Paradoksalisht, BE-SHBA ngulmojnë për Asociacionin, kancer i Kosovës!

Shkrime relevante

A do të tërhiqet Shqiptar Shaljani nga aktiviteti për kauzën, përkatësisht për kauzat gjithëkombëtare?

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë ____ JO, SHQIPTARI NUK TËRHIQET! Nuk tërhiqem dhe...

Shqiptarët mes historisë dhe harresës. Kush jemi ne përgjigjen arkeologu Qazim Namani dhe historiani Emin Sallahu? (Video)

Shpjegojnë me të dhëna arkeologjie Qazim Namani dhe historiani Emin Sallahu. Emin...

Emigracioni nuk është vetëm largim, por edhe mundësi zhvillimi për Kosovën

Agim Vuniqi, Vashington ____ Pse debati për 250 mijë leje qëndrimi dhe 85...

Shpërndaj

Idriz Zeqiraj, Gjermani
___
Pesëshja BE-SHBA zbriti, sërishmi, në Prishtinë, koxha me bujë. Megjithatë, asgjë e re. Edhe pse krerët shtetërorë e partiakë, pozitë dhe opozitë, janë të njëzëshëm se “pas 24 shtatorit 2023, gjithçka është ndryshe”, rrjedhimisht, as dialogu nuk mund të vazhdojë si më parë, pra, duhet qasje krejtësisht tjetër.
Aksioni i armatosur shtetëror i Serbisë, ishte me shumë se një sulm terrorist, ishte agresion kundër shtetit të Kosovës. Dhe, kjo dëshmohet me angazhimin njerëzor ushtarak dhe arsenalin e armatimit special, për ta realizuar një sulm frontal, me përmasa ushtarake ofenzive, me qëllimin kriminal ndarjen, pushtimin e veriut të Kosovës.
Ky fakt do të ishte i mjaftueshëm, për emisarët e BE-së dhe të SHBA-së, që ta kishin një qasje të unifikuar me shtetarët e Kosovës, për dialogun e mëtejmë, duke e hequr njëherë e përgjithmonë -Asociacionin- nga agjenda e bisedimeve, sepse Asociacioni është kancer për Kosovën.
Por, çfarë mesazhi dha delegacioni i pesëshës në fjalë? Asnjë ndryshim nga deklarimet paushalle të para agresionit të 24 shtatorit! I pari foli ndërmjetësuesi, shumë i përfolur për njëanëshmëri, me emrin shumë cinik e hiç objektiv, Mirosllav Lajçak. Pas një dënimi verbal klishe, rutinor, për sulmin e armatosur të grupit serb në Banjskë të Zveçanit, vazhdoi me shpalosjen e porosive për qeverinë e Kosovës. Ndër mesazhet e para ishte: “Kosova duhet ta bëjë -Asociacionin- menjëherë!” Pra, qëndrimi i tij, gjithnjë në emër të delegacionit, ishte sikur nuk ka ndodhur asgjë më 24 shtator në veriun e Kosovës!
Por, çfarë pritej të thonin e vepronin emisarët e BE-së dhe SHBA-së, pas agresionit të armatosur  të Serbisë ndaj Kosovës, me 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit:
     1) Ndërhyrjen e armatosur duhet ta emërtonin me falorin adekuat -agresion fashizoid- të Serbisë kundër shtetit të pavarur të Kosovës, të njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare;
     2) T`i vinin sanksione të ashpra Serbisë, duke ia hequr ato Kosovës, me kërkim-falje, si të padrejta, arbitrare dhe një krim i turpshëm ndërkombëtar;
    3) Të hapet menjëherë Ura e Ibrit, për lëvizje të lirë edhe për automjete. Dhe, presidenti Macron t`i kërkojë falje, në emër të popullit francez, për ndarjen 24 vjeçare të Mitrovicës, popullit të Kosovës;
     4) Të vendoset ushtria e Kosovës, jo për kontrolle rutinore, por për ruajtjen klasike të kufirit shtetëror, me hapësirën 500 + 500 metra, reciprokisht, tokë të dy shteteve, të pastruar nga bimësia dhe e ndriçuar, me ngritje karaullash, në gjatësinë lineare tej 365 kilometra, aktualisht, nën monitorimin e KFOR-it, duke e koracuar dhe pamundësuar çfarëdo ndërhyrje diversioniste, të armatimit apo të kontrabandës;
     5) Plani franko-gjerman është skajshëm asimetrik, në raport me Serbinë, andaj duhet të korrigjohet, deri në përmasën e simetrisë dy-palëshe;
      6) Të aplikohen menjëherë dhe pa kushte targat e Kosovës në të gjithë territorin e Republikës të Kosovës;
     7) Shpallja e jashtëligjshme e Partisë “Lista Serbe”, me motivacionin:
     a) Për krimet në vijimësi, ndaj komunitetit serb, në veçanti, dhe të komuniteteve tjera, në përgjithësi, në veriun e Kosovës;
     b) Sulmet banditeske, ne koordinim me të ashtuquajturën “Shoqërinë Civile” dhe “Brigada e Veriut”;
     c) Vrasja e policit Enver Zymeri në Doganën e Kosovës në veri dhe rrezikimi i kolegëve të tij;
     d) Djegia e Doganës të Kosovës;
     e) Vënia e përsëritur të barrikadave;
      f) Djegia e veturave dhe të pasurive të qytetarëve, në veriun e Kosovës;
     g) Protestat e dhunshme të 29 majit 2023 dhe në vazhdim, në Zveçan dhe komunat tjera në veriun të Kosovës, ku janë sulmuar me gurë, stupca, plumba policia, ushtarakët e KFOR-it, dy syrësh nga plagët e marrura, u janë amputuar këmbët;
     h) Goditja e pakontrolluar e gazetarëve, kameromanëve me mjete të forta, dhe të popullatës vendore;               i) Dhe, për të kulmuar krimet serike, më 24 shtator 2023, me urdhër të Beogradit zyrtar, përmes strukturave të saj speciale, bëri agresion ndaj shtetit të Kosovës, me ç`rast mbeti i vrarë rreshteri i Policisë të
Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegët e tij.
     j) Arsye shtesë është se nënkryetari i kësaj partie, Millan Radioçiq, aleat besnik i presidentit Aleksandër Vuçiq, mori përsipër drejtimin e agresionit ndaj shtetit të Kosovës, më 24 shtator 2023!
Realisht, nuk pritej nga delegacioni i pesëshës përmbushja e 7(shtatë) kërkesave. Dhe, kjo dëshmohet me deklaratën refuzuese të Lajçak, të bërë në emër të delegacionit, por, aprovuese për Asociacinin! “E theksuam nevojën për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë pa vonesë!”
Ndërkohë, përgjigja e kryeministrit Albin Kurtit, dhënë Lajçakut me shokë, ishte e drejtëpërdrejtë logjike dhe parimore: “Procesi i dialogut duhet të rimendohet pas sulmit të 24 shtatorit”. Dhe, ende më qartë: “Është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re”. Atëherë, ” i mbetet të zotit të nxjerrë gomarin nga balta”,- konstaton populli. Pra, qeveria e Kosovës duhet të ngulmojë për përshpejtimin e bashkimit të Mitrovicës, duke i përmbushur, të paktën, të 7(shtatë) kërkesat e shënuara më lartë.
Është koha që qeveria e Kosovës të vendosë: “Ose hunin, ose tirqit!” Të rreket me përkushtim dhe guxim, për realizimin e këtyre çështjeve dhe të tjerave në shërbim të sovranitetit të Kosovës. Kujdes, çështjen e shpalljes të paligjshme të “Listës Serbe”, në veçanti, por edhe të çështjeve të tjera, në përgjithësi, duhet konsultim me SHBA-në dhe miqtë tanë evropianë, edhe pse në numër janë të paktë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu