PADI PENALE
Drejt:
Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Kosovës
dhe
Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës
PADITËS:
Ibrahim Kelmendi (ID2858987)
Banues në fshatin Llabjan, Komuna e Pejës
Aktualisht jashtë shtetit për arsye shëndetësore
TË PADITUR:
1. Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE)
2. Qeveria e Republikës së Kosovës, “Kurti 2”
OBJEKTI I PADISË:
Padi penale për shpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, moszbatim të kontratës shtetërore për privatizimin e KEDS-it dhe dëmtim të interesit publik e të buxhetit të Republikës së Kosovës.
Arsyetim
Unë, Ibrahim Kelmendi, i paraqes këtë padi penale me qëllim të inicimit të hetimeve ndaj orga-neve të lartcekura për shkak të dyshimeve të arsyeshme për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe moszbatim të kontratës shtetërore për privatizimin e KEDS-it, e lidhur më 9 qershor 2012 ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konsorciumit turk Limak-Çalık.
Kontrata, sipas informimit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi (gjatë bisede që kishim për t’ia komunikuar kundërshtimin tim për privatizim të KEDS-it), përmban një nen ku përcaktohet që fitimi maksimal neto vjetor i kompanisë KEDS, përderisa ka monopol të shitjes së energjisë elektrike në territorin e Kosovës, nuk lejohet të kalojë shumën prej 17 milionë eurosh në vit. Kjo, në kuadër të një marrëveshjeje ku KEDS-i u shit për vetëm 26.3 milionë euro, ndonëse vlera vetëm e investimeve në rrjetin energjetik nga viti 1999 deri kur u privatizua kapnin shumën mbi 180 milionë euro.
Ta zëmë, në vitin 2023, sipas të dhënave që janë bërë publike, KEDS & KESCO kanë blerë rreth 7.5 milionë MWh rrymë elektrike nga KEK-u me çmim 29.60 €/MWh, duke na e shitur më pas për një çmim mesatar prej 145 €/MWh, duke realizuar një fitim bruto të përafërt prej 865 milionë euro. Edhe duke zbritur shpenzimet operative dhe investimet, fitimi neto duhet t’u ket mbet mbi 830 milionë euro/vit, çka përbën shkelje flagrante të kufirit të vendosur në kontratë: 17 milionë euro fitim neto në vit.
Përkundër fitimeve aq të mëdha, të kundërligjme (meqë kontrata për palë është ligj), bordi i ZRRE-së e rriti çmimin e rrymës edhe për këtë vit (nga 1 prilli 2025) 16.1 %, ndërsa bizneset me mbi 10 milionë Euro qarkullim në vit, gjegjësisht me mbi 50 të punësuar, i detyroi të kalojnë në “treg të lirë”, ku operator i vetëm është vetëm KESCO turk. Këtë kriminalitet bordi i ZRRE-së e arsyetojë me importin që paskëshin bërë KEDS-i & KESCO, edhe deri tani kemi informim se vetëm qeveria ka importuar rrymë elektrike, në volumin që e paraqita më lartë.
ZRRE, si organ mbikëqyrës, ka dështuar në përmbushjen e mandatit të saj ligjor për të garantuar zbatimin e kësaj kontrate të privatizimit të KEDS-it dhe ka lejuar një situatë të përfitimeve të paligjshme të një kompanie private, në dëm të buxhetit dhe të konsumatorëve.
Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës, – pa e pas detyrim në bazë të kontratës as qeveria e as KEK ta furnizojnë me rrymë KEDS-in, – nga viti 2021 deri shtator 2024 ka importuar mbi 3.9 milionë MWh rrymë elektrike, me çmim mesatar prej 149.85 €/MWh, duke shpenzuar gjithsej mbi 560 milionë euro nga buxheti i shtetit. Kjo energji i është shitur KEDS & KESCO me çmimin fiks 29.60 €/MWh, duke e ngarkuar shtetin me një humbje të vlerësuar mbi 443 milionë euro.
Qytetarët po privohen nga informimi, nga kush po furnizohet me rrymë Elektro Severi i Serbisë, me çfarë çmimi furnizohet dhe pse nuk po vlen ngritja e njësojshme e çmimit të rrymës për bashkëqytetarët në Kosovë veriore, edhe pse kemi treg të rregulluar?!
Këto veprime përbëjnë shpërdorim të parasë publike, keqmenaxhim dhe ndihmesë të drejtpërdrejtë ndaj një monopoli të krijuar nga privatizimi i dështuar dhe moszbatimi i klauzolave kontraktuale.
Për shkak të pamundësisë sime për të angazhuar një avokat dhe për shkak të trajtimit tim shëndetësor jashtë vendit (pa ndihmë financiare të shtetit tonë), këtë padi e paraqes në mënyrë të thjeshtësuar dhe përmes e-mail-it. Megjithatë, dëshiroj të nënvizoj se përmbajtja e saj bazohet në të dhëna që meriton vëmendje të menjëhershme nga Prokuroria.
Kërkoj që kjo padi të merret në shqyrtim dhe të ndërmerren masat e nevojshme hetimore ndaj individëve dhe institucioneve të përfshira.
Me respekt,
Ibrahim Kelmendi (ID2858987)
Fsh. Llabjan, Komuna Pejë
Më 27.06.2025
PS.:
Kërkoj falje për pamundësi teknike për ta nënshkruar këtë padi.
***
E dërgova përmes E-mailave:
info.psh@rks-psh.org
info.kpk@rks-psh.org
prokuroria.speciale@rks-psh.org
info@ero-ks.org
zkp.zkm@rks-gov.net




