Atë që Albin Kurti e bën për forcimin e shtetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, Vjosa Osmani duket se e bën për korrigjimin e konturave të fytyrës dhe për dobësimin strategjik të trupit të saj — natyrisht me një përkushtim “patriotik” që financohet nga xhepi i popullit.
Sepse në Kosovë ekziston një formë tepër e veçantë e sakrificës shtetërore:
Populli e shtrëngon rripin që presidentja e shtetit të mund ta shtrijë dhe tendosë lëkurën prej Prishtinës deri në Fushë-Krujë.
Ndërsa qytetari i numëron centët për bukë, Vjosa Osmani i numëron kaloritë para pasqyrës. Dhe kështu krijohet ekuilibri ynë demokratik: populli dobësohet nga varfëria, ndërsa presidentja nga trajtimet estetike.
Në fund, shteti ecën përpara — vetëm se askush nuk është më i sigurt nëse po ndërtohen institucionet apo po rindërtohen mollëzat e fytyrës së presidentes.
Ndoshta historianët e së ardhmes do ta kenë të vështirë ta kuptojnë epokën tonë politike. Ata do t’i hapin arkivat shtetërore, do t’i analizojnë fotografitë zyrtare dhe do të mbesin të hutuar: si është e mundur që një shtet i tërë të ketë investuar më shumë në konturat e fytyrës së presidentes sesa në konturat e ekonomisë?
Nga aspekti anatomik, fenomeni është pothuajse revolucionar. Zakonisht fytyra e politikanit plaket paralelisht me zhgënjimin e popullit. Por këtu kemi të bëjmë me një mrekulli moderne kosovare: sa më shumë që rrudhet realiteti, aq më shumë tendoset lëkura e presidentes. Sikur graviteti fizik të vlejë vetëm për qytetarët, ndërsa për presidenten të ekzistojë një marrëveshje sekrete me ligjet e kozmosit.
Edhe estetika e këtij transformimi është interesante. Në filozofinë klasike greke bukuria lidhej me harmoninë mes shpirtit dhe karakterit. Në Kosovën moderne, megjithatë, bukuria politike matet me numrin e filtrave në fotografi dhe me elasticitetin e nofullës gjatë buzëqeshjeve protokollare.
Prandaj Vjosa Osmani ngjan me ato ndërtesat komuniste që renovoheshin vetëm nga fasada: nga jashtë bojë e re, ndriçim modern dhe flamuj; nga brenda ende era e lagështisë, tubat e ndryshkur dhe ashensori që bllokohet mes kateve.
Nga aspekti historik, ajo përfaqëson evolucionin perfekt të politikanit kosovar. Dikur liderët tanë dilnin para popullit me plagë lufte; sot dalin me trajtime dermatologjike. Dikur krenaria politike matej me sakrificën personale; sot me shkëlqimin e mollëzave të faqeve të presidentes, nën reflektorët televizivë.
Në të kaluarën, politikanët komunistë hapnin fabrika. Sot politikanët tanë “demokratë” hapin klinika estetike në imagjinatën kolektive të popullit.
Nga aspekti filozofik, ajo mishëron triumfin e formës mbi përmbajtjen. Platoni do të pësonte krizë nervore po ta shihte këtë realitet. Sepse sipas tij shtetin duhet ta udhëhiqnin filozofët; ndërsa tek ne duket sikur filozofinë e ka zëvendësuar dermatologjia estetike.
Madje edhe Sokrati, po të jetonte në Kosovë, ndoshta nuk do ta pyeste veten: “Çfarë është e vërteta?”, por: “Cila klinikë e bën këtë lifting?”
Nga aspekti politik, fenomeni bëhet edhe më interesant. Në demokracitë normale politikanët përpiqen ta përmirësojnë imazhin e shtetit. Tek ne, ndonjëherë duket sikur shteti ekziston vetëm për ta përmirësuar imazhin e politikanit.
Kabineti i presidentes sillet si ekip marketingu i një kremi kundër rrudhave: çdo dalje publike është e ndriçuar, çdo fjali e pudrosur, çdo buzëqeshje e kuruar me kujdes kirurgjik.
Nga aspekti gjeostrategjik, kjo është ndoshta arma më moderne e presidentes. Sepse Albin Kurti investon në armatim, ndërsa Vjosa Osmani investon në fotografi ceremoniale.
Nga ana tjetër Serbia prodhon dronë, Kroacia autostrada, ndërsa ne prodhojmë imazhe presidenciale me ndriçim hollywoodian.
Në rast konflikti me Serbinë, ndoshta nuk do të dërgojmë më ushtarë në fushëbeteja, por ekipe fotografësh dhe estetësh personal të presidentes.
Nga aspekti taktik, Vjosa Osmani e ka kuptuar një sekret të madh të politikës moderne: në Kosovë kujtesa e popullit është më e shkurtër se reklamat në YouTube. Prandaj mjafton një fotosesion i ri, një fjalim me tone patriotike dhe dy-tri poza solemne pranë flamurit, që skandalet e djeshme të treten si akullorja në korrikun e Prizrenit.
Nga aspekti etik dhe moral, tragjikomedia bëhet pothuajse metafizike. Populli vazhdon të dëgjojë ligjërata mbi sakrificën kombëtare nga njerëz që “sakrificën” e përjetojnë kryesisht si lodhje nga protokolli shtetëror dhe nga udhëtimet me business-class.
Dhe kështu krijohet paradoksi ynë kombëtar: qytetari plaket duke pritur reforma, ndërsa politika vazhdimisht rinohet nga intervenimet estetike.
Në fund mbetet vetëm pyetja ekzistenciale e Kosovës moderne: A po ndërtojmë shtet funksional apo po prodhojmë një katalog estetik me elemente patriotike?
Sepse një ditë historianët mund të shkruajnë:
“Kosova ishte ndoshta i vetmi vend në Ballkan ku propaganda politike kishte më shumë botoks sesa ide.”



