Kreu Blog Faqe 1112

Përshpirtëria e Nënës Tereze : Vuajtja , vërtetim feje dhe dashurie

Don. Lush Gjergji, Prishtinë

“Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon sepse e tyre është Mbretëria qiellore.”                                                                                       (Mt 5, 10) 

“Vuajtja e bashkëndarë me vuajtjen e Krishtit dhe Marinë, është dhuratë e mrekullueshme, më e bukura: dhuratë dhe vërtetim dashurie, sepse duke na dhënë të Birin e vet, Ati ka dëshmuar se e do botën. Kjo tregon se ishte një dhuratë, dhurata më e madhe e dashurisë, sepse vuajtja e tij ishte shlyerje e mëkateve.”                                                                                    (Nëna Tereze)  

E tërë jeta botore e Jezusit, edhe mrekullitë, nuk janë asgjë tjetër përpos hyrje dhe përgatitje për vdekjen dhe ngjalljen e tij. Ai, mbi vete i mori mëkatet e botës. Mu për këtë arsye, Shën Gjoni thotë: Ja Qengji i Hyjit… 

Në shenjën e parë të mundimit, mendojmë të djersiturit e Jezu Krishtit në gjak në kopshtin e Gjetsemanit.  

Ishte urata dramatike dhe “lufta” mes Jezusit dhe Atit qiellor, deri në djersitje në gjak, ku Ai është i vetmuar dhe përfaqëson botën e së keqes dhe mëkatit. Ai, lufton në brendi, në një çast tejet të vështirë dhe vendimtar. Me djersitje në gjak, Jezusi e vërteton përkatësinë ndaj Atit, pranimin dhe zbatimin e vullnetit të tij për shëlbimin e botës. Jezusi kërkon solidaritet dhe përkrahje prej nxënësve, mirëpo ata flenë, nuk janë me Të. 

“Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim! Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.” (Mt 26, 41) 

Ati kërkon prej Jezusit dëgjesën – edhe gjakun  e tij – flijimin më të lartë, dhe kjo ishte vërtetimi i dashurisë dhe besnikërisë në planin e shëlbimit. Jezusi, mbeti besnik ndaj Atit deri në vdekje, edhe pse i lutej kështu: “Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh pa u pirë prej meje, u bëftë vullnesa jote!” (Mt 26, 42) 

Në këto çaste nuk ishte e pranishme Virgjëra Mari, por një tjetër Mari. “”Iu afrua një grua me një enë alabastri plot parfum të shtrenjtë dhe ia zbrazi mbi krye.” (Mt 26, 7) 

Porosia për ne: Jezusi është i vetmuar, djersitet në gjak, i drejtohet Atit, pastaj edhe miqve të vet – apostujve. Si reagojmë ne në çaste të vështira: kërkojmë para së gjithave Atin, vullnetin dhe planin e tij, pastaj të afërmin? Ne besojmë në vlerën absolute të vuajtjes dhe kryqit të Krishtit, por duhet ta pyesim vetveten nëse e pranojmë kryqin tonë si mjet dhe kusht të domosdoshëm për shëlbimin tonë. Po-ja jonë duhet çdo të ditë të shkruhet dhe vërtetohet me lot, vuajtje dhe dashuri, si shprehje e fesë tonë dhe rrugë e shëlbimit. 

“Dhembja nuk është ndëshkim. Jezusi nuk ndëshkon kurrë. Dhembja është një shenjë – një shenjë që iu kemi afruar shumë Krishtit në kryq. Jezusi na qorton: rrini zgjuar dhe lutuni… Vetëm me vigjilencë  dhe uratë  mund të mbesim besnik Jezusit.”(Nëna Tereze) 

Në shenjën e dytë të mundimit, mendojmë lidhjen dhe rrahjen e Jezusit në oborr të Pilatit. 

Jezusi, para se të kryqëzohej, keqtrajtohet dhe mundohet në lloje të ndryshme. Juda e tradhton (krhs. Mt 26, 47-51); Pjetri e mohon (krhs. Mt 26, 69-75); apostujt tjerë e braktisin nga frika. Populli, nuk dëshiron ta pranojë një “Mesi” të tillë, dhe bërtasin me ngulm: “Të kryqëzohet!…Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!” (Mt 27, 22. 24) 

Ishte ky fillimi i mundimeve, sprovave për mëkatet e njerëzimit. Sa shumë ka vuajtur edhe Virgjëra Mari në këto rrethana? Vetëm tash dhe kështu kishte filluar të kuptonte barrën e madhe të mëkatit, nëpërmjet vuajtjes dhe mundimeve të Birit të saj, Jezu Krishtit, “në të cilin kemi shpërblimin – faljen e mëkateve.” (Kol 1, 14) 

“Ne të gjithë e braktisim Jezusin. Maria mbeti së bashku me Të. Maria nuk ndihej e përvujtëruar që Jezusin e rrahin, ia pështynin fytyrën, ishte si një i gërbulur, i padëshiruar, i dëbuar, i urrejtur prej të gjithëve. Ai ishte Jezusi, Biri i saj. Në këtë shfaqet dashuria e madhe e zemrës së nënës… Besnikëria dhe dashuria vërtetohet dhe përforcohet në vuajtje, si bëri Maria, Shën Gjoni dhe gratë e përshpirtshme.”  (Nëna Tereze) 

Në shenjën e tretë të mundimit, mendojmë kurorëzimin e Jezusit me ferra.  

Vuajtja e Jezusit vazhdon, armiqtë e tij janë “krijues” për të keqe, shpikin mënyra të llojllojshme për ta munduar edhe më tepër. 

“Atëherë ushtarët e qeveritarit e shtinë Jezusin në pallatin e qeveritarit dhe mblodhën rreth tij krejt kohortën. E zhveshën dhe ia qitën krahëve një mantel të kuq. Pastaj gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në krye, ndërsa në dorën e djathtë ia dhanë një kallam. Pastaj binin në gjunjë para tij për ta venë në lojë e i thoshin: “Të falemi, mbreti i Judenjve!”., e pështynin, ia morën kallamin e me të i binin kresë. Pasi e vunë në lojë, ia hoqëm mantelin e kuq, e veshën me petka të tija dhe e çuan për ta kryqëzuar.” (Mt 27, 27-31)  

Jezusi, siç thotë Isaia, është Njeriu i dhembjes. Këtu dhe kështu ndriçon hyjnia e Tij, sepse me shumë dinjitet, qetësi, dashuri, e plotëson vullneti e Atit, për shëlbimin e mbarë njerëzimit. Jezusi edhe në këto çaste thotë kështu: “Mirë thua! – i përgjigji Jezusi – Unë jam mbret! E unë leva dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time”. (Gjn 18, 37) 

 Mbretëria e Jezusit është krejtësisht e ndryshme prej mbretërive tokësore, në shërbim, në vuajtje, në faljen e mëkateve, në dashuri edhe për armiq… 

Pas rrahjes, kurorëzimit me ferra, Pilati ia paraqet popullit me këto fjalë: “Qe, Njeriu!” (Gjn 19, 5) 

Për ne kjo domethënë: Ja Zoti i cili është bërë Njeri, për dashuri të madhe që ka për të gjithë ne, për shëlbimin dhe lirinë tonë, për amshimin e lumtur! 

Edhe Virgjëra Mari e barti kurorën me ferra në zemrën e saj amtare, si Nëna e dhembjes. 

Ta pyesim vetveten: si sillemi ne në vështirësi dhe në dhembje? Dhimbja, vuajtja a na bashkon edhe ne me Krishtin, Marinë, me Kishën, me të afërmin, apo ndoshta na largon prej tyre?  

“Ta fillojmë edhe ne “Udhën e kryqit” me guxim dhe me gëzim, sepse nëpërmjet Kungimit të Shenjt, Jezusi është me ne. E kemi Jezusin, Bukën e jetës, që na jep fuqi.”  (Nëna Tereze) 

Në shenjën e katër mendojmë ngjitjen e Jezusit me kryq në krah në mal të Kalvarit.  

Jezusi për ne lindi prej Virgjërës Mari, për ne barti kryqin, vdiq dhe qe varrosur. Ai na ka pajtuar me Atin dhe me njëri-tjetrin dhe na ka shëlbuar nëpërmjet kryqit, apo siç themi në Besojmë: për ne dhe për shëlbimin tonë. 

Disa flijohet për atdhe, heronjtë; disa për idetë dhe idealet e tyre, Sokrati e shumë të tjerë; disa për familje, për bashkësi; por askush për armiq, siç bëri Jezusi. (krhs. Rom , 5, 7)  

Ky është Jezusi, i dërguari i Atit, për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ai i paraqitet Atit, na mbron dhe shëlbon me Gjakun e tij të paçmueshëm.  

Jezusi e barti kryqin, simbolin e së keqes, barrën e mëkatit dhe pabesnikërisë. Kryqi është i madh dhe tejet i rëndë, por dashuri e Krishtit është edhe më e fortë! 

Ndonjë herë edhe ne kryqi na duket i rëndë, i papranueshëm, por gjithmonë duhet të kujtojmë Krishtin dhe kryqin e tij, si mjet shëlbimi, lirie dhe amshimi. Mos të harrojmë: edhe Jezusi është rrëzuar nën barrën e kryqit tri herë, por nuk është dorëzuar, por e ka bart deri në fund. Pa Krishtin kryqi është i rëndë, i pakuptimtë, rrënues, ndërsa me Krishtin është dhe mbetet mjet për ta dëshmuar fenë dhe dashurinë tonë ndaj Tij. 

Virgjëra Mari, hap pas hapi, së bashku me gratë e përshpirtshme, përcjellë Jezusin në udhëtimin drejt Kalvarit, dhe pas s’kishte mundësi ta ndihmonte, ajo nuk ankohet, nuk kundërshton ndaj Atit dhe armiqve të Krishtit, por vuan në heshtje dhe në dashuri. Ajo pëson dhe ofron tërë jetën e saj, si Nëna e dhembjes, së bashku me të Birin, Jezusin, duke besuar dhe pritur… 

“Jezusi na thotë kështu: Nëse dëshiron të jeni nxënësit e mi, merreni kryqin tim dhe ejani pas meje. Para se ta marrim kryqin e tij, Ai e dinte se ne kemi nevojë për Të, se nuk do të ishim të aftë për të ecur pas Tij, për t’i përballuar kryqet tona… Ai vazhdon të vuajë  në vëllezër dhe motra tona në  dhembje, duke jetuar dhe përjetuar, përsëritur vuajtjen e Tij ndër ne.”  (Nëna Tereze)  

Në të pestën shenjë të mundimit mendojmë kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit në kryq. 

Ky është misteri i madh i fesë tonë, Biri i Zotit është i kryqëzuar në mes të dy hajnave (krhs. Gjn 19, 18-20), në dhembje të mëdha rri i varur në kryq. Çdo gjë duke se ka gabuar dhe dështuar, përfunduar në mënyrën më të keqe. “Humbësi” i madh duket Jezusi, tash i braktisur nga të gjithë, edhe prej Atit të amshuar, sepse Ai ishte identifikuar dhe njësuar me mëkatet e botës. “Çdo gjë është plotësuar” klith Jezusi prej kryqit (krhs. Gjn 19, 30), siç të donte t’i thotë Atit, në Shpirtin Shenjt: Ati im, dërgimin që ma ke besuar, unë e plotësove me besnikëri dhe dashuri. Tash, nëpërmjet vdekjes time, të gjitha po i lë në dorën tënde, veten dhe mbarë botën!. 

Nga ky flijim dhe dhurim lindi Kisha, ndërmjetësuese mes Zotit dhe njeriut, nga zemra e shporuar, nga e cila “menjëherë rrodhi gjak e ujë” (Gjn 19,  34), domethënë pagëzimi dhe Eukaristia. 

Virgjëra Mari rrinte nën kryq për të marrë pjesë plotësisht në këtë vepër. Jezusi, duke e parë atë, tha: “Grua, qe, yt bir!”. Mandej i tha nxënësit: “Qe, nëna jote!” Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.”  (Gjn 19, 26-27) 

Kështu Zoja Mari bëhet edhe Nëna jonë. Udha e kryqit të Krishtit është udha jonë, shëlbimi ynë. Si duket jeta i ka dy fytyra apo faqe: dashurinë dhe dhembjen. Mu për këtë mund të themi që dhembja është vërtetimi i fesë dhe dashurisë, pa të cilat shumëçka, ndoshta edhe gjithçka, edhe vetë jeta e njeriut do të dukej dhe do të ishte pa kuptim dhe qëllim. 

“Te këmbët e kryqit Mari është bërë Nëna jonë, se Jezusi, para se të vdiste, tha se e jepte  Nënën e tij Shën Gjonit dhe Shën Gjonin Marisë. Shi në këtë çast ne bëhemi bijtë e saj… Në mundimin dhe vdekje Krishti pati çaste të vështira dhe mbeti i vetmuar, pastaj i pyeti nxënësit: Si nuk keni mund të jeni me mua për një orë? E dimë se pati nevojë për të qenë ngushëlluar. Ishte i braktisur prej të gjithëve: mos të jesh i dashur nga askush, mos të jesh askush, sepse të gjitha ia kemi dhuruar Jezusit…. Duke medituar mundimin dhe vdekjen e Jezusin në kryq, duhet të mësojmë të vuajmë, sepse vetëflijimi është i domosdoshëm…Jezusi na ka mësuar si të falim për dashuri, si të harrojmë për përvujtëri… Vuajtja, dhembja, përvujtërimi…janë puthjet e Jezusit, shenjë që Jezusi na do dhe na fton në bashkëpunim për shëlbimin  e botës.” (Nëna Tereze) 

Prishtinë, 15 shkurt 2023 – Radio Maria – Kosovë

Pavarësia, poezi nga Argjira Ukimeri

0

Argjira Ukimeri

Poezi

PAVARËSIA 

Dhjetë shkronja në një emër 

Në çdo shpirt e në çdo zemër 

Ndërtojnè emrin Pavarèsi 

Fjalë e shenjtë  për çdo njeri 

 

Ne me shekuj e ëndërruam 

Me fitue të shtrenjtën Liri 

Asnjëherë nuk u pajtuam 

Me que jetën në robèri. 

 

Sot ballëlartë e shumë krenarë 

Gëzojmë lirinë e pavarësinë 

Trembëdhjetë vite rrita jonë 

Të sigurtë kemi ardhmërinë 

 

Në vigjilje të 17 Shkurtit 

Bashkojmë zemrat e hedhim valle 

Gëzojnë fëmijët në prehër të nënave 

Për këtë festë mbarëkombëtare 

 

Pavarsinë që sot e gëzojmë 

Borgj ua kemi çlirimtarëve 

Bacë ADEMIT e RUGOVËS 

Bashkë me ndihmën e ndërkombëtarëve. 

_____

 ARGJIRA UKIMERI – MR.SC. PEDAGOGE 

SHKURT 2023, PRIZREN 

Hapja e dosjeve e ndanë “shapin nga sheqeri” në Kosovë!

0

Florim Zeqa 

Secili që bashkëpunon me armikun dhe në cilëndo kohë, emrin e ka tradhtarë. Për fatin e keq, brenda kombit tonë nuk kanë munguar asnjëherë ata që kanë bashkëpunuar me armikun, në kohë lufte dhe në kohë paqe. Thuhet se Gjermania naziste, kahdo që e ka shtrirë pushtimin e saj i ka paguar shtrenjtë spiunët, kurse në trojet shqiptare i ka gjetur pa pagesë!

Uniforma nuk të bën spiun

Serbia përgjatë sundimit shekullor mbi Kosovën, i ka shfrytëzuar shqiptarët kundër shqiptarëve. Spiunët kanë qenë të shumtë dhe të shumllojshëm, të veshur me petkun e pushtetit dhe jo vetëm. Shtrirjen e spiunëve e ka bërë kudo dhe kahdo, në institucione dhe jashtë tyre, por më të rrezikshimit kanë spiunët e veshur me petkun kombëtarë.

Këtë që e themë do t’ua ilustrojë me një shëmbull praktik dhe ngjarje të vërtetë.

Ishte e dielë e muajit Gusht i vitit 1990, ndodhesha në një dasëm në një fshat të komunës së Klinës. Aty në dasëm prezent ishte edhe një polic shqiptarë i cili nuk ishte larguar nga puna. Me të përfunduar rendin e këndimit rapsodët popullor, disa të rinjë ju vërsulen me fjalë fyese dhe ofenduese policit që mbante uniformën e Policisë së shtetit okupues të Serbisë. Nuk e lan gjë pa i thënë, i thanë spiun e tradhtar e çka jo tjetër. Polici, emrin e të cilit nuk dëshirojë ta permend në këtë shkrim, heshti e durojë derisa të rinjët filluan edhe kërcënimet! Pastaj polici shqiptarë ju drejtua të rinjëve me këto fjalë; “Arsyeja pse unë e mbajë uniformën është çështje e imja personale dhe përmes kësaj uniforme jam i identifikueshëm për të gjithë. Por të gjithë ju që jeni prezent në këtë dasëm, ju lutem, thuajeni këtu publikisht, nëse ndokush prej jush ose familjarëve tuaj është rrahur apo keqtrajtuar nga policia shkaku im!?

Askush nuk e hapi gojën për të folur gjë. Pastaj polici ju drejtua sërish të rinjëve, hajde folni më fakte nëse keni për të thënë diçka kundër meje?!

Askush asnjë fjalë!

Mandej polici vazhdoj përseri, nëse dëshironi të dini dhe të shihni se kush është më patriot apo më tradhtar, ejani pas mesnate, fshehuni pas lisit në rrugën e Gjimnazit dhe aty do t’i shihni me syt e juaj se kush hyn e kush del nga Stacioni Policorë në Klinë. Do të shihni burra të moshuar me plisa të bardhë që vijnë e tregojnë kush ka armë në fshat apo lagjen tuaj, do të shihni edhe të tjerë, të cilët ditën ju shiten patriotë në mbledhjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kurse pas mesnate vijnë e i tregojnë të gjitha çka janë biseduar në mbledhje!

Pas këtyre fjalëve të policit të uniformuar, qetësinë në dhomë e prishte vetëm ndonjë mizë apo insekt i “papërgjegjshëm” veror. Në atë moment, i zoti shpisë, ju tha shahirave kapni në dorë çiftelitë dhe sharkitë e mos i lëshoni deri në mbrëmje!

Fshehja e qëllimshme e dosjeve

Hapja e dosjeve dhe zbardhja e emrave të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e UDB-së famëkeqe, me fakte, pa paragjykime dhe pa marrë parasysh se kush janë ata, do të krijonte kushtet për hapjen e një kapitulli të ri në sistemin e drejtësisë, politikëbërjes dhe vendimmarrjes në Kosovë, por është një fatkeqësi që këtë proces po e bllokon politika për interesa të veta dhe të frikës, ngase shumë aktorë politikë do të dilnin të përlyer nga ky proces.

Është vërtetë e pajustifikueshme, pse edhe kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës nuk po e merr dot guximin të kërkojë hapjen e dosjeve dhe që përfundimisht të dihet se kush kanë qenë bashkëpunëtorët e UDB-së në Kosovë!

Arsyeja e këtij hezitimi është se ka ende shumë deputetë që nuk e ndjejnë veten të gatshëm për t’u përballur me këtë dukuri, shkaku i implikimit në shërbimet sekrete serbe apo të pjesëmarrjes së ndonjë familjari të tyre.

Kështu, fshehja e emrave të spiunëve të UDB-së shkon në favor të mbulimit të veprave kriminale, para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Arsyeja tjetër më e madhe e mosbërjes publike e emrave të spiunëve të UDB-së, është se ata qëllimshëm janë të instaluar në të tria shtyllat e pushtetit dhe në të dy nivelet e pushtetit, dhe jo vetëm, për fat të keq, ata janë ata të instaluar jashtëligjshëm edhe në medie, në televizione, në gazeta, në portale dhe në të ashtuquajturat OJQ.

Madje, spiunë dhe familjarë të tyre janë vendosur në pozita kyçe, bile edhe të larta në të gjitha fushat dhe segmentet më vitale të pushtetit të shtetit kudo, në Qeveri e administratë publike, në legjislativ dhe rreth tij, dhe sidomos në drejtësinë kosovare, përkatësisht në gjyqësor e prokurori dhe në polici, për të kontrolluar lehtësisht çdo segment të jetës në Kosovë.

Vetëm hapja e dosjeve e ndanë “shapin nga sheqeri” në Kosovë!

Opozitarizmi i sforcuar bën efektin e kundërt

1
Idriz Zeqiraj, Gjermani
     Mjafton sulmi i opozitës, duke i thënë Albinit “tux”, për të amortizuar opozitarizmin e mëtejmë, sepse Albini ka dëshmuar të kundërtën, qoftë përballë pushtuesit, ndërkombëtarëve, ish-opozitës.
     Shkrimtari Gorki porosiste: “Mos u mundoni të mohoni gjithçka tek kundërshtari, sepse rrezikoni të mos u besojë askush për asgjë”. Pamëdyshje, Besnik Bislimi, është një intelektual i kompletuar dhe, mbi të gjitha, një burrë i matur, që shpërfaqë edukatë dhe integritet të drejtëpeshuar.
     Megjithatë, mendoi se Albini gaboi, kur minimizoi, kuturu, përgaditjen profesionale të ish-ministrave të tij, në qeverisjen Kurti-1, pjesë e LDK-së, në raport me Besnikun e VV-së. Përndryshe, koalicioni LVV dhe LDK, ka qenë më i qëlluari, sepse përjashtoi bandën PAN nga qeverisja kriminale, deri në tradhti, siç ishte lobimi i paguar, hiç më pak se nga presidenti Hashim, për ndarjen e Kosovës.
     Kompozimi i Qeverisë Kurti -1, në përgjithësi, ishte profesional dhe ka funksionuar, mrekullisht mirë. Prishja e këtij koalicioni ka qenë ogurëzi dhe me prapavijë të poshtër politike, me ndërhyrjen e shefave të PAN-it, drejtëprdrejtë ke Grenelli amerikan. Zhvillimet e asaj kohe, e kanë zbuluar këtë intrigë të pistë.
     Përçmimi i bërë nga Kurti, përkatësisht, fyerjen, nuk arriti ta menaxhojë, intelektualisht, Hoti. Dhe, në reagimin ndaj Kurtit, nga “Zëri i Amerikës”, ishte nën çdo nivel, duke zbuluar më shumë se sa duhej, se, tashmë, “për dialogun vendosë opozita dhe jo Albini!” Realisht, opozita zgjodhi rrugën më të keqe, në synimin për largimin e Kurtit nga posti i kryeministrit – spiunimin ke emisarët amerikanë, të emëruar për mbikëqyerjen e dialogut Kosovë-Serbi. Dhe, kjo u pa me reagimin e pamatur, të bërë nga Escobar, se “kam gjetur partnerë të bollshëm për dialogim edhe pa Kurtin!”
      Opozita e pranoi, madje lehtësisht, Asociacionin, duke e tradhtuar, keqas, Kurtin, sepse, faktikisht, mbeti i vetmuar, me VV-në e tij dhe Listën “Guxo! Opozita, me kokëtimet dhe intrigimet, prapa shpinës të qeverisë, nuk le vend për “shtyrje në pazar” lidhur me Asociacionin. Gjithçka po shkonte drejt “fait a copli” (siç thonë frengët), faktit të kryer! Opozita kishte dy qëllime të liga:
1) Rrëzimin e Kurtit nga pushteti dhe
2) Mbrojtjen e ish-shefave të tyre, Hashimit dhe Isës, nënshkrues, pse jo, edhe deputetët mjeranë votues!
     Këtë nuk e prisnin shqiptarët dhe u hatëruan shumë. Sepse, pavarësisht shkollimit të tyre, tashmë, kanë preçedentin boshnjak, se çfarë domëthënë Asociacioni për serbët në Kosovë. Dhe, nga 31 marrëveshjet e  mbetura në dosje, u zgjodh, si kusht i parë themelimi i Asociacionit, edhe pse nuk figuron fare në Kornizën franko-gjermane! Edhe sikur të pasojë njohja e Serbisë për Kosovën, Asociacioni njëetnik, në një të ardhme, mund të ngjallët, si lugat, si bazë e inicimit të procesit të shkëputjes të Veriut të Kosovës.
          Protesta e parë kundër amerikane në Kosovë!
     Letra proverbiale e Albin Kurtit, “Shko Hashim (në Hagë)”, ishte nga më realet, më të qëlluarat, për njeriun e plotëfuqishëm në Kosovë, i cili keqpërdori pozitën zyrtare, në mënyrën më të vrazhdët, duke kulmuar me konspiracionin me presidentin serb, Vuçiq, Edvin Ramën dhe Baton Haxhiun, me lukuninë e tij të ideologjisë prosllave, zyrtarët e lartë të PDK-së, Pacollin, Valon Muratin, kinse i “Lëvizjes për Bashkim”, që nuk ka as kryesi të partisë dhe njihet si bisht e krijesë e llumhanës PAN-iste.
     Por, Albini u pendua, “Hashimi nuk është kriminel”, edhe pse kundërshtarët e tij politikë shqiptarë, ishin ekzekutuar, sipas listës emërore, të hatuar në Tiranë, nga SHTAB-istët e Rogner-it, në krye të të cilit ishte, pikërisht, Hashim Thaçi. Për rrjedhojë, Albini humbi shansin, për ta përdorur argumentin e fortë, si dëshmi se Asociacioni është imponuar nga Thaçi, me nënshkrimin ilegal, nga presioni shantazhues serb, për të shpëtuar nga akuzat për krimet faktike të luftës.
     Marrja në mbrojtje e Hashimit, duke e rehabilituar atë, se ai nuk ka bërë krime, nuk kaloi pa u vënë re nga amerikanët vigjilentë, syçelë. Ndërkohë, akuza për krime është, pikërisht, nga Amerika, duke sjellur fakte bazike. Rrjedhimisht, Albini ra ndesh me amerikanët dhe kjo është skandaloze. Pendimi i Albinit, ndikoi në organizimin e protestës së parë kundra-amerikane, kinse të organizuar nga huliganët e Molliqaj dhe krerët rrugaçë të OVL të UÇK-së. Pleqtë e hershëm thonin: “Po i hype mizës, dihet se ku të çon”! Nj turmë e mashtruar, e manipuluar nga banditët SHIK-ut, argatë të Serbisë, duan ta rrënojnë miqësinë shqiptaro-amerikane. Dhe, për ta arritur këtë, punon fort Beogradi.
     Për çudë, institucionet zyrtare të Kosovës heshtën, nuk u distancuan, nga kjo protestë e turpshme, fyese dhe mosmirënjohëse ndaj Amerikës, që na sooli lirinë e gjatëpritur. Ndërkohë që e dinin se organizatore faktike ishte Serbia, njësoj si në protestat vandaliste e kriminale të mars-prillit 2004, nga ku lindi decentralizimi i komunave, e deri ke “Zajednica” e sotme! Dhe, heshtja, zakonisht, është aprovim. Amerika, e zemëruar fort, se në protestën kundër saj, morën pjesë edhe zyrtarë e deputetë të PAN-it, me SHIK-un e tij pararojë, reagoi ashpër, duke demantuar miqësinë e shqiptarëve ndaj saj, më saktë, hipokrizinë e shqiptarëve, me deklaratën bombë, enkas për shqiptarët:
     “Amerika nuk ka as miq dhe as armiq të përjetshëm”! 
     Ma troç, nuk ka se si të thuhet! Beogradi zyrtar, fort i entusiazmuar, i bëri koxha jehonë kësaj deklarate domëthënëse. Kjo na kujton ministrin e Jashtëm amerkan, Dalles, në vitët `50-a, kur demantonte hipokritët rrenacakë sovjetikë: “Sovjetët rusë gënjejnë, kur thonë, se “ne ndihmojmë vendet tjera pa asnjë interes!” “Ndërsa, Amerika, mbi bazën e interesave, i krijon edhe miqësitë dhe dhuronë ndihmat, – deklaronte me sinqeritet ministri amerikan Dalles”.

Koncili II i Vatikanit (1962 – 1965) , ATENAGORA I (1886 – 1972) 

Në foto: Aristokël Spiro, patriarku i ardhshëm Atenagora lindi më 25 mars 1886 në Vasilikon pranë Janinës. Vdiq më 7 korik 1972 në Kostandinopojë.

 Don Lush Gjergji, Prishtinë                                  

         Shekulli njëzet është plotë sfida të llojeve të ndryshme. Në prag të festës së dymijë vjetorit të krishterimit Gjon Pali II thoshte: „Dimensioni gjithëpërfshirës ekumenik i Jubileut të Shenjtë do të jetë i cekur në mënyrë të qartë me takimin e gjithëkrishterë.“ 

         Për Kishën katolike janë dy sfida kryesore dhe shumë të rëndësishme, ndoshta edhe vendimtare për gjithë të krishterët, dialogu ekumenik me Kishat simotra të krishtëra të ndara dhe dialogu ndërfetar me gjithë botën. 

         Profeti i madh i ekumenizmit ishte patriku i Konstatinopojës Atenagora I, njeri i Zotit dhe Kishës, ai që pati guxim, fe, dashuri që t’i rrënonte prangat e mallkimit të ndërsjellët mes Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse. Emri i tij i pagëzimit është Aristokle, kurse emri famijiar Spyrou; ai u lind në Tsaraplanë, tani Vassilikon, me 25 mars 1886, në Greqinë e sotme, në zonën kufitare me Shqipërinë. Ishte kjo periudhë e mbrëtërisë Otomane me përzirje të popujve, gjuhëve, kulturës, besimeve dhe traditave të ndryshme. Patriku Atenagora e kujton fëmijërinë e tij kështu: “Kur vinte nata të gjithë mblidheshim rreth vatrës, të ulur në tokë, „këmbëkryq“ „alla turka“. 

         Babai i Aristokleut, Mateu, ishte mjeku i parë në fshat. Ja se si e përkujtonte atë Patriku Atenagora: “Babai im ishte mjeku i fshatit; mendoj se ishte mjek i mirë, iu jepte njerëzve shpresë. Gjithnjë udhëtonte me kalë, sepse e ftonin prej fshatit në fshat.” 

         Nëna e patrikut ishte bijë e një zejtari – këpuctari të njohur, i cili kishte disa punëtorë. Quhej Elena. Ishte e shkolluar, sepse kishte vijuar një shkollë private greke dhe aty kishte arritur edhe diplomën. “Ishte nga Konica” rrëfen Atenagora, „nga një mes i shqiptarëve që ishte më i rëndësishëm dhe me ndikim se sa Tsaraplana dhe më shumë përparimtarë…“  

          RRËNJËT E EKUMENIZMIT NË FAMILJE   

          Aristokle Spyro qysh në rrethin familjiare jetoi bashkimin e dashurisë në dallime dhe pluralizmin. Atenagora rrëfente kështu:”Në Tsaraplanë të krishterët dhe muslimanët jetonin në harmoni të madhe. I vetmi polic turk, ende e kujtoj emërin e tij, Ali Bey, nuk kishte fare punë. Asnjë përlamje, konflikti, procese gjyqësore. Fëmijtë e krishterë dhe ata muslimanë loznin gjithnjë së bashku. Gjatë pagëzimeve të fëmijëve ishin të ftuar dhe të pranishëm edhe miqët muslimanë, edhe ata na ftonin për rrethprerjen e fëmijëve të tyre. Ishte kjo jetesë biblike, ku të gjithë ne ndiheshim fëmijtë e Abrahamit.“  

         Ndikim të madh dhe vendimtar në jetën dhe edukimin e Aristokleut të ri padyshim  patën prindërit e tij: „Babai im ishte fetar, por në mënyrë diskrete, ishte më tepër i mbyllur. S’fliste për fe. Mirëpo, para bukës bënte kryq dhe shkonte për çdo të diell në kishë. Ndaj nesh ishte njeri i rreptë, por jo edhe zemërgur. Unë isha biri i parë, pastaj vëllau im i cili vdiq në vitin 1948, kurse e treta ishte motra e jonë…S’kam asnjë fotografi të nënës sime. Në atë kohë, nëpër fshatëra s’kishte fotografi…E dimë nga dëshmitë e kohës që Helena ishte e bukur. E quanin ‘hylli i mbrëmbjes’. Ishte e gjatë, e hollë, kishte pamje mbretëreshe… Edhe sot në Vassilikon flitet si ajo ishte bëmirëse… Nëna e jonë ndezi në ne fenë. Feja e saj ishte e flakët, tërheqëse. Në mbrëmbje për të na vënë në gjumë, na këndonte me zë të ulët himne fetare. Ishte shumë e përshpirtëshme.         

         Kjo harmoni dhe lumturia e familjes u rrënua shumë me vdekjen e së ëmës sonë Helenë. Isha 13 vjeçar. Nëna ime dhe unë gati njëkohësisht jemi sëmurë. Unë e humba edhe vetëdijen; për shumë ditë mbeta i tronditur. Kur erdha në veti, fitova vetëdijen, e kërkova kot nënën time. Babai im më shpjegoi se kishte shkuar te dajtë në Konicë…Nuk ishte e mundëshme t’i mbajmë dy të sëmurë të rëndë në shtëpi, më tha. Pritsha që nëna ime të kthehej…’ Një ditë, ndërsa isha në oborr, hyri një njeri dhe më pyeti: „A banon këtu Mateu Spyrou të cilit para disa kohe i ka vdekur gruaja?“ Kështu e kuptova se nëna ime kishte vdekur para tre muajve. Ishte 37 vjeçare. Kurrë nuk jam ngushëlluar. Më ka munguar dhe do të më mungojë gjithmonë.“ 

         Patriku Atenagora është me prejardhje, gjuhë, kulturë, edukatë shqiptar. Dëshminë e drejtpërdrejt mbi këtë e shkroiti atë Giuseppe Ferrari, italo-shqiptar: “Me prejardhje jam nga një vend i vogël në veri të Epirit, në afërsi të kufirit shqiptar…Duke i hapur duart nga unë, me një buzëqeshje të gjatë, klithi në gjuhën shqipe ‘Mirë se erdhe”! Edhe unë jam shqiptar si ti. Shqipëria ka qenë vazhdimisht në mes të Lindjes dhe Perëndimit. Në vende tjera kanë luftuar në mes veti, por në Shqipëri ortodoksët dhe katolikët kanë bashkëpunuar mirë. Ju, pra, mund t’i kuptoni më mirë problemet ekumenike. Ndoshta Provania hyjnore iu ka transferuar në Itali për ndonjë rol të dobijshëm për planet e tija.” 

         Patriku Atenagora I shpesh ceku prejardhjen e tij shqiptare që edhe me këtë të tregonte se si erdhi deri tek përvoja ekumenike qysh në atmosferën familjiare, nga një popull historikisht i vogël, i cili është i ndarë në dy fe, krishterimi,  që nga kohërat apostolike, dhe islam,  pas sundimit pesëqind vjeçar turk (1468 – 1912). Krishtërimi në popullin shqiptar ndahet në dy Kisha: Katolike dhe Ortodokse. 

         Si njohës i mirë i historisë shqiptare patriku Atenagora ndër të tjera ka thënë: “Populli shqiptar është një ndër popujt që ka vuajtur më së shumti në Europë, ka vuajtur gjatë shumë shekujve, pasi mbrojti në mënyrë të mrekullueshme krishtërimin…Unë jam shqiptar…Jam në shërbim të Kishës ortodokse, edhe më tepër, të Jezu Krishtit…Të jeni të bindur se sistemi ateisto-komunist i Shqipërisë do të kalojë, mirëpo krishtërimi do të mbes përgjithmonë.” 

          THIRRJA  

         I riu Aristokle Spyrou mendon seriozisht për jetën, lutët, kërkon, jeton me fe, mirësi, me përshpirtërinë e nënës së tij të ndjerë Helenës. Në veçanti mendon mbi kuptimin e jetës, vuajtjes, vdekjes duke u nisur nga prvoja e tij. Përpos këtyre pyetjeve, i imponhet edhe pyetja e ardhmërisë së tij, përcaktimit dhe thirrjes jetësore. Lexonte shumë, lutej, kërkoi rrugën e vërtetë. 

         Në vitin 1908 papritmas vdiq edhe i babai Mateu duke zbritur prej kalit. Aristokli ishte 22 vjeçar, pra, në moshën më të mirë…Pas shumë meditimesh dhe uratash kishte vendosur: do t’i kushtohem krejtësisht Zotit dhe Kishës së tij, si mug – xhakon. Studimet teologjike i vijoi në qendrën e rëndësishme kulturore dhe fetare në Halki. Në vitin 1910 shugurohet xhakon, pas përfundimit të studimeve dhe përgaditjes së thellë shpirtërore. E zgjodhi edhe emrin e ri rregulltar – Atenagora. 

         Pas shugurimit për xhakon ishte në shërbim të Kishës dhe popullit së bashku me ipeshkvin Stefani në Manastir në Maqedoni që nga viti 1910. deri 1919. Atëherë Manastiri ishte qendër e rëndësishme politike, ekonomike, fetare dhe kulturore. Përbërja e banorëve ishte kjo: 30. 000 turqë (në masë të madhe shqiptarë të islamizuar), 15.000 grekë, 5.000 bullgarë, 3. 000 serbë. Sipas kësaj shihet se Manastiri ishte një mozaik i vërtetë popujsh, religjionesh, gjuhësh e kulturash. Atenagora ishte apostull i vërtetë i gjithë atyre që vuanin, pa farë dallimi. U flijua për të mirën e përgjithshme dhe shpeshherë qe edhe në rrezik jete duke mbrojtur jetën dhe të drejtat e të tjerëve. 

         Në themele të kësaj përvoje dhe jete në mesin e popujve dhe feve të ndryshme më vonë do të thotë: “Në Manastir i njoha mirë sllavët. Kam vështruar edhe gjermanët dhe austiakët. Me françezë kam jetuar dy vite. Të gjithë popujt janë të mirë. Çdo njeri meriton nderimin dhe dhe përbindjen. Kam parë vuajtjen e njerëzve. Të gjithë kanë nevojë për dashuri. Nëse janë të këqij, janë të tillë sepse nuk kanë takuar dashurinë e vërtetë, atë dashuri e cila nuk shpenzon shumë fjalë por rrezaton me dritën e jetës… Dashuria e Krishtit është më e fortë se Ferri. Në dashurinë e tij hasim guximin që të duam njerëzit dhe me këtë zbulojmë se të tjerët janë domësdoshmërisht të nevojshëm për të pasur mundësi të qëndrojmë dhe të jemi të krishterë…” 

         Prej vitit 1912 e deri në vitin 1919 Manastiri ishte bërë epiqendër e luftimeve të ashpëra. Atenagora, që ishte së bashku me metropolitin Krizostemi, u mundua me mish e shpirt për të mirë të të gjithëve.  

         ATË I TË GJITHËVE  

         Në vitin 1909 u desht ta braktiste Manastirin dhe të kalonte në Malin Atos ( në Greqi), ku atëherë kishte 7. 000 murgj. Mirëpo, pas gjashtë muaj paqeje, qetësie, urate me një rreth rregulltarësh nga shumë vende të botës ortodokse, Atenagora duhet të largohet prej Atosi për një mision të ri: emërohet sekretar i Sinodit të Shenjtë të Athinës, që ishte pozitë me rëndësi dhe ndikim të madh për jetën dhe veprimtarinë e Kishës Ortodokse. Edhe në këtë detyrë të lartë, me shumë përgjegjësi dhe vështirësi, ai punoi për çështjen ekumenike. Edhe në këtë dëtyrë u tregua i përgaditur dhe i aftë për punë, i hapur dhe komunikativ me të gjithë, i përkushtuar jetës së përshpirtëshme fetare me të gjitha forcat e tij. Në moshë 37 vjeçare emërohet ipeshkëv dhe metropolit i Korfus-it dhe Paksosit (1923 -1930). 

Në Korfus ishte gjendja tejet kaotike. Mijëra mërgimtarë hebrenjë kërkonin strehim nëpër shkolla dhe nëpër kisha. Me pasuri të kishës dhe me ndihmë të bamirësisë së besimtarëve nisi ndërtimin e shpejt të banesave. Në rezidencën e vet hapi një qendër shëndetësore falas dhe një shërbim për strehimin e tyre… Gjeti vend dhe zgjeroi shkollat për fëmijtë e të ikurve. Me kënaqësi dhe shpesh i vizitoi të varfërit dhe të sëmurët, njerëzit e braktisur. Një herë me ironi tha: „ Kush vdes nga uria s’ka nevojë për pendesë“ Nëpërmjet dashurisë dhe kujdesit shumë shpejt u bë babai i të gjithëve, i respektuar dhe dashur nga populli pa farë përjashtimi. Në shërbimin e përditshëm të Hyjit, Kishës, popullit, të gjithëve iu dha forcë, frymëzim, por edhe kënaqësinë e jetës dhe përkushtimit të krishterë. 

         Mirëpo, Zoti e „sprovon“ edhe një herë, ia rrënon sigurinë në vazhdimësi,  e shqetëson dhe sfidon. E pret edhe një befasi, ndërrimi, ndryshimi. Amerika ka nevoj për një bari dhe atë shpirtëror, sepse atje ka shumë ortodoksë nga gjitha pjesët e botës, të gjithë në kërkim të fatit dhe kushteve më të mira jetësore.  

         ARGJIPESHKËV NË AMERIKË  

         Sinodi emëroi Atenagoren argjipeshkëv në SHBA (1930) për besimtarët greko-ortodoksë. Atë që deri atëherë e kishte përjetuar si „miniaturë“ në Vassilikon, Konicë, Janinë, Manastir, Korfus, tani do jetojë në kontinentin e ri: mozaik i dallimeve të ndryshme të të gjitha llojeve. 

         Gjatë 17 viteve të punës dhe shërbimit pastoral pati suksese të jashtëzakonshme në Amerikë në çdo lëmë. Ja vetëm disa të dhëna: organizoi një tërësi organike me afro 400 famulli /ortodokse/, me afro 10 ipeshkëvij ndihmës, afro 500 meshtarë, dy shkola teologjike, më se 300 shkolla për fëmijë dhe për nxënës grekë. 

         Amerika është multietnike, multifetare dhe pikërisht për këtë pyetja e dialogut ekumenik edhe për Atenagoren nuk ishte pyetje teoriko – spekulative, filozofiko – teologjike, por para së gjithash praktike, çështje e përditshme, e rëndësishme dhe jetësore që e përcolli gjatë tërë jetës. Ndarjet e mbrendëshme të krishterëve për te ishin një plagë e madhe në Trupin mistik të Krishtit – Kishave, kështu që punoi duke u munduar rreth dialogut, nderimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët në përpjekje dhe guxim të kërkimit të bashkimit në dallime.  

         Punoi po ashtu mjaft dhe suksesshëm edhe me pushtetet politike, në veçanti me kryetarin Franklin Roosweltin dhe Harry Trumanin. 

Prishtinë, 14 shkurt 2023 – Radio Maria – Kosovë 

Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, e pritën veprimtarin e njohur të mërgatës në SHBA, Jim Xhema

0

Forhåndsvisning av bilde

Presidentja Osmani ia dorëzoi medaljen Urdhri i Lirisë, veprimtarit të njohur të mërgatës shqiptare të Amerikës, z. Xhim Xhema

Presidentja e Republikës se Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim një delegacion shqiptaro-amerikan, të kryesuar nga veprimtari i njohur i diasporës shqiptare të Amerikës, z. Xhim Xhema, të cilit ia ka dorëzuar medaljen Urdhri i Lirisë, të dhënë me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 

Forhåndsvisning av bilde

Presidentja Osmani ka theksuar se mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është urë e fortë lidhëse ndërmjet Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar në Ballkan me aleatin strategjik,  Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Forhåndsvisning av bilde

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se  Xhim Xhema është ikonë e mërgata shqiptare në Amerikë, i cili për më shumë se tri dekada ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 

Forhåndsvisning av bilde

Presidentja Osmani shprehu respektin dhe mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Republikës se Kosovës për rolin e pazëvendësueshëm të mërgatës shqiptaro-amerikane për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 

Në këtë takim, Presidentja Osmani foli edhe për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës dhe nevojën për bashkërendim dhe unitet ndërmjet institucioneve te Kosovës me mërgatën shqiptare në SHBA. 

Forhåndsvisning av bilde

Ndërkaq veprimtari Xhim Xhema shprehu mirënjohjen e thellë për Presidenten e Republikës se Kosovës dhe institucionet e Kosovës për mikpritjen dhe respektin. Ai tha se liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë beteja jetësore e tij dhe e të gjithë shqiptaro-amerikanëve. 

Ai tha se dekorimi me medaljen “Urdhri i Lirisë”, është respekt dhe mirënjohje jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj veprimtarëve shqiptaro-amerikan, të cilët për vite dhe dekada kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës. 

Kryeministri Kurti mirëpriti veprimtarin e mërgatës shqiptare në ShBA, Jim Xhema

Prishtinë, 14 shkurt 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, mirëpritën sot veprimtarin e shquar të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jim Xhema, së bashku me Kryetarin e Pan Federatës Shqiptare VATRA, Ilmi Berisha, përfaqësues të Rrjetit të Biznesit Shqiptaro-Amerikan dhe afaristë nga Amerika dhe Kanadaja.

Forhåndsvisning av bilde

Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti e falënderoi përzemërsisht z. Xhema për kontributin e tij të çmuar në promovimin dhe fuqizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës në ShBA, veçanërisht përmes raporteve të mira me senatorin Bob Dole e kongresistin Tom Lantosh. Roli i mërgatës shqiptare në Amerikë, shtoi ai, për çlirimin dhe pavarësimin e vendit ka qenë kyç, dhe se edhe sot vazhdon të jetë po aq i rëndësishëm në zhvillimin dhe afirmimin e Kosovës.Më tej, kryeministri Kurti e njoftoi z. Xhema dhe të tjerët për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat përpara, por dhe për punën dhe të arriturat e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin ekonomik e demokratik e që janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare.

Forhåndsvisning av bildeJim Xhima, u dekorua sot nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani me medaljen Urdhri i Lirisë, për kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.Në këtë takim të pranishëm ishin Christopher Hyland, bashkëpunëtor i afërt me ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe udhëheqësi i fushatës së tij presidenciale si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Ryzhdi Baloku: Reflektimi i 6 pikave të kryeministrit Kurti për një zgjidhje të pranueshme të ‘Zajednicës’

0

Nga Ryzhdi Baloku

Qëllimi i këtij shkrimi është që kërkesës së Serbisë për implementimin e “Zajednicës” së imponuar një – etnike të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, i bashkërenduar me presionin diplomatik ndërkombëtar të këtyre ditëve, e veçanërisht nga përfaqësuesi i SHBA-së, z.Eskobar, t’i bëhet një vështrim i mirëfilltë kundruall gjashtë pikave të propozuara nga Kryeministri Albin Kurti, për zgjidhjen e një rruge të pranueshme, e cila nuk do të binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Në këtë kontekst, do të përpiqem që me një qasje të përgjegjshme ta shpalos çështjen e parashtruar lidhur me këtë temë, me qëllim që të kontribuohet në një përgjigje të favorshme, të cilën duhet ta marrë parasysh pala kosovare.

Siç dihet, pas miratimit të rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010, të cilën e kishin sponsorizuar 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian, për çfarë kishte kontribuuar mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se “Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqiste shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, në vitin 2011 nisen bisedimet teknike me Serbinë, qëllimi i të cilave ishte që ta bënin sa më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve, pra hapja e temave rreth normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Pala kosovare pati mundësi asokohe t’u shmangej çështjeve problematike që mund t’i hapnin telashe, nëse do t’iu kishte paraprirë me iniciativa të cilat do ta çonin në favorin e saj. Për shembull:

– Implementimi i një marrëveshjeje paqe, me të cilën Serbia do të obligohej t’ia paguante Kosovës reparacionet e luftës.

– Të insistojë që Serbia t’ia dorëzojë Kosovës hartat identifikuese të varrezave masive, në të cilat janë groposur dhe fshehur kufomat e popullatës së ekzekutuar shqiptare nga forcat serbe.

– Të kërkojë që Kosova mos të figurojë si territor i saj në Preambulën e Kushtetutës së Serbisë.

– Kërkesat e palëve të shtrohen në tryezën e bisedimeve sipas parimit të reciprocitetit etj.

Këto gjëra është dashur t’i ketë parasysh pala kosovare, në mënyrë që mos t’iu lihej hapësirë për manovrim, sepse siç thotë Faik Konica: “”Hapja derën një serbi dhe ditën tjetër ai do të kërkojë gjysmën e shtëpisë tuaj si të drejtën e tij, ndërsa të pasnesërmen ai do të përpiqet të të flakë jashtë nga dritarja e shtëpisë sate, sikur je ti ai që ke hyrë me zor”.

Tani, pos problemeve me Asociacionin, pala kosovare po vazhdon t’ia vështirësojë vetës situatën politike në këto momente me jo-unitet mes opozitës dhe pozitës, klimë kjo që po ia mundëson Serbisë “të çojë ujë në mullirin e saj”.

Duke pasur parasysh se Pavarësia e Kosovës me planin e Ahtisarit është shpallur shtet multi-etnik, e që po ashtu edhe kompetencat për një mori çështjesh janë bartur në pushtetin lokal, tregon vetvetiu se themelimi i Bashkësisë një etnike të komunave me shumicë serbe, do t’ia vështirësonte Kosovës edhe më shumë funksionimin normal.

Projekt propozimi për themelimin e këtij Asociacioni qe nisur në vitin 2013, të cilin pala kosovare e kishte nënshkruar dhe pastaj edhe miratuar në Kuvendin e Kosovës me 2015. Mirëpo siç dihet, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se dokumenti i cekur binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës në 23 dispozita. Ky fakt tregon se sa i rrezikshëm mund të ishte implementimi i tij në atë formë siç ishte.

Këtë pretendim vdekjeprurës për Kosovën, kohë më parë na zbuloi më së miri lideri nacionalist i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, i cili kishte deklaruar: “Nëse themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, si një mekanizëm që do t’u jepte serbëve më shumë të drejta dhe garanci shtesë, një ditë do t’i ngjajë entitetit serb të Republikës Serbe në BeH”, transmeton mediumi boshnjak “Klix”.

Hallet e Serbisë nuk janë të drejtat e minoritetit serb në Kosovë, ngase nuk ka në botë që një popullatë prej 3%, të përfaqësohet në institucionet e një vendi me mbi 10%, siç i parasheh Kushtetuta e Kosovës, për vendet e rezervuara të deputetëve serbë në Kuvend, e cila është hartuar mbi bazën e planit të Ahtisarit, e në anën tjetër në Serbi të zhvillohet çeltas një politikë diskriminuese, e paparë ndaj pakicave kombëtare, e veçanërisht ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjes e Bujanocit. Andaj, profesori dhe analisti amerikan Daniel Server me të drejt pyet: “Ku është Asociacioni i komunave me shumicë shqiptare brenda Serbisë” ?!

Është e qartë se e gjithë kjo luftë e Serbisë ka për qëllim shndërrimin e Kosovës në shtet jofunksional dhe përvetësimin e resurseve ekonomike, përmes këtij minoriteti, përfshi këtu Trepçën dhe Ujmanin.

Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta dijë se Serbia me ndihmën e Rusisë i ka hedhur themelet e shtetit të tyre në tokat shqiptare. Veç kësaj, shqiptarët ortodoksë, apo thënë ndryshe “shkijet”, u serbizuan nga murgjit rusë e serbë që në Kosovë i solli Rusia në bashkëpunim me pushtetin Osman.

Sa i përket shqiptarëve, mund te themi lirisht se është populli më pro-Amerikan në botë. Po ashtu, kosovarët e çmojnë thellësisht intervenimin e NATO-s në vitin 1999, i cili e çoi Kosovën drejt pavarësisë, dhe njëkohësisht u janë shumë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin e dhënë në koordinimin e njohjeve të bashkësisë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës.   Megjithëkëtë, çuditërisht, më herët përfaqësuesit e SHBA-së, z.Grenell dhe tash z.Eskobar, me ata të Bashkësisë Evropiane, z.Lajçak dhe z.Borel, insistojnë dhe i përkrahin iniciativat e Presidentit të Serbisë, z.Aleksandar Vuçiq, përkundër faktit që gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë ai pat deklaruar: “Për një serb të vetëm do t’i vrasim njëqind myslimanë”, mu siç vepronin nazistët gjatë Luftë së Dytë Botërore.

Pos kësaj, Vuçiqi edhe tash po e përkrah politikën pushtuese të Putinit ndaj Ukrainës. Madje, mercenarët e këtij shteti, po e ndihmojnë armatën e Federatës Ruse në këtë agresion.

Në anën tjetër, për t’iu shmangur tendencës së Serbisë që përmes Bashkësisë së komunave me shumicë serbe të bëhet Bosnjëzimi i Kosovës, në takimin e Brukselit të dt.18.08.2022, Kryeministri Albin Kurti e kishte propozuar kornizën e kapitujve të cilat duhej t’i përmbante marrëveshja:

– Kapitulli i parë do të duhej ta definonte njohjen reciproke dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

– Kapitulli i dytë duhet ta trajtonte ballafaqimin me të kaluarën, ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, dëmet materiale, kthimi i dokumentacioneve etj.

– Kapitulli i tretë duhet t’i trajtonte liritë e dala nga procesi i Berlinit, si: liria e kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

– Kapitulli i katërt duhet t’i trajtonte të drejtat e pakicave, serbëve në Kosovë dhe ato të shqiptarëve në Serbi.

– Kapitulli i pestë duhet t’i shqyrtonte se sa marrëveshje janë pranuar dhe cilat duhet të vazhdojnë që të implementohen.

– Kapitulli i gjashtë duhet t’i vendosë qartë mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale.

Për t’u mbrojtur nga presioni i vazhdueshëm i përfaqësuesit të SHBA-së, z.Eskobar, për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti iu është përgjigjur me një ekspoze në Kuvendin e Kosovës me dt.02.02.2023, ku njëherazi i njoftoi deputetët dhe opinionin e gjerë me gjashtë pikat, me të cilat mund të ecej para në procesin për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë. Ato janë:

  1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
  2. Asociacioni nuk mund të jetë mono-etnik, duhet ta ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale.
  3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe t’i marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
  4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri duhet të shuhen dhe të bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
  5. Asociacioni duhet me qenë pjesë e marrëveshjes finale dhe të zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
  6. Presidenti i Serbisë duhet t’i tërheqë letrat e dërguara të pesë shtetet anëtare të Bashkësisë Evropiane, dhe te të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit të vitit 2013.

Pas shpalosjes së gjashtë pikave të Kryeministrit Kurti para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, që u transmetua drejtpërdrejt nga TV i Kosovës dhe mjetet tjera të informimit, u prononcua edhe ambasadori i ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, z.Hovenier, i cili tha: SHBA-të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën, porse qeveria e saj duhet të përmbushë obligimin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. SHBA-të nuk do të lejojnë që përmes Asociacionit, në Kosovë të krijohet një “Republika Serbska” …

Ky proces mund të përmbyllet nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i përkrahin të gjashtë pikat e propozuara të Kryeministrit Albin Kurti drejtuar Kuvendit të Kosovës, përfshirë këtu edhe pjesën nga pika 2 e propozimit për ri-emërtimin e “Zajednicës” si: “Asociacion i Komunave me interes të përbashkët” (propozim i autorit të këtij shkrimi), apo diç të ngjashme, e jo si “Asociacion (një etnik) i Komunave me shumicë serbe”, i cili na asocion në segregacionin e shkollave të Kosovës së viteve të nëntëdhjeta nga koha e Millosheviqit.

Me format e propozimeve të prezantuara në këtë shkrim, mund të përmbyllet çështja e parashtruar e “Zajednicës”, e cila paraqet një shqetësim karshi funksionimit normal të shtetësisë së Kosovës.

Si përfundim mund të themi, që në shenjë të mirënjohjes ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shteteve Perëndimore dhe NATO-s si aleate e UÇK-së në luftë kundër forcave të armatosura të Serbisë gjatë vitit 1999, udhëheqja e Kosovës duhet të kujdeset gjithnjë që ta ruajë dhe kultivojë miqësinë e përhershme me SHBA-të si dhe të angazhohet pareshtur për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Agjendat e pista të Hashim Thaçit në Amerikë!

0
Idriz Zeqiraj, Gjermani
Ecejakët e shpeshta, më saktë, sorollatjet e Hashimit në SHBA, populli i quante – t`panet e Hashimit në Amerikë -, duke huazuar nga bijat, që dikur shkonin për ndejë, nga një javë, deri në tri javë, në familjen e prindërve, siç thonin – në gjini. Por, këto vajtje-ardhje, ishin, kryesisht, private dhe, herë-herë, edhe takime intime e konspirative, me ndoca zyrtarë, të cilët rezultuan të jenë – miq për kokë të Serbisë, madje edhe me pagesë shpërblyese, për shërbimet në favor të saj.
Hashim Thaçi, në cilësinë e presidentit të Kosovës, shpërdoroi, skajshëm, kryepozitën shtetërore. Si njeri i shantazhuar, nga Serbia, për dosjet e vëllimshme, për krimet e luftës dhe të pas luftës, si dhe nga Shërbimi Informativ, DGSE francez, i cili “gatoi” dhe e mbikqyri, me një qetësi kriminale, vrasjet e dhjetra dhe shpërnguljen e mijëra shqiptarëve, nga Veriu i Mitrovicës, në Jug të qytetit. Hashimi shoqërohej nga kolegu i tij, Kadri Veseli.
Në udhëtimet e tij të dendura, tej Oqeanit, kishte dy agjenda bazë:
1) Zhbërjen e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë;
2) Lobimin për ndarjen e Kosovës, në bashkëpunim me shërbimin diplomatik dhe Ministrinë e Integrimit.
Veprimtarë të njohur, shqiptaro-amerikanë, të cilët kanë lobuar ndër vite e dekada, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, meqë kishin edhe biznese të suksesshme dhe ishin pjesë e lobimeve në zgjedhjet vendore, kishin fituar besim e simpati ke zyrtarët e lartë amerikanë. Por, me kërkesën e Hashimit dhe të krerëve të tjerë të PAN-it, ata u angazhuan për zhbërjen e Gjykatës Speciale.
Ata arritën të bindin ndoca senatorë e kongresmenë dhe, së bashku me krerët e PAN-it, trokitën në zyrat e ish-presidentëve, ish-nënpresidentëve dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë, gjithnjë me lutjen për të ndërhyrë ke presidenti / presidentët të Amerikës, për – zhbërjen e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë. Pa i vrarë ndërgjegja fare, për të paktën, 1.830 veprimtarë dhe luftëtarë për Kosovën e lirë, të cilët u shënjestruan si kundërshtarë politikë, të listuar ngeshëm e kriminalisht, për t`u ekzekutuar, përfshirë edhe dëshmitarët e mundshëm.
Ndërkohë, Hashim Thaçi dhe Edvin Rama, e ngarkuan këshilltarin e tyre Baton Haxhiun, ish bashkëpunëtor i ministrit të Brendshëm të Millosheviçit, ta shpalosë platformën dialoguese dhe pajtuese të palëve në konflikt, përkatësisht, Kosovës dhe Serbisë, në T7, emisioni “Pressing”, me drejtor dhe moderator Leonard Kërçuku, duke renditur tri çështje:
1) Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj;
2) Amnistia në mes dy vendeve, s`kanë çka dënohen njerëzit për krimet, pas 20 vjetëve!?
(Harron ky avokat i krimit, se edhe pas 70 viteve, nga Lufta e Dytë Botërore, po zbulohen, hetohen dhe              dënohen kriminelët e luftës, madje me burg të përjetshëm. Sepse, sipas kodit juridik, krimit nuk i skadon afati).
3) Të bëhet definimi i çështjes të Mitrovicës të Veriut!?
Një ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, tha se “nisma për ndarjen e Kosovës, nuk është e Thaçit, por e Ramës”. Jo, kjo nuk qëndron, sepse Rama është i vonshëm në këto pisllëqe. Projekti i ndarjes të Kosovës është i hershëm. Dhe, këtë e shpjegon Pierre Seramy – ish shef i Shërbimit sekret francez, në një Dokumentar special te “CANAL +”. Sipas tij: “Hashim Thaçi është agjent i Francës. Në historinë e rekrutimit të Thaçit, është i përfshirë Arnaud Danjean, në atë kohë, oficer hulumtues për çështjet të Ballkanit”. (Ky zotëria rezulton të ishte dhëndër i Beogradit!)
Takimet Thaçi – Vuçiq po bëheshin gjithnjë e më relaksuese. Papritmas, një ditë, Hashimi do ta lëshonte një deklaratë bombë- shantazhuese e kërcënuese: “Populli i Kosovës është i irrituar për intervistimet e Gjykatës Speciale dhe situata mundë të përshkallëzohet pakontrollueshëm”. Dhe, këtë gënjeshtër të madhe – sa bjeshka -, e bëri, pikërisht, atëherë kur sondazhet dëshmonin se tej 85 % e shqiptarëve kërkonin drejtësi nga kjo Gjykatë, arrestimin dhe dënimin e kriminelëve, si e vetmja shpresë shpëtimi. Sepse Sistemi i Drejtësisë është në kolaps të plotë dhe sundohet nga disa komandantë me bandat e tyre, nën kontrollin absolut të shefave të kryebandës PAN!
PAN-i po i konsolidonte radhët. Njerëzit e krimit politik vrastar dhe të krimit ekonomik, po sundonin me mujëshi e cinizëm skandaloz. Asgjë askush nuk kishte pësuar, edhe pse akuzat ishin të bollshme dhe faktike. Edhe pse dështoi nisma, për ta zhbërë Gjykatë Speciale në Kuvend, pra, atje ku ishte votuar, ata vazhdonin lobimin diplomatik e ministror, madje, duke përdorur paratë e shtetit të Kosovës, paralelisht:
a) për zhbërjen e Gjykatës Speciale; dhe
b) për ndarjen e Kosovës.
“Toka e premtuar”, Amerikë po i jipte Hashim Thaçit përkrahjen e mjaftueshme, për të arritur kulmin, president i Kosovës, me logjistikën vendimtare të LDK-së të Isa Mustafës. Ironizimi kulmoi në gojën e popullit:” Sa ta kem Isën, edhe në hanë mund të shkoj”, kinse ka thënë Hashimi, i cili e kishte leckosur turpshëm shtetin e Kosovës.
Me slloganin: “Një popull, s´i nënshtrohet një njeriu”, – protestonte LVV, në metropolin e Kosovës, me pjesëmarrjen masive, më numerike, “prej si ka mbi lisi në Kosovë”! Cinik dhe ironik – njëherësh, shfaqej Hashimi në një varkë në Liqenin e Ujmanit, i shoqëruar nga shefi i Policisë Çala dhe ministri i Brendshëm, Abelardi, nën përkujdesjen e policisë-bandë të Radojiçiqit! Shqiptarët në vend që të thonin se presidenti po shullehej nën rrezet e diellit të fundverës, 2018, ngatërronin e thonin se “po shkërdhehet presidenti!”
Baton Haxhiu, së bashku me një gazetar, dhëndër i Tiranës, tashmë, janë bërë yje të televizioneve në Kosovë, Shqipëri e përtej. Debatues të zellshëm në mbrojtje të PAN-it, të SHIK-ut dhe të krimit. Batoni përsëritë platfomën pajtuese, Kosovë-Serbi, me fare pak ndryshime, por, të thënë më troç, sepse shefat e tij Rama dhe Hashimi, pavarësisht që e kishin bërë zhele Shqipërinë dhe Kosovën, paradoksalisht e paturpësisht, gëzonin mbështetjen e pakufishme të ndërkombëtarëve, si për inat të shqiptarëve! Në televizionin e PAN-it, ai rishpalosi platformën, jo vetëm dialoguese, por edhe vendimmarrëse:
1.Të zhbëhet Gjykata Speciale;
2. Veriu i Mitrovicës t`i lihet Serbisë;
3. Të bëhet falja e krimeve reciproke, sepse janë vrasje të vjetëruara;
4. Të bëhet pajtimi reciprok, shqiptaro-serbë, pa kushte!
Kaq shumë e ka toksikuar, helmuar, shoqërinë kosovare PAN-i me SHIK-un e tij kriminal, sa që i heshti skandalet e radhës. Por, ishin intelektualët e shquar amerikanë, akademikë e politikanë, miq të Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Kosovës, të cilët reaguan, me letrën dërguar Prsidentit Tromp, me kërkesën që të ndërhyjë, për ruajtjen e sovranitetit dhe territorit tokësor të Kosovës, “sepse mjaft është tëkurrur nga fqinjët lakmiqarë”. Me këtë rast, shkarkoi shefin e sigurisë, Bolton, birin e ish-ambasadorit amerikan në Beograd, i cili kishte bërë arsimin fillor atje dhe një motër kishte lindur aty. Tromp e akuzoi se punonte, fshehurazi, për ndarjen e Kosovës.
Megjithatë, për fatin e keq të Kosovës, Grenell mbeti në zyre. Ai vazhdonte mbështetjen praktike për Thaçin. Dhe, në rrugëtimin e presidentit Hashim në Amerikë, për t`ia bërë gjëmën e radhës Kosovës, një segment i drejtësisë amerikane, mori vendimin e prerë: Kosova nuk duhet ta këtë kufirin me Serbinë, përkatësisht, edhe me Rusinë, në mes të qytetit të Mitrovicës, por, prapa maleve e kodrave, ku edhe ekziston, sipas vendimit të Konferencës së Londrës, më 1913.

Disa të dhëna rreth pjesëmarrjes së vullnetarëve nga Shqipëria në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, në UÇPMB dhe në UÇK (Maqeoni) 

Kolonel Dilaver Goxhaj, Tiranë

DISA TË DHËNA RRETH PJESMARRJES SË VULLNETARËVE  

nga Republika e Shqipërisë dhe trevat e tjera shqiptare jashtë Kosove dhe të huaj, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, në UÇPMB dhe në UÇK (Maqeoni) 

Nga REPUBLIKA E SHQIPËRISË u reshtuan në radhët e formacioneve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-sw), brenda në Kosovë, 151 vullnetarë, prej të cilëve ranë dëshmorë 37 vullnetarë = 24,5 % e tyre. 

Ata 151 vullnetarë vinin nga 19 rrethe të Republikës së Shqipërisë:  

  • nga Kruma 45 vullnetarë, prej tyre  18  dëshmorë, një rënë në Maqedoni;  
  • nga Tropoja 36 vullnetarë, prej tyre 10  dëshmorë, një rënë në Maqedoni;  
  • nga Kukës  28 vullnetarë, prej tyre 3 dëshmorë;  
  • nga Tirana 11 vullnetarë, prej tyre  një dëshmor rënë në Maqedoni; 
  • nga Librazhdi 4 vullnetarë, prej tyre  një dëshmor rënë në Maqedoni;  
  • nga Lushnja 4 vullnetarë;  
  • nga Durrësi 4 vullnetarë;  
  • nga Berati 3 vullnetarë, prej tyre 2 dëshmorë, njërirënë në Maqedoni;  
  • nga Gjirokastra 3 vullnetarë;  
  • nga Shkodra 2 vullnetarë, prej tyre një dëshmor; 
  • nga Fieri 2 vullnetarë;  
  • nga Tepelena 2 vullnetarë;  
  • nga Kavaja 1 (një) vullnetar, ai dhe dëshmor;  
  • nga Çamëria 1 (një) vullnetar;  
  • nga Vlora 1 (një) vullnetar;  
  • nga Pogradeci 1 (një) vullnetar;  
  • nga Peshkopia 1 (një) vullnetar;  
  • nga Prenjasi 1 (një) vullnetar;  
  • nga Elbasani 1 (një) vullnetar. 
  • Nga të gjithë këta 151 vullnetarë, 17 kishin qënë oficerë ushtrie të Republikës së  

Shqipërisë, të cilët në Luftën për Çlirimin e Kosovës, (si dhe ata prej trevave të tjera shqiptare), kryen detyra të ndryshme komanduese dhe, 4 prej radhëve të këtyre oficerave kanë rënë dëshmorë.  

  • Nga KOSOVA LINDORE pati në Ushtrinë Çlirimtare e Kosovës gati 50 vullnetarë; 
  • Nga shqiptarët në MAQEDONI pati në radhët e U. Ç. K-së gati 50  vullnetarë;  
  • Nga shqiptarët që jetojnë në MAL të ZI, pati në U. Ç. K-së rreth 40 vullnetarë.  
  • Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare  Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit, (UÇPMB)  

shkuan nga R.Shqipërisë 4 vullnetërë, të gjithë oficerë. 

  • Në radhë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (Maqedoni) shkuan nga R. Shqipërisë  

10 vullnetarë, prej tyre 5 oficerë. 

  • Përsa i përket EMIGRACIONIT DHE DIASPORËS SHQIPTARE, mund të themi  

me krenari se ajo u ngrit si një trup i vetëm, duke iu përgjigjur thirrjes së 2 Prillit 1999 të Shtabit të Përgjithëshëm të UÇK-së dhe Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës, dhe brënda dy javësh mbritën në Durrës gati 12 mijë vullnetarë. Shumë prej tyre të lindur nga prindër shqiptarë në Perëndim, edhe pse nuk e dinin gjuhën shqipe, ndiheshin shqiptarë. 

Një mobilizim kaq të madh e kaq të shpejtë nuk munden ta bëjnë dhe shtete shumë të organizuar, e jo më të vinë kaq shumë brenda një jave nga të katër anët e ruzullit tokësor, sikundër erdhën djemtë dhe burrat shqiptarë. Ky është kombi shqiptar!  

Me këtë veprim i treguam botës mbarë se ja kush është karakteri i vërtetë i shqiptarit, të cilin kur e thërret Atdheu ngrihet edhe nga varri. Të gjithë këta vullnetarë i dhanë Luftës Çlirimtare të Kosovës karakterin e një lufte mbarë kombëtare, dhe UÇK-së i dhanë karakterin e një ushtrie mbarë kombëtare.  

Oficeri i UÇK-së nga Shqipëria bën rrëfimin e rrallë për luftën e Kosovës,  zbulon të pathënat… - Bota Sot

  • Mirëpo Lufta për Çlirimin e Kosovës pati edhe një karakteristikë tjetër. Në atë 12 mijëshen  

e vullnetarëve që erdhën nga diaspora, pati edhe VULLNETARË ME KOMBËSI JO SHQIPTARE nga 10 shtete Perëndimore: nga Gjermania, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Kanadaja, nga Franca, nga Norvegjia, nga Finlanda, nga Italia, nga Algjeria dhe nga Turqia. Nga radhët e tyre kemi rreth 10 dëshmorë.  U përsërit internacionalizmi i Luftës së Spanjës ku morrën pjesë  vullnetarë nga 53 shtete; ajo luftë zgjatu 3 (tre) vjet, 1936-1939, ndërsa vullnetarët  internacionalistë në Luftën e Kosovës erdhën në 78 ditëshin e angazhimit të NATO-ja me aviacionin e saj (24 mars – 8 qershor 1999). 

Kjo pjemarrje i dha Luftës për Çlirimin e Kosovës tiparet e një LUFTE INTERNACIONALISTE (dhe, si e tillë, jo vetëm që nuk mundet ta mohojë kush nga forcat politike shqiptare të Prishtinës dhe të Tiranës, që deri tash kanë folur me gjysëm zëri, për mos të thënë me përbuzje si ato ashtu dhe shoqatat shqiptare të veteranëve të Luftës II Botërore), por me atë luftë dhe atë ushtri mbarë kombëtare, njëkohësishtë me tipare edhe  internacionaliste, do të krenohet jo vetëm historia kombëtare shqiptare, por edhe ajo e luftrave botërore.  

Kjo përbërje mbarëkombëtare e ndërkombëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ka dhënë pjesmarrësve në radhët e saj të drejtën të jenë krenarë ata si dhe bijtë, bijat, nipa e mbesat e tyre, që nesër të mburren me aktin e prindërve dhe gjyshërve të tyre, si dhe të dinë se ku t’i kërkojnë rrënjët e tyre, por dhe miqtë e vërtetë. 

  • Nga radhët e gjithë këtyre vyllnetarëve, jo qytetarë të Kosovës, kanë rënë dëshmorë 62 prej tyre. 

Dilaver Goxhaj 

7 janar 2023 

Ҫështja shqiptare në kuadër të realpolitikës

0

Dritan Goxhaj, Tiranë

12 shkurt 2023

Klasa politike dhe ajo intelektuale në Kosovë ka dështuar disa herë të arrijë të kuptojë ngjarjet e rëndësishme politike, të cilat do të ndikonin dhe do të ndikojnë në ardhmërinë, në veçanti të Kosovës, dhe në përgjithësi të çështjes shqiptare.  

Kjo klasë politike dhe intelektuale dështoi që të shihte dhe të kuptonte ngjarjet e vitit 1981. Gjatë atyre ngjarjeve klasa politike u frikësua nga e panjohura, dhe për këtë arsye i dënoi ato ngjarje, ndërsa klasa intelektuale heshti, sepse kishte frikë se mos humbte privilegjet që posedonte deri në ato momente. 

E njëjta gjë ndodhi sërish pas gati dy dekadash.  

Pikërisht në vitet 1997-99 klasa politike, jo vetëm që dështoi t’i shihte ato ngjarje si një prelud i sendërtimit të gjithë përpjekjeve për liri që nga viti 1912 e këtej, por, duke qënë se ajo u tremb nga vrulli i tyre dhe nuk i pati ajo nën kontroll, e as që e kishte idenë se kush ishin ata që i inicuan dhe i bartnin ato ngjarje, kjo klasë politike i dënoi ato, duke arritur sa t’i konsideronte edhe si “Dorë e zgjatur e Sërbisë”.  

Ndërsa klasa intelektuale sërish edhe kësaj radhe, jo vetëm që heshti, por e shfrytëzoi me oportunizëm këtë ngjarje, duke u larguar në Perëndim. 

Edhe tashti, pothuajse sërish pas 2 dekadash, kur Kosova ndodhet në një ngjarje tjetër të rëndësishme për qënësinë e saj, në tentativën e Perëndimit, për t’i imponuar me dhunë e presion politik Kosovës, Asosacionin e Komunave Serbe, klasa politike dhe ajo intelektuale sërish po dështon ta shohi këtë si një ngjarje e cila po e çon jo vetëm Kosovën, por gjithë çështjen shqiptare 110 vjet prapa.  

Pikërisht, në vitin 1913, kur Ministri i Jashtëm i Britanisë pas Konferencës së Londrës do të deklaronte: “ Për fat të keq, na u desh ta viktimizonin popullin shqiptar, për të ruajtur paqen në Evropë”. 

Edhe tashti klasa politike, së bashku me atë intelektuale, qoftë në Kosovë por edhe në Shqipëri, të ndikuara në ndërgjegjen e tyre nga remenishenca të së kaluarës, ato, në vend që të mbrojnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe të çështjes shqiptare, janë ndarë keqasi dhe sërish fajin e hedhin të të tjerët.  

Në këtë rast, në një injorancë totale të gjithë, si në kor e nën një dirigjim, shkruajnë se fajin për këtë sot e ka Rusia. 

Ashtu si dikur, para vitit 1990, kur e njëjta klasë intelektuale shkruante, se për çdo gjë fajin e kishte Imperializmi Amerikan, ndërsa tashti që Amerikanët i kemi bërë aleatë, fajin e ka Imperializmi Rus. 

Ose duke e harruar qëllimisht, ose për shkak të padijes, se Asosacioni cënon sovranitetin dhe integritetin politik dhe territorial të Kosovës, është një marëveshje e propozuar në vitin 2013 nga Shefja për Politikë të Jashtme e BE-së në atë kohë, Katerin Ashton (Catherine Ashton), me qëllim që të ndikonin sadopak te Sërbia që ajo të fillonte një shkëputje graduale nga Rusia. 

Evropa e ofroi atëherë këtë marrëveshje dhe po mundohet edhe sot ta finalizojë atë, pasi ajo e qorruar tashmë totalisht nga Rusofobia, po tenton të përdorë çfardo lloj mundësie që ajo ka në dorë për t’i shkëputur Rusisë qoftë edhe një aleat.  

Kjo, pasi edhe Evropa, por edhe ne shqiptarët dhe amerikanët, nuk e kemi kuptuar se është Sërbia ajo që e përdor Rusinë sa herë ka nevojë që të faktorizojë veten, dhe asnjëherë Rusia Sërbinë për të faktorizuar atë. 

Edhe në vitin 2013, por edhe sot, klasa politike dhe intektuale shqiptare dështoi ta shohi se Evropa e sheh çështjen shqiptare jo si një çështje më vete, por në kuadër të interesave të saj politike. 

I njëjti problem ka ndodhur edhe me Amerikën. Ata, amerikanët, në vitet ’80-të e deri në 1999 e shikonin çështjen shqiptare në kuadër të intereseva sllave. Vetëm në vitin 1999 amerikanët e kuptuan që çështja shqiptare nuk mund të jet pjesë e interesave sllave, dhe ndërhynë fuqishëm, për t’i dhënë asaj një zgjidhje që zgjati deri në vitin 2008.  

Por sërish, injoranca e politkës shqiptare dhe veçanërisht injoranca e Kryeministrit të Shqipërisë, Ed(vin) Ramës, tentoi dhe po tenton ta kthejë çështjen shqiptare në vitet ’80-të, sërish në kuadër të interesave sllave, me anë të “Open Balkan”. 

Pas vitit 2008 Amerika ja kaloi çështjen shqiptare Evropës për t’i dhënë asaj zgjidhje, por Evropa po e përdor atë në kuadër të interesave të saj, dhe refuzon ta shohi si një çështje më vete dhe thelbësore për Ballkanin.  

Kjo edhe për shkak të mefshtësisë dhe të oportunizmit të klasës sonë politike, e cila është më shumë e interesuar për të mbajtur pushtetin, se sa ashtu siç propagandon: për të bërë shtetin. 

Dhe në këtë përpjekje të saj, Evropa, sërish si në 1913, po rrezikon të sakrifikojë dhe të viktimizojë shqiptarët, Kosovën dhe çështjen shqiptare, për të arritur paqen e saj të pretenduar në Evropë. 

Dhe, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, klasa politike dhe intelektuale shqiptare po e sheh këtë si një luftë interesash ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë, dhe jo si një coptim të ri të trojeve shqiptare. 

Ndaj, kjo klasë politike dhe intelektuale duhet të flasi me një gjuhë të përbashkët në rast se janë të interesuar të shmangin një luftë të re, në të kundërt, le të tërhiqen nga misioni që kanë marrë përsipër. 

Klasa politike dhe intelektuale duhet të heqin dorë nga oportunizmi, duke dalë me propozime konkrete, të cilat t’i japin fund kësaj maskarade, e jo me ca pika si ato të Albin Kurtit sa për të fituar kohë e për të shitur një gjysëm patriotizmi. 

Në rast se Evropa dhe Amerika nuk tërhiqen nga vendimi i tyre për të implementuar këtë Asosiacion, atëherë rruga e vetme për shqiptarët, për të ruajtur të pa cënuar sovranitetin dhe integritetin politik dhe territorial, mund të kalojë vetëm nëpërmjet këtyre pikave: 

  1. BE-ja të detyrojë ato shtete europiane që nuk e njohin Kosovën, që të bëjnë njohjen e saj si anëtare të BE-së.
  2. Amerika dhe Shqipëria të propozojnë futjen e Kosovës në NATO menjëherë pas njohjes nga gjithë shtetet e BE-së.
  3. BE-ja të bëjë futjen e Kosovës me proçedurë të përshpejtuar në BE.
  4. Bazuar mbi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për njohjen e pamvarësisë së Kosovës dhe, duke shfrytëzuar faktin që edhe vet Rusia nëpërmjet Putinit e pranji këtë vendim si të drejtë, (Gjatë takimit që Putini pati me Shefin e OKB-së gjatë vitit 2022), Shqipëria të propozojë në OKB një rezolutë të re për Kosovën dhe ndryshimin e Rezolutës 1244, duke shfrytëzuar qënien e saja anëtare përkohshme e Këshillit të Sigurimit.

Ҫdo gjë tjetër jashtë këtyre pikave është thjesht në kuadër të asaj shprehjes: “Më ka çu nona me la gojën”. 

Ka ardhur koha që klasa politke dhe intelektuale shqiptare të eci mbi real-politikën, dhe jo mbi fantazit politike.  

Ps: për të gjithë ata, që do të shqetësohen se kështu ndoshta do të mund të përfitonte edhe Rusia dhe të humbte Ukraina, ju them që mua më intereson Atdheu im dhe nuk jam në gjëndje që të sakrifikoj Atdheun tim, për sllavët e veriut (Ukraina). 

Ju a jeni të gatshëm ta bënëi këtë sakrificë?!