ARKIVI:
26 Prill 2026

Anekdota për Mbretin Zog, malësorin nga Drenica Mursel Ahmetin, që në zyrën e tij kishte shkuar me Azem Bejtën dhe për mençurinë e shtetarit

Shkrime relevante

Zbulohën planet e fshehta ”politike” të opozitës në Kosovë!

Ismet M. Hasani, Suedi Pak politikë Kriza politike në Kosovë dhe dështimi i...

Lavdi grave të qëndresës antikomuniste shqiptare

Nga Frank Shkreli (Në Kujtim të Klora Mirakaj Merlika dhe të gjitha...

Kosova miratoi Rezolutë, për Luginën e Preshevës

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për avancimin e përkujdesjes institucionale,...

Vuçiç: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës

Gani I. Mehmeti (A.P / 25 April 2026 - 17:34, Kosova Sot...

Shpërndaj

Prof. Blerim Latifi, filozof nga Prishtina

Në kohën kur ende nuk ishin armiqësuar, Ahmet Zogu i kishte lënë një takim në zyrën e tij në Tiranë Azem Bejtës. Ky i fundit shoqërohej nga Mursel Ahmeti i Prekazit. Me të hyrë në korridorin e zyrës së Zogut, roja që ishte aty u tha se brenda mund të hynte vetëm Azemi, ndërsa burri tjetër duhej të mbetej jashtë. Burri dy metra i gjatë, shpatullgjerë dhe i pamësuar me protokollin shtetëror, nisi të fjalosej me rojën. Në një moment nervozizmi të papërmbajtur, ai e kapi rojën si leckë dhe e hodhi poshtë shkallëve.
U krijua një shamatë e madhe dhe burra të armatosur vrapuan drejt vendit të ngjarjes. Papritur, Zogu, krejt i qetë, doli nga zyra dhe, pasi mësoi shkakun e sherrit, iu drejtua rojes së tij:
“Po qysh i thuhet tanë ktij burri nuk ban me hy në konakun tem?”
Kjo anekdotë, e ruajtur veç në memorien popullore, është në të vërtetë shumë domethënëse për Shqipërinë e viteve ’20. Ajo nuk flet thjesht për temperamentin e një burri të fortë nga Prekazi, por për përplasjen mes dy rendesh: rendit të zakonit fisnor dhe rendit të shtetit modern.
Azem Bejta dhe shoqëruesi i tij, Mursel Ahmeti, vinin në Tiranë jo si qytetarë që kërkojnë audiencë tek një zyrtar i lartë i shtetit, por si burra nderi që hyjnë në konak. Për ta, zyrat e shtetit janë ende variante të zgjeruara të odës. Ato ende kuptohen si hapësira ku burri hyn me mikun e vet, sepse nderi nuk ndahet dhe shoqërimi është pjesë e identitetit. Refuzimi i rojes nuk përjetohet si zbatim protokolli, por si fyerje personale.
Reagimi brutal, i menjëhershëm dhe instinktiv i Murselit nuk është thjesht dhunë. Ai është shprehje e një etike ku autoriteti nuk buron nga uniforma apo rregullorja, por nga forca morale dhe fizike e burrit. Roja nuk shihet si përfaqësues i shtetit, por si një individ që po shkel rregullin e pashkruar të mikpritjes.
Ahmet Zogu, nga ana tjetër, shfaqet si figurë ndërmjetëse mes këtyre dy botëve. Qetësia e tij nuk është rastësore. Ai e kupton menjëherë se konflikti nuk është politik, por kulturor. Prandaj edhe fjalia e tij “Po qysh i thuhet tanë ktij burri nuk ban me hy në konakun tem?”, nuk është qortim ndaj Murselit, por kritikë ndaj rojes.
Me këtë fjali, Zogu bën dy gjëra njëherësh: e ruan autoritetin e vet si mikpritës dhe shmang dhunën e panevojshme për të. Ai flet gjuhën e malësorit për ta mbajtur nën kontroll shtetin modern që po përpiqet ta ndërtojë. Në këtë kuptim, Zogu nuk sillet ende si shtetar modern, por si kryeplak që e di se në Shqipërinë ende arkaike pushteti shtetëror pa njohje të zakoneve të moçme është pushtet i brishtë dhe mund të zhduket nga një kapriço e momentit.
Ai e di se si shtetar modern mund të ketë sukses jo duke përdorur dhunën e zhveshur e të drejtpërdrejtë kundër arkaikës që ia ka zënë rrugën, por duke negociuar me të me shumë kujdes. Ai është modernizues përmes reformimit të kujdesshëm, e jo revolucionar që beson se mund ta fshijë të kaluarën me një të goditur. Noli e humbi betejën me të pikërisht se përfaqësonte mënyrën e kundër të të bërit politikë. Me fjalë të tjera: kush ka aftësinë të negociojë me realitetin gjithëherë kompleks, mund t’ia dalë edhe ta ndryshojë atë në njëfarë mënyre; kush nuk do t’ia dijë për realitetin dhe do t’i imponojnë atij nga jashtë dogmat e veta idealiste, shpejt do të bjerë viktimë e hakmarrjes së realitetit.
Kështu, kjo anekdotë është një fragment i vogël i një drame më të madhe historike të shtetit shqiptar: drama e tranzicionit të dhimbshëm nga një shoqëri e nderit fisnor dhe e besës drejt një shoqërie të ligjit dhe institucioneve moderne. Dhe si çdo tranzicion i ngjashëm, ai ka kaluar përmes keqkuptimeve, shamatave dhe frazave që sot duken anekdotike, por atëherë ishin shumë serioze. Aq serioze sa mund të përmbysnin fate e shtete.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu