Historia përsëritet e përsëritet në ciklet e saj.
Aktualisht Shqipëria ndodhet në qendër të një cunami interesash të fuqive të mëdha të kohës, në një moment që përkon edhe me vendosjen e një rendi të ri botëror. Një vetëtimë në qiell të pastër ndezi një shkëndijë në Zvërnec dhe Sazan, dhe zjarri përfshiu gjithë vendin.
Nuk dihet prej sa kohësh ishin mbledhur shkarpat. Por e vërteta është se u gjet vendi dhe momenti i duhur.
Shkarpat u morën në pyllin shqiptar: qeverisja e keqe prej 36 vitesh, zemërimi popullor që, kur vlon kazani, mbledh të majtë e të djathtë të pakënaqur, ekstremistë të djathtë e të majtë, përfaqësues OJF-sh, persona radikalë të feve të ndryshme, të rinj të pashpresë. Dhe i gjithë ky konglomerat u bë lënda e parë e një revolte me gjak të ri.
Shkarpa më e madhe e zjarrit u bë vetë kryeministri Rama, i cili që nga ardhja në pushtet ka flirtuar si adoleshent me të mëdhenjtë e politikës botërore.
U bë Berisha, një konservator i pandreqshëm, i plakur në politikë, por jo në ambicie.
U bë e gjithë elita e vjetër politike.
Dhe momenti final erdhi.
Të rinjtë u derdhën në shesh me ëndrrën dhe dëshirën për një Shqipëri të re, për një jetë më të mirë.
Fillimisht u pa vetëm vetëtima që shkrepi në qiellin e lodhur shqiptar. Por jo zotat që lëshuan vetëtimën dhe ndezën zjarrin. Kamuflimi ishte perfekt.
Dhe tani, pas dhjetë ditësh, spektakli që të ofrohet nuk ngjan më aq i çuditshëm.
Pas perdes ka aktorë të mëdhenj që tërheqin fijet. E në mes të zjarrit është një copë vend, si Shqipëria. Në skenë kanë vënë pelikanin, flamingon dhe flamujt e të gjitha ngjyrave.
Pas perdes janë dy Amerikat në luftë mes vetes dhe me botën. Europa në përplasje me Amerikën dhe Izraelin. Izraeli në luftë me armiqtë e tij dhe me hijet e veta. Turqia me babën Erdogan. Irani. Dhe pas tyre, fqinjët tanë, këlyshë tigrash që kërkojnë strehë nën hijen e të mëdhenjve.
Të gjithë kanë zgjatur duart për interesat e veta mbi një copë vend që i ka mbijetuar mijëvjeçarëve dhe që sot është katandisur në një grusht njerëzish. Një popull që është stërvitur më shumë për mbijetesë sesa për zhvillim, më shumë për të duruar sesa për të ndërtuar.
E pse e gjithë kjo?
E gjithë kjo prej qeverisjes prej fëmijësh të mbrapshtë të këtij vendi. Prej një populli që shpesh e ka më të lehtë të hajë njëri-tjetrin sesa të bashkohet përballë rrezikut.
Edhe në rastin më të mirë, me një klasë politike të zgjedhur e të mençur dhe me një popull solidar që e ndjen me hundë erën e rrezikut, do të ishte e vështirë të shpëtoje nga thonjtë e një strofulle luanësh të uritur.
Jo më në këtë gjendje ku jemi katandisur.
Dhe qershia mbi tortë për ata që lëvizin fijet është kryeministri Rama, i cili tani gjendet mes flakëve.
Një politikan, një kryeministër, nuk mund të jetë shok e mik me të gjithë luanët e strofullës.
Një burrë shteti i mençur nuk mund të flirtojë me të gjithë dashnorët politikë të botës, sepse në fund secili do pjesën e vet dhe, kur nuk i duhesh më, të fut gishtin, të jep një shqelm dhe të thotë: zhduku!
Dhe në jetën jashtë politikës askush nuk mund të jetë mik me të gjithë.
Për më tepër kur je i dobët.
Kur nuk ke armët më bazike për të rezistuar: ekonomi, industri, bujqësi, arsim, mbrojtje.
Kur fqinjët i mbajnë gjithmonë shkopinjtë në duar, gati për të të goditur, për të të zbutur kurrizin e në fund për të të shaluar.
Tani Rama nuk di nga t’ia mbajë.
Europa i thotë: sus!
Dy Amerikat e tërheqin si kone mes tyre.
Erdogani i thotë: sus!
Po ashtu edhe Netanyahu.
Po si i bëhet, mund të pyesë shumekush?
Vështirë të thuhet. Kur qeveria jote, cilado qoftë ajo, kur kryeministri yt, cilësdo parti t’i përkasë, nuk di më me kë të bëjë aleancë që të mos sulmohet njëherazi nga e gjithë tufa e luanëve të uritur.
T’i marrim me radhë.
Do zgjedhësh luaneshën Europë brenda sofrës ku gjendesh?
Duhet të besosh se Europa do të të mbrojë, ndërkohë që historia tregon se shpesh të ka copëtuar sipas interesave të saj.
Këtë nuk e them unë. E thotë historia.
Do zgjedhësh Turqinë, e cila për pesëqind vjet të bëri të t’ëmën? Pra do bëhesh me babën Erdogan, që ende të sheh si pjesë të ndikimit të vet, që të jep ca kacidhe për xhamitë e për kujtesën e vjetër osmane, ndërkohë që investon miliarda për zhvillimin dhe armatosjen e atyre që i ke hasëm në derë?
Do zgjedhësh Izraelin, një shtet që sot po ndjek me vendosmëri interesat e veta strategjike dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme e më gjerë? Një shtet që mendon dhe vepron si fuqi, jo si mik i kombeve të vogla. E kur fuqitë e mëdha lëvizin gurët e tyre në tabelë, askush nuk të garanton se nesër nuk do të jesh edhe ti një prej gurëve.
I vetmi luan që mund të të kursejë, prapë për interesat e veta, është Amerika e largët. Një superfuqi që, pavarësisht lëkundjeve, vazhdon të mbetet në skenë.
E vetmja.
E vetmja që historikisht, në momentet vendimtare, ka pasur interes të mbështesë ekzistencën e shqiptarëve si faktor më vete.
Por një kryeministër që bën politikë ditore, duket qartë se e ka humbur edhe Amerikën.
Amerikën që në këtë moment është vetë kaotike.
Skena ku po jepet shfaqja e këtij fillimshekulli është e qartë. Por jo për shqiptarët, që vazhdojnë të bëjnë të shurdhrin dhe të verbërin.
Mirë.
Ti, shqiptar, po bën revolucionin e flamingove.
Me të drejtën tënde dhe të Zotit. Sepse të kanë masakruar politikanët dhe shtetarët që vetë i ke votuar me pathos.
Por pse nuk sheh çfarë bëhet pas perdes?
Pse nuk bëhesh i kthjellët për të menduar se si të dalësh nga rrethi i zjarrit?
Sepse revolucioni mund të rrëzojë një qeveri. Mund të rrëzojë një kryeministër. Mund të rrëzojë një klasë politike.
Por nuk mjafton të rrëzosh.
Duhet edhe të mbijetosh.
Dhe përballë luanëve, mbijetesa nuk fillon nga britmat në shesh.
Fillon nga kthjelltësia për të kuptuar se kush po e ndez zjarrin, kush po fryn mbi të dhe kush pret të ngrohë duart pranë flakëve të tua.
Vetëm atëherë mund të dalësh nga rrethi i zjarrit.
Vetëm atëherë mund të frymosh i lirë me aq sa mundesh.
Ps: Shqipëri, moj Shqipëri, sot ngjan rinore, e bukur, moderne sa s’thuhet… Aq sa ndonjëherë dyshoj në je apo s’je ti.
Por unë të shoh afër e larg, mes flakëve e luanëve, dhe syri e zemra më qajnë për ty. 



