
E njëjta gjë është kërkuar edhe nga ish ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan : “Lloje të tilla të punimeve, të cilat synojnë largimin e shprehjeve të pakëndshme në librat e historisë, ekzistojnë jo vetëm ndërmjet Gjermanisë dhe Francës, por edhe shumë shteteve, përfshirë edhe vendin tim e posaçërisht ndërmjet vendeve, të cilat kanë marrëdhënie fqinjësore”.
Kështu që në heshtje librat e historisë në Dardani kanë filluar të korrigjohen.
Nga klasa e 5-të deri në të 13-ën del se Perandoria Osmane gjatë shekujve të pushtimit të viseve të banuara me shqiptarë nuk ka vrarë, nuk ka ushtruar dhunë dhe nuk ishte e ashpër. Në vend të këtyre shprehjeve, sipas korrigjimeve, sulltanët me ushtrinë dhe administratën tyre sunduan, burgosën dhe ushtruan ndërhyrje ushtarake.
Autori i një libri shkollor të historisë në arsimin parauniversitar dhe bashkautori i shumicës së teksteve të këtij niveli, konsideron se delegacioni ka për qëllim mbikëqyrjen e komisionit të caktuar nga MASHT-i. “Delegacioni nga Turqia vjenpër presion dhe për asgjë tjetër.Si të tillë nuk e njoh edhe as që kisha dashur të takohesha me ta”, ka profesori univerzitar . Ky s’e njeh as komisionin vendës, të themeluar për këtë çështje nga MASHT-i.

“Punën time e bëj të pavarur, prandaj nuk njoh asnjë komision që provon të prekë çështjet shkencore”, ka profesori. Ky thekson se MASHT-i nuk i ka konsultuar autorët e librave kur e ka themeluar atë komision, ndërsa ka zënë ngoje kryetarin e komisionit,….Për të ka thënë se është historian, por jo tekstshkrues i librave të historisë në arsimin parauniversitar.
“Ai e ka përgatitur një raport në të cilin janë të përfshirë disa rekomandime, i cili gjendet në Divizionin e Sigurimit të Cilësisë dhe i cili në të ardhmen jo shumë të largët do të organizojë debat të hapur me ekspertë të teksteve shkollore”, ka thënë burimi anonim . Sipas tij, pas këtyre debateve do të organizohen takime me autorët e teksteve përkatëse, në mënyrë që bashkërisht të debatohen rekomandimet e komisionit dhe ato nga debatet e hapura.
“Vetëm me pëlqimin e autorëve mund të bëhen ndryshimet”, është shprehur ai, teksa ka mohuar që komisioni që do të vijë nga Turqia do të ndërhyjë në punët kosovare.
“Ardhja e ekspertëve nga Republika e Turqisë nuk e nënkupton ndërhyrjen në punët tona, por ky do të jetë një shkëmbim përvojash, ashtu siç ka ndodhur e do të ndodhë në takimet e tjera që kemi pasur me ekspertë të vendeve të tjera evropiane”, ka përfunduar ai.
MASHT-i kishte themeluar një komision për rishikimin e prezantimit të historisë, gjeografisë dhe kulturës osmane e turke në tekstet shkollore parauniversitare në Republikën e Dardanisë. Komisioni përbëhet nga gjuhëtarë, letrarë, historianë, muzikologë etj. Puna e komisionit është përfunduar dhe janë dhënë të gjitha rekomandimet se ku do të duhej të ndryshoheshin tekstet shkollore parauniversitare, kudo që flitet për Perandorinë Osmane.
Nga lënda e historisë janë prekur tekstet Historia 5 e autorëve, Fehmi Rexhepi, Frashër Demaj, botuar nga “Libri Shkollor” më 2007; Historia 6 e po të njëjtëve autorë dhe po të njëjtit botues (2004), , Historia 7 e autorëve Isa Bicaj, Arber Salihu (2004); Historia 8 e autorëve Izber Hoti, Jetullah Krasniqi (2005): Historia 10 (Gjimnazi Gjuhësor) e autorëve, Isa Bicaj e Arber Salihu (2004); Historia 10 (Gjimnazi Informatikë – Matematikë ) i autorëve, Jusuf Bajraktari, Frashër Demaj (2003), Historia 10 (Gjimnazi Gjuhësor) -Isa Bicaj e Arbër Salihu (2003) Historia 11 (Gjimnazi Përgjithshëm) –Jusuf Bajraktari, Isa Bicaj (2004); Historia 11 (Gjimnazi Gjuhësor) – Fehmi Rexhepi, Frashër Demaj (2004), Historia 11 (Gjimnazi Shoqëror), Ramiz Abdyli, Emine Bakalli (2004) dhe Historia 12 (Gjimnazi i Përgjithshëm) dhe Jusuf Bajraktari e Arbër Salihu (2005), që të gjithë të botuar nga “Libri shkollor” 2005.
Ndërkaq autori i studimit te teksteve mësimore të historisë Dardani -Shqipëri-Serbi, me titull: Kosova 1912-2000 në tekstet mësimore të historisë së Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë”, , mendon se tekstet mësimore të historisë për shkollat fillore dhe të mesme në Dardani duhet të ndryshohen rrënjësisht dhe urgjentisht.
“Madje këto ndryshime duhet bërë jo vetëm sa i takon prezantimit të periudhës kur Dardania dhe shqiptarët në përgjithësi kanë qenë nën Perandorinë Osmane, dhe jo siç kërkojnë palët e përfshira, por duke u bazuar në dokumente, dëshmi, fakte, argumente etj.”, ka thënë profesori . Pra, sipas tij, duhet të eliminohet gjuha e urrejtjes, shpifjet, etiketimet, hiperbolizimet. Ndryshe, ka thënë ai, duhet ruajtur nga çdo trysni politike.
Ndryshimet në librat e historisë do t’i kontribuojnë marrëdhënieve Dardani -Turqi të cilat, sipas zyrtarëve turq , janë të shkëlqyeshme.Ata ngjashëm kanë vepruar edhe shtete tjera, “të cilat kanë jetuar në të kaluarën një histori të përbashkët”.
Neve kemi gjetur gjithashtu disa prej ndryshimeve konkrete që kanë pësuar librat e historisë nga klasa e pestë deri në klasën e trembëdhjetë. Shembujt e paraqitur në këtë rast u takojnë librave të historisë së klasës së pestë, gjashtë dhe tetë. Në librin aktual të historisë së klasës së pestë, fjalët “dhunë” dhe “vrasje” në raport me Perandorinë Osmane janë fshirë.
Fjalia “…osmanët vranë shumë shqiptarë…” është fshirë tërësisht, fjala “..ashpërsi” është shndërruar në “…ndërhyrje ushtarake”. Ndryshimet e tjera janë bërë në librit të historisë së klasës së 6-të, ku fjalia “…sundimi i egër osman…”, është shndërruar në “…pushtimi osman”. Vijë i është rënë edhe pjesëve të librit të historisë së klasës së 8-të si fjalia “…merreshin masa të rrepta ndaj atyre që nuk ishin të fesë islame…”, tash ka tjetër kuptim.”.
Agjencioni Floripress ka siguruar një raport të punës të një komisioni komisioni parapark , ku kryetar i të cilit ishte prof.dr. Shkëlzen Raça (historian), me anëtarë prof.dr. Ruzhdi Pllana (gjeograf), prof.dr Hysen Matoshi (kulturë osmane dhe turke-gjuhë e letërsi), Mr.sc. Astrit Mustafa (kulturë osmane e turke-muzikë) dhe sekretar i komisionit, Mr.sc. Avni Rexha.
Komisioni për Rishikimin e Teksteve të Historisë, i formuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kishte përpiluar një raport, i cili para finalizimit do të shikohet dhe nga ekspertë nga Turqia.
Por, këtë ata do ta bëjnë në konsultim me anëtarët e Komisionit për Rishikimin e Teksteve të Historisë, e pa mohuar as autorët e teksteve, mendimi i të cilëve sipas MASHT- it nuk do të anashkalohet asnjëherë.
Në kuadër të vizitës së ekspertëve turq do të organizohen edhe debate lidhur me këtë “problem” në tekstet e historisë si dhe rekomandimet e grupit të ekspertëve kosovarë.
“Grupi i ekspertëve turq do të shikojnë disa nga sugjerimet që kanë dhënë ekspertët e Kosovës dhe do të japin kontributin e tyre, në mënyrë që tekstet tona të jenë të përshtatshme duke përmbushur kriteret”.
Ardhja e ekspertëve turq nuk duhet të keqinterpretohet. “Nuk do të thotë se ata do të vendosin si të jenë tekstet e Dardanisë, por këtë po e bëjmë thjesht për të treguar gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar jo vetëm me Turqinë, por edhe shtetet e tjera”.
Prishtinë, me prill 2026



Feja e shqiptarit është shqiptaria paraqet një thënie të fuqishme dhe me shumë kuptim e cila buron nga periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kjo frazë e cila i atribuohet Pashko Vasës gjendet në poemën e tij patriotike “O moj Shqypni”, e shkruar rreth vitit 1878, një periudhë vendimtare për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. Përtej vlerës së saj poetike, kjo shprehje mbart një ngarkesë të thellë historike, kombëtare, ideologjike dhe sociale, duke reflektuar aspiratat e shqiptarëve për unitet në një kohë kur ndasitë fetare po përdoreshin si mjet përçarjeje nga fuqitë e huaja.
Historia
Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Perandoria Osmane nuk e njihte etninë shqiptare si të tillë, por e kategorizonte popullsinë sipas përkatësive fetare. Sipas kësaj skeme, shqiptarët myslimanë konsideroheshin turq, ata ortodoksë shiheshin si grekë ose serbë, ndërsa shqiptarët katolikë shpesh identifikoheshin me romakët apo austriakët. Kjo politikë e ndarjes dhe përçarjes rrezikonte jo vetëm kohezionin shoqëror të shqiptarëve, por edhe vetë ekzistencën e një kombi të bashkuar. Në këtë kontekst, fraza e Pashko Vasës nuk ishte një mohim i fesë si besim individual, por një thirrje për t’i dhënë përparësi identitetit kombëtar mbi ndasitë fetare të imponuara nga jashtë. Shqiptaria, në këtë kuptim, paraqitet si “feja” e vërtetë që duhet të bashkojë popullin, duke vendosur atdhedashurinë dhe vetëdijen kombëtare në qendër të jetës së çdo shqiptari.
Parimi i unitetit kombëtar mbi përkatësinë fetare nuk ishte një ide e izoluar e Pashko Vasës, por një mesazh që përshkoi të gjithë lëvizjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Figura të tjera të shquara si Naim Frashëri e artikuluan në forma të ndryshme këtë koncept, siç dëshmohet në vargun e tij të njohur: “Lëreni më nj’anë fenë, të shikojmë mëmëdhenë.” Po ashtu, në këngët popullore të fillimit të shekullit XX, kur shqiptarët po përpiqeshin të siguronin pavarësinë e tyre, dëgjohej shpesh vargu “S’është për mua, as për ty, por për gjithë Shqipëri”, duke theksuar rëndësinë e sakrificës për atdheun përtej dallimeve personale apo fetare.
Ndikimi i kësaj thënieje nuk u kufizua vetëm në periudhën e Rilindjes. Ajo vazhdoi të luante një rol të rëndësishëm në formësimin e ndërgjegjes kombëtare gjatë shekullit XX. Në periudhën e shtetit shqiptar të sapokrijuar, ky koncept ndihmoi në ruajtjen e kohezionit të një shoqërie me diversitet fetar, duke e vënë theksin tek identiteti i përbashkët kombëtar. Megjithatë, gjatë regjimit komunist, thënia mori një tjetër konotacion, duke u përdorur si justifikim për shtypjen e fesë dhe përpjekjet e qeverisë për të krijuar një shtet krejtësisht ateist. Ndërsa qëllimi fillestar i saj ishte të nxiste tolerancën dhe unitetin, regjimi e përdori për të fshirë rolin e fesë në jetën publike, duke e shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë.
Pas rënies së komunizmit dhe me rikthimin e praktikave fetare, kjo thënie vazhdon të mbetet e rëndësishme, por debati mbi kuptimin e saj është rihapur. Disa e shohin si një mesazh të vazhdueshëm patriotik dhe të nevojshëm për ruajtjen e harmonisë fetare mes shqiptarëve, ndërsa të tjerë e kritikojnë si një koncept që mund të keqinterpretohet ose të përdoret për të kundërshtuar praninë e fesë në jetën publike. Në këtë kontekst, intelektualë si Rexhep Qosja kanë shprehur variacione të saj, si për shembull: “Shqiptaria është Bibla dhe Kurani i çdo shqiptari”, duke e përkufizuar kombin si vlerën themelore që bashkon shqiptarët përtej besimeve të tyre fetare.
Në fillim të shekullit XXI, kjo ide ka marrë trajta të reja, duke u përqafuar nga grupe të ndryshme që e interpretojnë sipas këndvështrimeve të tyre. Një grup e mbështet fuqishëm këtë ide si një shtyllë të nacionalizmit shqiptar, duke e parë çdo ndikim të fortë fetar si një kërcënim ndaj patriotizmit. Një tjetër grup, i formuar nga qarqe fetare, e sfidon këtë thënie, duke argumentuar se një shoqëri mund të jetë e bashkuar edhe pa e reduktuar rolin e fesë në jetën kombëtare. Një grup i tretë, i cili këtë çështje e sheh në dritën e një mitologjie popullore shqiptare dhe neopaganizmit shqipar, e trajton shqiptarinë si një element të shenjtë kulturor dhe historik, një trashëgimi shpirtërore që shkon përtej fesë tradicionale.
Si përfundim, “Feja e shqiptarit është shqiptaria” nuk është thjesht një frazë historike, por një ide që ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë në mënyrën se si shqiptarët e shohin veten dhe identitetin e tyre kombëtar. Ajo ka shërbyer si një thirrje për unitet, një mjet për të kundërshtuar përçarjet fetare dhe një forcë lëvizëse e nacionalizmit shqiptar. Edhe pse konteksti historik dhe politik ka ndryshuar me kalimin e kohës, mesazhi i saj thelbësor, që përkatësia ndaj kombit është më e rëndësishme se ndasitë fetare, mbetet një shtyllë e identitetit shqiptar
Me respekt!
Flori Bruqi
Prihstine, 5.5.2026.