ARKIVI:
17 Maj 2024

Kolonel Dilaver Goxhaj – Shpëtim Golemi i UÇK-së 

Shkrime relevante

Haki Stërmilli, shkrimtari i njohur dhe shefi i parë i shërbimit sekret shqiptar

Nga: Eedlira Ruzi TIRANË, 17 maj /ATSH/ Më 17 maj të vitit...

Rreth organizmit të ngjarjes “Shije Lezhe n’ Prishtinë”

Prishtinë, 16 maj 2024 Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i fton...

Dy vjet pa Dalip Grecën

Nga Frank Shkreli ___ Ja u mbushën dy vjet që u nda prej...

Shpërndaj

Shkruan: Nesip Kaçi

  • Publicist dhe diplomat

Në luftën e Kosovës mori pjesë, si asnjë herë në historinë tonë kombëtare, i gjithë kombi shqiptar, përfshi edhe diasporën dhe trevat e banuara me shqiptarë jashtë Republikës së Shqipërisë. Populli shqiptar i Kosovës luftoi me heroizëm gjatë kësaj lufte dy-vjeçare. Në këtë luftë mori pjesë vullnetarisht dhe ushraraku profesionist nga Republika e Shqipërisë koloneli, Dilaver Goxhaj, i njohur gjatë asaj lufte me pseudonimin Shpëtim Golemi. Ai e njihte në detaje ushtrinë e ish-Jugosllavisë, llojet e forcave, përbërjen dhe armatimet e tyre, taktikat dhe strategjitë e saj. Ai ka kryer Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila përgatiste oficera madhorë për komandim brigade e më lartë, ka punuar 13 vjet oficer i diplomuar dhe 10 vjet pedagog e shef katedre në departamentin e Mbrojtjes Kundërajrore dhe Aviacionit, anëtar i Këshillit Shkencor të ushtrisë për taktikën dhe strategjinë. Ka ushqyer dashuri të zjarrtë për kombin shqiptar.

Shpëtim Golemi rrjedh nga një familje që ka luftuar brez pas brezi kundër pushtuesve të huaj, otomanë, serbë, grekë, fashizmit italian dhe nazizmit gjerman etj. Ai u angazhua vullnetarisht në UÇK, duke hyrë e luftuar brënda në Kosovë gjatë 120 ditëve për çlirimin e saj përkrah vëllezërve kosovarë. Pushteti i ndërgjegjes patriotike dhe atdhetare dhe motivet e dashurisë për Kosovën e bënë atë që të lëjë familjen, nënën, gruan dhe fëmijtë dhe t’i bashkëngjitet luftës për çlirimin e Kosovës martire. Kolonelit Shpëtim Golemi, këtij ushtaraku të kompletuar, kur filluan bombardimet e aviacionit të NATO-s, krahas detyrave të tjera, iu ngarkua të mbante edhe detyrën e bashkëveprimit të forcave të UCK-së të Kosovës me aviacionin e NATO-s. Atje shkëmbeu përvojat taktike e strategjike ushtarake si një ushtarak i ushtrisë së Shqipërisë, si me shqiptarët e Kosovës, ashtu dhe me strukturat e aviacionit të NATO-s.

Mund të themi me plot gojën se koloneli Shpëtim Golemi luftoi si trimat në një llogore përkrah vëllezërve të tij në Kosovë dhe armiku nuk ia pa kurrë shpinën. Është rasti të themi se ai ka nderuar jo vetëm veten dhe familjen por edhe Gjirokastrën dhe krejt Shqipërinë. Jam përpjekur të jepja ndihmesën time në këtë luftë, thotë me modesti Shpëtimi. Ai, midis të tjerave, ka qënë shok lufte, në një llogore me kolonel Bislim Zyrapin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Fatmir Limën, Ekrem Rexhën (komandant Drinin), etj. etj. Ai sëbashku me kolonel Bislim Zyrapin dhe kolonel Ekrem Rexhën, janë edhe planizuesit e Operacionit “Shigjeta”, i cili u zhvillua që nga 26 maj deri 10 qershor 1999, kur drejtuan forcat vullnetare të UCK-së, të ardhura nga e gjithë diaspora shqiptare dhe trojet e tjera tona në Ballkan e të grumbulluara në Shqipëri, duke sulmuar në drejtimin Mali i Pashtrikut- Pirane- Suharekë dhe Koshare-Gjakovë.

Kur e pyeta komandant Shpëtimin të më thoshte diçka nga lufta e tij në Kosovë, ai më tregoi për heroizmin e kosovarëve në luftë dhe atdhetarizmin e tyre të pashoq dhe çuditërisht, asgjë për veten e tij! Po për komandant Drinin (dëshmorin Ekrem Rexha), ç’mund të më thuash ? Shpëtimi, pasi fshiu lotët që i përshkuan fytyrën, më tha se me të më lidhi një miqësi e sinqertë, me të kam qënë në një llogore në shumë luftime, ai ishte një intelektual i emancipuar. Komandant Drini kishte kryer shkolla të larta ushtarake dhe akademi si asnjë koleg tjetër shqiptar i Kosovës në UÇK. Ai ishte ndër kuadrot e para ushtarake të Kosovës, që iu përgjigj thirrjes së Nënës Kosovë dhe erdhi e formoi një nga formacionet më të mëdha të UÇK-së. Komandant Drini ishte një ushtarak i kompletuar, poliglot dhe orator. Veç kësaj me komandant Drinin, rastësia na kishte miqësuar edhe familjet tona gjatë luftës. Ishte djali im që në prill të vitit 1999 e kërkoi dhe e gjeti familjen e komandant Drinit në Fushë – Arëz dhe e sistemoi në Tiranë.

Ndërsa për Bislim Zyrapin, komandant Shpëtimi, thotë se ai bën pjesë në racën e trimave të zgjuar. Bislimi erdhi të luftonte në Kosovë që në ditët e para të UÇK-së. Ai ishte trim i çartur dhe rradhë lindin të tillë burra. Komandant Bislim Zyrapi ka qënë shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së prej qershorit 1998 deri më 28 prill 1999, kur erdhi në Shqipëri për të drejtuar operacionin “Shigjeta”. Në vazhdim, komandant Shpëtim Golemi më tha se kur më pyesin se ç’farë të ka mbetur në mendje më shumë nga lufta në Kosovë, unë iu përgjigjem se Lufta në Rrethim e Brigadës 121 “Ismet Jashari- Kumanova”, do të jetë një shkollë e madhe për ushtrinë e Kosovës dhe popullin e saj. Forcat e kësaj zone e sidomos të kësaj brigade mundën t’i qendronin dhe përballuan një kundërshtar shumë më të fuqishëm e më të madh në numër, forca e mjete. Kjo brigadë dhe kjo popullsi e zonës së Maleve të Berishës kanë mbuluar veten me lavdi të merituar. Kjo brigadë qëndroi shumë lartë në kryerjen e detyrave që iu ngarkuan nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Kësaj brigade që mbante emrin e komandantit të saj dëshmor Ismet Jashari-Kumanova, vështirë se mund t’i gjëndet shoqe në tërë luftën çlirimtare të Kosovës, po të kemi parasysh se fronti ku ajo shpalosi mbrojtjen ishte tepër i shtrirë dhe në një terren shumë të thyer në të cilin kalonin vijat mbrojtëse të saj, masa e madhe e ushtrisë së rregulltë armike të cilën ajo përballoi për një periudhë kohore tepër të gjatë prej 260 ditësh, prej 26 shtatorit 1998 deri më 12 qershor 1999. Mbrojtja në rrethim 9 mujor, një luftë e gjatë pa financat e nevojshme, një mbrojtje me luftime të përditsme 24 orëshe me tri ndëresa, 30% në front, 30% e gatshme, 30 % pushim, në një zonë malore të populluar e mbështetur pothuajse tërësisht në forcat e veta, me një mbrojtje pozicionale aktive në një luftë guerile, rast i paprecedent për të cilën mund të themi se është një risi në artin luftarak.

Ajo mbrojti dhe ruajti të gjitha institucionet drejtuese të luftës dhe popullsinë e 37 fshatrave. Njëkohësisht kjo brigadë, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm, shfrytëzoi me mjeshrëri të rallë armëpushimin e njëanshëm të tetorit 1998, për të siguruar rezerva materjale dhe ushqimore për një kohë të gjatë lufte në rrethim, të cilat të menaxhuara me mjeshtëri nga i palodhuri dhe i shumëkujdesuri Idriz Hyseni (ekonomat i Shtabit të Përgjithshëm), bëri që kjo brigadë të realizojë detyrën, si dhe shpëtoi gjithë atë popullsi nga uria, kur në malet e Berishës u grumbulluan rreth 150.000 fëmijë, gra, burra, të moshuar në muajt mars-prill 1999, të shpërngulur nga Drenica, Suhareka, Llapusha e Malisheva gjatë atyre 12 ditëve të para të operacionit famkeq serb “ Patkoi”. Atë luftë që pashë e jetova, thotë zoti Shpëtim Golemi, gjatë operacionit barbar serb kundër brigadës 121 “Kumanova” dhe popullsisë së asaj zone, është vështirë ta imagjinosh dhe e dhimbshme ta përshkruash, atje pashë se ç’farë është uria masive në ato kushte të tmerrshme në të cilat ndodheshin luftëtarët dhe i gjithë ai popull në rrethim, në mes të shiut e dëborës, në temperatura nën zero, të mbuluar me plastmase apo batanie, pa pasur as racionin e plotë, sepse ushqimet nuk ishin të mjaftueshme…

Si do që u zhvilluan ngjarjet, vuajtjet e tmerret që solli lufta, duhet theksuar se brigada 121 ”Kumanova” mbrojti Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, Radion Kosova e Lirë, Agjensinë Kosova-Press, Logjistikën bazë për municione dhe për ushqim të luftëtarëve dhe të popullsisë qindramijshe të zhvendosur në Malet e Berishës, Qendrën e Bashkëveprimit Luftarak midis UÇK-së të Kosovës dhe Aviacionit Luftarak të NATO-s, Spitalin Qendror të UÇK-së me 23 ambulanca, ku mjekohej populli dhe luftëtarët që plagoseshin në luftë. Brigada 121”Kumanova” në tetor 1998 u kompletua po thuaj me 800 luftëtarë dhe tre muajt e fundit arriti në rreth 1300 luftëtarë, e ndarë në katër batalione. Rendimin e luftimit e ndërtoi në një skalion të fortifikuar me tre vija mbrojtëse të fortifikuara me kanale kundra-tanke, në rezervë kishte dy kompani si dhe disa grupe vullnetare nga popullsia civile. Çdo luftëtar ishte i pajisur me armë krahu gjysëm automatike, me kallashnikov, Unçester-Magnum 300 etj., 10 mitrolozë të rëndë, 4 mitrolozë 12,7 mm, 10 snajperë, 4 mortaja, 40 mina kundra-tank, artileri të kohës etj. U mbajtën në punë 9 mullinj me ujë, që bluanin 24 orë pandërprerje, si dhe 35 shtëpi-kuzhinë, ku punonin me radhë të gjitha gratë e 35 fshatrave, përveç tre kuzhinave të menaxhuara nga luftëtarët, funksiononin edhe tre rrobaqepsi.

Furnizimin e brigadës e bënin nënat, motrat dhe të moshuarit e të gjitha fshatrave. Kjo brigadë pati 74 dëshmorë, nga të cilët 25% të vrarë nga zjarri i artilerisë serbe dhe 75% u vranë në luftime të drejtpërdrejta gjatë kundërsulmeve dhe sulmeve kundër ushtrisë serbe. Në mjekësi në frontin e maleve të Berishës shërbyen 85 mjekë dhe infermjerë, prej tyre 37 mjekë në një popullsi që në periudhën mars-prill 1999 arriti rreth 150.000 vetë, Në këtë front ka patur dhe qindra lindje fëmijsh. Të gjitha plagosjet u përballuan nga personeli i saj mjekësor pa asnjë vdekje. Në brigadën 121 pjesëmarrja në luftë e grave dhe e vajzave shqiptare ishte masive. Ashtu si në gjithë Kosovën, edhe në malësinë e Berishës dhe Llapushës, gratë dhe vajzat e këtyre fshatrave, luftuan krah për krah me vëllezërit dhe burrat e tyre, duke përfshirë edhe luftën me armë.

Unë, më tregon kolonel Shpëtim Golemi, kam qënë në Malet e Berishës dhe rreth këtyre maleve, kudo që na çoi lufta. Fashistët serbe gjatë operacionit të verës 1998 i kishin kthyer fshatrat e asaj malësie pothuajse në një shkretëtirë. Kaloje një fshat, dy, tre …dhjetë dhe kudo syri të zinte vetëm gërmadha. Por kam qënë atje edhe para një muaji, kur pashë se ato fshatra ishin rindërtuar të gjitha,dhe sa ndërtesa të bukura, m’a do mëndia se në këtë punë ka ndihmuar edhe bashkësia ndërkombëtare. Lufta çlirimtare e Kosovës u përkrah vendosmërisht gjatë luftës dhe pas luftës nga e gjithë bota demokratike, e cila i doli asaj në mbrojtje dhe e ndihmoi shumë. Brigada 121”Ismet Jashari-Kumanova” u mat dhe ia doli të përballonte ushtrinë e rregulltë serbe. Luftëtarët e kësaj brigade ishin ushtarë të luftës dhe jo të kazermës. Të gjithë ne oficerët e karjerës nuk na ndante prej tyre asgjë, hanim ushqim njësoj, luftonim në rrethim bashkë dhe në krah të tyre, nuk ekzistonte asnjë keqkuptim. Gjatë kësaj lufte në rrethim na u vranë 74 vetë, një numër ky tepër i vogël po të kemi parasysh kohëzgjatjen 8 muaj e gjysëm të luftimeve të përditshme. Një meritë e veçantë e brigadës 121 “Kumanova” ishte se ajo nuk e lejoi artilerinë armike, serbe, t’i afrohej frontit tonë në Malet e Berishës, por meritë të veçantë kanë brigadat e tjera simotra dhe veçanërisht Batalioni Autonom i Shtabit të Përgjithshëm nën komandën e Jetullah Qarrit, (sot dëshmor), i cili bënte mbrojtjen e përparuar të këtij brezi mbrojtjeje në rrethim, duke kapur drejtime e lartësi sunduese dhe qafat për të shmangur afrimin e artilerisë armike si dhe befasinë e sulmit të armikut.

Ky Batalion Autonom si dhe forca të caktuara të brigadave fqinje të UÇK-së e sulmonin artilerinë serbe kryesisht natën sipas taktikës së luftës partizane. Mbrojtja pozicionale aktive kombinohej me mbrojtjen e manovrueshme, mbrojtja e Brigadës 121 ishte e përherëshme dhe e manovrueshme. Karakteri i luftimeve të brigadës 121, nuk formonte një front të rregullt, por kombinonte luftën kundër armikut, përmes lëvizjeve të vazhdueshme midis pozicioneve mbrojtëse dhe vijave të ndarjes me zonat e pushtuara. Repartet e Batalionit Autonom dhe brigadave fqinje të UÇK-së, siç e përshkruam pak më lartë, iu përmbajtën luftimeve që nuk formonin një front të rregullt, rast tipik unik në historinë e luftës guerile shqiptare, i huazuar prej taktikave dhe strategjisë së Skënderbeut. Si rjedhojë e kësaj strategjie malet e Berishës prej shtatorit 1998 dhe deri në fund të luftës mbetën e vetmja zonë e gjerë, e banuar, e lirë. Kjo u arrit me luftë prej brigadës 121”Kumanova”, Batalionit Autonom të Shtabit të Përgjithshëm dhe i disa nënreparteve të brigadave fqinje, e ideuar kryesisht prej kolonel Bislim Zyrapit. Duke patur një vijë kaq të gjatë mbrojtjeje, prej 33 kilometër, brigada 121 e kishte të vështirë t’ia dilte e vetme kësaj detyre. Këtu qendron mënçuria e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që zgjodhi këtë rajon strategjik për të vendosur përfundimisht këtu institucionet drejtuese të luftës. Kjo përzgjedhje tepër e zgjuar bënte të mundur tërheqjen në çdo drejtim, sepse nuk ka asnjë pengesë ujore të një madhësie të pakalueshme, mund të tërhiqeshe dhe të dilej në çdo rrethanë. Veç kësaj armiku e ka tepër të vështirë të përdorë teknikën e rrëndë luftarake në formacion të rregullt luftimi dhe mbrojtja jonë e kishte më të lehtë t’i kundëvihej kësaj teknike ushtarake të armikut.

Siç dihet Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka qendruar nën mbrojtje të brigadës 121 “Kumanova” në malet e Berishës, ose rreth tyre, duke lëvizur herë në Kleçkë e herë në Divjakë. Vetëm prej 25 gushtit deri më 25 shtator 1998 Shtabi i Përgjithshëm ka qënë bartur në Drenicë. Por prej 26 shtatorit 1998 ai u rivendos përfundimisht në malet e Berishës, në Fshatin e Ri dhe Lladroc dhe prej janarit 1999 nuk ka lëvizur më nga Divjaka, deri sa u zhvendos përfundimisht në Prishtinë më 24 qershor 1999. Gjithkush mund të pyesë : Pse iu dha një vijë mbrojtjeje kaq e gjatë brigadës 121 “Kumanova” ? Së pari, malet e Berishës janë çelsi natyror i gjithë territorit të Kosovës. Kush zotëron këtë territor me rëndësi strategjike, ka në hyqëm gjithë Kosovën. Me humbjen e këtij territori Kosova do ndahej në dy pjesë pa asnjë lidhje me njera tjetrën dhe do t’i jepte armikut serb mundësinë ta shpartallonte krejt UÇK-në, kështu që rimarrja e atij territori nga UÇK-ja do të ishte e pamundur. Së dyti, forca e rrezistencës së këtij pozicioni fatlum të Kosovës qendron jo vetëm në aftësinë mbrojtëse të lartë të të gjitha drejtimeve, por edhe në atë se armiku është i detyruar të sulmojë nga poshtë-lartë, që nuk është e favorshme për të. Së treti, armiku serb për ta pushtuar këtë terren, do t’i duhej të angazhonte njëherësh shumë forca këmbësorie, të cilat do t’i tërhiqte nga zona të tjera që do mbeteshin zbuluar, dhe kjo do t’i jepte mundësi njësive dhe formacioneve të UÇK-së ta sulmonte armikun serb në shpinë dhe që kështu ndodhi. Për të plotësuar me sukses detyrat e saj luftarake brigada 121 u mbështet vazhdimisht jo vetëm në popullsinë e 37 qendrave të banuara, por edhe në ato jashtë këtij rrethimi, duke mbajtur lidhje të ngushta me popullin për çdo veprim luftarak.

Të mos harojmë se në zonat e mbrojtura nga UÇK-ja kishin ardhur gjatë kohës së luftës afro 800.000 qytetarë. UÇK-ja numëronte 19.800 luftëtarë brenda në Kosovë, ndërsa Serbia kishte në Kosovë 141 mijë trupa , nga këto : 60 mijë trupa ushtarake, 12.000 trupa të policisë, 6 mijë paramilitarë e kriminelë, 63 mijë civilë serbë të armatosur. Armiku serb mendoi se do ta mposhte këtë brigadë me një mësymje të shpejtë dhe të furishme, sikundër tentoi më datën 31 mars 1999, kur e rrethoi me 15.000 forca, por atëhere ishte vonë për armikun. Ato ditë brigada 121 qe përforcuar edhe me po thuaj 4000 luftëtarë të tjerë ku përfshihej gjithë zona e dytë operative dhe një pjesë e zonës së parë operative. Armiku pandehu se tërheqja e organizuar e gjithë forcave të Zonës së Dytë operative drejt maleve të Berishës, gjatë gjysmës së dytë të 31 marsit ishte panik dhe kujtoi se do ta kishte të lehtë ta shuante Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Dështimi i atij rrethimi dhe i asaj goditjeje të furishme të armikut, nga pikëpamja ushtarake, donte të thoshte humbje e gjithë operacionit serb “Patkoi”.

Duhet thënë se Kosova u çlirua nga bashkëveprimi luftarak midis UÇK-së dhe aviacionit të NATO-s. Këtë bashkëveprim e mbajti Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, për të cilin Komandanti i Përgjithshëm i NATO-s Uesli Klark u shpreh : Bashkëveprimi më i mirë luftarak në historinë 50 vjeçare të NATO-s.

Natyrisht që liria e Kosovës erdhi me gjak e sakrifica të mëdha. Sipas “Radio e Lirë”, (që financohet nga Kongresi amerikan) e datës 8 maj 2018, jepen këto të dhëna : Numëri i njerëzve të vrarë gjatë luftës në Kosovë është gjithsej : 13.518. Prej tyre, shqiptarë: 12.452, nga të cilët 2131 ish-pjesëtarë të UÇK-së, 8662 civilë shqiptarë: fëmijë, gra, të moshuar etj. Të zhdukur deri prill 2018 janë 1658 persona.

K O M E N T E

3 KOMENTE

  1. Hashim Thaci nuk ka luftu ne asnje front ne Kosove, asnje dite. A bon me u ndal me te dhana jo te sakta e qe e baltosin Luften Mbrojtese per Kosoven dhe ne Kosove, e me emra te personave qe nuk kane luftu por kane kompromitu Luften dhe me radhe luftimin tejet profesionist te zotriut Dilaver Goxhaj si dhe oficerit pilotit te Ushtrise se Shqiperise, Dritan Goxhaj. Ju falemnderit per vemendje.

  2. Te lumte e te falenderoj, i dashur Nesip, shoku im i vjeter, per kete shkrim shume domethenes per mikun tone te perbashket, Dilaverin. Ne asnje rast tjeter nuk e kam pare me qarte se sa mes rreshtave te ketij shkrimi personalitetin e Dilaverit, sakrificen e dashurine e tij per Kosoven e lire e popullin e saj te vuajtur e trim. Dilaver Goxhaj per cfare ka dhene ne luften per clirimin e Kosoves meriton cdo vleresim. Lirine e fituar me gjak e sakrifica populli i Kosoves duhet ta gezoje pa nxjerre gjoksin askush, kush isha une e kush ishe ti, ku isha une e ku ishe ti. Faktet flasin vete. Gjaku i te reneve nuk behet uje. Komuniteti nderkombetar dhe ne menyre te vecante SHBA qe e mbeshtetet me te gjitha frocat kete lufte te drejte, si dhe Nano, do te jene gjithnje ne krah te Kosoves, shtet i pavarur.

  3. Ketu kerkoj, Ju lutem perseri, e kerkoj edhe nga zotri Dilaver Goxhaj qe te na jep skjarim konkret per pjesen ku, citim i autorit te ketij teksir: ” Ai, midis të tjerave, ka qënë shok lufte, në një llogore me kolonel Bislim Zyrapin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Fatmir Limën, Ekrem Rexhën (komandant Drinin), etj. etj. Ai së bashku me kolonel Bislim Zyrapin dhe kolonel Ekrem Rexhën, janë edhe planizuesit e Operacionit “Shigjeta”, i cili u zhvillua që nga 26 maj deri 10 qershor 1999, kur drejtuan forcat vullnetare të UCK-së, të ardhura nga e gjithë diaspora shqiptare dhe trojet e tjera tona në Ballkan e të grumbulluara në Shqipëri, duke sulmuar në drejtimin Mali i Pashtrikut- Pirane- Suharekë dhe Koshare-Gjakovë.” Ku dhe ne cilin llogor lufte ka qene me Hashim Thacin dhe ku ka luftu, ne cila fronte dhe beteja me te mesdha apo me sporadike, ku ka luftu Hashim Thaci? Nenkupton kjo pyetje: Ne cilin vend, front, fushbeteje, Hashim Thaci ka shtie me arme kah okupuesit serb, e ku ishte dhe zotri Dilaver Goxhaj? Pyetje konkrete, pergjigje konkrete. Ne cilin front, fushbeteje, Hashim Thaci i veshun ne uniforme luftarake, me stemen e UCK-se, shtien arme, e ne ne drejtim te forcave okupuse serbe, lufton balle per balle kunder forcave serbe? Te dhena konkrete, jo foto te Hashim Thacit te veshur ne uniforme te UCK-se, por te dhena, fakte. E pa nenqim te inteligjences elementare te askujt ketu, ne kete pyetje- pergjigje. Falemnderit.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu