
Tom Pergjoka, Gjermani
Dy vëllezër shqiptarë në Gjermani po bëhen gjithnjë e më të njohur në botën e sporteve luftarake. Luka dhe Paul Musollaj janë një shembull i shkëlqyeshëm për talentin e tyre që po e tregojnë në Taekwondo. Suksesi i tyre i fundit është madhështor. Fundjavën që shkoi, të dy vëllezërit shkëlqyen duke zënë vendet e para në Kampionatin e Württembergut (Württembergischen Meisterschaft).
Suksesi i tyre nuk është i rastësishëm. Ata e kanë si traditë familjare sepse edhe babai i tyre, Mikeli, ka qenë vetë një sportist i dalluar, i cili ka marrë pjesë në shumë turne dhe ka fituar shumë kupa e medalje. Tash, Mikeli gjithë përvojën e tij ia përcjell brezit të ri si trajner në zonën e Stuttgartit, konkretisht në Waiblingen. Ai është trajneri i parë dhe më i rëndësishmi i Lukës dhe Paulit. Përmes tij ata mësuan teknikën dhe formuan karakterin e tyre luftarak.
Një rol të madh në këtë sukses e luan edhe nëna e tyre, Elizabeta. Ajo është mbështetja e tyre kryesore, e cila i shoqëron djemtë e saj në çdo garë e turne mbrenda dhe jashtë Gjermanisë. Prania dhe përkushtimi i saj është burimi i forcës emocionale që u duhet Lukës dhe Paulit për të përballuar sfidat dhe për të arritur fitoret.

Ajo që i bën vëllezërit Musollaj të veçantë nuk janë vetëm rezultatet e tyre në sport, por harmonia e plotë në familjen e tyre. Në shtëpinë e Musollajve në Waiblingen sporti nuk është diçka që bëhet vetëm në kohën e lirë, por është stili i jetës tyre. Përderisa Mikeli kujdeset për disiplinën dhe strategjinë si trajner, Elizabeta kujdeset që djemve të mos u mungojë vullneti e motivimi. Talenti i djemve bashkë me udhëzimet e Mikelit dhe përkushtimin e Elizabetës janë çelësi i suksesit të tyre në çdo garë. Luka dhe Paul sjellin në shtëpi kupa, medalje, por edhe nota të mira nga shkolla. Ata së bashku kanë fituar mbi 60 kupa e medalje. Luka është nderuar 8 herë nga kryetari i komunës së Waiblingenit, kurse Pauli është nderuar 7 herë për rezultate të mira.

Familja Musollaj dëshmon më së miri se angazhimi, talenti dhe uniteti familjar janë rruga që çon drejt suksesit. Ata na tregojnë se kur ke një qëllim të qartë për diçka dhe kur prindërit japin çdo gjë për ëndrrat e fëmijëve të tyre, atëherë fëmijët mund të arrijnë shumë si në sport ashtu edhe në jetë.

Emri Musollaj njihet sot në Waiblingen për punën dhe sukseset e shumta në sport, por familja dëshiron të arrijë edhe më shumë se kaq. Ata janë gati për sfida të reja, gjithmonë të bashkuar sepse sportistët e vërtetë rriten në atë familje ku sporti dhe dashuria qëndrojnë bashkë. Suksesi nuk arrihet kurrë vetëm. Për Lukën dhe Paulin fitorja nis qysh në shtëpi me mbështetjen dhe besimin e madh të prindërve të tyre.
Nesër vjen artikulli i plotë për Luken


