
Violeta Kadriu, Prishtinë
Cikël Poetik
TI, ” GRUA MË E LIGA”
Ti, livadh i pakositur, me bar e therra në vreshta,
ku çdo fije bari kutërbon erë mashtrimi e gënjeshtra,
ku çdo majë therr në zemër, të shpon si shigjetë,
e në shpirt venit dashurinë, i dhuron vdekje e jo jetë.
Ti, moçal i ndyrë ku lejlekëzinj gjuajnë bretkosa pa nda,
diell që mbledh rrezet mbrapsht ende pa gdhirë,
nata më e pistë, errësuar sa më s’ ka,
yll i madh pa dritë, që pengon yjet tjerë të më ndrijnë më mirë.
Ti flakë në mes të acarit që më pengon të ngrohem,
e as lejon që flakët tjera të depërtojnë tek unë,
që edhe pranë dritës së tyre nënshkruan të verbohem,
fanar i ndezur në errësirë,që syve m’ ju qet vello si gunë.
Ti,vjeshtak gjetherënës mu në mes pranvere,
mu atëherë kur behari në zemër luleve iu troket,
lulesaksie e tharë kacavjerrë n’ timen penxhere,
i cili për çdo gjë që s’ të shkon për shtati
gjen shkas shan e bërtet.
Ti, arratisje atëherë kur i duhesh më së shumti Atdheut,
që me vite mbart mbi shpatulla një jetë të rrejshme boemi,
ti, që i lë hapa e rëndon kot pluhurin e këtij dheut,
lule e bardhë pa aromë mbështjell në degë bagremi.
Ti kur resh borë e acar hije e errët nate,
që çdo gjë të bukur e të bardhë timen pa mëshirë përlan,
gjuhë e jote për mua e helmuar teh shpate,
zjarr e tymnajë në mes t’ gjelbërimi,
që shkreton mal të paanë.
Ti, armik më i poshtër që të sillet vërdallë,
që s’ ka guxim të t’ sulmojë përballë, por të zë në befasi,
për urtësi Kanuni s’ ke dëgjuar kurrë a rrallë,
je i lindur e do vdesësh me shpirt plot ligësi.
Ti nuk ke guximin të përballesh me të tjerë,
kur ta thonë shumë hapur të vërtetën e pathënë,
sa herë ndjen rrezikun mbështjell këmbët, bëhesh erë,
edhe nëse mbetesh pranë sofrës plot një kafshatë pa ngrënë.
Ti kurrë s’ ke guximin të hysh n’ betejë paarmatosur,
gjerësa mbledh pas vetes ushtri ngjeshë gjer në dhëmbë,
ti kurrë s’ do pranoje për fisnikëri të mbetje leckosur,
as atëherë nëse fëmijët e tu nga uria do vdisnin në këmbë.
Ti për mua Ferr i Dantes shtrirë me shtatë kate,
nga egoizëm i pabesë që e ruan me egërsi,
pranë meje e para meje humbe edhe atë copë burrërie që pate,
pranë e para meje humbe dhe atë copë ndershmëri.
Se ti ishe e mbete katil shkuar katili,
që vetëm me erë shkrumb e baroti do të jesh rrethuar anembanë,
ti s’ do t’ ia dish për aromë trëndafili e zë bilbili,
ti, “ grua më e liga”, që në trup rroba mashkulli mban!
TY, LIRI
Në agimet e mëngjeseve të arta,
kur depërton rreze e parë kodrinave
të shoh, liri,
në perëndimet e netëve të zjarrta
tek shpirtrat e dashuruar shkëmbejnë afshet mes trëndelinave,
zemra me ty më bie n’ujdi!
Në gugatjen e çdo pëllumbi,
gjerësa me sqep puth të vegjëlit e pëllumbeshën,
liri, ti më buzëqesh,
në gurgullimën e çdo kroi e lumi,
tek mbushin ujë e lahen shtojzovallet
me rroba ylberi shpirtin ma vesh!
Në ngazëllim zemre varfanjaku,
kur i zgjatet dorë e uruar shpëtimi
oh, sa të dua liri,
në lotët e gëzimit të bonjakut
kur, duke u mikëluar merr krah nga zemërgjerësi trimi,
në zemër më rrezaton si perri!
Ku ndihet zëri i trumcakut
e i buzëqesh në shpinë çanta vocërrakut,
ta dëgjoj këngën tënde, liri,
ku nënat rrezojnë me ninula të ëmblit pranë oxhakut
e baballarët mbjellin zambakët skaj pragut,
të përqafoj e të përjetësoj me poezi!
Ku flitet gjuhë arbërore
e ku frymojmë në tokat stërgjyshore,
liri, e bekuar je gjerë në re,
ku mrizojnë qengjat mes lulesh e barit,
pasi dimri ia bën me sy beharit
për ty, liri, ndjenjat s’kanë fre!
Në shkumbëzimet e valëve të Adriatikut,
tek ndër shkëmbinj i puthin rrënjët shegës e fikut,
liri, oh sa më dhuron freski,
ku çdoherë rri hapur dera e mikut
e sirena i këndon serenada kreshnikut
ti reflekton vetëm dashuri!
Ku shpatë e Kastriotit ndër shekuj vringëllon,
e ku dyngjyrëshi me shkabë, duke çarë stuhi, valon
në zemrën time je lis me kurorë,
ku emri Shqiptari na lartëson,
e gjuhë e zjarrtë shqipe me flatra fluturon,
ne bijtë e bijat tua për ty biem therrorë!
DHE NËSE I DEL FLAKA KËSAJ BOTE
Dhe nëse i del flaka kësaj bote
sonte dua të dehem,
aq më mungon afër zotëria jote,
në shije vere të kuqe do t’ prehem!
Le t’ i shkundë gonxhet çdo lule e pemë e kësaj bote,
hëna t’ i thyejë rrezet, mos të ndrijë,
sonte dua t’ bëhem rob i kësaj t’ mbushur gote,
akujt e shpirtit n’ të t’ i shkrij!
Dua t’ ia puth yjet sonte kësaj nate,
se po pi çdokush të ndijë,
pa le t’ më ecë shpirti dhe për teh shpate,
as që dua t’ ia di!
Kush të tha “verë e kuqe je e keqe”,
je për ata që s’ dinë të të pinë,
të tillëve dhe jeta në rrugë u vë leqe,
duke apo pa pirë rakinë!
Kush të tha “ verë je e shëmtuar”,
rrëfemu në besë, kush ta tha,
zemra me ty mos t’ mbetet pranguar,
të tjerat lëri, mos i nga!
Dua ta shijoj sonte atë nektar rrushi,
si gjithë , askujt pa i bërë keq,
sa të dua gota me verë do të mbushi,
pa le t’ më quajnë engjëll o dreq!
Dua ta cakërroj gotën me këtë zëbulkth pranvere,
pa le të thonë “ qenka marrosur”,
s’ dua të zë kush vend tëndin pos kësaj verëere,
ta ëmbëlsoj këtë shpirt t’ vrerosur!
Edhe nëse i del flaka sonte kësaj bote,
dua të jem, verë e kuqe, prapë dashnorja jote,
t’ i ringjall sonte dy shpirtra të vrarë,
buzë e sy t’na lahen n’ të kuqen ujëvarë!
KUR T’ MË MARRË MALLI PËR TY E S’TË KAM
Do të ngjitem me ngutë
në majë dege qershie,
do këpus kalaveshin blerosh
e me qershi kuqëluar,
do i gllabëroj kuqaloshet
me afsh dashurie,
epshin për buzët e tua
me to për ta shuar.
Do e pres me ëndje stinën
sa të zverdhet ftoi,
një nga një të gjithë verdhoshët
do i mbledh me radhë,
t’ ua ndiej aromën në çdo cep
ku ndihet gurgullimë kroi,
të ma kujtojnë aromën tënde
prej erëmiri të rrallë.
Do të pres me ëndje
sa të çahen fiqtë,
skaj brigjeve të atij deti
të bukur të Ulqinit,
do hap pijen më të shijshme
me ty e me miqtë,
duke u quar të fala valëve t’bregdetit
të Vlorës , Sarandës, Shëngjinit.
Kur të më marrë malli
e s’ të shoh me sy,
do shtegtoj në çdo hije luleje bliri
t’ u qahem sa e vetmuar jam,
në to do më gjejë ngushëllim halli,
se po digjem si flakë qiriri,
s’ do lejoj që askush të mendojë as në ëndërr
se harruar të kam.
Kur të mërzitem shumë
e s’ do ta di se ku je,
jehonën e zërit tënd
në simfoni violinash do e kërkoj,
edhe pse ndoshta nga malli
lotët do më rrjedhin rrëke
e shpirti im ” Oh, sa më mungon, i dashur”
pandërprerë do të rënkojë!
Kur të më marrë malli
për netët me ty,
do lus hanën ta shtrijë vellon më t’ kuqërreme
anekënd Dardanisë,
e ziliqarët t’ i shitojë djalli,
le t’ ngujohen në të ferrit dry
mjafton ne të dy ta mbajmë gjallë
“Betimin e Dashurisë”.


