

Një shtëpi e rrënuar në Kungsängen, në veri të Stokholmit, u godit nga një shpërthim të enjten në mëngjes. Foto: Jonas Ekströmer / TT / NTB
21.22 – NTB / Aftenposten
Qeveria e Suedisë do të bëjë thirrje në mbrojtje në luftën kundër dhunës së bandave. Tani NATO po hapet gjithashtu për të ndihmuar autoritetet suedeze të gjurmojnë keqbërësit.
“Po të jetë e nevojshme, Qendra e NATO-s është e gatshme të ndihmojë policinë suedeze,” i tha Aftonbladet oficeri i shtabit të NATO-s Raffe Thein.
Ai punon në Qendrën e NATO-s për Eksplozivët e Improvizuar në Madrid (C-IED COE).
Autoritetet suedeze kanë diskutuar se si Forcat e Armatosura Suedeze mund të ndihmojnë policinë me misionet e vëzhgimit në lidhje me valën e vazhdueshme të dhunës.
Përveç kësaj, ministri i Drejtësisë Gunnar Strömmer ka thënë se do të përfitojë nga ekspertiza e bombardimeve dhe eksplozivëve të ushtrisë.
Thein thotë se duhet të gjeni lidhjet mes njerëzve të ndryshëm para se të gjeni trurin pas operacionit.
“Është gjithmonë dikush që ndërton bombën, dikush që vendos bombën dhe dikush që planifikon të gjithë sulmin,” i tha ai gazetës.
“Duhen bërë përpjekje për të identifikuar dhe ndaluar fluksin e mallrave shpërthyese dhe përbërësve gjurmues. Për shembull, ku u blenë dhe në cilën mënyrë erdhën në Suedi.
Suedia është goditur nga një valë e rëndë dhune e lidhur me mjedisin e bandave dhe kohët e fundit ka pasur disa vrasje, të shtëna dhe shpërthime në vend.
Vetëm të enjten, një shtëpi e shkëputur në Stokholm pësoi dëme të mëdha në një shpërthim, në të cilin njeriu i lidhur me banesën përshkruhet si një “kriminel i njohur”.

Don Lush Gjergji, Prishtinë
Papa Françesku (pjesa e tretë)
(Letra enciklike e Atit të Shenjtë Françesku mbi vëllazërinë dhe miqësinë shoqërore, Enti botues Ipeshkvia Metropolitane Shkodër – Pult, Janar 2021).
Frymëzimi edhe një herë vjen prej Zotit nëpërmjet Papës Françsku, në veçanti nëpëmjet Shën Franit të Asizit, gjë kjo që e thotë edhe Papa, si dhe më parë në enciklikën “Laudato si”, po ashtu edhe në enciklikën më të re “Tutti fratelli.”
Duke vazhduar vijën apo qëndrimin e Shën Palit VI në enciklikën e tij të famshme mbi Kishën, “Ecclesiam Suam”, Papa Françesku pohon kështu: “çdo gjë që është njerëzore na përket neve…”, pasi jemi të ftuar dhe të dërguar edhe ne ta kemi strategjinë dhe metodologjinë e Jezu Krishtit, që domethënë mishërimin në kohë dhe në hapësira ku jemi dhe veprojmë, për të qenë vërtet “katolikë”, të gjithmbarshme.
Përpos Papës Pali VI, papa Françsku ka pasur ndikim dhe frymëzim edhe prej patrikut ekumenik ortodoks Bartolomeu, si dhe nga Imami i Madh Ahmad Al – Tayyeb, që e ka takuar në shkurt të vitit 2019 në Abu Dhabi, duke përkujtuar që Zoti është Krijuesin i mbarë njerëzimit, dhe mu për këtë të gjithë ne jemi t[ë barabartë në të drejta dhe në detyrime.
Përpos kësaj Papa Françesku thotë që enciklika Tutti fratelli është fryt edhe i shumë takimeve në Romë dhe në botë me njerëz, bashkësi të ndryshme fetare, që pas Covid 19 është dëshmuar që fati i njeriut dhe njerëzimit është gjithmonë i përbashkët.
Papa Françesku përmend edhe figurat tjera të ndritshme, si Martin Luther King, Desmond Tutu, Mahamata Gandhi, sidomos Charles de Foucauld, që kanë jetuar dhe dëshmuar motivet e thella ungjillore të vëllazërisë universale, sipas shembujve të tyre, sidomos të Shën Charlos de Fuocaud, i cili si dëshirë dhe parim jetësor kishte, të jem vëlla i të gjithëve dhe për të gjithë!
Bota e sotme ka shumë hije, errësirë, ndarje, përçarje, mosmarrëveshje, apo siç shkruan Papa Françesku, “jemi gjithnjë e më të ndarë, gjithnjë e më vetëm”, dhe në këtë kontekst shtron pyetjen dramatike: “Ku është dinjiteti njerëzor?” (Papa Françesku, Fratelli Tutti, ve. e cit. f. 6).
Papa Françesku përmend format e reja të kolonializmit, ku mungojnë “samaritanët e mirë”, politika e mirë, dialogu dhe miqësia shoqërore (Khs. Po aty, f. 6 -7).
Përpos egoizmit, egocentrizmit, pasurisë dhe varfërisë së skajshme, sundimit ndaj të dobëtëve, sidomos ndaj botës femërore, Papa përmend rrezikun e rrënimit të natyrës, me këto fjalë: “Por kemi nevojë të bëhemi një “ne”, që jeton në Shtëpinë e përbashkët…” dhe vazhdon ”të krijohet një skenar i volitshëm për luftëra të reja, të maskuara me kërkesa fisnike.” (Po afy, f. 25 – 26).
Bota e sotme, sipas Papës Françesku, dëbon dhe përjashton fëmijët e palindur, të moshuarit, botën femërore, si “varfëri të reja” të cilat kërcënojnë dhe rrezikojnë njerëzimin.
Samaritani i mirë është si udhërrëfyes për të dalur prej kësaj gjendje të paqartë dhe për shumëçka të mjegulluar. Papa Françesku i quan “analfabetë” ata që kanë kujdes për të varfër, të dobët, në sprova (lexo: Kapitulli i dytë, nr. 56 e tutje).
Kjo shembëlltyrë e Samaritanit të mirë i kundërvihet figurës vrastare të Kainit, i cili jo vetëm që është vrastar, por edhe tallet duke thënë: “a mos jam unë rojtar i vëllait tim?” (Zan 4, 9).
Ftesa për çdo njeri, sidomos besimtar, edhe më tepër të krishterë, është të jemi, të bëhemi gjithnjë e më shumë të afërt – vëlla apo motër për çdo njeri, sipas shembullit dhe dëshmisë së Shën Nënës Tereze.
Të jesh besimtar nuk domethënë edhe të jetosh sipas fesë, si është rasti i priftit dhe levitit, që e panë njeriun e plagosur, por e anashkaluan kinse për besnikëri ndaj detyrave të tyre. Çfarë ironie: a ka detyrë më të madhe si kujdesi, shërbimi, dashuria ndaj njeriut në nevojë?
Papa Françesku shkruan kështu: “Çdo ditë na ofrohet një mundësi e re, një etapë e re… Sot jemi përballë mundësisë së madhe për të qenë vëllezër, për të qenë samaritan të tjerë të mirë që marrin përsipër dhimbjen e dështimeve, në vend që të nxisin urrejtje dhe mllefe…” (Po aty, f. 69).
Në kapitullin e tretë Papa thekson që virusi i sotshëm, tejet i rrezikshëm dhe i pranishëm, është pa dyshim mospërfillja, indiferentizmi, gara për lakmi dhe pasurim, ku “shkelet” njeriu, nuk ka më dashuri, flijim, shërbim, jetë, asgjë…(Lexo: Po aty, nr. 87 – 98, f. 77 – 85).
Papa Françesku me dhembje të madhe thotë kështu: “Sa shumë ka nevojë familja jonë njerëzore për të mësuar të jetojë së bashku në harmoni dhe paqe, pa pasur nevojë që të gjithë të jemi njësoj!” (Po aty, f. 86)
Sfidë apo sprovë për ta parë dhe përjetuar këtë mjerim shpirtëror, mbyllje dhe mbrojtje në vete, është edhe çështja e hapur e mërgimtarëve në meridian e ndryshme të botës.
Pa liri, barazi dhe vëllazëri, thotë Papa, nuk ka as demokraci të mirëfilltë, procese integruese, e gjithë kjo realizohet nëpërmjet dashurisë universale.
Në kapitullin e katërt flitet për “një zemër të hapur ndaj botës mbarë”, ku tjetri, ndryshe prej nesh, nuk është kërcënim, rrezikim, por mundësi, begatim dhe pasurim shpirtëror dhe kulturor.
Papa Françesku shkon aq larg dhe thellë sa që e fton së pari Kishën Katolike, pastaj besimtarët, së fundi gjithë njerëzimin, që të jetojmë dhe veprojmë për formimin e “qytetarisë së plotë” dhe të heqim dorë nga përdorimi diskriminues i termit pakicë, i cili mban me vete farat e të dinjitetit të izoluar dhe ato të inferioritetit, ai përgatit terrenin për armiqësi dhe përçarje, si dhe heq arritje dhe të drejtat fetare e civile të disa qytetarëve duke i diskriminuar ata.” (Po aty, f. 109).
Duke folur për të mirën e përbashkët për mbarë njerëzimi, Papa Françsku, me shumë qartësi dhe vendosmëri thotë kështu: “Ose do të shpëtojmë të gjithë, ose nuk do të shpëtojë askush…” (Po aty, f. 114).
Njerëzimi, bota ka ardhmëri dhe shpëtim vetëm si një familje e madhe gjithë-njerëzore.
Që të ndodhin këto ndryshime kaq të mëdha dhe rrënjësore, duhet ta ndërrojmë së pari të menduarit, pastaj edhe të vepruarit tonë në tërësi, ndërsa strukturalisht, bota e sotme ka nevojë të madhe, urgjente për reformat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku politika është në shërbim të të mirës së përbashkët.
Dashuria – bamirësia i bashkon dhe harmonizon punën dhe ekonominë, jetën, “qoftë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, qoftë arkitekturës ekonomike e financiare ndërkombëtare, me qëllim që të mund t’i jepet konkretësi reale konceptit të familjes së Kombeve.” (Po aty, f. 143)
Kapitulli i gjashtë trajton dialogun dhe miqësinë shoqërore si mundësi reale për krijim e njeriut të ri, familjes së re dhe shoqërisë së re, që mbështetet në të vërtetën dhe në dashurinë universale.
Kjo domethënë mbi të gjitha kultura e dialogut, bisedimit, komunikimit, pra e jetës, me qytetërimin e dashurisë, si dy shtylla bazë për jetën dhe veprën madhore të Shën Nënës Tereze, ku respektohet e vërteta dhe dinjiteti i çdo njeriut, krijohet mozaiku i bashkimit në dallime.
Nuk duhet të harrojmë kurrë përndjekjet e egra dhe barbare gjatë kohës së nacizmit dhe komunizmit, pasojat që janë ende të pranishme në kohën tonë, si dhe robëritë e ndryshme “moderne”, si trafikimi me qenie njerëzore, shfrytëzimi i botës femërore dhe fëmijëve, përndjekjet dhe masakrat në baza etnike, mërgimi i njerëzve dhe popujve në vazhdimësi…
Këto dukuri fatkeqësisht dëshmojnë që ende jemi larg humanizimit të njeriut, familjes dhe shoqërisë, si sfidë dhe ftesë për të gjithë që të vetëdijesohemi dhe përcaktohemi për një jetë dhe veprimtari në bazë të vlerave dhe virtyteve universale, ku njeriu do të jetë në qendër të vëmendjes, is vëlla apo motër, për krijimin e kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë, në stilin e jetës dhe veprës së Shën Nënës Tereze, si “imperativ moral dhe njerëzor” thotë Papa Françesku.
Papa cek edhe një herë që Lufta e tretë botërore vazhdon gjithnjë, aty – këtu, copa – copa, duke shkatërruar shumë jeta njerëzore, trashëgimi kulturore dhe shpirtërore, në krijimin e kulturës së vdekjes dhe të urrejtjes, pa ndonjë perspektivë pozitive dhe konstruktive.
Papa Françesku propozon krijimin e një Fondi botëror për eliminimin e urisë dhe të shumë padrejtësive tjera.
Pjesa e fundit të këtij dokumenti i kushtohet rëndësisë së feve të ndryshme në shërbim të vëllazërisë universale, ku urdhri i paqes është i shkruar në thellësinë brendinë dhe thellësinë e shpirtit dhe të zemrës njerëzore, sidomos kur begatohet me vlera dhe virtyte të rëndësishme fetare dhe morale.
Letra enciklike përfundon me dy urate: Lutja drejtuar Krijuesit dhe Lutja e krishterë ekumenike (Po aty, f. 238 – 239).
Prishtinë, 3 tetor 2023
Ngadhnjim Sopjani, Prishtinë
Kërkim-dëshirë për një muzë me tingëllim të mësuar përmenç, vazhdimesi kotjesh, frikë dhe paqartësi, ultimatume që i vëmë vetës dhe atyre që na rastisin. Kemi dëshirë të jemi të fortë, të dijshëm dhe të pasur. Dështojmë, siç do thoshte Nietzsche :”Kush prej ditës se vet nuk e shfrytëzon 2/3, është skllav” Nuk kemi as sistem se ku mund të ankohemi, jemi bërë qenie depresive, lutemi, buzëpretojmë, qahemi sepse nuk e besojmë të besueshmen.
Një ushtri injorantesh e bazuar veç në forcën e shumësisë e pak të dredhisë, me kujtohet citati i Mark Twain : “Mos debato kurrë me injorante se ata te mundin me përvojën e tyre”. Jam vet, prapë me kujtohet Nietzsche : “Per dikë vetmia është ikja e të sëmurit – Për dikë tjetër ikja nga të sëmurët”. Me dhimbset lëkura, se do isha përballë me gjithë këta që të gjithë neve na bëjnë budallë me floskat e tyre. Jam frikacak sikurse ata, ata shiten, unë frikohem, një fije e njëjtë e kuqe që ec neper rrugëtimin e njëjtë! Ti përsëris frazat e njëjta, kur dihet që nuk dihet asgjë, që asgjë nuk është më si duhet të jet!
Një jetë e tërë në luftë me shumicën, me njerëz që besojnë në diçka që nuk e njohin, i drohen diçkaje që e kanë në dorë, që qeshin me fatin e tyre, që kanë zgjedh ikjen në vend të përballjes. Krenaria që ende na mbanë gjallë….megjithatë “Krenaria është maska e shumë gabimeve” na thotë libri i shenjtë Talmudi. Po ja që i takojmë një shoqërie pa krenari, qoftë edhe ajo nacionale. Preferoj atë nacionale e cila në fund është për-bashkuese, përballë një krenarie individualiste tribale, temporare. Filozofi i madh gjerman Arthur Schopenhauer kishte thënë “Lloji më i përkryer i krenarisë është krenaria kombëtare. Ajo tregon se tek ai që e mbart mungojnë vlerat individuale, për të cilat ai mund të ishte krenar. Ndryshe ai nuk do t i drejtohej asaj, duke e ndarë me miliona të tjerë.
Kush gëzon vlera personale, është në gjendje të dallojë më qartë të metat e kombit të tij, pasi i ka ato për çdo ditë përpara syve. Ajo grimcë mjerane, që nuk ka kurrfarë gjëje tjetër në këtë botë, i drejtohet mjetit të fundit, kombit të cilit i përket. Tek ai gjen prehje dhe është gati t i mbrojë me këmbë e me duar të gjitha të metat dhe çmendurirat e tij, që janë edhe të vetat.” Epo, Schopenhauer nuk ishte pjesë e një kolektivi që i kanosej zhdukja për shkak të përkatësisë nacionale. Neve sot po na shërbehen mënyra tjera identifikimi dhe krenarish. Dikush nder nesh krenohet me fisin që i takon , fenë të cilën e ndjek për shkak së prindërit i ka te asaj feje, apo trevës prej se cilës vjen. Kemi mbetur të dobët në mesin e të fortëve. Kjo nuk kapërdihet.
Lavdërohemi se jemi të fortë mu rreh, përveç se me gra dhe me fëmijë ose edhe me fqinjë të dobët. Nuk jemi shquar, Ta citojmë Konicën pak, që e përmbledh këtë fenomen me këto fjalë : “Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten.”. Mirëpo këtë turr nuk e kompozuam dot kurrë në krenari të mirëfilltë, S’kam qare pa i kritikuar ata që i dua edhe pse lobiistet nder nesh aktivizohen për ta kritikuar, kritiken.
Aristoteli thotë “Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.” Jemi kafshë, por sic do thoshte prapë Aristoteli ” Jemi kafshe politike” ose thënia që do e përcakton vibrancën e shoqnise sonë, prapë Aristoteli “I dituri ndryshon nga i padituri sa i gjalli nga i vdekuri”. Ne si shqiptar këtë defekt të mosnjohjes të këtij rregulli, gati natyror, e bartim mbi shpinë, e cila nuk është thyer…”Njohja e vetes, është fillimi i çdo urtësie” Prape baca Aristotel. Atëherë, ku jemi? Sa vlejmë? Jemi nda përfundimisht në dy llojesh si kolektiv që quhet komb, njeri lloj don të ik, e tjetri ka frik te ik apo s’janë krijuar mundësitë. Armiku është i ndryshëm, vjen nga rrathët tona. Atëhër si ka mundësi që këta te jen të keqi e ne të mire apo e kundërta? Kush e krijoj ket situate që duhet te ikim, apo në qoftë se bazohemi në Kuran se disi gjërat e gjejn baraspeshën, (Surja 24/3 ) ” Laviri nuk do të duhej të martohej me tjetërkë, pos me ndonjë lavire ose idhujtare, e me laviren nuk do të duhej të martohet kush, pos ndonjë lavir o idhujtar. Ajo (kurvëria ose martesa me të) është e ndaluar për besimtarë”. Si i bie, veç këta që janë naltë janë të keqi, e ne jemi të dobëtit duhet të jemi të mirët pasi s’po vjedhim!
Esser dil medem meini (Jemi të mendimit të njëjt) Megjithatë nuk mendojmë njëjt, pra pse nuk ngrihemi. Jo te ngrihemi në vend si akulli i krijuar, por të ngrihemi në këmbë, kundër vetes, kundër veseve. Ne jemi gabimi vet, mendojmë njëjt, por ne a bluajmë në kokë apo mendojmë, se veç të bluash, dhe të mendosh kanë dallim. Ne duhet të dalim përtej situatës tonë. O njerëz,a po e shihni si jemi ba? As keq nuk jemi, sepse do përmirësoheshim, por nuk jemi fare. Tu shty dite sikur skllevërit e Egjiptit gjatë ndërtimit të Piramidave. Cka dreqin ke që nuk e njehe as veten, as me shkru nuk din, Serbia armatoset, ti armatosesh me asgjë…”Jeta kalon ne negacion dhe ne dhembjen e vet, dhe vetëm ne saje te zhdukjes se kundërshtimeve dhe te kundërthënieve eshte per vete afirmative, nëse mbetet(ngec) ne këtë kunderthenie, pa e zgjidhur dot ate, atehere, per shkak te kësaj kundërthënie, ajo rrënohet. – thotë Hegeli Ne po kuptohemi, jemi te mendimit te njëjt, por nuk organizohemi, nuk bëhemi grusht si ai i Migjenit, se nuk e kemi kristalizuar ende armikun.
Ne jemi të fortë, ata janë demonët që dolën nga ne, janë e keqja e secilit dhe Bibla thotë “Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd”. LLUKA / Luke 10:17″ Nacionalizmi është shpëtimi, sado i mangët dhe jo-bashkëkohor që është, ju lutem, mos e përzini me folklorizmin, mos e përzini me “jom krenar qe jam shwyptar” nacionalizmi është para se gjithash njohje e vetes, me ja dit hallin vetes, besnikëri absolute ndaj kombit dhe fateve te tij, dashuri e pa diskutueshme ndaj përkatësisë, zell gati fanatik për ta mbrojt çka është e jotja, missionarizëm i gjithaneshëm, ti tregohet botës kush jemi. Për shembull, gjuha shqipe është një gjuhë shume muzikale, le të fillojmë nga kjo, zanafilla, e mbi te gjitha e para se gjithash, ta forcojmë krenarinë dhe dinjitetin, e përbashkëta te vihet në pah. Pali, Muhamedi, Vangjeli e Nevruzi s’kanë rëndësi, kemi rendësi Ne jo Une. E kemi lehtë ta krijojmë ketë ngrohtësi. Homogjenitetin në territoret tona që na kanë mbetur na lejojnë një ndjenje të mirefillt të përbashkësisë.
Duhet ta kuptoi secili shqiptar se nevoja fiziologjike nuk lëshohet në pantolla, njëashtu sic e ka kuptuar ketë gjë, me këtë vetkuptueshmeri duhet ta kuptoj se djali apo vajza e tij nuk duhet te kalojnë vitin shkollor apo universitar me nota të pa merituara, sepse ata fëmije nesër do jen sistemi, andaj injorantet do udhëheqin përgjithnjë. Mos hedh mbeturina anës së rrugës se bota po qesh me ty, sepse atë rrugë do e kalosh edhe nesër. Mos ndërto shtëpi me shumë kat, kur nuk i përdor, mos u lavdëro para dikujt, se të gjithë jemi në të njëjtën barkë lundruese. Nacionalizmi është shtëpia më e ngrohtë, shumë me e sigurt, me e dobishme, sesa Umeti Islam, ringjallja e Bizantisë e Kostandinopoje apo një qytetarie botnore, është më i sigurt si fundament.
Ne nuk jemi në Beneluks , jemi në Ballkan, të dyja treva evropiane, por prapë dy Europa të ndryshme. Serbia nuk na njehë si shtet, shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë ende s’janë ne këmbë te sigurta, Veriu i Kosovës, shqiptaret në M e veriut trajtohen si afromaerikanet ne SHBA, edhe pse ata nuk erdhe aty, aty ishin. Ne të njëjtën po e mendojmë, ti e thua, unë e them, në e themi, t”a rregullojmë mirë mendimin tonë, të na përfaqësojë të gjithëve.
Në kërkimdeshirë per një muzë që e tregon kompletin dhe kompleksitetin tim. Pak Rizah Bllac, pak 2Pac , pak Eminem, pak Nikollë Nikprelaj, pak Bijtë e Sefës, pak zhurma femra qe qeshin ëmbël, pak zhurmë shiu pas një vere të egër….ne po mendojmë njëjtë!

Klajd Kapinova, New York
“Dr. Dom Lush Gjergji, emër që gjatë këtyre dy dekadave të fundit i dha sharm krijimtarisë kulturore e fetare, u gjend gjithandej, ku e kërkoi vullneti i mirë njerezor, për paqe, afri e unitet nacional, gjithnjë duke gjetur dhe shtigje të afrimit në botë të asaj që është krenari nacionale…” - Ibrahim Kadriu
Portreti i një njeriu që e njeh e gjithë bota
Vepra e deritanishme e don dr. Lush Gjergjit, është në përputhje të plotë me jetën e me formimin e tij shpirtëror, kulturor dhe nacional. Të konturosh hap pas hapi portretin e dom dr. Lush Gjergjit, këtë emër krijues që e njeh gjithë bota intelektuale e niveleve cilësore evropiane, është paksa e vështirë, mbasi mungonin të dhënat biografike. Kësisoj, një pyetje e thjeshtë më lind fare normalisht: Cila është biografia e këtij përsonaliteti?
Nga sa kam mundur të shfletoj dhe hulumtoj me kujdes 32 vëllimet e botuara, si vlera origjinale në llojin e vet, prej mendjes dhe dorës së palodhur të don dr. Lush Gjergjit, del se është e vështirë të mësosh një Curriculum Vitae.
Mirëpo, një proverb i lashtë afrikan thotë: “Po e pate qëllimin rrugën e gjen!”.
Dhe në këtë mënyrë, bota është tepër e vogël për një individ.
Përballë kësaj, secili lidhet me një farë mënyre me obligimin shoqëror, duke shprehur gatishmërinë e vet, e cila ndalë e ngadalë ndërgjegjësohet dhe i dashuruar pas veprës dhe misionit të tij të begatë, mbart aspiratën njerëzore, për të qenë diçka për të dhe për bashkësinë, ku çliron vlera cilësore të dobishme.
Intelektuali me shpirt përherë të ri e si pa e kuptuar, bën edhe kryen një veprim, që kalon vargojtë e kufijve të meskinitetit, hidhet përtej gardhit të rutinës, nuk do të vegjetojë, por kërkon të jetë plot energji, tek kryen një veprim fisnik të pasurimit të panteonit të kulturës nacionale, që zë vend e lë gjurmë në kujtesën e brezave bashkëkohorë, e prandaj merr, ose do të marrë falënderimet që meriton.
Dora-dorës, kemi një krijues të palodhur të vlerave të pastra nacionale e fetare, që një jetë të tërë ia kushtoi njeriut. Por njeriu, duke kërkuar e hulumtuar me shpresën e madhe arrinë të gjejë, falë angazhimit të vendosur, atë që ka si objektiv, pikërisht potencialin e bashkëatdhetarit don dr. Lush Gjergjit, që gjithë jetën ia kushtoj binomit udhëheqës “Fe e Atdhe” me krye e pendë.
Dhe jo pa qëllim, kjo ndërmarrje e re, por për t’u afruar shqiptarëve të kudondodhur dhe lexuesit në tërësi, këtë frymë aktive krijuese, atë që njihet si seriozitet në punën intelektuale njëherazi në disa gjuhë të botës, si për vëllimin që ka ofruar pas çdo botimi e ribotimi, po ashtu për shtrirjen e madhe gjeografike.
Si përsonalitet, paraqitet si një bibliotekë e re, e formuar nga dora e mendja produktive, në lëmin shoqëror dhe kulturës amëtare, përmes dijeve solide tradicionale dhe ato të avancuara, që buruan nga asimilimi i rrymave dhe i kulturës progresiste bashkëkohore.

Kush është don dr. Lush Gjergji?
Kur e sheh dhe bashkëbisedon ngrohtësisht me të, çlirohesh nga emocionet, që pushtojnë bisedën, falë ngrohtësisë, thjeshtësisë, butësisë, frymës së pastër të sinqeritetit, që e shoqëron këtë meshtar karizmatik, të pushton dëshira për t’a zgjatur bisedën, pavarësiht nga objektivi që i ke vënë vetës.
Ai, nuk dëshiron që të flasë për vetën, mbasi para meje gjendet biblioteka e pasur plot libra, me të cilat ai është i lidhur ngushtësisht.
Por, besimtarët e shumtë dhe intelektualët bashkëpunëtorë të klerikut, të flasin me admirim për intelektualin, burimet e të cilëve, më bënë të përkushtoj këtë punim mirënjohje e respekti, për margaritarin e kulturës fetare e nacionale.
Don dr. Lush Gjergji, prift katolik shqiptar i Ipeshkvisë Shkup-Prizren, ka lindur më 21 mars 1949 në Stubëll të Epërme të Karadakut, komuna e Vitisë (Kosovë).
Lushi i vogël, zuri të dallohej në mes shokëve bashkëmoshatarë për urtësi, bujari, zgjuarësi e devotshmëri. Shkolla ishte pjesë e jetës së tij. Katër vitet e para të shkollës fillore i mori në vendlindje. Ishte ndër nxënësit më të dalluar e të dashur me të gjithë që e rrethonin.
Mësonte mirë e me rregull, ndonëse në shtëpi nuk kishte kushte të përshtatshme. Studionte mbi një sofër druri karakteristike, që i shërbente si një tryezë për të përgatitur mësimet dhe më pas pjesëtarët e familjes shtronin sofrën për miqtë e shumtë.
Së bashku me të vëllanë dyfish: në familje e në Krishtin, të devotshmin dhe të nderuarin don Ndue Gjergjin (famullitar në kishën “Zoja Pajtimtare” (Shqiptare) në Beverly Hills në Detroit të Michigan në SHBA), mësonin dhe bënin detyrat, për të nesërmen në shkollë.
Ende i vogël, duke medituar dhe shkuar shpesh pranë kishës, binte në sy të tjerëve devocioni i thellë që kishte për të Lumin Jezu Krisht.
Por, mbi të gjitha, në shpirtin e vogël të Lushit, dhe në vitet e adolishencës, do të mbetën të pashlyera gjurmët dhe shembujt e lartë që jepnin meshtarët e kësaj treve pjellore, bijë martirë të Kosovës, përherë kreshnike në historinë e lavdishme të nacionit shqiptar.
Ngjarja shpirtërore e gëzim i brendshëm, lumturoi Lushin e vogël, thirrja e Zotit, për t’a pasur pranë si shërbestar besnik, duke e pranuar në gjirin e meshtarëve, që i përkushtoheshin Zotit, njeriut dhe vendit, ku ato kryenin misionin baritor të popullit shqiptar.
Mirëpo Stubulla e Eperme, ka ngjarje që ruhen thellë në kujtesën e historisë nacionale e fetare të këtyre trevave, ku, kulmojnë ndër të tjera edhe martirët që e falën jetën e tyre, në shërbim të krishtërimit (mbi të cilët sot ekzistojnë edhe libra studimorë, të realizuar nga autorë shqiptarë, në formë monografie me fakte e të dhëna të pasura me ndodhitë e historisë).
Këtu ruhen me dashuri, ende si jehonë të shekujve që kanë kaluar afresket e kishës plot kolorit të gjallë, që shfaqen hijshëm nëpër faqet e murale të objektit të kultit, të cilat, me stoicizëm i kanë rezistuar erërave të furishme të historisë që ka përjetuar kisha.
Këtu meshtari i ardhshëm lutej dhe vetëm lutej, për vete dhe të tjerët. Ai, do të kujtojë me mall ceremoninë e bukur të krezmimit të tij. Përsëri vitin e pestë, vocrraku që hidhte shtat, do të vijojë çdo ditë shkollën e Vitisë. Ndërsa tre vjetët e fundit nga klasa e pestë deri në të tetë i ndjek në shkollën e fshatit Zheger.
I riu, vijon studimet në gjimnazin klasik në Dubrovnik, ku vitin e parë gjendet si student në degën e filozofisë pranë qytetit të Splitit, kurse vitet e tjera të filozofisë, niset për t’i ndjekur në Romë, ku më pas mbron magjistraturën me temë: “Pavdekshmëria e shpirtit në Plotinon”, më 1970.
I etur për të zgjeruar dhe thelluar dijet, me të cilat nuk kënaqëj asnjëherë, përsëri në Itali, vijon studimet e arrin të marrë diplomën e teologjisë, pranë Universitetit Papnor të Urbanias ose siç njihet “Propaganda Fide” në Romë.
Hapësirat kulturore për këtë meshtar ende të ri, nuk do të njohin kufi. Paralelisht me studimet e larta universitare të filozofisë e teologjisë, ka bërë pronë të tij asimilimin e plotë të studimeve universitare dhe pasuniversitare në Insitutin e Psikologjisë në Universitetin Shtetëror “La Sapinza” të Romës, ku ka doktoruar më 1975, duke mbrojtur temën e disertacionit: “Gruaja shqiptare”.
Sipas vlerësuesve profesorë laikë dhe klerikë të famshëm në Itali, që kanë asistuar në këtë eveniment shkencor, theksohet, se punimi i autorit shqiptar shquhet për një trajtim shumë korrekt dhe serioz, e pasur me argumente dhe rrjeshmëri logjike, shoqëruar me burime të larmishme dhe të shumta shkencore të botës shqiptare dhe botërore në fushën e psikologjisë shoqërore.
Dr. Gjergji, ka preferuar të rrokë temën e ndieshme të një forcë të shoqërisë shqiptare: “Roli i femrës shqiptare në familje dhe shoqëri”, të cilin nënshkruesi e botoi dhe ribotoi si vepër te veçantë. Shtypi i kohës, i ka kushtuar një kujdes të veçantë në shumë rrafshe.
Në veçanti shquhet një artikull vlerësues, konceptuar me kulturë nga studiuesi i letërsisë shqipe prof. Isak Ahmeti, ku midis të tjerave e ka cilësuar këtë vepër, si një “… hap i guximshëm prometik në lëmin përkatës”1
Sapo e hap për të shfletuar, në hyrje të veprës së vet, sa të thellë në analizën e shumanshme shkencore, aq dhe aktuale, për pjesën e rëndësishme të komunitetit shqiptar sot.
Këtu bie në sy ndërthurja, zbërthimi me hollësi e maturi dinjitoze i analizave, që u ka kushtuar temave.
Lënda të parë e materialit faktik, ka të bëjë me gruan shqiptare, në të drejtat zakonore të Lekë Dukagjinit, me gruan shqiptare në tërësi etj.
Për me tej autori, thotë: “Nënës time, përsonifikimit të dashurisë, të mirësisë, të vuajtjeve, të duresës, të qëndresës dhe të urtësisë, asaj e cila më rriti dhe me plot dashuri, gëzim dhe hare në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje!”
Më 1975, mbasi përfundon me sukses doktoraturën, kthehet në Kosovë, duke mbartur me vete një kulturë të shëndoshë, i paisur me cilësi të lartë morale, fetare, shoqërore e patriotike.
Ai bëhet një përkushtues deri në ditët tona i interesave të larta të devocionit të fesë dhe të nacionit shqiptar.
Studiuesi i shquar, është njohur sot, jo vetëm si prift i thjeshtë (në një ndër zonat më të vështira të Kosovës, ç’ka të kujton shën Jeronimin dhe mons. Simon Filipaj-n, që përkthyen Biblën i pari në latinisht dhe i dyti në shqip në kushte shumë të vështira, duke mbetur të pavdekshëm për botën dhe shqiptarët, shënimi im K.K.), por mbi të gjitha si një njeri me botë të madhe njerëzore, duke vënë të gjithë talentin e tij intelektual dhe njerëzor, vetëm për të mirën e popullit e vendit të tij.
Me erudicion, më përpara dhe tashti, diti me mjeshtëri, të ndërthurë e kanalizojë interesat nacionale, shoqërore të popullit tonë, me nevojat e brendshme shpirtërore të tij.
Edhe në ditët tona shpesh porositë, se: “Në mënyrë graduale duhet të vijë ripërtritja e qëndrushme ose rindërtimi i shpirtit të njeriut veçanërisht për Shqipërinë, duke e shëruar nga plagët e thella, të shkaktuar nga konflikti me sietmin dogmatik ateist, i cili për pasojë solli edhe rënien e kulturës.
Në këtë kontekst të nevojës imediate, njeriu duhet të ripërtërihet, duke rifituar drejtimin ndaj vlerave më të larta të jetës shpirtërore, ku inkuadrohen në unitet: feja, shpresa dhe dashuria.
Në këtë mënyrë mund të rimarrim jetë dhe lulëzim, të ripërtërihen në gjerësi dhe thellësi tërësia e strekturave të shoqërisë dhe qytetërimit.
Në qoftëse duam të krijojmë njeriun e vetëdijshëm, si njëri të vërtetë brenda komunitetit të krishter, domethënë njeriun e krijuar, sipas shëmbëllimit dhe ngjashmërisë së Perëndisë, duhet edhe në këtë rast t’i përshtaten strukturat e mendimit të njeriut, në të cilin rregullat e drejtësisë po fuqizohen dhe plotësohen nga dashuria, në fushën e marrëdhenieve njerëzore, të karakterizuara nga bashkësia dhe solidariteti…”
Vala e rëndë e keqtrajtimeve, që përfshiu Kosovën, si pasojë e okupimit të gjatë nga kolonizatorët serbë, bëri që don dr. Lush Gjergji të gjendet më pranë halleve e shqetësimeve të përditshme të grigjës së vet, duke qenë një bari model i populli besimtar, që si dele e urtë e ndiqte nga pas, për t’iu gjendur në këto çaste të vështira, që po kalonin çdo ditë.
Pra, ai shquhet, për një aktivitet të ngjeshur edhe në poret e tjera të jetës në Kosovë, ku angazhimi shoqëror dhe atdhetar zinin peshë të dukshme.
I palodhur u gjend në të gjitha tubimet, ku printe flamuri nacional, duke i paraprirë misionit fisnik për pajtimin e gjaqeve, përkrah profesorit të nderuar Anton Çettës.2
Aksioma udhëheqëse e këtij akti sublim popullor, për rëndësinë që po merrte për don dr. Lush Gjergjin ishte e shkruar në ndërgjegjën e zemrës së tij: “Ne më parë duhet të shërojmë plagët tona, pastaj t’i kthemi vetvetes“.
Në ato çaste, kur gjakmarrja përmes normave kanunore të maleve ishte kthyer në një plagë, u gjend me Kryqin në dorë dhe Biblën si fitimtare tash 2000 vjet, meshtari i matur e i urtë, në realizimin me sukses të misioneve pajtimi, don dr. Lush Gjergji.
Këtu, më tepër se kurrë, u pa karakteri i vërtetë i shqiptarit, ku, mbi të gjitha dominoi logjika e shëndoshë humane njerëzore, me vullnetin e vetë popullit fisnik, me një shpirt të gjërë që di të falë, u realizuan shumë pajtime midis kuvendeve të burrave, duke u dhënë normalitet dhe jëtë të gjatë foshnjave të reja, që nuk do të kërcënohen më nga armët vrastare për gjakmarrje.
Viti 1990, shënoi një ngjarje të rëndësishme për popullin shqiptar në Kosovë, ku, merr jetë themelimi i Shoqatës Humanitare me emërimin e një shenjtoreje, me emrin “Nënë Tereza”, në krye të së cilës u zgjodh si kryetar don dr. Lush Gjergji.
Ai, pa kursim, por me vullnet të madh mori pjesë në hartimin e programit dhe të statutit të kësaj Shoqate. Mirëpo, ajo që e dallon këtë meshtar, është thjeshtësia si virtyt cilësor i dr. Gjergjit.
Ai shprehet: “E kam parasysh një thënie të vjetër të Pjetër Bogdanit: “Fati i popullit tim është edhe i imi“, prandaj (në çdp formë organizimi, që ka për bazë mirësinë ndaj popullit tij), kam ofruar mundësitë e mia organizative dhe krijuese“
Nënë Tereza “flet” në shumë gjuhë të botës dhe biografi i afërt don dr. Lush Gjergji
Ka më shumë se katër dekada, që qarqet publicistike botërore, përmes shkrimeve në gazeta e revista prestigjioze religjioze e kulturore, njohin pendën e palodhur të mendjes së ndritur të dr. Lushit, që një jetë të tërë ruan bashkëpunimin me shumë ente botuese dhe median botërore sot.
Si një intelektual cilësor dhe produktiv, është kërkues drejt horizonteve të reja të kulturës shqiptare e botërore, duke i dhuruar njerëzimit mbi 10 vepra të Nënë Terezës, me shifra astronomike me tirazh 4 milion kopje, sikurse është “Madre della carita” (Nëna e mëshirës).
Ashtu si për shën Nënë Terezën e Kalkutës, India ka qenë atdheu i dytë i saj edhe për don dr. Lush Gjergjin India dhe viset e tjera të botës, ku ndoqi jetën dhe mirësitë e Nënë Terezës kanë qenë atdheu i dytë, një lëndë e parë për hartimin e veprave që janë bërë pronë e thesarit të artë të kulturës.
Ai i përket mbarë njerëzimit, duke u rradhitur me dinjitet në panteonin e artë të kulturës evropiane dhe botërore me dinjitet si një shqiptar i vërtetë.
Ky biograf e studiues i afërt i jetës së Gonxhe Bojanxhiut, u bë motoja e jëtës së tij, krahas detyrës baritore të përditshme, me arsyen e parë për t’i treguar mbarë botës, se kush janë shqiptarët që Shkrimi i Shenjtë i Biblës i përmend me krenari tash 2000 vjet, për t’i përcjellë botës, se kjo Nënë e vogël, shpirtërisht kishte një zemër të madhe, sa mbarë bota, që e respektoi përjetësisht me veneracion.
Ajo, kur ka ndërruar jetë në lumninë e pasosun, së bashku njerëzimi ka ngritur zërin e kërkesës, për t’a bërë pjesëtare të denjë (beatifikua) në familjen e madhe të shenjtorëve të krishtërimit.
Këto vepra janë shumë të rëndësishme, sikurse vlerëson prof. Isak Ahmeti, në librin e njohur “Kleri katolik shqiptar dhe letërsia”, kur shkruan: “…kanë vlerë monumentale, janë dëshmi e gjallë se kemi të bëjmë me një pendë të rrallë, që po krijon ura afrimi të botës shqiptare, të botës humanitare, në botën e komunitetit evropian…”
Meshtari e publicisti, mbrojti me stoicizëm identitetin shqiptar të Nënë Terezës, ndonëse në kohën që kishte botuar librin biografik “Nëna jonë Tereze”, shtypi i atëhereshëm jugosllav, kishte mbushur faqet e saj me pretendimin, se ajo është jugosllave.
Ishte pikërisht serioziteti dhe ofrimi i fakteve autentike që studiuesi i palodhur dr. Lush Gjergji i ka bërë kësaj figure madhore të njerëzimit. Më pas media e shtypi i huaj, ka marrë si pikë referimi e botoj shkrime nga jeta e Nënë Terezës, duke u mbështetur në veçanti nga burimet origjinale të hulumtuesit shqiptar meshtar dhe atdhetar. Kështu do të vijojnë edhe 6 vepra të tjera që autori i ka përkushtuar Gonxhe Bojaxhiut.
“Lule për Nënën”, është libri ekskluziv, që u botua në shqip dhe italisht e kohët e fundit në gjuhët e tjera. Këtu përmblidhen kontribute arti, që në këtë rast i kushtohen Nënë Terezës. Kjo është tema më e preferuar universale, që ka trajtuar shpesh penda e mendja e dr. Lushit, ku poezitë përkushtuar Engjëllit të përjetshëm të Paqes, do të mbesin si një lule që freskon zemrat e do njeriu, që ka pasur fatin ose privilegjin e madh të takojë ose të ketë mbi kryet e vet, për një çast solemn meditimi duart e shenjta të Nënë Terezës.
Poezia shqipe, që është krijuar mbi Nënë Terezën e që vijon të krijohet ka shpërblyer vrudhshëm e në tërë bukurinë e saj, sepse, “kjo poezi, e frymëzuar nga triumfi i humanizmit nga vetëflijimi i Nënë Terezës për Njeriun, për Njerëzimin, pulson nga një Frymëmarrje e gjërë, nga Triumfi i metaforës poetike”, vlerëson studiuesi prof. Isak Ahmeti.
Ndërsa në 80-vjetorin e lindjes së saj, autori nxjerrë nga shtëpia e botimit me titull domethënës: “Madre Tereza” (1990). Ajo, është në vetvete, një pasqyrë monografike dhe reale me vlera shumëdimensionale e historisë shqiptare, mbasi këtu bëjnë pjesë shënime historike, mbi origjinën, traditën dhe gjuhën shqipe “…që ishte mburojë e pathyeshme e Ballkanit dhe e Evropës“, siç vlerëson edhe vetë biografi i veprës.
Në qoftëse, do të ndanim me kujdes librat firmën me don dr. Lush Gjergji, atëherë rezulton, se në biografinë shqiptare brenda trojeve etnike, janë lëvruar mbi 14 libra në gjuhën shqipe, ndërsa të tjerat janë në gjuhë të huaj. Kështu, vëtem libri “Nëna jonë Tereze” në fillim u botua në gjuhën amtare, më pas u botua me sukses edhe në 9 gjuhë të botës, si: anglisht, italisht, gjermanisht, portugalisht, spanjisht, frengjisht, sllovenisht, hungarisht dhe kroatisht.
Monografia monumentale, shpalos me madhështi dinjitoze botën e madhe humanitare të shqiptares, përmes një pende të rrallë të përdorur me efikasitet. Ne faqet e veprës jepet me një stil joshës dhe narrativ këndshëm jeta e përkushtimi i nobelistes, si motër nderi e të gjithë botës, duke rradhitur me kujdes një mori dokumentash, që ka hulumtuar vetë në Indi e kudo, ku, mund të marrësh, mesazhe, episode tërheqëse dhe emocionale.
Tek e lexon e rilexon me endje, ndjen në thellësi të shpirtit pikërisht figurën e qetë, të kësaj krijese ëngjëllore gjithnjerëzore, fisnike në zemër e shpirt, të urtë e të dlirë, të dashur e të përkushtuar, të vendosur e vetmohuese, në një kontekst më të gjërë mbi gjithçka që me finesë.
Ai, ka skalitur me portretin e Nënës së shekullit XX, me emrin: Nënë Tereza, këtë përfaqësuese të dashut të shumë konfesioneve (besimeve) të kombeve e të racave të ndryshme, ku ajo dhuroi dhembshuri, dashuri, jetën e vet kushtuar Zotit e njeriut të varfër kudo nëpër botë.
“Madre della carita” (Nëna e dashurisë), mbasi u botua në shqip në vitin 1990, u përkthye në: italisht, frengjisht, anglisht, spanjisht, gjermanisht e polonisht.
Libri i ri, është një publikim i rrallë, i veçantë, duke rrezatur e vendosur një urë afrimi mes botës shqiptare me atë humanitare amtare, të mishëruar në piedestal, përmes Nënë Terezës, si shembull përsosmerie në tërë botën.
Ai, si vepër, ka arritur në një shifër rekord në 4 milion kopje, çka do t’a kishin zili shumë shtëpi botuese njëhezazi në Evropë dhe për disa dhjetëvjeçarë në Shqipëri.
Shtypi e ka përcjellë kështu: “…një letrat me talent e kallzimtar që na e kujton Barlecin, përmes shkrimesh e ngjyrash të gjallë, ka përjetuar figurën madhore të Nënë Terezës.” Varianti në italisht “Madre della carita”, në një numër prej 500 kopjesh janë speciale, pra, me një fjalë të mbështjell me lëkurë ariu të bardhë të zonave polare. 500 ekzemplarë i janë dhënë Atit të Shenjtë papa Gjon Pali II, i cili ua dhuron autoriteteve botërore të lëmeve të ndryshme.

Nëna Tereze me ish-Presidentin Rugova
Eruditi i palodhur dhe intelektuali dr. Gjergji, njihet për libra të tjerë: “Kosova, strategji pa dhunë”, botuar në italisht më 1993. Vepra në fjalë është ribotuar disa herë në vit.
Kujton, se është rast i vetëm, që një autor shqiptar me librin në fjalë shërben si literaturë plotësuese e informuese për shkollat e mesme në Itali.
Libri tjetër, që ka zgjuar shumë interesimin e botës evropiane është “Bosnje, s’mund të na detyroni t’ju urrejmë”. Autori, ka shkruar një libër tjetër: “Të falem për të jetuar“, dhe në vitin 1997 ai është botuar në italisht.
Ngjarjet si shkak në libër, i ka marrë nga jeta e përditshme e bashkëatdhetarëve të vet në Kosovë, që zë fill në pjesën më të madhe më 1981.
Dr. Gjergji, për shumë vite me radhë ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i revistës fetaro-kulturore “Drita“, si dhe i shtëpisë Botuese me të njëjtin emër në Ferizaj Kosovë.
Në botë emri dhe vepra e tij, veç shkrimeve origjinale (në gjuhë të huaj), ka pasur nderin të jetë si bashkëpunëtorë i shumë revistave kombëtare dhe ndërkombëtare, veçmas me punime dhe studime rreth edukimit të fëmijëve dhe rinisë, studiues e analist i kujdeshëm bashkëkohorë i çështjeve familjaro-shoqërore.
Ai është bashkëpunëtorë i palodhur dhe shumë rezultativ me shkrime të bukura dhe tematika të larmishme i revistës së njohur kulturore-rinore “Shpresa” në Prishtinë, që botohet dhe drejtohet nga saleziani don Nosh Gjolaj.
Don dr. Lush Gjergji, është një fabrikë që prodhon përherë me cilësi për fenë, kulturën dhe temat bashkëhore shqtësuese të nacionin (atdheun e tij).
Urime don dr. Lush dhe jetë të gjatë dhe frytshmëri intelektuale dhe baritore për grigjën dhe popullin martir shqiptar.

Artikuj të tërë të medieve ruse të përkthehen e botohen pa ndonjë redaktim në disa medie serbe, ku ushtrisë ukrainase i referohen si “armike”.
Mbështetja e narrativave pro-ruse nëpër tabloidet, televizionet dhe gazetat serbe pro-qeveritare, konsumohet drejtpërdrejt nga qytetarët serbë të Kosovës. Sipas anketës së Institutit Kombëtar për Demokraci (NDI) për periudhën 16 maj – 5 qershor 2023, serbët e Kosovës ndjekin më së shumti televizionet e Serbisë. Ndër to hapësirën më të madhe e zënë televizionet pro-qeveritare, që janë po ashtu pro politikave qeveritare të Rusisë — TV Pink dhe TV Happy.Ndërlidhja midis asaj që konsumojnë serbët, në Kosovë e në Serbi, dhe asaj që besojnë është e qartë.
Serbia — antenë e qeverisë ruse për të gjithë Ballkanin
Mediet shtetërore ruse që janë sanksionuar nga BE, si armë e luftës hibdride të Rusisë, kanë gjetur strehë në Serbi. Krahas “Sputnik Srbija”, vitin e kaluar u lansua edhe “Russia Today Balkan” që boton përmbajtjen e vet edhe në serbisht.
Ndërkaq, në Kosovë vitin e kaluar është ndaluar ritransmetimi i katër kanaleve ruse (te operatorët kabllore) dhe janë bllokuar domenet e portaleve dhe gjashtë portaleve përfshirë rt.com dhe Sputniknews.com. Megjithatë ato janë të qasshme përmes lidhjes me ndonjë rrjet privat të Virtual Private Network (VPN) që mundëson një lidhje online të koduar pavarësisht vendit. Ndërkohë, portalet “RT.rs” dhe “Sputnikportal.rs”, që publikojnë përmbajtje në serbisht, vazhdojnë të jenë të qasshme.
Publikimi i tyre në Serbi është, sipas Stefan Janjić, kryeredaktor i kontrolluesit të fakteve në Serbi, Fake News Tragač, pjesë e masave aktive të Rusisë që nuk kanë të bëjnë vetëm me Serbinë.
“[Rusia] e di se nëse investojnë në Serbi do t’i ndikojnë edhe shtetet e tjera të rajonit si Bosnja, Kroacia e Mali i Zi sepse e flasim përgjithësisht gjuhën e njëjtë dhe kur e shpërndan një mesazh online, ai nuk ka kufi, ai shpërndahet në të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë”, thotë Janjić.
Ndërkohë, tema e Kosovës përdoret si nga mediet shtetërore ruse si nga mediet pro-qeveritare serbe në shërbim të disa narrativave të pabaza. Janjić thotë se Kosova përmendet në televizionet pro-qeveritare serbe kur flitet për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Një prej ideve që i përçojnë mysafirët nëpër emisionet e TV Pink dhe Happy TV është që Rusia përbën shtyllë të rëndësishme të politikës së jashtme të Serbisë për ta izoluar Kosovën ndërkombëtarisht e për ta ruajtur pretendimin që Kosova i takon Serbisë.
“Njëri nivel [i pretendimeve] është më realist se Serbia duhet ta mbështesë Rusinë në këtë luftë dhe duhet t’i mbajë lidhjet e forta ekonomike e politike me Rusinë sepse Rusia është mbështetësja jonë (e Serbisë) në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), kur është fjala për anëtarësimin e Kosovës”, thotë Janjić.

Tifozët e ekipit fubollistik “Crvena Zvezda” në Serbi në lojën me ekipin italian “Fiorentina”, formuan një figurë të madhe tanku dhe vendosën edhe shkrimin “kada se vojska vrati na Kosovo” , (në shqip: kur të kthehet ushtria në Kosovë:).
Replikimin e narrativave nuk e bëjnë vetëm grupet ultranacionaliste në Telegram, por edhe vetë krerët e Serbisë dhe Rusisë.Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka pretenduar pa kurrfarë dëshmie se ka pasur mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina që i janë bashkuar luftimeve në Ukrainë përkrah ushtrisë ukrainase. Ndërkaq kur pati tensione në veri të Kosovës përgjatë vitit 2022, presidenti i Serbisë, Vučić, deklaroi rrejshëm për çerkezë e çeçenë nga Rusia që po shkojnë në komunat veriore për të vrarë serbë.
Rusia është thirrur në vendimin e GjND për t’i legjitimuar nisjen e luftës në Gjeorgji më 2008 dhe aneksimin e gadishullit të Krimesë, pjesë e Ukrainës, në vitin 2014. Përkundër kësaj, Rusia e kundërshton pavarësinë e Kosovës.
Por, Kosova dhe rajonet e Ukrainës kanë kontekst politik ndërkombëtar krejt tjetër e edhe kontekst kushtetues e referendumesh krejt të ndryshme.
Pavarësisht dallimeve të shumta, Rusia ka bërë përpjekje ta arsyetojë edhe nisjen e luftërave tjera, paradokalisht duke përdorur argumentin mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të cilën nuk e përkrah.
Putini në mediet pro-pushtet në Serbi glorifikohet si mbrojtës i Serbisë dhe serbëve dhe mbrojtës i pretendimit të Serbisë mbi Kosovën. Por kur ai përdor vendimin e GjND për Kosovën për t’i legjitimuar nismat e veta, mediet serbe pro-qeverisë bien ndesh me të. Kjo më pas reflektohet në përmbajtjen e tyre.
“E pas kësaj tabloidet në Serbi shkruanin se ‘Putini ia fut thikën në shpinë Serbisë, e tregton Kosovën për Donbasin’”, thotë Janjić, duke iu referuar një artikulli të “Srpski Telegraf”. Po atë ditë, më 28 prill të vitit të kaluar, në ballinën e tabloidit “Blic” shkruhej “Putini i harroi serbët dhe Kosovën shkaku i luftës së tij”, si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së Putinit.
Por këto momente mospajtimi janë të shkurtëra dhe kryesisht mbizotëron harmonizimi i narrativave — për çka qeveria ruse investon në infrastrukturën mediale në Serbi, si antenë për të gjithë Ballkanin.
Pretendimet e pabaza rreth Kosovës
Nga mediet shtetërore të Rusisë, Kosova apo ShBA fajësohen për çfarëdo tensioni dhe vazhdimisht pretendohet për dëbim, kidnapim e procese gjyqësore politike ndaj serbëve të Kosovës. Ndërkohë, ngjarjet në fushën e politikës, sigurisë e drejtësisë tejthjeshtohen dhe shterohen me mendime të folësve të “Russian Today” dhe “Sputnik”.
“Spuntik Srbija” e “RT Balkan”, medie shtetërore të Rusisë, që operojnë në Serbi, realizojnë intervista me folës pro-rusë dhe publikojnë opinione me pretendime të pambështetura propagandistike rreth Kosovës, duke i paraqitur si informata. Folësit e opinionistët shkojnë aq larg saqë prodhojnë narrativa të padëgjuara për kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, duke pretenduar se ai ka qenë “lider shpirtëror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, se është “nazist” apo pasardhës i Ballit Kombëtar, që luftoi përkrah nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vetë UÇK paraqitet si terroriste dhe rrejshëm paraqitet si formacion ekzistues, që nuk është çarmatosur. Serbia dhe serbët në narrativat e “Sputnik”, paraqiten si viktimat kryesore dhe të vetme e luftërave në Jugosllavi.
Për shembull, një i intervistuar në cilësinë e ekspertit për “Sputnik”, Stevan Gajić, dënon pritshmëritë ndaj Serbisë për t’i vendosur sanksione Rusisë dhe, siç thotë ai, për ta dorëzuar pjesën e mbetur të sovranitetit të saj. “Kjo absolutisht që do ta shkatërronte Serbinë dhe do ta çonte edhe më lartë nivelin e marrëdhënieve koloniale në raport me anën që na kanë vrarë”, thotë ai, ndër tjera.
Prishja e marrëdhënieve me Rusinë paraqitet si kërcënim ekzistencial për Serbinë dhe lidhje me fuqitë perëndimore, që paraqiten si kriminale. Sipas hulumtuesit Agon Maliqi, i cili i përcjellë synimet gjeostrategjike të Rusisë, narrativa ruse që targeton serbët e paraqet Perëndimin si kundërshtar të Serbisë duke tentuar ta kthejnë edhe mirëmbajnë edhe narrativën e Kosovës si “zemër e Serbisë”.
“[Narrativa është që] jo vetëm që [Perëndimi] ua ka marrë Kosovën, por tash është faza tjetër për t’i shfarosur që aty, kështu që është betejë për zemrën e Serbisë në njëfarë forme, këta duan t’iu bëjnë keq e ne [Rusia] duam t’ju ndihmojmë, kjo është ideja”, thotë Maliqi.
Pretendimet e të intervistuarve paraqiten si të vërteta përfundimtare pasi mediumi nuk i kontakton gjykatat, Policinë e Kosovës apo Qeverinë e Kosovës lidhur me pretendimet e analistëve pro-rusë apo cilësdo palë.
Këto lloj intervistash aktualizohen sidomos në momente tensionesh në veriun e Kosovës.
Veriu i Kosovës, ku ndikimi i Serbisë është i fortë, ka qenë vazhdimisht vend i tensioneve përgjatë vitit 2022 dhe 2023. Në këto raste, Rusia përmes medieve të saj, përjashton fakte qenësore rreth ngjarjeve në terren dhe tenton t’i kornizojë tensionet si të nxitura nga BE e ShBA.
Tensionet nisën të dalin në sipërfaqe vitin e kaluar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertim të targave nga ato me akronime të qyteteve të Serbisë — lëshuar nga Serbia — në targa me akronimin “RKS”, të lëshuara nga Kosova. Më 1 nëntor 2022 hyri në fuqi fillimisht pjesa e vendimit, ku parashihej që policia t’u jepte qortim me shkrim qytetarëve që i kanë të vendosura targat ilegale në veturat e tyre. Lista Srpska, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, që gëzon mbështetje nga qeveria e Serbisë dhe ka udhëhequr me komunat në veri, thirri për dorëheqje të serbëve të veriut nga të gjitha institucionet publike, gjë që ndodhi në nëntor 2022.
Dorëheqjet e kryetarëve e asamblistëve e detyruan Kosovën që t’i thërrasë zgjedhjet e parakohshme. Fillimisht zgjedhjet ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor. Në fillim të dhjetorit u sulmua zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut. Krahas kërcënimeve të natyrës së sigurisë, të dorëhequr ishin edhe zyrtarët komunalë zgjedhorë. Presidentja Vjosa Osmani, më 10 dhjetor, vendosi ta shtynte datën e zgjedhjeve pas konsultimit me partitë politike, përfaqësues të BE e ShBA.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në veri u mbajtën 23 prill 2023, por u bojkotuan me të madhe nga subjektet politike serbe e edhe serbët e veriut. Për pasojë, në komunat me shumicë serbe u zgjodhën kryesisht kryetarë shqiptarë, me një numër të vogël votash, kryesisht të shqiptarëve që janë pakicë në këto komuna. Kryetarët shkuan në objektet komunale me asistencë të Policisë së Kosovës, teksa hyrja e tyre kundërshtohej prej protestuesve serbë. Para se të hynin kryetarët në objektet komunale, punëtorët e komunave veriore në sistem të Serbisë u larguan nga zyrat ku punonin.
Gjatë verës, në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, protestuesit kundështuan dhunshëm vendosjen e kryetarëve të zgjedhur dhe policisë në objektet komunale. Pamjet e kamerave e kanë dëshmuar dhunën e protestueve ndaj pjesëtarëve të KFOR, të Policisë së Kosovës, si dhe ndaj gazetarëve. Nga këto sulme u lënduan 93 pjesëtarë të KFOR, pasi u sulmuan me gurë, granata, shok-bomba e armë zjarri. Ndërkohë nëpër vetura të policisë, gazetarëve e të KFOR, nga protestuesit serbë u vizatua me sprej shkronja “Z”, që është bërë një simbol militarist në propagandën ruse dhe përdoret nga civilët rusë për të treguar mbështetjen për pushtimin e Ukrainës.
Sulmet përgjatë këtyre protestave nuk i konteston ndokush në Kosovë as në Serbi — madje as presidenti Aleksandar Vučić. Porse në një artikull ku flitej për rezultatet e Samitit të NATO që u mbajt këtë vit në Vilnius të Lituanisë, “Sputnik” e futi dhunën e protestuesve në thonjëza:“Siç thuhet, NATO vazhdon të jetë e përkushtuar në angazhimet e saj në Kosovë, dhe siç thuhet ‘sulmet kundër forcave të KFOR’ dënohen”.
Në artikujt e “Sputnik” hidhet dyshim i madh mbi hapat e Qeverisë së Kosovës për shtensionimin e situatës në veri. Mendimet e qytetarëve, si dhe të ato të personave që “Sputnik” i trajton si ekspertë, trajtohen si fakte.
Në një kronikë për “Sputniku”, një i intervistuar mohon sulmet në protesta.
“Shikoni KFOR ka qenë këtu qëkur ne jemi këtu. Asnjë incident nuk ka ndodhur këtu sepse i kemi treguar që nga dita e parë që nuk është faji i tyre dhe se ne nuk kemi asgjë kundër tyre, porse me ata që na e kanë okupuar vendet e punës dhe që na i kanë trazuar jetët tona”, thotë i intervistuari. Pohimet e të intervistuarve paraqiten edhe këtu si e vërtetë përfundimtare për portalin shtetëror rus.
Pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës e BE në Bratisllavë më 10 qershor, që parashihte largimin gradual të Policisë së Kosovës nga objektet e komunave veriore dhe hapje të rrugës për zgjedhje të parakohshme në veri, “Sputnik” publikoi një tjetër artikull.
Me titullin “Sputnik me serbët në veri të KiM (Kosovës e Metohisë): Kështu duket ‘qetësimi i situatës” së Kurtit’ /foto/”, intervista e “Sputnik” sugjeron njëfarë okupimi të veriut nga Policia e Kosovës dhe sugjeron se punëtorët e komunës janë përzënë nga vendi i tyre i punës. Artikulli nuk e tregon kontekstin se si u bë që zyrtarët komunalë të mos shkojnë në punë, pra që kishin dhënë dorëheqje të përgjithshme nga institucionet e Kosovës.
Përmes raportimeve të tyre, sipas Agon Maliqit, “Sputnik Srbija” e “Russia Today Balkan” mund të tregojnë se cili është disponimi dhe toni aktual zyrtar i Rusisë. Rusisë, sipas Maliqit, i konvenojnë tensionet në mënyrë që t’i çelë probleme të reja Perëndimit në Ballkan dhe është e painteresuar për marrëveshje përfundimtare që çon në pajtim mes Kosovës e Serbisë. Narrativat ruse synojnë të thellojnë ndarjet mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë dhe t’i largojnë Kosovën e Serbinë nga çfarëdolloj marrëveshjeje.
Kur tensionet ngriten mes Kosovës e Serbisë, Rusia bëhet më agresive duke shpërndarë frikë për dhunë ndaj serbëve. Sipas Maliqit, aktivizimi i Rusisë gjatë tensioneve në veri tregon për orkestrim mes saj dhe Serbisë për t’i ndezur edhe më shumë tensionet dhe për t’i penguar marrëveshjet potenciale.
“Bëhet shumë e vështirë të bëhet një marrëveshje [mes Kosovës dhe Serbisë] dhe nëse e ndjek fillin e krejt këtyre lajmeve, të gjitha e kanë prej Serbisë”, thotë Maliqi.
“Sputnik Srbija” e “Russia Today Balkan” mbështetën narrativën e qeverisë serbe edhe gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, ku u vra një zyrtar policor e u lënduan tre të tjerë nga një grup prej rreth 30 personash të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Narrativat e dy medieve shtetërore ruse, përsëritën narrativën e Vučić në Serbi, i cili e arsyetoi sulmin si përgjigje e serbëve lokalë që “nuk kanë dashur ta durojnë terrorin e Kurtit”. Vučić shpalli ditë zie për vdekjen e tre sulmuesve.
Disa orë para sulmit në Banjskë kanali pro-rus dhe ultranacionalist serb Slovenski Medved (Ariu Sllav) në Telegram kishte nxitur dhunë ndaj Policisë së Kosovës. “Ne serbët kemi diçka sesi luftohet. Duke pasur parasysh provokimet e mëdha të šiptar [term fyes për shqiptarët] na duhet të mendojmë çfarë mundemi [të bëjmë] e mundemi shumë”, shkruhej në një postim në këtë grup disa orë para sulmit që paralajmëronte një “SVO” Operacion Special Ushtarak. Kanale si Slovenski Medved e “BUNT je stanje duha ” i kanë mbështetur vazhdimisht sulmuesit, duke i quajtur heronj dhe kanë shpërndarë urrejtje ndëretnike ndaj policëve të Kosovës duke i quajtur policët “šiptar” dhe Qeverisë së Kosovës duke e quajtur organizatë terroriste.
Dezinformimi rus përmes “Telegram”
Aplikacionet e mesazheve, krahas shkëmbimit të mesazheve e realizimit të thirrjeve mes dy përdoruesve, e kanë mundësinë e formimit të grupeve. Shpërndarja e keqinformimit dhe dezinformimit nëpërmjet grupeve është edhe më e lehtë meqë në to nuk mund të ketë mbikëqyrje të informatës nga verifikuesit e fakteve brenda për brenda platformës. Derisa në rrjetin social, Facebook, një lajm ndikohet prej verifikimit të palëve që quhen “third party fact-checkers” (palë të treta kontrolluese të fakteve), në një aplikacion mesazhesh, nuk ka kujt t’i raportohet se lajmi është i rremë përtej themeluesit, administratorit të grupit që e ka postuar apo e ka lejuar të postohet përmbajtja keqinformuese e dezinformuese.
Në bazë të politikave të Telegramit grupet janë të mbyllura, ndërsa kanalet janë të hapura. Komunikimi në grupe konsiderohet privat, andaj Telegrami merr parasysh zakonisht vetëm raportimin e përmbajtjes së kundërligjshme. Ndaj kritikave lidhur me lejimin e dezinformatave e përmbajtjes që nxit dhunë Telegrami është përgjigjur me mbyllje të kanaleve dhe grupeve ku shpërndahen përmbajtje të tilla. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë raportim për mbyllje të grupeve dhe kanaleve të Telegramit në Kosovë e as të atyre që e kanë për cak Kosovën për nga dezinformimi.
Derisa televizionet dhe tabloidet e Serbisë që përçojnë narrativa pro-ruse dhe kundër Kosovës janë popullore në Kosovë, Adea Beqaj nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) thotë se hapësira vështirë të hulumtueshme e megjithatë aktive janë posaçërisht aplikacionet e mesazheve, si “Telegram”.

Kanali në serbisht “BUNT je stanje duha ” apo “RREBELIMI është gjendje shpirtërore
” mbledh mbi 80,000 përdorues, shumë prej tyre serbë kosovarë, që u ekspozohen dezinformatave rreth Kosovës.
Te serbët e Kosovës, “Telegram” është shpesh burim i informimit, ku po ashtu janë përhapur propaganda dhe dezinformata. Beqaj tregon se në kanale në “Telegram”, janë shpërndarë informata të pavërteta edhe lidhur me numrin të plagosurve gjatë incidenteve të dhunshme në veri, derisa KFOR-i është etiketuar si terrorist. Burimet e kanaleve të Telegramit, siç thotë Beqaj kanë qenë jo-legjitime e shpesh edhe fiktive. Informatat me origjinë nga Rusia kanë prezencë në grupet që kanë popullaritet te serbët e Kosovës.
“Kryesisht kanë të bëjnë me narrativa që kanë të bëjnë me keqtrajtimin e komuniteti serb në Kosovë, dëshirën e Qeverisë së Kosovës për ta përjashtuar komunitetin serb prej Kosovës ose ka pasur edhe lajme me disa lista me emra të pjesëtarëve të komunitetit serb që po qarkullojnë me qëllime që t’i dëmtojnë ose edhe lista të vrasjeve”, thotë Beqaj.
Ky dezinformim reflekton te qëndrimet dhe besimet e serbëve të Kosovës ndaj institucioneve të Kosovës. Sipas raporteve më të fundit të NDI të realizuara bash gjatë tensioneve në veri, 56% e serbëve të Kosovës të anketuar e besojnë narrativën që Policia e Kosovës po i keqtrajton qytetarët e komunitetit serb në Kosovë dhe 58% e tyre se Qeveria e Kosovës po planifikon përzënien e komunitetit serb nga komunat veriore të Kosovës.
Beqaj beson që këto besime janë të formësuara nga dezinformimi. “Ndoshta për të shkaktuar tension, ndoshta për ta dëmtuar besueshmërinë në institucionet e Kosovës te komuniteti serb, po ashtu edhe ka të bëjë edhe me kontekstin kur ka ndodhur sepse ka qenë situatë e tensionuar”, thotë Beqaj.
“Russia Today Balkan” e “Sputnik Srbija” po përqendrohen te narrativat propaganduese nëpër aplikacione të mesazheve e në rrjete sociale, por sipas Janjić, po përpiqen të mos bien në radarin e rrjeteve sociale si Facebooku.
“Kur shpërndajnë propagandë shpërndajnë më shumë opinione sesa fakte të rrejshme. Mendoj se po flasim për dy nivele të ndryshme: propaganda që përdoret në mediat serbe është më e hapur, më kreative dhe ka më shumë gënjeshtra. Propaganda ruse është më e kujdesshme do të thoja unë”, thotë Janjić.
Imazhi i ballinës: K2.0.

___
Ku tjetër, nëse jo në Shkodër! Pikërisht në këtë qytet, në qendër të Shkodrës, mund të vizitoni muzeun e parë në Shqipëri, me emrin, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në përkujtim të përsekutimit politik të atyre që kanë vuajtur dhe që kanë vdekur në duartë e regjimit komunist të Enver Hoxhës gjatë persekutimit politik gjatë diktaturës komuniste prej pothuaj gjysëm shekulli, në Shqipëri. Është “një vend kujtese, pikërisht në përkujtim të viktimave të diktaturës komuniste”, shkruan në librin doracak mbi historinë e muzeut, Z. Pjerin Mirdita, Historiani i Muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër. Pyetjes se pse pikërisht ky muze u ngrit në Shkodër, ai thekson se janë shumë faktorë, por përgjigja, sipas tij është shumë e thjeshtë. “Shkodra ishte qyteti më i përsekutuar i Shqipërisë, qyteti që vuajti më së shumti mbi njerzit e saj atë diktaturë, qyteti që asnjëherë nuk u përkul përball dhunës dhe hakmarrjes komuniste, sepse shkodranët nuk e deshën asnjëherë komunizmin dhe as komunistët”, shpjegon Pjerin Mirdita arsyen se pse ky muze u ngrit pikërisht aty në Shkodër.

Fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar ndjenjat personale as historikun e këtij “Vendi”. Për fat të mirë, gjatë vizitës së paharrueshme në këtë muze, gjatë një vizite në Shkodër, në fillim të shtatorit, patëm mundësinë dhe privilegjin të shoqëroheshim nga Pjerin Mirdita, Historiani i Muzeut, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër, i cili me shumë profesionalizëm, dokumentacion dhe me fakte historike shpjegoi në hollësi historinë e këtij “vendi”, si dhe vuajtjet prej dekadash të shumë shqiptarëve të pafajshëm – kundërshtarë të regjimit komunist.

Duke folur për historikun e këtij “vendi”, historiani Pjerin Mirdita shpjegoi se ndërtesa – që nga vitit 1930 — ka qenë pronë e Provincës Françeskane shqiptare, por me ardhjen e komunizmit, ajo konfiskohet dhe në ‘të vendoset Sigurimi famëkeq e krimanl i shtetit barbar të Enver Hoxhës. Kjo ndërtesë “Dëshmie e Kujtimi”, për viktimat e komunizmit — sot duhet të vizitohet nga të gjithë shqiptarët, detyrimisht, për kujtesë të krimeve të komunizmit dhe për reflektim, por edhe nga brezi i ri i shqiptarëve në veçanti që të njohin të kaluarën, por edhe nga vizitorë të huaj jashtë Shqipërisë që vizitojnë Shkodrën. Të vizitohet ky vend krimesh çnjerzore, një skenë sjelljesh barbare nga Sigurimi i Shtetit shqiptar komunist nga viti 1946 e deri në rrëzimin e komunizmit zyrtar të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.

Në hyrje të muzeut, vizitorët gjëndet përball një harte të vend-ndodhjes së burgjeve komuniste në Shkodër – Shkodra si “qytet-burg”, numëronte gjithsejt 23 burgje të tilla ku mbaheshin kundërshtarët e regjimit komunist sllavo-aziatik – që mbajti rob, për pothuaj një gjysëm shekulli, jo vetëm Shkodrën por një popull të tërë – mbarë Shqipërinë dhe Kombin shqiptar.

Muzeu është mjaft i pasur me materiale që tregojnë historinë e vuajtjeve dhe të vdekjeve të viktimave të komunizmit në Shkodër – ku salla vizuale, në vetvete, përmban video dhe dokumentarë që shfaqen gjatë vizitës për të interesuarit, përfshir edhe një bibliotekë e pasur me libra të asaj periudhe fatzezë.

Ndoshta pjesa më e dhimbshme dhe më e ndjeshme nga pikëpamja njerzore e morale – ndërsa mendoja me vete se si është e mundur që shqiptari të trajtojë shqiptarin në këtë mënyrë, vetëm e vetëm, se ka mendime të papajtueshme me një regjim barbar e anti-njerzor – siç ishte komunizmi ndërkombëtar i shekullit të kaluar, përfshir regjimin enverist. E dhimbshme dhe i trishtueshëm për vizitorin është kalimi për tek vend-ndodhja e qelive ku mbaheshin të burgosurit, që siç shpjegoi Z. Pjerin Mirdita. është një galeri e ndërtuar rishtasi, por e konceptuar si rrugëtimi i të burgosurve drejtë vuajtjeve, tortutave dhe dhimbjeve.

At Zef Pllumi, autori i veprës, “Rrnoi për me tregue”, njëri prej të burgosurve në këtë “vend”. Përkujtojmë 15 vjetorin e ndarjes nga jeta të fratit françeskan, At Zef Pllumi, i cili u arrestua dy herë gjatë diktaturës komuniste dhe në total kaloi 24 vite në burgjet dhe kampet e punës së detyruar të asaj periudhe. Vepra e tij përkujtimore “Rrno vetëm për me tregue”, është një dëshmi e gjallë mbi atë çfarë ishte diktatura komuniste për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjithashtu kjo vepër na kujton dhe sakrificën e një populli për të jetuar nën një prej diktaturave më të egra të kampit socialist në Europën Lindore dhe në botë. Vepra e tij e merr titullin nga një amanet që At Zef Pllumi mori në atë kohë nga At Marin Sirdani, të cilin e përshkruan edhe në një fragment të veprës, duke e kthyer atë në misionin kryesor të jetës së tij.

Autori në qelinë e vuajtjeve e të tortutave, ose në “birucën”, siç e quanin vet të burgosurit anti-komunistë – sot muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër. I quanin “biruca” për shkak të hapësirës së ngushtë dhe sasisë së vogël të dritës dhe ajrit që
“Stalinizmi shqiptar, dega shqiptare e marksizëm leninizmit është nominalisht marksist, minimanilisht Leninist dhe esencialisht stalinist me një vello të përciptë maoiste. Emri më i përshtatëshëm për këtë fe të re është Stalalbanianizmi ose thjeshtë Hoxhaizimi.”, (Profesor Arshi Pipa)

Duke ecur nepër korridoret e qelive ose “birucave” të këtij “vendi” – (Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës), vizitori mendon dhe pyet veten se si është e mundur që shqiptari të veprojë në këtë mënyrë barbare kundër shqiptarit – duke vrarë e prerë më të mirët e Shqiptarisë. Por, njëkohësisht, duke reflektuar dhe duke kujtuar vuajtjet dhe vdekjen e këtyre heronjve të fesë e të Atdheut në duartë e barbarëve komunistë shqiptarë, një grup fanatik i dalur prej të njëjtit popull, për fat të keq – njeriu ndjenë se një popull nga gjiri i të cilit kanë dalur këta heronjë, duhet të jetë kryelartë dhe të mos humbas kurrë shpresën për një të ardhme më të mirë për Kombin! Le të shpesojmë që kujtimi i sakrificave të tyre sublime do të frymëzojë brezat e ardhëshëm të shqiptarëve për vepra më të mira për veten dhe mbarë Kombin shqiptar.


Nga Dr Sadri RAMABAJA
Nëse qëllimi kryesor i luftës së Putinit është: të shkatërrojë qytetërimin perëndimor dhe vlerat e tij, ai i Vuçiqit është: Krijimi me çdo çmim i “Botës serbe” qofët edhe me kushtin që do të destabilizojë tërësisht rajonin.
Në vend që të kërkojë planin C për Kosovën, Perëndimi duhet t’i përmbahet planit A dhe në fund të mbështesë seriozisht Kosovën, pa llogaritje prapaskenash.
Në rast se qëllimi më i gjerë global i Moskës shkon përtej pushtimit të Ukrainës, e duket se ky është objektivi, sivëllai i tij në Serbi, Vuçiqi, ka objektiva më të qarta dhe afatshkurtëra: aneksimin e Veriut të Kosovës, Anshllusin e Republikës Serbe [Bosnjë] dhe penetrimin e thellë brenda Republikës së Malit të Zi, duke e shndërruar atë në një Bejellorusi të dytë në krah të Serbisë. Beogradi është kategorik – jo vetëm kundër Kosovës së pavarur, por edhe kundër Malit të Zi dhe BeH të pavarur. Po të kishte mundësi, do të sulmonte sërish edhe Kroacinë. Prandaj, politika e Beogradit konsiston në destabilizimin e të gjitha vendeve fqinje me popullsi serbe… Në këtë gamë të shkatërrimit përfshihet gjithësesi edhe Maqedonia e Veriut. Pra, le të jemi realistë dhe të pranojmë se Vuçiq po ngre aksionet në betejën për një Serbi të madhe!
Por, siç vëren me të drejtë analisti kroat Mario Stefanov, qëllimi i putinit “nuk është vetëm global në shtrirje, por edhe gjithëpërfshirës, ai nuk është vetëm politik, por synon të shkaktojë kaos në ekonominë botërore dhe të krijojë dëme në planin ekonomik global, pavarësisht se kush i vuan të gjitha. për shkak të saj, edhe Rusia, madje edhe Kina.”[1]
Në këtë përballje të natyrës së pastër gjeopolitike Perednimi gjithësesi ka nevojë urgjente për përballje unike me Rusinë. Këtë unitet ai nuk e ruan dot në afate të gjata, në rast se toleron Serbinë, duke lejuar që ajo të rikthehet tek strategjia e Titos, duke koketuar herë me Lindjen {Moskën] e herë me Perendimin [Brukselin/Uashingtonin].
Lufta ruse në Ukrainë megjithatë po shërben si një shkas dhe më pas një katalizator për rifillimin e Luftës së Re të Ftohtë. Me armët ruse dhe kineze Serbia tashmë hapur po angazhohet për aneksimin e veriut të Kosovës, pak a shumë duke aplikuar modelin e
Putinit me Krimenë dhe Donbaskun.
Ndërkohë pas agresionit ushtarak serb në veri, derisa njësiti i ndërhyrjes së shpejtë i Policisë sonë i tregoi vendin njësisë së armatës serbe të kamufluar me rrobat ruse, duke lënë të vrarë në vend ose gjatë tërheqjes së paku 7 veta dhe disa të plagosur të zënë si peng lufte, Kosova shpërfaqi në sy të botës arsenalin ushtarak serbo-rus që ky njësit paramilitar serb kishte strehuar në Manastirin e Banjës, që ishte improvizuar si kazermë e magazinë ushtarake paraprakisht.
“Bota serbe” – objektiv strategjik
Derisa përmes luftës në Ukrainë dhe orjentimeve të qarta përtej saj, Rusia po tenton ta shkatërroj rendin egzistues të marrëdhënieve ndërkombëtare në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat, duke përfshirë ekonominë dhe sistemin monetar, Serbia këtë kaos të krijuar po e shfryëtzon për arritjen e objektivit të saj imediat: krijimin e “Botës serbe”. Aksioni subversiv i 24 shtatorit, pikërisht meqë ishte operacion I drejtuar direkt nga Vuçiqi, mund fare lehtë të shkojë në histori si fillim i kësaj beteje politiko-ushtarake serbe. Për shkak të qëndrimeve revizioniste të një lagjeje shtetesh të Perendimit në raport me luftën gjatë procesit të shkërmoçjes së Jugosllavisë dhe sidomos papajtueshmërinë e thellë me Konferencën e Dejtonit dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, që rezultoi me krijimin e Republikës së Kosoëvs si shteti i dytë shqiptar në Europën Juglindore edhe si produkt I gjenerozitetit të klasës politike shqiptare, Serbia pretendon ta shkund Perednimin edhe me ndihmën e kësaj lagjeje shtetesh që e mbështesin atë, që të shtrihet sërish në dëm të shqiptarëve pikërisht në zonën më të pasur me pasuri minerare dhe ujore të Kosovës.
Pas dështimit të parë, Serbia sigurisht që nuk do të ndalet me kaq. Marshi i Ushtrisë serbe në tri drejtime më 30 shtator, pra vetëm gjashtë ditë pasi kishte pësuar goditje të rëndë në Banjskë, dëshmon se Beogradi nuk heq dorë lehtë nga ky objektiv.
Në reagimin e Qeverisë së Kosvës bëhej e qartë se ky marsh sërish kishte për bazë të ashtuquajturin Plani Patkoi përmes të cilit Serbia pothuajse ia pat arritur që ta zbrazë Kosovën nga elementi shqiptar në pranverën e vitit 1999. Atëbotë rreth një milion qytetarë shqiptarë qenë shtrënguar ta lëshonin vendin në të gjitha mënyrat e mundshme. Karvanet e refugjatëve, sidomos ata me trena drejt Maqedonisë, nuk kishin si nuk e tronditënin Europën duke ia kujtuar trenat e Holokaustit nazist gjerman që niseshin nga qendra të ndryshme të Europës drejt Ausshvicit…
“Lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tre drejtime të ndryshme: njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës”,[2] thuhet në njoftimin që Qeveria kishte shpërndarë në orët e mbërmjes, e cila u publikua pothuajse brenda pak minutave në pjesën më të madhe të mediave perendimore.
Ky veprim, pasoi dështimin e Serbisë me formacionet paraushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq. Marshimi i hapur dhe “vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës”,[3] konkludonte qeveria e Kosovës në kumtesën e saj.
Pavarësisht se ishte fundjavë, reagimi ishte i përqëndruar. Sidomos ai që vinte nga Uashingtoni. Nga SHBA vjen thirrja-ultimatum për Serbisë që të tërheqë trupat e saj të vendosura në kufirin me Kosovën. “Ne po vëzhgojmë një prani të madhe ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën”, tha të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby. Kjo përfshin “një dislokim të paprecedentë të artilerisë së avancuar serbe, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë”. “Ne besojmë se ky është një zhvillim shumë destabilizues.” Ndërkaq Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, theksoi nevojën për “de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe një kthim në dialog”.
Në këtë linjë ishte më pas edhe qëndrimi Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe ai i Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Ky i fundit madje ishte më i prerë; ai i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani![4]
Gjendja e tensionuar është produkt i strategjisë serbe për mbajtjen e Kosovës me çdo çmim si konflikt të ngrirë. Si për ta lënë nën hije aktin terrorist të 24 shtatorit, ai sërish jep urdhër ushtrisë për marsh drejt kufijve të Kosovës.
Ish-kreu gjerman i trupave të KFOR-it në Kosovë, gjenerali në pension Erhard Bühler (67), thotë për BILD se zhvillimet aktuale në kufi janë “shqetësuese”. Sipas tij, presidenti serb Vuçiq “mban fajin kryesor: “Është hera e tretë në dy vjet që Vuçiq ka dislokuar trupat e tij – por kurrë nuk ka qenë aq kërcënuese dhe masive sa tani. “Kjo duhet të marrë fund,” tha Bühler.”[5]
Perendimi manovrave të kësaj natyre të Vuçiqit duhet t’i jap përgjegjen meritore.
Shih për këtë historiani Konrad Kleving konkludon:”Serbia duhet te ndalet – fillimisht me mjete diplomatike dhe politike. Por, ne situate urgjente, edhe nga NATO: ushtarakisht”.[6]
Tek pas këtyre reagimeve Beogradi filloi të tërheq mbrapsht forcat ushtarake që kishin marshuar nga kazermat e Nishit e Kralevës, në përforcim të 48 bazave egzistuese rreth e përqark kufirit me Kosoëvn me qëllimin për mësymje tutje për “rikthim në Kosovë”, siç shkruhej në panerët serb gjithandej në Serbi së fundmi.
Të premten që lamë pas, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre si “zhvillim shumë destabilizues”.
Një lloj reflektimi formal i Vuçiqit erdhi pas disa qastesh, ndërkaq në një intervistë dhënë në orët e vona Financial Times ai pohoi se
“Vitin e kaluar kishim 14,000 trupa pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000.” [7]
A do të thotë se marshi i ushtrisë serbe ishte një sheti e rëndomtë?!
***
Kalimi strategjik nga nocioni për “Serbinë e madhe” si objektiv kompromitues e tejet hegjemon, tek ai “Bota serbe”, duket se është i një natyre më specifike dhe në përputhje me frymën e kohës. Strategjia e Serbisë për ekspansin ka qenë në themel të Politikës së Jashtme që nga krijimi i shtetit modern serb [1878]. Kjo strategji ka ndryshuar gjatë rrjedhave të historisë konform rrethanave. Është e rëndësishme të theksohet se qasja ndaj kësaj teme është subjektive. Ajo ndryshon në varësi të burimeve dhe interpretimit të tyre.
“Bota Serbe” është një koncept që përdoret për të përshkruar përkatësinë dhe përgjegjësinë qytetare të serbëve që jetojnë jashtë territorit të Serbisë, përfshirë diasporën dhe komunitetet serbe në vende të tjera. Ndërkaq për elitën ushtarake e politike që drejton aktualisht Serbinë ajo, pra “Bota serbe”, ka konotacion të përshkallëzuar. Kjo elitë ndërkohë është përqëndruar kryesisht të arrijë objektivat urgjente që kanë të bëjnë me Anshllusin e Republikës Serbe dhe aneksimin e veriut të Kosovës.
Por ky koncept shpesh është përdorur për të mbështetur dhe përhapur ndjenjën e solidaritetit kombëtar dhe për të ruajtur identitetin kulturor dhe gjuhësor serb. Për Serbinë, “Bota Serbe” ka shërbyer si një objektiv qenësor në strategjinë e saj për të promovuar dhe mbrojtur interesat kombëtare dhe të komunitetit serb në mbarë botën.
Kjo strategji është shndërruar në objektiv qenësor për shkak të disa arsyeve dhe
rrethanave gjeopolitike:
Mbrojtja e identitetit dhe kulturës: Për Serbinë, ruajtja dhe mbrojtja e identitetit kombëtar dhe kulturës serbe është një prioritet i rëndësishëm. Përmes “Botës Serbe,” ata kanë synuar të ruajnë dhe të promovojnë gjuhën, traditat, dhe vlerat e tyre nëpër diasporë dhe komunitetet serbe në vende të tjera.
Mbrojtja e të drejtave të komunitetit: Duke pasur parasysh dislokacionin [shtrirjen] e gjerë të komunitetit serb nëpër shtetet fqinje [para së gjithash në Bosnjë, Mal të Zi dhe Kosovë], Serbia ka ndërmarrë veprime për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e komunitetit serb. Kjo përfshin mbështetjen politike, ligjore, dhe humanitare për komunitetet serbe jashtë kufijve të saj.
Ekonomia në funksion të zgjerimit të hapësirës serbe: Përmes investimeve dhe lidhjeve ekonomike me komunitetet serbe në vende të tjera, Serbia ka për objektiv jo vetëm të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të këtyre komuniteteve, por edhe ta mbajë gjallë idenë për zgjerim të hapësirës jetike serbe.
Kjo strategji ka ndihmuar në davaritjen e imazhit të keq që kishte nocioni “Serbia e madhe”, e të cilën e aplikonin çetnikët e Sheshelit dhe elemtë prorus, duke forcuar lidhjet më shlirë midis Serbisë dhe komuniteteve serbe në shtetet fqinje dhe në botë, duke ndikuar në politikën e jashtme, duke përmirësuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe duke promovuar konsolidimin e identitetit kombëtar serb jashtë kufijve të Serbisë.
Është e rëndësishme të theksohet se kjo strategji është përballur edhe me kritika dhe kundërvënie, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve ndëretnike në Ballkan. Si e tillë ajo tashmë është projekti më ambicioz që i kundërvihet realisht integrimit ndërshqiptar, para së gjithash atij mes dy republikave tona – në trajtën e një Federate Shqiptare.
Prologu i planit B të Serbisë
I gjithë angazhimi i Komunitetit Ndërkombëtar, për më shumë se një dekadë, në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë bazohej në rezolutën 1929 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (2010). Kjo rezolutë ka theksuar vazhdimësinë e mbështetjes ndërkombëtare për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe ka përforcuar autoritetin e BE-së në këtë proces. Ajo ka inkurajuar përpjekjet për një dialog të ndershëm dhe të hapur midis të dyja vendeve.
Pas së dieles së 24 shtatorit nuk mund të bëhet më fjalë për vazhdimin e dialogut mes Serbisë e Kosovës në formatin egzistues, sikur nuk ka ndodhur asgjë! Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë konform marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj i akorduar në Ohër, është rruga që shmang planin B të Serbisë – luftën.
Por, pas 24 shtatorit, jo vetëm pala shqiptare, po gjithësesi edhe Komuniteti Nëdrkombëtar, e ka të qartë se Serbia ka hequr dorë nga dialogu dhe po rikthehet tek plani B – ai ushtarak. Ky rikthim i hapur, relativisht spektakolar, në trajtën që kishim paralajmruar – te një Blic Krieg-e, gjithësesi kishte një prolog të hidhur për Serbinë. Vazhdimi i tij, nëse tolerohet nga Perendimi, mund të jetë me pasoja për dy popujt tanë – shqiptarët dhe serbët, por edhe për rajonin.
Perëndimi më në fund do të duhet të njohë dhe të përcaktojë shtrirjen e vërtetë të veprimit serb, i cili është i nëdrlidhur gjithësesi me luftën që po bën Moska në Ukrainë. Ai është vetëm një nga instrumentet e veprimit, por gjithësesi qenësor për shkërmoçjen e rendit ndërkombëtar, që nënkupton gjakimin për ta zëvendësuar atë me një lloj rendi multipolar që do t’i vendoste ata në një gjendje më të favorshme gjeopolitike dhe gjeoekonomike. Perëndimi duhet të vendosë më në fund për t’i treguar vendin Serbisë, duke qëndruar tek plani A. Ky plan nënkupton ndërtimin e paqes dhe integrimin e plotë të rajonit në institucionet verioatlantike. Perendimi nuk duhet të hutohet nga plani B i Serbisë, ekspansioni.
Perëndimi nuk ka nevojë as për një plan B dhe as për një plan C për Kosovën, por – po bëhet gjithnjë e më e dukshme – një plan B për veten e vetë, në mënyrë që të kundërshtojë me sukses planin B të Serbisë, që për bjektiv ka krijimin e frontit të dytë të luftës në Europë dhe krijimin e hartës së re politike të Ballkanit në këtë momentum historik kur i konvenon më së shumti Serbisë.
Aksionin terrorist të njësisë paramilitare serbe më 24 shtator nuk duhet shikuar vetëm si agresion kundër Kosovës, por si një goditje serioze dhe potencialisht shkatërruese për të gjithë rajonin dhe madje edhe për rendin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai ka të dhëna sinjifikative se ka qenë i koordinuar edhe me palën ruse, të paktën përmes “Qendrës Humanitare Ruso-Serbe në Nish” .
Rrjedhimisht Perendimi, në vend që të kërkojë planin C për Kosovën, duhet t’i përmbahet planit A dhe në fund të mbështesë seriozisht Kosovën, pa llogaritje prapaskenash.
Sorollatjet në kërkim të planit C, që vërehen sidomos në Bruksel, për ironi, mund të thuhet se janë dëshmia më e mirë se kjo lagje diplomatësh perëndimorë padyshim nuk e kanë lexuar fabulën e Ezopit për akrepin dhe bretkosën. Madje, me gjasë, ata nuk e kanë krejt të qartë as postulatin e shkrimtarit serb Dobrica Qosiq mbi gënjeshtrën si virtyt serb. Përndryshe ata do të duhej të kishin njohuritë e duhura për mentalitetin serb!
Le të rikujtojmë se fabula ka të bëjë me historinë e një akrepi që I kërkoi bretkosës ta kalonte atë përtej lumi. “Fillimisht, bretkosa kishte frikë se mos e thumbonte akrepi, por akrepi e siguroi se po të thumbohej, do të fundosej edhe ajo, e edhe ai do të mbytej. Më pas, bretkosa pranoi, por akrepi akoma thumbonte në mes të lumit dhe kështu i dënoi të dy me vdekje. Kur bretkosa e pyeti në grahmat e vdekjes – pse e bëre këtë, akrepi u përgjigj: “Unë jam akrep dhe kjo është në natyrën time”.
Vuçiqi peng apo ushtar i Putinit?
Pse Aleksandar Vuçiqi hodhi hapin e parë për realizimin e planit B dhe kërcënon se do ta realizojë projektin e tij për aneksimin e veriut të Kosoëvs? Ai duket se e ka të qartë një fakt: në këtë momentum historik, kur opsionet ushtarake perëndimore janë ngushtuar, dhe kur vihen re luhatjet brenda komandës së KFOR-t [qëndrimi më 29 maj ishte dëshmi për këtë], rreth versionit për tumirjen e planit C, ai hidhet në veprim testues.
Perëndimi ka vërtet më pak mundësi për të ndërhyrë ushtarakisht në rast nevoje sesa kishte më parë, por në Kosovë ai nuk ka nevojë për ndërhyrje klasike. Mjafton mbështetja e duhur për FSK-në dhe në fund ta furnizojë atë me armët e nevojshme të përshtatura me kushtet e luftës që provokon Serbia, duke shtuar qoftë edhe vetëm simbolikisht trupat e KFOR-it në veri.
Nuk është e qartë se si udhëheqja e Perëndimit kaq gjatë ka toleruar lojën dhe taktikat e Vuçiqit. Presidenti serb nuk do të ishte ky që është, nëse nuk do të kishte mbështetjen e Putinit. Ai mund të shihet nga Perendidimi edhe si peng i tij, por në fakt, ai është ushtar besnik i Putinit.
___________________
Shënime
1. https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-u-bruxellesu-moraju-postati-svjesni-da-se-europa-vojno-brani-u-ukrajini/
2. Shih faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës: https://www.facebook.com/GOVRKS
3. Po aty
4. https://www.evropaelire.org/a/borell-ben-thirrje-serbise-terheqe-ushtrine/32617004.html
5. https://www.bild.de/politik/ausland/politik-ausland/eskalation-auf-dem-balkan-serbien-gegen-kosovo-nie-war-es-so-bedrohlich-wie-jetz-85595398.bild.html
6. Po aty
7. https://www.balkanweb.com/sulmi-terrorist-ne-kosove-vucic-deshmite-dhe-provat-per-ngjarjet-ne-banjske-dalin-brenda-24-oreve/

Florim Zeqa
Letër e hapur presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, kryeparlamentarit Glauk Konjufca, të gjithë liderëve partiak dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Mitrovica nuk ka qenë e ndarë as në kohën e Krajlit, as të Titos dhe as të Millosheviqit, por u nda pas rishpalljes së pavarësisë së Kosovës. Siq dihet Mitrovica gjithmonë ka qenë qytet i bashkuar me lumin Ibër në mes të qytetit. Mitrovica Veriore ose Mitrovica e Kosovës Veriore është themeluar në vitin 2013 pas krizës në pjesën veriore përmes të ashtuquajturit proces i decentralizimit!
Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, përligjje e marrëveshjes së Kumanovës
Marrëveshja e Kumanovës ose Marrëveshja Ushtarako-Teknike në Kumanovë i dha fund dhunës serbe në Kosovë si një parakusht për ndaljen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike serbe.
Marrëveshja e Kumanovës, ndërmjet NATOS dhe Serbisë, u nënshkrua më 9 qershor 1999, e cila hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Atë e nënshkruan General Sir Michael David Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Havijer Sollana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimeve ndaj Serbisë dhe në të njëjtën ditë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Pra ndarja faktike e Mitrovicës dhe e pjesës veriore në përgjithësi ka ndodhur në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999, me marrëveshjen politiko-ushtarake mes gjeneralëve të NATO-s dhe atyre të ushtrisë serbe. Për çka ish presidenti i Serbisë, Slobodan Milosheviqi, asokohe kishte deklaruar, se Serbia ka fituar me këtë marrëveshje, dhe jo rastësisht KFOR-i ruso-francez u vendosën mbi Urën e lumit Ibër pas tërheqjes së forcave pushtuese serbe nga Kosova në qershorin e vitit 1999.
Marrëveshja e Brukselit të vitit 2013, është vetëm përligjje e marrëveshjes së Kumanovës, në të cilën janë dakorduar që komuna e Mitrovicës veriore të jetë qendër administrative e Asociacionit të Komunave Serbe.
Ndarja “De Jure” u shfrytëzua si pretekst i krizave të njëpasnjëshme në veriun e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2008. Komuna Veriore e Mitrovicës u njoh nga Qeveria e Kosovës në vitin 2013 para zgjedhjeve lokale të këtij viti.
Nga ajo kohë qyteti është i ndarë në dy pjesë: Mitrovica Veriore dhe Mitrovica Jugore e cila ndahet në lumin Ibër, por tensionet etnike në atë pjesë mes serbëve dhe shqiptarëve jo vetëm që nuk u ndalen asnjëherë, u përshkallëzuan në vijimësi me barrikadime të kohëpaskohshme deri në përleshje të armatosur e cila ndodhi më 24 shtator të vitit 2023.
Edhe përkundër tensioneve dhe krizave të njëpasnjëhsme politike, Mitrovica në veri të shtetit më të ri në Evropë ende është e ndarë dhe e acaruar mes shqiptarëve dhe serbëve edhe 24 vite pas përfundimit të luftës.
Moment i papërseritshëm për bashkimin e Mitrovicës
Pas ngjarjeve të 24 shtatorit 2023 është hapur rruga për bashkimin e qytetit të Mitrovicës. Për këtë hap ‘Qeveria e Kosovës’ kësaj radhe do ta ketë mbështetjen e plotë të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, të cilat jo vetëm që nuk do ta pengojnë, do t’i gjejnë modalitet e duhura për bashkimin e qytetit për të ruajtur më lehtë shtetin unitar të Kosovës. Pasi nuk mund të ketë integrim të pjesës veriore pa bashkimin e qytetit të Mitrovicës.
Bashkimi i Mitrovicës është i lehtë dhe i thjeshtë, ngase asnjëherë gjatë historisë nuk kanë qenë dy Mitrovica, por vetëm një, anipse serbët disa herë kanë manipuluar me emërtimet si, Mitrovica e Kosovës, Mitrovica e Titos, etj.
Bashkimi i Mitrovicës është “Alfa dhe Omega” e zgjidhjes së problemit të veriut dhe pamundësimi i krijimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive.
Përderisa 33 vjet më parë u bashkua Gjermania e ndarë gjatë luftës së dytë botërore, pse të mos bashkohet Mitrovica e ndarë 10 vite më parë!?
Kjo është e mundur me vullnet, vendosmëri dhe pragmatizëm politik. Mbase është edhe koha më e duhur për bashkimin e qytetit të ndarë, kur e tërë bashkësia ndërkombëtare tashmë janë bindur për politiken agresive dhe orekset hegjemoniste të Serbisë.
Përveq aspekteve historike të cilat e favorizojnë bashkimin e qytetit, janë edhe resurset natyrore dhe pasuritë nëntokësore që e shtrojnë nevojën e bashkimit të shpejtë të Mitrovicës.
Mitrovica është vet historia, është uji dhe drita, është kristali dhe ari, është shpirti i Kosovës.
Pas 24 shtatorit, me Serbinë nuk duhet diskutuar për ndarjen territoriale të Kosovës, por duhet kërkuar asaj që të bëjë kërkimfaljen për krimet gjenocidale ndaj popullatës civile, duhet kërkuar zbardhjen e fatit të 1617 të zhdukurve shqiptarë gjatë luftës së fundit, duhet kërkuar pagimin e dëmeve të luftës, kthimin e pensioneve, kthimin e librave kadastral, kthimin e librave të regjistrimit civil si dhe ndarjen e hises që i takon Kosovës pas shpërbërjes së ish Federatës Jugosllave.
Kur kjo të ndodhë, do të ndodhë edhe njohja e ndërsjellë si proces i natyrshëm politik.
Me këngë e çifteli nuk bashkohet Mitrovica
I kaluam 24 vite nga ndarja faktike e pjesës veriore dhe mbi 10 vite të ndarjes “De Jure” të Mitrovicës në dysh, i kaluam kaq vite duke ëndërruar, duke kënduar e vajtuar, duke gënjyer e zhgënjyer veten tonë se një ditë do të bashkohet qyteti i Minatorëve.
Përgjatë këtyre viteve i “provuam” të gjitha mundësitë tona për të bindur (frikësuar) pushtuesin tonë verior të na lë Mitrovicën, por kot!
Atë që nuk mundi ta bëjë shumë vite më parë ylli i muzikës shqiptare, e madhja Shkurte Fejza me këngën; “Jo nuk ndahet Mitrovica”, provuan ta bëjnë edhe liderët tonë përmes fushatave zgjedhore disa herë dhe në vijimësi, përderisa në zgjedhjet e viteve të fundit as që humbën kohë të merren me Mitrovicën, jo shkaku i kohës së shkurtër të fushatës, por shkaku i konsumimit të kësaj çështje në fjalorin e tyre politik.
Ashtu sikurse ndarja e Mitrovicës që nuk ishte e rastësishme (e planifikuar), edhe veprimet e mëpastajme të pasluftës në pjesën veriore ishin mirë të planifikuara dhe të koordinuara nga Serbia, Rusia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare për zbrazjen e pjesës veriore nga shqiptarët. Sipas të dhënave, përgjatë 24 vjetve të fundit janë dëbuar mbi 15 mijë shqiptar në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës dhe gjithandej Kosovës.
Heronjët e vetëm të gjallë të asaj toke janë ata pak banorë shqiptar të mbetur në pjesën veriore, të cilët me prezencen e tyre fizike janë duke u munduar t’i dalin zot trojeve te veta stergjyshore, përderisa liderët politik u sillen me hipokrizi ndaj tyre duke ju thënë “Jo nuk ndahet Mitrovica”, duke mos e bërë as hapin më të vogël politik dhe juridik për ri-bashkimin e qytetit.
Të nderuar liderë shtetërorë dhe partiak, të zgjedhur të popullit, të dashur deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, tani është momentumi më i përshtatshëm kohor për bashkimin e qytetit të Mitrovicës dhe pjesës veriore në përgjithësi. Leni ndarjet dhe pikëpamjet ideologjike, leni akuzat ndaj njëri-tjetrit, mos u merrni me gabimet e të tjerëve, por merruni me riparimet e dëmëve, në të kundërtën, nesër edhe ju mund të akuzoheni për mosveprimet e duhura në çastin më të përshtatshëm historik nëpër të cilin po kalon Kosova. Andaj, pa humbur kohë bashkojeni Mitrovicën si parakusht për integrimin e pjesës veriore.