ARKIVI:
26 Prill 2026

Si ta takosh veten

Shkrime relevante

Lavdi grave të qëndresës antikomuniste shqiptare

Nga Frank Shkreli (Në Kujtim të Klora Mirakaj Merlika dhe të gjitha...

Kosova miratoi Rezolutë, për Luginën e Preshevës

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për avancimin e përkujdesjes institucionale,...

Vuçiç: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës

Gani I. Mehmeti (A.P / 25 April 2026 - 17:34, Kosova Sot...

Bllokim të deputetevë në Kuvend deri në zgjedhjen e Presidentit!

Florim Zeqa Në demokraci sovrani (populli) është forca mbrojtëse e shtetit dhe...

Shpërndaj

Këto ditë në Shkup ndodhi një vdekje e papritur.
Një dhimbje që kërkonte të përjetohej në heshtje, me ndjenjën e bashkëdhembjes për familjarët.
Kanë kaluar dy javë dhe, sikur kjo vdekje, në një mënyrë, u kthye në një treg të zhurmshëm rrëfimesh ku secili merrte të drejtën të fliste. Trillime që kërkonin të bëheshin të vërteta, konspiracione, interpretime, “hulumtime” të duket sikur një bandë prokurorësh vendorë e ndërkombëtarë janë lëshuar në garë se kush do të zbulojë e gjykojë më shumë mbi një jetë që nuk ishte e tyre, duke e kthyer kështu, një vdekje të natyrshme në një vepër konspirative.
Po pse kaq ngutje aty ku ndoshta duhet vetëm të përkulesh? Pse kjo etje për të depërtuar në jetën e tjetrit? Pse kaq dëshirë për ta gjykuar jetën e dikujt, qoftë kur e njeh, qoftë kur nuk e njeh?
Çfarë interesi e shtyn njeriun t’i fusë hundët jo vetëm në punët e jetën e tjetrit, por edhe në një rast vdekjeje? Pse njeriu nuk di të ndalet para misterit të fundit, amshimit?
Po mendoj e mendoj të gjej racionalen në gjithë këtë etje për thashetheme, dhe më kujtohet Scott Peck me librin e tij “Rruga që rrallë e ecim”, ajo rruga e gjatë që kërkon durim, përgjegjësi dhe një kulturë të brendshme që e fisnikëron njeriun.
Më duket se, në gjithë këtë rrëmujë, njerëzit zgjedhin të merren me tjetrin sepse kjo është rruga më e lehtë për të ikur nga vetvetja. Të fshihen pas jetëve të të tjerëve, jo aq nga kureshtja, sa nga nevoja për ti mbuluar, mungesat dhe zbrazëtitë e tyre personale që nuk kanë guxim ti shohin.
Me një gjykim të ftohtë, këta njerëz hyjnë në kategorinë e manipuluesve, të vetëdijshëm ose jo, sepse duke u marrë me kotësira, në fakt manipulojnë me boshllëkun e tyre, me pasigurinë e tyre, me vetëvlerësimin e tyre të lëkundur. Prandaj kanë nevojë të flasin nëse duhet edhe për një mort, dhe të të bindin se ky është një zakon normal i të jetuarit.
Nuk e di si e shpjegon shkenca këtë fenomen, por përtej absurditetit, kjo më duket si një lloj sëmundjeje shoqërore që imponohet çdo ditë dhe një krizë morale e njeriut për ta takuar vetveten
Po si ta takosh veten?
Ta takosh veten do të thotë të rrish një çast pa zhurmën e botës dhe pa zhurmën që ua bën jetëve të të tjerëve. Të kesh kurajo të hysh në heshtje dhe të shohësh çfarë ke lënë pa ndrequr brenda vetes. Të flasish me plagët e tua. Të pranosh boshllëqet, xhelozitë, pakënaqësitë dhe dështimet e tua pa i hedhur mbi kurrizin e dikujt tjetër.
Në momentin që e takon veten, nuk ke më aq shumë kohë për ta ndotur jetën e tjetrit.
Atëherë me gjithë qenien tënde e kupton se dhimbja nuk është material për thashetheme, se vdekja nuk është skenë për trillime dhe se dinjiteti njerëzor fillon pikërisht aty ku mbaron kureshtja e sëmurë për jetën e tjetrit.
Ndoshta kjo është prova më e vështirë e njeriut të ulet përballë vetes dhe të mos largohet. Ky vendim kërkon guxim, vetëdije, ndershmëri për të ndërtuar një marrëdhënie autentike me veten.
Fundja, vetëm ai që e ka takuar veten, e di se ka kufij që nuk duhen kaluar. Dhe një nga këta kufij është pikërisht momenti kur jeta e tjetrit kërkon respekt.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu