ARKIVI:
10 Maj 2024

Rrnoftë Libri, se më ka ba vajzë të lirë!

Shkrime relevante

Dashuria nuk vret…!

Nga: Monika Braja, Selanik ___ Dashuria nuk vret...! ___ Ku ka dashuri, nuk mund te...

FARK-u, nuk ka ekzistuar brenda territorit të Kosovës, gjatë luftës 1998/1999!

Mr.sc. Metush Zenuni ___ Përkundër organizimit ilegal ushtarak të pa shkëputur të Lëvizjeve...

Takimin e presidentit dr.Ibrahim Rugova, me presidentin Ramiz Alia më 1991, nuk mund ta mohoj askush

Nga: Xhafer Leci, Gjermani ___ * Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës...

Flasin të rikthyerit në krishterizëm, Belisar Jezerci dhe Pajazit Jashari

Videoja: La islamin për katolicizëm, 'Djali i vogël kundër', i konvertuari i...

Rezoluta nr. 1244 e KS të OKB-së apo Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?

Nga: Hakif Bajrami, historian, Prishtinë ___ Nuk e di a më shumë e...

Shpërndaj

Nga: Gabriela Mujaj
___
E lëvdoj dhe e madhnoj kët’ lumni të madhe të jetës teme!
Rrnoftë, se qysh në vogli e deri m’sot, më ka dhan’ nji botë të dytë, më ka pshtue prej zymtisë e mjerimit të nji bote meskine, prej të zakonshmës, prej ligsisë njerzore.
Rrnoftë Letërsia që më ka dhan’ sy, veshë, mendje, shpirt e zemër, për me pa, me ndëgjue, me mendue e me përfytyrue, e me ndie ndryshe.
Se më ka ba me andrrue, me u g’zue edhe ndër kohna të trishta, ka qenë ngushëllim e dritë mes mendësive të kalbuna njerzore, më ka mbrue shpirtin e lirisë në mes njerëzve që jetojnë në burgje mendjesh.
*.*.*.*
Asht dita e Librit sot. Te puna ishte nji ditë e lodhshme, te Universiteti po ashtu.
Më erdhi ndërmend nji episod i vjetve të fëminisë, atje në Malsi, ku më asht ngjiz trupi, shpirti e mendja ’eme, ku kam mësue me fol gegnisht.
Në nji prej atyne ditëve të zakonshme dhe të mërzitshme në fshat, pati ardh te shpia jonë z. T. me të shoqen.
Unë u pata ul afër tij te divani dhe kqyrsha tash e parë nanën e babën të cilët, hetojshin se mos po thom ndonji fjalë ” legjendë” prej atyne të miave, me të cilat jo rrallë herë i vejsha në siklet e për të cilat më bajshin pyetjen rutinë ” kâ ke nie tu thanë ishtu, ku e ke nie, fol ?!”.
Me z. T. përfundova tue fol për punë librash. Nuk po më besohej që ma në fund po flitsha me nji burrë mahalle për fjalën libër. Zakonisht, në lagjen tonë burrat e gratë flitshin për tematika të ndryshme, të mbjella e të korruna, për pare, për shpinë e filanit, për marren e filanes, për fejesa e martesa, për grat me barrë e ato që nuk mujshin me met me barrë e qi ishin të piketueme, për vajza të mbetuna në derë se nuk ishin të ndershme, për ndonji nuse qi kish’ dalë për namë e që dallonte në Kishë të Bajzës për pashi e bukuni. Flitej edhe për ndonji kurv me emen, për lopë, berre, dhi, mështjerra, për mbarsime, për dosa me zogj…berret kishin emna, po ashtu dhe lopët, ” Larukë”, ” Dashe”, ” Mollukë” etj. Pra, për gjithshka flitej mes grave e burrave, përveçse për libra e botë akademike. Për habinë teme të stermadhe të atij çasti të largët, z. T. më tha se kishte bibliotekë në shpi. I picrrova sytë e mij siç bajsha zakinisht, kur dojsha me u sigurue në po më rrente bashkëbiseduesi, dyshimin e kam pas përherë të pranishëm, lavdi Zotit, dhe mendova se po tallej me mue. I pashë ata sy të vegjël e pa asnji ngjyrë të veçantë të cilët i shkëlqejshin dhe m’u duk i sinqertë.
Për mue kjo ishte nji zbulesë e madhe! Pra, në mahallën teme kishte dikush bibliotekë, nuk ishim aq merhuma sa e kisha mendue. Për herë të parë e ndjeva praninë e Zotit me vepra. Se Zoti nuk don veç kisha, as vetëm xhamia.
Aj don dije e libra, se e para ishte fjala, se Zoti asht Za, e Zani asht Fjalë.
Z. T. më tha qi po ta shiste bibliotekën, ajo kishte me pas X vlerë monetare.
Në atë çast, të cilin e kam të pamundun me e shlye prej kujtese, në të qindten e sekondave, ndjeva nji zemnin e gati gati inad ndaj babës tem i cili po mbushte gotat e rakisë. Pse nuk kishte edhe baba jem bibliotekë, ai ishte njeri ma i dashtun i shpirtit tem, mbreti jem, por s’kishte bibliotekë. Prej inadit, mu kujtua Lisha, lopa jonë, ajo prej të cilës kishim tamblin, djathin, e shumçka. O Zot aman, më flaknoi ideja si tundim diabolik, e mendojsha, sikur ta kisha shit Lishën msheftas e ta kisha ble bibliotekën e z. T.
Ky mendim aventuresk zgjati me sekonda në krye temin dhe kujtoj ngazëllimin qi vigjlote në sytë e mij për kët mendim kaq të dishrueshëm, e për të cillin asnji prej tyne nuk kishte dijeni. Ajo magji e jashtëzakonshme me imagjinue në liri të plotë, se imagjinata pra, asht dhuntia ma e madhe që na ka dhanë Zoti në qiell. Ajo na nep lirinë absolute!
Mbasi i shkunden gotat me raki ( të cilen e kërkojsha msheftas ndonjiherë) z. T. u çue me ik bashkë me gruen e tij të mirë. I tha do fjalë të mira për mue babës, se kisha premisa për me u ba dikushi, se isha e squet etj ,gja që më lumtunoi tepër fort e me bani me u krekosë, me idenë se ato fjalë ishin nji shtysë ma shumë për me më lan’ në punën teme, e se ma në fund do bahej e qartë se nuk isha si shumica e varzave tjera.
Me të ikun z. T., shkova menjiherë te dhoma e gjumit, në murin e të cilës kishim të varun nji figurë të bukur fort të Jezu Krishtit, të bame prej cope, i cili e kish vu dorën në zemër, e i cili ishte edhe miku jem i vetëm shpirtnor që i kallzojsha e i besojsha gjithshka.
I thashë që e urrej lopen edhe pse na jep tamel, djath, mazë e tlyen etj, e i thashë me e vu dorën në zemen për mue për nji bibliotekë nëse ishte gja që bahej, e menjiherë mbas kësaj, shkova dhe preka ato pak libra qi kisha të miat, ” Zemra” e De Amicis, ” Aventurat e Tom Sojerit” “Aventurat e Hakelber Finit” ( M.T) e disa tjerë..të cilit rrishin ngjitun me Biblën që më kishte dhurue Pater Ejlli, françeskan.
___
Gabriela Mujaj
Me 23 Prill të vjetit 2024,
Vjenë, Austri

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu