pesë katolike, me prejardhje nga Thaçi, Berisha ose Gashi; pak vite më parë, sipas autorit, të gjitha kishin qenë të krishtera. Dujaka, me tridhjetë e tri familje, prej të cilave nëntëmbëdhjetë katolike fandase dhe katërmbëdhjetë myslimane të fisit Thaç, i dha misionarit më shumë shpresë, sepse fandasit, megjithëse shumë të paditur në fe, u mblodhën rreth tij me dëshirë të madhe për të mësuar dhe nuk donin ta linin të largohej.

Novosella e Epërme zë një vend të veçantë në këtë rrëfim. Cordignano tregon se fshati përbëhej nga tridhjetë e dy familje, të gjitha katolike nga Fandi. Misionarët u pritën me ankth, gëzim dhe entuziazëm të madh. Meqë nuk kishte kishë, famullitari kishte rregulluar punën që një burrë me emrin Nikollë Gjetja t’ua lëshonte shtëpinë për ushtrimet e misionit, dhe ai e bëri këtë me dëshirë. Por shtëpia nuk mjaftonte për gjithë popullin, prandaj altari u vendos te dera e shtëpisë: gratë qëndronin brenda, ndërsa burrat dhe fëmijët jashtë, në baltë e borë. Kjo skenë është jashtëzakonisht e fuqishme për historinë e katolicizmit shqiptar. Aty ku mungon kisha, shtëpia e Nikollë Gjetjes bëhet kishë; dera e shtëpisë bëhet altar; balta dhe bora bëhen dysheme e një kuvendi shpirtëror; populli i mbledhur bëhet bashkësi liturgjike.

Në Novosellë del edhe emri i Nikollë Getës, i cili i thotë P. Pasit: “Atë, thirre Ginin dhe bëje të falë.” Ky moment lidhet me predikimin e faljes dhe me pajtimin e gjaqeve. Gini, fandasi nga Palabardhi, i cili kishte pritur misionarët me bujari, kishte ardhur çdo ditë në mision dhe sillte sa më shumë fëmijë për t’i mësuar. Ai vetë qëndronte gjithë ditën duke u mësuar bashkë me fëmijët dhe pastaj i kthente në shtëpi. Para rrëfimit, Gini i thotë P. Pasit se nuk dëshironte të mbetej pa u rrëfyer, por nuk mund të kërkonte zgjidhje pa i treguar më parë gjendjen e tij. Këtu Cordignano e paraqet Ginin jo vetëm si burrë mikpritës, por si njeri me ndërgjegje të gjallë fetare. Ai nuk dëshiron “ta vjedhë” zgjidhjen sakramentale; kërkon më parë ta rregullojë ndërgjegjen. Pajtimi i Ginit dhe pajtimet e tjera në Novosellë tregojnë se misioni i P. Pasit nuk ishte vetëm mision doktrinar, por edhe mision shoqëror. Cordignano përmend se, pas faljes së Ginit, të tjerë lanë urrejtje të vdekshme dhe u bënë pajtime të tjera gjaku. Një njeri fali vrasjen e mikut; një grua u ngrit dhe fali gjakun e vëllait, duke e ndalur njeriun që ishte marrë përsipër ta hakmerrte. Po aty u rregulluan edhe disa çështje të rënda martesore dhe u vendosën garantë, që faljet të mos mbeteshin vetëm emocione të çastit, por të kishin qëndrueshmëri shoqërore. Kjo është një e dhënë me rëndësi antropologjike: P. Pasi e kuptonte se falja, për t’u bërë e qëndrueshme në shoqërinë shqiptare, duhej të mbështetej edhe me garanci shoqërore.

Më tej, në fshatrat e lidhura me Gjakovën, shfaqen edhe Beci, Rakoçi, Bardhaniqi, Zhabeli, Nepolja dhe Gllogjani. Në Bec, misionarët hasin një gjendje të rëndë të tjetërsimit fetar dhe të ndryshimit të emrave. Cordignano tregon se disa myslimanë që ndiqnin funksionet thoshin: “Të mjerët ne, jemi si kafshët; po të na ishte dhënë ky mësim disa vite më parë, nuk do të ishim bërë turq.” Kjo fjali është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse e pranon nga vetë goja e njerëzve të konvertuar se mungesa e mësimit dhe e pranisë kishtare kishte qenë shkak i rënies. Në Bec, P. Pasi u përpoq të luftonte edhe zakonin e braktisjes së emrit të pagëzimit dhe marrjes së emrave turq. Te fëmijët ia doli ta ndryshonte këtë, duke u dhënë emrin e ri të shkruar mbi një figurë të Zemrës së Krishtit.

Nga Beci, më 21 shkurt, misionarët shkuan në Rakoç, ku kishte dhjetë familje katolike dhe po aq myslimane, apostazia e të cilave ishte e vonshme. Edhe katolikët paraqiten si jo shumë më mirë të mësuar se myslimanët; fëmijët fillimisht iknin sapo shihnin misionarët, por më vonë u afruan, dhe fshati nuk donte t’i linte të largoheshin. Nga Rakoçi, fjala e Zotit u çua në Bardhaniq, fshat që pak vite më parë kishte qenë krejt katolik, ndërsa në atë kohë, nga trembëdhjetë familje, vetëm tri kishin mbetur besnike ndaj fesë së të parëve. Pastaj vizituan Zhabelin, fshat me dhjetë familje, prej të cilave vetëm dy ishin katolike. Këto të dhëna janë shumë të rëndësishme, sepse tregojnë procesin e shpejtë të ndryshimit fetar në disa fshatra: Bardhaniqi, që dikur kishte qenë krejt katolik, kishte rënë në tri familje katolike; Zhabeli kishte mbetur me dy familje katolike; ndërsa Rakoçi ishte i ndarë përgjysmë.

Pas Zhabelit, P. Pasi hyri në territorin e famullisë së Pejës dhe u ndal në Nepole. Famullia e Pejës kishte më pak të krishterë se ajo e Gjakovës, por ishte shumë më e shtrirë. Përveç tridhjetë familjeve katolike në qytetin e Pejës, famullitari kishte nën juridiksion shtatëdhjetë fshatra, të gjitha disa orë larg qytetit. Dobërdoli, Ceroviku dhe Prekorupa ishin rreth dhjetë orë larg Pejës. Fshatra krejtësisht të krishtera kishte pak; zakonisht katolikët jetonin të përzier me popullsinë myslimane, që në përshkrimin e Cordignanos paraqitet si e ashpër dhe intolerante. Në Nepole, P. Pasi gjeti tetë familje katolike me prejardhje nga fisi i Nikajve. Ai e kishte vizituar këtë fshat tre vjet më parë, prandaj aty njihej dhe pritej me dëshirë.

Gllogjani, që në tekst del si Gllogjàn ose Glogian, është një nga qendrat më domethënëse të kapitullit. Kur P. Pasi arriti atje, gjeti se nga pesëmbëdhjetë familje që kishte parë në vizitën e parë, kishin mbetur vetëm dymbëdhjetë, sepse tri ishin deklaruar myslimane. Megjithatë, ai u prit me krahë hapur nga familja Koci, që kishte rreth tridhjetë anëtarë. Aty pati një ngushëllim të madh: familja nuk kishte harruar mësimet që ai u kishte dhënë. Një i ri me emrin Syla, të cilit Pasi i kishte lënë porosi të vazhdonte çdo mbrëmje lutjet me fëmijët e fshatit, kishte mbetur besnik ndaj kësaj detyre. Në mungesë të meshtarit, Syla del si një lloj katekisti popullor, ruajtës i lutjes dhe i rendit shpirtëror të fëmijëve.

Në Gllogjan ndodh edhe një nga skenat më prekëse të kapitullit: një grua i tregon P. Pasit se burri i saj ishte bërë mysliman dhe kishte detyruar gjithë familjen ta ndiqte, ndërsa ajo vetë kishte rezistuar dhe ishte gati të vdiste më parë sesa të braktiste fenë. Djali i saj gjashtëmbëdhjetëvjeçar ishte detyruar nga i ati të deklarohej mysliman, por në zemër dëshironte të mbetej i krishterë. P. Pasi e takon fshehurazi, e ngushëllon dhe i jep kryq e medalje, ndërsa djaloshi kërkon që t’i ndizet një qiri para Zemrës së Krishtit. Kjo skenë e kthen historinë e laramanëve nga statistikë në dramë njerëzore. Aty nuk kemi vetëm kategori fetare; kemi një nënë që ruan fenë, një djalë që jeton me ndërgjegje të ndarë dhe një misionar që përballet me lotin e fshehtë të një familjeje shqiptare.

Çështja e laramanëve është boshti më i dhimbshëm i Kapitullit VIII të këtij libri. Cordignano tregon se në disa vise nuk shihej pothuajse asnjë shenjë e jashtme e krishterimit: emrat ishin myslimanë, zakonet ishin myslimane, praktikat publike ishin myslimane, por brenda familjes ruheshin pagëzimi, agjërimi i Kreshmëve, festat dhe shpresa për t’u kthyer një ditë në ushtrimin publik të fesë. Këta të krishterë quheshin laramanë, “të larmë” ose “me shumë ngjyra”.

Në vitin 1846, katër fshatra të famullisë së Cërnagorës, Binça, Stublla, Vernakola dhe Karadaku, besuan se kishte ardhur koha të deklaroheshin publikisht katolikë, pasi u përhap lajmi se Sulltani kishte shpallur liri kulti. Por reagimi i pushtetit dhe i rrethit ishte i ashpër. Krerët e familjeve u thirrën para autoriteteve dhe u pyetën pse e kishin braktisur profetin Muhamed. Ata u përgjigjën se nuk e kishin braktisur, sepse kurrë nuk kishin qenë të tij; ata vetëm po tregonin jashtë atë që gjithmonë kishin qenë në zemër e brenda shtëpive të tyre.
Në këtë kontekst, Binça, Stublla, Vernakola dhe Karadaku duhet të futen patjetër në analizën e Kapitullit VIII. Ato nuk janë në të njëjtën hapësirë të Klinës dhe Pejës, por janë të lidhura me të njëjtën dramë: me kriptokatolicizmin, me frikën, me dëshirën për ta shpallur fenë haptas dhe me përndjekjen që pasonte. Këto fshatra tregojnë se laramani nuk ishte thjesht dobësi, por shpesh një mënyrë mbijetese në kushte dhune. Në analizë shkencore, kjo është shumë e rëndësishme: Cordignano e sheh laramani­në si plagë fetare, por burimi vetë tregon se ajo ishte edhe strategji mbijetese e një populli që nuk kishte mbrojtje të plotë politike e juridike.

Zllakuqani, që në tekst del me forma si Zllokugàn, Zlokucàn, Zllokucàn ose Slakucian, zë një vend të veçantë në pjesën e luginës së Drinit të Bardhë. Në faqet 198–199, Cordignano e përshkruan këtë luginë si të banuar nga kolonë të ardhur nga Fandi, pra nga popullsi katolike. Ata ishin disa orë larg kishës famullitare dhe nuk kishin mundësi të kishin një kishë të vogël për nevojat e tyre. Françeskanët kishin ngritur një shtëpizë me disa dhoma, që shërbente si stacion ose hospic misionar. Ishte planifikuar që në Zllakuqan të mbahej një mision i madh për gjithë fandasit e luginës, sepse ata kishin nevojë për mësim, sakramente dhe pajtime pas vrasjeve që kishin trazuar popullsinë. Por moti i keq, bora, shiu, balta dhe ujërat e pamundësuan misionin e plotë.

Zllakuqani del përsëri në vitet 1900–1901, kur misionarët, pasi kishin punuar dy javë në fshatrat fandase të luginës së Drinit, kaluan festat e Krishtlindjes në rezidencën e etërve në Zllakuqan. Kjo e bën Zllakuqanin një qendër të heshtur shpirtërore: një vend ku misionarët pushonin, ku populli mblidhej, ku ruhej lidhja ndërmjet fshatrave të Drinit dhe Kishës. Në këtë kuptim, Zllakuqani nuk duhet parë vetëm si fshat, por si stacion historik i katolicizmit shqiptar në trevën e Klinës dhe Drinit të Bardhë.

Prekorupa paraqitet si një zonë e rrezikuar. Në faqen 198, dëshmia e një gruaje 90-vjeçare, e cila kishte ardhur nuse në familjen e Lekë Ali Kurtit shtatëdhjetë vjet më parë, është shumë e rëndësishme. Ajo dëshmonte se kur kishte ardhur aty, nuk kishte asnjë mysliman në ato vende. Sipas saj, apostazitë në Prekorupë ishin të vonshme. Cordignano i lidh shkaqet e tyre me mungesën e mësimit, braktisjen për shkak të pakësisë së meshtarëve, ftohjen në fe dhe trysnitë e vazhdueshme të myslimanëve ndaj të krishterëve. Kjo dëshmi ka vlerë të madhe hulumtuese, sepse e paraqet islamizimin lokal jo si gjendje të lashtë, por si proces historik të lidhur me rrethana konkrete.

Dobërdoli, i shënuar si Dobridòl, është një nga vendet më të dhimbshme. Pas Cerovikut, P. Pasi kaloi në Dobërdol, fshat që e kishte vizituar edhe më parë, dhe gjeti se parashikimet e tij të këqija po vërtetoheshin. Përveç familjes së mirë të Prenk Dodës, nuk kishte shumë katolikë që, sipas Cordignanos, i qëndronin denjësisht emrit të tyre. Disa kishin apostatuar, disa jetonin në gjendje të parregullt martesore, ndërsa të rinjtë dukeshin të prirur drejt apostazisë. Djalit të madh të Prenkut ia kishin vrarë nga dritarja një mbrëmje pas darke, ndërsa rrinte duke folur me familjarët, dhe nuk dihej arsyeja. Ky fragment e bën Dobërdolin simbol të një katolicizmi të plagosur, ku dhuna, varfëria, mungesa e sigurisë dhe dobësimi i familjes lidhen me dobësimin e jetës fetare.
Klina shfaqet qartë në faqen 172. P. Sereqi kishte arritur në Klinë pasi kishte kaluar nëpër Dugojevë, Poterq dhe Krushevë. Aty kishte gjetur një grua heroike që, për të ruajtur fenë me dy fëmijët e saj, ishte larguar nga të afërmit dhe ishte gati të vuante çdo martirizim më parë sesa të dorëzohej.

Në Klinë u gjetën edhe njerëz që nuk ishin rrëfyer për tetëmbëdhjetë, njëzet e tridhjetë vjet. Cordignano shënon se Klina kishte dymbëdhjetë familje katolike, të gjitha mirditore, dhe pesëmbëdhjetë familje të krishtera ortodokse, të cilat ai i quan me termin polemik “skizmatike”. Kjo dëshmi është me rëndësi të madhe për historinë lokale, sepse tregon se Klina në fund të shekullit XIX ishte një hapësirë e përzier e krishterë, me katolikë mirditorë dhe ortodoksë, brenda një realiteti më të gjerë osman.
Në të njëjtën faqe, Cordignano rendit fshatrat e Lugut të Drinit të Bardhë. Në të majtë të Drinit përmenden Gjurakoci/Giurakoz, Brakovi, Leskozi, Ranozi, Zllakuqani/Slakuciani, Potaciani/Potogani, Raduloci, Krusheva-Pashes dhe Klina; në të djathtë të Drinit përmenden Budisalci, Krusheva e Ali Agës, Jagoda, Paskaliqa, Videja dhe Novosella. Ky regjistrim duhet futur patjetër në analizë, sepse jep hartën konkrete të katolicizmit dhe të fshatrave të përziera në Lugun e Drinit të Bardhë. Këtu nuk kemi vetëm një mision të përgjithshëm, por një gjeografi të saktë baritore, ku çdo fshat ka peshën e vet në kujtesën kishtare.

Potocani ose Potociani, që në leximin lokal  të lidhet me Pataqanin, del si qendër e përkohshme misionare. P. Pasi u vendos aty për të dhënë një mision qendror për katolikët e Lugut të Drinit të Bardhë. Populli u mblodh në shtëpinë e Gjok Ndrecës, një të krishteri të mirë dhe ndër më të pasurit e fshatit. Para shtëpisë kishte një livadh të bukur, të përshtatshëm për funksionet fetare.

Misioni nisi më 11 mars dhe tërhoqi shumë njerëz nga fshatrat përreth; ditën e tretë morën pjesë rreth një mijë e pesëqind veta. Kjo është një nga dëshmitë më të fuqishme për rolin publik të shtëpisë shqiptare në jetën kishtare. Aty ku mungonte kisha, shtëpia e Gjok Ndrecës bëhej kishë; aty ku mungonte oborri kishtar, livadhi bëhej shesh liturgjik; aty ku mungonte institucioni, familja merrte funksion kishtar.

Gjurakoci, në tekstin origjinal Giurakoz ose Gjurakòc, del si një rast me vlerë të veçantë antropologjike. Cordignano e përshkruan si fshat të bukur në pjesën veriore të luginës, pranë vendeve të banuara nga myslimanët dhe, për këtë arsye, më të ekspozuar ndaj vuajtjeve. Ai thotë se Gjurakoci kishte rezistuar falë katër familjeve të fuqishme katolike, shtëpitë e të cilave formonin një lloj katërkëndëshi mbrojtës. Por, kur ndërmjet tyre hyri përçarja dhe gjakmarrja, tri familje u detyruan të largoheshin, ndërsa mbeti vetëm Prend Paloka me njerëzit e tij. Kjo dëshmi tregon se feja, në rrethanat e asaj kohe, mbrohej jo vetëm me bindje shpirtërore, por edhe me bashkim familjar, solidaritet, nder dhe fuqi shoqërore. Kur prishej bashkimi, dobësohej edhe mbrojtja e fesë.

Në vitet 1900–1901, misionet zhvillohen “në mes të stuhive”. Cordignano e përdor këtë shprehje për të përshkruar jo vetëm stuhitë e motit, por edhe stuhitë kishtare, politike, shoqërore dhe shpirtërore. Pas punës në fshatrat fandase të luginës së Drinit dhe pas Krishtlindjes në Zllakuqan, misionarët zbresin drejt Poterqit dhe Dugojevës, duke ngushëlluar të krishterët e varfër e të shpërndarë mes apostatëve. Më pas japin misione në Gllogjan dhe Nepole, fshatra të luginës së Baranit, të cilat, sipas autorit, ishin shpëtuar nga apostazia përmes zellit të misionarëve, aq sa myslimanët e vendeve përreth i quanin “Roma” për zjarrin e besimit të tyre.
Kjo metaforë, “Roma”, është një nga shprehjet më të fuqishme të kapitullit. Gllogjani dhe Nepolja nuk ishin Romë për nga pushteti, pasuria apo madhësia, por për nga qëndresa shpirtërore. Në një kohë kur shumë fshatra kishin humbur ose po humbnin fenë, këto fshatra e ruanin me aq zjarr katolicizmin, sa edhe rrethi mysliman i identifikonte me Romën. Kjo tregon se katolicizmi shqiptar në disa zona nuk ishte vetëm mbetje e zbehtë, por një identitet i gjallë dhe publik.

Në këtë mision të fundit përmenden edhe fshatra të Podrimës: Velezha, Shpenadia, Salagrazhda dhe famullia e Zymit. Cordignano tregon se P. Pasi, ndërsa të tjerët punonin në fshatra të ndryshme, kalonte me shpejtësi nëpër fshatrat katolike të Podrimës dhe famullinë e Zymit. Kjo e zgjeron edhe më shumë hartën e Kapitullit VIII, duke e lidhur Pejën, Klinën dhe Drinin e Bardhë me Podrimën, Prizrenin dhe Zymin.

Në këtë lexim të zgjeruar, duhet përmendur edhe roli i klerikëve dhe bashkëpunëtorëve që dalin në kapitull. Përveç P. Domenico Pasit, përmenden P. Sereqi, P. Genovizzi, P. Chiocchini, Fr. Antunoviç, Fr. Renci, Don Nikollë Mazreku, Don Mikel Tarabulusi, Don Bartolomeo Fantella, Don Simon Lumesi, Don Pietro Czarev dhe të tjerë. Don Mikel Tarabulusi ndihmon në Gllogjan dhe qëndron me misionarët gjatë një pjese të madhe të punës në famullinë e Pejës. Don Nikollë Mazreku shfaqet si këshilltar për nisjen e misionit ndër të krishterët e Hasit. Këta emra tregojnë se misioni nuk ishte vepër e një njeriu të vetëm, por rrjet bashkëpunimi ndërmjet jezuitëve, françeskanëve, meshtarëve vendas dhe laikëve katolikë.

Prandaj, kur flasim për emrat e katolikëve që dalin në Kapitullin VIII, duhet të veçojmë disa figura me rëndësi: Ginin nga Palabardhi, fandasin mikpritës dhe të ndërgjegjshëm, që merr pjesë në mision dhe bëhet pjesë e pajtimit të gjaqeve; Nikollë Getën, që ndërhyn për ta thirrur Ginin drejt faljes; Nikollë Gjetjen nga Novosella, që lëshon shtëpinë e tij për misionin dhe e kthen atë në kishë të përkohshme; Frrokun nga Smaqi, që bën pesë orë rrugë për të marrë më shumë mësim dhe për t’ua mësuar pastaj të tjerëve; familjen Koci nga Gllogjani, e cila kishte rreth tridhjetë anëtarë dhe ruante mësimin e marrë nga Pasi; Sylën nga Gllogjani, të riun që vazhdon lutjet me fëmijët; Lekë Ali Kurtin, në familjen e të cilit kishte ardhur nuse gruaja 90-vjeçare që dëshmoi për apostazitë e vona në Prekorupë; Prenk Dodën nga Dobërdoli, familja e të cilit qëndron si shembull më i mirë në një fshat të ftohur; Gjok Ndrecën nga Potoqani, shtëpia e të cilit bëhet qendër misionare; dhe Prend Palokën nga Gjurakoci, që mbetet pas largimit të tri familjeve të tjera katolike. Këta emra nuk janë thjesht hollësi narrative. Ata janë gurë kujtese. Përmes tyre, historia e katolicizmit shqiptar del nga abstraksioni dhe merr fytyra konkrete.

Vlera shkencore e këtij kapitulli qëndron pikërisht në ndërthurjen e emrave, fshatrave, familjeve, statistikave dhe rrëfimeve të veçanta. Cordignano na jep një hartë të gjallë të katolicizmit shqiptar në Kosovë: Vogovë, Palabardh, Gramaqel, Dujakë, Novosellë, Janosh, Firajë, Dobrigje, Bec, Rakoç, Bardhaniq, Zhabel, Nepole, Gllogjan, Zllakuqan, Dobërdol, Cerovik, Prekorupë, Klinë, Dugojevë, Poterq, Krushevë, Gjurakoc, Brekovë, Leskoc, Ranoz, Patoqan, Radulloc, Budisalcë, Jagodë, Paskaliqë, Videjë, Novosellë, Velezhë, Shpenadi, Salagrazhdë, Zym, Binçë, Stubëll, Vernakolë e Karadak. Kjo hartë duhet lexuar si hartë e një Kishe të shpërndarë, por jo të shuar; të varfër, por jo pa dritë; të rrezikuar, por jo pa njerëz që e mbajtën gjallë.

Megjithatë, leximi shkencor duhet të jetë i kujdesshëm ndaj gjuhës së Cordignanos. Ai shkruan si jezuit katolik i viteve 1930 dhe përdor shpesh terma polemikë si “apostatë”, “turq”, “skizmatikë”, “të pafe” dhe gjykime të ashpra morale. Këto duhen kuptuar në kontekstin e kohës dhe të botëkuptimit të autorit. Faktet që ai sjell janë me vlerë të madhe; gjykimet e tij duhet të filtrohen. Kur ai flet për apostazi, studiuesi duhet të pyesë edhe për mungesën e shkollës, mungesën e meshtarit, presionin shoqëror, varfërinë, trashëgiminë, frikën dhe mungesën e drejtësisë. Kur ai flet për ftohje fetare, duhet parë edhe izolimi gjeografik dhe institucional. Kur ai flet për “të rënë”, duhet parë edhe pesha e një sistemi historik që i shtynte njerëzit drejt fshehjes ose përshtatjes.

Në përfundim, Kapitulli VIII i L’Albania, Vëllimi II, të P. Fulvio Cordignano S.I., është një arkiv i gjallë i katolicizmit shqiptar në Kosovën perëndimore. Ai na jep jo vetëm historinë e P. Pasit, por historinë e fshatrave, të familjeve dhe të njerëzve që e ruajtën ose e humbën fenë nën trysninë e kohës. Zllakuqani del si stacion shpirtëror i Lugut të Drinit; Gllogjani dhe Nepolja si “Roma” të vogla të qëndresës; Klina si dëshmi e pranisë mirditore dhe e përzierjes së krishterë; Prekorupa si kufi i rrezikuar i katolicizmit; Dobërdoli si dramë e shuarjes; Novosella si shembull i një fshati tërësisht katolik fandas; Palabardhi si vendi i Ginit; Potoqani si qendër misionare në shtëpinë e Gjok Ndrecës; Rakoçi, Bardhaniqi dhe Zhabeli si dëshmi të rënies së shpejtë fetare; Gjurakoci si mësim mbi fuqinë e bashkimit familjar; Dugojeva dhe Poterqi si vende të të krishterëve të shpërndarë; Binça, Stublla, Vernakola dhe Karadaku si kujtesë e laramanëve që kërkuan të dilnin hapur në fenë e të parëve.

Ky reflektim analitik, hulumtues, studimor dhe shkencor i imi dëshmon se historia e Kishës nuk ruhet vetëm në katedrale, ipeshkvi dhe dokumente zyrtare, por ruhet edhe në shtëpitë e Nikollë Gjetjes dhe Gjok Ndrecës, në lutjet që Syla ua mësonte fëmijëve, në mikpritjen e Ginit, në kujtesën e gruas 90-vjeçare të familjes së Lekë Ali Kurtit, në qëndresën e nënës së Gllogjanit, në familjen e Prenk Dodës, në Prend Palokën e mbetur në Gjurakoc, në fëmijët që mësonin shenjën e kryqit, në burrat që falnin gjakun, në gratë që mbronin fenë e fëmijëve të tyre, në livadhet që ktheheshin në vende lutjeje dhe në fshatrat që, edhe kur ishin të vogla e të harruara, mbanin në vete dritën e një trashëgimie të vjetër katolike shqiptare.

Më 6 korrik 2026

TV Opoja, një “televizion i Allahut…!”

0

Shkruen e knon: Lirim Patrioti

(Lirim Gashi, Prizren)

TV OPOJA – I VETMI TELEVIZION QË NUK TRANSMETON PROGRAM, POR GJENDJE TË RËNDË SHPIRTËRORE
TV Opoja është, me shumë gjasë, i vetmi televizion në botë që nuk transmeton program, por gjendje të rëndë shpirtërore.
Punon njëzet e katër orë në ditë, shtatë ditë në javë, pa u lodhur kurrë, sepse, me sa duket, me energji elektrike e furnizon drejtpërdrejt Departamenti Qiellor i Imamit Azdren Shala.
Sapo e shtyp butonin e telekomandës, nuk të pret ndonjë lajm, film apo debat politik. Jo. Të pret një melodi aq mortore, sa edhe ora e murit i ndalon akrepat për një minutë heshtjeje, ndërsa lulet në vazo fillojnë të mendojnë seriozisht për jetën e përtejme. As reflektorët e studios, as mikrofonët e këngëtarëve nuk kanë formë të zakonshme.
Nga dashuria dhe respekti për Profetin më të dashur të Allahut, ata janë modeluar sipas varrit të tij. Njeriu i painformuar do të besonte se e kanë doktoruar arkitekturën çeçene të mauzoleve. Mikrofonët, ndërkaq, nuk regjistrojnë zë. Ata regjistrojnë pendim.
Nëse arrin ta shikosh programin më shumë se pesëmbëdhjetë minuta pa e pyetur veten nëse je ende gjallë apo ke kaluar tashmë në botën tjetër, meriton medalje për qëndrueshmëri psikike.
Sa më shumë që emisioni i afrohet fundit, aq më tepër të duket sikur ke mbërritur para portës së Xhenetit. Por aty nuk të presin engjëjt. Të pret komisioni pranues, i përbërë nga Opojuš Hajvančić, Dragaš Milošević dhe Mazlem Zulumović.
Të shikojnë me një seriozitet të tillë, sa edhe gurët e varreve ndiejnë keqardhje të sinqertë për ty. Nëse e kalon provimin, porta të hapet ngadalë me çelësat që, sipas gojëdhënës, vetë Allahu i Mëshirshëm ia ka besuar zonjës Erdoganka Pičkobrijić. Nëse nuk e kalon… Mos u mërzit. Programi përsëritet pas pesë minutash.
Në TV Opoja edhe përjetësia transmetohet me reprizë. Pastaj fillojnë reklamat dhe ti gëzohesh, duke menduar se Allahu Mëshirues t’i ka dhuruar pesë minuta pushim nga funerali yt. Por pikërisht atëherë e kupton se fizika ka falimentuar, biologjia ka dhënë dorëheqje, ndërsa muzika është shpallur zyrtarisht degë e patologjisë ligjore. Këngëtari nuk këndon. Ai melodinë e lexon sikur violinistit po ia komunikon rezultatet e autopsisë sate. Madje edhe notat muzikore ecin me bastun, të veshura me të zeza, duke mbajtur zi për ritmin. Kamera lëviz aq ngadalë, sa edhe breshka i ankohet regjisorit se po e nxiton pa nevojë. Regjisori nuk bën montazh. Ai pret me durim që edhe vetë sekondat të plaken, përpara se të kalojë në kuadrin tjetër.
Pas gjysmë ore shikimi, familjet e Opojës fillojnë pëshpërisin brenda shtëpive të tyre, nga frika se mos po e zgjojnë nga gjumi Azrailin (exhelin) sepse druajnë se pastaj i fton në darkë. Edhe frigoriferi pushon së gumëzhuari, ndërsa lavatriçja kalon vetvetiu në programin “lutje me përulësi”. Meteorologët kanë vënë re një dukuri të pazakontë. Sa herë që ndizet TV Opoja, retë mblidhen vetvetiu mbi antenë, ndërsa Dielli paraqet kërkesë për pushim vjetor. Thuhet se një turist, krejt rastësisht, e zbuloi këtë kanal.
Pas tre minutash e pyeti recepsionistin e hotelit: — Më falni… a jam ende në Kosovistan apo kam hyrë gabimisht në kapitullin e fundit të historisë së njerëzimit? Edhe telekomanda, pas disa ditësh përdorimi, refuzon ta ndezë atë kanal. Butoni OK shndërrohet vetvetiu në “A je i sigurt?”, ndërsa butoni për ngritjen e zërit nuk e shton tingullin — vetëm e thellon trishtimin. Kulmi arrin kur ndërpritet energjia elektrike. Të gjitha televizionet e tjera heshtin. Vetëm TV Opoja e vazhdon transmetimin.
Askush nuk e di prej nga e merr sinjalin. Disa thonë se i vjen nga sateliti. Të tjerë betohen se buron nga trekëndëshi magjik i hoxhanices Igballe Huduti. Pesimistët më të mëdhenj besojnë se vetë heshtja është bërë sponsori zyrtar i programit. Në fund, spikeri të uron natë të mirë me një buzëqeshje aq solemne, sa ti fillon të dyshosh nëse vërtet të buzëqeshi apo ishte thjesht një defekt teknik. Prandaj mos u çudit nëse një ditë UNESCO e shpall TV Opojën trashëgimi botërore. Jo për programin. Por si rezervatin e fundit në botë ku humori hyri gabimisht… dhe nuk arriti të dilte më kurrë.

Një përgjigje ndaj leximit selektiv të identitetit shqiptar

0
KUR HISTORIA INSTRUMENTALIZOHET PËR IDEOLOGJI — NJË PËRGJIGJE NDAJ LEXIMIT SELEKTIV TË IDENTITETIT SHQIPTAR !
Debati publik fiton nga argumentet, jo nga etiketimet. Për këtë arsye, shkrimi i fundit i Prof. Milazim Krasniqit nuk ngre një debat të ri historik; ai dëshmon se sa lehtë mund të zëvendësohen faktet me përfundime ideologjike.
Askush nuk e mohon krimet e kryera nga regjimet serbe ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve myslimanë. Ato janë të dokumentuara dhe përbëjnë një pjesë tragjike të historisë së Ballkanit. Por prej këtij fakti nuk rrjedh përfundimi se identiteti kombëtar shqiptar duhet të përkufizohet përmes një feje të vetme, apo se çdo diskutim mbi historinë fetare të shqiptarëve është domosdoshmërisht pjesë e një projekti armiqësor.
Këtu qëndron dobësia kryesore e këtij interpretimi.
Në vend që të polemizojë me dokumente, me burime historike dhe me argumente, autori zgjedh t’i etiketojë si “shpellarë” ata që kanë një këndvështrim tjetër mbi historinë dhe identitetin. Madje, ai arrin deri aty sa t’i cilësojë “thirrje kriminale” thirrjet për rikthim në një besim fetar, ndonëse liria për të ndryshuar ose zgjedhur besimin është një e drejtë themelore e garantuar në çdo shtet demokratik.
Kur një debat akademik zëvendësohet me etiketime, nuk kemi më shkencë. Kemi polemikë ideologjike.
Historia e shqiptarëve nuk fillon me periudhën osmane dhe as nuk përfundon me të. Ajo përfshin Dardaninë, Arbërinë mesjetare, trashëgiminë e krishterë, periudhën osmane, Rilindjen Kombëtare dhe shtetformimin modern. Çdo përpjekje për ta reduktuar këtë histori në një identitet të vetëm fetar është një thjeshtim që nuk i bën drejtësi së kaluarës sonë.
Po aq problematik është edhe insinuimi se çdo lëvizje ose individ që flet për rikthimin në besimin e të parëve është domosdoshmërisht në shërbim të projekteve serbe. Kjo nuk është analizë historike; është një përfundim i përgjithshëm që nuk zëvendëson provat.
Nëse dikush pretendon se një ide është e gabuar, atëherë duhet ta rrëzojë me dokumente, me burime dhe me arsyetim. Etiketimet nuk janë argumente.
Krimet e projekteve serbomëdha nuk mund të përdoren për të mbyllur çdo debat mbi historinë fetare të shqiptarëve. Përkundrazi, pikërisht sepse shqiptarët kanë vuajtur nga ideologjitë përjashtuese, ata duhet të jenë të parët që mbrojnë lirinë e mendimit, lirinë e ndërgjegjes dhe të drejtën për debat.
Manastiri i Deçanit
Rikthimi i një shqiptari në një besim fetar, nëse bëhet me vullnet të lirë, nuk është krim. Po ashtu, mbetja në besimin aktual nuk është tradhti. Këto janë zgjedhje personale që mbrohen nga rendi kushtetues dhe nga parimet universale të të drejtave të njeriut.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për histori të lexuar në mënyrë selektive. Ata kanë nevojë për një histori të plotë, ku pranohen të gjitha shtresat e identitetit të tyre, pa përjashtime dhe pa frikë nga debati.
Debati akademik nuk forcohet duke i etiketuar kundërshtarët. Ai forcohet duke iu përgjigjur argumenteve me argumente. Pikërisht aty matet serioziteti i një studiuesi.

Islamizimi legal i fëmijëve në shtetin laik të Kosovës për interesat antishqiptare

0
KUR SHTETI LAIK HESHT, BOSHLLËKUN E MBUSHIN TË TJERËT !

Lajmi se mbi 150 fëmijë të moshës 7 deri në 16 vjeç kanë nisur kursin veror në Xhaminë Qendrore “Bajrampasha Isa Beg” në Mitrovicë nuk duhet parë thjesht si një aktivitet veror. Ai duhet të shërbejë si një alarm për institucionet e arsimit dhe të pushtetit lokal.
Po e shkruaj këtë reagim si veteran i arsimit, me përvojë shumëvjeçare si në Kosovë, ashtu edhe në diasporë. Kam qenë pjesë e organizimit të shkollave dhe kurseve verore ku fëmijët mësonin gjuhën shqipe, historinë kombëtare, letërsinë, kulturën, traditat, artin dhe edukimin qytetar. Qëllimi ynë ishte formimi i një brezi të ditur, kritik në mendim, krenar për identitetin e tij dhe i përgatitur për jetën në një shoqëri demokratike.

Sot shtrohet pyetja: ku janë institucionet e shtetit?

Kosova është republikë demokratike dhe shtet laik. Kjo do të thotë se shteti respekton lirinë e besimit për të gjithë, por njëkohësisht ka detyrimin të mos e lërë edukimin e brezit të ri pa alternativa publike cilësore.
Askush nuk ua mohon bashkësive fetare të drejtën për të organizuar aktivitetet e tyre për besimtarët. Kjo është e drejtë kushtetuese. Mirëpo, është po aq legjitime të pyesim pse komunat, Ministria e Arsimit, bibliotekat, qendrat rinore, institucionet kulturore dhe sportive nuk organizojnë në të njëjtën masë kampe verore, shkolla të gjuhës shqipe, aktivitete shkencore, artistike, sportive dhe kulturore për fëmijët.

Kur shteti mungon, dikush tjetër e mbush atë hapësirë.

Nuk është problem që një xhami organizon kurs veror. Problemi lind kur institucionet shtetërore nuk ofrojnë alternativa të mjaftueshme dhe edukimi joformal i fëmijëve mbetet pothuajse vetëm në dorën e institucioneve fetare.
Si mësimdhënës kam besuar gjithmonë se prioriteti i fëmijës duhet të jetë shkolla, dija, shkenca, libri dhe mendimi kritik. Edukimi qytetar nuk ndërtohet vetëm mbi bindjet fetare, por edhe mbi njohjen e historisë sonë, kulturës shqiptare, respektimin e ligjit, barazinë, të drejtat e njeriut dhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë.
Në opinion janë ngritur shpesh shqetësime se në disa raste nxënës largohen nga aktivitetet shkollore për të marrë pjesë në rituale fetare. Këto raste, kur ndodhin, duhet të trajtohen me seriozitet nga institucionet arsimore, sepse arsimi duhet të mbetet përparësi.
Nuk mund të mos shtroj edhe një pyetje tjetër: a janë drejtuesit komunalë në pushim, apo e konsiderojnë këtë situatë normale? Heshtja institucionale nuk është zgjidhje. Fëmijët kanë nevojë për më shumë mundësi, jo për më pak.
Sot më shumë se kurrë Kosovës i nevojitet një strategji kombëtare për aktivitetet verore të fëmijëve dhe të rinjve. Shkollat, komunat, universitetet, bibliotekat, muzetë, qendrat sportive dhe organizatat kulturore duhet të bashkëpunojnë për të krijuar programe që zhvillojnë dijen, talentin, kreativitetin dhe identitetin qytetar.

Thuhet me të drejtë se armiku nuk pushon derisa të arrijë qëllimin e vet. Për këtë arsye, as shteti nuk duhet të pushojë së kryeri detyrën e tij më të rëndësishme: edukimin e brezit të ri.
Një shtet i fortë nuk ndërtohet vetëm me ligje dhe institucione. Ai ndërtohet duke investuar çdo ditë në arsimin, kulturën dhe ndërgjegjen qytetare të fëmijëve të tij.
Kosova ka nevojë për më shumë shkolla verore e më pak boshllëqe institucionale. Sepse aty ku mungon shteti, gjithmonë do të gjendet dikush tjetër për ta zënë vendin e tij.

Gazeta Selam – propaganda e huaj që fshihet pas flamurit shqiptar

0

Luan Dibrani, Prevallë

 Gazeta Selam dhe kjo foto janë shembull i qartë i një propagande që nuk i shërben vetëdijes kombëtare shqiptare.

Unë e shkruaj këtë koment jo nga urrejtja ndaj askujt, as ndaj fëmijëve në këtë fotografi, sepse fëmijët janë të pafajshëm. Problemi është te mesazhi që përçohet nga Gazeta Selam përmes kësaj pamjeje: vendosja e simbolit shqiptar përballë një flamuri të huaj politik, duke krijuar përshtypjen sikur çështja shqiptare duhet të barazohet me kauza arabe, islamike, iraniane apo palestineze. Kjo pamje, në shikim të parë, mund të duket e pafajshme: dy fëmijë të buzëqeshur, njëri me simbolin shqiptar, tjetri me flamurin palestinez. Por pas kësaj pamjeje fshihet një problem i madh politik, kulturor dhe kombëtar.

Fëmijët nuk janë problemi. Ata janë të pafajshëm. Problemi është mesazhi që dikush përpiqet ta fusë përmes tyre: barazimi i çështjes shqiptare me agjenda të huaja, me konflikte të huaja dhe me flamuj që nuk kanë lidhje me historinë tonë kombëtare.

Kombi shqiptar ka flamurin e vet, gjakun e vet, historinë e vet, martirët e vet dhe rrugën e vet perëndimore. Flamuri kuqezi nuk ka nevojë të vendoset në një nivel me asnjë flamur tjetër për t’u ndjerë i vlefshëm. Ai që e vendos identitetin shqiptar në shërbim të kauzave të huaja, e dobëson vetëdijen kombëtare dhe e ngatërron orientimin historik të shqiptarëve.

Kjo është e dëmshme për kombin shqiptar për disa arsye:

E para, sepse flamuri shqiptar nuk është dekor propagandistik. Ai është simbol i gjakut, historisë, sakrificës dhe identitetit tonë kombëtar.

E dyta, sepse fëmijët nuk duhet të përdoren për mesazhe ideologjike. Kjo foto luan me emocionet e njerëzve, por në thelb bart një mesazh politik.

E treta, sepse kombi shqiptar nuk duhet të paraqitet si pjesë e ndonjë fronti fetar apo lindor. Shqiptarët janë komb evropian, me orientim perëndimor dhe me aleanca historike me botën demokratike.

E katërta, sepse humanizmi për çdo popull nuk duhet të kthehet në dobësim të identitetit shqiptar. Ne mund të ndiejmë dhimbje për çdo viktimë në botë, por nuk pranojmë që flamuri ynë të përdoret për agjenda të huaja.

E pesta, sepse një gazetë që e vendos vazhdimisht theksin te ideologjitë fetare e të huaja, dhe jo te interesi kombëtar shqiptar, nuk mund të quhet zë i shëndoshë kombëtar. Ajo rrëshqet në një vijë antikombëtare, anti-shqiptare dhe pro-islamizmit politik.

Prandaj reagimi im është i qartë: Gazeta Selam, me këtë lloj paraqitjeje, nuk po e lartëson shqiptarinë, por po e relativizon atë. Nuk po e mbron kombin, por po e fut në hije të kauzave të huaja.

Shqiptarët kanë flamurin e tyre, gjuhën e tyre, historinë e tyre, heronjtë e tyre dhe rrugën e tyre kombëtare. Flamuri kuqezi nuk vendoset në peshore me asnjë flamur tjetër.

Kjo foto është pasqyra më e qartë e “Gazetës Selam”: një frymë antikombëtare dhe anti-shqiptare që përpiqet ta vendosë flamurin shqiptar në të njëjtin nivel me flamuj e kauza të huaja politike, arabe, iraniane e islamike.

Fëmijët në këtë pamje janë të pafajshëm, por mesazhi që u është veshur është i rrezikshëm. Kjo nuk është thjesht fotografi. Kjo është propagandë simbolike. Është përpjekje për ta relativizuar identitetin shqiptar, për ta zbehur flamurin kuqezi dhe për ta futur kombin tonë në hije të agjendave të huaja.

Pikërisht për këtë arsye e quaj këtë foto logo morale dhe pasqyrë ideologjike të Gazetës Selam: jo gazetari kombëtare, por frymë që i shërben islamizmit politik dhe kauzave të huaja, duke e përdorur shqiptarinë si dekor.

Shqiptarët kanë flamurin e tyre, historinë e tyre, gjakun e tyre dhe rrugën e tyre perëndimore.
Flamuri kuqezi nuk nivelizohet. Kombi shqiptar nuk bëhet shtojcë e askujt. Fëmijët nuk përdoren për propagandë.

Fëmijët mos i përdorni për propagandë.
Flamurin shqiptar mos e bëni shtojcë të ideologjive të huaja.
Kombi shqiptar nuk nivelizohet, nuk shitet dhe nuk përdoret si dekor.

Për Gjon Gazullin, një dijetar, astronom dhe diplomat të shquar me origjinë nga Shqipëria e veriut

0
Shkancetari Profesor Gjon Gazull ne Universitetin e Padoves:
Gjatë një kërkimi të detajuar në arkivat e fshehura të bibliotekave të vjetra në Venedik, historianët hasën në dokumentet origjinale të një shpirt gjenial të shekullit të XV që po ndryshon historinë e matematikës.
Bëhet fjalë për Gjon Gazullin, një dijetar, astronom dhe diplomat të shquar me origjinë nga Shqipëria e veriut, i cili kishte projektuar skicat e plota të një pajisjeje mekanike që kryente llogaritje gjeometrike përpara se Leonardo da Vinçi apo shkencëtarët e tjerë europianë të mendonin për makinat llogaritëse.
Dokumentet e tij u mbajtën të mbyllura nën kapakë lëkure për pesë shekuj me radhë për shkak të prapaskenave politike dhe rrezikut të kohës.
Ky zbulim i vërtetueshëm tregon se si Gazulli, i cili punonte si profesor i shkencave ekzakte në Universitetin e Padovës, kishte krijuar një sistem rrotash të dhëmbëzuara që ndihmonin tregtarët dhe lundruesit e Adriatikut të parashikonin pozicionin e yjeve dhe të llogaritnin distancat detare në kohë rekord.
Saktësia e skicave të tij të lëna mbi pergamenë ka habitur inxhinierët modernë, të cilët kanë përdorur kompjuterët e avancuar për të simuluar këtë model të vjetër, duke zbuluar se efikasiteti i tij ishte i përsosur.
Ky fakt i dokumentuar po detyron shumë institute të huaja të rishkruajnë kapitujt e parë mbi lindjen e teknologjisë llogaritëse në Europë.

Ti ishe bekim për ne

0

Arif Ejupi, Gjenevë

Poezi

(Kushtuar mësuesit tim të parë, Sabri Raçi, me rastin e 80-vjetorit të lindjes)

Lindja jote
ishte bekim për ne.

Nga balta
dhe pluhuri
na nxore;
si farkëtari i mirë
hekurin e lakuar,
na drejtove.

Na bëre
ta njohim vetveten
dhe ta themi
të vërtetën,
qoftë edhe
e hidhur
si pelini.

Na mësove
të falim dashuri
dhe të ndiejmë
dhembshuri.

Na mësove
që dëshirat
t’i plotësonim
me disiplinë
e punë,
e assesi
me forcë
e dhunë.

Na edukove
me respektin
ndaj të moshuarve
dhe të sëmurëve.

Na mësove
të mos bëhemi
zvarranikë
e vegël e askujt.

Vazhdimisht na thoshe:
Poqëse
Atdheu rrezikohet,
të gjithë
zot duhet t’i dalim,
se nuk kemi
Atdhe rezervë.

Ishe i qetë,
i ditur
dhe i urtë.

Me fjalë të ëmbla
dhe këshilla prindërore
na mbolle dashurinë
për shokët,
shoqet
dhe shkollën.

Veçanërisht për shoqet
na thoshe:

“Me sjelljen tuaj njerëzore
bëni që shkollat
të mbushen me to.”

Aty ku shkeli
këmba jote,
u shua errësira
dhe mbërriti drita.

Ishe dhe do të mbetesh
fanar drite
i shumë brezave!

Më 6 korrik 2026

SHBK „Salih Çekaj“ në Zvicër përkujton 28-vjetorin e rënies heroike të Heroit Rrustem Bruqi

0

Saim Tahiraj, Zvicër

Sot, me respektin dhe nderimin më të lartë, kujtojmë 28-vjetorin e rënies heroike të Heroit Rrustem Bruqi, njërit ndër figurat më të rëndësishme politike, organizative dhe ushtarake të komunës së Deçanit dhe të historisë më të re të Kosovës.

Rrustem Bruqi, me profesion jurist, ishte ndër veprimtarët më të palodhur të çështjes kombëtare. Ai u angazhua në pothuajse të gjitha proceset politike të viteve ’90, por veprimtaria e tij kishte filluar shumë më herët. Ishte njëri ndër kundërshtuesit më të vendosur të ndryshimeve të dhunshme kushtetuese të regjimit serb, duke organizuar dhe marrë pjesë në mbledhje, tubime masive dhe protesta në komunën e Deçanit dhe më gjerë.

Si anëtar i Shoqatës së Juristëve të Deçanit, së bashku me kolegët e tij, tregoi guxim të jashtëzakonshëm qytetar dhe kombëtar duke hartuar Statutin e Komunës së Deçanit në përputhje me Kushtetutën e Kaçanikut. Në rrethanat e okupimit serb, ky ishte një akt i rëndësishëm juridik dhe politik, që dëshmonte vendosmërinë për ndërtimin e institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës.

Veprimtaria e Heroit Rrustem Bruqi nuk u kufizua vetëm në organizimin politik. Ai ishte njëri ndër ideatorët, së bashku me Heroin Salih Çekaj, Xhemajl Berishën dhe disa djem të Deçanit me rrethinë, të themelimit të grupeve të para të armatosura shqiptare. Që nga viti 1991, këto grupe filluan aksionet guerile kundër policisë pushtuese serbe dhe vazhduan pa ndërprerje deri në fillimin e luftës çlirimtare. Në bashkëpunim me grupet e tjera të organizuara në Kosovë, ato goditën vazhdimisht aparatin represiv serb dhe krijuan bazën e rezistencës së armatosur.

Këto grupe përbënin bazamentin e fuqishëm mbi të cilin më vonë u ndërtua Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Me fillimin e luftës, Grupi i Deçanit mori mbi supet e veta një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të luftës: organizimin e pikave të furnizimit me armatim në Tropojë, Viçidol dhe Papaj, nën udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe të ministrit, kolonel Ahmet Krasniqi.

Më 19 prill 1998, pjesëtarët e këtij grupi hynë në Kosovë dhe organizuan pritjen e Brigadave Operative, të cilat më pas u futën në Kosovë nën komandën e kolonel Tahir Zemaj. Ata organizuan dhe siguruan furnizimin me armatim nga shtetet perëndimore dhe nga Shqipëria, duke krijuar një zinxhir të fuqishëm logjistik për nevojat e luftës çlirimtare.

Një kontribut i veçantë i Heroit Rrustem Bruqi ishte organizimi, së bashku me bashkëluftëtarët e tij dhe me mbështetjen e banorëve të Isniqit, i kalimit të rreth njëqind ushtarëve nga Kosova në Shqipëri. Pikërisht në Papaj, këta luftëtarë dhanë betimin ushtarak para Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi.

Po ashtu, Rrustem Bruqi, së bashku me kolegët e tij dhe me banorët e Isniqit, organizoi përgatitjet për vendosjen e tri Brigadave Operative të komanduara nga kolonel Tahir Zemaj, duke krijuar kushtet për veprimin e tyre në Zonën Operative të Dukagjinit.

Përkundër të gjitha përgjegjësive organizative dhe logjistike që mbante mbi supe, Heroi Rrustem Bruqi nuk qëndroi prapa vijës së frontit. Ai ishte aty ku zhvillohej lufta. Mori pjesë drejtpërdrejt në Betejën e Logjës, një ndër betejat më të lavdishme të luftës sonë çlirimtare, e komanduar nga oficerët profesionistë të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, në krye me kolonel Tahir Zemaj.

Më 6 korrik 1998, Rrustem Bruqi ra heroikisht në fushën e nderit, duke fituar pavdekësinë. Gjaku i tij dhe i të gjithë dëshmorëve u bë themeli i fuqishëm mbi të cilin qëndron shteti i Kosovës.

Në këtë përkujtim u përmend vetëm një pjesë e veprimtarisë së Heroit Rrustem Bruqi, sepse kontributi i tij është shumë më i madh sesa mund të përfshihet në një shkrim të vetëm.

Veprimtaria e Heroit Rrustem Bruqi është shumëdimensionale dhe nuk mund të izolohet vetëm brenda kornizave të Betejës së Logjës, sado madhështore dhe historike të jetë ajo. Kur flasim për figurën e tij, duhet të flasim për të gjithë rrugëtimin e tij kombëtar, që fillon me organizimin politik të viteve të rezistencës, vazhdon me organizimin e rezistencës së armatosur, me ndërtimin e strukturave ushtarake të Republikës së Kosovës dhe përfundon me rënien e tij heroike në altarin e lirisë.

Ata ecën krah për krah me idealin e Presidentit Ibrahim Rugova, me institucionet e Republikës së Kosovës, me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me luftëtarët e lirisë, deri në rënien e tyre heroike në fushën e nderit.

Prandaj, Rrustem Bruqi dhe Salih Çekaj nuk janë vetëm heronj të betejave ku ranë. Ata janë arkitektë të rezistencës sonë kombëtare, themelues të organizimit politik e ushtarak të Republikës së Kosovës dhe gurë themelorë të shtetit të Kosovës. Ata janë vetë liria dhe vetë shteti i Kosovës.

Lavdi Heroit Salih Çekaj!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

Me shumë nderime kryesia e SHBK „Salih Çekaj“,kryetari Saim Tahiraj!

Pse shqiptarët u besojnë aq verbërisht të huajve, e aq pak vetvetes?

0

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

(Një shpjegim ad hoc sociologjik)

1. Historikisht, prej se shqiptarët janë identifikuar si komunitet, si etni, si komb e si organizim sociopolitik, por jo edhe si individë e personalitete, ata gjithnjë kanë bartur në (nën)vetëdije kompleksin e inferioritetit (kolektiv) dhe atë të superioritetit (individual) në raport me të tjerët. Jo aq për fajin e tyre, sa për fajin e të tjerëve, të cilët u dëshmuan më të shkathët në krijimin dhe organizimin e jetës së tyre individuale e kolektive.

Dhe jo vetëm kaq. Këta “të tjerë” këtë shkathësi dhe këtë organizim politik, social, kulturor, madje edhe ushtarak, e “mirëmbajtën” dhe e imponuan kryesisht përmes pushtimit dhe imponimit të vullnetit të tyre mbi shtetet, kombet dhe shoqëritë e tjera, të cilat sociologjikisht u cilësuan si “periferike”. Në këtë vorbull u gjendën edhe parardhësit e shqiptarëve të sotëm.

Këta parardhës tanë, të cilët historia herë i identifikon si pellazgë e herë si ilirë, me indiferencën dhe mungesën e gatishmërisë për ta udhëhequr vetveten (aludoj te kolektivi i organizuar sociopolitik, e jo te fisi), mbetën peng, që nga Iliria e Dardania e deri në ditët e sotme, të ambicieve dhe synimeve të këtyre “të tjerëve”.

Duke u munduar ta zbërthej lojalitetin, besimin apo edhe “aftësinë” ose prirjen e shqiptarëve për t’u akomoduar ndaj pushtuesve e sunduesve (që shpeshherë ngatërrohen, me ose pa qëllim, me konceptet e miqësisë dhe aleancave të ndryshme, të “evidentuara” në katalogët e historisë së qenësimit), më duket se kjo logjikë verbëruese, ky lojalitet nënshtrues dhe ky besim “blanko” (që e kërkonin të huajt nga paraardhësit tanë), e kanë burimin pjesërisht te rrethanat sociopolitike, pjesërisht te kushtëzimet ekonomike, më shumë te ato ushtarake, por, pa dyshim, edhe te ambiciet bajraktare për t’u realizuar si karizma në sytë e komunitetit dhe të pushtuesve.

2. Mendoj se e gjithë kjo temë, e shtruar me qëllim të zbërthimit të origjinës së këtij fenomeni, është më tepër një tematikë etike sesa antropologjike.

Nëse është etike, atëherë “verbëria” jonë, si individuale ashtu edhe kolektive, duhet kërkuar te kodet, normat dhe, pse jo, edhe te periferizimi i tyre përgjatë gjithë historisë së organizimit tonë psikosocial.

Por, nëse është antropologjike (gjë për të cilën shoh shumë pak gjasa argumentuese), atëherë ky besim i verbër që shqiptarët kanë demonstruar ndaj të huajve duhet kërkuar te veçoritë e tyre biologjike. Mendoj se kjo është një “adresë” tërësisht e gabuar, sepse do të na nxirrte në një përfundim antisocial, antihistorik dhe aspak argumentues.

3. Së këndejmi, dioptria sociologjike duket se na jep shpjegimin më të përafërt dhe, do të shtoja, edhe më të besueshëm për këtë lloj veçorie, këtë “produkt” historik të identifikuar si “Made in Albania”.

Sociologjikisht, mungesa e një përvoje historike të qeverisjes me vetveten (sepse me të tjerët, si në Perandorinë Romake, ashtu edhe në atë Osmane e Serbe, shqiptarët janë dëshmuar mjaft të zotë), pastaj egoizmi i ushqyer përmes normave, kodeve morale e kanunore, së bashku me indiferencën e “mirëmbajtur” nga trysnia shekullore e pushtuesve, kanë bërë që kjo “traditë” famëkeqe e mungesës së gatishmërisë për ta qeverisur vetveten si kolektiv sociopolitik të bartet edhe në ditët tona.

Së këndejmi, përgjigjja sociologjike në pyetjen se përse shqiptarët u besojnë aq shumë të huajve, sipas gjykimit tim, “fle”, ndër të tjera, në historinë e tyre mbijetuese; në mungesën e traditës së qeverisjes me vetveten; në përvojën stereotipike ndaj vetvetes; në glorifikimin e aftësive të të huajve, e kështu me radhë.

Epilogu

BESNIKËRIA e verbër e shqiptarëve ndaj të huajve, historikisht, u dëshmua si e padobishme, sepse nuk u shfrytëzua për maksimalizimin e interesave kombëtare e shtetërore.

Kulturalisht, ajo u dëshmua mjaft e rrezikshme, sepse na solli buzë greminës së asimilimit.

Ndërkaq, personalisht, ajo rezultoi tejet e leverdishme, sepse përfitimet e kësaj natyre u shërbyen kryesisht individit, rrethit familjar, klanit dhe grupeve të interesit