Kreu Blog Faqe 246

Pse paditet Serbia në Strasburg – dhe jo Kosova?

0
Pse paditet Serbia në Strasburg – dhe jo Kosova? Një dilemë juridike që zbulon krizën e shtetit ligjor
Në debatin publik shpesh shtrohet një pyetje e thjeshtë, por me peshë të madhe juridike: pse një qytetar i Kosovës do ta drejtonte padinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg kundër Serbisë – dhe jo kundër Kosovës?
Përgjigjja nuk është emocionale. Është juridike. Dhe është strukturore.
Juridiksioni ndërkombëtar dhe përgjegjësia shtetërore
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) gjykon vetëm shtetet që janë palë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Serbia është palë kontraktuese. Kosova – për shkak të statusit të saj ndërkombëtar – nuk është.
Kjo do të thotë se, edhe kur një shkelje ndodh në territorin e Kosovës, përgjegjësia juridike ndërkombëtare mund të ngrihet kundër atij shteti që, historikisht dhe juridikisht, ka krijuar burimin e shkeljes ose vazhdon të ndikojë mbi pasojat e saj.
Në rastet pronësore kjo është thelbësore. Arkivat kadastrale origjinale, regjistrimet bazë, dokumentacioni primar – për vite me radhë kanë qenë nën kontrollin e Serbisë. Mungesa ose mosdorëzimi i dokumenteve themelore krijon boshllëk juridik që prodhon pasoja të vazhdueshme.
Në të drejtën ndërkombëtare ekziston koncepti i “shkeljes së vazhdueshme” (continuing violation). Nëse burimi i problemit është një akt apo mosveprim i një shteti që vazhdon të prodhojë pasoja juridike, atëherë përgjegjësia nuk shuhet me kalimin e kohës.
Mosfunksionimi i mekanizmave vendorë
Problemi nuk është vetëm ndërkombëtar. Është thellësisht vendor.
Kur gjykatat e zakonshme zvarrisin ekzekutimin e vendimeve për dekada;
kur Gjykata Kushtetuese, në vend që të forcojë standardin e mbrojtjes së pronës, prodhon vendime që relativizojnë sigurinë juridike;
kur komunat lejojnë ndërtime, regjistrime selektive dhe ndryshime urbanistike pa zgjidhur konfliktet e pronësisë – atëherë qytetari përballet me një mur institucional.
Ekziston një perceptim i rrezikshëm i pandëshkueshmërisë në nivel komunal. Zyrtarizimi i pronave, regjistrimi i banesave të blera, përditësimi i kadastrit – trajtohen si çështje administrative dytësore, ndërkohë që në thelb janë garancia e rendit kushtetues.
Pa siguri pronësore nuk ka ekonomi funksionale.
Pa regjistër të pastër nuk ka zhvillim urban.
Pa ekzekutim të vendimeve nuk ka shtet ligjor.
Pse komunat ndihen të sigurta?
Sepse mungon përgjegjësia personale.
Asnjë kryetar komune, asnjë drejtor kadastri, asnjë zyrtar urbanizmi nuk mban përgjegjësi individuale për kaosin që krijohet. Vendimet gjyqësore shpesh mbeten në letër. Prokuroria rrallë ndërhyn në rastet e moszbatimit sistematik. Kjo krijon një kulturë administrative ku vonesa bëhet normë dhe mosveprimi bëhet strategji.
Por ky është një stabilitet i rremë.
Bumerangu juridik
Çështjet e pazgjidhura pronësore nuk zhduken. Ato arkivohen – dhe rishfaqen në momente të ndjeshme politike. Nëse në të ardhmen hapen mekanizma ndërkombëtarë për pretendime pronësore, nëse aktivizohen instrumente ndërkombëtare arbitrazhi, apo nëse shtete të tjera ngrisin çështje mbi bazën e dokumenteve historike – kaosi urbanistik dhe pasiguria kadastrale mund të përdoren si argument kundër vetë Kosovës.
Një shtet që nuk garanton siguri juridike brenda territorit të tij ekspozohet ndaj kontestimeve të jashtme. Në këtë kuptim, padia kundër Serbisë nuk është shmangie e përgjegjësisë vendore. Është përdorim i vetmit mekanizëm ndërkombëtar të disponueshëm. Por ajo njëkohësisht është akt akuzues ndaj sistemit vendor që nuk funksionon.
Gjykata Kushtetuese dhe standardi i humbur
Gjykata Kushtetuese duhet të ishte filtri përfundimtar i sigurisë juridike. Në vend të kësaj, shpeshherë ajo trajton çështjet pronësore si konflikte individuale, jo si probleme sistemike të sundimit të ligjit. Mbrojtja e pronës në Kushtetutë dhe në Konventë nuk është dekorative. Ajo është themel i rendit demokratik.
Kur kjo hallkë dobësohet, qytetari detyrohet të kërkojë drejtësi jashtë.
Mesazhi për publikun
Kjo nuk është çështje kundër një shteti apo tjetrit. Është çështje standardi. Nëse gjykatat vendore do të ekzekutonin vendimet në kohë; nëse komunat do të respektonin regjistrin kadastral si dokument themelor; nëse Gjykata Kushtetuese do të ngrinte standardin e mbrojtjes së pronës – atëherë asnjë qytetar nuk do të kishte nevojë të trokiste në Strasburg.
Padia në Strasburg është simptomë; Sëmundja është moszbatimi i ligjit në shtëpi.
Në fund, pyetja nuk është pse paditet Serbia.
Pyetja është pse sistemi vendor nuk krijon kushte që drejtësia të gjendet brenda territorit të vet. Nëse kjo nuk korrigjohet, bumerangu juridik nuk do të vijë nga jashtë – por nga brenda, nga vetë kriza e besimit në shtetin ligjor

Jo vetëm politikanët shqiptarë në RMV, duhet reaguar ndaj deklaratës së Vesna Janevska në Universitetin e Tetovës, se “maqedonishtja është e vetmja gjuhë zyrtare”

0
Deklarata e ministres se Arsimit te Maqedonis se Veriut ,Vesna Janevska në Universiteti i Tetovës se “maqedonishtja është e vetmja gjuhë zyrtare”, e thënë pikërisht në një universitet shqiptar, nuk është thjesht gafë politike — është provokim i hapur dhe nënçmim ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj shqiptarëve autoktonë në trojet e tyre.
Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është tolerancë, por status kushtetues. Është gjuhë zyrtare me ligj. Çdo përpjekje për ta relativizuar apo minimizuar është një hap pas në bashkëjetesën ndëretnike dhe një sinjal i rrezikshëm politik.Ata qe sna duan te miren e kane kuptuar se elementi kryesor i Kombit Shqipetar eshte Gjuha Shqipe ndaj edhe sulmojne aty.Pa gjuhe ska identitet ska Komb.
Por ajo që dhemb më shumë është heshtja.
Asnjë reagim i fortë nga qeveria shqiptare. Asnjë deklaratë zyrtare në mbrojtje të gjuhës shqipe. Kur cenohet identiteti, kultura dhe dinjiteti kombëtar, Tirana zyrtare zgjedh të heshtë. Dhe heshtja në këto raste është qëndrim.
Ndërkohë, në Shqipëri merret vendim që në Sheshin “Nënë Tereza” të ndërtohet muze arkeologjik dhe parkim nëntokësor. Pra, historia jonë… nën tokë. Në vend që trashëgimia arkeologjike të ngrihet mbi tokë, në dritë, në sy të qytetarëve dhe turistëve, ne e fusim nëntokë bashkë me parkimin.
Ironia është therëse.
Në vend që të shpallim me krenari autoktoninë tonë, rrënjët tona ilire, qytetërimin tonë mijëravjeçar, ne e “rehabilitojmë” sheshin duke varrosur simbolikisht historinë tonë poshtë betonit. Në vend që bota ta shohë, ta prekë, ta studiojë trashëgiminë tonë në sipërfaqe, ne e sistemojmë nën pllaka dhe kate parkimi.
Kjo është kriza jonë më e madhe: nuk na i mohojnë vetëm të tjerët vlerat – shpesh i mohojmë vetë.
Kur nuk mbron gjuhën shqipe në Tetovë, kur nuk ngre në piedestal arkeologjinë shqiptare në Tiranë, kur nuk e shpall me zë të lartë historinë tënde në sheshet e tua — atëherë mos u çudit kur të tjerët tentojnë ta relativizojnë ekzistencën tënde.
Ne jemi autoktonë në trojet tona. Historia jonë nuk është për t’u futur nëntokë. Është për t’u ngritur lart, në shesh, në dritë, aty ku e sheh e gjithë bota.
Nëse nuk i ngremë vetë vlerat tona, askush nuk do ta bëjë për ne.
Vazhdojme te kemi qeveri e opozite te kapura .
Vazhdojme te kemi qeverite greke e serbe qe kane kapur cdo qelize te politikaneve tane te vjeter e te rinj
Sa do mbaje me ky popull???
Kur do te kemi Qeveri Kombetare ???
Kur????

Kur propaganda rrëzohet nga faktet, FMN e demanton Albin Kurtin dhe Hekuran Muratin

0

Selatin Retkoceri, Llugagji, Lipjan

Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2025 është një shuplakë e fortë për propagandën qeveritare. Shifrat zyrtare ndërkombëtare e vendosin në pikëpyetje serioze narrativën optimiste që Kryeministri Albin Kurti e prezantoi në Kuvend, ndërsa ministri i Financave Hekuran Murati vazhdon të shesë për “suksese” në letër.

Ja çfarë thotë raporti:

1. Rritja ekonomike 6% apo 3.5%?

Sipas FMN-së, rritja ekonomike për vitin 2025 është 3.5%, jo 6% siç deklaroi Kurti. Diferenca nuk është e vogël është gati përgjysmim i realitetit krahasuar me fjalimin politik.

2. Deficiti i llogarisë rrjedhëse drejt 10% të GDP-së, Importet janë rritur ndjeshëm, sidomos importi i energjisë, duke e çuar deficitin e jashtëm afër 10% të GDP-së, nga rreth 8.5% sa ishte në 2024. Kjo do të thotë varësi më e madhe nga jashtë dhe dobësim i prodhimit vendor.

3. Inflacioni afër 6% FMN sinjalizon rritje të ndjeshme të inflacionit, që ka prekur pothuajse 6%. Qytetarët e ndjejnë këtë çdo ditë në shportën e konsumit, pavarësisht statistikave të zbukuruara.

4. Deficiti tregtar rekord, Importet kanë arritur rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksportet mezi kapin 900 milionë euro. Deficiti tregtar ka shkuar në rreth 6.1 miliardë euro, niveli më i lartë në historinë e Kosovës së pavarur.

5. Papunësia dhe realiteti i grave në tregun e punës. Ndërsa ASK raporton papunësi rreth 10%, FMN thekson se pjesëmarrja e grave në tregun e punës mbetet jashtëzakonisht e ulët, mbi 50% e grave të gatshme për punë nuk janë të punësuara.

Washington, DC

Kjo është krizë strukturore, jo sukses.

Kur faktet ndërkombëtare bien ndesh me deklaratat politike, dikush po e shtrembëron të vërtetën. Ose Kryeministri nuk i kupton shifrat, ose po i shet me vetëdije një realitet të zbukuruar qytetarëve. Në vend të marketingut politik, Kosova ka nevojë për përgjegjësi, transparencë dhe politika që prodhojnë zhvillim real jo rritje imagjinare në podium.

Sepse ekonomia nuk matet me fjalime. Matet me shifra. Dhe shifrat nuk gënjejnë.

Një opinioniste, si Leonora Jakupi

1
Këngëtarja Leonora Jakupi
Idriz Zeqiraj, Gjermani
______
     Zakonisht, organizatorët e Big Brother VIP Kosova (BBVK), përkujdesen për përzgjedhjen e moderatorëve dhe opinionisteve të shquar, me preferencë në fushën e artit. Në përgjithësi, kanë qenë djem dhe vajza me përvojë, përgatitje intelektuale dhe përformancë të mirë publike. E zgjedhura e radhës për opinioniste ishte edhe këngëtarja e mirënjohur Leonora Jakupi
     Në spektaklin – Big Brother VIP Kosova 4 -, u transmetua një klip, ku banorët hapur diskutuan temën e familjes dhe krijimit të saj. Në debat u kyç edhe Leonora: “Unë shpesh jam paragjykuar “pse s´po martohem? Pse s´po krijon familje? Pse s´ke fëmijë?”  Dhe, Leonora u  rrëfye, ashtu sinqerisht e pa rezerva e hile, siç ndodhë vetëm para priftit dhe në BBVK: “Personalisht, konsideroj që fëmijët janë bekim dhe familja është bekim. Mirëpo, ndonjëherë rrethanat e jetës, përkushtimi i madh ndaj familjes, vitet të kalojnë aq shpejt sa që ndien një mungesë të madhe – një zbrazëti që dikur duhet ta plotësosh”.
     Ndërsa në një intervistë të dhënë disa vite më parë, Leonora qe shprehur se dua të kem shumë fëmijë. Prandaj, marrë guximin të ngulmoj, se bazuar në metodat bashkëkohore të fërtilitetit, ka mundësi reale që Leonora, në mos shumë, të këtë ndonjë apo ndoca fëmijë. Këtë e kërkojnë jo vetëm fansat, adhuruesit e saj, por edhe shumë më gjerë.
      Leonora nuk u mjaftua me kaq, u hap edhe më shumë para banorëve dhe opinionit shikues dhe dëgjues të shqiptarëve vendorë dhe botërorë. “Unë kam një shok në bashkëjetesë prej 15 vjetësh, jam e përmbushur dhe jetoj mirë”, – ngushëlloi shqiptarët Leonorë Jakupi, gjithnjë e bukur “si një zanë mali”, e freskët dhe rinore, vitale, që nuk i kanë bërë shenjë vitet.
     Personalisht e njoh shokun e Leonarës, i cili është shok i nipit tim, me veprimtari biznesi në Tiranë. Vërtet është djalë i mirë, i edukuar dhe shumë bashkëkohor, i shkolluar bollshëm. I qetë në sjellje dhe i matur në bisedë. Është vital dhe nuk jep moshë.
     Gjithnjë e më shumë po shtohet numri i vajzave, sidomos figura publike, të cilat refuzojnë martesën dhe prindërimin. Ky fenomen sa vjen dhe bëhet më shqetësues, për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. Shtimi demografik, lindjet e bollshme, na gëzonin dhe na mbushnin me shpresë se me shumëzimin rapid, mund të arrinim në shtrirjen deri në atë pjesë të Dardanisë tonë të pushtuar. Ndryshimi i këtij ritmi zvetënon shpresën tonë të ushqyer në vite e dekada.
     Të ndalemi ke roli i Lenora Jakupi si opinioniste në BBVK 4. Në të gjitha ndërhyrjet e saj, në dhënien e opinionit personal, ajo ishte e veçantë, serioze në trajtimin e çështjeve, që lindnin përgjatë debateve të banorëve të shtëpisë, e artikuluar, racionale dhe shumë profesionale.
     Me një rast, një banor i ardhur rishtas, hyri në shtëpinë ” më të lavdishme në Kosovë, – siç e thonë organizatorët, me pretendimin për të realizuar 1.000 puthje. Dhe, vërtet, djali simpatik filloi misionin e tij, “me goditje të përqendruara”, siç i quanin partiakët komunistë në Shqipërit, aksionet e ndryshme ndërtimore dhe politike. Edhe pse aty gjeti të dashurën e tij, të njohur jashtë shtëpisë, ai filloi të flirtojë me një vajzë të dytë dhe e “thithte si viçi” në çdo kohë e rrethanë”! E dashura e parë u sikletos deri në vajë. Dy vajzat u konfliktuan rreth bukuroshit ardhacak.
      Moderatorët Alaudin Hamiti dhe Rudina Vokshi, (kjo nga Tirana, mbesa e Bajram Gashit nga Uça e Istogut, i arratisur në Shqipëri, ushtarak dhe mësues. U kthye në Kosovë, në LDB, udhëhoqi batalionin e luftëtarëve nacionalistë të Podguerit, në mbrojtjen e Kosovës dhe të Sanxhakut. U vra, në luftim e sipër në Bjeshkët e Istogut. Nga babai është pinjolle e Familjes të Sylejman Vokshit, motra e Vjollca Vokshit, zëdhënëse e parë e PDSH dhe e Albana Vokshit, deputete e disa mandateve të PDSH të Dr. Berishës.)
     Moderatorët hapën temën për rrethanën e krijuar në shtëpi. Leonorë Jakupin e prekën lotët, të shoqëruar me dënesë të vajzës së tradhtuar dhe e mbrojti viktimën, të dëmtuarën. Kolegia opinioniste, Olta Gixhari, këtë rrathanë e quajti normale, është lojë. Leonora ishte e rreptë në reagim: “Çfarë normaliteti është kjo, t`i futesh tjetrit në krevat, nën jorgan”?! Olta u mundua ta qetësojë atë, por Leonora ia kujtoi, se “unë jam nga Drenica dhe nuk aprovoj skena të tilla”. Dhe, qëndrimi i saj u duartrokit fort.
     Leonorë Jakupin e njoha kur ishte vajzë njomëzake. Ajo erdhi në Ludwigshafen të Gjermanisë, me një grup artistik nga Kosova, të ftuar nga Axhencia “Albakos”, me pronar profesor Sebastian Nuiçi, me seli në Frankfurt. Baca Sebë, siç e thërrasim ne, papritur ishte në trajtim spitalor. Na porositi për pritjen, sigurimin e sallës dhe akomodim qëndrimi. Dhe, ne bëmë detyrën.
     Leonora gjithherë në turnetë artistike, shoqërohej nga nëna e saj. Me zërin e saj “pushkë”, rrastë të artikuluar, mirëpritej dhe duartrokitej veçmas nga publiku. Edhe më shumë e favorizohej, sepse ishte më e reja e ansamblit artistik.
     Me Leonorë Jakupin, bukuroshen krenare të Drenicë heroike, më shumë se sa një njohje e hershme, me lidh fakti se kam njohur babain e saj, komandantin ushtarak të Koshares, Qazim Jakupin. Leonora trashëgon shumë nga bukuritë të babait të saj. Ai ushtronte në përgatitjen ushtarake djemtë e Kosovës, luftëtarët e lirisë, në kazermen ushtrimore në Papaj të Malësisë të Gjakovës.
     Ishin kohë të vështira, të rrezikshme. Bandat e LPK-së, në bashkëpunim me ato shqiptare, i ndiqnin kudo, ata që i konsideronin kundërshtarë politikë. Ata me dhunë pushtuan kampet ushtrimore në Kolsh e Kalimash të Kukësit, duke vrarë kuksianin Rushit Elezin, kontraktorin ndërmjetës të këtyre dy kampeve ushtrimore ushtarake. Tani e synonin marrjen e kampit – ushtrimore në Papaj të Tropojës.
     Në një udhëtim me makinë, në relacionin Fierzë-Qafë Mali, një kurth i ngritur, makina me dy pasagjerët: Qazim Jakupi dhe Muharrem Tafa, banor vendas, mik i heroit Sali Çekaj, u rrokullisën në greminë. Ishte humbje-gjemë e Familjes Jakupi, por edhe humbje e ndjeshme për Luftës të Koshares  dhe të Kosovës. Po në atë rrugë janë ekzekutuar në pritë, oficeri i Emergjencës ushtarake, Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, ky i fundit nga Tropoja. Ashtu si dhjetëra atentate të tjera, edhe këto pasoi heshtja dhe kurrë as nuk u hetuan dhe as nuk u zbuluan. Ata ishin dhe mbetën heronjtë tanë lavdiplotë dhe do të kujtohen me ndjeshmëri në mendjet dhe zemrat tona përjetësisht.
     Më 21 qershor 1998, ishte betimi i Brigadës 134. Me dekret të Ministrisë të Mbrojtjes, ministri saj, Kolonel Ahmet Krasniqi, e emëroi Kolonel Tahir Zemaj, komandant të kësaj Brigade, duke ia dorëzuar flamurin e luftës dhe duke urdhëruar të mos binte kurrë në duart e armikut. Për ironi, të dy komandantët markant, të cilët identifikohen me Luftën Çlirimtare të Kosovës, u ekzekutuan nga banda e Ndërmarrjes të Përbashkët Kriminale!
     Në ceremoninë e Brigadës 134, ishte ftuar këngëtarja e re Leonorë Jakupi, e bija e dëshmorit të Koshares dhe Kosovës, Qazim Jakupi, e cila veshur me uniformën ushtarake, këndoi këngën-hymn: “Besa-besë, besën ta kemi dhanë”, e cila jehoi në Malësinë e Gjakovës, si kushtrim lufte.

Kurs përplasjeje me politikën muhamedane

0
Hizb ut Tahrir Skandinavia mban lutjen e së premtes në Sheshin e Kështjellës Christiansborg në Kopenhagen më 22 mars 2019 në kujtim të myslimanëve që u vranë në sulmin terrorist në Zelandën e Re të premten e kaluar. Foto: Liselotte Sabroe / Ritzau Scanpix / NTB.
Lars Hedegaard / Document.no

Në lidhje me gjërat që kohët e fundit kam shkruar për Rupert Lowe, një danez i vëmendshëm vë në dukje se 85 përqind e atyre që votojnë në zgjedhjet parlamentare, janë të kënaqur me ndërrimin e popullsisë. Danezët nuk janë pyetur, por në të gjitha zgjedhjet parlamentare ata mbështesin politikanët që përkrahin dhe promovojnë emigracionin mysliman.

Në këtë kontekst duhet të theksohet se 85 përqind nuk kanë asnjë ide se çfarë po ndodh, sepse mediat refuzojnë të informojnë për këtë.

Danimarka konsiderohet një shoqëri me besim të lartë. Ne besojmë se bashkëqytetarët tanë zakonisht nuk do të na mashtrojnë ose sulmojnë fizikisht. Prandaj nuk mund të imagjinojmë që mediat dhe ata që janë në pushtet gënjejnë, shpifin dhe heshtin, ose që ata kanë një agjendë tjetër ndaj nesh. Ne besojmë kur partitë thonë se përkrahin një politikë imigracioni të rreptë dhe të drejtë.

Sigurisht, kjo është një gënjeshtër, por çfarë duhet të besojnë danezët e qetë që nuk kanë studiuar shkencat politike, por thjesht shkojnë në punë dhe kujdesen për familjen, kur të gjithë të mençurit, të famshmit dhe të njohurit çdo ditë u thonë se je racist nëse nuk e do multikulturën dhe shoqëritë paralelë?

Ne kemi kaluar atë pikë ku ka më vlerë të votojmë, sepse politikanët janë aktorë skenikë, ndërsa fuqia e vërtetë qëndron tek një burokraci shtetërore që prej kohësh ka vendosur se e ardhmja i përket Allahut, dhe se do të injorojnë plotësisht danezët.

Pra, voto me besim në zgjedhje, por mos mendo se vota jote ka ndonjë rëndësi për të ardhmen e fëmijëve të tu. Ata që janë në pushtet nuk janë kurrë në zgjedhje. Prandaj ata janë në pushtet.

Armiku më i rrezikshëm i danezëve nuk janë myslimanët, por shteti që kërkon që të përulemi ndaj ideologjisë së Allahut. Këtë e kërkojnë edhe burrat lokalë të Muhamedit, por ata nuk do të kishin fituar tokë nëse klasa sunduese nuk do të kishte bërë fushatë për ta.

Çfarë mund të bëhet? Unë mund të referoj vetëm në kryengritjen popullore kundër pushtimit nazist në vitin 1944.

Qëndrimet e afërta të një pjese të mediave në Shqipëri me interesat ruse

0

Ushtarë të Federatës Ruse në Ukrainë

Abedin Sutaj, Dr. Sc., Vjenë

Një pjesë jo e vogël e mediave në Shqipëri, në periudha të caktuara, kanë shfaqur qëndrime të afërta me interesa ruse. Kjo është vërejtur jo përmes pronësisë së drejtpërdrejtë, por përmes përmbajtjes së emisioneve dhe mënyrës se si janë ndërtuar debatet publike.
Shpesh këto emisione janë paraqitur në formë teorish komploti, ku janë ftuar figura publike me prirje të theksuara ideologjike, përfshirë rryma enveriste, përfaqësues të qarqeve të caktuara fetare apo zëra me orientime të ndryshme politike. Megjithëse të ndryshëm në bindje ideologjike e fetare, këta zëra shpesh janë bashkuar në një pikë të përbashkët: një qëndrim kritik, herë-herë mohues, ndaj Kosovës dhe konsolidimit të saj si shtet.
Kjo frymë nuk është kufizuar vetëm në qarqe të caktuara politike. Ajo është vërejtur herë pas here edhe në segmente të ndryshme shoqërore – si në disa rrethe katolike, ashtu edhe në disa rrethe myslimane në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë për komunitete në tërësi, por për individë apo grupe të caktuara brenda tyre. Megjithatë, ajo që bie në sy është se, kur bëhet fjalë për qëndrime të ashpra kundër Kosovës, ndarjet tradicionale veri-jug apo fetare zbehen dhe krijohet një lloj bashkimi i pazakontë rreth kësaj pike.
Në thelb, mesazhi që përcillet në këto raste është se forcimi i Rusisë në skenën ndërkombëtare do të dobësonte pozitën e Kosovës. Duke qenë se Rusia mbështet hapur Serbinë në arenën ndërkombëtare, çdo rritje e ndikimit rus shihet si rrezik për pavarësinë dhe të ardhmen shtetërore të Kosovës.
Kjo qasje ka kontribuar në krijimin e një klime dyshimi ndaj orientimit perëndimor dhe në relativizimin e pavarësisë së Kosovës, duke e paraqitur atë si të pasigurt ose të përkohshme.
Fryma kundër Kosovës dhe popullit të saj – duke e akuzuar herë për provincializëm, herë për prirje fetare të theksuara, herë për çështje të të folmes – është vërejtur edhe te disa figura publike të njohura në debatet kulturore e politike. Në intervista dhe shkrime të ndryshme, janë shfaqur qëndrime që përputhen me kritika të ashpra ndaj orientimit politik dhe kulturor të Kosovës.
Debati është shtrirë edhe në fushën e gjuhës dhe të standardit. Në disa raste, gegnishtja dhe përdoruesit e saj janë vënë në qendër të polemikave, madje duke u paraqitur si problem për gjuhën letrare. Kjo ka krijuar perceptimin e një përplasjeje identitare, ku çështje gjuhësore janë përdorur për të thelluar ndarje kulturore.
Në diskutimet mbi luftën dhe periudhën e pasluftës, janë shfaqur interpretime të ndryshme lidhur me rolin e figurave politike dhe ushtarake, si dhe mbi mënyrën se si u menaxhua kriza humanitare. Është theksuar se ndërhyrja e NATO-s ishte faktor vendimtar në mbrojtjen e popullsisë së Kosovës, ndërsa ndihmat ndërkombëtare luajtën rol të rëndësishëm në përballimin e situatës së refugjatëve.
Nga ana tjetër, janë ngritur akuza për keqpërdorime dhe përfitime të padrejta gjatë asaj periudhe, duke krijuar një debat të ashpër mbi përgjegjësitë morale dhe politike.
Propaganda kundër Kosovës nuk ka lindur rastësisht. Ajo ka rrënjë në disa tradita politike dhe ideologjike të zhvilluara gjatë shekullit XX. Një pjesë lidhet me trashëgiminë e periudhës së izolimit, kur çështja e Kosovës trajtohej më shumë si mjet retorik sesa si projekt konkret shtetformues.
Një tjetër burim ndikimi ishte trashëgimia jugosllave, e ndërtuar mbi konceptin e bashkëjetesës federative, ku çdo projekt i pavarur shtetëror i Kosovës shihej si destabilizues.
Në vitet ’90, përplasja u bë më e dukshme me daljen e një orientimi të qartë perëndimor në politikën kosovare, i cili theksonte rrugën paqësore dhe mbështetjen ndërkombëtare për pavarësi. Kjo u përplas me mendësi të tjera ideologjike, të cilat e shihnin çështjen e Kosovës përmes një këndvështrimi tjetër historik e politik.
Në thelb, përplasja mund të përmblidhet në dy vizione:
– Kosova si projekt kombëtar i orientuar drejt strukturave perëndimore;
– Kosova si entitet që duhet të ruajë distancë dhe të balancojë ndërmjet fuqive të ndryshme.
Në plan konkret, qëndrimet kritike ndaj Kosovës janë shfaqur në disa forma:
Relativizmi i pavarësisë së saj – paraqitja si projekt i përkohshëm apo i varur nga fuqitë e mëdha.
Delegjitimimi i elitës politike kosovare – sidomos i krahut me orientim të qartë perëndimor, duke e paraqitur si të dobët apo të varur.
Instrumentalizimi i debatit gjuhësor – përdorimi i çështjes së standardit për të krijuar ndarje identitare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Përzierja e fesë në debat politik – paraqitja e Kosovës herë si tepër laike, herë si tepër fetare, sipas nevojës polemike.
Këto qëndrime janë dëgjuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në hapësirën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku faktorë të ndryshëm politikë dhe kulturorë kanë pasur interes në dobësimin e subjektivitetit politik të Kosovës.
Nga këndvështrimi gjeopolitik, çështja paraqitet e qartë: Rusia ka mbështetur vazhdimisht Serbinë në forume ndërkombëtare, duke kundërshtuar njohjen e Kosovës. Prandaj, çdo forcim i ndikimit rus në rajon shihet si dobësim i pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Në këtë kuptim, çdo rrëfim politik që relativizon pavarësinë e saj përkon, në plan objektiv, me interesat e bllokut lindorë; turke, arabe , iraniane dhe Moskës, pavarësisht qëllimeve të shpallura të aktorëve të brendshëm.

Majlinda Grajçevci: Një shqiptar i xhveshur nga shqiptaria dhe i mbuluar me simbolika arabe, nuk ka asnjë vlerë në sytë e botës

1
Duan t’ia heqin shqiptarisë shpirtin dhe ta mbulojnë me arabizëm. Kjo nuk është fe, kjo është xhveshje nga çdo gjë kombtare. Një shqiptar i xhveshur nga shqiptaria e i mbuluar me simbolika arabe nuk ka asnjë vlerë në sytë e botës. Dukesh si ardhacak në skenën ndërkombëtare dhe hap rrugën për ndarje të trojeve shqiptare nga fqinjtë sllavo-ortodoksë që janë gjithnjë të uritur për territore.

Po shohim më gjerë: ka një përzgjedhje të elementeve shqiptare që nuk i përshtaten narrativës islamike:

Çdo kryengritje kundër Perandorisë Osmane shihet si faj, heronjtë që luftuan kundër osmanëve paraqiten tradhëtarë të fesë.

Madje edhe kur shqiptarë muslimanë luftuan për liri, lëvdohet Brankoviçi serb që bashkëpunoi me sulltanin, por Gjergj Kastrioti akuzohet si tradhëtar vetëm sepse luftoi kundër sulltanit.

Perandoria Osmane paraqitet si “e mira e shqiptarëve”, shqiptarët si bashkëpunëtorë me të drejta të plota në pushtet, ndërsa shqiptarët e Kosovës shihen si ardhacakë që vetëm fal Perandorisë Osmane “na u dha” territori. Kjo është narrativë serbe!

Ushtria Çlirimtare e Kosovës herë-herë paraqitet si ushtri islame, Shaban Polluzha quhet “shehit” në një narrativë që nuk ka lidhje me realitetin.


Po çfarë ndodh me Lekë Dukagjinin? Ai fyhet, vihet në rangun e qenieve të urryera, krahas dreqit, vetëm sepse vazhdoi organizimin e shtetit të Gjergj Kastriotit dhe luftën kundër osmanëve edhe 10 vite pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Dhe më keq: fyhet sepse Kanuni i tij konkurroi me sheriatin për 500 vjet, duke ruajtur ligjin shqiptar mbi ligjin fetar.

Në botën islamike që duan të krijojnë këta, nuk ka Rilindje Kombëtare. Po kush e shkroi letërsinë, po kush e mbajti gjuhën dhe kulturën gjallë? Kryesisht bektashë, katolikë, ortodoksë. Pa këta, nuk ka komb, nuk ka histori, nuk ka trashëgimi kulturore. Jo thonë nuk ka qenë rilindje e jona se nuk morën pjesë sunitët. Në fakt sunitët morën pjesë me armë gjatë gjithë kohës, por askush nuk u ka faj që nuk shkruani e nuk lexoni. Kjo shihet edhe sot nëprë xhamitë tuaja!

Nuk ka veshje kombëtare, sepse veshjet arabe, ferexhe, hixhab, poture, dimija, kule etj., kanë zëvendësuar atë që ishte identitet shqiptar.

Çfarë po mbetet nga shqiptaria? Vetëm gjuha shqipe, dhe edhe kjo e përzier me qindëra fjalë turke dhe arabe, jo vetëm ato të kohës osmane, por edhe të sotmet (p.sh. eselamu alejkum) në emër të fesë.

Gjuha shqipe vetëm për vetëm nuk të bën shqiptar – të bën shqipfolës. Shqipfolësi nuk ka komb, nuk ka histori, dhe në sytë e botës duket si kopje e huaj. Askush nuk respekton një kopje të turkut – turqit origjinalë janë aty, në Turqi. Askush nuk respekton një kopje të arabit – arabët origjinalë janë në Arabinë Saudite.

Bota na respekton vetëm si shqiptarë. Jo si kopje të huaj, jo si robër të ideologjive radikale, jo si njerëz pa histori dhe pa identitet.

Fakte tjera në vazhdim:

Shumë predikues radikalë pas vitit 1990 kanë ardhur nga Arabët dhe financohen nga fondacione të jashtme.

Kanuni i Lekës u përdor mbi 5 shekuj si sistem juridik, konkurronte me sheriatin dhe ruante ligjin shqiptar.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe heronjtë e tjerë shqiptarë, luftuan kundër pushtuesve osmane, jo për fe, por për liri dhe shtetësi.

Rilindja Kombëtare, alfabeti shqip, letërsia dhe kultura u zhvilluan nga shqiptarë të besimeve të ndryshme, duke treguar pluralizmin laik të identitetit tonë.

Nëse duam të mbijetojmë si komb, duhet të mbrojmë shqiptarinë, jo kopjen arabe që islamikët radikalë duan të imponojnë.

Përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim

0
Elisa Spiropali, Tiranë
Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen.
Politika është një territor ku koha lëviz shpejt, por kujtesa lëviz ngadalë. Në fund ajo që mbetet nuk është posti që ke mbajtur, por mënyra se si e ke mbajtur atë dhe çfarë peshe i ke dhënë fjalës dhe qëndrimit tënd.
Shërbimi ndaj Shqipërisë për mua ka qenë dhe është i lidhur pazgjidhshmërisht me dashurinë për Shqipërinë, zgjedhje e vetëdijshme dhe jo aksident karriere, një akt besimi se vendi ynë mund dhe duhet të qëndrojë në anën e duhur të historisë, ashtu siç në momentet kyçe të saj Shqipëria ka ditur të zgjedhë orientimin perëndimor, edhe kur kjo zgjedhje ka qenë e vështirë. Nga koha kur rilindasit kërkonin dritë në Europë, te vendimi historik për anëtarësimin në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Europian, projekti ynë kombëtar ka qenë gjithmonë projekt për t’u bërë pjesë e qytetërimit politik që ndërtoi shtetin e së drejtës, dinjitetin institucional dhe njerëzor.
Në këtë kuptim, detyra ime si Ministre e Jashtme nuk ishte thjesht funksion, por vazhdim i një narrative historike që e sheh Shqipërinë si pjesë të pandashme të Perëndimit politik.
I jam mirënjohëse Partisë Socialiste dhe Kryeministrit për besimin e dhënë ndër vite, sepse mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal.
Ne kemi ndërtuar së bashku një model që e ka zhvendosur Shqipërinë nga psikologjia e tranzicionit drejt normalitetit europian, duke zgjedhur reforma kur ishte më e lehtë të zgjidhej kompromisi me mediokritetin dhe duke zgjedhur përgjegjësinë kur populizmi ofronte duartrokitje të shpejta. Ky model nuk është i përsosur, por është i qartë në orientim dhe i vendosur në qëllim.
Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se politika nuk është zotërim apo pronësim, por kujdestari e përkohshme. Institucionet janë më të mëdha se individët, por janë individët ata që u japin atyre frymë, ton dhe karakter. Në çdo funksion që më është besuar, si deputete, kryetare Kuvendi e ministre, kam zgjedhur të jem zë me bindje dhe jo jehonë pa peshë, sepse dinjiteti i shtetit mbrohet jo vetëm me marrëveshje e dokumente, por me qëndrimin që mban kur përfaqëson flamurin tënd përballë të tjerëve. Në Europën politike, nga De Gasperi te Schuman, modeli që mbeti ishte ai i burrështetasit që ndërton mbi parime dhe jo mbi kalkulime afatshkurtra, dhe ky mbetet edhe për mua standardi ideal i shërbimit publik.
Vendimet politike janë pjesë e një vizioni më të gjerë dhe si të tilla respektohen, por historia personale e secilit prej nesh nuk matet me kohëzgjatjen e një mandati, as me fuqinë e përkohshme politike, por me gjurmën që lë në kulturën politike dhe morale të vendit. Në histori, figurat që mbeten nuk janë ato që mbajnë më gjatë pushtetin, por ato që nuk relativizojnë kurrë karakterin, sepse dinjiteti nuk është dekoratë ceremoniale, por qëndrueshmëri përballë kohës dhe aftësi për të mos u frikësuar as nga e kaluara, as nga e ardhmja.
Socialistëve u detyrohem gjithmonë besnikëri ndaj idealeve dhe jo ndaj komoditetit, sepse e majta europiane që kemi synuar të ndërtojmë në Shqipëri nuk është retorikë, por përpjekje për drejtësi sociale, shtet funksional dhe integrim të pakthyeshëm në Bashkimin Europian. Këto janë busulla që nuk ndryshojnë me rrethanat dhe nuk zbehen me rotacionin e detyrave.
Forca e një projekti politik matet nga aftësia për të prodhuar modele që qëndrojnë edhe kur rrethanat ndryshojnë, sepse modelet nuk rrëzohen me dekrete, ato provohen me kohën.
Shqipëria është më e rëndësishme se çdo rol dhe Partia është më e rëndësishme se çdo individ, por dinjiteti personal mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet çdo shërbim publik i ndershëm dhe i qëndrueshëm. Në këtë kuptim, për mua përfundimi i një detyre nuk është tërheqje, por vazhdim i angazhimit me të njëjtën bindje dhe të njëjtën përgjegjësi.
Mesazhet tuaja më të shumta në largim, se në marrjen e detyrës, ma përforcojnë detyrimin dhe vendosmërinë për të dhënë më shumë.
Sepse pozicionet janë kalimtare, ndërsa gjurma është zgjedhje e vetëdijshme.

Hafiz Sabri Koçi, një kujtesë që sfidon diktaturën, një test për ndërgjegjen morale e politike të shqiptarëve sot

Hafiz Sabri Koçi (1921–2004) & Me rastin e muajit të Ramazanit

Nga Frank Shkreli

Atdhetar dhe fetar

Hafiz Sabri Koçi ishte një nga figurat më të rëndësishme të Islamit në Shqipëri gjatë shekullit XX dhe periudhës së tranzicionit pas komunizmit. Të ndjerin e kisha takuar në Tiranë në Mars të vitit 1991 në vizitën e parë të delegacionit të Deparatmentit Amerikan të Shtetit, në Shqipërinë ende të sunduar nga regjimi komunist. Me atë rast, përveç aktiviteteve të tjera, delegacioni pat organizuar një pritje modeste në hotel Dajti për nja 100 zrytarë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, disa amerikanë dhe diplomatë të huaj të akredituar në kryeqytetin shqiptar të ftuar nga përfaqësia e parë diplomatike amerikane në Shqipëri, në pothuaj një gjysëm shekulli. Në atë pritje delegacioni kishte vendosur të ftonte edhe përfaqësues të feve dhe tjerë të shoqërisë shqiptare, të posa liruar nga burgjet e komunizmit: Hafiz Sabri Koçin, kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas rënies së komunizmit dhe At Simon Jubanin, (1927–2014), Nga Frank Shkreli/ Apostulli i Lirisë Fetare Dom Simon Jubani: Protagonisti i një epoke të re në Shqipëri dhe vizita e tij në Amerikë në maj të vitit 1991 | Gazeta Telegraf — prifti katolik që mbijetoi 26 vjet burg e internim — dhe i cili kishte celebruar meshën e parë në Shkodër me 4 nëntor të vitit 1990, pas 23 vitesh të ndalimit brutal të fesë nga regjimi komunist. Mesha publike e Dom Simon Jubanit u konsideruar në atë kohë si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj shpalljes së Shqipërisë si “shteti i parë ateist në botë”, dekada më parë.  Në mungesë të një kleriku ortodoks, i ftuar ishte edhe një përfaqësues civil i Kishës Ortodokse Shqiptare.

Takimi me Papa Gjon Palin e II-të, Shqipëri, 1993

Megjithse ai rast nuk ishte koha as mundësia të bisedoja pak më gjatë me këto dy figura të mëdha të fesë e Kombit Dom Jubani dhe Hafiz Sabri Koçin përveç përshëndetjeve të rastit – por i kujtoj si dy individë të vuajtur por të vendosur në parimet e tyre të fesë në Zotin dhe në dinjitetin dhe lirinë njerëzore – dhe si dy protagonistë fetarë, simbole të fillimit të një epoke të re.  Kësaj radhe do përqendrohem pak – duke përkujtuar — në shënjë nderimi dhe respekti, njëkohsisht, dhe me rastin e këtij muaji të Ramazanit, Hafiz Sabri Koçin, ish-Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (1991–2004).  Pas rënies së regjimit komunist, ai udhëhoqi ringritjen institucionale dhe shpirtërore të besimit islam në vend.  I burgosur politik (1966–1986) – kaloi rreth 20 vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxha për shkak të besimit dhe veprimtarisë fetare. Ai luajti rol kyç në rihapjen e xhamive, në organizimin e jetës fetare dhe rikthimin e edukimit islam pas ndalimit brutal të fesë në vitin 1967.  Sipas atyre që e kanë njohur, Hafiz Sabri Koçi është dalluar për qëndrimet e tija të moderuara, për dialog ndërfetar dhe për ruajtjen e harmonisë tradicionale fetare ndër shqiptarët.  Si i tillë, megjithse në amshim, ai vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite, një prej simboleve të qëndresës fetare, i faljes dhe i bashkëjetesës ndërfetare, ndër shqiptarët.  Ai ka kontribuar që, pas shembjes së komunizmit zyrtar antifetar, Islami shqiptar të riorganizohej mbi baza kombëtare dhe larg ndikimeve radikale. Si i tillë, figura e Hafiz Sabri Koçi zë një vend të veçantë në historinë moderne shqiptare. Ai nuk ishte thjesht një klerik mysliman; ai ishte edhe simbol i qëndresës shpirtërore përballë një prej periudhave më të errëta të shtetit shqiptar.

Foto e rrallë — Nenë Tereza në vitin 1990, ishte takuar me Myftiun e Madh të Shqipërisë, Hafiz Sabri Koçi, njoftone gazeta zvicerane (Canton27.ch)

Siç dihet, Shqipëria jonë e pësoi si asnjë shtet e komb tjetër në botë komunizmit anti-Zot, kur regjimi i Enver Hoxha kishte shpallur Shqipërinë shtet ateist në vitin 1967. Dhe si rrjedhim regjimi tij barbar mbylli çdo institucion fetar, shumë klerikë u burgosën, u internuan ose u detyruan të heshtin. Hafiz Sabri Koçi kaloi afro dy dekada në burgjet komuniste. Si shumë të tjerë si ai –sy pa trembur, as përball vuajtjeve e burgjeve, punës së detyruar dhe persekutimeve komuniste, ai me shokë klerikë të feve të tjera, nuk hoqën kurrë dorë nga besimi, por as nga dashuria për Kombin e vet, pa dallim.

Pas rënies së komunizmit zyrtar, ai mori drejtimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në një kohë kur institucionet fetare ishin të shkatërruara, ndërsa  shoqëria shqiptare ishte e çoroditur, shpirtërisht, por jo vetëm. Sabri Koçi me urtësi dhe maturi, udhëhoqi rihapjen e xhamive, edukimin e brezit të ri të imamëve dhe rikthimin e jetës fetare në normalitetin e traditës shqiptare.  Por ndoshta merita më e madhe e tij ishte dhe mbetet se ai punoi për ta ruajtur Islamin shqiptar në traditën e tij të moderuar, kombëtare dhe harmonike me besimet e tjera dhe me shioqërinë në përgjithsi. Në një kohë kur Ballkani po përjetonte tensione të forta fetare, politike e etnike, ai zgjodhi rrugën e dialogut dhe të bashkëjetesës midis shqiptarëve të feve të ndryshme, ashtu sipas traditës.  Pas vitit 1990, kur shumë ndikime të jashtme — jo të natyrshme për bashkjetësën fetare të shqiptarëve —  kërkonin të mbushnin vakumin shpirtëror të lënë nga diktatura komuniste, Hafiz Sabri Koçi zgjodhi rrugën e traditës shqiptare: duke predikuar një Islam kombëtar, të moderuar, të lidhur ngusht dhe historikisht, me kulturën dhe me bashkëjetesën shqiptare. Ai e kuptonte se feja pa atdhe bëhet instrument, ndërsa feja me përgjegjësi kombëtare, bëhet mburojë ndaj infleuncve të huaja.  Duke lënë kështu një trashëgimi fetare, morale dhe kombëtare, por jo vetëm. Duke na kujtuar të gjithëve, se ndryshe nga propaganda komuniste anti-fetare e Enver Hoxhës dikur, feja kur lidhet me atdhedashurinë dhe me përgjegjësinë morale, bëhet faktor stabiliteti dhe jo përçarjeje, midis shqiptarëve. Hafiz Sabri Koçi, sipas atyre që e njihnin mirë, nuk e përdori kurrë fenë për përfitime personale, as politiko-fetare. Përkundrazi, ai e mbrojti pavarësinë e institucionit fetar nga instrumentalizimi.  Prandaj, sot, si i tillë, në këtë muaj të Ramazanit, 2026, kur Shqipëria përballet me sfida identitare, emigracion masiv, korrupcion dhe polarizim politik, modeli i tij i maturisë dhe i përkushtimit ndaj harmonisë ndërfetare dhe vlerave kombëtare –mbetet shembullor dhe aktual.   Prandaj, Hafiz Sabri Koçi ishte më shumë se vetëm udhëheqës fetar. Ai ishte një ndër ata klerikët e vuajtur — nepër burgje e kampe përqendrimi, të vrarë e të persekutuar — të feve shqiptare nën diktaturën komuniste enveriste, katolikë, bektashinjë msyslimanë e ortodoksë — simbole ndërgjegjeje morale të një shoqërie që po kërkonte dhe gjithnjë kërkon të ringrihet moralisht, mbi plagët e diktaturës antifetare hoxhiste – madje edhe 35-vjet pas shembjes zyrtare të komunizmit.

Vet Hafiz Sabri Koçi vuajti afër njëzet vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxha – jo për pushtet, jo për para, por sepse refuzoi të hiqte dorë nga besimi dhe dinjiteti i tij. Ndërsa shumë ish-persekutorë të regjimit komunistë që dënuan klerikët me vrasje e burg, u ricikluan në të ashtuquajturën, “demokracinë” e sotëme. Çfarë hipokrizie kombëtare! Persekutorët komunistë edhe sot vazhdojnë në detyra të larta të “drejtësisë” së re.  Shumë oportunistë të tillë – të mbështetur nga politika e tranzicionit, mjaft prej tyre edhe ata me rrënjë të thella politike dhe akademike në ish-regjimin e Enver Hoxhës, sot janë vet- shpallur “pro-evropianë” e “pro-amerikanë”. Brenda natës u kthyen nga persekutorë komunistë në prokurorë të drejtësisë së re. Shumë prej këtyre “moralistëve” të rremë predikojnë tolerancë, “drejtësi e demokraci” nga komoditeti i studiove televizive oe nga sallat e gjykatave. Por, Hafiz Sabri Koçi – si shumë klerikë të tjerë shqiptarë, katolikë, myslimanë, ortodoks bektashinjë —  në burg dhe jasht burgut – mbeti ai që ishte: një njeri që pagoi me liri personale për të drejtën për të besuar në Zotin.

Quaje ironi, në daç hipokrizi,ose të dyja. Fakti i realitetit politik shqiptar është i hidhur: përfaqsuesit politikë të pozitës dhe opozitës të këtij shteti shqiptar që kemi sot në “demokraci”, e që dikur e burgosi për besimin e tij Hafiz Sabri Koçit dhe shumë bashkvëllezër të tij fetarë, sot krenohet nepër botë duke marrë kredinë për harmoninë ndërfetare ndër shqiptarët. Harmoninë që mbijetoi falë njerëzve si ai, jo kësaj klasës politike aktuale, as falë ideologjisë shtetërore antifetare komuniste gjysëm shekullore në të cilën shumë prej këtyre politikanëve ende mbeten të brumosur në të. Vërtetë, meritë e kujt është bashkjetesa fetare në Shqipëri?!

Sabri Koçi me shokë kërkon drejtësi historike!  E kam thënë shpesh gjatë dekadave të fundit se Shqipëria “post-komuniste”, u ka borxh këtyre përfaqsuesve të përsekutuar të Kombit – të gjallë e të vrarë nga regjimi komunist — një rivlerësim serioz historik të rolit të tyre në mbijetesën shpirtërore të Kombit gjatë komunizmit dhe në ringritjen morale të kësaj mbijetese fetare sot ndër shqiptarët.  Por politika shqiptare në “demokraci”, e ka treguar se nuk ka guximin as vullnetin që të flasë, seriozisht, për krimet e së kaluarës komuniste në përgjithësi, ndërkohë që refuzon një përballje të thellë me persekutimin fetar nën regjimin komunist në atë vend dhe me krimet e komunizmit në përgjithsi. Ende mungon një ndjesë e plotë morale dhe institucionale për atë që ka ndodhur. Një “harresë” e mirë organizuar nga politika dhe nga academia.

Nëse Shqipëria, si shtet dhe si komb — dëshiron të ndërtojë një të ardhëme me dinjitet, duhet të përballet ndershmërisht, me të kaluarën e saj të hidhur – dhe të pranojë se ndërgjegjja morale e atij tranzicioni nuk erdhi nga politika, por nga shqiptarë, kundërshtarë të komunizmit, si Hafiz Sabri Koçi. Dhe nëse sot ka stabilitet dhe bashkjetesë fetare në Shqipëri, kjo është meritë e tij dhe shumë të tjerëve si ai. Për këtë meritë,  ata nuk kërkojnë lavdërime boshe, por do donin një klasë politike dhe një shoqëri që e kupton se liria as demokracia nuk janë dhuratë – por janë një  trashëgimi e paguar me sakrifica –e që historia duhet ta njoh, për ndryshe, ajo shoqëri rrezikon të humbasë busullën morale, por jo vetëm.

Imponimi i narrativës për Kosovën si “shoqëri islamike”, nuk mund të jetë i vërtetë dhe nuk pranohet nga kombi shqiptar

0
Ka një narrativë që po tentohet të imponohet: se Kosova është shoqëri islamike dhe se politikanët thjesht po reflektojnë vullnetin e një popullate fetare.
Kjo është e pavërtetë.
Shqiptarët e Kosovës historikisht nuk janë identifikuar si popull fetar në kuptimin politik. Identiteti i tyre ka qenë kombëtar, gjuhësor dhe kulturor, ndërsa feja ka qenë dimension privat.
Ajo që po shohim sot nuk është “shprehje e popullit”, por rritje e ndikimit të strukturave fetare dhe tolerim apo mbështetje politike ndaj tyre.
Politikanët nuk po i bëjnë lëshime sepse populli kërkon fetarizim – por sepse fetarizimi krijon terren më të lehtë për kontroll social, klientelizëm dhe ndikim ideologjik.
Në këtë kuptim, krijohet një rreth vicioz:
– struktura fetare fitojnë hapësirë publike
– politika i përdor për legjitimitet dhe mobilizim
– pastaj kjo paraqitet si “realitet shoqëror” edhe kur nuk është shumicë
Prandaj është e rëndësishme të ndahet qartë:
besimi personal i qytetarëve ≠ projektet politike që përdorin fenë
Shqiptarët nuk kanë nevojë për identitet fetar politik për të ekzistuar si komb. Historia e tyre dëshmon pikërisht të kundërtën: mbijetesa kombëtare erdhi nga tejkalimi i ndarjeve fetare.
Kur shoqëria reduktohet në etiketa fetare, dobësohet kohezioni kombëtar dhe hapet rrugë për ndikime të jashtme dhe manipulim politik.