
Nga Kujtim Mateli
Vladimir Xhakollari, pas botimit të dy librave me temën historike dhe vëllimit me tregime “Shtëpia e Pyllit” (2025), vjen me vëllimin poetik: “Petalet e kujtimeve”, i cili sjell botën shpirtërore të njerëzve kurajozë dhe guximtarë që nuk ndalen para vështirësive, sjell dëshnicarin dhe përmetarin në përpjekjet e tij për liri dhe pavarësi, bukurinë shpirtërore të njerëzve trima dhe bujarë. Poeti i këndon bukurisë fizike dhe shpirtërore të vajzës rritur brigjeve të Vjosës, natyrës së bukur dhe sidomos kurorës së kësaj bukurie që është mali i Trebeshinës.
Poeti është i lidhur fort me vendlindjen e tij, edhe pse larg, ai mban në sy një krah shqiponje që i vjen rrotull vendlindjes së tij, Katundishtës. Atje, në vendlindje, poeti Vladimir Xhakollari ndihet i mrekulluar, atje gjen forcën dhe bukurinë e vargut, atje ndjehet plot shpresë, krenar për vazhdimësinë e rrugës që çelën të parët e tij. Poezia: “Më mungon babai e nëna” është një elegji e ngrohtë familjare, ku prindërit shfaqen jo vetëm si njerëz të dashur, por si burime drite dhe dashurie. Vargjet:
“Nga Ylli merrja dritën,
Nga Hëna dashurinë”
është figura qendrore artistike e poezisë. “Ylli” dhe “Hëna” marrin vlerë simbolike: babai paraqitet si udhërrëfyes e forcë ndriçuese, ndërsa nëna si butësi, ngrohtësi dhe dashuri amësore. Kjo metaforë qiellore e ngre figurën e prindërve mbi përmasën e zakonshme tokësore.
Poeti përdor kujtimin si strehë emocionale. Oborri, pemët, hija, bisedat, janë elemente të jetës së thjeshtë shqiptare, të cilat bëhen vende të kujtesës. Vargu:
“Flas me pemët, nën hije”
krijon ndjesinë e vetmisë së njeriut që kërkon të mbajë gjallë të kaluarën përmes natyrës.
Në strofat e fundit poezia merr dimension ekzistencial. Kurbeti nuk paraqitet vetëm si largim fizik, por si boshësi shpirtërore:
“Bosh po kthehem në kurbet.”
Ky varg ka ngarkesë të fortë emocionale, sepse tregon se mungesa e prindërve e zbraz kuptimin e kthimit në vendlindje.
Mbyllja e poezisë rikthen simbolin e yllit dhe hënës në qiell, duke sugjeruar se prindërit mbeten të përjetshëm në kujtesën dhe ndërgjegjen e birit të tyre.
Poeti nuk është njeri i zakonshëm, poeti ka një mision në jetë: i cili është i lidhur me vendlindjen dhe atdheun. Me vargje dhe me forcën e mendjes, kërkon që ta lartësojë truallin e të parëve të tij. Në çdo hap që hedh, dëgjon zërat e vendlindjes, sheh ngjyrat e agimit që shumëfishohen mbi pragjet dhe portat e shtëpive. Poeti e ka ngjashmërinë me zogjtë shtegtarë që, sado të largohen, përsëri do të kthehen tek ajo foleja e vjetër, që i pret në guvat e maleve dhe strehët e shtëpive:
“Nëpër sokakë ka rënë një heshtje e rëndë,
Një kyç i ndryshkur, mban të mbyllur derën,
Një zog këndon, si të kërkojë ndonjë shenjë,
Por një këngë e vetme s’e kthen dot pranverën.” (Poezia: Fshati që s’kthehet më)
Në poezinë e Vladimir Xhakollarit është i pranishëm njeriu i kohëve moderne, me dashurinë për vajzën që do, edhe kur nuk e ka pranë, me shqetësimet e prindërve për fëmijët që rriten dhe fluturimi i tyre i ka çuar larg, në vende të tjera. Poezia “Shpresa në majë të ëndrrës” është reflektuese dhe motivuese. Në qendër qëndron ideja se njeriu jeton falë shpresës dhe ëndrrës. Autori i trajton ato si energji shpirtërore që e mbajnë njeriun gjallë dhe të lirë. Figura:
“Shpresa dhe ëndrra janë si burim” i jep poezisë një rrjedhshmëri të natyrshme. Burimi simbolizon jetën, freskinë dhe vazhdimësinë. Ndërsa krahasimi: “Shpirti i lirë shtegton lart, përmbi re” shpreh aspiratën njerëzore për tejkalim dhe liri. Poezia ka një ton idealist. Autori beson se vetëm “shpirtrat e pa prangosur” dinë të ëndërrojnë vërtet. Kjo krijon një lidhje mes ëndrrës dhe dinjitetit njerëzor. Përdorimi i Everestit si simbol është i goditur:
“Në majë të Everestit ngjiten pak”, këtu Everesti nuk është vetëm mali fizik, por metaforë e synimeve të larta të jetës. Mesazhi është se guximi dhe këmbëngulja e bëjnë ëndrrën realitet. Poezia mbart optimizëm të qetë dhe një besim njerëzor te forca e shpresës.
Në poezinë e tij jepet shoqëria e kohës së sotme në të gjithë dimensionin e saj: aty ku përballet guximtari dhe i pavendosuri, ëndërrimtari dhe vizionari, njeriu që guxon të sfidojë pengesat për të ngjitur një lartësi:
“Ngrihu, përqafoje jetën,
Nuk na vjen përsëri,
Jeto çastet që na mbetën,
S`kemi pse mbajmë mëri.” (Poezia: Ngrihu)
Poezia “Bota është më shumë se kaq” ka karakter filozofik dhe meditativ. Ajo trajton kalueshmërinë e jetës dhe vendin e njeriut në rrjedhën e kohës. Që në fillim poeti krijon një ritëm reflektues:
“Dita s’është veç dritë e bardhë,
Ngryset, zbardh, e shkon pa fjalë.”
Këtu dita simbolizon vetë jetën njerëzore: kalimtare, e heshtur dhe e pandalshme.
Në strofën e dytë shfaqet dimensioni kozmik i ekzistencës:
“Para nesh ka pasur jetë,
Miliona vjet që kanë rrjedhë.”
Autori e sheh njeriun si pjesë të një zinxhiri të pafund kohe. Kjo ide e relativizon krenarinë dhe pushtetin njerëzor. Vargu:
“Koha s’mbron as mbret e skllevër”, ka forcë sentenciale dhe përmbledh filozofinë e poezisë: koha është e barabartë për të gjithë. Megjithatë poezia nuk mbetet pesimiste. Në fund ajo kalon te ideja e kujtesës dhe përjetësisë shpirtërore:
“Kujtimi yt ndriçon si dielli.”
dhe më tej:
“Ti je gjurmë me përjetësinë.”
Këto vargje sugjerojnë se njeriu jeton përmes dashurisë, kujtimit dhe gjurmës që lë te të tjerët. Poezia e Vladimir Xhakollarit është e ngrohtë dhe emocionale, të zgjon mendime të bukura për ta dashuruar jetën dhe njerëzit e mirë të kësaj toke, që i rrinë pranë njeri-tjetrit si lulet e prillit. Ato kanë vlera të dukshme lirike dhe njerëzore dhe mbajnë aromën e përjetimit personal dhe të urtësisë së jetës, gjë që u jep ngrohtësi dhe vërtetësi artistike.


