____
Që në nisje të këtij komenti më duhet të (ri)them se nuk jam “partizan” i feve, sepse gjatë gjithë ekzistencës së tyre është provuar se më shumë janë përdorur nga klasa sunduese dhe nga shtetet e ndryshme për shtypjen e njerëzve, për sundimin e tyre dhe, sidomos për përçarjen e tyre.
Besimi në Zot dhe feja – religjioni për mua nuk janë e njëjta gjë… Feja që predikohet me tam – tame, me altoparlantë dhe me lutje në rrugë e sheshe për mua nuk i shërben Zotit, por shtypjes dhe përçarjes së njerëzve. Besimi në Zot nuk ka nevojë për “ndërmjetës”! Besimi në Zot nuk manifestohet publikisht, po përjetohet shpirtërisht e mendërisht (më shumë është çështje shpirtërore)… Shtetet moderne e kanë zgjidhur këtë çështje duke e ndarë fenë – religjionin nga shteti… Besimtarët e kanë të garantuar lirinë dhe të drejtën e tyre për të besuar e për t’u lutur në shtëpi apo në faltore (kishë e xhami) pa i penguar të tjerët, sepse edhe ata që nuk besojnë në ndonjë fe i kanë të garantuara liritë dhe të drejtat e tyre njësoj si ata që i janë bashkuar një feje – religjioni të caktuar…
Shoqëria njerëzore ka njohur shumë civilizime e besime – fe. Edhe sot në botë ekzistojnë e bashkëjetojnë mijëra fe, kultura e civilizime. Po të mendohet sa e lashtë është jeta në tokë mund të themi që religjionet – fetë monoteiste janë shumë të vona… Edhe këto, ashtu siç lindën dhe po zhvillohen, një ditë të bukur me diell do të zhduken, do t’i takojnë të shkuarës…
Për vete nuk jam me ata që “predikojnë” se ekzistenca e shumë feve – religjioneve ndër shqiptarë ka qenë pasuri, përparësi. Përkundrazi, sipas meje, të qenit popull – komb me shumë fe na e ka dëmtuar dhe dobësuar qenien – identitetin kombëtar e kulturor… Shtetet pushtuese gjatë shekujve e kanë përdorur fenë (sidomos fenë e krishter ortodokse dhe fenë islame) për ta rrënuar e shkatërruar qenien tonë arbërore – shqiptare. Pjesa më e madhe e popullit shqiptar u greqizua, u serbizua dhe u turqizua (myslimanizua, boshnjakizua) edhe me ndihmën e fesë në duar të shtetit. Histori e dhimbshme…
Tendencat dhe projektet për ta tkurrur – shkatërruar edhe sot qenien – identitetin kombëtar shqiptar janë të gjalla, janë aktive dhe po ushqehen – financohen nga po ato shtete ose kryesisht nga ato shtete që na kishin pushtuar e robëruar me shekuj.
Më e keqja dhe më e dhimbshmja është se palë me këto tendenca e projekte po bëhen edhe partitë politike dhe segmentë dhe institucione shtetërore!! Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë janë të deklaruara de jure dhe të normuara edhe me kushtetutë dhe me ligje shtete laike, neutrale ndaj feve – religjioneve, kurse de fakto po rrëshqasin gjithnjë e më shpesh dhe më shumë në prehrin e feve!! Republika e Kosovës po koketon kryesisht me islamin politik, i cili ka zënë terren e ka lëshuar rrënjë edhe në parti politike, edhe në shkolla e universitete, edhe në institucione shtetërore, edhe në segmente të mbrojtjes e të sigurisë!! Kuptohet me përkrahjen e qarqeve dhe shteteve që i përmenda më lartë…
Këto ditë u bë “ÇËSHTJE” ndërtimi i një kishe katolike në një fshat të Vushtrris!! Kisha do të quhet kisha e SHËN FLORIT DHE SHËN LAURIT… Nuk u bë problem ndërtimi i një xhamie 40 milionëshe nga Turqia në zemër të Prishtinës shqiptare (edhe në zemër të Kryeqendrës së kombit, në Tiranë) dhe i mijëra tjerave, ose i kishave ortodokëse – serbe, por bëhet problem ndërtimi i një kishe të vogël katolike – shqiptare!! Problemin nuk po e bëjnë shqiptarët, por qarqe të caktuara ekstremiste të islamit politik dhe segment të caktuar të shtetit “laik”!!
SHËN FLORI DHE SHËN LAURI janë ilirë – dardanë. Ata janë martirët (dëshmorët) e parë të krishterimit (monoteizmit) në Iliri – Dardani, janë në themele të besimit tonë dhe të kulturës sonë evropiane – perëndimore. Do të duhej të ishin në themele edhe të unitetit, mirëkuptimit, harmonisë
dhe dashurisë që kemi dëshmuar gjatë gjithë historisë për shpëtimin, ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit tonë gjuhësor, kulturor e kombëtar. Si ka mundësi që kisha serbe (Serbia), e ndërtuar në vitin 1936 në Lipjan, quhet Shën (sveti) Flori e Lauri (për t’i pëvetësuar), kurse ka shqiptarë (të nxitur nga të huajt) që i mohojnë dhe i anatemojnë e përbuzin këta dy dardanë – ilirë?!! Jo vëllezër! Jo motra! Kësaj fushate nuk i vjen era shqiptari!! Nuk guxojmë në asnjë mënyrë ta mohojmë historinë tonë, kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore e shpirtërore! Ta kuptojmë dhe ta predikojmë fenë si çështje të pastër shpirtërore, personale e kulturore e jo si “flamur” për beteja e përplasje ndërshqiptare! Ta kuptojmë që s’ka fe në botë që mund të vihet para kombit, para gjuhës e para Flamurit kuqezi që na bashkon! Të kuptojmë e të bindemi që para se të jemi “myslimanë”, “katolikë”, “ortodoksë”, “demokratë”, “socialistë”…, jemi SHQIPTARË! Është turp e faqja e zezë kur ndonjë shqiptar me identitet kombëtar të brisht thotë: “Jam katolikë”, tjetri “jam mysliman”, tjetri “jam ortodoks”, “protestan”, etj. Jo vëllezër! Jo motra! Jemi shqiptarë! Shqiptarë na krijoi Zoti me vullnetin e tij! Shqiptarë na krijoi Nëna natyrë! Na krijo Atdheu ku u lindëm dhe u rritëm brez pas brezi… Na krijuan ninullat tona, përpjekjet, luftërat dhe Heronjtë tanë me penë e me pushkë për ruajtjen e gjuhës, traditës, kulturës, Flamurit kuqezi dhe Atdheut!
Ju ftoj, juve motra e vëllezër vushtrrias të shkoni dorë për dore e krah për krahu, pa dallim feje, aty ku është vendosur Guri i kishës SHËN FLORI E SHËN LAURI dhe t’u thoni miqve dhe armiqve tanë se s’ka fe as parti që na përçan! T’u thoni miqve dhe, sidomos armiqve, se jemi SHQIPTARË, një dhe të pandarë! Kështu ju do Zoti, kështu ju do kombi e ju do burrëri, ju do njerëzia!
Unë, isha me Franklinin dhe bëmë një foto bashkë, te GURI. Isha për t’i thënë Franklinit dhe për t’u thënë gjithë bashkëkombësve të mi (edhe armiqve tanë) se para se të jemi “myslimanë” e “katolikë” jemi dhe do të jemi (sa të ketë jetë mbi këtë dhe) SHQIPTARË! Rroftë kombi shqiptar! Rroftë Shqipëria e bashkuar në një shtet, në një Shqipëri!


