VO: Shpresoj se do të jetë e tillë.
Të vërtetat e Vjosa Osmanit – Presidentës së Kosovës
VO: Shpresoj se do të jetë e tillë.
Ironia dhe hipokrizia rreth pronësimit të Katedrales së Shkodrës

Nga: Frank Shkreli
Vendimi që Katedralja e Shkodrës të marrë më në fund pronësinë e saj të ligjshme mund të duket si një akt normal drejtësie. Por, në të vërtetë, ai zbulon një ironi të thellë dhe një hipokrizi që shoqëron historinë e marrëdhënies së shtetit shqiptar, jo vetëm me trashëgiminë fetare dhe kulturore të vendit, por edhe qendrimet aktuale të shtetit shqiptar për pronën.
Po çfarë ç po ndodh realisht? Një institucion fetar, që e ndërtoi vetë këtë tempull, që e ruajti me sakrifica dhe që e mbrojti me gjakun e martirëve të tij, sot trajtohet sikur Kishës Katolike në Shqipëri po i bëhet një “dhuratë” pronësie nga pushteti vendor, ndërsa shohim e dëgjojmë deklarata triumfale, sikur pushteti vendor po dhuron diçka nga xhepi i vet. Kjo pasi shteti shqiptar, nën sundimin komunist e kishte zhdukur nga faqja e dheut, për pothuaj 50-vjetë, fenë dhe entet e tjera fetare. Në këtë rast duke e kthyer atë vend të shenjtë — Katedralën e Shkodrës — në sallë sportive, duke vrarë e burgosur klerikët e saj që, lirisht, mund të thuhet se ishin ajka e kulturës kombëtare dhe të gjuhës shqipe, por varret e të cilëve — nëqoftse eshtrat e tyre nuk i ka marrë Drini — as sot nuk dihet se ku janë. Një regjim, si asnjë tjetër në botë, me një vendim e ligj absurd, kishte shpallur Shqipërinë shteti i parë ateist në botë, kundër fesë dhe Zotit. Kështuqë, në vend që të pranohet një padrejtësi historike që i është bërë gjatë dekadave Kishës Katolike dhe enteve të tjera fetare në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë, duhej të kërkohej falje në emër të shtetit për krimet e komunizmit kundër klerit dhe Kishës. E drejtë dhe morale do të ishte që të pranoheshin krimet e regjimit komunist, të korigjohet me, përulësi, padrejtësia historike ndaj të gjitha enteve fetare në Shqipëri, në vend që përfaqësuesit politikë vendor të shtetit aktual në Shkodër dhe kudo tjetër të krijojnë përshtypjen sikur shteti po tregon bujari, duke “legjitimuar”, me letër “pronësie”, Katedralën e Shkodrës.
Unë po e quaj këtë veprim si ironik dhe hipokritik! Sepse nuk e dijë nëse, këta zotërinj dhe zonja të pushtetit vendor në Shkodër dhe më gjërë janë ose jo të vetdijshëm se Katedralja e Shkodrës nuk është thjesht një ndërtesë guri e tullash. Ajo nuk është as një banesë private e buldozuar nga shteti, në Theth dhe asnjë një copë tokë në Rrjoll të Velipojës.
Katedralja e Shkodrës ka qenë dhe mbetet një simbol i historisë së qytetit dhe i rezistencës shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve ndaj pushtuesve të huaj. Në atë altar janë lutur breza besimtarësh, ndërsa shumë nga bijtë e bijat e saj u persekutuan, u burgosën dhe u martirizuan gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Po ai shtet që dikur e grabiti pronën dhe e përdhosi fenë, sot paraqitet si arbitër që vendos, nëse duhet apo jo dhe kur t’ia kthejë atë prone, por që nuk duhej t’i ishte marrë kurrë. Kjo është hipokrizia, por mund të interpretohet edhe si kërcënim, njëkohsisht me mesazhin se unë si pushtet, dje të kam zhdukur klerikët dhe kam kthyer katedralën në sallë sporti, sot të njoh pronësinë mbi këtë ndërtesë, por kjo nuk do të thotë se nesër, unë si pushtet, nuk t’a heq prap këtë të drejtë, pronësie, nëse dhe kur të më teket!?
Sepse, siç e kam thënë qindra herë, tashti e më shumë se tri dekada pas rënies së komunizmit zyrtar, Shqipëria ende nuk ka bërë, zyrtarisht, një përballje dhe distancim të ndershëm nga krimet dhe padrejtësitë e së kaluarës komuniste, as me kthimin e pronave private tek i zoti. Pronat e konfiskuara nga diktatura komuniste vazhdojnë të trajtohen si një problem administrativ dhe jo si një plagë morale e historisë kombëtare. Në këtë kuptim, rasti i Katedrales në Shkodër nuk është një përjashtim. Ai është vetëm një simbol i një mentaliteti arrogant pushtetor shqiptar nga i cili shoqëria shqiptare ende nuk është çliruar, seriozisht dhe zyrtarisht, e që është trashëgimia e shtetit grabitqar komunist dhe nga mentaliteti se partia e shteti janë mbi të gjitha.
Në vend që kthimi i pronës të shihet si një akt drejtësie historike, ai akt shpesh shoqërohet me retorikë politike, me fotografi ceremoniale, si në këtë rast, dhe me deklarata që ata, si pushtetarë, vendorë ose qendrorë meritojnë dhe kërkojnë t’u thurin lavdi, atyre dhe partisë, për diçka që është, në çdo shoqëri normale, thjesht, detyrim moral e ligjor dhe nuk është e tyre për tu “dhuruar”, as për t’u mohuar. I nderuar lexues, ironia më e madhe e kësaj pune, është se në një vend ku drejtësia për pronën– pas 35-viteve — duhej të ishte një akt i natyrshëm, si në shumë vende të ish-komuniste të Evropës, në Shqipëri, ajo shitet si “sukses politik” i një individi ose një partie në pushtet.
Jam i mendimit se nëse Shqipëria dëshiron, vërtetë, të ndërtojë një shtet të drejtë dhe të besueshëm vendor e qendror, ajo duhet të heqë dorë nga kjo hipokrizi ironike. Pronat e grabitura nga diktatura komuniste – qofshin ato të Kishës Katolike, të komuniteteve të tjera fetare, apo të qytetarëve të thjeshtë – nuk janë çështje favori, as merite askujt. Prona private është e drejtë ndërkombëtare e sanksionuar me konventa dhe marrveshje ndërkombëtare. Pronat janë çështje drejtësie. Dhe drejtësia nuk jepet me bujari. Ajo rikthehet me përgjegjësi dhe pa bujë.
Rasti i Katedrales në Shkodër është vetëm një pasqyrë e kësaj tragjikomedie kombëtare. Dihet se mijëra prona të tjera të pronarëve legjitim, të konfiskuara nga diktatura komuniste në Shqipëri, mbeten ende të bllokuara në labirintet e burokracisë shqiptare, ndërsa politika vazhdon të kërkojë merita për çdo korigjim minimal të një padrejtësie të madhe historike, siç ishte dorëzimi i letrës së pronësisës Katedralës së Shkodrës, para disa ditësh. Një shtet serioz nuk kërkon duartrokitje kur ndalon së mbajturi një pronë të grabitur ilegalisht, si kjo. Në vend të kësaj, pushteti normal kërkon falje dhe e kthen pronën pa zhurmë, tek i zoti legjitim. Derisa kjo të kuptohet seriozisht, nga klasa politike shqitare, çdo ceremoni për “dhënien bujare” të Katedrales ose ndonjë prone tjetër, do të mbetet ajo që në të vërtetë është: një akt simbolik që zbulon, jo bujarinë e pushtetit, por zbardhë rishtas ironinë dhe hipokrizinë e tij ndaj kthimit të pronave private tek i zoti, sidomos pronat e enteve fetare.
Rendi i ri botëror dhe ndërgjegjja shqiptare

Luan Dibrani, Gjermani
Bota ndodhet sot në një nga momentet më të ndjeshme të historisë së saj moderne. Konfliktet në Lindjen e Mesme, tensionet mes fuqive të mëdha dhe përplasja midis demokracive perëndimore dhe regjimeve autoritare po krijojnë gradualisht një realitet të ri gjeopolitik. Përplasjet që lidhen me politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Izraelit dhe të Republikës Islamike të Iranit janë pjesë e një tensioni shumë më të gjerë për të ardhmen e rendit ndërkombëtar.
Në këtë përballje globale, edhe shoqëritë e vogla – përfshirë hapësirën shqiptare – përballen me një provë morale dhe politike: si e kuptojnë historinë e tyre, kë konsiderojnë aleatë dhe si e mbrojnë identitetin e tyre demokratik.
Kujtesa që nuk duhet harruar
Shqiptarët e kanë përjetuar në mënyrë direkte se çfarë do të thotë ndërhyrja ndërkombëtare në mbrojtje të një populli të rrezikuar. Në vitin 1999, ndërhyrja e aleancës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaloi një tragjedi humanitare dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Ai vendim nuk ishte vetëm një akt ushtarak; ishte një vendim politik dhe moral i botës demokratike. Në Washington dhe në qendrat e vendimmarrjes perëndimore, shumë politikanë, diplomatë dhe figura publike nga komunitete të ndryshme mbështetën atë ndërhyrje për të mbrojtur jetën e civilëve dhe për të ndaluar dhunën.
Ky kapitull i historisë duhet të mbetet gjithmonë pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive.
Një histori solidariteti me popullin hebre
Historia shqiptare ka edhe një dimension tjetër që shpesh përmendet me krenari: gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët mbrojtën dhe strehuan hebrenjtë që ndiqeshin nga nazizmi. Familjet shqiptare ndanë shtëpitë dhe bukën e tyre me njerëz që kërkonin shpëtim.
Ky është një shembull i rrallë i solidaritetit njerëzor dhe një vlerë që e ka nderuar Shqipërinë në sytë e botës.
Prandaj debati publik shqiptar duhet të ruajë gjithmonë respektin për këtë histori dhe të mos lejojë që narrativat e urrejtjes apo propagandat ideologjike të deformojnë këtë trashëgimi.
Rreziku i propagandave ideologjike
Në vitet e fundit, hapësira shqiptare është bërë edhe terren i ndikimeve të ndryshme ideologjike që përpiqen ta interpretojnë politikën ndërkombëtare përmes filtrave të radikalizmit politik ose fetar. Në disa raste, kjo ka çuar në gjuhë përçarëse, në glorifikim të konflikteve të largëta dhe në retorikë që nuk përputhet me traditën shqiptare të moderimit dhe tolerancës.
Shqiptarët historikisht janë një popull me identitet pluralist dhe me orientim të fortë drejt Evropës dhe demokracisë. Çdo përpjekje për ta zhvendosur këtë identitet drejt projekteve ideologjike të importuara duhet të analizohet me maturi dhe përgjegjësi.
Një plagë që mund të mbetet gjatë
Fyerjet, polarizimi dhe përpjekjet për ta shndërruar debatin publik në një arenë propagandash ideologjike mund të lënë pasoja afatgjata në shoqërinë shqiptare. Edhe nëse konfliktet aktuale në botë një ditë përfundojnë dhe krijohet një rend i ri ndërkombëtar, këto tensione mund të mbeten si një plagë në diskursin publik nëse nuk adresohen me reflektim dhe përgjegjësi.
Shoqëritë demokratike kërkojnë debat të lirë, por edhe respekt për faktet historike dhe për marrëdhëniet e ndërtuara me mund gjatë dekadave.
Shqiptarët si faktor stabiliteti
Në një botë që po ndryshon, shqiptarët mund të luajnë një rol të rëndësishëm si faktor stabiliteti në Ballkan dhe si urë bashkëpunimi me Evropën dhe partnerët ndërkombëtarë. Kjo kërkon:
- ruajtjen e orientimit euro-atlantik;
- respekt për aleancat strategjike;
- refuzim të radikalizmave që nxisin përçarje;
- një debat publik të përgjegjshëm dhe të bazuar në fakte.
Thirrje për përgjegjësi morale
Nuk duhet të harrojmë se populli shqiptar ka miqësi historike me popullin amerikan dhe me popullin hebre, miqësi të ndërtuara mbi momente të vështira të historisë dhe mbi solidaritetin në kohë rreziku. Sot, kur shumë popuj përpiqen të mbrojnë sigurinë dhe ekzistencën e tyre përballë kërcënimeve dhe konflikteve të ashpra në Lindjen e Mesme, është e rëndësishme që edhe në hapësirën shqiptare debati publik të mbetet i përgjegjshëm dhe i matur. Ata që sot përdorin gjuhë fyese, nxisin urrejtje ose rreshtohen verbërisht në narrativa propagandistike që justifikojnë dhunën dhe ekstremizmin, duhet ta kuptojnë se historia gjithmonë kërkon llogari morale. Në të ardhmen, kur të vlerësohen qëndrimet dhe rolet e secilit në këto kohë të trazuara, edhe këto zëra do të gjykohen nga ndërgjegjja e shoqërisë dhe nga pesha e përgjegjësisë publike. Për shqiptarët, rruga duhet të mbetet ajo e dinjitetit, e respektit për miqtë dhe e mbrojtjes së vlerave të lirisë dhe të demokracisë.
Koha për reflektim
Çdo brez përballet me momentet e veta të provës historike. Për shqiptarët, një nga sfidat më të mëdha është ruajtja e kujtesës historike dhe e miqësive që kanë ndihmuar kombin tonë në momentet më të vështira.
Në një botë që po ndryshon, kjo kujtesë duhet të mbetet busulla jonë morale dhe politike.
Sepse kombet që e ruajnë kujtesën dhe dinjitetin e tyre janë ato që arrijnë të ecin përpara me siguri dhe respekt në çdo rend të ri botëror.
Një popull është bashkimi i të dyjave: i shpirtit që shprehet në kulturë dhe i trashëgimisë që bartet në gjak
Tryeza e New York-ut: diplomacia në hije, rrjetet e lobimit dhe pyetjet që presin përgjigje

Udha e Kryqit – Kalvari i njeriut dhe fitorja e Krishtit

Don Fran Sopi, Pejë
Udha e Kryqit nuk është thjeshtë vetëm një devocion i trashëguar nga tradita dhe as vetëm një përkujtim emocional i vuajtjeve të Krishtit. Pra, ajo është një pasqyrë e thellë dhe e gjallë e jetës sonë shpirtërore. Është një itinerar i shenjtë, ku ndërgjegjja jonë vihet përballë misterit të dashurisë që shkon deri në fund: deri në flijim, deri në derdhjen e gjakut për shpëtimin e botës. Është një shkollë e heshtur e shenjtërisë, një katekezë e dashurisë hyjnore, një Ungjill i hapur që lexohet jo vetëm me sy, por me zemër dhe me shpirt.
Unë, si meshtar i Kishës Katolike prej 52 vitesh, sa herë që i udhëheq besimtarët tanë në Udhën e Kryqit gjatë Kreshmëve, e ndiej thellë se nuk jam thjeshtë një zë që vetëm që i lexon stacionet me radhë, por një dëshmitar i një drame hyjnore që përsëritet në zemrën e çdo njeriu. Udha e Kryqit nuk është vetëm një kujtim i asaj që ndodhi dikur në Jerusalem, por mbi të gjitha është një ngjarje që vazhdon të ndodhë sot në mes nesh, edhe në familjet tona, në shoqërinë tonë, në plagët e popullit tonë martirë shqiptarë dhe në brendësinë e ndërgjegjes sonë. Kryqi nuk është një relike muzeale, por është rrahja e gjallë e dashurisë së Hyjit në historinë e njerëzimit.
Në secilën nga pesëmbëdhjetë ndalesat ne, si besimtarë të Kishës së Krishtit, e gjejmë veten. E gjejmë veten në dënimin e padrejtë, kur turma bërtet dhe e vërteta hesht. Edhe sot, sa herë e vërteta mbulohet nga zhurma e interesave (materialiste), nga frika apo nga oportunizmi? E gjejmë veten në peshën e kryqit, kur jeta na ngarkon me barra që duken më të mëdha se forcat tona: sëmundje të papritura, humbje të dhimbshme, zhgënjime të thella, padrejtësi që rëndojnë ndërgjegjen tonë. Pra, edhe e gjejmë veten në rëniet e përsëritura, kur dobësia na tradhton dhe krenaria na rrëzon. E gjejmë veten në lotët e Nënës, në ndihmën e Simonit të Cirenesë, në guximin e Veronikës, në heshtjen e Golgotës, kur qielli duket i mbyllur dhe gjithçka duket e errët.
Kjo udhë është historia e dashurisë që nuk tërhiqet përballë dhimbjes. Jezusi nuk e shmang kryqin, nuk e mohon vuajtjen, nuk kërkon një rrugë më të lehtë. Ai nuk bën kompromis me të keqen dhe nuk negocion me padrejtësinë. Ai ecën: me plagë në trup dhe me dashuri në zemër; ecën mes britmave dhe përbuzjeve; ecën me tradhti mbi supe dhe me falje në buzë. Dhe duke ecur, Ai e shndërron dhimbjen në mjet shpëtimi, turpin në lavdi dhe vdekjen në jetë.
Si një meshtar, kur ndalem në stacionin e parë dhe shpall: “Jezusi dënohet me vdekje”, ndiej peshën e padrejtësive të kësaj bote. Sa të pafajshëm dënohen edhe sot! Sa të vërteta shtypen nga frika! Dhe pyes veten me ndershmëri: a jam gjithmonë në anën e së vërtetës, apo ndonjëherë i laj duart si Pilati për të ruajtur rehatinë time?
Kur shpall: “Jezusi merr kryqin mbi supe”, mendoj për kryqet e përditshme të njerëzve: kryqin e një nëne që lutet për fëmijën e saj, kryqin e një të moshuari që jeton në vetmi, kryqin e një të riu që kërkon kuptim në një botë të trazuar, kryqin e një familjeje që përpiqet të qëndrojë e bashkuar. Dhe më kujtohet se pa kryq nuk ka Pashkë, pa flijim nuk ka Ngjallje, pa sakrificë nuk ka dashuri të vërtetë.
Rëniet e Jezusit janë rëniet tona. Ai bie për herë të parë për të shëruar krenarinë tonë; bie për herë të dytë për të na mësuar qëndrueshmërinë; bie për herë të tretë për të hyrë plotësisht në dobësinë tonë, që askush të mos ndihet i braktisur. Në çdo rënie Ai na jep një mesazh të qartë: mos u dorëzo, sepse dashuria është më e fortë se dobësia.
Takimi me Marinë është kulmi i heshtjes së shenjtë. Ajo nuk largohet; nuk mallkon; qëndron. Dhe qëndrimi i saj është një predikim pa fjalë, një dëshmi e besimit që nuk lëkundet edhe kur dhimbja është e madhe. Ajo është figura e Kishës që qëndron besnike edhe kur errësira duket se fiton.
Simoni i Cirenesë na mëson se jeta e krishterë është bashkëmbartje kryqi. Të ndihmosh tjetrin do të thotë të hysh në realitetin e dhimbjes së tij dhe ta përkrahësh me dashuri. Veronika na mëson se një gjest i vogël mirësie mund të ketë vlerë të përjetshme. Bota nuk ndryshohet nga spektakli, por nga dashuria e thjeshtë dhe e përulur.
Kur arrijmë te gozhdimi dhe vdekja në kryq, gjithçka bëhet e heshtur. “U krye.” Këto fjalë nuk janë dorëzim, por përmbushje. Në çdo Meshë, sakrifica e Kryqit bëhet e pranishme për ne. Kryqi nuk është humbje, por fitore; nuk është fund, por fillim; nuk është errësirë, por dritë që lind nga thellësia e natës.
Dhe kur meditojmë varrin, nuk harrojmë stacionin e pesëmbëdhjetë: Ngjalljen. Pa Ngjalljen, Udha e Kryqit do të ishte vetëm një histori dhimbjeje; por me Ngjalljen, ajo bëhet histori shprese. Kryqi bëhet shenjë fitoreje. Varri bëhet fillim i jetës së re. Udha e Kryqit është udha e çdo njeriu që kërkon kuptim në vuajtje, dritë në errësirë, falje në faj dhe jetë në mes të vdekjes. Ajo është udha e Kishës ndër shekuj, udha e shenjtërve dhe e martirëve, udha e çdo besimtari që zgjedh të jetojë për Hyjin dhe për të tjerët.
Prandaj, në këtë kohë Kreshmësh, të mos mbetemi vetëm soditës të Kryqit, por bashkudhëtarë me Krishtin. Të mos kemi frikë nga plagët, por t’i kthejmë ato në burim hiri. Të mos e shohim Kryqin si dënim, por si pemë jete. Le të guxojmë të falim, të kërkojmë falje dhe të ndryshojmë.
Sepse aty ku njeriu bashkon dhimbjen e vet me dashurinë e Krishtit, lind një shpresë e pathyeshme: një shpresë që nuk shuhet nga koha, nuk mposhtet nga vdekja dhe nuk errësohet nga padrejtësia; një shpresë që shpall se dashuria është më e fortë se urrejtja dhe se jeta është më e madhe se varri.
Dhe si meshtar i Kishës së Krishtit, lutem që secili prej jush, duke kaluar përmes sfidave të jetës, të arrijë në dritën e Pashkëve, atje ku çdo lot fshihet, çdo plagë shërohet dhe çdo kryq shndërrohet në gëzim në Krishtin e Ngjallur, i cili është dhe mbetet shpresa jonë e vetme dhe e përjetshme.
Më 13 mars 2026
Spektaklet me iftare…!

Mali i Zi ishte Shqiptar, identiteti malazez u krijua shumë vonë

Shqiptar Shaljani për thellësinë e depërtimit të Islamit Politik në Kosovë








